Nga ELIDA BUÇPAPAJ/ Daçiç jep dorëheqjen sepse ti po e le Serbinë të mbetet peng i së shkuarës.
Ti je përgjegjës që nuk krijove kushte që ndeshja e futbollit midis shqiptarëve dhe serbëve të luhej normalisht e të lejonte mbushjen e stadiumit gjysëm për gjysëm me tifozë shqiptarë e serbë si për të treguar se ishte tejkaluar një barrierë e historisë, për të hapur një kapitull të ri në të mirën e përbashkët, sepse jemi dy vende fqinj.
Ti ke qenë kryeministër dhe ministër i Brendshëm i Serbisë e tash je ministër i Jashtëm dhe deklarata jote ishte skandaloze, sepse i fajësoje shqiptarët se sollën vetëm një flamur përballë atyre mijra e mijra flamujve të Serbisë që valviteshin aty.
Ti duhet të japësh dorëheqjen sepse vazhdon t’i shohësh shqiptarët si qytetarë të dorës së fundit, çka shkaktoi konfliktin e fundit në ish-Jugosllavi, duke u ndaluar, siç bëre më 14 tetor 2014, një nga gjërat më normale dhe të bukura të botës, të vinë e të shohin një ndeshje futbolli.
Ti duhet të japësh dorëheqjen sepse ti i prite futbollistët e Shqipërisë sikur midis dy vendeve të ishte gjendje lufte.
Ti nuk lejove që ndeshja në Beograd të ishte një takim sportiv midis dy shteteve, ku tifozët gëzohen apo trishtohen për humbjen apo fitoren e vendit të tyre, ashtu si ndodh kudo në çdo shtet të Europës.
Ti lejove që stadiumi të përfshihej nga histeria ku bëheshin thirrje për vrasjen e shqiptarëve, duke krijuar një klimë të tmerrshme psikologjike për lojtarët shqiptarë, të cilët detyroheshin të luanin në kushte terrorri psikologjik.
Ti lejove që në stadium të merrnin pjesë elementë të dënuar nga drejtësia si shkaktarë të dhunës në ndeshjen midis Italisë dhe Serbisë në stadiumin Marassi.
Ti ke qenë kryetari i delegacionit të Serbisë me kryeministrin e Kosovës dhe ke zhvilluar për vite të tëra bisedime për dialog midis dy popujve dhe ja rezultati që ke arritur, të na risjellësh në stadiumet e Serbisë dhe Europës Ivanin e Tmerrshëm.
Ty të ka ngelur ora e historisë në shekullin e përgjakshëm që lamë pas, por harron se gjeneratat e reja nuk janë as pjesmarrëse dhe as fajtorë të saj tragjedie që ndodhi në Ballkan dhe duan ta jetojnë jetën normalisht, duke lëvizur të lirë në çdo qytet të Ballkanit dhe të Europës.
Ti vendose Perden e Hekurt në kohën e integrimeve, kur Serbia pretendon të jetë anëtare e BE-së.
Ti deklaron në mënyrë skandaloze se nuk është Serbia përgjegjëse për atë që ngjau në Beograd, ku ju ishit i gjithë shteti, ndërsa shqiptarë ishin vetëm skuadra e lojtarëve dhe delegacioni shoqërues.
Ti justifikove arrestimin e vëllait të kryeministrit të Shqipërisë me akuza fallco, duke shkaktuar një incident diplomatik, sepse një aparat fotografik t’u duk si një telekomandë e avionit të vogël që solli në stadium të vetmin flamur midis mijra e mijrave flamujve të Serbisë.
Ti akuzove kryeministrin e Shqipërisë, duke shkaktuar prapë incident diplomatik, se në rrjetet sociale përshëndeti futbollistët shqiptarë dhe dënoi atë turp që ngjau në stadiumin tuaj, në vend që t’i kërkoje ndjesë për atë skandal që e la gjithë botën e qytetëruar pa frymë. Pse, sipas teje, çfarë të bënte!
Ti duhet të japësh dorëheqjen dhe qeveria e Serbisë t‘iu kërkojë ndjesë shqiptarëve për atë që ngjau më 14 tetor, duke e konsideruar si një ëndërr e keqe të një kapitulli që duhet të ishte i mbyllur në fund të shekullit që lamë pas.