• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Më “hëngrën” a analogjitë *

November 12, 2014 by dgreca

Takimi Rama-Vuçiç në optikën time/
Nga Përparim Hysi/
Sado që nuk kam prerje për politikë, nuk rri dot pa dhënë vështrimin tim për këtë takim historik.Politika është një “lojë” e vështirë për mizurën time dhe nuk do mend: kam kohë, që kur m’u dha rasti për ta “luajtur” atë, u dorëzova. Kjo ndodhi në vitin 1991 kur kandidova si deputet për PD dhe nuk fitova. U dorëzova jo se nuk fitova, por me aq pak kohë dhe si përfaqësues i PD në pushtetin lokal, e pashë që nuk ia thosha fare. Në një poezi timen për politikanët, kam thënë:- Politikanët e kanë lëkurën të trashë si bualli! Duke thënë kështu: si bualli, nuk jam larg të vërtetës. Koha ka provuar se nuk dëgjojnë as nga thumbat dhe as nga “plumbat”. Unë, siç duket, jam lëkurëbrishtë dhe nuk duroj as thumba dhe ca më shumë: plumba. E kam fjalën për atë artileri të rëndë fjalësh që politikanët tanë i zbrazin pa kursim. Por, megjithatë, larg politikës dhe gjykimeve për të nuk jam. Kur po i cicëroja një politikani të vjetër ca rreshta antipolitikës, ai, si lëkurëshuall që qe, më tha: – Edhe duke recituar për politikën, po bën politikë. Për të bindur lexuesin se nga është e drejta, po e sjell atë 4-vargshin që i kumtova atij:”Politika loz si era/ Mos ma pruftë Zoti tek dera/ Kush loz me politikën/ Brisk e ka dhe fare e fikën/ . Sado që “lëkurëshualli” u mundua të më bindë, po nuk ia arriti dot.

* * *
Pa ndonjë retorikë të lodhshme, në optikën time, Rama tregoi vlera të një pushtetari të qytetëruar e të guximshëm. Tek shihja Vuçicin që kërcente sikur po e hanin pleshtat, pa dashje më shkon mendja tek ajo përralla historike e Andersenti që,sado që “mbreti qe lakuriq” ( i hiqte apo nuk i hiqte kufjet,Vuçiçi), nuk donte që të shihte një të vërtetë që bënte mu. Qe para një fakti të kryer historik. Në i kthehem dhe futem historive me shënjtorë, njëri prej tyre, SHën Thomai thotë: ” Që të të besoj, plagën dua ta zë me dorë”. Dhe Rama ia tregoi këtë “plagë”, tjetër punë që Vuçiçi kish vënë “lente të zeza” mbi sytë dhe veshët i kish zënë me dyllë. Qe në një pozitë aq qesharake që përsëri dua ta vë përbri një shëmbulli analog. E kam përjetuar dhe po e sjell për lexuesit.
* * *
Në vitet kur pushtetit tonë “popullor”, punët po i shkonin aq “mbroth”,sa në dyqane nuk gjeje asnjë ushqim pa”tollonë”, veç tjerash mungonte dhe sapuni. Një sapun Rrogozhine që sikur kishe gjetur një shishe parfumi nga Franca. Kish nxënës e nxënëse me parazitë në kokë. Erdhi urdhër nga lart që nxënësve t’ua qethnim kokat si ushtarëve me urdhër. Kështu dhe bënim. Po kish nxënës që këtë edhe e kundërshtonin. Një i tillë qe dhe Gjoleka, një nxënës imi në klasën e tetë. U desh ndërhyrja ime si mësues kujdestar që Gjoleka ta qethte kokën zero. E qethi nga e keqja dhe aq i pabindur qe, sa, dhe kur kokën e kish zero, thoshte: – Ja, të shihni, do qethem?! Natyrisht, Gjoleka që u qeth “forcërisht”, u bë butaforik. Tek e takoj tani që është bërë dhe gjysh, i bërtas:- Ja, të shohësh, do qethem?!!! Duke sjellë raste analoge, them se lexuesi mund ta dallojë mirë evropianin Edvin Rama dhe provincialin Aleksandër Vuçiç.
Edhe një anologji tjetër. Kisha shkuar me një shok tiranas të shihja një praktikë stërvitore të 17 nëntorit kur ish trajner , i madhi Myslim Alla. Në një nga ato senkuencat që ndiqnim, i thotë një mbrojtësi të tij: – Vrej tuna, çuno, ruhu prej Jarecit se aj dhe,kur nuk asht tuj bo ndonji gjo, ta bon golin e ta merr erzin! Dhe them që “Jareci” e shënoi atë gol fitoreje!

* * *
Por në fund të fundit, Rama vetëm pohoi një fakt historik. Në Vuçiçin e Co…, i zunë djajtë e së keqes, kjo nuk është punë për një botë të qytetëruar dhe evropiane. Të huajtë, historikisht, kanë lozur “arushë” me fatet tona. Pse ka qenë kështu, historikisht, s’kam si mos sjellë në mend një nga profesorët e mi, në ish-Normalen e Elbasanit, të ndjerin e të respektuarin, profesor Enver Palluqi ( mes nesh e quanim Arbreshi se aq bukur e shqipëronte gjithë Letërsinë Arbreshe) , që, tek na fliste për invazionin e huaj në Shqipëri, na thoshte:- Arbreshët kanë një thënie postulatë që ua lënë pasardhësve, brez pas brezi. Kjo thënie është pak proverbiale: ” Rihi birli nga ltini, si driri nga topra”. E merrte me mend që kështu nuk e merrnim vesh dhe shqipëronte:- Ruhuni bij nga të huajtë, siç ruhet druri nga sopata! Më tej, nuk kam se çfarë shtoj. E, sa për ata që e shohin qëndrimin aq evropian e kontemporan të Ramës me lente të zeza, dua që t’u përgjigjem me fjalët e një personazhi tim, që thotë për raste të tilla: ” Ai që nuk të do, edhe, po ta mbash në krah, do kollitet!”

Tiranë, 11 nëntor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Më "hëngrën" a analogjitë, perparim Hysi

PAVARESINE E KOSOVES NUK E SHPALLI KRYEMINISTRI RAMA!

November 11, 2014 by dgreca

SI E SHIKOJ VIZITËN E KRYEMINISTRIT,EDI RAMA, NË SERBI?
Opinin nga ZYBA HYSEN HYSA/
Ishte historike, por askush nuk e di tani, nëse kjo vizitë fshihet nga politika/
Djallëzore, ashtu siç di të shfrytëzojë Serbia me shqiptarët./
Deklarimi mbi Kosovën, nuk ka pse i jepet aq rëndësi, saqë po duket sikur aty u shpall/
Pavarësia, ajo qe në normalitetin e funksionit që ka një kryeministër shqiptar, ndryshe do të lindte dyshime, për shumë gjëra që në fakt janë dyshime. Do ishte sukses, sikur gjatë bisedimeve kokë më kokë të kishin rënë dakort që Serbia të kishte pranuar Kosovën si shtet i pavarur. Duke përmendur Kosovën, e keqja më e vogël për Serbët, siguruan skllavërinë e Luginës së Preshevës.
Më tremb krahasimi i vizitës së Edi Ramës me atë të Enver Hoxhës, se mendoj që
përligji skllavërinë e Luginës së Prashevës, ashtu si Enver Hoxha skllavërimin e Kosovës, duke e krahasuar, të pakrahasueshmen midis minoriteteve në Shqipëri, apo me serbët e Kosovës, me banorët autoktonë të kësaj krahine shqiptare, e cila shfrytëzohet pa mëshirë nga serbët pa bërë asnjë ivestim në këto treva.
Në gjithë këtë vizitë shikoj që po ngopemi me lugë bosh, se ne përherë
punët qeveritare i quajmë të realizueshme me fjalët e bukura, duke mos shikuar se çfarë u nënshkrua në fakt.
Serbia për çdo ndërmarrje agresive ndaj shqiptarëve, ka një shkak plus për
të “justifikuar” luftën, se po të shikojmë luftën e Kosovës, 1998, duke mos pasur një shkak, krijuan një shkak duke vrarë disa djem serbë duke deklaruar se i kishin vrarë shqiptarë.
Serbia mbetet rreziku me i egër për ne, shqiptarët, sidomos në këto rrethana
kaq të acarua të botës Perëndimore dhe BE me Rusinë, sepse Rusia mund ta përdorë lehtas Serbinë duke i garantuar “mirëqënie” duke i shitur armë e ata duke marrë nga një copë tokë shqiptare. Serbia, nëse nuk kupton këtë lojë të Rusisë, kurrë nuk do të ketë zhvillim në zhvillim, ajo do ketë zhvillim aq sa ka një hajdut që jeton duke vjedhur dhe duke qenë përherë me ethet e presë së tij.
Kjo sjell varfërimin deri në palcë të shqipëtarëve të robëruar, me taksat e tyre
përfitojnë vetëm serbët. Serbia, per fat të keq, edhe Shqiperia, po i përdor taksat e popullit të vet, pa i kthyer për qëllimin e popullit. Marrin dhe nuk i japin, por do vije nje dite që do maarrin, po s’kanë se cfërë të marrin. Po nuk e ushqeve kalin, nuk te mban dot mbi shpinë, se sic thotë Viktor Hygo: “Shteti është një kalorësi që në një dorë mban kuletën në tjetrën kamxhikun…”, por kalit që nuk i hodhe nga pak tagji, nuk të mbanë dot…
Konferenca e shtypit ishte nje spektakël për të “mbushur” mendjen elektoratit
të tyre, ata lozën bukur, saqë na mahnitën edhe ne, edhe serbet, të dy popuj që nuk jemi marrë me ndriçimin e mendes për të kuptuar se çfarë fshihet pës fjalëve të mirërenditura.
Vlorë, 12 nentor 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Edi Rama, ne Serbi, SI E SHIKOJ VIZITËN E KRYEMINISTRIT, Zyba Hysa

Bashkimi kombëtar e bën rishkrimin e historisë

November 11, 2014 by dgreca

(Njohja e së kaluarës është shkolla e së ardhmes)/
Shkruan: Prof. dr. Nusret Pllana-Universiteti ‘Hasan Prishtina’-Prishtinë /
Në këtë qytet të lashtë, sa vetë historia dhe jeta e shqiptarëve, para 570 vjetesh, kryetrimi ynë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mblodhi princërit shqiptarë në Kuvendin e madh të Lezhës së asaj kohe, më 2 mars të vitit 1444. Që nga ajo kohë, sa duket, historia është tallur me të gjallët e këtij populli, në të gjitha periudhat kohore pas vdekjes së Skënderbeut. Por një mësim i madh i kësaj historie asnjëherë nuk është harruar, duke ju kujtuar dhe rikujtuar shqiptarëve, se pa ato vendimet themelore që kishte marrë Kuvendi i Lezhës, as nuk mund të mbrohej populli, as nuk mund të bëhej bashkimi kombëtar, as nuk do të mund të krijohet një treg i përbashkët shqiptar.
Prandaj që të rishkruhet historia e shqiptarëve, e popullit shqiptar dhe e kombit shqiptar, si dy përkufizime historikisht të ndara, doemos është e nevojshme të sqarohen të gjitha ecejaket e jetës historike të këtij populli, në mënyrë që të dëshmohet se edhe sot e gjithë ditën ka nevojë për një bashkim, ashtu siç ishte konceptuar në Kuvendin e Lezhës, tashti me përmasën e kombit e jo të Principatave, për një ushtri shqiptare, që ta përballojë dhe ta largojë armikun nga tokat e tij, ende të pushtuara, tashti si gjeografi kombëtare, e jo si gjeografi e Principatave mesjetare, si dhe të sigurojë mjete, pra të ketë një arkë të përbashkët për të përballuar shpenzimet e mëdha të luftës, tashti si një luftë për bashkimin kombëtar, e jo si luftë e Principatave shqiptare, që luftonin kundër Perandorisë Osmane. Pra, përmasa kohore, historisë sonë ia ka imponuar edhe përkufizimet, të cilat deshën apo nuk deshën shqiptarët, një ditë do të realizohen.
Hyrje
Kësisoj, prandaj, ndoshta askujt nga ne të gjallët e sotëm, por as baballarëve tanë, pra shqiptarët kudo që janë, kurrë nuk ka mundur t’u shkojë ndërmend se tri vendimet kryesore të Kuvendit të Lezhës, edhe sot janë aktuale, sepse nuk janë realizuar gjatë historisë.
Në historinë tonë të lashtë, ashtu siç e kanë thënë edhe studiues të huaj edhe studiues shqiptarë, thuajse asnjëherë nuk kanë pushuar luftërat, qofshin nëpër krahina të veçanta shqiptare, qofshin në tërë hapësirën e gjeografisë shqiptare. Mirëpo, asnjëherë nuk është bërë një vështrim kritik, dua të them edhe një lexim kritik i historisë sonë, në mënyrë që të shihen edhe mundësitë, edhe rrethanat kohore, edhe mangësitë, por edhe dështimet tona.
Ndonjëherë, aty–këtu, kur ndonjë i huaj, kryesisht dashakeqës për historinë e popullit tonë, thotë edhe ndonjë të vërtetë për dobësitë tona, na vjen inat, gjë që do të thotë se ende nuk jemi ne gjendje të përballemi me realitetin e fakteve historike. Mirëpo, po ashtu dihet fakti se ndoshta një pjesë e madhe e atyre fakteve ende nuk janë zbuluar dhe ende nuk janë publikuar, në mënyrë që të krijojmë një mendim objektiv për rrjedhën e shekujve të historisë në jetën e popullit shqiptar, por edhe në jetën e formimit të kombit shqiptar.

Historia e luftërave dhe e ekzistencës së popullit shqiptar

Kur Sami Frashëri, bashkë me rilindës të tjerë, po hartonte programin e madh kombëtar, “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, i cili ende, as pas Luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është realizuar plotësisht, kishte parasysh po ato kërkesa themelore që kishte vendosur Kuvendi i Lezhës dhe që i kishte zbatuar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Një nga rilindësit e tjerë, ndër më të veçuarit, ishte edhe ideologu i bashkimit shqiptar, Vaso Pashë Shkodrani, i cili duke njohur mirë gjendjen e shqiptarëve të shekullit nëntëmbëdhjetë, shkruante:
‘Çonju, shqyptar, prej gjumit çonju,
Të gjith si vllazën n’nji besë shtërngonju,
E mos shikjoni kish’ e xhamija,
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!’
Pra, katër shekuj më vonë nga vendime të mëdha të Kuvendit të Lezhës, Rilindja jonë kombëtare po kërkonte realizimin e vendimeve të mëdha të Kuvendit të Lezhës, e që ishte krijimi i bashkimit të popullit në luftë kundër pushtuesit, në mënyrë që të çlirohej hapësira e pushtuar e gjeografisë shqiptare.
Rilindësit tanë, sa thonë shënimet historike, publicistike dhe historiko-letrare, e dinin mirë historinë e popullit të tyre, siç i dinin mirë të gjitha luftërat që ishin zhvilluar kundër të huajve. Mirëpo, po ashtu i dinin mirë edhe përçarjet e të gjithë krerëve të këtyre përpjekjeve, ose i dinin, siç thuhet me gjuhën e gazetave të sotme, edhe skenat edhe prapaskenat e luftërave të tyre. Prandaj, e dinin mirë se po nuk u realizua kërkesa themelore e Kuvendin të Lezhës, nuk do të kishte fitore të përmasës kombëtare, siç nuk kishte pasur gjatë gjithë kësaj periudhe historike.
Pra, çështja kryesore që ishte biseduar në Kuvend, ishte bashkimi i vendit në luftë kundër pushtuesit.
Nga ajo kohë e këndej, nuk e di kur ka ndodhur një bashkim i tillë në tokat e gjeografisë shqiptare, përveç në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Këtë bashkim të popullit nuk arritën ta bëjnë as Pashallëqet e Mëdha të Janinës dhe të Bushatlinjëve të Shkodrës, edhe për faktin se nuk arritën ta bashkojnë popullin në luftë kundër pushtuesit.
Këtë nuk e thotë dhe nuk mund ta thotë as historia jonë. Pastaj, varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve, sidomos në luftërat ballkanike, sidomos në Luftën e Parë Botërore, edhe më tutje, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar jo vetëm u përgjysmua, edhe si komb i organizuar, por ju përgjysmua gjeografia e atdheut të tij.
Nëse Principatat e Mesjetës shqiptare, ato që i kishte bashkuar Kuvendi i Lezhës, i cili ishte mbajtur vetëm disa muaj pas kthimit të Skënderbeut në Krujën e tij, kishin arritur të krijonin bashkimin e popullit, kishin arritur të krijonin një ushtri që i kishte përballuar për 25 vjet sulmet gjenocidiale të Perandorisë më të madhe të kohës, nëse kishte arritur të krijonte një arkë të përbashkët, a mund ta thonë periudhat e mëvonshme historike se nuk kanë pasur ku të mësojnë që të bëhen bashkë dhe të luftojnë për lirinë e vendit.
Prandaj, edhe historia jonë, edhe ne si lexues të saj më shumë merremi duke folur për vuajtjet, humbjet, përgjakjet, copëtimet e gjeografisë kombëtare, pushtimet shekullore, e asimilimet aq tragjike, sa ndonjëherë harrohet se njerëzit e atij vendi që është i pushtuar e kanë obligim jetësor dhe qytetarë që të bëhen bashkë e të luftojnë kundër robërisë.

Historia e shqiptarëve dhe historia e ushtrisë shqiptare

Dikush thotë se Ushtria Shqiptare është krijuar me vendimin e Kuvendit të Vlorës, më 1912, kur është shpallur Pavarësia e Shqipërisë. Kështu thotë edhe historia e Ushtrisë Shqiptare. Historikisht dihet se pavarësia ishte shpallur për tërë gjeografinë kombëtare shqiptare. Por që nga ajo kohë, më shumë se gjysma e tokave shqiptare nuk kanë pasur ushtri të veten.
Kush e pruri datën e themelimit të ushtrisë shqiptare në fillim të shekullit nëntëmbëdhjetë, kur ajo ishte bërë në fillim të shekullit pesëmbëdhjetë.
Ideologu i Programit tonë Kombëtar, që nuk është realizuar ende në jetën historike të shqiptarëve, Sami Frashëri, në veprën e tij madhore, “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet’, jep numra të saktë jo vetëm për formimin, por edhe për mënyrën e organizimit të ushtrisë shqiptare, duke përcaktuar numrin e ushtarëve në varësi me hapësirën e gjeografisë kombëtare.
Çështja tjetër ishte krijimi i një ushtrie shqiptare me të gjitha repartet e saj, ashtu siç ishin të organizuara ushtritë më të përparuara të shekullit nëntëmbëdhjetë. Sa di unë, deri sot askush nuk është marrë me këtë çështje në Programin e Rilindjes sonë Kombëtare, të cilin e kishte hartuar Sami Frashëri dhe, i cili, ende nuk është realizuar në jetën e shqiptarëve.
Historia jonë, nuk e thotë saktë se ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, a ishte ushtri e gjithë popullit, apo kishte vetëm pjesëmarrjen e krahinave në të, diçka e ngjashme me pjesëmarrjen e Principatave shqiptare në kohën e Skënderbeut.
Historia e Kuvendit të Lezhës dhe tregu i përbashkët shqiptar
Në vazhdim do të prekë një çështje, që po bëhet për çdo ditë e më shumë aktuale. Prandaj, dua të ndalem te vendimi i tretë i rëndësishëm i Kuvendit të Lezhës. Kjo çështje e tretë, ishte vendimi për krijimin e një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Dhe kjo luftë, siç e thotë edhe historia jonë, edhe ajo botërore, ka zgjatur 25 vjet.
Këtu nuk dua qëllimisht të merrem me faktin se a ka pasur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një arkë të përbashkët, as me faktin se sa kanë dhënë shqiptarët, kudo që janë, për luftën e tyre çlirimtare. Ndoshta, sepse distanca historike ende është e vogël për madhështinë e këtyre ngjarjeve.
Në historinë e popullit tonë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, filluan ato që quhen përcaktime ideologjike, ato që quhen faktorë ndikues krahinash, ato që quhen mos përzierje në punët e brendshme të vendeve fqinje, edhe pse gjeografia kombëtare ishte e copëtuar, po nga këta fqinjë dhe me vendime të Evropës së kohës, edhe pse gjysma e popullit shqiptar ishte i robëruar, edhe pse ky popull mund të jepte e të merrte me këdo tjetër, edhe me kinezët, por vetëm me pjesën tjetër të popullit shqiptar, që kishte krijuar një shtet të vetin, shtetin që edhe sot historia i thotë Shqipëri londineze, pra me këtë popull të këtij shteti, edhe pse edhe ai ishte shqiptar, nuk mund të jepte dhe të merrte pjesa e mbetur nën okupim e popullit shqiptar, pra nuk u lejohej një treg i përbashkët.
Për çudi të zotit, edhe në fillim të shekullit njëzet e një, po kjo Evropë harton një Rezolutë për Kosovën, ku që në fjalinë e parë i ndalohet të bashkohet me vendet fqinje. Doemos se është e kuptueshme. Bëhet fjalë se Kosova e ka të ndaluar të bashkohet me pjesën tjetër të gjeografisë së saj kombëtare, me Shqipërinë. Për fat të popujve të robëruar, luftërat çlirimtare përherë i kanë nëpërkëmbur dhe i kanë bërë të pavlefshme rezolutat e ndryshme në të gjitha kohërat kur janë hartuar ato.
Përfundim
Shqiptarëve nuk u duhet rishkrimi i historisë, kur dihet se ajo shkruhet në pesë a më shumë pjesë, të pushtuar nga pesë a më shumë popuj të ndryshëm, edhe me miratimin xhentëlmen të Evropës, që sot i plasi zemra të bëhet demokratike dhe e bashkuar.
Po, pra, shqiptarëve aktualisht nuk u duhet rishkrimi i historisë në këto kushte dhe në këto rrethana historike që jemi si popull dhe si komb. Nuk u duhet, sepse nuk besoj se ka diku një komb modern në Evropën e sotme që ende është i ndarë, gjeografia kombëtare e të cilit ende është e copëtuar dhe e pushtuar.
Më tutje, nuk u duhet, sepse edhe ajo puna më e vogël, siç është marrëdhëniet e përbashkëta tregtare, fjala vjen, edhe 15 vjet pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk po realizohet në asnjë mënyrë. Shqiptarët andej e këndej kufirti të Shqipërisë londineze, bëjnë më shumë tregti me armikun e tyre historik, se sa në mes dy vendeve të tyre, fatkeqësisht ende të ndara me kufij politikë.
Shqiptarët, pra, jo vetëm nuk kanë një treg të përbashkët, por e dënojnë njëri-tjetrin me lloj-lloj taksash doganore, në doganat që na i kanë caktuar të huajt, qofshin ata edhe miqtë tanë të përhershëm, apo të përkohshëm.
Prishtinë-Lezhë,
Më 7. 11. 2014
Burimet
1. Kristo Frashëri, Skënderbeu i shpërfytyruar, Tiranë, 2009
2. Virgjil Kule, Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i fundit, Tiranë, 2012
3. Sami Frashlri, Shqipëria çka qenë,ç’është dhe çdo të bëhet, Bukuresht, 1899
4. Vaso Pashë Shkodrani, O moj Shqypni, Prishtinë, 1982

Filed Under: Opinion Tagged With: Bashkimi Kombetar, e bën, e historise, Nusret pllana, rishkrimin

RRETH VIZITËS SË KRYEMINSTRIT RAMA NË BEOGRAD DHE BLLOKADËS SË BERAT BUZHALËS NË FACEBOOK

November 11, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Gazetaria shqiptare pa dallim është më e diskredituara, si e shitur tek politika dhe oligarkët. Gazetarë të preferuar të politikanëve, si puthadorë të tyre, bëhen kryeredaktorë, deputetë, ministra. Jo se i shërbejnë opinionit publik, por sepse iu shërbejnë interesave të politikanëve.
Berat Buzhala është njëri prej tyre. Nga kryeredaktor i Express, kaloi automatikisht deputet i PD-së dhe prej andej është i katapultuar në çdo televizion në Kosovë dhe Shqipëri. Pra, ai nuk është gazetar i pavarur. Ka patur një karrierë në ngjitje falë Hashim Thaçit. Por kjo nuk e ka ndalur që të rritet si personalitet. Shpesh me Berat Buzhalën kam ndarë mendime të njëjta, por edhe kur nuk i kam ndarë, nuk më ka shkuar mendja që ta bllokoj në Facebook si bëri ai, kur unë e ironizova pas shfaqejes së tij tek Opinion duke anatemuar deklaratën e kryeministrit Rama në Beograd. Berat Buzhala merr nëpër gojë të mbarë e të mbramë, por nuk toleron assesi që dikush ta kritikojë. Kjo është mendësi diktatorësh të vegjël.
Në fakt, Berati po në Facebook kishte bërë të ditur se ai do të ishte i ftuar tek Opinion. Unë e dëgjova Beratin se çfarë tha, pra tregova respekt deri në fund ndaj fjalëve të tij dhe reagova, ndërsa ai nuk tregoi as respektin minimal dhe as tolerancën minimale. Mendësi autokratësh të vegjël.
Para disa kohësh, ishte Berati që po në Facebook më tha se “ti Elida nuk je nga Kosova”. Më erdhi keq. Por u përpoqa që t’ia ndërrojë mendjen. I thashë se djali jonë i madh quhet Prizren. Më tha me cinizmin e gjakftohtësinë e reptilëve se kjo për Berat Buzhalën as do të thotë asgjë dhe nuk tregon gjë për ne prindërit e tij, pastaj më ironizoi se ne dhe djemtë tanë jetojmë në Europë. Por unë prapë i thashë se emri Berat për mua do të thotë shumë, gjë që nuk i bëri përshtypje fare. Berati më tha gjithashtu se ai “na paska amnistuar” mua dhe Skënder Buçpapajn, kryeredaktorin dhe editorialisten e Bota Sot për dhjetë vjet, prej 1998-2008!!! Këtu ai arriti kulmin e paranojës. I thashë Berat Buzhalës se ne kemi bërë detyrën si gazetarë, se kemi kërkuar pavarësinë e Kosovës kur ai i binte maces me lugë dhe se nëse ai amniston dikënd duhet të amnistojë njerëzit e partisë së tij, sepse Bota Sot i ka katër dëshmorë të fjalës të lirë, ndërsa ai Berat Buzhala si politikan dhe gazetar nuk duhet të rrijë me ndërgjegje të qetë për sa kohë këto vrasje nuk janë zbardhur. Po ashtu, i thashë Berat Buzhalës se nuk duhet të ndihet me ndërgjegje të pastër deri sa qeverisja e Hashim Thaçit, ku ai ka qenë deputet, ka imponuar censurën dhe ka përdorur diktatin politik për të larguar nga puna gazetarë me kontribute. Këto janë qëndrime që i kanë mbajtur pushtuesit, të cilat i kanë imituar Thaçi me Beratin.
Por si Thaçi si Berat Buzhala janë realitete shqiptare. As Skënder Buçpapaj dhe as unë, nuk kemi dashur që t’i përjashtojmë kurrë. Si kanë vepruar ata. Largimin tonë nga Kosova, sepse atje ishim të pranishëm për çdo ditë përmes shkrimeve tona një dekadë të plotë, nuk e pamë dramë. Në fund të fundit një nga aspiratat tona, kryesorja u realizua dhe Kosova sot është e pavarur. Që na larguan, dmth na kishin problem, sepse ne kishim ndikim tek opinioni në Kosovë.
Tani t’i kthehem Beratit mbrëmë tek Fevziu. Ai mbajti një qëndrim thellësisht të papërshtatshëm dhe arrogant deri në histeri ndaj deklaratës të kryeministrit Rama për Kosovën. Berati ishte në unison me Vuçiçin kur tha se Rama ishte thellësisht provokativ.
Berat Buzhala ishte arbitrar në qëndrimin e tij ndaj Ramës, sepse vinte tek Opinion kur një nga analistët më me emër të Ballkanit Daniel Serwer ishte shprehur tek Zëri i Amerikës se deklarata e Ramës nuk ishte provokative. Daniel Serwer, një think tank, i vjetër është analist i panshëm. Ai jepte në një fare mënyrë edhe qëndrimin e SHBA. Dhe Berat Buzhala e kishte lexuar qendrimin e Serwerit kur shfrynte kundër Ramës tek Fevziu,
Por problemi kryesor i Berat Buzhalës dhe synimi i tij që kishte shkuar tek Opinion ishte të devijonte dhe ndryshonte rrjedhën e temës për ta kaluar atje ku donte ai, që kryeministri Rama dhe klasa politike në Shqipëri të ushtrojë ndikimin e saj dhe bindë faktorin politik të Kosovës, dmth VLAN-in, që të shkelë mbi të gjitha parimet demokratike, e t’i dorëzojë Hashim Thaçit mandatin e tretë. Jam e sigurt se Hashim Thaçi i ka premtuar Beratit një post ministri.
Berat Buzhala kishte ardhur në Tiranë të ndëshkonte dhe të dënonte kryeministrin e Shqipërisë dhe t‘i impononte Tiranës zyrtare makutërinë për pushtet të Hashim Thaçit.
Prandaj Berat Buzhala ishte krejtësisht jashtë lojës. Ai nuk vinte aty në emër të popullit të Kosovës. Ai nuk fliste aty në emër të popullit të Kosovës. Aty fliste në emër të Hashim Thaçit. Prandaj i thashë „të mos ndërhyjë në punët e Shqipërisë dhe të kryeministrit të shtetit amë.“
Dhe këtë që them e mbroj me argumenta sepse asnjë politikan shqiptar nga shteti amë, në rrangjet më të larta të shtetit, megjithë sherret që kanë midis tyre, pra as Edi Rama, as Sali Berisha dhe as Lulzim Basha nuk i kanë thënë apo diktuar Hashim Thaçit, si kryeministër i Kosovës se çfarë duhet t’i thotë Daçiçit gjatë 40 takimeve që kanë bërë së toku në Bruksel apo se si duhet të flasë Thaçi me Daçiçin. As nuk kanë reaguar kurrë negativisht ndaj këtyre raunde takimesh, përkundrazi e kanë mbështetur dialogun Kosovë-Serbi. Liderët e Tiranës nuk i kanë thënë kurrë Hashim Thaçit se ka dështuar me këtë dialog, gjë që duhet ta bënin, ashtu si thonë ekspertët ndërkombëtar sepse Hashim Thaçi dështoi pasi e shndërroi dialogun në dy kokësh dhe jo ndërmjet dy vendeve.
Ky është standardi që unë mbroj.
Ndërkohë, jam dakord me ata që thanë se, nëse Rama në Beograd nuk do të kishte folur për Kosovën si një realitet të cilën tashmë e njohin 108 shtete në OKB dhe 23 shtete në BE, do ta akuzonin për tradhtar. Kryeministri Rama mbajti një qëndrim shumë korrekt. Ai i tha Vuçiçit se, nëse kryeministri i Serbisë vjen në Tiranë, askush, përfshi kryeministrin e Shqipërisë nuk do t’i quajë provokime deklarimet e tij, sido qofshin. Sepse realitetin nuk e ndryshojnë deklaratat.
Kryeministri Rama udhëtoi në Serbi, pas 68 vitesh bllokadë, kur marrëdhëniet me Beogradin i kishte monopolizuar një klan profiter. Kryeministri Rama e vizitoi Begradin në kuadrin e strategjisë së integrimit BE, që drejtohet nga vetë kancelarja gjermane. Ballkani ka nevojë për investime, investitorë dhe rimëkëmbje ekonomike. Që të ketë investime rajonale nga BE në sektorët e energjisë, infrastrukturës, kërkohet një komunikim rajonal. Pra vizita e kryeministri Edi Rama në Beograd nuk ishte inicuar as nga pala pritëse, as nga pala jonë. Por nga Angela Merkel, SHBA dhe BE. Sepse shqiptarët dhe serbët janë një realitet i pandryshueshëm në Ballkan, ata janë, pa marrë parasysh radikalizmin apo tolerancën. Ndërsa gjeneratat e reja meritojnë të jetojnë një jetë të denjë, me shkollim, punësim, me lëvizje të lirë, pa urrejtje dhe në paqe afatgjatë, rajoni duhet të jetojë në paqe, me çdo kusht.
Na bie ne shqiptarëve detyra që të tregojmë se duam të ndërtojmë ura, edhe kur ato ngrihen mbi lumenjtë e gjakut dhe të urrejtjes. NKursee e bëjmë sepse duam t’i jepet fund kësaj paranoje dhe këtij kalvari shekullor.
Kurse, siç e tregoi edhe prania e Berat Buzhalës tek Opinion, ne shqiptarët kemi probleme me veten tonë, sepse nuk arrijmë të ndërtojmë ura midis nesh. Ne na duhet imperativisht të ndërtojmë ura midis vedi. Kur të kemi një strategji konstruktive kombëtare, ne do të faktorizohemi si komb, gjithmonë si komb paqsor dhe tolerant. Nuk është rastësi që edhe Konstandini i madh, edhe Skënderbeu, edhe Nënë Tereza edhe Ibrahim Rugova janë shqiptarë.
Kjo gjë arrihet vetëm duke e shpëtuar Shqipërinë, Kosovën nga klientelizmi dhe nga babëzia e politikanëve për pushtet. Ndërtimi i shtetit ligjor është imperativ, duke respektuar parimet themelore të demokracisë, ku në politikë vijnë më të mirët, kur tre pushtetet duhet të ruajnë pavarësinë dhe pushteti i katërt duhet të mbrojë interesat e opinionit publik. Prandaj i them Berat Buzhalës të me heqë murin e bllokadës në Facebook. Sepse bllokada e tij ndaj meje sot, kur festohet 25 vjetori i rrëzimit të Murit Berlinit që njihet si muri i ndarjes përmes urrejtjes dhe idelogjisë staliniste, është absurditeti më qesharak.
Sepse kushdo qofsh ti Berat Buzhala, ti mban emrin e qytetit një mijë vjeçar, të kultures, të Onufrit, e kuqja e të cilit është shumë më e bukur se e kuqja e Ticianit, qytetit të bardhë që shtrihet buzë Osumit, nën hijen e Tomorrit dhe nën qiellin dhe diellin shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, FACEBOOK, Rama

PERVJETORI I RREZIMIT TE MURIT TE BERLINIT DHE RICIKLIMI I KOMUNIZMIT

November 9, 2014 by dgreca

Nese shqptaret synojne demokracine perendimore ajo eshte shume larg e nese duan “demokracine e Karpateve” ate kane 70 vjet qe e gezojne./
Opinion nga Ajet Delaj/New York/
Rrezimi i murit te Berlinit eshte fillimi i procesit te gjate te bashkimit te Gjermanise e natyrisht edhe i implementimit te demokracise e institucioneve demokratike ne ish-Gjermanine Lindore por kjo nuk do te thote pothuaj asgje per pjesen tjeter te Europes se Lindjes.
Kane filluar te ecin ne rrugen e implementimit te demokracise edhe dy tre vende te Europes Qendrore dhe vetem kaq. Per vendet e ish Bashkimit Sovjetik,duke perfshire Ballkanin, e natyrisht edhe Shqiperine Staliniste, as qe behet fjale per demokraci se paku gjer tani.
A mundet kush te thote hapur ,pa rrejt i themi ne veri, e pa genjeshtra thote jugu, a ka nje elemet politiko- shoqeror e juridik ne Shqiperine neokomunist nje institucion, praktike, a respektim te lirive dhe te drejtave themelore te njeriut qe zhvillohet e respektohet sipas parimeve, vlerave e funksionimit te shtetit e shoqerove perendimore.
Komunizmi egziston ne tre dimensione, performance , filozofi e praktika kriminale qe i bie ndesh njeriut te lire. Ne keto 25 vjet ka ndryshuar vete kozmetika paraqitja e jashtme . Te gjith elementet e tjere te nje orgkanizimi kriminal shteteror funksionojne njesoj si me perpara. Pra esenca kriminale e sistemit eshte ruajtur me fanatizem eshte rrullur propaganda ca vite e tani se fundi shkohet deri ne promovimin e figures se diktatori.
Ndryshimi i vetem ka ndodur vetem ne kthimin e shtetit criminal komunist ne shtetin e mafjes kriminale gje qe nuk rezulton te kete ndonje dallim per qytetarin shqiptar.
Kriminelet komuniste pregaditen te festojne 70 vjetorin e triumfit te krimit sllavo komunist ne hapsirat shqiptare ne Ballkan ku natyrshem ju prin nena e tyre Serbi me parade ushtarake si ate te Stalinit por edhe bijte e Popovicit, Mugoshes , Stoinicit nuk mbeten pas pasi kane muaj qe ngrene lart ne tubime figuren e Enver Hoxhes se bashku me ministrant e Qeverise e Kryetarin e Parlamentit.
Ne mjeksi egziston rregulli qe pa u percaktuar diagnoza nuk mundet te gjendet mjekimi e natyrisht sherimi kurse ne jeten shoqerore e politike nuk mundet te kete kthim e ngritje te nje kombi pa te verteten e klasifikimin e ngjarjeve dhe fenomeneve me emrin e tyre te vertete.
Nese ne Europe e Azi u luftua nazizmi e fashizmi ne hapsirat ballkanike ku jetojne shqiptare sllavokomunistet luftuan nacionalistet. Kush i carmatosi, lidhi dhe ja dorzoje shkjaut ne bregdetin e Tivarit 5000 nacionalistet e Shaban Polluzhes.
Po malsoret trima e patriote qe per shekuj i kishin qendruar shkjaut per atdhe e fe kush i masakroje dhe si? A e dine shqiptaret se rrezistenca e Kelmendi u thye kur sllavo komunistet ju rane pas shpine nga ish-Jugosllavia. Leviza antikomuniste ne Postribe, Mirdite e deri opozita e organizuar ne Parlamentin e komunisteve u masakruan me ndihmen e sllavo ruseve.
Pra politika shqiptare zyrtare shteterore dhe “opozitare” ku neokomunistet i kane alternuar vendet njeri tjetrit akoma nuk e kane denuar gjenocidin komunist dhe akoma kryekriminele Enver Hoxha i mban edhe sot mbas 25 vitesh te rrezimit te Murit te Berlinit te tera nishanet qe ja ka pas dhene vetes.
Ne keto kushte per cfare demokracie mundemi te flasim e aq me pak mbi rrezimin imagjinar e propogandistik te rrezimit te komunimit. Ndermjet shume gjerave te vazhdimsise komuniste pergjate nje cerek shekulli ne Shqiperine neokomuniste ka vazhduar pa u ndalur detyrimi per te braktisur Atdheun duke realizuar me metoda te sofistikuara e kriminale nje eksod biblik te shqiptarve ne gjysmen e dyte te shekullit qe lame pas dhe ne kete fillim shekulli te ri.
Shqiptarve dua t’ju kujtoj se para disa vitesh u pastruan mbi 250 sherbetore te KGBse Ruse ne Itali pashkelur kemba e rusit ne ate vend . Po ne shqiperi qe shteti e pushteti criminal pansllav eshte ndertuar me ndihmen “vllazerore” te rusve e sllaveve te jugut.
Nese shqptaret synojne demokracine perendimore ajo eshte shume larg e nese duan “demokracine e Karpateve” ate kane 70 vjet qe e gezojne.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ajet Delaj, rrezimi i murit te Berlinit, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 705
  • 706
  • 707
  • 708
  • 709
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT