• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Henri Çili-Kadares: Kërko dosjen e Lubonjëve!

April 8, 2017 by dgreca

*Reagon  Lubonja: Dokumenti është i manipuluar dhe jashtë kontekstit /2 kadare-kalocii*“Kadare i denoncuar”: Dëshmia e Lubonjës dhe hapja e dosjeve/

1 Lubonja

Libri “Kadare i denoncuar” i autorit Dashnor Kaloçi, jo vetëm pati sukses në treg, por edhe nxiti një debat të fortë.

Aryseja?

Një dokument i vitit 1975, marrë nga dosja hetimore e Fatos Lubonjës, ku publicisti, është pyetur ndër të tjera ç’mendim kishte mbi shkrimtarin Ismail Kadare, botuar në librin “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave” ka ngjallur debat për muaj në media.

Lubonja ngulmon se është manipuluar dhe nxjerrë jashtë kontekstit, ndërsa autori Kaloçi, deklaron se dokumentet janë autentike.

Por çfarë thuhet në të famshmin dokument nr.65?

Duke dëshmuar për babanë e tij, Todi Lubonja, Fatos Lubonja thotë se Todi kishte simpati për shkrimtarin Ismail Kadare, ndërsa të tjerët i quante të paaftë.

Ky debat e ka çuar shtëpinë botuese “UET Press” të kërkojë më thellë të vërtetën.

“UET Press” dhe autori i librit Dashnor Kaloçi kanë kërkuar në Ministrinë e Brendshme vënien në dispozicion të dokumenteve arkivore në lidhje me atë që ka dëshmuar Lubonja.

Por sipas ligjit të ri të dosjeve, këtë të drejtë e ka vetëm personi i prekur, pra Ismail Kadare.

Për këtë arsye, botuesi Henri Çili i është drejtuar me një letër të hapur shkrimtarit Ismail Kadare, duke i shkruar që ai të kërkojë hapjen e dosjeve për veten, duke nisur nga gjyqi i Lubonjëve.

“Së pari, kuptoj shkakun bazë se pse Fatos Lubonja është vendosur kundër jush publikisht qysh prej fillimeve të demokracisë shqiptare. Lubonja ka bërë në gjyqin e babait të tij një dëshmi, që sipas të gjitha kodeve juridike apo morale të kohës mund t’ju çonte pas hekurave, mund t’ju bënte grup me Todi Lubonjën, ose mund të bënte diçka më shumë. Morali i fabulës; Todi Lubonja (lexo: armiku) pëlqen shkrimtarin Ismail Kadare. Pra lidhja është e qartë. Por më e rëndësishme se kaq, për të kuptuar më tej personazhin e Lubonjës, shpeshherë kam qenë vetë viktimë e shkrimeve të tij të ndyra, të pavërteta, etiketuese, etj., etj,” shkruan Çili.

Por në dokumentin nr.65, Lubonja dëshmon edhe kundër të atit.

“Prova ndaj familjarëve të tu është një nga provat më themelore në jetën e njeriut, ajo ndodh për të shkuar më tej, tek humanët e tjerë. Ndodh që ajo të humbet. Por rrethanat e humbjes së kësaj prove, siç e ka humbur Lubonja me dëshminë kundër të atit, me siguri ka përcaktuar një pjesë shumë të madhe të personazhit Fatos Lubonja ashtu siç e njohim sot, një moralist laik që i kërkon llogari gjithkujt me ose pa të drejtë,  kur ka humbur një provë thelbësore, morale të jetës së vet: ka dëshmuar kundër babait.

Mitologjia na mëson një shembull. Po, është e vërtetë. Mund të vritet babai, siç i ndodhi Edipit, pa e ditur. Mund të shkohet edhe më tej, por kur Edipi mori vesh të vërtetën, braktisi fronin, qytetin, qorroi sytë dhe jetoi i vetmuar. Fatos Lubonja nuk ka bërë asnjë nga këto dhe askush nuk kërkon të bëjë diçka të tillë, por na ka nxjerrë sytë të gjithëve. Ty të parit Ismail, për 26  vjet. Ky pozicionim ose ky shpjegim i etosit idhnak të Fatos Lubonjës, të cilin e vërteton ky dokument, më ka ndihmuar vërtet ta kuptoj mjaft mirë dhe kjo nuk do të thotë se e ndëshkoj, dënoj apo etiketoj siç do të bënte ai me këdo tjetër, për çështje edhe më të vogla se kaq,” thekson Çili.

Lexoni më poshtë letrën e plotë të Henri Çilit, dëshminë e Lubonjës kundër të atit dhe kontekstin e të gjithë debatit për këtë çështje.

“UET Press” ka kërkuar  në Ministrinë e Punëve të Brendshme vënien në dispozicion të dokumenteve arkivore në lidhje me deponimin e Lubonjës në hetuesi…

Një  dokument i vitit 1975, marrë nga dosja hetimore e Fatos Lubonjës , ku publicisti, është pyetur ndër të tjera ç’mendim kishte mbi shkrimtarin Ismail Kadare, botuar në librin “Kadare në dokumentet e pallatit të Ëndrrave”  ka ngjallur debat për muaj në media.  Lubonja  ngulmon se është manipuluar dhe nxjerrë jashtë kontekstit, ndërsa  autori Kaloçi, deklaron se dokumentet janë autentike. Ky debat e ka çuar shtëpinë botuese “UET Press” të kërkojë më thellë të vërtetën….

Ka qenë pikërisht ky dokument që ka ngjallur një debat të gjatë për muaj me radhë në media, me Lubonjën që ngulmon se është manipuluar dhe nxjerrë jashtë konteksti dhe me autorin e librit Kaloçi, i cili deklaron se dokumentet janë autentike dhe të marra nga origjinalet që ndodhen në arkivat përkatëse të shtetit shqiptar dhe të verifikueshme për këdo. Ky debat e ka çuar shtëpinë botuese “UET Press” të kërkojë më thellë të vërtetën. Për këtë arsye në muajin shkurt ky ent botues ka depozituar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse,  një kërkesë për vënien në dispozicion të dokumenteve arkivore në lidhje me deponimin e Lubonjës në hetuesi, ku do të vërtetohej nëse dokumenti është origjinal apo i manipuluar. Kjo drejtori ka kthyer përgjigje negative:  “Ju bëjmë me dije se në zbatim të ligjit 48/2012  Për mbrojtjen e të dhënave personale,  neni 6 pika 1/a “Të dhënat personale përpunohen vetëm nëse subjekti i të dhënave personale ka dhënë pëlqimin”, neni 7, pika 1 “ndalohet përpunimi i të dhënave që zbulojnë origjinën racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësinë në sindikata, besimin fetar apo filozofik, dënimet penale si edhe shëndetin dhe  jetën seksuale”. Ligji  9154 datë  06.11.2003, neni 63 “Arkivat mbrojnë jetën intime të personit. Ndalohet njohja, shfrytëzimi dhe publikimi i dokumenteve që përmbajnë të dhëna me karakter vetjak dhe cenojnë jetën private të personit. Dokumentet që përmbajnë të dhëna me karakter vetjak dhe cenojnë jetën intime të personit shërbejnë vetëm pasi kanë kaluar, sipas rastit 50 deri 150 vjet nga data e krijimit të tyre”. Fatos Lubonja, i njohur publikisht si një prej kritikëve të shkrimtarit Ismail Kadare është shprehur se ky i fundit  me këto përpjekje, siç është edhe botimi i librit “Kadare në pallatin e Ëndrrave” , po fabrikon të shkuarën e tij dhe se nuk është e vërtetë që përndiqej nga Sigurimi. Autori, Dashnor Kaloçi i është përgjigjur publikisht më herët akuzave të Lubonjës mbi autenticitetin e dokumenteve, si dhe për përgjegjësinë e interpretimit, shpjegimeve mbi to“Në 101 dokumentet që janë pasqyruar aty janë të hedhura në libër pa i bërë absolutisht asnjë ndryshim, shkurtim, deformim, falsifikim apo çdo gjë tjetër që mund të mendojë ndonjë. Në çdo fund dokumenti janë të nënshkruar, data, viti, numri i dosjes, faqja, fondi etj., që mund të gjendet lehtësisht, dhe të verifikohen po ashtu nga kushdo…”, pretendon Kaloçi, ndërsa Lubonja është i bindur se ky libër i shërben gënjeshtrave …

Reagimi i  Lubonjës: Dokumenti është i manipuluar dhe jashtë kontekstit 

 Në një shkrim të botuar në Gazetën “Panorama”,  në nëntor të vitit të kaluar, Fatos Lubonja shprehet se si autori Kaloçi, ashtu edhe ata që e promovojnë këtë libër nuk nisen të kërkojnë të vërtetën e këtyre dramave, por i (keq)përdorin drama si kjo për t’u shërbyer gënjeshtrave të një shkrimtari të socrealizmit si Kadareja, i cili edhe pse në vend të dënimeve dhe ridënimeve me burgje ka njohur vetëm promovime e privilegje e çmime. Lubonja gjithashtu e ka çuar problemin në aspektin etik, ku sipas tij këto dokumente gjyqesh apo hetuesish “nuk janë shkruar nën vullnetin e lirë të atij të cilit i atribuohen, por nga hetuesit e sekretarët duke zbardhur, në funksion të fajësimit, fjalët e një njeriu që është nën shtrëngim dhe torturë fizike dhe psikologjike”. Lubonja është i mendimit se këto dokumente nuk mund të merren si dëshmi të vërtetash. “Për shembull: sipas Kaloçit në dokument shkruhet se unë u paskam thënë hetuesve se im atë çmonte vetëm Kadarenë, pasi vetëm ai thoshte të vërtetën, kurse të tjerët kishin frikë. E vërteta është që im atë në atë kohë çmonte Kadarenë si më të talentuarin e shkrimtarëve dhe se e kishte mik, por kurrsesi nuk mund të thoshte se ky shkruante të vërtetën.  As unë nuk mund ta sajoja këtë. Kjo është një fyerje për inteligjencën, edhe të hetuesve madje, pasi çdokush me dy pare mend ishte i vetëdijshëm se askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën në atë kohë. Se përndryshe, ç’kuptim kishte që unë shkruaja letërsi sirtarësh po qe se të vërtetën mund ta shkruaje si Kadareja? Prandaj, nëse dokumenti thotë vërtet kështu, atëherë fjala ime është zbardhur në mënyrë të deformuar. Dhe gjëra të tilla duhen pasur parasysh kur kërkojmë të kuptojmë të vërtetën e asaj kohe nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit”. Lubonja gjithashtu i referohet shembullit gjerman , ku krahas arkivave të STAZ-it ekziston një tjetër arkiv, ku njerëzit që figurojnë në dosjet e STAZ-it janë ftuar të dëshmojnë të vërtetën e tyre. “Prandaj edhe Adam Michniku ka thënë se ne ( disidentët polakë F.L) nuk mund të gjykohemi nga dokumentet që kanë bërë persekutorët tanë për ne”. Sipas Lubonjës ajo që mungon është analiza e këtyre raporteve dramatike të njeriut me pushtetin, “me synimin që ato të mos përsëriten më ( siç po ndodh edhe sot nën diktatin e pushtetit të ri që Kadare s’ka guxuar ta denoncojë një herë) ne vazhdojmë me kulturën e vjetër të manipulimit të njerëzve, me gënjeshtra dhe simulimin e heronjve të paqenë. Kështu kemi ardhur përsëri në një gjendje ku të gjithë e dinë të vërtetën, por askush nuk guxon ta thotë, pasi sundon gënjeshtra e atij që ka pushtetin dhe paranë”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fatos Lubonja, Henri Cili, Kadare i denoncuar

Rreziku më i madh i Shqipërisë, vetë shqiptarët

April 8, 2017 by dgreca

  • Një Opinion i Diellit shkruar nga Editori, 6 vite të shkuara, kur Pozita  e sotme në Opozitë, bënte grevë urije me cadër para Kryeministrisë-koha kur Komisioni i Parlamentit Europian, merrte vendimin për Liberalizimin e Vizave te Shqiperise/

Nga Dalip Greca/

Faik Konica, që bëri politikë e diplomaci në kohë të vështira, pat arritur në përfundimin logjik se rreziku më i madh Shqipërisë i vjen nga vet shqiptarët. I hidhur, por mbetet i vërtetuar ky përfundim i Konicës. Shembuj për ta ilustruar thënien e mendimtarit të shquar ka shumë në historinë tonë, por pa përmendur dyluftimin tragjik të shqiptarëve në vitin e mbrapsht të Haxhi Qamilit në fillim të shekullit të shkuar, ngjarjet e përjetuara pas vdekjes së Konicës, do të mjaftonin për t’i dhënë të drejtë në përfundimin e hidhur që mendimtari arriti njëqind vite të shkuara.Vetëizolimi 50 vjeçar i shqiptarëve, pushkatimet e shqiptarëve nga vetë shqiptarët,( vrasjet e varjet e nacionalistëve prej komunistëve e më pas lufta brenda llojit, komunistët kundër komunistëve), viti i mbrapshtë ’97, kur sërish shqiptarët i drejtuan pushkët njeri-tjetrit, djegiet e shkatërrimet e pazakonta, që kthyen kohën pas për të keqen tonë, do të mjaftonin që ta pranojmë si aksiomë, që nuk ka nevojë të vërtetohet këtë thënie të Faikut.

Po dyluftimi i politikës mes vetes deri në armiqësi, duke e mbajtur vendin 20 vjet në tranzicionin sfilitës, a nuk është element negativ, që e specifikon si anarkizëm demokracinë shqiptare? Për të mos mbetur retorike pyetja, përgjigja vjen pohuse.

Le ta ilustrojmë përfundimin e Faik Konicës me zhvillimet më të fundit në Shqipëri: Greva e urisë që ndërmori opozita për 19 ditë, ai i shërbeu ajo për mirë shqiptarëve? Le ta vlerësojmë për një moment se qëllimi i saj ishte për mirë, siç pretendojnë organizatorët sepse paska synuar që të kthejë shënjtërinë e votës, por a ishte koha e gjetur për të ndrequr një padrejtësi që e kishte burimin edhe nga vetë ata që e organizuan? Natyrisht që e analizuar me qetësi greva ishte e gabuar, veçanërisht u organizua në kohë të gabuar. E organizuar në kohën kur dihej se Brukseli e Strasburgu e kishin nën vëzhgim Shqipërinë për të marrë vendimin e liberalizimit të mohuar të vizave pas plotësimit të infrastrukturës logjistike, pas dorëzimit nga ana e qeverisë të pyetsorit për aplikim në BE, çoi mesazhe negative në Evropë. Greva e opozitës i tha Evropës se Shqipëria nuk është gati as për procedurat e anëtarsimit në BE , as për liberalizimin e vizave. Mirë që Evropa, bëri sikur nuk e dëgjoi këtë mesazh të opozitës në pozitë ( Vetë lideri socialist ka 12 vjet që është në pozitë si Kryetar Bashkie).

Letra e kryetarit socialist drejtuar Presidentit të Komisionit Europian, Hose Manuel Barrosso, në ditën e publikimit të vendimit të komisionit Europian, të provokon një shije të keqe hipokrizie. Apeli i Ramës , që kriza të mos ndikojë në vendimin e liberalizimit të vizave, i bërë pas rekomandimit të Komisionit Europian, tingëllon më shumë si kërkim pjese në tortën që shqiptarët pregatiten ta shijonë të fundit në Evropë.

Le t’i rikthehemi grevës: Bllokimi i kryeqytetit, provokimi sfidus ndaj qeverisë nën dritaren e kryeministrit, duke i vënë mur çadrash qeverisë, rrethimi i institucioneve, duke sfiduar ligjet, pa realizuar as kërkesën minimale të marrjes së lejes në polici, provokimi i qytetarëve që iu vështirësua jeta në Tiranë, bien erë anarkizmi dhe jo demokracie.

Nëse opozita kërkon të rikthejë mungesën e demokracisë dhe transparencën e munguar, siç pretendon,ajo jep shembullin më të keq se si nuk duhet të veprohet në një shtet demokratik. Si mund të kërkosh transparencë duke shkelur ligjet dhe duke nëpërkëmbur shtetin! Vetë greva e paligjshme, që e organizon në mes të Tiranës pa marrë as leje tek organet përkatëse, nuk është vendim normal, as logjik. Pra ti si opozitë nuk njeh shtetin ligjor, çfarë transparence kërkon të bësh? Transparenca i ka të dyja anët dhe bëhet nga të dyja palët. Nuk jep shembull që mund të ndiqet nga qytetarët kur thua bëj si them unë e mos bëj si bëj unë.Nëse kërkon transparencë, bëje më parë tek vetja dhe shpjegoua qytetarëve se përse paske të drejtë që të shkelësh ligjet e shtetit duke mos denjuar që të marrësh leje për të organizuar grevë duke paralizuar për 19 ditë kryeqytetin? E drejta jote pushon së qeni e drejtë porsa ajo shkel të drejtën e një qytetari tjetër. Kjo është aksiomë e demokracisë. Zotëri, ke shkelur të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të qarkulluar lirisht në kryeqytetin e tyre. Tirana nuk është vetëm e opozitës, as jotja si kryetar bashkie, që me fermane të paligjshme e veprime të paligjshme, të okuposh sheshet apo të bllokosh qeverinë. Mw ka mbetur nw mendje analiza njw politikani tw majtw gjerman, europarlamentari socialdemokrati Gernot Erler, ish minister europian, i sheh në sy dëmet e kësaj greve” : “Kjo bllokadë e dëmtoi shumë Shqipërinë. Gatishmëria për investime të huaja ka rënë, marrëdhëniet tregtare kanë rënë, procesi i reformave ligjore faktikisht ka mbetur në vend dhe nuk po ecën përpara, por ne si evropianë nuk mund të detyrojmë asgjë. Ajo që na mbetet për të thënë është “Mjaft!”.

Faktet dëshmojnë se greva ishte e sforcuar dhe  më shumë erdhi si një tekë e liderit se sa zhvillim logjik i ngjarjeve. Ky përfundim vjen nga analiza e zhvillimeve që i paraprinë asaj: Zgjedhjet fillimisht qenë pranuar nga opozita dhe lideri i saj Rama, faktori ndërkombëtar i çertifikoi dhe i pranoi si më të mirat e viteve të fundit, ndërkohë që përsosmëria nuk mund të pretendohet sa për meritë të militantëve aq edhe për nxitjen e vetë forcave politike, që i stimulojnë, përfshi partinë e Ramës. Të mos harrojmë pa shënuar këtu edhe faktin se opozita e sotme është bashkautore e Kodit Zgjedhor.

Të mos harrojmë dhe faktin se kjo opozitë ka fabrikuar Dushkun famkeq të 2001, që cënoi dhunshëm integritetin e votës duke nxjerrë 12 deputetë në një zonë zgjedhore. Dushku ia vlente për grevë urie, por maxhoranca e sotme, që atë kohë ishte opozitë, nuk e ndërmori këtë hap!Ndëshkim i munguar. Shkojmë më tej, e zëmë se pozita e sotme nesër kalon në opozitë dhe rrethon dhe ajo qeverinë, ashtu si opozita e sotme, çdo të ndodhë? Jo anarkizmi, por zgjidhja institucionale çon në mënjanimin e problemeve me të cilat përballet Shqipëria në këtë tranzicion të pazakontë në të gjithë Europën ish komuniste.Shoqëria shqiptare ka shumë problem për të zgjidhur, problemet e ish të përndjekurëe politikë, problem i pronave, por duke bllokuar Parlamentin, siç po vepron opozita, ato do të mbeten ashtu siç janë.

Opozita ka rolin e saj në mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri,duke synuar korrigjimin e qeverisë, por nëse ajo vepron në mënyrë institucionale dhe respekton shtetinin ligjor, në të kundërtën, kthehet në faktor pengus dhe bie ndesh me zhvillimet demokratik. Nëse ajo do të realizojë rolin e saj si oponente e qeverisë do të shërbejë si rregullator që do të ndihmojë demokracinë, nëse do të vazhdojë që vetëm ta pengojë qeverinë me synimin që të marrë pushtetin me çdo kusht, bën të kundërtën, pengon demokratizimin e Shqipërisë dhe ecjen përpara, i hap rrugë anarkizmit dhe vë në pozitë të vështirë funksionimin e shtetit ligjor.

Dielli, Maj 2011

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, rreziku i Shqiperise, vete shqiptaret

Kur gjykojmë qeverinë

April 7, 2017 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Para se të ndalem konkretisht tek tema, jo pa qëllim, dua të hap një parantezë të vogël. E fillova këtë shkrim menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, 2013. Të jem i sinqertë me lexuesin, nuk kisha besim fare se ardhja e të ashtuquajturve “rilindas”, në pushtet, me Ramën në krye, do të sillte ndonjë ndryshim për mirë. E kisha këtë mendim jo pa baza: nuk më pëlqenin fare fjalimet e kryerilindasit dhe mllefi i tij ndaj kundërshtarëve, sikur ky të vinte nga ndonjë planet tjetër e të mos njihej nga tërë ne, si ish-kryetar bashkije i kryeqytetit e i betonizimit të tij të pamëshirshëm e që, më pas, u katapultua në krye të PS-së, ndonëse nuk e lidhte me të absolutisht asgjë, por kjo është një temë tjetër. “Mos të nxitohem në vlerësime, thashë me vete, mbase karrigia e kryeqeveritarit mund të na prezantojë një Ramë tjetër”. Dhe e bëja këtë jo për të mbrojtur atë apo qeverisjen e tij, por veten time: ne harrojmë se për çdo gjë që shkruajmë e botojmë, gjykohemi nga ata që mund të na lexojnë. Të paktën unë, i druhem shumë një vlerësimi të tillë dhe përpiqem, me aq sa i kam mundësitë, të jem sa më objektiv. Këtë e kam pasur si parim gjithmonë, për më tepër tani që, siç kuptohet lehtë, nuk më lidh absolutisht asnjë interes me ata që vijnë e ikin nga pushteti në Tiranë. Tani le të hyjmë në temë.

Fitoi Rama, e çë pastaj?!

Po kthehesha nga puna, si zakonisht, dhe kisha zënë vend aty nga mezi i një vagoni të subuejit, kur dëgjoj se dikush po më fliste: “Urime për zgjedhjet!”. I dhashë një buzëqeshje të lehtë, sa për mirësjellje e, pse jo, edhe për të mos ia zgjatur. Nuk kisha ndonjë shoqëri e aq më pak miqësi të madhe me të. Po ku tërhiqej ai. Ishte nga ata tipa që, siç thotë Cvajgu, duan si e si të të rrëmbejnë një përshëndetje: “Si, nuk t’u bë qejfi? Fitoi Rama, PS-ja, e majta…”. “Fitoi Rama, e ç’ë pastaj?! Pluralizmi i ka këto, herë fiton njeri e herë tjetri…”. “More këto i di dhe unë, por ama njeriu ka dhe bindje apo ideologji, si të thuash, me dikë do të jetë, do apo nuk do ai. Bashkë nuk njihemi shumë por, me aq sa kam kuptuar, ti je i majtë, ndaj dhe të urova…”. “Hej dreq o punë, thashë me vete, po ky kështu?! Do me çdo kusht që të prononcohem”. “Mbase nuk ke gabuar, ia ktheva, por kjo nuk do të thotë se jam me PS-në e Shqipërisë. Ajo për mua nuk është e majtë, siç nuk është e djathtë as PD-ja. Ato janë dy grupime politike që u pozicionuan kundra njera tjetrës, ndofta fare rastësisht”.”Po mirë, e zëmë se është ashtu. Po për ndryshimin apo rrotacionin, siç i thonë, nuk je?”. “Për mua, kjo që ndodhi nuk është rrotacion por thjesht një rokadë, nga e cila nuk pres ndonjë ndryshim. E kam fjalën për të mirën e popullit dhe të vendit, se ndryshime do të ketë: do të largohen nga puna militantët e PD-së e do të zevendësohen me të PS-së. Po pse, për të tilla ndryshime ka nevojë Shqipëria?”.

Nuk ia zgjata më. Shyqyr Zotit  dhe ai nuk e vazhdoi më gjatë. Thashë se shpëtova nga diskutimet për politikën e sotme që na e ka sjellë në majë të hundës. Por, s’qe e thënë. Kur do të ndërroja trenin, në atë rrëmujë të madhe e kakofoni shurdhuese, në Grand Central, ku nuk e njeh as qeni të zonë, dalloj dikë që po më drejtohej mua: “Miku im, keq më vjen por fituam…”. “E ç’ë pastaj? Mos e ke gabim,- i thashë, – nuk fitove gjë as ti dhe as populli, por Rama me ata që i  venë pas. Mos mendon se do  të bëjë çudira?”. “A e dëgjove apo a e lexove fjalimin e tij? Qe diçka orgjinale që s’e kishim dëgjuar më parë…”. “Po pse, për fjalime jemi keq ne?” – s’mu durua e ia preva fjalën. Ai u prish në fytyrë e u bë gati të shpërthente ndaj meje, por unë nuk  e lashë: “Pash Zotin, a ke ndonjë muhabet tjetër se nuk dua të dëgjoj më për politikë!”

I dhashë një përshendetje të ftohtë dhe iu drejtova trenit tim. Doja sa më parë të mbërrija në shtëpi, se mos më dilte ndonjë qejfli tjetër muhabetesh politike. Por, nuk shpëtova dot. Në trenat e autobuzët e Nju Yorkut rrallë më ka ndodhur që të mos përballem me shqiptarë, mirëpo kësaj radhe, duhet ta pranoj se rashë vetë brenda. Sa hyra në trenin e Metro Northit e po kërkoja një vend për t’u ulur, shoh diku një mikun tim të vjetër. Ai s’e kishte mëndjen fare tek unë. Dukej i mërzitur apo edhe më keq, sikur t’i kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi. Po shihte jashtë dritares apo më mirë të them, bënte sikur shihte se lehtësisht e kuptoje që nuk e kishte hiç mendjen tek gjithë sa i shpërfaqej përpara. Mund të kisha kaluar pa i folur, por më dukej se bëja mëkat, tek e shihja aq të brengosur. Dhe i fola. Pas përshëndetjes së zakonshme e pyeta pak si me drojtje, se mos e shqetësoja: “Më fal që po të them, por nuk po më dukesh në humor të mirë…”. “E si mund të jesh në humor të mirë, shpërtheu ai, kur mendon se Rama do të bëhet kryeministër!” “E ç’ë pastaj, ç’të keqe ka?” – përsërita unë, si për ta qetësuar. Por ai, që me sa kuptova mezi po priste dikë që të shfyhej, pasi më pa hetueshëm, nëse e kisha me gjithë mend apo bëja shaka, vazhdoi: “A e njeh se kush është ai? Harrove se ç’i punoi Tiranës sa qe kryetar bashkije…Dëgjomë mua: ai nuk është njeri normal, por një aventurier, një megalloman, një arrogant, një skizofren, një i korruptuar kokë e këmbë…”. Kuptohet se kisha përballë të kundërtin e optimistëve të mësipërm. Për të mos e zgjatur, edhe pse nuk po i dëgjoja për herë të parë epitete të tilla për kryeministrin e ardhëshëm, u përpoqa ta qetësoja sadopak, duke e trajtuar problemin në përgjithësi, se jo gjithçka varet nga kryeministri e të tjera llafe si këto, sa për të kaluar kohën para se të ndaheshim.

Përparësitë

Në çdo punë që bëjmë apo biznes në përgjithësi, aq më tepër kur ëshë fjala për veprimtarinë e qeverisë, rëndësi të madhe kanë përparësitë apo prioritetet, siç jemi mësuar t’i dëgjojmë apo lexojmë. Ndaj dhe unë, si tërë bashkëkombësit e mij, ma merr mendja, po prisnim të shihnim e të dëgjonim prej kryeministrit të ri këto përparësi: nga do t’ia niste e ku do fokusonte më tepër. Por, ç’të shohim? Ndryshe nga ç’prisnim, ai po merrej me të tjera gjëra që as  nuk na kishin shkuar në mendje: të na tregonte si ia kishte lënë mjediset e kryeministrisë para-ardhësi, përmes fotogarfive gjë që, as më shumë e as më pak, na kujtoi ato gratë e liga që kur shkojnë për vizitë diku, kontrollojnë me gisht tek mobiljet, nëse i ka marrë pluhurat e zonja e shtëpisë apo jo. Nuk besoj se ky veprim i piktor-kryemnistrit tonë i ka lënë dikujt ndonjë shije të mirë.

Bëmë sikur nuk e vumë re, duke pritur se ç’do të bënte më tej, si hap të dytë: hoqi nga zyrat portretin e presidentit, ndonëse atë e gjen të varur në çdo zyrë të botës, të paktën me aq sa jam në dijeni unë. Kjo nuk ka fare rëndësi, edhe mund ta hiqte apo ta zëvendësonte por, problemi shtrohet: a duhet të përbënte përparësi në atë fillim qeverisjeje?!

Vazhdojmë më tej, me fillimin e punës. Kujtoj fjalimin e tij “programatik” në Kuvend ku, duke tundur kokën, me një ton gati-gati  kërcënues, na paralajmëroi se deri ato çaste nuk kishim parë akoma gjë por të prisnim se, sipas tij, do të shihnim çudira, që deri atëhere nuk i kishte realizuar asnjë nga para-ardhësit e tij, qysh nga themelimi i shtetit shqiptar. Ky do të qe një refren i gjithhershëm i çdo veprimtarie që do të zhvillonte më pas, deri në ditët tona kur po i mbaron mandati: evidentimi se si ia kishte lënë atë fushë para-ardhësi, gjë që na kujton diktaturën e kaluar kur “Enveri ynë” i maste arritjet e tij jo me Botën apo qoftë edhe me fqinjët, por me kohën e Zogut. Ai na përsërit, fitoren historike të qershorit ’13, duke i krahasuar votat që mori me “një milion topa, grushte apo shuplaka” që iu dhanë opozitarëve të sotëm.  Por, me që erdhi fjala, kemi të drejtë të bëjmë pyetjen: “ A qe rezultati i atyre zgjedhjeve një fitore për të cilën ia vlen të krenohesh e të na e tundesh orë e çast para syve, si trofe toreadori, deri në dhimbje koke?”. Mendoj se është e kundërta. Tani është i detyruar ta pranojë dhe vetë kryerlindasi se qenë pikërisht ato zgjedhje që mbushën Parlamentin me mediokër por të pasur, hajdutë, kriminelë me precedentë penalë, të lidhur me trafiqe e të korruptuar, siç e kanë marrë vesh tashmë edhe kalamajt e kopshteve. Si të tilla, ato zgjedhje dhe ajo e ashtuquajtur “fitore plebishitare”, jo vetëm që nuk të bëjnë krenar por janë një njollë turpi në historinë e pluralizmit shqiptar. Kryerilindasi ynë, jo vetëm që nuk duhet t’i përmendi më ato, por të ulë kokën e t’i kërkojë falje elektoratit që e mashtroi duke çuar në Kuvend jo personalitete me integritet e të kualifikuar por bastardë, një pjesë e të cilëve meritojnë të ishin pas hekurave, siç edhe ka ngjarë më se një herë.

Por, duke u marrë me këto detaje ne, dashje apo pa dashje, ramë në pozitat e tij dhe “harruam” të ndalemi e të vlerësojmë arritjet “madhështore” të kësaj qeverie, siç trumbetohet nga kryetari i saj dhe shpura që i shkon pas.  Për hir të së vërtetës duhet të pranojmë se tani, pas afro katër vjetësh kur po i vjen fundi i mandatit, para nesh shpërfaqet një Shqipëri tjetër, pavarësisht se në shumicën e të dhënave, shifrat e faktet, janë me kokë poshtë.

Mos pandehni se është e lehtë të gjykosh një qeveri, veçanërisht tek ne. Ku të bazohesh, tek ata që janë në pushtet dhe që e paraqesin çdo gjë të shkëlqyer, pa korrupsion e krimnalitet, paçka se këto i pohojnë dhe ndërkombëtarët; apo tek opozita që e krahason Shqipërië me Kolumbinë, për nga kanabizimi i vendit dhe tonelatat e drogës që nisen nga brigjet tona për në Europë dhe që treguesit ekonomikë e socialë kanë njohur e po njohin vetëm rënie?! Siç është polarizuar politika, po ashtu janë pozicionuar në drejtime të kundërta edhe mediat që, në vend të informimit, vetëm çorodisin e disinformojnë. Ndaj dhe unë nuk po zgjatem me shifra e fakte, pro apo kundra, se ato i gjen me bollëk, me lehtësinë më të madhe çdo lexues, por po përmend vetëm një tregues fare të theshtë: po qe se njerëzit do të jetonin më mirë tani se para tre-katër vjetëve, nuk do qe kjo dëshirë e papërmbajtur për ta braktisur vendin, si kurrë më parë. Qeveria e të ashtuquajturve “rilindas”, mund të ketë njëmijë merita e mëkate, por nuk mund të mohojë dot krimin e madh që ka bërë duke vrarë shpresën, veçanërisht tek të rinjtë, se në atë vend nuk jetohet. Parë në këtë prizëm, ardhjen e Ramës në krye të qeverisë unë do ta quaja një fatalitet kombëtar.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Andon Dede, Kur gjykojmë qeverinë

Republika e Re e Jugosllavisë si projekt i marrëveshjeve Rama – Vuçiç

April 6, 2017 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi /

2 enver-Bytyci-1

Para disa javësh dy kryeministrat ballkanas, Edi Rama i Shqipërisë dhe Alesandër Vuçiç i Serbisë, lëshuan në Sarajevë një ofertë e njëkohësisht një kërkesë: – Të ndërtojmë Tregun e Përbashkët Ballkanik. Shumë, ndoshta shumica e shqiptarëve, u shprehën entuziastë për këtë nismë të re serbo-shqiptare. Megjithatë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e refuzoi një projekt si ky. Ai u shpreh jo vetëm skeptik, por njëkohësisht kundër një të ashtuquajturi “Treg i Përbashkët Ballkanik”. Mbështetësit e këtij projekti e kritikuan zotin Mustafa me arësyetime të ndryshme. Argumenti ishte se “Një Treg i Përbashkët Ballkanik” do të ishte një mundësi dhe shans për zhvillimin e rajonit. Sot zoti Vuçiç, tashmë në postin e presidentit të ri të Serbisë, ka ndriçuar më shumë detaje për projektin në fjalë, duke i dhënë atij ngjyra të theksuara politike. Ai, ka folur për një Republikë të Re të Jugosllavisë. Në njëintervistë për portalin amerikan “Politico” Vuçiç është shprehur se plani i tij do të krijojë një treg për 20 milionë banorë dhe se bëhet fjalë për “Jugosllavinë e vjetër plus Shqipërinë”. Ndërkaq ka përmendur faktin se Tito pati sukses në një projekt të tillë. Takimet e panumërta midis zotit Rama dhe zotit Vuçiç zbuluan të vërtetën se të dy këta janë marrë vesh për ndërtimin e një Ballkani të ashtuquajtur “Perendimor” të llojit të Jugosllavisë së Titos. Jugosllavia, e cila u varros nga dhuna e Serbisë, tashmë po na shfaqet në horizont si një projekt i ri, madje me një aktor plus, kryeministrin e Shqipërisë. Të dy këta, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, mbështetën për katër vite njëri-tjetrin, me qëllim që të forconin pozitat elektorale në vendet përkatëse, por me një çmim të lartë për shqiptarët: – Përjashtimin e Kosovës nga vendimmarrja, ose më e pakta, krijimin e rrethanave të pafavorshme për institucionet e Kosovës në përpjekjet e tyre për forcimin e shtetësisë në këtë vend. Por në këtë koment nuk dua të ndalem thjesht në pasojat e bashkëpunimit Rama-Vuçiç. Këto pasoja si dhe lidhjet konspirative midis tyre i kam shtjelluar në dhjetra komente së paku prej tetorit 2014 e deri më sot. Ajo që sot dua të kujtoj është ngjashmëria që ka inciativa Rama-Vuçiç për “Tregun e Përbashkët Ballkanik” dhe “Bashkim-Vëllazërimin Serbo-Shqiptar” me përpjekjet mbi 100 vjeçare të të gjitha qeverive të Beogradit për të krijuar një aleancë ballkanike ose për të realizuar atë lëvizje që quhej “Ballkani ballkanasve”, me qëllim asgjësimin e shqiptarëve. Në pranverën e vitit 1912 Mbreti i Serbisë i inkurajonte shqiptarët që të luftonin kundër Turqisë osmane, duke ju premtuar aleancë dhe mbështetje të pakufishme. Madje ai dërgoi armë, me qëllim që t’i bindë shqiptarët për seriozitetin dhe sinqeritetin e ndihmës serbe ndaj tyre. Nuk po përmend emrat e udhëheqësve të kryengritjes shqiptare të asaj kohe, të cilët e pranuan marrëveshjen dhe ndihmën e Karagjorgjeviçit. Në ditët e sotme Aleksandër Vuçiç i ka ofruar shqiptarëve (të Shqipërisë) bashkëpunim, madje dhe ndihmë për të krijuar një treg unik, duke e reklamuar veten e tij një Tito të ri, i cili “Do të ndërtojë autostradën Nish-Prishtinë”. Ai e ftoi kryeministrin Rama në Nish tetorin e kaluar, me qëllim që të dy të vendosnin “gurin e themelit” të këtyre marrëdhënieve. Por në Prishtinë qëndruan ftohtë. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i tregoi kryeministrit Rama kufijtë e sjelljes së tij ndaj Kosovës. Pse? Sepse po flitej për projekte të përbashkëta, të cilat përfshinin edhe Kosovën, por që nuk përfaqësohej e barabartë si shtet sovran në këto iniciativa. Ndërsa Mbreti i Serbisë në vitin 1912, teksa i ftonte shqiptarët në “luftë të përbashkët” kundër Perandorisë Osmane, nënshkroi fshehtas tyre tri marrëveshje ballkanike, atë më Greqinë, marrëveshjen me Malin e Zi si dhe marrëveshjen me Bullgarinë. Aleanca midis këtyre katër vendeve ballkanike u quajt shkurt “Aleanca Ballkanike”. E përafërt me termin e sotëm “Tregu i Përbashkët Ballkanik”. Po çfarë ndodhi atëherë, në Luftërat Ballkanike. Ushtria 300 mijëshe e Serbisë asgjësoi e masakroi gati 30 mijë shqiptarë, thjesht se donte të evitonte krijimin e shtetit shqiptar. Shqiptarët u zgjuan, por shumë vonë. Ata nuk e vunë re tradhëtinë e Mbretit të Serbisë në kohën e duhur. U joshën nga “lufta e përbashkët kundër pushtimit osman” dhe nuk panë se po përgatitej asgjësimi i kombit shqiptar. Tani Vuçiç e di se nuk i ka mundësitë të asgjësojë shqiptarët si komb, por krijimi i një “Tregu të Përbashkët Ballkanik” me ndihmën e kryeministrit Rama, do t’ia mundësojë atij realizimin e një iniciative politike të krijimit të një Jugosllavie të Re, brenda së cilës të ishte Shqipëria. Beogradit i duhet Shqipëria në këtë të ashquajtur Jugosllavi të Re, sepse me anë të Tiranës zyrtare kërkon t’i bindë shqiptarët e Kosovës të bëhen pjesë e kësaj Jugosllavie. Isa Mustafa e ka kuptuar këtë hile. Nuk e di nëse janë dakord politikanët e tjerë me këtë aventurë të re, jo aq të presidentit të ri të Serbisë, sa të kryeministrit të Shqipërisë. Aleanca Ballkanike e vitit 1912 kundër shqiptarëve u arrit me angazhimin e drejtpërdrejtë të Rusisë, madje direkt të carit rus. Projekti i sotëm i “Tregut të Përbashkët Ballkanik” ka bekimin dhe miratimin e carit të sotëm të Rusisë, Vladimir Putin, sepse ai e di që në çdo organizëm ku bën pjesë Serbia është e do të jetë e pranishme edhe Rusia. Në këtë treg Rusia do të ishte present së paku 50 me 50 përqind krahasuar me Perendimin, Europën e SHBA-të të marra së bashku. Këtë ia mundëson Serbia. Kaq kishe fituar vetë Stalini në Jaltë. Prandaj dhe projekti i Vuçiç është dhe mbetet gjithashtu projekt i Kremlinit. Këtij projekti i bashkëngjitet me vetëdije apo me naivitet kryeministri ynë, Edi Rama. Por nuk e pranon atë Isa Mustafa dhe nuk jam i bindur se zoti Rama ka shfaq ndonjë kureshtje pse kryeministri i Kosovës është kundër një projekti të tillë. Një projekt ballkanik u inicua nga Beogradi edhe në periudhën e Mbretit Zog, në vitin 1936. Madje në Beograd u mblodhën të gjitha vendet ballkanike dhe formuan atë që e quajtën “Aleanca Ballkanike”. Qëllimi ishte që këto vende të bëheshin bashkë për të kundërshtuar praninë e Fuqive të Mëdha në Ballkan. Por Mbreti Zog refuzoi të bëhej pjesë e kësaj farse. Ai kishte kuptuar se aleancat ballkanike, aq më tepër të inicuara nga Beogradi, janë thikë pas shpine për shqiptarët. Dhe periudha e bashkëpunimit të komunistëve shqiptarë me komunistët serbo-jugosllavë i dha atij plotësisht të drejtë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj komunistët shqiptarë dhe qeveria komuniste e Enver Hoxhës krijuan lidhje të ngushta me komunistet dhe qeverinë komuniste të Beogradit. Tito dhe udhëheqësit komunistë serbo-malazezë e përdorën këtë lidhje për të shfarosur nacionalistët shqiptarë në Kosovë. Beogradi kishte kuptuar se Tirana zyrtare komuniste kishte interes eleminimin e faktorit nacionalist në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë, prandaj e pranoi ushtrinë patizane shqiptare në territorin e Kosovës, me qëllim që të mbante në zap popullsinë shqiptare atje për të mos reaguar për masakrat masive kundër tyre në Drenicë e deri te Masakra e Tivarit. Titos i duhej bashkëpunimi me Enver Hoxhën që të mbyste në gjak Kosovën dhe të asgjësonte fizikisht faktorin shqiptar. Gjithçka u bë në emër të “Bashkim-Vëllazërimit”. Sot Aleksandër Vuçiç ka thirr në ndihmë Edi Ramën që ta mbysë lirinë e pavarësinë e saj. Retorika nacionaliste e kryeministrit të Shqipërisë është demagogji e paster, sepse në asnjë rast ajo nuk i kundërvihet planeve konkrete të Aleksandër Vuçiç. Madje zoti Rama e sheh me përbuzje dhe e prezanton si “injorancë” reagimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për t’i thënë “JO” projektit të Vuçiç, i cili ngjason me atë projektin e Titos për “ta gllabëruar Shqipërinë”, siç thoshte Stalini dhe për ta bërë atë Republikë të Shtatë të Republikës së Jugosllavisë Socialiste. Asokohe kjo Republika e Shtatë e Jugosllavisë u paraqit si një republikë që përfshinte edhe shqiptarët e Kosovës, por nuk dihet se cila do të ishte sipërfaqja e territorit të Kosovës që do të mund të përfshihej në këtë Republikën e Hoxhës që do të bëhej Republikë e Titos. Ndërsa sot Republika e Ramës, që do të futet “vullnetarisht” në Republikën e Vuçiçit, mbasi ta zhbëjë lirinë e pavarësinë e Kosovës do ta ndante territorin e saj, jo më në Ibër, por gati në portat e Prishtinës. Ngjashmëritë e Republikës së Re të Jugosllavisë së Vuçiçit me tezën e “Tregut të Përbashkët Ballkanik” janë të shumta. Mbi të gjitha iniciativat serbe përkojnë me të ashtuquajturën politikë e neutralitetit, të cilën e ka promovuar Tito dhe e përsërit Beogradi i sotëm. Mosangazhimi titist është thelbi i politikës së sotme të Vuçiçit, me qëllim krijimin e një zone tampon midis Lindjes e Perendimit në Ballkan. Në fakt ky Tregu i Përbashkët Ballkanik, sidomos në kushtet e shpërbërjes së mundëshme të BE-së dhe zgjerimit të influencës ruse në Ballkan do të linte brenda gadishullit Moskën e Kremlinin dhe do të nxirrte prej andej Uashingtonin, Berlinin, Londrën e Vjenën, sigurisht nëse këto kryeqytete do ta toleronin iniciativën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Gjasat janë që të mos e tolerojnë dhe të dallojnë komplotin e tij, të cilit i vjen në ndihmë zoti Rama. Por ky I fundit nuk është në gjendje t’i kundërvihet ish-homologut të tij serb dhe projekteve të tij antishqiptare. Nuk i kundërvihet, sepse të gjithë të majtët shqiptarë, që nga Noli, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Fatos Nano e deri tek Rama janë joshur gjithnjë nga sllogani “Ballkani ballkanasve” dhe marrëzia e dakortësisë për të nxjerrë jashtë gadishullit tonë Fuqitë e Mëdha proshqiptare dhe për të pranuar prezencën e Perandorisë Ruse. Nuk po radhis këtu faktet e shumta bazuar në dokumente arkivore, të cilat e dëshmojnë këtë. Rama nuk i kundërvihet kësaj formule, pra asaj që pretendohet si Aleancë e Re e vendeve të Ballkanit Perendimor, por që nuk është tjetër veçse Aleancë që synon të krijojë një Jugosllavi të Re me vendet e ish-Jugosllavisë, minus Sllovenia e Kroacia dhe plus Shqipëria, sepse tashmë nuk ka kredite të kundërshtojë projektet dhe planet e Aleksandër Vuçiç. Në Sarajevë kryeministri serb e provokoi dhe e paralajmëroi zotin Rama, duke i nxjerrë në publik një dakortësi të fshehtë midis tyre. Dhe ne nuk jemi në dijeni të shumë marrëveshjeve të tjera të fshehta midis tyre. Shpalosja e qëllimeve të hapura nga ana e presidentit të ri serb për “Tregun e Përbashkët Ballkanik” dhe krijimin e një Jugosllavie të Re do të duhet të jetë një sinjal tjetër se Edi Rama mund të shpëtojë, çka mund të shpëtojë, vetëm nëse jep dorëheqjen, madje pa kthim, pa kërkuar më si person ndonjë mandat tjetër për qeverisjen e vendit. Vetëm në këtë rast ai ka shansin që të mbyllë në kasafortën e Vuçiç për një fare kohe pazaret antishqiptare që kanë bërë në këto katër vite, shumë prej të cilave mbajnë vulën e diletantizmit të kryeministrit tonë në diplomaci ose të egoizmit të tij për protagonizëm. Tiranë, më 06.04.2017

Filed Under: Opinion Tagged With: e Jugosllavisë si projekt i marrëveshjeve, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, Rama-Vucic, Republika e Re

SHQIPËRIA NË NATO: NJË PIKË E SHKËLQYESHME E HISTORISË POST-KOMUNISTE

April 5, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

nato_0Këtë javë, Shqipëria shënoi 8-vjetorin e antarësimit të saj në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO.   Po t’i hedhim një vështrim zhvillimeve politike të mbrendshme dhe të jashtme të Shqipërisë post-komuniste deri më sot, besoj se antarësimi i saj në NATO mbetet gjithnjë si zhvillimi më me rëndësi dhe arrijtja kulmore e këtij çerek shekulli në përpjekjet shekullore të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar për t’iu bashkuar organizmave ushtarake dhe politike perëndimore.  Në të vërtetë, ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha  e ka cilësuar me atë rast, antarësimin e Shqipërisë në NATO si akti më me rëndësi në historinë pothuaj të 100-viteve të fundit të vendit të tij.  Si do që ta merrësh, ngritja e flamurit të Gjergj Kastriotit – Skënderbe — para kryeqëndrës së NATO-s në Bruksel — duke u valvitur krenarisht aty pranë flamurit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është me të vërtetë një arritje historike, për të cilën — megjithë grindjet dhe mosmarrveshjet që kanë karakterizuar jetën politike të vendit gjatë këtyre 25-viteve të fundit — të gjithë shqiptarët pa dallim, krenohen.

Presidenti Xhorxh W. Bush, duke nënshkruar protokollin në tetor të vitit 2008 — një ceremoni kjo që shënoi mbështetjen zyrtare të Shteteve të Bashkuara për antarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO, para antarësimit zyrtar, prillin e vitit 2009 — ai përshëndeti antarësimin në aleancën e NATO-s, të këtyre dy vendeve të cilat, tha ai, kanë qenë, për pothuaj një gjysëm shekulli, “nën sundimin e egër komunist”.  “Ne po forcojmë partneritetin e Amerikës me kombet që dikur kanë qenë nën këthetrat e komunizmit”, është shprehur në atë kohë udhëheqsi amerikan.  Ish-Presidenti Bush, pat deklaruar gjithashtu gjatë nënshkrimit të protokollit në Shtëpinë e Bardhë, se “Menjëherë pasi Shqipëria dhe Kroacia të bëhen zyrtarisht anëtare të NATO-s (gjë që ndodhi korrikun e vitit 2009), popujt e tyre duhet t’a dinë se nëqoftse ndonjë shtet kërcënon sigurinë e tyre, çdo anëtar i aleancës tonë do të jetë pranë tyre, për t’i mbështetur.”   Ndërsa, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s de Hoop Scheffer e pat cilësuar me atë rast antarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë si, “Një përfitim për NATO-n, si një masë që do të forcojë përpjekjet e përbashkëta në ruajtjen dhe promovimin e sigurinë dhe të stabilitetit”, të vendeve anëtare dhe Evropës, është shprehur ish-udhëheqsi i lartë i alaencës perëndimore.

Për tetë vjetë tani, Shqipëria, si antare e NATO-s gëzon përfitimet por edhe ndanë me 28-vendet anëtare përgjegjësitë e mbrojtjes së përbashkët.8-vjetori i antarësimit të Shqipërisë në NATO u shënua dhe u përshëndet  në Shqipëri, si një ngjarje historike. Vihet re deklarata e Presidentit të Republikës dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Z. Bujar Nishani si dhe paraqitja me këtë rast e Ministres së Mbrojtjes, Z-njës Mimi Kodheli dhe Ministrit të Punëve të Jashtme Z. Ditmir Bushati në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, për një bashkëbisedim me studentët, mbi rëndësinë që ky anëtarësim ka për Shqipërinë, por edhe për detyrimet e vendit ndaj aleancës.   Presidenti Nishani theksoi në deklaratën e tij se, “Tetë vite më parë, Shqipëria arriti të bëhej me meritë pjesë e Aleancës më të madhe politiko-ushtarake që ka njohur njerëzimi, duke u shndërruar në saje të reformave të ndërmarra, edhe të mbështetjes së pakursyer të aleatëve tanë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga një vend konsumues të sigurisë, në një vend që jo vetëm prodhon siguri, po jep kontributin e vet të qenësishëm në ruajtjen, lartësimin dhe promovimin e vlerave dhe parimeve botërore të hapësirës së lirisë e demokracisë anembanë botës”, nënvijoi Kryetari i shtetit Shqiptar. Presidenti Nishani shprehu krenarinë e vendit të tij për këtë arrijtje historike duke deklaruar se,  “Në historinë e gjatë e të vështirë të popullit shqiptar, anëtarësimi në NATO është arritja më e madhe historike, dhe merita e suksesi u takon të gjithëve që kontribuuan e vazhdojnë të kontribuojnë me dinjitet, duke bërë që flamuri kuq e zi të valëvitet krenar në Bosnje dhe Hercegovinë, Irak, Afganistan dhe kudo ku trupat paqeruajtëse dhe misionet e Aleancës shërbejnë me profesionalizëm e përkushtim”.

Ndërsa në fjalën e saj para studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, me rastin e 8-vjetorit të antarësimit të Shqipërisë në NATO, sipas portalit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, Ministrja Kodheli solli në vëmendje punën e Forcave të Armatosura, puna e përditshme e të cilave siç tha ajo, jo domosdoshmërisht ndihet siç ndihen shërbimet e tjera që shteti sjell.   Ajo përmendi praninë e Forcave të Armatosura pranë qytetarëve brenda vendit, por theksin e vuri te pjesëmarrja në misionet ndërkombëtare që rrjedhin si detyrim i të qenit vend anëtar i NATO.  Shqipëria është prezent në të gjitha misionet NATO, tha ajo, ka dyfishuar prezencën e saj në Afganistan, ka dyfishuar prezencën e saj në KFOR në Kosovë, është prezent në misionin e NATO në detin Egje, ku për herë të parë Shqipëria merr pjesë në një mision detar dhe është prezent në të gjitha strukturat komandë të NATO, kudo ku NATO me strukturat e saj është prezent.” – u tha ministrja Kodheli studenëve të Universitetit të Tiranës.

Zyrtarisht, Shqipëria u bë anëtare e Aleancës NATO më 1 prill, 2009 kur ambasadori i saj i paraqiti Departamentit Amerikan të Shtetit protokollet e ratifikuara për antarësim dhe në një ceremoni  zhvilluar me 4 prill, 2009, Shqipëria zuri vendin e saj në tavolinën e rrumbullakët gjatë mbledhjes së nivelit të lartë të aleancës në Strasbourg të Francës.

Tetë vjetë më parë në rastin e Shqipërisë, por edhe sot, sipas analistëve dhe ekspertëve të NATO-s, antarësimi i një vendi në Aleancën e Atlantikut Verior, dërgon një sinjal se vendi ose vendet për të qenë të denja të antarësimit në NATO, duhet të jenë stabile, sidomos përsa i përket gjëndjes së mbredshme politike.  Tetë vjetë më parë, shumë vërejtës kishin shfaqur shqetësimin e tyre në lidhje me sfidat, me të cilat përballej Shqipëria në atë kohë, sidomos sfidat që kanë të bëjnë me reformat politike, institucionale, elektorale dhe juridike.  Megjithëse janë shënuar përparime gjatë viteve, duke marrë parasyshë situatën aktuale politike në Shqipëri, lind pyetja pot ë bënte lutje sot Shqipëria për antarësim në NATO, a do të miratohej nga NATO dhe vendet përkatse, përfshirë Shtetet e Bashkuara.  Në këtë 8-vjetor të antarësimit në NATO, mund të themi me bindje se nuk ka dyshim që antarësimi i Shqipërisë në NATO të ketë kontribuar në përmirsimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë – falë Forcave të Armatosura të Shqipërisë – dhe pa dyshim ka kontribuar edhe në stabilizimin e gjëndjes në rajon dhe në sigurinë e përbashkët në kontinentin evropian dhe më gjërë.

Por a mund të thuhet në këto 8-vjetë antarësimi — e sidomos sot — nëse Shqipëria dhe forcat politike të saj brenda vendit po mbështesin dhe po promovojnë vlerat demokratike dhe reformat e nevojshme për një vend të NATO-s, të cilat janë kushte të doemosdoshme të antarësimit në Aleancën Perëndimore?   A është mësuar gjë nga antarësimi prej 8-vjetësh i Shqipërisë në NATO dhe mënyrës se si funksionon kjo aleancë?  NATO nuk mund të marrë asnjë vendim pa konsultime me të gjithë dhe pa patur “konsensusin” e të gjithë anëtarëve!  A është ky një mësim për klasën politike shqiptare, që si përgjegjëse për fatin e kombit, të pakën të konsultohen mbi disa çështje jetike për vendin dhe kombin, duke pasur   parasyshë, mbi të gjitha, të mirën e përbashkët dhe sigurinë e të gjithë shqiptarëve.  NATO si organizatë shumëkombshe angazhohet për zgjidhjen paqësore të mosmarrveshjeve dhe konflikteve.  Është e nevojshme që — në këtë 8-vjetor të antarësimit në NATO, klasa e sotëme politike, përfaqsuese e Shqipërisë, anëtare e plotë me të drejta dhe përgjegjësi të plota në Aleancën e Atlantikut Verior – t’a pyes veten nëse në marrëdhëniet midis tyre, si individë dhe si parti,  po sillen ashtu siç meriton kjo organizatë dhe ashtu siç u ka hije shqiptarëve?  Qeveria shqiptare duhet ta pyes veten, a janë këto standardet e NATO-s, anëtare e të cilës është Shqipëria dhe a janë këto standarde të Bashkimit Evropian, pjesëtare e së cilës shpreson të bëhet?

Le të shërbej ky 8-vjetor i antarësimit të Shqipërisë në NATO për një reflektim  serioz politik dhe vëllazëror, për mënjanimin e një krize në institucionet politike të vendit, duke u konsultuar si vëllai me vëlla, mbi mënyrat se si të dilet nga ky realitet i zi, me të cilin përballet vendi.

Filed Under: Opinion Tagged With: e historise, Frank shkreli, PIKË E SHKËLQYESHME, POST-KOMUNISTE, SHQIPËRIA NË NATO: NJË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 498
  • 499
  • 500
  • 501
  • 502
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË
  • Albanian Soul, Electric Heart – Rozita Fishta’s Music Explorations
  • Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme
  • AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM
  • Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet
  • Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë
  • PRESIDENTI WILSON NË FILATELINË SHQIPTARE
  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT