Vëzhgim nga Abdurrahim Ashiku/ Athine/
Të kalosh kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë, veçanërisht në pikun e lëvizjeve, pushimeve verore apo festave të fundvitit, është si të kalosh midis legjendës së “Skilës dhe Karibdës”, midis shkëmbinjve detarë që lëvizin në sigurinë se ato do të tëkapin në një përplasje të dhimbshme.
Në ditën e fundit të gushtit udhëtova me familje nga Tirana në drejtim të Athinës. Autobusi i firmës Top Lines, ishte komod, me hapësirën e nevojshme për të lëvizur lirisht në ndenjëse, me shërbimin e kulturuar të shoferëve, madje edhe me qerasje modeste. Shërbimi ndërqytetës me Greqinë, në sajë të kulturës së re që është krijuar, kërkesave ligjore dhe edhe në saj të konkurrencës së një numri të madh agjencisë në udhëtim, është në rritje.
Në rritje duhet të ishte edhe shërbimi policor dhe doganor në pikat e kalimit kufitar.
Shpesh ankohemi për vonesa në pikat e kalimit kufitar grek ku “prishja e kompjuterëve” është lakimi i të gjitha rasteve. Nuk do të ndalem tek “ata”, por tek “ne”. A është shërbimi policor dhe doganor në pikëkalimet kufitare shqiptare në lartësinë e kohës?
…Më 31 gusht, në orën 22.00, pas pesë orësh udhëtim nga Tirana, autobusi ynë u vu në radhë në sheshin e gjerë të Kakavisë. Përpara nesh ishin gjashtëmbëdhjetë autobusë mbushur plot me pasagjerë, diku me rreth tetëqind pasagjerë: burra, gra, fëmijë, pleq, të sëmurë, invalidë…
Pyes një punonjëse të policisë se me sa sportele punohet. Më thotë me TRE sportele në dalje dhe me DY në hyrje.
Pyes një punonjës të doganës se me sa grupe shërbehet në kontrollin doganorë të bagazheve të pasagjerëve. Më thotë me NJË.
Është bërë mirë që kontrolli dhe vulosja e pasaportave bëhet duke i mbledhur dhe shpërndarë ato në autobus çka bën që të shkurtohet koha e këtij shërbimi, por kjo në rastin tonë “u harrua” çka bëri një vonesë mbi vonesat.
E ndërsa shërbimi policor ecën më shpejt, shërbimi doganor, vetëm me një grup kontrolli, zgjat shumë.
Tri orë qëndrim në pritje të kalimit kufitar nga ana jonë. Më pak se një orë në pritje të kontrollit policor dhe doganor në anën tjetër të kufirit…
Të shtatëqind kilometrat që e ndajnë Tiranën nga Athina i përshkuam për 17 orë !!!
Udhëtimet drejt Shqipërisë dhe kthimi drejt Greqisë është bërë një makth i vërtetë, makth që duke qenë se nuk e përjetojnë pushtetarët tanë, as vihet në kandarit e zbutjes dhe zgjidhjes.
Punonjësja e policisë në Kakavijë më tha se furja e autobusëve, radha e gjatë, nis nga ora tetë e mbrëmjes.
Pse pikërisht në këtë orë? E natyrshme kur oraret e nisjes të të gjitha agjencive në Tiranë dhe në rrethe bëhet në të njëjtën orë, pa një grafik lëvizjeje, pa orare të diferencuara që shmangin radhët e gjata. Nuk e di në se Ministria e Transportit, enti që jep lejet e udhëtimeve e ka në vlerë të vet harmonizimin e orareve të nisjes së autobusëve. Një harmonizim i nisjeve në orare të studiuara do ta zbuste radhën dhe kohë pritjen e kalimit kufitar.
Flitet gjithnjë për shërbim me “tre apo pesë” sportele por nuk flitet në asnjë rast për shërbim doganor me “tre apo pesë grupe”.
Nuk jemi për eliminimin e kontrollit policor dhe as për atë doganor. Këta do të zbuten deri në “lëvizje pa ndalesë” kur Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, por rregulli dhe disiplina në pikëkalimet kufitare duhen vendosur me studim, me moton sa më pak qëndrim e pritje të pasagjerëve, me një shërbim qytetar evropian.
Nga sa përjetojmë në udhëtimet e mallit drejt atdheut, mall që nuk do të shuhet kurrë, ndjesia e legjendës së “Skilës dhe Karibdës”, do të jetë në trupin jetësor të mërgimtarit.
Shpresojmë që dikush nga qeveritarët do të ketë sy për të lexuar dhe veshë për të dëgjuar legjendën e ditës të “Skilës e Karibdës” moderne.
Athinë, shtator 2014