• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FLETA QË S’SHKRUHET

March 24, 2016 by dgreca

(Një paralele e pamundur)/

Rexhep KASUMAJ, Berlin, mars 2016/

Ishte një mëngjes i bukur. Ai do jetë zgjuar i këndellur e me gëzim. Udha që çonte në Zyrën e Kancelarit shkurtohej shpejtësisht dhe personeli i tij do të ketë filluar, tashmë, ta imagjinonte redizajnimin e saj.

Por papritur, shtabi, këshilltarët, krerët e partisë, miqët e ngushtë, ai vetë kishin shtangur. Rivalët e tij dinakë do të publikonin një pandehmë të ashpër morale. Të ruajtur kujdesshëm për orën e ligë kur karroja elektorale të marrë teposhtëzen, ata e shpallnin atë si flamur të rreckosur fitoreje: sfiduesi i tyre i pandalshëm paskësh qenë në dijeni të një vrasjeje të hershme dhe kishte heshtur.

Ishte ky Björn Engholm, intelektual i hollë e plot sharm, që rridhte nga elementi nordik gjerman. E kishin nominuar për Kancelar Socialdemokratët e margjinalizuar, përballë Kohlit demokristjan që pretendonte mandatin e katërt dhe të fundit të tij.

A kje taktika bizare e kundërshtarit, pat gënjyer vërtetë apo, thjeshtë, fati i lig politik që e shtyri atë drejt rrëzimit – nuk do thoshja specifikisht asnjëherë. Me gjasë kanë qenë tri shkaqet bashkë: e ai, me ndjesi e kulturë qytetarie, dorëhiqej burrërisht nga rendja brilante për ta dërguar Helmutin e hargjuar e provincial në shtëpi.

Përse nuk zanafillohet kurrësesi ky stil i lartë i ndarjes me politikën ndër shqiptarë?

Premieri i hallakatur i Kosovës, s’ka heshtur një vrasje, por madje, ndryshe nga Björni, ka tumirë qindra të tilla dhe ka mallkuar – jo dorasin serb, por viktimën e pafaj shqiptare fundvitesh të stuhishme 80-të, kur do të bëhej pjesë e kabinetit mëkëmbës të Slobodanit.

Pastaj gënjeu se nuk kishte fyer, ndërkohë që tabulati telefonik i pasdëgjuar dëshmon faktueshëm të kundërtën. E, mbanë tjetër të Dhéut të Europës, veç imazhit të dobët, squllosjes vetore a karizmës impresive të Angelës, kësaj “Zonje të Europës”, ishte pikërisht dhe një gënjeshtër që do ta hidhte një figurë kohëgjatë politike me emrin Peter Strinbrück jashtë betejës zgjedhore për ta alternuar atë. Doli të kje një fakt i provuar më pas – por nismërisht i mohuar prej tij, se kishte konflikt interesi e përfitonte të hyra prrallore nga punë e agjenci të tjera…Tani u bënë 4 vjet qyshkur ai gëzon prehjen e ditëve të vona pensionare.

Dhe, ç’është poaq zi, Premieri fillhumbur – ka kërcënuar shtypin e lirë. Një përvojë e ngjashme, prapë nga landet sipër Vjenës, rivjen kujtese e akuzon. Anipse në një formë tepër më të kadifenjtë dhe elegante, bashkëpunëtorë të afërt t’një Presidenti kishin kërkuar mosbotimin e një lajmi. Redaksia nuk u spraps. Do të editonte mandej informatën se ai kishte huajtur para, por tok me vërejtjen ndjekëse mbi kanosjen ndërhyrëse të oborrit të Bellevú – së. Përse të mos financonte ndërtimin e shtëpisë nga Banka, pyeste opinioni i zhgënjyer. Dyshohej, ndaj, se në këmbim të huadhënjes ai do ti ketë bërë ose premtuar favore të jashtëligjshme mikut të tij të pasur. Dhe Christjan Wulff do të shtrëngohej edhe për kërcënim të stafit të gazetës “Welt kompakt”, të braktiste turpërisht Rezidencën presidenciale të Gjermanisë e të paraqitej në gjykatë.

“Pothuajse të gjithë Presidentët amerikanë kishin sensin për të bërë histori”, shkruan Jon F. Kennedy në librin “Kurajë civile”. Porse historia shkruhet jo gjithnjë kur arrin të ngjitesh, veçse poashtu kur di ngadalë të zbresësh. Dhe kur rrokullisja nuk rrëmben më vete si ortek bore jetë të vogla brezash…

Por, si shihet përfundimisht, për Premierin Mustafa dhe manjatët e tjerë të Fuqisë politike që e rrethojnë, kjo lloj flete historie është e mbyllur: matanë rezonit shtetëror, edukatës kombëtare dhe kulturës lamtumirëse..!

Filed Under: Opinion Tagged With: FLETA QË S'SHKRUHET, Rexhep Kasumaj

ANARKIA E PRONAVE

March 23, 2016 by dgreca

DISA PYETJE PUBLIKE PËR ZOTIN ARTAN LAME/

Nga Nuro Kulluri/*

I nderuar zoti Artan Lame, unë quhem Nuro Kulluri nga Dukati i rrethit të Vlorës dhe  jam një nga pronarët autoktonë. Jam moshë e shkuar dhe kur të jetë dita, nuk mund të largohem i qetë nga kjo jetë pa i thënë mendimet  e mija drejt ashtu si i mendoj pasi kam përjetuar gjithçka ka ndodhur në fshatin dhe krahinën tonë. Në takimin e organizuar me datën 9 Mars 2016 “Për çështje të pronësisë së komuniteteve fetare”, ku palën e Qeverisë e përfaqësonit ju dhe drejtoresha e AKKP  znj Sonila Qato, u deklarua se komuniteteve fetare do t’u kthehet prona e tyre. Pyetjes së z.Axhem Ymeri, Kryetar i Koalicionit të Shoqatave të Pronarëve se me çfarë baze juridike komuniteteve fetare do ju kthehet prona dhe ne qytetarëve  vazhdon të na rëmbehet prona ju dha një përgjigje gjysmake se kjo “do bëhet në bazë të një marëveshje”. Ju e dëgjuat se kjo krijoi indinjatë që u kritikua në diskutimin tim dhe të përfaqësuesve të tjerë të pronarëve që kërkuan nga kleri të mos bëhet palë dhe të mos mbështesi gabimet e qeverisë por të lartësojnë parimet dhe pastërtinë e moralit fetar që nuk pranon kusarinë. Por cila qënka kjo marrëveshje, kush e ka nënshkruar dhe a do ti qëndrojnë kohës këto marëveshje !

Përse për institucionet fetare bëhet marëveshje për ti kthyer pronat ndërsa për pronarët e zonave turistike bëhet marreveshje gjoja “për zhvillim” por në thelb për t’ua vjedhur pronat. Mos vallë këtë marrëveshje ua kërkon Evropa ?? Nëse kjo është e vërteta  por nuk besoj :“ Evropa pastë faqen e zezë nëse na shkatërron si në vitin 1913”  Nëpërmjet shtypit të lirë po ju drejtohem për marrë përgjigjen tuaj publike pasi era e keqe u dëgjua edhe në intervistën që ju dhatë në darkën e ditës së Premte datë 19 Mars 2016 në TV News 24. Intervista juaj më indinjoi se gjatë gjithë intervistës ju nuk thoni pronarët por vazhdoni të thoni ishpronarët, emërtim abuziv, që i përket kulturës së kusarisë, që la pas Ramiz Alia. Por mendoj se ajo që nxin dhe ju turpëron janë mendimet tuaja për të justifikuar shtetin që sipas jush nuk paska faj se ka lejuar të pushtohen pronat. Çdo njeriu I dua të mirën dhe  edhe pse nuk njihemi ju them: Mos kini frikë të thoni të vërtetën se vetë Shteti kishte dhe ka detyrim Kushtetues t’ja kthejë shqiptarëve pronën qe ja ka grabitur me ligjet e diktaturës dhe se kompensimi duhet vetëm për prona që janë tjetersuar për nevoja publike.  Ju sqaroj se e dija që jeni Drejtor i Pergjithshem i ALUIZNI-t por pyeta se ku keni punuar më parë. Më thanë se jeni publicist, opinionist, studiues i historisë, veprimtar i shoqërise civile për mbrojtjen e trashëgimise kulturore, koleksionist etj. Me ato që dëgjova në intervistë mendova: Ky njeri kaq i zgjuar i ka vënë vetes detyrë për të ndërtuar Shqipërinë apo punon për ta shkatëruar këtë vend se këtë detyrë i kanë ngarkuar. Kjo është pyetja që nuk di ti jap përgjigje dhe kërkoj përgjigjen tuaj. Besoj se nga kjo pyetje dhe përgjgja juaj do të reflektojnë dhe politikanët e tjerë, të paktën ata që siç thonë këtej nga ne “nuk u ka plasur cipa”

Problemi I anarkisë së pronës për të cilin ju drejtohem nuk zgjidhet me mashtrime dhe kompensime por me kthim fizik conform Kushtetutës . Rruga që po zbatoni po polarizon jo vetëm bashkëfshatarët e mij në Dukat por thuajse të gjithë shoqërinë dhe dëmton të ardhmen e Shqipërisë, prandaj ju kërkoj të keni burrërinë të përgjigjeni jashtë politikës me ndershmëri siç kemi shprehjen : me dorë në zemër.

Në intervistën e dt. 19 Mars, ju deklaruat se problemi pronave për ish pronarët është i mbyllur, se nuk kemi çfarë tu kthejmë dhe folët për fushatën e legalizimeve të ndërtimeve të paligjshme si një fitore dhe arritje të politikës etj. Unë mendoj se kjo është vjedhje në emër të ligjit dhe ju këshilloj të largoheni nga kjo veprimtari që shkatërron shtetin. Unë mendoj se ju bëni një punë të dëmshme dhe shkatërruese, për të ardhmen e shtetit Shqiptar dhe të shqiptarëve me çdo firmë që ju vendosni për të legalizuar një ndërtim pa leje që një person i tretë ka bërë në tokën që nuk është pronë e tija. Unë besoj se opinioni shoqëror por dhe Perëndia do  ndëshkojë ju dhe të gjithë ata që i shkaktojnë padrejtësi popullit. Ju ftoj të reflektoni: Me çfarë të drejte morale politikanët duan të përvetësojnë pronat tona në Karaburun. A është kjo tjetersim prone për nevojë publike apo është vjedhje e maskuar në emër të ligjit. Shqipëria nuk ekzekuton vendimet e gjykatave dhe vazhdon ta mashtrojë Evropën, që akoma nuk e ka kuptuar se sa shumë e kanë mashtruar në këto 25 vjet lidhur me pronat. Të shohim se si do vendosi Gjykata Kushtetuese për ligjin e dhjetorit 2015 me të cilin Qeveria kërkon të maskojë vjedhet e pronave 1991-2015.  Por Gjykata e Strasburgut me 17 Mars 2016 e dënoi përsëri Shqipërinë, por sa dënime të tjera duhet të japi Strasburgu që shteti të mos tallet me pronat tona dhe të drejtat themelore të njeriut. Ju mund ta dini se Karaburuni është pronë e dukatasve autoktonë,  por pas 1991 politikanët po synojnë ti quajnë prona publike. Ne i dimë se ku janë kufijte dhe pronat e secilit. E dimë gjithashtu se KKKP dhe gjykatat kanë bërë matrapazllëqet të shumta me vendimet e tyre duke shkaktuar mbivendosje. Sipas mendimit tuaj dhe sa kohë  do vazhdojnë këta politikanë ta mashtrojnë SHBA dhe Europën dhe të justifikohen me ligjet që miratojnë në atë palo-Kuvend. Zgjidhje ka por është veprimtaria juaj dhe e atyre që janë me një mendje me ty që pengojnë zgjidhjen dhe duke pasur në dispozicion median e turullosni opinionin. Zgjidhja do të vijë nga Shtëpia e bardhë dhe Ambasadori i SHBA se Shteti ka detyrim ti kthejë pronat, se shteti i ka dokumentat në arkiva, pra zgjidhja është që Shteti ti hapi arkivat të kthejë pronat . Vetëm pas kësaj klasa politike ka të drejtë të pretendojë se vendosi themelin e demokracisë, duke dhënë këtë shenjë që filloi t’a dekriminalizojë veten . Sipas mendimit tuaj edhe sa kohë do vazhdojë ti nënshtrohet populli vjedhësve që deklarohen si parti e majtë apo e djathtë ? Ju rikujtoj se për të mbrojtur pronat e të parëve të tyre nga politikanët zaptues, në vitin 2001 i gjithë fshati i Dukatit, u përleshën me policët dhe forcat speciale të dërguar nga Qeveria Berisha. Në 2001 kur dukatasit me gurë e shkopinj e vunë përpara policinë e armatosur, kryetari i opozitës, zoti Edi Rama, sot Kryeministër ka thënë me gojën e tij se “DUKATI KA TË DREJTË”. Në vitin  2013, Sali Berisha,filloi të analizojë dhe guxoi të thotë se “me pronarët kam gabuar”. Tani në pronat tona në karaburun po afrohen ca deputetë dhe ca që thonë se janë turq dhe vijnë gjoja për të investuar sipas ligjit të turizmit ! Ju pyes se kujt i intereson ti pastrojmë kusarët siç pastohen çibanët ? Ju pyes personalisht ju kujt  i shërbeni.  Mirëpres  burrërinë dhe përgjigjen tuaj.

*I nderuari z. Editor

Vatra dhe gazeta “Dielli” eshet e evtmja dritare nga ku ne percjellim shqetesimet dhe dhimbjen qe po na shkakton Politika dhe Shteti Shqiptar ne keto 25 vite tranzicion. Dielli mbetet per ne e vetmja gazete qe I perket shtypit te lire, ku nuk jemi censuruar as edhe nje here te vetme.. Ju lutem te shikoni mundesine e publikimit te letres qe ju kemi derguar dt 20 MArs 2016, pasi ne gazetat qe publikohen ne Tirane, redaksite hezitojne te botojne shkrime kritike per anarkine dhe shkeljen e te drejtes se prones  se trasheguar.Ky eshte krimi dhe padrejtesia me e thelle qe u eshte bere shqiptareve qe nga koha e mesjetes. Nese ne shkrimin qe ju kemi derguer ka diçka qe nuk shkon ju lutem na informoni.

Me respect

*Nuro Kulluri

Pronar autokton nga Dukati i Vlores,

Kryetar i degës Dukat të Shoqatës “Krahina Jonë“

Tiranë, me 20.03.2016

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Artan Lame, Kulluri Nuro, per pronat, Pyetje publike

Zot të falem që na shpëtove Taulantin!

March 22, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Se kush duronte më pa qarë, kur Edi Rama të rrihte gjoksin.Të siguroj që në Shqipëri do ishte shtuar një dëshmor potent. Edhe pse jo i tillë. Shqipëria do kishte vrapuar të bënte një përmendore të madhe. Aq më tepër që tani po riplanifikon sheshin Skënderbej.

Zot të falem. Kjo e puna e terrorit me armiq njerëzit e thjesht. Me ata valixhexhinjtë. Punëtorët muhaxhirë. Nxitonjësit për të kapur trenin. Ka brenda edhe dosjexhinj. Ata që merren me tratativat e shteteve. Janë të gjithë humbamen. Ca haxhiqamilë, ca esatpashë… e megjithatë shpallen heronj.

Të thjeshtit dashnorë, të njeriut për njeriun, edhe pse nxitojnë e ofrojnë dashuri. Nuk e kanë kurrë shancin të bëhen dëshmorë.

Ata janë armiqtë e terrorit. Ata që nuk janë.

Ata iktarët e blloqeve të lindjes. Asaj të mesme dhe largët. Ata iktarët e Afrikës së madhe. Ata vendallinj të rinj që akademikët e mykur në vendet e origjinës… Nuk i konsiderojnë kombe, përshembull edhe Belgjikën. Apo edhe Amerikën e madhe. Për shkak pikërisht të këtyre ardhacakëve.

Megjithatë vendi ku kufiri është një nocion edhe nën një tavolinë trotuari. Një vijë që shkelet. Ku mund të pish kafe me kufirin mes shalëve. Eshtë atdheu i tyre. Atdheu që kurrë nuk e ndërtuan këta të mënçurit. Haxhiqamilët e vendeve të origjinës. Me planifikimet, interpretimet dhe sponorizimet që i bëjnë barutit të terrorit.

Dhe kur vinë aty, vinë për tu imponuar. Pikërisht me dështimet e tyre.

Kërkojnë suport sa për tu dukur. Se fakt asgjë nuk është e vështirë. Por bëhet e tillë.

Nga ana tjetër bëjnë selfie për memecllakët dhe dordolecët në vendin e tyre. Ata që i gëzon pamja buçko e njëshit. Teksa u shet pordhë zyrave të përkrahjes sociale të Brukselit. I ofron dhe mburret me dështimin e vet shekullor. Tamam aty, kur dikur… Një gjeni teksa ecte rrugëve. I zbritur nga Andet. Nga lartësitë e kondorit. I tha gjyshit të vet në vargje. Tani po e shoh se përse duart e tua janë plot pluhur dhe lavdi. Dhe a e di, vendi i tij kishte në histori një galeri luftrash civile. Suksesi më i turpshëm i njeriut.

Megjithatë të lumturit ardhacakë, nga të katër qoshet. Vërshojnë mes mjegullës. Jetojnë aty edhe me një përkrahje. Të paktën ajo nuk është një filxhan kafeje për të tallur menderen. Siç bëjnë modelistët në vendet e origjinës.

Zot të falem se kush i duronte pastaj. Propogandën. Kushedi se sa rrugëve do u ndërroheshin emrat. Kushedi se sa ndërrmarrjeve. Kushedi se sa shkollave në rajonin e Librazhdit. Kushedi se sa netë Kuvendi i shqiptarëve do debatonte.

Kushedi se sa statute lamtumire do shikonim në fb.

Sa dedikime !

Zot të falem që na e kurseve Taulantin.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, që na shpëtove, Taulantin!, Zot të falem

Dita e Sulltan Nevruzit – Haxhi Baba Edmond Brahimaj thirrje për paqe, dënon aktet terroriste

March 22, 2016 by dgreca

TIRANË, 22 Mars.- Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, uroi sot besimtarët bektashinj në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, për Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu.

Në fjalën e tij para besimtarëve bektashinj, Haxhi Baba Edmond Brahimaj duke bërë thirrje për paqe, dënoi ashpër çdo akt dhune dhe terrori që po bëhet ndaj njerëzimit në botë.

“Sot në këtë ditë të bukur të pranverës ju uroj paçi përherë bekim në jetën tuaj. Zoti qoftë ndihmës drite dhe shkëlqimi në rrugën tuaj. Në këtë ditë gjejmë rrugën për te i madhi Zot për të na lehtësuar me praninë e tij qëllimin tonë për t’iu afruar drejt tij. Ne të gjithë së bashku apelojmë për mbarë njerëzimin që në rrugën e virtytshme të gjejmë dashurinë, gëzimin, lirinë, shpresën e mbi të gjitha paqe në veten tonë. I lutem Zotit të na mbushë me dashuri, të na mundësojë me përkushtim moral dhe atdhetar duke përbuzur egoizmin, vesin e ulët dhe ligësinë, të falim dashuri te njeriu për njerinë, shpirtin human dhe lumturinë familjare”, tha Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

Ai uroi qofshi përherë të lumtur kudo që ndodheni, Zoti ju uroftë e bekoftë të gjithëve.

Festa e Novruzit shënon fillimin e vitit të ri sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.

Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Në Shqipëri, Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në 1996. Në vendin tonë sekti i bektashinjëve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman. Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai lindi në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.

Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.

Gjatë Rilindjes Kombëtare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit. Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjes bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924 selia botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. Bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit ’91

Filed Under: Opinion Tagged With: – Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Dita e Sulltan Nevruzit

O, sa vështirë me qenë shqiptarë!

March 22, 2016 by dgreca

Nga Gani MEHMETAJ/

Nuk më pëlqen slogani “O sa mirë më qenë shqiptar”, shpreh kompleks inferioriteti, me tha miku im.  E si të thonë? “O sa mirë me qenë grek, apo serb!”, ia ktheva pa të drejtë, sepse ai nuk e thoshte për këtë qëllim, atë e pengonte slogani i tifozëve “Kuq e Zi”. Jashtë dialogut me mikun tim, të cilin e çmoj dhe kuptohemi për shumë gjëra, po e nis monologun me vetën.As mua nuk më tingëllon reale kjo shprehje, sepse nuk është kënaqësi të qenit shqiptarë. Mbase kishim pse të mburreshim dikur. Po sot? Askush nuk na trajton si duhet; as ne nuk e trajtojmë vetën me dinjitet; jo rrallëherë sillemi si palaço tragjikomik në rrugë, në Kuvend, në institucionet publike e shtetërore; bëhemi servil para të huajve duke e denoncuar njëri-tjetrin, e tallim shtetin, i përdhosim institucionet, e lavdërojmë vetën dhe kërkojmë nga të huajt të na mbështesin që ta rrëzojmë kundërshtarin; e denigrojmë njeriun tonë që ka personalitet; e përdhosim atë që ka dinjitet; veprojmë egërsisht deri në zhdukje fizike ndaj  kundërshtarit politik e atij personal; sillemi me qyqari me armikun apo fqinjin përtej kufirit; tallemi me përkatësinë tonë kombëtare; i fyejmë personalitetet historike si asnjë komb tjetër në botë; duam të bëhemi tjerë më përkatësi kombëtare e jo ta ndryshojmë vetën.

Megjithatë, tifozët e futbollit i mbështesë në sloganin e tyre. S ‘kanë si thonë ndryshe, vështirë  që i pranojnë për grekë, serbë apo turq sado të thonë në gjuhën e tyre “O sa mirë me qenë grek, apo ” O sa mirë me qenë serb, apo turq”.  Fqinjët tanë që dikur u sollën mizorisht ndaj nesh na e kanë ngulitur aq thellë kompleksin e kombit të pavlerë, aq shumë janë tallur mizorisht me neve sa nuk guxojmë as të kënaqemi me shqiptarësi në euforinë e animit sportiv. Jo rrallë që t’ua bëjmë qejfin fqinjëve arrogantë u themi: e dini si? Ata janë  primitiv, mos ua zini për të madhe, ne jemi ndryshe, ne nuk jemi nacionalist, ne nuk u urrejmë, përkundrazi u duam. Dhe nisim të betohen disa servil të shpërfytyruar në gazeta e televizione që i duam serbët, i adhurojnë grekët, shkrihen për turqit. “S’na bie kurrë ndër mend t’u mbajmë inat, a zoti na ruajt t’u urrejmë pse na vranë gati sa s’na zhdukën”, nisin të arsyetohen për krimet e tyre mjeranët shqipfolës. “Kishin një arsye, prandaj na vranë”, ka deklarata të tilla idiotësh nga bashkëkombësit tonë. Hapini portalet elektronike e do të lexoni edhe idiotësira të tilla. “Kot nuk i vrau greku çamët!”, kam lexuar apo kam dëgjuar publikisht dhjetëra herë shqipfolës ta thonë pa fije turpi në portalet shqiptare. “Kot nuk i masakroi serbi kosovarët!”, jo rrallë e thonë pa ngurruar disa të tjerë.  “Edhe turku pati një hall që na vrau e na dëboi përtej detit aq pa mëshirë. Pse i dolën në rrugë, në vend të bëheshim skllevër të tyre”, thonë mjeranët e tjerë në gjuhën shqipe. “Skënderbeu nuk është heroi im, sepse vrau shumë turq”, thonë jo pak hoxhallarë bastard. Pse duhej ti përkëdhelte pushtuesit mizor, Skënderbeu, sipas tyre? Sikur të vazhdonin të tjerët si Gjergj Kastrioti nuk do t’u dëgjohej fjala këtyre bastardeve, as nuk do të merreshim fare me ta.

Disa  mburrën me eufori idiotësh pse e mbajnë fenë e turkut, apo pse ua “ringjallën” kishën shovinistët grek, duke e theksuar se jemi pasardhës shqiptaro- osman. Janë pasardhës shqiptaro-osman, apo janë pasardhës grekë nëse janë nipër të gjysheve të përdhunuara, por atëherë duhet t’i quajmë kopilë shqiptaro-osman, apo bastard grek. Nëse nuk ndjejnë turp që janë bastard, të  mos mburren që janë pjellë përdhunimi. Duhet ta mbanin anën e gjyshes së përdhunuar, apo të gjyshit përdhunues, sipas kësaj logjike. Ç’t’u thuash të tillëve?

A jemi popull kot?

“Jemi popull kot”, thotë miku im nga Tirana në dëshpërim, sepse sigurisht nuk i kupton këto sjellje anormale të grupeve shqipfolëse.  Prej nga ky kompleks i qyqarit i këtyre grupeve, që ta duam pushtuesin përdhunues? Një shtresë mjerane e mburrin pushtuesin mizor dhe përpiqen ta denigrojnë kombin e tyre? Janë mercenarë? Nuk kanë identitet kombëtar? Apo e kthejnë gëzofin si të fryn era?  Megjithëse nuk e thonë nëpër rrugë “O sa mirë më qenë grekë, apo turk, apo serbe”, sepse do t’ua thyenin kokat ca “nacionalistë primitiv” , ata e thonë nëpër portale, e shkruajnë në ndonjë paçavure gazete apo në ndonjë emision televiziv të financuar nga armiku. Dy shtetet shqiptare nuk i trazojnë shoqatat, bashkësitë fetare greke e turke edhe pse punojnë kundër interesave shtetërore e kombëtare.

Mercenarët bastard po e provokojnë keqas shqiptarësinë e Shkodrës, strumbullarin e Shqipërisë etnike, duke tundur flamuj turk e sllav. Me shoqata islamike turke, me xhami vehabiste e salafiste, më ulërimat e altoparlantëve, me portalet që bëjnë thirrje për luftë të shenjtë islamike, më zbritjen e tërë shëmtisë aziatike e të gadishullit arabik në djepin e kulturës shqiptare, janë duke e shpërfytyruar Shkodër locen e Marin Barletit e të Gjergj Fishtes, kur dihet se këtu u derdh aq shumë gjak kundër këtyre hordhive aziatike që të mos e përdhosnin qytetërimin tonë. Mercenarët e tjerë bastard po ua lëvizin eshtrat patriotëve të Korçës e të jugut shqiptar me shantazhe e agresione kundër shqiptarësisë korçare, me parulla e presione të hapura që të konvertohen shqiptarët e varfër në grekë; vehabistët e spiunë islamik të Serbisë e të Turqisë po e përdhosin Prishtinën e Pjetër Bogdanit, ku ai e dha jetën për çlirimin e kryeqytetit të Dardanisë ; pushtetarët nuk kanë guxim t’ia bëjnë një shtatore monumentale këtij personaliteti më të madh pas Gjergj Kastriotit nga presioni i Turqisë e mercenarëve të tyre.

Greqia, Serbia e Turqia po futën sërish në Shqipëri, Kosovë e në territoret etnike shqiptare përmes nipërve të gjysheve të përdhunuara, përmes mercenarëve e maskarenjve, përmes ish spiunëve të Serbisë, ndërsa dy shtetet shqiptare marrin pjesë në këtë përdhosje kombëtare, sepse janë të korruptuar. Prandaj i ndjekin me indiferencë të pafalshme gjithë këto veprime rrënimtare.

Tifozët “kuq e zi”, pjesa më e ndritur e kombit

Duke e përsiatur sloganin e tifozëve kuq e zi, mu kujtuan grekët e turqit e shkretë dikur. Para tridhjetë vjetësh të ishe grek e turk ishte turp e denigruese para evropianëve.  Atëbotë më vinte keq për grekët e turqit e varfër të trenit Akropolis- Munhen, të cilët  policia serbe, kroate e sllovene i fyente e i shante secili për hesap të vetin me fjalën sllave “stoka” (kafshë).  Austriakët ishin më fin, e mbyllnin hundën më tu futur në kupe, sepse vinte era ajër të ndenjur, gazra të stomakut të trazuar nga rruga e gjatë e ushqimi i prishur i kuzhinës turke e greke: qofte, vezë të ziera e bakllava të thartuara. Grekët e turqit e shkretë ulnin kokën që të mos e acaronin policin serb, kroat, slloven apo austriak, sepse do ti zbriste nga treni. Me vinte keq për mjerimin e tyre. Asnjëherë nuk me shkoi nëpër mend se nipërit e këtyre grekëve të mjerë, e turqve që nuk e kishin kaluar ende mesjetën, nesër do të silleshin edhe më egër më shqiptarët e varfër.

“O sa mirë me qenë shqiptar”, mbase nuk është kënaqësi e veçantë (megjithëse kur i shoh në televizion këta tifozë me duket se kënaqen, veçmas kur e përsërisin këtë refren), por është turp kur shqiptarët deklarohen grekë, serbë apo turq. Tifozët e sportit lë ta vazhdojnë sloganin e tyre, askujt nuk i bëjnë dëm, tryeza e shqiptarëve as nuk do të pasurohet, as nuk do të varfërohet nga tifozllëku i tyre, ndërsa ka gjasa t’ua ngrehin krenarinë kombëtare të nëpërkëmbur aq shumë vjet nga serbi, nga diktatura e varfëria. Një brez i ri pa njolla nga  diktatura e pushtuesi i huaj e ndjenë vetën mirë, ka dinjitet e krenari kombëtare. Tifozët më duken janë pjesa më e ndritur e kombit, kurse brezi i tyre do t’ia kthejë krenarinë e munguar  shqiptarëve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani mehmetaj, sa vështirë me qenë shqiptarë!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 579
  • 580
  • 581
  • 582
  • 583
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT