• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mirënjohje për zonjën Nimfa Hakani

April 22, 2014 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/
Në faqen internetike të gazetës “Fjala e lirë” të datës 21 prill 2014, lexova shkrimin mjaft interesant me titull ““Kozmopolitizmi” dhe “Europianizmi” shqiptar shfaqet në mënyrë të shëmtuar”, me autore zonjën Nimfa Hakani nga Nju Jorku. Në këtë shkrim, ndër të tjera, thuhet:
“Këto ditë po flitet gjerësisht në gazetat shqiptare si këndej dhe matanë kufirit për ftesën e bërë nga TV Klan për pjesëmarrjen e këngëtarit serb Zdravko Çoliç në festivalin e këngës, të organizuar nga ky stacion televiziv. Tre këngëtarë shqiptarë nga Kosova e bojkotuan festivalin, të lënduar keqasi që një këngëtar serb që i ka kënduar Serbisë së “lavdishme” dhe ka shprehur përbuzje për shqipëtarët përgjatë jetës së tij, dhe është shprehur se “Kosovcje je Serbija”( Kosova është Serbi) të marrë pjesë krahas tyre në festival. Logjika e thjeshtë nuk e kupton dot këtë ftesë. Të bën përshtypje se sa pak ka reaguar opinioni shqiptar dhe figurat e shquara të opinionit shqiptar. Të vjen turp kur lexon deklaratat e këtij serbi: “Kisha shumë fansa në Tiranë, saqë nga ora 7 e mëngjesit e deri në ora 10:15 janë mbledhur mijëra femra edhe për t’u fotografuar me mua, edhe për autografe. Prandaj planifikoj një koncert në Tiranë, por akoma nuk e kam përcaktuar se ku do të mbahet… Por planifikoj koncert edhe në Shkodër”.
Personalisht, dëshiroj ta përshëndes me gjithë zemër zonjën e nderuar Nimfa Hakani për këtë reagim me shumë të drejtë kundër ftesës që TV Klan i paska bërë këngëtarit shovinist Zdravko Çoliç.
Me këtë rast, dëshiroj të theksoj se TV Klan nuk ka bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme në qëndrimin aq dashamirës që ka mbajtur ndaj Zdravko Çoliçit. Me këtë qëndrim, TV Klan e pasuron edhe më tej traditën antinacionaliste të klasës politike shqiptare, traditë kjo, e cila zanafillën e ka më 08 nëntor 1941. Pikërisht që asokohe kur emisarët jugosllavë Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë, aprovuan një Rezolutë të përgatitur paraprakisht në Beograd. Në atë rezolutë u mboll fara antishqiptare e rrezikshmërisë që vinte për Jugosllavinë nga nacionalizmi shqiptar, i cili kërkonte ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Pikërisht fara e antinacionalizmit shqiptar, e mbjellë me shumë kujdes në atë mbledhje themeluese nga Miladin popoviçi dhe Dushan Mugosha më 08 nëntor 1941, në praninë pjesëmarrësve shqiptar që luanin veç rolin e kukullave të Beogradit, farë kjo që Enver Hoxha, kur erdhi në pushtet më 1944, filloi ta selitë me një përkujdesje shembullore gjatë një periudhe mbi 40-vjeçare, i ka lëshuar rrënjët thellë në ndërgjegjen e shumë shqiptarëve të Shqipërisë Londineze. Prandaj edhe shqiptarëve të kësaj nahijeje nuk u bëjnë kurrfarë përshtypjeje deklaratat e këngëtarit shovinist Zdravko Çoliç. Ashtu siç nuk u kanë bërë përshtypje shumë e shumë gjëra të tjera, si fyerja e veprës së Fan Nolit dhe të mbretiti Ahmet Zogu përmes lejimit të pushtimit të kreut të kishës ortodokse prej një prifti grek, përfaqësues i shovinizmit grekomadh dhe i kishës shoviniste greke, tradicionalisht armike e betuar e kombit shqiptar, ngritja e varrezave të ushtarëve agresorë grekë në Jugun e Shqipërisë dhe e memorialeve në nderim të tyre dhe shumë e shumë gjëra të tjera të natyrës antikombëtare.
Nacionalizmi, si ideologji kombëtare, edukohet që në familje, nën ndikimin e klasës politike të vendit dhe mandej, vetvetiu, përcillet në vetëdijen e çdo anëtari të familjes. Prandaj fëmijët edukimin me frymën e ideologjisë kombëtare e marrin dhe duhet ta marrin që në familje, aty ku zë fill formimi atdhetar i qytetarit dhe i shtetasit të ardhshëm shqiptar. Mandej ky formim vazhdon të konsolidohet në shkollë, që nga bankat e arsimit shkollor e deri në universitet. Por familjet shqiptare nuk marrin asgjë nga klasa politike shqiptare në aspektin e formimit me ideologji kombëtare, me nacionalizëm shqiptar. Prandaj edhe ato vajzat shqiptare që kanë rendur pas këngëtarit shovinist Zdravko Çoliç, për të dalë në fotografi me të dhe për t’i marrë autografe, e kanë prejardhjen nga familje pa kurrfarë vetëdijeje kombëtare, se formimi nacionalist i prindërve të tyre është shterp krejtësisht. Për formim nacionalist dallohen vetëm ato familje shqiptare që vetëdijën kombëtare e kanë të trashëguar brez pas brezi prej pararendësve të tyre të nderuar. Dhe jam i bindur se asnjë vajzë me prejardhje nga familje të tilla nuk ka qenë e pranishme mes atyre mendjekarafileve që rendnin pas shovinistit Zdravko Çoliç për t’iu servilosur në një mënyrë aq të pështirë, duke kërkuar të dilnin me të në fotografi apo t’i merrnin autografe.
Në fund, dëshiroj ta falënderoj zonjën e nderuar Nimfa Hakani, e cila, në shkrimin e saj, me shumë të drejtë, i jep një leksion të mirë klasës politike shqiptare për faktin që i ashtuquajturi opinion i shquar shqiptar pothuajse s’ka reaguar fare ndaj deklaratave të këngëtarit shovinist Zdravko Çoliç kundër Kosovës, opinion ky që s’është gjë tjetër, veçse pasqyrë e po kësaj klase politike në fjalë. Falënderoj, po ashtu, tre këngëtarët kosovarë për formimin e tyre nacionalist, të cilët e kanë braktisur festivalin e TV Klan.

Tiranë, 22 prill 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Eshref Ymeri, Mirenjohje, Nimfa Hakani

SHQIPTARET ENDE S’PO MËSOJNË NGA E KALUARA E TYRE HISTORIKE

April 21, 2014 by dgreca

Kur kënga pa dashje bëhët pjesë e politikës/
Nga Haxhi Zeneli/
NEW YORK : Emisioni televeziv i organizuar nga TV-Klani,”Kenga ime”,që po shfaqët këto ditë nga ky televizion,padyshim se është diçka e mirë për kulturën shqiptare.Ku ka për qëllim promovimin e vlerave të muzikës qytetare shqiptare.TV-Klani për kët emission ka ftuar këngëtar nga të gjitha trojet shqiptare.Mirpo ky emision pa dyshim që ka edhe suprizat e veta! Supriza ishte kur në skenën e këti televizion u shfaq,këngëtari serbë Zdravko Çoliq.
Ku ndoshta edhe pa qëllim i n’drron dhe kuptimin e të gjithë këti koncerti,se për çka ishte nisur,dhe revolton një pjesë të këngëtarëve pjesëmarrës.Çoliqi siç shifët mbas të gjitha gjasave një këngëtar i ëndrruar për publikun tiranas,dhe ate shpitarë,prej kohërave të Shqiperis së izoluar.Siç lexojmë në shtypin e gazetave shqiptare,kemi pas edhe reagime,prej ma të ndryshmëve.
Fitojmë përshtypjen se ne shqiptarët nuk kuptojmë apo ndoshta edhe injorojmë faktin,se kush është armiku i ynë.Kjo ishte temë e debateve nga shumë shqiptarë.Së paku deri më tash jemi në dijeni se disa këngëtar nga Kosova patën kurajon dhe në shenjë proteste që të tërhiqën nga skena,këngëtari Hysni Klinaku,Artan Bakija,Visar Peja,Yllka Kuqi ku ndoshta kemi edhe të tjerë.
Kurë thirët një këngëtar i tillë në skenat tona si musafir,nënkuptohët se qëllimi i këti emisioni është që të dalë më interesant për publikun,por siç dukët u injoruar një pjesë e popullit shqiptarë,të cilëve ende nuk u janë mbyllur plagët e luftës të cilat i krijuan bashkëkombësit serb të këngëtarit Zdravko Çoliq.
Siç përgjigjët kengetari Zdravko Çoliq në intervistë me Pandi Laçon,ai thot:s’kishte ditur se shqiptarët i donin këngët e tija aqe shumë,ku ai flet mirë në syrin e kamerës për muzikën shqiptare,gjë që serbet nuk e kanë vështirë të kamaflohën para publikut.Thot se edhe ai vetë është bazuar disa herë tek muzika shqiptare.
Atëherë shtrohët pyetja,përse këgëtarët shqiptarë nuk f’tohën në emisionët e tyre serbe? Si do që të jetë,ne shqiptarët të cilët kemi jetuar me serbo-malazezët dhe ende disa nga trojet tona jetojnë,i njofim shumë mirë,sepse ja u’kemi pirë çorbën e tyre vite me rradhë.Me kujtohët kur një Serb me thoshte kur isha me studime në Kosovë:”Se ju shqiptarët qe vini nga Mali i Zi jeni ma të mirë!”se kuptoja në atë kohë se ç’donte të thoshte me këtë!kur më vonë u hapë kufiri pas disa viteve me Shqipërin,atëherë dëgjova nga një Serb tjetër që punojshim në një repart,duke më thënë: “Se shqiptarët nga Shqipërija janë më të mire,se shqiptarët e ishe Jugosllavis”.Atëherë më erdhën në mendje fjalët e Serbit që më kishte folur kohë më parë,ku ishin identike,asgjë e re.Serbet këtë lojë e kanë luajtur me ne shqiptarët për shumë kohë,ate po bëjnë edhe tani,”po tallën me neve”se si të bëhët ndarja e jonë duke parcializuar,përçar duke futur urrejtje në mesin tonë. Shqiptarët që jetuan bashk me ta,në ish Jugosllavi,sipas tyre,ne ju turbulluam ujin,dhe nuk mundën të realizonin planet e tyre asimiluese të çubrilloviqëve,kurse vëllezërit tanë në Shqiperi nuk kishin se si ta dinin këtë,sepse ishin të izoluar,dhe nuk i njifëshin serbet,është ajo fjala popullore që thotë:”Për ta njohur dikend,duhesh të hash një thes kryp me te”.Ku sot për shkak të mosnjohjës së serbeve kemi filluar të lidhim edhe miqësi me ta,duke ju dhën edhe vajzat tona atyre serbëve për të krijuar familje,që as femrat e tyre nuk martohën me ta.Këto pra janë kalkulime që bëjnë serbet me shqiptarët,ashtu siç bënin grekët me çamet.
Ne ende s’po mësojmë ta rrespektojmë vetëvetën,dhe po vazhdojmë që armikun tonë ta qesim në krye të vendit.
Kjo veti e mikëpritjes shqiptare është keqëpërdorur dhe po keqëpërdorët nga ata që nuk na duen tē mirën.Shqiptarët harrojnë armikun e tyre shumë shpejt,harrojnë se kush i krijoj gjithë ato varre në Kosovë,harrojmë se kush janë serbet!.Ata janë një popull i cili nuk po ndryshon karrshi shqiptarëve,por po vazhdonë të na shtypin,dhe as që kanë ndërmend të ndryshojnë.Ata përdorin mënyra dredhacake prej ma të ndryshmëve që të dominojnë shoqërin tonë kudo që gjindëmi.Çka na brengosë më së shumti,ku për një kohë të gjatë dhe s’po ka të ndalur,shqiptarët po influencohën nga këngët sllave dhe sot pseudokëngëtarët marrin melosin e këngëve serbe dhe vetëm ju ndrrojn fjalët dhe thuhët se “janë këngë të reja”.
Kur pyetën shqiptarët për këte përse promovohën këngëtar serb në Shqipëri? ata na pergjigjën!”se arti s’ka të bëjë asgjë me politikën”Duke harruar se këngët gjithmonë janē kënduar për luftrat dhe gjendjet politike.Pikrisht këto këngëtar serb,gjatë kohës së luftës kanë promovuar këtë luftë.
Pra këtu fillon edhe hipokrizia e nje populli,siç jemi ne shqiptaret,që s’po mbushemi mend,dhe s’po dimë të lartësojmë vetëvetën,por vazhdimisht ulim vehtën para vrasësit,jtregohemi inferior ndaj këtyre barbarëve,duke menduar se janë ma të avancuar se ne.
Një popull që në luftën e fundit e treguan ftyrën e tyre të njerzëve më barbar të Evropës,që u desh një forcë e armatosur ushtarake mjaftë e madhe ti ndaloj,përndryshe kishin ëndrra të dalin në bregdetin e Durrsit.Me aktët që bëjmë para tyre,ne po ulim vlerat e popullit tonë.
Shqiptarët në vazhdimësi po bëjnë gabime historike,duke mos mësuar asnjëherë nga e kaluara e tyre e idhët,që u trdhëtuan disa herë nga ky popull.
Te kthehemi tek arti i cili nuk ka kufij!Nese arti s’paska kufij atëherë përse ka kufij për serbet.
Nuk jemi në dijeni se është f’tuar ndonjë këngëtar shqiptar në mediat e tyre në Serbi!.Perkundrazi të ju rikujtojmë rastin në Preshevë,kur kengetari tiranas Sinan Hoxha u malltretua dhe u burgos atje pas koncertit nga serbet,kurse neve ju shtrojmë qylymin e kuq këngëtarëve të tyre.Në kohën e ishë Jugosllavis shqiptarët burgoseshin kur këndonin këngë atëdhetare,dhe po ta kishin këtë forcë përsëri ata do ta bënin.
Çfarë po ndodhë me ne shqiptarët? përse nuk mbushemi mend?.Serbo/malazezët të cilet na kanë vrar,malltretuar,poshtruar,okupuar,ku ende i kemi gjysmën e tokave tona nën okupimin e tyre,dhe sot na i’ndalojnë lirit me elementare të shekullit 21,duke luajtur me ne si “maca me miun”.Këto këngëtar që hyjnë në skenat shqiptare,ishin promovuesit e gjenocidit duke i kënduar këngë edhe kasapit të Ballkanit Millosheviq.Përse atëherë arti ynë nuk hynka në politikë,përkundrazi tek ne shqiptarët gjithmonë për fatin e zi të gjendjes tonë që ishim të okupuar dhe nga sulmet e armiqëve fqinjë,kënga ishte politikë.Ishte ajo këngë që na printe në luftrat tona për liri,nëpër mes të këngës dhe arti ne e trashiguam historin tonë të lavdishme.Serbet të ashtuquajtur “artist”nuk krijuan asnjë këngë shqiptare në ishë Jugosllavin,ku aty jetonin 3 million Shqiptarë.Shqiptarët i këndonin këngët e tyre,por serbet kurr si këndonin këngët e shqiptarëve.Kurse sot,dukët se shqiptarët çdo gjë bëjnë për përfitime vetanake,ose në konkurencë me televizionët tjera që ti bëjnë më të shikuarara programet e tyre,ku s’ka rëndësi që kjo shikushmëri të bëhët edhe në dëmin kombëtar.
Kjo nuk është hera e parë që marrin pjesë këngëtarët serb në Tiranë.
Kjo ndodhi edhe më herët,bile ata shpërblehën si qytetar nderi,dhe u ipet çelsi i qytetit.Kisha pas dëshirë të dijmë se sa këngëtar Shqiptarë kanë çelsin e Beogradit.Vetëm mos më thuani që nuk kemi këngëtar më të mdhenj se Zdravko Çoliqi,sepse i kemi bile shum të mire siç është Inva Mula e Sajmir Pirgu e të tjerë,që po mahnisin shtëpit e operave botërore.Përse këto këngëtar serb nuk u treguan të arsyeshëm bile së paku të kërkojnë falje për kriminelët e tyre serb.Ne po gjunjezohemi para tyre edhe pse ishim viktima,sikurse ne jemi fajtor për autoktonin tone në vendet tona që na i kanë okupuar.Shteti Serb eshte krijuar në trevat etnike të shqiptarëve.
Emri serbë ka shpjegim nga fjala latine(serpente-gjarpër)që na jep të kuptojmë natyrën e këtij populli,i cili të sulmon në befasi,të sulmon atëherë kur ti nuk e ke mendjen aty.Ne u trajtuam si qytetar të rendit të dytë,dhe ashtu do mbetemi,deri sa ne nuk ngulim këmb që të rrespektohemi.
Përderisa Serbia nuk ka njohur Kosovën,dhe nuk kërkojë falje për gjenocidin që bëri ndaj popullit të pafajshëm Shqiptarë.
Nuk ka nevojë të ledhatohët armiku ne këtë mynyrë,që ende nuk ja kemi falur gjakun e bijëve tanë.Shqiptarët duhët të krijojnën standardet e tyre si komb me dinjitet të plotë,dhe mos të humbin kohë me popujt që nuk kanë rrespekt për popullin Shqiptarë,sepse rrespekti nga ligji i natyrës është,”rrugë me dy kahëje”

Prill,2014

Filed Under: Komunitet, Opinion Tagged With: E TYRE HISTORIKE, Haxhi Zeneli, SHQIPTARET ENDE S’PO MËSOJNË NGA E KALUARA

Qeverisje me njerëz të pastër!

April 21, 2014 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/
Nëse si popull fëmijët nuk i edukojmë që punën ta bëjë ai/ajo që e meriton dhe jo ai/ajo që njohim apo duam ne sepse është nga familja ime, partia ime, fshati im, lagjja ime, krahina ime, feja ime, shoqëria ime, gjërat nuk do të ndryshojnë për më mirë. Është urgjentisht i rëndësishëm të luftohet korrupsioni, kanceri më i rrezikshëm në jetën e popullit shqiptar. Jemi ndër vendet, në mos vendi me korrupsionin më të madh në Evropë. Por nëse korrupsioni dhe nepotizmi luftohet me sukses, çdo gjë shkon në vend të vet. Shqipërisë dhe Kosovës nuk i mungon talenti aspak, por është korrupsioni ai që e mbyt atë. Nuk është rastësi që talenti shqiptar lulëzon në vendet e huaja e jo në vendin e lindjes. Është korrupsioni dhe nepotizmi ai që e ka mbytur dhe ende e mbyt pa mëshirë talentin në Kosovë dhe Shqipëri. Korrupsioni dhe nepotizmi po i hap rrugën hajdutit, kriminelit, injorantit, analfabetit dhe shushunjave (që sa po vijnë e po shtohen)… të vijnë në pushtet, të abuzojnë me pushtetin dhe të vjedhin çdo gjë. Na ka pushtuar injoranca dhe për atë ky popull si i (pa)vetëdijshëm i duartroket kriminelëve, hajdutëve, injorantëve dhe analfabetëve, si njerëz të fuqishëm, të zotë, me pushtet, njerëz me shumë lekë, me makina superluksoze, kurse intelektualin e vërtetë, njeriun e ndershëm, të sinqertë, të respektueshëm tek njerëzit, por të shkretët pa lekë, pa makinë superluksoze, e përbuzin, e nënçmojnë, e anashkalojnë, e shajnë etj. E kam thënë me dhjetëra herë dhe po e përsëris prapë, nëse qeveria dhe parlamenti i ardhshëm që do krijohet pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, nuk përbëhet nga figura të pastra, intelektualë të mirëfilltë që janë të respektueshëm tek njerëzit, njerëz parimorë dhe të ndershëm, me energji të reja, atëherë vetëm do të gënjehet elektorati që ajo qeveri dhe parlament do t’i jap fund keqqeverisjes në Kosovë, korrupsionit, krimit të organizuar, injorancës, nepotizmit etj……dhe vetëm kështu politikanët e ardhshëm do të jenë alternativë për qytetarët e Kosovës. Klasa politike në Kosovë tash e 15 vite e ka frikësuar këtë popull. Ky popull e ka humbur besimin tek institucionet e saj në të gjitha sferat dhe vetëm me figura të pastra, intelektualë të mirëfilltë, të ndershëm, njerëz parimorë dhe energji të reja mund ta kthejmë besimin e humbur të qytetarëve ndaj institucioneve të Kosovës.
(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i ”Nismës për Kosovën”)

Filed Under: Opinion Tagged With: me njerez te paster, Qeverisje

Teatri Kombëtar Shqiptar nuk është vetëm ai i Tiranës

April 21, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Me termin “Teatër Kombëtar Shqiptar” nuk duhet të nënkuptojmë vetëm teatrin që ndodhet në Tiranë, por të gjitha ato teatro kombëtare që e zhvillojnë aktivitetin e tyre në trevat ku banojnë shqiptarë, në Shkodër apo Prishtinë, në Vlorë apo Gjakovë, në Korçë apo Shkup, në Durrës apo Ulqin. Mendoj se fizionominë e tij teatri kombëtar shqiptar duhet ta mbështesë, në rradhë të parë, në krijimtarinë kombëtare. Duhet të ketë një barazpeshë midis pjesëve kombëtare me ato të huaja, në mënyrë që peshorja të anojë nga ajo kombëtare. Ka një diferencë ndërmjet teatrit kombëtar dhe teatrove private ku këta të fundit, për interesat e tyre komerciale, mund t’i kushtojnë epërsi pjesëve të huaja. Një shembull i tillë nuk duhet të ndiqet nga teatrot kombëtare.
Një vëmendje e veçantë mendoj se duhet t’i kushtohet dramaturgjisë së traditës. Me termin dramaturgji e traditës nuk duhen mohuar edhe disa drama ose komedi dinjitoze të krijuara gjatë periudhës totalitare. Natyrisht, ne duhet të mbështetemi më tepër në dramat e krijuara para asaj periudhe të errët, drama të lënë në harresë nga politika që buronte nga lufta vrastare e klasave. Më lejoni t’ju sjell një shembull:
Në vitin 1920, kur u vu në skenë, për herë të parë, në sallonin e shfaqjeve të Kolegjit Saverian në Shkodër, melodrama “Ora e Shqypnisë” e njërës prej figurave më të shquara të intelektualve të ekzekutuar nga diktatura, qysh ne ditët e para të regjimit, Dom Ndre Zadesë, kur protagonisti i shfaqjes këndonte:

Adrijes, m’thuej krenare,
Vlona asht tokë shqyptare.

Spektatorët shpërthyen në duartrokitje të stuhishme dhe, në këmbë, thërrisnin:

Rrnoftë Vlona shqyptare! Rrnoftë Vlona Jonë!

Më thoni, të nderuara zonja dhe zotërinj, a nuk do ta nderonte skenën shqiptare sot shfaqja e një melodrame të tillë, sidomos për të rinjtë e nxënësit? Pra, dalim te një ide, te vënia në skenë e pjesëve për kategori të caktuara spektatorësh, nga teatrot kombëtare Po tragjedia e kollosit të letërsisë shqipe, At Gjergj Fishta, “Juda Makabe, drama “Prej robnijet në liri” e Vinçenc Prenushit, tragjeditë e Etem Haxhiademit apo drama e Ernest Koliqit “Rajët lëvizin”, ngjarjet e së cilës zhvillohen në Shkodër në vitet 70-të dhe që është një parashikim i shkëlqyer i rënies së perandorisë komuniste, ku rrëfen triumfin e ardhshëm të një shoqërie në të cilën nuk ka hakmarrje, por fisnikëri sipërane, a nuk mund të vihen në skenë?. Unë mendoj se ndonjëra prej tyre mund të mos i përgjigjet kritereve të dramaturgjisë së sotme, por jam, gjithashtu, i mendimit se një regjizor i mirë mund të nxjerrë prej tyre një shfaqje dinjitoze
Me të drejtë lind pyetja: A ka dramaturgji të vërtetë shqiptare? Unë jam i të njëjtit opinion me ata që mendojnë se ka, por nuk vlerësohen si duhet. Arsyet mund të jenë të ndryshme, por kryesorja është se regjizorët, aktorët dhe punonjësit e tjerë të teatrove kombëtare ndoshta ngurojnë për shkak të koncepteve të krijuara si rezultat i presionit të politikës.
Disa kohë më parë, Gabriel Partosh, në një intervistë dhënë televizionit “Top Channel” deklaronte:

Në Gjermani dhe në Francë dënohe po deklarove se nuk është zhvilluar gjenocid gjatë
Luftës së Dytë Botërore.

Për fat të keq në Shqipëri nuk ekziston një opinion i tillë. Po të vëresh me vëmendje realitetin e Shqipërisë së sotme do të arrish në përfundimin se opinionin publik po mundohen ta orientojnë drejt tendencës së harrimit të periudhës totalitare. Nuk mund të ndërtohet e ardhshmja pa kujtuar të kaluarën, qoftë ajo e ndritur apo e errët. Një gjë e tillë është mjaft e gabuar. Ka 70 vjet që ka përfunduar Lufta e Dytë Botërore dhe veprat me subjekt nga holokausti nazist kundër hebrejve janë ende mjaft të kërkuara. Mjafton të sillja si shembull filmin e mrekullueshëm “La vita e bella” me Roberto Beninjin i cili në vitin 1997 fitoi tre çmime Oskar. Mendoj se dramaturgjia shqiptare i ka mbetur mjaft borxh pasqyrimit të holokaustit komunist kundër vetë shqiptarëve.
Kjo përsa i përket dramaturgjisë së traditës. Ndërsa për dramaturgjinë e ditëve tona, ku autorët janë vetë gjallë, mendoj se bashkëpunimi i tyre me regjizorin ose edhe protagonistin do të jetë çelësi i suksesit të pjesës çka, për fat të keq, ka munguar pothuajse fare. Më lejoni ta ilustrojë këtë me një shembull personal.
Në vitin 2008 botova romanin “Shkallët e Ferrit”, kushtuar depersonalizimit të intelektualit në sistemin totalitar. Këtë roman në vitin 2012 mendova ta shndërroj në një monodramë por, me të vetmin ndryshim nga romani, që ngjarjet e tij vazhdojnë deri në ditët tona, duke goditur një plagë të shoqërisë së sotme siç është ajo e riciklimit të disa prej figurave të përlyera gjatë periudhës totalitare në krye të organeve drejtuese të shtetit shqiptar, gjë që nuk ndodh në vendet e tjera të ish perandorisë socialiste. Mjafton t’ju sjell vetëm një shembull, në Hungari në muajin mars 2014 filloi gjyqi i ish ministrit të brendshëm të viteve 1957-1961, 92 vjeçarit Bela Biszku, i akuzuar si urdhërues për masakrat e kryera kundër pjesëmarrësve në revoltën e vitit 1956
Këtë monodramë ua dhashë për të më dhënë opinionin e tyre dy regjizorëve të dëgjuar, emrat e të cilëve nuk dëshëroj t’i përmend. por njeri prej regjizorëve nuk denjoi të më kthente përgjigje. Përse? Nuk vlente monodrama apo druheshin se mos i dogëndiste dikujt me detyrë të lartë? Mua nuk do të më vinte fare keq po të më kishin thënë se monodrama nuk vlente. Megjithatë përgjigja nuk erdhi.
Regjizori tjetër, që aktualisht banon jashtë shtetit, midis të tjerave më dërgoi përgjigjen e mëposhtme:

Nga pikepamja artistike me la nje pershtypje te bukur forma, permbajtja, ritmi skenik. Subjekti nuk eshte fare i virgjer, por thene me autoritet dhe besueshmeri. M’u duk se ju zoteroni dhe nje vizion mjaft te pelqyeshem skenik, pervec kultures qe rrezaton, fraza, shkrimi, gjuha dhe bukuria e logjikes. Pra ju pergezoj sinqerisht dhe jo formalisht, sic eshte bere zakon i peshtire ne rrethet tona.

Regjizori më premtoi se do të vinte në tetor dhe do të më takonte. Në fakt u kthye, por me mua nuk mori asnjë takim. Përse? Mos përmbajtja e monodramës cënonte dikë?
Atëherë ia dërgova ish-Drejtorit të Teatrit Kombëtar i cili, për të thënë të vërtetën, e dërgoi për konkurim në konkursin e organizuar me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Ia dhashë edhe sime motre, e cila më këshilloi për disa ndryshime që i kreva, madje i ndërrova edhe titullin. Motra bisedoi me një regjizor dhe një aktor që do të interpretonte. U treguan të gatshëm për ta venë në skenë, por nevojiteshin fondet, në një kohë kur vetë teatri, që është shtetëror, i disponon regjizorët, aktorët dhe fondet e tjera të nevojshme për shfaqjen. Mendoj se është korrekte që kujtdo autori t’i jepeshin argumentet pse pjesa teatrore nuk është e përshtatshme për t’u vënë në skenë, ose kur ka vërejtje të pjesshme, t’i bëhen ato. Këto do të ishin përgjigje dinjitoze.
Si përfundim, mendoj se teatri kombëtar shqiptar, në rast se kërkon të quhet i tillë, duhet të shkëputet me më shumë guxim nga influencat partiake që ndërohen çdo katër apo tetë vjet dhe të ketë më shumë pavarësi për të arritur nivelin që kërkon koha dhe për rritur në mënyrë të konsiderueshme numrin e spektatorëve. Historia botërore ka treguar se dramaturgë të shquar kanë ngritur në veprat e krijuara zërin e protestës kundër padrejtësive shoqërore që sundonin në vendet e tyre, megjithatë ato vepra kanë gjetur rrugën e vënies në skenë në teatrot me zë të botës. Shembull për këtë mund të japim rastin e dramaturgut të mirënjohur amerikan, Artur Miller që, megjithse i ndjekur nga i famshmi ligj i mbiquajtur “Mac Carti” , gjeti rrugët për shfaqjen e kryeveprave të tij “Pamje nga Ura”, “Shtrigat e Salemit” e të tjera. Unë mendoj se këtë rrugë duhet të ndjekin edhe teatrot kombëtare shqiptare.
Mbajtur në takimin mbarëkombëtar për dramaturgjinë shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: reshat kripa, Teatri Kombetar

E Shtuna e Madhe “Nëpër provën e shkandullit të Kryqit, tek Ringjallja”

April 19, 2014 by dgreca

Jetojmë sot të Shtunën e Madhe, në pritje të lajmit, të cilin engjëjt ia dhanë Marisë nga Magdala dhe grave, që kishin rendur tek varri në agimin e së parës ditë pas së shtunës.
Po sot jemi në atmosferën e trishtimit dhe të tronditjes për vdekjen e Zotit. Po ajo atmosferë, që e jetuan dymijë vjet më parë, të tijtë. Besimi i Apostujve në Jezusin, në Mesinë e pritur, kalon sonte nëpër provën e vështirë të shkandullit të kryqit. Në sa Krishti arrestohet, dënohet e vdes, ata shpërndahen. Pastaj mblidhen sërisht bashkë, të pavendosur, të çorientuar. Por vetë i Ngjalluri vjen t’i takojë e t’u shuajë etjen plot mosbesim, për të qenë të sigurt. Nuk ështe ëndërr, as shpresë e kotë e as përfytyrim subjektiv ky takim; është i vërtetë, edhe pse i papritur e pikërisht për këtë, edhe më prekës. “Jezusi i vdekur vjen përsëri, ndalet mes nesh e na thotë: ‘Paqja qoftë me ju!” (Gjn 20,19).
Pas këtyre fjalëve, feja gati e shuar në shpirtrat e njerëzve, ndizet përsëri. Po, Zoti e përmbush premtimin, që pati bërë; vërtet ngjallet e ne, si apostujt e shikojmë, e prekim! Ndonëse ndërmjet nesh ka nga ata që vijojnë të dyshojnë e të ngurrojnë. Si Toma. Duke kërkuar “të shtjenë gishtin në duart e Tij. Në këmbët e Tij. Në kraharorin e tij, për të mos mbetur njerëz që s’besojnë, por besimtarë!”.
“Zotëria im e Hyji im!”. Ta përsërisim edhe ne besojmën tonë të fesë, së bashku me Tomën, në këtë natë heshtjeje e dhimbjeje. Kur Krishti është endè ndër të vdekur e ne, në pritje të Tij. Po ç’do të ndodhte, në se nuk do të besonim në ngjalljen e Zotit? Ç’do të ndodhte me ne, e sidomos me gjithë universin?
Na e përshkruan ankthshëm një nga shkrimtarët më në zë të letërsisë gjermane, Jean Pol, në veprën e tij të famshme “Fjalimi i Krishtit të vdekur nga maja e ngrehinës së botës (Die Rede des toten Christus vom Weltgebäude herab), të cilën e përkthyem lirshëm në gjuhën shqipe, për të jetuar plot shpresë, edhe heshtjen e varrit.

“I kapur nga gjeratorja e ëndrrës, e pashë veten në kapelën e një varreze, ndërmjet varreve të hapura, hijeve ravguese e flokëve të ngatërruar të mjegullës së thimtë.
Në qiellin e shkretë, të errët, kërkova ankthshëm diellin, duke besuar se ishte fshehur pas hënës. Eklips, mendova. Dita i lëshoi vendin natës e binte gjak e shi. E qiellin e çanin vetëtimat, si gjarpërinj të zjarrtë. Varret shkapërtheheshin e dyert prej hekuri të kapelës hapeshin e mbylleshin e përplaseshin me një cingërrimë rrënqethëse prej duarve të padukshme. Mbi mua luhateshin hije, që s’ dihej prej nga vinin, e hije të tjera endeshin nëpër ajër. Brenda varreve të hapura, si djepa mes avullit të ngrirë, shiheshin vetëm ferishte, në gjumë të thellë. Prej qiellit zbriste një mjegull mbytëse. Flokonte dëborë e zezë, që një hije vigane e kapte, si në kurth, duke e shtrydhur gjithnjë më tërbueshëm. E nësa mendimi bëhej re përmbi kokë, pashë rrënjë të shqyera e lisa të çarë e sosjen e shpirtit tim. E lumenj të përbindshëm, që rrokulliseshin në humnerë. Ndjehej gjëma e motit e bota lëkundej në themel. S’e dija se bota paska qenë vetëm ëndërr, e hënë e hyj, veç avull, e degët e selvive, flokë kimerash.
Kisha luhatej në terrina, e shkundur nga dy tinguj të kundërt, të çjerrë, në kacafytje brenda një rrotulle terri. Skeletet vraponin drejt dritareve të tingujve, që ushtonin përmbrenda. Hyra, si i shtyrë prej mjegullës, ndërmjet hijeve të panjohura, e pashë, në maje të tempullit, fushën e sahatit të amshimit. Pa numra e pa akrepë. Vetëm një gisht i zi lëvizte në të e të vdekurit mundoheshin më kot të lexonin kohën.
Të shuemët, bashkë me jetën, humbasin edhe kohën. E tashti ishin flakur në gjiret e zbrazta të amshimit, në asgjënë, që u zbulohej, paradoksalisht, si jeta e vërtetë, kumtuar nga Krishti.
Qirinjve u dhimbsej e mbramja pikë e dyllit në djegje. Koha kishte ndijën e dridhjes. Tingujt binin prej elteri e plasnin mbi rrasat e varreve.
E ja se po shoh duke zbritur nga qielli, mbi elter, një figurë shtatlartë, të fisme. Rrezatonte dhimbje të pashuar. E të vdekurit britën njëzëri:
– Krisht, ka apo s’ka Zot?.
Ai gjegji:
– Nuk ka!
Hijet e të vdekurve, e jo vetëm kraharori, fërgëlluan e, mbas një përqethjeje të hatashme, u thërmuan.
Krishti vijoi:
– Përshkova botë, u ngjita deri në diej, fluturova në Udhët Qumështore, deri në fund të shkretëtirave të qiejve, po Zotin nuk e pashë gjëkund. Zbrita deri atje, ku qenia projekton hijet e veta e rrëmova në fund të humnerave e bërtita sa u tund hapësira: “Ku je, o Atë?”. Po m’u gjegj vetëm stuhia e amshuar, që shfren verbërisht, pa një dorë, që ta drejtojë. E ylberi vezullues i qenieve lartohej përmbi humnera, pa diellin, që duhet ta krijonte, e pikonte poshtë pikë-pikë.
E kur i çova sytë kah bota e pafundme, duke kërkuar syrin hyjnor, ai më nguli në bebe të syrit një zgavërr të hatashme; e amshimi shtrihej mbi kaosin: gërryente e përtypte vetveten.
– Këlthisni më fort, më fort, më fort, ju tinguj kacafytës, davaritini hijet: sepse Ai nuk është!
Hijet luhatëse humbisin, si avull i bardhë, që çohet prej akullit, kur ndihet fryma e ngrohtë. Bota, e mbyllur në vetvete, u shkapërthye. E mbeti pezull ndërmjet qiellit e humnerës. Si arkivol vigan mbi shpatulla yjesh. E gjithçka u zbraz. Erdhën, mandej, që përtej, në tempull – o pamje e hatashme për zemrën – fëmijët e vdekur, që ishin zgjuar në varrezë. Rrënqethje mishi engjëjsh me sy adhurues të frikshëm jetimash. U hodhën te këmbët e figurës shtatlartë para elterit e i thanë:
– Jezus, nuk paskemi pra, një atë?
E ai, me lotët, që i rridhnin si lumë, gjegji:
– Jemi të gjithë jetimë. Unë e ju. Jemi pa atë!
Atëherë tingujt e mprehtë kacafytës kërcëlluan më fort; muret e tempullit u drodhën e u shkapërderdhën e në tempull ferishtet u fundosën, e toka e dielli i ndoqën pas, e krejt ngrehina e botës u kapërdi në terr, me gjithë pafundësinë e vet; u shemb në humnerë para nesh – e atje lart, në kulmin e natyrës pa cak, ishte Krishti. E shikonte përposht ngrehinës, të shpuar nga mija diej, të ngjashme me një minierë zgropuar në natë të amshuar, në galeritë e së cilës diejt endeshin e çendeshin, si dritëzat e minatorëve, e Udhët e Qumështit dukeshin si vena argjendi.
E kur Krishti pa turmën e dendur të botëve, procesionin e zjarreve qiellore të zbrazta e grumbujt ngjyrë korali të zemrave, që rrihnin; pa planetet, njeri mbas tjetrit, duke u shembur në detin e të vdekurve e plasjen e shpirtrave të tyre, si dredha vezulluese bollash mbi valë ujrash, atëherë Ai, i madh, si Kryemortar, çoi sytë nga asgjëja, nga pafundësia e zbrazët, e tha:
– Asgjë nuk mund t’i bëjë ballë kohës. Rastësi e amshuar, e akullt, e çmendur. Sa jeta vetë zgjat për njeriun rrugëtimi drej vdekjes. Kujtoni: e drejta juaj është pyetja. A e dini çka keni përposht? E kur do ta shembni ndërtesën e edhe mua? Rastësi, ti e di se botët kanë farën e vdekjes në parzëm. Por nuk e di se kur do të kalosh madhërisht me uraganet tua përmes breshërisë së yjeve, duke fikur diell mbas dielli, e kur vesa vezulluese e yjeve do të shuhet nën hapat e tu! Sa i vetmuar është njeriu, në varrin e pafundmë të universit. Kam pranë vetëm vetveten. O atë! Atë! Ku është kraharori yt i amshuar, që ta mbështes mbi të kokën e këputur?
– Ah! Nëse çdo vetje është atë e krijues i vetes, pse nuk mund të jetë edhe engjëll shfarosës i vetvetes? Ësht ende njeri, ky që kam pranë? Qyqarët ju! Jeta juaj imcake është thjesht një frymëmarrje e natyrës, apo vetëm jehona e saj – pasqyrë konkave, që lëshon rrezet e reve të hirit të të vdekurve mbi tokën tuaj; e kështu lindët ju, figura të terrshme luhatëse. Shiko poshtë, në humnerën, ku rrogomisen retë e hirit – e mjegullnajat plot me botë, që ngjiten nga hiri i të vdekurve: – ardhmeria është mjegullnaja, që ngjitet; e sotmja, ajo që rrogomiset. A e dallon ti tokën?
Krishti pa në teposhte e sytë iu mbushën me lot, e vijoi:
– Ah, njëherë e një kohë isha mbi tokë. I lum! E kisha ende Atin tim të amshuar e nga malet lartoja sytë drejt qiellit e mbështesja kraharorin e shporuar mbi figurën e Tij ngushëlluese e thosha, edhe në çastin e hidhur të vdekjes: “Atë, nxirre birin tënd prej përmbrendcave të veta të përgjakura e lartoje pranë zemrës sate!”.
Ah ju, banorë tejet të lum të dheut. Ju besoni ende në të. Ndoshta tani dielli juaj fshihet ngadalë prapa malesh e ju bini në të dy gjunjtë ndërmjet lulesh, qirinjsh, lotësh e i çoni kah qielli duart e lume e, ndërmjet lotëve hareplotë, lartoni edhe zërin drejt qiellit të hapur e thoni:
– Ti më njeh edhe mua, o i Amshuar, m’i njeh plagët, të gjitha, e si të më mbyllen sytë përgjithmonë, do të më marrësh butë-butë ndër krahë e do t’m’i shërosh të gjitha.
Mjerë ju, të mjerët! S’ka plagë që shërohet pas vdekjes, kur njeriu i pushtuar nga ankthi, më në fund shtrihet, i thyer më dysh, e shpreson të bjerë në fashë, në pritje të agimit të ditës më të bukur, përplot me vërtetësi, virtyte, gazmend. E ja se zgjohet në gjirin e kaosit të shtërngatshëm, në mesnatën e amshuar, e s’del më dritë për të, e nuk i shtrihet asnjë dorë shëruese e s’shihet kurrnjë Atë i amshuar.
– Mortar, që merr frymë pranë meje, nëse e ndjen veten ende gjallë, adhuroje! Përndryshe e humbe përgjithnjë!
Kur rashë përdhe e vërejta brenda ngrehinës së ndritshme të botës, pashë edhe dredhat në lëvizje të gjarpërit të amshimit, që e kishte kapërthyer universin – e mandej, mijëra dredha të tjera rrotull natyrës. I shtynin botët njerën kundër tjetrës e gjithçka u ngushtua, u err, u kap në kurth të ankthit – e një rrumb vigan këmbane trokiti orën e fundme të tokës e rrogomisjen e ndërtesës së botës…

… kur më doli gjumi. U zgjova te dita e kthimit, me zjarrin e mallit për jetë në shpirt…
Shpirti im qau prej ngazëllimit, kur u kujtua se mund ta adhuronte përsëri Zotin, e gëzim e lot e besim në shpirtin tim u bënë lutje.
E kur u çova, dielli varej në teposhte e fshihej dalë-nga-dalë mbas kallëzave të praruara, bukëplote, të grurit e lëshonte hijen e paqtë të perëndimit mbi hënën vocrrake, që lartohej në qiell. E ndërmjet qiellit e tokës, një botë gazmore, kalimtare, hapte flatrat puplake e jetonte, si unë, para syve të Atit të amshuar. E gjithë natyra për rreth tingëllonte, me tinguj të paqtë, si jehonë e largët e këmbanave të mbrëmjes…

Shpirti im qau nga gëzimi”, shkruan Jean Paul në fund të këtij vegimi, që disa kritikë e vlerësuan menjëherë si shprehje tipike të nihilizmit të skajshëm e si mohim të plotë të amshimit, që i hapi rrugën shekullit të ‘vdekjes së Zotit’.
Por lexuesi i vëmendshëm e ndjen menjëherë se pas zgjimit prej makthit, në shpirtin e njeriut lind shpresa, madje siguria se Zoti ishte aty! Zoti është! Nuk jemi jetimë, të braktisur në udhët e fatit e të vdekjes së amshuar, të lënë në mëshirën e asgjësë.
Ai, që mohon Zotin, është më i vetmuari në univers. Njeri i zhytur në mort, jetim, pa Atin e madh. Gjëmon mbi kufomën vigane të natyrës, që i ngjet sfinksit të gurtë egjiptian, humbur përgjysëm në rërën e Universit. E nuk gjallon, sepse nuk është më në bashkim me shpirtin universal; e lind e rritet e vdes në varr.
Kuptimi i fondit të fjalimit është i qartë: ateizmi e lë botën pa “diellin e vet’ e pa qendrën e gravitetit.
Prandaj leximi i këtij vegimi e shkund shpirtin njerëzor nga kotja shpirtërore, duke i ndezur rishtas para sysh, dritën e besimit në Zotin, domethënë, në jetën e pasosur. Nga radhët tronditëse të “Fjalimit të Krishtit të vdekur”, na lind siguria se Krishti është i gjallë mes nesh!
“Nga plagët e tij jeni shëruar” (1 Pt. 2,24) – është ky lajmi që u jepte Pjetri atyre që u kthyen të parët në fenë e Krishtit. Këto plagë, që për fenë e ndokujt në fillim janë pengesë, sepse shenja të dukshme të falimentimit të Jezusit, po këto plagë bëhen, në takimin me të Ngjallurin, prova të një dashurie ngadhënjimtare. Këto plagë që Krishti i mori për dashurinë tonë, na ndihmojnë të kuptojmë kush është Zoti e të përsërisim edhe ne: “Zotëria im e Hyji im!”. Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar!
…
E shtuna shkon drejt së Dielës. Kryqi është ngulur mbi kulmin e rruzullimit. Varri i hapur shënon fundin e njeriut të vjetër. Në vdekjen e Krishtit shemben të gjitha fronet e ligësisë, ngritur mbi zemrat e ngurta. Para korpit të varrosur të Krishtit, kuptojmë kush jemi: krijesa që, për të mos vdekur, kanë nevojë për Krijuesin e tyre.
Në varrezën e heshtur, që mbështjell kopshtin e ullinjve, përhapet një përshpëritje e lehtë.
Varret thithin ajrin e freskët të prillit e ndjejnë blerimin në zemër, nësa dëgjojnë jehun e një zëri, që i flet njerëzimit të gjallë e të vdekur: “Unë jam i gjallë! Jam me ju!”.

Kush është Jean Paul?

Johann Paul Friedrich Richter, që tashmë njihet me emrin letrar Zhan Pol (1763-1825), është një nga autorët më të diskutueshëm e enigmatikë të letërsisë gjermane. Shileri e shikonte si njeri të rënë nga hëna. Gëte, si personifikim i ankthit të kohës së tij! Ndoshta pse ishin krijesa të pangjashme, që krijuan vepra të pavdekshme në rrethana krejt të ndryshme: njëri nën shkëlqimin e dritave të forta të mjedisit aristokratik, ku e kishte ulur fati; tjetri, nën dritën e mekur të një qiriu, në skutat e Gjermanisë së kohës së vet, në mes të varfërisë më të frikshme. Prej këndej, ikja nga realiteti, tipar i veprave të shkrimtarit të madh, që jetoi larg kohës së vet e edhe më larg mendësisë së universiteteve, ku studioi një herë teologji, pastaj estetikë e gjeometri, për të ikur përgjithmonë, i neveritur nga mediokriteti, që e rrethonte. I mbyllur në vetmi të thellë, krijoi një mori romanesh, duke nisur nga “Lozha e padukshme” (1798); “Espero” (1795); “Jeta e Quintus Fixlein” (1796); “Siebenkäs”; “Titan” (1800) e shumë të tjerë. Në veprat e tij elementi i gjithëpranishëm është ëndrra. Ai lindi, jetoi, krijoi e vdiq duke rrëmuar në skutat më të fshehura të shpirtit njerëzor, të jetës së tij, e deri të vdekjes. Poet pasiv e ëndërrimtar, dëgjoi vetëm fjalën, që i fliste shpirti i tij i shqetë. E këndoi me të, duke krijuar poemat e romanet e tij të famshme lirike në prozë, në kohën e “Sturm und Drang”(Stuhi e Vrull) që nisi të frynte në Gjermani, duke u radhitur ndërmjet të mëdhenjve të kohës së tij e të atyre, që do të vinin pas: Kierkegaard e Nietzche. Shkroi për njeriun, problemet e tij, lidhjen me natyrën, me fatin, me dashurinë, me jetën shoqërore, duke gërshetuar vegimin me realitetin, me ngjyrime kozmike, groteske, patetike, si e shikojmë në radhët tronditëse të “Fjalimit të Krishtit të vdekur”, përmes të cilit lind siguria se Krishti ësht i gjallë mes nesh!(Kortezi:Radio Vatikani)

Filed Under: Opinion Tagged With: E shtuna e madhe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 749
  • 750
  • 751
  • 752
  • 753
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT