Shkruan: Fadil LUSHI/
Dikur, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, stacioni hekurudhor i Shkupit ndryshe quhej edhe si vendi i lotëve a “stacioni i shpresave të vdekura”(!?). Ishte një vend ku takoheshin familjet shqiptare nga Kosova, Maqedonia, Sanxhaku dhe nga Lugina e Preshevës. Ata pritnin trenin që do t’i degdiste pa kthim diku në “Ana-vatan”, gjegjësisht në Anadolli.
Në nënqiellin e Gadishullit Ilirik sot e kësaj dite lakohen ca refrene të një kënge shumë të vjetër qytetare. Dikur moti këtë këngë e dëgjonin nuset dhe nënat shqiptare, hiq mënjanë baballarët. Refreni i parë i kësaj kënge, paksa emotive, ishte kësisoj: “Kush ma s’pari bani, more djalë gurbetin, mos ja dhashtë allahi kurrë selametin…, pikë ma s’pari dola, pa bukë më shkoi dita, jabanxhi qëllova, ujë me lyp nuk dita, borë e shi tuj ramun në fund m’zuni nata…, jastëk guri pata…”. Sot kjo këngë nuk dëgjohet më në stacionin hekurudhor të Shkupit, po as në Kosovë, në veçanti në stacionin e autobusëve të kryeqendrës së saj…, aty ku nisen shpërnguljet biblike, trishtuese dhe tronditëse, aty ku grumbullohen njerëz të moshave të ndryshme, aty ku asnjeri nuk parashtron pyetjen: vallë ku do të shkojnë këta njerëz “taksiratli”, nuk pyesin sepse çdonjëri prej tyre e di vetëm atë të vërtetë se shkon drejt së panjohurës, drejt Evropës së lirë dhe të pasur, drejt demokracisë, drejt asimilimit, apo ndoshta edhe drejt një të ardhmeje më të mirë materiale (!??). Ata që janë më të moshuar dhe që kanë dalë atypari për t’i përcjellë “kurbetçinjtë allafrënga”, ashtu me dënesë do të thonë se: e gjithë kjo nuk është e moralshme nga ana e atyre që duhet të kujdesen për këta njerëz, e gjithë kjo nuk është e drejtë, e gjithë kjo nuk është me “tamam”, nuk është me vend…, ata do të thonë se: e gjithë kjo skenë është e llahtarshme, sidomos kur sheh foshnjat me lot në sy dhe të vendosura në “shporta thuprash”!??
“Arratisjet” a ikjet e shqiptarëve të Kosovës jashtë shtetit do të “pjellin”
qëndrime të ndryshme sidomos nga ana e gojëkëqijve, qofshin ata analistë, politikanë, nacionalistë provincialë dhe analfabetë. “Toptan” këta do të parapëlqejnë t’i shtrembërojnë lajmet burimore që janë trishtuese, por të besueshme…, ata këtyre lajmeve do t’ua heqin të gjitha të vërtetat duke i zëvendësuar ato me “fakte” të rreme a të sajuara. Disa do të thonë se, në gjithë këtë eksod biblik të shqiptarëve të Kosovës, kinse paska dorë a hise Serbia (!?) nga fakti se këtyre “dertlinjve” u mundësuaka ta shfrytëzojnë territorin e saj (!???)…, ca të tjerë do të thonë se pse autoritetet e Serbisë nuk i ndalojnë që të futen në tokën e tyre. Disa të tjerë do ta fajësojnë edhe shtetin e Hungarisë, se pse ajo i pranon shqiptarët nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, pse nuk u krijon “kushte të mira strehimi azilkërkuesve shqiptarë!?” Të gjithë “harrojnë” të thonë se fillimisht këtë ndalesë duhet ta bëjë vetë shteti i Kosovës, nga ku arratisen këta njerëz…, ata harrojnë të thonë se në gjithë këtë katrahurë dhe eksod ka hise nëntoka serbe, ajo hungareze si dhe në veçanti ajo kosovare gjegjësisht kontrabandistët dhe sekserët kosovarë që janë sistemuar në Beograd, Suboticë, Horgosh, Segedin, Budapest si dhe në fshatrat përreth kufirit austro-hungarez…, aty…, ku i presin shqiptarët respe-ktivisht bashkatdhetarët e tyre që ashtu pamëshirshëm t’ua heqin a rrjepin lëkurën!
Në didaktikë ekziston një fabul që u shërben arsimtarëve, pedagogë-ve, nxënësve dhe studentëve. Kjo përrallëz mund t’i shërbejë edhe analistit, edhe policit kufitar, edhe doganierit, edhe politikanit shqiptar, edhe makiavelistit, edhe pushtetarit si dhe të tjerëve, të cilët me të vërtetë nuk i dinë shkaqet e këtij eksodi biblik. Nëse vërtet nuk i dinë këto shkaqe, atëherë le t’i kërkojnë në tregimin e shkurtër në vijim, në tregimin që llafos konfliktet mes njerëzve a “kafshëve”(!?)…, shkaqet do t’i gjejnë tek ata që shkelin mbi fatet e fukarenjve, tek ata që ushqehen me koka njerëzish, këtu në Gadishullin Ilirik të trazuar.
Na ishte njëherë një njeri me emrin Mug. Ai një ditë, kur po qëndronte buzë lumit e po mprehte sëpatën, ia thumboi këmbën një grerëz. Mugu aq shumë u zemërua, saqë mori sëpatën dhe preu degën e lisit aty pranë. Lisi u zemërua, saqë e shkundi folenë e dallëndysheve të vogla, që gjendej në degën tjetër. Kur dallëndyshja e pa këtë, aq shumë u zemërua, saqë e quku me sqep gjarprin që ishte i shtrirë poshtë. Gjarpri u zemërua, saqë e kafshoi arushën që kaloi aty pranë. Arusha aq shumë u zemërua, saqë e përmbysi kasollen e plakës (së mëhallës sonë – nënvizimi ynë) qyqare.
“Oj arushë!”, bërtiti plaka e zemëruar, “Do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo kurrë!”, u përgjigj arusha. “Fajin e ka gjarpri, ai më kafshoi, prandaj ta përmbysa kasollen”. Plaka shkoi te gjarpri dhe, e zemëruar, i tha: “O gjarpër, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj gjarpri. “Dallëndyshja është fajtore, sepse ajo më çukiti me sqep!”. Plaka shkoi te dallëndyshja dhe, i tha: “Oj dallëndyshe, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj dallëndyshja. “Druri është fajtor se e shkundi folenë me të vegjlit e mi”. Plaka shkoi te druri dhe, e zemëruar, i tha: “O lis, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj lisi. “Fajin e ka Mugu që ma preu degën më të madhe”. Plaka shkoi te Mugu dhe i tha: “O Mug, do të duhet të ma paguash kasollen”. “Jo, kurrë!”, u përgjigj Mugu. “Fajtore është grerëza që ma thumboi këmbën”.
Në fund, plaka shkoi te grerëza dhe, e zemëruar, i tha: “Oj grerëz, do të duhet të ma paguash patjetër kasollen”. Grerëza nuk kishte kë të akuzonte, por edhe nuk mund t’i ndihmonte plakës (së mëhallës sonë). Prandaj derisa plaka e qortonte, grerëza fluturoi në pyll dhe asnjëherë më nuk u pa atypari.
Se cili politikan kosovar mund të identifikohet me atë njeriun që kishte emrin Mug, ne nuk e dimë. Po edhe sikur ta dinim, nuk jemi aq “budallenj” t’ia themi emrin…, se kush ishte ajo “plaka qyqare dhe e zemëruar”, edhe këtë nuk e dimë, se kush ishte ai “zvarraniku pa këmbë dhe me trup të gjatë”, nuk e dimë, se “grerëza nga shkoi a ku vajti”, nuk kemi haber, se “kasollja e plakës (nuk) u rindërtua diku në Kosovën e çliruar”, një Zot i madh e di. Ne që thurëm këtë shkrim, paksa johuman, dimë vetëm një gjë: thonë se dallëndyshet largohen (nga Kosova) në vjeshtë për të shkuar në vende të ngrohta, ato nuk duken më atypari, ndoshta në pranverë nuk do të kthehen më, ato tanimë janë zëvendësuar nga fise shqiptare…, nga “shtegtarët e shekullit njëzetenjë”…, nga njerëz që largohen e që shkojnë në vende të FTOHTA të Evropës hileqare!?.
P.S. Ti, i nderuar lexues, nëse gabova diçka në këtë vështrim, më ndje…, dikur edhe unë isha një “bari shtegtar!? ”
KJO QENKA DEMOKRACIA ?
Shpëtim nga Shpëtimët/
NGA ILIR LEVONJA-Florida/
E kam shumë seriozisht, duhet thirrur shpëtim nga Shpëtimët. Nga ky fenomen në ngjizje. Nga të pushtetarët e përjetshëm.
Qysh sa u ndje atmosfera e zgjedhjeve lokale, u përfol në shtyp për nisjen e një lufte brenda llojit. Për shkak të të ashtuquajturave rezistenca të kryetarëve aktualë të Bashkive, sidomos të atyre ”legjendarëve” në qytetet kryesore të vendit. Shkak është rasti Gjika, kryetari aktual i Bashkisë Vlorë. Arrestimi i tij show, lirimi me kusht etj. Dhe së fundi intervista e Shpëtimit në shumë webe.
Por u deshën rishpërthimet e tritolit që vemendja të mënjanohej nga Shpëtimi. Megjithatë, toni i intervistës së tij, fjalët e tia e vertetojnë plotësisht luftën brenda llojit. Atë që kishin parashikuar analistë të ndryshëm.
Për të mos u zgjatur, pasi thjesht një opinion do jap. Dhe të më fali Shpëtimi që po i referohem. Megjithëse e di mirë që përballë arrestimeve, fenelinave të policisë dhe blicave të shtypit, fjala ime është fresku i perdes tek dritarja. Po unë një habi do e them. Qoftë kjo jo vetëm për votuesit, por edhe për partitë, për individët që janë bërë më publik se Zoti. Prapë do kandidoni???
Duhen pyetur vlonjatët, akoma me Shpëtimin? Duhen pyetur fierakët, akoma me Baftjarin? Duhen pyetur durrsakët akoma me Dakon? Duhen pyetur shkodranët, akoma me Lukën? Duhen pyetur beratasit akoma me Nasufin? Duhen pyetur elbasanllinjtë, akoma me Sejdinin? Duhen pyetur gjirokastritët, akoma me Bimen?
Duhen pyetur edhe ato qytetarë që herë i kanë demokratë kryetarët, herë socialistë brenda mandatit. Ose që ndërrojnë partitë si e si të rizgjidhen. Apo edhe përfaqësues të minoritetit grek, mu në mes të Skraparit. Vërtetë nuk kanë djem të tjerë qytetet tuaja?! Partitë tuaja. Sidomos PS-ja. Mbaruan socialistët vlonjatë, fierakë, elbasanas, durrsakë. Apo edhe gjirokastritë? Të paktën Kavaja e prishi ritin e të përjetshmit.
Le ta zëmë se të gjithë këta, kanë punuar shkëlqyer. Me gjithë mend mbaruan të tjerët. Qofshin socialistë, demokratë a lësëistë, republikanë etj. Kjo qënka demokracia.? Të shpikim pushtetarë të përjetshëm.! Duket sikur shteroi pjellshmëria. Sikur nuk ka më bijë nënash në atë botë?
Por nga ana tjetër edhe personave në fjalë. Vërtetë nuk u lodhët me pushtet?
Shpesh herë njerëz të kasaj natyre reagojnë me justifikimin e ligjit, që deri sa ua lejon kushtetuta dhe zgjidhen. Përse jo.
Sepse është vënia në kandar e përgjegjësisë së qytetarit. Eshtë prova. Madje nderi i karrierës. Çasti kur ti ose e uzurpon demokracinë, ose e lë të zhvillohet.
Pra përgjegjësia qytetare e individit të parë. Roli i tij. Dhe demokracitë më të forta janë ato që janë të mbushur me individë që hapin krahun. Që heshtin pasi kanë mbaruar misionin. Madje kthehen në misionarë të rrotacionit. Jo në murgjër të korridoreve bashkiake.
Sinqerisht, shpëtoni nga Shpëtimët.
Fajtor jo vetëm klasa politike, por edhe servilët dhe të heshturit!
Nga Faik KRASNIQI/
Kush janë servilët? Frikacakët, të padinjitetët, të pangopurit, të paditurit! Ata që kanë frikë për vendin e punës! Ata që synojnë të fitojnë më shumë se sa u përket! Atyre që u ka ngelur pak karakter në deje! Kush janë puthadorët? Puthadorët duhet ta mbajnë disi pozicionin që kanë arritur nga sakrificat puthadorëse. Ata krijojnë rrjeta puthadorësh tjerë, që duartrokasin me injorancë apo me besnikëri puthadorësh, puthadorasin më të lartë. Përderisa ky puthadorasi lartë, i puth dorën dikujt tjetër më lartë se pozicioni i tij, këta të tjerët luftojnë për postin e tij dhe fillon lufta e puthadorjes në konkurrencë, kur i puthin dorën e dijnë se kanë konkurrencën tjetër të rrjetit puthadorësh dhe sa më shumë i puthin dorën dhe kur ai më lartë buzëqesh i duket se i ka lëpirë dorën më së miri, nëse e sheh ndonjë tjetër që i buzëqesh si atij, mund të ndodh që është gati t’i lëpij edhe mendern për të hipur më lartë në dispozicion se tjetri. Kështu bën edhe ky më lartë, sepse e di se është në të njëjtën pozitë si puthadorasit përfundi tij dhe në një mënyrë i gjithë sistemi i krijuar kështu me lëpirje përfitojnë nga eksperiencat e lëpirjeve poshtë e lartë sistemit lëpirës.
……
Prej që shpërtheu eksodi masiv i qytetarëve të Kosovës drejt shteteve të perëndimit, po dëgjojmë lloj-lloj akuza, por deri më tash nuk e dëgjuam asnjë lider apo politikan të thotë se ne jemi fajtorët kryesor për ikjen masive, zhgënjimin qytetar dhe gjendjen e rëndë në të cilën po kalon Kosova!
Por për këtë gjendje të rëndë në të cilën jemi, nuk e fajësoj njëqind për qind vetëm klasën politike, por shumë më shumë edhe servilët, puthadorasit, zvarranikët, të heshturit dhe të dëgjueshmit, anëtar, aktivistë, simpatizantë dhe militantë të të gjitha partive, sepse gjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë viteve partitë, liderët dhe bashkëpartiakët e tyre kurrë nuk i kanë kritikuar për gabimet e tyre, por i kanë duartrokitur për çdo gjë! Faj të madh kanë edhe akademikët dhe intelektualët e heshtur, të cilët kurrë nuk e ngritën zërin kundër të keqes! Prandaj edhe këta të lartëpërmendur janë bashkëfajtor bashkë me këtë klasë politike, të cilët kanë pasur pozita të rëndësishme qeveritare dhe partiake! Shumë të tillë i pashë gjatë këtij muaji, kur eksodi masiv drejt perëndimit ka marrë përmasa shqetësuese, e të njëjtit që i përmenda më lart flisnin me gjuhën e liderëve dhe politikanëve të tyre, duke i fajësuar dhe akuzuar rëndë me lloj-lloj etiketimi si ”avanturista, turista, gomarë, idiotë, të papërgjegjshëm ” etj…… njerëzit e zhgënjyer dhe të pashpresë! Shumë prej jush po harroni që edhe ju jeni prindër dhe keni fëmijë! Çdo njeri edhe nëse është pjesë e një partie, kur është në pyetje shteti dhe kombi, duhet të dal mbi partitë dhe liderët, sepse liderët dhe partitë shkojnë e vijnë, e shteti dhe populli ngelet! Por ju u treguat me qindra fytyra – duke imituar gjuhën e njëjtë me ata që e kanë sjellur popullin në këtë derexhe! Edhe unë jam pjesë e një partie ( LDK-së), por të zezës nuk mund t’i them të bardhë, dhe të bardhës të zezë!
A MOS DËGJUAT NDONJË PYETJE NGA TË ZHDUKURIT …
….PËR GJATË SHKELJES SË TERRITORIT TË SERBISË?!/
Nga Ramadan Bozhlani/
Shpresa e mëshirës kaloj nga një fytyrë tek një fytyrë tjetër dhe nga një vit tek një vit tjetër deri sa u ligështua nga forca morale dhe u dergj nga lëngata.
Moralistët hiqën dorë me keqardhje dhe dëshprim nga teorit e tyre, atdhetarët u zhgënjyen ndërsa vetëm ata që këmbëngulen në përndezjen e fantazisë luksoze në kushte mjerane siç janë politikanët kryelart mbetën të poshtruar karshi atyre që me dhimbje vendosën të shpërgulen nga trualli arbëror i ushqyer me gjakun fisnik.
Shtëpit e arnuara nga plagët e luftës sot po ndrrojn titullar, e disa të tjera po e perjetojnë aktin fatal mbylljen e dyerve me shtat dryna.
Pytjeve të trishta të mësimdhënësve: kush mungon sot?
Ju përgjigjen me zë të përvajshëm nxënësat: ata më të zellshmit që i shikojshim si e ardhmja e vendit, kanë marr rrugën për emigrim!
Familje, shkolla, lagje, qytete dhe vendlindje lamtumirë se shpresa po na zhvendos në toka të tjera përmes udhëve të torturushme.
Ndarjet e këtilla tepër të vështira po e ujitin me lotët e dhimbjes tokën për të cilën u flijuan në emër të lirisë.
Shtat vjeteori i pavarësis do t’i gjen nëpër përrenj, nëpër male dhe nëpër rrugë të dërrmuar, të lagur, të baltosur, të frikësuar, të tmerruar dhe me ankthe mu në shtetin e atyre që qenien tonë kombëtare e torturuan, e dhunuan, e masakruan, e pushkatuan dhe u munduan me të gjitha forcat akademike, diplomatike, politike dhe ushtarake te çbanojn nga trualli amnor e me kënaqësi edhe nga ky planet, por, motivet e ikjes janë edhe më tragjike: kafshata e bukës, shërimi i sëmundjeve dhe e ardhmja e fëmijëve.
Edhe familjarët e të zhdukurve udhëtojn për të njëtat arsyje nëpër ato rrugë dhe mund të shkelin mbi eshtrat e familjarëve të tyre sepse ai shtet mban peng eshtrat e afërsisht dy mijë të zhdukurve.
A ka gjë më të rënd nën këtë qiell se sa familja të shkel mbi eshtrat e antarit të tyre të zhdukur që nga lufta, dhe ai atje nën tokë të klith nga gëzimi se familja e tij mbi tokë erdhi për t’ia kthyer eshtrat në vendlindje, por ata mbi tokë i preokupojn edhe një mijë brenga të tjera dhe nxitimthi mundohen ta kalojn territorin e atij shteti që ju ka hap plag të pashërushme.
Klithja në formë të pytjes e nxjerrur nga eshtrat e të zhdukurve nga nën toka e Serbis e çan dheun dhe i ndjek pas: kush po ju detyron ta braktisni atdheun, për të cilin ne u flijuam ?!
“Kafshatë që s’kapërdihet është or vëlla mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi”, Migjeni përmes kësaj fraze shtrin fuqin e fjalës poetike për ta kapur dramaticitetin e mjerimit të njeriut shqiptar edhe në vitin 2015-të.
Vetëm për një çast të mundohemi t’i ndjejm shumë prindër kur fëmijët e tyre kanë nevoj për shërim dhe parat për kontrolle mjeksore dhe barna duhet t’i sigurojn duke trokitur nëpër porta të shumta. A nuk është ky një terror emocional për çdo nënë e baba?! E ka edhe shumë situata të tjera të ngjethura që zemrën njerëzore e coptojn në mijra pjesë.
Preokupimet e larmishme dhe të pandashme prej shumë vitesh shumicën e popullit e orientuan drejt një vendimi të tillë fatal, dhe përball këtij vendimi kushdo e në veqanti ata që ishin përgjegjës për mirëqenien e tyre privohen nga e drejta morale për ta vën para përgjegjësisë këtë karavan njërzish të rrënuar moralisht.
Ky fenomen po i trondit edhe eshtrat nën varre por siç duket shqiptarët po kërkojn me vendosmëri prespektiv, i kanë mbyllur veshët e stërlodhur nga broçkullat dhe s’ka njeri që i spraps dhe t’i rikthehen në botën e tyre të çveshur nga shpresa dhe ëndrrat, nëpër sofrat e tyre ku kryepjata është e mbushur me lëng dhe nëpër ambientet e tyre ku më shumë zotron terri se sa drita.
Gjysma e qeverisë së sotshme mbart mallkimin dhe përgjegjësin për këta lotë të derdhur të dhimbjes sepsa ajo ishte ne krye të tyre përgjat tetë viteve, le te merr inciativen fisnike për të ja konfiskuar pasurin atyre që u pasuruan në korriz të popullit dhe për t’i rehabilituar këta njerzë që do të kthehen me varfanjak se sa ishin.
Ndërsa kryeministri le të merr një inciativ tjetër fisnike duke jav kërkuar pagat e gjashtë mujorshit të paralizës institucionale deputetëve si dhe uljen e rrogave të tyre në emër të rehabilitimit të këtyre të mjerëve.
Shpresa kthehet me plane konkrete që kanë synim fonde për mirëqenien e tyre, e jo deklarat të thata dhe foshnjore se tek e fundit ju do të mbartni mallkimin historik për humbjen e dinjitetit të këtij populli fisnik.
I DASHUR AT I SHENJTË, JU LUTEM NJIHENI PAVARËSINË E KOSOVËS…
…. DHE PRANONI VISAR ZHITIN AMBASADOR NË VATIKAN/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
I dashur Papa Françesk,/
Po ju drejtohem me një lutje të dyfishtë sepse kam besim tek Ju Ati i Shenjtë. Besimin që na e ka shuar politika, na e keni ringjallur Ju. Ju keni sjellë në botë një erë të re shprese. Pavarësisht se cilit besim i përkisni, pavarësisht se cilit besim i përkasim, se cilës race i takojmë, të çfarëdo etnie apo religjioni qofshim, Ju na keni ringjallur shpresën për drejtësi, pasi njeriu dhe njerëzimi nuk mund të ekzistojnë pa të drejtat e tyre legjitime, ndërsa ne të gjithë jemi bijtë e Zotit.
1.Për ne Shqiptarët Ju At i Shenjtë jeni vijues i rrugës së Paqes që hapi e përshkoi Papa Gjon Pali II, i cili mori pjesë aktive në ndryshimin e historisë në favor të lirisë e njeriut, siç ishte përmbysja e sistemit komunist që mbështetej në terrorin e diktaturës dhe shkeljen e të drejtave njerëzore, duke shkaktuar miliona e miliona viktima, njëjtaz si nazizmi. Papa Vojtila ishte shumë i afërt me Nënë Terezën, Nënën shqiptare të gjithë të përvuajturve të botës, e bekuar nga Kisha Katolike në pritje të Shejtërimit të saj.
Ju jeni vijues i Papa Vojtilës, i cili pavarësisht se shqiptarët e Kosovës ishin me shumicë myslimane, Papa Gjon Pali II u lut për shqiptarët dhe kërkoi ndaljen e kasaphanës së fundit të ish-Jugosllavisë.
Ju Ati i Shenjtë në qershor, ju qoftë udha e mbarë, do të vizitoni një tjetër vend mysliman, Bosnjen që ka përjetuar një tragjedi të paparë prej indiferencës njerëzore.
Shën Françesko i Assisit thotë: „Filloni dhe bëni çfarë është e nevojshme, pastaj çfarë është e mundshme dhe papritmas ju do të bëni të pamundurën.” Pra Zoti i ka dhënë mundësi njeriut të bëjë të pamundurën për të ndalur vuajtjen dhe njeriu nuk po e bën këtë detyrë të vetën. E Ju Ati i Shenjtë po i tregoni rrugën njeriut, që e ka humbur, sepse synon të pasurohet, pa iu bërë vonë se në çdo sekondë një fëmijë vdes, ngaqë nëna që e sjell në jetë nuk ka me se ta ushqejë, ndërsa tonelata e tonelata me ushqime që mund të ngopnin me miliona e miliona barqe të uritur përfundojnë në plehra!
Në konfliktin e 1998-1999, Perëndimi arriti të ndalte spastrimin etnik dhe vrasjet masive e kështu banorët e Kosovës patën mundësi të rikthehen në vatrat e tyre, me shpresë për të mjekuar plagët e trupit e shpirtit dhe për të rifilluar jetën.
Megjithatë, pas çlirimit, Kosova e njohur nga 109 shtete të mbarë botës dhe nga pothuaj të gjitha anëtaret e BE, nuk është njohur ende si shtet i pavarur nga Vatikani. Kosova dëshiron të ketë marrëdhënie diplomatike me Vatikanin. Sepse shqiptarët kanë patur historikisht marrëdhënie të shkëlqyera me Vatikanin. Mjaftojmë të kujtojmë Skënderbeun, Atletin e Krishtit dhe mbrojtësin e Krishtërimit.
Një lidhje të pazgjidhëshme mes Vatikanit dhe Shqiptarëve ka krijuar – mjafton këtu të përmendim – Perandori Konstandini i Madh i njohur si Shën Konstandini (Flavius Valerius Aurelius Constantinus Augustus 272 AD – 22 May 337 AD), me origjinë ilire, i cili e ka njohur i pari krishtërimin si fe zyrtare të Perandorisë Romake.
Pastaj, Shqipëria e Kosova janë shtete europiane dhe me Vatikanin janë larg vetëm 1 orë me avion.
Mosnjohja e Kosovës po shkakton një dramë të re për këtë shtet të ri, që për nga mosha është më i riu në Europë, që do të thotë se ajo është e populluar më së shumti nga rinia, ky është bekim i Zotit, por që nuk ka me se t’i ushqejë ëndërrat dhe shpresat, sepse aty papunësia shkon në 70% e për rrjedhojë të kësaj gjendjeje dramatike, nga Kosova ka filluar një valë e re eksodi, kësaj here jo nga Milosheviçi, por nga diktatura e frikës prej varfërisë.
Sot Kosova është një Geto në zemër të Europës dhe njohja e pavarësisë nga Vatikani, do të ishte shumë e rëndësishme për fatin e popullit të Kosovës. Andaj Ju lutem At i Shejtë që ta kryeni këtë akt shtetëror, njerëzor e Hyjnor.
Po të ishte gjallë Papa Vojtila, ai do ta kishte njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës. Dhe Ju jeni vijues i udhës së Tij të ndritur nga Zoti.
Kjo njohje do të ishte në të mirë të Paqes dhe të drejtave njerëzore.
2.I dashur At i Shejtë,
Ashtu si Ju e dini, Shqipëria është vendi që gjatë Luftës të Ftohtë ka përjetuar një diktaturë mizore dhe shqiptarët janë martirë të persekutuar edhe për arsye të ideve të tyre, edhe për arsye të besimit të tyre.
Gati 22 vjet më parë, në homazh të vuajtjeve të shqiptarëve dhe tolerancës fetare, më 25 prill 1993 Shqipërinë e vizitoi Papa Gjon Pali II, ashtu si do ta na nderonit edhe Ju At i Shenjtë me vizitën Tuaj më 21 shtatorin e vitit 2014.
Të dyja vizitat janë historike, jo si një akt formal, por si një lidhje midis shtetit tuaj, Vatikanit dhe shtetit tonë, Shqipërisë.
Nga ana tjetër, midis Shqipërisë dhe Vatikanit po mbushen 25 vjet nga dita e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ndërsa riorganizimi i Kishës Katolike në Shqipëri rifilloi më 25 prill 1993, kur Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së Tij në Shqipëri i dhuroi Kishës Katolike të martirizuar nga diktatura hierarkinë e re të pasdiktaturës që niste me katër ipeshkvij të rinj shqiptarë, ish-të burgosur në burgjet e diktaturës. Ata ishin Imzot Frano Illia, Imzot Robert Ashta, Imzot Zef Simoni që sot nuk jetojnë më, dhe Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Shqipërisë, ndërsa më 26 nëntor 1994 Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II emëroi Kardinalin e parë shqiptar Mikel Koliqin, po ashtu i mbijetuar i burgjeve dhe torturave komuniste. Edhe Kardinal Koliqi ka kaluar në Amshim.
Më 2006 Papa Benedicti XVI, pas vdekjes të Ipeshkvijëve shqiptarë, duke vijuar me riorganizimin e hierarkisë të Kishës Katolike në Shqipëri emëroi katër ipeshkvij të rinj. Ata ishin: Imzot Dodë Gjergjin, Imzot Ottavio Vitale, Imzot Cristoforo Palmieri dhe Imzot George Anthony Frendo. Nga dhjetë Ipeshkvij që ka sot Shqipëria, vetëm katër janë shqiptarë, tre prej të cilëve janë emëruar nga Papa Vojtila. Emërimet e Ipeshkvijve shqiptarë nga Papa Vojtila, janë bërë në homazh dhe nderim të katolicizmit shqiptar. Por me ikjen në Amshim të tyre, ipeshkvijtë shqiptarë janë zëvendësuar me Ipeshkvij jo shqiptarë.
Unë mendoj se katolicizmi shqiptar gjithmonë është dalluar për nga vlerat dhe përkushtimi ndaj Zotit, Atit të Shenjtë dhe popullit, prandaj e meriton hierarkinë e lartë.
3.I dashur Papa Françesk,
Nëse Imzot Frano Illia, Imzot Robert Ashta, Imzot Zef Simoni dhe Kardinal Mikel Koliqi sot do të ishin gjallë, ata njerëz të përndritur do t’i tregonin Shenjtërisë Tuaj se kishin qenë në burgjet e diktaturës bashkë me poetin, shkrimtarin dhe diplomatin Visar Zhiti, kandidatura e të cilit si Ambasador në Vatikan, sipas shtypit shqiptar, që citon Imzot George Frendon të ketë thënë se Vatikani „do një Ambasador katolik jo mysliman“, nuk ka qenë e mirëpritur.
Ky lajm ka shkaktuar trishtim në opinionin shqiptar, për faktin se marrëdhëniet mes dy shteteve tona nuk janë fetare, pasi, siç dihet, Shqipëria është një shtet laik, që respekton shtetin e Vatikanit, katolicizmin dhe çdo besim fetar prandaj Ju At i Shenjtë gjatë vizitë Tuaj në Shqipëri na thatë me të drejtë se “Populli fisnik shqiptar meriton respekt dhe admirimin sepse është shembull i tolerancës fetare”.
Dhe kjo është e vërteta si drita e diellit. Ne e kemi tolerancën në gjak, por shtetin e kemi sekular, pavarësisht se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është katolik dhe katolikët përbëjnë 10% të popullsisë. Katolikë i kemi patur dy Kryetarë të Kuvendit të Shqipërisë, njëri martir i lirisë dhe Mandela i Europës, z. Pjetër Arbnori dhe tjetra zonja Jozefina Topalli.
Prandaj, ju lutem i Përndrituri At i Shenjtë pranojeni Visar Zhitin, poetin e burgosur nga diktatura, i cili ka përkthyer aq mjeshtërisht poezitë e Papa Vojtilës, që të ketë nderin e të jetë Ambasadori i Shqipërisë në Vatikan, sepse e meriton këtë nder. Ju lutem gjithshtu që ta mbani gjithmonë derën e hapur për çdo shtetas shqiptar, i cilit do besim qoftë, pasi çdo qytetar shqiptar e vlerëson Vatikanin dhe rolin Tuaj.
Sepse përndryshe toleranca fetare si do të kuptohej.
4.I dashur At i Shejtë,
Në marsin e vitit 1993, bashkë me bashkshortin tim dhe dy kolegë, të katër gazetarë myslimanë nga Shqipëria na priti në Vatikan në audiencë dhe na dha bekimin Papa Gjon Pali II. Ky bekim më shoqëron në jetën time si njeri dhe gazetare, më ndriçon rrugën dhe më kujton gjithmonë atë sentencën tjetër të Shën Françeskut që thotë se: „Nëse Zoti mund të veprojë përmes meje, Zoti mund të veprojë përmes çdokujt!“.
Me vete mbaj gjithmonë një Shën Mëri që ma ka dhuruar Nënë Tereza, edhe ajo më ka bekuar dhe më ka treguar rrugën për të shkuar tek e vërteta.
Të qënit myslimane, paçka se nuk jam praktikante, s’më pengon kurrë t’i lutem Zotit në Kishën Katolike që e kam pranë banesës time, s’më krijon asnjë pengesë që t’Ju besoj Ju me gjithë shpirt se do të vijoni rrugën e Papa Gjon Palit II, në të mirën e përbashkët të gjithë Njerëzimit, sepse ne na bashkon të gjithëve i njëjti Qiell dhe njëjti Zot.
Po kështu, të qënit myslimane ma forcon dëshirën që një ditë të bekuar t’Ju takoj i dashur Ati i Shejtë, si i dërguar i Zotit në kohën e duhur dhe në momentin e duhur, për të ndihmuar Njerëzimin që ndodhet në ditë të vështira.
- « Previous Page
- 1
- …
- 687
- 688
- 689
- 690
- 691
- …
- 866
- Next Page »