• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ILIR META, KANDIDATI I SHUMICES PER PRESIDENT

April 27, 2017 by dgreca

Rama: Meta kandidat i shumicës për president i Republikës, Basha- Maskat e politikës kanë rënë-Rama ka kërkuar burg për Ilir Metën, por e shpall President/Kryeministri Edi Rama bëri të ditur të enjten në mbrëmje se kryetari i parlamentit Ilir Meta është kandidati i shumicës për postin e presidentit të Republikës.Parlamenti tejkaloi sot pa kandidat edhe raundin e tretë.LSI mblodhi më herët forumet drejtuese dhe, sipas njoftimeve të shtypit vendas, ka bërë gati dy emra si kandidatura për president, një prej të cilëve është kryetari i parlamentit, Ilir Meta.Edhe PS mblodhi forumet drejtuese, dhe sipas kryetarit të saj, aleati kryesor i koalicionit socialist, kryetari i LSI-së Ilir Meta mbetet kandidati për president.Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, deklaroi në seancën ku skadoi pa kandidatura edhe raundi i tretë i zgjedhjes së presidentit, se deri shumica priti opozitën, por tani procedurat kushtetuese duhet të shkojnë më tej dhe në seancën më të afërt.Ndërsa opozita nuk merr pjesë në parlament prej afro dy muajsh.Teksa PS dhe LSI vijojnë negociatat për zgjedhjen e Presidentit të ri, Partia Demokratike tashmë jashtë këtij procesi vijon qëndresën në çadër. Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka komentuar edhe kandidaturën e mundshme të Ilir Metës për President. Maskat e politikës kanë rënë tha Basha duke shtuar se Rama ka kërkuar burg për Ilir Metën, por e shpall President. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha nga çadra e protestës se Edi Rama njeriun që e akuzoi dhe tentoi ta fuste në burg, sot e bën President të rilindjes së falimentuar.Për hir të pazarit politik, që këta kanë bërë tash 4 vite në kurriz të shqiptarëve si pjesë e komplotit ekonomik kundër xhepave dhe mirëqenies së shqiptarëve që vidhen ditë për ditë, si pjesë e komplotit kundër lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, ky pazar politik i cili tash 4 vite ka vetëm një qëllim të pasurojë dhe të mbrojë klikën e korruptuar në pushtet, sot Edi Rama bëri atë që u mundua ta shmangte për 4 vjet, u përhoq ta fuste në burg rivalin politik, për të cilin ngriti anë e mbanë Evropës dosje konspiracioni me komplote vrasje, u detyrua ta shpallë President të rilindjes së falimentuar dhe të korruptuar.Kjo është një ditë e dëshpëruar për Edi Ramën. Rruga e tij e lidhur me mijëra fije me krimin e organizuar që prodhoi papunësi dhe mjerim për shqiptarët.Basha tha nga çadra e opozitës se kryeministri  Rama preku fundin e tij politik në takimin elektoral të Kavajës.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Meta, kandidati i shumices, për president

DUKE U AFRUAR DITËLINDJA E VATRËS

April 26, 2017 by dgreca

*Ka ardhur koha, që edhe dy shtetet shqiptare duhet ti hedhin  sytë  edhe nga Vatra, në mënyrë që ti kthejnë asaj një pjesë të “borxhit” që i kanë, duke krijuar mundësinë që në të ardhmen e afërt  të investohet për të ngritur në NY, qendrën multikulturore “VATRA”/

asllani-56

NGA ASLLAN  BUSHATI /

Nënkryetar i Vatrës/

Në rrjeshtat e më poshtëm nuk do të ndalem  të shkruaj për  historinë e Vatrës, se për te kanë shkruar shumë autorë të nderuar dhe do të  vazhdojnë të shkruajnë edhe shumë të tjerë në të ardhmen. Por, duke u afruar ditëlindja e 105 e Vatrës (28 prilli 2017), nga pozita e Nënkryetarit, thjeshtë  dua  të sjellë një mesazh respekti  (nga brezi i sotëm i vatranëve) , për të gjithë vatranët e drejtuesit  e  mëparëshëm  të kësaj  Federate Panshqiptare të Amerikës,  e cila  kreu misione të shumta në dobi të ceshtjes së madhe kombëtare. Historia e Shqipërisë do të ishte e mangët, e cunguar dhe  e pa plotë, në qoftë se nuk përfshinë  brenda saj punën e madhe, mundin, djersën, parat e deri gjakun e shumë vatranëve. Vatra është në një farë forme binjake me shtetin shqiptarë (madje disa muaj më e moshuar), por që për shtetin ajo  shpesh herë u bë frymezuese, financuese, udhëheqëse e deri oponente, falë punës dhe inspirimit të  drejtuesve të saj. Vatra i dha shtetit shqiptar një  kryeministër, ministra, deputetë , zyrtarë  të niveleve të ndryshme, komandantë e ushtarë të mbrojtjes kombëtare,orkestrën frymore, muzikantë, letrar, gazetar, libra, përkthime e deri vlera të konsiderueshme monetare. Vatra e lidhi fatin dhe të ardhmen e Kombit Shqiptarë me Kombin e madh Amerikan, mikun më të madh të të gjitha kohrave, i cili në dy raste vendimtare e mbrojti atë nga shpërbërja (Lufta e Parë Botërore) sic eshtë rasti i Presidentit Willson  në Lidhjen e Kombeve dhe Presidenti Klinton me problemin e Kosovës që e shpëtoi përfundimisht nga gjenocidi serb.

Vatra, nëpërmjet drejtuesve të saj, kultivoi në radhët e veta  dhe përhapi në diasporën shqiptaro- amerikane  e  ne dy shtetet shqiptare frymën demokratike të traditës amerikane. Vatra kreu rolin e shtetit edhe kur ai nuk ekzistonte ose ishte i pa fuqishëm të kryente rolin e tij. Vatra me fjalën e veprimtarinë e saj, mbrojti atdhe e fe. Vatra ka martirët e saj që janë dhe martirë të Kombit, ata që dhanë jetën për mbrojtjen e tërësisë teritoriale të Shqipërise dhe ata që dhanë jetën në burgjet e diktaturës komuniste për një Shqipëri të lirë e demokratike sipas modelit amerikan.

Të gjitha këto (dhe shumë të tjera), na obligojnë tu shprehim mirënjohje të thell nga largësia e 105 viteve themeluesve, martirëve dhe  veprimtarëve të dalluar  të Vatrës: Faik Konica,  Fan Noli, Kristo Floqi, Paskal Aleksi, Lambi Cikozi, Kristo Kirka, Elia Tromara, Kosta Vasili, Kostë Cerkezi, Kristo Dako, Aqif Permeti,  Kolë Tromara,… e deri tek tre të fundit Arshi Pipa, Agim Karagjozi dhe Gjon Bucaj. Dashuria për Shqipërine dhe Amerikën, ndjenja e koleltivitetit në vendim marrje, ndershmëria, respekti për njeri – tjetrin, qenë gjëra të cmuara që drejtuesit e Vatrës, përcolën tek degët dhe vatranët e thjeshtë.

Në Kanunoren e Vatrës (botim i vitit 1926), themeluesit nënvizuan në Nyja 5  se:”Vatra nuk duhet të merret me politikë”. Kjo thëne,   ështe vëvë në Kanunore nga themeluesit e saj  për të nënvizuar se në SHBA, Varta nuk mund të marrë pjesë si formacion as në zgjedhjet vendore dhe as në ato qëndrore  dhe as që mendohet të jetë  element politikëbërëse në SHBA. Por, nga ana tjetër, për ceshtjet e Kombit Shqiptarë, Vatra ka bërë e do të vazhdojë  bëjë politikë, madje nene i sipërpërmendur në Kuvendin e 2013-tës është ndryshuar si më poshtë:”Fryma e  Vatrës ka qenë dhe do të mbetet interesi i përgjithshëm kombëtar.Vatra frymëzon dhe përkrah ato forca dhe rryma politike që kanë program  demokratik, progresist dhe përparimtarë.Vatra i përmbahet idealit një gjuhë, një komb, një shtet.” Kjo frymë dhe ky ideal vjen që nga themeluesit e Vatrës të cilëve  breznitë e reja do tu jenë mirënjohes përjetë.

Mendoj se ka ardhur koha, që edhe dy shtetet shqiptare duhet ti hedhin  sytë  edhe nga Vatra, në mënyrë që ti kthejnë asaj një pjesë të “borxhit” që i kanë, duke krijuar mundësinë që në të ardhmen e afërt  të investohet për të ngritur në NY, qendrën multikulturore “VATRA”. Qendër e cila të përmbush më mirë nevojat e  vatranëve e të komunitetit për veprimtari kulturore, arsimore, artistike, biznesi, familjare etj.

Edhe një herë nga ditëlindja e 105-të e Vatrës, mirënjohje të pa kufishme për të gjithë ata vatranë që dhanë jetën, u gjymtuan, dhanë pasurinë, u lodhën e munduan në drejtimin dhe veprimtarinë konkrete të Vatrës.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, DITËLINDJA E VATRËS

PROBLEMI SHQIPTAR

April 24, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/Duket se kombi shqiptar po përshkohet sot nepër njërën prej periudhave më të rrezikshme të historisë së tij.  Njoftohet se këtë javë, si edhe herë të tjera më parë gjatë këtyre 25-viteve tranzicion, në Tiranë do të zbresin zyrtarë të lartë evropianë nga Brukseli, në një përpjekje ndërmjetësimi për të zgjidhur atë që të gjithë po i referohen si “ngërçi politik” midis partive të pozitës dhe opozitës dhe klasës politike shqiptare, në përgjithësi.  Situata aktuale politike e krijuar në Tiranë nuk mund të quhet më si një ”ngërç politik”, por është një krizë përmasash kombëtare, me pasoja të paparishkueshme për të gjithë shqiptarët në Ballkanin Përendimor, përfshirë Kosovën, nëqoftse nuk zgjidhet shpejt dhe me mend.  Duket se me kokëfortësinë e saj, klasa politike e Shqipërisë ka krijuar një situatë krize në vend, të cilën është e papërgatitur ta përballojë me mjete të rregullta dhe demokratike të lojës politike.

Në përpjekjet e tyre për, për pavarësi, për liri dhe demokraci, shqiptarët, gjatë historisë, janë përballur me kriza serioze për mbijetesë, u ndeshën shpesh me pengesa të forta dhe hasën në shumë prita të rrezikshme nga të huajt – në tavolinat diplomatike dhe në fronte lufte  të vendosura nga armiqtë e tij.  Kombi shqiptar e pësoi rëndë me shpalljen e pavarësisë, ndërsa armiqtë e tij ia cunguan disa prej gjymtyrëve të tij jetike, duke ua dhënë fqinjëve sllavë e grekë gjysmën e trojeve shqiptare.  Me humbje të mëdha njerëzore, kombi disi mbijetoi komunizmin ndërkombëtar, por as pas Luftës së Parë Botërore dhe as pas Luftës së Dytë Botërore, fatkeqësisht shqiptarët nuk mundën të hidhnin themelet e një shteti  të shëndosh, të lirë e vërtetë demokratik, bazuar në një bashkëjetesë kombëtare.  Nga Lufta e Dytë Botërore, shqiptarët dolën të përçarë, të përgjakur, të ndarë dhe të robëruar nën zgjedhën e një ideologjie të huaj sllavo-aziatike, e cila për pothuaj një shekull i mohoi kombit shqiptar radhitjen e tij, krah për krah, popujve të botës perëndimore.  E vërtetë se flamuri i Gjergj Kastriotit -Skënderbe, i njollosur me simbolin e komunizmit ndërkombëtar  valëviste mbi një pjesë të trojeve shqiptare, por nuk ishte më simbol i vëllazërimit kombëtar dhe nuk përfaqësonte më krenarinë e vlerave, të trashëgimisë dhe të traditave historike të shqiptarit.  Përkundrazi, u bë simbol i përçarjeve, vëllavrasjeve dhe të mohimit të vlerave, me të cilat krenohej dikur shqiptari — vlera si nderi, besa e burrëria.

Po sot ku qëndron problemi i krizës politike, për të ashtuquajturin “ngërç politik”, në Shqipëri?  Për krijimin e kësaj situate nuk mund të fajësohen drejtë për drejtë ndërhyrjet nga jashtë, megjithëse të tilla ndërhyrje për të përçarë shqiptarët ka pasur dhe do të ketë gjithmonë.  Problemi i sotëm politik, është kryekput një problem shqiptar, i shkaktuar nga vetë shqiptarët, ose më mirë të themi, nga vet klasa politike.  Ngërçi i tanishëm politik,  në të vërtetë, shënon edhe kulmin e dështimeve të njëpasnjëshme politike të çerek shekullit të kaluar, për të çuar përpara zhvillimet dhe  për të ngritur frymën e vërtetë universale demokratike në vend.  Ky ngërç politik përfaqëson një dështim të zgjedhjeve të lira, të ndershme e demokratike dhe një mungesë përgjegjësie politike e morale, që udhëheqsit e zgjedhur të kësaj klase politike të japin llogari për veprimtarinë e enteve qeveritare dhe politike, të cilat në një demokraci të mirëfilltë, duhet t’i shërbejnë të mirës së përbashkët dhe jo interesave personale të politikanëve dhe partive politike që ata përfaqësojnë.Përveç përgjegjësisë që kanë partitë politike dhe përfaqsuesit e tyre në krijimin e krizës së tanishme politike në Shqipëri, është edhe votuesi shqiptar ai që bartë një përgjegjësi, pasi duhet të jetë më i angazhuar në proceset demokratike, ashtu që nepërmjet përfasuesve të zgjedhur me votë të lirë– të kontrollojë fatin e vet dhe që ëndrrat t’i kthejë në realitet për realizimin e një të ardhme më të mirë për veten, për familjen dhe për të gjithë shoqërinë ku jeton.

Ndonëse vëmëndja sot me të drejtë i kushtohet “ngërçit politik” në Shqipëri, gjëndja nuk është aspak më e mirë as në Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi – ku fatkeqsisht, përçarjet dhe grindjet vazhdojnë të mbizotërojnë politikën shqiptare gjithandej.  Oligarkët, siç i kishte quajtur ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri kanë uzurpuar jo vetëm ekonominë, por edhe qeverinë dhe shtetin dhe i kanë zënë frymën zhvillimeve demokratike, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë një emër të keq demokracisë dhe duke hedhur dyshime qëllimkëqia, alla putiniste dhe erdoganiste, mbi përfitimet që vinë nga demokracia.

Në fillim të shekullit 21, në një periudhë kur shqiptarët në përgjithësi, nuk kishin gëzuar kurrë në historinë e tyre më shumë liri, ndihej një entuziazëm si brenda ashtu edhe jashtë trojeve shqiptare, se ky do të ishte, më në fund, shekulli i shqiptarëve.  Se ky do të ishte momenti historik, momenti në historinë e shqiptarëve, kur vet shqiptarët si kurrë më parë e kanë në dorë fatin e vet.  Por doli që udhëheqsit aktualë shqiptarë, në të vërtetë, janë problemi kryesor, partitë politike të të cilëve, me “komeditë e tyre politike”, pikërisht në këtë moment, po pengojnë proceset natyrore të historisë, histori e cila kishim menduar më heret — se me ndihmën dhe mbështetjen e disa miqëve — kishte filluar që, më në fund, t’i korrigjonte gabimet dhe disfatat që ka pësuar kombi shqiptar gjatë shekujsh.

Fatkeqsisht, “ndërçi i sotëm politik” tregon sikur asgjë nuk ka ndryshuar në historinë e shqiptarëve, se në në të vërtetë, partitë politike dhe politikanët shqiptarë ishin problemi më i madh dhe shkaktarët kryesorë të ngërçeve politike dhe krizave të panevojshme gjatë 100-viteve të fundit.   Fan Noli në një artikull me titull, “Komedia e partive dhe rreziku që qëllon në derë të theatrës”, botuar në një numër të gazetës Dielli nëntorin e vitit 1924, kritikonte partitë dhe politikanët e asaj kohe në Shqipëri, për gjendjen e krijuar atje mbi 90 vjet më parë, duke thënë se, “Në qoftë se anarkia që mbretëron në Shqipëri, vazhdon edhe ca kohë, ahere optimizma s’ka vend dhe trembëm se diç do ngjasë.   “Noli shprehte shpresën se, të “Vetqojturve ‘udhëheqës’ do tu vijnë mënttë dhe punët do shtrohen”.

Mos Zot që si rrjedhim i ngërçeve politike, inateve personale, bojkoteve të llojlloshme të partive politike, si dhe mungesës së demokracisë së vërtetë, korrupsionit dhe drogës që ka kaplluar shoqëritë shqiptare kudo, Shqipëria dhe Shqiptarët, që pas rënies së komunizmit dhe pas fitores historike të Pavarësisë së Kosovës — sipas Fan S. Nolit, mund të thuhet se, “U ngjallën nga idealistët dhe u ruajtën nga rastet”, por tashti të, “mos vriten nga politikanët.”

Unë besoj se politikanët shqiptare kudo në Ballkanin Perëndimor të cilët megjithëse siç thoshte Noli e përdorin politikën, jo si një udhë, por si një qëllim dhe që përdorin çdo mjet, të ndershëm e të pa ndershëm, për t’ia arritur qëllimit do të ndërpresin komeditë e tyre aktuale politike dhe do të mënjanojnë rrezikun, që siç shprehej Noli, të mos i vihet “kazma Shqipërisë”, dhe shqiptarëve.

Këtë, të nderuar politikanë, ia kini borxh të siguroni  se nuk do ndohdë një gjë e tillë, jo vetëm brezit të sotëm dhe të ardhëm të shqiptarëve, por edhe brezave të mëparshëm të kombit shqiptar të cilët ëndërruan, luftuan dhe në shumë raste dhanë jetën për lirinë që gëzon sot kombi shqiptar.   Mos kini frikë nga e ardhmja dhe mos u mbani peng nga e kaluara, sidmos nga e kaluara komuniste, kur është fjala për të ardhmen e shqiptarëve në çerekun e parë të shekullit 21.   Për një komb, të cilit i mungon dialogu politik, por që është aq dinamik i bashkuar në liri, demokraci dhe pavarësi, një komb i cili i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të realizuar ëndrrën e rilindasve të shekullit të kaluar të kombit shqiptar.

Kjo është e mundur vetëm e vetëm kur të gjitha pjesët e trupit të kombit dhe të gjitha partitë dhe grupet pa dallim me respekt për të drejtën e secilit për të shfaqur mendimet dhe pikëpamjet e veta në mënyrë demokratike për të ardhmen e përbashkët  të ndërpresin monologun e tanishëm dhe të fillojnë dialogun me njëri tjetrin, si vëllai me vëlla. Ky është një problem shqiptar!  Problemet e shkaktuara nga shqiptarët duhet të zgjidhen nga vetë shqiptarët  pa ndërhyrje nga jashtë – me qëllim për ta bërë më në fund Shqipërinë.  Shqipërinë e një bashkjetese kombëtare, me të drejta dhe liri të barabarta për secilin shqiptar.  Ky është momenti kur burrat e vërtetë i vinë në ndihmë Atdheut të vet. Tashti dallohen burrat e vërtetë nga burracakët!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, PROBLEMI SHQIPTAR

Ja si të përgatit për jetën Programi YES {PO}

April 24, 2017 by dgreca

Flet studenti Mirgentian Gjuta, aktivist i shoqerise civile dhe inxhinier.Ish pjesë e programit YES 12./

1 yes-albania1Mirgenitan-Gjuta

 Përktheu për “Diellin”, Herion Kërcelli/

Mirgentian Gjuta është nga Kukësi, Shqipëri, i mirëpritur para 6 vitesh nga Këshillët Amerikane në Park Falls, Wisconsin, si pjesë e programit Yes 12. Ai është diplomuar në inxhinieri ndërtimi dhe aktualisht po punon për masterin e tij.Si ish-nxënës aktiv që prej kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara, Mirgentian e ndan historinë e tij në këtë interviste dhënë gazetares Tatyana Moveshevich (FLEX ’04).

Mirgentian, cilat janë angazhimet tuaja aktuale? 

Tani jam në vitin e dytë të masterit për inxhineri ndërtimi, me prioritet infrastrukturën dhe transportin. Përvec studimeve, unë jam duke punuar si vullnetar për një organizatë joqeveritare, Trashëgimia Kulturore Pa Kufinj (CHwB, Shqipëri). Misioni i kësaj organizate është të shpëtojë dhe ruajë trashëgiminë kulturore, ndikuar nga neglizhimi ose fatkeqësitë njerëzore dhe natyrore.

A mund ta përshkruash projektin e CHwB në të cilin je pjesmarrës?  

Unë po ndihmoj me projektin e ruajtjes së Burgut Spac. Gjatë epokë komuniste, të burgosurit politikë ishin mbyllur në Burgun e Spacit, por tani shumica e kompleksit është rrënuar dhe kujtimi i së shkuarës së burgut, është duke u zhdukur shpejt. Vitin e kaluar, Organizata Botërore e Monumenteve e vuri në listë kompleksin në listën e një prej monumenteve më të rrezikuara në gjithë botën. Qëllimi jonë është ta ruajmë historinë e burgut dhe të ndajmë historitë e të burgosurve që janë mbajtur atje për vite me radhë. Disa prej tyre mbajtën protestat e para demokratike në historinë e Shqipërisë dhe kontribuan shumë ndaj zhvillimit të lëvizjes civile demokratike të vendit. Eshtë e rëndësihme që ti memorizojmë veprën e tyre duke ndërtuar dicka për ta. Unë po ndihmoj me skicimin dixhital të burgut. Kur ne të ridizenjojmë ndërtesat ekzituese me dixhital, do të jetë më e lehtë të zbulojmë se, cilat elemente duhet të restaurohen.

Deri në Maj 2016, ti shërbeve si Drejtori Ekzekutiv i Qendrës së Rinisë pa kufij {Borderless}.  Cilat ishin detyrat kryesore të punës tuaj atje?

Unë erdha tek Borderless përmes Kongresit Kombëtar të Rinisë, ku unë shërbeva si një anëtar bordi. Atje takova disa aktivistë nga qendra e rinisë dhe isha shumë i impresionuar me projektet që ata ishin duke bëre. Prandaj u bashkova me organizatën në Shtator 2014, dhe një gjysëm viti më vonë u zgjodha së pari si perfaqësues dhe pastaj si Drejtor ekzekutiv. Tek Borderless (Rinia pa kufij), ne u fokusuam tek katër projekte kryesore: zhvillimi i vazhdueshëm i aksioneve mjedisore, integrim në Bashkimin Europian të udhëhequr nga rinia, sipërmarrjet sociale dhe sipërmarrja biznesi në fusha të ndryshme.

Cilin projekt do ta konsideroje si një nga arritjet kryesore të qendrës?

Në dy vitet e mia me organizatën, ne përfunduam një numër të madh projektesh. Megjithatë në mëndje më vjen shpesh një projekt specifik. Eshtë pjesmarrja jonë në fushatën e Grave të Kombeve të Bashkuara HeforShe (AiperAte). Objektivi i fushatës ishte të inkurajojë burrat dhe gratë të sensibilizojnë opinionin kundër pabarazive me të cilat përballen gratë në gjithë botën. Synimi jonë ishte të sfidojmë perceptimin e publikut përmes sondazheve në rrugë e ambiente kryesore në dhjetë qytete shqiptare. Gjatë zbatimit të këtij projekti ne intervistuam shumë kalimtarë, mblodhëm shumë citime, foto, informacione të vlefshme dhe i ndamë eksperiencat tona mbi median sociale. Ne kishim qëllim, jo ti vinim njerëzit në siklet, por ti angazhonim e ti bënim ata të ndjeshëm në diskutime. Megjithatë, ne nuk prisnim të ndryshonim perceptimet e njerzve përmes bisedave të shkurtra, por ne gjithsesi shpresuam ti bëjmë ata të mendojnë rreth kësaj cështje. Bazuar mbi reagimin e njerzve, unë mund të them që afrimi jonë ishte shumë efektiv. Ne shpresojmë se ky projekt ka kontribuar që të sjellë ndryshim brenda komuniteteve dhe të përmirësojë marrdhëniet e barazinë gjinore.

Ju jeni gjithashtu shumë aktiv në komunitetin Yes (Po) në Shqiperi. Këtë vit  po udhëheq një projekt të financuar nga programi Trajnimi i Udhëheqjes Transformuese të emërtuar #ARTitOUT Albania(Shqiperi): Duke motivuar Rininë të transformoje cështjet sociale. Për cfarë është ky projekt?

Apatia sociale mes rinisë është një problem gjigand në Shqipëri dhe unë doja të sfidoja këtë cështje përmes artit. Duke i angazhuar ata në ngjarje artistike me një mesazh social, unë kisha qëllim të frymëzoja njerëz të rinj që të bëhen më aktivë në procesin e ndryshimit. Gjashtë piktorë dhe dhjetë fotografë ishin ftuar të merrnin pjesë në këtë projekt. Atyre ju kërkua të krijojnë vepra për trajtimin e cështjeve sociale si mbi temat e papunësisë, mungesës së mundësive arsimore dhe varfërisë. Kur punët e tyre u plotësuan, në Mars 2016, u organizua një ekspozitë tek Qendra Rinore e Tiranës. Të rinj që morën pjesë në atë ju kërkua të zgjidhnin dy pjesë arti që ju pëlqenin më tepër, ndërkohë dhe fituesit ishin lajmeruar për ceremoninë e cmimeve speciale në fund të ekspozitës. Në mënyrë interesante, të dy punët fituese përconin një mesazh shprese. Piktura e zgjedhur, me titullin “Shko përtej limiteve”, tregonte një grua të re, me flokë të bukur me ngjyrë, përballë një backgroundi të ndricuar. Mbi foton fituese të quajtur “Ai është duke u lutur për një të ardhme më të mirë”, ishte portretizuar një djalë i ri duke u lutur për vete. Ky projekt u realizua në partneritet me tre ish-nxenës të programit YES (Po), konkretisht, Klea Troka (Yes ’12), Elvana Qeli (Yes ’12) dhe Sherina Dyrma (YES ’14).

A mendon që programi YES, (PO), zhvilloi interesin tuaj në punën e shoqërisë civile?

Sigurisht që po. Eksperienca ime me YES më ndihmoi të formoj interesat e mia në shoqërinë civile, të drejtat njerëzore dhe me dha shtysën e duhur që ta ndjek këtë punë. Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, unë isha pjesë në një maratonë loje për të siguruar para për spitalet e fëmijve dhe mora pjesë në ngjarje të tjera bamirësie. Tani të gjithë më pyesin:- pse po trajnohem për tu bërë inxhinier ndërtimi, kur jam kaq i interesuar në punën e shoqërisë civile? E vërteta është se unë dua ti bëj të dyja, ndaj jam duke shpresuar që të kontriboj për komunitetin tim përmes kombinimit të aftësive të mia teknike dhe të menaxhimit të një projekti. Projekti im aktual tek CHwB nxit shpresën që cdo gjë mund të jetë e mundshme.

Cila është këshilla jote për ish-nxënësit e tjerë të YES (Po)? 

Mesazhi im është:-Unë kam një mundësi unike që të zhvilloj veten dhe ta ndërtoj karrierën time në fushën që e dua më shumë. Nëse vepron kështu, do të ketë pashmangshmërisht ndikim pozitiv mbi të tjerët,- nuk ka rëndësi nëse është muzikë, inxhinieri, kujdes shëndetsor apo informatikë. Njëkohësisht mos harro të jesh pjesë e një komuniteti në të cilin jeton. Gjithashtu duhet të kontribosh për ndryshimin social kurdoherë që ke mundësi.

Shënim: gazeta “Dielli” e ka përcjellë në vijimësi ecurinë e programit YES në vendin tonë, të iniciuar nga Departamenti i Shtetit, ku ka mëse dy dekada janë bërë pjesë dhe të rinjtë shqiptarë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Herion Kercelli, PO, Programi YES

Gjenerali dhe karkalecat

April 23, 2017 by dgreca

Sulmet plot urrejtje te Halil Matoshit ndaj shkrimtarit Ismail Kadare dhe vepres se tij, jane te pabaza, te pakuptimta dhe nuk i sherbejne askujt/

2Sadik-Elshani

Nga Sadik Elshani*/Filadelfia/ USA/

Keto dite Halil Matoshi ne gazeten “Koha ditore” botoi shkrimin me titull: “Kadare – ky racist etnocentrik!”, ku vjell vrer, hedh gure e dru  kunder shkrimtarit tone me te shquar dhe vepres se tij, pikerisht romanit shume te njohur, “Gjenerali i ushtrise se vdekur”. Ky nuk eshte nje shkrim, kritike letrare apo studim, por eshte nje shkrim i mjegullueshem me plot urrejtje ndaj shkrimtarit dhe vepres ne fjale. Ndoshta nuk ia vlen qe dikush t’i pergjigjet zotit Matoshi, sepse shkrimi i tij eshte nen çdo nivel, por koheve te fundit jane duke u ngritur zera edhe kunder Skenderbeut, Shen Terezes, Ismail Kadarese dhe disa figurave tona te shquara. Prandaj, keta persona qe po mundohen t’i mohojne vlerat tona, duhet t’i degjojne edhe mendimet e te tjereve. Figurat e lartpermendura nuk kane nevoje per mbrojtjen e askujt, sepse ato i mbron vepra e tyre qe i ka bere dhe do t’i beje balle gjykimit dhe stuhive shekullore. Veprat e cfaredo lemie nuk kane nevoje te mbrohen, sepse ato mbrohen nga  vlerat e veta. Por fjala eshte, se perse te leshohemi ne nivele te tilla te uleta, t’i mohojme figurat tona te ndritura, vlerat tona kombetare, kur kemi mjaft çeshtje te tjera te rendesishme me te cilat duhet te merren politikanet, intelektualet, gazetaret, publicistet tane, etj.

Siç duket, zoti Matoshi pas “zbulimit” te “kombit kosovar”, tani po mundohet te na bjnd se edhe veprat e Ismail Kadarese nuk kane kurrefare vlere, madje sipas tij, ato na qenkan edhe te demshme per lexuesin shqiptar. Personat qe mundohen t’i baltosin figurat dhe veprat qe kane vlera, e tregojne haptas nivelin e tyre intelektual dhe problemin qe ata kane me perceptimin korrekt te realitetit. Ne shkrimin e tij, nder te tjera, zoti Matoshi shkruan: “Ismail Kadare, ndonese stilist i madh eshte shnderruar ne mit nga elitat komuniste shqiptare ne Shqiperi dhe po ashtu ne Kosove, pra gjithandej ku flitet gjuha shqipe…Porse shqetesues eshte fakti se Kadare lexohet ne menyren me jokritike, pikerisht ne Kosove.”  Thuase Kosova nuk paska shqetesime te tjera me te cilat duhet te merremi. Prandaj, zoti Matoshi na sygjeron qe veprat e Kadarese duhet te lexohen vetem me syzat e tij te erreta. Pohimi i zotit Matoshi per Ismail Kadarene nuk eshte korrekt, sepse vepra e tij eshte e perkthyer ne mbi 40 gjuhe te botes, lexohet dhe vleresohet ne te kater anet e rruzullit tokesor nga nje armate e tere lexuesish te te gjitha racave, moshave, gjendjes ekonomike, pikepamjeve dhe bindjeve politike. Pra, ka kohe qe vepra e Ismail Kadarese i ka kaluar kufijt e Shqiperise dhe botes shqiptare. Ajo tani eshte bere pjese perberese e letersise se bukur boterore.

Kur ne gjysmen e dyte te shekullit XX, gati per 50 vite Shqiperia komuniste u vetizolua, i shkeputi gati te gjitha lidhjet me boten e jashtme, ishte pikerisht shkrimtari Ismail Kadare, talenti dhe vepra e te cilit po i paraqiste botes nje Shqiperi tjeter, po i paraqiste botes vlerat, historine, traditat, kulturen tone kombetare – vlerat mbi kundervlerat. Ismail Kadare eshte shkrimtari yne me i madh, me me nam ne arenen ndrkombetrae dhe ze nje vend te rendesishem e te nderuar ne letersine boterore, si njeri nder shkrimtaret me ineresant e me te talentuar te kohes sone. Prandaj, ai eshte shkrimtari me i perkthyer shqiptar. Ai kete nam e arriti me romanet e tij te nje cilesie te rralle artistike, temat ineresante e te qelluara dhe stilin e tij krejt original. Me te drejte ate e quajne ambassador i letersise, kultures shqiptare dhe vlerave tona kombetare. Vepra e tij u prit me habi dhe nje interesim te jashtezakonshem, sepse askush nuk e kishte paramenduar se nga Shqiperia e vogel dhe e izoluar, mund te vinte nje shkrimtar i madh i kalibrit te Ismail Kadarese. Kadare ne veprat e tij trajton çeshtje kyçe, jetike, qenesore (ekzistenciale), traditat e pasura e fisnike dhe te perditshmen e popullit shqiptar, por njeherit duke e ngritur me nje mjeshteri te rralle artistike, me njohuri te thella intelektuale e filozofike edhe ne planin nderkombetar – u jep atyre edhe permasat e pertgjithshme (universale). Sjell dçka te re, diçka magjepse e te mistershme. Gogoli, Kafka, Buzati, Oruelli, Markezi jane gershetuar mire, jane shkrire e bere nje ne laboratorin, boten krijuese te Ismail Kadarese, per te krijuar diçka origjinale.

Meqenese teme e shkrimit te zotit Matoshi eshte romani “Gjenerali i ushtrise se vdekur”, po i them disa fjale si lexues, sepse buken e gojes nuk e fitoj nga kritika letrare. Me romanin e tij te pare te botuar, “Gjenerali i ushtrise se vdekur”, Kadare terhoqi vemendjen e kritikeve me talentin, stilin e tij – ne menyre origjinale i qaset trajtimit te luftes, kesaj dukurie shoqerore mjaft te nderlikuar, ketij absurdi njerezor qe sjell shkaterrimin individual (psiqik e material), sjell tragjedine kolektive (kombetare). Kadare ne kete rast niset nga pasojat, pra eshte shtjellim, nje vizion paqesor i luftes, por ne te vertete eshte me i tmerrshem se vete lufta. Lufta ka kohe qe ka mbaruar, por njerezit veshtire mund ta harrojne ate, ajo ka lene gjurma te pashlyeshme ne psiken e njerezve (episodi i plakes Nice). Ai deperton thelle ne etiken e popullit shqiptar, duke e njohur mire modestine e psikologjine e tij. Shqiptari i shtyre nga instikti, nga dashuria per atdheun, mbrojtja e te cilit eshte nderi me i madh i tij – ne lufte ai eshte i eger e i pameshirshem (episodi i malesorit Nike Martini). Ndersa ne jete shqiptari eshte bujar, mikprites e punetor. Humanizmi, vlerat e larta njerezore te tij duken me se miri kur pas kapitullimit te Italise, shqiptaret nuk i vrisnin ushtaret italiane, por i mbronin, i strehonin ata nga asgjesimi gjerman – viktima e mbronte pushtuesin e deri pak casteve nga aleati i tij i deri pak çasteve me pare. Rast ky i rralle, ndoshta edhe i veçante ne historine e njerezimit. Ketu shkrimtari me mjeshteri e ka future ditarin e nje ushtari Italian si nje deshmi te drejtperdrejte dhe njeheresh per te futur diçka te bute, humane, ne kete tregim te tmerrshem. Romani ka porosi te thelle humane dhe kundermilitariste – prodhimi, pasojat e vetme te luftes jane kockat dhe tragjedite njerezore. Ky roman i botuar ne Paris me 1970, ne perkthimin mjeshteror te Jusuf Vrionit, hapi rrugen per popullaritetin e Ismail Kadarese ne France e me vone edhe ne arenen nderkombetare.

Ne shumicen e veprave te tij, Kadare ka si subjekt Shqiperine, historine e te gjitha koherave dhe te tanishmen e saj, boten shqiptare, perpjekjet e shqiptareve per liri e pavaresi, per mbijetese. Kadare me mire se cilido shkrimtar tjeter shqiptar ka arritur te bashkerendoje bukur karakterin kombetar me ate univezal. Si shkrimtar i pajisur me nje horizont te gjre njohurish, me gjenialitetin e tij krijues i shpalosi botes diçka te re e jo aq te njohur, ne menyre poetike e artistike ia shpalosi Shqiperine, duke deshmuar se edhe populli yne ka vlera dhe ne jemi pjese e pandare e qyteterimit europian e boteror. Deri ne rrezimin e diktatures, bota e jashtme ka mesuar me shume per Shqiperine nga romanet e Ismail Kadarese sesa nga ndonje burim tjeter. Prandaj, eshte e natyrshme qe vepra e tij ka zgjuar interesimin dhe gezon adhurimin e lexuesve, kritikeve e studiusve te shumte te letersise. Kadare eshte mjeshter i perkryer i fjales se shkruar. Ai ka sjellur nje fryme te re shprehese, duke futur metoda e modele te reja ne ndertimin strukturor te romanit shqiptar, duke futur ne letersine shqipe anen psikologjike te personazheve ne menyre te theksuar. Ismail Kadare eshte nje shkrimtar i madh ne te gjitha kuptimet e mundshme te kesaj shprehjeje: perveç se eshte poet e prozator, ai eshte edhe eseist, mendimtar, studiues i letersise dhe intelektual i rralle. Eshte mjaft i angazhuar per ceshtjet madhore te kombit tone, per te perparuar procest demokratike ne Shqiperi. Po ashtu, ai eshte i angazhuar ne rrjedhat e zhvillimeve, sfidave bashkekohore nderkombetare. Famen dhe autoritetin e tij nderrkombetar e vuri ne sherbim te mbrojtjes se te drejtave te shqiptareve ne trojet e tyre dhe zgjidhjes se çeshtjes se Kosoves qe perfundoi me Kosoven shtet i pavarur.

Se bashku me Kadarene ne arenen nderkombetare u popullarizua dhe u afirmua letersia shqiptare ne pergjithesi, u zgjua interesimi edhe per veprat e shkrimtareve tjere shqiptare. Per veprat e Ismail Kadarese jane shkruar me qindra reçensione, kritika e studime letrare, te cilat e radhisin ate si njerin nder shkrimtaret me te shquar, me te talentuar e me ineresant te kohes sone. Nje vleresim pak te pazakonshem, por shume domethenes, ia ka bere vepres se Kadarese nje studiuse e re maqedonase, Nina Sabolik: “Une duhet ta urrej Ismail Kadarene. Duhet ta urrej, sepse une jam maqedonase, kurse ai eshte shqiptar, ndersa dy popujt tane kane qene armiq per shekuj me radhe dhe kane luftuar mes tyre jo me larg se nje dekade me pare”. Pasi permend edhe disa shkaqe tjera se pse ajo duhet ta urreje Kadarene, ajo vazhdon: “E megjitghate, pasi kam lexuar romanet dhe shkrimet e tij, jo vetem qe une nuk e urrej ate, por dua qe ta shpalle si kandidat per Çmimin Nobel per Letersi 2013”. Kjo eshte ajo porosia sublime, forca e veprave te Kadarese, artit te tij qe shemb paragjykime shekullore, nderton ura miqesi ne mes te popujve. Fale talentit te tij te jashtezakonshem dhe fames ndeerkombetare, ai arriti t’i mbijetoje diktatures komuniste. Deshmi e cilesise se lart te krijimtarise se tij, jane edhe çmimet e dekorimet e shumta prestigjioze nderkombetare (jo te elites komuniste shqiptare), perfshire ketu edhe dekoraten me te larte te shtetit francez: Komandant i Legjionit te Nderit. Edhe vete nga afer e kam perjetuar sesi lexuesi i huaj i pelqente romanet e Ismail Kadarese. Ne fund te viteve te 70-ta dhe ne fillim te viteve te 80-ta te shekullit te kaluar kam qene pjesemarres ne nje kurs veror te gjuhes franceze dhe here pas here profesoreve te mi u dhuroja romanet e Kadarse te perkthyer ne gjuhen frenge. Qe te gjithe e shprehnin adhurimin, vleresimet me te larta per Kadarene dhe romanet e tij, e shihnin ate si nje kandidat potencial per Çmimin Nobel. Ata nuk ishin elita komuniste shqiptare, por ishin elita kulturore e Frances, profesore te universiteve prestigjioze: Sorbones, Heidelbergut, Kolumbias (Nju Jork), etj.

Pra, studiusja maqedonase me shkrimin e saj e pranon se ajo duhet ta urreje Kadarene, por ja qe nuk e urren. Ndersa Halil Matoshi nuk ka kurrefare arsye qe ta urreje Kadarene, por ja qe e urren me gjithe shpirt. Ç’t’i themi kesaj?! Urrejtja, sikurse ideologjia, t’i verbon syte, ta turbullon mendjen ta bllokon trurin, arsyen. Ismail Kadare eshte shkrimtar, por eshte edhe njeri. Dhe si çdo njeri tjeter edhe ai nganjehere gabon, por kjo nuk do te thote se per disa imtesira tani ne duhet ta hedhim poshte, sikurse te mos ekzistonte fare, sikur te mos e kishte krijuar vepren qe ka krijuar. Qenje njerezore te pagabueshme, te perkryer, nuk ka. Vepra e Ismail Kadarese eshte nje thesar kombetar dhe per kete çdo shqiptar duhet ta ndieje veten krenar. Skendrbeu, Shen Tereza, Ismail Kadare perbejne nje trini (treshe) qe i ben nder kombit tone, e larteson kombin tone, secili ne menyren dhe madheshtine gjegjese: Ate qe Skenderbeu e beri me shpate, Shen Tereza e beri me urate, ndersa Ismail Kadare eshte duke e bere me pene e art.

Zoiti Matoshi ka çdo te drejte qe t’i shprehe mendimet, pikepamjet e veta, por nuk ka nevoje te behet me katolik se Papa, me Don Kishot se Don Kishoti. Mos t’i bejme dem vetes sone, sepse te tjeret jane duke na bere mjaft. T’i nderojme ata qe jane duke i bere nder kombit tone, qe jane duke i dhene nje emer te mire kombit tone. Koha eshte vleresuesja me e mire, dhe vepra e Kadarese eshte duke u perballuar mire me kohen, po i qendron kohes.

Philadelphia, 22 prill, 2017

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe karkalecat, Gjenerali, Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 494
  • 495
  • 496
  • 497
  • 498
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT