• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fotaq Andrea me “Fletore koniciane”

July 11, 2017 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Disa thonë se është pozita gjeografike që i mban shqiptarët jashtë Bashkimit Evropian, të tjerë thonë se është feja myslimane, pastaj ka edhe nga ata që fajin ia ngarkojnë vetë shqiptarëve. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, sepse ata janë përgjegjës që Shqipëria vazhdon të renditet ndër vendet e fundit në Evropë, shkruante Faik Konica më shumë se një shekull më parë. Këto e fjalë e të tjera prej profeti, qëmtohen e përmblidhen në librin “Faik Konica – Përlindësi Modern” të ciklit Fletore koniciane, nga studiuesi i njohur Fotaq Andrea.

Edhe ato që shqiptarët kanë arritur, jane falë trashëgimisë së tyre të lashtë, dhe shume pak nga puna e tyre sot, shkruante Konica kur ishte ende 21 vjec.

Fotaq Andrea, me zhdërvjelltësine e penës së ngjyer në “bojën” e errët e jo rrallë të harruar të historisë koniciane, sjell në këtë libër rezultatet e hetimit të imtësishëm të punës dhe veprimtarisë së këtij filozofi, e cila para 25 vjetësh ishte krejt e panjohur ose plotësisht e denigruar nga vetë shqiptarët që kishin më shumë nevojë ta lexonin të parët.

Disa thonë, shkruan Konica, se intrigat e armiqve që kemi përreth na pengojnë të bëjmë gjë të mbarë për ne. Nuk është e vërtetë, nuk…Ne nuk duam, ne po flemë gjumin e vdekjes dhe vetë e kemi fajin, thotë ky dijetar, ndarja për 50 vjet nga mendimi i të cilit, solli atë boshllët ideor që ndjehet sot.

Aq e hollësishme është ‘fletorja koniciane’, sa i ngjan nje raporti mësimesh që Faiku ka lënë për brezat pas tij. Meraku i Konicës, thotë Fotaq Andrea, ishte si e si të zbutej e spastrohej zemra shqiptare nga mllefet, zemëratat, kapadaillëku, cmira, meskiniteti, partitizmi, bajraktarizmi, pa lëne mënjëanë shpifjet, dëshmitë e rreme, pusitë dhe vrasjet, që kanë qenë si “buka e përditëshme” e krimit në Shqipëri.

Po ashtu, Andrea ndalet tek lloji i tipit “modern” a “i moderuar, por thjesht primitiv i zyrtarit, që shfrytëzon postin për premtime punësimi “për pak seks”. Konica këtë akt e quan krim, thotë Andrea, tek sheh të përdoret kërcënimi dhe presioni psikologjik, abuzimi me pushtetin e xhandarit, që kërkon të shfrytëzojë mjedisin e izoluar e të egër malor për ta shtyrë viktimën femër drejt një krimi të padëgjuar, për të rënë në dorën e tij me përdhunë, ose për t’u hedhur në humnerë. Konica e kupton se në këtë rast kemi të bëjmë thjesht me krim, dhunim me anë të kërcënimit, dhunim me presion psikologjik, abuzim me pushtetin “në emër të ligjit”, që sot quhet “krim seksual”, thotë Andrea. Krimi është fat tragjik, vrasja  është kafshërore, asgjë nuk e përligj. Meriton vec ndëshkim – ky është një mësim i madh konician për Jetën dhe në emër të Jetës, shkruan Fotaq Andrea ne “fletoren e tij koniciane” Faik Konica – Përlindësi Modern, Zenit Editions 2016.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi, Fletoret Koniciane, Fotaq Andrea

“Check-ups” falas, por jo për ata që mbushin moshën 65 e lart!

July 10, 2017 by dgreca

1-pirro-dollani

Nga Pirro Dollani/

Sot në mëngjes, duke pirë kafenë me ca miq të mi mësova një gjë të re: ky PALO shtet nuk u siguron më “check-ups” falas qytetarëve që mbushin moshën 65 vjeç. Fillimisht, nuk u besova veshëve kur njëri nga miqtë e pohoi këtë. I thashë bashkëfolësit se një gjë e tillë nuk mund të ishte e saktë, pasi është antihumane, poshtëruese, fyese e diskriminuese, jo vetëm ndaj kësaj kategorie njerëzisht, por edhe ndaj gjithë popullsisë. Këta njerëz mbasi kanë punuar një jetë të tërë tani i “flakin” në pension me ca pagesa qesharake që s’u del për gjë tjetër, veçse për të paguar ujin dhe dritat. Dhe mbasi paguajnë ato, u mbetet të mbushin barkun me rrenat, mashtrimet, premtimet e politikanëve tanë sharlatanë, të të gjithë ngjyrave. Unë ngulja këmbë se ajo që tha miku im s’mund të ishte veçse një thashetheme, pasi një gjë e tillë ngjasonte me qëndrimin e Hitlerit ndaj foshnjave që lindnin me defekte. Edhe qëndrimi ndaj kësaj kategorie njerëzish që kanë mbushur 65 vjeç e lart ka po të njëjtën bazë logjike me atë të kohës së Hitlerit. Shqip, ky qëndrim përkthehet kështu: “zonjë a zotni, tani që mbushe 65 vjeç, shteti nuk kujdeset më për ty! Për shtetin tonë demokratik dhe human ju konsideroheni të vdekur. Të qënurit gjallë është një aksident! S’kemi aq para sa të shpenzojmë edhe për të vdekurit!!!” Me këto mendime në kokë, nxitoja që të arrija sa më parë në shtëpi. Sapo mbërrita, hapa kompjuterin dhe shkova drejt te faqja e KRYEMINISTRISË. Sapo faqja u hap, në krye të saj shkruhej me shkronja të mëdha:

Check-Up falas, hapi madhor drejt mbulimit universal në shëndetësi.

Më vinte t’i bërtisja që nga brenda shtëpisë atij mikut tim: Gënjeshtar! Gënjeshtar! Se ja ku është, që në krye e zeza mbi të bardhë: “Check-up falas!” Dhe vazhdova ta lëçitja gjithë kënaqësi atë faqe të Kryeministrisë, kur papritur ngeca te një fjali, si ajo qerrja që papritur i bie rrota mbi një gropë. Hops! Tërhoqa frenat! Ndalo, i thashë vetes, lexoje me kujdes. Dhe si ai filloristi, nuk lashë rrokje pa e lexuar dy-tre herë. Në përfundim, ja se ç’shkruhej aty: “Programi kombëtar i kontrollit bazë shëndetësor për të gjithë shqiptarët rezidentë, në grupmoshën 40–65 vjeç, fton 900 mijë shqiptarë, që një herë në vit të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit dhe të bëjnë kontrollin bazë shëndetësor, pa pagesë, pavarësisht nëse janë apo jo, të siguruar për kujdes shëndetësor.”

Pra, “check-ups vetëm për grupmoshën 40-65! “Hasta la vista” ju 65-vjeçarë! Ky shtet human juve ju jep dy mundësi. Zgjedhja është e lirë, se jetojmë në një vend demokratik: 1. “Ose merrni rrugën për varreza, dhe këtë bëjeni sa më shpejt që të shkoni në një botë shumë më të mirë se sa ky ferr ku jetoni tani 2. Ose ndiqni mbrapa fëmijët tuaj kur arratisen nga ky vend. Cilëndo rrugë që të ndiqni, do t’ju bie shumë më mirë, se sa të jetoni në këtë mizerabilitet.”

Ndokush, mund të thotë se autori e ka nxirë një çikë si shumë, këtë “realitetin tonë bolsheviko-demokratik.” Ndoshta, por për ta kuptuar më mirë ç’ka lexuat deri tani, më lejoni ta mbyll me një ngjarje të zakonshme në ditët tona. Çdoherë që vij në Shqipëri kam dëshirë të pi kafe me një shokun tim, mësues gjimnazi të dy, ai madje, arriti të bëhej drejtor. Dy-tre vite të shkuara seç takoheshim 2-3 herë gjatë periudhës 4 mujore që unë qëndroj në Shqipëri. Por tani, rrallë e shoh, dhe pothuaj nuk pi fare kafe me të. Nganjëherë, mendoja se ndoshta nuk kishte dëshirë, paçka se kemi qenë shumë miq me njëri-tjetrin. Para ca ditësh e takova rastësisht aty para Vollgës, dhe i thashë: “S’ke ku të më ikësh tani! Hajde të pimë një kafe.” Ai nguroi pak, pastaj u përgjigj se duhej të ikte se kishte një punë. Mbasi ngulmova, ai, gati me lot në sy, shpërtheu: “Nuk vij, jo se nuk dua, por me vjen zor që ti të paguash përsëri! Kam pranuar një herë, dy herë etj., por s’mund të pranoj gjithnjë. Më vjen zor, se 18.000 lekë pension që marr në muaj, s’më dalin të jetoj 3-4 ditë, mbasi paguaj, ujin, dritat, telefonin, televizorin, etj.! Një jetë të tërë në punë, vazhdonte miku im, dhe vetëm150 dollarë pension në muaj!!! Në një kohë që çmimet janë sikur të jetosh përtej detit. E si mos të kem nostalgji, mall për kohën në periudhën e komunizmit? Atëhere dilje në pension dhe me pensionin ndihmoje edhe fëmijët që s’kishin dalë në jetë, ndërsa tani s’mban as veten tënde dot me bukë.” Mbeta si i ngrirë. S’dija ç’të thosha. i shtrëngova dorën pa e vështruar në sy, dhe eca rrugës me sytë që më mjegulloheshin nga lotët.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: “Check-ups” falas, moshën 65 e lart!, Pirro Dollani, por jo për ata, që mbushin

Ardhmëria jonë duhet të flas shqip!

July 9, 2017 by dgreca

1Kaltrina HotiNga Kaltrina HOTI/

Sot hasim në shkrime të ndryshme, kemi opinione nga në të ndryshmet për vepra e ngjarje politike, për manifestime organizime që bëhen për qëllime të caktuara, kjo është bukur por kur të gjithë e dimë se ku duhet të arrimë, apo më mirë për ku jemi nisur. Nuk e di përse por unë sot jam pak sa e shqetësuar  për atdhetarët që janë lodhur nga mall i fjalëve të premtuara. Kjo lodhje ndihet edhe tek ata që vepruan atje në atdhe por edhe gjithandej në diasporën shqiptare. Kjo më detyron që dhe unë të ndihem e pakënaqur më të arrirat tona me një arsye të vetme, shumë projekte të nisura me shumë optimizëm, vullnet e dëshirë disi kanë mbetur për gjysmë. U fol se shqiptarët do ulen në një tryezë, se do ndodh bashkimi shpirtëror, se do mësojnë histori të njëjtë, se do kenë abetaren e njëjtë, se do ndërtojnë institucione të shkencës, artit e kulturës me një synim drejtë bashkimit tonë shpirtëror e fizik. Nuk dua të prek sedrën e atdhetarit të mirëfilltë dhe të pyes përse dështuan këto projekte të filluara me një optimizëm të pashoq. Kam dëgjuar herë pas here ndonjë nga ata që vepruan dhe ishin në ballë të ngjarjeve të thotë; “i kam qua duart nga atdhetarizmi”, a thua deri aty ka shkuar që të mos e ndjejmë thikën e huaj në palcën tonë. Po mërgata jonë? Përse gjithë këto Organizata, Shoqata e Klube nuk kanë një tryezë të përbashkët dhe përse nuk merren me problemet me të cilat sot ballafaqohet familja shqiptare, gruaja shqiptare, nxënësi shqiptar, studenti shqiptar, ekonomia shqiptare, kultura e arti shqiptar… a mos thua se i realizuam që të gjitha dhe duhet të pushojmë. Të jemi real, jo që nuk i kemi realizuar, por edhe kur i realizon duhet që me punë e vullnet t’i ushqejmë që të rriten, të japin rezultate nga ku do korrin suksese gjeneratë pas gjenerate për të pasuruar bibliotekën tonë kombëtare. Mendoj se fjala që thash më parë “i kam quar duart nga atdhetarizmi” dhe që po përsëritet nga veprimtar të ndryshëm nuk duhet të zë vend edhe pse dikush me arsye edhe ndihet i pakënaqur. Duhet të vazhdohet jo vetëm nga gjenerata e kaluar dhe që ende kanë vullnet e fuqi, por edhe nga kjo e tashmja duke bashkuar idetë dhe qëllimet që ne për shumë gjëra që na mungojnë të jemi të bashkuar, të bëhemi faktor që të lëvizim drejtë progresit në shumë drejtime. Mbase mund të kuptohet dhimbja e shpirtit të atdhetarit dhe në një situate të tillë bëjnë edhe deklarata të tilla, por qëllimi i lart është mbi të gjitha, e ai është bashkimi ynë shpirtëror e fizik (kombëtar). Çdo mërgimtar ka një ëndërr, e kjo është ta shoh atdheun të bashkuar, të pasur, të përparuar dhe në fundin e jetës ta kaloj atje e të pushojë sytë e të rehatoj trupin në tokën e të parëve. Kjo dëshirë dhe ky mall i madh e nga ana tjetër ajo që shohim me sy real se çka ndodh atje me çka po përballet populli na bënë të ndihemi pesimist por nuk do të thotë që të heshtim e të mos punojmë. Nëse jemi të bashkuar kemi fuqi të trokasim në çdo derë që mund dhe ka në dorë ndryshimet për një të ardhme më të mirë shqiptare. Të gjithë e dimë se jeta mërgimtare është luftë për ekzistencë dhe nga kjo jetë çdo herë është nda një pjesë për dashurinë e madhe të atdheut, nga kjo duhet të ndihemi krenar. Ne kemi kaluar nëpër shumë sfida, ndonjëherë edhe kemi dështuar në synimet tona, por edhe dështimi është një këngë e bukur jetësore se të hap sytë për aktivitetin e radhës. Unë sot dua të ndalem dhe të mendoj përse ish veprimtarët e kanë humbur shpresën, a thua ato që i thash më lartë janë të parealizuara, mos ka vendua dikush gur e ka bë mur. Jo! Jo se ne kemi aq fuqi, bile kur jemi bashkë shembim dhe perandori. Sot fëmija që rritet në mërgatë, nxënësi e studenti donë të dijë për historinë, kulturën, traditën dhe lashtësinë e vet, a thua do e lejmë që të bëhet një profesionist i mirë pa përcaktim kombëtar?! Mendoj se të gjithë duhet të bashkohemi rreth një qëllimi që ardhmëria jonë të flas shqip.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ardhmëria jonë, duhet të flas shqip!, Katrina Hoti

Kosova nuk duhet të mbetet peng e apetiteve politike

July 8, 2017 by dgreca

Shkruan: Mr.sc.Nue Oroshi/1 nua Oroshi okZgjedhjet e fundit në Kosovë të mbajtura më, 11 Qershor 2017  prodhuan tri blloqe të mëdha politike që në esencën e ndërtimitë të institucioneve shtetërore është një hap përpara dhe një vetëdisim politik. Fitues i këtyre zgjedhjeve doli Blloku Politikë me emrin PAN, që mundë të përkthehet si një fitore e Pirruas, ku tri Parti të bashkuara morën 39 deputet,  fitues moralë ishte Vetvendosje e cila  dyfishoj votat, duke marrë 32 deputetë duke përfituar nga paknaqësia e popullatës së lodhur në Kosovë me qeverisjen shumëvjeçare të dy ish partive të mëdha PDK-së dhe LDK-së si dhe blloku i tretë politikë LAA që ishte blloku politik i ish kryeministrit të rrezuar që mori 29 deputet për Parlamentin e Kosovës. Ndërsa dihet tash botërisht se pakicat në Kosovë kanë një privilegjë të jashtzakonshëm që nuk e besoj se ndonjë pakicë kombtare e ka këtë privilegj në ndonjë shtet të Evropës duke i pasur 20 deputet në Parlamentin e Kosovës.

Ky është realiteti politikë i dalur nga zgjedhjet e 11 Qershorit në Kosovë. Nga ky realitet politik partitë dhe blloqet politike duhet marrur përgjegjësin e ndërtimitë të Institucioneve të Shtetit deshtën apo nuk e deshtën një gjë të tillë Partitë Politike  e kanë obligim kushtetues që ti ndërtojnë Institucionet e Shtetit. Por ajo që shihet që në start se të tre liderët e tri blloqeve të mëdha politike kanë dëshirën që marrveshjet e koalicionit ti bëjnë vetëm atëherë kur kandidati i tyre të jetë personi që do ta marr kryeministrin të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës dhe sipas kësaj llogarie matematikore del se Kosova duhet t‘i ketë tre kryeminstra: Ramush Haradinajn , Albin Kurtin e Avdullah Hotin. Me këtë logjikë politike tri blloqet politike shqiptare: Blloku i Fitorës së Pirruas, Blloku i fitorës morale dhe blloku i kryeminsitrit të rrëzuar po luajnë një lojë të fëmijeve të lazdruar kur i thonë njëri-tjetrit se nëse nuk më jepë bombonat e preferuar nuk jam shokë me ty duke harruar se secilit i takon përgjegjësia Institucionale e barabartë për ndërtimin e institucioneve në bazë të fuqisë politike që iu ka dhënë zgjedhësi.

E zgjedhësi i Kosovës në bazë te fuqisë politike më së shumti ka votuarë për vizionin e Ramush Haradinajt që ai të jetë Kryeministër i Kosovës. Ky vizion ka marrë 39 deputet ku së bashku edhe me pakicatë si kategori kushtetuese bëjnë 59 deputet që nuk e mundësojnë ndërtimin e një Qeverie jo vetëm për faktin që duhet të jenë 61 deputet por për faktin tjetër se 10 deputetët e minoritetit serb në Kosovë janë deputet që dirigjohen nga Beogradi dhe nuk duhet lejuar asesi që institucionet e Kosovës në rastin konkret Qeveria e Kosovës të mbetët në dorën e tyre. Përkundër kësaj tre blloqet politike shqiptare duhet lënë anash metodën e kushtëzimitë në politikë se nëse nuk më jep bombonat e preferuara nuk jam shok me ty, në këtë rast nëse nuk ma jep postin e kryeministrit nuk jam në koalicion me ty por duhet të ulën bashkarisht të formojnë grupet dhe komisionet profesionale dhe në bazë të rezultatit zgjedhor të marrin edhe përgjegjësitë institucionale në këtë rast posti i Kryeminsitrit të Kosovës duhet t‘i takojë Ramush Haradinjat për faktin se koalicioni fitues që para zgjedhjeve ka dalë më    këtë kandidatur.

Propozimi im konkret do të jetë që fillimisht të provohet një koalicion në mes të PAN-it dhe Vetvendosjes dhe pushteti të ndahet në bazë të rezultatit zgjedhor që kanë fituar blloqet politike e në këtë rast PAN-i do të  merr 50 % të pushtetit ,Vetvendosje 40% të pushtetit ndersa 10 % ju mbetët pakicave. Natyrisht që në këtë koalicion kryeministër do të jetë kandidati i bllokut fitues Ramush Haradinaj. Nëse një gjë e tillë nuk do te ketë sukses atëherë të provohet ndërtimi i një koalicioni me bllokun e tretë më të votuar LAA  me të njëjtën formulë 50 % PAN, 40 % LAA dhe 10 % pakicat, këto dy variante të ndertimitë të Institucioneve janë zgjedhja më e mirë që të këmi një Qeveri Stabile dhe mos të lihet hapësirë që të ndërtohet një Qeveri me dy- tre deputet të kontrabanduar dhe ku lista serbe sa herë që të  ëndërroj Beogradi se duhet të trazohet Kosova të hyn e të del në Qeveri dhe në Parlament sikurse këto Institucione të jenë ndonjë shtëpi e mallrave ku mund të shitën dhe blehën artikujt me shumicë dhe pakicë.

Këto gjana nuk duhet të ndodhin asesi.Nëse tre blloqet politike nuk arrinë marrveshje në variantin e parë të propozuar atëherë  janë vetëm edhe dy mundësi tjera.Mundësai e dytë ndërtimi i një qeverie në mes të Vetvendosjes dhe LAA me kryeminsitër Albin Kurti  por që kryetari i parlamentit do të jetë nga PAN është e mundshme të ndërtohet në baze të numrave që posedojnë këto dy blloqe politike, por në bazë të realitetit dhe frymës politike shqiptare është jashtzakonisht e vështirë të realizohët për faktin se shumë rrallë mund të ndodhë që edhe në politikën e Evropës që Partitë fituese të jenë pjesë e opozitës për kundër faktit se një gjë e tillë është plotësisht legjitime, por duhet të jetë edhe funksionale. Varianti me i keq i mundshëm është shkuarja edhe një herë në zgjedhje, për faktin se buxhetit të varfër të Kosovës po iu shkaktohet humbje milionëshe ndërsa edhe nga këto zgjedhje do të dalë një rezultat përafërsisht i njëjtë dhe asnjë bllokë politikë nuk do të jetë në gjendje të themëlon Qeverinë vetëm.

 

Mesazhi për fund!

Ju bëj thirrje të tri blloqeve politike shqiptare që ta kuptojnë plotësisht rëndësinë e ndërtimit të institucioneve të shtetit. Krahas kuptimit të kësaj rëndësie ta kuptojnë edhe përgjegjësinë që e kanë ndaj votuesit si dhe përgjegjësinë politike të ndërtimit të institucionit të shtetit, duke lënë anash inatët dhe lazdrimet fëminore në politikë, por gjithmonë duke u bazuar në rezultatin zgjedhor që kanë marrë këto tri blloqe politike nga zgjedhjet e 11 Qershorit 2017, në bazë të rezultatit të fituar të kërkohet edhe pjesa qe i takon në qeverisje. Çdo paralizim i ndërtimitë të institucioneve të Kosovës, do të jetë një sinjal i keq i mospërgjegjësisë së ndërtimit të institucioneve të shtetit, dhe krahas lajmeve të arrestimeve që do të bëj Gjykata Speciale në Kosovë, do të jetë edhe një lajm i keq që do të shkruhët e flitet në shtypin ndërkombëtar për Kosovën. E këtë do ta shfrytzojnë edhe  kundërshtarët e Pavarsisë së Kosovës, në botë duke lobuar kundër Pavarsisë me faktin se shqiptarët në Kosovë nuk janë në gjendje me mbajtë shtetin.

Lider politikë shqiptarë në Kosovë leni anash ambicjet e juaja që të merrni pushtetin pa rezultatin zgjedhor, por shtrine kambën sa e keni jorganin, me një fjalë kërkoni pushtetin aq sa e keni fituar votën, por më e e rëndësishme është që ta forconi dhe ndërtoni shtetin. Të rinjët dhe të rejat kërkojnë perspektivë, kërkojnë punë. Kosova nuk duhët të mbës peng e apetiteve politike të asnjë lideri politikë por duhet të ecë përpara në çdo lëmi të jetës.

Filed Under: Opinion Tagged With: e apetiteve politike, Kosova nuk duhet të mbetet peng, Nua Oroshi

LEGJENDAT E VERTETA PER LUGETNIT !

July 7, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 1-fritz

PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…”/

 TETOR 1945: Eduard Kardeli, numri dy i Beogradit, porositi Enver Hoxhën: Nëse do të mbajsh pushtetin, në radhë të parë duhet të zhdukesh klerin katolik, dhe Enver Hoxha ashtu bani e madje, edhe ma shumë.

20 SHKURT 1946: “… Kallxon nji zojë, e cila aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim personal të Sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë… Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë përgjegjë Enverit: “Po, po! Po keni ende gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë”, duhet – vazhdoi ai, “…si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!”  (At D. Gjeçaj “Martirizimi i Kishës Katolike në Shqipni” fq. 36.)

1 KORRIK 1946: “Shoku” Tito, dekoroi Enver Hoxhen në Beograd “Hero i Popujve të Jugosllavisë”…që vazhdon me kenë edhe sot!

  • DOSJA 1623:Koçi Xoxe deklaron: “Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut Komandant.Ka pasur edhe vendim Byroje për këtë!” ●Torturuesit dhe kriminelët Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter Lakrori, Muço Saliu, Siri Çarçani etj. tregojnë, se kur ishin në Shkodër, në janar të 1945, ishte në dijeni edhe Mehmet Shehu për operacionin e Veriut, “…që kishim urdhër me vra dhe me i tretë në proskë njerëzit e dyshimtë dhe Parinë e vendit….”  (Dosja 1623) ●Pandi Kristo pohon në burg: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sëpse kanë qenë katolikë!..

***

NANDOR 1949: Në Suhumi, BRSS. Ishte takimi i tretë i Josif  V. Stalinit me Enver Hoxhën. Përkthen ambasadori sovjetik në Tiranë Çuvahin…

■Enver Hoxha mbas prishjes së Stalinit me Titon… tregon: “Gjatë bisedës me Stalinin i vura në dukje qëndrimin e klerit, sidomos të atij katolik në Shqipëri, pozitën tonë në marrëdhënie me të dhe e pyeta se si e gjykonte qëndrimin tonë.

 – Vatikani – më tha ndër tjera shoku Stalin – është një qendër reaksioni, vegël në shërbim të kapitalit e të reaksionit botëror…■– A ka pasur priftërinj katolikë në Shqipëri që kanë tradhtuar popullin? – më pyeti mandej shoku Stalin.

■– Po, i thashë. – Bile krerët e kishës katolike u bashkuan që në fillim me pushtuesit e huaj nazifashistë, u vunë kokë e këmbë në shërbim të tyre, bënë ç’ është e mundur të shkatrronin Luftën tonë Nacional – çlirimtare e të përjetësonin sundimin e huaj. 

– Çfarë keni bërë ndaj tyre?

– Pas fitores, i thashë, i kapëm, i nxorëm në gjyqe dhe atje morën dënimin e merituar.
■– Mirë keni bërë, më tha. 

– Po të tjerë, që kanë mbajtur qëndrim të mirë a keni pasur? – pyeti. 

■– Po, i thashë, veçanërisht klerikë të fesë ortodokse e myslimane.

– Çfarë keni bërë me ta? – më pyeti… ■– I kemi mbajtur pranë…

***

1967 RPSSH SHPALLET SHTET ATEIST NGA PPSH:

“REVOLUCIONI IDEOLOGJIK E KULTURAL” Mbytë e vret vetem Klerikë Katolik:

  • 1967:Klerikë të pushkatuem, të mbytun në hetuesi dhe të zhdukun nder burgje e kampe mbas vitit 1967 ishin Këta Klerikë Katolik, tue u bazue në Arkiv të MM (1998):

■Imzot Ernesto Çoba (1913 – 8 Janar 1980)  I shkruen E. Hoxhës: “Na jemi të gatshem të bajmë sakrifica per mbarëvajtjen e Atdheut, kjoftë dhe me jeten tonë!”…Vdes në hetuesi.

■Don Mark Hasi (1920 – 11 Shtator 1981) Në vitin 1967 ishte sekretar i Imz. Ernesto Çobës…Nuk pranoi me deklarue kunder Tij.. U arrestue së dyti, i pari klerik në 1967.  Asht dënue me 25 vjet burg. Vdiq në kampin e shfarosjes së Ballshit, me 11 Shtator 1981.

■Don Zef Bici (19 Maji 1919 – 10 Maji 1968) Në vitin 1967, kur arrestohet ishte famullitar i Tiranës. Pushkatohet me 10 Maji 1968. 

■Don Mark Dushi (19 Nandor 1920 – 10 Maji 1968). Ishte klerik në Tiranë. Arrestohet në 1967 dhe pushkatohet me 10 Maji 1968.

■Don Marin Shkurti (1933 – 1 Prill 1969). U shugurue meshtar me 8.12.1961. U arratis se vazhdoi sherbimet fetare mbas 1967. E kthyen miqtë e sigurimit shtetit, UDB jugosllave dhe e vranë kriminelët e sigurimit shqiptar me 1 Prill 1969…

■Don Shtjefen Kurti (24 Dhjetor 1898 – 20 Shtator 1971)  Prifti që ka Pagëzue një fëmijë! U  pushkatue 20 Shtator 1971. E kush e beson sot këte veper plot urrejtje!?

■Don Anton Doçi (15 Qershor 1915 – 1973) Vdes nga vuejtjet në kampin e shfarosjes së Ballshit në 1973.

■Don Mikel Beltoja (17 Prill 1935 – 10 Shkurt 1974) Ky asht Kleriku që ka vue gojë kunder diktatorit Enver Hoxha. U pushkatue me daten 10 Shkurt 1974, per sëvdekuni, mbasi i shkyen gjymtyrët… Kriminelët Shyqyri Çoku, Alush Bakalli etj…

■Don Prekë Nikçi (2 Nandor 1921 – 15 Mars 1974) Nuk pranoi as Ky me mohue Fenë. E mbyten në kazanat e fabrikës së çimentos në Krujë.

■Don Lazer Jubani (23 Prill 1925 – 29 Korrik 1982) Shugurohet me 8.9.1946, nga Imz. F. Gjini. Dënohet me burg…Asht nder studjuesit e historisë… Helmohet nga sigurimit…

■Don Lec Sahatçija (Dhjetor 1906 – 4 Prill 1986) Ishte ordinar i Abacisë së Mirditës. Njeri shumë i besueshem i Imz. Frano Gjinit. Sigurimi kerkon prej Tij letrat e Imz. Gjinit dhe dokumenta tjera, të cilat, mendohej se i ka Don Leci…Ky nuk i dorzon, pranon dënimin dhe vdes në burgun e Tiranës, me 4 Prill 1986…

■Don Nikoll Gjini (1911 – 1987) Asht arrestue se ishte klerik katolik në 1952…Një Kalvar i pafund, që mbyllet në dy muej para se të plotsonte dënimin. Vdes në Zejmen në 1987. 

■Imz. Lazer Sheldija (1928 – 10 Shtator 1988) U shugurue meshtar në Romë në 1960. Misionar që nuk harroi kurrë martirizimin e vllazenve në Shqipni. E mbysin njerzit e derguem nga sigurimi në New York, me 10 Shtator 1988…se, Ky ishte nxanës i Trackit…

■Don Pjeter Gruda (1 Gusht 1922 – 13 Janar 1989) Mbasi bani 15 vjet burg, ishte i sëmurë, vdiq në kampin e Sarandës, tre muej para lirimit të klerikëve me 13 Janar 1989…

  • 1944 – 1989: GJENOCIDI ka vra dhe ka zhdukë, gjithsejt 66 Klerikë Katolik në Shqipni… ●Mosha mesatare ishte 47 vjeç, kanë ba 258 muej hetuesi ose 21 vite sëbashku. Shumica nuk ka dalë në gjyqe publike dhe nuk i asht ndigjue gjyqi nga populli.

1967: Janë arrestue, torturue, dënue, janë interrnue dhe ridënue deri në zhdukjen e plotë nder kampet e shfarosjes së Republikës Socialiste të Shqipnisë, këta Klerit Katolik  perfshi në këte Gjenocid të “Revolucion Ideologjik e Kultural”, vetem mbas 1967:

  1. At Pjeter Mëshkalla, 25 vjetë burg. 2. Don Mikel Koliqi, 38 vjetë burg dhe interrnim. 3. Don Nikollë Mazrreku, 37 vjetë burg e interrnim.  4. At Zef Pllumbi, 28 vjetë burg e interrnim. 5. Don Simon Jubani, 26 vjetë burg.  6. At Gegë Lumaj, 20 vjetë burg.  7. At Gjergj Vata, ban mbi 10 vjetë burg si edhe pasuesit… 8. Don Frano Illija.  9. Don Ndoc Sahatçija.  10. Don Nikollë Troshani. 11. Don Zef Simoni.  12. Don Kolec Toni.  13. Don Ndré Krroqi.  14. At Anton Luli.  15. Don Ndoc Ndoja.  16. Don Gjergj Simoni.  17. Don Marjan Arta. 18. Fratel Gasper Jubani. 19. At Ferdinand Pali. 20. At Aleks Baqli. 21. At Leon Kabashi. 22. Don Martin Trushi. 23. Don Nikollë Pergjini interrnohet. 

■1969:Ishte një Kishë Katolike e 1361, në Vaun e Dejës… Thohej, se aty asht kunorzue i Madhi Gjergj Kastrioti me Doniken. Në vitin 1969, e shemben anadollakët që urrenin Kastriotin, Fenë Katolike, Shqipninë Europjane, Flamurin me Shqipe dykrenare… 

■Mbas mbylljes perfundimtare të Kishave, ata u shkatrruen kulm e thëmel, ndersa, Klerikëve tё dëbuen nga qelat e Tyne, ua plaçkiten veprat letrare dhe artistike, ashtu si Kishave ku Ata kanë sherbye. Nga të gjitha Kishat u çvarrosen Klerikët e vdekun dhe u tretën Eshtnat e Tyne, tue fillue nga Kisha Jezuitëve, Kathedrale e Shkodres etj…

■Klerikëve Katolik u asht ndalue me ligj çdo aktivitet fetar. ■ Mbas vitit 1967 në Shqipni, nuk ka mbetë asnjë Kishë Katolike. ■ As ky terror e shfarosje…nuk quhet Gjenocid !?.. ●Prej 200 Klerikëve Shqiptarë në vitin 1944, janë pushkatue dhe mbytë ndër burgje, hetuesi, spitale psikiatrike si dhe kampe shfarosje  66 klerikë. Ndersa, kanë vuajtë shumë vite burg me punë të detyrueme nder kampe 65 Klerikë.●Këta Klerikë, kanë krye studimet e nalta në 24 universitete Europjane. Ndersa, “Revolucioni Kultural i 1967” nuk ka burgosë, vra as nuk ka mbytë ASNJË Klerik Orthodoks, Musliman dhe Bektashinjë…

■1967…”REVOLUCIONI” Ishte vetem Urrejtje…Vrasje… Ishte Gjenocid i vertetë!

8 NANDOR 1984 Enver Hoxha në librin “Shënime për Lindjen e Mesme” porositë: “Shqiptarët duhet t’i përshtaten Kur’anit…” 1958-1983…janë 545 faqe nga ditari politik Enver Hoxha. Publikue me 8 nandor 1984, në Tiranë…

1985, PRILL Ramiz Alia në postin e Enver Hoxhës, porositë në Shkoder: “Shoku Enver na la… Prandaj, të jemi shumë vigjilentë sidomos, me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë Partinë…por, kudo që të vëreni një çfaqje të vogël, mos prisni por sinjalizoni Partinë, vini prangat dhe jipni plumbin ballit!” (Prill 1985).

2 DHJETOR 1992 Ramiz Alia e Sali Berisha inkuadrojnë Republiken e Shqipnisë në “Konfrencën Islamike”… 

■1992 TETOR: Prof. Arshi PIPA, riboton në gazeten e Durrësit “Adriatik”:“Turqit e Rij të Shqipnisë së Re!” marrë nga “Dielli”, Boston, MA USA, vol. 83, nr. 10, maj-qershor 1992. “Adriatiku”, 3-10 tetor 1992, nr. 20 (2360), viti i 23-të i botimit.

■Mos e harroni këte titull, se per ju qeveritarë e ka shkrue: “Turqit e Rij të Shqipnisë së Re”, që po e pasoni shtetin dorë në dorë tue e zhytë në krime, vjedhje e plaçkitje… Pikrisht, nga “Rilindja komuniste” në “kopshtin e lulzuar të drogës”!..

            Vazhdon Pjesa e XIX.

            Melbourne, Korrik 2017

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, LEGJENDAT E, VERTETA PER LUGETNIT !

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 478
  • 479
  • 480
  • 481
  • 482
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT