Nga Kastriot MYFTARAJ/
Nuk ka qenë dorë shqiptare ajo që dërgoi flamurin shqiptar nga ajri në stadiumin “Partizani” të Beogradit me një minicopter (helicopter të vogël) gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Kjo është absolutisht e qartë. Zbritja nga ajri me një minicopter e një baneri me hartën e Shqipërisë etnike, të stiluar me flamurin shqiptar, në stadiumin e Beogradit ishte një inskenim i shërbimeve të fshehta serbe, me qëllim për të fajësuar shqiptarët për shkallëzimin e tensionimit të ndeshjes. Duke konsideruar shkallën e pranisë policore në stadium dhe përreth tij, si dhe vëzhgimin e madh me videokamera në një zonë të gjerë përreth stadiumit, është absolutisht e pamundur që, jo më një shqiptar nga Shqipëria, Kosova, apo Lugina e Preshevës, por qoftë edhe një shqiptar me banim në Beograd, të ketë mundur ta bëjë një gjë të tillë në Beograd. Në çdo rast, nëse këtë gjë do ta kishte bërë një shqiptar, ai do të ishte zbuluar dhe arrestuar tashmë nga Policia Serbe.
Madje Policia Serbe, e cila zotëron edhe mjete speciale për kontrollin e hapësirës ajrore përreth stadiumit në raste të tilla, do ta kishte interceptuar me siguri minicopterin që para se të arrinte mbi stadium, kuptohet nëse këtë nuk do ta kishte bërë një operator i shërbimeve të fshehta serbe. Nuk përjashtohet mundësia që Serbia të arrestojë një shqiptar me banim në Beograd dhe ta paraqesë atë si njeriun përgjegjës për dërgimin e flamurit shqiptar në fushë me minicopter. Por kjo nuk do të jetë veçse një “gjethe fiku” që nuk mund të fshehë të vërtetën lakuriqe. Se edhe nëse minicopteri do të arrinte të ngrihej nga një pikë diku jashtë stadiumit, ai nuk mund të endej në qiell pa u interceptuar nga njësitë e specializuara policore që para se të arrinte në stadium.
Tani duket qartë se Serbia, dhe këtu e kam fjalën për shtetin serb, duke qenë se nuk mund ta pranonte në asnjë mënyrë që jo më ta humbte këtë ndeshje, por të mos e fitonte atë, ka pasur më tepër se një skenar për ndeshjen me Shqipërinë. Një ishte fitorja në një stadium pa tifozë shqiptarë. Skenari tjetër ishte që në rast se do të shihej se ishte e pamundur të fitohej ndeshja, të sabotohej ajo me një incident nacionalist për të cilin do të bëheshin fajtorë shqiptarët. Vetë mënyra sesi lojtarët serbë vepruan me flamurin shqiptar të zbritur në fushë ishte një provokim ndaj lojtarëve shqiptarë në fushë. U duk qartë se kishte një bashkëpunim të përkryer mes tifozëve të dhunshëm serbë, lojtarëve dhe policëve. Derisa lojtarët serbë u sollën me përçmim me flamurin shqiptar që zbriti në fushë me minicopter, policët serbë qëndruan pasivë dhe i lejuan tifozët e dhunshëm serbë të hynë në fushë dhe të rrahin lojtarët shqiptarë. Kur detyra e policëve serbë ishte që të mbronin lojtarët shqiptarë nga tifozët që kishin hyrë në fushë, dhe për të bërë këtë detyrë nuk kishte pse të prisnin lejën e arbitrit. Kur serbët e panë se loja po zhvillohej në atë mënyrë që jo vetëm kishte gjasë që të mos e fitonin por madje edhe mund ta humbnin, ata aktivizuan Planin B. Dhe ndodhi ajo që pamë të gjithë.
Shërbimi i fshehtë serb e dinte se do të kishte idiotë shqiptarë të cilët nuk e kuptonin trick-un me minicopterin, dhe do ta merrnin përsipër autorësinë e tij. Por kjo nuk e ndryshon të vërtetën e asaj që ka ndodhur.
Për shkak të zbritjes në fushë të flamurit shqiptar me minicopter, UEFA ka shumë gjasa që të vendosë përsëritjen e ndeshjes në një fushë asnjëanëse, duke i quajtur të dy palët si bashkëfajtore për shkallëzimin e tensionimit në ndeshje. Prandaj në këto momente është e nevojshme që të ketë një reagim të shpejtë zyrtar, nga Qeveria e Shqipërisë, me të cilin ngjarja të përcaktohet si një provokim i inskenuar nga serbët, të cilin më e pakta autoritetet serbe e kanë toleruar nëse nuk janë drejtpërdrejt përgjegjës. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Federata Shqiptare e Futbollit në adresë të UEFA. Kjo histori nuk mund të mbyllet me shpjegimin e rëndomtë tashmë, se janë disa grupe ekstremiste serbe përgjegjëse për akte të tilla dhune. Ajo çka ndodhi në Beograd është një akt lufte dhe meriton që të ketë si përgjigje një notë zyrtare proteste që edhe si adresim të jetë drejtpërdrejt nga ana e Qeverisë së Shqipërisë ndaj Qeverisë së Serbisë, jo thjesht të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë.
Kjo që ndodhi në Beograd është një gjë shumë e rëndë dhe nëse Edi Rama pas kësaj vendos të shkojë në Beograd, ky do të ishte një veprim prej Esat Toptani, me ç’ rast Rama meriton fatin e Esatit dhe këtë herë të jetë i sigurt se do ta gjejë nëse guxon të shkojë në Beograd.
DAÇIÇ JEP DORËHEQJEN
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ Daçiç jep dorëheqjen sepse ti po e le Serbinë të mbetet peng i së shkuarës.
Ti je përgjegjës që nuk krijove kushte që ndeshja e futbollit midis shqiptarëve dhe serbëve të luhej normalisht e të lejonte mbushjen e stadiumit gjysëm për gjysëm me tifozë shqiptarë e serbë si për të treguar se ishte tejkaluar një barrierë e historisë, për të hapur një kapitull të ri në të mirën e përbashkët, sepse jemi dy vende fqinj.
Ti ke qenë kryeministër dhe ministër i Brendshëm i Serbisë e tash je ministër i Jashtëm dhe deklarata jote ishte skandaloze, sepse i fajësoje shqiptarët se sollën vetëm një flamur përballë atyre mijra e mijra flamujve të Serbisë që valviteshin aty.
Ti duhet të japësh dorëheqjen sepse vazhdon t’i shohësh shqiptarët si qytetarë të dorës së fundit, çka shkaktoi konfliktin e fundit në ish-Jugosllavi, duke u ndaluar, siç bëre më 14 tetor 2014, një nga gjërat më normale dhe të bukura të botës, të vinë e të shohin një ndeshje futbolli.
Ti duhet të japësh dorëheqjen sepse ti i prite futbollistët e Shqipërisë sikur midis dy vendeve të ishte gjendje lufte.
Ti nuk lejove që ndeshja në Beograd të ishte një takim sportiv midis dy shteteve, ku tifozët gëzohen apo trishtohen për humbjen apo fitoren e vendit të tyre, ashtu si ndodh kudo në çdo shtet të Europës.
Ti lejove që stadiumi të përfshihej nga histeria ku bëheshin thirrje për vrasjen e shqiptarëve, duke krijuar një klimë të tmerrshme psikologjike për lojtarët shqiptarë, të cilët detyroheshin të luanin në kushte terrorri psikologjik.
Ti lejove që në stadium të merrnin pjesë elementë të dënuar nga drejtësia si shkaktarë të dhunës në ndeshjen midis Italisë dhe Serbisë në stadiumin Marassi.
Ti ke qenë kryetari i delegacionit të Serbisë me kryeministrin e Kosovës dhe ke zhvilluar për vite të tëra bisedime për dialog midis dy popujve dhe ja rezultati që ke arritur, të na risjellësh në stadiumet e Serbisë dhe Europës Ivanin e Tmerrshëm.
Ty të ka ngelur ora e historisë në shekullin e përgjakshëm që lamë pas, por harron se gjeneratat e reja nuk janë as pjesmarrëse dhe as fajtorë të saj tragjedie që ndodhi në Ballkan dhe duan ta jetojnë jetën normalisht, duke lëvizur të lirë në çdo qytet të Ballkanit dhe të Europës.
Ti vendose Perden e Hekurt në kohën e integrimeve, kur Serbia pretendon të jetë anëtare e BE-së.
Ti deklaron në mënyrë skandaloze se nuk është Serbia përgjegjëse për atë që ngjau në Beograd, ku ju ishit i gjithë shteti, ndërsa shqiptarë ishin vetëm skuadra e lojtarëve dhe delegacioni shoqërues.
Ti justifikove arrestimin e vëllait të kryeministrit të Shqipërisë me akuza fallco, duke shkaktuar një incident diplomatik, sepse një aparat fotografik t’u duk si një telekomandë e avionit të vogël që solli në stadium të vetmin flamur midis mijra e mijrave flamujve të Serbisë.
Ti akuzove kryeministrin e Shqipërisë, duke shkaktuar prapë incident diplomatik, se në rrjetet sociale përshëndeti futbollistët shqiptarë dhe dënoi atë turp që ngjau në stadiumin tuaj, në vend që t’i kërkoje ndjesë për atë skandal që e la gjithë botën e qytetëruar pa frymë. Pse, sipas teje, çfarë të bënte!
Ti duhet të japësh dorëheqjen dhe qeveria e Serbisë t‘iu kërkojë ndjesë shqiptarëve për atë që ngjau më 14 tetor, duke e konsideruar si një ëndërr e keqe të një kapitulli që duhet të ishte i mbyllur në fund të shekullit që lamë pas.
MË MIRË NJË “ARMIK DIKTATOR”, APO NJË MIK ANARKIST?!
Nga Fadil LUSHI/Tetove/
Sa herë që ne bëjmë përpjekje të shkruajmë diç për miqtë tanë dhe për gazetën, aq herë vihemi në “siklet”, sidomos kur duhet të “kërkojmë” një kryefjalë që do t’i shkonte me “tamam” a do t’i përshtatej opinionit a vështrimit të radhës. Edhe kësaj radhe “ramë në grackë të asaj dilemës së gomarit të Buridanit!?”. Për këtë shkrim kemi dy tituj, i pari: “Më mirë një armik diktator, sesa një mik anarkist!” dhe titulli i dytë: ”Një fjalim a retorikë e retarduar dhe letargjike!”. U pajtuam dhe u përcaktuam për të parën, për faktin se ky i fundit, ndoshta, shkrimin na e nxjerr shkarravinë.
Dikur moti rilindësit shqiptarë mendjendritur kishin parapëlqyer që të ndërtojnë institucionin e dorëheqjes politike. Këtë e kishin bërë në emër të moralit kolektiv, në emër të emancipimit dhe humanizimit të fjalës së lirë a asaj ndryshe. Një ndër të parët që e respektoi këtë institucion ishte Mit’hat bej Frashri. Ata që e njohin mirë të shkuarën e tij thonë se e kishte braktisur postin e ministrit, duke e zëvendësuar me profesionin e mësuesit parauniversitar. Gjithë këtë e kishte bërë pasi që kishte hetuar anarkinë në qeveri. Asnjëherë nuk u pendua sa u përket bëmave të tij, mbase për këtë ishte i ndërgjegjshëm. Që ne të mos i lakojmë a interpretojmë gabimisht dy nocionet sociologjike në vijim (sepse, tekefundit, nuk është puna jonë), do t’i referohemi fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, ku pos të tjerash thuhet: DIKTATURË f. 1. Pushtet i dhunshëm e i pakufizuar shtetëror, që shpreh e mbron interesat e klasës sunduese dhe që ushtrohet me dhunë nga një njeri ose nga një grup njerëzish; pushteti i diktatorit. Diktaturë ushtarake (politike, fashiste, monarkiste). Diktaturë absolute. Diktaturë e egër. Diktatura e skllavopronarëve (e feudalëve, e borgjezisë). Kishte vendosur diktaturë në shtëpi (në zyrë, në ndërmarrje), e tjerë.
Këtij nocioni të interpretuar do t’ia bashkëngjisim në vijim një “mesele”: Mbaj mend një detaj nga një “bisedë informative” të viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, me një inspektor të UDB-së, i cili ishte i ngarkuar zyrtarisht të inspektojë veprimtarinë armiqësore timen, të shokëve dhe të profesorëve të mi. Ai na mori në pyetje rreth trazirave a demonstratave të vitit 1968. Ne, me atë ndërgjegjen tonë adoleshente (hiq mënjanë mësimdhënësit tanë të mirë dhe të nderuar) dhe të trazuar e “paragjykuam së prapthi”. Në fillim e konceptuam si një njeri të mençur, të moralshëm dhe “demokrat”. Pas shumë vitesh mësuam të vërtetën; ai paraprakisht kishte kryer detyrën e gardianit të një burgu famëkeq. Që atëherë thoshin se e kishin avancuar për faktin se “fyelli i kishte ngecur në një vrimë…, ishte emërmadh e kryefikët”. Ai, me sjelljet dhe veprimet e tij, lëre që diktonte vullnetin dhe qasjen prej diktatori, por edhe nuk përfillte përgjigjet tona. Ndonëse ishte një diktator i kulluar, çuditërisht nuk reflektonte anarkinë.
Christiane Hoffman, opinioniste e njohur gjermane, në një vështrim të saj për diktaturën thotë: “Kur rrëzohen despotët duket sikur ka një arsye për t’u gëzuar. Por ajo që pason diktaturën (hiq mënjanë demokracinë, nënvizim yni) shpesh është më e keqe”. Rrjedhimisht, sipas “mendimit tonë”…, ajo që pason diktaturën duhet të jetë demokracia dhe jo diçka tjetër!??…, por sipas saj, “… nëse njerëzit do të ishin përpara zgjedhjes mes një diktature funksionale dhe një kaosi të shtetit të dështuar, diktatura do të ishte e keqja më e vogël”. Historia e zhvillimit shoqëror thotë se jo gjithherë despotët dhe diktatura zëvendësohet me demokracinë dhe demokratët (shembujt e tillë vijnë nga Siria, Iraku, Libia e shtete të tjera, të cilat këmbë e krye nëpërkëmbën e përjashtuan ligjet). Kësaj ndryshe i thonë anarki funksionale, qoftë ajo të hetohet në familje, në mëhallë, në institucionin e caktuar a edhe në kuadër të një partie politike. Në vijën e korrektesës, po i referohemi fjalorit të shqipes standarde edhe për nocionin e anarkisë.
ANARKI f. 1. Gjendje që krijohet në shoqëri, kur mungon pushteti shtetëror i organizuar dhe kur nuk veprojnë ligjet e rregullat e detyrueshme për anëtarët e shoqërisë; mohim i shtetit dhe i çfarëdo pushteti politik të organizuar. Anarkia feudale. Mbretëron anarkia. 2. Çrregullim që krijohet nga mungesa e drejtimit, e organizimit dhe e planifikimit; çrregullim i madh…, në një fushë. Anarkia në prodhim. Bie në anarki. Sjell (mbjell) anarki.
Një pështjellim i tillë u hetua në Partinë Demokratike që në momentin kur ajo i humbi zgjedhjet e fundit parlamentare. Këtë pështjellim më së miri e diktuan ata që dikur lindjen e kësaj partie e konceptuan si “shpëtim dhe shpresë të kombit”. Kjo anarki funksionale nuk ishte kurrgjë tjetër pos një pjellë e abuzimit të tejzgjatur të posteve nga ana e ca funksionarëve të lartë partiakë, ca prej të cilëve shkuan aq larg, saqë disa struktura të partisë politike i shndërruar në stane për të grumbulluar a sistemuar “barinj” që nuk dallojnë djathin nga gjiza, leshin nga lëkura, pelën prej kalit, dashin prej deles, delen prej qengjit, shqerrën prej kecit, kecin prej maçokut, pronarin a qehajain prej rrogëtarit…, disa nuk dalluan kryesinë e partisë prej kryeparit, kuvendin prej degës dhe nëndegës së partisë, nuk dalluan dhe nuk vlerësuan votën e sovranit, premtimin prej gënjeshtrës e të tjera. Ca prej tyre edhe e nëpërkëmbën moralin e dorëheqjes politike, jo pse nuk e bënin punën e tyre ashtu siç duhej, por pse padrejtësisht kishin zënë vendet e njerëzve të cilët dinë ta bëjnë punën ashtu si duhet.
E gjithë kjo katrahurë, lesheli apo anarki u duk a u reflektua në kuvendin e fundit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në veçanti në atë fjalimin e Lulzim Bashës. Se ishte një fjalim në veten e parë, të dytën a të tretën, se ishte një fjalim i dalëboje, letargjik, patetik dhe dëshpërues, se ishte një fjalim nostalgjik, se ishte një kopje e keqe dhe e zbehtë e asaj retorikës së doktorit, se ishte një përpjekje a alternativë e radhës për të dalë nga humnera ku kohë më parë ishte zhytur fund e majë…, se (nuk) ishte as peshk e as mish, se ishte një fjalim dënese për pushtetin e humbur, se ishte një fjalim ndjesie dhe i nxituar i dalë nga një mendje e shkapërderdhur gjithandej…, asnjeri nuk e kuptoi, por ama se ishte një retorikë që përloti “bashkëpunëtorët dhe bashkëmendimtarët” e tij, gjithsesi se ishte “me tapi!?”. Njerëzit e urtë dikur thoshin: Të gabosh pa qëllim është njerëzore, të kërkosh të falur në emrin tënd personal, është më shumë se humane, por ama të gabosh me qëllim dhe të kërkosh ndjesë në emër të të tjerëve ose edhe këtë hiç fare të mos e bësh, o është marrëzi, o është tallje me njerëzit që të shkojnë pas. E kjo e thënë ma kujton vaktin e njëmendjesisë apo diktaturën e proletariatit si dhe njerëzit të cilët vetvetes po edhe të tjerëve pranë tyre u jepnin a u ngjitnin tituj jomeritorë a të përdalë. Ditë më parë doli një kërkimfalje nga goja e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Lulzim Basha, që m’u duk njësoj si një thes mielli bosh, që sa herë që ta shkundësh, aq herë prej saj dalin krunde. Fjalimi a retorika e tij ishte njësoj si ai mentaliteti komunist i së shkuarës, një vështrim sa qesharak, po aq edhe tragjik, sa i vonuar po aq edhe… Fjalimi i Lulzim Bashës përloti edhe Majlinda Bregun, do lot që nuk dihej se kujt i dedikoheshin…, partisë, Sali Berishës, kohëve të shkuara, pushtetit absolut apo posteve të humbura. Nganjëherë këto përlotje (të paragjykuara) ta rikujtojnë ditën kur u varros Enver Hoxha. Neve na mbetet të parashtrojmë pyetjen: në atë ndjesë sa kishte me të vërtetë moral (nëse vërtet ishte ndjesë politike).
Një njeri që donte t’i ndihmojë mikut, i pat sugjeruar me fjalët – pse nuk shkon te psikiatri të kurohesh, kurse ai ia paska kthyer – nuk kam nevojë se kam zonjën në shtëpi!? Ndërkaq një proverb popullor thotë shkoqur: “Kur nuk më tirret ago baba, nuk më tirret!”. Ose ajo tjetra me kopenë e dhenve të uritura që – kur nuk duan të kullotin – kërkojnë dajakun e çobanit dhe atë thikën e kasapit!?
Para nisjes për në Beograd
Nga Ilir Levonja/Florida/
Në shkurt të këtij viti, shorti na vuri përballë Serbinë. Midis të tjerave mbaj mend ekzaltimin në lidhje me frymën nacionaliste. Përtëritjen e urrejtjes, apo dhe deklaratat e tipit të Kreshnik Spahiut. (Ashtu si sot, kur që herët në mëngjes i bën thirrje Kryeministrit të mos shkojë në Beograd.?.) Atë kohë 14 tetori dukej larg. Ndofta nga kjo u ndez edhe fushata e strategjive të mbrapshta. Vrulli bosh, etj. Bëra edhe unë një shkrim (statut) në lidhje me këtë realitet. Ideja ishte tek intriga e deklaratave me frymë nacionale, nga koha e shkuar, përballë një realiteti krejt ndryshe. Theksova se fitimtarët jemi ne, jo serbët. Kjo e gjitha nëse do ta shohim në kushtet e realitetit të sotshmën. Ndaj na takon të sillemi si të tillë.
Më poshtë po e risjell, edhe një here, për koiçedenca të tepërta, në lidhje me rritjen e tonit nacional. që po has në faqet e shtypit tone. Pikërisht para nisjes për në Beograd.
……..
Thjesht, Futboll
Më 14 tetor 2014 Shqipëria do të ndeshet në futboll me Serbinë. Kjo në kuadrin e eliminatoreve të Europianit 2016, në Francë. Qysh prej shortit, të dielën më 23/2/2014, kjo ndeshje futbolli është bërë temë e ditës. Ka shumë ethe, shumë strategji, shumë paraimagjinata, aq sa nuk shfleton dot një web këtej dhe andej Ballkanit. Megjithëse, e thënë thjesht, është një ndeshje futbolli. Të paktën nga njëra anë ka sfumuar finesën sharlatane të politikanëve. Edhe pse është pikërisht kjo e fundit që ka çuar në një lloj imazhi të frikshëm midis qytetarit shqiptar dhe atij serb. Pra, politika. Sidomos që nga shpërbërja e Perandorisë Otomane, u forcua me ngritjen e blloqeve, kultin e individit, deri sa na shkatërroi, dogji, vrau, shfarosi, zhvendosi nën dritën e rënies së murit të Berlinit. Në të njëjtën kohë është e çuditshme se si deri dje shorti na shmangte. Sikur diçka misterioze i largonte këto dy vende, sikur i ruante. Ndofta ka patur ndeshje klubesh, them ndofta nga që nuk kam informacionin e duhur në lidhje me takimet sportive. Mbaj mend vetëm edicionin ’87-1988 kur Flamurtari i Vlorës eleminoi Partizanin e Beogradit nga kupat e Europës. Edhe sot e kam të gjallë atë gol të Sokol Kushtës, por edhe mbylljen e trishtë të regjisë televizive me një buqetë lulesh hedhur në barin e fushës. Atëhere, dukej sikur ndesheshin dy botë amorfe alienësh. Jetonim atmosferën me dritë të pakët të yjeve, jo të lirisë. Tani shorti i një kohe tjetër. Na vuri përball. Një sprovë e madhe. Sepse deri pikërisht kësaj dite, trajta e ajrit midis shqiptarëve dhe serbëve ka qënë me përmbajtje jashtëzakonisht të lartë inkadeshente. Duket se tani është ujëzuar disi, në kuptimin kohor. Në një prove të re shqiptarët dhe serbët. Short inatçor, ku në fund të fundit u thotë njerëzve se, jepini kuptimin jetës, tregojini se sa e vlerë dhe e vërtetë është të jetuarit në liri. Qytetaria, bashkëjetesa, etj. Mirëpo jashtë të gjitha këtyre, në kuadrin jetësor ka një tjetër panoramë. Shqiptarët dhe serbët vërejnë se kanë kaq shumë të përbashkëta midis tyre aq sa habiten me historinë. Flasim për qytetarin e thjeshtë, atë që përbën shumicën. Kemi të përbashkët nervin, gjaknxehtësinë, tundimin nga fjala e dhënë, konceptin për mikun, ruajtjen e shpatullave etj. Por sidomos rakinë. Unë përshembull kam vite që punoj me serbë, këtu ku jetoj. E kam trajtuar edhe më përpara raportin e marrëdhënieve ballkanike në dheun e huaj. Me serbët kemi një afrimitet dhe kujdes gati kontraversal me atë realin në Ballkanin tonë perëndimor. Nuk e di përsenë, përpiqem, ose më saktë kam kohë që dua ta kuptojë pse. Ndofta janë pikërisht tiparet e përmendura më sipër. Kam këtu Gordanën nga Beogradi. Më tha një ditë se byrekun e kemi mësuar nga ju, nuk e njihnim. Një nuse e kushëririt, nga Prishtina, ajo na e mësoi. Pastaj flasim për gatimet e tjera, sarmën, apo lakramen me mish të grirë e oriz, shlivovicën e tyre, (nuk bën vaki të mos më sjelli një shishe të tillë sa herë që shkon në Beograd) dhe rakinë e rrushit tone. Mallin e saj për konjakun Skëndërbeu, të Korçës. Ndihmojmë njeri-tjetrin, e presim e përcjellim në aeroport. Dhe nuk na vjen mire kur na shenjojnë me gisht të habitur, serbë e shqiptarë?! Flasim edhe për historinë, politikën ndër vite të Ballkanit tone. Eshtë thjesht një ndeshje futbolli, e tillë duhet trajtuar. Më shumë se serbëve u ka dhënë shqiptarëve një shans historik. Fitimtarëve! Një komb, një kombëtare.
Presidentja Jahjaga ka dy opsione!
Nga Faik Krasniqi/Tani kur ngërçi politik është betonizuar, dhe kur gjithçka ka filluar të paralizohet në jetën institucionale, politike, ekonomike e shoqërore, mundësia e fundit për zgjidhjen e këtij ngërçi si duket i ka mbetur presidentës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Pavarësisht se ajo i ka ftuar në disa takime liderët e partive politike, rezultati ka mbetur ende i njëjtë, pa patur ndonjë lëvizje nga të dy krahët politik. PDK-ja vazhdon të këmbëngulë në të drejtën e saj absolute, pasiqë këtë të drejt ja ka dhënë Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj, por që PDK-ja vazhdon të mos i ketë numrat. Po njëjtë nuk kanë lëvizur nga qëndrimet as blloku LVAN, të cilët e kanë armën kryesore, numrat në kuvendin e Kosovës.
E për rrjedhoj, publicisti Faik Krasniqi vlerëson se presidentja e Kosovës për momentin është përballë dy opsioneve, opsione që do të mund të ndihmojnë në zgjidhjen e ngërçit politik, si më të gjatin në kohë në politikën kosovare që nga paskufta.
“Presidentja Jahjaga mundet lehtësisht ta zgjedh bllokadën institucionale. Opsioni i parë, t’i bëj me dije PDK-së se janë pakicë në Kuvendin e Kosovës. Opsioni i dytë, t’i thërras dy koalicionet, koalicionin LVAN ka shumicën në Kuvend dhe koalicionin e PDK-së- t’ju kërkoj emrat e kandidatëve për kryetar Kuvendi dhe kandidatëve për kryeministër. Cilido kandidat nga këto dy koalicione merrë shumicën në Kuvend, zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe formon Qeverinë”, ka theksuar publicisti Krasniqi.
E madje Krasniqi vlerëson se gjithçka është në dorën e presidentes, sepse është obligim i saj kushtetues.
“Është në dorën e Presidentes se- a do të veprojë me arsye për ta zgjidhur këtë bllokadë institucionale, të shkaktuar nga PDK-ja, Gjykata Kushtetuese, por edhe nga vetë ajo, apo do të vazhdojë të jetë akoma një vegël e PDK-së. Tek e fundit edhe është obligim i saj Kushtetues, që ajo ta zgjidh këtë bllokadë institucionale dhe sa më shpejt t’i krijojmë institucionet e reja”, ka theksuar në mes tjerash Publicisti dhe anëtari i Këshillit të Ekspertëve të LDK-së, Faik Krasniqi.
- « Previous Page
- 1
- …
- 712
- 713
- 714
- 715
- 716
- …
- 868
- Next Page »