Takimi Rama-Vuçiç në optikën time/
Nga Përparim Hysi/
Sado që nuk kam prerje për politikë, nuk rri dot pa dhënë vështrimin tim për këtë takim historik.Politika është një “lojë” e vështirë për mizurën time dhe nuk do mend: kam kohë, që kur m’u dha rasti për ta “luajtur” atë, u dorëzova. Kjo ndodhi në vitin 1991 kur kandidova si deputet për PD dhe nuk fitova. U dorëzova jo se nuk fitova, por me aq pak kohë dhe si përfaqësues i PD në pushtetin lokal, e pashë që nuk ia thosha fare. Në një poezi timen për politikanët, kam thënë:- Politikanët e kanë lëkurën të trashë si bualli! Duke thënë kështu: si bualli, nuk jam larg të vërtetës. Koha ka provuar se nuk dëgjojnë as nga thumbat dhe as nga “plumbat”. Unë, siç duket, jam lëkurëbrishtë dhe nuk duroj as thumba dhe ca më shumë: plumba. E kam fjalën për atë artileri të rëndë fjalësh që politikanët tanë i zbrazin pa kursim. Por, megjithatë, larg politikës dhe gjykimeve për të nuk jam. Kur po i cicëroja një politikani të vjetër ca rreshta antipolitikës, ai, si lëkurëshuall që qe, më tha: – Edhe duke recituar për politikën, po bën politikë. Për të bindur lexuesin se nga është e drejta, po e sjell atë 4-vargshin që i kumtova atij:”Politika loz si era/ Mos ma pruftë Zoti tek dera/ Kush loz me politikën/ Brisk e ka dhe fare e fikën/ . Sado që “lëkurëshualli” u mundua të më bindë, po nuk ia arriti dot.
* * *
Pa ndonjë retorikë të lodhshme, në optikën time, Rama tregoi vlera të një pushtetari të qytetëruar e të guximshëm. Tek shihja Vuçicin që kërcente sikur po e hanin pleshtat, pa dashje më shkon mendja tek ajo përralla historike e Andersenti që,sado që “mbreti qe lakuriq” ( i hiqte apo nuk i hiqte kufjet,Vuçiçi), nuk donte që të shihte një të vërtetë që bënte mu. Qe para një fakti të kryer historik. Në i kthehem dhe futem historive me shënjtorë, njëri prej tyre, SHën Thomai thotë: ” Që të të besoj, plagën dua ta zë me dorë”. Dhe Rama ia tregoi këtë “plagë”, tjetër punë që Vuçiçi kish vënë “lente të zeza” mbi sytë dhe veshët i kish zënë me dyllë. Qe në një pozitë aq qesharake që përsëri dua ta vë përbri një shëmbulli analog. E kam përjetuar dhe po e sjell për lexuesit.
* * *
Në vitet kur pushtetit tonë “popullor”, punët po i shkonin aq “mbroth”,sa në dyqane nuk gjeje asnjë ushqim pa”tollonë”, veç tjerash mungonte dhe sapuni. Një sapun Rrogozhine që sikur kishe gjetur një shishe parfumi nga Franca. Kish nxënës e nxënëse me parazitë në kokë. Erdhi urdhër nga lart që nxënësve t’ua qethnim kokat si ushtarëve me urdhër. Kështu dhe bënim. Po kish nxënës që këtë edhe e kundërshtonin. Një i tillë qe dhe Gjoleka, një nxënës imi në klasën e tetë. U desh ndërhyrja ime si mësues kujdestar që Gjoleka ta qethte kokën zero. E qethi nga e keqja dhe aq i pabindur qe, sa, dhe kur kokën e kish zero, thoshte: – Ja, të shihni, do qethem?! Natyrisht, Gjoleka që u qeth “forcërisht”, u bë butaforik. Tek e takoj tani që është bërë dhe gjysh, i bërtas:- Ja, të shohësh, do qethem?!!! Duke sjellë raste analoge, them se lexuesi mund ta dallojë mirë evropianin Edvin Rama dhe provincialin Aleksandër Vuçiç.
Edhe një anologji tjetër. Kisha shkuar me një shok tiranas të shihja një praktikë stërvitore të 17 nëntorit kur ish trajner , i madhi Myslim Alla. Në një nga ato senkuencat që ndiqnim, i thotë një mbrojtësi të tij: – Vrej tuna, çuno, ruhu prej Jarecit se aj dhe,kur nuk asht tuj bo ndonji gjo, ta bon golin e ta merr erzin! Dhe them që “Jareci” e shënoi atë gol fitoreje!
* * *
Por në fund të fundit, Rama vetëm pohoi një fakt historik. Në Vuçiçin e Co…, i zunë djajtë e së keqes, kjo nuk është punë për një botë të qytetëruar dhe evropiane. Të huajtë, historikisht, kanë lozur “arushë” me fatet tona. Pse ka qenë kështu, historikisht, s’kam si mos sjellë në mend një nga profesorët e mi, në ish-Normalen e Elbasanit, të ndjerin e të respektuarin, profesor Enver Palluqi ( mes nesh e quanim Arbreshi se aq bukur e shqipëronte gjithë Letërsinë Arbreshe) , që, tek na fliste për invazionin e huaj në Shqipëri, na thoshte:- Arbreshët kanë një thënie postulatë që ua lënë pasardhësve, brez pas brezi. Kjo thënie është pak proverbiale: ” Rihi birli nga ltini, si driri nga topra”. E merrte me mend që kështu nuk e merrnim vesh dhe shqipëronte:- Ruhuni bij nga të huajtë, siç ruhet druri nga sopata! Më tej, nuk kam se çfarë shtoj. E, sa për ata që e shohin qëndrimin aq evropian e kontemporan të Ramës me lente të zeza, dua që t’u përgjigjem me fjalët e një personazhi tim, që thotë për raste të tilla: ” Ai që nuk të do, edhe, po ta mbash në krah, do kollitet!”
Tiranë, 11 nëntor 2014