• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FUNDI I NJE ERE

December 16, 2017 by dgreca

1 Faik Konica21-konica-300x178

– Në kujtim të 75 vjetorit të vdekjes së Faik Konicës –

1-agron-alibali-2

Nga Agron Alibali*/

Si meteori që shkëputet nga qielli një mbrëmje gushti, ashtu do të këputej në mes edhe jeta e Faik Konicës atë mëngjez të ftohtë të 15 dhjetorit 1942. Pikërisht 75 vjet më parë, do të ndërronte jetë në kryeqytetin amerikan ish-diplomati i shquar i Mbretërisë Shqiptare në SHBA.

Puna intensive kërkimore në Arkivën e Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane, në Arkivën Kombëtare [NARA] në SHBA, si dhe në arkiva universitare etj, mundësoi shpalosjen në përmasa të plota të veprimtarisë patriotike, diplomatike e studimore të Faik Konicës.

I lindur në qytezën piktoreske malore të Konicës 66 vjet më parë, jeta e Faikut ishte në vetvete pasqyrë e historisë së kombit të vet, duke përmbledhur përmes një simbioze të rrallë të bukurën me tragjiken.

“Unë jam themeluesi i lëvizjes kombëtare në Shqipëri, si dhe shkrimtari më i njohur në gjuhën shqipe”, do të shprehej Konica për vetveten në vitin 1934. Penda e magjishme e Konicës tek revista “Albania”, ngjallja e ndjenjës kombëtare në kolonitë shqiptare në Europë dhe Amerikë, themelimi i Federatës pan-shqiptare Vatra, ishin të gjitha disa nga copëzat e asaj lufte vigane e fisnike për shpëtimin e Shqipërisë. Po ashtu, botëkuptimi kushtetues i Konicës, i shprehur përmes dhjetëra shkrimesh, ndihmoi njëfarësoji në ngrehinën juridike të vendit. Mirëpo gjithshka u rrëzua me 7 prilli 1939. Mbarimi i asaj dite të zezë hapi për Konicën dhe gjithë shqiptarët patriotë “faqen e tragjedisë së madhe”…

Rrethanat e koklavitura të Luftës II Botërore bënë që Shqipërisë së pushtuar t’i mungonte përfaqësimi legjitim ndërkombëtar. Si dikur, në vitin 1919, kjo mangësi çuditërisht rivinte në rrezik integritetin territorial të vendit. Disa deklarata të Aleatëve të Mëdhenj përcillnin mbështetje ndërkombëtare, por nuk ishin të mjaftueshme. Lëvizja guerrilase brenda vendit ishte ende në embrion.  Një lëvizje tjetër e jashtme për “Bashkimin e Shenjtë”, ku u përfshinë Mbreti Zog, Fan Noli dhe Konica, synonte t’i jepte vendit udhëheqjen e bashkuar që do ta përfaqësonte atë denjësisht në Kombet e Bashkuara.  Një kabinet i ngushtë qeveritar, me atributet e një qeveria në mërgim u mendua të ngrihej në Londër. Në mungesë të një përfaqësimi zyrtar në nivel diplomatik, Mbreti Zog ishte përgatitur ta emëronte Konicën sërish në Washington, por kësaj rradhe si përfaqësues të tij personal.

Mirëpo pikërisht në këto momente kosa e pamëshirshme e vdekjes mori me vete Faik Konicën.

E udhëhequr nga Noli dhe me kontribute nga kolonitë shqiptare në mbarë Amerikën, Federata Vatra u kujdes për pasjetën e Faikut, i cili në Amerikë nuk kishte të afërm. Vatra mori përsipër borxhet, përgatiti funeralin, si dhe ruajti librat e tij të çmuara në pritje të mbarimit të Luftës, kur do t’i besoheshin Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, sipas amanetit të shenjtë të Konicës.

Dihet se në jetë Konica pati shumë miq dhe armiq. Një ndër miqtë më të ngushtë e të fismë të  tij ishte Prof. Norbert Jokl, albanologu, gjuhëtari dhe juristi i shquar hebre. Sëbashku me Nolin, Konica u mundua qysh me 1938 t’i shpëtonte jetën Joklit, duke u interesuar për nguljen e tij në Shqipëri. Konica nuk e mësoi kurrë se në maj 1942, vetë Jokli kishte humbur jetën tragjikisht në kampet e shfarosjes naziste. Dy korifenjtë e padiskutueshëm të studimeve albanologjike, Jokli me Konicën, nuk lanë pasuri, përveç bibliotekave të tyre të jashtëzakonshme, që në njëfarë kuptimi pasqyronin shpirtin e tyre kurioz, shtegtar e ndriçimtar. Çuditërisht, dy miqtë e ngushtë u bashkuan edhe në dëshirën e fundit, që pasuria e tyre e vetme dhe e çmuar librare pas vdekjes t’i dhurohej Shqipërisë.

Largimi i papritur i Konicës nga jeta tronditi gjithë koloninë e gjerë shqiptare në SHBA, si dhe miqtë e dashamirët e tij në Europë e në mbarë botën. Lajmi u përhap edhe në Shqipëri, por në kushtet e pushtimit, humbja kaloi në heshtje. Shqiptarët e kishin të qartë se, pavarësisht nga “dritëhijet” e njohura të Konicës, ata sapo kishin humbur një prej mëndjeve më të ndriçme dhe pendat më të mprehta të kombit.

Epitafi në varrezat Forest Hill në Boston nuk dallon shumë nga vlerësimi që Konica kishte shprehur për veten tek Akademia Diplomatike Ndërkombëtare në Paris. Shkruhet aty: FAIK KONITZA, 15 Mars 1876 – 15 Dhjetor 1942, KAMPION PËR JETË I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË, MINISTËR I SHQIPËRISË NË SHTETET E BASHKUARA, 1926 – 1939.

Kurse ëndrrat e gjalla të Konicës për të arritur diçka në këtë botë i përcjell mjeshtërisht soneti i tij i famshëm, Vaj për një vashëz të vdekur, një nga më të ndjerët e shkruar prej tij në gjuhën angleze. Aty Faiku i përgjërohet dashurisë së vet më të madhe në jetë, një dashurie tragjike, thellësisht koniciane, që mbeti e mistershme dhe, me gjasë, jo e përmbushur…

“Sytë e saj të mëdhenj, të përhimë, tash e kanë humbë fuqinë dhe dritën.

Leshrat e saj të verdha e të hinjta, figura e hajthme, trupi i zhdërvjellët,

tash nuk janë veç një pirg i praruar pluhuri.

“E pra, në qetësinë e kullës time prej fildishi

kujtimet shpërhapin një rreze të ëmbël

Kundërmimin e hollë të një – tashmë të varrosure – ëndërr”.

Ndarja nga jeta e Konicës ishte, pa fjalë, fundi i një ere.

*Agron Alibali

Autor i librit “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati”.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 75 vjet, agron alibali, Fundi i nje Ere, Ikja e konices

Kosove- Veteranët kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

December 15, 2017 by dgreca

Qytetarët në Prishtinë duke nënshkruar peticionin për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. 15 dhjetor, 2017

Qytetarët në Prishtinë duke nënshkruar peticionin për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. 15 dhjetor, 2017/Me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë qytetarë, por edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë nisur të nënshkruajnë një peticion ku kërkohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.Veteranët kërkojnë që me ndryshimet e ligjit, Gjykata Speciale duhet të merret edhe me krimet që serbët i kanë bërë në Kosovë gjatë luftës. Sipas tyre, versioni i tashëm i ligjit obligon gjykatën të merret vetëm me të dyshuar të etnisë shqiptare.Xhavit Jashari, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta, e konsideron si degraduese dhe fyese votimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.”Ne jo vetëm që u bëjmë[deputetëve] thirrje që të kthehet në rishqyrtim dhe të mos i hapet kjo rrugë, absolutisht ne jemi kundër një gjykate të tillë. Dhe mendoj se nuk ka diçka më degraduese dhe më fyese, jo vetëm për ata djem e vajza që me gjak, e luftën e tyre, na kanë sjellë deri këtu lirinë e kësaj pjese të atdheut, po mendoj se kjo është fyerja më e rëndë që i bëhet popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por popullit shqiptar në përgjithësi”, tha Jashari.Veteranët shpresojnë se subjektet politike do ta marrin parasysh kërkesën e tyre dhe do ta votojnë ndryshimin e këtij ligji.
Pamje nga nënshkrimi i peticionit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Prishtinë, 15 dhjetor, 2017

Pamje nga nënshkrimi i peticionit për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Prishtinë, 15 dhjetor, 2017

Erald Selca, veteran i luftës tha për Radion Evropa e Lirë, se ka ardhur nga Peja që ta nënshkruajë peticionin.

“Besoj se [peticioni] do të merret parasysh se do të kalojë atë shifrën që duhet të jenë mbi 10 mijë nënshkrime. Duhet t’i thirret ndërgjegjes kombëtare. Lufta e UÇK-së është luftë që ka qenë me karakter kombëtar është vlerë e kombit”, tha Selca.Në një përgjigje për Evropën e Lirë, Gjykata Speciale ka thënë se ligji nuk përmend asnjë përkatësi etnike dhe se ka juridiksion mbi personat që kanë shtetësi kosovare apo mbi personat që kanë kryer krime, në kuadër të juridiksionit të tyre lëndor, kundër personave me nënshtetësi kosovare, kudo që janë kryer ato krime.

“Dhomat e Specializuara nuk mund të dinë kush janë dhe çfarë nënshtetësie kanë individët kundër të cilëve Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ngrejë akuza. Kjo është kompetencë vetëm e Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, thuhet në përgjigje.Albulena Haxhiu, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe kryetare e Komisioni për Legjislacion, tha se ende nuk janë të njoftuar se si është menduar nga shoqatat e luftës ndryshimi e Ligjit për Gjykatën Special me anë të peticionit. Ajo tha se për këtë ligje dhe vet Gjykatën Speciale, Vetëvendosje ka qenë kundër.”Kemi konsideruar që ajo gjykatë është e padrejtë, gjykatë etnik,e dhe po ashtu kemi konsideruar se paraqet një pasqyrë të shtrembëruar të vërtetës për luftën e UÇK-së”, tha Haxhiu.Pas mbledhjes së 10 mijë nënshkrimeve, drejtuesi e organizatave të dala nga lufta kanë thënë se peticionin do t’ia dorëzojnë kryeparlamentarit dhe kryesisë së Kuvendit.Ende nuk ka datë të saktë se kur mund të lëshohen aktakuzat e para nga Gjykata Speciale, mirëpo zyrtarë kosovarë kanë bërë me dije se një gjë e tillë mund të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.(Kortezi:Arton Konushevci,RFL)

Filed Under: Opinion Tagged With: duan ndryshimin e Ligjit, per gjykaten speciale, Veteranët

DEKLARATA E PRESIDENTIT TRUMP PËR JERUZALEMIN

December 14, 2017 by dgreca

-Pyetja e fundit që mund të bëhet për deklaratën e Presidentit Trump është se a  mundet që  kjo deklaratë të prodhojë më shumë terrorizëm se më parë?/

Asllani 21

NGA ASLLAN BUSHATI/

Para disa ditësh, Presidenti i SHBA-së Donald Trump, ritheksoi  e firmosi (në mënyrë identike) një deklaratë të Presidentëve të mëparëshëm amerikan: Klinton, Xhorxh  W  Bush dhe Obama se: SHBA-ja, do ta trasferojë selinë e Ambasadës së SHBA-së  në Izrael ,nga  Telavivi për në Jeruzalem. Kjo sipas  Presidentit  Trump , do të bëhet  në një kohë të përshtatëshme pasi të jene  siguruar vendi, mjetet financiare  dhe ndërtimi i selisë. Firmosja e këtij akti (që nënkupton edhe  njohjen nga SHBA të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit), shkaktoi një “ furtunë” diplomatike dhe mediatike duke e quajtur atë nje herezi për të mos thënë  një “cmenduri” të Presidentit. Si shqiptaro-amerikan, si  vatran si opinionist në shtypin e përditshëm dhe si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare ndiej si  një detyrim moral të cfaq opinionin tim për këtë problem i cili mund të konsiderohet tashmë madhor.

Për të patur një qasje më të thjeshtë të shkrimit, do të preferoja  përdorimin e metodës  së katakizmit ku pyet vetë  dhe përgjigjesh  vetë. Kështu pyetja e parë që më vjen në mendje  është: kjo deklaratë dëgjohet tani për herë të parë, apo ishte thënë edhe herë të tjera? Përgjigja është: po ishte thënë  edhe më parë nga presidentët e përmendur më lart (të cilët nuk e bënë realitet), por edhe nga Presidenti Trump në fushatën elektorale të vitit 2016. Atëherë  sipas një llogjike të thjeshtë, Presidenti  nuk ka bërë asnjë “cmenduri”, por po mban një premtim electoral. Por këtu duhet theksuar  një gjë shumë specifike  madje dhe e rëndësishme se: Zoti Trump nuk erdhi  në krye të Shtëpisë Bardhë i formatuar e “stërvitur” nga asnjë lloji karjere politike, por erdhi si një President ndryshe e larg  formësimit  burrokratik. Ai pikrisht për këtë “President ndryshe” u votu nga elektorati amerikan,  sepse amerikanët ishin “ngopur” me rrumbullakosjet e veprimet brenda trasese politiko- diplomatike shumevjecare.

Pyetja e dytë mund të jetë: këtu brenda SHBA-së, firmosja e këtij dokumenti  tani , a ka ndonjë arsye tjetër?  Mendoj se po. Sepse në të dy krahët e politikës ka një komunitet të madh hebre, i cili luan një rol të rëndësishëm në biznes, Kongres, Senat, strukturat qëndrore  e lokale të shtetit. Ata  janë të interesuar për zbatimin e këtij dokumenti presidencial, sepse janë të zhgënjyer nga prentimet  boshe të  mëparshme. Kështu me këtë lëvizje Presidenti Trump, fiton pikë dhe  siguron më shumë garanci në Kongres e Senat për votimin e premtimeve të tjera elektorale.

Po Jeruzalemi cfarë përbën për botën, hebrejt, palestinezët etj ?  Për botën ai është  hapsira ku ndodhen  tri  vendeve më të shenjta të kulteve të njerëzimit. Si i tillë ai kërkohet që kjo pasuri botërore  e kulteve, të ruhet e administrohet  sa më mirë që të jetë e mundur. Por të  sherbej edhe si vend peleglinazhi,  në paqe të përhershme, në  cdo kohë e për gjithkënd.

Për hebrejt (izraelitët), Jeruzalemi ,dihet ( dhe pranohet  botërisht) se   si vendbanim njerëzish,  më së pari është  krijuar e formësuar  prej tyre , pra hebrejve. Por në  tri mijë vitet e fundit ai më pak ka qenë në paqe dhe më shumë në luftë. Pushtuesit kanë filluar  me egjiptianët …palestinezët,.. romaket… etj dhe në shekujt e fundit.., turqit, anglezët e izraelitët. Marrë shkas nga faktet historike të të qënit formues të këtij vendibanimi nga hebrejt, por edhe nga fakti se palestinezët jetojnë ne ato troje (edhe nën pushtimin e të tjerëve) për gati dy mijë vite,  OKB-ja  në 1947-tën vendosi për krijimin në atë hapsirë të Autoritetit  Palestinez dhe Shtetit të Izraelit.

Por harta  e vend banimeve të këtyre dy etnive, si rezultat i luftrave , cvendosjes dhe kolonizimeve ka ndryshuar disa herë deri tek gjendja aktuale.Në këto kushte të pas 70 viteve, Izraeli e njeh politikisht  Autoritetin Palestinez në klauzolat e shtetit indipendent, në se edhe  ata  në të njejtën kohë e njohin Izraelin si shtet independent dhe fqiun e tyre. Kurse  Autoritetit  Palestinezët nuk e njeh fare  ekzistencën e Izraelit  si shtet. Kjo ka bërë që  OKB-ja ta njoh  Izraelin si anetar të saj me të drejta të plota dhe Autoritetin Palestinez me statusin e vëzhguesit nën  përfqësimin e Organizatës për Clirimin e Palestinës (OCP), sepse shumica e antarve të OKB-së nuk e njohin  Autoritetin palestinez.

Parë më gjërë, e drejta historike dhe shtet formimet, nuk përkojnë me njera-tjetrën . Shtet formimi nuk njihet (prevalohet) mbi të drejtën historike, por mbi gjendjen aktuale të popullsisë së  vendbanimit. Aktualisht sot tre të katërtat (pjesa perendimore) e Jeruzalemit janë të banuara nga izraelitët  dhe një e katërta (pjesa lindore )nga palestinezët.

Po  vecmas për palestinezët cfarë është Jeruzalemi? Ai është  kryeqender e tyre dy mijë vjecare e njohur edhe me një dokument  të  OKB-së që  të vitit 1947-1948.  Por harta e vendbanimeve në ditët e sotme, (sic u përmend edhe më lart),  ka psuar ndryshime të mëdha demografike nga ajo e 1947-1948-tës. Realiteti në teren flet për një shtrirje të vendbanimeve izraelite  në përmasat që  nuk e pengojnë atë aspak ta shpall dhe ta bëjë realitet Jeruzalemin Perendimor  kryeqytet të Izraelit.

Atëherë a mund të ishte një zgjidhje e pranueshme që pjesa lindore e Jeruzalemit të shpallej dhe të pranohej nga të dy palët si kryeqytet i  Autoritetit Palestines dhe pjesa perendimore po ashtu  si kryeqytet i Izraelit? Pse jo. Aktualisht në pjesën perendimore janë të vendosura disa ministri dhe institucione të rëndësishme të Izraelit dhe cfarë do ti shtonte apo ti hiqte peshës së  ketij qyteti  lëvizja e Ambasadës Amerikane nga Telavivi në Jeruzalemin perendimor? Nga pikpamja formale asgjë. Nga pikpamja diplomatike po, sepse përfaqësitë diplomatike vendosen ne kryeqytetet e vendeve ku atashohen. Po praktikisht a mund të jetonin, të funksiononin dhe të punonin pa penguar njeri-tjetrin dy kryeqetete të dy etnive të ndryshme(izraelite e palestineze) në Jeruzalem? Prirem të besoj se në se do të vendoset paqe e qëndrueshme  dhe e garantuar nga OKB-ja, pse jo, madje të ishte një shembull i madh për civilizimin e ardhshëm botëror.

Po europianët a friksohen dhe pse , nga deklarata e Presidentit Trump? Po. Ata realisht e kanë një arsye madhore me praninë  e shumë  refugjatëve nga lufta në Irak , Siri e Libi. Në këto kushte ata   mendojnë se mund të ketë trazira  të reja  në lindjen e mesme të cilat do të  prodhojnë  kontigjente të rinj refugjatësh dhe problemi  do të bëhej i pa përballueshëm për to. Kjo qëndron ,por pyeta shtrohet pse duhet të ketë trazira kur nga pikpamja formale asgjë nuk po  ndryshon. Trazirat nuk ja zgjidhin problemin as palestinezëve, as izraelitëve dhe as atyre që fishkëllejne  a bërtasin si spektatorë.

Po Rusia, Turqia dhe Irani, pse turfullohen kaq shumë për deklaratën e Presidentit Trump? . Mendoj se   së pari ata i bashkojnë disa interesa  të ngushta  anti amerikane në Lindjen e Mesme ,sepse secila vec e vec , por dhe në tërësi (si bashkësi në formim), duan ta dominojnë rajonin. Cdo përpjekje amerikane  për ta fuqizuar Izraelin ose vetëm thënia e idesë  se ceshtja e Kurdistanit ekziston dhe se heret a vonë do të bëhet nje realitet i prekshem sic u bë Izraeli para 70 viteve, atyre ju lëvizin “pllakat tektoinike”.

Po shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Maltë Zi, si ta  vlerësojnë  deklaratën e Presidentit Trump, në një kohë që kerkojnë ti bashkangjiten BE-së dhe kjo e fundit nuk e mbështet atë. Mendoj se nuk duhet të ketë asnjë dyshim për rrugën dhe qëndrimin  pro amerikan. BE-ja ka punët e veta dhe vështirësitë e panumërta, sic shpesh është e pa zonja të marrë vendime të shpejta, të drejta e të bashkrenduara me të gjithë partnerët. Por BE-ja është hapsira të së cilës i përkasim, gjeografikisht, politikisht, kulturalisht etj, pra është shtëpia jonë natyrale. Kurse deklarata kundërvënëse që Kryeministri Edi Rama , i bëri BE-së se në qoftë se ju nuk na pranoni në gjirin tuaj, ka edhe opsione të tjera ruse, kineze a turke, në këndshikimin dhe gjykimin tim, është krejt e pa kuptimtë për të mos përdor ndonjë konotacion më negativ. Opsionet lindore  ne shqiptarët i kemi provuar dhe kanë rezultuar fatale si me turqit, rusër dhe kinezët.

Por shqiptarët janë me të drejtën e zotit t’ju bëjnë me dije izraelitëve se në kohërat më të vështira për ju, ne si komb ju kemi mbrojtur duke rrezikuar vehten dhe familjet tona. Tani është radha juaj të njihni pa asnjë  ekuivok pavarsinë e Kosovës. Po ashtu, lypset t’ju bëhet me dije palestinezëve, se për disa dekada në periudhën e  shtetit totalitar, ju kemi mbrojtur, ndihmuar, madje  kemi stërvitur ushtarakisht  kuadrot tuaj të “AL Fatahut” (ne kundershtim me te drejten nderkombetare). Tani është koha të reagoni dhe të njihni pavarsinë e Kosovës.

Pyetja e fundit që mund të bëhet për deklaratën e Presidentit Trump është se a  mundet që  kjo deklaratë të prodhojë më shumë terrorizëm se më parë? Mendoj se jo. Terrorizmi ka ekzistuar , ekziston dhe do të vazhojë të ekzistojë edhe një perudhë kohe, por intensitetit i tij mendoj se do të vijë duke u ulur. E them këtë se besoj shumë tek demokracia, prosperiteti, zhvillimi, qytetërimi e arsimimi i popujve, shoqërive, organizmave, organizatave e institucioneve të  ndryshme të cdo vendi. Shkurt besoj se e ardhmja do të jetë më e mirë dhe më  tolerante , agresiviteti e ekstremizmi  fetar do të  ulet dhe një shpërndarje më e mirë e të ardhurave do të bëhet i prekshëm për këdo.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, DEKLARATA E PRESIDENTIT TRUMP, PËR JERUZALEMIN

KUJTOJMË ISH AMBASADORIN LUBLIN DILJA

December 13, 2017 by dgreca

NË KUJTIM TË ISH-AMBASADORIT LUBLIN DILJA  ME RASTIN E 60-VJETORIT TË LINDJES/

4 Lubi3 Lubi2 Lubi2ok Lubi ok

Nga Frank Shkreli/Me 10-Tetor të këtij viti, ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Washington do i kishte mbushur 60-vjeç.  Fatkeqësisht, një sëmundje e rëndë e ndau para kohe nga kjo jetë, në vitin 2009, kur ai ishte në moshën 51-vjeçare — në kulmin e jetës dhe të veprimtarisë së tij diplomatike.  Ishte një vdekje e rëndë për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin, pasi ndërroi jetë kur ishte në kulmin e fuqive mendore, profesionale, diplomatike dhe shoqërore.  Ishte kjo një vdekje e rëndë sidomos për familjen e të ndjerit Lublin, për Shqipërinë dhe për trupin diplomatik të saj.  Njëkohësisht, ishte një humbje e rëndë edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, me të cilin Ambasadori Lublin Dilja pothuaj menjëherë pasi kishte filluar nga detyra në Washington – dhe pothuaj si asnjë ambasador tjetër i Shqipërisë në SHBA, si atëherë dhe sot — kishte lidhur marrëdhënie të ngushta me komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithësi, dhe me individë të komunitetit, në veçanti.

Unë e kam njohur Lublin Diljen për herë të parë, një ditë pasi kishte arritur në Washington në Nëntor të vitit 1993, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, i akredituar gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada.  Ai qëndroi në këtë detyrë deri në tetor të vitit 1977.

Më kujtohet sikur të ishte dje, në shtëpinë time në Folls Çërç të shtetit Virxhinia, nja 10-kilometra jashtë Uashingtonit,  atë natë të nëntorit 1993 kisha disa mysafirë, pjesëtarë të një delegacioni të Partisë Demokratike nga Shkodra, edhe ata në vizitën e tyre të parë në Shtetet e Bashkuara.  Unë nuk e njihja Ambasadorin e ri shqiptar në Uashington, por vizitorët nga Shkodra më njoftuan se një ditë më parë kishte ardhur ambasadori i ri shqiptar të cilin ata e njihnin, në personin e Lublin Diljes dhe më sugjeruan që t’a ftoja edhe atë për darkë me qëllim që të njiheshim me njëri tjetrit.  Në atë kohë mezi prisnim të takonim njerëz të ardhur nga Shqipëria, e lere më ambasadorin e parë të rregullt të Shqipërisë në Washington. E pranova me kënaqsi propozimin e vizitorëve nga Shqipëria sepse — ndonëse kam qenë dëshmitar i nënshkrimit të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit në Mars të vitit 1991– ardhja e ambasadorit të ri shqiptar në Uashington – përfaqsues i një qeverie post-komuniste të Shqipërisë –  më dukej gjithnjë si një ëndërr që ishte vështirë të merrej me mend si realitet.  Ishte diçka që në të vërtetë e kishim pritur dhe shpresonim për aq shume vite, por që pothuaj se kishim humbur edhe shpresën se do të ndodhte ndonjëherë – përball armiqësisë së regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj Shteteve të Bashkuara.

Sidoqoftë, Ambasador Dilja e pranoi ftesën për të ardhdur tek shtëpia ime pa asnjë hesitim, megjithëse ishte i lodhur nga rruga e gjatë ardhur nga Shqipëria vetëm një ditë më parë.  Ndejtëm deri vonë atë natë duke biseduar për Shqipërinë dhe ëndërrat e popullit shqiptar për liri demokraci pas pothuaj një gjysëm shekulli, nën njërin prej regjimeve më të egëra komuniste që ka njohur bota.  Natyrisht, ishte i interesuar për të mësuar sa më shumë për jetën dhe zhvillimet politike në Uashington si dhe për misionin e tij të ri diplomatik që e priste në kryeqyttein amerikan.

Ambasadori Dilja ka lënë pas gjurmë të pashlyeshme kujtimesh ndër të gjithë ata persona me të cilët është takuar shoqërisht dhe me të cilët ka punuar profesionalisht, jo vetëm në fushën diplomatike por dhe në fusha të tjera të veprimtarisë së tij dhe me të gjithë ata miqë e dashamirë shqiptarë dhe amerikanë, që e njohën.  Jo vetëm gjatë shërbimit të tij diplomatik, si përfaqsues i denjë i Republikës së Shqipërisë në Uashington, por më vonë edhe si Ministër-Fuqi-Plotë i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si pedagog në fushën e arsimit shqiptar.  Për mua personalisht, përshtypjet e mia shumë të mira për Ambasadorin Lublin Dilja si njeri dhe si përfaqsues i denjë diplomatik i Shqipërisë, u çimentuan atë natë në shtëpinë time në Virgxhinia jashtë Uashingtonit dhe nuk kanë ndryshuar atë ditë e sot.  Ndryshe nga shumë diplomatë të tjerë, gjatë viteve, Lublini të lente përshtypjen si njeri i thjeshtë dhe pa pretendime, posedonte shumë cilësi të larta njerëzore.   Megjith sfidat shëndetsore, ai e përballoi situatën me kurajo të thellë dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie në punën e tij prej diplomati dhe në jetën e përditshme.   Ishte tepër i urtë, me sjellje të një zotënie, por serioz në punën e tij dhe i vetdijshëm se përfaqësonte Shqipërinë.  Si i tillë, gjatë shërbimit të tij diplomatik në Uashington dhe në Nju Jork, ai i solli nder Shqipërisë, si në qarqet diplomatike amerikane dhe ndërkombëtare, po ashtu edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte bërë ndërkohë që nuk mungonte kurrë në aktivitetet e tija, megjith sëmundjen e rëndë që e kishte lodhur shumë gjatë viteve të fundit të jetës së tij, ndërsa shërbente në Misionin e Përherëshëm të Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Jam dëshmitar se si diplomat i ri, ai përfaqësoi vendin e tij në kryeqytetin amerikan gjatë një periudhe shumë të vështirë për Shqipërinë dhe për ‘të personalisht.  Megjithë këto vështirsi përfshirë sfidat financiare dhe politike me të cilat përballej ambasada shqiptare në Uashington dhe vet Ambasadori Dilja     përfshirë krizën e mallëkuar që kishte pllakosur Shqipërinë në atë kohë, ai shërbeu me dinjitet dhe u këthye në atdhe, megjithse mund të rrinte dhe të vendosej në Amerikë në mënyrë permamente, ashtu siç bënë shumë diplomatë të tjerë shqiptarë gjatë viteve.  Me sjelljet e tija dhe bazuar në bisedat me ‘të gjatë asaj periudhe të vështirë për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, kurrë nuk u dëgjua t’i hidhte baltë Atdheut që përfaqësonte, të cilin e donte aq shumë, por ndjehej i privilegjuar që i ishte dhënë mundësia ta përfaqësonte atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Madje edhe në biseda private, Ambasador Dilja nuk shfryhej kurrë si disa të tjerë për problemet personale ose institucionale në të cilat hasnin, por si përfaqsues i vërtetë dhe i denjë i vendit të tij, të lënte përshtypjen se ai ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shërbim të Shqipërisë dhe jo domosdo në shërbim ose si përfaqsues i ndonjë partie ose individi të veçantë.

Puna e tij e zellshme dhe e palodhshme, megjith sfidat serioze shëndetësore me të cilat përballej trimërisht çdo ditë të viteve të fundit të jetës së tij – të pakën në publik, ashtu në heshtje dhe pa bujë vuante – si dhe dashuria e tij për Atdheun dhe interesat e tija, sidomos në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, e stolisin Ambasadorin Lublin Dilja me merita të veçanta dhe e bën atë shëmbull, të një diplomati të denjë dhe të respektuar të Shqipërisë, për brezat e ardhëshëm të diplomacisë shqiptare.

Për këtë arsye e kujtoj në këtë 60-vjetor të lindjes me respekt, jo vetëm për punën e tij si diplomat, por edhe si mik e dashamir i komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte gjatë periudhës që përfaqësoi Shqipërinë në Uashington dhe në Nju Jork të Shtetet e Bashkuara.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kujtojme Lublin Dilja, Lindjes, ne 60 vjetorin

AMBASADORI LU: REFORMA NE DREJTESI NUK KA VDEKUR

December 12, 2017 by dgreca

sot LuAmbasadori LU: Dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur.*/

sot Lu 2

E nderuar Zëvendës Kryetare e Kuvendit Zonja Hysi, e nderuar Zëvendës Kryeministre Zonja Mesi, e nderuar Avokate e Popullit Zonja Ballanca, kolegë diplomatë, zonja dhe zotërinj,

Shumë vite më parë, kur bashkëshortja ime bënte kërkime akademike mbi dhunën në familje, jepte mësime joge në një strehëz në Azinë Qendrore për gratë që kishin qenë viktima të trafikimit ose të dhunës me bazë gjinore. Shpesh herë, ajo kthehej në shtëpi me histori të pabesueshme për ato që gratë dhe vajzat kishin pësuar nga duart e trafikantëve të seksit dhe bandave kriminale.

Kur sapo mbërritëm në Shqipëri, vizituam të  treja strehëzat e OJQ-ve dhe strehëzën shtetërore për viktimat e dhunës në familje dhe trafikimit. Atje takuam vajza të reja të guximshme, disa vetëm 14 vjeçe, që ishin trafikuar dhe kthyer në Shqipëri. Pjesa më e madhe ishin refuzuar nga familjet e tyre dhe kishin përfunduar në këto strehëza.

Atje dëgjuam historinë e një viktime të dhunës në familje, të cilës një gjykatës i korruptuar ia kishte hequr fëmijët. Bashkëshorti i saj abuziv kishte qenë i dënuar për krime seksuale. Kur ajo më në fund pati guximin ta divorconte, në vend që të gjente drejtësi, gjykatat ia morën fëmijët e saj. Kujdestaria për dy nga tre fëmijët e tyre iu dha burrit i cili e rrihte, sepse ai kishte korruptuar gjykatësin. Kjo e shkatërroi atë.

Të gjithë ne luftojmë për arsye vetjake. Unë luftoj për reformën në drejtësi për këtë grua, për fëmijët e saj dhe për të gjitha familjet e tjera që kanë vuajtur nga një sistem gjyqësor i korruptuar. Luftoj për reformën në drejtësi edhe sepse është një përparësi e lartë e Presidentit Amerikan dhe e Sekretarit të Shtetit.

Reforma në drejtësi po hyn në një çast vendimtar. Komisionet e Vetingut dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë punuar shumë. Së shpejti ata do të përfundojnë çështjet e para të vetingut. Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera të reformës në drejtësi, përfshirë SPAK-un dhe BKH-në. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi.

Dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur.

Sistemi i vjetër i drejtësisë mbronte njerëzit me pushtet dhe pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik.  Sistemi i ri nuk mund të ketë një Prokuror të Përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht.  Ky vend nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Evropë.

I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të përkohshëm  të Prokurorit të Përgjithshëm, të cilit i përfundoi mandati pesëvjeçar më 7 dhjetor. Të dyja palët duhet t’i japin fund epokës kur  Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar.

Në emër të grave dhe të fëmijëve që vuajnë si pasojë e një sistemi gjyqësor të korruptuar, shpresoj që politikanët do t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të parëndësishme dhe do ta zbatojnë këtë reformë në drejtësi.

Më lejoni ta mbyll duke lavdëruar Erinda Ballancën.  Ajo më ka bërë përshtypje si një  njeri me bindje dhe vlera të thella vetjake.  Ajo do luftojë fort për të drejtat e grave, fëmijëve, pakicave, komunitetit LGBTI dhe të personave me aftësi të kufizuar.  Ne qëndrojmë përkrah Avokates së Popullit në mbrojtje të të drejtave të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.

* Fjala e Ambasadorit Lu në Konferencën vjetore të Avokatit të popullit

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasadori Lu, NUK KA VDEKUR, Reforma ne Drejtesi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 451
  • 452
  • 453
  • 454
  • 455
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT