• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË SHTYHET RATIFIKIMI I MARRËVESHJES ME MALIN E ZI DHE AJO E BASHKËSISË SË KOMUNAVE SERBE DERI NË ZGJEDHJET E REJA

July 13, 2016 by dgreca

Opinion Nga Harry Bajraktari/

Nga koha kur u nënshkruan dy marrëveshjet nga Qeveria e Kosovës: ajo( më 25  Gusht  2015) për formimin e Bashkësisë së Komunave serbe dhe Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, ka kaluar po thuaj një vit i plotë. Këto dy marrëveshje kontestuese krijuan një krizë të thellë politike e cila vazhdon edhe sot mes institucioneve dhe opozitës. Kuvendi i Kosovës, si organ më i lartë legjislativ, për shkak të kësaj situate, shpeshherë dramatike, nuk ishte funksional. Lidhur me  nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve, opozita reagoi dhe tërheqi vërejtjen në vazhdimësi se me to shkelej kushtetuta dhe cenohej territori i Republikës së Kosovës. Për kaq kohë, krahas debateve të ndara e deklaratave kundërthënëse, nuk u gjet asnjë mënyrë e mundshme që këto dy projektligje të trajtoheshin bashkarisht në Parlamentin e Kosovës dhe të vendosej në bazë të argumenteve e kritereve profesionale,  e jo njëanshëm siç pretendohet me politikë të presioneve. Çështja e kufirit me Malin e Zi e në të ardhmen edhe me Serbinë, nuk mund të jetë dhe s’ do të duhej të jetë sferë ndikuese e politikës, e pazareve dhe presioneve, por çështje e ballafaqimit të argumenteve të bazuara në të dhëna konkrete. Rreth demarkacionit me Malin e Zi, kanë dalë fakte nga opozita dhe nga njerëz të tjerë të shkencës që merren ngusht me këtë fushë , se brenda territorit të Malit të Zi, mbetet një pjesë e tokave të Kosovës. Kjo marrveshje diskutuese e vijës kufitare me Malin e Zi, duke marrë parasysh situatën e krijuar, nuk do të duhej të jetë objekt procedimi në Kuvend për ratifikim, aq më parë nga kjo legjislaturë e tashme, sepse mendoj që kjo e ka humbur besimin tek qytetarët  për një gjë kaq të rëndësishme për Kosovën dhe shtetin tonë. Ratifikimi i këtyre dy marrëveshjeve do të duhej të shtyhej deri në zgjedhjet e ardhshme, qofshin ato të rregullta apo të parakohshme. Do të ishte jo produktive dhe shumë e dëmshme për Kosovën që në këtë atmosferë politike dhe të presionit të brendshëm e të jashtëm të bëhet ratifikimi i këtyre dy dokumenteve për Republikën e Kosovës.

Nuk është vetëm opozita parlamentare (Vetëvendosja, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën) që po reagon kundër ratifikimit të vijës kufitare me Malin e Zi, e cila pritet të qitet në Kuvend, por kjo po kundërshtohet edhe nga një numër i deputetëve të PDK-së dhe LDK-së si dhe nga disa organizata të shoqërive civile. Kjo flet më së miri për dyshimet se Malit të Zi po i jipet një sipërfaqe e konsiderueshme e tokës së Kosovës.

Mendoj se institucionet tona nuk do të duhej të bien pre e presioneve të jashtme, qofshin ato edhe nga aleatët dhe miqtë tanë, që ne të marrim vendime që nuk janë në përputhshmëri me parimet kushtetuese dhe të dëmshme për Republikën e Kosovës.

Bashkësia Evropiane nuk do të duhej ta lidhë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës për shkak të demarkacionit me Malin e Zi. Vendosja e vijës kufitare është një çështje shumë më e thellë sesa mund të mendohet për ekzistencën e shtetit të Kosovës, prandaj ngutja e procedimit të këtij projektligji për ratifikim nga qeveria e Kosovës në Kuvend, pa dyshim do të krijojë shqetësime të mëdha në mjediset tona qytetare.

Fqinjësia e mirë ndërshtetërore me Malin e Zi mund të jetë stabile vetëm me ndarje të drejtë të vijës kufitara, ku asnjëra palë nuk do të dyshonte në palën tjetër. Në të kundërtën këtë fqinjësi do ta përcjellin probleme e ngarkesa të vazhdueshme. Këto probleme më së miri e dinë shqiptarët, të cilët u sprovuan në etapa të ndryshme historike.

Mendoj se ratifikimi i Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe i Bashkësisë së Komunave serbe, duhet të prolengohet deri në zgjedhjet e ardhshme ku deputetët e Kuvendit, të zgjedhur nga vota e lirë e popullit në bazë të argumenteve dhe kritereve profesionale do të merrnin vendimin e drejtë për ratifikimin e tyre. Me zgjedhjet e reja  do t’ i jipej shansi popullit që ai të vendos për këto dy çështje kapitale të shtetit të tonë.

Ky parlament dhe kjo qeveri, pas gjithë asaj çka ka ndodhur nga nënshkrimi i këtyre dy marrëveshjeve kontestuese nuk do ta kenë mbështetjen e popullit për ratifikimin e tyre. Prandaj, në këtë kontekst, kërkohet një zgjidhje e qëndrueshme.

Përcaktimi i vijës kufitare me Malin e Zi, sipas kritereve relevante, është me rëndësi të veçantë për të dy shtetet si element stabiliteti për integrimin e tyre në Bashkësinë Evropiane dhe në proceset integruese të NATO-s. Kosovës dhe Malit të Zi i duhet një vijë kufitare stabile dhe e pranueshme nga qytetarët e dy vendeve. Dyshimet  dhe çështjet kontestuese kufitare lënë kriza pas, bashkë me pasoja në marrëdhënjet e fqinjësisë mes Kosovës dhe Malit të Zi. Duke u nisur nga kjo situatë e krijuar, dhe sipas bindjes sime, shtyrja e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi dhe e Bashkësisë së Komunave serbe deri në legjistraturën e re, do të ishte zgjidhja më reale dhe më e mirë. Kështu, në këtë mënyrë, do të krijohej hapësirë më e volitshme për një rishqyrtim më të plotë dhe të argumentuar të vendosjes së vijës kufitare në mes dy shteteve- Kosovës dhe Malit të Zi.

 

New York

12 Korrik, 2016

 

Filed Under: Opinion Tagged With: harry bajraktari, komunat serbe, Te shtyhet ratifikimi me Malin e Zi

Themelim apo ndërrim emri?!

July 12, 2016 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Kolumbus, Ohajo/

Përmes faqes së internetit“Lapsi.al” të datës 11 korrik 2016, u njoha me ftesën e mëposhtme që Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama, i ka dërguar anëtarësisë së saj:“25 vjet prej themelimit të Partisë Socialiste, e bëjnë festën e ditëlindjes së këtij viti një moment të posaçëm ritakimi mes brezash, për të kremtuar së bashku arritjet dhe sfidat e familjes sonë të madhe politike. Me dëshirën që të ndajmë këtë moment të gëzuar së bashku, shpresoj të takohemi në mjediset e shtëpisë sonë në Tiranë”.

Vëllazërisht

Edi Rama

E martë, 12 korrik, ora 19:00

Lulishtja pranë Selisë së Partisë Socialiste”.

Me këtë rast, dëshiroj, së pari, të theksoj se më bëri shumë përshtypja fjala “themelim” që përmend Kryeministri Rama në ftesën e vet. Të rinjtë socialistë poshtë moshës 25-vjeçare janë të bindur se Partia Socialiste është themeluar në vitin 1991. Ata nuk e dinë që mbarë populli shqiptar është dëshmitar i drejtpërdrejtë i daljes në skenë të Partisë Socialiste më 12 qershor 1991. Kjo parti, pikërisht në këtë datë, në Kongresin e dhjetë të Partisë së Punës të Shqipërisë, thjesht ndërroi emrin nga Parti e Punës në Parti Socialiste. Pra, nuk pati kurrfarë themelimi. Se themelimi i një partie politike ka një tjetër ecuri. Në atë kongres nuk u deklarua shpërbërja dhe shpërndarja e Partisë së Punës, e cila periudhën mes viteve 1980-1990 e mbylli me një dështim shembullor në qeverisjen e vendit, të shoqëruar me një varfërim të mbarë popullit deri në përmasa mitike, si në asnjë tjetër vend socialist të Evropës Lindore. Një gjë e tillë nuk ndodhi. Pra, u bë vetëm ndërrimi i emrit të një partie komuniste në parti socialiste. Dhe anëtarët e saj, me në krye krerët komunistë, u gdhinë komunistë dhe në pasditen e 12 qershorit u ngrysën socialistë. Faktikisht, nga komunistë, u shndërruan në neokomunistë, por tashmë në kushtet e pluralizmit politik.

Së dyti, meqë do të mblidheshin në shtëpinë e tyre, siç e quan Kryeministri Rama selinë e Partisë Socialiste, për të festuar 25-vjetorin e ndërrimit të emrit, normalisht, nuk duhej të harronin të ftonin në festën e tyre edhe fqinjin që kanë në shtëpinë pranë. Se ne e kemi zakon që kur kemi festë, fqinjin e shtëpisë gjithmonë e ftojmë të ndajmë gëzimin me të. Pra, e kam fjalën për fqinjin e shtëpisë socialiste, Janullatosin, të cilit Ramiz Alia, udhëheqësi shpirtëror i socialistëve shqiptarë, në takimin me Micotaqisin më Tiranë më 13 janar 1991, pranoi t’i dorëzonte fronin e kishës ortodokse fanoliane. Do të ishte një rast ideal për të parë se si socialistët, duke filluar nga Kryeministri Rama, si gjithmonë,do të puthnin me radhë veladonin e Janullatosit. Se, ashtu si edhe Ramiz Alinë, edhe Janullatosin e kanë udhëheqës shpirtror. Prandaj jo më kot, në Projektkushtetutën e vitit 1998, ata hoqën nenin e Projektkushtetutës së vitit 1994, sipas të cilit krerët e kulteve fetare duhet të jenë me gjak, me prejardhje dhe me shtetësi shqiptare, duke i çelur shtegun ardhjes së Jalullatosit në krye të kishës dhe hedhjes në harresë të veprës së lavdishme të Fan Nolit.

Së treti, në ftesën e vet Kryeministri Rama e fton anëtarësinë socialiste të kremtojnë së bashku arritjet dhe sfidat e familjes së madhe politike.

Domosdo. Partia Socialiste, gjatë këtyre 25 vjetëve që kanë kaluar pas ndërrimit të emrit, ka se çfarë tëkremtojë si arritje të shënuara në qeverisjen e vendit. Le të mos shkojmë larg, por të ndalemi në këto tre vjetët e fundit të qeverisjes së saj.

Pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013, Partia Socialiste trashëgoi nga Partia Demokratike plantacionet e drogës së Lazaratit. Brenda këtyre tre vjetëve, qeveria socialiste e lazaratizoi krejt territorin e vendit. Kjo është me të vërtetë një arritje e madhe që ka kërkuar shumë mund dhe djersë për t’u realizuar, pasi për eksportimin e drogës jashtë vendit, nuk mjaftonin vetëm mjetet e transportit tokësor dhe detar, por duheshin përdorur edhe fluturakët e vegjël që endeshin poshtë e përjetë qiellit shqiptar

Gjatë qeverisjes socialiste është vënë re vjedhja e thesarit dhe grabitja e bankave ditën për diell. Sigurisht që vjedhje dhe grabitje të tilla kërkojnë esnafë të kalibrit të lartë, të cilët vetëm shteti di si t’i organizojë dhe t’ua fshehë gjurmët me merak.Prandaj edhe kriminelët e këtyre vjedhjeve dhe grabitjeve kanë mbetur të pazbuluar deri tani. Sepse kur krimi nuk zbulohet, autor i tij është vetë shteti

Gjatë këtyre tre vjetëve të fundit,është vënë re një braktisje masive e vendit nga ana e qytetarëve të thjeshtë, për të kërkuar azil ekonomik në vendet e Bashkimit Evropian. Kur u liberalizua heqja e vizave gjatë viteve që qeveriste Partia Demokratike dhe deri në zgjedhjet e qershorit të vitit 2013, nuk u vu re anjë braktisje e vendit nga qytetarët shqiptarë. Madje anjëri prej atyre që shkonin në Evropën Perëndimore për të takuar të afërmit dhe fëmijët, nuk kërkoi azil, por u kthye në atdhe. Krejtësisht e kundërta ndodhi me rikthimin në pushtet të Partisë Socialiste në qershor të vitit 2013: sipas të dhënave që janë bërë publike në mjetet e informimit masiv, këto tre vjetët e fundit vendin e kanë braktisur mbi 100 mijë qytetarë.

Në këto tre vjet të qeverisjes socialiste, me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe shtimin e taksave, qytetarëve po u kanoset varfëria e viteve ’80, të cilën ua imponoi me dhunë diktatura komuniste.

Pra, rezulton se Partia Socialiste, si pasardhëse e drejtpërdrejtë e Partisë së Punës, nuk mund të heqë dot dorë nga politika e varfërimit të shtresave të gjera të popullit, sepse, sipas këndvështrimit të saj komunist, sa më i varfër të jetë populli, aq më i bindur dhe më i nënshtruar bëhet ai dhe, për pasojë, aq më afatgjatë bëhet qeverisja e saj. Pikërisht sipas modelit të qeverisjes së Putinit në Rusi.Ёshtë me të vërtetë paradoksale kur e mendon që neokomunistët shqiptarë me mantel socialist, kërkojnë që vendi ynë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ama të qeverisin sipas modelit putinian.

Prandaj, në këtë 25-vjetor të ndërrimit të emrit, socialistët kishin se me çfarë të krenoheshin gjatë qeverisjes së fundit trevjeçare. Sepse neokomunistët, ashtu si edhe etrit e tyre komunistë, nuk i njohin disfatat.

Kolumbus, Ohajo

12 korrik 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: apo ndërrim, emri, Prof. dr. eshref Ymeri, Themelim

A është Largimi i Lad Kostës kërkesë nga grekët?

July 12, 2016 by dgreca

Kosta shpreh mllefin e tij ndaj PDIU-së, shqiptarëve nga Çamëria…/

Opinion Nga Arben LLALLA/

Pas kaq kohësh qaramane, më në fund deputeti i Përmetit, Vladimir Kosta doli me dëshirën e tij nga grupi i deputetëve të PS-së me një letër të hapur. Në letrën që me aq mund shkroi Vladimir Kosta shpreh mllefin e tij ndaj kryeministrit Rama, PDIU-së, shqiptarëve nga Çamëria, si dhe ndaj egjyptasve, të cilët i fyen me shprehje raciste.

Deputeti Kosta nuk doli rastësisht në këto kohë. Ai kishte mundësi të largohej kohë më parë, por tani i erdhi urdhëri, meqë duhen shtuar votat kundë reformës në drejtësi. Kjo gjë vërehet qartë në letrën e tij të hapur ku ai shpreh përçmimin për shqiptarët e Çamërisë, kurse si kurrë më parë qysh pas vrasjes së Mehmet Shehut kemi një politikan që përdor urrejtjen raciste ndaj egjyptasve.

Deputeti Kosta, jo rastësisht e qorton kryeministrin Rama për marrëveshjen me PDIU-në, të cilën ai me keqdashje e identifikon me çamët. Ky është faj me vetëdije qysh në konceptin tij për këtë parti kombëtare, ku bëjnë pjesë shqiptarë nga të gjitha trevat dhe besimet fetare.

Vladimir Kosta me profesion shofer kamioni, që kulmin e karrierës e qëlloi si shofer i Mitros, nuk e përmend LSI-në, me të cilën Berisha qeverisi nga 2009-2013. Përse i shpëton këtij fakti Kosta, vllehu i Grabovës, i ardhur nga Zhupa?

Po kështu, ai thotë se i ka paguar 110 mijë euro atij “jevgut” të Beratit. Pyetja është cili biznes garanton kaq para të thata? Do të dëshiroja ta dija këtë udhë, sepse janë para që do më hynin në punë për botimet e librave rreth historisë së shqiptarëve të Greqisë?

Një tjetër pyetje është se Vladimir Kosta kujt pakice kulturore i përket?

Tash Lad Kosta, të them drejtë dhe hapët, pa ndroje: Shkoni dhe uluni tek prehri i Vangjel Dules, sepse ka disa muaj që e keni biseduar këtë gjë, ju lidh edhe origjina vllehe, merrni dhe Blushin t’ju tregoj udhën për tek SFEVA e Sebastiano Vllehut. Nuk jeni treguar aq të kujdsshëm që t’i mbani këto takime të fshehta, se fundja kulmin e arsimimit e ke arrirë tek kursi i shoferit, tek të mësonin si ndërrohet goma e zisit.

Jam në pritje nga ju të më tregoni se si mund t’i bëj edhe unë 110 mijë euro, ashtu siç i keni patur ju dikur? Mos na shisni moral, sepse duket sheshit që i përkisni një kategorie të ulët shoqërore, të përlyer në çorbën e fëlliqur.

Por, për diçka të drejtë keni që të jeni i plot mëri dhe urrejtje, si e pranoni vetë në letrën tuaj, të shkruar plot me gabime dhe një shqipe të çalë. Edi Rama është fajtori që shkon e bën deputet të Përmetit, të vëllezërve Frashëri, një gjysëm analfabet e copë gdhëje si ty.

Filed Under: Opinion Tagged With: A është Largimi, arben llalla, i Lad Kostës, kërkesë, nga grekët?

Letra e Hapur e Vladimir Kostës:Kryeministri Rama.. .siç e njoh unë

July 12, 2016 by dgreca

Akuza e Vladimir Kostës për Edi Ramën: Dal nga grupi i PS, je i pazoti dhe mosmirënjohës (Letër e hapur)/

Letër e Hapur/

Drejtuar : Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Z. Edi Rama.

Per Dijeni: Anëtareve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Përshëndetje Kryeministër,

E vlerësoj faktin që më kishit marrë në telefon sot tre herë dhe më kishit dërguar një sms ku shprehnit interesimin tuaj për shëndetin tim, por njëkohësisht më shqetëson fakti përse ky interesim nga ana juaj pikërisht tani pas tre vjetësh refuzimesh të më dëgjonit e të më respektonit për atë që isha dhe për atë që bëja.

Kam investuar mund, djersë dhe para për Partinë Socialiste Berat, Poliçan në 2009, Për një kërkesë tënden i pagova 110 mijë euro televizionit të atij jevgut të Beratit . Ma kërkove me ngulm në një kafene të Beratit, po s’e kujtove pyet Tikun. Preka gjithë fshatrat e Përmetit,në 2013, 4 muaj fshat më fshat. Një kërkesë të bëra që mos e vër Gilin se nuk fiton, mos ma bëj këtë të keqe, të thashë, por ti as që e çave kokën fare! Përkundrazi dëgjove ata kalamajtë që mban rreth e rrotull, të servilosen e të gënjejnë gjithë ditën. E kujtoni besoj si të thoshte Ben Ahmetaj: Kryeministër, fitojmë me 400 vota! Më çove në Dropull dhe më ngarkove të punoj për PBDNJ-shin. Unë çdo punë e marr me pasion. Anastas Angjeli më tha: mos e mer me kaq vrull se po tall bythën me ty KM-ja!! Dhe kjo ishte e vërtetë. Kur u takuam te karburanti i Bert Targës më thotë Vangjel Tavo: thuaji Ramës  … dhe unë të thirra 2-3 here kryeministër, kryeministër! Ti  as që begenise të ngrije kokën. Nuk ju kujtohet? Ishim vetem dy  metër përballë, njëri tjetrit. Mire që ja fale  bashkinë PD-së, por  më nxore dhe  si koqe, pa  asnjë vlerë para Tavos!

Nuk më ke njohur kurrë kontributin gjatë punës  time në Partinë Socialiste dhe kjo për arsye banale, nga që isha në sherr me beniaminin tënd AHMETAJ  !sigurisht do mbash anën e tij…. Gjithmonë je treguar mosmirënjohës, nënvleftësues e i pasjellshëm ndaj meje. Për këtë gjë ka ndikuar mjaftueshëm te ju duke hedhur helmin ndaj meje ai ” pesha pupël”, Arben Ahmetaj. Kjo ka të bëjë me  faktin se sa i pazoti je të vlerësosh ata që punojnë për ty.

Përkundrazi, po vlerësohen përditë e më shumë të fortët e drogës, po vlerësohen e mbështeten vetëm një grusht klientësh të ministrave dhe të qeverisë tende. (Nganjëherë kur dëgjoja nga ju që flet  me superlativa për Tërmet Peçin,për kte të  kavajës ,për të gjithë të fortët që ngre në piedestal, i thoja vetes t’ia fus edhe unë një vizë që të më vlerësojë kryetari im  !!!? Mir që  nga ajo e bardha nuk gjeta,po nuk gjeta as Ashash!!,, fati i keq imi….! )  E degjenerove rolin e deputetit, sa më vjen të pështirë ta mendoj se jam deputeti i partisë tënde! Kam çuar shumë e-mail e sms në adresën tënde dhe ju nuk u kujtuat asnjëherë të merrnit në konsideratë shqetësimet e mia, përkundrazi jam i bindur se gjithçka pas leximit  e ke kaluar në mëndjen tënde; ç’na çau k…n ky LOQA ! Nuk të kam kërkuar asgjë për veten dhe nuk do të kërkoj më absolutisht asgjë. Turp, turp që ndave pushtetin me çamët! Je mosmirënjohës ndaj të tuve! Çamët i kishim kundërshtarë e krah për krah me Berishën në 2013. Një ditë të bukur i pamë në pushtet me nje marrëveshje të fshehtë të bërë nga ti pa asnjë konsultim e diskutim me deputetët e Partisë Socialiste. E kishe vendosur ti me dhjetë ministra të tutë. Pse, ti me ata dhjetë ministrat e fituat pushtetin? Apo me QIFEN?! U ke dhënë Çamëve gjithë atë pushtet, ndërsa  socialistët që fituan zgjedhjet rrinë si trapa rrugëve të Shqipërisë dhe ne budallenj me duar prapa  para tyre, kur ata na kërkojnë një vend pune!!!!? Po ç’të them unë ti ndjen neveri për ne , vaj halli për militantët e bazës… Je mosmirënjohës ndaj të tuve!

Bëra një urë në Vllaho Psiotera. Ftova miqtë e mi dhe hodhën 31 milion lekë  të vjetra nga xhepi i tyre sepse ishte jeta e atyre fshatarëve tek ajo urë. Falë kësaj pune ne e fillojmë garën elektorale me 250 vota plus në atë fshat, i cili më mban si perëndi për këtë hall që ju zgjidhëm.

Më pas të kam kërkuar një urë po kaq të rëndësishme në një fshat tjetër por ti asnjëherë nuk më mbështete, mendon se e kam për xhepin tim! E premtova në zgjedhje se kështu e pashë të arsyeshme, sepse bëhej fjalë për fitoren tënde. Dhe shuma që kërkon kjo vepër është modeste. Asnjëherë nuk mu përgjigje. Po po, ti ke këtë gjeneratën e re të ministrave e drejtorëve që na shohin si kundërshtarë. Janë arrogantë e mendjemëdhenj! Jane gjithë pordhë. E hoqën nga puna, një mbështetës timin, që s’kishte lidhje hiç me paratë apo terrenin. Ishte në zyrën juridike, te tatimet.

Mbeti pas meje i shkreti në fushatë. E hoqi shoqja e Saimirit, drejtoresha e tatimeve me porosi të Ben Ahmetajt. E hoqën djalin e Veliut nga puna pa asnjë arsye por vetëm nga mllefi i të kaluarës ndaj meje, hakmerren njerëzit e qeverisë tënde ndaj një nevojtari socialist nga provinca për të nxjerrë kunj me mua, deputetin e partisë tënde. Kam shumë gjëra për të shkruar, por nuk dua të mërzis veten më shumë, prandaj  jam tërhequr ngaqë dua të harroj poshtërsitë e pafundme të stafit tënd. Një mallkim të fuqishëm ju a kam kaluar ty dhe ekipit tënd të ministrave e drejtorëve që më  keni bërë të vuaj kaq shumë dhe padrejtësisht!

Sa urrejtje kam që po të shkruaj! Por mos harro se po kaq kanë dhe deputetët e tjerë ndaj teje.

Mendoja në atë fillim se ishe shumë i zoti,

Por për sa po të njoh je një ndër llapistët më të mirë në botë ,! Po ja  që jam i paaftë të bëhesha pjesë e ndonjë mashtruesi tënd….

Ti e bazove punën tënde dhe drejtimin e partisë tek 10 ministra dhe disa zyrtarë të tutë të besuar dhe nuk e ke problem të nxjerrësh jashtë loje deputetët, ti fyesh e mërzitësh, ti poshtërosh e mashtroshë sipas qejfit tënd! Që në  ardhjen time si deputet ju kam kërkuar të kem autoritetin dhe respektin e duhur.

Ka dhe më shumë arsye të tjera të cilat ju i dini më mirë se unë dhe që më bëjnë të vuaj tej mase duke e denigruar vazhdimisht figurën fisnike të deputetit.

Për këto arsye ju bëj me dije se nga ky moment, largohem njëherë e përgjithmonë nga ky grup parlamentar qe drejtoni ju zoti Rama.  Respekt për deputetët e ndershëm! Respekt për socjalistët e ndershëm! Po dal përfundimisht nga grupi yt parlamentar, që në mandatin tjetër të mos e kem më në krye atë talenten e tatimeve që keni zgjedhur ju zoti  Rama. Besoj qe kjo qe po bej une do jete nje ndihme dhe çlirim per shume deputete te tjere. Do të vazhdoj tu shërbej si deputet zgjedhësve të qarkut Gjirokaster dhe socialistëve të gjithë Shqiperisë.

KUJTESË

Me që nesër bën  festën e partisë , Ard Çelën e bëre anëtar asambleje dhe i takon të jetë se fton zyra  por  mos të dalë nga mendja të ftosh Gëëëëëzimin e KASHTËS….

Vladimir Kosta

Filed Under: Opinion Tagged With: e Vladimir Kostës, Letra e Hapur

LIGJET E KUVENDIT PER PRONAT NE KONFLIKT ME KUSHTETUTEN

July 11, 2016 by dgreca

LIGJET QË KA MIRATUAR KUVENDI I SHQIPERISË SHKELIN KUSHTETUTEN DHE PENGOJNË KTHIMIN   FIZIK TE PRONES PRONARËVE TE VERTETE NDËRSA KUSHTETUA NJEH DHE  KTHEN TEK I ZOTI PRONËN E KONFISKUAR NGA SHTETI I DIKTATURËS/

Shkruan: Ing. Isuf BODO/*

Kushtetuta e Shtetit Shqiptar në nenin 41 përcakton  qartë se prona fitohet me blerje me dhurim dhe me trashëgimi dhe neni 181 i Kushtetutës saktëson se ligjet që bien ndesh me nenin 41 nuk kanë fuqi vepruese. Ne shkelje flagrante me detyrimet kushtetuese, por dhe me parimet morale dhe fetare, Kuvendi i Shqiperise ka miratuar dhe vazhdon te miratoje ligje që prona të mos kthehet fizikisht tek të zotët por të përfitohet nga klanet e politikës.

Shteti komunist pronat e marra pa të drejtë i vuri në dispozicion të të gjithë shoqërisë ndersa pas 1991 pronat u pervetesuan nga politikanet dhe klanet e tyre. Për të justifikuar përvetësimet e paligjshme që janë bërë dhe ato që janë në planet e oligarkise politike per te pervetesuar zonat turistike ku në focus është bregdeti turistik i Vlorës, nga Uji i Ftohtë, Karaburuni deri në Delvinë, në Dhjetor 2015 maxhoranca miratoi ligjin nr 133. Hartuesit e ligjit duke abuzuar me konceptin e kompensimit, synojnë të maskojnë trafikimin e pronave në favor te politikaneve por a do arrijnë të mashtrojnë nderkombëtarët !. Ligji  Nr. 133/2015, u aprovua për disa minuta vetem me votat e maxhorances dhe në orët më të vona pa u diskutuar nen për nen nga deputetët. Zyrtaret e larte kane deklaruar se ligji eshte konsultuar dhe miratuar nga Banka Boterore, ndersa Drejtoresha e Bankes Boterore e pyetur nga shoqata ka sqaruar se B.Boterore nuk ka dhene vleresim dhe konsulence per ligjin. Veprimi i ligjit nuk u pezullua ne Gjykata Kushtetuese dhe po propagandohet nga Kryeministri dhe vartësit e tij, si ligj që do zgjidhë parfundimisht problemin e pronave.

Propaganduesit janë të bindur se ligji është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën dhe me të drejtat e njeriut por personaliteti tyre eshte përçudnuar sa që për përfitime të vogla ata pranojnë të bëhen vegla të agjensive te huaja, dhe te uhmbasin personalitetin e tyre.

Nga politikanët shqiptarë dhe të huaj deklarohet se komunizmi ne Shqiperi është përmbysur, por faktet tregojnë se komunizmi po mbijeton si pluralizëm kleptokratik dhe per fat te keq me financimet dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Mos zgjidhja e problemit të pronës është vjedhje e organizuar e pronarëve të vërtetë, tallje dhe poshtrim për ta më i rëndë se shtetëzimi komunist dhe ky është problemi me kryesor dhe me peshe kombetare. Të gjitha ndryshimet në ligjet per pronat duke filluar prej ligjit Nr.7501, dhe deri tek ligji 133/2015 kanë pasur emërues të përbashkët mashtrimin publik se çdo ndryshim  i bërë do zgjidhë në mënyrën më të mirë problemin e pronës. Këto mashtrime janë burim i anarkisë institucionale, që mohon sistemin e drejtësisë dhe egzistencën e vetë Shtetit. Për çdo të huaj është e kjartë se investimet nu behen ne ajer por ne toke dhe pa vajtur prona tek pronari, në Shqipëri nuk do mund të ketë investime serioze, ndërsa për pranim në BE as që mund të mendohet. Kryeministri Edi Rama duhet te arsyetojë. Fëmijët dhe pasardhësit e nomenklaturës komuniste u frikësuan shumë nga ndryshimet që ndodhën në Europë në vitin 1990. Frika e tyre vinte si rezultat i analizës që ata i bënin veprës dhe sjelljes së tyre kriminale gjatë periudhës 1944-1990. Si mjeshtra të mashtrimit nga Ramiz Alia dhe pas tij Sali Berisha, një pjesë e bijve të nomenklaturës morrën postet më të larta qeveritare, duke u bërë ministra dhe funksionarë të lartë publikë dhe kjo u realizua simbas udhëzimeve të byrosë politike në vitin 1989 e njohur si platforma e Katovices. Këtë e ka sqaruar zoti Servet Pëllumbi, një nga drejtuesit e lartë të politikës si para viteve 1990 por dhe pas vendosjes së maskës së pluralizmit.

Pronarët që  për 46 vjet diktaturë komuniste u trajtuan si armiq të  deklasuar, pas vitit 1991 u quajtën ishpronarë dhe persekutimi tyre vazhdoi me mënyra të ndryshme, duke shpërndarë pronat e tyre sipas interesave klanore.

Në të gjithë ligjet dhe ndryshimet ligjore të bëra nga Kuvendi i Shqipërisë, asnjëherë nuk është marrë në konsideratë mendimi i Shoqatave të Pronarëve, madje kur u be publik Ligji 133/2015 `Per Trajtimin e Pronave`, Kryeministri Edi Rama nuk lejoi përfaqësuesit e Shoqatave të Pronarëve, të çfaqnin mendimet e tyre  dhe pronaret u detyruan të bojkotonin atë takim. Në atë takim të bërë në Hotel Sheraton, ndodheshin edhe përfaqësues të ambasadave të ndryshme dhe përfaqësues të Bashkimi Europian dhe Këshillit të Europës, të cilët edhe më vonë nuk reaguan.  Shoqatat kanë informuar ambasadorët për kaosin e pronës si dhe kërkesën e përsëritur, që Kuvendi të analizojë edhe aternativen  ose propozimin e tyre për zgjidhjen e drejte dhe conform kushtetutes.

Sot nevoitet më shumë se kurrë qëndrimi I ndërkombëtarëve dhe i lobit shqiptar ne SHBA, që Qeveria të kushtëzohet për tu kthyer fizikisht pronarëve pronat e marra padrejtësisht. Nesër mund te jete vonë. Ne pronarët nuk jemi kunder kompensimit por kompensimi të parshikohet per ato prona qe jane tjetersuar per nevoja publike dhe prandaj faza e kompensimit duhet të behet pas perfundimit te kthimit fizik.

Ne kemi të drejtë të kërkojmë që mbasadorët te jenë më aktivë për padrejtësitë që cenojnë parimin bazë për tranzicionin nga shteti i diktaturës në demokraci. Zotëritë amdasadorë dhe përfaqësuesit e Europës nuk do te lejonin në shtetin e tyre praktika të tilla të standardeve dyfishe te trajtimit të pronës siç po ndodh në Shqipëri, ku në veri secili ka marrë pronën e tij, ndërsa bregdetin turistik e vjedhin politikanët ?  Duke vendosur pronen si parakusht, Ambasadorët do tí shërbejnë demokracisë dhe paqes në Shqipëri dhe në rajon  dhe do nderojnë mrin dhe shtetin e tyre.

Në procesin e trafikimit të pronave heshtja dhe veprimet e pamjaftushme të ndërkombëtarëve, kanë stimuluar padrejtësinë dhe korrupsionin. Shteti shqiptar pas 25 vjet pluralizëm rezulton i kriminalizuar dhe pa sistem drejtësie, pasi Kuvendi me ligjet qe miraton, po kultivon ndjenjën e hajdutërisë dhe shtersën hajtute. Shteti Shqiptar lejon që personat e tretë ta zaptojnë tokën e pronarit, të ndërtojnë pa leje dhe bernda pak ditëve drejtori i ALUIZNIt z. Atran Lame, ja  dërgon me postë  në shtëpi, dokumentin  e pronesise për token e pushtuar dhe ndërtimin e paligjshem. Kur toka ka zot, kjo është vjedhje dhe zoti Lame e kupton mire kete process. Që të behet e mundur reforma ne drejtesi,  jo vetëm ambasadorët por dhe lobi patriotik shqiptar në SHBA dhe të gjithë ata që duhan demokraci në Shqipëri duhet të reagojnë, në mënyrë që të shpëtojmë Shqipërinë nga hajdutëria postkomuniste. Zgjidhja e problemit të pronës kerkonon vetëm 2-3 fjali kushtëzuese nga ambasadorët z. Donald LU dhe znj. Romana Vlahutin. Vetëm pas reformës së prones edhe reforma në drejtësi do  te eci sipas pritshmërisë së ndërkombëtarëve.

Tiranë, 11. 07.2016

         Ing. Isuf BODO

Pronar nga fshati Dukat i Qarkut Vlorë

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Isuf Bode, LIGJET E KUVENDIT, ME KUSHTETUTEN, PER PRONAT NE KONFLIKT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 563
  • 564
  • 565
  • 566
  • 567
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT