• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ME ËNDËRRËN E KAHERSHME, SËRISH NË PRIZREN

June 1, 2017 by dgreca

Kalaja e PrizrenitNga Pëllumb Gorica/
1 Shtepia Historike   Nuk jemi shtegtarë si zogjtë për t’iu përshtatur stinëve të vitit në trojet andej e këtej që kanë ndjeshmërinë e gjakut tonë etnik shqiptar. Ndaj, me gëzimin e kapluar, unë dhe miq të mi udhëtojmë drejt Kosovës, një ëndërr e kahershme e çdo shqiptari. Një diell i ngrohtë me rreze të arta që shpërndan një ndriçim mbi natyrën përreth na përshëndet me mesazhe frymëzuese. Rruga që, herë turret gjarpëruese faqes së kodrinave me pemë vende-vende të dendura, herë pushtohet nga fushat me hapësira të gjera e të gjelbëruara, të shoqëron pas çdo kilometri udhëtim e të dhuron një përjetim ndryshe. Qartësisht nga dritaret e makinës sonë, me kanatë hapur e me sytë depërtues, të kap një emocion i beftë, sepse para syve të jepet mundësia të sodisësh e vozisësh kalimthi ndërtimet e rrethuara me gjelbërim, të cilat të rrëmbejnë vështrimin e të çlodhin.  Por ne i shijojmë këto bukuri natyrore edhe përtej tyre, ku trajtat e maleve, me cipë dëbore në majë shpërfaqin pamje të tjera që me të vërtetë të mahnisin. Ndaj e adhuron të bukurën e peisazhit mbresëlënës, sidomos në një ditë të tillë pranvere, ku e ndjen edhe kundërmimin joshës të stinës. Këtë e paraqesim edhe si dëshmi se Kosova e bekuar ka pasuri të shumta ujore, lumenj të rrjedhshëm dhe fusha të gjëra, muzera mahnitës natyrorë, male dhe qytete me një arkitekturë impresionuese.

Hamami

Herë pas here të shfaqen lapidarë përkujtimorë, që janë historia më e re dhe më e dhimbshme e kësaj toke. Janë epose dëshmorësh dhe dhimbje shqiptare që kanë lënë gjurmë të thella.

Diku ndalojmë për pak çaste pranë këtyre memorialëve të lartuar në nderim të gjakut të derdhur dhe viktimave prej çmendurisë serbomadhe; për të ledhatuar e vendosur një tufë lulesh, por edhe për të vështruar më pranë pamjet, si edhe për t’i memorizuar ato, gjë që e bën udhëtimin të këndshem.

Ura e GurtëDuke zhbiruar copëza historie

A e kishte caktuar historia që këtë tokë, këto troje arbërore, të na i shkëpusnin me dhunë grabitqarët e pangopur, qysh një shekull më parë ? !

Sot ndjen mrekullinë më të madhe, kur ata shqiptojnë fjalët: “Tani jemi bashkë, jemi të pandarë, jemi një komb”. Kosova u kthye në kështjellë të shqiptarisë e “gjuhës së zjarrtë”, siç thotë poeti ynë kombëtar, Naimi.  Këtu, në këtë vend të shenjtëruar, kanë çjerrë namin e nishanin mijëra armiq historikë të kombit shqiptar. Dhe jehojnë përjetësisht ngjarje për gjakun tonë të derdhur, ku në çdo majë kodre, dru e gur, ka një histori për të treguar, një këngë për të kënduar, një mesazh trimëror për t’ua përcjellë kohëve dhe breznive…

Duke zhbiruar këto copëza të historisë, duhet thënë se ato ishin bubullimat e një stuhie në qiellin e Kosovës, të cilat kanë vrapuar me një shpejtësi të madhe, si të ishin vënë në garë me njëra – tjetrën. Më pas shtrëngata e furishme e fundshekullit të kaluar që zgjati kohë, me mobilizimin e djemve dhe burrave deri sa Bota u bë e ndërgjegjshme, duke ndërhyrë për të ndalur furinë e makinës vrastare serbe e cila përpiqej të robëronte dhe shkatërronte gjysmën e kombit shqiptar.

Shekulli i kaluar, që humbi qetësinë, na mban pranë kujtesën mes kërcëllitjeve të ujqërve serbë, duke  u lenë vendin trallisjeve të tyre që shtoheshin tej mase e derdheshin nëpër rrugët e qyteteve dhe vendbanimeve, me ulërima e thirrje histerike kundër Shqipëtarëve. Ajri atëherë u bë më i rëndë, sa që mezi mbushej  me frymë njeriu, koha dhe vendi. Serbët lehnin dhe skërmisnin dhëmbët, si pasojë e një egërsie të thepave nga vinin. Nuk mund të hiqen nga memoria e kohës raprezaljet e shumta ndaj popullsisë shqiptare për t’i përzënë nga trojet e  veta, por edhe pamjet e krimeve monstruoze, të torturave, dëbimeve, të pushkatimeve në rrugë, shtëpi, pyje dhe përrenj, të familjeve të tëra, me fytyrat e përvuajtura të mijëra prej tyre, të cilët u shpërndanë në të gjitha trojet e tjera shqiptare. Më  kanë treguar se si brenda një nate thuajse shumica e tyre e kanë braktisur Kosovën duke lënë gjithçka, sepse do te sulmoheshin prej çetnikëve serbë.

Kosova gëzon sot pavarësinë, duke jetuar e lirë në trojet e lashta, këtu ku liria më shumë se kurrë ka marrë të tjera përmasa drejt realitetit për një Shqipëri natyrale. Flamuri i kuq si gjaku valvitet në çdo shtëpi, ku çdo palë e tij si dallgët e kohërave të rrepta, flet aq shumë; tashmë për mijëra shqipe me fletë që vunë shpirtin e tyre të paepur në themel të shtetit të ri të Kosovës.

Prizreni, qyteti simbol i historisë

Nëse udhëton në qytete të njohura të Kosovës të ndizet dëshira, për të rrokur e për të prekur më shumë historinë, të lidhur me ngjarje madhore të atdhetarizmit shqiptar dhe vlerat e tyre monumentale, por edhe panoramat, të cilat nëna Natyrë i ka krijuar si një prehje e këndshme e dehëse, që të çlodhnin e të magjepsin. Prizreni, i shtrirë në shpatet piktoreske të Sharrit, të sjell në çdo hap shpalosjen dhe të bën të ndjehesh ngrohtë si në shtëpinë tënde, ku ruhet me fanatizëm historia, arkitektura, traditat, kultura…

Për historinë e Prizrenit është shkruar prandaj, që të përsërim ato që janë thënë, do të kufizohemi, duke i hedhur një vështrim të shkurtër.

Prizreni një qytet muz,e magjik, ashtu sikundër ka qënë gjithmonë ka historinë të lashtë e cila vjen nga koha e Ilirëve, me fillesa në periudhën Iliro – Dardane dhe Bizantine, duke vazhduar  si një nyje rrugore dhe qëndër ekonomiko – administrative në shekujt e pushtimit turk, me kontribut të veçantë historik në çështjet madhore të kombit.

Për ta njohur më mirë në brendësi këtë qytet të bukur dhe me një histori të lashtë nuk mjafton një ditë, sado e gjatë.  Ai të shfaqet më i mrekullueshëm dhe joshës se herë të tjera e kjo ndjehej nga gjallëria e lumit të turistëve, por edhe nga zhurmimi i tingujve të një muzike, si cicërima zogjsh që vinte nga larg. Të admirosh mrekullitë e qytetit në tërësinë e tij, përveç të tjerave, ato që të befasojnë janë monumentet natyrore. Në lagjen e Marashit gjendet një rrap madhështor e pranë tij Lumëbardha, që gurgullon e tejmbushur nga ujërat dhe potershëm nga shirat si gjithë lumenjtë malorë; me urat e shumta ndanë mes për mes qytetin në dy pjesë. Banorët e Prizrenit të rrëfejnë jo pak histori në lidhje me këto monumente dhe të fusin në të fshehtat e tyre interesante, të mbushura me çudira. Ne sydashuruar i kundrojmë anekënd me kënaqësinë e pamatë që provon kushdo i cili është para pamjeve të tilla.

Vepra të shumta arti, basorelieve dhe buste që u kushtohen figurave të njohura të qytetit i ndesh në çdo shesh, në rrugë e parqe. Në një shesh të vogël përballemi me bustin e Musa  Shehrzades, përfaqësues i Lidhjes së Prizrenit dhe teqen ku ai sherbeu.

Por, duke ecur nëpër rrugëza të kalldrëmta, dredha-dredha e anash tyre ndërtime dy – trekatëshe me motive midis së bardhës dhe së verdhës së mureve, sup më sup me njëra tjetrën e çatikuqe, ndeshemi një arkitekturë tipike, ku menjëherë bien në sy vlera monumentale.  Ndaj nuk mund të mos emocionohesh kur vështron jo pak ndërtesa të stilit oriental: xhami të shumta me minare, hamame, ura me pamjet e tyre kaq mbresëlënëse që të bëjnë t’i admirosh gjatë. Veçse po dëshmohet se ka rendje në emër të modernizimit të çdo hapsire, por, për fatndërtimet e vjetra, që nuk janë të pakta, po i rrezistojnë shkatërrimit e e betonizimit. Gjithsesi, të ndërthurura me ndërtime moderne ato tregojnë më së miri se prizrenasit janë ruajtës të historisë në respekt të vazhdimësisë dhe traditës artizanale.

Nuk mund të mos emocionohesh kur kalon Urën e Gurit të ndërtuar së pari në shekullin XV. Për Prizrenin, si një udhëkryq tregtar, ura i shërbeu më së shumti qytetit, por, duke mos i përballuar vërshimet e lumit, pësoi dëmtime dhe u shkatërrua plotësisht. Kështu ajo rindërtohet sërish para 40 vjetësh dhe, për vlerat arkitekturore, është shpallur monument kulture; ashtu si Xhamia e Sinan Pashës, e cila është një nga më të vjetrat në këtë qytet, ndërtuar  aty nga viti1600. Pak më tutje, arkitektura mrekullisht e bukur e Xhamisë së Bajraklisë të tërheq vëmendjen. Ndër të rrallat ndërtesa karakteristike me arkitekturë të jashtëzakonshme është edhe Hamami në qendër të qytetit. Mahnitëse është pamja e mjediseve të brendshëm dhe e 9 kubeve. Është unikal në llojin e vet.

Kalojmë pranë Gjashtë Çezmave për të cilat tregohet një histori interesante e cila vjen nga thellësitë e shekujve dhe në çdo kohë ruan një vlerë të veçantë; Gratë që nuk mund të bëheshin nëna vinin këtu, duke besuar se ajo u sjell shtatzaninë. Aty pranë është edhe Mulliri i Pintollit. Sa histori mban mbi vete ky mulli i lashtë! Sikur të kishte gojë e të tregonte ç’ka parë në kohëra të shuara!

Vlera dhe vetëm vlera që të emocionojnë.

Një frymë e gjërë madhështie të shoqëron, ngado ku ecim mes historisë e legjendës në Prizren. Me kërshërinë për të parë këto vende historike, që lidhen me historinë tonë kombëtare, këmbët na çojnë në kompleksin monumental të Lidhjes së Prizrenit rindërtuar pas djegies në vitin 1999 prej shovinistëve  serbë, të cilët shpresonin se me këtë shkatrrim do të fshihej kujtesa. Por, ta rindërtosh të njënjtë pas shkatërrimit, do të thotë ta shndërrosh në një mbivlerë për brezat që do të vijnë. Si një obelisk i rëndësishëm historik i gjithë shqiptarëve, kushdo që shkel këtu patjetër prek historinë me dokumente autentike, ngjarje, emra, buste, piktura, data, faksimile dhe relike të ngjarjes së madhe historike e cila ka marrë vlera të tilla kombëtare.

Kalaja ngrihet mbi majën e një kodre epike dhe  zotëron një pamje të gjerë, si një ballkon natyror, rrethuar nga gjelbërimi. Ajo, si pjesë e hershme e historisë së këtij qyteti dhe një nga simbolet e tij, me konstruktin ndërtimor, por edhe me vendosjen, të imponon ta vështrosh me kërshëri nga larg. Historianët kanë vlerësuar të rëndësishme kalanë e Prizrenit e cila, duke i rezistuar rrebesheve të kohës; ka reflektuar me anë të dëshmive të Parahistorisë e më vonë mbijetesën  e banorëve të hershëm në këto troje.

E ruajtur mirë dhe e mbrujtur me histori e legjenda, pa diskutim ajo e të tjera kujtesa historike në morinë e vlerave epike të Prizrenit janë marrë në mbrojtje të veçantë nga institucionet përkatëse të Kosovës, duke u vënë mrekullisht në shërbim të vizitorëve. Krenaria dhe kënaqësia e pasqyruar për të kaluarën e gjatë historike asnjëherë nuk është e tepërt…!6 çezmat                                                   ******

Dëshira për të vizituar qytete e treva të tjera është e madhe, por koha s’na mjafton. Sa dëshirë do të kishim që orët të bëheshin ditë, ditët muaj, muajt vite dhe vitet shekuj. Por është një gjë që nuk varet thjesht nga ne. Rëndësi ka që Kosova sot është e lirë.

Largohemi me dëshirën për të ardhur përsëri, sepse etja për të vizituar këto treva të Lashtësisë e krenarisë shqiptare nuk ka për të sosur kurrë. Ne nuk jemi shtegtarë për në trojet tona, as thjesht adhurues, por të lartojmë dhe të evidentojmë këtë krenari e këto vlera të merituara.

Filed Under: Opinion Tagged With: Pellumb Gorica, SËRISH NË PRIZREN

LAHUTA E MALCIS GJITHNJË GURRË, E PASHTERSHME VLERASH

May 30, 2017 by dgreca

2 Frank Shkreli

Nga Frank Shkreli/Pa ditur se kopja ime e vjetër e Lahutës së Malcis ishte grisur nga përdorimi prej pothuaj gjysëm shekulli – por duke njohur mirë dashurinë time ndaj kësaj vepre të At Gjergj Fishtës — para do kohe, kolegu dhe miku im Idriz Lamaj më solli nga Shqipëria një dhuratë, një kopje të re të Lahutës së Malcis, botimi i XVII nga Botimet Françeskane në Shkodër.  Edhe kopja e parë e Lahutës së Malcis që kam lexuar për herë të parë në jetën time si refugjat politik në Itali në fillim të vitit 1970, ka qenë gjithashtu dhuratë për mua prej Dom Prenk Ndrevashajt, priftit katolik që kujdesej për emigrantët shqiptarë në kampet e refugjatëve në Itali, gjatë viteve 1960-ave dhe 1970-ave.  Libri që më ka dhuruar i ndjeri Dom Prenk, është botimi i dytë i Lahutës, shtypur në vitin 1958, në Romë. Siç mund të vëreni në foton më poshtë, megjithse e grisur nga përdorimi prej pothuaj një gjysëm shekulli, e kam ruajt gjithnjë si sytë e ballit dhe e kam lexuar vazhdimisht si një burim frymëzimi vlerash të pashterrshme të kombit tonë.   E kam ruajtur gjithashtu si një dhuratë dhe kujtim të bukur e të paharrueshëm prej mikut tim Dom Prenk Ndrevashaj — po se po — i cili që në rininë time, ka qenë i pari që më pat folur për At Gjergj Fishtën dhe veprën e tij të madhe, Lahuta e Malcis.

gjergj-fishta20120915-lahutaSiç dihet,  në trojet tona nën komunizëm pas Luftës së Dytë Botërore,  At Gjergj Fishta dhe Lahuta e Malcis ishin të ndaluar rreptsisht, për më tepër po t’përmendesh Fishta, njerzit e pësonin keq, në të dy anët e kufirit shqiptar.  Dom Prenkës, i jam mbetur gjithmonë mirënjohës që m’a paraqiti për herë të parë Lahutën e Malcis dhe për faktin se më njohu me At Gjergj Fishtën dhe veprat e tij kur isha 19-vjeç, në një kohë kur isha duke u bredhur rrugëve të botës, pa ditur se ku do të përfundojsha dhe cila do ishte e ardhmja ime.  Nuk është e lehtë për brezin e sotëm, por natyrisht se unë kam avantazhin se gjuhën e përdorur në Lahutën e Malcisë e kemi folur në familje dhe nga kjo pikëpamje e kam pasur dhe e kam më të lehtë edhe sot ta lexoj Lahutën dhe veprat e tjera të At Gjergj Fishtës.  Por botimi i fundit  — i XVII-ti — ka përparësi për lexuesin e sotëm, në krahasim me botimin e dytë që kam lexuar gjatë viteve, megjithse edhe botimi i vjetër ka një numër të kufizuar vërejtjesh dhe sqarimesh të fjalëve ose frazave të vështira për lexuesin e sotëm.  Botimi i XVII-të përfshinë një fjalor tepër të dobishëm për lexuesin, një shpjegues të fjalëve të rralla shqipe por edhe i fjalëve të huaja që ka përdorur Fishta në Lahutën e Malcis, nga At Benedikt Dema.  Për ata që e gjejnë të vështirë të lexojnë Lahutën e Malcis, rekomandoj recitimet e Lahutës në “youtube”, nga mjeshtri i madh, Reshat Arbana e të tjerë recitues.

Dua të rrëfehem me sinqeritetin më të madh se shpeshëherë kur më jepet, në kohë të lirë, i drejtohem veprës së Fishtës.  I nderuar lexues, më quaj të “prapambetur” jo në hap me kohën, po të duash. Por si asnjë libër tjetër deri më sot – Lahuta e Malcisë vazhdon të më shërbejë si një gurrë e pashterrshme vlerash dhe virtytesh të përhershme shqiptare.  Natyrisht, dihet se jo gjithkush mendon kështu për Fishtën dhe veprat e tija.  Kjo mund të shpjegohet edhe me lënjen pas dore të Fishtës dhe veprave të tija në Shqipëri dhe në Kosovë, sidomos përjashtimi i tij gjithnjë nga shkollat dhe universitetet, megjithse veprat e tija janë botuar dhe ribotuar. Antagonizmat ndaj Fishtës janë aqë të theksuara ende, sa që të bindin se sa e efektshme paska qenë propaganda sllavo-komuniste gjysëm shekullore kundër tij.

Në një bisedë me disa kolegë të mi tek Zëri i Amerikës në Uashington pak kohë më parë po bisedonim — ndër të tjera — edhe për gjuhën, për përdorimin e saj sot, për shkrimtarë të ri e të vjetër, përfshirë edhe At Gjergj Fishtën dhe për Lahutën e Malcis. Gjuha në Lahutën e Malcis të Gjergj Fishtës, tha një prej kolegeve është tepër e vrazhdë, idetë e tija shumë anakronistike, tepër e vështirë për tu kuptuar.  Këto fjalë të koleges më befasuan dhe më davaritën deri diku edhe mendjen por e përmbajta veten, duke iu përgjigjur se po të mos ishte për Lahutën e Malcisë, unë dhe disa të tjerë të gjeneratës time që kishim marrë rrugët e botës 50-vjetë më parë, do ishim humbur në kulturat dhe gjuhët e huaja.  Në Lahutën e Malcis, i thashë gjenë grumbullimin e zakoneve, atdhedashurisë dhe traditave, tradita të cilat u ruajtën nga malësorët edhe në rrethana shumë më të vështira jetese se sot, e të cilat ia vlenë t’i kalohen brezave të ardhëshëm të shqiptarëve sidomos në trojet e veta, por që sot, fatkeqsisht, mungojnë në botën shqiptare. Nëqoftse atdhedashuria dhe traditat e kombit kanë ndonjë vlerë për brezat e sotëm!

Ndoshta edhe gënjej veten se duke lexuar Lahutën e Malcisë në mbarim të çerek shekullit 21-të, mendoj dhe shpresoj për një botë që nuk vjen më, për një botë shqiptare, sidomos për shqiptarët në trojet e veta, ku armiqësia dhe indeferenca zyrtare ndaj At Gjergj Fishtës vazhdon, falë trashëgimisë së urrejtjes komuniste ndaj tij – atëherë ndoshta shpresohet më kot se brezi i sotëm i shqiptarëve mund të nxjerrë ndonjë vlerë prej kësaj vepre.  Ndoshta është ndryshe për ne që jemi rritur nën influencat e kulturave dhe gjuhëve të huaja. Aty, në vargjet e Lahutës së Malcis të At Gjergj Fishtës, vazhdojmë të gjejmë gjithnjë një strehë ngushëllimi dhe freskimi. Disa nga ne, aty në Lahutën e Malcis — larg atdheut, megjithse në liri, në perëndim — kemi gjetur plotësimin e nevojave tona për traditat e humbura dhe për liri, pasi e kishim humbur atë në trojet ku kemi lindur, por  e konsiderojmë edhe si një burim të pashterrshëm vlerash kombëtare në një botë të huaj ku na ka hedhur fati i jetës.

gjergj-fishta-800x425Aty në Lahutë, gjënden fatet e kombit. Për më tepër, po të jemi realist,   Lahuta Malcis është edhe një pasqyrim i historisë së shqiptarëve, pa të cilën nuk mund të shkruhet as historia e kombit shqiptar.  Lahuta është shtylla e traditave kombëtare pa të cilat nuk besoj se mund të realizohet një qytetërim i përparuar shqiptar as një zhvillim dhe shtet-ndërtim modern, në përpjekjet shekullore të shqiptarëve për tu bërë pjesë e botës, në të cilën jetojmë. Traditat e trashëguara stërgjyshore, aq mjeshtërisht të gërshetuara në Lahutë, si nderi, besa, burrënia dhe mikpritja, jo vetëm që nderojnë emrin shqiptar ndër shekuj, por ato radhisin shqiptarët në rendin e kombeve më të përparuara të botës.  Në Lahutën e Malcis, At Gjergj Fishta, nepërmjet protagonistëve të Lahutës, i këndon popullit shqiptar, nderit dhe lirisë së fisit e të kombit.  Vazhdon të jetë një burim i pashterrshëm atdhedashurie, trimërie dhe vlerash kombëtare, por edhe një vepër që — sipas At Danjel Gjeçajt, redaktorit të Botimit të dytë të Lahutës së Malcis në Romë, në vitin 1958 – “Përtërinë fuqitë e ligshtueme t’ushtarëve të lodhun, naltson moralin e ramë, shton uzdajën në fitoren vendimtare, përforcon dashuninë për Atdhe, ngjall heroizmin dhe trimnon zemrat e molisuna”.

Prandaj, si lexues i rregullt i Lahutës së Malcisë të At Gjergj Fishtës, bashkohem sinqerisht me At Danjel Gjeçajn duke u bërë thirrje bashkatdhetarve kudo, pa marrë parayshë se cilin botim të Lahutës kini në bibliotekat tuaja, të parin ose të fundit. Nëqoftse nuk e kini një kopje të Lahutës shkoni e blejini dhe — Lexoje me dashni Lahutën…Shfletoje me kujdes Lahutën e Homerit të kombit tand…Ndigjoje me vemendje Fishtën e fletët e Lahutës…Studjoje me peshim Lahutën dhe më në fund, Ruaje lahutën sepse është ma fort e jotja se e Fishtës, këshillon At Daniel Gjeçaj.   Sepse , “bërthama dhe thalbi i nji kombi” nuk shuhen  për derisa nga shqiptarët të këndohet Lahuta, për derisa nga ata të ndiqet heroizmi i Oso Kukës dhe urtija e Marash Ucit, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Drangojve legjendarë në Bigë të Shalës, fytyrat historike në Rrzhanicë…dashunija e vetmohimi i Pater Gjonit, guximi e burrnia e Ded Gjo Lulit, fisnikia e virtyti burrënor i Tringës…” porositë ai.  Vet At Gjergj Fishta ishte i bindur se me veprën e tij i kishte lënë kombit të vet një “Pomendare”:

“Veç se po moj Zanë Shqyptare

Krah m’krah bashk na tue këndue

Ndërtue kemi ‘i pomendare

Rrfe as mot mos m’e dermue”.

Lahuta e Malcisë është epopeja kombëtare, “pomendarja”, është  përmendore e përjetshme që do të kujtohet brez pas brezi, sepse ajo ka dalë nga vet populli, pa marrë parasyshë trajtimin anti-kombëtar të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj At Gjergj Fishtës dhe heshtjen zyrtare ndaj veprës së tij sot dhe përpjekjeve të tyre për ta zhdukur nga historia.  At Gjergj Fishta nuk kujtohet vetëm me emëra rrugësh, megjithse edhe kjo është një shenjë nderimi për poetin e madh kombëtar, por vërtetë do kujtohej me nder duke përfshirë veprën e tij në programet shkollore edhe universitare për brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm, si pjesë e denjë e letërsisë shqiptare. Çdo komb tjetër do të krenohej me At Gjergj Fishtën, por jo klasa e sotëme politike shqiptare në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.  Megjithkëtë, Lahuta e tij mbetet si gurrë vlerash kombëtare që dalin nga toka dhe nga zemra shqiptare, një burim që nuk shterret kurrë.  Në Lahutën e Malcisë dhe në autorin e saj At Gjergj Fishtën, kombi shqiptar ka dhe duhet të ketë gjithmonë një burim të pashterrshëm vlerash që mbeten për tu zbukuar nga brezat, megjith përpjekjet mizore për t’a minimizuar — për të mos thënë për t’a zhdukur veprën dhe influencën e tij në Atdhe.  Indiferenca zyrtare politike, akademike dhe historike ndaj At Gjergj Fishtës është një dhunim ndaj historisë së kombit. Çonju të Vdekur.  Zgjohu Gjergj Fishta. Mos vajto ma Lahutë, por këndo. Ndihmo Zot si na ke ndihmue!

gjergj-fishta-800x425 Shtëpia ku ka banuar At Gjergj Fishta, shpallur Monument Kulture — një nga arritjet e diktaturës nën maskën e demokracisë, siç është shprehur një komentues në një nga portalet, në pritje të kotë të restaurimit nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, mbetet gjithnjë një monument turpi i klasës politike post-komuniste shqiptare!

Filed Under: Opinion Tagged With: E PASHTERSHME VLERASH, Frank shkreli, LAHUTA E MALCIS GJITHNJË GURRË

Steven Lulushi passed away Yesterday

May 29, 2017 by dgreca

Steven Lulushi nderroi jete dje 5/28/2017, ne moshen 32 vjecare./

1 Steven LulushiSteven Lulushi passed away Yesterday 5/28/2017, at age 32./

The son of a fugitive from the communist regime, which even a five years old could not endure; Steven, on his mother’s arms, went over the fences of the Italian Embassy in Tirana in July 1990, then, crossed the sea and the ocean and came In the US, where his father was.His hopes were big that one day he would be healed and walked like everyone else. He was suffering from cerebral palsy, which is not a disease, but due to neglect of doctors at birth.

He tried, struggled, fought, endured, but unsuccessfully. In the end, in the difficult situation of the defeat, he removed the wheelchair away, laid down on his bed and finaly “walked” to the end of the road of his life, fled, switched the world.1 Steven2

Steven Lulushi nderroi jete dje 5/28/2017, ne moshen 32 vjecare. 

Biri i nje te arratisuri nga regjimi komunist, edhe ai vete sikur nuk duroi dhe kur ishte vetem 5 vjec, hypur ne krahet e nenes, kaperceu muret e ambasades italiane ne Tirane ne korrik 1990, kaloi det e oqean, dhe erdhi per t’u bashkuar me babain e tij ne SHBA. 

Shpresa e tij ishte e madhe se nje dite do te sherohej e do te ecte si te gjithe. Ai vuante nga cerebral polsy, qe nuk eshte semundje, por pasoje e neglizhences se mjekeve gjate lindjes. 

U perpoq, duroi, por pa sukses. Me ne fund gjendja e veshtire e mposhti, hoqi menjeane karrocen e invalidit, u shtri ne shtrat dhe mberriti ne fundin e rruges se jetes, iku, nderroi jete. 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: passed away, Steven Lulushi, Yesterday

NJË NDERIM I MERITUAR

May 28, 2017 by dgreca

NJË NDERIM I MERITUAR: PRESIDENTI NISHANI DEKORON ISH-SENATORIN BOB DOLE/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Të shtunën në Uashington, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani nderoi me dekoratën e lartë ish-senatorin republikan  të Shteteve të Bashkuara dhe mikun e madh të kombit shqiptar, Z. Robert Dole.

auto_unnamed_114959784001495984599Senatori Dole, një burrë shteti amerikan me një përvojë të gjatë në politikën e mbrendshme dhe ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe me vonë një mik i madh i shqiptarëve, ishte zgjedhur në Kongresin amerikan në vitin 1960 nga shteti Kansas dhe më pastaj në vitin 1968 u zgjodh senator nga i njëjti shtet.  Fillimisht, ai fitoi nam në politikën amerikane si Kryetar i Komisionit Kombëtar të Partisë Republikane, nga viti 1971-1972.   Në vitin 1976, Presidenti Xherald Ford e zgjedhë për nën-president të tij dhe në vitin 1984 Senatori Dole zgjidhet Udhëheqës i shumicës republikane në Senatin e Shteteve të Bashkuara, duke shënuar kështu mandatin më të gjatë në këtë detyrë, në historinë e kombit si udhëheqës republikan.  Ai dha dorëheqjen nga Senati duke iu përveshur fushatës për president të Shteteve të Bashkuara.  Pas humbjes ndaj kandidatit demokrat Bill Clinton ai tërhiqet nga politika, por fati e deshti që megjithse ishin kundërshtarë politikë, Bob Dole dhe Bill Clinton punuan së bashku në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve.

Në mirënjohje për veprimtarinë e tij në mbështetje të shqiptarëve, sidomos Kosovës, në një ceremoni të veçantë të shtunën në Uashington, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani nderoi ish-Senatorin Dole me dekoratën më të lartë të vendit, “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, duke e cilësuar politikanin e njohur amerikan, si “përkrahsin e palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”.  Në portalin e Presidentit Nishani thuhet se kryetari I shtetoit shqiptar, gjëndej në Uashington në kuadër të një vizite pune, gjatë së cilës, “Në prani të Ambasadorëve të Shqipërisë dhe Kosovës, Zonjës së Parë Odeta Nishani e të ftuarve të nderuar shqiptarë dhe amerikanë, Kreu i Shtetit vlerësoi dhe çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Senatorin Robert Joseph Dole me motivacionin:“Me mirënjohje të thellë dhe vlerësim të lartë shtetëror ndaj kontributit të çmuar dhe ndihmesës thelbësore dhënë për promovimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, si dhe për lobimin në Senatin Amerikan në përkrahje të palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, që përmbledhë shumë mirë veprimtarinë e Senatorit Dole, në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve, Presidenti Nishani shprehu, kënaqësinë dhe privilegjin që me rastin e Ditës së Kujtesës së (Memorial Day) kur nderohen sakrificat dhe heronjtë, ka mundësinë: “Për të vlerësuar dhe nderuar kontributet e çmuara dhe mbështetjen thelbësore të mikut të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, përkrahësit të palëkundur të çështjes sonë kombëtare dhe zgjidhjes së saj, Senatorit Robert (Bob) Dole.”

Në vijim Kreu i Shtetit e cilësoi “Senatorin Dole se ka qenë dhe mbetet një nga përkrahësit dhe politikëbërësit amerikanë më me influencë, që jo vetëm ka përkrahur qysh në fillim të viteve ’90-të, por ka ndihmuar zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë si dhe përparimin e proceseve demokratike në Shqipëri, duke ndikuar edhe në procesin e paqtimit, dialogut, mirëkuptimit, begatisë dhe orientimit euro-atlantik të mbarë rajonit të Ballkanit.”

“Ju ishit nga të parët që u përpoqët me vendosmëri, që përcaktuat vijën e kuqe të ndalimit të gjenocidit serb ndaj popullsisë civile e të pafajshme shqiptarë në Kosovë, duke lobuar fuqishëm në Senatin amerikan për fitimin e merituar të lirisë e më pas të Pavarësisë së shumëpritur të Kosovës”, i ka thënë Presidenti Nishani, Z. Dole.

“Për të gjitha këto kontribute, i nderuar Senator Dole, shqiptarët si komb, kudo që jetojnë, ju janë përjetësisht mirënjohës. Prandaj në emër edhe të qytetarëve shqiptarë, në cilësinë e Kreut të Shtetit dëshiroj t’ju përgëzoj, t’ju falënderoj nga zemra dhe t’ju akordoj dekoratën më të lartë e më të shenjtë për ne: atë të Flamurit tonë Kombëtar!”, ka deklaruar udhëheqsi shqiptar duke spikatur meritat e këtij burri të madh amerikan dhe mik i shqiptarëve.

Ju faleminderit dhe dëshiroj t’ju siguroj se ju dhe vepra juaj e paharrueshme do të mbeten përherë të gdhendura në kujtesën dhe mirënjohjen historike të kombit shqiptar!”- përfundoi fjalën e tij Presidenti Nishani.

Shumë i emocionuar, Senatori Dole – i cili kishte shërbyer  me vite edhe si Ambasador nderi i Presidentit historik të Kosovës në Uashington, Dr. Ibrahim Rugova dhe si përfaqsues i interesave të Kosovës në kryeqytetin amerikan — e falënderoi Presidentin Nishani për këtë vlerësim të lartë, duke kujtuar me nostalgji se, “kur kandidoi për President të Shteteve të Bashkuara në vitin 1996, është i sigurtë që mori votat e të gjithë shqiptaro-amerikanëve”.

Komuniteti shqiptaro-amerikan është i vetdijshëm se në rolin e tij si ambasador nderi i Presidentit Rugova në Uashington, Senatori Dole,  ka luajtur rol të veçantë për të mobilizuar Kongresin dhe administratat amerikane, republikane dhe demokrate, në favor të Kosovës. Zoti Dole  citohet nga Zëri i Amerikës të ketë thënë gjatë ceremonisë se “Ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët dhe e priti me emocion nderin që iu bë”.

Pas largimit nga Senati, Z. Bob Dole ka shërbyer në detyra të larta në jetën private dhe është nderuar me një numër dekoratash kombëtare dhe ndërkombëtare.  Në vitin 2005, kur shërbeja si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan,(KKSHA) vendosëm që Senatorin Dole ta dekoronim me çmimin e rëndësishëm, “Hands of Hope”, “Duartë e Shpresës”, së bashku me Dr. Elez Biberaj, të cilit iu dorëzua dekorata për “Arritje Jetësore”.  Dekoratën e KKSHA-së ia dorëzoi Senatorit Dole, aktivisti i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe mbështetës i fortë i Senatorit Dole për dekada, Z. Xhim Xhema, për angazhimin e tij ndaj idealeve që rrjedhin nga të drejtat e pandryshueshme dhe sovrane të individit dhe të cilat duhet të jenë pjesë e njl shoqërie që qeveriset dhe drejtohet nga idealet e një demorkacie të stilit amerikan.

Me këtë rast të dekorimit të tij nga udhëheqsi më i lartë i shtetit shqiptar, falendëroj Senatorin Dole edhe për ndihmën dhe këshillat që ai dhe bashkpuntorët e tij më kanë dhënë mua personalisht dhe KKSHA-së gjatë periudhës që kam shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.  Zyra e tij ishte gjithmonë e hapur për ne.  Për këtë i jam shumë mirënjohës Senatorit Dole dhe bashkpuntorëve të tij të ngushtë.  Njëkohsisht i shprehi edhe falënderimet edhe Presidentit Bujar Nishani për dekorimin e këtij miku të madh të kombit shqiptar, shumë të merituar, si mbështetës dhe luftëtar për të drejtat e shqiptarëve kudo.

auto_s1495984594

Me Senatorin Robert Dole në darkën me rastin e dekorimit të Senatorit nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, 2005/

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dekorimi, Frank shkreli, ish Senatori Bob Dole, presidenti Nishani

Gjon Buçaj: Ç’është e mirë për Amerikën është e mirë edhe për kombin shqiptar

May 27, 2017 by dgreca

1 gjon Bucaj okPresidenti i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, Gjon Buçaj, thekson në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se “Vatra” i ka kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë gjithnjë kujdes të veçantë lidhjes miqësore me Amerikën ndërsa shpreh bindjen duke iu referuar deklaratave të disa kohërave më parë të kryeministrit shqiptar kundër presidentit të ardhshëm amerikan se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme, pa marrë parasysh se kush vjen president në Shtëpinë e Bardhë.

 “VATRA” u themelua në vitin 1912, një moment kyç për kombin shqiptar. A ia ka arritur “VATRA” të ruajë kursin me misionin e saj origjinal dhe sa ka ndikuar ndjenja e nacionalizmit midis shqiptarëve ndër vite?

 Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” (The Hearth) është themeluar për t’i shërbyer interesit kombëtar me përkushtim, pra është themeluar në frymën e idealizmit kombëtar. Këtë frymë ne zakonisht e quajmë nacionalizëm. Për ne shqiptarët nacionalizmi ka kuptimin e shqiptarizmit të kulluar, të dashurisë për atdheun e për kombin, të cilit i del zot me të drejtë, pa cenuar të drejtat e tjetërkujt.

Bashkë me idealizmin e atdhedashurisë, Vatra ka të mishëruar edhe parimet bazë të demokracisë së këtij vendi të madh dhe ka kontribuar për plazmimin e këtyre parimeve në shoqërinë shqiptare.

 Cila është perspektiva që ju merrni rreth historisë Shqipëri-Amerikë nëpërmjet “VATRA”? Në çfarë aspekti ka ndikuar “VATRA” në këtë lidhje? Si i shikoni këto marrëdhënie sot?

Historia e “Vatrës” është kryesisht histori shqiptaro-amerikane. Shqiptarët që kanë ardhur në këtë vend, kanë punuar ndershmërisht dhe kanë dhënë shembull qytetarie në sjellje, duke fituar simpatinë dhe miqësinë e amerikanëve. Ky fakt e ka lehtësuar misionin e udhëheqësve të “Vatrës” dhe të miqve të shqiptarëve për krijimin dhe përforcimin e lidhjes miqësore të Amerikës me kombin shqiptar. Për ruajtjen e kësaj lidhjeje duhet përmendur se “Vatra”, si segmentet e tjera të mërgatës në botën e lirë gjatë periudhës së komunizmit, ka luajtur rol me rëndësi, sepse është bëri zëri i vërtetë dashamirës i popullit shqiptar, kur Tirana zyrtare villte helm kundër Amerikës dhe miqve të tjerë tradicionalë të kombit tonë. Vatra i ka kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë gjithnjë kujdes të veçantë lidhjes miqësore me Amerikën. Kështu është edhe në kohët tona, si në rastin e para disa muajve, kur kryeministri aktual i Shqipërisë bëri deklarata kundër kandidati Donald Trump, sot president i Shteteve të Bashkuara. Ne i shkruam letër Trump-it, duke i theksuar papërgjegjshmërinë e deklaratave të tilla dhe duke shprehur bindjen se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do të vazhdojnë të jenë të shkëlqyeshme, pa marrë parasysh se kush vjen president në Shtëpinë e Bardhë. Edhe sot marrëdhëniet midis Amerikës dhe kombit shqiptar janë të shkëlqyeshme, ashtu si kanë qenë tash afër një shekull.

 Sa të bashkuar ndihen shqiptarët rreth “VATRA”? Si ka arritur kjo organizatë të “heqë qafe” ndasitë politike?

Shumica e shqiptarëve e çmojnë “Vatrën”, por nuk mund të them se janë të bashkuar sa duhet rreth saj. Në kohën kur u themelua Vatra, shqiptarët janë bashkuar me gjithë shoqatat e veta në “Vatër”, kurse sot janë themeluar qindra shoqatash dhe vazhdojnë të krijohen të tjera të reja. Megjithatë “Vatra” ka një numër anëtarësh që rritet vazhdimisht dhe ka disa degë në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. Ata e mbajnë gjallë idealizmin kombëtar dhe i shërbejnë çështjes kombëtare nëpër këtë organizatë që me idealizëm u krijua dhe u mbajt për më shumë se një shekull, me idealizëm do ta përcjellin gjeneratat e reja drejt së ardhmes.

Influencën e dasive politike e kemi mbajtur larg me qëndrimet tona objektivisht pro interesave kombëtare dhe jo partiake. Përçarësit nuk e gjejnë vendin në “Vatër”.

Si do ta përcaktonit rolin domethënës të disa shqiptareve spikatës, si për shembull, rolin e Z. Mal Berisha te “VATRA”, të cilët vazhdojnë t’i shërbejnë çështjes kombëtare me devotshmëri?

Roli i intelektualëve shqiptarë, që vazhdojnë t’i shërbejnë me devocion çështjes kombëtare është shumë i rëndësishëm për dobinë që i sjellin historisë dhe kulturës sonë në përgjithësi.

Në rastin e Ambasador Mal Berishës, roli i tij është kryesisht t’i paraqesë lexuesit kujdesin miqësor dhe dashurinë që disa të huaj kanë treguar për Shqipërinë e për shqiptarët, siç është rasti i Charles Erickson-it dhe i Herman Bernstein-it.

Duke i nxjerrë në dritë veprat dhe veprimtaritë e tyre, ai ka shprehur edhe mirënjohjen e tij si shqiptar, përveç dobisë që ka sjellë me ngritjen e imazhit tonë, duke e njoftuar botën e huaj se si na kanë çmuar ata.

Mali ka përkthyer, përveç të tjerash, edhe librin e autorit Harvey Sarner, mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët në kohën e luftës, për të na kujtuar edhe në traditën e lashtë të besës, e cila është venitë gjatë sundimit sllavo-komunist, bashkë me tradita të tjera fisnike që na kanë dalluar për mirë nga kombet e tjera. Për shqiptarët që kanë jetuar me ato tradita, na flet Erickson-i në një nga citatet e sjella në shqip nga Mal Berisha: “Shqipëria vetë meriton një nder shumë të veçantë për kontributin që ka dhënë për të populluar parajsën me njerëzit e saj të ndershëm, të bukur dhe të pafajshëm”.

Çfarë mendoni për zhvillimet e fundit në Shqipëri? Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?

Zhvillimet e tashme në Shqipëri janë mjaft shqetësuese për mungesë marrëveshjeje politike. Ka kaluar një çerek shekulli prej rënies de jure të diktaturës komuniste dhe shoqëria shqiptare vuan ende nga trashëgimia e saj. Ende nuk ka një sistem juridik neutral të pa kapur nga politika, nuk ka një reformë zgjedhore që mund të siguronte zgjedhje të drejta e të ndershme, nuk ka një ligj të lustracionit që do të largonte të korruptuarit nga pozitat drejtuese dhe nga drejtësia.

Po afrohet dita e zgjedhjeve për të cilat nuk ka garanci, prandaj opozita është në protestë. Nuk jam përkrahës bojkotesh, por opozita ka plotësisht të drejtë të nguli këmbë për të siguruar votën e popullit që të jetë e lirë, pa vjedhje e shitblerje, të jetë pasqyrë reale e vullnetit të votuesve.

Në vitet e fundit, Shqipëria është bërë plantacion i kanabisit dhe eksportuese e rrezikshme e drogës, korrupsioni ka arritur sferat më të larta bashkë me krimin, varfëria e një pjese të madhe të popullsisë ka mbërritur kulmin dhe mijëra familje largohen drejt një ardhmënie të pasigurtë, pse në vendin e vet nuk kanë shpresë për të ardhmen. Kjo gjendje dëshmon se kjo qeveri nuk mund ta sigurojë votën e lirë, prandaj qeveri teknike, qeveri e besueshme apo ndonjë mënyrë tjetër që të jetë e pranueshme për palët, duhet të gjendet me bisedime.

Çfarë përshtypjesh morët nga zgjedhja e Donald Trump si Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara?

Ardhja e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë po dëshmohet si gjëja më e mire që ka mundur me ndodhë në këtë kohë për Amerikën, si nga pikëpamja e sigurisë së brendshme e të jashtme, ashtu edhe nga pikëpamja ekonomike. Çfarë është e mirë për Amerikën, është e mirë edhe për kombin shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ç’është e mirë, edhe për kombin shqiptar, Gjon Bucaj, për Amerikën është e mirë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 486
  • 487
  • 488
  • 489
  • 490
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT