• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një samit i Ramës për Ramën

October 3, 2016 by dgreca

Samiti i planifikuar nga Rama do të jetë dhe një tullë në godinën e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Të gjitha këto të cojnë në përfundimin se edhe samiti i diasporës do të jetë i barzvlefshëm me fasadat e pallateve dhe zbukurimet e tjera me ideator Ramën/

1-goshi-ok1

Nga Gavrosh Levonja/Nju Jork/ Për kontributin e diasporës në zhvillimin e vendit është folur që në fillimet e viteve 90-të. Herë pas here, përfaqsues të qeverive të ndryshme të Shqipërisënuk kanë munguar të bëjnë përpjekje për të angazhuar personalitete të njohur të diasporës, kryesisht nga bota e biznesit. por edhe figura nga qarqet intelektuale të saj pa përmendur individë që kanë lidhje me qarqet politike në vende të ndryshme ku nuk mungon dhe ndikimi mbi to.  Madje, presidenti Berisha i atyre viteve nuk mungoi të shprehej se “uronte qe presidenti i ardhshëm i Shqipërisë, të ishte një përfaqsues i diasporës. Mirëpo, qoftë nga mosnjohja në thellësi e diasporës, por edhe si pasojë e mënyrës si u zbatua ekonomia e tregut dhe demokracia në Shqipëri, kontributi i diasporës mund të thuhet se mbeti në përmasa minimale. Edhe ato c’ka u realizuan ishin më shumë fryt i nismave individuale të përfaqsuesve të diasporës se sa realizime të bazuar në plane e projekte të qeverive të radhës. Në një shikim të parë dhe nisma e kryeministrit të radhës, Edi Rama, për mbajtjen e një samiti të diasporës në Tiranë është për t’u vlerësuar, me shpresën se mund të shërbejë për ndreqjen gabimeve të mëparshme duke sjellë një ndryshim të dukshëm lidhur me angazhimin e shqiptarëve që jetojne jashtë, ku nuk mungojnë dhe ata që kanë pozita të lakmueshme në vendet ku jetojnë e punojnë. Por, duke u njohur me mënyrën e organizimit të këtij samiti, nuk ka si të mos lindin dyshime përsa i përket suksesit në raport me objektivin e tij. Së pari nga sa shkruhet për pjesëmarrjen del se cilido shqiptar që jeton jashtë mund të marrë pjesë në këtë samit, mjafton të aplikojë online në ëebsitin e krijuar posacërisht për këtrë samit. Për mendimin tim mjafton kjo që serioziteti i kësaj nisme të komprometohet, të paktën në aspektin e fondeve për logjistikën, ku cdo gjithcka është në varësi të numrit të pjesëmarrësve, pa hyrë në modalitetet e zhvillimit të punimeve të këtij samiti. Ajo që mësohet nga ëebsit-i është fjala që do të mbajaë vetë Rama e cila nuk mund të jetë tjetër vecse një reklamë për vetveten. Normalisht, qeveria me kohë duhej të kishte një pasqyrë të plotë të atyre individëve, shoqatave e organizatave të shqiptarëve, aktivitetin e tyre në vendet ku jetojnë e operojnë, cilat janë mundësitë e tyre për të kontribuar në të mirë të Shqipërisë, sa dhe si mund të ndikojnë këto në forcimin e lidhjeve e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe vendeve përkatëse e kështu me radhë.  Karakteri fakultativ i pjesëmarrjes në samitin e nëntorit të le të kuptosh se perfaqsuesit e qeverisë shqiptare ne vende ku jetojnë shqiptarë nuk kanë informacionin e nevojshëm rreth bashkëkombasve të tyre gjë që natyrisht është pasojë e lidhjeve të pamjaftueshme të tyre me grupet e komunitetit shqiptar. Më ka rastisur të marr pjesë në disa aktivitete në shtete të ndryshëm të SHBA dhe në asnjë prej tyre nuk kam parë njerëz nga përfaqsitë diplomatike të shtetit shqiptar. Kam përshtypjen se diplomatët e Shqipërisë, të paktën këtu, në SHBA, janë të ndikuar nga psikologjia e vetë Ramës lidhur me qëndrimin ndaj atyre që konsiderohen si “kundërshtarë” për të mos thënë “armiq”.  Pasojë e mungesë së informacionit është dhe tentativa e dështuar për të emëruar një person nga diaspora si konsull por që për arsye të cilat nuk janë bërë publike nuk i u dha agreementi nga autoritetet amerikane. Sigurisht, që ndër aplikantët duhet të jetë dhe Bilali i famshëm i cili I bëri një nder jo të vogël kryeministrit Rama katër vjet më parë duke kontribuar për foton me presidentin Obama, falë shndërrimit të Ramës në “Bilalicë”. Para se të hidhte në publik nismën për një samit mbarëkombëtar të diasporës, kryeministri duhej të kishte bërë një analizë të hollësishme të raporteve të shtetit shqiptar më bashkëkombasit që jetojnë në vende të tjera. Në këtë kuadër ai duhej të kishte para një bilanc me të dhëna të sakta sa biznese nga diaspora operojnë në Shqipëri dhe sa të tjerëve u është mbyllur dera, sa është përfshirë diapora në privatizimin e objekteve të ndryhme, prone publike apo shtetërore, sa janë të joshur shqiptarët e diasporës nga qeveria shqiptare që të braktisin punët e mira që kanë jashtë për t’u kthyer në Shqipëri, pa përmendur numrin e madh të atyre që mbarojnë shkollat jashtë dhe mund të kthehen për të punuar në atdhe. Vec kësaj nga informacioni që jepet në ëebsitin për samitin e diasporës të krijohët përshtypja se gjithcka është ekskluzivitet vetëm i kryeministrisë në kohën që nuk përmendet angazhimi i ndonjë institucioni tjetër shtetëror I cili mund të kontribuonte qoftë dhe modestisht në një sukses të mundshëm të këtij samiti. Në këtë kontekst as mund të bëhet fjalë edhe për një institucion si presidenca e cila nuk kishte as informacionin më minimal mbi samitin. Duke marrë në konsideratë dhe kohën kur është planifikuar mbajtja e samitit, në prag të përvjetorit të festës kombëtare ka shumë mundësi që ky aktivitet do të organizohet vetëm për qëllime propagandistike. Në këtë aspekt, duket se Rama synon ta reklamojë veten dhe si një lider panshqiptar. Ndërkaq nëpërmjet këtij samiti ndoshta i ka vënë vetes detyrë të “rilindë” dhe diasporën. Por, mbi të gjitha samiti i planifikuar nga Rama do të jetë dhe një tullë në godinën e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Të gjitha këto të cojnë në përfundimin se edhe samiti i diasporës do të jetë i barzvlefshëm me fasadat e pallateve dhe zbukurimet e tjera me ideator Ramën

Filed Under: Opinion Tagged With: Gavrosh Levonja, për Ramën, Samiti i rames

DY ANËT E NJË MEDALJEJE

October 2, 2016 by dgreca

Nga Islam Spahiu/1-spahiuNuk mund ta shfaqësh madhështinë tënde duke qenë në njërin ekstremitet, por veçse duke i prekur që të dy në të njëjtën kohë./Paskal/ 

Në datën 22 gusht  nje e përditdshme mediatike   ka botuar një polemikë mes z. Shaqir Vukaj dhe z. Hamza Kazazit me rastin e 73-vjetorit të Luftës së Reçit. Me këtë rast, i pari mbron tezën e komunistëve shqiptarë, ndërsa i dyti të kundërtën e saj. Do të ishte shumë i dobishëm për historiografinë shqiptare një debat i tillë kur kemi parasysh që rrahja e mendimeve çon në përfundime të drejta, por kur sheh që secila palë shikon vetëm njërën anë të çështjes, atëherë këtu kemi të bëjmë me atë dukuri që me shprehjen popullore quhet “njëri i bie thumbit, tjetri patkoit”. Për të shmangur këtë mosmarrëveshje, jam i mendimit që në këtë debat të marrin pjesë të gjithë ata që kanë qenë dëshmitarë okularë në ngjarjet historike, dhe që kanë argumente dhe fakte që vënë pikën mbi “i”. “Asnjë dëshmitar nuk është më i mirë se sytë e tu”  thotë një fjalë e urtë e, nën këtë prizëm, do të përpiqem të jap kontributin tim modest në zbardhjen e së vërtetës. Nuk do desha të ndalem te Lufta e Reçit; atë do t’ua lija zotërinjve të lartpërmendur të polemikës së rastit, veç para se të hymë në temën që kam zgjedhur, nuk po më rrihet pa bërë një vërejtje si lexues i thjeshtë, mbi qëndrimin e ashpër, akuzues të z. Vukaj dhe në atë të z. Hamza Kazazit gati të përulur e shfajësues, si t’ ishte i pandehur para gjyqit. E them këtë sepse, ndërsa z. Vukaj e akuzon të atin e Kazazit si “kolaboracionist”, ky i fundit shkruan tekstualisht: “Jupi i ka pas thënë të shoqes dhe të afërmve se, i vetmi gabim në jetë ishte se pranoi post në periudhën e fashizmit dhe se, sa të qetësohej situata, me mbarim të luftës, do të kërkonte vetë të dilte në gjyq e pikërisht pse komunistët flisnin”. – Me këtë deklaratë, z. Vukaj del fitues i një beteje, por unë do të thosha, jo i gjithë luftës; kjo pse ne do të vazhdojmë t’i shohim dy anët e medaljes dhe duke i shkuar çështjes gjer në fund, pa u trembur nga e vërteta, pse, siç ka thënë Shekspiri “Duhet thënë shpesh e vërteta sepse shpesh përsëritet dhe gënjeshtra”. – Po marrim çështjet më kryesore:

1.LANÇ: LUFTË ÇLIRIMTARE APO CIVILE?

Para së gjithash, duhet t’i kujtojmë z. Vukaj se ai harron që në fillim se ç’bazë ka pasur e ashtuquajtura “Luftë Nacional-Çlirimtare”. Besoj se ai e di mirë që komunistët shqiptarë nuk e kanë kundërshtuar pushtimin italian të 7 prillit 1939. Në atë kohë ishte në fuqi pakti gjermano-sovjetik. Polonia e pushtuar u nda përgjysmë mes tyre; në sheshin e Varshavës u bë paradë e përbashkët e dy ushtrive. KOMINTERN-i që nga Moska lëshoi thirrjen për gjithë komunistët e botës: Mos kundërshtoni luftën e drejtë të fashizmit kundër kapitalizmit botëror. Unë në atë kohë isha 10 vjeç dhe kam lexuar me sytë e mi këngë fashiste pa ndonjë ndryshim nga këngët partizane. E kështu, në këtë kohë nuk ka pasur partizanë në Shqipëri. Vetëm nacionalistët e bënë gjestin e rezistencës (nuk kish mundësi më tepër) por duhet ditur që nga gjestet e vogla bëhen beteja të mëdha. Prandaj duhet ditur gjithashtu që Mujo Ulqinaku nuk qe komunist siç deshët ta bëni ju; ai ish-nënoficer me siglën  (Zogu i I-rë) në kapelë. E ndërsa nacionalistët internoheshin në Ventotene, komunistët shqiptarë fërkonin duart me entuziazëm për “sukseset” e “Luftës rrufe” të Hitlerit, e veç atëherë kur Gjermania hitleriane sulmoi Bashkimin Sovjetik, atdheun e tyre ideologjik, vetëm atëherë ata rrokën armët, – ofshe! Për një vend të huaj jo për të vetin! – E si është e mundur që z. Vukaj, që mbahet si njohës i historisë, e injoron këtë fakt të pamohueshëm? Zotëria e tij nuk e përmend fare PKSH dhe kush e organizoi atë. A nuk qe vallë malazezi Miladin Popoviç që e organizoi dhe e udhëhoqi PKSH deri në fund të luftës? Nga e merrte drejtimin LANÇ-i? Ky emërtim u mor nga AVNOJ, i përkthyer nga serbishtja. Atëherë lind pyetja: Kundër kujt u drejtua pushka e partizanit shqiptar, kundër të huajit apo kundër vëllait të vet? Një statistikë shkencore do të nxirrte në dritë një bilanc të tmerrshëm, “UNÇL”, nën udhëheqjen e PKSH, e cila nga ana e saj udhëhiqej nga ajo jugosllave, luftonte nën sloganin “kundër armiqve të brendshëm” apo “reaksionarëve” e pastaj lahej goja “kundër okupatorit”. Humbjet njerëzore gjatë periudhës së Luftës Dytë Botërore në Shqipëri, në përqindjen më të madhe janë shqiptarë të vëllavrarë; shembujt janë të ditura nga familje viktimash që i përkujtojnë të vetët sot e kësaj dite. Në qoftë se LANÇ do të ishte me të vërtetë çlirimtare, ç’donte Brig. I e Mehmet Shehut në një fshat të Peqinit ku u masakruan 67 fshatarë të pafajshëm? “Okupatorë” qenë ata? Për këtë krim krenoheshin komunistët: “vranë kaq ballista…”, po brigada e V “Sulmuese” ç’deshi në Lumën e largët, duke u hedhur nga Jugu në Veri?, pse i vranë dy arsimtarët 20-vjeçarë, posa kishin kryer Normalen e Elbasanit? A nuk pati të drejtë pastaj fshati i tyre, Lusna, që u ngrit në këmbë, me të madh e më të vogël dhe i ra asaj brigade gjakatare? A nuk ishin shqiptarë fshatarët e pafajshëm të Buzmadhes, ku u pushkatuan 21 vetë, në mes të cilëve një 19-vjeçar? Kjo ndodhi me 26 shtator 1944. Po në këtë vit u pushkatuan 4 burra në fshatin Novosej. A nuk mjaftojnë vallë këto kulme tmerri që të vërtetojnë se ajo luftë nuk qe aspak “çlirimtare” por mirëfilli vëllavrasëse? Të shohim më poshtë çështje tjera.

 

2.KOLABORACIONIZMI NË SHQIPËRI 1939-1944

Duke pasur parasysh sa thamë më lart, le ta analizojmë me kujdes këtë term që përbën akuzën e komunistëve shqiptarë ndaj nacionalistëve gjatë okupacionit, akuzë kjo që sot e kësaj dite ata e përdorin si kalë beteje. Sipas fjalorëve të gjuhëve të ndryshme evropiane, termi kolaboracion shpjegohet, pos të tjerave, edhe me fjalën kompromis. Njihen kompromiset historike. Le ta shqyrtojmë pak, pa u ngutur, për t’i shkuar çështjes gjer në fund.

Nuk ka popull në historinë e njerëzimit, as ata më të mëdhenjtë, që e kanë siguruar ekzistencën e vet, – në një mënyrë a në një tjetër – pa mbështetje a bashkëpunim me ndonjë tjetër. Nëse është kështu, pse do të bënte përjashtim një popull i vogël si ky i yni, aq më tepër kur dihet që historikisht ka qenë objekt përbuzjeje e dhunimi për Fuqitë e Mëdha? Ishte Traktati i Londrës ai që e ktheu Shqipërinë në një shesh lufte mes fuqive ndërluftuese gjatë Luftës I Botërore. Një zëdhënës i qeverisë angleze, i pyetur se cilët ishin miqtë e përhershëm të vendit të tij, u përgjigj: Britania e Madhe nuk ka miq të përhershëm por interesa të përhershme. Kurse në vigjiljen e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, kryeministri konservator anglez, Çamberlajn, i pyetur se çfarë qëndrimi do të mbante qeveria e tij ndaj ndonjë sulmi eventual të Italisë ndaj Shqipërisë, u përgjigj me gojën plot: Britania e madhe nuk ka interesa në Shqipëri. – Nuk do të mjaftonte me kaq, po mos të dinim një fakt tjetër kuptimplotë, që vërteton edhe më tepër se ç’rëndësi kishte Shqipëria në arenën ndërkombëtare. Të gjithë e dinë se gjatë Luftës II Botërore, të gjithë mbretërit e vendeve të pushtuara emigruan e, shumica e tyre kërkoi strehë në Angli, te “nëna e mbretërive botërore”, siç mund të thuhet në këtë rast. Kështu ndodhi edhe me mbretin tonë, Zogun I, mbret i Shqiptarëve; por këtu u bë një përjashtim: mbretëria tradicionale britanike nuk denjoi ta njohë këtë mbret të “vetëshpallur”, siç e quanin armiqtë e tij. Ia refuzuan, gjithashtu, edhe kërkesën për t’u takuar me ndonjë titullar të mbretërisë dhe e lanë si emigrant të thjeshtë në një hotel privat. E, natyrisht, mbreti shqiptar, i zhgënjyer, u largua që andej e, pas peripecirash, ndërroi jetë në një klinikë private në rrethinat e Parisit. Por e kundërta ndodhi me mbretin Konstandin të Greqisë. Ai u vendos në një vilë të posaçme në mes të Londrës, i ruajtur me gardë mbretërore.

Edhe sikur të jenë pak këto që u thanë më lart, a nuk del i qartë fakti që Fuqitë e Mëdha e kanë denigruar historikisht Shqipërinë, është për t’u mbajtur mend rasti kur Konferenca e Londrës vendosi kufijtë e 1913 që linin jashtë vende e troje thjesht shqiptare. Atëherë Fishta ynë i madh shfryu:

“Uh! Evropë ti kurva e motit / Qi i rae mohit besës Zotit! / Po a ky â shêji i qytetnisë / Me da tokat e Shqypnisë / Për me mbajtë klysht e Rusisë?”.

Atëherë, ç’qëndrim do të mbanin patriotët tanë përballë një armiqësie të tillë, e cila synonte asgjësimin e kombit e të Atdheut? Le të japim përgjigjen e duhur si realistë e jo si ëndërrues. Përgjigjja më e saktë mendojmë se është sakrifica që ata bënë nën moton “Atdheu mbi të gjitha”. Jo më kot këtu do të kujtojmë shprehjen e poetit të madh hungarez, Petöf: “Për dashurinë jap jetën, por për lirinë jap dashurinë”. – E, pa dyshim, do të thoshim që patriotët tanë pranuan një sakrificë ende më të madhe; madje sublime: me gjestin e tyre ata thanë: “Për nderin japim jetën, por për Atdheun japim edhe nderin”, dhe e bënë; pranuan nofkën mallkuese “kolaboracionist” dhe nuk iu trembën as vdekjes për këtë. Duke e shqyrtuar pa paragjykim këtë dukuri, do të arrimë në përfundimin e drejtë që ky term, në këtë vend e kohë, e humbet hijen e keqe dhe merr shkëlqimin e së mirës; kthehet në të kundërtën: ata marrin hirin e heroizmit; shkrinë gjithçka për idealin më të shenjtë: Atdheun. “Qëllimi shenjtëron mjetet” është një nga parimet e urdhrit jezuit. Kështu, patjetër mallkimi kthehet në respekt. Një dukuri e tillë njihet në vende dhe epoka të ndryshme, e nga persona të veçantë. Për shembull:

 

KONTESHA VALEVSKA

Polonia fatkeqe kishte pësuar një ndarje të dhimbshme midis Prusisë, Rusisë dhe Austrisë në vitin 1795. Popullsia aty do ta priste si shpëtimtar Napoleon Bonapartin. Ky, gjithashtu, kishte interes të krijonte një shtet aleat në qendër të Evropës, kur perandori frëng hyri me ushtrinë e tij në Varshavë (1807), aristokracia polake i bëri një pritje madhështore; mes tyre ishte edhe kontesha Valevska. Me perandorin ajo pati një bashkëbisedim; për Napoleonin ai qe një “flirt”. Zonja e hekurt nuk deshi të dorëzohej; nuk donte të tradhtojë bashkëshortin e saj plak. Porse – duket e çuditshme – jo vetëm parësia e vendit por vetë i shoqi, bënë çmos ta bindnin zonjën e lartë polake që t’i jepej perandorit frëng; e kjo në emër të shpëtimit të atdheut, pas një hezitimi ajo, më në fund pranoi. Dha pra nderin personal për atë që ishte më e shtrenjtë për kombin: Tani një kuriozitet sipas biografëve seriozë, nga Atdheu ato pak femra që u lidhën me Bonapartin, e vetmja që i ka qëndruar besnike deri në fund, ishte kontesha Maria Valevska. Emil Ludvig, në veprën e tij madhore Napoleon, veç tjerash, ka shkruar edhe për disa anekdota nga jeta e Bonapartit. Pas abdikimit të parë, siç dihet, Fuqitë e Mëdha ia njohën këtij sovranitetin mbi ishullin Elba (1814-1815). Duke përshkruar banesën e sovranit, ai tërheq vëmendjen: “…në kopshtin e vilës së Bonapartit, shihej duke luajtur një fëmijë 10 vjeç me kostum polak”. Ky qe biri natyror i Napoleonit I dhe i konteshës Maria Valevska. Ky mori titullin “Konti Kolona” që më vonë u bë figurë politike. Nën sundimin e Napoleonit III qe ministër i Punëve të Jashtme (1855) pastaj arriti të kryesojë Kongresin e Parisit (1856).

 

WINSTON ÇËRÇILL

Le të vijmë këtu në kohën e Luftës Dytë Botërore (1939-1945). Evropa u trondit nga shpallja e “Luftës rrufe” të Hitlerit. Objektivi kryesor ishte Anglia. Pas një përshkallëzimi të luftës, Londra u bombardua dhe u dëmtua mjaft; tmerri tashmë e kishte pushtuar popullin. Në vitin 1942, qeveria e kryeministrit konservator, Çërçill, bëri aleancë me Bashkimin Sovjetik të Stalinit. Në qarqet politike, mbase edhe në popull, ky akt u quajt skandal. Në Parlamentin britanik, Dhoma e lordëve këta të fundit u ngritën të alarmuar dhe të indinjuar dhe protestuan. Pyetjes se si është e mundur që një vend si Anglia, një mbretëri tradicionalisht e njohur si simbol autoriteti dhe qytetërimi, të katandisej në një aleancë me vendin më barbar e obskurantist me një regjim totalitar komunist, Çërçilli, me gjakftohtësinë proverbiale angleze, u përgjigj: “Në qoftë se Hitleri do të invadojë ferrin, ne do të luftojmë krah për krah me djallin”. – Kjo shprehje, besojmë se nuk ka nevojë për koment.

 

MARESHALI PETAIN

  1. – Meqenëse termi Kolaboracionizëm lindi në periudhën e Luftës së Dytë Botërore e pikërisht si përcaktim i dukurisë së bashkëpunimit me okupatorin nazist gjerman, le t’i hedhim një sy Francës së kësaj kohe e cila është tipike në këtë drejtim. Në këtë kohë e në këtë vend, kemi dy anët e një medalje: e para është rezistenca e paepur e popullit francez kundër pushtuesit nën udhëheqjen e gjeneralit De Gol, dhe tjetra është e bashkëpunëtorëve (kolaboracionistë) me okupatorin, me qëllimin për të shpëtuar atdheun; të kryesuar nga mareshali Petain. Për të parën nuk kemi asnjë koment sepse është e kuptueshme nga kushdo, kurse e dyta anë e medaljes paraqitet enigmatike dhe kërkon shumë durim e kurajë që të zbërthehet gjer në fund. Atëherë le të merremi me të dytën. Protagonisti kryesor i kësaj historie në Francë, pa dyshim qe mareshali Petain. Ky, pas një karriere të lavdishme në shërbim të atdheut, e sakrifikoi famën e nderin kur Franca qe përballë një rreziku asgjësues. E ja se si:

Ai qe ambasador në Madrid kur Gjermania sulmoi Francën (1939). U thërrit në qeveri dhe u emërua kryetar i Këshillit Ministrave. Menjëherë pas kësaj, ai kërkoi armëpushim me Gjermaninë. I veshur me të drejta fuqiplote nga Asambleja Kombëtare, më 10 korrik 1940 ai, 84-vjeçar, u njoh si kryetar shteti në Vishi. Për politikë të brendshme ai shpalli “Revolucionin Kombëtar, ndërsa për atë të jashtmen zgjodhi rrugën e “kolaboracionizmit”. I ndodhur tashmë në postin e tij në këtë zonë të lirë, në nëntor të 1942, ai qe gjithnjë e më tepër i varur nga gjermanët, të cilët e morën me vete gjatë tërheqjes në gusht të 1944. I transferuar në Singmaringen bashkë me qeverinë e tij, u kthye në Francë ku pas një viti (1945) u dënua me vdekje nga Gjykata e Lartë, porse për hir të shërbimeve të larta dhe lavdisë që i dha atdheut në të kaluarën, dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm të cilin vuajti në ishullin Yen, në bregdetin e Oqeanit Atlantik – fortesa është dhe sot – Mos të harrojmë që, godina ku u zhvillua gjyqi i tij, qe e rrethuar nga një kompani ushtarë, në roje nga turmat e revoltuara të popullit që brohorisnin për Petainin hero dhe kërkonin lirimin e tij. Sidoqoftë, ai e arriti qëllimin: Po të ishte bërë një luftë mes Francës e Gjermanisë, përveç humbjeve njerëzore të paparashikueshme, Franca do të ishte shkatërruar. Dihet se si ushtria hitleriane i linte vendet e braktisura. Mjafton vetëm një shembull: Varshava u shndërrua në gërmadhë, kurse në Parisin kolosal, me urdhrin direkt të Hitlerit, nuk u prek asnjë tjegull.

 

KËSHILLI I LARTË I REGJENCËS NË SHQIPËRI (1943-1944) ishte organ i lartë i pushtetit i organizuar nga nacionalistët shqiptarë pas kapitullimit të Italisë fashiste (1943). Kuvendi Kombëtar zgjodhi Këshillin e Lartë të përbërë nga 4 veta, që duhet të kryesonin me radhë për 3 muaj secili, Këshilli i Lartë ishte kryetar i shtetit, kishte komandën e përgjithshme të forcave të armatosura, emëronte nëpunësit e lartë, nxirrte dekretet dhe rregulloret e nevojshme për zbatimin e ligjeve. Të gjitha atributet e tjera që, sipas statusit zogist të vitit 1928 i takonin mbretit, ushtroheshin nga Këshilli i Lartë përveç atyre që nuk pajtoheshin me karakterin e këtij institucioni. Ky këshill u kryesua gjatë gjithë kohës së ekzistencës së tij, nga Mehdi Frashëri. Ishte pra shtet shqiptar i pavarur. Komandanti i ushtrive gjermane, me anë të një proklamate shpalli botërisht: “Mbi ardhmërinë politike dhe shtetërore të vendit do të vendosë vetë populli shqiptar. Gjermania nuk do kurrgjë nga Shqipëria!”. E më tej: “Ne gjermanët jemi miqtë tuaj më të mirë e më të sinqertë. Mos na merrni edhe ne për italianë! Kujtoni se zmadhimin e Shqipërisë suaj me krahinat më pjellore e keni fituar në vitin 1941 me anën e armëve tona”. E si përfundim: “Na nga Atdheu juaj do largohemi kryekëput me të përfunduar lufta me triumfin tonë”. – Besojmë që nuk ka fakt më të qartë që vërteton se ushtria gjermane nuk ishte pushtuese në Shqipëri; prezenca e saj në vendin tonë ishte për qëllime taktike e strategjike që karakterizonin Luftën e Dytë Botërore: Duhej ndaluar rreziku i zbarkimit të Aleatëve në bregdetin Adriatik. Ja e gjitha…

 

“LIMBO” APO “SHKOLLA E ATHINËS” SHQIPTARE.

Një fotografi shumë interesante që botonte gazeta “Dita” e datës 23 gusht, na frymëzon e na jep rastin t’i nxjerrim në pah e t’i shqyrtojmë figurat kryesore të Regjencës (1943) që paraqiten aty. Duke e parë atë fotografi – madhështore do ta quaja unë – më shkoi mendja te LIMBO e “Komedisë Hyjnore”, ku Dante paraqet njerëzit më të mëdhenj të lashtësisë duke i përshkruar një nga një sipas emrave të lavdishëm të tyre. Dhe, analogjikisht me këtë sikur më doli parasysh tabloja e famshme e piktorit gjenial të Rilindjes Italiane, Rafaelos, ku gjithashtu janë paraqitur figurat më të lavdishme të lashtësisë, kuadër ky i titulluar SHKOLLA E ATHINËS. Sigurisht nuk mund të ndalemi këtu në një analizë të hollësishme, sepse është një temë më vete që kërkon vend e kohë tjetër. Por neve na shërben ky shembull për të shtjelluar shqyrtimin e figurave të veçanta të kombit tonë të cilat, për nga rëndësia historike, nuk ua lënë dalë figurave të mëdha të lashtësisë që janë paraqitur në LIMBON e Dantes apo në SHKOLLËN e ATHINËS së Rafaelos. Pra, le të jemi kurajozë e të marrim nismën për të hedhur dritën e së vërtetës mbi një realitet të anatemuar. Le t’i nxjerrim në dritë ata burra që shkëlqyen për një kohë të shkurtër, si qiriu i cili para se të shkrihet krejtësisht, për një çast lëshon një shkrepje flake më të madhe e pastaj fiket. T’ua bëjmë pra një nderim këtyre heronjve; atyre që shkrinë veten për hir të Atdheut. E, duke e mbajtur para fotografinë madhështore ku radhiten këta kreshnikë të denjë për epikën tonë, le t’i marrim me radhë, nga e majta në të djathtë:

 

  1. Fuat Dibra

Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare për pavarësi. Më 1909 F.D. ishte organizator i Kuvendit të Dibrës, më 1919 kontribuoi për shpenzimet e qëndrimit të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes – Paris për 17 muaj. Ndërkohë, vetë ishte përfaqësues i Kolonisë Shqiptare të Stambollit në atë Konferencë. Më 5 prill 1920, së bashku me P. Evangjelin ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes të emëruar nga Këshilli Kombëtar. Pas pushtimit italian të Shqipërisë u emërua ministër i Ekonomisë Shqiptare, më 3 dhjetor 1941, por ai dha dorëheqjen me 12 janar 1942. Më 18 prill 1942 u emërua anëtar i Këshillit t’Epërm Fashist Korporativ, por edhe atë post F.D. nuk e pranoi dhe nuk e bëri betimin ritual, çka solli shkarkimin e tij më 9 qershor 1942. Në nëntor po të këtij viti ai ishte një nga themeluesit e Ballit Kombëtar. Më 25 tetor 1943, u mblodh Kuvendi Kombëtar ku u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë. Për shkak të sëmundjes, ai nuk e ushtroi thuajse fare atë detyrë. Vdiq në Tiranë në muajin shkurt 1944 dhe u varros me nderime të posaçme.

 

  1. Mihal Zallari

Lindi në Frashër të Kolonjës 1894 në familjen e Zallarëve. Kreu në Stamboll liceun gjerman; më vonë kreu studimet në Grac. Ndërkohë, familja e prindërve të tij, në vitet 1920-1924 mbajti qëndrimin politik në krah të Fan Nolit. Pas kthimit nga studimet, ai ushtroi kapacitetin e tij dhe energjitë në punë të ndryshme shoqërore ose zyrtare. Veç tjerash, ai u emërua në Shkollën Mbretërore të oficerëve ku jepte lëndën e historisë së artit. Në shkollat e tjera ka dhënë lëndën e matematikës. U dha edhe pas publicistikës shkroi me nivel të lartë në gazetat “Demokracia”, “Besa” etj. Vazhdoi në vitet 1939-1944 duke shkruar në gazetat “Kombi”, “Bashkimi” etj… Pas kapitullimit të Italisë (1943) Mihali u thërrit në Komitetin Provizor që kishte atributet e qeverisë dhe, më pas, në zgjedhjen e Asamblesë që kishte funksionet e Parlamentit, ku u zgjodh kryetar i saj. Në këtë detyrë ai qëndroi deri në tetorin e 1944 dhe,ai  kur forcat gjermane po largoheshin nga Shqipëria, i ofruan mundësinë për ta çuar në Gjermani, por nuk pranoi. Me ardhjen e komunistëve në fuqi, Mihali qe ndër ata personalitete të cilët u nxorën para Gjyqit Special si armik i popullit. U dënua me 30 vjet burg pas një gjyqi konfuz. U lirua me 28 prill 1962 pasi kishte kryer shumicën e dënimit në burgun e Burrelit. U vendos në Tiranë ku punoi për ca kohë në ndërmarrjen botuese të kryeqytetit. Vdiq më 17 mars 1976.

 

  1. – Mehdi Frashëri (1872-1963)

Kryeministër i Shqipërisë (1935-1936), funksionar i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, kurse në shtetin shqiptar veprimtar politik. Ministër i Brendshëm në Qeverinë e Durrësit (1918), deputet në parlamentin e parë shqiptar (1921-1923), ministër i Punëve Botore (1921), ministër i Bujqësisë (1930). Përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (1934-1937). Kryetar i Këshillit të Shtetit (1929), kryeministër (1935-1936). Në këtë kohë qeveria e tij arriti të kapërcejë krizën në marrëdhëniet italo-shqiptare. Dënoi botërisht pushtimin italian të vendit tonë. Fashistët e internuan në Romë. Pas kapitullimit të Italisë, gjermanët u kthyen në atdhe dhe në tetor të 1943 u caktua në krye të Regjencës. Në atë post qëndroi deri në fund, megjithëse drejtimi i Regjencës parashikohej me rotacion. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore u largua nga Shqipëria. Ka shkruar një varg studimesh me karakter historik e politik të botuara në organe të ndryshme të shtypit. Vepra më e rëndësishme është Historia e lashtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Vdiq në Romë më 1963.

 

  1. Patër Anton Harapi (1888-1946)

Klerik dhe veprimtar politik. Lindi në Shirokë të Shkodrës. Studioi në Hungari për teologji dhe filozofi. Më 1910, mësues në kolegjin e fretërve (Shkodër), më pas shërbeu në Malësinë e Madhe si famullitar (1918-1919). Më 1925 botoi librin e parë nga fusha e pedagogjisë, me titull: Edukata ose mirërritja e fëmijëve, një përshtatje e parimeve të pedagogjisë botërore për fëmijët shqiptarë. Në vitet 1921-1924 mori pjesë në veprimtari politike. Ishte një nga drejtuesit e organizatës “Ora e Maleve” dhe drejtor i gazetës me të njëjtin emër. Bënte pjesë në krahun e opozitës demokratike (1923-1944); u arrestua dhe u burgos disa herë. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, u bë anëtar i Asamblesë Kushtetuese (1939). Në vitet 1941-1943, mori drejtimin e Kuvendit Françeskan, në periudhën e sundimit gjerman (1943-1944) u zgjodh anëtar i Këshillit të Regjencës. Pas çlirimit u arrestua dhe u dënua me vdekje nga një “gjyq special” si bashkëpunëtor i fashizmit dhe u pushkatua. Varri i tij, si i të gjithë tjerëve si ai, nuk ekziston.

 

  1. Rexhep Mitrovica (1888-1967)

Veprimtar i Lëvizjes Kombëtare për pavarësi, intelektual, kryeministër në periudhën e okupimit gjerman. Lindi në Mitrovicë. Kreu shkollën e mesme Idadie në Shkup (1916-1920), dhe ndoqi studimet për shkencat pedagogjike në Vjenë. Bashkëpunoi për mbajtjen e Kongresit të Manastirit dhe për jetësimin e alfabetit latin të tij. Mori pjesë si delegat i Pejës në Kuvendin e Vlorës që shpalli pavarësinë më 1912 dhe ishte njëri nga firmëtarët e deklaratës së pavarësisë. Ishte një nga themeluesit e Partisë Kombëtare (Durrës 1914); anëtar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës; ministër Arsimi në Shqipëri (24.12.1921-25.02.1924). R.M. punoi për kombëtarizimin dhe demokratizimin e sistemit arsimor shqiptar për ngritjen e nivelit profesional të shkollës shqipe dhe ndihmoi arsimin shqip ilegal në Kosovë. Përkrahu Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924; pas shtypjes së tij u largua nga vendi. Kryesonte Grupin e Parisit të mërgimtarëve shqiptarë antizogistë. Gjatë Luftës 2-të Botërore ishte anëtar i Këshillit të shtetit shqiptar (1941-1943) dhe komandant i forcave vullnetare shqiptare në Kosovë (1942-1943). U arrestua dhe u burgos nga italianët (1943). Me formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, u zgjodh kryetar i saj. Qe kryeministër i Shqipërisë në periudhën 1943-1944. Në prag të ardhjes komunistëve në fuqi u largua nga Atdheu. Vdiq në Stamboll (1960).

 

  1. – Vehbi Frashëri

Me 5 nëntor 1943 u krijua qeveria me kryeministër Rexhep Mitrovicën. Posti i Ministrit të Punëve të Jashtme iu ngarkua z. Mehmet Konica ndërsa ai i nënministrit të kësaj ministrie, iu ngarkua z. Vehbi Frashëri. Z. Mehmet Konica nuk mori pjesë në betimin e kabinetit të ri qeveritar dhe nuk e ushtroi këtë detyrë deri më 1944 kur ministër i Punëve të Jashtme emërohet z. Bahri Omari. Gjatë kësaj kohe z. Rexhep Mitrovica, kryetar i kabinetit qeveritar, pat ushtruar edhe detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme. Me 17 korrik posti i ministrit të P. Jashtme i kaloi z. Ekrem Vlora.

 

EPILOG

Duke besuar që me analizën e mësipërme del qartë e vërteta e madhe e historisë sonë moderne, do të nxjerrim edhe përfundimin. Si realistë, pa iluzione, ne dimë që mjerisht e vërteta është e pabesueshme; ndërsa gënjeshtra po. Arsyeja është sepse e vërteta nuk e përfill dëshirën, në një kohë që gënjeshtra ndërtohet pikërisht duke u bazuar tek ajo. Veç kjo dukuri është e përkohshme: “gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”. E mbi të gjitha del që, nuk kanë vlerë fjalët por veprat. “Ne jemi: veprat tona” (J.P. Sartre). E në qoftë se është kështu, personalitetet që shqyrtuam më lart, me vepra e jo me fjalë, treguan se ç’qenë, se ç’ishte sakrifica për Atdheun. Të tillë nuk qenë vetëm ata që paraqitëm në Limbo apo në “Shkollën e Athinës shqiptare”. Pati kolosë të tjerë si ata; vetëm emri është lavdia e tyre. Këtu kemi të bëjmë p.sh. me një vigan të letrave shqipe, Ernest Koliqin, pa rival në gjininë e novelës shqiptare; pra, një kulm që nuk e arritën dot ata shkrimtarë “oborri” që sot pretendojnë çmimin Nobel. E ky apogje patriotizmi dhe kulture, shfrytëzoi talentin bashkuar me fuqinë shtetërore evropiane, për të çuar, si i thonë, ujin në mullirin kombëtar; e ia arriti shkëlqyeshëm. Koliqi. Si ministër Arsimi, ai dërgoi 200 arsimtarët më të kualifikuar në trojet e Shqipërisë së liruar. Kosova e sotme i detyrohet shumë; ai e bëri atë të “flasë shqip”. “Dhe ai më i bukuri pallac i ka të fshehur në tokë gurët, mbi të cilët u mbështet e u rrit” (Konica). Mjerisht, në përgjithësi, kosovarët e sotëm ende nuk e dinë këtë; është e trishtueshme t’i shohësh të vinë e të vënë kurora lulesh në varrin e diktatorit Hoxha, pikërisht t’ atij që përjetësoi sundimin e huaj mbi ta. Por, ne gjithnjë besojmë se do të vijë dita kur ata t’i njohin shpëtimtarët e tyre të vërtetë. Ata do t’u ngrenë monumente e shtatore, do t’u vënë emrat e tyre shesheve e rrugëve më të bukura që ka. Krahas me Koliqin kemi një tjetër vigan: kryeministrin “kuisling” Mustafa Kruja. Edhe ky bashkonte në vetvete talentin e madh kulturor si gjuhëtar i pashoq me atdhedashurinë më të flaktë. Ai pati kurajën të heqë nga flamuri ynë kombëtar “fashot e liktorit” të vëna nga pushtuesit. Kjo gjë nuk ndodhi në flamurin italian; Musolini nuk reagoi fare. Një tjetër rast i përket albanologut të famshëm me origjinë hebreje, Norbert Jokl. Regjimi nazist, në një nga pikat kryesore të programit kishte shfarosjen e çifutëve. Me këtë rast Jokli ishte arrestuar dhe do të deportohej në kampet e përqendrimit. Sapo mori vesh lajmin, kryeministri Kruja i drejtohet personalisht me radiogram Adolf Hitlerit duke i kërkuar faljen e Joklit për hir të popullit shqiptar, të cilit i ka shërbyer aq shumë. Për habinë e të gjithëve, Hitleri dha urdhër të lirohet, po mjerisht ai kish ndërruar jetë (u hodh nga treni) pak minuta më parë. Ka dhe tjera figura të mëdha që  nuk i kanë munguar Shqipërisë, të cilat nuk mjafton t’i përmendësh, siç po bëjmë këtu; duhen monografi nga penda dinjitoze. E kështu, për të përfunduar, Limbos dhe Shkollës Athinës shqiptare do t’u shtohen hapësira të tjera gjersa të ndërtohet e të ngrihet Panteoni Kombëtar që u ka borxh Atdheu.

Filed Under: Opinion Tagged With: dy anet, e nje medaljeje, Islam Spahiu

Komisionerit Hahn, Çështja Çame, ndërgjegja greke

October 1, 2016 by dgreca

Nga Arben Llalla/

Deklarata e Komisionerit Hahn rreth problemeve të pazgjidhura që ekzistojnë mes Greqisë e Shqipërisë si kufiri detar dhe Çështja Çame ka futur marrëdhëniet midis dy vendeve në një ujdhesë të re, por ka ngjallur gjuhën e urrejtjes së Greqisë ndaj Bashkimit Europian dhe Komisionierit Hahn. Deklarata e këtij të fundit, jo vetëm i zuri në befasi deputetët grekë të Kuvendit të BE-së, por i dha një përgjigje shterruese deklaratës së bërë pak kohë më parë të ambasadores së Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani. Kjo e fundit u shpreh se çështja e kufirit ishte zgjidhur me marrëveshjen e nënshkruar më 2009 dhe Çështja Çame nuk ekzistonte.

Tashmë, pas kaq shumë vitesh dhe përpjekjesh të vazhdueshme nga Shoqata atdhetare “Çamëria” dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU, Çështja Çame ekziston zyrtarisht si fusnotë udhërrëfyese në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, pra si një çështje e pazgjidhur ende, e cila mund të jetë boshti i një fqinjësie të mirë dhe të sinqertë, nëse gjen zgjidhjen e vërtetë. Dhe kush mund t’ua tregojë këtë udhë? Kush ka detyrë dhe detyrim, por dhe mundësinë për t’ë rrëfyer rrugën e zgjidhjes së Çështjes Çame? Ja një pyetje që u vihet sot intelektualëve, politikanëve, akademikëve të dy vendeve fqinje. Këtë rrugë duhet ta gjejnë intelektualët dhe politikanët e rinj nëpërmjet njohurisë të historisë së vërtetë, të shkaqeve të tragjedisë çame, për të cilën më së shumti është heshtur deri më sot. Historia e popullit shqiptar dhe në veçanti e shqiptarëve të Çamërisë ende nuk është e shkruar e tëra. Akoma mbeten të panjohura shumë shkaqe dhe shumë prirje tendencioze, nga të cilat disa konsiderohen të justifikuara, e të tjera të pajustifikuara, me gjithë se nuk duhet pranuar as edhe një justifikim në fshehjen a shtrembërimin e historisë së tragjedisë të shqiptarëve të Çamërisë. E pra, dalja në dritën e diellit e Çështjes Çame ka ardhur prej disa politikanëve dhe intelektualëve, të cilët janë goditur nën brez nga politikanët e gardës së vjetër të llojit Kastriot Islami. Nuk ka shumë që ky i fundit ju vërsul me gjithë ato fjalë fyese rreth Çështjes Çame Ditmir Bushatit, mëri shkaktuar prej përgjigjes që kryediplomati i dha ambasadores greke në Tiranë.

Çështja Çame nuk është thjeshtë një çështje historike dhe e pronave të konfiskuara me ligj nga shteti grek, por kjo çështje në radhë të parë është politike, ku prej vitit 1913, pas pushtimit grek të Çamërisë-Epirit të Jugut, filloi dhuna dhe racizmi shtetëror ndaj shqiptarëve. Ka patur disa dëbime me dhunë të shqiptarëve nga Çamëria si në vitin 1913, 1922-1923, 1936-1938 dhe ajo më tragjikja e 1944-1945 që njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar me rezolutë të votuar në Kuvendin e Shqipërisë si: “Genocidi Grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri gjatëve viteve 1944-1945”.

Zgjidhja paqësore e Çështjes Çame sa më shpejt, do çlironte grekët nga ankthi i ndërgjegjes së sëmurë prej krimit. Grekët duke qenë të qartë se i kanë masakruar, grabitur dhe përzënë shqiptarët nga Çamëria pa kurrfarë faji, pa asnjë fakt të vërtetuar se kanë qenë bashkëpunëtorë të gjermanëve, përherë janë të dënuar të jetojnë me ankth, brengë për gjëmën e bërë ndaj çamëve. Meqenëse grekët shiten si besimtarë të mëdhenj, ku kisha dhe shteti janë të pandarë, atëherë Zoti e mëshiroftë Greqinë dhe grekët ndaj mëkatit të kryer.

Një zgjidhje paqësore e Çështjes Çame nis si fillim me heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë. Kjo do të lejonte çamët të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara, do të ishin hapat e parë që do të ndikonin pozitivisht në psikologjinë e mirëbesimit tek dy popujt. Këto veprime nuk janë të pamundura nëse vërtetë tek klasa politike e dy vendeve ekziston dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën. Atë të vërtetë që duhet ta themi të gjithë bashkë, grekë e shqiptarë nëse duam një fqinjësi të mirë, nëse duam një të ardhme paqësore dhe të sigurt. Pa zgjidhje të Çështjes Çame, asnjëherë nuk do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve. Nuk e dimë se çfarë befasish na përgatit e ardhmja, por fillimi i shekullit XXI, po tregon se në Ballkan ka më shumë shqiptarë se sa grekë.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, ceshtja came, Komisioneri Hahn

NË STEROSKOPIN E NJË MJEKJE –DEPUTETE !

October 1, 2016 by dgreca

 

3-per-bashenLULZIM BASHA DHE PD, NË STEROSKOPIN E NJË MJEKJE –DEPUTETE !/

(Pa autorizim për një impresion politik)/

NGA Guxim ALIMANI/

Është kohë e zorshme ngatërrimesh e shkatërrimesh politike.Të majtët udhëheqin me numra që me pak investim krijojnë edhe treshifrore, ndërsa demokratët vazhdojnë të qajnë pushtetin e humbur akoma pa kuptuar arsyen e vërtetë dhe pa larguar shokimin e vërtetë. Por nuk është njëlloj përjetimi dhe as i përgjithshëm pesimizmi…Mjafton të njohësh deputeten e Mirdites, Albina Deda Gjoci, një mjeke me karriere brilante komunitare e shkencore, por që prej rinisë studentore ka ndarë dashurinë e profesionit me atë të PD-së.
 Ajo me energji të paparë flet për një kohë halli që do iki shpejt dhe për një alternativë shëruese që e quan “Alternativa Basha”.
 Kur e pyet për zëra kundër shefit të saj, Z. Basha , ajo pa cinizëm përgjigjet: -“Ne të gjithë demokratët jemi kalorës të fjalës së lirë. Nuk mund të ndalojmë dhe ata që guxojnë të kalërojnë me gomerë”.
 Albinën e gjen në Parlament e pasdite cep me cep të Mirditës. Unë jam deputete e Mirditës dhe jo e floktoreve e shopingjeve të Tiranës. Një portret i thjeshtë i njerëzve idealistë e punëtorë si Albina që rënjen a ngritjen nuk e faturojnë te lideri, por te vullneti e egzigjenca e gjithsecilit e cila në grup të dhuron atë që kërkon.
 Pyetjes për përformancen e kryetarit Basha ajo i përgjigjet pa droje: -“Në shoqërinë tonë dhe për shumë kohë roli i liderit është i madh. Të zëvendësosh Berishën nuk është e lehtë, por Lulzim Basha është personifikimi e gjetja më brilante e demokratëve shqiptarë. Koha e afërt do të dëshmojë se Basha nuk i nevojitet vetëm partisë, por Shqipërisë”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Albina Deda Gjoci, dhe PD, per Bashen

Më mirë një mulli se sa një Hec, Tropojë!

September 29, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1-valbone-1

valbone-jpg2_Nga dje…, pasdreke në internet qarkullojnë disa video e foto. Ku mjete të rënda, si Varinksi, kamiona repoltabël etj., i sillen përgjatë, lumit të Valbonës. Flitet për ndërtimin e një Hec-i. Kjo mania shqiptare e zhurmës së investimeve. Se gjoja jemi vendi i parë në burimet ujore. Dhe të shfrytëzojmë sa të mundim lumenjtë. Kudo që i kemi. Ato gryka malesh që pasi i lidhim me beton i quajmë kaskada. Eshtë më se e vërtetë, që jemi një vend me burime potenciale ujore. Po aq sa është e vërtetë vuajtja për pikën ujit. Çdo vit flitet për investime ujësjellsash. Dhe çdo vit, muaj e përditë çajmë rrugë qytetesh. Sepse çdo vit e përditë flasim për amortizimin e rrjeteve të shpërdarjes. Eshtë e vërtetë që kemi plot.
Ujë me shumicë kemi. Por buzë plasur vdesim për pikën e ujit.
Nga ana tjetër, këtë e verteton edhe një fakt i makthit njerëzor. Ai shirave të vjeshtës. Apo prag pranverës. Ku zona e nën Shkodrës ka si mallkim hapjen e portave të Fierzës e Komanit. Krenaria jonë nga koha e izolimit.
Bëhet fjalë për ndërtimin e 30 Heceve. Dhe sipas të dhënave që mezi vinë, 14 nga këto do ndërtohen brenda parkut kombëtar ku rrjedh Valbona.
Ajo që më shqetëson. Dhe që shpesh të tjerët ma tekstin si një lloj panjohje timen me problemin. Ose si një revansh që e shoh vetëm zi punën e qeverisjes. Eshtë një fakt i thjeshtë. Ngritja e supeve nga vendasit. Një lloj padrite, pa qënie fare në dijeni se çfarë ndodh në truallin e tyre dhe përreth. Veç habi se ah…, e se si një mëngjes, gushakët e hekurt dhe bubuzhelat rrëmues gdhihen aty. E i futen vënçe terrenit. Dhe të parafytyrosh planet kohore midis prurjes së shtetarëve aty, në kohë fushatash. Me këtë kohën e mbërritjes së bubuzhelave prej hekuri. Të kap data. Mjafton të kujtosh se si zbarkuan në Dibër pak javë më parë. Gjithëfarësoj kallorexhiu. Të thuash se më fund i mbaruan hallet kësaj të uruare Dibër. Mjafton që zgjodhi një xhevahir. Një shushak nga e përditshmja që më me adhurim shikonte atë njëshin nga Tirana. Se sa popullin e tij.
Kështu edhe me luginën e Valbonës dje dhe sot. Dhe për më tepër mezi e gjen një kuadrat në shtypin e ditës. Pasi faqet e para janë në lukuni batutash për plehrat. Që para tre vjetëve nuk ishin të shijshme. Tani janë mjalt nga lulet e maleve të virgjër.
Po u drejtohem vetëm qytetarëve të Tropojës dhe malsisë së Gjakovës. Po u tregojë një rast këtu tek unë. E kam nja 300 metër larg shtëpisë. Një njëri deshironte të hapte një biznes. Një lavanteri për pastrimin dhe hekurosjen e rrobave. Një biznes kaq i përhapur këtu në Amerikë. Na erdhën dokumentat derë më derë. Na u la kohë 1 javë që t’i shikonim. Donim apo jo t’i firmosnim. Të pranonim apo jo, hapjen e këtij biznesi këtu pranë nesh? Për shumë e shumë e arsye. Më e para prishja e mjedisit, apo e qetësisë etj. Ne pleqëruam dhe bvenduam. Biznesi sot është i gjithi një godinë tre katshe, me parametrat kohorë e gjithçka konform natyrës. Desha të them se na pyetën. Për një gjë kaq të vogël. Kurse aty në dheun tuaj. Ju pyeteni vetëm në kohë fushatash.
Kjo është fatkqësia dhe terraposhtja e vendit tonë.
Kjo është fatkeqësia dhe terraposhtja e juaj. Ndaj bëhuni zot të fatit tuaj.
Nga ana tjetër mania e investime për të fituar i sjellur atij vendit vetëm frymën e garës pa asnjë lloj kriteri. Merr bujqësinë, ke sera me shumicë aq sa prodhimi ishte baraz kalbje. Tani ka etje për energji. Dhe e mendoni, 30 Hec-e në atë brishtësi rrjedhe mes kreshtave dhe logut të shqiptarëve. Nuk ka industri më të keqe se sa ajo që prish industrinë e sajuar nga mëma natyrë. Sidomos kur bëhet fjalë për vende si lugina e Valbonës.
Aq më tepër kur mënyrat e prodhimit hidrike. Në raport me mënyrat e tjera si gazrat natyrorë, ose gazrat e çliruar nga kombinimet e elementeve kimik, gazrat e gjebër etj. Panelet diellore etj.. Pra mënyra hidrike janë pjesë e një teknollogjie të tejkaluar.
Nga viti 2013, syri iu vu Vjosës. Atë mot pamë protesta. Deri nga ekologjistë të huaj. Bëjeni edhe ju. Në fund të fundit, fatet tuaja …, e ardhmja juaj nëse duhet të përmbytet. Apo të mbetet ashtu një rrjedhë shtojzavallesh. Me ato bujtina malore. Me ato lugje e ku mrekullon folklori juaj. Jeni ju të parët për vulosjen e fatit tuaj.
Jo unë, shtetari nr kaq e aq, i protokollit sipas vitit rendor të Republikës së Shqipërisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, mulli apo HEC, Valbona

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 536
  • 537
  • 538
  • 539
  • 540
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT