• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇMIMI QE DUHET TE PAGUAJE PERENDIMI

May 5, 2014 by dgreca

Opinion Nga Ajet Delaj/ New York/
Perplasja e perendimit me Rusine eshte haraçi qe duhet te paguaje perendimi per lenjen ne mes te rruges te revolucioneve demokrate te fundit te viteve 80te si dhe ndihma e pakusyer dhe e pakushtezuar e perendimit per te rimkembur Rusine.
Miljona antikomuniste te pushkatuar per bindjet e tyre e aspiratat e tyre per liri e demokraci e deri edhe per nje fjale goje e po kaq te masakruar e shfrytezuar edhe pa buke pergjate tere sundimit te perendorise te se keqes te kaloje pa ndeshkimin me te vogel edhe pse krimet e komunizmit nuk kane qene me te vogla se te nazizimit nuk mendoj se ka gje ketu per te mos kuptuar nga lideret perendimore mbi ate qe po ndoll ne Ukrine e ne vet Rusine.
Ekonomite e lulezuara sipas komunisteve deri diten kure rane u grabiten dhe u vodhen nga komunistet dhe trashigimtaret e tyre deri ne centin e fundit qe ishte djersa dhe gjaku i miljona qytetareve te lindjes pasi ata vete per rreth gjysme shekulli kane qene vetem gjakpires e parazite e prape nuk u muar asnje veprim kunder tyre e nuk u ndeshkua askush.
Kesaj i thone pasi ta keshe plagosur ariun ta kurosh e sherosh e te ankohes se tani ariu po me ha.
E madhja Theçer ka thene se komunizmi dhe socializmi jane njelloj te rrezikshem per njerzimin. Perse perendimoret ne kohen e luftes se ftohte shoqerite e tyre mbajten ne pushtet te djathtet edhe per periulla 20 vjeçare e Presidenti Charles De Gaulle beri tre kushtetuta per te ndaluar komunistet te vinin ne pushtet ndersa ish-komunistet e pareformuar u lane te rikthehen ne pushtet me vota te vjedhura e manipuluara ne te tere Lindjen ishkomuniste e perendimi heshti.
Europianet dhe Amerikanet jo se nuk kane kuptuar por nuk kane dashur te kuptojne pasi shembujt i kane pasur te qarte e para syve.
Ish presidenti i njerit nga vendet Balltike ish emigrant ne USA kure e pyeten mbas mbarimit te mandatit si President i Lituanise rreth viteve 2000 nese nuk jam gabim se perse nuk u derdh gjak me rrezimin e komunizmit pergjigja e tije ishte e shkurter dhe e sakte “Komunizmi nuk eshte rrezuar” dhe me tej ka shtuar se kishte deshtuar ne demokratizimin e vendit pasi sa here kishte inicuar reforma domethense te dy krahet e parlamentit bashkoheshin kunder tij pasi te dy krahet ishin neokomuniste qe kishin ardhur aty me metoda jodemokratike.
Me tej akoma ne Rezoluten e Parlamentit te Europes mbas 2005 per te denuar krimet e komunizmit nga 720 parlamentare kane marre pjese ne seance 80 e kane votuar pro rezolutes diçka me shume se 50% pra 42 apo 43 parlamentare.
Çfare ka ketu per te mos kuptuar z Fyle Komisioner i Zgjerimit te BE e shume Fyle te tjere ne Europe e Amerike. Megjithate lavdi Zotit Krimea apo Ukraina nuk eshte fundi i botes apo i demokracise perendimore pasi jane thjesht kembane e forte alarmi per te perveshur krahet e rifilluar aty ku eshte lene ne 90ten. Thellesisht besoj se tashme perendimi eshte i qarte se ku ndollet ne raport me ish-komunistet qe nuk jane gje tjeter veç neokomuniste po aq antidemokrat , kriminel e antiperenimore sa the baballaret e tyre.
Zevendesimi i regjimeve kriminale komuniste me regjime kriminale te korruptua e oligarkike ne Europen e Lindjes eshte e papranueshme per popullesite e ketyre vendeve por ne te njejten kohe edhe e paqendrueshme.
Tregues me te mire te kesaj gjendje te vazhdimsise kriminale nuk mundet te kete sesa okupimi i Krimese e gjysmes se Ukraines pa shprazur nje pushke. Elitat kriminale te korruptuara te lindjes ish komuniste perveç se jane te korruptuara jane edhe filo-ruse qe ju kane hypur popujve te tyre ne qafe e natyrshem e konsiderojne demokracine e perendimin si armikun e tyre kryesor.
Demokracite perendimore perpara se te perballen me Rusine duhet te pastrojne shtepite dhe oborret e tyre pasi eshte e turpshme se si ish Kancelari Gjerman perqafohet me Putinin ne te njejten kohe qe vazhdon te derdhet gjaku i popullit ukrainas nga falangat ruse e shume qeveri kryesisht te majta te ish-lindjes komuniste heshtin e mundohen te flirtojne nen rrogoz me Putinin.
Histora ka treguar se armiku me i madh e shkaterrues per diktaturat dhe regjime kriminale eshte stuhia e lirise qe ben qe popujt e shtypur te ngrihen e ringrihen pa marre para syshe asnje rrezik.
Perendimi duhet te japi shenja te qarta per popujt e shtypur se me rrezimin e diktaturave nuk do pranojme regjime kriminale te korruptuara qe zakonisht diktaturat perpiqen qe te lene pas gje qe fatekeqesisht duhet thene ka ndollur gjer tani.
Perendimi i ka te tera mundesite njerzore , morale e financiare per te udhehequr si deri me tani nje bote paqesore e demokratike duke vendosur ne themel te rendit boteror lirite dhe te drejtat themelore te njeriut ashtu siç ka bere edhe gjer tani.
Nuk kerkohet gje tjeter ne organizimin e shtetit e shoqerise ne europen e lindjes veç ajo qe eshte funksionale ne perendim, ligj, drejtesi, mbeshtetje sociale e pagim taksash nga gjithe qytetaret e natyrshem te gjitha keto menazhuar e kontrolluar nga nje pushtet qe del nga vota e lire dhe e ndershme e qytetareve te ish-lindjes komuniste.
Flitet ne konferenca antikorrupsion ne Shqiperi e gjoja behen strategji per luftimin e tije e nuk thuhet nje fjale per grabitsin me te madh te pasurise se shqiptareve Qeverine e krimit te organizuar qe sundon vendin qe 24 vjet e askush nga perendimoret nuk prononcohet .
Si eshte e mundur te lejohet Kryeministri Shqiptar Edi Rama te shperndaje tapi mbi token e pronareve shqiptar si Enver Hoxha ne 1946 ku ne kundershtim me Kushtetuten e Shqiperise e tera aktet e konventat nderkombetare ku shteti shqiptar ka firmosur duke perfshire edhe Gjtkaten e Strasburgut dhe partneret perendimore te Shqiperise heshtin.
Nese perendimi do te japi suport per lirine e demokracine e popujve te shtypur te lindjes ish komuniste energjite dhe uniteti i lindjes me perendimit do te arrije nje nivele te papara me pare e rusve do filloje t’ju bjeri çatia e shtepise se tyre.
Koha ka treguar se ngritja e popullit per liri e demokraci ka rrezuar diktatura te fuqishme kriminale e te organizuara e furis se popullit nuk i ka rezistuar askush nga regjimet diktatoriale , as Rusia.
Ajet Delaj
New York

Filed Under: Opinion Tagged With: Ajet Delaj, cmimi, PERENDIMI, QE DUHET TE PAGUAJE

Pse kryeministri Thaçi i kërkoi zgjedhjet të afërta?

May 5, 2014 by dgreca

Nga Teuta Berisha*
Gjatë takimit me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, Kryeministri Thaçi deklaroi publikisht që zgjedhjet e parakohëshme të mbahen në 8 qershor. Pavarësisht se ka muaj që parti të opozitës insistonin që të bëheshin zgjedhjet e parakohëshme, por kjo kërkese nuk pranohej nga Kryeministri. Fare papritur ndryshoi mendim Kryeministri dhe deklaroi që kërkon që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në një datë të afërt. Nga kjo deklaratë kuptojmë që kryeministri e ka përgatitur terrenin për zgjedhje shumë kohë para deklaratës dhe në këtë mënyrë tenton që të zejë partitë opozitare në befasi.
Interneti vitet e fundit është një element i rëndësishëm për te fituar vota. Rrjetet sociale dhe media përdoren pothuajse nga të gjithë politikanët për të bërë fushatë. Si shembull mund të themi zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri te cilat u fituan nga Edi Rama. Edi Rama i përdori shumë shpesh rrjetet socale duke shpërndarë vazhdimisht fotografi propoganduese. Prandaj kjo fushatë luajti rol të rëndësishëm gjatë fushatës zgjedhore. Këtë taktikë po ndjek edhe kryeministri Hashim Thaçi. Pavarësisht se rrjeti social Facebook ka vite që është hapur kryeministri e hapi kohët e fundit profilin e tij te vonuar. Menjëherë pasi e hapi profilin shumë fotografi dhe deklarata filluan të postoheshin në profil. Prandaj duket qartë se pavarësisht nuk i mbështeste zgjedhjet e parakohëshme vazhdimisht ka postuar fotografi në pozicione te ndryshme. Synimi është që të fitoje më shumë vota por fatkeqësisht sipas raporteve të Bashkimit Evropian Kosova është një ndër vendet më të varfëra të Evropës. Prandaj shoqëria Kosovare nuk ka nevojë për fotografi por për llogari se sa u punua gjatë viteve të qeverisjes së tij.
Një arsye tjetër se pse kryeministri kërkon që zgjedhjet të mbahen shpejt është sepse shqetësohen nga harresa. Pra, fatkeqësisht pati një rritje te vogël të rrogave vetëm muajin e fundit të qeverisjes Thaçi. Gjithashtu për shkak të fushatës u bënë e shumë premtime që venë në pikëpyetje se sa mund të realizohen ato. Tani që kjo rritje e rrogave dhe këto premtime të jenë të freskëta në mendjet e njerzëve kryeministri insiston që zgjedhjet të mbahen sa me shpejt që është e mundur. Por, Kosova e tregon vetë realitetin e hidhur dhe disa fotografi e disa reklama nuk munden që ta mbulojnë këtë realitet. Nivelin e varfërisë dhe të papunësisë mund ta venë re të gjithë Kosovarët sepse janë vetë ata pjesë e këtij realiteti të hidhur.
*/Deputete në kuvendin komunal Obiliq

Filed Under: Opinion Tagged With: kerkoi, Pse Thaci, te aferta, Teuta Berisha, zgjedhje

Kur do të bëhet Shqipëria?

May 4, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Një pyetje që sot për sot nuk gjen përgjigje. Lexoj në shtypin e përditshëm njoftimin se Shqipëria paska humbur dy vende në klasifikimin e përgjithshëm të Freedom House për vitin në vazhdim..Një gjë e tillë nuk më habit pasi e shoh përditë, edhe në shembullin tim personal, që media shqiptare është e tërhequr më tepër pas pozicionimeve partiake gjë që, në një media demokratike, nuk duhet të ekzistojë. Por, për fat të keq, ky është një realitet i kohës së sotme. Një gjë e tillë vrehet edhe në qëndrimet e partive të ndryshme politike që, njera pas tjetrës, drejtojnë politikën e qeverisjes së vendit tonë, madje edhe në shoqatat e ndryshme që veprojnë në vend.
Le të flasim më konkretisht. Sot në Shqipëri ekzistojnë një numër i madh partish politike. Ekzistojnë, gjithashtu, një numër i jashtëzakonshëm shoqatash jo qeveritare që paraqesin programet e tyre politike ose jo politike. Një nga këto është edhe Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë që unë e përfaqësoj si kryetar i degës së Tiranës të saj.
Dua të ngre disa çështje të cilat unë i konceptoj sipas gjykimit tim dhe të shtreës që unë përfaqësoj. Konstatimi kryesor që dua të ngre në këtë shkrim është se sot politika shqiptare mundohet të kalojë në heshtje kontributin e dhënë nga përfaqësuesit më në zë të nacionalizmit shqiptar. Une do të doja t’ju shprehja se ishte pikërisht nacionalizmi shqiptyar ai që mbajti të gjallë frymën e shqiptarizmit në të gjithë ekzistencën e këtij kombi dhe ai nuk mund të hidhet poshtë nga disa individë antishqiptar që kanë marrë ndër duar frenat e politikës së këtij vendi.
Le të flasim me shifra konkrete. Në këtë kuadër nuk dua të bëj dallim ndërmjet politikës së djathtë dhe asaj të majtë. Kemi disa vite që shoqata e jonë i ka drejtuar Presidentit të Republikes kërkesën për dekorimin e disa personaliteteve të shquara të nacionalizmit dhe vendit tonë por deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Në të kundërt shohim se dekorohen ish përgjegjësit e atentateve mafioze të periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe ata të maskrave të Tivarit e të tjera, ish gjeneralët e diktaturës totalitare, vetëm e vetëm pse i përkasin ish shtresës komuniste. Natyrisht një gjë e tillë është e papranueshme. Ne duam një Shqipëri për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për disa.
Një kërkesë të tillë nuk e ka bërë vetëm shoqata e jone, por edhe nga degët e tjera në rrethet e vendit. Por përgjigja e vetme ka qenë heshtja e organeve kompetente. Aq me tepër kjo ndihet më shumë kur në ato institucione punojnë edhe një pjesë e mirë e atyre që i vuajtën mbi shpatullat e tyre pasojat e regjimit të egër komunist. Do t’ju thoja atyre zotërinjve: Mos harroni gjakun e të rënëve tuaj! Mos harroni të kaluarën tuaj!
Personalisht, në muaji dhjetor 2013 jam dekoruar nga Presidenti i Republikës me medaljen “Naim Frashëri” të artë. E falënderoj Presidentin e Republikës për këtë medalje të çmuar por më duket sikur nuk e meritoj para atyre burrave të shquar të nacionalizmit shqiptar që, në çastet më të vështira të jetës time, kur endesha gërxheve dhe shkrepave ku më kishte degdisur sistemi totalitar, më mësuan rrugën nëpër të cilën duhej të ecja, rrugën e demokraciosë së vërtetë perëndimore.
Këto përsa i përket së kaluarës së vendit tonë. Tani le të kthehemi në të ardhmen. Një sistem i ri është vendiosur në vend. Një politikë e re po zvillohet. A është kjo në përkrahje të detyrimeve ndaj shtresës tonë? Nuk dua të paragjykoj por, sipas të dhënave të deritanishme vazhdon e njëjta gjuhë e trajtimit të çështjeve. Vazhdon e njejta demagogji, në mos më tepër. Flitet për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Kanë kaluar mbi shtatë muaj nga vendosja e qeverisë së re dhe deri tani asnjë nuk ka mundur të marrë dëmshpërbliminn që i takon me ligj. Gjatë fushatës elektorale u premtuan shumë gjëra. U premtua se ligji i dëmshpërblimiut do të përfundonte brenda afatit të caktuar. U premtua se vlera e dëmshpërblimit do të rritej në 25 Euro për ditë burgu. U premtua se brenda dy viteve do të përfundojë dëmshpërblimi i të gjithë atyre që janë gjallë. Për këto dhe shumë premtime të tjera elektorale tani ka rënë heshtja. Askush nuk përgjigjet. Përse???
Të përndjekureit politikë nuk kanë vetëm çështjen e dëmdshpërblimit financiar. Ai është një detyrim që e ka shteti ligjor. Të përndjekurit politikë duan të dijnë se kur do të zgjidhet çështja e hapjes së dosjeve për bashkëpuntorët e sigurimit të shtetit dhe organet që i detyruan ata të nëshkruajnë . Kur do të dënohet figura e diktatorit Enver Hoxha dhe kur do t’i hiqen dekoratat dhe titujt e fituar gjatë sistemit totaliatar? Kur do të rishikohen datat simbol të sistemit komunist që ende ekzistojnë në shoqërinë shqiptare? Kur do të bëhen publike dokumentat që dëshmojnë për krimet e kryera nga regjimi komunist? Kur do të plotësohen detyrimet që lidhen me statusin e të përndjekurve polittikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin e të tjera? Sot vihet re një masë e paparë e pushimeve nga puna të ish të përndjekurve politikë. Përse? Kur do të caktohet një fond për gjetjen dhe rivarrosjen e të rënëve në luftën kundër komunizmit, në mënyrë që të afërmit e tyre të kenë një varr ku të vendosin një tufë me lule apo ku të derdhin dy pika lot. Së fundi kur do të organizohet konferenca kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të përndjekurve politikë, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimi komunist. Të gjitha këto janë të përmbledhura në rezolutën e aprovuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2006, ku ju nuk pranuat të merrni pjesë, ashtu siç nuk pranuat të merrni pjesë në miratimin e ligjit për dëmshpërblimin e të përndjekurve politië por që tani e pranuat se ai duhet zbatuar.
Së fundi edhe një gjë tjetër. Ajo që ka lidhje me të ashtuquajturën dita e çlirimit. Ndoshta kjo duhej të vihej e para, megjithatë mendoj se edhe në fund ia vlen të diskutohet. A ishte me të vërtetë një ditë çlirimi? Zor se mund të besohet. Nuk mund të besohet, pasi një ditë që solli robërimin e një populli nga një dikaturë më e egër nga ajo e pushtuesve nuk mund të quhet e tillë. Një ditë që e ndau vendin nga aletët më të njohur të demokracisë botërore nuk mund të quhet e tillë. Një ditë që ekzekutoi kuadrot më në zë të popullit shqiptar nuk mund të quhet e tillë. Një ditë që burgosi dhe internoi, pa asnjë shkak, me mijra e mijra bashkëkombas, nuk mund të quhet e tillë. Një ditë që e ktheu në skllav një popull të tërë nuk mund të quhet e tillë. Ndaj u bëj thirrje korbave që çirren për të kremuar këtë ditë të zezë të kombit shqiptar: Heshtni dhe mos u ndjeni më! Ju do të mbani në ndërgjegjen tuaj turpin e këtij kombi maritir!
Le t’ia lemë kohës të gjykojë. A do të bëhet Shqipëria? Unë thashë gjatë këtij shkrimi se nuk dua të paragjykoj asnjë, por gjithmonë jam në pritje të realizimit të kësaj ëndrre të kombit shqiptar.. Në të kundërt do ta konsideroja një demagogji të ultë të politikës shqiptare, të padenjë për atë që e deklaron veten burrë shteti. Me pak fjalë do të doja të thoja se Shqipëria e sotme nuk udhëhiqet nga shqiptarë të vërtetë. Kjo është fatkeqësia e këtij kombi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kur do të bëhet, reshat kripa, shqiperia

Maqedoni, Fitoi “diktatura”…

May 2, 2014 by dgreca

Opinion nga Dionis Xhafa/
Diktaturat përgjithësisht ushqehen me mite, me heronj, me figura të lartësuara dhe me zmadhim të realitetit dhe identitetit kombëtar. Thuajse në po të njëjtën lartësi përmbajtësore të elementëve të tillë “diktatorialë” janë edhe objektet e ngritura së fundmi në Shkup, me figura kombëtare të zmadhuara, me kisha po ashtu tejet të glorifikuara dhe me një këmbëngulje në një identitet kombëtar më tepër nga sa ekziston. Për të shtuar më tej faktin se Gruevski u cilësua nga media me rëndësi ndërkombëtare si një “diktator i vogël”. Edhe pse të gjithë këta elementë të thonë se në Maqedoni kemi të bëjmë gati me një diktaturë, vetë popullata sërish e voton këtë lloj qeverisje. Në një kohë që kemi një popullatë të ushqyer me mite, me ndjenja nacionaliste e etnike, të ushqyer me urrejtje ndaj etnisë tjetër, edhe politika e përdor mjaft mirë këtë element për ti bërë pjesë e ideologjisë së vet njerëzit. E diela e 27 prillit kaloi, por rrënimi i një politike që ka ngulur rrënjë të thella në ideologjinë e vet edhe në popullin “patriot”, nuk ra e vështirë të bjerë. Në një shoqëri ku flitet për mbijetesë e ku presioni me vend pune është akoma prezent, liria është më e çmuara fjalë. Që nuk ka liri dhe që është më e larta vlerë e demokracisë, mjaft të përmendësh faktin se partia shqiptare në pushtet, BDI doli me ultimatume ndaj njerëzve për bojkot zgjedhjesh, gjë që vetëm demokratike s’mund të jetë. Edhe sikur kjo mini-diktaturë të zgjasë, është vetëm kënaqësi e pushtetarëve, pasi do vij një ditë që do të mbahet mend si e tillë, e do të kujtohet për së keqi. Ballkani është aq i mbushur me mite dhe njerëzit aq “dehen” nga ta, saqë mashtrimi me vepra që marrin taksa pa fund qytetarësh “për identitet kombëtar” ecën mjaft mirë. Mini-diktaturë është se kryeministri kur të tjetër e akuzojnë për korrupsion i akuzon se duan ta përmbysin, mini-diktaturë është, se të gjitha insttucionet janë të kapura politikisht, diktaturë është, se “Shkupi 2014”, kryqet nëpër malet e kryeqytetit, statuja e Car Dushanit, që paguhen me taksa qytetarësh, janë marrëzia e një politike që deh masat me patriotizma të paqenë. Mund t Mund të thuhet me pak fjalë, se në Maqedoni triumfoi ‘diktatura’.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fitoi “diktatura”...Dionis Xhafa, maqedoni

Shpifja, kjo armë e njerëzve pa karakter

April 29, 2014 by dgreca

Për shpifësin nuk gjendet ilaç që ta shërojë-Aristofan/
Shkruan: ESHREF YMERAJ/
Më datën 22 prill 2014, në gazetën internetike “Fjala e Lirë” të moderatorit të nderuar Prof. Fatmir Terziu, unë botova, si reagim, artikullin me titull “Mirënjohje e thellë për zonjën e nderuar Nimfa Hakani”. Ndaj artikullit tim, një ditë më vonë, më 23 prill, ka reaguar zoti P. Gjerazi, i cili deklaron se është historian. Në reagimin e vet ai më akuzon se unë i paskam bërë një interpretim të shtrembëruar analizës së shkëlqyer të zonjës Hakani në artikullin e saj me titull “““Kozmopolitizmi” dhe “Europianizmi” shqiptar shfaqet në mënyrë të shëmtuar”, të botuar në“Fjala e Lirë” më 21 prill 2014. Dhe, për të “argumentuar” akuzën e vet, rrëshqet në batakun e një shpifësi të rëndomtë që s’e ka për gjë ta shesë të bardhën për të zezë.
I mllefosur kundër meje, ashtu siç dinin të mllefoseshin dikur vetëm komunistët shqiptarë enverhoxhistë përballë kundërshtarëve të tyre politikë, zoti P. Gjerazi, që nuk e ka burrërinë të prezantohet me emër të plotë, por vetëm me iniciale, shpif kundër meje në mënyrën më të çuditshme, duke deklaruar se unë paskam qenë komunist, ndërkohë që unë s’kam qenë kurrë i tillë. Por meqenëse unë kam qenë shef iRedaksisë së Përkthimeve të veprave të Enver Hoxhës në ish-Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, sipas këtij historiani, unë “duhet të kem qenë” komunist!
Në artikull unë shprehja pikëpamjen time se me ftesën që Televizioni Klan i kishte bërë këngëtarit shovinist serbZdravko Çoliç, nuk kishte bërë gjë tjetër, vetëm se kishte vazhduar traditën e antinacionalizmit shqiptar, themelet e të cilit i hodhën Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë më 8 nëntor 1941. Si historian që qenka, zoti P. Gjerazi, ma do mendja, duhet ta ketë lexuar librin e dr. Vasfi Baritut, me titull “Enver Hoxha në optikë të re”(Shtëpia Botuese UEGEN, Tiranë, 2013), një libër ky me të dhëna befasuese, tërësisht rojtinore (arkivore), përmes të cilave zbulohet lakuriq figura e Enver Hoxhës, i cili, në marrdhëniet me Beogradin, del para opinionit publik shqiptar si një udhëheqës pa kurrfarë morali kombëtar.
Nën parullën e antinacionalizmit enverian që mbollën në truallin tonë amtar Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, komunistët shqiptarë i lejuan shovinistët serbomëdhenj të kryenin masakrën e rëndë të Tivarit. Nën këtë parullë antikombëtare, edhe pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë në vitin 1948, të gjithë kosovarët që arratiseshin nga tirania serbe për në atdheun amë, Enver Hoxha ose i kalbte në burg, ose ia kthente Titos në kufi për t’i pushkatuar apo për t’i varrosur për së gjalli nëpër burgjet apo kampet e përqendrimit të Jugosllavisë. Miqësia e nëndheshme e Beogradit me Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij, jo vetëm që ka lulëzuar për një gjysmë shekulli, çka u konkretizua me kthimin mbrapsht të poetit Havzi Nela dhe dorëzimin e tij autoriteteve shqiptare në fundin e viteve ’80, për të përfunduar në litar me urdhër të kriminelit Ramiz Alia, por ajo vazhdoi të bëhej edhe më e përndezur edhe pas shembjes zyrtare të sistemit komunist. Pikërisht ftesa që Televizioni Klan i bëri Zdravko Çoliçit është refleksion i asaj tradite miqësore mes Tiranës zyrtare dhe Beogradit dhe manifestim iantinacionalizmit shqiptar që zë fill pikërisht më 8 nëntor 1941, në dëm të interesave jetësore dhe kombëtare të popullit shqiptar të Kosovës.
Por zotit P. Gjerazi nuk i intereson të shtrojë pyetjen se si është e mundur që Televizioni Klan nuk fton këngëtarë nga Kroacia, nga Sllovenia apo nga Bullgaria, por fton të tillë pikërisht nga Serbia? Kësaj pyetjeje i ka dhënë një përgjigje shteruese analisti Gani Mehmetaj në artikullin e tij me titull “Bashkëkombasit e mi të vonuar”, të botuar në faqen e internetit më 21 prill 2014. Ftesa i qe dërguar pikërisht këngëtarit shovinist serb, sepse pas kësaj ftese fshihej prapavija politike: hedhja në mëri e shqiptarëve të Kosovës kundë shqiptarëve të Shqipërisë Londineze, pra, mbjellja dhe selitja e farës së përçarjes në radhët e kombit shqiptar. Për pasojë, jo pa një domethënie të thellë, tre këngëtarët kosovarë e braktisën festivalin e këngës të Televizionit Klan. Prandaj edhe serbët, siç thotë analisti Gani Mehmetaj, deklarojnë se shqiptarët e Shqipërisë janë të mirë, kurse shqiptarët e Kosovës janë të këqinj. Kjo mëri apo përçarje mes shqiptarësh ka qenë tradicionalisht dhe vazhdon të jetë në themelin e strategjisë afatgjatë të shovinizmit serbomadh që ka pasur dhe vazhdon tëketë si qëllim hedhjen e shqiptarëve kundër njëri-tjetrit.
Një historiani nuk i lejohet të deklarojë se Shqipëria paska qenë shtet satelit i fuqive nazifashiste. Me këtë deklaratë naive historiani P. Gjerazi i shkon pas midesë shovinizmit grekokaragjoz, i cili vazhdon të mbajë në fuqi ende ligjin e luftës, duke e konsideruar Shqipërinë shtet agresor, meqenëse nga territorii saj Italia fashiste sulmoi Greqinë në vjeshtën e vitit 1940. Të jesh shtet satelit, do të thotë të gëzosh të gjitha atributet e një klike në fuqi që ndjek në mënyrë të verbër dhe pa parime politikën e një shteti tjetër më të madh e më të fuqishëm. Por Shqipëria nuk ishte asokohe vend satelit se ishte e pushtuar, pra ishte shndërruar në një vend kolonial i Italisë fashiste, nuk kishte politikë të jashtme. Shqipëria u bë vend satelit i Jugosllavisëpas nëntorit të vitit 1944 deri në vitin 1948. Paskëtaj, ashtu si edhe të gjitha vendet e Evropës Lindore, Shqipëria, deri në vitin 1961, u kthye në shtet satelit të Bashkimit Sovjetik.
Është i padiskutueshëm roli i komunistëve shqiptarë në organizimin e popullit kundër nazifashizmit. Sepse në vetëdijen e popullit tonë, që prej 7 prillit të vitit 1939, filloi të ziente urretja kundërfashizmit. Prandaj shqiptarët nuk mund të bëheshin kurrsesi aleat të tij. Por nuk duhet mohuar edhe roli i madh i forcave nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit në luftë kundër nazifashizmit. Por Enver Hoxha, nën ndikimin e emisarëve të Beogradit, i vuri kazmën Marrëveshjes së Mukjes dhe Luftën Antifashiste, pas gushtit të vitit 1943, e degjeneroi në luftë vllavrasëse, civile, pikërisht në përputhje me platformën antishqiptare të shovinizmit serbomadh,duke shkelur mbi gjakun e dëshmorëve që sakrifikuan jetën për të hequr qafe zgjedhën nazifashiste.
Antikomunizmin tim historiani P. Gjerazi e vlerëson si më të thekshën se antikomunizmin e senatorit amerikanJoseph McCarthy (1908-1957) në vitin 1950.Interesante! Pa dashje, zoti P. Gjerazi zbulon admirimin e vet për komunizmin. Se domosdo që nuk do t’i ishin ngulitur kaq thellë në kujtesë qëndrimet antikomuniste të senatorit në fjalë.
Historiani P. Gjerazi kërkon t’ia ngrejë lart aksionet Enver Hoxhës kur deklaron se kur erdhi dita, Partia Komuniste e Shqipërisë ia përplasi në fytyrë pabesinë antishqiptare Josif Broz Titos. S’është aspak e vërtetë. Enver Hoxha u bë “trim” kundër Titos vetëm pas letrës së 28 marsit të vitit 1948 që i erdhi nga Stalini. Deri asokohe Enver Hoxha ishte një kukull e pështirë në duart e shovinizmit serbomadh dhe Shqipërinë kërkonte ta shndërronte në republikë të shtatë të Jugosllavisë. Pak më poshtë do të jap ca fakte konkrete edhe për qëndrimin poshtërues që Enver Hoxha ka mbajtur ndaj popullit shqiptar në marrëdhëniet me Jugosllavinë.
Në pjesën e parë të komentit të vet, zoti P. Gjerazi e ngre lart figurën e Enver Hoxhës, kurse në pjesën e fundit ngrihet kundër tij. Kot që mundohet t’i heq vetes një sapun mbi gunë, për t’u mbushur mendjen lexuesve se gjoja është antienverist. Nuk është nevoja të përdoren marifete të tilla. Njeriu duhet të ketë burrërinë t’ideklarojë haptas bindjet e veta politike kur e bie rasti. S’ka ndonjë gjë të keqe të jesh enverist, komunist. Sot jemi në demokraci dhe për bindjet e gjithsecilit, qoftë ky individ i pavarur apo formacion politik, gjykon populli ditën e zgjedhjeve në kutitë e votimit.
Komentin e vet zoti P. Gjerazi e mbyll me deklaratën e mëposhtme:
“Por degjenerimi moral i një televizioni privat nuk mund t’i faturohet Enver Hoxhës, por sundimtarëve të Shqipërisë, nga viti 1990 e deri më sot, të cilët i kanë ulur biznesmenët serbë këmbëkryq në ekonominë, politikën dhe në artin e Shqipërisë”.
Interesante! Po pse zoti P. Gjerazi nuk interesohet të dijë se cila është arsyeja që pas vitit 1990 Serbisë i janë bërë gjithë këto lëshime prej politikanëve shqiptarë dhe konkretisht edhe nga një televizion privat? Zoti P. Gjerazi duhej të ishte objektiv dhe t’i përgjigjej kësaj pyetjeje burrërisht, duke u thelluar në gjenezën e saj. Megjithatë, përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep në një mënyrë sa bindëse, aq edhe shteruese analisti Gani Mehmetaj:
“Ata nuk e duan Çoliqin, Bregoviçin e viçët e tjerë, vetëm sepse janë serbë, ata i duan sepse ua kujtojnë kohën e egër të izolimit total, kohën kur të vetmin model e kishin televizionin jugosllav dhe ndonjë këngëtar serb. Ata as që donin të mendonin se ka parajsë tjetër pos Jugosllavisë e kryeqytet pos Beogradit! Kompleksin e inferioritetit ndaj serbit e pati edhe diktatori Enver Hoxha. Këtë qëndrim prej skllavi të robëruar në mendje ua barti edhe një pjese të shtetasve të vet, madje edhe atyre që e urrenin diktatorin”[Citohet sipas: Gani Mehmetaj. “Bashkëkombasit e mi të vonuar”. Marrë nga faqja e internetit “ina” (Iliria News Agency)”. 21 prill 2014].
E, pra, dëshira për të ftuar këngëtarë shovinistë serbë në Tiranë, si Çoliçi e Bregoviçi, të cilit zoti Rama, si ish-Kryetar i Bashkisë së Tiranës, i dorëzoi edhe çelësin e kryeqytetit, apo lëshimet e tjera që i janë bërë Serbisë, nuk kanë lindur mbi një truall shterp dhe aspak pas vitit 1990. Ato e kanë zanafillën pikërisht te kompleksi i inferioritetit dhe te fryma prej skllavi që Enver Hoxha manifestonte në marrëdhëniet me Beogradin, duke i mëkuar popullit ndjenja antinacionaliste që prej 8 nëntorit të vitit 1941, ndjenja këto, të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë ta mbajnë të karfosur klasën politike shqiptare të Shqipërisë Londineze.
Nga sa parashtrova më lart, dëshiroj të theksoj se zonja Nimfa Hakani mua më falënderonte për botimin e reagimit tim ndaj artikullit të saj. Nuk e kuptoj zellin e zotit P. Gjerazi që, për të më sulmuar mua me shpifje, kërkon të bëhet më katolik se papa apo që pula s’ka e ia bën “ish!”
Me sa duket, zoti P. Gjerazi duhet ta ketë një arsye që më sulmon me shpifje që janë armë e njerëzve pa karakter. Ndoshta diku “e ka vrarë samari” keq, por nuk ka burrërinë ta pohojë ballazi, por vetëstruket brenda vetes, pa pasur guximin ta shkruajë të plotë as emrin e vet. Është e habitshme që në kushtet e demokracisë burri i botës ende nuk ka arritur të çlirohet nga autocensura.
Dyshoj se pikërisht ky P. Gjerazi duhet të ketë qenë ai që më pati sulmuar me shpifje edhe në fund të muajit dhjetor 2013, në rubrikën komente, pas botimit të artikullit tim me titull “Eqerem Canaj, një poet-shkrimtar me një individualitet të befasishëm”, në faqen internetike të gazetës “Fjala e Lirë”, 27 dhjetor 2013. Në atë koment ky njeri i autocensuruar nuk qe prezantuar as me emër, as me mbiemër, por vetëm me adresën elektronikegjerazi@yahoo.com. Prandaj unë ia ktheve përgjigjen në një artikull me titull “Në gjurmët e një heroi të satirës së M.E. Saltikov-Shçedrinit”, të botuar po në gazetën “Fjala e Lirë”, më 29 dhjetor 2013.
Ky skllav i autocensurës le të vazhdojë të shpifë kundër meje, se edhe unë do ta vazhdojë ta demaskoj si një njeri të pakarakter që s’e ka burrërinë të dalë në sheshin e mejdanit, por rri e struket vrimave si puna e cironkës së satirës së M.E. Saltikov-Shçedrinit.
Më poshtë po radhis ca fakte, sa për kujtesë, që zoti P. Gjerazi t’i ketë parasysh se cila ka qenë figura e Enver Hoxhës, sidomos në përpjekjet e tij të ethshme për ta përfshirë Shqipërinë nën juridiksionin e Jugosllavisë, si Republikë e Shtatë.
Së pari: Miladin Popoviçi, pasi mori në dorë Rezolutën e Konferencës së Mukjes, e zhubraviti, e bëri shuk dhe ia përplasi në fytyrë Enver Hoxhës. Dhe Enver Hoxha, si një servil i pështirë i emisarit jugosllav, për turpin e tij dhe të Partisë Komuniste të Shqipërisë, nuk mundi të reagonte siç i takonte një njeriu me dinjitet kombëtar. Përkundrazi, ai heshti tamam si ndonjë qen i rrahur para agait të tij serbomadh. Këtë fakt të turpshëm për biografinë e Enver Hoxhës, e ka zbuluar në Arkivin e Shtetit Prof.dr. Muharrem Dezhgiu. Por le të lexojmë një informacion më të hollësishëm për këtë ngjarje poshtëruese në historinë e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe në jetëshkrimin e udhëheqësit të saj, kukullës së Beogradit Enver Hoxha,që tërhiqej zvarrë para shovinistit Miladin Popoviç:
“Xhelal Staravecka,i pranishëm në momentinkur erdhi letra e Ymer Dishnicës për Marrëveshjen e Mukjes, ka sjellë si dëshmi atmosferën që krijoi ky lajm:
“Gjendeshim me shokët e KQ, në mes të të cilëve ishte dhe Miladini,kur arrin korrieri dhe solli Proklamatën e Marrëveshjes së Mukjes. Hapëm Proklamatën dhe e lexuam.Të gjithëve na u ndezën fytyrat nga gëzimi për arsye se u mbërrit bashkimi. Mandej, gjysmë shqip e gjysmë serbisht (përr arsye se unë nuk di serbishten e Miladini nuk di shqip) disi i shpjegova çka ishte shkruar në Proklamatë. Fytyra e Miladinit menjëherë u ndryshua dhe tha:
“Ky bashkim (i Kosovës me Shqipërinë) nuk mund të pranohet. Ne gjithnjë e më tepër forcohemi dhe do të fillojmë me u ra me shpata e jo bashkime me qej(qenër).E mandej ajo Shqipëria etnike! Nanën e saj!”.
Fytyrat tona menjëherë u errën dhe u detyruam me thanë:
Po,po! Do të shohin këta nacionalistë për disa ditë, derisa ne të organizohemi edhe më mirë…dhe do u themi:
Qe Shqipëria juaj Etnike! Sigurisht, shprehja jonë në fytyrë duhet të ndryshojë gjithmonë sipas shprehjes së fytyrës së Miladinit” [V.Dedijer, Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare (1939-1948),Beograd,1949, f.112. Citohet sipas: Prof.dr. Muharrem Dezhgiu.“Shqipëria nën pushtimin italian (1939-1943). Shtëpia Botuese “Mësonjëtorja”. Tiranë, 2005, f. 316].
Së dyti: Në Plenumin e Beratit të muajit nëntor të vitit 1944, emisari jugosllav, Velimir Stojniç, deklaroi:
“Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonominë e saj, por as e zhvillon dot atë, sepse imperializmi do ta gëlltiste; …e vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet në një konfederatë me Jugosllavinë” (Stefanaq Pollo, Arben Puto. “The History of Albania from its origins to the present day”. Routledge & Kegan Paul Ltd. 1981, f. 245. Citohet sipas: Mërgim Korça. “Kush e shkruan historinë”. Gazeta “Metropol”. 17-18 korrik 2012).
Së treti: Prof.as.dr. Elmas Leci, drejtor i Institutit të Studimit të Problemeve të Sigurimit dhe të Mbrojtjes në Tiranë, në shkrimin e tij “A e shiti Enver Hoxha Kosovën”, shkruan:
“Në shtëpinë e tij, në verën e vitit 1999, Fadil Hoxhës i bëra pyetjen: “A kishte kontaktuar dhe a ia kishte bërë ndonjëherë prezent Enver Hoxhës çështjen e rëndë të Kosovës?”. Fadil Hoxha m’u përgjigj: Po, kam shkuar te Enver Hoxha në Tiranë në dhjetor të vitit 1945, inkonjito, pa lejen e Titos, së bashku me Zekeria Rexhën, dhe i kam shtruar si gjendjen e rëndë nën Serbi ku ndodhen kosovarët, ashtu edhe se ç’duhet të bënim. Kjo ishte bisedë shqiptarësh, e mendoj, për shqiptarët. Biseda e zhvilluar në kabinetin e Enverit, në vend që të bëhej preokupim i qeverisë shqiptare, kishte mbërritur, para kthimit tim, te Titoja”.
Kështu e mbylli deklarimin e tij ish-udhëheqësi kryesor i Kosovës dhe në një periudhë kohe edhe President i Jugosllavisë, Fadil Hoxha” (Citohet sipas: Xhafer Leci: “Fadil Hoxha nuk e meriton ngritjen e një përmendoreje”. Marrë nga “Tribuna Shqiptare”. 05 mars 2014).
Së katërti: Enver Hoxha, në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të Partisë më 15 dhjetor të vitit 1947, ka deklaruar shprehimisht:
“…Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…” (Citohet sipas: Mërgim Korça. “Ku gënjen Paskal Milo. Replikë me historianin “e nderuar”. Gazeta “Metropol”. 14 korrik 2012).
Me këtë porosi të prerë që jepte tradhtari Enver Hoxha për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, ai çonte në vend urdhrin e Beogradit, të këtij armiku shekullor të kombit shqiptar, për gllabërimin sa më të shpejt të vendit tonë nga ana e shovinizmit serbomadh, urdhër ky, të cilin Velimir Stojniçi ia përcolli tre vjet më parë Partisë Komuniste të Shqipërisë në Plenumin e 2-të të Beratit që u përmend më lart. Kjo kërkesë e ngutshme për bashkimin sa më të shpejtë të Shqipërisë me Jugosllavinë, dëshmon për natyrën prej frikacaku dhe prej njeriu të pakarakter të Enver Hoxhës, i cili nuk kishte kurrfarë besimi në forcën krijuese dhe në shpirtin e paepur të popullit shqiptar, i cili mund të bëjë me të vërtetë mrekullira kur udhëhiqet nga politikanë me vetëdije të lartë kombëtare. Si një njeri pa shtyllë kurrizore, Enver Hoxha kërkonte t’ia vishte edhe popullit shqiptar tiparet e tij prej langoi të Beogradit.
Së pesti: Pas kthimit nga vizita në Bullgari në dhjetor të vitit 1947, në mitingun e organizuar në Sheshin “Skënderbej”, Enver Hoxha iu drejtua të pranishmëve me thirrjen:
“…Të rrojë bashkimi dhe vëllazërimi me popujt e mareshalit Tito” (Gazeta “Bashkimi”, 20 dhjetor 1947. Cithet sipas: Dr. Vasfi Baruti. “28 nëntori i tretë”. Botim i Qendrës së Pavarur Sociologjike “Eureka”. Tiranë 2006, f. 32).
Së gjashti: Pas takimit që nacionalisti i shquar kosovar Halim Spahia pati me Titon pas luftës, i cili e refuzoi kërkesën e tij për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ai vendosi të vinte në Shqipëri.
“Në të kthyer nga Beogradi në Gjakovë e Prizren, ku kishte takime sekrete me anëtarët e KQ të LNDSH dhe patriotë të njohur, udhëtoi për në Tiranë për t’u takuar me Enver Hoxhën (me të cilin njihej mirë qysh më herët). Në këtë takim me Enver Hoxhën, në prezencën edhe të sllavomaqedonit Koçi Xoxe, kërkoi përkrahjen e Enver Hoxhës për këtë çështje me rëndësi jetike për ardhmërinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar, por pa dobi, pasi nuk gjeti mirëkuptim dhe as mbështetje të duhur”. (Citohet sipas: “Halim Spahia – Uikipedia”. Marrë nga faqja e internetit, 07 shtator 2010).
Siç dihet, ky nacionalist i shquar, gjatë kohës që ndodhej në Shqipëri, arrestohet me urdhër të Enver Hoxhës dhe u dorëzohet autoriteteve jugosllave, të cilat e pushkatuan në vitin 1946, bashkë edhe me disa nacionalistë të tjerë.
Së shtati: Në një takim që përfaqësuesi i misionit amerikan në Tiranë Jakobs ka pasur me Enver Hoxhën më 16 tetor 1946, i ka thënë këtij të fundit se Shqipëria mund të shtrojë si çështje futjen në axhendën e Konferencës së Paqes në Paris të kërkesës pë rajonin e Kosovës. Madje ai e ka pyetur ballazi:
“A nuk mendoni ju se, të paktën, kërkesa juaj duhet të diskutohet dhe të studiohet?”.
Dhe Enver Hoxha, si tradhtar i popullit shqiptar të Kosovës, dha këtë përgjigje:
“…ne nuk jemi duke shtruar kërkesën për rajonin e Kosovës nga aleatja jonë, Jugosllavia” (Citohet sipas: Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”. GEER. Tiranë 2002, f. 516).
Konferenca e Paqes e vitit 1946 në Paris, ishte një shans ideal që Shqipëria të kërkonte ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duke pasur edhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por Enver Hoxha, si tradhtar i popullit shqiptar të Kosovës dhe vegël e verbër e Titos, nuk deshi ta shfrytëzonte këtë rast fatlum në të mirë të interesave tona kombëtare.
Së teti: Në takimin me Molotovin, ministrin e jashtëm të BRSS, takim ky që u zhvillua në Varshavë më 24 qershor 1948, Enver Hoxha deklaroi:
“Letra e KQ PKP(b) e shpëtoi Shqipërinë nga një rrezik i madh. Shqipëria dhe Partia Komuniste e Shqipërisë u ndodhën në një rrezik të madh si rezultat i veprimeve të drejtuesve të Jugosllavisë” (Citohet sipas: “Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”. Botimet TOENA. Tiranë 2006, f. 174).
Para gjashtë muajsh, Enver Hoxha kërkonte ta bashkonte Shqipërinë me çifligun jugosllav të agait Tito. Gjashtë muaj më pas, ai braktisi çakallin jugosllav, për të përfunduar në strofkën e ujkut rus.
Së nënti: Në letrën që Enver Hoxha i dërgonte Stalinit në vitin 1949 për Kosovën, deklaronte:
“Shqiptarët e Kosovës duhet ta mësojnë mirë se armiku i tyre i pamëshirshëm… është imperializmi amerikan…” (po aty, f. 257).
Me këtë deklaratë, Enver Hoxha, si një servil i regjur, binte në bark para agait të Kremlinit, duke mohuar në mënyrën më të paturpshme kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe personalisht të Presidentit Uillson në Konferencën e Paqes në Paris pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, të cilën ujqit evropianë kërkonin ta copëtonin përfundimisht, duke e fshirë një herë e mirë nga harta e Evropës, për interesat e shovinizmit serbogrek. Ky kontribut i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u manifestua në mënyrën më të shkëlqyer edhe në mbrojtje të Kosovës në gjashtëmujorin e parë të vitit 1999.

Sarandë, 29 prill 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: ESHREF YMERAJ, Shpifja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 753
  • 754
  • 755
  • 756
  • 757
  • …
  • 865
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT