• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SKËNDERBEU NË PIKTURAT EUROPIANE

April 16, 2025 by s p

SKËNDERBEU (6 MAJ 1405 – 6 MAJ 2025) – ( NË KUJTIM 620 VJETORI I LINDJES)  

Pjesë nga libri i autorit: Hysen S.Dizdari : “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pulla shqiptare 1913-2023”, Botim, Shqip-Anglisht, viti 2024. 

Posta Shqiptare, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes Skënderbeut, emetoi një emision të posaçëm me pulla postare të titulluar : “Skënderbeu në gravurat Europiane”. Ky emision u emetua me 6 nëntor 2018 dhe përmban dy pulla postare me vlera monetare 150 lekë dhe 250 lekë. 1. Pulla me vlerë 150 lekë, e shtypur me 135 000 copë, paraqet një portret të rrallë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i realizuar bukur nga ana artistike. Autor i këtij portreti është Domenik Kusto (Dominicus Custos 1560-1612), grafisti i njohur i shekullit XVII, i cili e realizoi me 2 janar 1600, sipas vizatimeve te Xhiovani Batista Fontana, që e kishte botuar në “Atrium Heroicum”. Në vitin 1670, e njejta litografi u riprodhua nga Joanot Martorell në Valencia, me diçiturën “Scanderbeg, trionfatore contro i turchi –(SHQIP)- Skënderbeu, triumfues kundër turqeve”. Portreti i Skënderbeut realizuar me mjeshtëri, është i vendosur brenda një elipsi, ku në pjesën rrethore ka të shkruar me germa të mëdha:

“GEORGIVS CASTRIOT SCANDERBEGVS – EPIRI ET ALBANIA PRINCEPS”

“GJERGJ KASTRIOTI SKËNDËRBEU – PRINCI I EPIRIT DHE I SHQIPËRISË”

2. Pulla me vlerë 250 lekë, me tirazh 105 000 copë, paraqet Gjergj Kastriotin Skënderbeun në këmbë, me shpatën në dorë dhe me perkrenaren te vendosur pranë këmbëve. Skenderbeu në këtë pullë është realizuar sipas litografisë “Le armi di Scanderbeg – Armët e Skënderbeut”, të Jiří Barthold Pontanus z Breitenberka (1550 – 1614), i cili e vendosi në veprën e tij të botuar në vitin 1609, duke theksuar: “Scanderbegus, hoc est vita et res strenue feliciterque gestae Georgii Castrioti, Epiri regis, ob magna facta Scanderbegi dicti, contra Turcarum immanitatem et perfidiam – (SHQIP) – Skënderbeut, kjo ështe jeta e shquar e lavdishme e veprave fitimtare kundër turqëve nga Gjergj Kastrioti, princi i Epirit i njohur si Skënderbeu ..” Kjo litografia është riprodhim i një vepre të koleksionit te Pauli Jovij, e botuar në “Elogiorum, Liber 3 & Bartholdo Lontano Concinnata”. Në këtë emision u emetua edhe Zarfi i ditës së parë (FDC): tirazhi: 300 copë. Zarfi i ditës parë u përdor vetëm për qëllime filatelike, prandaj janë shumë të  kërkuara nga filatelistët shqiptarë dhe të huaj.

Pullat dhe FDC , janë pjesë e koleksionit të autorit të këtij shkrimi.

Filed Under: Opinion

“Statuti i Lushnjes 1920” – Kushtetuta e I Shqiptare

April 15, 2025 by s p

Av. Kevin Haxhiu/

Shteti Shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 do të kishte vetëm në vitin 1914 ligj themeltar të shtetit pra një kushtetute e cila quhej “Statuti Organik”.Ky Statut për nga renditja e Kushtetutave shënon të I kushtetutë në historinë e shtetit Shqiptarë por kjo është vetëm për nga renditja pasi ky Statut u hartua dhe u vendos nga një organ ndërkombëtar i huaj pra nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit – (KNK).Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1913,Traktati i Fshehtë i Londrës – (TFL) 1915,Konferenca e Paqes në Paris 1918 si dhe vendet fqinje përbënin rrezik për pavarësinë dhe integritetin territorial të shtetit Shqiptar ndaj dhe u organizua Mbledhja Kombëtare e Lushnjes e njohur në histori si Kongresi i Lushnjes 21-31 Janar 1920.Në këtë kongres u morën vendime tepër jetike për shtetin shqiptar të cilat sanksiononin qartë sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar.Pas vendimeve të Kongresit të Lushnjes Shqipëria ishte e lirë dhe jo më e rrezikuar për t’u copëtuar territori i saj nga fuqitë e mëdha.Shqipëria tashmë kishte institucionet e saj të ligjshme,demokratike,sovrane si dhe ligjin themeltar të shtetit kushtetutën e cila u emërtua “Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë” por që njihet ndryshe si “Statuti i Lushnjes-1920”.

-Seanca e Katërt e Mbledhjes Kombëtare të Lushnjes u zhvillua në datën 30 janar 1920 punimet u hapën në orën 9 para dreke.Në këtë seancë komisioni i zgjedhur për përgatitjen e protestave paraqiti përpara delegatëve nga një formulë protestimesh për të cilat ishte ngarkuar.
-“Së pari u bisedue protestimi q’i drejtohej Konferencës së Paqit dhe,mas një kundërshtim mendimesh u pranue si u hoqë frazi “Kur ka me kjenë nevojë,organizatorët kemi me i zgjedhë vetë”.Mas këti u bisedue shkresa,q’u drejtu Senatit t’Amerikës,e cila u pranue duke iu shtu tekstit fjalët “Kufit ethnografikë”,Të e mbramja këndohet shkresa për Parlamentin Italjanë, por , mbi tekstin e kësaj shkrese passi u banë shumë kundërshtime, u vendosë që kjo të rrëzohet e të formohet një Komision i ri për me ba një tjetër me mënyrë ma të rreptë”. (1)

-Kuvendi pas 10 minutash pushimi filloi përsëri punën ku vazhdoi me diskutimin e pikës Nr.4 të Rendit të Ditës. Kongresi vendosi që përveç Kabinetit (Qeveria) e Këshillës Kombëtare (Senati) të krijohej dhe një Këshillë e Naltë e përbërë nga 4 anëtar, e cila do të funksiononte duke u bazuar në Bazat e Kanunores dhe për këtë të fundit u ngrit një komision prej 10 anëtarësh.
-“ -Bazët e Kanunores së Këshillës Naltë- I. Këshilla e Naltë,detyrohet të pëlqejë (aprovojë) çdo projekt që do t’i paraqitet prej Kabinetit i vërtetuem nga ana e Senatit. II. Ka të drejtë në kohën e krizit ministruer të zgjedhë një Krye Ministrë për formimin e Kabinetit të rie,i cili hyn në fuqi kur se të pëlqehet prej Senatit. III. Të zgjedhunit të Kryetarit të Kabinetit në kjoftë se refuzohet prej Senatit tri herë rresht Këshilla e Naltë detyrohet të mbështjellë Mbledhjen e Kombit. IV. Këshilla e Naltë nuk ka të drejtë me përnda Senatin dhe, në kjoftë se u dalën midis tyne kundërshtime,Mbledhja Kombëtare e përgjithëshme,e rrëzonë Këshillën e Naltë ose përndanë Senatin. V. Në kjofte se njëni nga gjymtyrët e K. së Naltë jep dorheqjen,tre të tjerët vijojnë në detyrë;në dhançin dorëheqjen dy,Senati do të zgjedhin dy të tjerë. VI. Me t’arthmen e Mbretit në Fronin e Nalt mbretrurë Këshilla e Naltë njifet vetvetiu e rrëzueme ”. (2)

Statuti ose kushtetuta e parë e shtetit Shqiptarë është “Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë” e njohur ndryshe si “Statuti i Lushnjes 1920”.Ky Statut përfaqëson kushtetutën e parë Shqiptare për faktin se ky ligj themeltar i shtetit u hartua dhe u miratua nga një Mbledhje Kombëtare siç ishte Kongresi Kombëtarë i Lushnjes (21-31 Janar 1920) ku delegatët që merrnin pjësë në këtë mbledhje të rëndësishme për fatet e shtetit Shqiptar ishin përfaqësues të zgjedhur nga populli shqiptar në çdo Prefektur të Shqipërisë.Statuti i Lushnjes ishte i përkohëshëm pasi Statuti përfundimtar do të miratohej nga Asambleja Kushtetuese.Statuti i Lushnjes qëndroi në fuqi rreth dy vite pasi më pas Këshilli Kombëtar (Parlamenti) në dhjetor 1922 do ta zgjeronte këtë statut dhe statuti i ri do të emërtohej “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes”.

Statuti i Lushnjes kishte një përmbajtje të shkurtër vetëm me 6 nene si dhe ishte i përkohshëm por ai ka vend të veçant në historin e të drejtës kushtetuese në Shqipëri.Në një kohë shumë të shkurtër në vetëm pak vite shtet i pavarur (1912) Shqipëria nisi të përparonte përsa i përket hartimit të legjislacionit.Kushtetuta për Shqipërinë ishte një arritje madhore për faktin se Shqipëria kishte kaluar një pushtim shekullor osman si dhe pas shpalljes së pavarësisë në 1912 shqiptarët përsëri ishin përballur me rrezikun për copëtimin e territorit nga fuqitë e mëdha në favor të vendeve fqinje por të gjitha këto plane grabitqare morën fund pas vendimeve të Kongresit Kombëtar të Lushnjes ku përfaqësuesit e zgjedhur prej shqiptarëve si delegat ja dolën të ngrinin themelet e institucioneve sovrane të shtetit shqiptar mbi ligje dhe rregulla.

Zhvillimi i legjislacionit në Shqipëri duket tepër qartë që në vitin 1920 ku shteti Shqiptar do të kishte për herë të parë një kushtetutë të miratuar nga një Mbledhje Kombëtare.“Statuti i Lushnjes-1920” në vitin 1922 u zgjerua dhe statuti i ri u emërtua “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes” por edhe ky i fundit ishte në fuqi përkohësisht pasi Statuti përfundimtar do të vendosej nga Kuvendi Kushtetues.Forma qeverisëse që sanksionohej në “Statutin e Lushnjes-1920” dhe “Statutin e Zgjeruar të Lushnjes-1922” ishte e njëjtë Monarki por që vendin e Mbretit përkohësisht e zinte Këshilli i Naltë.“Statuti i Lushnjes-1920” dhe “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes-1922” përbëjnë arritje madhore si dhe përfaqësojnë themelet e historisë të së drejtës kushtetuese në Shqipëri.

1. DPA (Katalogu Online),AQSH,Fondi 149 (Kryeministria (Para 7 Prill 1939)),Dosja I-I-2225 “Procesverbal i mbledhjes së Kongresit të Lushnjes”, fq.15;
2. Po aty,fq.16-17.

Filed Under: Opinion

VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

April 14, 2025 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, gazeta Dielli, mbarë vatranët e shqiptaro-amerikanët përkujtojnë me nderim, respekt dhe vlerësim patriotin e shquar, vatranin e përkushtuar, aktivistin e flaktë të çështjes kombëtare, atdhetarin fisnik Zef Balaj. Tri vite pas largimit, zemërbardhi e shpirtmadhi Zef Balaj i mungon shumë familjes së tij e kujtdo që e ka njohur e bashkëpunuar me të.

Zef Balaj la gjurmë të paharrueshme e kujtime të pashlyeshme në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi në të gjitha proceset patriotike të diasporës, lëvizjet politike, demonstratat, protestat, qëndrimet e komunitetit, tubimet, organizimet, ndihmat për komunitetin e kombin shqiptar, për mbi 60 vjet Zef Balaj ishe aty duke kontribuar e dhuruar për komb, atdhe, flamur e komunitet. Nga Washingtoni e Institucionet e Shtetit Amerikan, te Liga Shqiptaro-Amerikane, Kisha Katolike, institucionet arsimore e deri te Vatra, Zef Balaj kontribuoi me shpirt pa u ndalur për asnjë moment. Zef Balaj ishte fisnik, vizionar, besnik dhe atdhetar.

Zef Balaj la pas një emër të mirë e të nderuar dhe një trashëgimi të shkëlqyer familjare, komunitare e atdhetare.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra ka akorduar për Zef Balaj titull nderimi SENATOR I PËRJETSHËM I VATRËS me motivacion: “Shembull i atdhetarit të vërtetë, anëtarit të denjë të Federatës Vatra, kontribues dhe veprimtar i palodhur, bamirësit të madh dhe mbi të gjitha, njeriut të mirë”.

Presidenca e Republikës së Shqipërisë e ka nderuar patriotin Zef Balaj për veprimtari patriotike e merita të veçanta atdhetare me Titullin e Lartë: “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”.

Qoftë i përjetshëm nderimi dhe kujtimi për jetën dhe veprën e Zef Balaj.

Me mirënjohje dhe respekt të veçantë

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Opinion

Prof. Dr. Rifat Blaku, in memoriam…

April 12, 2025 by s p

Dardan Blaku/

Sot, ndërsa shohim dokumentarin që ndriçon jetën dhe veprën e Prof. Dr. Rifat Blakut, ndiej një krenari të thellë për trashëgiminë që ai ka lënë pas. Axha Rifat nuk ishte vetëm një intelektual i shquar dhe profesor ordinar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, por edhe një simbol i rezistencës, i guximit dhe përkushtimit ndaj çështjes kombëtare.

Ai ishte pjesë e pandashme e familjes sonë të ngushtë dhe një shembull frymëzimi për të gjithë ne. Kujtimet e tij me babain tim, vëllain e tij të pandarë, dëshmojnë për një jetë të mbushur me sakrifica, por edhe me dashuri për dije dhe atdheun. Nga ditët e para si nxënës deri te angazhimet e tij si pedagog, aktivist dhe drejtues politik, Axha Rifat gjithmonë qëndroi i palëkundur në përpjekjet për t’i dhënë Kosovës zërin që meritonte në arenën ndërkombëtare.

Në vitet e vështira të okupimit serb, ai nuk u dorëzua kurrë. Si nënkryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës dhe një zë i fuqishëm në forume ndërkombëtare, Axha Rifat luftoi për drejtësi dhe liri. Ai ishte gjithashtu një zë i dëgjuar në Institutin e Paqes në Washington DC, ku paraqiste me dinjitet realitetin e dhimbshëm të popullit tonë dhe aspiratat tona për liri.

Gjatë luftës së Kosovës, Axha Rifat dha një kontribut të jashtëzakonshëm. Ai bashkëpunoi ngushtë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke ndihmuar në orientimin strategjik dhe logjistik të saj. Mbante ligjërata për orientimin topografik dhe aftësi të tjera jetike për ushtarët tanë, siguronte harta topografike dhe ndihmonte në përgatitjen për betejat më të rëndësishme. Në të njëjtën kohë, ai ishte anëtar i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, duke marrë pjesë në organizimin politik dhe institucional të rezistencës, në një prej periudhave më vendimtare të historisë sonë.

Përmes dijes dhe veprimit, ai tregoi se dijetari mund të jetë edhe luftëtar kur kombi është në rrezik. Përkushtimi i tij ndaj arsimit dhe formimit të brezave të rinj ishte pjesë thelbësore e misionit të tij jetësor.

Sot, ndërsa kujtojmë jetën dhe veprën e tij, le ta mbajmë gjallë frymën e Axhës Rifat: frymën e dijes, të guximit dhe të dashurisë së pakushtëzuar për atdheun. Ai ishte më shumë se një profesor; ai ishte një prijës shpirtëror i kohës së tij.

Filed Under: Opinion

Librat e Dalip Grecës në bibliotekën e shoqatës “Bijtë e shqipes”

April 11, 2025 by s p

Një takim i ngrohtë me familjen e Dalip Grecës në Philadelphia.

Nga dr. Sadik Elshani

Fotot: z. Milot Rukiqi

Ditën e diel, më 6 prill, në mjediset e shoqatës “Bijtë e shqipes” u organizua një takim i ngrohtë me familjen e gazetarit e publicistit, ish-editorit të “Diellit”, z. Dalip Greca: bashkëshkëshorten Xhemilen, vajzën, Elisabeten, djalin, Dorjanin dhe dhendrin, Eduard Shehu.

Më 16 maj të vitit 2022 u nda papritmas e parakohshëm Dalip Greca, gazetar e publicist, bashkëshort e prind i devotshëm. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në gazetarinë shqiptare, sidomos atë të diasporës shqiptaro – amerikane, si redaktor i gazetës “Illyria” dhe më vonë kryeredaktor i gazetës “Dielli”, organ i “Vatrës”. Dalipi e mori drejtimin e “Diellit” në kohën kur “Dielli” herë botohej e herë nuk botohej, madje pati edhe një ndërprerje dyvjeçare. “Dielli” që nga viti i themelimit,1909, e gjer më sot ka patur mbi 20 editorë (redaktorë përgjegjës, kryeredaktorë), secili e ka marrë drejtimin e gazetës në çaste kritike, secili është shquar për diçka, dhe Dalipi shquhet si njëri nga editorët më jetëgjatë të “Diellit” (afro 12 vite), si editor që e stabilizoi botimin, krijoi një qëndrushmëri dhe e bëri gazetë të përditshme Online, në përputhje me kërkesat bashkëkohore gazetareske. Thënë shkurt, e ringjalli “Diellin”. Dalipi u bë edhe një kujdestar e historian i “Diellit” dhe “Vatrës”, tërë kohën i pranishëm në selinë e “Vatrës”, duke pritur vazhdimisht vizitorë e duke organizuar veprimtari e tubime të ndryshme. Prandaj, ikja e tij e parakohshme ishte një humbje e madhe për familjen, gazetarinë dhe komunitetin tonë shqiptaro – amerikan.

Dalipi ishte një përkrahës e mik i shoqatës sonë, i cili e vlerësonte lart punën tonë dhe me përkushtim e besnikëri i pasqyronte veprimtaritë tona ne faqet e gazetës “Illyria” e më vonë në “Dielli”. Kishim kënaqësinë që herëpashere ta kishim edhe në mesin tonë, të këmbenim ide, mendime e vlerësime për çështje të ndryshme shoqërore, kulturore, atdhetare, zhvillimet politike e ngjarjet në trojet shqiptare e komunitetin tonë.

Para se të ndërronte jetë Dalipi kishte bërë gati dy libra, por nuk kishte arritur t’i botonte në të gjallë të tij, por ato u botuan më vonë nën përkujdesjen e “Diellit” dhe “Vatrës”. Libri “Editorial”, përgatitur nga editori i tanishëm i “Dielli”, dr. Sokol Paja, pasqyron veprimtarinë publicistike të Dalip Grecës, shkrimet e zgjedhura që trajtojnë tema të ndryshme. Ndërsa libri “Editorët e “Diellit” në 110 vite histori”, përgatitur nga z. Idriz Lamaj, përshkruan dhe analizon veprimtaritë e editorëve të “Diellit”, por nuk mungojnë as ngjarjet e rëndësishme nga historia e “Vatrës”. Promovimi i këtyre dy librave është bërë dy vite më parë nën përkujdesjen e “Vatrës” dhe familjes Greca.

Duke patur parasysh lidhjet e forta të shoqatës sonë me Dalipin dhe organizimin tonë të mirë, bibliotekën e pasur, familja kishte kohë që kishte shprehur dëshirën që edhe librat e Dalipit të bëhen pjesë e saj. Dhe ja, në rrethana të tilla u organizua edhe ky takim i ngrohtë e mjaft i përzemërt. Familja i dhuroi shoqatës dhjetëra libra të titujve të përmendur më lart dhe disa libra të tjerë. Ishte ky një rast i përshtatshëm për një bashkëbisedim me familjen e Dalipit dhe veprimtarët e shoqatës, të cilët me vite të tëra kishin bashkëpunuar me të. Kuptohet, ato që u cekën më lart në këtë shkrim ishin edhe disa nga temat e këtij bashkëbisedimi. Takimi u zhvillua në dhomën me oxhak të godinës së shoqatës, që ofronte një atmosferë më të përzemërt, më intim – si ato ndejat rreth vatrës. Ky takim u xhirua me mjaft profesionalizëm edhe nga televizioni “Kultura shqiptare”, drejtuar nga çifti, Mimoza e Adem Belliu. Moderimin e bëri zonja Mimoza Belliu, e cila si hyrje të këtij takimi bëri një pasqyrë të shkurtër për jetën dhe veprën e Dalipit. Ajo vlerësoi lart punën dhe ndihmesën e Dalipit, si gazetar, publicist e veprimtar i komunitetit. Zonja Belliu falenderoi familjen Greca dhe shoqatën “Bijtë e shqipes” që mundësuan organizimin e këtij takimi modest, por mjaft domethënës.

Kryetari i shoqatës, z. Dritan Matraku falenderoi familjen Greca për dhurimin e këtyre librave, vlerësoi personalitetin e Dalip Grecës dhe punën e tij me plot përkushtim si gazetar e publicist. Ai i njoftoi të pranishmit për misionin e shoqatës sonë, veprimtaritë e shumta që ajo organizon, mbarëvajtjen e shkollës shqipe. Pastaj mikrofoni kalonte dorë më dorë. Zoti Llazar Vero, gazetar e publicist veteran, ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes” rrëfeu për njohjen e hershme që ai kishte patur me Dalipin kur ai ende ishte në Lushnjë. Ai e vlerësoi lart Dalipin si njeri e si gazetar. Z. Sadik Elshani, ish-kryetar i shoqatës dhe njëherësh shkruesi i këtyre radhëve tregoi për njohjen e tij me Dalipin, përshtypjet e tij për personalitetin dhe karakterin, mirësinë e tij njerëzore, si dhe bashkëpunimin që ai ka patur me Dalipin si autor i dhjetëra shkrimeve për veprimtaritë e shoqatës, ngjarjet dhe figurat tona historike, çështjet e ndryshme kombëtare. Zoti Elshani e vlerësoi lart rolin e Dalipit si editor i “Diellit”, duke u shprehur: “Dalipi e ringjalli “Diellin””. Me mjaft fjalë dashamirëse e vlerësuan figurën e Dalip Grecës edhe diskutuesit tjerë: znj. Julida, Cepele, sekretare e shoqatës, z. Vangjel Hagjistasa, veprimtar i shoqatës, z. Bujar Gjoka, ish-kryetar i shoqatës, z. Bujar Çela, anëtar i Këshillit Drejtues dhe veprimtari i shoqatës, z. Milot Rukiqi. Takimi i sotëm përkonte edhe me një veprimtari që shoqata do ta zhvillonte pak çaste me vonë, një bashkëbisedim me shkrimtarin Gaqo Bushaka me nxënësit e shkollës sonë, prandaj edhe shkrimtari Gaqo Bushaka ishte i pranishëm në këtë takim. Edhe ai i tha disa fjalë felenderimi e mirenjohjeje për veprën e Dalip Grecës. Në emër të familjes Greca, mjaft i emocionuar përshëndeti djali i Dalipit, Dorjani, i cili falenderoi të pranishmit dhe shoqaten, për fjalet e mira, mikpritjen e ngrohtë, si dhe respektin e vlerësimet e larta për babain e tij të dashur.

Ky takim i përzemërt e modest ishte edhe një homazh, nderim për Dalip Grecën në trevjetorin e ndarjes së tij nga kjo botë – shprehje e respektit të shoqatës për mikun e saj. Dalipi u largua nga mesi ynë, por këto libra, shkrimet e shumta publicistike do ta mbajnë atë gjithmonë pranë nesh – miqësia, mirësia e fisnikëria e tij do të mbesin të ngulitura në kujtesën tonnë. Janë veprat ato që e bëjnë njeriun të pavdekshëm. Dalipi u prehtë në paqe e “Dielli” ndriçoftë përherë në botën shqiptare!

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT