• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË KUSHTRIM PËR KULTURË!

February 14, 2018 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Ditët e fundit jemi dëshmitarë të një përplasjeje tjetër në Shqipëri – jo të një natyre politike kësaj radhe, megjithse çdo gjë është politikë në Shqipëri – por sikur nuk ka mjaft konflikte dhe përplasje politike e të tjera – ja edhe përplasja e radhës në fushën e kulturës, midis artistëve më të njohur të Shqipërisë, të udhëhequr nga shumë i njohuri dhe ndër më të talentuarit artistë të kombit, Robert Ndrenika dhe Ministrisë së Kulturës, të Kryeministrit Rama.  Ndonëse është e vështirë të merret vesh e vërteta pasi ekziston një mungesë e theksuar transparence dhe askush nuk di asgjë, është e pamundur që njeriu të qëndrojë indiferent ndaj kësaj dukurie të kohëve të fundit. Duket se shpërthimi i Robert Ndrenikës dhe Bujar Asqeriut dhe kolegëve të tyre ndodhi pasi më në fund u “mbush thesi” dhe nuk durohet më arroganca e vendimeve ose mos vendimeve që ndërmerr ose dështon të ndërmarrë kjo ministri gjatë viteve — në mbështetje të artit, kulturës dhe të identitetit shqiptar.  A nuk është ky misioni i saj?

Për të tërhequr vëmendjne e publikut ndaj ankesave të tyre, përfaqsuesit e artit dhe kulturës shqiptare kanë nënshkruar një peticion kundër vendimit të Ministrisë së Kulturës për të zhvendosur Teatrin Kombëtar.Por është e vështirë të mësohen faktet se çfarë e shtynë Ministrinë e Kulturës dhe qeverinë Rama të ndërmarrin një masë të tillë – pa konsultime me njerzit që preken drejtë për drejtë nga ky vendim – e që siç duket ka acaruar dhe alarmuar pjesën dërmuese të artistëve shqiptarë dhe një pjesë të shoqërisë.

Gjatë një diskutimi në njërin prej rrjetëve të televizionit shqiptar mbi këtë çështje parëmbrëmë, zevëndës ministrja e Kulturës dhe drejtori në detyrë i Teatrit Kombëtar nuk kishin asnjë informacion për këtë – njëri i binte çekiqit, tjetri patkoi — por duket se forca shtytëse për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar është ndërtimi i pallateve të reja në vendin ku qëndron sot ky teatër – është pra rezultat i një etjeje për më shumë pasuri, për fitime marramendëse, për dike.  Kjo është një vazhdimësi e tranzicionit ku arti dhe kultura dhe si rrjedhim edhe ata që përçojnë ketë veprimtari tek masat e gjëra të popullit, janë lënë pas dore dhe nepërkëmbur keq në periudhën e tranzicionit në Shqipëri. Shumë prej tyre fatkeqsisht janë larguar nga vendi.  Nuk e di se cilat janë meritat dhe të metat e ndërtesës aktuale të Teatrit Kombëtar — por a nuk meritojnë këta përfaqsues të kulturës shqiptare që të pakën të konsultohen dhe të kenë fjalën e tyre përsa i përket zhvillimeve të krijimtarisë së tyre të gjithanshme të zhvillimit shoqëror, shpirtëror dhe kulturor, tani dhe në të ardhmen – përfshirë edhe mjediset ku mundësisht do të zhvillojnë vepimtarinë e tyre?

Ndërtesat shumëkatëshe, sado të mahnitshme që të jenë — nuk janë simbole të thesarit të kulturës kombëtare as nuk janë monumente të identitetit kulturor kombëtar të shqiptarëve dhe as nuk përbëjnë arritjet që mund të ketë shënuar Shqipëria në fushat e zhvillimit shoqëror dhe shpirtëror. Sado krenarë që të jeni për shumëkatëshet e ndërtuara në Tiranë, arritjet dhe sukseset e një kombi nuk maten me ndërtesa të mëdha, madje as me rrugë të gjëra e të asfaltuara, por me krijimtarinë e pikërisht të këtyre përfaqsuesve të kulturës shqiptare që janë revoltuar nga njoftimi i fundit i qeverisë Rama për të zhvendosur Teatrin Kombëtar dhe të cilët me të drejtë kërkojnë që, të pakën, të dëgjohen shqetësimet e tyre, si artistë shqiptarë dhe si njerëz.  Siç është shprehur edhe Anton Harapi në librin e tij “Vlerë Shpirtërore”, “Zotërinj, njerëzit e bëjnë Shqipërinë dhe jo sendet. Virtyti dhe zotësia janë dinamoja e atdheut dhe jo motorat e makinat.  Fuqia dhe madhështia e atdheut nuk maten me barometrin e pasurisë, as me kompasin e dobisë, por me sasinë e njerëzve krijues në dituri e art, të plotësuar edhe me karakterin moral në jetën private dhe publike, sepse duhet ta dini zotërinj, nuk është sendi as atdheu që e bëjnë njeriun, por janë njerërzit që e bëjnë atdheun, që i ruajnë dhe i shtojnë thesaret kombëtare.”

Fatkeqsisht, gjatë këtyre 28 vjetë tranzicion, thesari i kulturës kombëtare shqiptare sa ka ardhur e varfëruar ndjeshëm, në të gjitha fushat, madje shumë ekspertë thonë se është në një gjëndje të shëmtuar.  Shoqëria shqiptare në përgjithsi, përfshirë institucionet politike do bënin mirë që më në fund të lënë mënjanë deklaratat bombastike ofenduese kundër artistëve të kombit – dhe ashtu siç ka shkruar edhe Anton Harapi për një situatë të ngjashme në kohën e tij — të ndëgjojnë seriozisht dhe pa inate, “Gjamën e shpirtit të disa shqiptarëve vërtetë fisnikë, të cilët duke u lartësuar mbi këtë shëmtim, mbërrijnë aty ku janë vlerat e visaret e jetës njerëzore e shqiptare dhe me të tëra ndjesitë nuk flasin, por si vigaj ulurojnë.   Zëri i tyre është kushtrimi për kulturën e shpirtit shqiptar”.  Ky zë kushtrimi duhet të dëgjohet, të përfillet dhe të mbështetet nga mbarë shoqëria.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, NJË KUSHTRIM, PËR KULTURË!

Kosovë e dashur, urime ditëlidjen e 10-të!

February 10, 2018 by dgreca

1 Teuta

Nga Teuta Sahatçija/*

Zonja dhe Zotëri Zylo, në emrin tim dhe të diplomatëve të Misionit të Republikës së Kosovës,  ju faleminderit për bashkëorganizim të këtij eventi.

2 Teuta 1

Dua të falenderoj edhe Z. Niman Blakaj me familje, Z. Rexhe dhe Shpresa Xhakli, Z. Azer Sinanaj që mundësuan këtë ngjarje me femijë.1 Kosova alba Life

Sot nga kjo shkolle do ta nisim Javën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës në New York. Do të jetë kjo një javë e ngjeshur, plotë me ngjarje të ndryshme kulturore, sportive e diplomatike me të cilat duam të nderojmë këtë përvjetor të

1 Kozeta 1rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë kudo nëpër botë.

2 alba Life Kos

Nisja e këtij karavani të ngjarjeve nga shkolla dhe nxënës që mësojnë shqip nuk ishte zgjedhje e rastësishme. Pikërisht shkolla shqipe ishte në shenjestër të regjimit të Millosheviqit i cili deshti ta shuan gjuhën shqipe, ti mbyllë shkollat, ta zhbën historinë e shqiptarëve në tokën e Kosovës. Ai deshti që shqiptarët ti kthej në njerëz të pashkollë, pa respect  e pa miq.

Para 19 vitesh, pas rezistences paqësore të Ibrahim Rugovës, luftës së Adem Jasharit me shokët, mbështetjen e diasporës dhe miqëve,  erdhi liria e shumëpritur. Ajo u fitua me luftë, gjak e mund, me lot, vuajtje e sacrifice, me shume punë e dashuri për vendin dhe popullin.

Me 17 shkurt 2008, në një ditë acarri, Parlamenti i Kosovës e votoi Deklaratën e Pavarësisë dhe Kosova u shpallë Republike, shtet i pavarur.

Sot femijët dhe të rinjtë e Kosovës, po arrijnë suksese në nivel botëror në matematikë dhe informatikë, po i pushtojnë majet e Mount Everest e Kilimangjaros. Majlinda na solli madaljen e parë të artë nga Olimpiada. Ekipi i skiatorëve tanë dje defiloi në Olimpiadën dimrore ne Korenë e Jugut. Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi janë këngëtaret me të kërkuara në skenat botërore. Një asteroid i zbuluar në kosmos quhet Pranvera Hyseni, sipas të emrit të astronomes tone të re e cila gjendet në listen botërore të innovatorëve të rinj nën 24 vjeq.

Të dashur fëmijë, ju po rriteni në Amerikë, në një vend të lirë të njerëzve trima. Në një vend që është mike e madhe e Kosovës dhe e shqiptarëve. Ju fëmijet e sotëm, nesër do të beheni inxhinjerë, mjekë, sportistë. Do të udhëheqni biznese, dikush do të bëhet Kongresist apo Senator.

Kur ne nuk do te jemi më, nga përkushtimi juaj do të varet ndihma për fëmijët tjerë në kohra të vështira.

Kur të rriteni do të kujtoni ditën kur e festuat 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në New York dhe ju do të jeni ata që do të festoni edhe shume përvjetore të rëndësishme për shqiptarët.

Ju dëshiroj që ta duani shkollën dhe të punoni për të qenë të suksesshëm për vehten, familjen dhe për komunitetin tuaj. Dëshiroj që të përkrahni njeri tjetrin dhe ti gëzoheni suksesit të shokut e të shoqes. Ta duani dhe ta kultivoni gjuhën shqipe, kulturën dhe historinë, të vizitoni trojet nga kanë ardhur familjet e juaja. Dëshiroj që me krenari ta flitni gjuhën shqipe dhe të punoni për atëdheun me shume dashuri.

Sot nga bankat e shkollës shqipe Alba Life, nga Staten Island të New Yorkut, nga Amerika mike, do ta themi së bashku:

Kosovë e dashur, urime ditëlidjen e 10-të!

*Fjalimi pershendetes i mbajtur me 10.02.2018; 11:00 ne Shkollen shqipe Alba-Life ne Staten Island ne veprimtarine e organizuar me rastin e 10 vjetorit te Pavaresise se Kosoves.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kosovë e dashur, Teuta Sahatqija, urime ditëlidjen e 10-të!

MERITA B. McCORMACK, ANËTARE E KD TË VATRËS, I SHKRUAN AMBASADORES FABER DHE…DISA PYETJE PËR MAJKON

February 9, 2018 by dgreca

-Merita B McCormack, ish bashkethemeluese dhe Kryetare e Deges se Vatres per vitet 2009-2017,anetare e Deges se Vatres ne Washington, anetare e Keshillit Drejtues te Vatres, i pergjigjet Fteses se Ambasadores Floreta Faber-Luli, per te marre pjese ne takimiet e Ministrit te Diaspores Pandeli majko ne zonen e Washngton-it/

1 Merita Bajraktari-Merita B McCormack, ish Kryetare e Degës së Vatrës për vitet 2009-2017, tash anëtare e Këshillit Drejtues të Vatrës, i përgjigjet Ftesës së Ambasadores Floreta Faber-Luli, për të marrë pjesë në takimiet e Ministrit të Diasporës Pandeli Majko në zonën e Washngton-it-/

Zonja ambassadore, /

Faleminderit për ftesën që më dërguat për takim me Ministrin e Diasporës,por nuk mund të vij /

Faleminderit që më përfshitë edhe mua në  email./

I uroj sukses Ministrit Majko në aktivitetetet e tij. Mesa shoh ke përfshirë në listë edhe miq nga Repubika e Kosovës, pavarësisht se dhe ministri i Dasporës në Qeverinë e Kosovës, njëkohësisht një nga zv/Kryeministrat e asaj qeverie, ndodhet këtu dhe po takohet me diasporën.

Personalisht, po të isha në takim, do të doja ti drejtoja këto pyetje, që kanë të bëjnë me mërgatën shqiptare, Ministrit Majko:

Në aspektin politik:

  1. Mërgata shqiptare e formuar në pjesën e saj më të madhe nga persona të larguar nga Shqipëria për arësye politike ( e kam fjalën për të arratisurit prej sistemit komunist)  1944-1991 përbën një pjesë të madhe të mërgatës shqiptare të Amerikës, por edhe në vende të tjera anëmbanë globit, të arratisurit e familjet e tyre përbëjnë shumicën e Diasporës.

Pyetje:C’farë aktiviteti ka kryer dikasteri  juaj  dhe cilat janë disa nga  planet që ka Ministria të njihet me këto familje, të bëjë një farë ri- lidhje,  një farë përpjekje për të gjetur një mënyrë shërimi dhe a ka plane që ministria të shërbejë si urë ndërlidhëse mes kësaj pjese  të popullit shqiptar jashtë Shqipërisë  dhe atyre që janë përgjegjës për dëmin e madh që ju shkaktua famijleve të persekutuara  nga rregjimi  komunist për shkaqe politike?

Pra a ka ndonjë plan që të gjendet një mënyrë që këto familje të dëgjojnë faljen aq të munguar,  për të cilën brezi i prindërve tanë po shkon  në amshim pa e marrë. A ka ndonjë mendim apo ide lidhur  me këtë pikë, pra një farë afrimi që ka munguar për dekada të tëra dhe një farë kërkimi ndjese në ndërgjegjen kolektive për faje të rënda e krime të rënda ndaj një pjese të madhe të popullit? Ju siguroj se sa kohë që koj cështje  nuk  adresohet ndasia do mbetet qoftë brenda qoftë jashtë mëmëdheut.

  1. Kam dëgjuar nga një diplomat se në zyrën e Ministrit Majko qëndron një foto e madhe e themeluesve të VATRËS. Thonë se ajo foto është i pari objekt që të bie në sy sapo hyn në zyrën e Ministrit. Sinqerisht e falenderoj ministrin dhe lutem që ajo të mos jetë thjesht fasadë!

Nderkohe qe ministri i Diaspores se Kosves, z. Gashi, sapo zbriti në SHBA, së pari kerkoi takim me Vatrën dhe e realizoi, nuk kam dëgjuar ende, madje mungon takimi me vatrën dhe as në axhendën e publikuar nga Përfaqësia diplomatike shqiptare në Nju Jork e Washington, nuk figuron Vatra. PSE?  Cfarë e ndali Ministrin Majko të mos kërkojë të  takohet me  përfaqësues të Federatës PanShqiptare të Amerikës “Vatra” në NY? .

  1. Përvec  përfaqësive diplomatike në vendet e huaja, më cfarë organizata  të mërgatës shqiptare ka dhe mbanë  lidhje dikasteri juaj për tu siguruar që aktivitetet apo informacionet nuk mbeten thjesht partiake e qeveritare?
  2. Shqiptarët e Amerikës që nuk votojnë në SHBA për shak të mungesës së qytetarisë amerikane, a mund të votojnë në Shqipëri?
  3. Nëse Shqipëria lejon dyqytetarinë me SHBA a mund të votojnë edhe ata që janë qytetarë amerikanë edhe shqiptare nëse ligji amerikan e lejon?
  4. A mendon Ministri Majko se Ministria e Mërgatës  duhet të ketë këshilltarë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, nga një për kontinent për shembull apo keni zyrtarë të tillë? Nëse po, a mund të identifikohen?

Në aspektin ekonomik për diasporën: (lidhet me pyetjen për kulturën)

Në aspektin kulturor :

1.Cilat janë planet afatgjata e afatshkurtra për të ndihmuar mërgatën shqiptare në aspektin e shkollimit të brezit të ri  me gjuhën e zakonet shqiptare. A ka ndonjë makro plan dhe mikro plan. Mund të njihemi me detaje?

  1. A ka plane Ministria e Diasporës të ftojë herë pas here shqiptarë të suksesshëm nga Diaspora dhe të  aplikojë  realisht aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të jetës shqiptare? Nëse ka plane,  cilat janë ato  dhe nëse ka indentifikuar persona (pervec të famshmëve Ferid Murati e Mark Kosmo ( lol can’t stay quiet not poking fun at Cosmo, my brother in blood and “archenemy” in ideology )
  2. A ka plane dhe projekte për të botuar punime të ndryshme letrare, historike, shkencore, e plot fusha të tjera të shqiptarëve të Mërgatës me qëllim për ti futur në sistemin arsimor shqiptar ?
  3. A e lexoni gazetën “Dielli” dhe a e keni plane për të  arkivuar  gazetën më të vjetër shqiptare në mërgim ashtu sic bën Biblioteka e Kongresit Amerikan? Ju kujtojmë se edhe shteti diktatorial,i cili e kishte shpallë armike Vatrën, e merrte gazetën Dielli. Ministria e Jashtme e paguante gazetën, ndoshta të informohej se si e shanin”armiqtë e popullit”!

Ne aspektin ideologjik:

1.Cila eshtë platforma ideologjike mbi të cilën Ministra e Mërgatës shqiptare mbështetet?. Eshtë ideologjia e partisë në pushtet  apo është disi e organizuar  si agjenci e pavarur që ka në fokus mërgatën dhe nuk varet shumë nga KM (po të jeté kjo reale, Ministri Majko e mban punën gjatë së është  dashamirës dhe mjaft i qeshur. Bile edhe nëna ime që është vajzë kulaku thotë:  “Majkua është i mirë 🙂 “, – pak shaka apo jo na lejohet! .

Në aspektin fetar:

  1. Cfarë  mendon qeveria shqiptare se mund të ndihmojë mërgatën të ketë misione të ndryshme ku ka qendra shqiptarësh. Psh a do të mundte qeveria shqiptare të bashkëfinanconte  shkollimin e ndonjë kleriku për qëllim shërbimi  shpirtëror në mërgatë?  Kam dëgjuar   që shumë shqiptarë  orthodoksë  në zonën e DC shkojnë në kisha greke.

Mbase kam edhe pyetje të tjera por këto më erdhën në mendje për momentin.

Po ia dërgoj këtë email edhe redaktorit të gazetës Dielli edhe Zërit të Amerikës që Nëse marrim përgjgijet ta trajtojmë si bisedë pyetje përgjigje.

Faleminderit

Merita McCormack

Washington DC

Anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të  Federatës pan Shqiptare të Amerikës “Vatra”

Bashkë themeleluese dhe  ish -drejtuese e Degës së Vatrës  për Washington DC  2009-2017.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Leter Faber, Merita B McCormack, Pyetje per Majkon

Varrezat Greke-Athina kërkon të legalizoj teorinë e Vorio-Epirit

February 8, 2018 by dgreca

1 Varrezat Greke

Në Këlcyrë, varreza greke dhe italiane- Athina kërkon të legalizoj teorinë e Vorio-Epirit/

nuriu

Nga Nuri Dragoj/

Qeveria shqiptare pranoi zgjerimin e varrezave greke në Këlcyrë e Bularat, madje mori përsipër të gjej edhe varret e ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës Italo-Greke, në një kohë që Athina zyrtare nuk mbajti asnjë prej premtimeve të veta. Ajo që tërheq vëmendjen është dhënia e varrezave të statusit historik, që nënkupton rënien e ushtarëve në trojet e tyre, gjë e cila mund të shoqërohet me pasoja në të ardhmen. Në fushën e luftimeve, gjatë muajve nëntor 1940 – prill 1941, mbetën të vrarë rreth 17 mijë ushtarë italianë dhe grekë, secili për interest e veta, duke e kthyer Shqipërinë në shesh beteje, jashtë vullnetit të saj. Italia i tërhoqi trupat e të rënëve, për t’u prehur në vendlindjen e tyre, ndërsa Greqia nuk i luajti nga vendi, pasi Athina zyrtare vazhdon ta quaj Jugun e Shqipërisë pronë të saj. Ne nuk jemi kundër gjetjes së eshtrave të ushtarëve grekë, pasi nderimi ndaj të rënëve është kulturë dhe detyrim qytetar. Por nuk e shohim me vend grumbullimin e tyre nëpër manastire të ndërtuara në tokën shqiptare. Greqia mund t’i tërheq eshtrat e ushtarëve të rënë dhe t’u bëjë gjithë nderimet  e nevojshme. Në fakt, jo vetëm që nuk e bënë një gjë të tillë, por e lidhën rënien e ushtarëve me kisha e manastire, pas të cilëve fshihet diçka e kobshme për interest kombëtare shqiptare.

Përderisa pranohet ngritja e varrezave greke, njëkohësisht duhet pranuar që, krahë tyre të ketë dhe varrezë me ushtarët italianë të rënë po në këto luftime, pasi shumë prej eshtrave të tyre ndodhen ende në nëntokën shqiptare. Ndërkohë nuk duhet të mungojë as varreza shqiptare, pasi shumë bijë të këtij vendi kanë për të mbrojtur vatanin ose si viktimë e planeve grabitqare të fqinjëve. Të trija varrezat të shoqërohen me tre flamujt, që përfaqësojnë tre kombet. Në të kundërt, rreziku është mjaft i madh.

Përse përbëjnë rrezik për kombin shqiptar varrezat greke në Këlcyrë?

Nuk do të kishte asnjë shqetësim, nëse bëhej fjalë për një shtet fqinj që nuk ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, apo nëse Athina do t’i njihte kufijtë e saj. Por e vërteta është ndryshe dhe gjërat duhen thënë siç janë. Greqia vazhdon ta quaj jugun e Shqipërisë tokë greke. Qeveria shqiptare nuk duhet të harrojë përpjekjet e bëra nga shteti fqinj, për të përfshirë brenda kufirit grek, dy prefekturat shqiptare që përfaqësojnë trojet e ndodhura në jug dhe juglindje të Shqipërisë, prefekturën e Korçës dhe atë të Gjirokastrës. Politika greke e ka kërkuar këtë territor, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIX dhe i shtoi përpjekjet në vitet 1870 -1880, në kuadër të Traktatit të Paqes së Shën Stefanit (3 mars 1878) e më pas në Kongresin e Berlinit (13 qershor 1878) për t’i rinisur gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës 1912-1913, por edhe më pas, në Konferencën e Paqes së Versajës 1919-1920 dhe atë të Parisit të vitit 1946. E njëjta gjë vazhdon edhe sot, kur ajo e ka shtrirë minioritetin deri në afërsi të qytetit të Vlorës. Greqia i bën presion qeverisë shqiptare se nuk do ta votojë për në BE, nëse nuk i hapet rruga për të plotësuar objektivat e hershme, në funksion të helenizmit të Shqipërisë së Jugut.

Bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, por dhe në atë të Greqisë, theksohet që në marrëdhëniet me shtetet e tjera, parimi i reciprocitetit është parim bazë. Ky parim me rëndësi në marrëdhënie midis shteteve është shkelur me të dyja këmbët. Politika pranon vendosjen e varrezave të ushtarëve grek në të gjithë vijën që Athina e quan “Vorio-Epir”, por asnjë politikan nuk ka kërkuar reciprocitet, që varreza të tilla të ngrihen dhe në Greqi, ku janë vrarë e masakruar dhjetra mijë shqiptarë të krahinës së Çamërisë edhe më gjerë. Numri i të vrarëve zë fill që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të vijuar me kohën kur zhvillonte punimet Konferenca e Londrës 1913, masakrat e vitit 1914, vrasjet dhe dëbimet në vitet 1918-1924, si dhe ato gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po këta të rënë për idealin e tyre dhe të kombit, a nuk duhen nderuar duke ngritur varreza në qendrat e tyre të vendlindjes, që është Greqia? Duket se shteti shqiptar nuk ka qenë i aftë ta detyrojë Athinën të zbatojë reciprocitetin në marrëdhëniet midis dy shteteve.

Nuk mund të ketë reciprocitet midis dy vendeve, kur Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Këshillit të Evropës për njohjen dhe mbrojtjen e minoritetit, ndërsa Greqia nuk e ka nënshkruar një konventë të tillë. Kjo tingëllon vërtet ironike dhe sarkastike. Athina insiston dhe këmbëngul pranë qeverisë shqiptare që të zgjerohen të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, duke kërkuar dhe gjëra që shkojnë përtej një kërkese reale dhe të pranueshme, në një kohë që Athina zyrtare nuk pranon as të përmendësh fjalën Çamëri në bisedime dypalëshe, le pastaj të diskutosh si partner për mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi të madh, pa të cilin nuk mund të ketë mirëkuptim dypalësh.

E vërteta mbi luftimet e palëve në Këlcyrën strategjike

Enciklopedia ushtarake greke e konsideron Këlcyrën nyje lidhëse për jugun e Shqipërisë, pikë kyçe strategjike, prej së cilës mund të kontrollohen lehtësisht kalimet për në Korçë, Berat, Tepelene, Gjirokastër e më gjerë. Për pozitën e saj gjeografike, Këlcyra paraqiste çelësin për zgjidhjen e betejës së madhe midis ushtrisë greke dhe asaj italiane, piketuar në pesëmbëdhjetë ditëshin e dytë të muajit nëntor 1940. E ndodhur midis malesh të lartë, Këlcyra kontrollonte kalimet drejt detit Jon dhe drejt Prevezës. Hanë të shumta dokumentet që flasin për interesimin e politikës greke në marrjen e Këlcyrës, pasi në këtë mënyrë do të kishin në dorë Jugun e Shqipërisë.

Kryeministri grek Metaksa pohonte në janar te vitit 1940, se forcat greke do të çlironin dhe toka shqiptare, por jo në dobi të pavaresisë së Shqipërisë, duke lenë të nënkuptohej se trevat jugore ishin territor i Greqisë dhe se trupat e tyre nuk do t’i lëshonin kurrë. Edhe Italia pretendonte të njëjtën gjë. Pra dy shtetet ndërluftuese e dredhin gjakun për të zhvatur pjesë nga trupi i Shqipërisë. Në kujtimet e tij, Biagio Branacci përshkruante ditët e dhjetorit të vitit 1940 dhe fillimin e vitit 1941, ditë dimri me borë që binte pa pushim, i ftohtë i madh në lartësi, por për shkak të vlerës strategjike të Këlcyrës justifikohej flijimi i shumë të rinjëve italianë. Atëherë Greqia mundi të pushtonte Këlcyrën dhe të shtrihej deri në malin Qarishtë e Spadarë. Në frontin Dhëmbel – Këlcyrë – Qarishtë ushtria greke la shumë të vrarë kundër trupave italiane, të cilat e patën kthyer Këlcyrën në një kështjellë të fortë.

Në ditët e para të dhjetorit ranë një e nga një Pogradeci, Erseka, Leskoviku, Përmeti dhe Delvina. Më 8 dhjetor grekët hynë në Gjirokastër. Premtimet e gjeneralit Viskonti Prasca, që mendonte se operacioni do të zgjaste vetëm pak ditë, gati ishin harruar. Në fakt ushtria italiane ishte tërhequr dhe qe vendosur në vijën mbrojtëse Himarë-Liqeni Ohrit. Pika kyçe ishte pozicioni Këlcyrë-Tepelenë, e cila duhej të mbrohej me çdo kusht. Humbja e kësaj pike strategjike u krijonte mundësi trupave greke të dilnin në Këlcyrë, Berat e Vlorë. Prandaj ushtria helene sulmoi me forca të përqëndruara dhe e mori Këlcyrën. Bora e madhe në malet përreth dhe veshjet e dobëta të italianëve e rënduan më tej gjendjen e ushtrisë. Në kushte të tilla, Viskonti Prasca u detyrua të largohej dhe vendin e tij e zuri gjenerali Ubaldo Soddu, e më pas komandën e mori Kavalero.

Batalionet italiane ngulmuan sërish për të marrë Këlcyrën, por më 17 dhjetor u thyen në drejtim të Tepelenës. Me këtë rast Duçja i dërgonte një letër të ashpër gjeneralit Cavallero, ku i thoshte se nuk njihte kthim prapa, derisa trupat të vdisnin të gjithë në vend. Një ditë më pas Cavallero shkoi te Duçja në Itali dhe i premtoi se atë javë do të organizonte një ofensive të madhe në Këlcyrë dhe Tomorricë.

Më 19 dhjetor u dha lajmi se divizioni Siena qe shpartalluar në bregdet. Duçja përgatitej të njoftonte Hitlerin për humbjen, por priste përgjigjen e Cavalleros për sulmin e premtuar në vijën Tepelenë – Këlcyrë. Në prag të Krishtlindjeve italianët e rimorën Këlcyrën. Pozicionet u mbajtën, por ishin shumë të vrarë që duhej të varroseshin sipas riteve fetare. Më 23 dhjetor 1940, trupat greke sulmuan sërish dhe dëmet në radhët e ushtarëve italianë qenë të shumta. Ishin vrarë një numër i madh oficerësh. Në janar forcat greke, nën komandën e gjeneral Aleksandër Papagos, sulmuan sërish trupat italiane të vendosura nga Qarrishta në malin e Topojanit dhe Vjosë, të cilat nuk rezistuan gjatë. Më 9 janar, një sulm tjetër grek në drejtim të Këlcyrës bëri që ajo të merrej prej tyre. Më 11 janar, Cavallero njoftonte për humbjen e Këlcyrës dhe rolin e propagandës anglo-greke me anë të shtypit dhe radios në dëm të Romës. Dështoi dhe divizioni Lupi di Toscana, mbi të cilin ishin mbështetur shpresa të mëdha. Gjithsesi, mbrojtjen e atyre ditëve italianët e quanin heroike.

Shqiptarët u vunë në ndihmë të ushtrisë greke

Shumë shpejt shqiptarët e përfshirë në radhët e ushtrisë italiane e kuptuan se qëllimi i Romës në sulmin ndaj Greqisë, nuk ishte realizimi i aspiratave shqiptare për bashkimin kombëtar, por pushtimi i vendit. Për këtë arsye, oficerë dhe ushtarë të batalioneve shqiptare dezertonin çdo ditë nga fronti, duke i krijuar shqetësime të mëdha komandës italiane. Mijëra të tjerë kërkuan të reshtoheshin me ushtrinë greke. Për komandën italiane u bë mjaft shqetësues largimi i shqiptarëve nga fronti. Propaganda bënte të pamundurën për të frenuar largimin e tyre. Mareshalli Badolio kujtonte optimizmin e madh që ekzistonte te Duçja për fitoren ndaj Greqisë. Ata besonin se trupat greke do të dezertonin në masë dhe sipas tyre kjo nuk ndodhi, sepse shqiptarët që ishin pjesë e ushtrisë së Romës ndërmorën akte sabotazhi kundër saj ose kaluan me grekët. Në rrethana të tilla, komanda italiane u detyrua t’i tërhiqte forcat shqiptare dhe t’i çarmatoste. Musolini i shkruante Hitlerit, më 20 nëntor 1940, se ndër shkaqet kryesore të mos suksesit qe dezertimi i forcave shqiptare, të cilët ishin revoltuar kundër njësive italiane.

Askush nuk donte të largohej nga Këlcyra. Ajo ishte marrë e lënë disa herë nga palët. Më 29 janar forcat italiane të divizionit Pusteria dhe Sforzesca, të vendosura në brinjat jugore të malit të Trebeshinës dhe Shëndëllisë, morën urdhër për një sulm të rreptë, me qëllim që të rimerrnin Këlcyrën. Por pas 48 orë luftimesh, trupat helene të komanduara nga gjenerali Ekonomakis u hodhën në ofensivë, dhe jo vetëm që mbajtën Këlcyrën, por shkuan deri në Tomorricë.

Më 30 janar forcat greke sulmuan nga lartësitë e Dhëmbelit e Golikut, për të marrë Urën e Dragotit. Italianët qëndronin fort midis lumit të Drinos dhe Bënçës. Mijëra të vrarë. Të dy palët luftonin ashpër, njëri për të mbajtur dhe tjetri për të marrë nyjen lidhëse të Shqipërisë Jugore. Luftohej edhe për zotërimin e një ure, në një kënd të së cilës mdodhej një pllakë metalike e salduar me mbishkrimin “Ansaldo, 1938”. Bëhej fjalë për Urën e Dragotit.

Cavallero e la Këlcyrën. Londra i bënte jehonë dezertimit të forcave shqiptare nga fronti, ndërsa qeveria italiane përpiqej ta fshihte këtë fakt në publik, duke deklaruar se shqiptarët kishin besim te Italia dhe po qëndronin përkrah forcave të saj. Dy majorë italianë, në informacionet e dërguara në datat 12-14 nëntor 1940, raportonin se batalionet shqiptare kishin patur shumë të ikur dhe ankoheshin për mungesa në veshje e çadra. Ndaj jepej porosi të plotësoheshin disa kushte dhe angazhimi i trupave shqiptare në vijën e parë të frontit të bëhej përherë i shoqëruar nga trupat italiane, të mbikqyrura prej tyre.

Duçe e shihte shkakun e humbjes te bllokimi i mjeteve të motorizuara nga balta dhe sidomos te dezertimet, ndaj urdhëroi çarmatosjen e 6 000 shqiptarëve. Këtë fakt e pranonte dhe vet mareshalli Pietro Badolio (Pietro Badoglio), kur shkruante se forcat shqiptare që bënin pjesë në divizionet italiane kishin dezertuar, madje një pjesë patën kaluar në anën e grekëve.

Në ditarin historik të regjimentit të 47 të këmbësorisë, duke bërë fjalë për batalionin shqiptar Dajti, thuhej se gjithë efektivi i tij “me pajisje dhe armatim kaloi te armiku”.Theksohej se gjatë gjithë ditës dhe natës vazhdonin goditjet e mortajave Brixia dhe mitrolozëve Breda mbi trupat italiane. Besohej se ishin shqiptarët që i përdornin ato armë, pasi grekët nuk i njihnin dhe s’mund t’i përdornin dot, sidomos mortajat Brixia.

Me marrjen e këtij informacioni, komanda qendrore urdhronte që shqiptarët të tërhiqeshin në prapavijë, pasi do të fillonte riorganizmi i tyre në Shijak. Një numër i madh prej të rekrutuarëve u burgosën. Çështja u bë problem deri në instancat e larta. Vet Musolini në telegramin që i dërgonte Hitlerit, më 10 nëntor 1940, humbjet e shkaktuara për ushtrinë italiane dhe mos përparimin e saj, i shpjegonte me mungesën e mbështetjes shqiptare në fushën politike, mos organizmin e kryengritjes në Çamëri dhe qëndrimin e keq të disa reparteve shqiptare. Sipas Musolinit, detyra mbrojtëse e ushtrisë gjatë dimrit, në radhë të parë duhet të ishte ajo e rimarrjes së tokës që shqiptarët patën humbur.Të njëjtën gjë pohonte dhe Enver Hoxha. Sipas tij, shqiptarët u detyruan të shkonin në radhët e ushtrisë italiane nën forcën e bajonetave, por nuk zbrazën asnjë pushkë kundër vëllezërve grekë. Ata dezertuan nga fronti dhe u kthyen pushkën pushtuesve.

Gjeneral L. Zannini i shkruante komandës së Korpormatës C për qëndrimin e batalioneve shqiptare Dajti dhe Gramozi, të cilët me intensifikimin e sulmit armik, braktisën në mënyrë kolektive frontin e luftës. E njëjta situatë vërehej edhe në batalionet e tjera vullnetare. Zannini arrinte në konkluzionin se prezenca e batalioneve shqiptare në kompanitë divizionale italiane ishte e dëmshme. Sipas tij, prania shqiptare mund të ndikonte negativisht para ushtrisë italiane, sepse mund të krijonte kriza të rënda apo të sillte ndonjë situatë kompromentuese. Në radhët e tyre kishte paqëndrueshmëri, pasi një repart shqiptar, i cili në mëngjes dukej aktiv për luftë kundër trupave greke, në mbrëmje mësohej se kishte kaluar në krahun e armikut me gjithë armatime. I pari u shkëput batalioni Tomorri, ndërsa trupat e prapavijës sulmoheshin kudo, në rrugë e kazerma. Shqiptarët mbështetën luftën greke, u dhanë atyre armët e rrëmbyera nga depot italiane dhe u kërkuan që të lejoheshin të krijonin repartet e veta, në luftë kundër ushtrisë pushtuese, por nuk u lejuan. Në këto rrethana, ata u ndodhën midis dy zjarresh, ushtrisë italiane dhe asaj greke. Ushtarët shqiptarë të batalionit Gramozi, ku ishte caktuar këshilltar major Grandi, nisën të dezertonin në javën e parë dhe u shpërbënë plotësisht më 10 dhjetor 1940.

Natyrisht, askush nuk mund të bindej në delegimin e përgjegjësisë te shqiptarët, ndonëse ajo ndikonte në humbje. Në letrën drejtuar Hitlerit thuhej se gjithë trupat shqiptare kishin hedhur armët, duke kaluar në masë te armiku, prandaj çarmatimi i ushtarëve shqiptarë ishte i domosdoshëm. Hendeku i krijuar mes ushtarakëve italianë dhe atyre shqiptarë vinte duke u thelluar. Fryma e mosbesimit ndihej kudo. Kishte raste kur nga italianët propozohej zgjidhja e mosmarrëveshjeve me anë të pushkatimit të elementeve të veçantë, por kjo nuk mund ta zgjidhte problemin e dezertimeve, pasi numëroheshin rreth 3 100 raste.

Numri i të dezertuarëve në muajin janar të vitit 1941 arrinte shifrën 3 114 vetë, nga të cilët 1 872 këmbësorë, 135 karabinierë, 542 artilierë etj. Këta oficerë dhe ushtarë shqiptarë u dërguan në gjyqin ushtarak territorial të luftës. Shqiptarët e dezertuar shprehën gatishmërinë për të luftuar krahas trupave greke, por u pritën me indiferencë dhe u internuan në kampe përqëndrimi, duke u trajtuar si robër lufte. Pas shembjes së boshtit Romë – Tokio – Berlin, nga kampi i Kretës u liruan 842 ushtarë dhe 45 oficerë shqiptarë.

Athina zyrtare miratoi Ligjin e Luftës me Shqipërinë për të justifikuar pushtimin/

Megjithe dezertimet e shqiptarëve, shteti grek nuk pranoi t’i afronte në radhët e frontit antifashist. Komandat e dy ushtrive të huaja bënin arrestime kur dyshonin që persona të ndryshëm viheshin në shërbim të kundërshtarit. Për pasojë, lista e nëpunësve të arrestuar me motivacionin: “s’kanë mbajtur sjellje të mirë gjatë okupacionit italian”, ishte relativisht e gjatë. U arrestua Goli Dango, mësues në Kaludh të Përmetit, me argumentin se ishte sjell keq. Peço Stefani, mësues në Limar të Malëshovës, u raportua prej kryetarit të Komunës Zagori, me pretendimin se kishte qenë spiun i autoriteteve greke. Nën arrest u vunë edhe Monika Pantazi nga Delvina; Marika Vaso, Nivicë; Gjergji Jani, Delvinë; Koço Mosko, Libohovë; Grigor Muço e Misto Vrana, Piqeras; Spiro Mëhilli nga Salaria e Tepelenës, të cilët akuzoheshin se qenë vënë në shërbim të politikës greke. Por nuk qëndronin pas dhe forcat ushtarake të Athinës. Sipas ministrit të Arsimit, komanda greke pati arrestuar dhe internuar 6 mësues, “për të cilët deri tash s’dihet asgjë”. Ata ishin: Hamid Rami, nga Tatzati, mësues në Kalasë të Delvinës; Sami Seferi nga Malëshova e Këlcyrës, mësues në Leskaj; Pandeli Neçka dhe Filip Tole nga Labova e Poshtme e Tepelenës; Foto Meksi nga Labova e Madhe dhe Andrea Andriku, mësues i gjuhës shqipe në Dhrovjan.

Ndërkohë kishte filluar ndjekja dhe internimi i familjeve që gjykoheshin me bindje antiitaliane dhe sidomos ato të oficerëve dhe nënoficerëve që dezertuan nga fronti. Prefektura e Gjirokastrës, në bazë të propozimit të bërë nga nënprefektura e Përmetit, vinte në dijeni MPB për internimin e disa personave që kishin mbajtur qëndrim të papëlqyeshëm për Romën.

Nga ana tjetër qeveria greke nuk rrinte në heshtje. Ajo mori masa për t’u informuar hollësisht mbi zhvillimet në Shqipëri dhe punoi për krijimin e një fryme antiitaliane në trevat jugore të saj. Por edhe pse shqiptarët e dënuan agresionin italian kundër Greqisë, autoritetet greke nuk shfaqën as më të voglin vlerësim. Me të stabilizuar frontin, komanda helene ndaloi ngritjen e flamurit shqiptar dhe përdorimin e gjuhës shqipe në administratë”. Nisur nga mënyra e sjelljes së tyre u kuptua se të dy palët kishin qëllim pushtimi dhe jo çlirimi. Ushtarakët shqiptarë pranuan të luftonin krahas trupave greke, me kusht që kompanitë dhe batalionet e tyre të mbanin flamurin shqiptar, gjë e cila u kundështua nga komanda greke. Fillimisht mobilizimin e trupave nën komandën e oficerëve shqiptarë e pranoi dhe Metaksa. Por më 29 nëntor 1940, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë helene, gjenerali Aleksander Papagos, e hodhi poshtë një kërkesë të tillë, me argumentin se shqiptarët mund të ktheheshin kundër ushtrisë greke.

Politika e Athinës kundështoi organizimin e revoltës së armatosur antiitaliane në prefekturën e Gjirokastrës, e cila kishte si kusht të vetëm njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Ahmet Zogu premtoi të sillte në frontin antiitalian 30 mijë forca, në sajë të mbështetjes së madhe që kishte në veri të vendit. Duke u rënë italianëve pas vijës së frontit, mendonte se mund t’i detyronte që të lëshonin vijën mbrojtëse. Ky propozim u pëlqeu anglezëve, por nuk u pranua nga Athina.

Shqiptarët ndodheshin midis dy zjarresh. Të dy palët kërkonin aneksimin e trojeve të tyre. Propaganda e huaj vazhdonte ta rendiste Shqipërinë si pjesëmarrëse në luftën kundër Greqisë. Nga ana tjetër, komanda ushtarake italiane bënte përpjekje për tërheqjen e shqiptarëve në luftë kundër Greqisë, duke u kujtuar atyre ngjarjet e vitit 1914, ndërkohë politka greke rivendosi lidhjet me njerëzit e saj në Shqipëri dhe synonte marrjen e “Vorio-Epirit”. Grekomanët në jug të vendit u riaktivizuan dhe dukej qartë se Athina nuk do të hiqte dorë nga zonat e pushtuara, madje çështjen e “Vorio Epirit” e dërgoi në tryezat më të larta të diplomacisë europiane.

Pra siç shihet, shkak i morpranimit të luftëtarëve shqiptarë në radhët e ushtrisë greke, qe bërë vendimi i qeverisë së Athinës, nr. 2636/40, të muajit nëntor 1940, si dhe dekreti i Mbretërisë së Greqisë, nënshkruar më datë 10 dhjetor 1940, që e cilësoi Shqipërinë vend armik, me të cilin Greqia ishte në luftë. Ky vendim vinte si kundërpërgjigje e “dekretit mbretëror shqiptar”, nr. 194, datë 9 qershor 1940-XVI-II, në nënin nr. 1 të të cilit thuhej: “Mbretëria e Shqipënisë njifet e hymne në luftë me ato shtete me të cilat mbretnija e Italisë ka me qënë në luftë”. Në fakt, ky dekret ishte i Viktor Emanuelit III, i cili qe shpallur mbret i Italisë dhe Shqipërisë. Kjo u realizua me anë të mëkëmbësit të mbretit italian në Tiranë, Francesco Jakomoni, i cili e detyroi qeverinë kukull të Vërlacit të miratonte ligjin në fjalë, më 9 qershor 1940. Mirëpo ky ligj nuk mund të penalizojë popullin shqiptar, pasi Shqipëria ishte nën pushtim dhe qeveria e Tiranës dirigjohej nga Roma. Këtë e dinin mirë edhe krerë të politikës së Athinës, por atyre u interesonte ta rendisnin Shqipërinë në krahun e agresorëve fashistë, pasi në këtë mënyrë realizonin më me lehtësi qëllimin e tyre ekspansionist.

Ka 78 vjet që luhet me një ligj të tillë. Loja ka për synim realizimin e qëllimeve djallëzore në dëm të Shqipërisë. Me pushtimin e Greqisë nga Gjermania, në mesin e vitit 1943, kryeministri grek Jorgos Xolagoklus e hoqi ligjin e luftës me Shqipërinë, sepse kërkonte paqe në kufijtë e saj. Por qeveria helene që mori pushtetin në vitin 1945, e rivendosi sërish. Kabineti i qeverisë së Andrea Papandreut, në të cilën qe ministër edhe Karolio Papulias, më 28 gusht të vitit 1987, e shfuqizoi sërish atë ligj. Qeveria shqiptare besoi. Në muajin mars të vitit 1996 u nënshkrua Pakti i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë për fqinjësi të mirë. Tashmë vazhdon të thuhet se ligji nuk është hqur. Në rrethanat e krijuara shtrohen disa pyetje: Si mundet të nënshkruhet pakti i miqësisë midis dy vendeve, kur njëra palë është me duar në xhepa dhe tjetra me mitraloz në dorë? Pse qeveria shqiptare nuk e ka shtuar këtë çështje në NATO? Si mund të rrinë dy shtete fqinjë anëtarë të NATO-s, kur janë në gjendje lufte? A pranon BE të anëtarësoi në radhët e veta dy vende që janë shpallur armiq dhe vazhdojnë të jenë në gjendje lufte? Përse nuk është shtruar me forcë kjo çështje në Bruksel? A e dinë qeveritarët tanë që Greqia ka patur dhe vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Shqpërisë?

Filed Under: Opinion Tagged With: Athina kërkon të legalizoj, Nuri Dragoj, teorinë e Vorio-Epirit

DUKE NDJEKUR NJЁ SEANCЁ KUVENDI

February 6, 2018 by dgreca

“Politika e zakonshme ёshtё shumё shpesh arti i tё ecurit sё bashku tё gёnjeshtrёs pёrkrah sё vёrtetёs, nё mёnyrё qё kush i sheh tё kalojnё mos tё dijё tё dallojё se cila ёshtё gёnjeshtra e cila ёshtё e vёrteta.”/-Arturo Graf (1848 – 1913) poet e kritik italian/

1-Eugjen-Merlika-225x300

NGA EUGJEN MERLIKA/

Seanca e njё shkurtit nё Kuvendin e Shqipёrisё dha njё tabllo tё shёmtuar tё politikёs shqiptare, qё nuk po del dot nga psikoza e luftёs guerrile nё politikё. Ёshtё krijuar njё atmosferё, nё dukje, kundёrshtie tё papajtueshme mes shumicёs qeverisёse dhe pakicёs kuvendore. Kemi tё bёjmё me grupe tё ndryshme politike, t’organizuara nё parti, qё prej vitesh padisin njёri tjetrin pёr tё njёjtat shfaqje e dukuri qё i vishen herё njёrit e herё tjetrit. Pёr mё tepёr huazojnё nga njёri tjetri metodat e luftёs politike, duke bёrё qё, nё kohё tё ndёrsjellta t’i venё nё zbatim nё tё njёjtat mёnyra. Historikisht ёshtё vёrtetuar paaftёsia e shqiptarёve pёr t’u marrё vesh me njёri tjetrin, njё dukuri patologjike qё fashitet pak nё diktaturat, si ajo e gjysmё shekullit komunist, por qё shpёrthen si vullkan sapo tё pёrvijohet njё sistem sado pak demokratik.

Duke parё nё televizion shfqjen e njё shkurtit nё Kuvend mё erdhi vetiu njё pyetje : a ishte mё i rёndёsishёm pёr interesat e Shqipёrisё diskutimi i dhёnies me konçesion tё ndёrtimit tё aeroportit tё Vlorёs, apo ekstradimi i Nezar Seitajt nё Itali ? Nё vetminё time arrita nё pёrfundimin se mё i dobishёm pёr t’u diskutuar, nё tё gjitha drejtimet, ishte çёshtja e aeroportit, qё paraqet pёr mendimin tim, disa pika t’errёta. Sё pari pёrse qeveria nuk shpall njё garё pёr konçesionin nё tё cilёn tё merrnin pjesё edhe edhe kompani tё tjera ndёrkombёtare, veç asaj turke ? Dihet se garat pёr tenderat, nё kёta raste, janё jo vetёm mё ekonomike pёr Vendin, sepse mund tё çojnё nё uljen e vlerёs sё veprёs por, nga ana tjetёr, japin edhe pёrshtypjen e tejpamjes, tё veprimit nё dritёn e diellit, duke larguar çdo dyshim qё mund tё lindё kur bёhen marrёveshje tё fshehta, tё cilat mund tё mbulojnё interesa tё ndёrsjellta tё kontraktuesve, tё tilla qё mund tё shkojnё nё dёm tё atyre kombёtare e nё dobi tё atyre vetiake tё njёrit apo tjetrit.

Po tё hedhim njё sy nё tёrё ecurinё e konçesioneve tё viteve tё pas komunizmit nё tё gjitha degёt e ekonomisё, sidomos n’ata tё minierave, tё naftёs dhe energjitikёs, hasim njё varg dёshtimesh tё llahtarёshme, dёshmitarёt e tё cilёve janё herё mbas here qindra e mijra punonjёs qё protestojnё deri nё qeveri, sepse mbeten me muaj pa marrё rrogat!! Tё gjitha kёto janё pasojё e dhёnies pa kriteret e duhura ekonomike tё konçesioneve shoqёrive tё panjohura e jo serioze tё Vendeve tё ndryshme. Kjo pёrvojё duhet tё jetё njё mёsim i madh pёr shtetarёt qё, nё marrёdhёnie me kapitalin e huaj, duhet tё dijnё tё zgjedhin seriozitetin, fuqinё ekonomike dhe siguritё, tё sanksionuara me kontrata tё qarta, tё njohura e qё nё rast se nuk respektohen tё mund tё paditen nё organizmat ndёrkombёtare e tё detyrohen tё paguajnё dёmet.

Nё mos gabofsha, njё klauzolё e kontratёs sё konçesionit pёr aeroportin e Vlorёs thotё se kur tё vihet nё shfrytёzim, shteti ёshtё i detyruar t’i paguajё kompanisё shpenzimet pёrkatёse, nёse nuk arrihet numuri i udhёtarёve qё do tё fluturojnё. A ka kuptim njё klauzolё e tillё ? Pёr atё qё ndёrton e shfrytёzon aeroportin po, pёr shtetin tonё jo, mbasi njё vepёr e tillё duhet tё ndёrtohet mbas njё studimi tё saktё tё kёrkesave, edhe nё perspektivё, pёr qarkullim njerёzish e mallrash. Nёse kjo vepёr do t’i shёrbejё ekonomisё si njё stoli, pa qenё nё gjёndje tё jetё rentabёl, nuk mё duket me vёnd qё tё ndёrtohet, aq mё shumё se largёsia nga Rinasi nuk i kalon 120 km.

Mendoj se pёr tё gjithё kёta aspekte duhej diskutuar atё ditё nё mbledhjen e Kuvendit, me qё ishte vёnё nё rendin e ditёs. Por Opozita parapёlqeu tё merrej me çёshtjen e ekstradimit nё Itali tё Nezar Seitajt, njё çёshtje e cila duhet tё jetё krejtёsisht nё dorёn e organeve tё Drejtёsisё. Salla e Kuvendit u kthye nё njё arenё ndeshjesh me armёt e fyerjeve tё ndёrsjellta sepse, simbas Opozitёs, ekstradimi i njё banditi qё ёshtё mbajtur nё arrest pёr rreth katёr muaj, do tё “bllokojё”tё gjithё hetimet pёr trafikantёt e drogёs e pёr “peshqit e mёdhenj” qё pritet tё bien nё rrjetёn e Drejtёsisё. Pёr konsum publik duket se argumenti i a arrin qёllimit.

Nё tё vёrtetё ai nuk pёrbёn asnjё rrezik tё tillё pёr dy arsye : e para, se i arrestuari pёr katёr muaj ka patur kohё tё mjaftueshme pёr tё dhёnё nё hetuesi gjithshka qё do tё kishte dashur tё jepte dhe e dyta se, edhe nё dorёn e policisё gjyqёsore italiane, ёshtё plotёsisht e mundur tё vazhdojё hetuesia mbi tё. Nuk ёshtё e vёrtetё se ai shkon nё njё kamp pushimi, nga ku mund tё humbasё gjurmёt nё çdo çast, por ёshtё nё dorё  tё njё policie qё ёshtё tepёr e efektёshme nё punёn e saj. Nё gjithё kёtё potere qё bёn Opozita nё lidhje me kёtё rast, nuk mbahet parasysh fakti qё qe prokuroria  e Katanjёs qё e zbuloi dhe e kapi grupin e Habilajve pёr drogёn e tregtuar nga Shqipёria nё territorin italian. Krimet e rёnda pёrfituan nga rasti se Nezari, duke nuhatur rrezikun qё i vinte nga qёndrimi atje, rrinte nё Shqipёri.

Organet e Drejtёsisё sё Shtetit shqiptar nuk mund tё kthenin mbrapsht kёrkesёn e Drejtёsisё italiane, mbasi ka konventa, marrёveshje e rregulla qё bёjnё edhe tё detyrueshme disa veprime nё marrёdhёniet ndёrkombёtare. Fatmirёsisht ka kaluar koha e mbylljes nё “kalanё e socializmit”, me tё gjitha pasojat negative tё veçimit nga bota. Njё hedhje poshtё e mundёshme nga ana shqiptare e kёrkesёs pёr ekstradim tё njё njeriu qё ёshtё kapur me fakte krimi nё Itali, do t’a ndёrlikonte pozitёn e Shqipёrisё, do tё krijonte njё preçedent tё rrezikshёm dhe njё goditje tё fortё bashkёpunimit ndёrmjet organeve kompetente tё Drejtёsisё sё dy Vendeve, gjё qё nuk do tё sillte asnjё dobi pёr ne.

Nёse “peshqit e mёdhenj” nuk bien nё rrjetёn e drejtёsisё shqiptare, arsyet duhen kёrkuar jo tek ekstradimi i Nezar Seitajt, por sepse ata dijnё t’i fshehin mirё gjurmёt e tyre, se nё njё mёnyrё apo tjetёr janё tё mbrojtur nga segmente tё caktuara tё Shtetit dhe tё Drejtёsisё e shembulli i zhdukjes sё Klement Balilit ёshtё rasti tipik i njё dukurie tё tillё. Nё kёta raste duhet njё punё shumё e zgjuar dhe e mprehtё pёr tё gjetur faktet qё do tё vinin para drejtёsisё fajtorёt. Madje nuk mjafton vetёm kjo, sepse Drejtёsia shqiptare ka dhёnё shёmbuj se din tё bёjё tё pavlefshme edhe prova si filmimet apo tё vrarёt me plumba nё shёtitore.

Kjo ndodh sepse drejtёsia ёshtё nё dorёn e politikёs, qё e vёrtit si tё dojё ajo, madje i ka “dhuruar” edhe veset e saj mё tё kёqia si dёshirёn pёr t’u pasuruar me mjete tё paligjёshme. Nё kёtё rast nuk mund tё bёhet njё pёrgjithёsim, mbasi do t’ishte njё mёkat tё njolloseshin ata gjyqtarё qё ushtrojnё ndershmёrisht profesionin e tyre, e qё duhet tё jenё baza ku duhet tё mbёshtetet kursi i ri i domosdoshёm i Drejtёsisё shqiptare. Vlerёsimi dhe ngritja nё pёrgjegjёsi e atyre gjyqtarёve ёshtё detyrё e poitikёs sё mirё. Pёrzgjedhja e tyre do tё jetё fillimi i njё proçesi tё domosdoshёm pastrimi e moralizimi tё jetёs publike shqiptare.

Gjykatat e pavarura e tё papolitizuara, siç janё zyrtarisht e formalisht edhe ato tё Shqipёrisё sё kёtyre viteve, duhet tё jenё shtylla mё e fuqishme, mbi tё cilёn mbёshtetet shteti demokratik. Shёmbujt nё botё janё tё bollshёm pёr tё nxjerrё mёsime e pёr t’i zbatuar edhe tek ne, fatkeqёsisht mungo vullneti pёr t’i pёrqafuar ato pёrvoja. Si nё shumicёn e rasteve mbetemi tё fundit nё nismat e veprimet pozitive.

Politika e mirё kёrkon maturi e guxim. Nёse kur duhet maturia, pёrdoret guximi dhe anasjelltas, pёrfundimi ёshtё zero. Mё njё shkurt vlente mё shumё maturia pёr tё diskutuar me themel pёr aeroportin e Vlorёs, se sa guximi pёr tё sharё e pёr t’u pёrballur pёr ekstradimin e njё banditi. Jo mё kot personi mё i qetё n’atё sallё ishte Kryeministri qё qeshte nёn buzё sepse projekti i tij pёr aeroportin u miratua pa u diskutuar e gjithshka ndodhi shkoi nё favor tё tij.

Besoj se ai episod duhet tё bёjё tё pёrsiatet mirё Opozita mbi rolin e saj, mbasi qёndrime e sjellje si ato tё njё shkurtit nё Kuvend nuk i sjellin asnjё dobi çёshtjes sё saj, qё ёshtё tepёr e rёndёsishme pёr fatet e Vendit dhe tё demokracisё shqiptare.

Shkurt 2018                                                                    

Filed Under: Opinion Tagged With: DUKE NDJEKUR, Eugen Merlika, NJЁ SEANCЁ KUVENDI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 443
  • 444
  • 445
  • 446
  • 447
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT