• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROGRAMI SHQIP I “ZËRIT TË AMERIKËS” NUK MUND TË MBYLLET

March 27, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Dje duke përcjellë faqen e Zërit të Amerikës online u përballa me një lajm të cilin nuk do të kisha dashur kurrë ta lexoja, se programi shqip i Voice of America, krahas atij në gjuhën maqedone dhe serbe, për shkak të buxhetit, parashikohet që në vitin 2015 të ndërpresë transmetimin në radio dhe televizion.

Lajmi m’u duk gjëja më e pamenduar e mundëshme. Sepse ndërsa Voice of America shkurton buxhetin ngaqë s’ka para për të mbajtur në këmbë mediumin më të rëndësishëm për informimin e Shqiptarëve në Ballkan; në Shqipëri, në një nga vendet më të varfra të Europës, ku pensionistët e mbajnë frymën gjallë me 100 $ në muaj, parja derdhet lumë në dhjetra televizione, radio e gazeta, të cilat manipulojnë dhe dezinformojnë opinionin publik pasi kanë humbur pavarësinë si pushtet i katërt dhe janë kthyer në instrumenta të politikës, duke dalë totalisht jashtë rolit që kanë mediat në një shoqëri të lirë dhe demokratike.
Kur e kanë lexuar lajmin e mësipërm për mbylljen e programit shqip të VOA, baronët e madiave të Tiranës kanë fërkuar duart dhe i kanë shkelur syrin njëri-tjetrit, duke thënë me zë të ulët „e hoqëm qafe edhe Zërin e Amerikës“.
Kur lindi, Zëri i Amerikës, ishte pjesë e Zyrës për Informim të Luftës, pastaj kaloi nën Departamentin e Shtetit. Sot është nën varësinë e Qeverisë Federale të SHBA dhe mbështetet nga International Broadcasting Bureau (IBB), drejtori i të cilit zgjidhet direkt nga presidenti i SHBA me konfirmim të Senatit. Shikoni se çfarë rëndësi ka.
Një vit më parë Programi shqip i Zërit të Amerikës mbushi 70 vjet. Kjo radio filloi transmetimin për herë të parë më 1 shkurt 1942, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, kur William Harlan Hale do të shqiptonte: „Këtu ju flet Zëri i Amerikës. Lajmet mund të jenë të mira. Lajmet mund të jenë të këqija. Ne do t’ju themi të vërtetën”. Dhe me këtë kredo Zëri i Amerikës hyri në histori dhe bëri histori. Duke u kthyer në burim shprese për miliona dëgjues e shikues.
Zëri i Amerikës u përball me shumë sfida. Lufta e Dytë Botërore, Lufta e Ftohtë, përmbysja e sistemit komunist.
Ishte një kohë, që zgjati gjysmë shekulli, kur ne shqiptarët ishim të rrethuar nga vargojtë e diktaturës dhe terri informatik. Por, me rrëzimin e Murit të Berlinit, në shtëpitë tona filloi të hynte një rreze dielli përmes Zërit të Amerikës. Programi i radios jepej me valë të shkurtëra, dhe fjalët dëgjoheshin me vështirësi, e copa-copa, por shqiptarët e kishin marrë mesazhin që u dërgonte SHBA, se do ta mbështeste popullin shqiptar në rrugën për liri.

Zëri i Amerikës drejtohej asaj kohe nga Elez Biberaj, që vinte nga një familje antikomuniste, të cilin organi i propagandës komuniste shqiptare Zëri i Popullit e kishte shpallur armik. Elez Biberaj bashkë me ekipin e tij, të gjithë shqiptarë që kishin përjetuar në një farë mënyre kalvarin komunist, fliste në emrin e Zëri të Amerikës duke ngritur hov dhe trimëruar zemrat e miliona shqiptarëve. Emisioni i lajmeve zgjaste vetëm 30 minuta, në orën 18:00 dhe 20:00, por ishte një kohë e maftueshme që kombi të niste ringjalljen.
Kur të gjithë djemtë e mirë të Nënës që kishin shkuar në Amerikë për t’i dalë asaj në krah, nuk jetonin më,kur kishte vdekur Faik Konica, Fan Noli e dukej sikur komunizimi nuk do të shkulej më, në skenë u rishfaq fuqishëm me një dimension të ri Zëri i Amerikës, që nuk kishte ndalur asnjëherë, prej vititi 1943, së foluri shqip.
Do të ishte Elez Biberaj që do të fitonte një popullaritet të menjëhershëm, si një profesionist i shquar, i guximshëm dhe figurë me integritet. Elez Biberaj është figura më e spikatur e diasporës shqiptaro-Amerikane këtë çerek shekulli. Ai do të vinte në krye të programit shqip, të cilin e kishte drejtuar më parë Frank Shkreli një tjetër shqiptaro-amerikan i madh me një shërbim shembullor për më tepër se 30 vjet tek Zëri i Amerikës, i cili e vazhdon kontributin e tij me përgjegjësi të madhe sot përmes gazetarisë së shkruar.
Elez Biberaj bëri që Zëri i Amerikës të hynte në çdo familje shqiptare. Dëgjohej nga të gjithë. Shteti komunist dridhej nga themelet, populli shqiptar ngrihej hov. Sepse përçonte të vërtetën.
Zëri i Amerikës ishte një nga faktorët që çoi në përmbysjen e diktaturës, sepse përçoi mrekullisht në gjuhën shqipe mesazhin e qartë që vinte nga qeveria e SHBA, ndërkohë që në qeverinë Amerikane përcolli zërin e shqiptarëve që kërkonin mbështetje për të përmbysur një regjim kriminal dhe mizor i cili përmes makinerisë të propagandës për 50 vjet e kishte paraqitur Amerikën si armiken e Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Programit shqip i Zërit të Amerikës e kaloi me sukses edhe Luftën në Kosovë, po ashtu edhe konfliktin në Maqedoni që solli Marrëveshjn e Ohrit. Gjithnjë duke ruajtur kredon dhe misionin e tij.
Programi shqip i Zëri të Amerikës ka shoqëruar edhe tranzicionin shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj, i cili është shumë i gjatë dhe i vështirë për shkak se klasa politike, duke patur si palë mediat, i ka tradhtuar interesat e Sovranit dhe vendin e diktaturës, pushtuesit apo shtypjes prej segregacionit e ka zënë diktatura e korrupsionit, që e ka kapur shtetin. Në këto kushte shumë delikate dhe të vështira, Sovrani kërkon që të ketë një aleat të besueshëm, që t’u thotë të vërtetën dhe t’i trimërojë. Dhe këtë mision mund ta kryejë Programi Shqip i Zërit të Amerikës.
Lufta kundër korrupsionit është po aq e vështirë sa edhe Lufta e Ftohtë apo lufta kundër rrëzimit të sistemit komunist. Zëri i Amerikës e ka treguar me punë dhe përkushtim se i përballon me sukses sfidat. Programi shqip i Zërit të Amerikës, duhet t’i kthehet kohës të tij më të mirë. Të vërtetat duhen shqiptuar troç nga njerëz të cilët me formatin dhe angazhimin e tyre, si profesionistë dhe personalitete gëzojnë besimin e audiences dhe teleshikuesve. Programi shqip i Zërit të Amerikës e njeh rrugën e këtij suksesi.
Unë, personalisht si gazetare, që e kam nisur karrierën si raportuese e Zëri të Amerikës, iu qëndroj besnike idealeve të këtij medium të lirisë, dhe bëj thirrje që Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe të fuqizohet që të ketë ndikim sa më të madh në realitetin shqiptar.
Prandaj, natyrisht jam kundër mbylljes së këtij programi dhe i ftoj shqiptarët e diasporës shqiptaro-amerikane të bashkojnë zërin e tyre, të lobojnë e të ndikojnë pranë miqve amerikanë dhe pranë institucioneve përkatëse të vendit mik dhe aleat me qëllim që të mbahet hapur programin shqip i Zërit të Amerikës.
Do të vijë ndofta edhe ajo kohë kur programi do ta ketë kryer misionin e tij fisnik, por kjo kohë tani nuk ka ardhur ende. Kauza e lirisë, ndërtimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit, integrimet dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik janë sfida që kërkojnë mbështetjen e programit shqip të Zëri të Amerikës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, nuk mund, te mbyllet, zeri i amerikes

DEMOKRACIA NUK HAHET ME “GISHTA” !

March 25, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/

 “Historia asht mësuesja e jetës!” Asht një thanje e vështirë me u kuptue kur një popull nuk ka histori të shkrueme, ose edhe ma keq kur asht e shtrembnueme. Kishe marrë maturen në shkollen Pedagogjike në Shkoder, në vitin 1956 jo, nga mësues të pa aftë, por me libra të shkruem me ngjarje të shtrembnueme e ma shpeshë, të paverteta. As nuk diskutohej vertetësia, kur diktatura ishte në kulmin e shkatrrimit.

Në vitin 1961, nga Prof. Gasper Ugashi, pata fatin me u njohë me gazeten “Ora e Maleve” (1923 – 1924), dhe autorët ma të mëdhej të Demokracisë në Shqipni, në 1924.

Më shtynte me dijtë truni im bosh per ngjarjet e viteve 1911, me të Madhin Dedë Gjo’ Luli dhe arritja e Pavarsisë së Shqipnisë në 1912, per të cilen punova një grafikë me bojë kine, një pasion që sa vinte tue më pushtue mendjen dhe zemren.

Fjala Demokraci, shtjellohej nga Don Lazer Shantoja, At Gjergj Fishta, At Anton Harapi, Luigj Gurakuqi, dhe vinte e plotsohej perkufizimi me “poziten dhe opoziten”, dy terme që nuk ekzistonin në “Shqipninë Republikë Demokratike as Socialiste”…

Shqipnia e vitit 1924, kishte fillue me shkrue “historinë”, të cilen shumë shpejtë shovenistët sllav e fshine me veglat e veta anadollake A. Zogun (1925) dhe E. Hoxhen, në vitin 1944, kur Shqipnia kaloi nen pushtimin sllavo komunist të Titos dhe të Stalinit, dhe kur mbetëm “jetimë” në 1961, na mori në kopshtin e tij zoologjik Mao Ce Duni. Edhe këte periudhë, “historianët” tanë e quejnë “Shqipëria e çliruar nga komunistët e orëve të para…”. Edhe pse Shqipnia ishte e pushtueme nga diktatorët fashistë e nazistë, duhet pranue se “Tokat Shqiptare të lirueme në vitin 1941, nga fashistët e të tjerat ma vonë nga nazistët…”, në vitin 1944 të gjitha ata Troje dhe Shqipnia Nanë, u pushtuen nga sllavët e Titos, të mbështetun nga bolsheviku Stalin, presidenti Rusvelt dhe firmëtari i tretë Çërçill i “Vendimeve të Konferencës së Jaltës, së Shkurtit 1945”…që mbeti në fuqi deri në vitin 1989, kur ra “Muri i Berlinit”…bashkë me mbeturinat e komunizmit bolshevik.

Stalini i çoi kufinjtë e Bashkimit Sovjetik deri në lumin Elba…në saje të Rusveltit  presidentit paralitik në trup dhe në tru, që jo vetem simpatizonte sistemin komunist, po edhe e ndihmonte até si e si me shkatrrue Europen, vetem nga dominimi mendor dhe shndetsor i diktatorit ma të madh të shek. XX, bolshevikut Stalin kundrejt tij. Miljona e miljona njerëz kaluene ma shumë se një gjysë shekulli nen diktaturen komuniste, dhe disa qinda miljonë tjerë të vramë e masakruem nga diktaturat barbare skllavnuese.

Pa vdekë mirë Rusvelti, mbaroi edhe miqësia “komuniste” nga vetë Stalini.

Deri në vitin 1961, që erdhi në fuqi Presidenti Xhon Kenedi, mardhanjet në mes të amerikanëve e sovjetikëve mbaheshin pa u “qelbë” me kallepë akulli, gjoja lufta e ftohët.

Per me ruejtë interesat e veta të paprekuna, u vra Presidenti Kenedi. Mbeti gati edhe 30 vjet të tjera Bota aty ku ishte. Presidenti Reagan kje i vetmi pasues i Kenedit.

Mos të kishim fat me ardhë si Presidentë Reagan, Xhorxh Bush e Bushi Jr., ne edhe sot, do të vazhdonim me kenë të rrethuem me tela me ferra në burgun komunist.

Gjithnjë sovjetikët edhe pse ishin të shkallmuem ekonomikisht, qendronin me armë në dorë, tue vra popujt e robnuem prej tyne dhe tue i shitë “sherbesllek” ShBA.

Asnjëherë shtetet Perëndimore “nuk deshten me e kuptue” (edhe ky një shans tjeter per sunduesit diktatorë); se kasta drejtuese komuniste punon per me sigurue sundimin dhe pasunimin e vet dhe të trashigimtarëve, edhe pse Populli ngordhë urije!

Asnjëherë një qeveri komuniste nuk ka dhanë dorheqje se asht keqsue gjendja ekonomike ase Populli asht i paknaqun nga ajo qeveri. Sa ma keq të shkojnë zhvillimi ekonomik aq ma e rrebtë bahet diktatura. Shpresat per Liri veniten dhe Populli pranon prangat e robnisë komuniste vetem me mbijetue edhe pse diktatura shkon në ekstrem.

Nëse para 1989 ishin burgjet e kampet mbushë me njerëz skllav antikomunistë, mbas vitit 1990 të gjithë ata të “paknaqun”, ikën jashta atyne shteteve komuniste, dhe tue mos u dënue as sistemi as kriminelët, sunduesëve të djeshem dhe bijve të tyne, iu dha edhe njëherë e drejta me vazhdue prap qeverisjen komuniste si perpara, nder shumë prej atyne shteteve. Pra, edhe vetë “hapja” e kufinjëve, ishte një favor per sunduesit, të cilëve nuk ua preku kush as postin dhe as pasuninë e grabitun dhe të pervetsueme.

Rasti konkret asht presidenti Putin. Disa herë persëritet se ishte njeriu i KGB…

Po cili nga drejtuesit e shtetit Shqiptar, tash 24 vjet nuk ishte njeriu i besueshem i “sigurimit të shtetit” dhe zbatues i perpiktë i udhzimeve të Nexhmije Hoxhës?

Rreshtoni presidentat dhe kryeministrat, dhe do të shihni cili asht “pa dosje”?

Presidenti amerikan Obama, mendon se duhen rishikue “masat” ndaj Rusëve!

E mandej, kur të ngjasin kjo, presidenti Putin “me siguri do të japi dorheqjen!?”

Perveç, keqsimit gjendjes së Popujve të robnuem nga neokomunistët, asgja tjeter!

Né që kemi mbijetue nga diktatura komuniste, dhe vetem NE, mund të dijmë dhe kuptojmë sa perqind e Popullit Rus apo Shqiptar e don “komunizmin”, ndersa, një amerikan apo Perëndimorë, komunizmin e ka pa nder filma tue pi wisky…

Masat e Perëndimit perplasen vetem per Popujt nen robninë komuniste! Masat e para duhen marrë ndaj atyne që lejojnë me u rifuqizue diktaturat komuniste!

Pasojat e mosdënimit të diktatorëve komunistë, agjentëve dhe bashkpuntorëve të tyne, mos hapja e dosjeve të kriminelëve dhe e ideatorëve të krimit, shumë shpejtë ka me sjellë pasojat e veta rrenuese dhe vrasëse ndaj Demokracisë dhe Europës Perparimtare!

Demokracia duhet të perfaqsohet nga Idealet ma të nalta të njerzimit Perparimtar dhe, kurrë, nuk duhet lejue të drejtohet dhe të shperdorohet nga vrasësit e djeshem apo hajdutët e sotëm, si tash 25 vjetë…

***

Po ua rikujtoj Shqiptarëve një “porosi” nga Don Ndre Mjedja:

***

E pasha, ndêjun mbi thasê t’ florive

Nder valle jevkash, n’ lodrë dudumash,

Tallet i knaqun prei zanit t’ flive

Si qen mbas trumash.

 

O pjellë e keqe! O dhun’, o kore!

Qé shtojzavallet, pa dijt’, po kcejnë

Me ty e zgerdhihen, e ‘j kangë mortore

Nen za shperthejnë.

***

Dhe e mbyllë me thirrjen:

Del, mizuer, këndenaj, del; prej merzijet,

Zgaq i perbuzshem, Shqipnia t’ volli:

Ty shpina e detit, ty, vend robnijet,

T’ pret Anadolli.

(D.Nd. Mjedja, “Mustafa Pasha në Babune”)

 

Melbourne, Mars 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: DEMOKRACIA NUK, Fritz radovani, HAHET ME “GISHTA” !

“MIRËKUPTIMI” ME GANI MEHMETAJ DHE KËRCËNIMET “VLLAZËRORE”!

March 25, 2014 by dgreca

 NGA   K R I S T O   Z H A R K A L L I U/

Kur  riprodhova e fjalët  për demokracinë të mendimtarit të shquar francez, Volterit, se  do të “jap dhe pikën e fundit të gjakut që ti të kesh të drejtë të thuash mendimin tend “ ndonse kundërshtari i tij e shante egërsisht, kisha besuar se me këto fjalë do t’i jipej fund polemikës “armiqësore” ndaj meje nga “vëllezërit” kosovarë, megjithëse kisha pasur një përvojë të hidhur se si e konceptojnë lirine e fjalës dhe demokracinë disa “pseudodemokratë”  shqiptarë të kohës sonë. Kjo,sigurisht, nuk ndodh vetëm në truallin  arbëror  Para se të arratisesha në Greqi më 24 mars 1961, në shtypin komunist shqiptar bëhej zhurmë e madhe për proçesin gjyqësor që zhvillohej në Athinë kundër një gazetarit dhe “heroit” grek, Manolis Glezos. Sigurisht se nuk dija hollësira as saktësi pse po bëhej ai gjyq, por kisha bindjen se në një vend demoktratik nuk duhej të dënoheshin  njerëzit për bindjet e tyre politike si ngjiste në diktaturën komuniste.  Prandaj kur kalova kufirin besova se kisha kjaluar në botën e lire perendimore. Veçse në Greqinë e asaj kohe demokracia ishte e mangët, e çalë. Ishte një demokracia ballkanase. Në Janinë ku na mbanin disa muaj në hetime- atje u njoha  me mikun tim të pare verior, Kamber Merdinin nga Sohodolli i Peshkopisë- na bënin lloj lloj pyetjesh gjë që nuk na habiste për natyrën e marrëdhenieve të të dy vendeve dhe të të dy botëve të asaj kohe. NJë ditë pra një officer fanatik më pyeti: “Ç’mendim ke ti për gjyqin që bëhet kundër Manolis Glezosit?” U befasova dhe në fillim nuk dija si t’i përgjigjesha. Si u mendova pakëz u përgjigja: “Nuk e di pse po gjykohet Glezoja, dhe nuk mund të kem një mendim të prerë” Ai më vështroi i habitur dhe tha:”Por ai është komunist! Nuk mjafton kjo?” Dhe unë duke qënë i ri dhe naiv i u përgjigja : “Po është se dënohet për bindjet e tij politike, nuk pajtohem me këtë gjyq. Gjyqe të tilla bëhen në diktaturat komuniste dhe jo në vendet demokratike. Po të bëjmë dhe ne kështu, ç’ndryshim do të kemi nga ata,komunistët?!!  Afërmëndsh se për demokracinë e cunguar greke të asaj kohe-të mos harrojmë se Greqia kishte dale nga një luftë e përgjakëshme vëllavrasëse vetëm dhjet vjet më pare- fjalët e mia u keqkuptuan dhe oficeri fanatik shkrojti në dosjen time se qënkesha komunist, thua se komunistët mbronin idetë pluraliste! Sigurisht ky mallkim më ndoqi se atëhere çdo mendim që nuk pajtohej me qeverinë në pushtet ishte…komunist. Më vonë u njoha nga afër me Glezon, madje se bashku u gjëndëm të internuar nga junda fashiste më ishullin e vdekjes të Jaros. Miqësia jonë mbajti mjaft vite deri kur, para 15 vjet NATO filloi ndëshkimin e Sërbisë për çlirimin e Kosovës. E majta greke aso kohe përkrahte Sërbinë  e Milosheviçit dhe akuzonte kosoavarët dhe UÇK-në si agjentë të imperializmit amerikan. Në një takim pra me  Glezon- i cili edhe sot në moshën 90 vjeçare është deputet tepër aktiv në parlamentin grek- u grindëm keq për çështjen e Kosovës…Megjithatë ai nuk më kërcënoi, nuk më kërkoi ta mbyllja gojën, thjesht më kundërshtoi

Ndoshta këto  që po shkruaj këtu të duken të pakuptimta. Kohët e fundit nëpërmjet shtypit elektronik patëm një “polemikë” me zotin Gani Mehmetaj, kryesisht për mendimet e mia për Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Qosjen. Në shkrimin e fundit-për barrikadat- zoti Gani, megjithse nuk pajtohej me mendimet e mia- e drejta e tij- më shtrin dorën dhe më konsideron mik, çka më bëri të besoja se polemika midis nesh kishte marrë fund, madje më pëlqeu dhe shkrimi i tij i fundit për ilirët…(Duket se ky shkrim është  shkruar në kohën e Jugosllavisë, prandaj ka disa mangësi dhe më lindi dëshira t’ja vija në dukje…Ai flet për personalitetet e shquar ilirë që kishin lindur në Dalmaci dhe ka harruar-ka të ngjarë që të mos e dinte se  në atë kohë njohuritë tona ishin tejet të kufizuara- figurën më të madhe ilire  që kishte lindur në Dalmaci. Fjala është për Konstandinin e Madh, ose “Shën Konstandini” i cili konsidetrohet  Perandori që u dha lirine të krishterëve të cilët deri atëhere ndiqeshin si armiq të perandosrisë dhe, kryesorja i dha emrin e tij  qytetit më të bukur e të famëshëm të lindjes. Konstandinopojës, Stambollit të sotëm) Edhe tani besoj se mospajtimi politik dhe kulturor nuk i bën dy njerëz armiq, dhe kjo është bukuria e demokracisë. Veçse andej nga Kosova- dhe nga Shqipëria- demokracinë e kuptojnë në mënyrë të njëanëshme dhe kjo tregon se kanë akoma mbeturina të diktaturës komuniste, ose fashiste në konceptet e tyre. Nuk e kam fjalën për intelektualin Gani Mehmetaj. Ai përpiqet të argumentojë kundërshtimet e tija dhe kjo është e pranueshme. (U brengosa pak se vë në të njëjtin kandar(si do të thoshte dhe Arshi Pipa!) Fan Nolin me Ahmet Zogun se si erdhën këta të dy në pushtet. Dihet se Noli nuk pati asnjë ushtri të huaj, as bëri pazarllëqe me fqinjët për ta sjellë në pushtet, por kjo është diçka që duhet ta bisedojmë më gjatë dhe me gjakftohtësi!)

Nuk e kam pasur zakon t’u përgjigjem “komentuesve” të ndryshëm që, falë internetit, mund të shprehin mendimet e tyre, akuzat dhe sharjet e tyre ndaj shkrimeve që nuk janë të pëlqimit të tyre .Fanatizmi i tyre shumë here kapërrcen etikën e mirësjelljes,duke arritur në skajin e verbër të gjakmarjes! Deri tani janë katër mbrojtës të Ganiut tone-thua se ai nuk mund të mbrojë veten- por edhe të Rugovës  dhe domosdo shares të ulët të Rexhep Qosjes. Por, më e keqja, arrijinë në skajin ekstremist të kërcënimeve ndaj meje! Vetëm në kohën e diktaturës më kishin kërcënuar të mbyllja gojën, si më kishin kërcënuar fashistët dhe shovinistët e të gjitha ngjyrave! Dhe ja tani erdhi koha që të më kërcënojnë “vëllezërit” tanë kosovarë…

Por le t’i zëmë me radhë.Njëfarë çami më akuzon pse nuk shaj Janullaton për kishën autoqefale shqiptare. Kryesisht besoj se ky nuk e ke lexuar shkrimin tim përsa i përket Nolit tone. Por përse duhet të akuzoj Anastas Janullatosin unë? Ç’faj ka ai? Ai e ktryen më së miri punën e tij, madje mund të them se si i huaj, nuk i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë që i ka dhënë shteti shqiptar-Berisha- që i dha kishën ortodokse shqiptare në pjatë. Ç’faj ka pra kryepeshkopi Janullatos? Pse nuk shikojmë verbërinë tone, marrëzinë shqiptare por dime vetëm të  shajmë dhe të akuzojmë të huajt se bëjnë punën e tyre? Nëqoftëse nuk do të bëhemi të vetëdijëshëm se të huajt punën e tyre bëjnë dhe se ne duhet të bëjmë tonën, në se ngahera do të presim nga të huajt të na ndihmojnë dhe të na përkëdhelin, do të mbetemi përherë nëç errësirën shekullore…Pastaj na vjen dikush që nuk din se emrat shkruhen me shkronja të mëdha, madje  quan veten…leka-duket është pasardhës i të ndierit Leka, prandaj nuk ka mësuar të shkruajë dhe të flasë shqip, por nuk mungon të më kërcënojë se po guxova here tjetër të akuzoj Rugovën dhe të mbroja Qosjen ai… Nuk e di se  ç’do të bëjë…Do të vijë në Athinë dhe të më gjejë? Thua të kem rënë në gjak me të? Sadik Elsani merr në mbrojtje Ganiun, sikur ky nuk di të mbrojë veten dhe na numëron veprat që ky ka botuar,kur ai nuk ka parasysh asnjë libërin tim…Do ta ftoja të vinte të banonte në Athinë 53 vjet dhe të botonte disa libra shqip këtu dhe jo tani në kushtet e demokracisë, por  në kohën e diktaturës.. Por duke pasur ngrohtësinë familjare, duke pasur përreth njerëzit e një gjaku e një gjuhe, bëhet kushdo trim dhe, kur i ka xhepi mund të bëhet edhe intelektual, edhe shkrimtar dhe, pse jo, Akademik!!!… Atëhere do ta shikoja se sa  do t’i vlente lëkura se në vendin e tij dhe në anonimi bëhet kushdo trim, madje….intelektual! Nga ana tjetër unë nuk “u mburra” asgjëkundi se qënkam “shkrimtar i madh” “Intelektual” as….akademik! Hodha në letër vetëm mendimet e mia , sa më thjesh kisha mundësi! Fazli Hajdari më informon se e njeh nga afër familisht Rexhep Qosjen (bravo i qoftë se unë nuk e njoh!) dhe e di fort mire sa i poshtër është (!!!)dhe këtu hedh dhe  shigjetat e tij helmuese…Më shan për komunist, për admirues i Enver Hoxhës(sic!) e të tjera, pa munguar dhe ky të më thotë se andej nga malet e tyre nuk i falin njerëz si unë dhe ka mundësi-mendova unë- të marrë koburen dhe të vijë të më bëjë atë që dikur i bënë Hasan Prishtinës në Selanik! Në këtë mënyrë të gjithë këta trehgojnë se sa demokratë na qënkan!

Por le të  flasim seriozisht. E them edhe njëherë se nuk jam marrë as do të mirrem here tjetër me “komentues” injorantë që nuk dine çdo të thotë të kuvendohet qetësisht, me argument, bindëshëm. Kam mendimin dhe dëshirën se me Gani Mehmetaj mund të mirremi vesh dhe t’i japim dorën njeri tjetrit. Askujt nuk i hyjnë në punë grindjet, urrejtjet dhe hakërrimet. Prandaj e përsëris se më pëlqeu shkrimi i tij i krijuar në rrethana tejet të disfavorëshme për shqiptarët e ish Jugosllavisë. Jam i vetëdijëshëm se ëndrra ime që dikur të shkoja në Kosovën e çliruar, nuk ka për t’u realizuar kurrë, sidomos  tani me kushtet e disfavorëshme që janë krijuar për mua. Prandaj dua ta mbyll këtë shkrim duke I shtrirë dorën miqësisht zotit Gani Mehmetaj, pa i kërkuar kurrë të ndryshojë qëndrim dhe të pajtohet me mua por edhe ai të mos besojë se unë, në këto rrethana mund të bëhem admirues, ose ithtar të disa figurave që nuk më kanë pëlqyer. A nuk është kjo e drejta ime, kur, tekefundit, nuk dëmtoj njeri? Mjafton që Kosova shqiptare të ecë përpara dhe të mos harrohet e të vonohet bashkimi kombëtar gjë që duhet të jetë në mëndjet dhe zëmrat e shqiptarëve kudoqfshin, akoma dhe në megrim ose në diasporë si quhen vitet e fundit..

Kristo Zharkalli, Athinë 25 mars 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: kercenimet vellazerore, KRISTO ZHARKALLIU, Mirekuptimi me Gani mehmetaj

Konferenca e donatorëve dhe zona e lire ekonomike në Gjakovë

March 24, 2014 by dgreca

Konferenca e donatorëve dhe zona e lire ekonomike në Gjakovë,në prizmin e planifikimit hapësinor dhe urban*/

Shkruan: arch.Ylber Vokshi-Ylli/

Shoqëria jonë ka kaluar nëpër ndryshime të mëdha ekonomike,sociale dhe kulturore. Si rezultat i dhunës shtetërore (lufta e vitit 1999),si dhe ndryshimeve rrënjësore të sistemit ekonomik dhe politik në erën e globalizmit. Ekonomia e tregut, prona private dhe procesi i decentralizimit janë sfidat ma të mëdha në fushën e planifikimit hapësinor dhe urbanistik. Ky trekëndësh magjik konsiderohet si gurë themel i një shoqërie te hapur demokratike.

Gjakova edhe tani mbetet një nga komunat ma të varfra në Kosovë,nga një komunë dikur e zhvilluar,me punësim të madh në nivelin federal,me aftësi prodhues e çka është ma kryesore me njerëz të vyeshëm dhe punëtor. Me një qasje tërësisht të gabueshme dhe tendencioze për 15 vite,çuditërisht u arrit të shkatërrohet e tërë infrastruktura zhvillimore e Komunës,e krijuar me mund të madh me dekada,thua se ajo nuk ishte pjesë integrale e Kosovës.

Konferenca e donatorëve që u organizua këto ditë ka rëndësi të veçante që organizohet edhe në nivelin komunal,është ky një kualitet i ri,që do të ndihmojë stabilitetin e shtetit,por duhet të jemi realist për kërkesat tona dhe atë çka na afrohet. Nga një angazhim i madh i të gjithë faktorëve komunal,edhe me angazhimin pothuaj se vullnetar të ekspertëve të shumtë gjakovar,u arri që me sukses për dy ditë të kemi shumë prezantime të projekteve të ndryshme dhe kërkesave reale për financim të tyre. Kishte shumë premtime nga donatorët prezent ato dy ditë,ishte kjo një ndodhi që efektet e veta do ti ketë afatgjate,për atë duhet përgëzuar ideatorët dhe të gjithë të tjerët që ndihmuan që kjo konferencë me sukses të realizohet.

Konferenca e donatorëve që u mbajt tregoi një interesim të dukshëm të donatorëve që veprojnë në Kosove. Kjo është inkurajuese për iniciatorët që e organizuan ketë ndodhi në Gjakovë,që edhe ne të ardhmen të prezantojnë projekte tjera të cilët i plotësojnë kriteret e një konkurrence të madhe në rajonin e Ballkanit. Çdo donacion-ndihmë e ardhshme është e mirëseardhur për ne duhet pasur dituri dhe kujdes nga ana e jonë për realizimin e tyre,e mos të lejojmë keqpërdorimet ashtu si ka ngjarë me shumicën e projekteve në vitet e pas luftës.

Kjo fazë kaloi,tek tani fillon faza thelbësore,puna e madhe që i pret gjakovarët për të filluar me i materializuar këto projekte,që direkt apo indirekt do të ndikojnë në punësim si dhe rritjen ekonomike. I tërë ky proces do të jetë i realizueshëm nëse është në përputhje me dokumentet hapësinore ekzistuese , të reviduara apo të reja,duke ia përshtatur kërkesave të reja në përputhje me direktivat,rregullat dhe normat e standardet e Planifikimit Hapësinorë dhe Urban.

Në mungesë të dokumenteve REALISTE të planifikimit hapësinor dhe urban ( PZhK. PZhU dhe PRrU),shumë investime janë humbur e shumë të tjera kanë dështuar,nga puna jo serioze e organeve përgjegjëse në tërë Kosovën. Nuk mjaftojnë vetëm “dëshirat”,e në disa raste edhe projekte ekzekutive pa koncepte realiste zhvillimore komunale,e ma gjerë në nivelin e Kosovës dhe regjionit. Sektori i prodhimit,si esencial në zhvillimin e Gjakovës,duhet përkrahur edhe me mjete tjera stimuluese si janë kredit e buta me kushte të volitshme apo subvencione tjera, e jo të lihet vetëm në iniciativa private.

Punimi dhe aprovimi i disa dokumenteve të planifikimit hapësinor dhe urban në komunën e Gjakovës në vitin 2007,ka qenë jo serioz dhe ka pasur efekte negative te faktori ndërkombëtar e posaçërisht te donatorët kryesor. Është punuar në mënyrë stihike për të plotësuar vetëm kërkesat e një grupi të caktuar të njerëzve,pa pjesëmarrjen në vendimmarrje të atyre për të cilët punohen këto dokumente,për atë kanë mbetur ne sirtarët e komunës,nuk janë zbatuar. Trajtimi i hapësirës  urbane në Komunën  e Gjakovës në vitet e fundit ka qenë skandaloze,pasi në emër të “forcës” kanë vepruar shumë “patriot”.Askush nuk do të jep donacione për të korrigjuar gabimet e qëllimshme hapësinore dhe urbane të jona.

Një sfidë e madhe është edhe shpallja e Gjakovës dhe Mitrovicës si Zona     të Lira Ekonomike nga ana e Qeveris së Kosovës. Natyrisht për ketë është punuar intensivisht në vitet e fundit,nuk është kjo dhuratë nga zoti si dëshiron dikush ta thekson,kjo është e bazuar në shpirtin progresiv që e karakterizon Gjakovën me shekuj,ku moto kryesore ka qenë dhe është PUNA dhe vetëm puna,për të pasur mirëqenie dhe progres individual dhe shoqëror të Komunës dhe Shtetit të Kosovës.

Se sa është i rëndësishëm ky veprim i Qeverisë është e tepërt për të shpjeguar,është kjo një dritë që shihet në fund të tunelit në Gjakovë. Lehtësitë e mëdha që Komuna i ka me shfrytëzimin e infrastrukturës ekzistuese industriale,e ngërthyer me kapacitetet e vjetra prodhuese,me fuqinë punëtore të edukuar me dekada dhe me traditë industriale,janë garanci për funksionimin e kapaciteteve të reja dhe joshjen e investitorëve të huaj për eksportimin e prodhimeve tona,e çka është ma kryesore me rritjen e punësimit në ekonomin konkurrente të tregut botëror. Natyrisht duke respektuar të gjitha rregullat (ligjet) vendore dhe ndërkombëtare,me një përgjegjësi individuale dhe kolektive,në tërësi sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare të Planifikimit Hapësinor dhe Urban. Tek tani kërkohet një angazhim maksimal i tërë faktorëve relevant të kyçur në ketë proces e posaçërisht të stafit menaxhues profesional që do të udhëheq procesin e ri-ndërtimit të Gjakovës.

Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013, po vërehet një fryme e re demokratike e pa ditur në Kosovë,ku për të gjitha problemet madhore të cilat i shqetësojnë qytetarët e Gjakovës organizohen takime dhe “debate publike”,për tu dëgjuar edhe zëri i qytetarëve ose të banorëve të zonave të caktuara të qytetit. Natyrisht se ekziston një skepticizëm real,por uroj që se shpejti të tejkalohet atëherë kur dëgjohet zëri i qytetarit. Vetëm atëherë kur do të krijohet bindja-ndjenja së jemi pjesëmarrës dhe kontribuues direkt për zhvillimin dhe planifikimin e hapësirës ku jetojmë dhe veprojmë,do të kemi rezultate pozitive.

Me siguri do të ketë edhe kërkesa tjera për reparte prodhimi,lokacionet e reja duhet përcaktuar me disiplinë në përputhje me dokumentet hapësinore ekzistuese komunale,me revidimin ose punimin e ri të tyre, në tërësi sipas Ligjit të ri të Planifikimit Hapësinor,në frymën e ekonomisë globale të tregut,duke i respektuar dhe mbrojtur interesat e komunitetit,posaçërisht në aspektin e mbrojtjes së mjedisit dhe direktivave mjedisore ndërkombëtare.

Do të ishte ky një kontribut për të mos përsëritur gabimet e të së kaluarës. Vetëm puna e përkushtuar profesionale dhe menaxhimi adekuat i pavarur,e i pasuruar me dituri të reja do ta shpie Gjakovën dhe Kosovën përpara.

Prishtinë,   arch.Ylber Vokshi-Ylli- ylberv1@yahoo.com

*Ne Foto: Pamje nga Gjakova

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: ekonomike, Konferenca e donatorëve dhe zona e lire, në Gjakovë

How do you study a problem like Mother Teresa?

March 24, 2014 by dgreca

By Gezim ALPION/*

Compiling a bibliography on Mother Teresa is a daunting task even for her avid title-spotters. And yet, the most written about woman in modern times is finding it rather difficult to become a serious topic of academic enquiry.

There are several reasons why academia is still giving her the cold shoulder.  A recent spate of studies by and large reflects the weaknesses apparent in the writings of her die-hard supporters and blinkered detractors.

Mother Teresa has some staunch critics in academia who, it appears, barely comprehend her or even try to. Germaine Greer’s superficial understanding of the sister, for instance, is seen in her 1990 ‘religious imperialist’ sweeping statement. Mother Teresa’s preference for an indult of secularisation in 1948 indicates the extent to which this ‘obedient’ nun was prepared to challenge a patriarchal institution like the Catholic Church if her persistent request to leave the Loreto order was not approved. Richard Dawkins is hardly enlightened about the nun. His contribution to the scholarship consists almost entirely of name-calling, as is apparent from his 2006 outburst against ‘the sanctimoniously hypocritical’ woman ‘with cock-eyed judgement’.

The main reason why to this day Mother Teresa continues to be ignored or treated largely in a biased way, however, is because of the jaundiced view that the late Christopher Hitchens took of her work. This is not to say that Hitchens did not raise some serious issues about her; after all, he will always be an important footnote in Mother Teresa scholarship. His abrasive style of writing is a poor substitute for the absence of balanced research. Hitchens coveted notoriety as an uncompromisingly belligerent journalist at the expense of a religious pacifist he arbitrarily put at the top of his list of celebrity crooks. That the target of Hitchens’ vitriol herself turned out to have suffered from serious doubts about God makes the relentless lynching that he and fellow fundamentalist atheists like Dawkins subjected her to in life and death even more of a sorry affair.

Cross-disciplinary cooperation will be vital to understand better why Mother Teresa became a nun, the reasons why Loreto superiors accused her of being mad, vain, evil, and also of having an inappropriate relationship with one of her spiritual directors, and what kept her going in spite of the fact that she was never cured of her spiritual aridity. Academia will enable us to understand better how, with her faith in action, a charismatic religious visionary like Mother Teresa paved the way for public religion today.

Gëzim Alpion is the author of Mother Teresa: Saint or Celebrity?

*(Hindustan Times)

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Alpion, How do you study a problem like Mother Teresa?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 765
  • 766
  • 767
  • 768
  • 769
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT