• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Peja dhe shkarkimi i një profesionisti

April 1, 2014 by dgreca

A u bë edhe më keq pa Kolonel Ahmet Hasin/

Pas rreth dy vitesh, nga shkarkimi jo-fatlum i Kolonel Ahmet Hasit nga udhëheqja e stacionit rajonal policor të Pejës, problemet në këtë qytet sa vinë e shtohen. Sfidat nuk kanë të ndalur, ndërsa vrasjet e shpeshta kërcënojnë jetën dhe sigurinë e pejanëve padrejtësisht tash e 15 vjet,ani pse një fat të tillë nuk e ka merituar ky qytet dhe banorët e tij.

Fatkeqësia atje,u përsërit edhe një herë më tepër,mu ditën e fillim pranverës së këtij viti,ku duart e trishta të krimit,për më tepër se një dekadë e gjysmë, terrorizojnë gjithë Pejën.
Krismat,helmuan prapë freskinë e bjeshkëve për rreth e cila mjerisht,që sa kohë  mjegullohet nga tymi e përflakja e plumbave duke rritur numrin e vrasjeve më shumë se kudo tjetër në Kosovë.
Ndaj,pejanët të lodhur nga vrasjet “enigmatike” numri i të cilave tanimë ka arritur shkallën alarmante treshifërore,në këto 15 vite “lirie” më në fund sikur e mundën frikën dhe një pjesë e konsiderueshëm qytetarësh, arritën të organizojnë një protestë modeste “ Kundër krimit të organizuar”në qytetin e tyre.

Protestuesit me të drejtë kërkuan dorëheqjen e zyrtarëve më të lartë të sigurisë. Ata u dërguan edhe dy kurora mortore organeve kryesore të cilat për vite të tëra mrizojnë në komë të gjatë mosveprimi, njërën gjykatës dhe tjetrën prokurorisë duke i shpallur edhe ato figurativisht të vdekura, ngase ku kris pushka për 15 vite pa reshtur dhe asnjëherë nuk ndërmerret diçka konkrete nga organet përkatëse,aty nuk kanë më peshë fjalët as premtimet kote.
Për çdo stinë në Pejë,drita e diellit ngryset dhe mjegullohet trishtueshëm,herë pas here nga zhurmat e kallashëve që vrasin edhe kalimtar rasti,duke shtuar emrat e tyre në listën e gjatë të viktimave, bashkë me mallkimet e hijeve mortore që mbisundojnë në këtë qytet.
Atmosfera disavjeçare e “luftës”,vazhdon edhe më tej, nga moszbatimi i ligjit, i cili që nga shkarkimi misterioz i Kolonel Ahmet Hasit, sikur ka marrë edhe më keq tatëpjetën, duke arritur deri në atë shkallë degradimi sa që lirisht mund të thuhet se shteti atje nuk ekziston dhe për rastet që këtu shpesh përsëriten, ligji as që funksion fare, megjithë shënimin delikat dhe me stil “evropian” të tij mbi letrën e bardhë.
Këtë më së miri e vërteton fakti se asnjë nga të ashtuquajturat operacione hetimore, deri më tani,për mbi 300 vrasjet në këtë qytet, nuk rezultoi me zbulimin qoftë edhe të një rasti të vetëm dyshimi.
Kështu, policia rajonale dhe organet e (jo)ndjekjes dhe të (pa)drejtësisë, janë bërë shembulli më i keq i mosveprimit, nëse jo edhe vet pengesa e zbardhjes së krimit,në Pejë dhe pothuajse kudo në Kosovë.
Shqiptarët për afro 100 vite okupimi, të vetmin mision patën-çlirimin e vendit dhe krijimin e një shteti normal me sistem funksional të drejtësisë,ku liritë dhe të drejtat e njeriut do të ishin të shenjta dhe të paprekshme nga korrupsioni,vrasjet dhe haraçi.

Megjithatë, zhvillimet e papritura në 15 vitet e fundit, quan në hiq më pak se 1800 viktima, dhe shkatërruan vizionin e popullit tonë liridashës,i cili shekuj me radhë ka kërkuar rrugë dhe mënyra të mundshme e të pa mundshme,për çlirimin e trojeve të veta.

Në atdheun tonë të helmuar nga politika dhe të trishtuar nga krimi,lufta sikur nuk pushoi asnjëherë.

Këtu jo vetëm se edhe pas lufte ndodhëm mijëra vrasje,por për të qenë fatkeqësia edhe më e madhe, pothuajse asnjë prej këtyre rasteve, nuk u zbulua kurrë nga kuazi drejtësia vendore e nënshtruar tërësisht nga politika,e cila rrezikon të qojë vendin në dështim të plotë të shtet-ndërtimit.

Madje, për të arritur kulmin ironia më e madhe, në Kosovë si në asnjë vend tjetër në rajon, u vodhën dy herë edhe vet dhomat e dëshmive. E para më 2009 në Prishtinë dhe tjetra më 2012 në Pejë.

Por,përderisa në kryeqytet të vendit, nuk u arrestua as shkarkua, asnjë nga përgjegjësit e sigurisë, në Pejë u suspendua vet kreu i komandës regjionale, pa ndonjë arsyetim bindës. U largua për kohë të pacaktuar,njeriu më i zoti dhe kuadri më i përgatitur përkatës, kolonel Ahmet Hasi, i cili nga të gjithë ata që kanë pasur rastin ta njohin,konsiderohet si njëri nga oficerët më të mirë policor në vend.

Ndoshta,mu ky epror profesionist dhe burrë i  ndershëm e i pa korruptuar asnjëherë, që zbatonte ligjin me devotshmëri e seriozitet dhe mbahej fort në popull, me të cilin dinte të bashkëpunonte ngushtë dhe mirëkuptohej njerëzisht, si duket nuk i pëlqente dikujt.

Madje,pas shkarkimit të Kolonel Ahmet Hasit,jo vetëm se nuk u zbulua as fol më kurrë për hajnin e majme që u krye në dhomën e dëshmive,nga hijet e “padukshme” që mbajnë çelësa rezervë për çdo derë hetimi, por edhe problemet në Pejë sa erdhën e u shtuan gjithnjë e më tepër.

Nga kjo mbetet e pa kuptueshme se pse u dashtë,patjetër të shkarkohej Koloneli !? Ishte ky një vendim për zvogëlimin apo vazhdimin e krimeve atje.

Në shtypin ditor që disa herë përsëritet se 24 përgjegjës të lartë policie, të cilët nuk e kaluan testin e përshtatshmërisë, kanë qasje në dokumente e akte të ndjeshme të sigurisë e ndoshta mbajnë shumë çelësa rezervë dyersh të ndryshme dhe janë të ngarkuar me përgjegjësi që nuk do duhej ti kinin.

Edhe marrëveshja e fundit me Serbinë parasheh  inkuadrimin e pjesëtarëve të MUP-it serb, në policinë e vendit, të cilët nuk e kanë pranuar asnjëherë shtetin që do ti punësojë dhe ende kundërshtojnë me këmbëngulje pavarësinë e Kosovës.

Fatkeqësisht,menjanimi i profesionistëve,nepotizmi dhe përzierjet e pandërprera shumëvjeçare të politikës me vendosjen e familjarëve, jaranëve, njerëzve partiak e jo adekuat në postet kryesore, si në gjyqësi, polici, siguri, etj, quan në kolapsin total të drejtësisë dhe moszbardhjen e pothuajse të asnjë rasti nga cilado vepër-qoftë e krimit të organizuar në vend.

Kjo logjikë veprimi e politikanëve vendor, qoi në dëshpërim të thellë,shumicën e banorëve të këtij vendi,madje irritoi aq shumë shqiptarët sa që edhe nga Kosova e “lirë” dhe në shekullin XXI,të simpatizojnë vende dhe qeveri të huaja për ne,për të shkuar aq largë sa disa prej tyre festuan edhe “fitoren”e diktatorit turko-islamik, Taip Erdogan, me të cilin nuk na lidhë asgjë.

Për të arritur kulmin ironia,u kujdesën edhe tragjik-komikët më të mëdhenj që aktualisht ka Kosova,si Bajram Rexhepin dhe vartësin e tij Shpend Maxhuni, të cilët pa u skuqur fare, guxuan të deklaronin se 70% e rasteve të “këtij viti” (tre muaj),pa zënë në gojë vitet tjera dhe tragjeditë e pafundme në Pejë, për të cilin ministri i brendshëm “sugjeron” opinionin se është më i koklavitur dhe duhet gjurmuar më thellë, na qenkan “zbuluar” duke mos dhënë asnjë shembull të vetëm konkret për “sukseset” e tyre.

Amullia e krijuar politike,ekonomike dhe sociale nga ministra si këta dhe tërësisht udhëheqja vendore,e 15 viteve të fundit, siç duket nuk i lanë rrugëdalje as Amerikës dhe BE-së, të cilat si në asnjë vend tjetër në rajon,u detyruan të miratojnë krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për gjykimin e rasteve të krimit të organizuar të para dhe pas luftës në Kosovë.

Për arsye si këto dhe të ngjashme,kudo qoftë në botë,do të dorëhiqej pa kusht e tërë udhëheqësia vendore. Por ja që kjo nuk ndodhë edhe në Kosovë. Ndaj, lind pyetja e pashmangshme se edhe çka u dashka të ndodhë në këtë vend që politikanët tanë deficitar më në fund ta kuptojnë sesa shumë dëme i kanë shkaktuar këtij vendi dhe duhet të  shkojnë? A ishte ky shërbimi më i mirë i mundshëm që ata ditën ti bënin popullit dhe atdheut?!…

Gani Qarri/Cyrih

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, Peja dhe shkarkimi i një profesionisti

Arvizu apel për reformën administrative: E rëndësishme dhe për qeverinë e SHBA

March 28, 2014 by dgreca

Duke e vleresuar rëndesinë që paraqet decentralizimi, kreu i diplomacisë amerikane në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka ftuar palët të shfrytëzojnë mundësinë për konsensus. Për Ambasadorin amerikan si reforma territoriale ashtu dhe ajo administrative janë jetike për shërbime sa më të mira ndaj qytetarëve, andaj kërkoi nga aktorët politikë ta shohin si përparësi.

“Jam këtu për të shprehur mbështejen time të fortë, mbështetjen e SHBA ndaj këti grupi të punës për decentralizimin.Çasti i përligjshëm i kësaj përpjekje është i përshtashëm. Në fakt reforma territoriale dhe administrative janë shumë të rëndësishme. Në të vërtetë kemi më shumë nevojë për dialog konstruktiv dhe më pak dialog jokonstruktiv. Ky lloj grupi punë mund të shërbejë tani dhe në plan afatgjatë. I nxis të gjithë në këtë sallë dhe kolegët tuaj me të cilët bashkëpunoni të rrokni këtë mundësi. Decentralizimi është i rëndësishëm jo si qëllim në vetvete, por përmirësimi i të gjithë shërbimeve që i ofrohen popullësisë dhe për ketë arsye duhet të shihet si përparësi.Reforma territoriale dhe decentralizimi janë të rëndësishme për qeverinë shqiptare, qeverinë e SHBA-së dhe popullin shqiptar.Nuk do jetë e lehtë, do nevojitet shumë punë, ndaj është me rëndësi të ruani vrullin dhe të ecni përpara. Ju uroj suksese dhe dua të nënvizoj faktin se ne do t’ju ndjekim në këtë proçes”tha ai.

Deklaratën Arvizu e bëri gjatë prezantimit te procesit për hartimin e Strategjisë së re Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore, ku merrnin pjese edhe Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi dhe Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni.

Ministri Çuçi vlerësoi strategjine si hap të parë drejt decentralizimit të pushtetit vendor. Sipas tij, pavarësia e pushtetit vendor, është mënyra më mirë për ta shndërruar atë në promotor të zhvillimit dhe për ta bërë më eficent në ofrimin inovativ të shërbimeve publike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arvizu, Reforma administartive

PSE U VRA TRIMI I DRAGOBISË ?!

March 27, 2014 by dgreca

  Publicisti ma i madh Atdhetar Shqiptar Don Lazer Shantoja, kur ishte endè gjallë Bajram Curri, ka parandjenjen se me Plakun e Dragobisë do të ngrihet një Permendore!/

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: BAJRAM CURRI (1862 – 1925)/

Pak e aspak Burra si Bajram Currin kishte e ka edhe sot Shqipnia me trojet e veta!  Atdhetari Bajram Curri ka lé në Gjakovë në 1862; dhe asht vra nga Ahmet Zogu,  me 29 mars 1925 në Shpellen e Dragobisë. Nuk do të persëris mendimet e mija në lidhje me këte figurë të madhe të Popullit Shqiptar, që gjithnjë sa vjen e rritet bashkë me hijen që tradhëtarët e Shqipnisë mundohen me i vue portretit heroik e legjendarë të Bajram Currit, edhe se vepra e Tij plot dritë do të ndrisë perjetë fletët e Historisë e Lavdishme!

Publiçisti ma i madh Atdhetar Shqiptar Don Lazer Shantoja, kur ishte endè gjallë Bajram Curri, ka parandjenjen se me Plakun e Dragobisë do të ngrihet një Permendore!

Tek vorri i Avni Rustemit, Shantoja pyet:

“E sot? Çka shef sot Avni Rustemi? Sot Avni Rustemi shef mbi vorrin e tij Plakun e Kosovës, veteranin patriot, babën e Shqiptarizmës, luftarin vigan, shkatrronjësin e esadizmës, esponentin ma të naltë e të paster të rracës sonë të vjetër! Sheh Plakun qi tash tri vjet jetoi në shoqëni të bishvet t’ egra mbi male e ndër shpella i dëbuem, i dënuem, i ndjekun porsi i rrezikshëm porsi tradhëtor prej njerzvet, emnin e poshtër të cilvet ia lidhë emnit shejt t’ atdheut vetem intriga, tradhëtia, despotizma.

Sot mbi vorrin e tij, heroi djalosh sheh heroin Plak, sheh Bajram Currin!

Sot po vertetohet fjala e kolegut tim Halim Xhelos: Vlona u ba me të vertetë Jerusalem, Meka e Shqipnisë!

Me ardhjen e Bajram Currit në qytetin tuej të famshëm, zen fillë, o vllazën vlonjatë, proçesioni i patriotëve, shtegtimi i patriotizmës tu vorrezat e lumnueshme t’ atyne të cilët me urti dhe me gjak na siguruene nji Shqipni!..

…Nuk ishte prandej e mundun qi Bajram Curri, patritot i patriotëve, mos ti gjegjte thirrjes patriotike të popullit të Vlonës e të Labërisë… Sikur ju lajmoi telegrafisht Bajram Curri vjen në Vlonë per me mbushë nji dëshirë dhe me krye nji detyrë.

Po! Me mbushë nji dëshirë! Dëshiren e zemrës, e zemrës njaj Plaku, e zemres së njaj luftari, e zemres njaj patrioti.

Kur shtime në dhe Avni Rustemin Plaku i Kosovës dergoi gjashtë burra kosovarë të kjajshin mbi vorrin e Deputetit të Kosovës; e na i pame tue kja lot qi mbas nji moji u bane gjak!

Por Plaku vetë nuk mund të vinte: Vetem shqiponjat e maleve bartën mbi fletët e tyne lotët e Plakut, e lotët e Plakut elektrizuene djalërinë, lotët e Plakut alarmuen kombin, lotët e Plakut ndezne Shqipninë flakë! Perse ishin lotët e atij Plaku qi Ahmet Zogollin me shokë i karakterizoi tradhëtorë kur na, ndoshta, u derdhshim turpnisht kêmin e adhurisë!..

Sot ky Plak ka fatin me dalë prej shpellavet, ka fatin me kenë i pritun gjithkund ngadhnjyes prej Popullit Shqiptar, i cili me këto demonstracione i thotë: Pate arsye me ndejë në mal, o Babë, o Shqiptar i vjetër!

Sot ka fatin n’e mramë, mbas sa lodje, me prue dhe kunoren e luleve mbi vorrin e atij qi kje lulja e djalërisë Shqiptare!

Bajram Curri tu Avni Rustemi! Baba tu djali! Kosova e robnueme tu perfaqsojsi i vdekun!.. Sot Bajram Curri kjan prap, por janë lotët e gzimit, janë lotët e fitimit! Oh këqyrnje, o vllazen, lotët e Plakut! Oh sa e sa lot të tjera do të kenë derdhë syt e Plakut në mal rreth këtyne tri vjetëve! Sa lot!.. Jo pse i tretun, jo pse i ndjekun, jo pse me krye në rrezik, jo pse i mshefun ndër shpella kjante Bajram Curri, po kjante per turpin tonë, per turpin e Popullit Shqiptar të robnuem, kjante per Shqipninë e tradhëtueme, kjante tue pa patriotët e rrejtun, kjante tue pa se tetë bejlerë të flligtë që kishin ba skllav tetqindmijë Shqiptar të lirë; kjante tue pa se Shqipnia e Skënderbeut dhe e Ismail Qemalit duronte mbi fronin e tyne nipin e Esad Toptanit!..

..Këqyrnje, o vllazën, Bajram Currin tu vorri i Avni Rustemit! Ç’ kuader madhshtor! Sot qi mbi germadhat e feudalizmës së shgatrrueme kemi ngritë flamurin e demokracisë ngadhnjyese… Këqyrni atë vorr! Këqyrni ketë Plak!

N’ atë vorr pushon nji djalosh martir: Këtij Plak i thonë Bajram Curri!

E deri sa Shqipnia të ketë djelmosha me zemren e Avni Rustemit, e deri sa të ketë Burra patriotë si Bajram Curri, Shqipnia do të rrojë!

Rrnoftë Shqipnia!” (Vlonë, 30 Korrik 1924, Gazeta “Bashkimi”)

Don Lazer Shantoja shkruen: “…Lodja qi derdhim mbi êmnin e Bajram Currit âsht lodja e dhimbjës; lodja qi derdhim mbî êmnin e Luigj Gurakuqit âsht edhé lodja e deshprimit. Bajram Curri vdiq me të tana rrethanat e heroizmës: Lindi në mal, jetoj në mal, luftoj në mal e vdiq në mal. Vdiq me armë në dorë, ndërmjet të Shqipnisë së robnueme e të Shqipënisë së lirë. Vdiq si meritonte të vdiste Bajram Curri!

Të kishte vdekun në sallen e ndoj klinikës evropjane, jetës së Bajram Currit, i ishte hjekun kapitulli mâ i bukur.”

***

Shpeshë jam ndalue tek jeta e Bajram Currit, e ajo asht një Kalvar’ i vertetë!

Nuk mund të percaktohet kur ishte i rij mbasi që në vitin 1899, kur ban pjesë nder organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Pejës, dhe deri sa u vra tradhëtisht nga njerzë të shitun tek sllavët armiqtë shekullor t’ atyne Viseve luftarake, Bajram Curri ishte dhe mbeti sinonim i emnit Shpella e Dragobisë, e “Dera” e saj, Kunora e lavdisë së Historisë!(Melbourne, Mars 2014./

 

SHPELL’ E DRAGOBISE

(Elegji për Bajram Currin)

 Nga Fan Noli

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.

Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.

Vendi dridhej, ay mbeti
Se s’tronditej nga tërmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.

0 Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë.

Thon’ u-shtri e thon’ u-vra,
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zëmr’ e Djalërisë.

As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.

Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn’ e Shqipërisë
Katakomb’ e Dragobisë.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Pse u vra Bajram Curri

PARLAMENTARË”TRADHËTARË” TË KOMBIT TIM!

March 27, 2014 by dgreca

Opinion nga Pilo Zyba…Londër/

Në këtë botë  jemi të gjithë të përkohshëm,por, historia mbetet e përjetëshme.Për këtë arsye, ata që drejtojnë Kombin tim,duhet të kenë parasysh se, kanë mbi supet e tyre dhe historinë e tij.Pak rëndësi ka, sa përpara e çojnë mirëqënien e kombit, apo të popullit,por mirërujtja e Kombit dhe historisë së tij është detyrë,ndryshe,në të gjitha kohërat tradhëtarët e tij marrim edhe në varr pasaportën e turpit dhe të tradhëtisë, që nuk e lan asnjë ligj, asnjë kushtetutë,asnjë individ, asnjë lavadtriçe dallaveresh Parlamentare apo ligjore ose neglizhente.

Kemi 24 vjet që përmbysëm njëherë e pergjithmonë monomentin e diktatorit Hoxha, për ti hapur rrugë të ardhmes dhe lirisë së mendimit, lirisë së kulturës dhe lirisë ekonomike.Por me rrëzimin e një monomenti prej betoni dhe prej hekuri, erdhën ndryshimet në atdheun tim, u përmirësua e ardhmja dhe, mbi të gjitha figura jonë kombëtare në botë?

Këtu duhet të qëndrojmë, të marrim frymë, të arsyetojmë  për çdo fjalë, vepër të kryer, të flasim bindshëm dhe me fakte.Me rrëzimin e Diktaturës rrëzuam dhe të gjithë bazën ekonomike të Kombit, se ajo ishte Komuniste.Fabrikat,uzinat,kantjeret, minierat diktatori kur vdiq i la pronë të kombit tim,nuk i mori me vete.Në to ishte derdhur djersa e të parëve tanë,por edhe e brezit tim.Jetoj prej 24 vjetësh larg trojeve të mia.Kam parë në disa vënde të Europës se, për të rrëzuar një kasolle, ose për të ndërtuar një kasolle,kërkohen 1001 letra dhe vendime.Në atdheun tim, në pronën shtetërore, sejcili bën sipas qejfit dhe dëshirës së tij.Por qëllimi i shkrimit tim sot nuk i përket anës ekonomike, por ka një qëllim më të lartë, më të thellë, shumë më të lartë.Gjatë ketyre 24 vjetëve Demokraci, “thjeshtë një ëmër i përdorur ky”,si shumë emra të tjerë demagogjik e mashtrues.Gjatë këtyre 24 vjtëve janë bërë rrugë dhe autostrada, porte dhe aerodrome, unë pyes: “Me çfar lekësh, me sa u mor përqindja në bangat Europiane etj”? Përgjigja është prapë e imja: “Me përqindjen më të lartë në botë, deri në 34%, thua, se ndodhemi në parajsën e punës, dhe te ardhurave të saj të bollshme.

Së fundi qeveria Rama thotë: “Rrogat do qëndrojnë stabël, nuk ka ngritje, por ka ngritje vetëm të tatimeve”.

Unë përsëri kam të drejtën në ëmër të vetes dhe të qytetarëve të pyes: “Pse”?

Çdo ditë rritet çmimi i energjisë elektrike,i gazit,i ujit,i naftës, i tatimeve mbi fitimin dhe mbi pronën.Dhe qeveritarët që ikën dhe as ata që erdhën, nuk e sqarojnë masën e vouesve të tyre.Të gjitha këto rritje janë si rezultat i veprave të medha, të tuneleve bashkëkohore, të urave, të porteve, të rrugëve që shtohen çdo ditë.Hpim fronte të reja me pare borxh, dhe si e tillë, dhe fëmija që lind sot, ka mbi supet e tij borxhin e ngarkuar prej politikanëve tanë dallaverexhinj dhe miopë, ose akoma më keq, jo miopë, por të shfrytëzuar në interes të fitimeve të tyre.

Kemi 24 vjet që bërtasim për “ndryshime të mëdha përpara”, dhe unë kam mbetur qorr dhe nuk shikoj asnjë prej tyrei.Unë shikoj vetëm një gjë të sigurtë, copëzimin edhe të metejshme të Kombit, humbjen e historisë së tij, të ëmrit, të teritorit, kjo është politika e 24 vjetëve për mua.Ikim nga kjo temë, që mbetet të diskutojmë njëherë tjetër, dhe kthehemi te ajo më e rëndësishmja, më emidiate, me e dhimbshmja dhe me pasoja të mëdha.

 

“EUROPA E BASHKUAR DHE TROJET E MIA TË NDARA”

Parlamentarë tradhëtarë, politikanë miopë, hidhni sytë të shikoni çfar ndodh rreth nesh,dhe brënda në shtëpinë tonë.

Në Shkodër ngrihet një përmendore për Mustafa pashën, një kryexhandar Turk.Në Tiranë një tjetër pasha turk, që gjoja ka krijuar Tiranën si qytet.Kjo për veriun e Shqipërisë.Në jug akoma më keq.Në Përmet kisha Orthodhokse Greke ka ngritur në Grykë të Këlcyres një Manastir, në ëmër të të cilit dhe, në pronat e të cilit prehen eshtrat e heronjve Grekë.Këta heronj Grekë, erdhën në Shqipëri si pushtues, për të ndarë trojet  me Italinë, pa pyetur dhe pa marrë leje nga trualli ku zhvillohej kjo luftë mes agresorëve.

Në Gjirokaster, Sarandë, Himarë etj, Greqia derdh miliona dollarë me pensione, duke paguar si të jenë pronë e tyre pensionistët Shqiptarë. Ndërsa Shteti Shqiptar nuk paguan dot libra dhe mbeshtetje per mesimin e gjuhes për 5000 shqiptarë që ndodhen sot në Ukrainë.Nuk i përgjigjen dot kërkesës se tyre për abetare dhe libra për mësimin e gjuhës amtare.Rusia pais me pasaporta Ruse të gjithë qytetarët e Krimesë,Greqia pais me pasaporta greke jugun e Shqipërisë,në veri të Kosovës Serbia pais me pasaporta Serbe qytetaret e Mitrovicës në Kosovë.Si përgjigje të kësaj situate,Sali Berisha bën monoment dhe hero figurën e urryer të Amet Zogollit, tradhëtarit të Kombit, dhe shet ujrat tona teritoriale si të jenë pronë e babait të tij Ramë Berisha.

Reabiliton vrasësin e Hasan prishtinës,Luigj Gurakuqit,Avni Rustemit etj.O zot si nuk kam një forcë të mbinatyrshme që të vendos drjtësinë në vënd.Sali Berisha një politikan që kur humbet karriken e kryeministrit, qan ne televizion e në rrugë, dhe sot organizon njerëz për ta bërë atdheun të pa sigurtë.Varfëria e tejskajshme, dinamiti ka mbetur ti vihet vetë Parlamentit, që të shpëtojmë një herë e mirë.

Kujdes “Politikanë të nderuar”! Unë një qytetar i thjeshtë, jashtë trojeve të mia, i përmalluar për prindër e motra, për vëndin ku linda u vendos në bangën e të akuzuarve:

-Çfar kërkon busti i një Mustafait Turk në qytetin e Shkodrës?

-Çfar kërkon monomenti i një Turku si krijues i qytetit të Tiranës?

-Çfar tregojnë varrezat e heronjve grekë në Përmet, kur dhe eshtrat e tyre, apo fosilet janë të qytetarëve vëndas?

-Çfar kërkojnë grekët me dhënien e pensioneve dhe pasaportave greke në jugun e Shqipërisë?

-Mijra kisha dhe xhami në trupin e tokës mëmë të ndërtuara nga turqia, greqia apo vëndet arabe, pronë e kujt janë?

-Kur ngrejmë një monoment të një pashai turk, dhe çnjerëzojmë figurën e një Skëndërbeu të madh,cili është qëllimi?

-Kur monomentin e themeluesit të trojeve dhe të emrit tonë Skëndërbeut e bëjmë me bisht,me sy të nxjerrë jashtë si kafshë të tmerruar,çfar qëllimi kemi?

-Kur ca të vetëquajtur analistë,që nuk njohin as nenen e tyre shpifin dhe mohojnë gjirin e saj,çfar qëllimi kanë  dhe kujt i shërbejnë dhe nga kush paguhen?

-A ka ndonjë ligj për ruajtjen e dinjitetit kombëtar,dhe të figurave që krijuan këtë komb,për mbrojtjen e vlerave të tyre,të ëmrit dhe të veprës,dhe nëse ka,në cilin sirtar,dhe për çfar interesash qëndron e fshehur dhe nuk vepron?

-Është kjo shënjë e demokracisë?

U lutem, populli që u ka votuar, kërkon të dijë!

-Përse në Turqi nuk ngrihet një monument i Skëndërbeut, Ali Pashë Tepelenës, i Abdyl Frashrit, Ismail Qemalit… etj…etj…etj?Këto figura që përmënd i kanë shërbyer turqisë, dhe disa prej tyre kanë qënë antarë të parlamentit turk.

-Do ta lejonte një veprim të tillë politika e sotme Turke, e cila kërkon që të futet dhe në Europë?

-Do pranonte Qeveria e sotme Greke, që në Filat të ngrihet një monument për të rënët e masakrave të mëdha?

-Do pranonin Grekët që në Gumenicë, atje ku trojet e Çamëve qëndrojnë të pushtuara, në Xhamitë gjysëm të rrëzuara, të ngrihen xhami të reja?

Vëmëndje, kujdes se, po e çkombëtarizoni kombin dhe trojet e tij, pa e kuptuar fare, aq më keq, nëse këtë e bëni me qëllim.Duhet të tregoheni të kujdesshëm me historinë, që më pas të mos mërrni damkën e tradhëtarit.

Për këto 24vjet, ajo që është shtuar si fara e hithrit janë vetëm Xhamitë dhe Kishat.Kjo ka një arsye të madhe.

Po të marrim kohën e diktaturës dhe atë të demokracisë analfabetizmi është rritur maksimalisht.Thjesht dhe pastër, mijra fëmijë qëndrojnë të ngujuar në kulla, sepse i jemi kthyer gjakmarrjes, si në kohën e Lekë Dugagjinit.

Njezit vrapojnë mbas kishave, mbas xhamive, sepse nuk kanë kujt ti falen për shpëtimin e varfërisë së tejskajshme të krijuar prej jush.Unë që u shkruaj kam jetuar ne qytetin e Laçit, atje ku është dhe një nga kishat me me emër të Shqipërisë.Në ditën e saj të emrit më 15 Qershor, vitin e kaluar, televizionet, radiot, gazetat trumpetonin me të madhe se kjo kishë u vizitua nga 250-300 mijë vetë  në ketë ditë, por dhe në çdo ditë tjetër.Unë që i kam parë këta njerëz me sytë e mi, por që mund të shikoni dhe Ju dhe dhjetra video në intrenet,të gjithë duken njerëz varfanjakë, të mbytur nga hallet dhe nga problemet që krijon prona, që sheti nuk i zgjidh me ligj.Falen për gjakmarrjet që shteti nuk e mbron me ligj.Falen për të ardhmen, sepse shteti nuk krijon asnjë kusht dhe nuk hap asnjë dritare për të parë ata botën dhe veten më mirë.Ata i bëjnë lutje vetëm zotit dhe allahut, por ata janë shumë larg dhe nuk i dëgjojnë dhe, as nuk i shikojnë vuajtjet e tyre.Ju që keni në dorë fatet e kombit, po e shisni atë, po e varfëroni edhe më shumë, deri sa një ditë ashtu si në Krime, greku ti quaj të gjithë qytetarët e Shqiptarë me pasaportë greke…grekë etnikë.Deri sa historikisht vërtetohet se, Tiranën si qytet e krijojë një pasha Turk, po kështu dhe Shkodrën, po kështu dhe Gjakovën, po kështu dhe Mitrovicën.

Zotërinj pushtetarë, kush i ka pronë të tyre kishat dhe xhamitë, por dhe priftrinjtë dhe hoxhallarët?Si e kryejnë ata punën e tyre, dhe kush e kontrollon këtë punë, edhe pse ajo është shpirtërore dhe fetare?

Dhespoti grek erdhi si i përkohshëm në krye të kishës orthodhokse, tani është bërë zot në shtëpinë tonë.Serbët bërtasin: “Manastiret dhe kishat e Kosovës janë të Serbisë”,Turku bërtet: “Xhamitë dhe tyrbet janë pronë e Turqisë”,Greku bërtet: “Kishat dhe manastiret orthodokse janë pronë e kishës Autoqefale Greke”.

Unë shtroj pyetjen: “Po pronë e Kombit Shqiptar dhe truallit të tij, cilat janë”?

Pra, Shqipërinë po e ndani, po e coptoni, po e shkatërroni, po e shisni pa pasur asnjë të drejtë.Thirrje nga Londra e Largët: “Zgjohuni nga gjumi letargjik i fitimit personal, tani që ende gjithçka është në duart dhe ligjet tuaja, nëse nuk e keni bërë kontratën e shitjes përfundimtare.Koha dhe historia do t’u dënojë si tradhëtarë, por dhe kombi im do bëhet bakllava, ku sejcili me një thikë në dorë do presi dhe do rrëmbejë një copë, ashtu si kanë bërë historikisht deri tani.

Zotërinj qeveritarë:

Nuk ngopet dhe as nuk bindet më populli im me përralla.Vrapimi drejt Europës duhet të bëhet me kujdes, pa hapur plagë kombëtare, pa hapur kanale nga rrjedhin ujra që përmbytin arat e interesave tona, por dhe pa cënuar dinjitetin, vlerat Kombëtare, historike dhe gjuhësore të Shqipërisë.Europa është vërtet një stan i madh, ku në të duket bollëku, siguria, qetësia dhe mirëqënia, por shikoni se mbas ketyre duket dhe Krimea, interesat e sejcilit, orekset e mëdha, por dhe fitimet, dhe përvetësimet e trojeve dhe pasurive tona, që kurrë nuk reshtën ti përvetësojnë…

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: PARLAMENTARË"TRADHËTARË" TË KOMBIT TIM!, Pilo Zyba

GRUAJA SHQIPTARE, SKLLAVE E LIDHUR ME PRANGAT E DETYRIMEVE DITORE TË KOHËS MODERNE

March 27, 2014 by dgreca

Nga Violeta Tarina/

Nën vështrimin e përditshëm, kur shkoj në punë, më bëjnë përshtypje njerëzit, sidomos gratë. Që nga paraqitja e jashtme, kupton se kujt shtrese i përket gruaja që më shfaqet përballë, fshatit apo qytetit, shtresës intelektuale apo amvisës së thjeshtë. Mjafton një zhbirim i syve për ta kuptuar, një grua të ardhur nga fshati, për të shitur ato pak gjëra në qytet, mjaftojnë blanat e zeza që ka lënë dielli në fytyrën e rreshkur dhe në duart me vijëzime të prera thellë nga puna për të përballuar lodhjen e jetës në ditët e panumërta. Bota për të është shërbimi i tokës dhe njerëzve të shtëpisë. E thënë ndryshe, robinë, apo model i skllaves pa zë të shtëpive shqiptare. Kurse, një vajzë qyteti, që ka thithur ajrin dhe ka puthur vesën e kulturuar të dijes,ëndërron aromën e luleve të dashurisë. Fantazia e çon tek princi, i cili e shpëton nga kështjella e mamasë dhe babait të jetojë shkëputjen e lumtur. Me emocion ajo përzgjedh ose i përzgjedhin bashkëshortin e saj. Skllavëria fillon gradualisht me rrethin e artë të martesës. Në fillim duhet t’i bindesh mendimeve dhe dëshirave të mashkullit, pa pasur hapësirë për të thënë të tuat, sepse ari i unazës së gishtit nuk lejon nxënie, ndryshe këputet. E pakënaqur në vetvete mërzia si fije e padukshme vesh shpirtin. Pastaj vjen fëmija e parë. Lodhja dhe stërmundimi lë të nënkuptohet një nënë që i dedikohet shpirtërisht e fizikisht rritjes së fëmijës. Netët pa gjumë, përtesa e bashkëshortit të ngrihet natën,shmangja nga detyrimi për të ndarë së bashku mundimet, të cilat krijojnë një hendek pakënaqësie, që shpesh ajo e kalon duke shpresuar se e nesërmja do jetë më e mire. Një gënjeshtër për të rritur kurajën të ecësh në lumin e ditëve. Puna e përditshme, punët e shtëpisë, fëmija dhe shpesh kur bashkëjetesa është me prindërit e burrit, mishëron një lule gruaje kokulur e drobitur nga lodhja, që herë here shpërthen si brez vetëtime. Zëri,fytyra,flokët, veshja, gjithë qenia e saj proteston pa zë. “Kush e kupton?”. Asnjëherë nuk e kanë kuptuar. Pas orëve të lodhshme të punës, bashkëshorti duhet të hajë drekën dhe të çlodhet me joshjen e gjumit dhe qejfet e shtratit. Skllavja bashkëshorte duhet të durojë lodhjen ditë për ditë, me shpresë se fëmija do të rritet dhe vuajtja do të minimizohet.

Po të pyesësh, të gjitha gratë në këtë periudhë thonë të njëjtat fjalë: ”Sa kam vuajtur” Natyrisht që jetë pa vuajtje nuk ka, por kur ato pjesëtohen, barra është më e lehtë. Gruaja nuk është një leckë pastrimi,një buzëqeshje kukulle, apo hija e burrit. Ajo është një shpirt plotë drite dhe ngrohtësi, e cila ka nevojë për një fjalë të mirë dhe për pak dashuri, që nëse i jepen, ajo i shumëzon brenda shpirtit të saj fisnik, dhe nëse jo , në sytë e përulur, ku nuk ndihet as shenja më e vogël e falënderimit për sakrificave të saj, ulet flutura e mendimit Shekspirian “Të rrosh apo mos të rrosh”. Në këtë çast shpirti bredh me retë e mendimit, ulërin me memecërinë e furtunës dhe “barku i zemërimit i mbushet’’ për tu zbrazur pranë nënës, motrës, apo një shoqeje. Cilat ishin ëndrrat e vajzërisë, dhe si i shkoi jeta e skllavëruar. Por shumë vajza dhe gra të reja kanë kuptuar thelbin e jetës, se vetëm dituria është arma për të këputur vargonjtë e skllavërisë. Sa më të arsimuara, aq më pranë vijës së kufirit të barazisë së burrit do të ndihen. E megjithatë, sa dekada do kalojnë, që gratë shqiptare të bëhen luftëtare të fjalës, për të fituar barazinë. Një mendim, një shkrim, mund të jetë vetëm një erë stuhie. Por zëri i bashkuar i të gjithave grave përbën spiralen tornado, ku stuhia zhvesh lakuriqësinë e prangave të farkëtuara ndër vite nga mentaliteti i burrave.
Grua, sikur të kuptosh elementet nga se përbëhet drita jote, kurrë nuk do të bije në nënshtrim, sikur të kuptoje që shumë here ke shëtitur imazheve të qiellit, nuk do bije në dëshpërim, sikur ta dije se sa herë ke ndërtuar një botë të vogël parajse, buzëqeshjen do e kishe vetëm në sy. Teksa shpirti i mashkullit blerohet vetëm me pranverën e gruas, shpirti i gruas ndrin vetëm nga dielli i fshehur i qiellit burrëror. Sot, unë grua jam mishërimi i skeletit të botës tënde, or burrë, dhe ti je për mua kolona kockore që mban këtë botë. Pra, a s’duhet të jemi të barabartë?…

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e kohes moderne, Gruaja skllave, Violeta Tarina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 764
  • 765
  • 766
  • 767
  • 768
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT