• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

…humbasim privilegjin për të qenë të lirë

May 10, 2018 by dgreca

Kur humbasim të drejtën për të qenë ndryshe, humbasim privilegjin për të qenë të lirë/

Gladiola Jorbus

Nga Gladiola Jorbus/

Udhëtimi i vërtetë i zbulimit nuk konsiston në gjetjen e territoreve të reja, por në zotërimin e syve të tjerë, duke parë universin me sytë e një tjetri, qindra të tjerëve: duke vëzhguar qindra universet që secili prej tyre vëren, që secili prej tyre është. (M. Prust)

Dita e Diversitetit kulturor që përkujtohet çdo 21 Maj është një shkas për të lidhur çështje të kalibrit të tillë si identiteti kombëtar, të drejtat e minoriteteve apo komuniteteve të caktuara, por që ndonjëherë në vorbullën e mbijetesës kulturore paraqiten veçmas.

Pikësëpari duhet të fokusohemi te dialogu, sepse shumica e konflikteve janë shkaktuar pikërisht nga përplasja midis kulturave të ndryshme.

Dialogu me të tjerët dhe përqasja ndaj zakoneve dhe traditave të ndryshme nga tonat, na lejon të kuptojmë nevojat e të tjerëve, të mësojmë t’i respektojmë ato dhe të zvogëlojmë rrezikun e konflikteve të reja.

Për më tepër, larmishmëria e popujve dhe kulturave është një trashëgimi që nuk duhet humbur.

Mbështetur në Deklaratën e UNESKO-s mbi Diversitetin Kulturor të vitit 2001 mund ta definojmë diversitetin kulturor si një trashëgimi të përbashkët të njerëzimit, po aq të domosdoshme për këtë të fundit, sa ç’është dhe diversiteti biologjik në natyrë për organizmat e gjallë. Mbrojtja e tij (diversitetit) është një  nevojë etike, e pandashme nga respekti për dinjitetin e njeriut.

 “Të drejtat kulturore janë pjesë integrale e të drejtave të njeriut, të cilat janë universale, të pandashme dhe të ndërvarura…”, thuhet në Nenin 5 të Deklaratës Universale të UNECSO-s mbi Diversitetin Kulturor.

Në këtë mënyrë krijohet një përqasje pozitive ndaj  vlerave thelbësore të njohjes dhe të të kuptuarit midis gjeneratave, të rinjve me të moshuarit, midis personave me preferenca të ndryshme seksuale, me prejardhje nga zona rurale apo urbane, të racave të ndryshme, të vendasve me të migruarit ose emigrantët, meshkujve me femrat, të krishterëve me myslimanët, shumicës me pakicat kombëtare etj.

Ky dialog ndërkulturor në rrugën drejt kohezionit social prek aspekte të ndryshme të historisë së përbashkët, çon në bashkëveprime të bazuara në respektin reciprok, shtyllë kjo e bashkëjetesës paqësore dhe thelbësore për zhvillim.

Pluralizmi kulturor, qoftë ai paraardhës apo aktual mbetet një aspekt i çmuar i Trashëgimisë Botërore, prandaj i përket secilit prej nesh. Njohja dhe vlerësimi i trashëgimisë së çdo vendi fokuson datat e rëndësishme, figurat kombëtare, kulturën materiale dhe jomateriale; është një mundësi e pakrahasueshme për t’u ushqyer me rrënjët tona dhe me shprehjet e tanishme të diversitetit të shumëfishtë kulturor që ushqen identitetin tonë, përmes historisë që zbulon vazhdimisht, se kush jemi ne që jetojmë në këto hapësira multikulturore.

Por, shoqëria është shumë më tepër nga sa shfaq. Ajo vazhdimisht duhet të jetë e orientuar nga konceptet demokratike të bazuara në vlera e qytetari. Sfida shoqërore është avancimi drejt të jetuarit në hapësira që vërtet janë ndërkulturore.

Baza e kësaj bashkëjetese është toleranca – dhe njohja e përbashkët. Një kontakt shumëgjuhësor qëmtohet në sedimentin e brendshëm të origjinës, i cili është gjithashtu heterogjen dhe i larmishëm.

Të jetosh në diversitet është të mirëkuptosh e të perceptosh kontributet e grupeve të ndryshme dhe trashëgiminë e tyre jomateriale. Ky koncept i vërtetuar nga UNESCO-ja ofron një kuadër frytdhënës mundësish për reflektim dhe ndërveprim, i cili nuk duhet të shfaqet mungues, në planet e studimit dhe në veprimet e politikave ndërkulturore, lokale apo globale.

Pavarësisht momenteve të errëta në historinë tonë ia vlen të përmendim një vlerë të rëndësishme që kemi trashëguar nga paraardhësit: atë të tolerancës dhe bashkekzistencës sonë fetare; fakt identifikues dhe vlerë e evidentuar nga mbarë opinioni botëror për ne shqiptarët.

Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim thellon kuptimin e vlerave të tij, ndërkohë që ndër pikat kyçe renditen: respektimi i të drejtave të njeriut, promovimi i dialogut ndërkulturor, qasja kulturore ndaj komuniteteve të ndryshme etj.

 Si mund të arrihet kjo? Gjithçka nis nga familja; është detyrë e prindërve të mos e ushejnë fëmijën me paragjykime e tabu; më pas shkolla e zhvillon dhe e pasuron këtë trend me aktivitete të ndryshme, kurse shoqëria e mbështet duke e promovuar diversitetin si një mozaik plot larmishmëri bindjesh kulturore, politike, filozofike, fetare, seksuale, mjekësore etj.

Ashtu si qielli ka vend për të gjithë yjet, ashtu dhe toka ka vend për të gjithë njerëzit.

 E si mund të luftosh përqasjen e gabuar ndaj një shtrese të margjinalizuar mund të pyesë dikush. Kjo në arsim mund të arrihet përmes metodave empirike si: dramatizime, projekte, vizita të karakterit humanitar e gjithfarë teknikash e lidhjesh ndërkurrikulare që kanë në qendër nxënësin.

Ne vetëm mund të argumentojmë mbi rëndësinë e lidhjes dhe njohjes globale në kuadrin kulturor sepse kultura, si mënyra më efikase që u shërben njerëzve për t’u përshtatur me njëri-tjetrin, përfshin krijimin dhe zhvillimin e trashëgimisë në përgjithësi, si materiale dhe jomateriale; ama jemi ne ata që zgjedhim në fund se ç’qëndrim duhet të mbajmë.

Sa s’është vonë, duhet reflektuar mbi nevojën për të inkorporuar në mënyrë të vendosur, konceptet dhe përmbajtjet në veprimet edukative të qytetarëve për të rindërtuar skenarët e bashkëjetesës, nga e cila do të riformësohet trashëgimia e ardhshme, që për hir të së vërtetës do të jetë ndërkulturore. Askush nuk mund të apelojë ndaj shumëllojshmërisë së diversitetit dhe as ta kufizojë atë, përkundrazi duhet të shfaqet plot bonsens, kureshtar dhe mendjehapur ndaj tij.

Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim është një mundësi për të reflektuar mbi vlerën e dallimeve, midis realiteteve kulturore të planetit dhe për të kuptuar se si të ndërtohen kushtet për “të jetuar së bashku”, në një mënyrë më konstruktive përmes dialogut dhe respektit reciprok.

Me të drejtë shprehej ish- guvernatori i Nju Jorkut, Charles Evans Hughes Sr. se: “Kur humbasim të drejtën për të qenë ndryshe, humbasim privilegjin për të qenë të lirë’.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gladiola Jorbus, humbasim privilegjin, për të qenë të lirë

TAKIM POETËSH SHQIPTARË ME 1938

May 8, 2018 by dgreca

………..80-VJETORI I NJË FOTOGRAFIE/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Ishte viti 1938.  Ky vit shënonte 30-vjetorin e veprimtarisë si Ordinar Universiteti të Profesor Ernest Koliqit.  Me këtë rast u botua edhe kjo foto në të përkohëshmen, “Përpjekja Shqiptare” që, sipas revistës “Shëjzat”, (10-12, 1969) përgjithmonë kujton takimin e katër poetëve, më të njohur të Shqipërisë të asaj kohe, dy breza letrarësh – dy nga jugu e dy nga veriu – At Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi.  Ata kishin udhëtuar në Shkodër, të ftuar nga Ernest Koliqi me rastin e kujtimit të 30-vjetorit të tij si Ordinar Universiteti.  Në revistën Shëjzat shënohet se me atë rast, poetët u pritën nga banorët e Shkodrës me, “shfaqje të nxheta simpatije e admirimi”, për ta dhe thuhet se para një numri jashtzakonisht të madh qytetarësh, të mbledhur në Sallën e Kinema Rozafat, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta u dha “mirëseardhjen dy poetëve toskë me nji fjalim të shkëlqyeshëm si Ai e kishte zanatë”.

Në revistën “Shëjzat” shënohet, shkurtimisht, në kujtim të kësaj fotografie, se asaj radhe Asdreni e Poradeci qëndruan në Shkodër për pesë ditë, kur edhe u muar kjo fotografi e ku paraqiten të bashkuar katër poetët më të njohur shqiptarë të asaj kohe, e të cilët njiheshin gjtihashtu si, “përfaqsuesit ma të cilësuem të Parnazit shqiptar”. Ashtu siç shënohet edhe në fotografi, ajo është së pari botuar në të përkohëshmen e dalluar të asaj periudhe të historisë së Shqipërisë, “Përpjekja Shqiptare”, e që drejtohej nga “shkrimtari shumë me vlerë dhe nji njeri i pajisun me kulturë të gjanë historike e sociologjike, Branko Merzhani”, theksohet në shënimin e revistës “Shëjzat” të Ernest Koliqit.Është kjo një fotografi historike që tregon përfaqësinë intelektuale më të denjë të Kombit shqiptar, por nepërmjet tyre tregon edhe unitetin kombëtar në fushën e gjuhës e të letërsisë, të politikës dhe të diplomacisë shqiptare të asaj kohe.  Këta të katër përfaqsues unik të kombit shqiptar me të cilët do krenohej çdo popull i qytetëruar – Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe Asdreni — shpesh janë cilësuar edhe si, “katër gur themelet e binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike dhe diplomatike.”Vet Lasgush Poradeci në një analizë rreth jetës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, e ka quajtur Poetin e Madh si “Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar”.  Në një shkrim botuar tre muaj pasi kishte ndërruar jetë Gjergj Fishta, në Mars të vitit 1941, Lasgush Poradeci vlerëson lartë veprën dhe figurën e At Gjergj Fishtës. Ja një fragment të shkurtër nga vlerësimi i Poradecit, ndaj punës fetare dhe atdhetare të Fishtës:“Gjithë vepra poetike dhe shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar.  Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjëshme për t’a derdhur dhe kënduar në art, sesa ideja e Zotit, ideja e Atdheut! Këto thema Fishta i përlavduroj si artist dhe si njeri dyke realizuar të dy atributet e përjetëshme, luftonjësinë dhe mendonjësinë të besimit fetar ku ish kushtuar, të cilin ay e rrethonte përhera me fytyrën mistikërisht të adhuruar të Atdheut.

Thua se gjithë vepra e tij, në krye të së cilës dhe veçanërisht për sa po mirremi ne këtu përmi çdo tjetër konsiderim Lahuta është konceptuar dhe trajtuar nga një frymëzim i realitetit të prerë shqiptar. Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar – ky është si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit: në të cilën duket sikur këndon ose lufton vëndi dhe jo fjala, dhe e cila duket sikur është mbërthyer ose shpërthyer prej tokës dhe jo prej fjalës.

Tashi jemi në Qëndrën e artit të tij. Një fjalë, një shprehje, na tërheqin përnjëheresh vërrejtjen t’onë.  Sepse ajo fjalë s’ është fjalë po element, ajo shprehje s’ është shprehje po prapë element, element i pandarë dhe integrant i naturës që është Dhënësja e madhe e përjetëshme e frymëzimit të tij. Natura i jep Fishtës copa nga gjiri i saj, jo ekspresione.  Dhe kur themi naturë duhet të kuptojmë gjithnjë Shqipërinë, ky është urdhëri i çasit dhe i ditës dhe i kohës dhe i jetës së At Gjergj Fishtës që domethënë jeta e Shqipërisë, e Atdheut të shkëmbshëm dhe të shtërgatshëm të burrave të dheut.  Prej asaj shtërgate dhe mi ata shkëmbenj dhe përmi krye të kësij burrave këputen dhe përplasen shkrepjet e elementeve, të ndrydhura me vështirësi ndër prangat e gjuhës së hekurt, në lëndën e stilit fizik të Fishtës:  Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit — anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija.  Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: fundi i fundit, edhè Kombi ka të drejta mbi mua”, ka shkruar Poradeci për jetën dhe veprën e mikut të tij At Gjergj Fishtës.

4 Fishta Kol Porad Asd

Me këtë citim të Poradecit të amanetit të fundit të mikut të tij të shtrenjtë — dy të mëdhejve të Kombit — na lë të kuptohet se Fishta ishte i vetdijshëm për kontributin ndaj Atdheut dhe si i tillë mendonte se me të drejtë edhe Atdheu, anasjelltas, në fund të jetës së tij kishte të drejta mbi të, pasi me lapidarian që kishte lënë pas, ai tani i përkiste mbarë Kombit.  Fati i keq e tragjik i At Gjergj Fishtës nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dihet mirë, aq sa që as varri nuk i dihet dhe eshtrat ia kanë tretur, i cilësuar si “armik i popullit”, “tradhëtar” dhe “kolaboracionist”.

Po sot, pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, cili është kujtimi dhe trajtimi i këtyre katër të mëdhëjve të Kombit, përfshirë mikun e ngushtë Lagush Poradecit, At Gjergj Fishtën, që në një libër dhuruar Poetit të madh  kishte e cilësuar atë si, “Njeriun e Zotit meditans dhe militans, burrin shqiptar përfaqësonjës më të madhit epik të shekullit”.Në këtë 80-vjetor, e botojmë këtë fotografi jo vetëm në shenjë kujtimi e falënderimi për punën e këtyre katër të mëdhejve të Kombit, por edhe si shpërblim fisnikërie ndaj këtyre dhe veprës së tyre të madhe ndaj Kombit dhe për trashëgiminë lënë pas, të shembullit të tyre të bashkpunimit vëllazëror për të mirën e Atdheut të përbashkët, dashurisë e miqësisë me njëri tjetrin, si shqiptarë të vërtetë — mbrojtës të mëdhej të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. I kujtojmë edhe si përfaqsues të përjetëshëm të “fshehtësisë e forcës dhe të fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar”, siç është shprehur, ndër të tjera, Lasgush Poradeci për At Gjergj Fishtën.

shtepia-e-fishtes

Shtëpia “muze” ku ka jetuar At Gjergj Fishta

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 80 vjetori i fotografise, Asdreni, Fishta, Frank shkreli, MJEDA, poradeci, Takim Poetesh

‘Po fillon një kapitull i ri midis Kosovës dhe Iowas’

May 8, 2018 by dgreca

Pas fjalës së kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ka vazhduar takimi i delegacionit nga Iowa e SHBA-së me anëtarë të komisioneve të Kuvendit.Kuvend

Një nga drejtuesit e delegacionit amerikan, Zach Nunn, përfaqësues në Komitetin për Marrëdhënieve Ndërkombëtare nga Iowa State Capital, tha se po fillon një kapitull i ri midis Kosovës dhe Iowa. Ai shtoi se qytetarët e Iowas në fushën e sigurisë kanë ndihmuar Kosovën në zgjidhjen e problemeve të saj. Nunn shprehu dëshirën që bashkëpunimi mes Iowa dhe Kosovës të jetë i përhershëm.

“Është mirë të shoh se sa keni përparuar. Ne dëshirojmë të jemi partner i juaji dhe pjesë e kapitullit tuaj të ri, jo vetëm për 10 vjetët e ardhshëm, por për tërë jetën. Kosova ka bërë partneritet me ne, kemi edhe konsullatën tuaj atje. Kjo ka vendosur marrëdhënie edhe më të forta”, theksoi Nunn.

Timothy Orr, Gjeneral i Gardës Kombëtare të Iowas, tha se Kosova ka qenë pjesë e bashkëpunimit me Iowan edhe më përpara se të fillojë partneriteti në mars të vitit 2011. Ai shprehu kënaqësinë që ka pasur rastin të jetë në Kosovë që nga paslufta.Ai tha se për shtatë vite të partneritetit dhe bashkëpunimit me FSK-në, është ecur shumë përpara. Partneritetin me Kosovën, Orr e konsideroi më të mirin nga 77 partneritete sa ka Iowa në gjithë botën.“Zemra ime do t’i takojë çdo herë Kosovës. Kjo është shtëpia ime e dytë”, theksoi gjenerali Orr.Në vazhdim të takimit, të cilin e drejtoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, fjalën e mori kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Nait Hasani, i cili evokoi kujtime nga koha e luftës, përkatësisht masakra e Dubravës e vitit 1999.Ai tha se tani po bëhen përpjekje për të ndërtuar dhe zhvilluar vendin, ndërsa mbështetja amerikane dhe veçanërisht e Iowas, sipas tij, është shumë e rëndësishme.

Hasani tha se nëse në luftë qëllimi ishte liria, tani synim kryesor i gjithë spektrit politik është zhvillimi i mëtejmë i shtetit dhe integrimi në strukturat euro-atlantike.Deputeti Dukagjin Gorani, u tha mysafirëve amerikanë se kjo është shtëpia e tyre e dytë, ndërsa Kosova po përpiqet që të bëhet model i së ardhmes. Gorani tha se është e vështirë të artikulohet mirënjohja për SHBA-të.Ai tha se ajo çfarë Kosova ka mësuar nga SHBA është se kërkesa dhe nevoja për liri është tejet e çmueshme.“Është kënaqësi t’ju shohim në Prishtinë, duke parë që kemi miq nga jashtë që mendojnë për ne”, theksoi Dukagjin Gorani. Të pranishmëve me një fjalë rasti iu adresua edhe deputeti Ismet Beqiri, i cili theksoi përkushtimin për vazhdimin e ndërtimit të marrëdhënieve miqësore me SHBA-të.Ai tha se historia e lidhjeve me Amerikën e bën bashkë gjithë spektrin politik të Kosovës. Beqiri kujtoi maksimën e ish-presidentit Rugova se “Kosova do të ketë miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.Deputeti Milaim Zeka falënderoi në mënyrë të veçantë pilotët e NATO-s, duke i quajtur heronj t gjallë, të cilët më 1999 bombarduan sistemin e Milosheviqit. Ai tha se SHBA-ja dhe perëndimi kanë ruajtur substancën biologjike të popullit të Kosovës.Zeka shtoi populli ynë është i vogël por i ka dhënë Amerikës dhe botës emra të mëdhenj.Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi, theksoi se Kosova është një shtet i cili mbështet fuqishëm SHBA-në.Në vazhdim ai foli për sistemin e arsimit në Kosovë, duke theksuar nevojën e rritjes së kualitetit në këtë sektor, e cila, sipas tij, do të ndikonte edhe në uljen e papunësisë.  Në takim folën edhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit nga Iowa, të cilët shprehën kënaqësinë e tyre për arritjet e Kosovës në shumë fusha, ndërsa konfirmuan vazhdimin e mbështetjes së vendit të tyre për Kosovën edhe në të ardhmen.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kosovës dhe Iowas’, Po fillon një kapitull i ri midis

Homazh për mikun tonë Lirim Biçaku

May 7, 2018 by dgreca

 

1 shenje zije1 lirim-bicaku-c1200x600[1]

Nga Reshat Kripa/*

I nderuar miku  ynë!

Ju them mik se me të vërtetë i tillë ishe. Ti ishe këshilltari ynë i urtë, ishe burri me një karakter të fortë, i pathyeshëm para tiranisë së diktatorëve dhe i papajtueshëm me prapaskenat e intrigantëve të pamoralshëm.  Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të thoja këto dy fjalë të përmortëshme në përcjelljen tënde për në banesën e përjetëshme.  Nuk besoja, se deshëm të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për mendimin tënd, për fjalën tënde të urtë. Por ti ike. Zoti kishte  vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri.

Ishe i ri kur u detyrove të përballeshe me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë ti nuk u theve. Ato dallgë i përballove me krenari dhe dinjitet. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Po, i dashur, ti i  mbijetove  asaj  kohe  barbare, i  mbijetove  sepse  në  venat  e tua rridhte gjak fisniku. Ky gjak nuk të mungonte ty, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.                Por së fundi kohët ndryshuan dhe ti ishe gjithmonë në rradhën e parë të atyre që iu kushtuan demokratizimit të vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Para syve më dalin ato ditë të zjarrta kur mblidheshim dhe diskutonim për të ardhmen e atdheut tonë të përvuajtur. Diskutonim për shoqatën tonë të nderuar që përfaqesonte frymën më demokratike të shoqërisë shqiptare, frymën e nacionalizmit shqiptar. Këtë  nuk do ta harrojmë kurrë për tërë këta vite që na kanë mbetur për të jetuar.

Ti i përkisje asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Doje të jetoje i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën tënde. Doje të jetoje në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq të atdheut,  jetoje në një epokë të gabuar. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje dot ato që ëndërroje, ato që të buronin nga zemra e madhe. Jetoje në atë epokë kur nuk mund të shprehje mendimet e  lira, ndjenjat e shpirtit  të pastër. Jetoje në atë epokë kur kishe dëshirë për të studiuar dhe nuk të linin të studioje, kishe dëshirë për të punuar dhe nuk të linin të punoje, kishe dëshirë për të jetuar dhe nuk të linin as  të jetoje. Jetoje në atë kohë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij.

Të nderuar familjarë. Më lejoni t’ju sjell ngushëllimet tona. Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë .Ai ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun  që e kishim  në krahun tonë. Humbëm mikun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes mikun tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

Qoftë i lehtë dheu që  i  ra përsipër!(Foto-Kortezi-Telegraf)

Filed Under: Opinion Tagged With: homazh, Lirim Bicaku, reshat kripa

DITA E LIRISË SHQIPTARE NË KENSICO DAM PLAZA,NY- 6 MAJ 2018

April 25, 2018 by dgreca

DO TË PËRKUJTOHET 28 VJETORI I RËNIES SË NICK MRNACAJ, E “PAGEZUAR” SI DITA E LIRISË SHQIPTARE NË KENSICO DAM PLAZA, ME 6 MAJ/

10-Mrnacajmarnacaj

* Ky manifestim i përvitshëm është pagëzuar si “Dita e Lirisë Shqiptare”/

*Në fund të aktivitetit do të organizohet ceremonia e ngritjes së Flamuri shqiptar.
Të dielën me 6 MAJ 2018, ora 1 pm, në “Kensico Dam Plaza”, Valhalla – White Plains, NY do të organizohet takimi përkujtimor kushtuar martirit të Demokracis – Nick Mrnacaj, me rastin e 28 Vjetorit të rënies.Kjo dite konsiderohet  si “Dita e Lirisë Shqiptare.
Ky manifestim i përvitshëm që tashmë është pagëzuar si “Dita e Lirisë Shqiptare” organizohet nga Shoqata Kulturore Artistike Kelmendi dhe familja Mrnacaj. Shoqëria Kulturore “Kelemendi” ka përgatitur një program artistik enkas për këtë ngjarje.Në fund të aktivitetit do të organizohet ceremonia e ngritjes së Flamuri shqiptar.
Pjesmarrja e komunitetit është e mirëpritur.

Filed Under: Opinion Tagged With: 6 Maj 2018, NICK MRNACAJ

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 432
  • 433
  • 434
  • 435
  • 436
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT