• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letra e ambasadorit dhe keqardhja e Majkos

July 8, 2016 by dgreca

Opinion nga Ilir Levonja/ Florida/

Pandeli Majko, një nga ish kryeminstrat e Shqipërisë dhe deputet aktual i Kuvendit, u kujton sot shqiptarëve rrezikun e përfshirjes së Shqipërisë në një spirale anti perëndimore. Kjo e gjitha qëndron në dështimin e përditshëm midis pozitës dhe opozitës për reformën në drejtësi. E gjitha kjo për shkak se vendin e udhëheqin njerëz pa kohë. Me një fjalë që nuk janë të përgjegjshëm për rëndësinë e reformave etj. Çfarë të thuash. Jeta jonë politike shtetare është e gjitha një mëndje më vete. Pasi gjithmonë etiketohet ai, tjetri. Dhe jo raporti dual pozitë opozitë. Pra Ne-ja që është edhe thelbi i demokracisë. Shkurt unë do e besoja Majkon me shpirt të pastër sikur të thoshte Ne, njerëzit pa kohë, e kemi çuar vendin në një spirale anti perëndimore. Pasi gjatë këtyre njëzetë e pesë vite demokraci, si student dhjetorist, si anëtar i lartë i një force politike, si qeveritar i parë etj., ka hisen e tij. Pasi në një etape sociale, në një stad zhvillimi, dështimi nuk është produkt i një pale, por i së tërës. Po kujt t’ia thuash? Këtij politikani që e vë re antiamerikanizmin apo antiperëndimin…, tani. Dhe jo në kohën e darkave te Krokodili në prillin e vitit 2010. Të bojkotit me mburrje. Apo edhe çadrave beduine në një nga bulevardet e stafetave dhe pankartave, brohoritjeve etj. Por edhe makinave të ujit, shkopinjëve të gomës, plumbave dhe vrasjeve për shkak të dështimit politik.

Shqipëria Pandi, ka kohë që gjëndet në një spirale anti perëndimore?! Dhe fajtori nuk është vetëm një njeri, por të gjithë ne. Kjo është e dukshme, edhe në gjërat e jetës, larg politikës. Por që e ka origjinën aty.Qoftë edhe kur ka pamje faljesh masive. Apo bankete syfyresh në sheshe publike. Shqipëria sot është atdheu, ndofta i vetëm, i cili ka më shumë shqiptarë jashtë territorit, se brenda tij. Për rrjedhojë ata që janë aty janë kthyer në militantë xhihadistë aq sa vetëm tek ne demokracia është tërësisht një luftë e shenjtë fetare. Dhe ti padiskutim që ke pjesën tënde. Vetëm nga një fakt i thjesht. Ngritjen e dorës pro kultit të individit, varrosjen e rregullave të shenjta të qarkullimit të vlerave. Ke pjesën tënde në mashtrimin e madh shoqëror për sistemin e pavlerë të aleancave qeverisëse.
I gjithë ai vend është i marrë peng nga hirearkia.
Aletatët tuaj apo ”miqtë” tuaj siç edhe i cëlësoni ju shpesh, ata nga bota. Janë sot pensionistë politikë të nderuar. Kurse ju akoma në poste drejtuese. Akoma protagonistë bisedimesh për reforma. Nuk po bëni gjë tjetër, veçse po i tregoni njerëzimit se Shqipëria është vend i nënave shterpë. Mjafton të kujtojmë pritjet e përcjelljet e tua në mars-prillin e 1999-ës, luftën e Kosovës. Atë që ti shpesh të pëlqen ta përmendësh. Toni Bler, Klinton, Prodi. Apo edhe ai austriaku që i tha perëndimit se nuk e bënte dot dallimin midis djallit dhe ëngjullit tek politikani shqiptar…, Vranicky i bisedimeve të vështira shqiptare. Të gjithë janë në pension politik. Kurse tek ne pensionimi është tabu e justifikuar me postulatin, më do populli.
Dhe me që i referohesh letrës së ambasadorit, në ‘të ka dhe një paragraf me përmbajtje të tillë.
“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kundërshtuar vëndet e rezervuara sepse kjo formulë do t’i etiketonte menjëherë anëtarët e komisionit të vetingut ose pro qeverisë, ose pro opozitës. Vetingu ka për qëllim të kthejë besimin në gjyqesor duke larguar manipulimet partiake. Ndikimi i qartë politik sugjeron se modeli i vëndeve të rezervuara do ta minonte këtë besim”.
Thelbi i këtij teksti nuk bën fajtor vetëm njërën palë. Por të dyja. Pavarsisht se për momentin, ju keni marrë stafetën e rilindasit duke demonstruar me gisht fajtorin, penguesin e reformave etj.
Nuk e kishit këtë mendim kur ishit opozitar.
Ndofta mendësia e shtetarit shqiptar se pushteti është i pafund. Dhe shteti im, shtetarët e mi e kanë kohën e mjaftueshme të mbulojnë e të zhdukin provat etj. Ose të bindur vërtetë se jeni kristal, kujtoni se do i shpëtoni Vetingut. Por e ke gabim. Sepse nëse një ditë Shqipëria do ketë vërtetë realitetin e drejtësisë perëndimore, përqindja e mëkatarëve do jetë në kufijtë e shifrave të hatashme.
Kjo e gjitha për shkak të asaj hirearkie aktuale, që ditës bëjnë opozitë të ashpër në Kuvend. Kurse darkave janë fqinjë vilash në gjirin e ngjalave. Dhe ti thua Shqipëria mund të përfshihet në një spirale anti perëndim. Sinqerisht më vjen keq, pasi Shqipëria është aty prej kohësh.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe keqardhja, e Majkos, Ilir Levonja, Letra e ambasadorit

… Prandaj duhen hapur Dosjet, që të zbardhet e vërteta!

July 7, 2016 by dgreca

Prof.Servet Pëllumbi t’ua nisë ditareve nga i vëllai Lirim Pëllumbi, i njohur në Durrës për burgosjen e të vëllait të Anton Çettës /

Nga Elida Buçpapaj/

Profesori i socialistëve Servet Pëllumbi  me rastin e 25 vjetorit të PS, ka botuar ditarin e tij politik të titulluar “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, i cili ka shkaktuar polemika tek personazhet e përmendur. Por, kur ballafaqimi është i hapur, vihen pikat mbi “i” dhe e vërteta zbardhet.

Problemi është për të vërtetat e diktaturës që i mban të fshehura pikërisht kjo klasë politike. Këto të vërteta lidhen me krimet e diktaturës dhe me personat që njihen si persekutorë dhe ekzekutorë të tyre. Hapja e Dosjeve dhe zbulimi i veprimtarisë të eksponentëve dhe spiunëve të ish-Sigurimit do të ishte rruga e duhur për pastrim të ndërgjegjes në raport me krimet e kryera, sikur kanë vepruar të gjithë vendet që kanë dalë nga regjime diktatoriale, ku Shqipëra zë vendin e parë për nga mizoritë dhe shtazëria e regjimit stalinist.

Por në vend të zbardhjes të krimeve të komunizmit, ka një përpjekje të qartë për rehabilimin e sistemit dhe figurave kriminale siç është rasti i Mehmet Shehut.

Duke u kthyer tek Profesor Servet Pëllumbi që vjen nga garda e vjetër, ish Profesor i Shkollës të Partisë nga ku dilnin kuadrot e sistemit, ai është njëri nga ata që nuk mbështet hapjen e dosjeve.

Kam parë dikund Prof. Pëllumbi thotë se “të hapësh dosjet sikur të hapësh një varr ku mungon skeleti”. Kjo logjikë e Profesorit për të mos hapur Dosjet bie ndesh me veprimet e tij që sot del e boton ditaret, fjalë goje të thëna nëpër raste specifike a veprime të bëra në rrethana të caktuara, shpesh private, shpesh biseda konfidenciale, që kanë shkaktuar reaksion negativ sepse personazhet e përmendur i konsiderojnë ato si spekulim apo lajthitje të profesorit.

Por ndërsa Profesori merret me ditarë e kujtime duke u futur në qendër të vemendjes, qytetarët e Durrësit emri i tij i lidh në mënyrë të tërthortë me plagë të hapura nga diktatura dhe nuk harrojnë rolin e zi të Lirim Pëllumbit, ish-kryetarit të Degës të Brendëshme të qytetit të Durrësit, që është vëllai i Prof.Servet Pëllumbit.

A ju kujtohet këngëtarja e shquar Alida Hisku kur doli publikisht e tha femrat i përdhunonin nëpër burgje dhe gjatë hetuesisë. Iu sulën si çakej Alidës!

Lirim Pëllumbi, shefi i Degës të Brendshme të Durrësit, kujtohet pikërisht për tmerre të tilla se si i merrte vajzat më të bukura të Durrësit dhe i përdhunonte nëpër ambjente të Currilave. Këto kujtime tmerri ka Durrësi për vëllain e Prof.Servet Pëllumbit.

Përse nuk flet Prof.Servet Pëllumbi asnjëherë për vëllain e tij. Prandaj nuk dëshiron Prof.Servet Pëllumbi që të hapen dosjet?!

Prej këtij kapitulli do të duhej që t’i niste ditarët e tij ish-Profesori i Shkollës të Partisë. Aq më tepër kur thirrja për “katharsis” ka qenë një apel i kahmotshëm i liderit historik të PS që është Fatos Nano.

Prof.Pëllumbit i takon ta hapë këtë faqe të nxirë e të fshehur e të tregojë për të vëllain, sidomos sepse në Durrës Lirim Pëllumbi njihet si figura që në fund të viteve ’70 ka arrestuar dhe burgosur kardiologun e njohur të qytetit Beniamin Çetta, vëllain e të madhit Anton Çetta, i njohur në Durrës si Dr.Beni.

Dr.Beni gëzonte reputacion të madh në qytetin e Durrësit, e donte gjithë qyteti sepse ishte i zoti, i përkushtuar dhe i pakursyer. Për fatin e tij të keq Dr.Ben Çetta kishte rënë në dashuri me një vajzë durrsake shumë të bukur. Të dy duheshin pa masë e ndofta do të krijonin edhe familje e do të bënin edhe fëmijë. Por Sigurimi nuk i la. Pak a shumë i njëjti skenar si në filmin gjerman që ka fituar Oscar “Das Leben der Anderen”- “Jeta e të tjerëve”. Ëndërra e tyre u kthye në dramë. Sepse kryetarit të Degës të Brendshme të Durrësit Lirim Pëllumbit i ra në sy e dashura e Dr.Benit dhe sipas stilit të njohur kërkonte ta kthente në një viktimë të tij të rradhës.

Vajza nuk pranoi sepse ishte e dashuruar me Dr.Benin, atëhere Lirim Pëllumbi thirri hetuesin dhe e detyroi që ta arrestonin Dr. Ben Çettën me akuzën për agjitacion dhe propagandë, sepse në vitin 1965 Dr.Beni paskish thënë se, për t’iu shkuar sa më shpejt në ndihmë pacientëve me probleme kardiake duhen makina, pasi me biçikleta nuk arrihet të jepet ndihma e nevojshme. Dhe kjo fjalë goje e shqiptuar vite më parë, që ishte vetëm një vërejtje në të mirë të pacientëve, nga pozita të një profesionisti,  iu kthye në provë krimi dhe Dr.Ben Çettën e arrestuan dhe e burgosën. Dr. Ben Çetta ishte vëllai i të madhit Anton Çettës, shkrimtarit, profesorit të letërsisë dhe patriotit shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë. Dr.Ben Çetta ishte kopje e vëllait, por në fushë tjetër. Prandaj Durrësi nuk e harron kurrë, nuk ia harron edhe vuajtjet, edhe arrestimin, edhe burgosjen e një njeriu të pafajshëm të burgosur nga një kriminel si Lirim Pëllumbi.

Dr.Ben Çetta doli nga burgu vetëm pas rrëzimit të diktaturës. Paçka se qyteti e mban në zemër kujtimin e tij, për të nuk kujtohet kush, as PD e qytetit, as PD në Tiranë. As ata që shesin dekorata. Ata merren vetëm me llogaritje për marrje pushteti ndërsa plagët e shkaktuara nga diktatura i harrojnë.

Por Durrësi nuk harron, Durrësi e kujton me dashuri Dr. Ben Çettën dhe me neveri Lirim Pëllumbin.

Dhe kur Prof.Servet Pëllumbi hap e kujton ditarët e partisë, Durrësi i thotë, Ok hapi ato ditarë sepse personazhet e tyre janë gjallë e të japin vetë përgjigje, por nise së pari nga Lirim Pëllumbi dhe kërkoi ndjesë qytetit për bëmat e tyt vëllai, kërkoi ndjesë familjes Çetta. Sepse të paktën këtë e ke për borxh.

Prandaj duhen hapur Dosjet, që të zbardhet e vërteta!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, servet Pellumbi, te Anton Cetes, vellai Lirim Pellumbi

KU JE, O SHTET?- SI MUND TE DUROHET FYERJA E NJE KOMBI ?

July 6, 2016 by dgreca

A ka shtet Republika e Shqipërisë që pranon të fyhet heroi kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Lezhë nga një pseudo-historian turk ?/

-Opinion nga Lek Gjoka/ Jacksonville-Florida/

Sipas të gjithë masmedias shqiptare një skandal i rëndë ka ndodhur tek varri i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Lezhë.

Pseudo historiani turk Talha Uğurluel, gjatë një vizitë që ka zhvilluar tek varri i heroit tonë kombëtar e ka sharë dhe ofenduar Skënderbeun. Ndër të tjerash ai ka shtuar: “Skënderbeu nuk bëri luftë, por plaçkitje, terror mbi gra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur. Ai ishte sikurse është sot PKK një parti terroriste që vret dy-tre vete dhe largohet duke lëne terror nga pas”.

Fjalimi i pseudo-historianit është shoqëruar me duartrokitje nga vizitorët turq. Ai është shprehur se shqiptarët këtej e tutje duhet të zgjedhin sesi te jetojnë, si Mehmet Akif Ersoy shqiptar, por besnik i Osmaneve, apo si Skënderbeu tradhtar i Perandorisë osmane-turko.

Pseudo-historiani turk njihet si një studiues i periudhës osmane. Veç publikimeve historike ai drejton edhe disa ture turistike për qytetarët turq në vendet e rajonit. Qëllimi i tureve është njohja e historisë së Perandorisë turke në zonat kur dikur shtrihej perandoria. Fjalimi që mban në video është pjesë e leksioneve që ai mban edhe në universitetet turke, fatkeqësisht me shumë mllef e gënjeshtra për heroin dhe historinë tonë…

I vetmi zyrtar shqiptar që ka reaguar është kryetari i Bashkisë së Lezhës zoti Fran Frroku i cili nder të tjera ka thënë: Fjalët fyese janë dashakeqëse dhe nuk do të kenë asnjë përfitim në qëllimet e tilla. Në nuk i cenojmë heronjtë e tyre, çdo popull ka heronjtë e tij  ne pretendojmë që njihemi mirë me heroin tonë kombëtar, larg pikëpamjeve fetare, është një hero që ka bërë emër me historinë e tij dhe me kontributin tij ndaj kombit tone shqiptar dhe personalisht e dënoj si akt”.

Në të njëjtën linjë për ngjarjen ka qenë edhe Myftinia e Lezhës. Imami i xhamisë së qytetit Mois Shehu tha se komuniteti mysliman lezhjan distancohet nga akte të tillë, duke deklaruar se është e pafalshme që të fyhet një hero kombëtar siç është Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

“Distancohemi nga ky akt  dhe duhet ti lemë historianët  të flasin dhe më shumë  se ka folur historia për heroin tonë që është heroi i vetëm kombëtar  ne s’kemi se çfarë shtojmë. E dënojmë si akt  që të fyet një hero kombëtar  i një populli siç jemi ne”, shprehet Shehu.

Sigurisht zëri i një krye bashkiaku apo përfaqësuesve te fesë islame në Lezhë ka vlerën e tij por Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk është vetëm heroi i lezhjaneve por i gjithë kombit shqiptar ndaj qeveria e Shqipërisë pse jo edhe e Kosovës duhet të reagoj.

Me çudit fakti se perse qeveria socialiste duhet të prese disa kohe qe të firmoset një peticion online për shpalljen non grada të këtij pseudo-historiani turk që na fyen heroin kombëtar ndërkohe që vete Kushtetuta e Shqipërisë i ka dhëne të drejte qeverise në ligjet e saja për të mbrojtur figurat dhe heronjtë e kombit shqiptar pavarësisht së kujt besimi fetar i përkisnin duke e shpallur direkt non grada pseudo-historianin turk Talha Uğurluel.

Nuk e kuptoj pse ministria e kulturës nuk jep dorëheqjen apo do të pres demonstrata qe mund të dalin edhe jashtë kontrollit dhe të shfrytëzohen edhe nga politika e korruptuar shqiptare. Faktikisht kjo ministre duhet të ishte larguar nga qeveria Rama që në përplasjen e pare në vendosjen e pllakës se Sulltan Mehmetit në kalanë e Lezhës me force. Madje me paturpësi ne një emision televiziv ku edhe ajo ishte pjesëmarrëse fyhen qytetaret e Lezhës sepse si qytetare të besimit katolik nuk e duan pllakën e Sulltan Mehmetit të kalaja e Lezhës së është mysliman sepse “ai sulltan i përket historisë së kombit shqiptar”(sipas ministres se kulturës ne emisionin televiziv Opinion tek Klan TV).Sigurisht zonja ministre e di që i përket historisë por historisë se pushtimit të trojeve shqiptare , të vrasjeve, të burgosjeve, të eliminimit me zjarr e hekur të gjuhës shqipe, të kthimit me dhunë në besimin e perandorisë osmane etj. dhe sipas teje duhet që t’iu tregojmë turisteve të huaj se ja në respektojmë Mehmet pushtuesin e vendosim mbi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu!.

Gabohesh rende jo veten ti por çdo politikan në Shqipëri dhe Kosovë që nuk e di arsyen që bëheni sahan lëpirës në duart e Erdoganit i cili do të ringjalle historinë e pushtimeve të perandorisë osmane duke investuar miliona euro si në telenovelat turke që transmetohen nga TV shqiptare ashtu duke hapur medrese për myslimanet shqiptare. Personalisht nuk jam kundra hapjes se shkollave fetare të çdo lloj besime por sipas rregullave të ministrisë së arsimit të Shqipërisë. Nuk mund të tolerohet festimi i mbarimit të shkollës së mesme në medresenë e Shkodrës ku festohet vetëm me flamur turk e jo edhe atë shqiptar. Sigurisht ministrja e arsimit zonja Nikolla ka pase “gabim” numrin e syzeve dhe nuk e ka pare mungesën e flamurit kuq e zi në Shkodër!.

Duke kaluar nëpër vitet që nga rrëzimi i diktaturës komuniste deri sot politika shqiptare po bën shumë gabime të pa falshme ndaj kombit shqiptar. Gabimi i pare ishte nga qeveria demokratike dhe lideri i saj Berisha me futjen e Shqipërisë në Konferencën e Shteteve Islamike(megjithëse asgjë nuk përfituam madje shumica nuk pranon ta njohë as Kosovën si shtet) dhe tani qeverisja socialiste me kryeministrin Rama që bën një sy qorr e një vesh shurdh duke mos mbrojtur historinë dhe heronjtë e kombit shqiptar siç është rasti i pllakës se Sulltanit në kalanë e Lezhës apo fyerja e fundit e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nga pseudo-historian turk të cilin shteti shqiptar nuk e shpall person të pa dëshirueshëm për Shqipërinë ndërkohe që qeveria greke shpall person nën grada gazetarin Marin Mema vetëm se filmoi e tha në një dokumentar të vërteten e gjenocidit grek ndaj popullsisë çamë në trojet e tyre .

Jacksonville Florida

Korrik 2016.

Filed Under: Opinion Tagged With: fyerja e heroit Kombetar, Lek Gjoka, pseudohistoriani turk

Politikanët e Shqipërisë në delir për Brexit, parashikojnë BExit, SHBAexit!

July 6, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

(Grotesk)/

Politikanët e Shqipërisë londineze me maçkë e me kuçkë janë në eufori të plotë duke shijuar Brexit!I ka kapur aq shumë entusiazmi analizues sa kanë vendosur që me punimet e këtyre dy-tri ditëve botuar në shtypin e Tiranës të mbrojnë në Universitetin e metropolit Europianist nga një Ph.D. për të marrë titullin Brexit-ologë!

Janë gjetur po ashtu sponsorët për një seri botimesh dhe përkthimin e tyre në gjuhët angleze, franceze, gjermane, kineze dhe hindu.

Do të ketë edhe një çmim me emrin David Cameron për Brexit-ologun më të thekshëm shqiptar. Thuhet se do të vijë vetë Cameron në një Gala që do të jepet live në të gjithe televizionet kombëtare shqiptare përfshi BBC.

Maçkë e kuçkë e përdor si eufemizëm përkatërisht për opinionistët dhe portalët  që po shkruajnë e botojnë me një bollëk të paparë oped-e, opinione, editoriale, shkrime, analiza, komente, reagime, polemika, debate, dialogje, monologje duke shkaktuar zili deri në Oksford për mënyrën se si janë duke i qarë hallin dhe përshkruar tash e mbas vetminë e madhe të Anglisë.

Po e analizojnë situatën në nivel kombëtar, kontinental dhe global se çfarë pritet pas referendumit të 23 qershorit, që për koincidencë përkon me datën e zgjedhjeve në Shqipëri, tri vite më parë.

Politikanët e Shqipërisë londineze po shqetësohen tmerrësisht për fatin e botës anglo-saksone, kur ata imagjinojnë shkëputjen e Skocisë nga Britania e Madhe, ditë e ëndërruar që nga koha e Sir Walter Scott e deri tek Sir Sean Connery, kryespiuni 007, më i famshëm i Mbretëreshës.

Pas shkëputjes së Skocisë i vjen rradha Irlandës së Veriut që t’i bashkangjitet Republikës së Irlandës.

Politikanët e Shqipërisë londineze po u qajnë hallin bursave, miliardave që shkrumbohen, uljes të vlerës së Pound-it, ndërsa nga ana tjetër e shohin legjitime që të qeshin nën hundë me të gjithë ish-Ambasadorët e Britanisë së Madhe në Tiranë që u jepnin leksione me qëllim integrimin e Shqipërisë në BE!

Dezintegrimin e ishullit, politikanët e Shqipërisë londineze, e shohin si hapin e parë të një efekti domino apo reaksion zinxhir, quajeni si të doni, a nuk doli Marine Le Pen menjëherë me thirrjen për Frexit, që pritet të shkojë deri tek dezintegrimi i BE-së. Nga BE të bëhet BExit!

Në këtë pikë politikanët shqiptarë me maçkë e kuçkë nuk përmbahen, nuk pyesin fare për sjelljen diplomatike dhe tallen për fushë!  Sidomos me zyrtarët e BE-së dhe veçanërisht e kanë pikën e tyre të dobët Ambasadoren Vlahutin e cila do të mbetet pa punë kur të dezintegrohet BE-ja!

Kur të mbetet pa punë, parashikojnë  politikanët shqiptarë,  Ambasadorja Vlahutin do të bëhet ish-Ambasadorja Vlahutin dhe më në fund do ta mbyllë gojën e nuk do t’i lodhë me reformën në drejtësi. E çfarë i duhet Shqipërisë reforma për drejtësi tani kur të gjithë po dalin exit!

Por, politikanët shqiptarë nuk ngopen as me Brexit dhe as me BExit, pas dezintegrimit të BE-së syrin e parashikimeve e kanë përtej oqeanit, aty e kanë pikën e qejfit,  sepse sipas tyre kur arrin të dezintegrohet ish-Mbretëresha e Deteve e përse të mos dezintegrohen sidomos SHBA-të, një ish-koloni e Brexit!

Dhe pastaj ajo puna e reformës në drejtësi is over. Mbyllet përfundimisht.

Nga dezintegrimi i SHBA do të krijohen 50 shtete, që do të kenë 50 DASH e në Shqipëri do të hapen 50 ambasada; nga çdo shtet i ish-SHBA do të dalë një president që do të emërojë në Shqipëri seicili nga një ambasador!

Ndërsa ky aktuali s’do të ketë çfarë të bëjë, aq më tepër që e ka tepruar shumë duke ndërhyrë deri në punët e brendëshme e shkelur sovranitetin!

Dezintegrimit dhe shkërmoqjes i shpëton vetëm Sali Berisha me të tijtë, Edi Rama me të tijtë, Ilir Meta me të tijtë, plus maçkat dhe kuçkat, sidomos ky Fatmir Mediu, me të gjithë të emëruarit në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, me gjithë presidentin, kryeprokurorin e shefin e SHIK-ut.

23 qershori 2016 do të do të hyjë në historinë botërore si data e startExit, ndërsa për klasën politike shqiptare kjo datë përkon me triumfin në rrang global të sistemit të tyre model dhe sfidues ndaj BE, SHBA, NATO, CIA, FBI, Interpol, ku të gjithë rrezikojnë të dezintegrohen përveç sistemit të Shqipërisë londineze që shkëlqen si fener ndriçues i mafies demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, politikanet shqiptare, SHBA exit

VJEDHJA NE RINAS DHE IMAZHI I SHTETIT

July 5, 2016 by dgreca

OPINION  NGA ASLLAN BUSHATI/

Në mesditën e 30 qershorit 2016, në aeroportin e Rinasit bëhet e ditur se ka ndodhur një vjedhje “spektakolare” e mjeteve monetare valutë në trasfertë   jashtë Shqipërisë. Thuhet se sasia  ka qenë rreth 83 kilogramë (peshë), të cilat minimalja  sikur të ishin të gjitha të prerjes njëzetëshe,janë afërsisht 3.6 milion euro. Po sikur qoftë larg  të kenë qenë  prerje  pesëdhjetëshe…38 milion. Pra thënia zyrtare për vjedhje rreth një million euro, është një tallje e vogël zyrtare (por me shumë miliona) me qytetarët e varfër  shqiptar.

Shkaqeve të kësaj ngjarjeve do t’ju këthehemi më pas, por më parë le të analizojmë një  konstatim që thotë  se:” cdo ditë nga bankat shqiptare të nivelit dytë , dalin  jashtë vendit rreth 8-10 milion euro”. Pyetja  më madhore shtrohet pse ka kaq shumë banka të huaja në Shqipëri ? Një vend i varfër  dhe me resurse të kufizuara ekonomike  a ka mundësi të gjenerojë kaq shumë para (madje kesh dhe në valutë)? Disa gojë të liga thonë se  kjo është e pa mundur ,por që tashmë ky vend komandohet nga bandat kriminale vendase dhe interesat e të huaja që pastrojnë parat e pista me shumë lehtësi. Po në se pastrohen para, pyetja më primitive  është se pse  nuk duken investime në Shqipëri? Disa thonë se mjafton që parat të futen në valle dhe pastaj pjesa e luanit del atje ku ka më shumë interes investimi (jashtë) dhe një pjesë shkon  tek plantacionet e hashashit se tashmë “Lazarat “ është kethyer e gjithë Shqipëria. Me te drejtë disa të tjerë pyesin , atëherë  pse shteti nuk kërkon origjinën e këtyre parave në lëvizje, pse ikën nga vendi ynë kjo para kesh, pse “lahen” parat këtu dhe  trasferta bëhet diku tjetër? A e ka nën  kontrollon Banka e Shqipërise këtë veprimtari? Thuhet se 10 përqind  e depozitave mbahen  për likuiditetin e detyrimeve të brendëshme dhe 90 përqind valuta del jashtë nisur nga interesat bankare. Por pyetja shtrohet po interesat  shqiptare ku jane? Këto banka janë ngritur me pëlqimin e Qeverisë Shqiptare dhe të Bankës Shtetit Shqiptar, atëherë këto dy organizma më të mëdhejt ekonomik ,pse bëhen sehirxhinj? Kjo mban erë të keqe, jo vetëm korrupsion por më shumë –kriminalitet i organizuar  kundër shtetit shqiptar.

Në këtë rrokopujë pisllëqesh edhe një tjetër problem madhor evidentohet  me aeroportin e Rinasit. Pra  disa vitesh Qeveria Socialiste e kryesuar nga Fatos Nano e dha me koncesion per 25 vjet duke i shkaktuar vendit një humbje të madhe ekonomike e duke e bërë udhëtimin  e shqiptarëve më të shtrejtin në Europë për disa vite. U tha e stërtha se u morëm vesh me koncesionarin për ta zgjidhur problemin. Më pas u tha se koncesionar i ri do te jetë një firmë serioze kineze, por del se kinezët janë tërhequr dhe një kompani fantazëm  offshore e krijuar para disa muajsh është aktualisht pronare. Pyetja shrtohet: aktualisht ne kemi vetëm një aeroport në veprim dhe ai është objekt i rëndësisë së vecantë. Si mundet që shteti të jetë kaq indifferent për një pasuri të madhe kombëtare? A mos këto janë para të pista shqiptarësh që vërdallosen nëpër  offshore dhe në fund venë nën  këmbë një object të rëndësisë së vecantë sic është aeroporti i Rinasit?

Këthehemi tek vjedhja, e cila është  e treta e përmasave të mëdha në këto 16 muajt e fundit. E para ndodhi në bankën  tek ish stacioni  trenit, e dyta në Qaf-Kashar dhe e treta brenda aeroportit të Rinasit, në një kohë që gjendja  e gatishmërisë ishte e shkallës së lartë sepse ishte fill pas ngjarjeve të aeroportit të Stambollit. Për asnjerën nuk  janë gjetur autorët.  Atëherë kush ka përgjegjësi për këto humbje ekonomike të cilat në mënyrë të tërthortë rëndojnë mbi shqiptarët,  dhe më e rënda e mbi të gjitha, kush përgjigjet për atë që  imazhi i shtetit është deskretituar në përmasa të mëdha. A ndjenë përgjegjësi bankat, kompanitë e sigurimit, kompanitë e transportit të valutës apo policia e shtetit?  Rrjedhja e informacionit dukshëm mendohet se është në njerën nga këto hallka ose në koordinim. Bankat a i paguajnë kompanitë e sigurisë në raportë me vlerat që ata marrin në ruajtje dhe më pas këto të fundit personelin ruajtës, apo këto të fundit janë shërbëtorë të dorës fundit? A janë të paisur rojet e sigurisë me armatim sipas ligjit ? Vetë ligji a është kompementar ,ku e gjejnë veten të barabartë në përgjegjësi e detyrime si bankat dhe kompanitë e sigurisë? Po kompanitë e transportit valutave a kanë mjetet e duhura për transport të sigurisë lartë? A janë ato blind e me GPS, kasaforta të sigurisë së lartë dhe me sensorë në rast situate të jashtzakonëshme? A kanë kamera të brendëshme dhe të jashtme makinat e transportit? ( Në paranteze në NY edhe taksitw e limuzinat e zakonëshme, me ligj janë të paisura me kamera të brendëshme, për të mbrojtur shoferin dhe pasagjerin). Po objektet e aeroportit a janë paisur me pamje të dubluar të kamerave dhe me sensorë? Në se këto e shumë të tjera, janë në përputhe me ligjin dhe rregullat në fuqi, si mund te kryhet një vjedhje ne një nga vendet më të sigurta në Shqipërisë, në mes të ditës dhe në një kohë prej  tre minutash ( ose  hajde dhe katër minuta e tridhetë sekonda sic thonë disa të tjerë)? Po sikur hajdutët të mos kishin objekt marrjen e parave, por hedhjen në erë të depove të karburantit të aeroportit, marrjen peng të avionëve me pasagjerë ose thjeshtë hedhjen në erë të avionëve me pasagjerë? Po policia e shtetit (dhe në radhë të parë ata që bëjnë politikë në këtë institucion), a kanë pergjegjësi për gjithë këto vjedhje nën hundët dhe sytë e tyre?

Kur lëvizin vlera monetare  kaq të mëdha a ka detyrime ligjore midis palëve, që të  njftohet policia e shtetit? Po Ministria e Transporteve që ka nën vartësi Aviacionin Civil, a ka përgjegjësi për mangësitë e konstatuara  nga auditi ndërkombëtar? Koha e rregullimit të mangësive thuhet se  maksimalisht është dhjetë dite, por auditi ndërkombëtar  ka konstatuar mangësi  që në Nëntor 2015. Më në fund pyetja shtrohet :a ka në Shqipëri  shtet funksional për mbrojtjen  e interesave kombëtare, të kompanive dhe të qytetarëve të thjeshtë? Këto shtetar a ndjejnë përgjegjesi para Kushtetutës, ligjeve, zgjedhësve, detyrës dhe ndërgjegjes qytetare? Në se po, askush nuk është vetdorëhequr? Pra disa ditësh Mbretëria e Bashkuar (Britania), votoi për daljen nga BE-ja dhe për këtë Kryministri Kamerun dha dorheqjen. Po në Shqipëri kush dha dorëheqjen për këto skandale?

Mjerisht  mund të konstatojmë  se aktualisht në Shqipëri ,nuk ka  shtetar të përgjegjëshëm, nuk ka shtet ligjor, por  ka hajdutë  të mwdhenj e të vegjël, profesionist e amator dhe një kastë politikanësh e shtetarësh të inkiriminuar, të lidhur me njëmijë fije me kriminelët vendas e të huaj,e  që po e shfrytëzojnë  shqiptarin e thjeshtë si skllav.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, DHE IMAZHI I SHTETIT, VJEDHJA NE RINAS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 564
  • 565
  • 566
  • 567
  • 568
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT