• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETRA-Basha falënderon ‘Venecian’: Rruga për një drejtësi të pavarur

July 25, 2016 by dgreca

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka falënderuar Komisionin e Venecias për reformën në drejtësi, e cila u miratua të enjten në Parlamentin shqiptar me 140 vota pro.Përmes një letre, kryedmeokrati i është drejtuar kreut të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, të cilët i shpreh miënjohje për ndihmën e dhënë në këtë proces jetik për vendin siç e cilësoi ai.“Rekomandimet tuaja siguruan ndryshimet thelbësore dhe ato i hapën rrugën një drejtësie të pavarur”, – shkruan mes të tjerash Basha.

Letra e plotë

I nderuar President Buquicchio,

Më lejoni të shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time më të thellë për Komisionin e Venecias dhe për Ju zoti President, për mbështetjen e jashtëzakonshme që keni dhënë në drejtimin e përpjekjeve për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.

Me kënaqësi të veçantë Ju informoj se ndryshimet Kushtetuese të Reformës në Drejtësi u votuan unanimisht nga Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 21 Korrik 2016.

Në përmbyllje të kësaj faze të procesit, dhe në emër të Partisë Demokratike dhe Opozitës shqiptare, më lejoni të shpreh mirënjohjen më të përzemërt për Komisionin e Venecias, për rolin Tuaj të pazëvendësueshëm në realizimin me sukses të kësaj faze të Reformës, duke garantuar nëpërmjet rekomandimeve Tuaja në të dy Opinionet që ndryshimet kushtetuese për sistemin e drejtësisë në Shqipëri të jenë në përputhje me standardet më të mira europiane dhe ndërkombëtare si dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Ekspertiza profesionale dhe rekomandimet e qarta të Komisionit të Venecias siguruan ndryshime tërësore dhe përmirësime të thella të Amendamenteve Kushtetuese, duke i hapur rrugë ndërtimit të një drejtësie të pavarur, llogaridhënëse dhe politikisht të pakapur, që lufton korrupsionin në nivelet më të larta dhe krimin e organizuar. Partia Demokratike dhe Opozita shqiptare ka investuar të gjitha përpjekjet e saj që këto parime të respektoheshin përgjatë gjithë procesit të Reformës në Drejtësi.

Nisur nga zotimi im personal për të garantuar zbatimin e plotë të Opinionit Final të Komisionit të Venecias,  jam i lumtur të ndaj me ju faktin se pavarësisht sfidave të panumërta dhe pengesave të vështira përgjatë gjithë këtij procesi, opozita shqiptare ia doli të siguronte që ndryshimet kushtetuese të votuara të jenë në përputhje me Rekomandimet Tuaja.

Në këtë kuadër, më lejoni t’Ju rikonfirmoj vlerësimin tim më të lartë për rolin dhe kontributin e Komisionit të Venecias, në përfundimin me sukses të fazës së parë të Reformës në Drejtësi, si edhe për kontributin Tuaj të mëhershëm në realizimin e Reformës së Dekriminalizimit.

Është bindja ime e thellë se miratimi i këtyre dy reformave kyçe; në përputhje me standardet e Komisionit të Venecias, është një investim solid për qytetarët shqiptarë dhe të ardhmen e tyre europiane.

Ju lutem pranoni, i Nderuar President Buquicchio, sigurimet e konsideratës dhe vlerësimit tim më të lartë për Ju dhe anëtarët e Komisionit të Venecias.

Lulzim Basha

Kryetar

Partia Demokratike e Shqipërisë

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Basha, falënderon ‘Venecian, Letra

Skandali me foton 80 mijë dollarëshe e ka bërë Ramën “non grata”, për partinë e Hilari Klinton?

July 25, 2016 by dgreca

Hamendësime të shumta ka ngjallur lajmi për injorimin që i është bërë kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryeministrit të vendit Edi Rama nga Partia Demokratike në SHBA. Në prezantimin zyrtar të kandidaturës për president të Hilari Klinton, janë të ftuar kreu i opozitës Lulëzim Basha, kryetari i LSI Ilir Meta dhe deputeti socialist, Pandeli Majko. Partia Demokratike e Klinton, në SHBA njihet si forcë me program më së shumti social dhe  konsiderohet e majtë, përkundër Partisë Republikane që përfaqëson të djathtën. Duket pak si “e çuditshme” prania e Bashës në këtë Konventë, pasi partia që ai drejton këtu, aleat natyral në SHBA ka Partinë Republikane. Por në këtë rast kemi të bëjmë me një person të veçantë për kombin shqiptar.

Hilari Klinton është pjesë e familjes, që ka ndihmuar më së shumti shqiptarët në këtë çerek shekulli, është ish-Zonja e Parë e Amerikës në kohën e çlirimit të Kosovës. Çdo shqiptar do ta ketë të pamundur të mos i gëzohet rikthimit të Klintonëve në Shtëpinë e Bardhë, këtu nuk mund të bëjë përjashtim as lideri i të djathtës shqiptare Basha. Si Sekretare Shteti, të parin zyrtar të huaj që priti në Uashington ishte ish-Kryeministri Sali Berisha. Gjithashtu ishte edhe zyrtarja më e lartë perëndimore, që vizitoi Shqipërinë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, vizitë në të cilën bëri premtimin e madh: “Edhe në 100 vitet e ardhshme, SHBA do të jenë miku juaj më i madh”. Gjithashtu Hillary Clinton është e para Sekretare Shteti, që ka falendëruar dhe uruar një ministër të Jashtëm shqiptar, kur ky i fundit është larguar nga diplomacia. E ka bërë Klinton me Lulzim Bashën. “Ju falenderoj për bashkëpunimin dhe pres të punojmë sërish së bashku në funksionet e reja, që do të merrni”, ishte letra e Sekretarës Klinton, kur Basha u largua nga ministër i Jashtëm.

Nuk përbën më suprizë as ftesa për kryetarin e LSI Ilir Meta. Vetëm në një hark të shkurtër kohor, ai e ka vizituar 3 herë SHBA, dhe gati në të gjitha rastet ka qenë i lobuar në takimet që ka kryer në Washington, nga eksponentë të rëndësishëm të Partisë Demokratike.

Edhe prania e Pandeli Majkos në shpalljen e kandidaturës për president të Hilari Klinton është e natyrshme, jo si socialist por si ish kryeministër i Shqipërisë, në periudhën e krizës dhe luftës në Kosovë, kur president ishte Bill Klinton.

Ajo që bie në sy dhe ka dhënë shkas për hamendësime të ndryshme është mungesa e një ftese për Edi Ramën. Duket se demokratët nuk e kanë problemin me kryeministrin e vendit dhe kryetarin e Partisë Socialiste, por me Edi Ramën si individ. Gati të gjitha mediet, këtë injorim e lidhin me deklaratat e papërgjegjshme dhe delirante të Ramës ndaj rivalit të Klinton në këto zgjedhje, Donald Tramp.

Kjo mund të jetë një arsye, por nuk duhet harruar se në SHBA është ende në hetim një skandal me protagonist Edi Ramën, i cili i vuri mjaft në siklet demokratët. Bëhet fjalë për foton e famshme 80 mijë dollarëshe me presidentin demokrat Obama, që Rama e bleu me dredhi duke shkelur, jo vetëm ligjet e atij vendi, por edhe duke venë në pozicion mjaft të vështirë stafet elektorale të Partisë Demokratike. Ishin disa medie nga më të mëdhatë,  të cilat vunë në dyshim tani gjatë fushatës presidenciale tw Klinton, mënyrat sesi mblidhen fondet nga partia e Obamës që është edhe e saj.

Prania e Ramës në këtë konventë do të ishte një ushqim i mirë për mediet dhe republikanët, për të kujtuar atë që ndodhi në vjeshtën e vitit 2012 dhe për të sulmuar sërish partinë e Hilarit dhe atë vetë.(Syri.net)

Filed Under: Opinion Tagged With: ne SHBA, non grata, Rama, skandali 80 mije dollaresh

Donald Lu & Romana Vlahutin – Dy heronj të kohës sonë!

July 24, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Titulli është huazuar me një ndryshim numerik nga romani i Lermontovit “Një Hero i Kohës sonë” që pa dritën e botimit fillimisht në revistën letrare ruse Otečestvennye Zapiski, aty  ku i botonin veprat e tyre edhe Gonçarov e Fjedor Dostoevskij. Vetëm titullin kam huazuar se dy heronjtë tonë nuk kanë asgjë të përbashkët me Peçorinin, dandy-n romantiko-Bajronik të zhgënjyer nga jeta.

Jo, dy heronjtë tanë janë e kundërta e Peçorinit. S’kanë lidhje fare me heronjtë e romanticizmit anglo-sakson apo rus.

Janë dy heronj të shekullit XXI, të këtij shekulli të mbytur nga indiferenca, konsumizmi ekstrem dhe dehumanizimi i shoqërisë në rrang global, ku mëshira nuk njihet më, ku në Mesdhe mbyten me mijëra refugjatë dhe askënd nuk e vret ndërgjegjia.

Ata janë dy heronj që puna i solli të vinin në vendin e Shqipeve, kthyer në vendin e horrave, ku gjithçka është në shitje, ku nocioni i së mirës është konvertuar me të keqen, ku s’ka solidaritet, s’ka humanizëm, ka vetëm ligj xhungle, ku më i forti e mund gjithmonë të dobtin vulnerabël, ku pandershmëria fiton, ku shpërdorimi i vlerave dhe i pushteteve është arma e suksesit, ku korrupsioni i ka marrë frymën shoqërisë shqiptare dhe ka kapur për fyti gjithë popullin, ku populli shqiptar është zhgënjyer për çerek shekulli nga mashtrimet e klasës politike e cila sot është omnipotente, sepse ka bindjen e thellë që me para ka mundësi të korruptojë edhe Zotin në qiell.

Ata janë dy heronj që i mbijetuan fushatës kriminale linçuese të ndërmarrë nga politika shqiptare, ku opozita dhe pozita janë la même chose, e njëjta gjë sepse përfaqësojnë klasën politike, shkaktaren kryesore të kësaj katrahure këta 25 vjet kohë e djegur.

Ata janë dy heronj që nuk iu trembën gjuetisë së shtrigave as undergrounde-ve me shpifje qëllimzeza për dëmtimin dhe rrënimin e imazhit të tyre.

Ata ia dolën të triumfojnë mbi të keqen që është mbjellë në Shqipëri nga kapja e shtetit prej oligarkisë politike që gjithçka e ka arritur jo përmes djersës të ballit por përmes shpërdorimit të pushtetit dhe votës së popullit.

Dy heronjtë e Shqipërisë sime të bukur, Donald Lu dhe Romana Vlahutin mbollën shpresën në tokën pjellore por të bërë shterpë nga padrejtësitë që e ka detyruar rininë shqiptare ta humbasë besimin se ekziston shteti i së drejtës  apo meritokracia, sepse të gjitha të mirat e vendit, vendet e punës e gjithçka janë në duart dhe tentakulat e kastës të pangopur të profiterëve politikë.

Kasta e anatemoi me të gjitha mjetet Amerikanin Donald Lu dhe Kroaten Romana Vlahutin. I pari vinte nga vendi që iu është gjendur më pranë shqiptarëve si askush në këtë botë; e dyta, vjen nga Kroacia, një vend ballkanik dhe mik i shqiptarëve, i integruar në NATO dhe BE, që lufton për të arritur standardet perëndimore, që fut në burg Kryeministrin e vendit kur ky i shkel ligjet e shtetit; ajo është bashkëpatriote me Kolinda Grabar-Kitarović, presidenten e Kroacisë, një figurë emblemë dhe model për të ardhmen e integruar të Ballkanit në BE.

Të dy Lu-Vlahutin, janë binomi që tronditi kënetën dhe status quo-në e klasës politike shqiptare, e cila ka në duart e veta dhe nën kontrollin e saj gjithçka, duke filluar nga listat e deputetëve deri tek të gjitha pushtetet, që kontrollon sistemin e drejtësisë, që ka nën kontroll gazetat, televizionet, portalet, kreun e shtetit, shërbimin sekret e gjithçka, duke e degraduar deri në skaj sistemin.

Për të treguar kalbjen e sistemit, po ju sjell vetëm një fakt që tashmë e dimë të gjithë. Disa ditë më parë anëtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea së bashku me të shoqin Odhise Andrea, që kishte bërë seksesin, janë akuzuar nga Prokuroria për korrupsion. Gjyqtarja e Gjykatës të lartë Majlinda Andrea kishte gjykuar Gërdecin, çështjen Mark Frroku, kishte dhënë pafajësi në vitin 2011 për Ilir Metën, dhe kishte qenë e vetmja që votoi kundër lehtësimit të masës së sigurisë ndaj deputetit Tom Doshi, ndërsa i shoqi i saj Odhise Andrea, ndaj të cilit prokuroria ka dhënë masën e arrestit, deri në momentin kur u kap me presh në duar, ka qenë  anëtar i Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë!

Kur një anëtare e Gjykatës të Lartë shitet, kur një anëtar i Komisionit të Sigurisë në Parlamentin e Shqipërisë blihet me 50 mijë Euro, a mund të më thoni, a ka Shqipëria sovranitet ?

Ne që dëgjojmë ditë e natë se si ulërasin me histerizëm se gjoja po shqetësohen për sovranitetin e vendit krerët e politikës shqiptare, kemi të drejtë të pyesim: a doli ndokush prej tyre të denonconte skandalin e Majlinda dhe Odhise Andreas, kur që të dy kishin vende kyçe në shtetin shqiptar?

E pra ky skandal është vetëm një mikro nga makro korrupsioni dhe krimi i organizuar, nga oktapodi që me tentakulat e tij ka kapur shtetin në çdo qelizë dhe e vetmja shpresë që ky vend t’i rikthehet jetës është reforma në drejtësi.

Kjo klasë politike nuk kishte për ta reformuar kurrë drejtësinë shqiptare, dhe do të bëjë gjithçka kundër reformimit, sepse drejtësia shqiptare ka fytyrën e klasës politike prandaj i urrejnë kaq fort dy heronjtë e kohës sonë.

Oktapodi i urren, por populli i do. Të të urrejë oktapodi dhe të të vlerësojë populli shqiptar, të cilit i kishte humbur edhe ajo që nuk vdes kurrë, shpresa!

Dy heronjtë e kohës tonë, Lu dhe Vlahutin, nuk u dorëzuan, ata dëshmuan se kauzat e fuqishme të japin shansin e fitimtarit.

Lu dhe Vlahutin i treguan popullit shqiptar se nuk duhet të rendin pas demagogjive boshe të politikanëve, por pas kauzave jetike!

Lu dhe Vlahutin meritojnë mirënjohje!

Sepse në një moment krize identiteti, kur politika e ka kthyer popullin në një turmë amorfe, dy njerëz të vendosur e guximtarë, i treguan rrugën e lirisë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, heronjte..., Lu, Vllahutin

Letër të hapur ambasadorit amerikan në Tiranë z. Donald Lu

July 21, 2016 by dgreca

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë-Dega Tiranë/

Nr. 5  Prot/

Tiranë, më 21 korrik 2016/

Letër e hapur/

Drejtuar:  Zotit   Donald   Lu-Ambasador i Shteteve të Bashkuar të Amerikës-Tiranë/

I nderuar zoti Ambasador,/

Më datën 05.06.2015 ju kemi dërguar, për dijeni, shkresën tonë me numër protokolli 5, datë 20.06.2015, drejtuar komisioneve te Dekriminalizimit dhe atij të Reformës në Drejtësi pranë Kuvendit të Shqipërisë me anën e të cilit kërkonim që në ligjet e Dekriminalizimit dhe Reformës në Drejtësi të ketë një nen ku nuk lejohet që një ish-anëtar i trupave gjykuese të regjimit komunist që ka dhënë dënime të padrejta për motive politike, të bëjë pjesë në organet e larta të drejtësisë si në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, madje edhe në gjykatat e  shkallës së parë dhe ato të apelit. Gjithashtu të mos bëjnë pjesë në organet e prokurorisë, si në atë të përgjithshme ashtu edhe në ato të rretheve. Po ashtu largimin e tyre nga të gjitha hallkat e pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv. Një gjë e tillë do të tregonte se vendi ynë po ecën me të vërtetë në rrugën e demokracisë së vërtetë dhe po shkëputet nga influenca e mentalitetit komunist që ekziston në çdo qelizë të vendit tonë. Një gjë të tillë e bëmë bazuar në ligjin numër 7514, datë 30.09.1991 “ Për pafajsinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” në të cilin në dy nenet e para thuhet:

Neni 1

Jane te pafajshem dhe quhen te padenuar per efekte morale, politike, sociale dhe ekonomike te gjithe personat qe jane denuar per agjitacion e propagande kunder shtetit, per arratisje, per sabotim, per krijimin ose pjesemarrjen ne organizata politike, per moskallezim te krimeve kunder shtetit; ata qe jane denuar per shpifje dhe fyerje kunder organeve me te larta te shtetit e te partise, per shkelje te dekretit nr.7459, date 22.1.1991 “Per respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve qe lidhen me historine kombetare dhe te simboleve shteterore”, si dhe per shkelje te dekretit nr. 7408, date 31.7.1990 “Per mbledhjet, grumbullimet dhe manifestimet e shtetasve ne vendet publike”.

Neni 2

Jane te pafajshem te gjithe shtetasit shqiptare qe jane arratisur nga  Shqiperia  gjate  luftes ose pas Çlirimit te vendit deri me 8 maj 1990, per shkak te bindjeve ose  te  veprimtarise  se  tyre politike me perjashtim te atyre qe kane kryer akte terroriste e diversioni, kur keto vepra kane sjelle vdekje ose pasoja te tjera te renda. Te tjeret amnistohen.

Atëherë si ka mundësi që sot në Shqipëri ish-gjykatësit, ish-prokurorët, ish hetuesat, ish-operativët e Sigurimit të Shtetit diktatorial, që kanë hartuar akuza false apo  na kanë dënuar në mënyrë të padrejtë, duke shkelur ligjin e mësipërm, të jenë në krye të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor? Ju do të thoni se kush janë ata. Ne i dimë, por edhe ju i dini. Sot ata  ndodhen ne krye të komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë, në krye të organeve qeveritare, në krye të tre shkallëve të gjykatave madje edhe ne Gjykatën Kushtetuese. Vallë a u shua Shqipëria dhe nuk paska kuadro te reja që kanë përfunduar dhe laureuar në universitetet  më të mira të botës perëndimore, qofshin këta socialistë apo demokratë, që të zëvendësojnë “xhaketat e vjetra dhe të diskredituara” të sistemit të përmbysur totalitar?

Këto ishin arsyet e shkresës së mësipërme por, për fat të keq, nuk morëm asnjë përgjigje nga komisionet në fjalë. Nuk dëgjuam asnjë deputet t’i zinte në gojë këto kërkesa. Prisnim që ju të na kishit kthyer një përgjigje e cila, sipas mendimit tonë, duhej të ishte në përkrahje të nismës tonë por, me keqardhje, edhe kjo nuk mbërriti. Përse? Këtë e dini vetëm ju.

Ju bëjmë me dije, zoti ambasador, se shoqata jonë është shoqata më e vjetër në Shqipëri e të përndjekurve politikë. Eshtë pasuesja e shoqatës së krijuar më 28 prill 1991 me në krye të paharruarin Osman Kazazi që ka shtrirje në të gjithë teritorin e republikës. Është shoqata që duke iu referuar shifrave zyrtare të shpallura nga Komisioni tre palësh i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Komitetit Shtetëror të të Përndjekurve Politikë dhe Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Politikë, përfaqëson:

Të ekzekutuar 6.023  persona

  1. Të vdekur në burg 1.065       “
  2. Të burgosur           17.300       “
  3. Të sëmurë mendorë    260       “
  4. Të internuar                     90.000      “
  5. Të vdekur në internim 10.000       “

Shtojmë se nga të vdekurit në burgje dhe internim rreth 8.000 nuk kanë ende një varr ku familjarët të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule.  Shtojmë gjithashtu se shoqata jonë është anëtarja e vetme e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër ne Berlin dhe që përmbledh në gjirin e saj 16 shoqata të përndjekurish politikë nga ish-vendet komuniste të Europës Lindore.

Të përndjekurit politikë, zoti ambasador, kanë patur, kanë dhe do të kenë një simpati të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata gjithmonë shpresën për një Shqipëri me të vërtetë demokratike e kanë patur tek ky simbol i demokracisë. Për këtë ata luftuan dhe u sakrifikuan gjatë periudhës gati gjysmë shekullore të sundimit komunist, pasi kishin bindje se vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’u vinte Liria Në këtë vend jetuan, punuan dhe u prehën shumë nga burrat e shquar të vendit tonë. Të përndjekurit politikë janë aleati më i besueshëm i vendit të demokracisë.

Lidhur me sa më sipër më lejoni t’ju tregoj një rast të jetës time në të kaluarën. Ishte viti 1951. Së bashku me dy shokë të klasës time, të nxitur edhe nga aeroplanët e NATO-s që hidhin trakte që përmbanin thirrje për revoltë, formuam një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte në qytetin e Vlorës. Ishim të moshës 15 vjeçare, në klasën e parë të shkollës së mesme. Arrestohemi dhe mbyllemi në qeli. Gjatë hetimit hetuesi më pyeti:

  • A je penduar?

Unë iu përgjegja shkurt:

Më vuri para letër dhe penë dhe më tha :

Unë shkrova deklaratën e mëposhtme:

Deklaratë

Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e  kryera  kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë:

Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk  ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga  t’arratisurit e  jashtë shtetit anglo-amerikanët etj.

Këtë deklaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vehtë pa u imponuar sepse janë deponimet e mia.

Deklaron i burgosuri

Reshat   Kripa

 

Vlorë më 11-VIII-1951

Origjinalin e kësaj deklarate mund ta gjeni në dosjen time me numër 8445 pranë Arshivës së Ministrisë së Brendëshme dhe për këtë keni autorizimin tim për ta kërkuar.

E solla këtë shëmbull për t’ju treguar se kush kanë qenë Shtetet e Bashkuara te Amerikës për mua dhe për të gjithë të përndjekurit e tjerë. Ndaj, t’ju them të drejtën, u habita kur ju pashë pranë një grupi anonim përfaqësuesish të një të ashtuquajture “shoqëri civile” të financuar nga SOROS-i. U habita pasi pashë se midis tyre kishte shumë individë që dikur iu ishte ngjirur zëri duke thërritur kundër Shteteve të Bashkuar të Amerikës apo pinjollë të tyre dhe që tashti, çuditërisht na qenkan kthyer në dashamirës të mëdhenj të atij shteti të madh. Pjesmarrja juaj në të dhe heshtja po juaja kundrejt shkresës tonë na le shumë dhimbje. Po mundët, përgjigjuni.

Të gjithë jemi dakord se vendi ka nevojë për një reformë të vërtetë në drejtësinë shqiptare që është mbuluar nga korrupsioni. Por kjo reformë duhet të fillojë qysh nga periudha totalitare dhe deri në ditët tona. Në të kundërt ajo nuk do të jetë një reformëdemokratike dhe reale për vendin tonë. Ne kërkojmë që reforma në drejtësi të mbështetet në rezolutat numër 1096 (1996) “Mbi masat për të  çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve të mëparshme komuniste totalitare” dhe numër 1481 (2006) “Nevoja për ndëshkimin  ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe në rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”.

Këtë letër mendova të mos ua dërgoja direkt juve por ta botojë në median e përditëshme dhe atë online për të pritur përgjigjen tuaj, në rradhë të parë, dhe më pas opinionet e lexuesve.

 

Me respekt

Kryetari

Reshat    Kripa

 

Adresa:            Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve

Antikomuniste Demokratë të Shqipërisë

Dega  Tiranë

Builevardi “Dëshmorët e Kombit”, godina 3

Tiranë

E-mail:kripareshat@yahoo.com

Filed Under: Opinion Tagged With: ambasadorit Amerikan, Letër të hapur, në Tiranë z. Donald Lu, reshat kripa

“Vëllezërit turq”

July 19, 2016 by dgreca

Opinion nga Harry Bajraktari/ Nju Jork/

 Ajo që mua më nxiti t’ i shkruaj këta pak rreshta ka të bëjë me një fakt tjetër se si dhe në ç’ mënyrë reagun disa shqiptarët rreth këtyre ngjarjeve: Në Shqipëri, në Prishtinë, në Prizren, në Preshevë, në Shkup dhe në ndonjë qytet tjetër në trojet tona u dëgjuan shprehje dhe zëra të habitshëm: “Jemi bashkë me vëllezërit turq dhe të gatshëm të luftojmë për Turqinë “, si dhe thirrje të ngjashme me përmbajtje vëllezërore në mbrojtje të saj.

Nga historia dihet se shqiptarët janë populli më i vjetër në Ballkan dhe një popull shumë i veçantë, i cili s’ ka asnjë vëlla në këtë planet, asnjë prejardhje të përbashkët me ndonjë popull tjetër, pos që ka fqinjësi me shtetet që e rrethojnë dhe marrëdhënie miqësore, ekonomike e diplomatike me shumë vende të botës, e në këtë kontekst edhe me Turqinë. Ne nuk jemi vëllezër as me turq as me grekë as me tjerët dhe këto thirrje nga disa zëra, tash këto ditë, me rastin e ngjarjeve në Turqi, por edhe më herët, janë për të ardhur keq, të dëmshme në aspektin e identitetit kombëtar, të pakuptimta në aspektin logjik dhe absurde në kontekstin interpretues. Një pushtues në të kaluarën, të jetë edhe jopushtues nuk mund të jetë vëllezër me ne ngase nuk kemi prejardhje dhe trung të njëjtë. Vëllezëria përcaktohet në bazë të kombit e jo siç pretendojnë disa klerikë shqiptarë të infektuar nga radikalizmi islamik. Shqiptarët u përkasin tri besimeve me të cilët jemi vëllezër mes veti si shqiptarë myslimanë , si shqiptarë katolikë dhe si shqiptarë ortodokës dhe këtu përfundon vëllazeria e jonë. Nuk shkon përtej për asnjë milimetër.
Ne nuk mund të luftojmë as për turq, as për grekë dhe as për fqinjët tanë të cilët gjatë historisë na sollën aq shumë vuajtje dhe zaptim të territoreve tona. Me kushtetutën e Shqipërisë dhe të Kosovës në çfardo rrethana që mund të ndodhën këto dy shtete, kemi detyrim me forcë të mbrojmë atdheun dhe popullin tonë, jo siç thonë pretenduesit e “vëllezërve turq”. Ne duhet të punojmë shumë më shumë që t’ i përparojmë shtetet tona, Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe territoret tjera shqiptare. Kjo është kauza jonë, e jo e atyre që i thërrasin vëllezër ata të cilët s’ i kemi e as që kanë të bëjnë me kombin tonë.
E dimë të gjithë se sa është dëmtuar imazhin ynë në botë nga radikalizmi islamik i disa klerikëve tanë dhe ky radikalizëm çoi grupe e individë të luftojnë në Siri e Irak për shtetin islamik-terrorist( ISIS). Një gjë e humbur dhe e pakuptimtë për kombin tonë dhe për logjikën e njeriut të shëndoshë.
Çështja e shqiptarëve në Turqi dhe shpërngulja e tyre atje, është pasojë i një historie të dhunës dhe terrorit serb nga Lidhja e Prizrenit e këndej.

Post scriptum: Këtu nuk është fjala për minoritetin turk që jeton në Kosovë dhe Maqedoni.

*Autori është bisnesmen dhe veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, opinion, Vëllezërit turq

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 561
  • 562
  • 563
  • 564
  • 565
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT