• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Nobel” në Letërsi nuk është Gjyqi i Fundit për një shkrimtar të madh

October 12, 2016 by dgreca

Mbi çmimin “Nobel” në letërsi dhe Kadarenë/

Duhet theksur fort, që në fillim: çmimi “Nobel” në Letërsi nuk është Gjyqi i Fundit për një shkrimtar të madh. Le të na qëtësojë ky pohim./

Nga Agron TUFA/

Është fakt, se “Nobeli” për më se një shekull ka evidentuar vlerat më të bukura artistike dhe humane të letërsisë botërore dhe ka shërbyer si një sistem referimi për shijet e mira estetike dhe edukative, që orientojnë tregun dhe trendin e lexuesit serioz.

Por është fakt gjithashtu, se lista e “nobelistëve” fitues është zbehur jo pak herë nga lista e “nobelistëve” jo fitues. Dhe në disa raste kjo është kaq flagrante, sa hedh hije të fortë dyshimi si për nga kriteret e përzgjedhjes së fituesit, ashtu dhe për vetë Testamentin e Alfred Nobelit, që ky çmim t’i jepet atij shkrimtari që sjell risitë dhe arritjet më të mira në fushën e letërsisë.

Mjafton të kujtojmë disa nga emrat më të mëdhenj të letërsisë botërore, tashmë klasikë të përbotshëm të fondit të artë letrar të shekullit XX-XXI, të cilët nuk e morën: Lev Tolstoj, Anton Çehov, Virxhinia Vulf, Xhejms Xhojs, D.H. Lourens, Marsel Prust, Franc Kafka, H.L. Borhes, F.G. Lorka, Vladimir Nabokov, Italo Calvino, Umberto Eko, Milan Kundera, Zbignjev Herbert etj, etj. Madje ka raste kur profili i nobelistit është ulur në nivele të rëndomta sipas meje, deri tek Dario Fo, Alise Monro, Svitllana Aleksieviç, etj.

Komisionet përzgjedhëse të “Nobelit” shpesh kanë tradhëtuar politikat, shpesh majtiste apo dhe konjukturat momentale të historive politike të Euroamerikës, duke shmangur meritën dhe virtytet artistike të krijimtarisë letrare të kandidatëve të “Nobelit”.

Në këtë kyç duhen parë “të papriturat” e komisionit të Stokholmit, sa herë shpallin fituesin e radhës. Shkarjet janë bërë të shpeshta dhe gjithë e më dendur zgjidhjet na dalin tendencioze, si infiltrim politikash që s’kanë të bëjnë me thelbin e misionin e letërsisë.
Rasti “Kadare” në gjithë këtë histori ka të bëjë me kreshpërimet dhe lëkundjet e panatyrshme të Komisionit të Nobelit.

Personalisht kam menduar dhe mendoj, se korpusi letrar i veprës së Ismail Kadaresë ka qenë i denjë dhe i padiskutueshëm për çmimin “Nobel”. Atëherë përse nuk i jepet, përderisa vepra kadareane është gjerësisht e njohur dhe e përhapur në shumë gjuhë?
E para, mendoj se është burokracia dhe përtacia. Anëtarët e Komisionit nuk e lexojnë me vëmendje veprën e një prendendenti çerekshekullor të “Nobelit”.

E dyta, mendoj se është krijuar një rrjetë paragjykimesh, të ushqyera edhe nga letrat e liga denoncuese të qarqeve të ulëta shqiptare e antishqiptare, me alibinë se “një pjesë e veprës së Kadaresë ka qenë konformizëm me realizmin socialist”.

E treta, mendoj se është skepticizmi apriori që kihet nga snobët e “Nobelit” për kulturat e gjuhëve të vogla, si shqipja.

Kemi pastur mjaft kohë të gjatë të mendojmë, analizojmë e krahasojmë për një pikë të katërt: a e meriton menjëmend një vlerësim të tillë vepra e Kadaresë. Dhe përgjigja ime, absolute dhe e bazuar në bindje nga krahasimet është, se shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, e ka merituar gjithmonë këtë vlerësim, që me nominimin e parë për kandidat të “Nobelit” në vitin 1992 e deri më sot.

Nga tre pikat që parashtrova më sipër, duket (dhe pëshpëritet me shpesh në ambientet shqiptare, po edhe të huaja), se ka peshë pika e dytë, pra fakti, se I. Kadare një pjesë (më minorja) të veprës e ka shkruar në pajtim me normat e realizmit socialist. Gjej momentin të thesksoj se ky kinse argument është më i ligu dhe më pezmatuesi, pasi korpusi i veprës së Kadaresë është një kompleks katedralesh letrare, romanesh, novelash e tregimesh dhe se vepra e tij duhet parë në koherencën dhe konseguencën e saj, së pari si kundërvënie estetike, e mandej edhe si kundërvënie logjike ndaj artit zyrtar socrealist (shih shkrimin tim për ketë “Disidenca estetike e Kadaresë”).

Por nëse Komisioni i Nobelit vërtet do të çmendej dhe ta pranonte një logjikë të tillë, ai do të binte ndesh me praktikat e veta të mëparshme. Çdo të thonim atëherë për dyzina të tëra poezish e poemash të nobelistit Pablo Neruda kushtuar Stalinit dhe regjimit stalinist? Po për modelet e socrealizmit sovjet në veprat e nobelistit Mihaill Shollohov? Nuk po zëmë këtu periudhat e hershme rinore e (disa deri kur u bënë zdapa të ndërgjegjshëm) të një numri të pafund poetësh të mëdhenj si Arragon, Elyar, Hikmet, Rricos, hipokrizitë e Sartrit apo Brehtit me stalinizmin, duke qenë madje të pa kërcënuar me jetë në vendet e tyre të lira perëndimore.

Nëse këtyre emrave nuk u zihet për të madh zelli komunist, madje dhe i mbrojtjes së krimeve të Stalinit, për hir gjoja të kauzës, nëse për ta nuk u bë pëngesë ky kompromentim politik e ideologjik për nderimin me çmimet “Nobel” e të tjera çmime prestigjioze, atëherë, a nuk është meskinitet e hipokrizi t’i zihet kjo shkrimtarit shqiptar të mbijetuar nga një diktaturë monstruoze, që nuk e kishte për gjë të të kalonte në plumb për një varg (siç edhe ka ndodhur në Shqipëri, deri në gusht të vitit 1988)?

Unë mendoj se nuk ka asgjë për të sqaruar vepra letrare e Ismail Kadaresë përballë Komisionit të Nobelit në Letërsi. Përkandrazi, Komisioni i Nobelit ka shumëçka për të sqaruar përballë veprës së Kaderesë dhe letërsisë shqipe.

Dhe ndoshta kjo do të ndodhë. Do të ishte mirë të ndodhte. Për të gjitha palët. Kombi shqiptar, i cili shenjë vendimtare të identitet të tij ka gjuhën shqipe, ka nevojë të shenjohet përmes kësaj gjuhe e kulture me një çmim Nobel.

Kjo është ajo bota na ka borxh, të na japë atë që na takon, të na shenjojë si kulturë e gjuhë, përmes instrumentit të saj më besnik, që në këtë rast është shkrimtari Isnail Kadare, kandidati çerekshekullor për çmimin Nobel në letërsi.

Të tjerat janë shkarje nga tempi, pengesa, paragjykime, snobizma të huaj e mazokizma të brendshëm.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Agron Tufa, Kadare, Nobel

Imazhi i Shqipërisë ose Të vdesësh për tu dukur

October 12, 2016 by dgreca

*….Shteti tek ne ka qënë gjithmonë në diskordancë me shtetarët. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet etja e madhe për tu larguar nga vendi. Kjo është e dhimbshme. Megjithatë e vërteta jonë.
Për së dyti imazhi i Shqipërisë, që ofroni ju. Këtej në botë është i tillë. Në Shqipëri ndryshe ndodh, ndryshe veprohet, ndryshe konkludohet. Dhe ky nuk është qëllim i arritur. Veçse një shtim dozash mburrjesh të kota. Duke i hapur front të gjerë punë, atyre që mbajnë në supe imazhin e vertetë të Shqipërisë.
Jemi të varfër djema. Të varfër…/

1 Ilir-levonja (2)

Nga Ilir Levonja/

Brënda disa ditëve në studiot televizive shqiptare u arrit në një përfundim. Dasma mbretërore ia rriti Imazhin Sqhipërisë në Perëndim!Nuk kam asgjë me dasmën. Çiftit jetë e mirësi. Në mbretërinë e tyre që qoftë dashuri e pakufijshme puthjesh. Në fund të fundit gjithkush ka të drejtën e vetë të shpenzojë e të ftojë. Sa të dojë. E të llogarisë se sa do hedhi. Se sa do i hedhin etj. Megjithëse ka aty midis edhe ngrefje supesh për dhurata të çmuara. Që ne shqiptarët vdesim t’i përmendim për tu mburrur. Aq sa çvdesim për t’i përgojuar kur nuk na kthehet resto. Edhe pse nga ana tjetër vdesim të themi atë fjalën e urtë. Bëje të mirën dhe hidhe në lum.

Por nejse. Me gjithë dritë hijet, me gjithë qejf mbetjet apo luftën e ashpër politike. Deri vrasjet me atentate. Ashtu sikundër edhe sot. Mbretëria e Ahmet Zogut nuk është mundur akoma. Në drejtim të shtetit dhe pasaportës së qytetarit shqiptar. Kundrejt atyre në vendet e Europës dhe më tutje. Kurse monedha as që çohet nëpër mend. Sidomos pas atyre dedikimeve me lekë të reja apo të vjetra.
Prapë një krye letër pavlerë mbeti.
Tjetër ishte në kohën e mbretërisë.
Nuk e di se si mund të rregullohet imazhi i Shqipërisë. Duke demonstruar pamje të një dasme. Ndërkohë që pavarsisht lajmit.
Si një detyrë modeste e shtypit përreth mesdheut. Ekzistojnë paralele fashikujsh të tërë memorie. Ku e vërteta është një lloj ironie tipike e jona. Ose një përpjekje sipërfaqësore. Nga ato të zakonshmet tashmë. Të kostumeve plot sharm vrasjesh dhe surgjynizmi kundërshtarësh politikë. Duke filluar pikë së pari, me godinën. Apo vendin ku u mbajt ceremonia. Një pallat i filluar me donacionet italiane. Ashtu si shumë institucione tona. Qofshin këto të shtetit apo të kultit. Asnjëherë me paratë tona. Që ende i papërfunduar u grabit nga reformat e vëllavrasjes. Dhe diktatura e luftës së klasave.
Një mbretëri e degdisur deri në thepin e kontinentit afrikan.
Shpërbërje varresh. Janë bëmat tona. Të etërve dhe bijëve që ishin shtruar.
Një mbretëri e demaskuar për dyzetë e kusur vitesh. Aq sa çdo shqiptar i këtyre brezave. Nocionin satrap e ka si jastëk tek koka.
Një mbretëri e dëshiruar të kthehej. Por që e lënë në mëshirë të fatit dyerve të doganave. Për arsyet mediokre të admistratës së Shqipërisë post komuniste. Por edhe vullnetit politik të kohës. I cili i druhej si dreqi të ardhmes politike. Kjo për shkak të disa syresh. Nga mendësia e nomeklaturës. Të gjithë vinin nga një mitër. Dhe ndofta për herë të parë në historinë e shtetit të ri demokratik.
Klasat e prodhuara janë ish të përmbysurit që nuk duan asgjë tjetër. Veç të ikin nga kolonia ndëshkimore. Dhe Intelektuali i prodhuar nga fryma revolucionare. Por që vdes të pasurohet, t’i ngjaj armikut. Edhe pse e demaskon, e syrgjynos, e vret atë me shumicë të përditshme.
Ata e këta ishin aty bashkë. Sofruar. Si një formë propogande e re. Në një farë mënyre dasma duket si një paqje e madhe. Por plotësisht e rreme. Mjafton të kujtosh referendumin e prillit 1997. Mbi formën e regjimit. Një lloj strategjie kallpe. E gjoja bërjes së qejfit dhe hedhja e hirit sy Europës. Por që jo rastësisht përkoi në prill. Prilli njihet si muaji i tradhtisë së madhe të Ahmet Zogut. Si muaji i pushtimit të vendit. Klasa e atërshme. Intelektualët e frymës revolucionare. Djemtë e së njëjtës mitër. U bënë më aleatë se kurrë.
Mbretëria dhe Leka i parë i vunë përpara. Ndaj vërsulën me shumicë firmëtarë. Nga ata të zakonshimit tashmë. Të natës. Si e si të ndreqnin qorratisjen. Po mbretëria fitoi.
Po ja këta ishin aty. Këta pa përjashtim. E si mudet atëhere t’i rregullohet imazhi i Shqipërisë.? Kur në të njëjtën kohë, ceremonisë nuk i shpëtuan as statujat e udhëheqësve të proletariatit. Krahas çiftit dhe markave Roll Roys, Bentley etj? Si kështu?
Atyre që kanë pushtuar territore pafund të komunikimit me popullin. U duhet thënë se…, ose me dëshirë. Ose me padije. Ose të mbushur mendje nga tradita vrastare. E intelektualit të frymës revolucionare. Imazhin Shqipërisë ia rrisin. (Për mirë kjo.) Për së pari, vet ata shqiptarë që jetojnë e punojnë botës. Ata janë ambasadorët reale të vendit tonë. Ata që punojnë fortë. Që kanë imazhin e gjallë të njeriut të besës. Dhe që përpiqen të tresin firo nga vendi amë. Në lidhje me krimin. Korrupsionin në administratë. Që priren të tresin firot me pllaja dhe gomone droge nga Albanistani. Po ashtu kartelet e shqiptarëve të pandershëm që atashohen pranë grupimeve mafioze. Sidomos në tregtinë e mishit të gjallë.
Këta janë imazh, rregulluesit e Shqipërisë.
Që sado ua pisanjos dhe politika e shtetarëve të tyre. Prapë bota me Shqipërinë komunikon përmes këtyre.
Shteti tek ne ka qënë gjithmonë në diskordancë me shtetarët. Ndryshe nuk ka se si shpjegohet etja e madhe për tu larguar nga vendi. Kjo është e dhimbshme. Megjithatë e vërteta jonë.
Për së dyti imazhi i Shqipërisë, që ofroni ju. Këtej në botë është i tillë. Në Shqipëri ndryshe ndodh, ndryshe veprohet, ndryshe konkludohet. Dhe ky nuk është qëllim i arritur. Veçse një shtim dozash mburrjesh të kota. Duke i hapur front të gjerë punë, atyre që mbajnë në supe imazhin e vertetë të Shqipërisë.
Jemi të varfër djema. Të varfër…

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, imazhi i shqiperise

KONKURENT E JO KUNDËRSHTAR POLITIK

October 11, 2016 by dgreca

Diskursi politik/

Në sistemin pluralist në krahasim me ate monist  në garat zgjedhore subjektet pjesëmarrëse përveç programit zgjedhor ofrojnë edhe përfaqësimin me persona të profileve të ndryshme, ndërsa kujdes  i kushtojnë komunikimit me elektoratin votues për të arritur objektivat e planifikuara. Po ashtu  gjatë  fushatave zgjedhore nga individ apo subjekte politike  përdorën shprehje  apo sintagma të ndryshme  ndaj subjektëve të tjera pjesëmarrëse, duke i cilësuar ata me epitete të ndryshme duke dëshmuar qasjen  diletante  me fjalorin e tillë politik/

Nail_Draga

Nga Dr. Nail  Draga/

Në zgjedhjet e ndryshme qofshin ata lokale apo parlamentare na ka ra rasti të degjojmë deklarata të ndryshme qoftë nga individet apo subjektet poltike, duke cilësuar pjesëmarrësit e tjerë si kundërshtarë politik.  Madje në disa zgjedhje kemi pasur  akuza të  ashpra duke mos zgjedhur fjalë madje  duke i cilësuar  kundërshtarët politik si armiq duke tejkaluar komunikimin normal vetëm për përfitime politike të subjektit  përkatës. Nuk ka dilemë, se veprimet e tilla janë të nxituara,  duke dëshmuar diletantizëm  politik qe nuk nderojnë as indvidin apo subjektin përkatës.

Vlerësimi i tillë është  shprehi e individëve të cilëve iu mungon  kultura gjuhësore. përvoja politike dhe njohuritë elementare për shoqërinë pluraliste. Tash më dihet  se një mentalitet i tillë është kriuar në kohën  e monizmit, duke përdorur frazeologjinë  se “kush nuk është me ne është kundër nesh”. Ishte kjo një frazeologji fatale, sepse pati pasoja të mëdha me eliminimin e mijëra personave në vendet e ish kampit socialist, në emër të ideologjisë së kohës së diktaturës komuniste. Edhe pse një sistem i tillë ka përfunduar nga viti 1990, mentaliteti  i asaj kohe ende është i pranishëm te individ të ndryshëm apo  subjekte politike të cilët garojnë në zgjedhje.

Pluralizmi-sistemi i ofertës politike

Duke marrë parasysh se jetojmë në një kohë tjetër  përkatësisht në pluralizëm, mendoj, se një qasje e tillë është e  tejkalaur për shoqëritë demokratike. Sepse nuk është  e pranueshme në pluralizëm  që te kemi përçarje dhe të krijojmë  armiq,  sepse një koncept i  tillë i përket së shkuarës. Për dallim nga monizmi  pluralizmi  paraqet ofertë politike  për të gjithë qytetarët, ndërsa  elektorati votues   është ai qe vlerëson  subjektet përkatëse me voten e tij.

Andaj, mendoj se është e udhës që  në vend të sintagmës  kundërshtar politik duhet të përdorët sintagma konkurent politik.

Një formulim i tillë është më  i pranueshëm  sepse konkurenca është kategori shoqërore  në çdo vepimtari e cila si bazë ka vlerën e cila çmohet nga qytetarët  e mjedisit përkatës.

Për të qenë më i qartë në lidhje me konceptin e konkurencës, si shëmbull mund të marrim tregun, ku përsonat përkatës që njihen si tregtar në treg ekspozojnë mallin e tyre. Dhe si element bazë i vlerësimit të mallit është cilësia e tij, që paraqet përmbajtjen ndërsa  së dyti kemi komunikimin me klientin. Nëse pronari i mallit, përkatësisht tregtari përkatës ka mallin cilësor dhe vlera komunikuese  qe ka të bëj me etikën  dhe mirësjelljen,  ai do të ketë sukses me  të madh  me klientet.Ndërsa e kundërta ndodh kur edhe pse  malli është i njëjtë por  mungon niveli i  komunikimit me klientin.Pra, kemi të bëjmë kategorinë tipike të konkurencës në lidhje me ofertën e paraqitur ndaj klienteve, në një mjedis të caktuar.

Zgjedhjet-gara konkuruese

Dhe një konkurencë e tillë e tregut ne analogji manifestohet edhe të subjektet politike, në garat zgjedhore lokale apo shtetërore. Këtu para se gjithash mendoj ne ato subjekte politike që ofrojnë  programe të realizushme e jo megalomane por edhe regjistër të personave profesionist dhe autoritativ si përfaqësuesit e tyre, që kanë qasje parimore ndaj çështjeve preokupuese të qytetarëve të ati mjedisi. Ndërsa e  kundërta ndodh me subjektet tjera që kanë qendrime utilitare, për përfitime të rastit të individëve apo klaneve të tyre.Të tillët mund të kenë sukses të mashtrojnë n elektoratin, por patjetër do të denohen më vonë, sepse janë treguar matrapaz  politik.

Në mjediset  me përvojë  politike dhe  kulturë demokratike,  konkurenca është parimi bazë  që bën diferencimin e një subjekti nga të tjerët. Sepse duke prezantuar e realizuar vlera programore me kuadra të dëshmuara subjekti përkatës fiton imazhin e seriozitetit për objektivat e planifikuara.

Ndërsa tjetër është gjendja në mjediset  posmoniste në vendet e ish kampit socialist në Evropën Juglindore, ku  nuk zgjidhen mjete për të arritur qellimin, përkatësisht  marrjen e pushtetit për të qeverisur. Këtu nuk vijnë në shprehje përmbajtjët programore, por kulti i individit si dhe mjeshtria e manipulimit me elektoratin votues, përmes premtimeve të ndryshme e madje edhe deri të blerja e votës, si mallë tregu.

Në këtë aspekt edhe ne shqiptarët nuk bëjmë  ndonjë përjashtim, duke  dëshmuar se koncepti i demokracisë pluraliste  është ende i  pa konsileduar.

( Tetor 2016)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: JO KUNDËRSHTAR POLITIK, KONKURENT, Nail Draga

SHQIPTARËT DUHET TË KENË NJË ATDHE, JO DISA ATDHE

October 11, 2016 by dgreca

(Vlerësime për librin “Në strofullën e djallit” të Shpëtim Pollozhanit)/

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Ne Foto: Z. Shpetim Pollozhani me bashkeshorten dhe miq ne oborrin e shtepise/

Nga Thanas L. GJIKA/

Shoqata e të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politikë Shqiptarë të Maqedonisë me qendër në Shkup, botoi në vitin 2015 librin “Në strofullën e djallit” të ish të burgosurit politik Shpëtim Pollozhani. Ai ka vite që është kryetar i Shoqatës së ish të përndjekurve të Maqedonisë (The association of former political prisoners).

Ishte një fat për mua dhe bashkëshorten time Julia, që në gusht të këtij viti gjatë udhëtimit për të shpërndarë në Kosovë e Maqedoni, librin tim “Mosdënimi i krimit është krim i ri” (OMSCA-1 Tiranë 2016), u ndalëm dhe në Strugë, ku miqtë tanë Agim Vinca dhe Ferid Abdullahu na njohën me z. Pollozhani, një nga veprimtarët më të shquar të lëvizjes kombëtare shqiptare të Maqedonisë. Pasi u njohëm me të në lokalet e bukura të shqiptarëve anës lumit Drin, ai na dhuroi këtë libër dhe na vuri në dijeni se së shpejti do të botojë dhe dy vëllime të tjera si vijim, ku do të trajtojë lëvizjen kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë pas shkërmoqjes së Jugosllavisë së Titosin, pra veprimtarinë e tij e të bashkëpunëtorëve të tij të pas vitit 1991.
“Në strofullën e djallit” autori ka përmbledhur në 380 faqe të formatit të madh, ngjarje, kujtime, mbresa nga vitet 1980-1989 kur ai vuajti dënimet në burgjet e RSF të Maqedonisë, në burgjet e Strugës, Manastirit, Ohrit, Idrizovës dhe së fundi në burgun e Kotorit të Malit të Zi.
Ngjarjet dhe personat historikë që përshkruhen aty janë autentikë, pa zbukurime letrareske. Tipar kryesor i këtij libri është besnikëria në riprodhimin e ngjarjeve dhe në përshkrimin e jetës në ato burgje ku nëpunësit, policët, rojet dhe shërbëtorët e tyre, këto qenie çnjerëzore, ua bënin jetën të burgosurve shqiptarë shumë shumë të rëndë derisa disa binin në depresion e vrisnin veten.
Që në faqet e para ndjehet se autori është një penë e talentuar dhe me kulturë (ka mbaruar shkollën e lartë dhe ka marrë formim të mëtejshëm përmes leximit të shumë veprave në disa gjuhë të huaja). Ai ia ka arritur që përmes përshkrimit me stil letrar, mbushur shpesh me sentenca popullore e me thënie nga shkrimtarë e filozofë të njohur, të bëjë tërheqës përshkrimin e jetës në atë ferr, gjë që e tërheq lexuesin derisa e mbaron veprën. Ai nuk mjaftohet vetëm me rrëfimin e jetës së rëndë plot mungesa e vuajtje dhe të torurave që i bëheshin atij dhe të burgosurve të tjerë, por e mbush veprën me gjithçka nga jeta brenda burgjeve, jetë e cila nuk ishte thjesht një nënshtrim a vegjetim, por e mbushur me aktivitete të ndryshme të fshehta nën hundën e policëve, rojeve dhe spiunëve. Të paharrueshëm janë dhe shokët e tij me të cilët ai bashkëvuante e bashkëpunonte në ato kushte aq të vështira. Midis tyre përmenden Zaim Beqiri, Esat Abduramani, Destan Aliu, Bashkim Mashkulli, Kastriot Haxhirexha, Muadin Bajrami, Halit Naxhaku, Bejtulla Ademi, Fadil Bajrami, imam Kadri Pollozhani, etj, etj, të cilët ai i përmend me mirënjohje për veprimtarinë e përbashkët. Veprimtari që shpuri në ndërgjegjësimin e shumë të burgosurve, në kthimin e tyre nga katundarë indiferentë në të përvuajtur që e kuptonin se kush ishin fajtorët e vëtetë të vuajteve të tyre dhe të dinin si të silleshin me ta me dinjitet. Përmes kësaj pune të kujdesshme, vitet e burgimit për shumë fshatarë me origjinë nga zona të thella rurale ktheheshin në një shkollë të vërtetë…
Për të ndihmuar të dënuarit, autori tregon se si arriti të krijonte brenda burgut një bibliotekë të fshehtë me libra, një farmaci me disa barna të urgjencës, thika e çelsa për nevoja të të burgosurve. E gjithë kjo prapavijë e fshehtë, por shumë e dobishme për jetën e të dënuarve u krijua prej Shpëtimit përmes familjarëve të tij, të cilët me sakrifica arrinin të siguronin e të sillnin gjatë takimeve sendet që ai ua porosiste. Përshkrimet e takimeve shpalosin jetën familjare të autorit, ndjenjat fisnike dhe karakterin burrnor të tij dhe të familjarëve si bashkëshortja Xhevahire, nëna Ikbale, vëllai farmacist Bashkimi, vajzat Vjosa, Leza dhe Luleza, rritjen e të cilave babai i burgosur e vërente gjatë takimeve, kur ato i recitonin vargje të shkruara për të.
Marrëdhëniet e popullit shqiptar me qeveritarët maqedonë autori i ka përshkruar përmes skenave ku ai tregon momente nga gjyqet e tij, nga kontaktet me nëpunësit e burgut. Në të tilla marrëdhënie jepet mendësia atavike antishqiptare e të tillëve njerëz, të cilët përfaqësonin pushtetin e kohës. Pushtet hipokrit, i cili në botë e propagandonte Jugosllavinë si etalon të “bashkim-vllazërimit” të popujve, por që në praktikë vlonte antishqiptarizmi i shfrenuar.
Ky antishqiptarizëm, thotë autori në bisedat gojore me ne, u ka hyrë kaqe shumë në gjak maqedonëve, sa edhe sot ata na shikojnë dhe na trajtojnë ne shqiptarëve si popull të dorës së dytë. Nuk mund ta pranojnë popullin shqiptar si popull i barabartë edhe pse sot është krijuar një brez i ri i shkolluar në universitetet e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe kjo urrejtje do ta shpjerë Maqedoninë drejt shkatërimit si shtet, sepse krahas ne shqiptarëve të pakënaqur janë edhe shumë banorë të viseve lindore të Maqedonisë të cilët janë shpallur si bullgarë dhe kërkojnë të njihen si minoritet kombëtar bullgar. Kështu kombi maqedon sot përben një pakicë në shtetin e shpallur si Maqedoni. Pra si mund të ekzistojë ky shtet ku të quajturat pakica kombëtare shqiptare dhe ajo bullgare, të cilat përbëjnë shumicën, nuk kanë të drejta të barabarta me maqedonët, që përbëjnë pakicën. Ky shtet me këtë politikë nuk mund të shkojë përpara dhe nuk ka si të hyjë në Bashkimin Europian.
Ne shqiptarëve nuk na janë dashur dhe nuk na duhen disa atdhe, na është dashur dhe na duhet vetëm një atdhe dhe atë e kemi, Shqipërinë. Këtë e kam thënë dhe në vepër. Pra vetë sjellja antishqiptare e maqedonëve dhe e sërbëve, na ka ndihmuar dhe na ndihmon të kuptojmë se e ardhmja jonë më e mirë është bashkimi në një shtet shqiptar…” Të tilla vlerësime të veprimtarit dhe politikanit Pollozhani nuk mund t’i kundërshtojë asnjë politikan shqiptar.
Vepra shquhet dhe për aspektin e saj letrar, të cilin e pasurojnë mjaft përshkrime plot lirizëm për disa qenie të gjalla sado të vogla, si merimanga, milingona ose një çift trumcakësh, që i bëhen pjesëtarë të jetës autorit në kohën e izoluar të burgut. Në po këtë funksion janë dhe përshkrimet me dramacitet të disa ngjarjeve njerëzore. Të tillë pasazhe janë përshkrimet e kontrolleve të befasishme, puna e fshehtë për krijimin e mjeteve të ndryshme për të ndihmuar bashkëvuajtësit, riprodhimi i takimeve të shumëpritura me familjarët, sidomos ai në burgun e Kotorit. Ky takim, ndryshe nga takimet në burgun e Idrizovës, kërkonte që familjarët të kryenin qindra kilometra rrugë, dy netë fjetje nëpër hotele dhe plus këtyre një herë ndodhi dhe një aksident automobilistik gjatë të cilit u plagosën nëna e bashkëshortja, etj.
Jo rallë autori riprodhon vargje të disa poetëve tanë të shquar si At Gjergj Fishta, Faik Konica, etj, ose vargje nga krijimtaria popullore, etj. Pollozhani e pëlqen shumë frymën kritike të Faik Konicës ndaj shqptarëve, prandaj ai për të kritikuar politikanët shqiptarë të RFJ të Maqedonisë citon vargjet:
“Sot kanë dalë ca zuazarë.
Që u lintnë shqipëtarë
E punojnë natë e ditë
Që të mbetemi pa dritë.
Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash.” (f.329)

Për pasurinë e madhe jetësore të përfshirë në këtë vepër, z. Remzi Zeqja, hartuesi i parathënies së kësaj vepre, me të drejtë, thekson se ky libër mund të cilësohet si “një enciklopedi e vuajtjes gjer në mbijetesë.” (f. 5).
Besnikëria e rrefimit të ngjarjeve përmes një stili të këndshëm letrar na shtyjnë që këtë vepër ta fusim në radhën e veprave më të mira të letërsisë dokumentare shqipe me tematikë nga burgologjia shqiptare.
Propaganda zyrtare e Jugosllavisë së Titos e të Milosheviçit, si thamë e më lart, e paraqiste jetën e atij shteti si një parajsë të bashkim-vllazërimit të popujve. Mirëpo shqiptarët e Kosovës, ata të Maqedonisë, të Malit të Zi e të Sërbisë jugore, vuanin një shtypje të pabesueshme, sepse antishqiptarizmi dhe urrejtja ndaj shqiptarëve ushqehej si virtut tek sërbët, maqedonët e malazestë prej atij regjimi që shitej si regjim liberal komunist. E pikërisht këtë atmosferë poshtëruese e torturuese të shqiptarëve kanë në qendër disa vepra të Adem Demaçit për shqiptarët e Kosovës dhe kjo vepër e Shpëtim Pollozhanit për shqiptarët e Maqedonisë.
Veprimtaria atdhetare dhe vuajtjet e autorit të këtij libri nëpër burgjet e ish Jugosllavisë, na kujtojnë vuajtjet e shumë atdhetarëve të tjerë të përmendur në librin e z. Myrteza Bajraktari “Një vështrim tjetër i historisë” (WESTPRINT, Tiranë, 2011, 276 f.).
Mbas leximit të vëmendshëm të këtij libri, bindesh se populli shqiptar i Maqedonisë, që në kohën e Jugosllavisë së Titos e të Miloshevicit, ka ecur drejt forcimit të ndërgjegjes së tij kombëtare. Ai e meriton atë vlerësimin që i pati bërë njëzet e ca vjet më parë, studiuesi, poeti, kritiku, analisti, profesori Agim Vinca, i cili e quajti “Popull i pandalur”, në përmbledhjen e tij me analiza e polemika me këtë titull.

Filed Under: Opinion Tagged With: “Në strofullën e djallit, Shpetim Pollozhani, Thanas Gjika, vleresime

GLLABRIMI I TROJEVE SHQIPTARE NE KOSOVE

October 10, 2016 by dgreca

Vilajeti i Kosovës, në  Perandorinë Osmane kishte 43.872 km2, në prag të Pavarësisë 1912 kishte 32.900 km2, në komunizëm Kosova ngeli në 10.887 km2./

1-harta-e-kosoves

1-kosova_6

3-kosova

Derisa nga 120 mijë km2, sa kishte në fillim të shekullit XIX njësia etnogjeografike Shqiptare, tash shteti zyrtar shqiptar ka ngel në vetëm 28.760 km2. Kurse Vilajeti i Kosovës, në  Perandorinë Osmane kishte 43.872 km2, në prag të Pavarësisë 1912 kishte 32.900 km2, në komunizëm Kosova ngeli në 10.887 km2. Praktikisht sot nga institucionet aktuale kosovare nuk administrohen as kjo tërësi etnike shqiptare./

  Shkruan: Ismail Gashi-Sllovia/
             Urrëtia e thënë nga latinët e vjetër,“Historia është mësuesja e jetës”, gjatë traditës e praktikës historike të popujve, u shëndërrua në urëti universale mbarnjerëzore. Andaj, nuk ka asnjë arsye, që nga kjo urëti të përjashtohen vetëm shqiptarët, të cilët historikisht e aktualisht është dashur e duhet të mësojnë shumë nga kjo urëti. Kjo sintagmë, po të ishte respektuar drejt nga ne,  do ndihmonte të pengonim të kaluarën e të tashmen e hidhur. Siç është e njohur, fillimi dhe fundi i shekullit 20-të, për tërësinë e substancën tonë kombëtare, fatkeqësisht po përsëritët edhe në fillim të shekullit 21. Shekullin e kaluar tërësia  hapësinore dhe substanca jonë kombëtare, u copëtua pa të drejtë nga qendrat dhe fuqitë ndërkombëtare të vendosjes. Me dhunë e masakër u gllabëruan trevat shqiptare Jablanica, Toplica e Kosanica, me siç thot historiografia këto hapësira kishin 713 fshatra, ku shqiptarët ishin popullatë e vetme, apo shumicë etnike. U morë trojet shqiptare nga Qameria, Ulqini, Tivari, Kraja e Shestani me Plavë e Guci dhe u thërrmua tërësia etnike shqiptare e Kosovës Lindore, Pollogut dhe tokat tjera shqiptare në IRJM. U rralluan shqiptarët në Hot e Grudë e u tretën tërësisht në Sanxhak. Nga gjithë kjo kohë e ngjarje historike, ne u tkurrëm në hapësirë etnike dhe pësuam në substancë njerëzore. Nëse historia vërtet do të ishte mësuese e jetës, do të na mësonte nga leksionet e  vlerave pozitive historike e njerëzore. Që të shpëtonim nga këto fatkeqësi. Por, dihet.  se praktikisht veprime e realitete të përafërta ndaj nesh po ndodhin edhe sot në gjithë hapësirat e tërësisë etnike shqiptare, kështu po veprohet edhe  tash në pranin e administrimit të subjekteve përgjegjëse ndërkombëtare në Kosovë.
            Kjo padrejtësi njerëzore e kombëtare po vazhdon historikisht, që nga fillim shekulli
19-të, kur njësia etnogjeografike shqiptare kishte 120 mijë kilometra katrore, kurse Kongresi i Berlinit këtë tërësi e tkurri për 24.458 kilometra katrorë. Shqipëria etnogjeografike deri më 1912 kishte 90.270 kilometra katrorë, Konferenca e Ambasadorëve në Londër/1913/, pa përfilljen e shqiptarëve, aprovoi projektin për Shqipërinë londineze, Shqipërinë zyrtare, historike apo Shqipërinë matanë Drinit me vetëm 28.760 km2,  kur 61.510 km2, ju dhuruan Serbisë, Malit të Zi e Greqisë. Praktikisht, nga diplomacia ndërkombëtare u ndanë pjesët e tërësisë etnike shqiptare, Kosova, Qameria, Maqedonia perendimore ose Lugima e Pollogut, Plavë e Guci, Hoti e Gruda, Pjesë e madhe e Ultnisë së Liqenit të Shkodrës si dhe pjesë tjera shqiptare mbesin jashtë Shqipërisë e nën sundimin e Sërbisë. Vilajeti i Kosovës, që ishte njësi autonome osmane, deri më 1878 kishte 43.872 km2, në prag të pavarësisë 1912, pas shkëputjes me dhunë të pjesëve nga Toplica, Jablanica e Kosonica, mbeti me vetëm 32.900 km2, me vetëm 1.270 milon banorë, nga të cilët vetëm 3.7% serbë. Në luftrat Ballkanike, që historia serbe i quan çlirimtare. Qendrat ndërkombëtare të vendosjes tkurrën e rrudhën hapësirën etnike të shqiptarëve, por edhe me masakra barbare vranë popullatë civile shqiqiptare. Ky moral i keq antishqiptar i motivuar nga Kisha ortodokëse serbe dhe filozofia politike e mbështetur në projektet ideologjike për pastri  etnik e gjenocid ndaj shqiptarëve që nga “Naçertania” e Garashaninit, Qobrilloviqit, Cijiqit, Ivan Vukotiqit, Ivo Aderiqit që do të vazhdojë deri te Coviq dhe Memorandumi i ASSHA< SANU 1986 i Lubisha Rakiqit. Pëveç trojeve tona, të cilat qendrat ndërkombëtare të vendosjes i ndrydhën e shtrydhën deri në pa durueshmëri, Pushtuesit për rreth, Serbia, Greqi e Mali i zi, Kryen edhe vrasje masive e barbare në vet popullatën dhe qeninë tonë kombëtare. Kështu ushtria serbe në vitet 1912-13 vrau 25.000 shqiptarë, krahasuar me proporcionin e popullatës atëherë dhe tash. Në ato vite kishte shum ëfish më shumë vrasje e terror, se sa në luftimet e fundit 1998 e 1999. Por sipas një dokumeti të tashëm të SANU-së  nga nëntori i 1912 e deri në mars të 1914. Përmes Selanikut u shpërngulën 239.807 shqiptarë, ne dukument shkruan muslimanë. Pa i regjistrua fënijët deri në moshën 6 vjeçare. Poashtu këtu nuk janë logaritur ata që janë transferua përmes Kavallës greke që u shpërngulën 4000 persona. Gjithë këta të shpëngulur 240.000 u bartën me 356 anije në Turq, por, shkruan teksti i SANU-së edhe 40.000 shqiptarë të tjerë kanë marr rrugën tokësore të shpërguljes në Turqi..  Nga 1912 e deri më 1938 janë djegur 320 fshatra shqiptare e janë vra edhe 12.346 shqiptarë. Në këto vite janë burgosur 22.160 shqiptarë. Janë djegur ose shkatërruar 50.515 shtëpi, vetëm në Prishtinë e Prizren u dogjën mbi 10 mijë shtëpi shqiptare e 1200 të tjera në Ferizaj.  Ndërsa nga dhuna dhe barbari serbe  mbrënda viteve 1912 e deri 1918, nga Kosova Sanxhaku e trevat shqiptare në Maqedoni janë shpërngulur në Turqi dhe Shqipëri 239.807 shqiptar, dhe në vend të tyre Serbia ka sjellur kolon sërbomalazias 20.000 familje serbe e 5000 malaziase. Kurse vetëm në zbatim të projektit të Qubrilloviqit, 90 vjet pas Grashaninit ishte plotësimi i tij, e deri më vitin 1935, në Kosovë vendosen 13.938 familje. Po me projektin e Qubrilloviqit  Komunistët sllavë bënë thermi me trojet tona. Që nga Konferenca e Bunjajve kur pasuan reagime e veprime negative politike e ushtarake, u vendos influenca komuniste edhe në hapësirat shqiptare. Etnogjeografinë shqiptare e participuan në disa shtete të Ballkanit Por, për të mos lejuar asnjë rrezikim nga shqiptarët, vetë komunistët jugosllavë, këto hapësira i thermuan në disa republika jugosllave. Kosovën me vetëm 10.887 km2 e pagëzuan Provincë Autonome të Serbisë, Pollogun dhe treva tjera shqiptare i bashkëngjitën me Republikën Maqedone, Kosovën Lindore më 1958 e ndërthurën në Republikën e ngushtë Serbe, ndërsa Plavë e Guci Ulqin, Tivar, Krajë e Shestan i bashkuan në Republikën e Vogël të Malit të Zi. Ky thermim i kësaj tërësie etnike shqiptare u bë me qëllim të sundimit më të lehtë, shtypjes e aspiratës serbe, siç thjeshtë e mendonin për asimilim të shqiptarëve e mosrezistencë e mosrrezikimit të komunizmit sllavë nga shqiptarët në Jugosllavinë e titos. Kjo klimë e rëndë ndaj shqiptarëve, nuk kaloi pa rezistencë shqiptare, kaluan dekada të dhunës, politike, ekonomike e kombëtare komuniste serbe mbi shqiptarët. Para Demonstratave të 27 nëntorit 1968, dhe Pranverës së Madhe Studentore 1981, kur rinia studentore shqiptare theu tabunë, se kuminizmi është sistem i barazisë nacionale, i të drejtave kombëtare dhe lirive të njeriu. Madje, kinse sistemi komunist jugosllav, ka aktin shtetëror-legjislativ, Kushtetutën më të përsosur e më humane në botë. Sistem e politik që u shtresuan edhe kuando të selektuara për sherbim e verbëri politike shqiptare Gjatë gjithë sundimit komunist, Kosova dhe shqiptarët qëndruan në këtë hapësirë nën mbikqyerje neveritëse, të mohimit e në presion fizik, politik, kombëtar e shpirtëror. Shqiptarët dhe Kosova në këtë kohë tmerri luftoheshin në sipërfaqen e përkufizuar prej 10.887 km2. Në këtë sipërfaqe të mbetur nga grabitjet e kohës shqiptarë, pas shumë formave të veprimit politik e ushtarak  arritën deri te Marrëveshja e Rambujes shkurt 1999, ku ndërkombëtarisht, për herë të parë, vet shqiptarët morën pjesë drejtpërdrejt  në mbrojtjen e të drejtës në jetë dhe ekzistencë kombëtare e shtetërore,  të cilën marrëveshje e nënshkruan në Paris në mars 1999.  Marrëveshja Teknike e Kumanovë e 10 qershorit 1999, qe nënshkruar pa asnjë përfillje të shqiptarëve madje as pa praninë tonë, si dhe Rezoluta 1244 të KS në OKB, Kosovën e trajtuan në këtë përkufizim kufijsh,  Hyrja e forcave të NATO-së në Kosovë dhe Korniza Kushtetues e 2002, ndryshuan kufijtë dhe lejuan gjymtimin e tërësisë etnike të Kosovës.
.Ricoptimi i tërësisë së Kosovës, në rrethanë e realitet të ri, ndodhi që nga 12 qershor 1999, këto veprime në fillim nga qendrat politike e ushtarake ndërkombëtare u morën  për incidente të pavenerueshme. Hyrja triumfaliste e forcës ushtarake të UÇK-së e cila luftoi për ta mbrojtur popullin shqiptarë dhe bërjen e shtetit të saj të rrezikuar nga krimet e dhunës serbe. Në Kosovën Veriore në pranin e faktorit ndërkombëtar e vendor, u bë ndarje jashtë gjithë marrëveshjeve e rezolutave ndërkombëtare, “me një të rame” u shkëputën nga qenia shqiptare 18% e hapësirës kosovare me popullatën e saj vendore. Për këtë nga populli shqiptar u trumbetua e u shkrua, madje edhe u protestua në gjithë format demokratike, që të respektohen Rezoluta 1244 e KS të OKB-së dhe marrëveshjet paraprake. Edhe tash pas afro 14 vjetësh nga ky copëtim ka ngelur vetë kënga  relikt “Jo nuk ndahet Mitrovica”, e ndarja, deri në korrik të 2011 dhe bisedimeve Prishtinë-Beograd të 2011 e që po vazhdojnë në nivel Kryeministrash edhe tash, thuaja se qe zyrtarizuar dhe gadi mori formë e përmbajtje të pranimit të heshtur. Kosova ka dalzotët e sajë, nuk është livadh i shkret ku kullosin edhe gomarët e verbër, që me do farë marrëveshje jo valide serbe-maqedone  në Dobëlldej shkoqën edhe 2500 hektarë të Kosovës e disa disa hektarë në krahun e Dardanës. Kjo hapësirë e vjedhur nuk u mbrojt as nga Rezoluta 1244 e as nga Korniza Kushtetuese, as nga subjekti i autorizuar i KFOR-i e dikur UNMIK-u, tash EULEX-it e as nga krrokatjet injoruese, monotone e neveritëse të disa institucioneve “me programe dinamike” të Kosovës, për njohjen formale të Kosovës së lirë e  të pavarur. Në këtë shtet, karakteristik në historinë e praktikës shtetërore, mëvetësishëm e papengueshëm vepruan disa vjet administrimi i shtetësisë serbe edhe sot në disa hapësira ende veprojnë institucionet e ligjet serbe të mbështetura, jo të penguara nga faktori ndërkombëtar. Serbët në Kosovë kanë edhe disa njësi komunale me popullatë shumicë serbe, por ende lejohet veprimi paralel i institucioneve serbe, madje edhe me veprime kriminale e terror ndaj popullatës shqiptare, të cilat emërohen e me bekimin e Beogradit zgjidhen arbitrarisht në institucionet zyrtare të Kosovës, por ata zgjidhen paralelisht dhe në institucionet e subjektet shtetërore të Serbisë. Serbia këtu organizon lirshëm e pa pengueshëm zgjedhje, madje më në nivel demokratik se në vet hapësirën e shtetit serb. Enklava, ose dikur njësitë decentralizuese qendrore me seli, tash komunë e  Graçanicës, katër njësit komunale në Kosovën Veriore, tash edhe Kllokoti, Ranilluku, Gorazhdeci e Parteshi kapin, jo vetëm e rrafshit të Kosovës me mbi 20 fshatra etike serbe të Prishtinës, Lypjanit, Fushë-Kosovës e Kastriotit, ish-Obiliqit. Njësia e Shtërpcës me bukuritë e Brezovicë, ajo e Moravës së Binqës me vendbanime etnike serbe nga hapësira komunale e Gjilanit, Vitisë dhe Dardanës, ish-Kamenicës. Njëfarë autonomie e kanë dhe vendbanime etnike serbe të mjedisit të Vushtrrisë e disa vendbanime edhe më të vogla në trevën kosovare, të cilat tash mbi trembëdhjetë vjet janë, jo vetëm të pa mbikëqyrura nga institucionet e Kosovës, por pa lejen e mbikqyerjën e KFOR-it dhe policisë së EULEX-it. Kur kihen parasysh gjithë këto copëtime të paligjshme e të padrejta në çdo pikëpamje. Kosova aktualisht nga 10.887 km2. Institucionet kosovare, të njohura edhe nga ndërkombëtarët, mund të qeverisin dhe të mbikëqyrin diku në 7-8 mijë km2. për të cilat nga bisedimet teknik edhe tash ato mes Prishtinës e Beogradit, apo këtë kohë mes kryeministrave, të cilat po mbahen të hapura mes Prishtinës e Beogradit,gjegjësisht mes Kosovës dhe Sërbisë, shërbejnë si parakushte regullimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe prenimit të Sërbisë në BE, apo  plotësimin e arsyeshëm njerëzore, historik e kombëtare të shqiptarëve të Kosovës për njohjen e pavarësisë së Kosovës në tërësinë e  kufijve ekzistues të Kosovës së paraluftës së fundit 1998/99. Dhëntë Zoti, që  angazhimit i të zgjedhurve tanë të jenë në nivelin e përgjegjësisë për një vendimmarrje, serioze, korrekte e të sinqertë në këto momente e rrethana historike. Institucionet e Republikës së Kosovës  të jenë në nivel të vetëdijesimit e përgjegjësisë kombëtare e historike. Autoritete aktuale qeverisëse të kenë vetëdije në nivel të përgjegjësisë dhe obligimet që kanë marr para të drejtës së përfaqësimit të popullit në këto momente historike  të veprimit korrekt politik në nivele ndërkombëtare të vendosjes, të ndalet copëtimi i mëtejshëm i hapësirës sonë kombëtare në Kosovë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ismail Gashi-Sllovia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 534
  • 535
  • 536
  • 537
  • 538
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT