Nga Ilir Levonja/
Një mbrëmje shkurti të vitit 2012, Fidel Ylli do gajaste Kuvendin e Shqipërisë duke kënduar kinezçe. Në fakt qe një miks provincial i një deputeti me sharm, pasi Sali Berisha kishte folur për një bashkëpunim ekonomik me vendin aziatik. Por edhe për futjen e gjuhës kineze në tekstet e shkollës. Performanca ia arriti qëllimit. U shkrinë së qeshuri.
Mirëpo tani, sot, opozita nuk ndodhet në Kuvend që t’i kthejë reston Fidelit. Do të ishte dita më e volitshme . Shqiptarët do të kuptonin kështu hendekun midis të thënës dhe të bërës. Por opozita mungon.
Ky detaj ka edhe një rëndësi tjetër. Hapat e shkurtër të memories civile.
Ndofta një ballafaqim ironish, sulmesh midis opozitës dhe pozitës, nga e shkuara mund të na japi mundësinë ku të shohim si në një ekran të madh, butaforinë, apo fallcitetin politik në kontekst me rrugën reale që duhet ndjekur. Shumë nga ne mendojmë se politikanët tanë e dine, jo se nuk e dine. Ata e bëjnë qëllimisht këtë, pasi kështu ndodh në politikë.
Por, edhe ky përfundim është I gabur.
Gjithsesi…, t’i kthehemi bashkëpunimit me Kinën. Vendi gjigand është bërë sot kantieri i botës. Pavarsisht politikës dhe të drejtave të mungura të njeriut, partia aktuale erdhi në pushtet permes një lufte të përgjakshme civile. E vetmja aleancë politike, nëse mund ta quajmë kështu, që njeh historia moderne kineze, ka ndodhur gjatë luftës së dytë botërore. Kur, Japonia sulmoi Kinën. Më pas, vendi i lodhur iu nështrua diktatit komunist.
Sot Kina, vazhdon kështu. Megjithatë, është tregu më prodhues. Aq sa edhe një nga superfuqitë e botës, Amerika, është debitor tek ajo.
Por ne si Shqipëri jemi në kushte të tjera. Në të njëjtë kohë, jemi njohje e vjetër.
Aq sa edhe unë kam pasur fatin, kur një fëmijë dhjetëvjeçar,të shikoja se si mbushej një pallat me njerëz si kukulla.
Ishte koha e bashkëpunimit të madh. Po ndërtonim ekonominë vendit, bazuar në dy shtylla kryesore. Punën vullnetare dhe punën e detyruar.
Metoda të cilat edhe Kina vet i kishte zbutur.
Megjithatë, shumë vende nga bota bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh, për sa I përket politikës dhe të drejtave të njeriut. Uzurpimit të Tibetit, apo
kurseve abstenuese të Kinës në OKB.
Kështu që nuk bëjmë keq edhe ne. Të paktën të jemi një here pragmatistë.
Sot të takosh e bashkëpunosh me një qytetar kinez, të duket sikur je pranë një roboti. Pak emotive, shumë racional, dhe aspak efuforik. Edhe pse janë kulti i punës.
Do të ishte mire që Kryeministri ynë, të kishte marrë me vete edhe Fidelin.
T’ia dëgjonim sërish zërin, edhe sot.
“A janë Rruga e Arbërit dhe Autostrada Shqipëri-Maqedoni e njëjta gjë?”
Nga Dr Gëzim Alpion/Birmingham, Angli/
Vetëm online, peticioni për ndërtimin e Rrugës së Arbërit tani ka më shumë se 6,500 nënshkrues. Bashkë me nënshkrimet në formularë, ky projekt ka 8,500 përkrahës.
Këto ditë disa media në Tiranë kanë raportuar se gjatë vizitës në Kinë, Kryeministri Edi Rama ka siguruar fondet për ndërtimin e Rrugës së Arbërit.
Po qe se kjo është e vërtet, ky është një lajm shumë i mirë. Megjithatë, theksojmë, “po qe se është e vërtet”.
Eksperienca na ka mësuar gjatë dy dekadave të fundit se disa politikanë dhe media bëjnë deklarata në tym. Nuk themi se ky është rasti edhe tani, por gjatë vizitës në Tiranë në maj të këtij viti, një anëtar i Qeverisë na garantoi se nënshkrimi i marrëveshjes me kinezët ishte iminent. Kjo nuk ndodhi sepse në bisedimet në Tiranë pala shqiptare dhe kineze nuk ranë dakord.
Përpara se ta konsiderojmë Rrugën e Arbërit “të ndërtuar”, siç po bëjnë disa militantë partiak, le të presim të dëgjojmë se çfarë do të thotë z. Rama kur të kthehet në Tiranë.
Nga informacioni që kemi, Rruga e Arbërit, që z. Rama u premtoi dibranëve para zgjedhjeve se do ta ndërtonte brenda mandatit aktual, dhe Autostrada Maqedoni-Shqipëri, për të cilën po flitet publikisht ditët e fundit, mund të mos jenë e njëjta gje. Megjithatë, urojmë që ta kemi gabim.
Po qe se z. Rama do të prononcohet se vërtet arriti të siguroj fondet për Rrugën e Arbërit, ne do te kemi kënaqësinë ta përgëzojmë të parët, pavarësisht se ka më se një vit që po na trajton pa kortezi.
Megjithatë, për ne sigurimi i fondeve nuk do të thotë mbyllje e peticionit. Ne do ta vazhdojmë lobimin po kaq intensivisht në mënyre që fondet të mos përfundojnë në xhepat e zyrtarëve në Tiranë apo të pushtetit lokal, si dhe për t’u siguruar se asnjë devijim nuk do të bëhet nga projekti i aprovuar nga Qeveria në vitin 2005.
Siç kemi premtuar më 18 Mars 2013, peticioni do të qëndroj i hapur deri në inagurimin e Rrugës së Arbërit.
Ju lutem nënshkruani peticionin në linkun që vijon:
https://www.change.org/p/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit
Ende ka vend për reflektim pozitiv të zgjidhjes së ngërçit politik
Shkruan: XHAVIT ÇITAKU/
Sa vjen e afrohet dita kur duhet të mbahet vazhdimi i mbledhjes konstituive të Parlamentit, ndarjet ndërmjet koalicionit të PDK-së dhe LAN-it vetëm sa po thellohen edhe më shumë. Kështu nuk do të duhej të ndodhte, përkundrazi nga vendimi i gjykatës e deri me tash secili është dashur të vënë gishtin në kokë dhe të mendoj mirë e fort se a është më me rëndësi një post udhëheqës apo mirëqenia sociale e popullit, siç kemi dëgjuar aq shpesh ta thonë këtë këta liderë. Por, fatkeqësisht këta udhëheqës partiak në asnjë rast , jo që nuk lëvizin nga pozicionet e tyre të ngurta, dhe nuk i përmbushin premtimet e dhëna për bashkëpunim e marrëveshje për të ndërtuar institucionet e shtetit në afatet ligjore e kushtetuese,por edhe më tej thirrën në të drejtën e tyre për zgjedhjen e Kryeparlamentarit dhe më pas edhe të qeverisë së Kosovës. Kjo nuk shkon kështu dhe nuk ka lidhje as me demokraci e as me parlamentarizëm , i cili pretendohej se po zhvillohej në vendin tonë.
Të mësuar me ndërhyrje ndërkombëtare
Qytetarët janë shumë të dëshpëruar me këtë cirk paszgjedhor dhe tepër të paknaqur me këtë gjendje të krijuar, përkatësisht me këtë krizë politike, e cila erdhi në shprehje, në rend të parë, për shkak të apetiteve të sëmura karrieriste të liderëve politik. Dhe me të drejt ata pyesin se athua di kush ta gjej fijen e lëmshit aq shumë të ngatërruar nga kjo grykësi për pushtet. Prapë përgjigja është e tyre. Përgjigje e drejt e dëshmuar edhe herave të tjera. Thonë: jena mësuar me ndërhy të huajt se sa për neve, siç po shihet, shkon dimri e vjen vera kush që mund të bëj diçka të hajrit kurrë. Është për të ardhur keq. Por kjo është e vërtetë, është edhe një argument i fort se qytetari tashmë e ka humbur besimin në shumicën e këtyre liderëve që nuk dinë tjetër pos të “ lidhin besën” se ose do të zgjedhen në postet e synuara, bile edhe duke shkelur rregulloren dhe Kushtetutën ose nuk bën ndryshe. Aq shumë iu ka dalë “ fala” këtyre lakmitarëve. Por që do se ata po bëjnë sehir se pari me vetë vetën e më pas po u hedhin hi syve elektoratit dhe në përgjithësi popullit kinse për të drejtën e tyre të “ patjetërsueshme ” se për këtë vendosi sovrani. Janë këto dokrra që tashmë nuk po pinë ujë se populli e ka kuptuar se cili është qëllimi i fundit i tyre. Përse faktori ndërkombëtar i instaluar në Kosovë nuk po e bën as edhe një hap të vogël për t’i ulur në një tryezë liderët tanë, kjo nuk po mund të kuptohet, por ndoshta lufta e filluar në Ukrainë, pastaj ballafaqimi me ISIS dhe të shumë problemeve tjera në tërë rruzullin tokësor, Kosova ka mbet në margjina të interesimit sepse tek fundit kjo për ta nuk është diçka që çon peshë aq të madhe. Megjithatë, mendoj se një ndërhyrje qoftë edhe e “ lehtë” do të ishte e mirëseardhur sepse edhe ata janë të bindur se liderët kosovar asesi nuk do të mund të merren vesh për shkak të, sidomos, urrejtjes së skajshme që është e pranishme ndërmjet tyre.
Deputetët nuk mund të bëjnë çka të duan
Në një intervistë për medie të një personaliteti të shquar ndër të tjera lexova të këtë thënë, sigurisht i revoltuar tej mase, se deputetët janë ata që vendosin për ndërtimin e institucioneve shtetërore pa u përzie as Gjykata Kushtetuese apo ndokush tjetër. Për këtë edhe unë pajtohem. Ata përfaqësojnë organin më të lartë legjislativ dhe në të gjitha demokracitë e zhvilluara kështu veprohet. Mirëpo nuk mund të pajtohem me konstatimin se ata mund të bëjnë çka të duan apo më mirë me thënë se duke shkelur rregulloren e bazuar edhe në aktin më të lartë, Kushtetutën, të ndërtohen institucionet e shtetit pavarësisht se a e ka dikush shumicën apo pakicën. Shi për këtë, është e formuar Gjykata Kushtetuese për të vepruar dhe për të mos lejuar të vjen në shprehje anarkia. Pajtohem, po ashtu, me konstatimin se ka shumë të meta edhe në rregulloren e Kuvendit të Kosovës, por edhe në Kushtetutë sa i përket sistemit zgjedhor dhe instalimit të institucioneve pas përfundimit të zgjedhjeve. Megjithatë, për shkak të këtyre të metave, që janë “ fryt” i përbashkët i të gjitha partive politike, rregullorja nuk bën të shkelet, por duhet të respektohet në tërësi. Kështu u shpreh edhe Ambasada amerikane se duhet të përfillet ligji, Kushtetuta dhe vendimi i fundit i Kushtetueses.
Për pushtet nuk duhet të “prishen” me aleatet kryesor të Kosovës
Nga krijimi i bllokut opozitar të inatit nuk kemi dëgjuar diçka të rëndësishme të thonë për vendin liderët e tij, pos që ata nuk heqin dorë për të ardhur në pushtet dhe pikë. Madje për t’i marrë postet e synuara liderët e këtij blloku as që qajnë kokën se mund të prishen marrëdhëniet ndërmjet aleatëve tanë pa ndihmën e të cilëve Kosova nuk do ta kishte fituar lirinë që kemi sot. Kjo u vërejt edhe tekstin e marrëveshjes me VV-në, në bazë të së cilës pos tjerash Albin Kurti do t’i udhëheq bisedimet me Beogradin e jo Kryeministri siç ishte praktikuar deri me tash. Për mua kjo nuk do të ishte aq e rëndësishme se kush dhe si do t’i udhëheq këto bisedime, këtë do të mund ta bëj edhe lideri i VV-së, por më e rëndësishme është se sa kjo marrëveshje do të ndikoj negativisht tek partnerët tanë strategjik, të cilët do të ndihmojnë në ecjen tonë përpara në të gjitha fushat. Gjithë ky “ lëshim” po bëhet vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet duke mos parë më shumë se deri të hundët se sa negativisht do të ndikoj për të ardhmen e Kosovës kjo grykësi aq e madhe për pushtet. Në vend të kësaj rruge të pakrye liderët do të duhej të kishin qasje konstruktive për një bashkëpunim të mirëfilltë me të gjitha subjektet politike, pavarësisht se a mund të lidhet farë koalicioni tjetër apo qeverisje tjetërfare që vendin do ta shpetonte nga zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në politik, së paku haptas, liderët nuk do të duhej që para popullit të shprehin tërë atë mllefin e urrejtjes që kanë ndërmjet vete, të xhelozisë, të inatit. Kjo nuk është e moralshme. Ka ende kohë për të menduar e punuar ndryshe dhe të zgjidhet ky ngërç politik në mënyrë demokratike duke ia dhënë rastin e mundësinë për të shkuar para në ndërtimin e institucioneve të shtetit aq të nevojshme aktualisht. Nëse këta liderë nuk ia arrijnë t’i marrin postet aq shumë të dashura për ta, vendi në asnjë rast nuk duhet të trazohet, kjo do të ishte porosia e popullit.
I ka apo nuk i ka votat PDK?
Partia fituese PDK edhe pse po bën përpjekje për të krijuar institucionet sipas rezultatit të arritur në zgjedhje, këtë nuk po mund ta bëj për shkak të bllokadës nga subjektet tjera politike. Është e natyrshme se secila parti që fiton zgjedhjet nuk dëshiron që në tavolinë të humb marrjen e pushtetit, të cilën gjë po e thotë edhe PDK. Mirëpo, në këtë situatë të krijuar apo më mirë më thënë të kryeneçësisë së liderëve tanë vështirë se do të mund të përfundoj ky cirk në mënyrë të rregullt dhe pa probleme gjatë seancës inauguruese të Parlamentit. Nëse PDK këmbëngul që Kryeparamentari i takon vetëm asaj bazuar edhe në vendimin e Kushtetueses, e në anën tjetër nëse nuk do t’i këtë votat atëherë vendi mund të shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Disa herë u deklaruan përfaqësues të partisë fituese se i kanë numrat për zgjedhjen e Kryekuvendarit, por sa do të jetë kjo reale pritet të shihet me 12 shtator. Mirëpo, nëse sërish blloku opozitar vepron ngjashëm sikur herën e parë atëherë Kushtetuesja prapë do të veproj. Dhe për këtë dikush do të duhej të merret në përgjegjësi. “ Ilaqii” dhe “ terapia” më e përshtatshme do të jetë ndërhyrja ndërkombëtare.
NJE LETER E KAHERSHME PER KOSTUMET E SHKODRES
FESTIVALI I GJINOKASTRES DHE SHEMTUESIT E KOSTUMIT KOMBTAR SHQIPTAR/
Ne Foto: Rrëmaji, 11 Nandor 1990…”Liri…Demokraci !”/
Vazhdoj me korespondencën:
Nga Fritz RADOVANI/
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë/
Akademia e Shkencave/
Instituti i Folklorit/
Tiranë, me 16.XI.1978/
Shokut Gjon Kamsi/
Shkodër/
Letren tuaj në lidhje me vrejtjet rreth kostumeve të grave shkodrane e mora.
Ju falemnderit. Shënimet tuaja janë interesante, por që ato kanë probleme që duhen studjuar.
Si duket nga shënimet tuaja ju keni njohuri të mira për kostumet e qytetit të Shkodrës.
Do t’ ju sugjeroja që ato ti zhvillonit në një punim më të gjatë, me ilustrime e vizatime me ngjyra.
Nga ana tjetër të mund të gjenit fotografi në banorë të Shkodrës, dhe një kopje t’ ia dergonit sektorit të etnografisë pranë Institutit të Historisë, që ka punonjës që merren me veshjet. Unë si Kryetar i Komisionit për veshjet kombëtare, letrën tuaj do t’ ua kaloj etnografëve të sektorit të etnografisë, të cilët mund t’u sugjerojnë për metoden e studimit mbi veshjet për të cilat bëni fjalë, si dhe për të dhenat rreth mjeshtrave që kanë prerë, qepur e qendisur kostume të tilla.
Drejtor
(Zihni Sako)
firma, vula.
Zotni Gjon Kamsi,
Mendoj se: Perderisa ka probleme që duhen studjue, duhet t’ ishte në festival, mbasi nuk besoj se ka ndonjë kostum që s’ka probleme…
Sugjerimi për një studim ma të gjatë asht i vlefshem per studjuesit e sektorit etnografisë së Institutit të Historisë, të cilëve, do t’ jua kishte anda me e marrë gati, bile edhe me ilustrime, vizatime e materiale fotografike.
Etnografët e sektorit etnografisë, të cilët, mund t’ ju sugjerojnë metodat e studimit, do të bajshin mirë me e lexue nja 3 herë letren Tuej, e mandej me mësue prej saj.
Ju falnderoj per kopjon e dorshkrimit të këtij materiali, të cilin, unë do t’ a studjoj me shumë kujdes, do të punoj vizatime dhe do t’ a ruej shumë, mbasi per kohen e ardhëshme ky asht brilant i kostumit shkodranë.
Me shumë respekt Fritz Radovani.
Shkoder, 30 Maji 1981.
Shenim nga FR: Duhet shenue se n’ aktet Burrnore të Shkodranit nderuem Gjon Kamsi, mbetet në fletët e Historisë së qytetit Martir të Shkodres, letra e Tij, drejtue në maje të kupoles së terrorizmit komunist anadollak, per “shpetimin e shkatrrimit të Vorrezave të Rrëmajit”; një projekt disa herë i menduem dhe i projektuem nga shteti…mbas 1967.
Kenja e atyne Vorrezave sot, i dedikohet guximit të pashoq t’ Atdhetarit Gjon Kamsi.
Melbourne, 2014.
* Pjesa e V
“LARGOJENI KËTEJPARI KËTË SURRATIN E DYSHIMTË!”
Nga Fadil LUSHI/
Disa ditë më parë nga Dardanelet më erdhën ca përshëndetje prej motrës sime. Disa ishin paksa “qortuese”, qortuese sepse ka shumë kohë që nuk e kam vizituar dhe përqafuar…, përshëndetjet e tjera ishin humane dhe emancipuese: më përgëzonte për faktin se kam hequr dorë nga ajo “gotë” që kohë pas kohe ma “çekuilibronte rehatinë emotive”. Këtyre “selameve” ua kishte shtuar edhe fjalinë: “Ki kujdes me shëndetin e mendjes!”. Nuk desha t’ia kthej e t’i them se nga kjo mendje “Nuk ka ngelur gjë fare, thjesht është bërë rrafsh, livadh”. Sa për shëndetin e të tjerëve, nuk di gjë…, tekefundit lëre që nuk më hyn në punë, por edhe nuk është në “detyrimet” e mia.
Këtë shkrim a opinion gazete të radhës që e kam me “porosi” (shkrimet me “porosi” nuk më dalin me “tamam”) nuk do ta vazhdoj me “protagonistin”, por me viktimën e tij, gjegjësisht me shokun e klasës të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, me atë fshatarin fisnik, të cilit “kryepersonazhi” i vështrimit në fjalë, dikur moti ia kishte marrë “masën e samarxhiut!?”. Ky miku im (i cili krahas problemeve materiale me të cilët ballafaqohet, punët gjithmonë i merr urtë e butë) më takoi “rastësisht” dhe më tha: “Do të shkruash për mua për gazetë, por ama nuk do ma citosh emrin, nuk jam me emrat dhe për emër, sepse edhe këtë kështu si e kam disi më rëndon…, në nuk e bën këtë, respektivisht nëse vakia a meseleja ime nuk duket a hetohet në gazetë, atëherë “samarxhiun” duhet ta kthesh andej nga degdisi…, atje në plehërishtat e “kasabasë” sate (aludonte në Tetovën time të vjetër prej bejlerësh, prej pashallarësh, prej patriotësh, prej arsimdashësish, prej kërkuesish të lirisë së vonuar të vatanit dhe prej aristokratësh). I premtova se do të shkruaj me kusht nëse më “lejohet” që edhe unë të them ca fjalë për “moralin” e njeriut, të cilin (moral) në vaktin e njëmendjesisë (jo enveriste) titiste ia kishin “kultivuar” bythëpraptas. Kur i parashtrova pyetjen se pse pikërisht unë duhet ta kthej andej nga ku kishte ardhur, më tha se edhe ty ta kishte marrë masën e…, mbase ti e njeh më mirë “shehërliun”. I sugjerova po edhe i propozova: “ Lere aty ku është…, Zoti ka filluar t’ia numërojë ditët!?” (shpresoj se kjo fjali nuk do të më ngarkojë “gjynahe”). Kështu siç e filloi “bisedën”, thash ndër dhëmbë se shkrimin do të ma bëjë paçavure.
Ky fshatar, në nevojë materiale dhe shpirtërore, fillimisht më tha se këtu në Tetovë dhe përreth ende “frymojnë idetë e moralit komunist”, ende duket ajo egërsia e njëmendjesisë (pavarësisht se e ka moshën e shtyrë a të vjetër). Shoku i klasës kur takon bashkëmoshatarët e tij, nuk u jep hapësirë që edhe ata të thonë ndonjë “llaf”. Duke e vazhduar “bisedën” tha: “Sot kanë “ardhur” do kohë që më mirë është të dish e të shohësh deri te maja e hundës sate, sesa të kesh informacione për “anatominë e bythës së pleshtit”, për anatominë e njerëzve mendjemëdhenj, për anatominë e krimit të organizuar, për anatominë e jovlerave, për moshat e lëneshave, për thashethemet politike mëhallësh e “kapixhikësh”, për inatin dhe xhelozinë (ndër)shqiptare…, më mirë është të jesh konfuz a i ngatërruar në “fiqir”, sesa të jesh njësh në “tubime”, më mirë është që të të njohë vetëm mëhalla, sesa e gjithë “dynjaja” shqiptare, më mirë është të kesh shokë “budallenj”, sesa të kesh e të shoqërohesh me miq letargjikë dhe megalomanë si ata miqtë e “samarxhiut”, të cilët sa herë ua do qejfi, aq herë të heqin veshin dhe të kapin për hunde dhe për “salltanetet mashkullore”…, sa herë që do të bësh përpjekje t’ua thuash të vërtetën lakuriqe, aq herë do të shtiren sikur nuk të dëgjojnë a nuk t’i kuptojnë dertet…, ata të urdhërojnë të mbyllësh gojën, të ndërrosh mendjen dhe të qëndrosh mënjanë. Kur do t’u thuash se “unë mendoj”, ata ta kthejnë: ti s’ke ç’mediton, për ty mendon sovrani dhe kërbaçi i tij. Ky miku im vazhdoi edhe më tutje të inatoset duke thënë se…, samarxhiu dhe të tjerët si ai, dikur vetë e bënin ligjin, vetë e bënin moralin, vetë e bënin ndejën dhe vetë e emëronin kryeparin e ndejës. Dikur moti, vetëm ata e dinin epiqendrën e së vërtetës, epiqendrën e së keqes, atë të hiles, atë të varfërisë, “solidaritetit” (po ku kishte solidaritet në atë kohë), të padrejtësisë dhe epiqendrat e tjera…, mbase kryekëput të sajuara… Kur këta “të shtrijnë përfundi” dije se të bëjnë për legen dhe si legen (kur jemi te legeni, fjalori i gjuhës së sotme shqipe, për këtë nocion e jep këtë shpjegim: 1. Enë e madhe, e rrumbullakët dhe mjaft e thellë prej metali a prej ndonjë lënde tjetër, që shërben për të larë fytyrën, duart e këmbët, për të larë rroba etj. 2. fig. bised., mospërf. Njeri që nuk është serioz e i qëndrueshëm në sjelljet e në veprimet e tij, njeri pa vlerë e llafazan, të cilin e trajtojnë të gjithë me mospërfillje e si të duan).
Legenin nuk e përmendi ai, e përmenda unë…, ai nuk i bënte të gjithë me faj…, përkundrazi, “samarxhiu” i ishte fiksuar në kujtesë dhe ndaj tij parashtroi një mal me ankesa dhe vërejtje. Një ditë kishte shkuar në “beledie” (kështu e quan bashkinë) të kryejë një punë dhe “padashur” e kishte takuar pordhamanit që ishte “konvertuar në qatip pashai”. Ia kishte prishur rehatinë njeriut që njihet për “humorin e tij të zi” dhe sikur kishte dashur t’i thoshte se “po pate pak çehre njeriu dhe po pate pak moral dhe përgjegjësi, mblidh leckat dhe shporru që këtej (ani se këtij burokrati nuk i kishte asnjë hak dynjaje dhe ahireti). Nuk ia kishte mbaruar punën, ndonëse dy javë me radhë kishte pritur që ky, me “demek” legeni, ta pranojë në zyrën e tij (një zyrë, sikur të ishte njësoj si e atij të presidentit të shtetit.). Hallin e këtij njeriu fisnik, burokrati e konceptonte si një zë në shkretëtirë, një zë lëre që nuk shkon në vesh të njeriut që i prin karvanit të deveve, po as në “vesh të Zotit!?”. Aq keq e kishin mësuar fshatarin në nevojë, që sa herë do t’i duhej të trokiste në derën e zyrës së këtij farë “qatipi”, aq herë detyrohej ta përsëriste atë refrenin: “Ju, zotërote, na falni që ju shqetësuam, na ndjeni që ju morëm kohën tuaj të lirë dhe shumë të çmuar, na falni që ju bezdisëm dhe ju… sikletosëm”. “Samarxhiu” (dhe të tjerë të tillë si ky) sot e kësaj dite nuk do të pendohet hiç fare për bëmat e tij dhe të tajfës që i takonte. Thonë se një kohë të gjatë punoi si “hyzmeqar në bordelet komuniste” e shkuara komuniste…, e konceptonin si një njeri që nuk dallon dot “gomarin nga samari”. Është një proverb popullor ku, pos të tjerash, thuhet: “Të ndyrës ia ka ënda për qelbësirën”.
P.Sh.
Kur mikut tim i thashë se ky shkrim duhet të redaktohet, ma ktheu si me “inat: “Shkrimet me porosi nuk redaktohen…, mbase dalin më popullorçe, kuptohen më lehtë. Në fund, për këtë e për shumë çështje të tjera ramë dakord.
- « Previous Page
- 1
- …
- 719
- 720
- 721
- 722
- 723
- …
- 868
- Next Page »