• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË “KUSHT” PER TITULL AKADEMIK…

March 21, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

Shqiptarët kjoftë këndej apo andej kufinit të vitit 1913, pothuej, të gjithë ishin nen po të njajtin sistem qeverisje mbas vitit 1944, sigurisht, me ndryshim ndrydhje diktature komuniste. Ndersa, mbrenda kufinjve shtetnor diktatura e proletariatit që në dukje komandohej nga Tirana e tiranisë komuniste, kishte ndryshimet e tonacioneve të veta me pak ndryshime në disa qytete. Nuk kam nder mend me ba analizë se kush qeveriste apo kush shtypej ma pak ose ma shumë, mbasi fjala shtypje asht cilsi e vetë sistemit komunist, po nuk besoj se shtypja e Shqiptarëve nder tokat e mbetuna nen qeverisjet e shteteve fqinjë, mund të krahasohet ose afrohet me né që ishim nën thundrat e diktatorit Enver Hoxha dhe pasuesit tij Ramiz Alia per 47 vjetë.

E them me sigurinë ma të madhe se Shkodra e 1944 – 1991, asht e pakrahasueshme dhe e papersëritëshme në të gjitha qytetet e Europës, që kanë provue diktaturen komuniste barbare. Edhe komunistët e parë në Shkoder tue fillue nga Zef Mala, të gjithë kishin kalue nder bankat e shkollave të qytetit ose në shkollat Perëndimore të Europës. Komunistët e Veriut nuk e pranonin ideologjinë “sllave” në drejtimin e PKSH, se nuk pajtohej me formimin kulturor të Veriut dhe shitjen e Kosovës, si pasojë, në 1941 PKSH, u ba pronë e injorantëve të Jugut, tue zhdukë të gjithë Veriorët deri në 1952 me Tuk Jakoven në krye edhe se ishte marangoz i pashkollë.

Shkodra e kater Gjimnazëve të para në Shqipni, në fund të vitit 1945 kishte vetem një nga këta gjimnaze, Gjimnazin “29 Nandori”, per të cilin kryetari terrorist i degës së mbrendshme të Shkodres, i porsa ardhuni në vitin 1950 Hilmi Seiti, i shkruen ministrisë së mbrendshme në Tiranë, që aso kohe drejtohej nga krimineli Mehmet Shehu: “Në gjimnazin e Shkodres vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100  (njëqint) konviktorë nga Jugu.”(Arkivi)

Me arrestimet e studentëve fillon edhe zhdukja e inteligjencës shkodrane, dhe me këte zhdukje fillon edhe zevendsimi i saj me kuadrin e “rinjë”, i cili, jo vetem, ka dhanë prova në të gjitha hallkat e sigurimit shtetit komunist, por edhe ka trashigue veprat kriminale tek të gjithë trashigimtarët e vet, po edhe ua ka “sigurue” të ardhmen per sot edhe pse ishin pa shkollë.

Asnjë president apo kryeminister deri sot, mbas vitit 1991, nuk ka tregue biografinë e vet tue e vertetue até me “dosjen” e vet familjare që ka zyra e kuadrit e Ministrisë së Mbrendshme, ose arkivi i KQ të PPSH në Tiranë. Pse? – Se deri tek gjyshi i vet, të gjithë ishin agjenta sigurimi. E per pasojë, ishin agjenta të UDB, KGB… dhe me “pasaporten” e vet mund të shkojnë deri në Vladivostok per sherbimet që i kanë ba dhe vazhdojnë me i ba spijunazhit dhe organeve të tjera të diktaturës komuniste të të gjitha atyne shteteve, ku ruhen me fanatizem fotot e tyne. Nëse ndonjë “ambasador” i atyne shteteve që u jep vizat këtyne agjentave në Tiranë, “nuk asht i një mendimi me mue”… të tregojnë botnisht se, “sa agjenta të sigurimit komunist terrorist shqiptar” ka në oborrin e Ambasadës së vet në Tiranë, dhe sa u paguen çdo muej atyne kriminelë?

Një nder “reformat” e para të komunistëve menjëherë mbas ardhjes në pushtet në 1944, ishte reforma arsimore, per formimin e “njeriut të rinj”… me të gjitha tiparet e injektueme nga këshilltarët jugosllavë, rus e ma vonë kinezë, ose me t’ ashtuquejtunin “Revolucion ideologjik kulturor” me të cilin u bame “flamurtarë të marksizem – leninizmit” në gjithë Boten, tue u njohë edhe me Kushtetuten e RPSSh, “shteti i parë ateist” në Botë. Gjurmët e këtij “Revolucioni” i kishim në Shkoder tek “Muzeu ateist” (edhe ky i vetmi në Botë), per të cilin disa spijunë me aq paturpësi si vepronin kur ishte tue u pergatitë, me aq paftyrësi më akuzojnë se kam punue aty.

Po të kishe punue aty, sot unë nuk do të mujshe me shkrue e as me folë Gegënisht!

Edhe mjaft malësorë që janë nga krahinat e nderueme dhe të thella të Alpeve tona, meqë fatkeqsisht nuk mujten me ruejtë “identitetin” e vet e të karakterit të Maleve tona, vrej me një keqardhje të madhe se shkruejnë e flasin “gjuhën e kongresit të 1972”, që terroristi Enver Hoxha ua imponoi të gjithë “atyne” që i premtuen bashkpunimin deri në vdekje të tij e të veten.

Letersia e Veriut u zhduk! Tashti piksynimi i mercenarëve asht në drejtim të fushës së Historisë së Shqipnisë, ku fallsifikimi dhe gënjeshtra mbizotnojnë në sejcilin rresht e kapitull.

Askush nuk ka turp me rrejtë!

Flitet per Gjergj Kastriotin pa asnjë pergjegjësi as historike as morale. E ka edhe prej disa krahinave që e ndjejnë veten ma të sigurt nen çadren anadollake!

Flitet per shkollat e para Shqipe dhe vazhdohet mos me u zanë me gojë shkolla laike e Shirokës, e hapun në vitin 1874 nga Don Zef Ashta. Ndoshta, per me u konsiderue e tillë, do të duhej me ia shkrue emnin e themeluesit saj “Hafiz Xhep Ashtasori”…

Nga Lidhja e Prizrenit…shkapercen historia pa pikë turpi Trimin e Malësisë, Heroin e Hotit Dedë Gjo’ Lulin, bashkë me të gjithë Burrat e Maleve dhe far’ e fisin e Tij, që sllavët e tradhëtarët e Atdheut i vranë mbas kaçubash nga 1913 e deri në 1946, me Heroin e fundit që njoh unë Gjelosh Lulin e “Beslidhjes së Veriut”… Harrohet Hoti, Gruda e Tivari…vetem per mos me zanë në gojë Masakren e kryeme në vitin 1945, nga Ramiz Alia ndaj 12000 kosovarëve…

Flitet per vendosjen e Flamurit në 1912 në Vlonë, dhe, as nuk zehet me gojë as Don Nikollë Kaçorri, as Luigj Gurakuqi, as Mark Kakarriqi…e bashkë me ta as Mustafa Kruja…

Flitet per Kongresin e Manastirit të vitit 1908 dhe as nuk të bahet me besue se krejt ai kongres do t’ ishte harrue me kohë po mos të ishte Grupi i Shkodres, dhe i Shoqnisë “Bashkimi” i themeluem nga Abati i Mirditës Imz. Preng Doçi, mbrenda së cilës bante pjesë ajka e kulturës Shqiptare tue fillue nga At Gjergj Fishta që perpiloi dhe paraqiti në Manastir Alfabetin Shqip, të cilin kishte 6 vjet që e perdorte në shkollen Françeskane të Shkodres…dhe nuk zehet me gojë!

Çka nuk kanë shpikë pseudoprofesorët per Korçen e Gjinokastren, kur i mori greku dhe ua hoq atyne per thonjësh Imzot Luigj Bumçi, në Konferencen e Paqës në vitin 1920, mbasi u takue me Papen dhe Presidentin Willson…E kush nuk po i del zot pervetsimit vepres së Bumçit…

Flitet per “çlirimin” e Shqipnisë, në vitin 1944 dhe askush nuk tregon se në nandorin 1944 Tokat e lirueme në vitin 1941 bashkë me Shqipninë Nanë, u ripushtuene nga shtetet fqinjë dhe se, të gjithë bashkë kalueme nen okupacionin bolshevik komunist të diktatorit Stalin.

Flitet per “heroizma” dhe sakrifica e vetflijime në kohen e okupacionit…dhe askush as sot, nuk zenë me gojë shkollat Shqipe të hapuna nga Ernest Koliqi e Mustafa Kruja në të gjitha Trojet Shqiptare… Po, a thue, aq të padijtun ishin ata Burra, që nuk e kanë lanë asnjë rresht të veprave të veta atdhetare të shkrueme, per të tregue sesi ua shperblej Enver Hoxha me sllavë e tradhëtarë Vepren e Tyne Atdhetare të pakrahasueshme në Ballkanin e pergjakun?

Lè ti mbesin “hatri” kujtdo e cilitdo, per faktin që do të shkruej!

“Prej atij që e ka ba NANA dhe e thrret até NËNË…”, mos pritni as Burrni as Dituni!

Lè të kenë njëzetë tituj “prof…dr…akademik…asis…doç…”, po kje i paburrë e i pakarakter, nuk ka titull as epitet që i vé shkolla e akademia dhe e ban “Burrë me karakter e të dijtun”!

Asht vështirë me pritë një “qose” që ka lindë Nana, se mbasi të perfundojë shkollen e naltë apo universitetin, “një ditë Nëna” até do ta shoh me mjekerr se: flet gjuhën e “standardit”!

Çka do ti thonte Dedë Gjo’ Luli malësorit Kelmendit, po të fliste gjuhen e “standardit”?

Në vitin 1991, BSPSH e Shkodres më ngarkoi me një detyrë per të cilen shkova me u konsultue me Kryetarin e Komitetit të porsa emnuem z. Ali Spahia…Mbas pak minutash erdhi sekretari dhe e njoftoi se kerkon me u takue me Te urgjent një qytetar XY. Porsa hyni unë deshta me dalë tek paradhoma. Ai më kapi perkrahu dhe më uli ku ishe. Më tha: “Rri, rri, se nuk kam sekret që me u ruejt prej teje Fritz!…” Filloi me folë me za të naltë dhe mjaft i nervozuem: “A e di ti doktor Spahia, se nuk më japin pasaportë me ikë nga Shqipnia? E çka kam me ba këtu, kur më kanë tredhë e më kanë shkatrrue jeten e familjen? Po nuk më dhane pasaportë me ikë jashtë unë, do të gjejë armë dhe do të vras dy hetuesat që më kanë tredhë…Kaq kishe!” Na dha doren dhe doli nga zyra e Kryetarit Ali Spahia… Mbeta pak sekonda, dhe vrejta se isha topitë…

Pata një dhimje ndaj Atij Burri që në Dhjetorin e 1990, pat krye një veper heroike!

Të nesermën takova një mik që ka vuejtë 10 vjet burg në Spaç… Pa i tregue emnin… unë i tregova ngjarjen e një ditës perpara. Ai nuk u çudit aspak. Më tha se: “Në vitin 1974, kur jam dënue unë, nuk e pata rrezik me pasë hetues Abdullah Lahin, mbasi kur ishe në Spaç i dënuem kanë ardhë atje nga hetuesia e Shkodres, që i ka hetue krimineli Lahi, 13 persona që ky i ka tredhë… per me pranue procesin…Aso kohe të gjithë ata fatzezë ishin nen moshen 40 vjeç…”

Edhe stema e Akademisë ka vitin 1972…

 

Më ka shkue mendja tash vonë… Flitet se “ata që shkruejnë me gjuhën e Kongresit të 1972, kanë nenshkrue një dokument atëherë, se do të vazhdojnë me shkrue ashtu gjithmonë!”

Ma vonë, Prof. Kolë Ashta, më ka pohue se me vertetë të gjithë “kanë firmue”!..

Në fakt edhe ata që kanë marrë tituj “prof…dr…akademik…” etj., gjithnjë kanë vazhdue me shkrue me gjuhen e “ndyesueme” siç thonte i Ndjeri Prof. Arshi Pipa…edhe mbas 1991.

Po, t’ ishte vetem dokumenti i “Kongresit 1972”, gjysa e së keqes, por koha provoi se shumica e tyne i paskan firmat e veta edhe nder shumë skuta e labirinte të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme në Tiranë, ku “rrodhet” e asaj humnerë u kacavaren sot per kostumin “’demokrat”.

Aty nga viti 1998, takova në Tiranë prap mikun që asht kenë i burgosun në Spaç… dhe kur u hap tema e vazhdimsisë së shkrimit edhe mbas vitit 1992…me “kongresin e 1972” …tue qeshë, më tha: “Po edhe titujt dr…prof… a kujton se, ua ka dhanë Enver Hoxha pa i tredhë?…”

Vonë e kam kuptue se kishte pasë edhe “tredhje” truni… E nuk janë pak edhe nga këta…

Madje, këta të fundit, janë ma shumë e gjinden kudo!..

Nuk ka ma turp se me mohue edhe sot… fjalen “NANË”…

Melbourne, 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, NJË “KUSHT” PER TITULL AKADEMIK...

Rama: Zhurma për marrëveshjen e FMN, si zhurma për taksën e naftës

March 20, 2014 by dgreca

Kryeministri Edi Rama, duke folur në seancën e sotme plenare, e cila u përfshi nga debatet e ashpra , krahasoi qëndrimin protestë të opozitës ndaj marrëveshjes së qeverisë me FMN, me atë ndaj rritjes së taksës së naftës, e cila sipas tij nuk solli asnjë pasojë në ekonomi.

“Marrëveshja e fshehtë me FMN-në, është si thirrja për kataklizmë për taksën e naftës që do rritej e që sipas opozitës do të sillte pasoja shkatërruese në ekonomi” tha Rama.

“Sot, vetën 6 muaj nga koha kur trashëguam vendin duke rënë në humnerë, ne i kemi kthyer atij plotësisht besueshmërinë”, theksoi Rama, ndërsa e vlerësoi qeverinë që drejton si të besueshme tashmë për të qenë partnere në marëveshje të tilla.

Ai i bëri të ditur opozitës se, nuk mund t’i imponohet qeverisë dhe mazhorancës në mungesë të argumenteve dhe me gjuhën e shpifjeve që janë produkte të fakrikuara prej saj. Rama dënoi gjuhën e përdorur nga ish lideri i opozitës dhe kulturën e degradimit të gjuhës, sic e cilësoi ai, të përdorur prej Berishës në Kuvend.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Rama, Zhurma

TË HAPEN DOSJET…! PO CILAT DOSJE; TË KRIMINELEVE, APO TË VIKTIMAVE?

March 20, 2014 by dgreca

Opinion nga ZYBA HYSEN HYSA/

Rrëzimi i një busti, i një qeverie, ndërrimi i një sistemi, nuk do të thotë që çdo gjë ndryshoi si me sustë, apo buton, se ashtu siç një njeri që ndërron kostumin, nuk do të thotë që u bë tjetër njeri, por varet nga lloji i kostumit për të dhënë një imazh fals, ashtu siç duken fals, njerëzit e pasuruar pa djersë e trumbetojnë se janë “familje fisnike”.

Nëse ndërrimi i sistemit do ishte i vërtetë, ashtu siç dhe ndodhi në shtetet e tjera ish komuniste (si në Rumani…) puna e parë që do të bëhej ishte, hapja e dosjeve dhe dënimi i kriminelëve që internuan, burgosën, vranë, varën, zhdukën, pjesëtarët e familjeve patriote fisnike shqiptare, por ky problem thelbësor, i cili tregon haptas, qartas dhe balla – ballas ata që ishin diktatorë dhe ata që u dënuan pa të drejtë u la në harresë, jo se u harrua, por u la për të “pastruar” dosjet e kriminelëve, të cilët erdhën në pushtet, dhe të lënë në ato dosje pinjollët e familjeve fisnike që i detyruan të bëhen dëshmitarë, apo “spiunë”, siç mund t’i quajnë spiunët e sotëm, kjo është vetëvrasje e kombit dhe asgjë më shumë e asgjë më pak, vazhdimi i luftës së klasave për të denigruar po këtë kategori fisnikësh që janë ajka e kombit.

Unë shpesh kam pasur nevojë për dokumente në arkivën e shtetit për arsye studimi, por dyert ishin të blinduara dhe, kur shkova para tre vjetësh, u befasova: aty futeshe si të shkoje të pije një kafe në lokal, por nuk gjeje kafe… atë që kishe lokali. Atë që unë kërkoja, se më duhej, nuk e gjeta kurrë…

Bëra këtë hyrje, duke marrë shkas nga disa shkrime të publikuara nëpër media, apo gazeta, ku për fat të keq, shkruesit paraqiten si të persekutuar politikë dhe kërkojnë hapjen e dosjeve pas 24 vjetësh. Kësaj i thotë të përdorësh dorën e djathtë për të qëlluar dorën e majtë, në vend që të dyja duart të grushtojnë kriminelët e vërtetë. Dhe tragjedia vazhdon dhe shkatërrimi merr udhë, skllavërimi shpall fitoren pa u shpallur se kush është skllavopronari.

Të thërrasësh me zë të lartë për hapjen e dosjeve të komunizmit  pas kaq vitesh, nga njerëz që janë bërë leva të rëndësishme  për të krijuar mundësi diktatorëve të rinj që për 24 vjet të spastrojnë dosjet e tyre duke lënë vetëm disa dosje të improvizuara nga diktatura për të bërë rolin e dëshmitarit me imponim duke i kërcënuar  se do të burgoseshin, vriteshin, internoheshin, apo do t’u përdhunonin motrat, nënat, garatë, bijat nëpër qelitë e burgjeve, apo zyrat e hetuesisë, kjo është e pamoralshme, e qëllimshme… antikombëtare.

Unë e kam thënë edhe në një shkrim tjetër, se sapo “ra komunizmi”, qeveria u krijoi mundësi të përndjekurve politikë për të ikur jashtë shtetit, kjo kurrë nuk ka qenë ndihmë për ta, por për t’i zhdukur përfundimisht, që ata të mos ”i kishin nëpër këmbë” dhe të vazhdohej po ajo diktaturë, por me vello demokracie tashmë. Njëlloj si në 1944, atëherë i vranë, internuan, burgosën, tashmë i degdisën “në rrugë demokratike”, që vendi përsëri të mbetej nën kthetrat e gaforreve antishqiptare dhe e pamë se sa shqiptare kanë qenë qeveritë tona që e shkrumbuan vendin sikur t’i kishte rënë zjarri i mortajave. Unë nuk po zgjatem këtu, se jemi të gjithë dëshmitarë okularë të viteve që pasuan rrëzimin e diktaturës në 1990.

Po sot?? Çfarë kërkohet me dosjet? Dhe kush e kërkon? Paradoks shqiptar! E kërkojnë me forcë disa të vetëquajtur “të dënuar politikë”, apo të ushqyer nga diktatorët e rinj për t’i diskredituar përfundimisht këtë kategori pinjollësh të familjeve fisnike shqiptare, që për ta realizuar këtë, skenarin e kanë pas shkruar që në diktaturë, duke i marrë si “dëshmitarë” për të dëshmuar kundër vetvetes.

Për ne, shqiptarët kanë ardhur kohë të reja nga koha, por jo nga politika, se politika që sundon tek ne, nuk i shërben shqiptarëve, këtu vendosen e hiqen pashallarë, apo më mirë të them krajla për të shfrytëzuar popullin deri në palce, për t’ia bërë jetën ferr që sa më shumë të ikin, të shpërngulen që padronët e krajlave tanë të sjellin farën e tyre. O kob i rëndë, o fat pa fat për shqiptarët! Por fat për ne është zhvillimi i elektronikës, i faqeve të lira në internet, ku shpaloset haptazi fjala e lirë, (këtu e kam fjalën për ato pak faqe që i shërbejnë Kombit, se shumica janë blerë nga krajlat dhe padronët e tyre).

Populli ynë, tashmë duhet të shikojë me sytë e trurit të Kombit, jo me sytë dhelparakë të politikës, që na është bërë peshqesh në vatrat tona përmes televizionit, të lexojë e të vlerësojë mendimin intelektual shqiptar që sa dita vjen po zgjohet dhe po merr mbi vete fatet e Kombit, fate që kurrë nuk mund të fitohen me luftë, por me fjalë të mençur dhe veprime të zgjuara…

Nëse do hapeshin dosjet, mendoj që të hapen dosjet e kriminelëve të këtyre 24 vjetëve se janë të freskëta, nëse do hapeshin dosjet, le të hapen marrëveshjet e fshehta që kanë firmosur politikanët tanë në kurriz të kombit tonë, nëse do hapeshin dosjet, letë hapen skenarët që ka ndërtuar bota për ta mbajtur kombin tonë të copëtuar e të masakruar, nëse do hapeshin dosjet, le të hapen dosjet e qindra organizatave e shoqatave të sponsorizuar gjoja për patriotizëm, por që në realitet bëjnë të kundërtën… o sa dosje ka të hapen, por që për fat të keq nuk do të hapen kurrë, ndaj me sytë e trurit të kombit shikoni sekretet e këtyre dosjeve që të mos biem pre e ndonjë kurthi të radhës për ne shqiptarët…Me respekt për njerëzit e mendjes dhe të penës, për njerëzit që duan këtë vend duke bërë mirësi e duke mos përhapur armiqësi të vjetra për plagë të reja, se kjo i shërben vetëm destabilizimit dhe luftës mes njëri – tjetrit…

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: APO TË VIKTIMAVE, TË HAPEN DOSJET...! PO CILAT DOSJE; TË KRIMINELEVE, Zyba Hysa

Mbi të drejtën e luftës së përjetshme të lirisë

March 20, 2014 by dgreca

Shkruan: Avdi Ibrahimi/Angelezi, Isak Njutni padyshim është shkencëtari më i madh dhe më me ndikim i të gjitha kohëve. Studjuesi në disa lëmenj shkencor dhe me renome botërore Majkël Hart në veprën e tij: “100 Njerëz më me ndikim në Histori.” Pas Muhamedit, në numrin dy e radhit Isak Njutnin. Mbase është e natyrshme që një dijetar praktik e shkencor të lë gjurmë të pashlyeshme në historin e njerëzimit me shpikjet e tij shkencore. Ai zbuloi se drita e bardhë është e përbërë nga të gjitha ngjyrat e ylberit. Pastaj ai krijoi dhe prkatikisht ndërtoi në vitin 1668 teleskopin e pare më pasqyrë, teleskopin reflektues, i cili edhe sot përdorët në më shumë opservatariume astronomike, ndërsa në matematikë dha kontributin e tij në zbulimin e llogaritjeve integrale, megjithatë suksesi më i rëndësishëm i tij është në lëmin e mekanikës-shkencë, e cila sqaron lëvizjën e trupave fizikë. Shpikjet e tij shkencore nuk i komunikoheshin ne të njetën kohë njerëzimit, arsyeja kryesore mbase ishte se po të komunikoheshin publikisht shpikjet e tij shkencore, do të mund të haste në kundërshtim nga religjioni fetar, të cilet ndoshta edhe do ta pengonin këtë shpikje shkencore të ideve të reja, ose njerëz të tillë të paknaqur nga shpikje të reja do ti qëndronin në rrugë si pengesë. Atëherë, Isaku do të kishte mbase të drejtën ose do të ishte i detyruar ta menjanojë këtë pengesë, në këtë mënyrë ai do ti komunikonte njerëzimit shpikjet e veta. Por nga e gjitha kjo që u tha si më lartë, Isaku nuk ka patur të drejtë dhe as që ka provuar ta vrasë kë të dojë nga kunërshtarët e tij të ideve të reja zbuluese, ose të vjedhë në shitore çdo ditë pse ai ishte gjeni në shpikjet e tij shkencore. Kjo na jepë të kuptojmë se edhe ligjëdhënësit dhe drejtuesit e njerëzimit duke filluar nga ata të mëparshmit si Saloni, Likurgu, Napoleoni, Muhamedi e shumë të tjerë, të cilët ishin shkelësit e ligjit të vjetër, ku shoqërit e ndryshme njerëzore e kanë trasheguar nga paraardhësit e tyre, ku ato ligje i kanë respektuar deri në shejtni, e natyrisht nuk janë zmrapsur dhe kanë derdhur gjakun me heroizëm për ruajtjen e ligjit të vjetër, njëkohësisht e kanë mbrojtur  si të dobishëm për shoqërinë njerëzore. Nga e tërë kjo lë të kuptojmë se këta bëmirës të njerëzimit, me idetë e tyre të reja, pra këta bëmirës dhe zotët e njerëzimit kanë qenë veçanërisht ata të skenave politike edhe gjakpirës të tmerrshëm… Me këtë dua të nxjerrë  një përfundim se të gjith këta njerëz, të cilët janë në gjendje ta thonë apo ta japin një ide të re, janë pothuaja se të detyruar, për nga natyra dikush më shumë e dikush më pakë të jenë edhe pjesë e krimit.

 

Kjo ide e re, sipas pikpamjës time, njerëzit për nga natyra ndahen në njerëz të zakonshëm të cilëve nuk u intereson e kaluara dhe as që mendojnë të ardhmën, por janë njerëz që i përshtatën të tashmës, të cilët për nga natyra të shumtën e rasteve janë të sjellshëm, e që jetojnë të nështruar dhe janë të dëgjueshëm sepse kanë përfitime personale politike materiale nga e tanishmja sunduese, sepse ky është dedikimi i tyre i të jetuarit. Kurse në anën tjetër është kategoria e njerëzve të cilët kundërshtojnë dhe kërkojnë rrëzimin e sistemit ekzistues në emër të diçkaje më të mire. Pra, këtij njeriu me ide të re, i duhet që për idenë e vetë të kapërcejë ndoshta edhe mbi trupin e vdekur?! Masa popullore duke mos patur njohurin e duhur mbi të drejtën e luftës së përjetshme të lirisë, gati as njëherë në kohë të duhur s,u njehë këtë të drejtë njerëzve me ide të reja, i vret dhe i var, kështu kjo masë e përmbushë detyrën e vetë konservative, që ka ajo për prijësin e vetë grupor, vetëm se brezat e rinj të po kësaj mase që kanë bërë ekzekutime, të ekzekutuarve, u ngrehin lapidare, dhe u përkulën në përvjetorët e rënies së heronjëve të tyre për lirin e ideve të reja.

 

Pra siç shihet kategoria e pare e njerëzve është dalëzotëse  e të tanishmës, kurse kategoria e dytë e njerëzve janë dalëzotës të ideve të reja, pra janë zot të së ardhmës. Pra këta të parët mbajnë botën dhe rrisin numrin e përkrahësve të së tashmës, të dytët lëvizin botën duke e dërguar atë drejtë qëllimit. Por çka është më kryesorja si njëra poashtu edhe tjetra kanë të drejtë ekzistence, por gjithnji kjo e dyta lufton për të përjetshmën, pra kjo kategori njerëzish njef e respekton historin  e të kaluarën dhe lufton për ide të reja të së ardhmës. Mirpo sipas pikëpamjës time në këtë rast gabimi është i mundur nga kategoria e pare, edhe përkundër prirjës së tyre të zakonshëm për nënshtrimit për interesat e tyre personale, këta nuk qajnë kokën për të shkuarën e as për të ardhmën ata jetojnë sot për nesër, e në të njetën kohë njerëzit e rinjë me ide të reja, shpesh here, fare nuk i diktojnë dhe i kalojnë me përbuzje, sikur janë njerëz të prapambetur me ide të ulëta, e jetojnë në varfëri. Por nga këta njerëz sipas pikpamjeve të mija, nga këta njerëzëz nuk ka pse frikësohet askush, sepse kjo kategori njerëzish nuk shkon larg, sepse janë servile e kozmopolit dhe ndërrojnë gëzofin sipas motit, kështu ata e ngarkojnë vetën me pendime të ndryshme publike se kanë qenë të mashtruar nga prijësi i tyre, dhe kjo del në fund si mësim moral për ta. Kategoria e dytë e njerëzve me ide të reja, janë të aftë të thonë çkado të re, çuditërisht në numër janë më të paktë. Këta njerëz janë të caktuar sigurt nga ndonjë ligj i natyrës. Besoj se ky ligj natyrës është i panjohur, por kam bindjen time se ky ligj i natyrës së panjohur ekziston, e në asnjë mënyrë nuk mund të ketë asfarë rastësie. Këtu kemi të bëjmë me lindjen e gjenive të mdhenjë, të cilët janë kulmi i fatit të shoqërisë njerëzore, ata janë krijues ose shpikës të veprave të mëdha, moskuptimi i veprës gjeniale nga opinioni-lexuesi nuk është përjashtim por normë mbi të drejtën e luftës së përjetshme të lirisë.

Shqipëri 20 Mars 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: Avdi Ibrahimi, Mbi të drejtën e luftës, së përjetshme, të lirisë

Nuk jemi armiq të barrikadave, jemi mendimtarë të lirë

March 20, 2014 by dgreca

Përgjigje z. Kristo Zharkalliut/

Nga Gani MEHMETAJ/

U pa puna, jemi të kundërt në pikëpamjet politike, por kjo s’na pengon të bëhemi miq. Se nga e keni opinionin e gabuar për Rugovën nuk e di, me ngjanë sikur u ka mbetur diçka me ato pamfletet e majta diasporiste me drapen e çekan, megjithëse ju keni ikur nga drapri e çekani, duke rrezikuar jetën. Kishit rastin të lexonit në gazetat prestigjioze e të shikonit në televizionet perëndimore vlerësimet e dinjitetshme për Rugovën nga Klintoni, Toni Bler, Shroderi e Holbruku, nga analistë e gazetarë me emër kumbues, po ashtu nga shtetet aleate që na ndihmuan pa kursim. Mendimin e këtyre burrështetasve e shteteve që ata përfaqësonin unë e marr tejet meritor, sepse ishin ata që na shpëtuan nga shfarosja e jo përrallat tona për luftë e rezistencë, megjithëse e vlerësoj çdo viktimë e sakrificë që është bërë, sepse ishin njerëzit e kombit e të fisit tim ata që u vranë.

I bindur se jeni të keqinformuar, u përpoqa t’ua zhdavaritë pezhishkat e merimangës, por më nuk do ta bëjë një gabim të tillë. Ju vazhdoni më mendimin tuaj, unë me timin.  Asnjëherë s’ më ka shkuar ndër mend t’ua mbyll gojën. Në moshën tuaj dhe timen opinionet nuk ndryshojnë aq lehtë, bindjet e reja më vështirësi shtresohen në trurin tonë. Me sinqeritet jam përpjekur t’ua sjelle një pjesë të informacionit të munguar, sepse pata ndjesinë sikur largësia gjeografike ua ka mjegulluar pamjen. Largësia ka ndikuar që emrin im t’u duket krejt i pa njohur dhe i padëgjuar. Emri juaj nuk është i panjohur për mua. Shkrimet ua kam lexuar në gazetën Kritika, ku unë e kam të botuar një roman dhe disa tregime. Nuk e marr këtë mungesë informacioni si fyerje, megjithëse shkruaj në pesë gazeta shqiptare në Prishtinë, Tiranë e Diasporë dhe në po aq portale elektronike. Shkrimi është profesion imi kryesor që nga viti 1978.

Z. Zharkalliu, kot më veni prapa barrikadave të polemikave të këtyre ditëve. Unë me sharjet e akademikëve “kosovarë” e shqiptarë nuk merrem fare. Nuk kam asnjë anim tifozësh. Ata le të vazhdojnë të polemizojnë për gjëra triviale, ndërsa shqiptarët në tërë hapësirën e Gadishullit Ilirik kanë probleme më të mprehta. Shqiptarë janë në një udhëkryqin dramatikë me mëdyshjen hamletiane, të rrosh a të mos rrosh, ose: në Lindje a në Perëndim. Asnjëri prej akademikëve tanë nuk na thotë si te futemi në Bashkimin Evropian, si ta luftojmë krimin e organizuar e korrupsionin që është bërë sëmundje e turp kombëtar, askush nuk na thotë si të dalim nga shtjella e ndikimit fatal të orientit që mund të jetë mallkim edhe për brezat e ardhshëm. Disa prej këtyre akademikëve e fusin kokën në rërë si makushi, të tjerët flirtojnë me forcat e korruptuara e agjenci turkoshake, të tretët merren me mustaqet e Çelos, sikurse thonë toskët, apo edhe më keq Stambolli digjet e kurva krihet.

Jam  përpjekur t’ua jap një informacion jashtë zënkave akademike, sepse zënkat e akademikëve me duken brutale si zënkat e politikanëve shqiptarë në Tiranë e në Prishtinë, përplot fyerje e denigrime, sharje nga më të ulëtat.

Nuk e di cili është mos durimi juaj me gazetën “Diellin”, por se si me duket cilësimi juaj “veprim agjenturor’! Përgjigjen time e ka botuar së pari në portalin ‘Fjala e lire’, ku  e lexova shkrimin tuaj, ndërsa kudo tjetër kur është transmetuar është vënë në pah se shkrimi im është përgjigje e shkrimit të “Fjala e lire” e  Kristo Zharkalliut. Nuk njoh personalisht asnjëri as në gazetën Dielli as në portalin “Fjala e lire”.

Metaforat për mbesat e nipërit e Xhungashvillit, s’di pse i morët kaq për zemër, është çështja e mendësisë së tyre e jo gjeneve. Është mbesa e Xhungashvillit me mendësi ajo që ia ofron mikrofonin akademikut tuaj të preferuar të shajë e të fyej si ti vjen për mbarë, ndërsa nuk ua dha asnjëherë mikrofonin të tjerëve t’i përgjigjen.

“Si bëhet pra që kjo parti  atdhetare, mban në gjirin e saj tradhtarë të tillë? Kush mund të më bindë mua se këta “turkoshakë” nuk do të marrin nesër në duart e tyre udhëheqjen e partisë dhe, pse jo, pushtetin në Kosovë, duke e larguar nga trungu kombëtar, duke shojtur ëndrrën shekullore për bashkim kombëtar?” pyesni me të drejtë z. Zharkalliu. Këtë shqetësim e kam edhe unë, këtë pyetje e kam bërë disa herë publikisht. Megjithatë mendoj se është një pjesë e kryesisë së kësaj partie pra e Lidhjes Demokratike të Kosovës që e ka mbërthyer korrupsioni e flirti i rrezikshëm me biznesmenë të korruptuar të vendit e të rajonit. Por duke e ditur që rugovistët në terren e jo në kryesi nuk do të gabojnë të votojnë njerëzit e tillë të korruptuar e “turkoshak” (sepse ju e dini se Rugova e mbante vazhdimisht fotografinë me Papa Gjon Palin e Dytë)  ua thash me siguri se nuk do të kenë sukses. Ajo mendësi properëndimore është mbizotëruese në Kosovë, megjithëse e margjinalizuar e ngulfatur dhe e frikësuar.

Asnjëherë asnjë “turkoshak” i LDK-së (partisë së Rugovës sikurse e quani ju), nuk është përjargur kundër Gjergj Kastriotit apo heronjve të tjerë shqiptarë. Këtë guxim besoj nuk do ta kenë as në të ardhëm. Edhe këtu bëni gabime. Denigrime të papara ndaj Skënderbeut e të tjerëve kanë bërë aleatët qeveritarë. Ndërkaq, akademiku juaj u bënë elozhe këtyre zërave të çjerrë që shajnë heronjtë tonë kombëtar.

Rugovën do ta mbroj edhe më tutje, sepse në partinë që e themeloi ai isha ndër nismëtarët e parë. Politikën e djeshme e të sotme të Tiranës, nuk e kam votuar unë. Janë shtetasit shqiptarë që e votuan. Mbetja e Shqipërisë anëtare e shteteve islamike është fyerje dhe turp për shqiptarët. Por asnjëri ndër kryeministrat shqiptar nuk bëri asnjë përçapje ta shkëpus nga kjo aleancë. Përderisa në dy shtetet e krishtera: në Serbi shtetet islamike investuan  3.5 miliard dollarë, ndërsa 1.5 miliard në Kroaci, në Shqipëri e në Kosovë pos që ndërtuan qindra xhami përçarëse e qendra të regrutimit të xhihadistëve asnjë të mirë nuk na e sollën beduinët e shkretëtirës as qeveritarët e Anadollit.

Noli zë vend të rëndësishëm në historinë shqiptare, është ndër personalitete shqiptare që i çmoj shumë si në punën kolosale që bëri në pavarësimin e Kishës Ortodokse shqiptare, ashtu dhe në poezitë margaritarë origjinale e të përkthyera. Prapë ua them me mburrje se në shkollën fillore e të mesme i kemi mësuar  përmendesh. ‘Anës lumenjve, “Mbahu nëno mos ke frikë” etj.  Njoh shumë “kosovarë” (në parapëlqejmë të na thonë shqiptarë të Kosovës) që e duan Berishën, por njoh edhe të tjerë që e duan Ramën, madje edhe Nanon e Majkon. Simpatitë janë çështje private, pse t’u ndërhyjmë?

Në Panteonin Shqiptar ka vend edhe për Nolin, edhe për Zogun, po edhe për Ismajl Qemajlin e Luigj Gurakuqin, sikurse ka vend për Gjergj Fishëtn aq shumë të anatemuar nga serbët e nga Enver Hoxha. Pse duhet ta luftojmë njërin me tjetrin, mjaftë luftuan ata në mes veti për pushtet. Noli u ngritë me grushtet kundër Zogut, pastaj Zogu e dëboi Nolin. Historia po na përsëritet edhe tash çdo dhjetë vjet për faqe të zezë.

Për dorëshkrimet tuaja sinqerisht me vjen keq që nuk janë botuar. Janë botuar me qindra libra koti në Kosovë, në vend se të botoheshin romanet tuaja, për të cilat nga titulli besoj se do të zgjonin kureshtje të madhe. me një kontakt të duhur besoj të gjeni financues në Prishtinë.

Sërish u ftojë, do t’u ndihmonte shumë t’iu shikonit gjërat nga afër, por ftesën nuk ua bëjë që të zhgënjeheni, megjithëse gjendja është zhgënjyese.

Miku jua: Gani MEHMETAJ

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani mehmetaj, jemi mendimtarë, Nuk jemi armiq të barrikadave, të lirë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 766
  • 767
  • 768
  • 769
  • 770
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT