• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadori Lu: Pasoja nga SHBA kujt del kundër Reformës

July 19, 2016 by dgreca

Ambasadori i SHBA-ve, Donal Lu, mori sot pjesë në një tubim proteste të thirrur nga organizatat e shoqërisë civile para parlamentit për të kërkuar miratimin e reformës në drejtësi.

Zoti Lu mori fjalën në këtë tubim, duke bërë thirrje që kjo reformë të miratohet.

“Dje pas takimit të shkurtër mes zotit Rama, Basha dhe Meta, ekspertët tanë u takuan për 8 orë, deri në 2 të mëngjesit, dhe nuk arritën marrëveshje. Pas 18 muajsh negociata, përse nuk arrijnë kurrë një marrëveshje? Disa nga këta politikanë nuk duan marrëveshje” – tha amb. Lu.

Ai shtoi se dy javë më parë Basha dhe Bylykbashi thanë me zë të fortë që nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen.

“Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund Rama u dorëzua. Një proces përzgjedhjeje të quajtur 6+6. Por kjo nuk mjaftonte. Tani për herë të parë ata thonë se për shkak të sovranitetin kombëtar nuk mund të pranojnë që të huat të bëjnë vlerësimet për kualifikimet e komisionerëve. Epo kjo është e çuditshme” – tha amb.Lu.

Ai shtoi se më 19 maj Basha i tha amb.Lu dhe amb. Vlahutin se “të huajt mund të ishin të vetmit persona, që mund ta pastronin peshkun nga koka”. Zoti Basha u tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të parlamentit europian.

Bylykbashi, sipas tij, e përfshiu këtë në mënyrë të qartë në propozimin e tij zyrtar të shkruar që dërgoi, por tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre.

“Njerëz të fuqishëm kanë frikë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur. Do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme. Unë u kam dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja, sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. U siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata” – theksoi amb.Lu.

Ai tha se gjatë ditëve të fundit u takua me dhjetëra deputetë nga të gjitha partitë politike. Zoti Lu kishte bindjen se këta persona i kanë për zemër interesat më të mira të Shqipërisë dhe se të gjithë e duan këtë reformë.

“Pyeta nëse do të kenë kurajon të votojnë për atë që e dinë se është gjëja e duhur për Shqipërinë apo do të votojnë për shkak të frikës nga udhëheqësit e tyre. Shqipëria u themelua nga burra të guximshëm. Ata rrezikuan jetët e tyre për pavarësinë e këtij vendi. Është përsëri koha t’u kërkohet shqiptarëve kurajo dhe besim për të bërë atë që është e drejtë. Koha për të vendosur është tani. Miratojeni këtë reformë” – tha ambasadori Lu ne tubimin e shoqërisë civile.

                                 FJALA E PLOTË E DONALD LU

Dje, pas takimit të shkurtër midis Z. Rama, Z. Meta dhe Z. Basha, ekspertët tanë u takuan për 8 orë negociatash deri në orën 2 të mëngjesit.

Por nuk arritën dot një marrëveshje. Pas 18 muajsh negociata, pse nuk arrijmë kurrë një marrëveshje?”

Pse? Për shkak.

Është e qartë se disa nga këta politikanë nuk duan marrëveshje.

Dy javë më parë, dëgjova me zë të fortë nga Basha dhe Bylykbashi se nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen.

Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund, Rama u dorëzua dhe u ofroi atyre saktësisht atë që Basha kishte kërkuar, një proces përzgjedhjeje të quajtur 6 plus 6.

Por kjo nuk mjaftonte. Tani, për herë të parë, ata thonë se për shkak të sovranitetit kombëtar, nuk mund të pranojnë që të huajt të bëjnë vlerësimet për kualifikimet e komisionerëve.

Epo kjo është e çuditshme. Më 19 maj Basha na tha ne dhe Ambasadores Vlahutin se të huajt ishin të vetmit persona që mund ta pastronin peshkun nga koka. U tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të PE-së, Kukan dhe Fleckenstein. Bylykbashi e përfshiu këtë në mënyrë të qartë në propozimin e tij zyrtar, të shkruar, që na dërgoi. Tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre.

Përse? Njerëz të fuqishëm kanë frikë. Qytetarët po kërkojnë ndryshim. Është koha për të vendosur.

Do të ketë pasoja specifike negative nga Shtetet e Bashkuara për ata udhëheqës politikë që do të votojnë kundër kësaj reforme. Unë jam duke u dorëzuar partive politike hollësitë mbi këto pasoja sipas udhëzimeve specifike nga Uashingtoni. Ju siguroj se këto pasoja do të jenë të rënda dhe afatgjata.

Gjatë ditëve të fundit jam takuar me dhjetëra deputetë, nga të gjitha partitë politike. Jam i bindur se këta persona i kanë për zemër interesat më të mira të Shqipërisë. Të gjithë e duan këtë reformë. Pyetja është nëse do të kenë kurajon të votojnë për atë që e dinë se është e gjëja e duhur për Shqipërinë, apo do të votojnë për shkak të frikës nga udhëheqësit e partive të tyre politike.

Shqipëria u themelua më shumë se 100 vite më parë nga burra dhe gra të guximshëm. Burra si Ismail Qemali rrezikuan jetën e tyre për pavarësinë e këtij vendi. Është përsëri koha t’u kërkohet shqiptarëve kurajo dhe besim për të bërë atë që është e drejtë.

Koha për të vendosur është tani. Miratojeni këtë reformë!

Ai tha se reforma është për qytetarët e jo për politikanët të cilët duan ti fshihen asaj nga ndëshkimi.

Fjala e ambasadorit Lu ishte e padëgjuar ndonjëherë nga ndonjë ambasador tash 25 vite në Shqipëri. Kishte presion të hapur, kishte dashuri për shqiptarët, kishte shantazh ndaj klasës politike që nuk voton, kishte gjithçka që nuk e thotë një ambasador në kohë normale. Pra duket se po jetojmë një kohë ndryshimi të madh, epokal në drejtësi.

Pas datës 21 korrik do të ketë sirena arrestimesh. Ndaj ka nevojë që të shtohet orari i punës së Prokurorisë , karburanti për makinat e policisë që do merren me arrestimet VIP.

Duhet shpallur aministi për disa të burgosur për vjedhje dritash që të happen vendet në burgje për të burgosurit VIP të cilët do mbushin qelitë gjatë vjeshtës së këtij viti.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasadori Lu: Pasoja nga SHBA kujt, del kundër Reformës

REFORME NE DREJTESI, APO VETEM LUFTE POLITIKE

July 16, 2016 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/

Ka një kohë të gjatë që dëgjojmë në Parlament, në daljet publike te politikanëve  shqiptar, të ambasadorëve të akredituar në Shqipëri,( madje dhe  të  të gjithë vizitorëve   politik ndërkombëtarë) , në masmedia  e kudo, vetëm fjalët “reformë në  drejtësi”. Veshi i cdo shqiptari, që nga fëmijët e deri tek të moshuarit, është ngopur kaq shumë  me këtë shprehje, sa shpesh është bërë e bezdishme e deri e padurueshme. Pyetja shtrohet :  kjo vjen nga domosdoshmëria per këtë reform ,apo është një fushatë për përfitime politike të dites dhe afatgjatë? Le ta shikojmë problemin nga disa kënde shikimi.

E para gjë që të vjen në mendje është se që nga krijimi i shtetit shqiptar, a ka patura ndonjë herë drejtësi  të mirfilltë në këtë vend që ne e quajmë Shqipëri dhe të huajt e quajnë Albania? Mendoj se që nga  1912-ta e deri me  ardhjen në fuqi të Ahmet Zogut, nuk ka patur as institucione të mirëfillta të shtrira në të gjithë vendin pa le më drejtësi në kuptimin e se drejtës. Në kohën e Zogut si Kryeministër, President dhe më pas si Mbret, janë fillesat e vendosjes së sistemit të drejtesisë. Ata mund të kenë qenë pak edhe nën influencat e drejtësisë italiane e austriake të kohës, por kanë lënë gjurmë në krijimin e legjislacionit demokratik perendimor dhe në dhënien e drejtësisë në raportë me kohen. Kundërshtarët e Zogut thonë se pushteti gjyqësor edhe në atë kohë, ka qenë nën trysninë e politikës  së Zogut. Kjo  ndoshta  e errëson pak këtë periudhë, por duke qenë në fillimet e saj nuk e demonton atë. Ndërsa në periudhën e pushtimit nazi-fashist, drejtesinë e jepte pushteti dhe jo drejtësia. Në kohën e pushtimit jugosllav (fundi i 1944- 1948), në kohën e pushtimit sovjetik (1949-1961) dhe deri në fundin e 1990-ës që ka qenë në fuqi sistemi totalitar, drejtësine e ka dhënë politika sipas interesave te saj pa përfillur shtetin ligjor . Por edhe pas rënies se sistemir totalitar, megjithë perpjekjet e bëra drejtësia ka qenë  nën trysninë e politikës. Pra shkurt ky vend që ne e quajmë Shqipëri,  nuk ka patur drejtësi të mirfiltë. Në këtë mënyrë  pra mund ti përgjigjemi pyetjes së shtruar  më sipër  se drejtësia është një domosdoshmëri për të sotmen dhe të ardhmen e   shoqërisë shqiptare.

Por problemi  shtrohet se  pse u bë kaq i mbyllur procesi i reformës në drejtësi? Arsyet mund të jenë të shumta, por  ndërkombëtarët (SHBA dhe BE) ndoshta  kanë qenë të prirur nga  fakti se ata e kanë kuptuar se: shteti  shqiptar dukshëm është  i   kapur nga element të inkriminuar. Drejtësia  është  dy herë e kapur nga politika  dhe  krimi . Politika e kapur nga lidhje të fëlliqura dhe nga krimi. Nga ana tjetër krimi prodhon shuma kolosale parash të pista me të cilat i lyhen rrotat politikës dhe strukturave të drejtësisë.Në këtë praktikë a normale, drejtësia është këthyer në një bankë nga ku prodhohen  shuma të mëdha parash. Pra rrethi është vicioz dhe drejtësi të mirfilltë  nuk ka për shqiptarin e thjeshtë dhe cdo kënd që ka të drejtë ,  por ka drejtësi për politikanët, pasanikët  dhe kriminelët që e blejnë  si dhe kur ta  duan “të drejtën e tyre”.

Parë nga ky kënd shikimi  (SHBA dhe BE), janë prirur nga ideja se procesi i mbyllur me specialist,grupe të vogla juristësh të pa kompromentuar do të ishte zgjidhja më e drejtë duke marrë parasyshë edhe rekomandimet e Venecias. Por kundërshtar të kësaj ideje thonë se kjo është një reformë  që do të miratohet nga politika. Ata janë të zgjedhurit e popullit, ata kanë përgjegjesinë para popullit dhe jo specialistët. Madje shkojne deri aty sa  thonë  shkoqur: kjo është republikë parlamentare dhe jo republika e specialistëve duke lënë të kuptohet se rruga e ndjekur ka qenë e gabuar dhe për pasojë edhe reforma  që në fillimin e saj është e dështuar. Ky grup politikanësh,( nga opozita dhe maxhoranca), dështimin po përpiqet  t’ja  faturojë  ndërkombëtarëve.Ata  thonë se drejtësia  nuk mund të importohet dhe se as nuk mund të bëhet me njerëz nga jashtë. Tani për tani situata duket si një kaos i vërtetë, por që vetëm koha mendoj se do të jetë gjykatësi më i mirë dhe do të thotë  se kush ka patur të drejtë dhe kush nuk ka patur.

Zëra  nga shoqëria civile (vecoj këtu Fatos Lubonjën), thonë se  edhe ambasadori amerikan Lu ka pranuar ide dhe rekomandime  të  shumë qaramanëve e të paaftëve të cilat shpesh nuk kanë qenë   të drejta . Ai  nisur nga  këto rekomandime ka mbajtur disa herë qëndrime të njëanëshme (kryesisht në mbeshtetje të Edi Ramës),  duke kaluar kufijtë e detyres diplomatike. Madje thënien e tij se:”Basha e Rama o  të takohen bashkë e të gjejnë zgjidhej  për  reformën në drejtësi ose të mbyllen përjetë atje”, e ka quajtur thjeshtë –skandaloze. Në vazhdim ai ka theksuar mos u habisni  se edhe SHBA-ja jo rrallë ka gabuar në ceshtje të mëdha  (si lufta e dyte në Irak etj), dhe jo më për reformën e drejtësisë në Shqipëri që s’është asgjë para problemeve që ajo ka.

Le ta shikojmë problemin nga këndshikimi i qeverisë. Duke qenë se Kryeministri Rama me stafin e tij ka dështuar në këto tre vite qeverisje në të gjithë komponentët që ka premtuar para elektoratit shqiptar, mendon se një vit para zgjedhjeve,  është momenti i duhur  ta trasferojë vemendjen e publikut në një fushë të mprehtë dhe që nuk i përket përgjegjësisë së tij, pra tek drejtësia.  Ai mendon se kjo fushë  aktualisht është e kapur nga opozita (dhe pjesërisht edhe nga LSI-ja) dhe përpiqet ti faturojë një pjesë të dështimeve.Por nga ana tjetër  këtë ai  se duron dot , sepse i don të gjitha instrumentat në dorën e vet dhe të shtyp këdo që i del përpara. Ai  kurrë nuk  ka menduar dhe nuk  mendon të  bëjë reform (sepse ajo nuk i intereson), por si ta fusi ate nën ombrellën e tij dhe më pas ti bëjë gropën politikisht dhe penalisht Sali Barishës, Ilir Metës  dhe Lulzim Bashës dhe të marrë kështu flamurin e fitimtarit politik. Nisur nga ky qëllim, fillimisht bëri draftin e reformës vetë duke anashkaluar  opozitën, pas dështimit të parë dështoi dhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias, pastaj dështoi për blerje votash, pastaj dështoi për të ashtuquajturin referendum, pastaj me zgjedhje të parakohëshme dhe në fund duke luajtur lojën e letrës bardh (bëjeni ju të  PD-së reformën në dakortësi  me SHBA-në dhe BE-në dhe unë do t’ju a firmos), duke luajtur rolin e “ lidershipit madhor”, se është i  dëshiruar në dështimin e reformës dhe nga dështimi të marrë kapital politik për zgjedhjet e ardhëshme. Thjeshtë luftë politike, por as sesi reformë  për interesin publik.

Opozita e ka vlerësuar reformën, është impenjuar seriozisht dhe ka punuar fort në cdo fazë,  draft, e  paragraf  të  saj nisur nga dy arsye kryesore. Së pari se vendi dhe e ardhmja  kërkojnë një drejtësi  të fortë, të pavarur,të pa anëshme, të pa kompromentuar dhe të besueshme nga faktori i brendëshëm dhe ai ndërkombëtar. Së dyti ,  duke ditur natyrën dhunuese e brutale të Ramës, ka qenë “vigjilente” në  mbylljen teknike e profesionale të të  gjitha  shtigjeve, që cojnë në përzgjedhjen e forumeve dhe të  kandidaturave  për të mos mundësuar kapjen nga qeveria. Ajo ka qenë shpesh herë stoike në mbrojtjen e qëndrimeve të saj, sa ka marrë mbi vehte edhe goditjet e ndërkomtarëve. Por kjo deri tani nuk i ka bërë keq se nuk ka qenë me tepri. Në këtë betejë të fortë  politike, megjithëse Rama ka patur më shumë  “artileri të rëndë” në mbështetje, Basha ka qenë i matur, prudent dhe në përgjithësi po pozicionohet si fitimtar.

Por në paragrafin e parë të këtij shkrimi kemi shtruar pyetjen  se kjo që po ndodh aktualisht  për reformën në drejtësi ,është domosdoshmëri apo luftë politike?Kësaj pyetje tani mund ti përgjigjemi  se: të dyja janë ,por loja politike në këtë betejë është parasore. Pse është parësore? Sepse Rama  duke mendur vetëm për veten e tij, fillimisht e anash kaloi LSI-në në të gjithë veprimtarinë që bëri  me PD-në, duke lënë të kuptohet se vendimmarrja politike e ardhëshme do të jetë PS-PD (vetkuptohet pa LSI-në).Kjo lëvizje politike rezultoi e gabuar dhe për këtë Rama u detyru te  tërhiqet zvarrë nga llogorja në llogore deri tek dorëzimi  (me letrën e bardhë). Ai i trembet nje bashkimi të ri votash PD-LSI, se kjo lëvizje e conte atë në humbjen e maxhorancës dhe për rrjedhojë dhe  të postit kryeministror. Por nga ana tjetër  edhe LSI e din se një drejtësi e kapur nga Rama  vetëm ,është  më agresive për të se kapja e saj nga PD-ja. Prandaj LSI luan lojën politike me dy porta  gjithnjë në mbrojtje.Pra miqt e mi ,si të kalojë si të mos kalojë reforma ,më shumë e mbi të gjitha është lojë për interesa politike.

Lidhur për sa më lart edhe unë kam këndshikimin tim , i cili në thelb është i ndryshëm nga sa u trajtu më lart. Personalisht mendoj se Shqipëria ka nevojë për reform kushtetuese dhe se ndihma dhe asistenca amerikane janë domosdoshmëri. E them këtë sepse Kushtetuta që aktualisht kemi në fuqi, është miratuar pa pëlqimin e opozitës së asaj kohe  ( pra me më pak se gjysma e popullsisë së sotme)dhe asaj i janë bërë e po i bëhen aq shumë ndryshime sa i ngjanë një rrobe të arnuar keq. Shtoj asaj edhe ndryshimet e pritëshme në kuadër të reformës në drejtësi, dhe kuptohet se sa larg kemi shkuar. Mendoj se do të ishte shumë më e arsyeshme që nëpërmjet reformës  kushtetuese ti jepej zgjidhje edhe  reformës në drejtësi. Pra zgjedhja e Presidentit,gjyqtarëve, prokurorëve, avokati i popullit etj, të bëhej direkt nga populli dhe pa asnjë ndikim nga politika. Vetën kështu do të kishim organe të pa varura, drejtësi të pa kapur dhe të paanëshme.

Lidhur me besueshmërinë e asaj që po gatuhet e do të serviret si “reforma në drejtësi”, mendoj se do të gjendet një farë zgjidhje dhe do të kalojë me “konsensus” në parlament. Por nuk jam aspak i  bindur se do te sjellë ndonjë përmirësim të dukshënm të gjendjes. Ky pesimizëm  më vjen nga që shoh  që  Kryeministri, ministrat, deputetet, shtetarët e lartë, gjyqtarët, prokurorët  etj,  e  shkelin ligjin cdo ditë. Atëherë kur  lidershipi e shkel,  pse të mos  e shkel edhe dikush tjetër, por ky dikushi tjetër do të dënohet, kurse lidershipi-kurrë. Ku ishim…atje ,cfarë bëmë… asgjë.

Filed Under: Opinion Tagged With: APO VETEM, Asllani Bushati, LUFTE POLITIKE, REFORME NE DREJTESI

AKOMA I TREMBEN DHE E URREJNË GJERGJ KASTRIOTIN SKENDERBEUN!

July 16, 2016 by dgreca

NGA  KRISTO  ZHARKALLIU/ATHINE/

Para disa vitesh një intelektual grek deklaroi (dhe shkrojti)se Aleksandri i Madh nuk ishte  veçse një kriminel,  vrasës i popujve. Ai paraqiti në shkrimin e tij argumenta që në një rast tjetër edhe mund të diskutoheshin ose të krijonin  një  terren për t’u paraqitur kundërshtarët me tezat e tyre dhe ata që do ta përkrahnin të justifikonin mendimin e “intelektualit” anti aleksandër. Për çudi nuk ndodhi as u bë ndonjë debat në këtë drejtim: thjesht të gjithë u ngritën kundër mohuesit dhe akuzuesit të ish udhëheqësit maqedon duke e shpallur “tradhëtar” i kombit Helen. Askush  nuk i doli në mbrojtje, asnjë gazetë nuk pranoi të botonte më shkrime të tij-akoma dhe nga ato që nuk kishin lidhje me çështjen në fjalë- dhe ky “intelektual” që kishte krahasuar Lekën me Bonapartin dhe Hitlerin u zhduk nga faqia e dheut- nuk i u dëgjua më kurrë emri si studjues ose historian. Është më se e sigurtë se askush nuk ka guxuar as do të guxojë kurrë të “shajë” heronjtë e Greqisë-jo këta që lidhen drejt përdrejtë me ekzistencën e sotëm të Greqisë, por as të lashtësisë. Nuk mund të imagjinohet që një i huaj të guxojë të ofendojë figurat dhe ngjarjet e shënuara që ky popull i ka besuar si të shënjta. Akoma dhe ato që janë të sajuara dhe shtrrëmbëruar në mënyrë trrashanike.  P.sh. “shkolla e fshehtë” që gjoja bënin murgjit në kohën e sundimit turk,për të “shpëtuar gjuhën greke”. Të gjithë e dine-sidomos historianët – se kjo shkollë nuk ka ekzistuar dhe se është e sajuar nga kisha ortodokse për t’i dhënë asaj ngjyrën patriotike. Është e njohur historikisht se shkolla greke jo vetëm nuk u ndalua  gjatë sundimit ottoman, por u inkurajua që kjo shkollë t’u imponohej dhe popujve të tjerë ballkanaikë nëpërmjet besimit ortodoks që përfaqësohej zyrtarisht nga Patrikana e Stambollit. Megjithatë edhe sot e kësaj dite në shkollat greke u mësohet se …shkolla e fshehtë ka ekzistuar, madje kanë zbuluar dhe disa shpella ku murgjit gjoja u bënin mësim fëmijëve grekë në fshehtësi nga frika se mos zbuloheshin nga turqit! Me të drejtë është për t’u admiruar se sa “ fanatikë” janë grekët përsa i përket historisë. Edhe here të tjera e kam theksuar se shumë rrallë do të gjesh ngjarje negative por edhe kur këto paraqiten, gjithnjë gjejnë një justifikim që të mos njolloset patriotizmi i grekut. Një rast tjetër është lufta civile pasi kishte mbaruar khasapana e naziifashizmit. Greqia ishte vendi i vetëm në Europë që vazhdoi luftën vëllavrasëse deri në vitin 1949. Nga njëra anë ishin partizanët që drejtohehsin nga P. Komuniste dhe nga ana tjetët “nacionalistët’” që përkraheshin nga aleatët,kryesisht nga anglezët dhe më vonë nga amerikanët. Fituan nacionalistët. U mbajt një armiqësi rreth 25 vite. Edhe deri atëhere  thoshin se fajin e kishin aleatët se po të mos kishin ndërhyrë ata lufta civile nuk do të kishte shpërthyer. Pastaj erdhi pajtimi. Sot në Greqi konsiderohen veteran dhe luftëtarë të rezistencës të dy palët. Ekzekutimi ni udhëheqësve komunistë me në krye Nikos Bellojanis në vitin 1952,konsiderohet si një njollë e zezë në historinë greke nga  akoam dhe nga nacionalistët që aso kohe ishin në pushtet. Madje fajin për këtë u a hedhin amerrikanës-shi ambasadës amerikane- që në atë kohë  bashkë me pallatin mbretëror,urdhëruan pushkatimin e tyre  pa dijeninë e qeverisë Pllastira. Asakush nuk guxon sot ta quajë Bellojanin tradhëtar ose agjent i huaj. Kudo janë ngritur monumente përkujtimore si për nacionalistët ashtu dhe për komunistët. Në sheshin kryesor të Lamiës është ngritur statuja e kryepartizanit, Aris Vellohotis. Nga ana tjetër u morën masa që të silleshin në atdhe eshtrat e Zaharidhist, ish udhëheqës i komunistëve dhe të Ushtrisë Demokratike,(i cili kishte vdekur në ish Bashkimin Sovietik ku u internua nga Hrushovi si Stalinist) si u quajtën kryengritësit  antinacionalistë. Askush nuk guxon më të quajë tradhëtar njërin ose tjetrin….

Tani imagjnoni të vijë një turk në Greqi dhe të cilësojë Kollokotronin, Marko Boçarin, Bubulinën e shumë të tjerë që luftuan kundër pushtimit ottoman, terroristë! Merreni me mënd që një turk të vijë në Athinë dhe të deklarojë se ushtria greke në Azinë e vogël ishte një ushtri pushtuese të trevave turke…ose një turk të vinte në Selanik dhe të guxonte të thoshte se katedrali i Shën Sofisë nuk ka qënë askurrë në përbërjen e shtetit grek.  Jo vetëm do t’i dëbonin me shqelma por do të protestonin zyrtarisht tek qeveria trurke për “shtrrëmbërim” arbitrar të historisë…Por kemi dhe shëmbullin tipik të mosmarrëveshjeve Athinë- Shkup. A mund të besojë dikush se përsa kohë ky vend mban emrin ne pamerituar Maqedoni dhe përsa kohë konsideron Aleksandrin e Madh…”maqedon”(domethënë sllav),Greqia do të normalizojë marrëdhëniet me këtë vend …pa emër? Hidhni dhe një sy dhe politikës ndaj Shqipërisë. Sot këtu kemi një qeveri e majtë që pritej të ndryshonte nga e kaluara sepse kështu predikonte kur nuk ishte në pushtet. Keni pare ndonjë ndryshim? E kundërta ngjau me deklaratat e të dërguarit të SIRIZA në “kongresin” e pakicave greke në Tiranë. Ai jo vetëm vertetoi politikën e deritanishëm por u tregua më  “patriot”(që të mos themi arrogant) nga konservatorët e deridjeshëm. Shpalli zyrtarisht  qëndrimin grek ndaj Shqipërisë duke u a përplasur në fytyrë politikanëve shqiptarë ndër të cilëve dhe kryeministrit shqiptar, se pretendimet greke nuk janë harruar ose shuajtur,por hodhi poshtë dhe britmat e disa  “patriotëve shqiptarë” për kërkesat e tyre, ndaj Greqisë,duke i quajtur bashkëpunëtorë të nazifashizmit,(teori kjo që përkrahet përherë pas luftës)- dhe politikanët shqiptarë  nuk bënë zë por qëndruan në sallë si pula të lagura. Ç’ do të thotë kjo? Se një vend serioz ka politikë largpamëse, që nuk ndryshon sa here ndryshojnë partitë në pushtet. Në politikën e jashtme këtë Greqia e ka treguar përherë. Kurse Shqipëria? Si mund të krenohet Tirana për politikë të qëndrueshme dhe objektivat kombëtare ndaj fqinjëve në të ardhmen? Është me të vërtetë brengosëse politika  shqiptare e cila në fakt nuk ekziston për qëllimet dhe synimet e së ardhmes…

 

TURPI MË I MADH KOMBËTAR: SULMET KUNDËR GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT

Vitet e fundit, sidomos këto 25 vite demokraci është vënë re se kushdo që merr pushtetin në Tiranë ka politikën e tij, padronin e tij ndaj të cilit duhet të jetë ngahera i bindur, kokulur. Ajo që brengos më tepër nuk është përulja ndaj fuqive të mëdha -në shumë raste nuk mund të veprohet ndryshe- por qëndrimi i gjynjëzuar edhe ndaj fqinjëve, sidomos ndaj vendit që e mbajti Shqipërinë pesë shekuj në errësirë. Shqipëria-kombi shqiptar se nuk duhet harruar se tani kemi dy shtete shqiptare-ofendohet dhe poshtërohet përditë akoma dhe nga Mali i zi dhe nga…”Maqedonia” (Sërbia nuk hyn në hesap se ajo konsiderohet “armike” pastaj ka fuqi që peshon më shumë nga vendet e tjera ballkanike!) Por vetë kryeministrat shqiptarë të demokracisë shqiptare kanë bërë ç’ishte e mundur që vendi të poshtërohet duke u dhënë shkas armiqve dhe shovinistëve të shpifin kundër kombit të Arbërit.Fillimisht ishte akti i marrë të Sali Berishës i cili vrapoi t’u lutejn vendeve islamike që të bënin dhe Shqipërinë antare e tyre, duke pranuar zyrtarisht se shqiptarët na qënkeshin myslimanë. Ky  akt i pamenduar nga një politikan diletant i bëri dëm të madh “demokracisë” shqiptare dhe,kryesisht kombit shqiptar. Ndërsa më pare, në kohën e diktaturës akuzonin Shqipërinë për vend ateist,ku njerëzve u mohoheshin të drejtat e besimit fetar,papritur po na shfaqej si vend islamik! Ishte koha kur shovinistët kishin filluar propagandën e “ harkut islamik” kundër vendeve të krishtera në Ballkan që po koordinohej nga Turqia, nëpërmjet Trakës, Bosnjës, Kosovës dhe Shqipërisë dhe ky fare kryeministri u a jipte në  pjatë proven për propagandën e tyre,kur ishte koha që kishte filluar dhe shthurrja e ish Jugosllavisë dhe pritej dhe shkëputja e Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare në këtë ish federate. Por askush nuk vuri mend. Nisën vajtjeardhjet në Turqi-asgjë për të share- por kur Erdogani erdhi në Tiranë dhe në prani të kryeministrit tjetër Fatos Nano, deklaronte se Skënderbeu ishte terrorist askush nuk reagoi dhe  ish kryeministri Nano u kufizua të fërkonte mjekrrënsi pa të keq. Dhe papritur Erdogani na u bë “vëlla” e ndiente veten  si në shtëpinë e tij dhe në prani të kryeministrit tjetët, Rama, një vajzë shqiptare e veshur me  çitjane e perçe recitoi pjesë të kuranit gjë që bëri të lotohej …nga mallëngjimi turku Rexhep Erdogan

Sulmet kundër Gjergj Kastriotit Sknderbeut u bënë pothuajse masive. Prej kohësh në disa shkrime të mia  jam përpjekur të demaskoja ata kalemxhinj shqiptarë-sidomos kosovarë (Ç’turp! Prisnim nga kosovarët ndienjë patriotike më të madhe për arsye se sapo ishin çliruar nga dinasti sllav dhe kjo për shkak të sundimit të egër dhe të gjatë turk!) se mos e mblidhnin veten por jo. Turkoshakët vitet e fundit janë shtuar dhe, duke pasur demokraci, gjejnë terren kudo, si në shtyp ashtu dhe në mjetet elektronike të informacionit të sulmojnë në mënyrë të poshtër figurën më  heroike të kombit shqiptar. Shkrimet e tyre antikombëtare botohen në të gjitha gazetat shqiptare  si pa të keq dhe aty këtu gjendet ndonjë zë që i kundërshton. Në këtë kuadër po bëhen sulme të shumta dhe të koordinuara dhe kundër Akademikut të shquar, Rexhep Qosja. Teoria më e re dhe gjoja bindëse, e këtyre shërbëtorëve të Ankarasë, është se gjoja Skenderbeu vrau dhe maskroi myslimanët shqiptarë! Mendim më absurd se ky nuk mund të gjenin? Dihet se shqiptarëi u islamizuan pasi ishte shojtur lufta legjendare 24 vjeçare të Skënderbeut. Më pare shqiptarë ishin si të gjithë europjanët,të krishterë dhe ata shaqiptarë që ishin islamizuar para Gjergj Kastriotit ishin një numër i papërfillëshëm. Ku i gjeti pra Skënderbeu myslimanët shqiptarë që t’i maskronte ? Këtë nuk na e sqarojnë turkoshakët!

Rasti më i fundit ishte poshtërsia e një pseudohistorianit turk i cili, i ftuar, ma merr mëndja, nga historianët e Tiranës, ofendoi në mënyrë të poshtër  kujtimin e Heroit Legjendar, Gjergj Kastriotin atje mbi varrin e tij të shënjtë,në Lezhë! Si reaguan shqiptarët-historianët shqiptarë? Nuk bënë zë…veçse ditët e tjera “opinionistët” dhe “analistët” e shumtë u ankuan dhe u përpoqën t’i “faktonin” turkut arrogant, se nuk kishte të drejtë! Çdo vend që respekton veten, gjënë e pare që do të bënte ishte ta dëbonte këtë provokator islamist me shqelma, madje të protestonte dhe në forumet përkatëse turke. Por shqiptarët janë njerëz të…sjellëshëm dhe “mikpritës” akoma dhe për armiqtë e tyre të urryer. Por pse të shajmë turkun,ose turqit në përgjithësi kur vetë shqiptarët shkruajnë akoma më keq për Gjergj Kastriotin? Nuk ishte tharë boja e shkrimeve kundër turkut kur ja një shqiptar (nga Kosova?) i quajtur Olsi Jazexhi mbron tezat turke, madje ja kalon akoma dhe turkut duke share Skënderbeun!    Shkrimi i këtij “çirakut nostalgjues të sulltanit”,këtij turkoshakut të paturpëshëm, u botua në faqe të pare të gazetave shqiptare të Tiranës!!! Si është e mundur?pyetëm veten! (Kjo do të thotë liri shtypi ashtu si dikur.kur UÇK-ëja luftonte kundër sërbomëdhenjve, një gazetë tiranase që drejtohet nga disa “katolikë”kishte denoncuar, se në  Durrës kishte mbërritur një anije me armë për UÇK-në dhe nuk i hyri gjëmbi në këmbë? A nuk duhej të quhej tradhëti kombëtare kjo? Sigurisht në Shqipëri tradhëtarët ishin vetëm gjatë kohës së diktaturës,pas kësaj të gjithë na qënkan…patriotë dhe  demokratë!) Por fjalën e kishim për Gjergj Kastriotin. Figura e tij për çdo shqiptar duhet të jetë e shënjtë, e paprekëshme sepse është pranuar si e tillë në të gjithë Europën. Mua nuk më erdhi mire që Pirro Prifti mori përsipër të mbronte Skënderbeun nga sharllatanë të tillë si Olsi i mësipërm. Këta plehra nuk meritojnë t’u përgjigjesh se zhurmë rreth vetes kërkojnë, por thjesht t’i përbuzësh ashtu si duhen përbuzur dhe ata që botojnë dhe publikojnë shkrime të tilla antikombëtare.

GJERGJ Kastrioti nderohet në të gjitha vendet, akoma dhe në Greqi, kur hyn në muzeun historik të Greqisë së re, portretin e pare që takojmë është ai i Gjergjit tone, ashtu si është nderuar në Itali, Francë, Amerikë e kudo gjetkë. Poeti i madh amerikan Longfellow (si shumë shkrimtarë dhe poetë europjanë) ka shkrojtur një poemë madhështore për të. Madje në Muzeunn e Luftës të Vjenës stenda më  e vizituar e e respektuar është ajo ku ruhen shpata dhe përkrenorja e “Mbretit të Arbërisë” si shkruhet. Sulmet e disa “turkoshakëve islamistë” nuk mund ta errësojnë figurën e tij,përkundrazi e ngrejnë akoma më lart në ndërgjegjen dhe mëndjen e shqiptarëve dhe të huajve përparimtarë. Prandaj besoj se këtyre “bij sulltanësh” të kohëve të fundit u mjafton t’i përbuzim dhe t’u tregojmë rrugën që u takon: drejt Anadollit të tyre që ka perënduar…

KRISTO  ZHARKALLI.     Athinë 12 korrik 2016.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjergj Kastrioti, Kristo Zharakliu, urrejtja

Diplomati maqedonas, afera seksuale, spiunazhi dhe biznesi

July 15, 2016 by dgreca

* Stojan Karajanov në Shqipëri është kthyer zëdhënës i VMRO-DPMNE, duke qenë në lidhje të  ngushtë me ish-Kryeministrin Gruevski dhe shumë aktiv në proceset zgjedhore në Maqedoni në favor të VMRO-DPMNE./

Opinion nga Urim GJATA/

Stojan Karajanov, është ambasadori i Republikës së Maqedonisë që shërben prej disa kohësh në Shqipëri. Ai e filloj karrierën në Shtëpinë e Kulturës në komunën e Gostivarit dhe më tej si shef i zyrës Ekonomiko-Tregtare të Maqedonisë në Prishtinë. Karajovi u caktua në fillim Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Maqedonisë në Kosovë dhe më tej  ambasador në Shqipëri. Stojan Karajanovë ka zhvilluar një aktivitet të dendur spiunazhi gjatë gjithë jetës së tij, kryesisht ndaj faktorit shqiptar në Maqedoni, Kosovë, Diasporë etj. Për shkak të njohjes së shkëlqyer të gjuhës shqipe, njohjes së mentalitetit shqiptar, etj, ka hyrë në kontakt dhe ka një rrjet të madh kontaktesh në hapësirat shqiptare duke i futur edhe npër kurthe sepse shqiptarët besojnë shpejtë në atë që shpreh njeriu dhe jo në brendësinë e tij dashakeqëse.

Gjatë kohës që ka qenë drejtues i Qendrës Kulturore në Gostivar, Stojani ka punuar edhe si korrespondent i gazetës “Borba” të Beogradit, e përdorur si kamuflash duke shërbyer për shërbimin sekret serb. Kjo i ka dhënë mundësi të lëvizë në vende të ndryshme dhe të rekrutojë shtetas të kombësisë shqiptare në ish-Jugosllavi.

Në territorin shqiptar ka hyrë rreth vitit 1981 si korrespondent i “Borba”. Krahas punës së tij për llogari të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë UDB, për një periudhë të gjatë, Stojan Karajanov është dyshuar dhe ndjekur nga kolegët e tij si bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete ruse KGB famkeqe. Por, shpërberja e ish-Jugosllavisë bëri që kjo të harrohej, të arkivoje diku me pluhur dhe ai të vazhdonte aktivitetin e tij në Gostivar e më pas në MPJ. Madje, ky fakt përmendej nën zë nga anëtarët e komsionit të politikës së jashtme të parlamentit maqedonas, por pa patur guxim të pyesin Stojanin për këto akuza.

Djali i tij i madh ka mbaruar studimet në UT “Lomonosov” në Moskë për marrëdhënie ndërkombëtare dhe është punonjës i MPJ maqedonase, dhe për merita të veçanta spiunazhi është emëruar Ambasador i Maqedonisë në Rusi, me ndërhyrjen e kësaj të fundit.

Në periudhën 1998-2005, Karajanov ka qenë një ndër personat më të fuqishëm në MPJ, pasi ka patur mbështetjen e plotë të ish-ministres së jashme Elinka Mitreva dhe të krerëve të tjerë të LSDM. Madje ata e quanin njëri-tjetrin “vëlla e motër”. Gjatë kësaj periudhe, diplomati Stojan ka zhvilluar një aktivitet të dendur spiunazhi në gjirin e diasporës shqiptare në këto vende.

Ndërrimi i pushtetit në vitin 2006 e gjeti drejtues i zyrës Tregtaro-Ekonomike në Prishtinë, por menjëherë Karajanov aktivizoi lidhjet e vjetra me “miqtë” e shërbimeve sekrete maqedonase. Kështu, ai mbeti në krye të kësaj zyre dhe u bë ambasador i Maqedonisë në Kosovë. Miku i tij më i ngushtë është Toni Jakimovski dhe njëkohësisht Sasho Mijallkov e Nikolla Gruevski.

Gjatë periudhës që ka shërbyer në Kosovë, ka zhvilluar një aktivitet mjaft agresiv për të zgjeruar kontaktet me politikanë, biznesmenë dhe persona të tjerë publikë në Kosovë. Nuk ka ministër, deputet, biznesmen etj., që nuk është kontaktuar prej tij për çështje politike apo biznesi. Stojan Karajonov ka shfrytëzuar me mjeshtri inatet dhe mëritë ndërmjet politikanëve shqiptarë të Kosovës, duke mësuar çdo gjë prej tyre për njëri-tjetrin dhe më pas duke i përplasur ato në media apo në shërbimet e huaja. Sa i përket biznesmenëve kosovarë, ka shfrytëzuar ata për të bërë tregti me Maqedoninë, për t’u dhënë tendera rrugësh në Maqedoni në këmbim të përfitimeve financiare.

Aktiviteti i tij si ambasadori i Maqedonisë në Shqipëri, Stojani ka synuar të hyjë në kontakt me funksionarë të lartë shtetërore, duke u ofruar atyre mundësi për të bërë tregti, ndërtimtari në Maqedoni, etj., në mënyrë që t’i korruptojë. Veç kësaj, është  shumë aktiv në mesin e minoritetit maqedonas në Shqipëri, duke i mbështetur ata financiarisht dhe duke i mbajtur gjithmonë të “karikuar” nga pikëpamja ekstremiste nacionaliste. Ky aktivitet është mbështetuar financiarisht nga qeveria maqedonase, duke e shndërruar këtë ambasadë në më të rëndësishmen në Ballkan.

Stojan Karajanov në Shqipëri është kthyer zëdhënëse i VMRO-DPMNE, duke qenë lidhje e ngushtë e ish-Kryeministrit Gruevski dhe shumë aktiv në proceset zgjedhore në Maqedoni në favor të VMRO-DPMNE. Kjo veprimtari ka qenë në aktivizimin e drejtuesve të shoqatave pro maqedonase si SONCE, ILINDEN, AMIE (AleancaMaqedonasepërIntegrim) nëpërmjet Edmond Themelkos dhe Vasil Sterjovskit (Pustec), Etmond Osmanit (Trebisht) etj. Për pajisjen e banorëve të Pustecit dhe Gollobordës me lista me dokumente ID nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë, në mënyrë të paligjshme, nën drejtimin e tij dhe koordinatorë vetë VMRO-DPMNE, gjetjen e adresave fiktive në Maqedoni (Prilep, Ohër, Resen) me qëllim për të votua rnë favor të VMRO-DPMNE. Gjithashtu është interesuar për të siguruar mjetet e transportit për këtë qëllim. Kontaktet e tij kanë qenë të vazhdueshme me anëtarët e Komitetit të VMRO.

Edhe gjatë këtij viti është përpjekur duke bërë presion për të orientuar përfaqësuesit e shoqatave pro maqedonase për të regjistruar votues nga zonat të pretenduara me minoritet maqedonas për të votuar në favor të VMRO-DPMNE në zgjedhjet që priteshin të zhvilloheshin në muajin Qershor në Maqedoni, por që hasi në kundërshtimin e tyre të nxitur nga frika e procesit penal të Prokurorisë Speciale “Titanik” për këtë çështje në Maqedoni.

StojanKaranajov ka një aktivitet të dendur më përfaqësuesit e shoqatave promaqedonase SONCE, AMIE, PREGOR, ILINDEN etj., duke ju diktuar si të reagojnë përproblemet e ndryshme. Ka nxitur dhe urdhëruar përfaqësues të shoqatave të mësipërme për tu ankuar në institucionet të shtetit shqiptar, OSBE dhe PE, të çështjeve:

  1. respektimi i rezolutës të KE dhe marrëveshjes së dy shteteve për arsimin,
  2. hartimi i kodit të ri zgjedhor, ku t’u jepet mundësia pakicave (maqedonase) për të patur përfaqësuesit e tyre në Parlament, zgjedhja e deputetit të bëhet pa census.
  3. përfshirja e punësimi i pakicave në institucionet e sistemit,
  4. dhënien e emisioneve në gjuhën maqedonase në televizionin publik,
  5. firmosjen e një marrëveshjeje midis shteteve (Shqipëri- Maqedoni) për respektimin e pakicave.

Është person me moral tëdobët dhe ka ankesa nga persona femra në kontakte me të për nga çmim e seksuale. Ka marrë dhë nieintime me anëtaret stafit të tij duke shfrytëzuar pozicionin si ambasador dhe sëmundjen e bashkëshortes së tij. Imoralitet i i tij vihet në dukje edhe nga komentet e stafit të tij në ambasadë.

Pavarësisht nga ky aktivitet antishqipar, shteti shqiptar nuk bën asgjë për ta demtantuar këtë person që nën petkun e diplomatit lëviz lirshëm si spiunë agjenture partie dhe përfitues seksual nëpërmjet postit shtetëror që gëzon.

Filed Under: Featured, Opinion Tagged With: afera seksuale, biznesi, diplomati maqedonas, spiunazhi, Urim Gjata

DEBATI-Berisha: Jo emërime nga ndërkombëtarët; Xhafaj: Roli i tyre procedurial

July 14, 2016 by dgreca

Ish-kryeministri Berisha, duke folur për reformën në drejtësi në seancën e sotme plenare, akuzoi kryeministrin Rama se përjashtoi opozitën nga procesi.

“Fjala konsensus nuk ekziston për Edi Ramën, që udhëhiqet nga urrejtja më e madhe njerëzore, që celebronte fitoren me 1 milion grushta ndaj opozitës. Mbi këtë bazë Rama ngriti të famshmin komision të ekspertëve të nivelit të lartë”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, këta ekspertë ishin njerëz të afërt me kryeministrin dhe figura politike të lidhura me krimin. “Po kush ishin këta ekspertë me në krye kryetarin e partisë komuniste të drejtësisë, mbrojtësin e klaneve të trafikut, Fatmir Xhafaj? Cilët ishin këta ekspertë?”, është shprehur Berisha, i cili ka renditur ekspertët në fjalë.
“Arben Rakipi, njeriu që akuzoi Sali Berishën, që ka poshtëruar institutin e akuzës sepse paraqiti si provë një shishe “Pepsi-Cola”. Ky ishte eksperti i nivelit të lartë. Tjetri ishte Kristaq Kraja, një njeri i shpërfytyruar nga bixhozi dhe rakia”, ka thënë Berisha.
Por sipas tij, ajo që bëri ky grup është edhe më keq. “Pasi mori një valixhe me para, ky grup hartoi një projekt me 70 nene kushtetuese në të cilat u garantua: më i vjetri i gjykatës së lartë do të emërohej në forumin e kontrollit të drejtësisë me 6 milionë lekë rrogë. Opozita shqyrtoi materialin dhe ia dërgoi Venecias, komisioni që kryetari i partisë komuniste të drejtësisë e bllokoi për 1 muaj. E bëri këtë sepse Venecia ua nxorri se çfarë drejtësie donin, që Rama të ishte kryeprokuror dhe gjykatës. Venecia ua rrëzoi variantin këtyre në 88 nene. Në 6 nene, u tha Venecia, ju shkelni konventat e të drejtave të njeriut”, ka thënë Berisha.
Më tej, ai ka sqaruar edhe pozicionin e PD në këtë proces. “Jemi për një rol të rëndësishëm të ndërkombëtarëve në procesin e vetingut, por emërimin e gjykatësve nga ndërkombëtarët nuk e pranojmë. Nuk mund t’i japësh sovranitetin ndërkombëtarëve”, ka sqaruar Berisha.
Ish-kryeministri është shprehur se propozimi i fundit i opozitës, që lejon vetingun por përjashton ndërkombëtarët nga ky proces, në gjykimin e tij është “i shkëlqyer”. “Propozimi i ri i opozitës është i shkëlqyer, por i negociueshëm”, ka thënë ai.

Xhafaj: Ndërkombëtarët, rol procedurial. Opozita, frikë nga reforma

Duke iu përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Berisha, kryetari i komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj ka mbrojtur punën e ekspertëve të nivelit të lartë.
“Jam i nderuar që kam punuar me grupin e ekspertëve. Por nuk jam vetëm unë i nderuar, është edhe Komisioni i Venecias, edhe partnerët ndërkombëtarë. Ju harroni që ata ekspertë janë profesorë në këtë vend, që përgatisin brezat e ardhshëm të juristëve. Komisioni i Venecias i përgëzon anëtarët e komisionit ad hoc për punën në reformimin e gjyqësorit. Nuk ka vlerë ç’thotë Berisha, vlerë ka ç’thotë KV”, ka thënë Xhafaj.
Sipas tij, veç kësaj “Komisioni i Venecias beson se projekt ndryshimet mund të finalizohen pa vonesë”, por opozita ka probleme të tjera.
“Problemin e parë ju e keni me vetingun, me pastrimin e drejtësisë nga elementët e korruptuar e të lidhur me botën e krimit. Problemin e dytë e keni me prokurorinë speciale, me BKH-në, që thoni se i ka ndryshuar Venecia. Jo, nuk i ka ndryshuar. Shumë njerëz nga ju tremben nga këto. Kjo është e vërteta, një e vërtetë e hidhur”, ka thënë Xhafaj.
Më tej deputeti socialist ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se ndërkombëtarët do të emërojnë gjyqtarët.
“Që ndërkombëtarët do të emërojnë gjyqtarët, gënjeshtër më të madhe nuk ka. Ata do të vlerësojnë vetëm 21 vetët që do të bëjnë vetingun dhe nuk do të kenë rol vendimmarrës, por rol procedurial”, ka shtuar Xhafaj.
Në vijim të fjalës së tij, kreu i komisionit ka sqaruar edhe krahasimin e reformës në vendin tonë me ato analoge në Kroaci e Rumani, ku vetingu nuk është kryer. “Nuk e kanë Rumania e Kroacia? Nuk e kanë sepse nuk u është dashur të bëjnë veting”, ka sqaruar Xhafaj.

Blushi: Pasojat e dështimit të reformës i paguajnë qytetarët/

Deputeti Ben Blushi, duke folur në seancë plenare ka deklaruar se reforma në drejtësi është shumë afër dështimit.

Blushi ka theksuar se, situata konfliktuale për këtë proces ka bërë që të krijohet një përçmim nga ndërkombëtarët për klasën politike shqiptare. Por, më e rëndësishme në këtë aspekt, ka vijuar Blushi, është pasoja që do të ketë një dështim eventual.
“Nëse reforma në drejtësi nuk kalon nuk do të ndodhë asgjë. Jemi prapë ne që jemi pas një jave, pas 10 ditësh apo pas një vit. Çështja është kush paguan koston e mungesës së drejtësisë në Shqipëri”, ka thënë Blushi. Dhe këtë kosto, sipas tij e paguajnë qytetarët.
“Një grua dje po ecte në mes të Tiranës me dy fëmijë, del një i çmendur, e përplas me makinë dhe i merr jetën. A ka kjo lidhje me reformën në drejtësi? Ka. Sepse gjykatësi e liroi autorin për bakshish thonë dhe tani ai i mori jetën”, ka thënë Blushi.
Ai ka thënë më tej se, qeveria aktuale u ka marrë qytetarëve të gjitha të drejtat e zgjedhjes, duke vendosur njerëzit e saj në pikat kyçe të qeverisjes.
“Shkojmë në Kavajë. Kush e qeveris Kavajën sot? Një njeri që ka dalë nga burgu dhe qeveris nga shtëpia. Dhe ky njeri do lirohet, të jeni të bindur. Kjo është drejtësia? Po Dibrën kush e qeveris? Një deputet këtu përdori armën për punë personale dhe do të kthehet këtu që të votojë reformën në drejtësi. Ky është standardi se si veprohet në Shqipëri”, ka thënë Blushi dhe kjo sipas tij, “është pasojë e paaftësisë së Lulit dhe Edit për t’u marrë vesh”.
Situata e bën të nevojshme sipas Blushit zgjedhjen e presidentit nga populli dhe peticioni i tij, siç ka thënë ai, po gjen mbështetje. “Peticioni online është firmosur nga 10 mijë vetë”, ka shtuar Blushi.
/ Top Channel 

Filed Under: Opinion Tagged With: Berisha, Blushi, Vetingu, Xhafaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 562
  • 563
  • 564
  • 565
  • 566
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT