Gjatë tërë manifestimit disa ditor në asnjë moment nuk u përmend Aqif Blyta e as bashkëpunëtorët i tij. Megjithatë, Serbinë e kaplojnë ethet. “Boshnjakët” lojal ndaj Serbisë hedhin vrer kundër liderëve të Sanxhakut. Blyta është njëri ndër politikanët dhe patriotët më të shquar të Sanxhakut të Pazarit të Ri, gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilin OZNA e ekzekutoi në Haxhet më 21 janar 1945 .
Shkruan: Ismet Azizi/
Sanxhaku do të “shpërthej” nëse shteti nuk i kushton vëmendje boshnjakëve dhe nëse nuk ndalet të bëjë pazarllëqe me politikanë nga radha e boshnjakëve, vlerëson Kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq. Ai në lidhje me manifestimin që u bë në shenjë të nderim të viktimave të komunizmit, ka thënë se marshimi i të rinjve me uniforma të gjelbra qon drejt eskalimit të ri të konfliktit në Sanxhak.
Për agjensinë e lajmeve Beta, Janjiq, ka thënë se shëtitja e djeshme, të cilën e kryesoi Myftiu Muamer Zukorliq, është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në rrjedhën e zgjedhjeve për këshilla nacionale të cilat nuk do të mbahen në atmosferë të qetë.
Janjiq shtoi se “kushdo që ka punuar në Sanxhak e di që qytetarët kanë frikë në eskalimin e konflikteve ndërmjet rrymave të ndryshme të boshnjakëve”. Ai ka bërë me dije se brenga tjetër është se Qeveria e Serbisë nuk i njeh problemet e pakicave të cilat realisht ekzistojnë.
“Kjo është shqetësuese, sepse qeveria nuk ka mekanizëm për zgjidhjen e situatave kritike. Qeveria nuk ka ministri për pakica dhe politika të integrimit por ka trashëguar një politikë të pazarllëqeve me politikanë nga radhët e pakicave e cila shkon në dëm të pakicave dhe vet Serbisë “, ka thënë Janjiq.
Sipas tij, nëse vazhdohet në këtë mënyrë, do të rritet numri i uniformave nga ana boshnjake dhe e palës serbe, nëpërmjet organizatave neo-fashiste.
Janjiq vlerësoi se ngjarjet e djeshme në Novi Pazar “paralajmërojnë ekzistencën e asaj që mund të quhet Garda Civile”, sepse uniformat që ishin veshur nga të rinjtë gjatë kësaj shëtitjeje “, krejtësisht janë të njëjtat me ato të milicisë myslimane të Luftës e Dytë Botërore.”
“Kjo ndodhë në momentin kurë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë arrestohen ata që rekrutojnë njerëz për të luftuar në Irak,” tha Janjiq, duke shtuar se ka frikë se kjo situatë do të dalë jashtë kontrollit.
Ndërsa kryeshefi i qeverisë komunale në Pazarin e Ri, Meho Mahmutoviq, shprehet i shqetësuar nga fakti i përafrimit të myftiut Zukorliq dhe liderit te PAD-it, Sulejman Uglanin.
Mahumutoviq, me ironi tha se është interesant të shihen së bashku Zukorliq dhe Uglanin ” të cilët deri para disa ditëve kanë akuzuar njëri tjetrin për problemet e veta”.
” Politikat e tyre janë të njëjta, por retorikën e kanë të ndryshme. Zukorliq dëshiron të jetë lider fetar dhe lider politikkurse Uglanin dëshiron të jetë edhe politikan edhe lider fetar”, vlerëson Mahmutoviq.
Meho Omeroviq , zyrtar i Partisë Socialdemokrate të Serbisë, i cili ska asnjë lidhje me Sanxhakun, as me farë e as me fis, i cili diku nga Bosnja ka shkuar në Beograd të studioj aktrimin, e që nuk i ka shkuar përdore as të pranohet, ka studiuar politikën dhe ka mbet në Beograd. Omeroviq, I cili tashti merret me politikë, dhe kinse i përfaqëson boshnjakët, ka theksuar se “pamjet dhe mesazhet që janë dërguar nga kjo përformancë me regji të Zukorliqit janë shqetësuese për të gjithë qytetarët e Serbisë”.
“Barazimi i viktimave të boshnjakëve të pafajshëm të luftës me kriminelin e luftës Aqif Efendiun, të cilën e bëjnë së bashku Zukorliq dhe Uglanin, është jo vetëm falsifikim i rëndë i historisë por edhe inkurajim për veprimet të cilat ky njeri i ka bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore” – tha ai.
Omeroviq nuk e di ose nuk dëshiron të dijë se në janarin e 1945, atë që nuk arritën ta bëjnë çetnikët e Drazha Mihajloviqit ndaj popullatës së Sanxhakut të Pazarit të Ri, e bëri pushteti “popullor” serbo-komunist.
Në muajt e parë nga marrja e pushtetit u ekzekutuan rreth 2000 persona, shumica e tyre shqiptarë në krye me udhëheqësin politik e ushtarak të Sanxhakut Aqif Blytën. Aqif Blyta ose Aqif Haxhiahmetoviq (1887- 1945) nga populli i Sanxhakut njihet si Aqif-efendia, është personi më i merituar i cili me ndihmën e vëllezërve nga Kosova dhe Peshteri, arritën ta mbrojnë popullatën e kësaj treve nga shfarosja.
Në ndriçimin e figurës dhe personalitetit të Aqif Blytës më i zëshmi është lideri fetar i Sanxhakut, myftiu Muhamer Zukorliq, i cili në manifestimin e mbajtur në sheshin e qytetit të Pazarit të Ri, në prag të muajit të shenjtë Ramazanit në vitin 2012, pjesëmarrëseve iu drejtua me këto fjalë: “Dua të potencoj se Aqif Efendia është hero i yni. Aqif Efendia e ka organizuar mbrojtjen e këtij qyteti nga çetnikët. Sikur mos të ishte bërë ky organizim, atëherë numri i popullsisë boshnjake në këtë qytet do të ishte po aq sa ka Priboji, Plava dhe Novi Varoshi. Këtë të mirë ne atyre nuk do t’ua harrojmë. Nuk do të pranojmë nga askush të bëjnë atë çka e kanë bërë me dekada. Gjithmonë ka ekzistuar tentativa që lëvizjet ekstremiste tek populli serb dhe kroat, siç kanë qenë çetnikët dhe ustashët, që të gjendet dikush në popullin boshnjak që edhe ne të gjendemi në atë peshojë. Ne këtë nuk e kemi traditë. Ndërsa, ajo çka ka ndodhë në Sanxhak dhe në Novi Pazar, edhe pse ekzistojnë disa elemente të kolaboracionit me okupatorin gjerman, të gjithë e dinë, edhe miqtë edhe armiqtë, se nuk ka ekzistuar asnjë element i kolaboracionit ideologjik, përveçse ka qenë në pyetje domosdoshmëria e mbijetesës. Krerët tanë, në krye me Aqif Efendiun dhe të tjerët këtu në Sanxhak, kanë luftuar me të gjitha mjetet e mundshme që këtë popullatë ta shpëtojnë, dhe në këtë kanë pasë sukses. Ne ua bëjmë hallall dhe qoftë e shenjtë kujtimi përta dhe përgjithmonë do t’u jemi falënderues. Ndërsa, ata të cilët kanë hequr dorë nga Aqif Efendiu, ata me ne nuk kanë asgjë të përbashkët. Ata kanë hequr dorë nga feja jonë, kultura jonë, kombi ynë, tradita jonë, dhe unë në këtë natë të shenjtë nuk dua të flasë për ta asgjë”.
Papagalli Ximas dhe harmonia fetare
Opinion nga Nexhat Merxhushi/
Ditët e fundit, në një shkrim në gazetën “Kathimerini”, gazetari grek, Stavros Ximas, shkruan se “Kryepeshkopi i Shqipërisë, Janullatos, ndodhet në zemër të një ‘lufte’ të pistë, të motivuar nga qarqet ekstreme nacionaliste dhe islamike, me ndihmën e shërbimeve sekrete në Shqipëri”. Sipas këtij gazetari, objektivi i sulmeve ndaj Kryepeshkopit është çekuilibrimi i harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, me të cilën Shqipëria mburret në familjen e sotme europiane. Duke kujtuar kohën e keqe të Kishës Ortodokse në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit, Ximas shkruan se Janullatos punoi i vetëm për ringritjen e saj. Ai thekson se në një kohë kur vendi tërheq shqetësimin ndërkombëtar për “eksport” të xhihadistëve, nuk janë rastësore deklaratat e ish-kreut të shërbimit sekret, Fatos Klosi, sipas të cilit, rreziku nuk vjen prej fundamentalistëve islamikë, por nga fundamentalizmi i Anastasit. Duke e lidhur dhe me polemikat për Shën Kozmain, gazetari grek shkruan se Kryepeshkopi këto ditë është cilësuar sërish një djall antishqiptar. Shkrimin në gazetën “Kathimerini”, Stavros Ximas e mbyll me pyetjen se kush ka interes të prishë harmoninë fetare në Shqipëri?
Mision i Zotit apo i grekëve?
Është e qartë se gazeta “Kathimerini” nuk ka hallin e Kishës Ortodokse dhe të prishjes së “harmonisë fetare në Shqipëri”. Grekët ende rreken të na vënë në diskutim lirinë, për të qenë një komb i pavarur nga grekët! Janullatos ka kohë që është kthyer në një mollë sherri mes shqiptarëve dhe grekëve. Por, për opinionin e shëndoshë shqiptar, misioni i tij është i qartë: Ai investohet prej kohësh për greqizimin e Shqipërisë së Jugut dhe për tjetërsimin e territoreve shqiptare, pra është kundër integritetit territorial të vendit tonë. A thua të jetë ky mision i Zotit, apo i grekëve? Na kujtohet fare qartë se me gjuhën që flet sot gazeta “Kathimerini”, ka folur Anastas Janullatos në Përmet, kur diskutohej çështja e pronësisë së Pallatit të Kulturës, ku u shpreh: “Këta duan të cenojnë bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Sulmet kundër Kishës Ortodokse minojnë bashkëjetesën harmonike midis feve”.
Pra, grekët nxjerrin herë pas here ndonjë papagall si gazetari Ximas, ia shkruajnë ato që do të thotë dhe ky rreket të na mbushë mendjen se në Shqipëri ka plasur përçarja fetare, ndërkohë që shqiptarët kanë qenë e janë shembull i harmonisë dhe tolerancës ndërfetare, dhe mund t’i japin leksione Greqisë për respektimin e pakicave etnike e fetare. “Madhështia e kombit tonë është pikërisht kjo, që ne i respektojmë minoritetet dhe pakicat etniko-fetare, edhe pse mbi ne kanë ushtruar gjenocide kombet e tjerë, që ne luftojmë me forcën e shembullit të mirë, dhe jo ‘sy më sy e dhëmb për dhëmbë’”. “Shqipëria nuk bën me minoritetin grek, ashtu siç bën Greqia me minoritetin shqiptar të Çamërisë” – u shpreh kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, më 20 korrik 2014 në Parlament, në përgjigjen për shqytarët e Janullatos; Dule e Bollano, kur diskutohej projektligji për reformën territoriale.
Pavarësisht lehjeve dhe skërmitjeve, greko-shovinizmi me planet e tij, kurrë më shumë se sot nuk gjendet i demaskuar dhe i zbuluar, prandaj ka kaluar në një kundërsulm të dëshpëruar, duke kërkuar mbështetjen edhe të gazetave ultranacionaliste dhe antishqiptare si “Kathimerini”.
Gazeta qeveritare “Kathimerini”, edhe në kohën kur diskutohej Rezoluta për Çamërinë, lëshoi helm nga goja, duke u shprehur: “Çuditemi se si Greqia akuzohet për gjenocid. Erërat e nacionalizmit që kanë mbytur Ballkanin Perëndimor, forcojnë në Shqipëri idenë e Shqipërisë Etnike. Miratimi nga Kuvendi i kësaj rezolute me atë përmbajtje, ose të ngjashme, do të çonte në skaj marrëdhëniet me Athinën, e cila insiston se çështja çame, nuk ekziston”.
Qëllimi i këtij reagimi është të sqarojmë dhe ndërgjegjësojmë bashkëkombësit tanë shqiptarë, ende të pasqarur mirë, duke demaskuar planet dhe politikat që kanë hartuar për të realizuar synimet asimiluese-pushtuese që kanë pasur dhe kanë ndaj kombit shqiptar e Shqipërisë njerëz si Anastas Janullatos, të veshur me petkun fetar.
Grekomani apo kleptomani?
Mund të konsiderohet nacionalizëm e islamizëm pse duam të flitet shqip në kishat tona? Mund të flitet për ekstremizëm islamik kur komuniteti mysliman në Shqipëri nuk ka reaguar në asnjë rast të vetëm kundër Janullatosit, kur ai ka provokuar rëndë këtë komunitet, duke zhvarrosur eshtra myslimanësh, apo kur pjesëtarëve të këtij komuniteti u ka ndërruar fenë në mënyrën më djallëzore e cinike, duke shfrytëzuar varfërinë dhe mjerimin e tyre?! – “Grekomanija, është një sëmundje e rezikçime që shëmbëllen me gangrenën, të cilënë, po s’more masa të repta që në krye, je i dënuar për vdekje!”, thotë Mihal Gremeno në një nga shkrimet e tij. Mos muhamedanët u trazuan në punërat e kishës e të shkollavet të orthodhoksëvet? Përse atëherë, kur kishin e kanë qëllim të mirë, e ndaluanë lëçitjen e ungjillit edhe të tjerave që thuheshin shqip? E mallëkonin me katran gjith’ ata që kuxonin të thonë që janë shqipëtarë? Ç’ishin gjith’ ato amenda (geza) që u epnin fëmijës për çdo fjalë që thoshnin shqip? (Shih: M.G. (Mihal Grameno), Gazeta “Korça”, Korçë, nr. 11, 8 maj 1909). E njëjta gjendje ekziston dhe sot, më pas më shumë se një shekulli.
Shovinizmi në Greqi – fè kombëtare
Me të drejtë pyesim: nga buroi kjo ofensivë provokuese e “Kathimerinit”, dhe kush e ka sponsorizuar atë? Përgjigjja është më se e qartë: Shovinizmi në Greqi është shpallur prej kohësh fè kombëtare.
“Terxhumani Shark” (Lajmëtari i lindjes), redaktor i së cilës ishte S.Frashëri, viti I, më 31 korrik 1878, në faqen 2-3 thotë: “Greqia bën ç’është e mundur të pengojë lidhjen midis muslimanëve dhe të krishterëve orthodoksë. Ajo gjithmonë ka patur dhe ka synime territoriale ndaj vendit tonë. E zëmë se grekët janë një popull që ka vlera të mëdha sa edhe popujt e vjetër. Mirë po e pranoimë, por, a ka vallë një popull me vlerë që të robërojë popujt fqinj? Pyesim “Neollogosin” (gazetë greke e asaj kohe) a është burrëri apo tradhti të nxitësh popullin tënd të rrembejë pjesë nga atdheu i tjetrit? Le të na tregojë një njeri në histori që të ketë bërë një gjë të tillë dhe të jetë lëvduar nga brezat e ardhshëm e të mos jetë kujtuar emri i tij me mallkim. Gjaku dhe kombësia janë të shenjta për çdo njeri”.
Edhe kleri grek nuk mbeti pas. Në vitin 1913, e pushtoi krejtësisht Shqipërinë e Jugut me kisha dhe shkolla, duke thënë: “Kështu ka thënë Zoti Krisht: çdo ortodoks është grek, muslimanët janë turq. Në këtë vend do të banojnë vetëm grekët”. Qeveria greke i quante shqiptarët myslimanë turq, kategori osmane. Shqiptarët myslimanë përbënin shumicën e Shqipërisë së Jugut. Ata duhej, ose t’i nënshtroheshin masakrave greke, ose të braktisnin përgjithmonë atdheun e tyre.
Në të gjitha viset e pushtuara nga ushtria greke në vitin 1913, u vunë tabela greqisht dhe frëngjisht: “Bashkim me Greqinë ose vdekje”. Më 16 shtator të vitit 1913, u dha urdhri që të gjithë fshatarët e qytetarët ortodoksë të qyteteve dhe të fshatrave të Gjirokastrës, të Delvinës, të Tepelenës, të Leskovikut e të Përmetit, të vinin përpara shesheve të metropolive dhe të kishave. Në çdo shesh të këtyre qyteteve qe vendosur një tryezë e mbuluar me flamurin e Greqisë. Në tryezë gjendej Ungjilli i Shenjtë. Priftërinjtë, të veshur me petka të shenjta, kishin zënë vend pranë tryezave. Mësuesit e shkollave greke dhe nxënësit e tyre mbanin në duar nga një flamur grek. Këta mësues kishin sjellë edhe çupat e shkollave greke. Ato kishin veshur nga një bluzë të kaltër, që kishte në mes të gjoksit një çapar, ku gjendeshin të shkruara me shkronja të arta këto fjalë: “Bashkim me Greqinë, ose vdekje”. Pranë tryezave të këtyre shesheve qëndronin klerikët dhe qeveritarët grekë…
Kambanave të tilla u bien edhe sot klerikët shovinistë grekë. Për vendin tonë, shovinizmi grek është një kërcënim i vijueshëm dhe i pabesë. Nacionalshovinizmi grek është vrasës i demokracisë. Ai është shovinizëm me jehona kambanash kishe.
Shën Kozmai, shenjt apo djall?
Sa për polemikat për Shën Kozmain, i cili mbahet nga grekët si “apostull i helenizmit” dhe që Janullatos e ka aq për zemër dhe autorët grekë e përmendin shpesh, mund të citojmë thirrjen e tij të “famshme”, për ta krijuar vetë idenë për këtë murg famëkeq: “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht, për arsye se Kisha jonë është greke! – sokëllinte Shën Kozmai. “Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t’i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t’i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do t’a gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra”. (Predikimi i shtatë, drejtuar shqiptarëve të Epirit).
Me këtë teori, Shën Kozmai donte të çrrënjoste gjuhën shqipe nga shqiptarët. Propaganda e Shën Kozmait hapte rrugën për greqizmin e Jugut të Shqipërisë. Sot, misionin e Shën Kozmait, e vazhdon me devotshmëri Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Janullatosi dhe pasuesit e tij përdorën “armën e intrigës së famshme greke”, siç thotë Konica. U arrit deri aty sa u hodh në erë natën “Shtëpia e Kulturës dhe e Flamurit” në Korçë, e Themistokli Gërmenjit, e cila gjet gurë mbi gurë në mëngjesin e 11 gushtit 2012.
Më 2 gusht 1992, eksarku u shpall kryepeshkop i KOASH-it, dhe mori miratimin e shtetit shqiptar. Video e fronëzimit të tij, vazhdon të qarkullojë në internet, ku shquhet dhe një flamur grek gjatë asaj ceremonie. Qartazi dëgjohen në kor zërat e ortodoksëve patriotë, që thërrasin emrat e martirëve ortodoksë shqiptarë, si Papa Kristo Negovani dhe Petro Nini Luarasi, të masakruar nga Kisha Greke, dhe “besnikët” që brohorasin për Janullatosin. Më pas, dëgjohen dhe këngë patriotike “Për Mëmëdhenë!”… Kjo është fshehur deri tani nga përkrahësit e Janullatosit dhe nuk është komentuar as nga fanatikët e tij.
Drejtuesit e shtetit shqiptar, e nënvleftësuan, ose e harruan të djeshmen e marrëdhënieve të Kishës Ortodokse greke me Kishën Ortodokse Shqiptare. Kisha Ortodokse Shqiptare, në fakt, e shpalli “autoqefalinë” në luftë me Kishën Greke! Madje u krijua për t’i prerë duart vrastare Kishës Greke. Kjo është ironia, që në krye të Autoqefalisë, të risjellin pikërisht një grek!
Tani mësoni se si e përhap rrënjosjen e greqizimit në Shqipëri, Janullatosi. Prof. dr. Flori Bruqi shkruan: “… Ngriti K.A.SH. me 400 famulli, themeloi Akademinë Theollogjike ‘Ngjallja e Krishtit’ në Durrës 1992 dhe dy lice kishtarë, shkolloi dhe dorëzoi 150 klerikë. Themeloi 50 qendra rinore në qytete të ndryshme. Bëri të mundur ndërtimin e 145 kishave të reja. (të stilit grek shën. im), u riparuan 160 kisha ekzistuese, si dhe 70 qendra kishtare të tjera. (Po të stilit grek shën im.), ndërtesa, mitropolite, shkolla, qendra mjekësore, shtëpi pritje, kampe rinore etj. Themeloi kolegjin “AKSARIO” në Sauk (shën. im) ku ndërtoi 425 ndërtesa. Themeloi qendra mjekësore diagnostike me 24 specialitete, dy institute të formimit profesional. Themeloi një gazetë të përmuajshme dhe tri revista, një stacion radiofonik. Themeloi katër qendra mjekësore, dy institute të formimit profesional, një lice profesional, dy shkolla fillore, shkolla për vajza dhe konvikte, 17 kopshte fëmijësh etj…”. Të gjitha këto janë arteria ku Janullatosi mundohet të përhapë helenizimin nëpërmjet gjuhës greke, nën hundën e qeverisë shqiptare dhe të Akademisë së Shkencave.
Atij nuk i ka interesuar ndonjëherë harmonia fetare në Shqipëri, përkundrazi. Para pak kohësh, Janullatosi ka deklaruar në gazetën greke “Kathimerini”: “Nuk e kuptoj idenë e shqiptarëve, se feja e shqiptarit është Shqiptaria. Këtë tezë do t’a luftojmë, duke dalë hapur kundër Rilindjes Kombëtare Shqiptare”.
Ndërsa historiani grek, Nikolas Stavros, ka thënë: “Futja në dorë e Kishës Shqiptare, është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX”. Kjo deklaratë e historianit grek, tingëllon tepër poshtëruese për nderin dhe për dinjitetin e Republikës së Shqipërisë.
Mendoni ç’do të ndodhte po të ishin gjallë Imzot Noli, Kristo Kirka, Kristo Dako, Kristo Floqi, Kolë Tromara, Kolë Rodhja, i pavdekshmi Petro Nini Luarasi, shpirti i të cilit ende thërret: “Vramëni, po mblidhmani gjakun se do t’u duhet fëmijëve të shkruajnë gjuhën shqipe”!- po të rronte Papa Kristo Negovani, Papa Stathi Melani dhe Papa Llambri Ballamaçi, po të ishin të gjithë martirët e helmuar nga Kisha Greke (Lum martirët, na mëson Ungjilli)….
Fortlumturia e tij erdhi si eksark për riorganizimin e Kishës Ortodokse, jo për të qëndruar përjetësisht në fronin e Kryepeshkopit, ndërkohë që Statuti i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, e kërkon të parin e Kishës me nënshtetësi, gjuhë e kombësi shqiptare. Kishat e ndërtuara nën drejtimin e Kryepeshkopit, u bënë krejtësisht me stilin e kishave greke, Janullatos dëshmoi hapur pozicionin e tij antishqiptar kur kundërshtoi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, apo mospërkrahjen e popullsisë çame dhe refuzimin e Lutjes për viktimat, të organizuar nga Shoqata Çamëria e PDIU në përvjetorin e gjenocidit grek; pasi ai nuk njeh gjenocidin grek mbi Çamërinë. Priftërinj grekë, me parullën “çdo ortodoks është grek”, në emër të luftës kundër osmanëve, vranë, prenë e dogjën fshatra me popullsi shqiptare myslimane. Këta priftërinj, grekët i quajtën “strategë”, “huniadë” dhe i bënë heronj! Njëri prej tyre, ishte Dionis Filozofi, për të cilin Janullatos ka shprehur adhurim.
Anastas Janullatos, ky uzurpator i mbështetur nga klane shoviniste dhe antishqiptare, është duke bërë planet e tij për pasardhësin po grek në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare, pasi ndërroi statutin e Fan Nolit, të dekretuar nga Mbreti Zog, statut që përcakton qartë se Kryepeshkopi, peshkopët, priftërinjtë etj., janë prej gjaku, gjuhe dhe kombësie shqiptare, statut i njohur nga Patriarkana e Stambollit, si i përjetshëm.(Kortezi: Gazeta Shqip)
ULERIMA UJQESH APO TINGUJ TRUMPETASH
Ne Foto: Karikatura ilustruse eshte marre nga arkivi i Gazetes Dielli/
Në Takimin e NATO-s të zhvilluar ditët e fundit ne Wells u diskutuan dhe u morrën vendime të drejta ndaj luftrave në Ukrainë dhe aqe më tepër ndaj luftërave të ekstremistëve Islamikë. Si antarë me të drejta të barabarta aty u përfaqësua si Shqipëria ashtu edhe Greqia. Dhe me thënë të drejtën, unë prisja që më së fundi, si të tillë, të Deklarohej atje nga ana e Greqisë çfuqëzimi I të ashtuquajtur ligjit të luftës midis dy shteteve që nga viti 1940.
Por, si duket “llogjika greke”, nuk përputhet me faktin se Shqipëria me Greqinë, se jo vetëm nuk janë vende mike(bile simbas politikanëve të Tiranës, ata janë në “miqësi strategjike”??!), por fatëkeqësisht simbas grekëve, vazhdojmë të jemi ne gjendje lufte??!
Ky qëndrim grek u shpallos qartë në takimin e dy kryetarëve të qeverive.
Samarasi, pa harruar ulërimat e ushtarve (gjasme të NATO-s),shoviniste grekë, I kërkoi Ramës “të uli zërin e trumpetave nacionaliste”??!
Se ky Samarasi, bashkë me shoqëruesin e tij,Benizellosin, nuk ma ha mendja se nuk e kuptojnë ULERIMEN E UJQERVE, ata në gjuhen e tyre ulërijnë duke treguar zorrët e barqeve të tyre :”me zorrët e Shqiptarëve do thurim çorape për grekët e pocaqisur”??!
Dhe në rast se do kishin ndopak respekt për Kryeminstrin e Shqipërisë, z.Rama, atëhere , së pari do ti këkonin falje për ulërimat e ushtarve ujq grekë, dhe vetëm pastaj mund të fillonin urdhër porositë për ndarjen territoriale, “marëveshtjen” e detit , respektimin e te drejtave te minoriteteve në të dy vendet.
Ndërsa për tingujt e trumpetave shqiptare, të shprehura nga Samarasi, Benizellosi dhe kushdo tjetër në Greqi, duhet ta kuptojnë dhe ta mbajnë mend mire se ZERAT PER ZGJIDHJEN ME DREJTESI te PROBLEMIT TE ÇAMERISE SHQIPTARE, nuk janë të nacionalistave.Ato janë KERKESA DEMOKRATIKE të bazuara ne LEGJISLACIONIN NDERKOMBETAR PER MBROJTJEN E TE DREJTAVE TE NJERIUT.
Prandaj ju pronarë të ujqëve ulurites, mbasi ta kuptoni mire kete PROBLEM MBAREKOMBETAR SHQIPTAR , çvlerësoni Ligjin e Luftes, Denoni GENOCIDIN GREK duke njohur te DREJTAT e MINORITETIT SHQIPTAR TE ÇAMERISE.
Pastaj mund te fillohet per te ngritur URA MIQESIE midis dy vendeve
S.Bollati. New York ,5 Shtator 2014
HARADINAJ; ÇERTIFIKATE EVROPIANE PËR KOSOVËN…
Shkruan: Dëfrim CANI/Publicist,Studiues/ Tiranë/
Demokracinë si praktikë shtetërore, si qeverisje dhe si “rend” social e çertifikojnë rregulla të njohura, prej të cilëve përfitojnë individët, shoqëria, institucionet dhe bashkëpunimi gjithënivelësh. Në rendet totalitare, kjo praktikë ka qenë dhe është e pamundur, jo vetëm për shkakun e burimit doctrinarë ideologjik, mbi të cilin është ngritur shteti totalitarë, por dhe si praktikë e polarizimit të thellë të shoqërisë dhe parimit të luftës së klasave.
Në historinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përbën qëndrimin unikal të pranimit të rregullit demokratik, të parë brenda shoqërisë shqiptare dhe në raportin bashkëpunues me shoqërinë ndërkombëtare. Pas një akuze të njëanëshme dhe folklorike, të ngritur posaçërisht kundër tij dhe një rrethi të ngushtë bashkëpunëtorësh, pikërisht në momentin kyç të shtetit të ri të Kosovës dhe të karrierës së tij si kryeministër, Ramush Haradinaj i dha jetë dhe ambicie qytetare dimensionit demokratik, jo vetëm në Kosovë, por në Ballkan.
Përmes “dorzimit“ në Hagë, jo vetëm një herë, por dy herë, d.m.th, sa herë e deshi Haga, Ramush Haradinaj i bëri nderin më kapital Kosovës, në rrethanat më fondamentale që asaj i duhej, i bëri nder modelit të liderit politik dhe burrështetit, që drejton një vend të caktuar të sapodalë nga lufta, i bëri nder dhe çliroi nga kompleksi i forcës dhe paprekshmërisë nga drejtësia, duke e qytetëruar atë në kuptimin e të drejtës, njeriun me pushtetin që ai kishte atë rast, i bëri nder emrit shqiptar në hierarkinë e posedimit të vërtetës përballë drejtësisë.
Haradinaj nuk kapërceu vetëm vetveten, nuk kapërceu vetëm kultin e burrit trim dhe tradicional shqiptar, nuk kapërceu vetëm kutin e politikanit, por kapërceu realitetin tradicional ballkaniko- evropian. Duke besuar tek e drejta, Ai i çeli rrugë praktikës teorike – demokratike, se drejtësia është mbi të gjithë njerëzit, të çdo niveli qofshin ata.
Haradinaj e kapërceu emrin që ia ka thirrë nana dhe baba (Ramush) në djep, në fëmijëri dhe më vonë. Tashma ai thirret Haradinaj, thirret në mbiemër, me çfarë thirren njerëzit e shquar. E në emrin e tij të “ri”,- Haradinaj, simbolika e tij valorizuese, të njofton Kosovën, Shqipërinë, shqiptarët dhe konceptin e tyre burrërorë, të kujton “mitin” e lirisë.
Për shërbimin kapital, që Haradinaj i ka bërë kohës shqiptare, rrugëtimit të gjatë shqiptarë në Botë, Kosovës dhe shqiptarëve, vetëm sa ka filluar:
-Ai rrëzoi mitin e mykur sllavo- serb, se shqiptarët nuk e njohin drejtësinë dhe se nuk i binden asaj,
-Ai rrëzoi akuzën e vjetër dhe të re të kundërshtarëve të shqiptarëve, se shqiptarët nuk janë bashkëpunues dhe se ata nuk njohin organizmat ndërkombëtarë,
-Ai përplotësoi ndërkombëtarisht të drejtën dhe luftën e UÇK-së për çështjen më jetikë të Kosovës, çështjen e çlirimit nga një pushtues, dhunues e barbarizues të njërit nga popujt më autokton të Ballkanit.
Haradinaj la detyrën e rëndësishme në Kosovë dhe iu bind thirrjes së Hagës. Askush qytetarë në botë nuk do ta rrespektonte me kaq qytetari dhe urtësi thirrjen për t’u gjykuar (në të vërtetë ai u thirr për t’u dënuar), por ai besoi dhe ylli i Kosovës shkëlqeu në përmasën ndërkombëtare, kur atë kërkuan ta groposnin.
Haradinaj la në kurthin e vet kundërshtarët historik të shqiptarëve, paragjykuesit ballkaniko- evropian, akuzë-ngritësit e tij për “krime lufte”, po ashtu dhe kundërshtarët e tij politik në Kosovë apo dhe Shqipëri.
Haradinaj është produkti më genetik i genit më të mirë tradicional dhe bashkëkohorë i shqiptarit, i cili në udhëtimin e tij historik s’ka harruar vatanin, lirinë dhe të drejtën. Rendi i Ri Demokratik në Botë është rendi i të drejtës dhe qytetarisë së saj.
Kush burrështeti në botë nuk do të ndjehej i suprizuar dhe nuk do ta mbështeste burrështetasin Haradinaj, i cili e ka dhënë provën e tij në të gjithë përmasën dhe nivelin e saj.
Sot, është mirë që Kosova e ka këtë Çertifikatë të Artë Europiane, në njërin nga liderët e saj si Haradinaj, ndër më aktivët dhe më të nevojshmit për Kosovën.
Tiranë, 5 shtator 2014
PDK-ja pashmangshëm në opozitë!
Opinion nga Faik KRASNIQI/ Prishtine/
PDK-ja duke e parë që i janë shterrur të gjitha mundësitë për të mbetur në pushtet dhe pashmangshëm do të shkojnë në opozitë, kohët e fundit po lëshojnë propaganda nga më të ndryshme dhe nga ato më të ulëta. Herë dalin dhe thonë se i kanë votat e 61 deputetëve për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë. Të nesërmen dalin me një propagandë tjetër, se gjoja janë në bisedime me LDK-në- dhe së shpejti do të krijohet Qeveria me dy partitë më të mëdha PDK-LDK.
PDK-ja po ka frikë të shkoj në opozitë, për shkak të llogaridhënies!
Një fjalë e urtë popullore thotë: ”Kur derri plagoset rëndë, bëhet shumë i rrezikshëm”.
Kërcënimet e Thaçit janë përpëlitjet e fundit të një regjimi që për dy mandate shkatërroi dhe vodhi çdo gjë, dhe me këto kërcënime absurde se gjoja koalicioni po e përmbys vullnetin e qytetarëve, s’është asgjë tjetër veçse tregues i qartë se Hashim Thaçi është dorëzuar dhe përgatitur që tashmë do shkojë në opozitë. Nuk po e kuptoj z. Thaçi se kush po e përmbysë vullnetin e qytetarëve, koalicioni i PDK-së apo koalicioni LDK-AAK-NISMA? Vullneti i qytetarëve përmbyset nga një koalicion i pakicës që në zgjedhje ka fituar vetëm 30 përqind të votave, e jo nga shumica që kanë fituar 70 për qind të votave, ose përkthyer në deputetë, 83 me 37 në favor të koalicionit të shumicës- LDK-AAK-NISMA-VV dhe minoritetet. PDK-ja dhe Hashim Thaçi janë ata që me këmbëngulësinë e tyre, dhe me ndihmën e filialit të tyre ”juridik” Gjykatës Kushtetuese, po tentojnë që me çdo kusht të mbesin në pushtet, edhe pse nuk i kanë numrat për një gjë të tillë, kështu që PDK-ja është ajo që po tenton ta përmbys vullnetin e qytetarëve.
Për mos ta përmbysur vullnetin e qytetarëve, z. Thaçi dhe koalicioni i PDK-së janë të detyruar që të bëjnë marrëveshje me koalicionin LDK-AAK-NISMA, pasi ky koalicion kanë shumicën në Kuvend, dhe që në herën e parë ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët, për ta bërë kështu Kuvendin funksional dhe të hapet rruga për krijimin të Qeverisë. Dhe pasi të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, në bazë të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga është e obliguar ta thërras koalicionin që ka shumicën në Kuvend, e që është koalicioni LDK-AAK-NISMA, ta mandatoj për krijimin e Qeverisë. PDK-ja pasi në çdo variant ka humbur, le të bëhen burra- të lëshojnë pe dhe që në herën e parë t’i japin mundësinë koalicionit LDK-AAK-NISMA që kanë shumicën, ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe ta krijojnë Qeverinë. Me këmbëngulësinë e tyre që me çdo kusht të ngelin në pushtet, vetëm po e dëmtojnë shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Por gjithë ky insistim i PDK-së që me çdo kusht të ngelin në pushtet, po bëhet për shkak të frikës pasi kanë bërë një qind mijë të zeza dhe do të japin llogari për të gjitha krimet e rënda politike dhe ekonomike. Kjo është arsyeja pse PDK-ja po ka frikë të shkojë në opozitë, edhe pse nuk i ka numrat as për zgjedhjen e kryetarit dhe as krijimin e Qeverisë, po e bën panevojë gjithë këtë rrëmujë duke bllokuar krijimin e institucioneve të Kosovës. Por një gjë duhet ta kuptojnë, se PDK-ja edhe po të ishte pjesë e pushtetit, nuk do të mund të shpëtojnë nga dënimi i Gjykatës Speciale për krime të rënda politike dhe ekonomike, që i kanë shkaktuar Kosovës para dhe pas luftës.
Në opozitë PDK-ja do të përfitonte më shumë, sepse me arrestimin e kriminelëve dhe gangsterëve që e kanë për fyti këtë parti dhe gjithë shtetin, partia do të pastrohej nga ky soj i profiterëve të para dhe pasluftës, që ia kanë zbehur të ardhmen këtij vendi dhe s’po e lënë të ec përpara.
- « Previous Page
- 1
- …
- 718
- 719
- 720
- 721
- 722
- …
- 865
- Next Page »