• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MËRGIMTARËT NË GREQI PËRBALLË “SKILËS DHE KARIBDËS”

September 12, 2014 by dgreca

Vëzhgim nga Abdurrahim Ashiku/ Athine/
Të kalosh kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë, veçanërisht në pikun e lëvizjeve, pushimeve verore apo festave të fundvitit, është si të kalosh midis legjendës së “Skilës dhe Karibdës”, midis shkëmbinjve detarë që lëvizin në sigurinë se ato do të tëkapin në një përplasje të dhimbshme.
Në ditën e fundit të gushtit udhëtova me familje nga Tirana në drejtim të Athinës. Autobusi i firmës Top Lines, ishte komod, me hapësirën e nevojshme për të lëvizur lirisht në ndenjëse, me shërbimin e kulturuar të shoferëve, madje edhe me qerasje modeste. Shërbimi ndërqytetës me Greqinë, në sajë të kulturës së re që është krijuar, kërkesave ligjore dhe edhe në saj të konkurrencës së një numri të madh agjencisë në udhëtim, është në rritje.
Në rritje duhet të ishte edhe shërbimi policor dhe doganor në pikat e kalimit kufitar.
Shpesh ankohemi për vonesa në pikat e kalimit kufitar grek ku “prishja e kompjuterëve” është lakimi i të gjitha rasteve. Nuk do të ndalem tek “ata”, por tek “ne”. A është shërbimi policor dhe doganor në pikëkalimet kufitare shqiptare në lartësinë e kohës?
…Më 31 gusht, në orën 22.00, pas pesë orësh udhëtim nga Tirana, autobusi ynë u vu në radhë në sheshin e gjerë të Kakavisë. Përpara nesh ishin gjashtëmbëdhjetë autobusë mbushur plot me pasagjerë, diku me rreth tetëqind pasagjerë: burra, gra, fëmijë, pleq, të sëmurë, invalidë…
Pyes një punonjëse të policisë se me sa sportele punohet. Më thotë me TRE sportele në dalje dhe me DY në hyrje.
Pyes një punonjës të doganës se me sa grupe shërbehet në kontrollin doganorë të bagazheve të pasagjerëve. Më thotë me NJË.
Është bërë mirë që kontrolli dhe vulosja e pasaportave bëhet duke i mbledhur dhe shpërndarë ato në autobus çka bën që të shkurtohet koha e këtij shërbimi, por kjo në rastin tonë “u harrua” çka bëri një vonesë mbi vonesat.
E ndërsa shërbimi policor ecën më shpejt, shërbimi doganor, vetëm me një grup kontrolli, zgjat shumë.
Tri orë qëndrim në pritje të kalimit kufitar nga ana jonë. Më pak se një orë në pritje të kontrollit policor dhe doganor në anën tjetër të kufirit…
Të shtatëqind kilometrat që e ndajnë Tiranën nga Athina i përshkuam për 17 orë !!!
Udhëtimet drejt Shqipërisë dhe kthimi drejt Greqisë është bërë një makth i vërtetë, makth që duke qenë se nuk e përjetojnë pushtetarët tanë, as vihet në kandarit e zbutjes dhe zgjidhjes.
Punonjësja e policisë në Kakavijë më tha se furja e autobusëve, radha e gjatë, nis nga ora tetë e mbrëmjes.
Pse pikërisht në këtë orë? E natyrshme kur oraret e nisjes të të gjitha agjencive në Tiranë dhe në rrethe bëhet në të njëjtën orë, pa një grafik lëvizjeje, pa orare të diferencuara që shmangin radhët e gjata. Nuk e di në se Ministria e Transportit, enti që jep lejet e udhëtimeve e ka në vlerë të vet harmonizimin e orareve të nisjes së autobusëve. Një harmonizim i nisjeve në orare të studiuara do ta zbuste radhën dhe kohë pritjen e kalimit kufitar.
Flitet gjithnjë për shërbim me “tre apo pesë” sportele por nuk flitet në asnjë rast për shërbim doganor me “tre apo pesë grupe”.
Nuk jemi për eliminimin e kontrollit policor dhe as për atë doganor. Këta do të zbuten deri në “lëvizje pa ndalesë” kur Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, por rregulli dhe disiplina në pikëkalimet kufitare duhen vendosur me studim, me moton sa më pak qëndrim e pritje të pasagjerëve, me një shërbim qytetar evropian.
Nga sa përjetojmë në udhëtimet e mallit drejt atdheut, mall që nuk do të shuhet kurrë, ndjesia e legjendës së “Skilës dhe Karibdës”, do të jetë në trupin jetësor të mërgimtarit.
Shpresojmë që dikush nga qeveritarët do të ketë sy për të lexuar dhe veshë për të dëgjuar legjendën e ditës të “Skilës e Karibdës” moderne.
Athinë, shtator 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: “SKILËS DHE KARIBDËS”, Abdurrahim Ashiku, MËRGIMTARËT NË GREQI PËRBALLË

1919 – 1920 BURRAT QË SHPETUEN SHQIPNINË NGA COPTIMI

September 12, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
Historia e shkrueme pa të Vërteten e saj, asht përrallë!../
Lufta e Parë Botnore në fund të vitit 1918, dukej, sikur kishte pushue. Edhe ata që e filluen Luftën Botnore ishin ma të sigurtë në kenjen e tyne se Shteti Shqiptar. Ndonse Shqiptarët nuk kanë kercënue asnjë shtet fqinjë, të mëdhej e të vegjel u çuen me shkye nga një copë, e sejcili, tue kerkue me pushtue ma të madhen. Italia tue kenë andej detit kerkonte Vlonën. Greqia si gjithmonë, kerkonte Shqipninë e Jugut, ku perfshihej Korça e Gjinokastra. Serbia nuk ngopej vetem me Vermoshin e Shkodren…
Pritej vendimi i Shteteve të Europës, që me 18 Janar 1919, u mblodhën në Paris, ku u hap Konferenca e Paqës. Qeveria e Përkohshme e Durrësit, e kryesueme nga Turhan Pashë Permeti, as nuk u perfill fare nga Lidhja e Kombeve. Në shkurt 1919 një delegacion Shqiptarësh u nis për Paris. Askush nuk ua hapi dyertë e Konferencës.
Deri këtu, edhe sot, dy “Akademitë e Shkencave Shqiptare”, ajo e Tiranës’’ dhe ajo e Prishtinës, mundohen me krijue “emna të përvetshëm”, të cilët, “arrijtën me një perkushtim të posaçem me shpëtue Shqipninë nga një coptim i sigurtë!” Fatkeqsisht, pothuej, të gjitha tekstet e Historisë së Shqipnisë së këtyne “Akademive”, të formueme nga antishqiptarët edhe sot, nuk e shkruejnë të Verteten e Shpëtimit të Shtetit Shqiptar nga një coptim i sigurt në Konferencën e Paqës në Paris, në vitët 1919 – 1920.
E Verteta asht vetem një! Kujt nuk i pelqen të vazhdojnë me pertypë rrêna!
Në vitin 1999, ishte e para herë që kam ndigjue në Tiranë, nga Prof. Valentina Duka kumtesen “Roli i Klerit Katolik Shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, 1919 – 1920”, të thanun troç: “Fillimisht Turhan Pasha, me cilësinë e Kryeministrit Shqiptar, në përbërje të delegacionit, krahas vetes, caktoi edhe Mehmet Konicën (Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Durrësit), Mit’hat Frashërin dhe Mihajl Turtullin…”
Kur mërrijtën në Paris këta drejtues, në shkurt 1919 “u këshilluen nga Ministri i Jashtem i Italisë Sonino, “që në delegacion të kishte edhe përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme…” Pra, kishte shkue puna deri aty, që “italianët” me u mësue mend delegatëve tanë, sesi me veprue per mos me na coptue shtetet fqinjë, bash atëherë kur vetë italianët, nuk i lenin asgja mangut komshijëve tjerë!
Ndersa, mosmarrveshjet mes tyne nuk zehen me gojë nga askush as sot gati mbas 100 vjetësh, edhe pse bash atyne përçarësve përditë “u thuret lavdi” për damin e madh që i kanë ba Popullit e Shtetit Shqiptar, që ditën e Shpalljes së Pavarsisë në 1912. Këte e verteton qendrimi i perfaqsuesëve të Shqiptarëve të Amerikës, Turqisë, Kosovës, Rumanisë, etj., që arrijtën deri aty sa me kerkue “edhe rikthimin e Esad Pashë Toptanit në drejtimin e shtetit shqiptar”… Anglia, Franca e Italia ishin per coptimin e Shqipnisë.
Qeveria e Durrësit vendosi të dergojë si Kryetar të Delegacionit Shqiptar, në Konferencën e Paqës në Paris Ipeshkvin e Lezhës Imzot Luigj Bumçin, i cili zgjodhi si sekretar të vetin françeskanin e njohun At Gjergj Fishta. Nga Shqipnia e Mesme shkoi Mustafa Kruja. Në delegacionin e ri u caktue edhe Luigj Gurakuqi, Dr. Mihajl Turtulli, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica.
Me datën 6 Mars 1919, Imz. Luigj Bumçi dhe At Gjergj Fishta u nisën në Romë, për me u takue me Papën Benedikti XV, një dashamirës i madh i Popullit Shqiptar.
Mbas takimit me Papen, Imz. Bumçi dhe At Fishta u nisën për Paris. Shkelqimi i dy figurave të Klerit Katolik Shqiptar, kje i paimagjinueshem në Konferencën e Paqës. Imzot Luigj Bumçi ishte një përfaqsues i denjë i Atdhetarizmit dhe i çeshtjes sonë aq të randsishme për kenjen e Kombit Shqiptar. Imz. Bumçi takohet me të gjithë delegatët e të gjitha shteteve, dhe me njohjen e disa gjuhëve të hueja, Ai asht në gjendje me bisedue me të gjithë dhe me u paraqitë atyne se, “Shqiptarët sot janë vertetë pjesë e Europës së qytetnueme”. Takimet dhe kambngulja e Tij për zgjidhje të drejtë të çeshtjes Shqiptare, oratoria dhe prezenca e At Gjergj Fishtës përkrah Tij, janë një model i papersëritshëm!
Imz. Luigj Bumçi porsa filloi detyren protestoi tek Presidenti Amerikan Woodrow Wilson, kundër barbarëve serb per krimet e kryeme në Shqipninë Veriore, Plavë Guci e Gjakovë. I kerkoi hymjen e trupave amerikane në zonën e Rugovës.
Protestoi tek Ministri i Jashtem i Italisë Tittoni për marrveshjen me Kryeministrin grek Venizelos, në lidhje me kalimin e zonave të Korçës e Gjinokastres Greqisë.
Në muejn Tetor 1919, Imz. Bumçi u takue me perfaqsuesin e Francës Pichon, dhe krytarët e delegacioneve të Shteteve të Bashkueme dhe Anglisë, të cilëve u kerkoi që të nderhyjnë për zgjidhjen e çeshtjeve në favor të Shtetit Shqiptar.
Ndersa At Gjergj Fishta, udhtoi per këto çeshtje drejtë Anglisë dhe SH.B.A.
Delegacioni Shqiptar tue vrejtë vështirsitë e mëdha per zgjidhjen e drejtë të atyne problemeve aq delikate, kerkoi nga Imz. Bumçi, në mbledhjen e 22 e 23 Dhjetorit 1919 nderhymjen urgjente të Tij tek Vatikani. Imz. Bumçi, si gjithmonë i gatshem per me zgjidhë çeshtjet kombtare, u pajtue me mendimin e Delegacionit dhe bashkë me Mehdi Frashërin, intelektual i njohun, u nis për Romë, dhe arrijti me 28 Dhjetor në Vatikan.
Takimi i Imz. Bumçit me Papen Benedikti XV u zhvillue me datën 1 Janar 1920, vertetë një takim i shkurtë, po me plot fryt për qellimin për të cilin Ai shkoi tek Papa.
Në kujtimet e Tij historike Imz. Bumçi shkruen: “Tesh prá Shêjtni, të gjith misat e Dergatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica asht mysliman, më kan çue ktu perpara Shejtnis S’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqin t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndimen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqiptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni – Venizelos.”
Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e më tha: “Po shka të baj për Ju? Me Itali s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë marrdhanjet janë këputë – shka të bâj?”
U pergjegja (Imz. Bumçi): “Un kishe me thanë, Shêjtni, se bota s’ka metë vetun në Itali e në Francë; ka në botë edhe Angli e Shtete të Bashkueme t’ Amerikës!”
Papa bâni buzen në gaz, e me i ‘herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra, neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglis, masnesrit me até të Shteteve të Bashkueme; e po t’ ap fjalen se me të dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet qi kenkan në rrezik e kam me ba shka të mundem per me Ju ndimue. Zoti ka m’e e ba mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e aty ku s’ asht Zoti drejtsija s’ mundet me kênê!” Këtu u mbyll biseda.
Imz. Bumçi në fund i la një memorandum me shkrim per kujtesë, dhe bashkë me Mehdi Frashërin ikën në Paris, ku priteshin nga delegatët tanë. Atë natë u takuen me delegatët Shqiptarë, e mbasi Imz. Bumçi i vuni në dijeni per biseden me Papen, të gjithë u ngritën në kambë plot gëzim tue thirrë: “Rrnoftë Papa! Korça e Gjinokastra shpëtuen!”
Me daten 6 Mars 1920, mbas dy muejsh që Imz. Bumçi u takue në Vatikan me Papen Benedikti XV, në Paris mërrijti një notë e Presidentit të Sh.B.A. Wilson, simbas së cilës “integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë e vitit 1913, janë të paprekshëm!” Çeshtja Shqiptare u diskutue aty tue iu referue Programit të Presidentit amerikan W. Wilson: “E Drejta e Kombeve per vetvendosje”, që favorizoi Shqipninë.
Shteti i Parë që ka njoh Shtetin Shqiptar ka kenë Vatikani, i cili me 12 Nandor 1920 emnoi Delegatin Apostolik per Shtetin e Ri Shqiptar, Imz. Ernesto Cozzi, që porsa erdhi në Shqipni, i ngarkuem nga Papa vizitoi gjithë krahinat e Shqipnisë dhe në fund, me daten 28 Janar 1921, Imz. Cozzi mërrijti zyrtarisht në Shqipni.
Papa Benedikti XV shkruen: “Tashti që Populli i Juej fisnik ka mujtë me fitue lirinë dhe ka hy në rrugen e përparimit të vërtetë, asht e arsyeshme që nëpërmjet Perfaqsuesit tonë të ripërtrijmë edhe njëherë e ma të forta ato lidhje që përsa shekuj e bashkuen Shqipninë me Kishën e Shejtë”.
Burrat që shpetuen Shqipninë e sotme nga coptimi i fqinjëve në vitin 1919 – 1920 ishin: Imz. Luigj Bumçi, Papa Benedikti XV dhe Presidenti i Sh.B.A. W. Wilson.
Kjo asht e Verteta historike e kenjes së Shtetit Shqiptar.

Melbourne, Shtator 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: burrat qe shpetuan, Fritz radovani, Shqipnine nga copetimi

Fideli

September 11, 2014 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Një mbrëmje shkurti të vitit 2012, Fidel Ylli do gajaste Kuvendin e Shqipërisë duke kënduar kinezçe. Në fakt qe një miks provincial i një deputeti me sharm, pasi Sali Berisha kishte folur për një bashkëpunim ekonomik me vendin aziatik. Por edhe për futjen e gjuhës kineze në tekstet e shkollës. Performanca ia arriti qëllimit. U shkrinë së qeshuri.
Mirëpo tani, sot, opozita nuk ndodhet në Kuvend që t’i kthejë reston Fidelit. Do të ishte dita më e volitshme . Shqiptarët do të kuptonin kështu hendekun midis të thënës dhe të bërës. Por opozita mungon.
Ky detaj ka edhe një rëndësi tjetër. Hapat e shkurtër të memories civile.
Ndofta një ballafaqim ironish, sulmesh midis opozitës dhe pozitës, nga e shkuara mund të na japi mundësinë ku të shohim si në një ekran të madh, butaforinë, apo fallcitetin politik në kontekst me rrugën reale që duhet ndjekur. Shumë nga ne mendojmë se politikanët tanë e dine, jo se nuk e dine. Ata e bëjnë qëllimisht këtë, pasi kështu ndodh në politikë.
Por, edhe ky përfundim është I gabur.
Gjithsesi…, t’i kthehemi bashkëpunimit me Kinën. Vendi gjigand është bërë sot kantieri i botës. Pavarsisht politikës dhe të drejtave të mungura të njeriut, partia aktuale erdhi në pushtet permes një lufte të përgjakshme civile. E vetmja aleancë politike, nëse mund ta quajmë kështu, që njeh historia moderne kineze, ka ndodhur gjatë luftës së dytë botërore. Kur, Japonia sulmoi Kinën. Më pas, vendi i lodhur iu nështrua diktatit komunist.
Sot Kina, vazhdon kështu. Megjithatë, është tregu më prodhues. Aq sa edhe një nga superfuqitë e botës, Amerika, është debitor tek ajo.
Por ne si Shqipëri jemi në kushte të tjera. Në të njëjtë kohë, jemi njohje e vjetër.
Aq sa edhe unë kam pasur fatin, kur një fëmijë dhjetëvjeçar,të shikoja se si mbushej një pallat me njerëz si kukulla.
Ishte koha e bashkëpunimit të madh. Po ndërtonim ekonominë vendit, bazuar në dy shtylla kryesore. Punën vullnetare dhe punën e detyruar.
Metoda të cilat edhe Kina vet i kishte zbutur.
Megjithatë, shumë vende nga bota bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh, për sa I përket politikës dhe të drejtave të njeriut. Uzurpimit të Tibetit, apo
kurseve abstenuese të Kinës në OKB.
Kështu që nuk bëjmë keq edhe ne. Të paktën të jemi një here pragmatistë.
Sot të takosh e bashkëpunosh me një qytetar kinez, të duket sikur je pranë një roboti. Pak emotive, shumë racional, dhe aspak efuforik. Edhe pse janë kulti i punës.
Do të ishte mire që Kryeministri ynë, të kishte marrë me vete edhe Fidelin.
T’ia dëgjonim sërish zërin, edhe sot.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fideli, Ilir Levonja

“A janë Rruga e Arbërit dhe Autostrada Shqipëri-Maqedoni e njëjta gjë?”

September 11, 2014 by dgreca

Nga Dr Gëzim Alpion/Birmingham, Angli/
Vetëm online, peticioni për ndërtimin e Rrugës së Arbërit tani ka më shumë se 6,500 nënshkrues. Bashkë me nënshkrimet në formularë, ky projekt ka 8,500 përkrahës.
Këto ditë disa media në Tiranë kanë raportuar se gjatë vizitës në Kinë, Kryeministri Edi Rama ka siguruar fondet për ndërtimin e Rrugës së Arbërit.
Po qe se kjo është e vërtet, ky është një lajm shumë i mirë. Megjithatë, theksojmë, “po qe se është e vërtet”.
Eksperienca na ka mësuar gjatë dy dekadave të fundit se disa politikanë dhe media bëjnë deklarata në tym. Nuk themi se ky është rasti edhe tani, por gjatë vizitës në Tiranë në maj të këtij viti, një anëtar i Qeverisë na garantoi se nënshkrimi i marrëveshjes me kinezët ishte iminent. Kjo nuk ndodhi sepse në bisedimet në Tiranë pala shqiptare dhe kineze nuk ranë dakord.
Përpara se ta konsiderojmë Rrugën e Arbërit “të ndërtuar”, siç po bëjnë disa militantë partiak, le të presim të dëgjojmë se çfarë do të thotë z. Rama kur të kthehet në Tiranë.
Nga informacioni që kemi, Rruga e Arbërit, që z. Rama u premtoi dibranëve para zgjedhjeve se do ta ndërtonte brenda mandatit aktual, dhe Autostrada Maqedoni-Shqipëri, për të cilën po flitet publikisht ditët e fundit, mund të mos jenë e njëjta gje. Megjithatë, urojmë që ta kemi gabim.
Po qe se z. Rama do të prononcohet se vërtet arriti të siguroj fondet për Rrugën e Arbërit, ne do te kemi kënaqësinë ta përgëzojmë të parët, pavarësisht se ka më se një vit që po na trajton pa kortezi.
Megjithatë, për ne sigurimi i fondeve nuk do të thotë mbyllje e peticionit. Ne do ta vazhdojmë lobimin po kaq intensivisht në mënyre që fondet të mos përfundojnë në xhepat e zyrtarëve në Tiranë apo të pushtetit lokal, si dhe për t’u siguruar se asnjë devijim nuk do të bëhet nga projekti i aprovuar nga Qeveria në vitin 2005.
Siç kemi premtuar më 18 Mars 2013, peticioni do të qëndroj i hapur deri në inagurimin e Rrugës së Arbërit.
Ju lutem nënshkruani peticionin në linkun që vijon:
https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Alpion, Kryeminsitri rama, Rruga e Arberit

Ende ka vend për reflektim pozitiv të zgjidhjes së ngërçit politik

September 10, 2014 by dgreca

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Sa vjen e afrohet dita kur duhet të mbahet vazhdimi i mbledhjes konstituive të Parlamentit, ndarjet ndërmjet koalicionit të PDK-së dhe LAN-it vetëm sa po thellohen edhe më shumë. Kështu nuk do të duhej të ndodhte, përkundrazi nga vendimi i gjykatës e deri me tash secili është dashur të vënë gishtin në kokë dhe të mendoj mirë e fort se a është më me rëndësi një post udhëheqës apo mirëqenia sociale e popullit, siç kemi dëgjuar aq shpesh ta thonë këtë këta liderë. Por, fatkeqësisht këta udhëheqës partiak në asnjë rast , jo që nuk lëvizin nga pozicionet e tyre të ngurta, dhe nuk i përmbushin premtimet e dhëna për bashkëpunim e marrëveshje për të ndërtuar institucionet e shtetit në afatet ligjore e kushtetuese,por edhe më tej thirrën në të drejtën e tyre për zgjedhjen e Kryeparlamentarit dhe më pas edhe të qeverisë së Kosovës. Kjo nuk shkon kështu dhe nuk ka lidhje as me demokraci e as me parlamentarizëm , i cili pretendohej se po zhvillohej në vendin tonë.
Të mësuar me ndërhyrje ndërkombëtare
Qytetarët janë shumë të dëshpëruar me këtë cirk paszgjedhor dhe tepër të paknaqur me këtë gjendje të krijuar, përkatësisht me këtë krizë politike, e cila erdhi në shprehje, në rend të parë, për shkak të apetiteve të sëmura karrieriste të liderëve politik. Dhe me të drejt ata pyesin se athua di kush ta gjej fijen e lëmshit aq shumë të ngatërruar nga kjo grykësi për pushtet. Prapë përgjigja është e tyre. Përgjigje e drejt e dëshmuar edhe herave të tjera. Thonë: jena mësuar me ndërhy të huajt se sa për neve, siç po shihet, shkon dimri e vjen vera kush që mund të bëj diçka të hajrit kurrë. Është për të ardhur keq. Por kjo është e vërtetë, është edhe një argument i fort se qytetari tashmë e ka humbur besimin në shumicën e këtyre liderëve që nuk dinë tjetër pos të “ lidhin besën” se ose do të zgjedhen në postet e synuara, bile edhe duke shkelur rregulloren dhe Kushtetutën ose nuk bën ndryshe. Aq shumë iu ka dalë “ fala” këtyre lakmitarëve. Por që do se ata po bëjnë sehir se pari me vetë vetën e më pas po u hedhin hi syve elektoratit dhe në përgjithësi popullit kinse për të drejtën e tyre të “ patjetërsueshme ” se për këtë vendosi sovrani. Janë këto dokrra që tashmë nuk po pinë ujë se populli e ka kuptuar se cili është qëllimi i fundit i tyre. Përse faktori ndërkombëtar i instaluar në Kosovë nuk po e bën as edhe një hap të vogël për t’i ulur në një tryezë liderët tanë, kjo nuk po mund të kuptohet, por ndoshta lufta e filluar në Ukrainë, pastaj ballafaqimi me ISIS dhe të shumë problemeve tjera në tërë rruzullin tokësor, Kosova ka mbet në margjina të interesimit sepse tek fundit kjo për ta nuk është diçka që çon peshë aq të madhe. Megjithatë, mendoj se një ndërhyrje qoftë edhe e “ lehtë” do të ishte e mirëseardhur sepse edhe ata janë të bindur se liderët kosovar asesi nuk do të mund të merren vesh për shkak të, sidomos, urrejtjes së skajshme që është e pranishme ndërmjet tyre.
Deputetët nuk mund të bëjnë çka të duan
Në një intervistë për medie të një personaliteti të shquar ndër të tjera lexova të këtë thënë, sigurisht i revoltuar tej mase, se deputetët janë ata që vendosin për ndërtimin e institucioneve shtetërore pa u përzie as Gjykata Kushtetuese apo ndokush tjetër. Për këtë edhe unë pajtohem. Ata përfaqësojnë organin më të lartë legjislativ dhe në të gjitha demokracitë e zhvilluara kështu veprohet. Mirëpo nuk mund të pajtohem me konstatimin se ata mund të bëjnë çka të duan apo më mirë me thënë se duke shkelur rregulloren e bazuar edhe në aktin më të lartë, Kushtetutën, të ndërtohen institucionet e shtetit pavarësisht se a e ka dikush shumicën apo pakicën. Shi për këtë, është e formuar Gjykata Kushtetuese për të vepruar dhe për të mos lejuar të vjen në shprehje anarkia. Pajtohem, po ashtu, me konstatimin se ka shumë të meta edhe në rregulloren e Kuvendit të Kosovës, por edhe në Kushtetutë sa i përket sistemit zgjedhor dhe instalimit të institucioneve pas përfundimit të zgjedhjeve. Megjithatë, për shkak të këtyre të metave, që janë “ fryt” i përbashkët i të gjitha partive politike, rregullorja nuk bën të shkelet, por duhet të respektohet në tërësi. Kështu u shpreh edhe Ambasada amerikane se duhet të përfillet ligji, Kushtetuta dhe vendimi i fundit i Kushtetueses.
Për pushtet nuk duhet të “prishen” me aleatet kryesor të Kosovës
Nga krijimi i bllokut opozitar të inatit nuk kemi dëgjuar diçka të rëndësishme të thonë për vendin liderët e tij, pos që ata nuk heqin dorë për të ardhur në pushtet dhe pikë. Madje për t’i marrë postet e synuara liderët e këtij blloku as që qajnë kokën se mund të prishen marrëdhëniet ndërmjet aleatëve tanë pa ndihmën e të cilëve Kosova nuk do ta kishte fituar lirinë që kemi sot. Kjo u vërejt edhe tekstin e marrëveshjes me VV-në, në bazë të së cilës pos tjerash Albin Kurti do t’i udhëheq bisedimet me Beogradin e jo Kryeministri siç ishte praktikuar deri me tash. Për mua kjo nuk do të ishte aq e rëndësishme se kush dhe si do t’i udhëheq këto bisedime, këtë do të mund ta bëj edhe lideri i VV-së, por më e rëndësishme është se sa kjo marrëveshje do të ndikoj negativisht tek partnerët tanë strategjik, të cilët do të ndihmojnë në ecjen tonë përpara në të gjitha fushat. Gjithë ky “ lëshim” po bëhet vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet duke mos parë më shumë se deri të hundët se sa negativisht do të ndikoj për të ardhmen e Kosovës kjo grykësi aq e madhe për pushtet. Në vend të kësaj rruge të pakrye liderët do të duhej të kishin qasje konstruktive për një bashkëpunim të mirëfilltë me të gjitha subjektet politike, pavarësisht se a mund të lidhet farë koalicioni tjetër apo qeverisje tjetërfare që vendin do ta shpetonte nga zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në politik, së paku haptas, liderët nuk do të duhej që para popullit të shprehin tërë atë mllefin e urrejtjes që kanë ndërmjet vete, të xhelozisë, të inatit. Kjo nuk është e moralshme. Ka ende kohë për të menduar e punuar ndryshe dhe të zgjidhet ky ngërç politik në mënyrë demokratike duke ia dhënë rastin e mundësinë për të shkuar para në ndërtimin e institucioneve të shtetit aq të nevojshme aktualisht. Nëse këta liderë nuk ia arrijnë t’i marrin postet aq shumë të dashura për ta, vendi në asnjë rast nuk duhet të trazohet, kjo do të ishte porosia e popullit.
I ka apo nuk i ka votat PDK?
Partia fituese PDK edhe pse po bën përpjekje për të krijuar institucionet sipas rezultatit të arritur në zgjedhje, këtë nuk po mund ta bëj për shkak të bllokadës nga subjektet tjera politike. Është e natyrshme se secila parti që fiton zgjedhjet nuk dëshiron që në tavolinë të humb marrjen e pushtetit, të cilën gjë po e thotë edhe PDK. Mirëpo, në këtë situatë të krijuar apo më mirë më thënë të kryeneçësisë së liderëve tanë vështirë se do të mund të përfundoj ky cirk në mënyrë të rregullt dhe pa probleme gjatë seancës inauguruese të Parlamentit. Nëse PDK këmbëngul që Kryeparamentari i takon vetëm asaj bazuar edhe në vendimin e Kushtetueses, e në anën tjetër nëse nuk do t’i këtë votat atëherë vendi mund të shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Disa herë u deklaruan përfaqësues të partisë fituese se i kanë numrat për zgjedhjen e Kryekuvendarit, por sa do të jetë kjo reale pritet të shihet me 12 shtator. Mirëpo, nëse sërish blloku opozitar vepron ngjashëm sikur herën e parë atëherë Kushtetuesja prapë do të veproj. Dhe për këtë dikush do të duhej të merret në përgjegjësi. “ Ilaqii” dhe “ terapia” më e përshtatshme do të jetë ndërhyrja ndërkombëtare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ende ka vend, për reflektim pozitiv, politik, së ngërçit, të zgjidhjes, Xhavit Citaku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 716
  • 717
  • 718
  • 719
  • 720
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT