• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tragjikja e elitës politike shqiptare në Maqedoni

December 13, 2016 by dgreca

1-arben-llalla-250x299Nga Arben LLALLA/Zgjedhjet që u mbajtën në Maqedoni më 11 dhjetor 2016, treguan edhe njëherë tragjiken e elitës së politikanëve shqiptarë, të cilët pjesa në shumicë dërrmuese janë nën nivelin e mesatares intelektuale. Kanë nga një diplomë të merituar të shkollës së mesme e nga një diplomë universiteti të pamerituar. Këto zgjedhje vërtetuan edhe një herë se kryeneçësia është virusi që përçan shqiptarët, parë kjo në mosbashkimin e opozitës, e cila po të ndodhte do fitonin të paktën 12 deputetë.

Pas përfundimit të zgjedhjeve, kur u vu re se shqiptarët morën 20 deputetë duke humbur 7, filluan misionarët andej dhe këtej kufirit që paguhen rëndshëm nga partitë politike dhe organizatat e huaja, të çirren se fajin për uljen e numrit të deputetëve e kanë partitë e reja, të cilat përçanë votën shqiptare. Por, askush nga komentatorët e Tiranës dhe Prishtinës nuk duhet të fajësojë votuesit shqiptarë në Maqedoni për uljen e numrit të ligjvënësve shqiptarë dhe votën e dhënë për LSDM. Prej kaq vitesh “misionarët” e Tiranës dhe Prishtinës vetëm u kanë bërë dëm shqiptarëve në Maqedoni duke i shitur për pak euro. Shqiptarët e Maqedonisë votuan si fëmija që babai e harron dhe njerku kujdeset më shumë se i ati. Përderisa nuk e njihni shpirtin mikpritës, miqësor, paqedashës dhe atdhedashës të popullit të thjeshtë, askush se ka të drejtën t’i akuzojë për tradhti kombëtare. Tradhtare është klasa politike shqiptare si këtej dhe andej kufirit, e cila prej kaq motesh bën tregti me Çështjen Kombëtare.

Shqiptarët e Maqedonisë për ndryshim nga shqiptarët e Tiranës dhe Prishtinës nuk janë agresivë, luftënxitës apo të padëgjueshëm ndaj vëllezërve më të mëdhenj, atij tiranas dhe prishtinas. Këtë herë shqiptarët e Maqedonisë votuan kundër së keqes, kundër dhunës dhe kërcënimeve që prej shumë vitesh u ka bërë qeveria e poshtër VMRO-BDI dhe indiferentizmi i PDSH. Kuptohet që është vështirë të rrëzohet brenda natës BDI, partia e cila prej vitit 2002 është pjesë e qeverive të Maqedonisë në pushtetin qendror dhe vendor.

Me votën e tyre shqiptarët në drejtim të LSDM, treguan se ata mund të votojnë edhe partitë sllavo-maqedonë, nëse këto forca politike ofrojnë më shumë paqe, rritje të ekonomisë dhe stabilitet të shtetit për të ardhmen e qytetarëve. Dikush mund t’i akuzojë këta votues për “tradhëti kombëtare”, por askush nuk ka të drejtë të akuzojë votuesit shqiptarë të LSDM, kur shikon pas historinë tragjike të qeverisë VMRO-BDI, e cila ka vrarë, burgosur dhe rrënuar ekonomikisht shqiptarët. Skenari i Brodecit të gjithë e dinë se ishte skenar i VMRO-së, BDI-së dhe Beogradit. Këtë s’e them unë, por e ka thënë qysh në atë kohë kryeministri i Kosovës, Agim Çejku dhe kryetari i Shqipërisë, Bamir Topi. Botimi dhe ribotimi i Enciklopedisë së Akademisë së Shkencave të Maqedonisë që i nxirrte shqiptarët ardhacakë dhe njerëz të këqinj, është një tjetër vepër ogurzezë për t’u shënuar. Montimi i rastit të Mostrës, ku skenarin e bëri VMRO me dijeni të BDI-së. Vrasjet e pa zbardhura të Isa Likës, Harun Aliut e shumë shqiptarëve të tjerë rëndojnë mbi partinë shqiptare BDI. Skenari i Kumanovës ka për regjizor VMRO-BDI, sepse është vërtetuar nga shërbimet e huaja që kjo tragjedi u gatua nga dy partitë qeverisëse për të mbajtur sa më gjatë pushtetin, duke përhapur panik tek qytetarët. Por, për fatin e mirë falë shërbimeve të huaja, dobiçi u mbeti në derë. Për shumë vjet partia shqiptare në pushtet, BDI miratoi ligje antishqiptare qoftë kundër gjuhës shqipe, kundër Abetares, kundër flamurit kombëtar, të cilin e kanë shëmtuar dhe zvogëluar me ligj deri në 30 centimetër. Me kartonët e BDI-së u ngritën përmendoret Shkupi 2014, pa folur për tjetërsimin e historisë krenare shqiptare në Maqedoni.

Përgjimet e jashtëligjshme të bërë nga qeveria VMRO-BDI, tregojnë se jetët e qytetarëve në Maqedoni vëzhgoheshin në çdo aspekt të privatësisë. Këto përgjime nxorën në pah edhe jetën private të drejtuesve të lartë të BDI, ku vrima e çelësit rrëfen për epshet seksuale midis tyre, lesbike, homoseksuale e kështu me radhë. Nëse këto përgjime do i tregohen masës së gjerë të popullit do ishte një turp i madh për klasën politike shqiptare, sepse janë përgjuar edhe drejtues të lartë të Shqipërisë dhe Kosovës.

Për disa vjet bizneset, sidomos ata shqiptare u gjobitën rëndë nga inspektorët e shtetit për të mbushur arkën partiake. Kujtojmë gjobat nga 3.000-200 mijë euro. PDSH si parti opozitare me heshtjen e saj u bë palë me qeverisjen e keqe, ku fjalori i ferrarit të mbrapshtë çoji në tkurrjen historike të kësaj force politike.

Me pak fjalë të gjithë këto të zeza prodhuan formimin e partive të reja opozitare dhe e nisën votën shqiptare në drejtim të LSDM. Prandaj, nuk duhet faqësuar asnjë qytetar që votoi LSDM apo që nuk doli për të votuar a votoi BESA-n dhe “Aleancën për Shqiptarët”.

Vota e 11 dhjetorit e shqiptarëve në Maqedoni në humbjen e numrit të deputetëve shqiptarë dhe në forcimin e LSDM ka anët e saja pozitive, sepse i prish rehatinë pushtetit absolut afatgjatë të BDI-së dhe heshtjen e opozitës së PDSH-së. Tani partitë shqiptare BDI, BESA, “Aleanca Shqiptare” dhe PDSH, kanë mundësinë e artë që të tregohen të mençur dhe kombëtarë duke bashkuar votat e tyre për qeverinë e LSDM-së, por me kushtet si: realizimi i Marrëveshjes së Ohrit (dy gjuhësia, flamuri, të drejtat e barabarta kombëtare dhe qytetare), pension për familjet e dëshmorëve, rikthimi i librit të Abetares. Të gjitha këto të jetësohen brenda një viti. Më tej, ndërrimi i emrit kushtetues, flamuri dhe Kushtetuta e Maqedonisë, ku qytetarët do jenë të barabartë si sllavo-maqedonët, shqiptarët, serbët, turqit, vllehët, romët e të tjerët. Duhet ngulmuar patjetër në anëtarësimin e Maqedonisë në NATO brenda tre muajve dhe hapja e bisedimeve për anëtarësimin në BE. Fati i shqiptarëve të Maqedonisë nuk është më në duar tëpartive vasale shqiptare, por tek vota e tyre që ia garanton ligji, ndërsa fati i ekzistencës dhe përparimit të Maqedonisë ndodhet këtë herë në duart e partive shqiptare.

E pra, të shpresojmë që do të bëjnë historinë të gjithë bashkë këtë herë BDI, BESA, Aleanca dhe PDSH duke lënë mënjanë për pak kohë mëritë personale. Prandaj, askush s’e ka të drejtën të akuzojë shqiptarët në Maqedoni për “tradhti kombëtare”, nëse kanë votuar LSDM-në dhe është ulur numri i deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë, sepse shqiptarët e Maqedonisë vërtetë janë të urtë e të heshtur përpara llafazanëve të Tiranës e Prishtinës, por janë të mençur dhe punëtorë. Ju rikujtojmë se ishin shqiptarët e Maqedonisë ata që kanë mbajtur peshën kombëtare që nga organizimi i Kongresit të Manastirit, Ministrinë e Mbrojtjes së qeverisë së parë të Ismail Qemal Vlorës, mbajtën peshën ekonomike të pas viteve 1990 në Shqipëri, si dhe të 1997 e luftën e Kosovës. Prandaj, kurkush nuk ka të drejtë të nënvlerësojë këtë popull me virtyte të larta morale, humane dhe kombëtare.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, shqiptare në Maqedoni, Tragjikja e elitës politike

NJË VIT PA IMZOT RROK MIRDITËN

December 12, 2016 by dgreca

 

1 Imzot mirdita me Papen Gj Pal (2)

Nga Frank Shkreli/ Ja u mbush viti kur u përhap lajmi pikëllues se Arkipeshkvi i Metropolitanës Tiranë – Durrës, Monsinjor Rrok Mirdita kishte ndërruar jetë pas një operaconi të rëndë në zemër.  Ishte një vdekje e parakohëshme dhe e pa pritur që shkaktoi hidhërim të thellë në radhët e të gjithë atyre që e kishin njohur atë, jo vetëm në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan ku kishte shërbyer me përkushtim për pothuaj 30-vjetë — para se të emërohej nga Papa Gjon Pali i Dytë  në vitin 1992 Arkipeshkëv i Durrës – Tiranë, por edhe  ndër shumë shqiptarë të gjitha feve anë e mbanë trojeve shqiptare të cilët e kishin njohur gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij prej pothuaj gjysëm shekulli.  Me të gjithë, ai kishte lenë vetëm kujtime mbresëlënse, për punën e tij si përfaqsues i lartë i Kishës Katolike, por edhe si shërbestar i popullit shqiptar pa dallim feje a krahine, me përkushtim ndaj fatit të Atdheut të tij dhe shqiptarëve kudo.

Si njëri prej atyre shqiptarëve që u pikëlluan nga humbja e Mons Mirditës, edhe unë si bashkvendas, bashkatdhetar dhe bashkvuajtës në mërgimin e largët — për një kohë edhe bashpuntor i tij pranë Qendës Katolike Shqiptaro-Amerikane në New York në vitet e para pas ardhjes së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin megjithëse larg me detyrë në Washington — mbajsha kontakte të rregullta me të.  Si i tillë, në këtë përvjetor të parë të ndarjes së tij nga kjo jetë, së bashku me komunitetin shqiptaro-amerikan e ndjejë hidhërimin e thellë për këtë humbje të madhe për të gjithë ne, por sidomos për ata që e kanë njohur nga afër, jetën e të cilëve ai ka prekur më drejtë për drejtë, në një mënyrë ose në një tjetër, duke lënë mbresa të paharruara dhe të pashlyeshme në të gjithë ne.   Mons Rrok Mirdita, ishte gjithmonë i gatëshëm të shërbente, jo vetëm me shërbime e ceremoni fetare, por ishte i pranishëm pranë komunitetit dhe me komunitetin edhe në  raste të ndryshme familjare, shoqërore, shoqërore dhe atdhetare.   

Në këtë pëvjetor të kalimit të tij në amshim, unë dhe të gjithë ata me të cilët Mons Mirdita ka punuar ose që e kanë njohur për së afërmi e kujtojmë,  i jemi mirënjohës dhe përulemi me respekt kujtimit të tij, në shënjë nderimi të thellë për miqësinë, këshillat dhe për rolin që ai ka luajtur në jetën tonë këtu në komunitetin shqiptaro-amerikan, në Shqipëri si udhëheqës i Kishës Katolike shqiptare pas shëmbjs së komunizmit dhe më heret në karieren e tij, në trojet shqiptare nën Malin e Zi. Natyrisht, se ai do të mbahet mend për aktivitetin shumë të frutshëm të tij fetar dhe atdhetar prej tri dekadash këtu në Shtetet e Bashkuara, por besoj se historia do të kujtojë këthimin e tij në Atdhe dhe veprimztrainë e tij fetare në ringjalljen e Kishës Katolike në Shqipërinë post-komuniste, ku siç komentoi edhe Radio Vatikani me këtë rast, ai “Vuri themelet e rilindjes së Kishës Dioçezane të Tiranë-Durrësit e jo vetëm, në një periudhë jashtëzakonisht të veçantë e të vështirë për shumë arsye e rrethana, duke orientuar popullin udhës së Zotit dhe shoqërinë e re demokratike shqiptare drejt atyre vlerave që janë të doemosdoshme për një demokraci të mirëfilltë.”  

Mons. Rrok Mirdita e donte popullin shqiptar, të cilit i shërbeu gjithë jetën me durim, largpamësi e përkushtim.  Ai e donte popullin shqiptar, sepse me të — nepër rrugët e mërgimit dhe në trojet shqiptare në Ballkan — kishte përjetuar vuajtjet dhe mundimet, të mirat e të këqiat, gëzimet dhe hidhërimet, lindjet dhe vdekjet.   Prandaj si Bari e Prijës shpirtëror, në cilatdo rrethana, shpesh tepër të vështira, Mons Mirdita, bëri gjithçka mundi duke i ndjenjur afër dhe duke i prirë popullit në udhën e Zotit e në mbështetje të atyre vlerave  shpirtërore, kulturore, kombëtare e shoqërore, që e dallojnë kombin shqiptar, duke theksuar problemet e duke propozuar udhën për t’i bërë ballë sfidave, gjithmonë  duke pasur si qëllim e synim të mirën e popullit të vet dhe të Kishës që i shërbente.

Radio Vatikani kujtoi 1-vjetorin e kalimit në amshim të Mons Rrok Mirditës, por ky përvjetor nuk u harrua as këtu në Shtetet e Bashkuara, ku Mons Rrok Mirdita u ka shërbyer mërgimtarëve shqiptarë pa dallim duke u gjend afër tyre për nevojat e tyre familjare, shpirtërore, kulturore dhe atdhetare për pothuaj një çerek shekulli. Të mërkurën që kaloi,  Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” në Scarsdale të New Yorkut mbajti një meshë përkujtimore për të ndjerin Imzot Rrok Mirdita.  Para pjesëmarrësve, kujtuan Mons Rrok Mirditën me fjalën e tyre famullitari i kishës Dom Pjetër Popaj, Diakoni Marash Shkreli dhe nipi i Monsinjorit, Edi Mirdita si përfaqsues i familjes.  Por fjalën kryesore të rastit e mbajti Tonin Mirakaj, mik  i vjetër dhe bashkpuntor i ngushtë i Mons Rrok Mirditës gjatë viteve, i cili ndër të tjera tha:

“Nuk eshtë e lehtë të pranojmë se nuk e kemi më në mesin tonë, mikun, dashamirsin, pjestarin e familjes, udheheqsin guximtar dhe të vendosur.  Për shumë prej nesh, bashkëpuntorin e 20 viteve (1973-1993) I cili me dedikim, vullnet dhe dashuri, shërbeu në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”.  Si besimtarë, jemi të vetdijshëm se Imzot Rroku është pranë Atit të gjithpushteshëm të cilit ai i ka shërbyer me korrektesë dhe devotshmëri, të gjithë jetën e tijë.

Imzot Rroku vazhdon të jetojë në kujtimet tona, jeton në historinë e veprës së tijë, në shërbim të Zotit dhe njerëzimit.  Jeton në historinë e lavdishme të Kishës Katolike Shqiptare të New Yorkut.  Jeton në historinë e bashkimit të dy Qendrave Katolike shqiptare, bashkim që solli forcën ekonomike, e cila bëri të mundur kalimin nga South Bronx, në një ndër vendet më të preferuara të lagjës Westchester dhe në themelimin e famullisë “Zoja e Shkodres”, me të drejta kanonike dhe ligjore si çdo famulli e vendit – të cilën e gëzojmë na sot e do t’a gëzojnë breza të ardhëshëm të shqiptarëve në New York.   Ai jeton gjithashtu në historinë e Kishës Katolike në Shqipëri, të cilës i shërbeu për afër 23 vjet, ku arriti suksese monumentale në ringjalljen shpirtërore të njerzëve, në rindërtimin e Kishës që e gjeti në gjendje të mjerueshme, gati krejtësisht të shkatërruar; në arsim nga shkolla elementar e deri e tek Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, në shëndetsi, klinika, spitale dhe shërbime të tjera sociale.  Ai jeton në kujtimin e një populli që vuajti tmerrin e një regjimi të mbrapsht dictatorial komunist, për afër një gjysem shekulli.  Dhe ajo që kurorëzon arritjet e veprimtarisë së tij tijë është ndërtimi i Katedrales së “Shën Palit”, në qënder të kryeqytetit  të Atdheut tonë, në Tiranë.  Përpjekjet e Tija kishin vetëm një qëllim: Ndërtimin e një Shqipërie me Zotin. Një Shqipëri për të gjithë shqiptarët.

Gjatë njoftësisë, bashkëpunimit dhe miqësisë personale me Imzot Rrokun, kam formuar bindje se ai kishte largpamje dhe vizion profetik.  E parashifte të ardhëmen me qartësi.   Gjithëka e profetizojë u realizua në të dy anët e Atlantikut!   Në vizitën e parë që bëri në Shqipëri, mbas rënjes së diktaturës si prift i thjeshtë, Dom Rroku bashkë me mikun e tijë Djakonin Marash Shkrelin, nga një dritare e hotel Dajtit sheh një fushë që në atë kohë ishte bosh.  I thotë Shkrelit: ‘Sa i mirë duket ky vend, për një Katedrale’!  Në atë kohë nuk i shkonte në mend atij dhe as kujt tjetër se do të  ishte pikërisht Dom Rrok Mirdita, ai që pak më vonë do shugurohej Arkipeshkëv i Durrësit dhe Tiranës dhe se pikërisht  aty në atë vend që profetizojë nga dritarja e hotel Dajtit ishte ai që do të ndërtonte Kathedralen e sotëme të Shën Palit!

Imzot Rrok Mirdita kishte veti prej udhëheqsi që në moshë të re.  Këto veti ai i përfeksionoi me studime teologjike e filozofike të cilat e pasuruan me një kulturë klasike europiane, që bashkë me vullnetin e tij të çeliktë dhe besimin e pa tundur tek i Lumi Zot, mundi të arrijë suksese të shkëlqyeshme në dobi të Kishës Katolike, në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve, kudo që gjënden mbrenda dhe jashtë atdheut. Një histori e vertetë, e shkruar eventualisht nga persona kompetent do e shenojë emrin e tijë me germa të arta!

Në një e-mail që më dergojë pak ditë më parë, miku i jonë i përbashkët i perndershmi Dom David Gjugja, mbasi komenton shumë favorshëm për shkrimin : “Imzot Rrok Mirdita, pesonalitet i shquar i Kishes Katolike”, botue këtu, në Shqipëri dhe në faqen e Internetit të  Radio Vatikanit, ndër të tjera shkruan:

“Monsinjor Mirdita kishte një njohuri të thellë të historisë së popullit të vendit vet. Jo vetëm historinë, por aj njifte mirë shpirtin e popullit Shqiptar, ja dinte ëndërrat, dhimbjet, vuajtjet, synimet, dredhiët, të mirat dhe të këqijat. Prandej si bari e prijës shpirtëtor,bëri gjithëçka për t’i prirë popullit në rrugën e Zotit, e të atyre vlerave që janë shpirtërore, duke pasë për qëllim e synim të mirën e popullit dhe të Kishës.

Perveç asaj që ka bërë me ju në mesin tuaj e për ju (Për kishen tonë në NY) Monsinjor Rroku do mbetet si Kryeipeshkev largpamës, i  urtë, i vendosur, i qëndrueshëm, plot durim, i përzemërt, i afërt, e  i matur me të gjithë. Ai vuri themelet e rilindjes së Kishës dioçesane të Tiranë-Durrësit, në një periudhë jashtëzakonisht të vecantë dhe të vështirë për shume arsye e rrethana, duke orientuar popullin drejt udhës së Zotit dhe shoqërinë e re demokratike shqiptare drejt atyre vlerave që janë të doemosdoshme për një shoqëri demokratike të vërtetë. Dinte çka thoshte, kujt ia thoshte, pse ia thoshte e ku donte të dilte me fjalën, mesazhin, udhëzimin dhe me orientimin që i jepte kujdo!”

Ai, ishte dhuratë e Zotit për Kishën, për Shqipërinë, për komunitetin tonë të këtushëm, për familjen, miqët e bashkëpuntorët e tijë. E falenderojmë Zotin që e patëm në mesin tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi i Imzot Rrokut!

Tonin Mirakaj përfundoi fjalën e tij duke bërë thirrje për organizimin e një simpoziumi shkencor ku do të merrnin pjesë personalitete të shquara të fesë, letërsisë dhe kulturës kombëtare, për të folur më gjërësisht për veprimtarinë fetare, kulturore dhe atdhetare të Imzot Rrok Mirditës, ashtu siç e meriton figura e tij.

Në këtë përvjetor të parë të largimit të Imzot Rrok Mirditës nga kjo botë kujtojmë pra, humbjen e madhe të një udhëheqsi kishtar, i paisur me cilësi të një prijsi të palodhur i pa shkurajuar kurrë përball vështërsive, i hyri punës me gjoks.  Si burrë i mirë me shokë shumë, me ndihmën dhe mbështetjen e shumë përkrahsëve, ai kapërceu vështirsi të panumërta, këtu në Amerikë por edhe më shumë në Shqipëri.  Unë, e besoj shumë të tjerë që e kanë njohur ose që kanë punuar me të ndjerin, do të ushqejmë dhe do të ruajmë, sa të jemi gjallë, mirënjohje për miqësinë, bashkëpunimin e këshillat dhe për trashëgiminë e tij fetare, kulturore dhe kombëtare që la pas – trashëgimi kjo që besoj se do të sjellë punë të mbara, për Kishën Katolike në Shqipëri dhe në dobi afatgjatë për mbarë kombin shqiptar.  Në këtë përvjetor të vdekjes së tij, jo vetëm ne që e kemi njohur, por edhe Kisha Katolike dhe bota shqiptare në përgjithësi, kujton një frymëzues dhe organizator të palodhur nismash jo vetëm fetare, por edhe kulturoro-kombëtare, gjithmonë në përputhje me lartësimin e vlerave më të dalluara fetare dhe kombëtare të shqiptarëve.  Unë dhe shumë të tjerë që e kemi njohur për së afërmi Mons Rrok Mirditën dhe me të cilin, si indivdidë dhe si komunitet, kemi kaluar nepër disa shtigje të vështira, por edhe të lumtura gjatë dekadave të fundit, e ndjejmë rëndë mungesën e tij në këtë përvjetor të parë të kalimit të tij në amshim.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Nje vit pa Imzot, RROK MIRDITA

Mjerimi shoqëror, nxitës i krimit në familje

December 10, 2016 by dgreca

1-rajmondaNga Raimonda MOISIU/Dhuna në familje është tashmë një çështje serioze në shoqërinë e sotme shqiptare, dramë njerëzore e sociale,  e cila po neglizhohet dukshëm nga shoqëria dhe drejtësia. Kjo lloj dhune prek gruan dhe anëtarët e familjes e të gjitha moshave. Kur dhuna është e pranishme në familje,  gruaja dhe fëmijët janë të parët që preken e lëndohen, keqtrajtohen dhe vriten. Për aq kohë, sa jeta e gruas dhe e fëmijëve është e pasigurtë  në komunitet e shoqërinë tonë, të gjithë ne si shoqëri jemi të pasigurtë. Lufta kundër dhunës ndaj gruas, krimit në familje dhe mbrojtja e fëmijëve (ardhmërisë), është sfida e një shoqërie demokratike. Ngjarjet monstruoze dhe horror të krimit ndaj gruas, fëmijëve dhe familjes, kanë tronditur mbarë opinionin publik shqiptar në çdo qelizë të saj dhe janë në  pikën më kritike në  vendin tonë, përgjatë gjithë vitit 2016-ë.  Natyra e krimeve horror të  dhunshme, që ndodhën fundjavën e kaluar,  me vrasjen e një gruaje, hedhjen e bashkëshortes dhe  nënë e  dy fëmijëve nga kati i katërt, Liljana Rukos në Fier, dhe krimit tjetër monstruoz mbytja në gjumë i të miturve në familjen  Toshi, Korçë, konstaton dukshëm shkallën e aktivitetit kriminal të dhunshëm e krimit të egër,  ku shpërbërja e familjes mendoj se është shkaku themelor i kushteve social-ekonomike, varfërisë afatgjatë dhe varësisë së saj në përqindjen më të madhe ndaj krimit.  Këto lloj krime horror tregojnë se sa kokëfortë është realiteti i dhimbshëm i katastrofës morale dhe sociale,  në një botë e shoqëri, ku po lulëzon agresiviteti, urrejtja, hakmarrja, dhunë fizike dhe verbale, sharje, frikë, tmerr monstruoz,  dramë dhe dhuna mashkullore e shpeshtë dhe e pandalshme ndaj grave dhe familjes, degradimin e dhunëshëm të përsonave që janë pjesë e familjes, njëkohësisht edhe  pjesë  e shoqërisë, përballja e këtij realiteti  me obskurantizmin e mentalitetit shqiptar dhe pasojat e  mjerimit shoqëror,-si nxitës të krimit në familje. Mjerimi  moral lind Trishtimin! Mjerimi shoqëror nxit Krimin! E ndryshoka njeriun këtë qënie njerëzore e hyjnore me kaq shpirt  të bukur. Sa shumë janë shtuar të mjerët  në atdheun tim! Bashkë me varfërinë e tyre dhe trishtimin, ulëritjet e përditëshme për të mbijetuar, janë rritur  edhe njerëzit me streset e ditës, nuk ekziton më shpirt, por ka deformim të trajtës jetësore dhe deformim të shpirtit njerëzor, një problem i mprehtë e therrës social e tragjedi njerëzore  mbarëkombëtare. Njerëzimi i botës moderne vazhdon të vrasë mendjen për t’i dhënë përgjigje një pyetje të thjeshtë. Është krejt e thjeshtë dhe merita e njerëzve të botës së artit, ku jeta ka përfshirë një pjesë prej nesh, është në formulimin e kësaj pyetjeje, përgjigja e së cilës shoqërohet me miliona e miliona argumente, që nuk rreshtin, sikurse janë objektet qiellore të universit. Cila është pyetja? Ja ta formuloj e shpjegoj në detaje; “Si është e mundur që atë qënie njerëzore, së cilës  bota njerëzore i ka thurrur aq poezi, këngë lirike, dhe dasme,-gruan- atë qënie po ashtu kjo botë njerëzore  përpiqet ta poshtërojë  në botën e pështirë të thashethemeve apo në punë, t’ia nxijë jetën veçmas në familje,  e dhunon fizikisht e verbalisht, ta gjymtojë e vrasë, ndërsa ata meshkuj sado xhahilë e të vrazhdë të jenë treguar kulturisht, kur është puna te këngët e poezitë e dashurisë, “dorëzohen’, duke i kënduar botës femërore me tinguj të dhimbshëm shpirti!

Kujt? Pikërisht GRUAS!

Kësaj jete njerëzore, të cilës i përgjerohen bijtë, dhe për të  janë gati të xhindosen meshkujt e elipsit të saj, vetëm sapo dikush të shprehë një sharje për të. Gruas, kësaj qënie që ka dëgjuar mijra e mijra vjet, fjalë përgjëruese dashnorësh të përvëluar për të, dashnorë që japin pasurinë, ofiqet, burrërinë deri dhe kanë tradhëtuar atdheun vetëm për të hyrë njëherë të vetme në shpirtin e saj.  Mirëpo lind pyetja dhe dilema: “Çfarë po ndodh me gratë e thjeshta punëtore apo shtëpiake që punojnë për familjet e tyre, rolet e tyre në familje e shoqëri, pështjellimi shpirtëror dhe përçmimi mashkullor, dhuna psikologjike dhe fizike, që ushtrohet ndaj tyre mes ndjenjës e nënshtrimit epshor dhe shfrytëzimi seksual i trupit, të fajshmes e së pafajshmes, rrahjes dhe masakrimit horror vrasës të tyre  nga bashkëshortët dhe meshkujt e tjerë të familjes  dhe jetës së tyre. Vrasjet e tmerrshme të Liljana Rukos dhe fëmijëve të familjes Toshi,  brenda një dite, janë tregues që bindin masën e gjerë të shoqërisë se dhuna ndaj grave dhe fëmijëve, është jo vetëm çështje sociale, por edhe një sinjal alarmi që duhet të shqetësojë më shumë se kurrë shoqërinë shqiptare. Sinjal që shteti, shoqëria civile, drejtësia  dhe shoqëria shqiptare të mos rrinë spektatorë, ndërsa dhuna shtohet në jetën e përditshme të grave, fëmijëve dhe krimit në familje. Dhuna ndaj grave dhe krimi në familje po kontribuon në shpërbërjen e familjes dhe në mungesën e respektit të dashurisë njerëzore për shenjtërinë e jetës në të gjitha kushtet dhe fazat e saj. Dominança e dhunës mashkullore dëmton familjet në të gjitha brezat,  mjeron dhe varfëron komunitetin, përforcon format e tjera të dhunës në shoqëri, kufizon rritjen ekonomike dhe minon zhvillimin. Ndaj të njëjtin mendim me miken time,  shkrimtaren e shquar Flutura Açka, e cila thotë se “ Dhuna në familje e vrasja e grave është një alarm mbarëkombëtar, por nuk është fenomen shqiptar!” Është mëse e vërtetë që nuk ndodhin vetëm në Shqipëri. Edhe këtu në Amerikë, ndodhin krime të tmerrëshme në familje, shuhet një familje e tërë nga njerëzit e familjes, biles  disa ngjarje horror familjare,  janë bërë lajme mediatike botërore, për nga dhunë psikologjike, verbale, fizike, masakrimi e deri te  vrasje e grave dhe fëmijëve. Po,  është mëse e vërtetë, sipas shkrimtares,  ka një ndryshim, në masat që merren jashtë! Sepse Te ne mbizotorën HESHTJA! Së pari ne duhet të thyejmë Heshtjen! Krime të tilla kthehen në diskutime psikologjike të krimit duke përfshirë rishikim të marrëdhënieve ndërmjet personalitetit, intelektit, sëmundjes mendore dhe sjelljes së dhunëshme, zgjedhje racionale e teori rutinë këto për shkakun e integrimit të krimit, që bëhen jo vetëm material për gazetat, analistët, shoqatat joqeveritare, drejtësinë e politikën, etj, por dalin në konkluzionin  se të gjitha veprimet e njeriut duke përfshirë edhe dhunën, vrasjen, masakrimin, injorancën, pedofilinë dhe perversitetin janë produkte racionale të vendimmarrjes në nivel individual! Por unë mendoj se  tendenca që po shohim në krimet e dhunëshme së fundmi në familje, ndaj gruas e fëmijëve  është e nxitur  kryesisht edhe nga një faktor tjetër; mjerimi shoqëror, që  për mendimin tim, është faktor nxitës i krimit në familje. Pra jeta e grave, vajzave, fëmijëve dhe e familjeve është tejet dramatike dhe forma më diskriminuese dhe shkelje e të drejtave të tyre, dhuna ndaj tyre shkakton mjerim shoqëror  të pallogaritur, shkurton jetën dhe gra të panumurta që i gërryen dhimbja e ankthi nën kërcënim e frikë për jetën e tyrë, të fëmijëve dhe të familjes.  Për gati dy dekada kam jetuar në një lagje me familjen Toshi, lagja nr 4 e Korçës, e njohur ndryshe edhe si Lagja e Birrës. Naum Toshin dhe familjen e tij i njoh shumë mirë. Sigurisht krimi horror që ai bëri, më  tronditi  shumë mua këtu në Amerikën e largët dhe jo vetëm qytetin tim  të Korçës, por edhe opinionin mbarë shqiptar,  krim me përmasa tronditëse e shokuese, që nuk mund të gjesh fjalë për ta përshkruar këtë horror çnjerëzor, fati i keq dhe tragjedia  e atyre fëmijëve të mitur. Gjendjen sociale ekonomike dhe psikologjike pak a shumë e njoh të familjes Toshi, falë kjo si banore dhe e profesionit tim si mësuese në shkollën e asaj lagje. Pra, mendoj, se në anën tjetër të spektrit të këtij krimi monstruoz  ndaj dy fëmijëve të mitur, qëndrojnë “krenare” gjurmët dhe pasojat e mjerimit shoqëror që në formimin parësor të  personalitetit.  Variablat si varfëria, pabarazia sociale, dhuna fizike, sociale e morale, krimi dhe diskriminimi, inferioriteti maskilist, injoranca dhe arësimimi, papunësia, imoraliteti,   dhe pasioni kronik   në fëmijërinë e herëshme, -varte  qentë dhe macet e lagjes në pemë, – tregojnë në një farë mënyre se çfarë e mbizotëronte jetën e tij. Pikërisht, shumë pranë shtëpisë së horrorit aktual,  kanë ndodhur në një hark kohor prej disa vitesh -disa krime të kësaj natyre; ndodhi vrasja e nxënëses time Mirela Gora, krim dhe inçest në familje, nga babai i saj, vrasja e Liljana Arapit, së cilës një plak 84 vjeçar i preu kokën dhe trupin e saj e  hodhi në landin e plehrave në të dalë të qytetit të Korçës. Një nënë e re korçare, banore e asaj lagje, përfundoi në pranga për një krim që askush më shumë në botë do e ndjejë përjetë, shpirti i saj i mjerë; rrahu fëmijën e saj të mitur derisa vdiq! Dhe po një nënë tjetër, edhe kjo banore e Lagjes 4, mbyti dy fëmijët e saj e më pas u vetëvra, duke u hedhur në rrotat e makinës, ndërsa një vajzë e re e bukur e brishtë, një studente e shkëlqyer me medaljen e artë  vrau veten, se nuk kishte një grusht para, të vazhdonte studimet. Kjo është  tmerrësisht e frikëshme, e dhimbëshme, tragjike  dhe dramatike!  Që këtu fillon epidemia mjerane edhe  kësaj tragjedie, pasojat e ambientit dhe njerëzve që e rrethonin. Janë krime monstruoze që kanë simbolikën e natyrën  përbashkët; Krim në familje!  Në diskursin publik dhe  social  vërejmë dy pamje të dhunës   dhe krimit; njëra që  është e justifikuar nga varfëria ekstreme dhe  kërkesat e ambientit rrethues, çastit, kushteve  social-ekonomike,  dhe tjetra nga mjerimi shoqëror, që lind gjithashtu shtypjen, përbuzjen dhe nxit eleminimin fizik. Njëherë e një kohë thuhej se varfëria shkakton krimin, por sot mendoj se krimi po shkakton varfërinë. Shpërbërja e familjes ka çuar në një shkallë të lartë të dhunës në familje. Rezultatet e disa politikave sociale e familjare për familjet me prindër të divorcuar, nëna apo baba që i rritin vetë fëmijët, braktisje të familjes nga bashkëshortët, varfëria  ekonomike etj, plagë e drama  sociale, po paguajnë “çmimi të dhimbshëm e dramatik”, për këtë, me një rritje të krimit e dhunës në familje, me krimin e të miturve  dhe  të rriturve. Vërejmë se sistemi i drejtësisë penale po shërben gjithnjë e më pak, në dënimin e krimeve monstruoze, duke i liruar keqbërësit para kohe,  faktorë kryesorë në këtë tendencë të rritjes së dhunës e krimit. Pra në diskursin publik e social vërejmë dy qasje konkurruese; njëra është qasja tradicionale e zbatimit të ligjit, që tregon mënyrën se si të merren me dhunën e krimin, duke vënë në zbatim politikat agresive e të forta të ligjit  nëpërmjet burgosjes dhe dënimeve të rrepta. Nga ana tjetër unë  mendoj në lidhje me atë qasje që quhet rehabilitimi social i krimit të dhunëshëm.  Kjo qasje ka tendëncën ta shohim krimin si të shkaktuar nga plagët  sociale dhe mjerimi shoqëror, shërimin e tyre nëpërmjet programeve dhe politikave sociale, duke kërkuar shkaqet e dhunës e krimit që në rrënjë. Faktikisht shoqëria ka nevojë për të dyja qasjet të kombinuara me njëra tjetrën; zbatimi i ligjit dhe politikat e programet sociale për familjen e shoqërinë.  Shteti e shoqëria duhet të ndërrmarrin hapa konkretë e të rreptë ndaj kriminelëve e keqbërësve, sikundër kemi nevojë  edhe për programet e politikat sociale, për të parandaluar sa të mundemi dhunën ndaj gruas,  fëmijëve dhe familjes, të ruajmë e mbrojmë brezin e ri e të sotëm, që të mos bëhen shkelësit kronikë të së nesërmes. Vrasja e Lilana Rukos së ndjerë,  erdhi si rezultat i mbështetjes së pamjaftueshëm sociale dhe implikimin e  kompleksiteti me fuqinë e arrogancës të moszbatimit të drejtësisë e ligjit, nga gjykatat e korruptuara. Bota mashkullore jo se nuk e do gruan, E do pafundësisht. Ato këngë e poezi dashurie që kanë lindur janë aq shumë sa të krijohet përshtypja se raporti i dashurisë së mashkullit për gruan, në raport me të anasjelltën, nuk ka të krahasuar.  Bota mashkullore e do gruan, por e do atë në botën hyjnore të artit, por pse sillet aq keq pa burrërri  në jetën e përditëshme…! Opinioni publik shqiptar, prindërit dhe fëmijët janë të shokuar, të tronditur, të frikësuar, të terrorizuar dhe të shqetësuar, për të  “Mos Paç Fatin e Liljanës”, -shprehet gazetarja Rudina Xhunga në një shkrim të saj, që  unë do i shtoja, “Mos paçim fatin e atyre fëmijëve të mitur”,që nesër, të mos na mallkojë historia.  Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Drejtësia, Policia e Shteti, të identifikojnë e skedojnë personat me prirje të tilla, të çlirojnë duart e kryqëzuara, të  thyejnë heshtjen, e të përmbushin me përkushtim;detyrimet morale, sociale, ligjore, shtetërore, dhe të  drejtat e gruas dhe  fëmijëve, për të qenë të lirë, të sigurtë e të mbrojtur. Të mbrojmë fëmijët, gruan dhe familjen,  t’i themi ndal dhunës dhe vrasjes së tyre, ata janë pasqyra e shoqërisë, reflektimi e shpresa e së ardhmes, ndal dhunën e vrasjen e tyre, krimit në familja, siguria dhe garancia për të ardhmen e një familje e brezi të shëndetshëm fizikisht, moralisht e qytetarë të denjë të shoqërisë me ngrohtësinë, edukimin dhe dashurinë ndaj tyre, për vete e shoqërinë në tërësi.

Raimonda MOISIU

Shkrimtare & Publiciste

SHBA

Filed Under: Opinion Tagged With: Mjerimi shoqëror, ne familje, nxitës i krimit, Raimonda Moisiu

KRITIKA MUZIKORE SHQIPTARE GJATE GJYSMES SE DYTE TE SHEKULLIT XX

December 9, 2016 by dgreca

FJALA E STUDIUESIT: KRITIKA MUZIKORE SHQIPTARE GJATE GJYSMES SE DYTE TE SHEKULLIT XX:  DUKURI TE RENDESISHME ARTISTIKE DHE JASHTE-ARTISTIKE/

spiro-j-shetuni1

Nga Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI/ Universiteti Winthrop/ Rock Hill, South Carolina- U.S.A./

Çështja:  Parashtrimi i saj/

Të shkruash për jetën e kritikës muzikore shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë e cila afërsisht përkon me kohën e sundimit të sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste në Shqipëri (1944-1991), është një detyrë gjithmonë bukur e vështirë:  nga njëra anë, duhet përballuar nënvleftësimi me dashje që u është bërë jo rrallë herë arritjeve të saj sidomos prej kompozitorësh të veçantë, dhe, nga ana tjetër, duhen pranuar hapur gjendja, mangësitë, problemet, etj., për të përcaktuar më mirë edhe rrugët e mbarëvajtjes së saj.Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, deri më sot, në Shqipëri, ndërsa studimet në fushën e muzikës tradicionale kanë qenë në përgjithësi më sistematike dhe më dobiprurëse, studimet në lëmin e muzikës profesioniste kanë qenë disi të rastit dhe s’kanë pasur ngaherë të njëjtën frytshmëri.  Një dukuri e tillë ka ardhur ngaqë të parat (studimet në fushën e muzikës tradicionale) kanë qenë të institucionalizuara, kurse të dytat (studimet në fushën e muzikës profesioniste) kanë qenë të painstitucionalizuara.Mjafton të kujtojmë, midis të tjerash, se, qysh prej viteve 1980-të, ka ekzistuar një organ i specializuar, siç është revista Kultura popullore, organ i Institutit të Kulturës Popullore (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit), ku, veç të tjerash, janë botuar rregullisht artikuj, kumtesa, studime e punime të posaçme për aspekte të ndryshme të muzikës tradicionale.  Duke filluar prej viteve 1980-të, një organ tjetër i specializuar, ku janë botuar studime për muzikën tradicionale, ka qenë përmbledhësi Çështje të folklorit shqiptar, po ashtu, organ i Institutit të Kulturës Popullore (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit).

Sidoqoftë, kritika muzikore, historia e muzikës dhe në përgjithësi studimet në fushën e muzikës profesioniste shqiptare, s’kanë qëndruar në vend.  Duke marrë shkas prej vetë krijimtarisë muzikore profesioniste, ato janë përpjekur që të trajtojnë dukuri, çështje, aspekte të ndryshëm, që e kanë shqetësuar atë (krijimtarinë muzikore profesioniste) kohë pas kohe.  Për këtë qëllim, si organe shtypi, kanë shërbyer kryesisht gazeta Drita dhe revista Nëntori:  organe qendrorë letraro-artistike të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.  Mirëpo fakti është se, midis krijimtarisë muzikore profesioniste, nga njëra anë, dhe kritikës e mendimit teorik për të në tërësi, nga ana tjetër, ekziston një prapambetje disa herë e ndjeshme.

Duke e vështruar çështjen në gjerësinë dhe thellësinë e saj, mendoj se, prapambetja relative e kritikës muzikore shqiptare, është rrjedhojë, si e faktorëve të brendshëm, subjektivë, ashtu edhe e një radhë faktorësh të jashtëm, objektivë.Kështu, gjendja nuk mund të përmirësohet thjesht duke mohuar ose duke nënçmuar kritikën muzikore dhe përfaqësuesit e paktë të saj, ashtu sikurse është vepruar derimë sot nga kompozitorë të veçantë.  Do të ishte më mirë sikur, në vend të nënvleftësimit të hapur e të qëllimshëm, të merreshin masa konkrete, të cilat do t’a nxisnin kritikën muzikore dhe do të krijonin objektivisht kushte që ajo të mund të jepte siç duhej ndihmesën e saj.

Çështjet që shtrohen për diskutim e studim përpara kritikës muzikore shqiptare janë të shumta e të natyrave të ndryshme:  të thjeshta e të ndërlikuara, specifike e të përgjithshme, artistike e jashtë-artistike, profesionale e jashtë-profesionale.  Midis tyre, disa çështje të rëndësishme estetiko-sociale, që do të kërkonin shqyrtim të vëmendshëm, si sot, ashtu edhe në të ardhmen, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:

Sa figura me të vërtetë të shquara muzikore, të djeshme e të sotme, meritojnë që të zbërthehen nga shumë pikëpamje?

Për sa vepra të arrira muzikore është shkruar pak ose s’është shkruar ende asgjë?

Cilat do të ishin prirjet themelore të artit muzikor profesionist shqiptar në kohën tonë?

Do të heshtet vallë gjithmonë për mangësi të ndjeshme të tij, ashtu si gjer më sot?

Cila është përmbajtja themelore e karakterit nacional të muzikës profesioniste shqiptare në kohën tonë?

Ku qëndron politizimi disa herë i ndjeshëm që pësoi muzika profesioniste shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX?

Po marrdhëniet e saj me muzikën profesioniste të vendeve të tjera si shfaqen?

Në ç’mënyrë do të plotësohen nevojat e ngutshme të shkollave të mesme artistike dhe të vetë Fakultetit të Muzikës për pedagogë të lëndëve teorike?Cilët mund të ndërmarrin hartime tekstesh muzikore të lëndëve të tilla?

Lejomëni të shqyrtoj disa dukuri të rëndësishme, artistike dhe jashtë-artistike, që karakterizuan jetën e kritikës muzikore shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, sidomos paragjykime, të cilat, në një mënyrë ose tjetër, ndikuan mbi ecurinë e saj.

Dukuria e parë:  Parimi leninist “Politika në plan të parë:”Pasoja dramatike të veprimit të tij

 Kuptimi teorik i parimit leninist“Politika në plan të parë”

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, periudhë e cila afërsisht përkon me kohën e sundimit të sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste në Shqipëri (1944-1991), mendimi kritik muzikor shqiptar u dëmtua rëndë sidomos për shkak të veprimit të fortë të parimit leninistPolitika në plan të parë.  Sipas këtij parimi, s’kishte rëndësi se cili ishte niveli i mësimdhënies në shkollat e larta:  më e rëndësishme ishte vazhdimësia e teorisë dhe praktikës marksiste-leniniste në çdo fushë të jetës!  S’kishte rëndësi se tektstet mësimore kishin ngarkesë profesionale të ulët:  më e rëndësishme ishte të ecej në rrugën marksiste-leniniste!  S’kishte rëndësi se lidhjet me mendimin teoriko-shkencor të vendeve të tjerë vinin duke u venitur:  më e rëndësishme ishte të forcohej ideologjia marksiste-leniniste!  S’kishte rëndësi se intelektualë të talentuar të fushave të ndryshme të jetës shoqërore, pra, edhe të artit, ndëshkoheshin, internoheshin ose burgoseshin:  më e rëndësishme ishte që mendimi e veprimi marksist-leninist të ishin vazhdimisht të mprehtë!

Persekutim sistematik i muzicienëve shqiptarë

Pikërisht për shkak të veprimit të parimit leninist Politika në plan të parë, është fakt se, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, në fushën e artit profesionist shqiptar në përgjithësi dhe të artit muzikor profesionist shqiptar në veçanti, u ushtrua një persekutim sistematik.  Duke i dhënë

alfabetikisht, disa këngëtarë, kompozitorë, dirigjentë, që u persekutuan, ishin:

Aliaj, Justina:  Këngëtare e shquar shqiptare e muzikës së lehtë

Kaçaj, Llukë:  Këngëtar legjendar operistik shqiptar

Lalo, Aleksandër:  Kompozitor i njohur shqiptar

Merdani, Sherif:  Këngëtar i shquar shqiptar i muzikës së lehtë

Radi, Françesk:  Këngëtar dhe kompozitor i njohur shqiptar

Vako, Milto:  Dirigjent i shquar shqiptar, etj.

Ndërkohë, në fushën e kritikës muzikore, duke i dhënë alfabetikisht, disa kritikë e studiues, që u persekutuan, ishin:Çefa, Aleksandër:  Kritik muzikor dhe profesor i mirënjohur shqiptar i muzikës.  Për arsye thjesht politike, si papritur e pakujtuar, atë e largojnë nga tempulli i mësim-dhënies:  Fakulteti i Muzikës i Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)!  E emërojnë si mësues muzike në Shkollën e Mesme Artistike Onufri të qytetit të Elbasanit!

Kalemi, Spiro Ll.:  Kritiku muzikor më i njohur shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit XX.  Për arsye thjesht politike, si papritur e pakujtuar, atë e largojnë nga tempulli i mësim-dhënies:  Fakulteti i Muzikës i Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)!  E emërojnë si mësues muzike në Shkollën 8-vjeçare “Jeronim De Rada” të qytetit të Tiranës!

Shetuni, Spiro J.:  Studiues etnomuzikolog shqiptar.

Për arsye thjesht politike, si papritur e pakujtuar, atë e largojnë nga tempulli i mësim-dhënies:  Fakulteti i Muzikës i Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)!  E emërojnë si punonjës kulture në fshatin Sinanaj të zonës së thellë të Lopësit të rrethit të Tepelenës!Theodhosi, Spiro:  Profesor dhe studiues shqiptar i muzikës.  Për arsye thjesht politike, si papritur e pakujtuar, atë e largojnë nga tempulli i mësim-dhënies:  Fakulteti i Muzikës i Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)!  E emërojnë si muzicien pranë Shtëpisë së Kulturës të qytetit të Rrëshenit, etj.

Gjendje e mjeruar e teksteve muzikore mësimore

 Veprimi i parimit leninistPolitika në plan të parë solli si rrjedhojë, gjithashtu, mungesën e plotë, për dhjetëvjeçarë të tërë me radhë, të teksteve teorikë mësimorë për Fakultetin e Muzikës të Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve).  Çështja se me çfarë tekstesh mësimorë do të jepej mësim ka qenë një çështje vazhdimisht e mprehtë.  Konkretisht, deri bukur në vitin 1975, nuk ekzistonin tekste mësimorë në shqip të lëndëve të tilla teorike themelore formuese, si:  Solfezh, Folklor muzikor shqiptar, Histori e muzikës shqiptare, Histori e muzikës perëndimore, Harmoni, Kompozim, Analizë forme, Orkestracion, etj.  Duke qenë se mungonin tekstet, herë-herë, pedagogët u jepnin studentëve dorëshkrime, të cilët sidoqoftë ishin të pjesshëm, përsa i takon përmbajtjes së lëndës!  (Ata kalonin si traktate të fshehtë komunistë dorë më dorë nga njëri student tek tjetri!)  Në raste të tjerë, pedagogët nuk jepnin asnjë lloj materiali të shkruar!  Pastaj, ndonjë pedagog ose pedagoge s’ngurronte që t’u thoshte studentëve:  “Mos u shqetësoni shumë për leksionet:  Ata do t’i merrni në fund të vitit, përpara se të jepni provimin vjetor!”  (“O tempora!  O mores!”)  Kuptohet se sa shumë i ka kushtuar kulturës së vendit një përvojë e tillë!  Studentët e përkushtuar të çdo lëmi të diturisë dëshirojnë që të flenë të rrethuar me tekste mësimorë!Formimi i përgjithshëm teorik e profesional i kompozitorëve, studiuesve, pedagogëve e muzicienëve të ardhshëm u detyrohet shumë teksteve mësimorë.

Trupi zyrtar përgjegjës për gjendjen e mjeruar të teksteve muzikorë mësimorë:  Organizata e Partisë Komuniste 

 Përgjegjësia historike për gjendjen e mjeruar të teksteve muzikorë mësimorë në Institutin e Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve) bie mbi Organizatën e Partisë Komuniste të këtij institucioni:  ajo  vendoste se çfarë duhej bërë dhe se çfarë nuk duhej bërë;  ajo vendoste për tekstet që duheshin hartuar dhe për tekstet që nuk duheshin hartuar;  ajo vendoste për emërimin ose largimin e pedagogëve të caktuar;  ajo vendoste për ecurinë e procesit mësimoro-edukativ në tërësi, etj. Në këtë qerthull, një rol kryesor luante pa dyshim Sekretari i Partisë Komuniste të Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve).  Më lejoni që, shkurtimisht e ndershmërisht, të dëshmoj vetëm për njërin prej tyre:  Sekretari i Partisë Komuniste—F. L.–qëndroi në këtë detyrë për dhjetëvjeçarë të tërë me radhë.  Sipas dëshmive të disa pedagogëve, ka shumë mundësi që Ai të kishte mbaruar me korrespondencë të ashtu-quajturën Shkolla e Lartë e Partisë “Vladimir Iliç Lenin.”Prandaj, më parë, kishte punuar si Instruktor në një Rajon të Komitetit të Partisë për qytetin e Tiranës.  Por, shih se çfarë ndodhi:  Një mëngjez të bukur, Ai vjen si pedagog i lëndës së ashtuquajtur Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë:  një tekst mësimor universitar, sa dramatikisht i politizuar, aq edhe dramatikisht i njëanshëm!  Ndërkohë, shpejt e shpejt, brenda natës, n’a bëhet edhe Sekretar i Partisë Komuniste të Institutit, pa dyshim “me porosi nga lart.”  E keqja më e madhe ishte se, përgatitja e tij shkencoro-profesionale, shfaqej me të vërtetë e mjerë:  S’kishte mundur që të botonte dhe as synonte që të shkruante ndonjë artikull shkencor në jetën e tij!  S’kishte mundur që të mbronte dhe as synonte që të fitonte ndonjë gradë shkencore pas-univeristare në jetën e tij!  S’kishte mundur që të mësonte dhe as synonte që të njihte ndonjë gjuhë të huaj në jetën e tij!  Pastaj, nëse gjykoj duke u nisur nga shkrimi i tij i dorës, Ai ishte pa dyshim një gjysmë-analfabet!  Merre me mend se çfarë drejtimi mund t’i jepte procesit të ndërlikuar mësimoro-edukativ një njeri me përgatitje aq të varfër shkencoro-profesionale! Mirëpo Ai kishte aftësi jashtë-shkencore të veçanta:  dinte të mbante gjithmonë “të pastër si kristali” vijën e Partisë Komuniste;  dinte të zbatonte “me zjarr e me hekur” luftën e klasave;  dinte të shpartallonte kundërshtarët e tij politikë;  dinte të servilosej në shkallë të lartë ndaj eprorëve, etj., etj.  Prandaj e ruajti këtë detyrë për dhjetëvjeçarë të tërë me radhë!  As më shumë e as më pak, Sekretari i Partisë Komuniste ishte bartës tipik i ideologjisë marksiste-leniniste, shërbëtor i përkushtuar i sistemit politiko-shoqëror të diktaturës komuniste, besnik i një shkalle aq të lartë ndaj këtij sistemi, saqë, në emër të tij, mund të mohonte ose pranonte gjithçka, të vërteta ose të pa-vërteta!

Dukuria e dytë:  Arrogancë, arrogancë, arrogancë:  Arrogancë krijuese, shkencore, akademike

Një sëmundje serioze që preku tërë mendimin teorik artistik shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX, pra, edhe kritikën muzikore, është ajo që unë do t’a quaja arrogancë krijuese, shkencore, akademike.  Në rrethana të ndryshme, ajo merrte pamje të ndryshme.Vetëm se asnjëherë nuk mungonte që të ishte e pranishme.  Më lejoni që të jap shembullin e parë të shfaqjes së arrogancës krijuese, shkencore, akademike:  Kompozitorë të veçantë kujtonin për veten e tyre pak a shumë si vijon:  se ishin personalitete krijuese ndërkombëtare;  se qenë figura artistike krijuese që qëndronin aty afër Beithoven-it e Brahms-it, Ravel-it e Debysy-së, Çajkovski-t e Stravinski-t, Bartok-ut e Shenberg-ut, nëqoftëse s’ua kalonin atyre;  se ishin të nën-çmuar ose të pavlerësuar siç duhet nga kritika muzikore ose bashkëkohësit, për arsye të ndryshme, më tepër jashtë-profesionale;  se do të mund të vlerësoheshin vetëm nga brezat e ardhshëm të shoqërisë, etj., etj.  Kompozitorëve të tillë, zakonisht, nuk u pëlqente asgjë që krijohesh për-rreth, përveç krijimeve të tyre!  Ata kujtonin se, ndërsa veprat e tyre ishin më shpesh madhështore, veprat e kompozitorëve të tjerë, që të gjitha, vuanin nga ndonjë mangësi e rëndësishme!  Sigurisht, disa vepra, sidoqoftë, nuk mund t’i nën-çmonin aq tepër!  Por, mendonin se, në tërësi, ato, që të gjitha, linin për të dëshiruar!  Sipas një logjike të tillë, vepra të vërteta ishin vetëm veprat e tyre!  (“O tempora!  O mores!”)

Më lejoni që të japshembullin e dytë të shfaqjes së arrogancës krijuese, shkencore, akademike:  Sapo kishte dalë teksti universitar i lëndës Materializmi dialektik dhe historik.  Një student i Fakultetit të Muzikës u entusiazmua aq shumë që kishte parë këtë tekst në Librarinë e Librit Universitar.  Duke dashur të mësojë rreth vlerave shkencore të Librit, ai pyet në klasë:  “Profesor!  Çfarë mendoni ju për ngarkesën profesionale të librit Materializmi dialektik dhe historik, që sapo doli nga shtypi?”Thuajse pa u menduar, pedagogu i kësaj lënde përgjigjet shkurt e prerë:  “Ky tekst është i mirë vetëm për amatorë!”  S’është vështirë të kuptosh arrogancën akademike të këtij mësimdhënësi:  Teksti që sapo kishte dalë qënkesh i vlefshëm vetëm për amatorë, kurse Ai, vetëm Ai, ishte një mësues që ushqehej me tekste profesionistë!  Në këtë qerthull, fare lehtë mund të shtrohet pyetja:  Ku i gjente vallë ky mësimdhënës arrogant—i cili s’kishte mundur që të botonte dhe as synonte që të shkruante ndonjë artikull shkencor në jetën e tij;  i cili s’kishte mundur që të mbronte dhe as synonte që të fitonte ndonjë gradë shkencore pas-univeristare në jetën e tij;  i cili s’kishte mundur që të mësonte dhe as synonte që të njihte ndonjë gjuhë të huaj në jetën e tij–ato që fliste para studentëve në lëndën e Materializmit Dialektik dhe Historik?  Dihet se ku:  në ndonjë tekst tjetër mësimor më të vjetër, por, sidoqoftë, “… i mirë vetëm për amatorë!”  (“O tempora!  O mores!”)

Më lejoni që të japshembullin e tretë të shfaqjes së arrogancës krijuese, shkencore, akademike:  Në tempullin kryesor muzikor—Fakultetin e Muzikës të Insitutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)–, do të organizohej një diskutim krijues për disa vepra muzikore bashkëkohore.  Të gjithë studentët-diskutantë ishin të emocionuar, mbasi do të shprehnin mendimet e tyre kritike përpara një audience profesioniste.  Ndërkohë, qëndrimi i disa pedagogëve ishte vërtet i çuditshëm:  pamja e tyre, herë-herë, të jepte përshtypjen sikur ata s’ishin shumë të interesuar të dëgjonin se çfarë mendime do të silleshin;  herë-herë, sikur ishin të interesuar, vetëm se hiqeshin të qetë, mbasi ata dinin shumë më tepër sesa diskutantët e rinj entusiaztë, etj.  Sado i pa-orthodokstë që të duket një veprim i tillë, e vërteta është se, shumica e pedagogëve, thjesht, ia la tërë barrën e diskutimeve studentëve!  Edhe sikur mendimet e mësipërme të duken disi të tepruara, në asnjë rrethanë, nuk mund të mohohet se, në këtë rast, e ashtuquajtura arrogancë krijuese, shkencore, akademike shfaqej hapur në faktin se pedagogët nuk ishin aspak të përgatitur për të marrë pjesë në një diskutim të tillë krijues!  Kurse studentët, po, ata duhej patjetër që të ishin të përgatitur!  Fakti që pedagogët kishin ardhur plotësisht të papërgatitur për të marrë pjesë në diskutim vjen si një çështje e ndërlikuar, komplekse, shumë-dimensionale, sa shkencoro-profesionale, aq edhe etiko-morale!  (“O tempora!  O mores!”).

Më lejoni që të japshembullin e katërt të shfaqjes së arrogancës krijuese, shkencore, akademike:  Në tempullin kryesor muzikor—Fakultetin e Muzikës të Insitutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve)–, këtë radhë, do të organizohej një diskutim krijues për librin e Theofan S. Nolit (1882-1965), Beithoveni dhe revolucioni francez (Noli 1947).  Në Shqipërinë dramatikisht të izoluar të gjysmës së dytë të shekullit XX, kishte mbritur vetëm një kopje e këtij libri, ndoshta përmes studiuesve shqiptarë aq atdhetarë të Kosovës.Kuptohet se, kurreshtja e studentëve dhe pedagogëve shqiptarë të fushës së muzikës, për t’u njohur me një libër të tillë, ishte vërtet e madhe.  Prandaj ata u përpoqën që t’a lexojnë atë brenda një kohe tepër të shkurtër.  Mirëpo, në diskutimin krijues për këtë libër ndodhi njësoj sikurse në diskutimin e mëparëshëm:  barrën kryesore e mbajtën vetëm studentët.  Ndërkohë, të krijohej përshtypja se, disa pedagogë, as që e kishin lexuar fare librin!  Sytë e tyre ishin plotësisht pa asnjë lloj shprehjeje:    Bosh!  Bosh!  Bosh!  Ndoshta për këtë arsye ata, gjithashtu, silleshin në një mënyrë të pashpjegueshme:  Të çuditshme!  Të çuditshme!  Të çuditshme!  Edhe kësaj radhe, arroganca krijuese, shkencore, akademike u shfaq në mënyrë aq të plotë!  (“O tempora!  O mores!”)

Pasi diskutimi krijues për librin e Theofan S. Nolit, Beithoveni dhe revolucioni francez, kishte mbaruar plotësisht, tërë ndrojtje e frikë, një student tha me zë të ulët:“Noli ishte me fat që e botoi librin e tij muzikologjik në një shtëpi botuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Sikur t’ia kishte paraqituar këtë studim ndonjë shtëpie botuese të Shqipërisë, p.sh., Shtëpisë Botuese “8 Nëntori,” rrezik se libri nuk do të gjente dritën e botimit!  Arsyeja e parë:  Punimi nuk udhëhiqet nga mësimet e Partisë e të shokut Enver në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës!  Arsyeja e dytë:  Punimi s’përmban analiza konkrete muzikore!”

Mendimi i studentit, në të vërtetë, tregonte një dukuri tipike të rretheve shkencoro-artistike shqiptare të kohës:  arroganca krijuese, shkencore, akademike mund të merrte në qafë edhe studiues të kalibrit ndërkombëtar!  Sigurisht, këtë herë, duke u fshehur pas parimit leninist “Politika në plan të parë!”

Dukuria e tretë:  Nënvlerësim dhe mbivlerësim:  Nënvlerësim i studiuesve shqiptarë dhe mbivlerësim i studiuesve ndërkombëtarë

Nuk e teproj nëse pranoj që, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ndaj përfaqësuesve të paktë të kritikës muzikore shqiptare, herë-herë, është mbajtur një qëndrim sidoqoftë moralisht i palejueshëm.  Në mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e cila ishte e vetmja organizatë artistiko-shoqërore që Partia Komuniste e Shqipërisë lejoi që të ekzistonte gjatë kësaj periudhe historike, ka ndodhur, p.sh., që të përmenden si studiues emra kompozitorësh, të cilët në të vërtetë bënin vetëm informacione ose shumë-shumë ndonjë artikull pa pretendime profesionale!  Ndërkohë, studiuesit e mirëfilltë, çuditërisht, janë injoruar me qëllim!

Shihni sesa “nxiteshin” praktikisht kritikët dhe studiuesit e muzikës:  ndërsa një kompozitori të ri mund t’i jepej lehtësisht piano në shtëpi nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, disa kritikë e studiues plotësisht të afirmuar asnjëherë nuk mundën të sigurojnë një mjet të tillë pune përmes kësaj organizate!  Në një rast të tillë, komentet duken të panevojshme.Me keqardhje pranoj se, ndërsa ndaj kritikëve muzikorë e studiuesve shqiptarë në tërësi, ka ekzistuar një atmosferë e përgjithshme mosbesuese, nënçmuese, shpërfillëse, ndaj studiuesve ndërkombëtarë, ka ekzistuar një frymë mbivlerësimi, përuljeje, servilizmi!  Më lejoni që, shkurtimisht e ndershmërisht, të dëshmoj vetëm për një rast:  Shkrimtari i njohur—F. A.–dëshironte të shkruante për marrdhëniet midis tekstit e muzikës në këngën tradicionale shumë-zërëshe shqiptare.  Tepër i interesuar, siç ishte, me fletore shënimesh në duar, Ai takon edhe autorin e këtij studimi.(Biseda u zhvillua në Sallën Shkencore të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.)Mund të dëshmoj se, gjatë bisedës që pata me shkrimtarin e nderuar, Ai bëri mjaft pyetje dhe mbajti shënime të imta për objektin e studimit të tij.Pas disa ditësh, artikulli i shkrimtarit tonë të nderuar ishte botuar në gazetën Drita, organ qendor i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.Shkrimtari ynë i nderuar, për t’i dhënë më shumë autoritet e bindshmëri shkencore artikullit të vet, jepte edhe mjaft citime veprash në fund të artikullit.Mirëpo nuk mund të mos vë në dukje se, të gjithë autorët e cituar, ishin ndërkombëtarë dhe vetëm ndërkombëtarë.  Po ashtu, më lejoni të vë në dukje se, emrat e tyre, ndonëse citoheshin në artikullin e shkrimtarit tonë të nderuar, nuk ishin, as aq të mirënjohur, as aq të përshtatshëm, për t’u cituar, sidomos për objektin e këtij artikulli!

Nga sa parashtrova, s’është aspak e vështirë që të kuptohet qëllimi i vërtetë i shhkrimtarit tonë të nderuar:  Duke cituar studiues ndërkombëtarë, pra, duke mos-cituar studiues shqiptarë, Ai synonte që të fitonte më tepër, pra, që të dukej “më i rëndësishëm e më madhështor,” në sytë e lexuesve.  Sipas logjikës së tij të sëmurë, studiuesit shqiptarë nuk ishin profesionalisht të denjë që të përmendeshin.S’prish punë se ishin, në radhë të parë, pikërisht ata—studiuesit shqiptarë—që kishin shkruar, midis të tjerash, edhe për një çështje të tillë.  Kur një intelektual mendon në këtë mënyrë, ai s’bëhet shembull pozitiv për intelektualë të tjerë të fushës së artit!  Eshtë me të vërtetë për të ardhur keq që, mosbesimi, nënçmimi, shpërfillja ndaj studiuesve shqiptarë, sikur ishte bërë modë e të menduarit të rretheve shkencoro-artikstike shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX!

Në të njëjtën rrugë, brenda vendit, ndërsa kritikët muzikorë shqiptarë s’janë vlerësuar siç duhet, studiuesit ndërkombëtarë të muzikës (si edhe të fushave të tjera të artit e të shkencës), që patën rastin të vizitojnë Shqipërinë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, u pritën me nderime të mëdha, herë-herë të panevojshme.  Në asnjë mënyrë nuk mendoj se duhet që të jemi indiferentë ndaj personaliteteve ndërkombëtarë që vijnë në Shqipëri.Por t’u kushtosh vëmendje të veçantë edhe atyre, që, në të vërtetë, s’janë figura të njohura në vendet e tyre, mendoj se në asnjë mënyrë nuk i ngre vlerat etiko-morale të shoqërisë.

Dukuria e katërt:  Pranim dhe censurim:  Pranim i ideve konformiste dhe censurim i ideve të guximshme

Siç është vërejtur, në historinë gati gjysmë-shekullore të kritikës muzikore shqiptare (1944-1991), si organe shtypi, shërbyen kryesisht gazeta Drita dhe revista Nëntori:  organe qendrorë letraro-artistikë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe historike.  Organe të tillë letraro-artistikë, historikisht, asnjëherë nuk patën si redaktor për muzikën një kritik muzikor, megjithse njerëz me përgatitje të posaçme muzikore nuk mungonin.Në ‘ta, zakonisht, muzikën e mbulonin njerëz që vinin nga fusha e letërsisë ose e gjuhëve të huaja!Vetëkuptohet se, mungesa e një redaktori muzikor, vetëm se e shtynte mendimin muzikor kritik shqiptar në plan të fundit.Pa dashur në asnjë mënyrë që t’a jap kohën që jam duke shqyrtuar si një dukuri thjesht bardhë e zi, redaktorët që mbulonin muzikën në gazetën Drita dhe revistën Nëntori mund të ndahen pak a shumë në dy grupe, klasa, ose kategori kryesore:  a)  redaktorë, sa mediokër nga pikëpamja profesionale, aq edhe jo-dashamirës nga pikëpamja morale;  b)  redaktorë, sa të aftë nga pikëpamja profesionale, aq edhe dashamirës nga pikëpamja morale.  Të dy grupet i bashkonte dukuria sipas së cilës ata nuk e njihnin fushën e muzikës.  Mirëpo, ndërkohë, ata dalloheshin njëri nga tjetri në aspekte të rëndësishëm, si vijon:

Redaktorët e grupit të parë, zakonisht, nuk gëzonin ndonjë emër, as si krijues, as si studiues:  ata ishin thjesht punonjës të një gazete ose reviste letraro-artistike.  Redaktorët e këtij grupi, gjithashtu, e konsideronin veten e tyre si mbikqyrës të rreptë të bashkë-punëtorëve.  Synimi kryesor i tyre ishte vetëm një:  Të bënin ç’është e mundur që, një kritik ose studiues i ri muzikor, të mos afirmohej në rrethet shkencoro-artistikë ose publikun e gjerë.  Ata sikur i karakterizonte një lloj përtese, e cila shoqërohej me një sjellje arrogante.

Sakaq, redaktorët e grupit të dytë, zakonisht, gëzonin emër të mirë, ose si krijues ose studiues, në fushat e tyre përkatëse:  ata nuk ishin thjesht punonjës të një gazete ose reviste letraro-artistike.  Redaktorët e këtij grupi, gjithashtu, e konsideronin veten e tyre si miq të sinqertë të bashkë-punëtorëve.  Synimi kryesor i tyre ishte vetëm një:  Të bënin ç’është e mundur që, një kritik ose studiues i ri muzikor, të afirmohej në rrethet shkencoro-artistikë ose publikun e gjerë.  Ata sikur i karakterizonte një lloj energjie, e cila shoqërohej me një sjellje modeste.

Disa aspekte kryesorë negativë të veprimtarisë së redaktorëve muzikorë që i përkasin grupit të parë ndoshta do të formuloheshin si vijon:ata i vononin pa masë artikujt kritikë muzikorë, ose nuk i botonin fare;ata i shkurtonin artikujt kritikë muzikorë vend e pa vend, për të bërë ç’është e mundur që të mos zinin plot një faqe gazete, ose të zinin sa më pak vend;herë-herë, ata qëllimisht i jepnin artikujt kritikë muzikorë në disa faqe, pra, në një mënyrë të coptuar;më shpesh, ata i redaktonin artikujt kritikë muzikorë në mënyrë të dobët, duke ua humbur atyre vlerat dhe bukurinë, etj.

Duket si e tepërt që të shpjegohet se, aspektet kryesorë të veprimtarisë së redaktorëve muzikorë, që i përkasin grupit të dytë, ishin diametralisht të kundërt me ata të redaktorëve muzikorë që i takojnë grupit të parë:  vetëm positive.  Ndërkohë, artikujt kritikë muzikorë, që botoheshin në gazetën Drita dhe revistën Nëntori, sikurse edhe ata të fushave të tjera të artit, vazhdimisht censuroheshin.Në tërësi, përmbajtja e tyre duhet patjetër që të pasqyronte mendimet dhe dëshirat e krye-redaktorëve ose krerëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në këtë rast, të Sekretarit për Muzikën.Po ashtu, nëse nuk përkonin me linjat e përgjithshme të ideologjisë marksiste-leniniste, artikujt nuk botoheshin dhe autorët e tyre mund t’a paguanin shtrenjtë.Krye-redaktorët e organeve qendrore letraro-artistike të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë—gazetës Drita dhe revistës Nëntori—ishin, në rastet më të mira, përfaqësues me autoritet krijues ose shkencor.Por, herë-herë, ata nuk gëzonin ndonjë emër të veçantë.  Më lejoni që, shkurtimisht e ndershmërisht, të dëshmoj vetëm për njërin prej tyre:  Krye-redaktori i gazetës Drita—D. M.–erdhi nga gazeta Zëri i popullit, organ qendror i Partisë Komuniste të Shqipërisë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.  Hollë-hollë, ky farë krye-redaktori plotësonte tërë parametrat për t’u cilësuar si një Oficer i Shërbimit Sekret të Shtetit Komunist Shqiptar.  Ndonëse në pamje të parë dukej si miqësor, Ai ishte vazhdimisht në kërkim për të ditur në mënyrë të përpiktë biografinë e çdo bashkëpuntori të gazetës.Më parë sesa të botonte një artikull të ndonjë bashkëpuntori, Ai kërkonte të dinte me saktësi biografinë e tij.  Në mjaft raste, duke u mbështetur në punën e tij sekrete, Ai arrinte në përfundimin se, autorë të ndryshëm, nuk duhet që të botonin!  Ndërkohë, vetë krye-redaktori, profesionalisht, nuk gëzonte ndonjë emër të veçantë në qarqet shkencoro-artistike.Po ashtu, Ai s’përfaqësonte veçse një figurë të ulët morale.Pasi u gjend i përzierë në disa skandalë, krye-redaktori i pa-famshëm filloi punë si redaktor në gazetën Zëri i popullit, pikërisht aty ku kishte punuar më parë.Eshtë e qartë se, Partia Komuniste e Shqipërisë, i mbronte njerëz të tillë, duke qenë se ata vepronin sipas direktivave të saj me një zell vërtet të shquar!  Fakti që ata nuk gëzonin asnjë lloj dinjiteti, profesional e moral, nuk e shqetësonte shumë atë.  Në këtë qerthull, kuptohet fare lehtë se dajaku i luftës së klasave që zhvillonte krye-redaktori binte vetëm mbi bashkëpuntorët e gazetës “Drita!”

Dukuria e pestë:  Marrdhëniet midis kompozitorëve dhe kritikëve muzikorë:  Mëria shekullore

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, s’mungonin as dukuri të shëmtuara të një natyre të veçantë, të cilat shfaqeshin në marrdhëniet midis kompozitorëve dhe kritikëve muzikorë shqiptarë.  Midis dukurive të tilla, më lejoni të nxjerr në pah atë që unë do t’a quaja “mëri shekullore” të një kompozitori ndaj një kritiku muzikor.  Autori i një artikulli mund të fitonte lehtësisht mërinë shekullore të kompozitorit në rastet kur: emri i një kompozitori nuk përmendej; emri i një kompozitori nuk merrej si shembull pozitiv;ndaj një vepre të një kompozitori shprehej ndonjë mendim që atij s’i pëlqente, etj., etj.Mjerisht, dukuria e mërisë shekullore ndaj kritikëve muzikorë nuk shfaqej rrallë!  Eshtë e kuptueshme sesa shumë e rëndonte atmosferën shoqërore midis krijuesve e studiuesve një dukuri e tillë.Po ashtu, ajo i mpakte në mënyrë të ndjeshme ritmet e ecjes së kritikës muzikore.Aq më tepër, nëse mbajmë parasysh se, historikisht, numri i kritikëve muzikorë ka qenë gjithmonë relativisht i kufizuar.

Dukuria e gjashtë:  Koha:  Shpërfillje e rolit të saj historik

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, edhe koha sikur kishte mbetur në vend për kritikët dhe studiuesit muzikorë shqiptarë:  ajo sikur nuk ishte duke e luajtur rolin historik që zakonisht luan!  Një dukuri e tillë vihet re nëse përfaqësuesit e botës artistiko-shkencore–kompozitorë, pedagogë, kritikë, studiues, punonjës shkencorë–i ndajmë në dy grupe, klasa ose kategori, sipas kriterit të moshës:  brezi më i vjetër dhe brezi më i ri.Tipari i parë i dëmshëm i sjelljes së brezit më të vjetër, historikisht, ishte vendosmëria për të pasur sa më shumë privilegje.  Përfaqësuesit e tij herë-herë ishin të shkolluar në vende të tjerë, më shpesh të Europës Lindore, sidomos në Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike.Por, e vërteta është se, për shkak të faktorëve politiko-shtetërorë, studimet e tyre, më të shumtën e rasteve, u ndërprenë, duke bërë që të mos diplomoheshin jashtë vendit.  Kështu, p.sh., studimet u filluan në Moskë, por u mbaruan në Tiranë.  Megjithatë, përfaqësuesit e brezit të vjetër e përdorën shkollimin e tyre jashtë vendit—si në rastet kur ai ishte i plotë, ashtu edhe në rastet kur ai ishte i pjesshëm–në një mënyrë që u solli mjaft privilegje!  S’është aspak e rastit që, përfaqësues të këtij brezi, shpesh i karkaterizonte arroganca krijuese, shkencore, akademike.Me sjelljen e tyre ata sikur linin të kuptohej se, të shkolluarit jashtë vendit, i kishte bërë domosdoshmërisht të veçantë (lexo:  më të zotë), në krahasim me përfaqësues të brezit më të ri, të cilët u shkolluan vetëm brenda vendit.

Tipari i dytë i dëmshëm i sjelljes së brezit më të vjetër, historikisht, ishte vendosmëria për të mbajtur vendin e punës deri në një moshë dramatikisht të madhe.  Nuk prishte punë se, përfaqësues të caktuar të botës artistiko-shkencore–kompozitorë, pedagogë, kritikë, studiues, punonjës shkencorë–vinin në punë me duar në xhepa!  S’kishte rëndësi se ata s’mbanin madje as edhe një çantë të thjeshtë ku të vendosnin ditarë, artikuj, libra, shënime!  Nuk prishte punë se, për vite e ndoshta dhjetëvjeçarë të tërë me radhë, ata s’krijonin ose s’botonin asgjë!  Duket e pabesueshme, por, herë-herë, në artikuj të punonjësve të veçantë shkencorë, citoheshin studime-fantazma, të ashtu-quajtur të pa-botuar, të cilët në të vërtetë nuk ekzistonin!Modeli i të cituarit pak a shumë ishte si vijon:  “Më gjerë, shih:  Studim i pabotuar, f. 299.”  Në këtë rast, çdo lloj komenti do të dukej i panevojshëm.  (“O tempora!  O mores!)

Nëse mbajmë parasysh se, krahas lëmit arsimor, shkencor, kulturor e artistik, dukuri të tilla, viheshin re në çdo sferë të jetës së shoqërisë shqiptare, atëherë është më e lehtë të kuptohet se zhvillimi i saj pengohej nga plagë të vetë-shkaktuara.

Çështja:  Mbyllja e saj

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, mbledhjet e diskutimet që organizonte Sektori i Muzikës i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për dukuri të ndryshme artistiko-muzikore, si:  vepra muzikore, studime teorike, kompozitorë, kritikë, përvjetorë krijuesish e studiuesish, veprimtari artistike (lokale, kombëtare, ndërkombëtare), etj., pa dyshim që kanë luajtur një rol zhvillues e nxitës për artin muzikor profesionist shqiptar në përgjithësi dhe kritikën e studimet muzikore shqiptare në veçanti.  Sidoqoftë, me kalimin e kohës, këto lloj mbledhjesh nuk ishin aq rezultative:  askush nuk vintei përgatitur në ‘to, me përjashtim ndoshta të një ose dy diskutantësh.  Për më tepër, herë-herë, dukej sikur, vetë drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, s’kishin më ide të reja.  Pa dyshim se, edhe në fushën e artit profesionist shqiptar në përgjithësi dhe të artit muzikor profesionist shqiptar në veçanti, kishte ardhur koha që, mbi bazën e ndryshimeve në sistemin politiko-shoqëror, të bëheshin domosdoshmërisht ndryshime themelore në shumë aspekte:  krijuese e jashtë-krijuese.Unë u përpoqa që të shqyrtoj vetëm disa dukuri të rëndësishme, artistike dhe jashtë-artistike, që karakterizuan jetën e kritikës muzikore shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, sidomos paragjykime, të cilat, në një mënyrë ose tjetër, ndikuan mbi ecurinë e saj.  Por, dihet se, çdo epokë historike, ka paragjykimet e veta.  Asnjë epokë nuk është e përkryer!  Epoka e tanishme historike e gjysmës së parë të shekullit XXI do të ketë edhe ajo paragjykimet e veta.  Vetëm se ne nuk jemi në gjendje që t’i shquajmë ato në ditët tona.Vlerësimi teorik i një epoke të caktuar historike është vështirë që të bëhet brenda harkut kohor të saj.  Për të vlerësuar siç duhet atë, lipset një lloj largimi në kohë.  Kur t’i jemi larguar epokës sonë, së paku disa dhjetëvjeçarë, do të jemi në gjendje që t’a gjykojmë edhe atë më me objektivitet.  Pa dyshim se, një detyrë e tillë, qëndron përpara brezave të ardhshëm të kritikëve e studiuesve muzikorë shqiptarë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjysma e dyte, KRITIKA MUZIKORE SHQIPTARE, Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI, Shek XX

Arsim Sinani: Gruevski e humbi shansin për të bërë diçka për shqiptarët

December 9, 2016 by dgreca

Diplomaticus/ Arsim Sinani: Gruevski e humbi shansin për të bërë diçka për shqiptarët. Problemi, jo vetëm te maqedonasit./1-arsim-sinani

Mendimi politik Maqedonas e shikon si pengesë gjuhën shqipe. Ka një problem për ta njohur gjuhën shqipe. Gruevski e humbi shansin e mirë për të korrigjuar veten duke qenë se njihet si një ultranacionalist. Duhet ta kishte pranuar gjuhën shqipe, ashtu siç ka pranuar të qeverisë me Ali Ahmetin deri tani deklaron analisti shqiptar nga Maqedonia Arsim Sinani gjatë një interviste për emisionin Diplomaticus. Sipas Sinanit, problemi nuk qëndron vetëm te Maqedonasit, por edhe te Shqiptarët.  “Establishmenti politik shqiptar nuk ka qene i interesuar për ta zgjidhur të gjithë problemin e gjuhës shqipe. Problemi i shqiptarëve është se akomodohen lehtë në pushtet dhe i harrojnë premtimet elektorale. Uroj që të mos e harrojnë këtë premtim elektoral sepse është një nismë e mirë që Maqedonia të ndryshojë”. Sipas Sinanit të gjitha partite shqiptare, si ajo BDI që është në pushtet, apo edhe ajo që rri në hije në pushtet siç është PDSH nuk kanë qenë të interesuar. “Opozita shqiptare e ka hapur këtë si problematikë, por Zaevi kapi një moment të mirë. Kapi një moment të një krize, që përmes shqiptarëve ai të vijë në pushtet. Unë e përgezoj nëse ai do të arrijë që gjuhën shqipe ta bëjë gjuhë zyrtare ndërsa mendoj se Gruevski humbi një shans të madh që të bëjë diçka për shqiptarët. Ne mendojmë se Gruevski nuk ka bërë gjë për shqiptarët. Ai ka qenë pengesë për zhvillimin e Shqiptarëve dhe pengesë edhe për partitë me të cilat ka bashkëpunuar. Megjithatë nuk mundet një Maqedoni e cila pretendon që të jetë Europiane të mos ua njohë gjuhën një populli që shkon deri në 40 përqind. Mendoj se politikanet shqiptarë do të duhet të jenë të vëmendshëm dhe një nga kushtet që duhet t’ia vendosin maqedonasve në qeverisjen e ardhshme është që padiskutim gjuha shqipe në të gjitha nivelet të bëhet gjuhë zyrtare.

Sipas analistit Sinani deklarata e liderit të opozites maqedonase për zyrtarizmin e gjuhës shqipe në të gjithë vendin është  interesante deri në momentin që nuk do të behet si Gruevski nëse vjen në pushtet. “Pas këtyre zgjedhjeve, faktori politik shqiptar në Maqedoni do të dalë më i fortë nga këto zgjedhje. Ne kemi nevojë për një opozitë shqiptare  të konsoliduar në Maqedoni. Deri më sot PDSH nuk e ka luajtur rolin e opozitës dhe kjo ka qenë pengesë. Mendoj se pas këtyre zgjedhjeve do të kemi një konsolidim të votës së pakënaqur shqiptare” deklaroi analisti Arsim Sinani për gazetarin Erion Kaçorri në News 24.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arsim Sinani, e humbi shansin, Gruevski, per shqiptaret, për të bërë diçka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 523
  • 524
  • 525
  • 526
  • 527
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT