• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Angazhimi i Thaçit për Serbinë brenda Kosovës

January 9, 2014 by dgreca

Opinion Nga Albin KURTI/

Kudo që serbët janë të përfaqësuar në institucionet e Kosovës, po ndodh dyzimi përmes një nënndarje të veçantë për përfaqësimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Ndryshimet e ligjeve po bëhen gjithandej sepse gjithandej duan t’i sigurojnë pjesëmarrje këtij Asociacioni. Anekënd institucioneve të shtetit të Kosovës duan t’i sigurojnë prani Serbisë. I këtillë ishte rasti edhe te tendenca për ndryshimin cilësor të Këshillit Konsultativ për Komunitete. Për më tepër, aty Asociacioni nuk quhej ‘Asociacion’, as ‘Asociacion/Bashkësi’, por vetëm ‘Bashkësi’, ashtu qysh është emërtimi i kërkuar dhe i preferuar nga Serbia. Projektligji që synonte këtë gjë nuk kaloi në Kuvendin e Kosovës, mirëpo ky nuk është fundi i përpjekjeve përderisa e kemi këtë Qeveri. Të gjithë e mbajmë mend se si para vetëm gjashtë muajsh Kuvendi e refuzoi projektligjin për amnistinë që i falte kriminelët serbë nga veriu për dhunën dhe shkeljet sistematike të tyre. Por, kjo vetëm sa rezultoi me trysni shtesë vendore e ndërkombëtare që, së pari, e riktheu projektiligjin në Kuvend, dhe, së dyti, e kaloi atë edhe me votat e shumë ‘opozitarëve’. Nëse një projektligj kalon në Kuvendin e Kosovës atëherë ai njëmend ka kaluar, por nëse nuk kalon kjo nuk do të thotë ende që nuk ka kaluar për shkak se deputetëve do t’iu ofrohet liria e zgjedhjes deri atëherë kur ta bëjnë zgjedhjen e duhur!

Të gjithë ata që thonë se nuk ka gjasë të sajohet një republikë serbe brenda Kosovës mbase nisen prej hartës politike ku shihet se serbët në Bosnje kanë gjysmën e territorit nën kontrollin e tyre. Por, këtu nuk duhet harruar që serbët në Bosnje kanë qenë 1/3 e popullsisë së Bosnjes, ndërkaq serbët në Kosovë as 1/10 e popullsisë së Kosovës. Në Kosovë, ata nuk do të kenë gjysmën, por çerekun e territorit, përkatësisht së paku nëntë komuna që bëhen bashkë sipas marrëveshjes së 19 prillit 2013 të ratifikuar me 26 qershor 2013 në Kuvend. Mbi të gjitha, Republika Serbe në Bosnje nuk konsiston vetëm në përgjysmimin e territorit të shtetit por edhe te gjymtimi që i shkaktohet institucioneve të shtetit e të cilat asisoj bëhen jofunksionale. Të tillë çfarë është Republikën Serbe në Bosnje e bën pasoja që e lëngon e gjithë Bosnja prej saj. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ngelet fare prapa në këtë aspekt, aq më tepër kur dihet që Kosova ka pozitë edhe më të dobët ndërkombëtare sesa Bosnja e cila njihet si shtet nga e gjithë bota dhe ka ulëse në OKB. Banja Lluka dhe Pale e kanë ndryshuar Sarajevën politikisht e zyrtarisht dhe të njëjtën gjë po ia bëjnë edhe veriu i Mitrovicës e Graçanica kryeqytetit të Republikës së Kosovës. Paralelisht me këtë, negociatat në Bruksel nuk kanë përfunduar për dallim nga ato në Dayton të ShBA-ve. Marrëveshjet Thaçi-Daçiq nuk po i mbyllin por po i shtojnë negociatat e të cilat, më tutje, po i shtojnë koncesionet ndaj Serbinë.

Kryeministri Thaçi është arsyeja kryesore pse Serbia jo vetëm që po e lë mbrapa e përfundi Kosovën por po e tejkalon me shpejtësi edhe Shqipërinë. Thaçi e bëri Serbinë sërish lidere në Ballkanin perëndimor. Shqipërisë iu shty statusi i vendit kandidat për qershorin e vitit 2014, Kosova u ngujua në premtime të vjetra për liberalizim vizash dhe MSA-në, kurse Serbia fillon negociatat për anëtarësim të plotë në BE. Duket që modelin franko-gjerman BE-ja nuk arriti ta përdorë në relacionin Kroaci-Serbi (me Bosnjën në mes). Tash po orvaten ta bëjnë këtë te marrëdhëniet shqiptaro-serbe, ku Kosova është Bosnja e re midis Shqipërisë e Serbisë. Me këso paqe e stabiliteti pa drejtësi, doemos inkurajohet barazimi i krimeve dhe relativizimi i fajësisë.

Kontributi personal i Thaçit për largimin dhe dobësimin e Serbisë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar tashmë është më i vogël sesa kontributi i tij për kthimin dhe forcimin e Serbisë në dekadën e dytë të këtij shekulli. Pra, kontributi i Thaçit për Serbinë brenda Kosovës e ka tejkaluar kontributin e tij për Kosovën jashtë Serbisë. Sikur kryeministri Thaçi t’i dëgjonte kërkesat e qytetarëve të Kosovës sikurse ato të Serbisë, Kosova do të përparonte shumë. Nuk është që Thaçi s’brengoset fare për Kosovën, por ai brengoset shumë më tepër për veten e tij sesa për Kosovën. Gjithfarë kompromisesh marramendëse i bën në kurriz të shtetësisë së Kosovës vetëm dhe vetëm ta postojë burgun për korrupsion që i kanoset si shpata Damokleut. Në këtë kontekst, Raporti i Progresit i KE-së për Kosovën për vitin 2013 nuk është raport i regresit sa i heshtjes së regresit. Problemi konsiston që nuk gjejmë progres në realitetin që e jetojmë dhe jo që nuk e gjejmë atë në raportin që lexojmë. Për dialogun me Serbinë dhe lëshimet pe ndaj saj, Thaçi rregullisht u shpërblye personalisht me minimizim të krimit e korrupsionit në konstatimet për të.

Teksa i afrohemi kohës kur do të shënojmë një dekadë e gjysmë të largimit të Serbisë nga Kosova, Thaçi po i shton koncesionet që e ndryshojnë rregullimin dhe përbërjen institucionale të Kosovës në mënyrë që t’i bëhet vendi Serbisë brenda Kosovës.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Albin Kurti, opinion, per Thacin

A jeni gati për Hillari 2016 !

January 7, 2014 by dgreca

Wesley  Clark : “Hillary ka atë që duhet të jetë Presidente e ardhshëme e Shteteve të Bashkuara, por sot, nëse ajo vendos se do të kandidojë, ajo ka nevojë për të parë mbështetjen tonë. Mbase, tani është koha për të marrë mbështetjen tonë për Hillaryn dhe ne të jemi të organizuar dhe të gatshëm për të mbështetur atë në presidencialet e vitit 2016.”/

Nga BEQIR SINA, New York/

NEW YORK CITY : Gjenerali i pensionuar amerikan, ish Komnadanti i Përgjithshëm i NATO-s,Wesley Clark në një mesazh, jo zyrtar,duket se ka hapur fushatën presidenciale për Hillary Klinton për zgjedhjet e vitit 2016, duke i bërë thirrje qytetarëve amerikane – që të blejnë materiale reklamuese të kësaj fushate dhe mbështetjen e kandidaturës së ish-Zonjës së Parë amerikane dhe ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton. Kështu të pakën bëhet e ditur sipas një mesazhi të derguar, në rrjetin e tij social Fb dhe Twitter ku ai u është drejtuar dje sipas shtypit amerikan mbështetësve të Hillari Clinton

Ish kandidati demokrat për president të SHBA , gjenerali në pension Wesley Clark përndryshe i njohur shumë edhe nga shqiptarët, si ish Komandati Suprem i NATO-s, në luftën e Kosovës, ka për të marrë ndoshta edhe mbështetjen e shqiptarëve të Amerikës, mbas këtij mesazhi për Hillary 2016.

Më tej ai sqaron në mesazhin e tij elektronik :”Ju lutem, ndalo një moment për të lexuar këtë mesazh të veçantë  ; “Unë jam gati për Hillari! –  PAC është vetë përgjegjës për përmbajtjen e këtij mesazhi”.

Në mesazhin e tij, privat ai ka kërkuar, që kjo lëvizje të nisë që në mesin e shtresave më të ulëta, sipas tij të ndodhë kur të bisedoni me fqinjët dhe t’u tregoni atyre që të përfshihen edhe ata në këtë lëvizje.

Sepse, thotë mesazhi :” Kjo është një nga mënyrat më të mira – për të nxitur këto biseda rreth Hillaryt e cila duke par edhe mbështetjen tuaj – qysh tani edhe potencialisht merr drejtimin për në zgjedhjet Presidenciale në vitin 2016 ” shkruhet në mesazh

Gjenerali Klark në porosinë e  tij – dje drejtuar amerikanëve promovoi slloganin “Të përgaditur jemi për Hillarin në vitin 2016”. : “https://www.readyforhillary.com/Free-Stickers”

Mesazhi më tej vazhdon se “Hillary ka atë që duhet të jetë Presidente e ardhshëme e Shteteve të Bashkuara, por sot, nëse ajo vendos se do të kandidojë, ajo ka nevojë për të parë mbështetjen tonë. Mbas, tani është koha për të marrë mbështetjen tonë për Hillaryn dhe ne të jemi të organizuar dhe të gatshëm për të mbështetur atë në presidencialet në vitin 2016.”

Në fund mesazhi elektronik, i cili thuhet se nuk është zyrtar, por është dërguar në postën private, shkruan se ::Eshtë  krenari për të marr mbështetjen tuaj për Hillaryn dhe t’u tregoni edhe miqve tuaj për të bërë të njëjtën gjë.” Faleminderit për t’u bashkuar me ne, Generali Wesley Clark”

Por, Hillary Cilnton që njihet si politikane e suksesshme në të gjithë Amerikën, megjithëse disa herë në fjalimet e saj ose të bashkëshortit të saj ish Preisdentit Clinton, tërthorazi ka lënë për të kuptuar ambicjet e saj – akoma nuk ka bërë publike, zyrtarisht qëllimin e saj për të qenë ajo Presidente e ardhshme e SHBA.

Pra, për të treguar edhe se nga Partia Demokratike, ajo ka për të qenë kandidatja më e favorizuar për zgjedhjet e ardhshme, brenda partiake – ku përflitet se edhe nën/Presidenti Joseph Biden do të jetë një kandidaturë e mundëshme nga partia Demokrate.

Siç dihet, zonja Hillary Clinton, tentoi të marrë nominimin në vitin 2008, por këtë nuk e mori pas “humbjes” së papritur në disa shtete dhe ngritjes së kandidatit tjetër mbrenda partisë Demokrate, Presidentit aktual Barak Obamës, i cili më pas e caktoi atë si Sekretare të Shtetit, çka Hillary e pranoi detyrën dhe e kreu me sukses për katër vjet.

Megjithatë, Wesley Clark, si nje figurë e demokratëve njihet si një aleat i familjes Clinton, i cili njihet po ashtu si emisari  ushtarak i presidentit Bill Klinton për disa çështje në Ballkanin e trazuar, por edhe një nga Komandatët më të suksesshëm në historinë e Aleancës së Veriut NATO-s, sidomos në atë të operacionet ushtarake kundër Serbisë në vitin 1999 për çlirimin e Kosovës, sulmit ajror kundër bazave dhe caqeve ushtarake serbe, shkatërrimin e tyre.

Sipas praktikës amerikane edhe pse ka edhe dy vite deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në SHBA, kandidatët gjithmonë përshpejtojnë të shpallin ambicjet e tyre me kandidaturat brenda partiake në zgjedhjet presidenciale. Kështu flitet se edhe në rradhët e republikanëve senatori Rend Pol shpalli jozyrtarisht kandidaturën e tij për president në radhët e republikanëve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: A jeni gati, per Hillary, presidente 2016

Letër e hapur për z. Menduh Thaçi nga Londra

January 6, 2014 by dgreca

 Nga Bashkim Reci/ Londer/

Pas vizitës sime në Iliridë, kontakteve me miqë dhe dashamirë, u takova edhe me Tim Shkupin, bashkëatdhetarin tim nga Londra, që është njëri nga themeluesit e Diasporës për Shiptarët e Maqedonisë, për mua në Britanin e Madhe është kryetar i DSHM-së, vendosa të dal me një propozim konkret, pasi në organizatën tonë respektohet e drejta e mendimit më shumë se kudo tjetër, e ky propozim i imi konkret është: Lideri i PDSH-së, z. Menduh Thaçi, të propozohet për Kryeministër të ardhshëm të Maqedonisë në vend të “car Nikollës”.Unë e di se e keni të vështirë të pranoni propozimin tim, pasi duhet të plotësohen disa kushte:

Ndaj kërkoj nga z. Menduh Thaçi:

-të mos mirret me liderin tjetër z. Ali Ahmeti

-të respekton ushtarët e UÇK-së, të kërkoj falje për fjalorin e tij në të kaluarën

-të respektoj mendimin e lirë të shqiptarëve

-të mos pranoj asnjë person në organet partiake me dosje kriminale

-të mos sillet me arrogancë se askush si frikësohet, sidomos shqiptarët e Amerikës, Britanisë së Madhe, Europës…

-të zotohet se do të luftojë deri në frymën e fundit kundër sistemit unitarist në Maqedoni

-të pranon autoritetin e veprimtarëve të Diasporës për të unifikuar të gjithë spektrin politik të shqiptarëve në Maqedoni, me përjashtim të atyre që janë të korruptuar në pushtet, por jo edhe të gjithë anëtarëve të sinqertë të BDI-së.

-Unë e di së është edhe një problem tjetër, që duhet të pastrohet, kam fjalën për ndalesën e z. Menduh Thaçi për të shkuar në SHBA, pasi emri i tij është në listën e zezë Amerikane.

-Prandaj, nëse e di se është i pastërtë z. Menduh Thaçi, ka diçka që duhet ta pastrojë nga e kaluara e tij, le ta pastrojë sa më parë, kurse nga ana tjetër shqiptarët duhet të organizojnë një peticion me nënshkrime dhe ta dërgojmë të presidenti Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë për ta larguar emrin e tij nga lista e zezë Amerikane.

Ne, në DSHM, jemi shumë transparent, nuk shkruajmë letra anonime, ndaj me transparencë kërkojmë përgjigje nga vetë kreu i PDSH-së, z. Mendu Thaçi.

Askush nuk guxon të paragjykon DSHM, nuk jemi të interesuar për pushtet, as nuk jemi parti, jemi lëvizje që jemi të interesuar për shtetin e shqiptarëve në Iliridë. Kaq.

Me respekt,

Bashkim Reci,

 Kryetar i DSHM-së për Londër

Filed Under: Opinion

Edhe, Maqedonia ashtu si “ish “Jugosllavia “…!

January 4, 2014 by dgreca

Maqedonia, nuk pyet fare për shqiptarët, dhe se ashtu si “Siamezja e saj” ; ish “Jugosllavia” do të shpërbëhet …/

Nga Beqir Sina/

BENSONHURST – BROOKLYN NY : Në  New York, pranë selisë së OKB-së, sheshin e njohur Dag Hamarskjold Plaza në prag Krishtëlindjes, u mblodhën dhjetëra shqiptar, përfaqësues nga disa shoqata dhe organizata të komunitetit, për më shumë se dy orë për të protestuar si thanë ata: “kundra Planit të Qeverisë Maqedonase, për të ndërruar rrjedhën e lumit historik të Radikës, ku uji i këtij lumi sipas planit Maqedonas – do të derdhej në Vardar dhe më tej drejt detit Egje, në vend të rrjedhës natyrore drejt perëndimit.

Megjithëse, pjesëmarrja ishte e vogël – gjithësesi protestuesit e ngritën zërin e tyre, për një të drejt që thyen edhe ligjet ndërkombëtare, sië është :”Ajo për kontrollin e ujërave në mes dy shteteve”. Por, ajo që ra në sy në këtë protestë, ishte se në fjalime u permend shpesh se është ” Maqedonia, ajo që nuk po pyet fare për shqiptarët, dhe se ashtu si siemzja e saj – ish “Jugosllavia” e gjashtë Republikave dhe dy Krahinave do të shpërbëhet !” kështu si vepron ajo me shqiptarët.

Lind pyetja; se përse mund dhe do të ndodh që Maqedonia të shpërbëhet si “Jugosllavia” e Titos!!! dhe kur…!?

Përgjegjja ishte sepse! në rradh të parë: dihet që Maqedonia, nuk ka atë “potencial politik si Ish Jugosllavia” që mundi t’a mbajë krijesën, si Jugosllavia, me ish 6të Republikat dhe me dy ish Krahinat, me 10të kombësi e disa raca. Mbasi dihet që “Maqedonia “, ka dy dekada që ajo u shkëput nga “Jugosllavia”, dhe ende nuk ka një emër, por, herë thirret Maqedoni dhe herë zyrtarisht: “Republika ish Jugosllave e Maqedonisë- FYROM”, të paktën kështu e njehë OKB-ja, dhe më shumë se 3/4 e botës.

Së dyti: Qëndrimin e Shkupit me shqiptarët, krahasohet sot shpesh her me atë të Ish “Jugosllavisë” dy dekada më parë. “Shkupi, thuhet se nuk po i pyet fare, ( ashtu si për shqiptarët dhe për Dibrën ), të cilët janë 28 përqind e Maqedonisë, një e treta e saj dhe ashtu si vepronte edhe nën ish”Jugosllavinë” që u shpërbë dhe nuk egziston më. Kohë, kjo kur shqiptarët dikur ishin qytetar të dorës së dytë apo të tretë…apo ku di unë si i konsideronin ata atëhere, edhe shqiptarët sot!”
Së treti : Dibra e Madhe, dihet që është  sot nën Maqedoni! dhe është 97 përqind shqiptare, por ka mbetur për fatkeq “Zorrë Qorre” i thonë- ashtu si ishte ajo nën  vitet e 90-ta, e ndoshta ma keq kur ishte ish “Jugosllavia” e cila falemintoi, dhe u shkërrmoq, sikur të mos kishte qenë dhe kjo republikë, e cila mbeti si një mbetje e saj me emrin që e thërrasin sot në OKB –  Republika e Maqedonis e ish Jugosllavisë FYROM, pra, e thënë ma shqip ka ngelur edhe sot pa emër…..  Së katërti : A e harroi Shkupi atë se çfarë bën shqiptarët për këtë shtet, që të ndahet nga e ashtuquajtura “Jugosllavia” e 20 vjetëve më parë, se Maqedonia, të shpallte pavarësinë e saj – Por, që fatkeqësisht ky vend që pretendon te jet shtet dhe t’i bashkëngjitet BE, dhe Nato-s, ende ka mbetur pa emër dhe po thirret IRJM! Dhe kjo a e dini pse ? falë atij nacionalizmit të sëmurë të Shkupit, dhe sidomos të Kryeministrit ultra-nacionalist Nikolla Gruevskit, që shpenzon qindra milionë dollar nga parat e popullit të vet, për të mbushur Shkupin me statujat e nacionalizmit Maqedonas, dhe të “Car Dushanit”, dhe i harron shqiptarët. Kryeqyteti i Maqedonisë Shkupi, është tjetër qytet në urë e sipër dhe është qytet tjetër “çuditërisht” në urë e poshtë, pikërishtë aty ku jetojnë shqiptarët etnik!

 

….pse?…shpërbërje !

 

Shpërbërja e Jugosllavisë, ka ndodhur si rezultat i një seri të trazirave ndëretnike dhe politike, që nisën të parët me shqiptarët e Kosovës, në 1964 dhe 1981 dhe e përfunduan fatkeqësisht më të fundit, në mes konflikteve, dhe luftërave gjatë dhe mbas viteve të 90ta . Pas një periudhe të krizës të gjatë ndëretnike dhe politike, sidomos atyre në vitet 1980 , në të cilën e futën shqiptarët sajesën “Jugosllavi” me gjashtë republikat përbërëse të ashtuquajturës ish – Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ajo çahet, dhe shpërbëhet, shkërmoqet dhe nuk egziton më, sikur të mos kishte qenë fare. Dhe kjo erdhi nga çështjet e pazgjidhura të shkaktuara dhe akumuluara gjatë, për më shumë se gjysmë, shekulli, të cilat përveç protestave me udhëheqjen e fundit të ultranacionalistit Sollobodan Millosheviq, sollën dhe disa luftëra të hidhura ndëretnike “Jugosllave” luftëra të përgjakëshme.

Protestat dhe Luftërat në ish “Jugosllavi” kan qenë të ndikuar nga ultra – nacionalizimi i sëmurë dhe një “gjarpëri, serb që kur i vjen ngordhja ai bëhet edhe më helmues”  .

Pas fitores komuniste në Luftën e Dytë Botërore , Jugosllavia u krijua nga Marrshali Tito, si një federatë e të gjashtë republikave , me kufijtë e vizatuar në baza etnike dhe historike : Slloveni, Kroaci , Bosnjë-Hercegovinë , Serbi , Mal të Zi dhe Maqedoni . Përveç kësaj , në këtë vizatim u krijuan edhe dy krahinat autonome, të themeluar në kuadër të Serbisë, Vojvodinës dhe Kosovës . Secilia, nga republikat kishin degën e vet të partisë Komuniste dhe një elitë në pushtet , dhe të gjitha tensionet janë zgjidhur në nivelin federal .

Ky është “Modeli Jugosllavë” që jo si shtet, por si qeverisje në një vend si Maqedonia me pesë kombësi nga Kryeministri Gruesvski, që është zgjedhur për organizimin e funksionimin sipas një marrëveshje (Marrveshje Ohrit) të shtetit , si dhe një ” mënyrë e mesme ” në mes të ekonomisë së planifikuar dhe liberale dhe pakënaqësirva të thella ndëretnike. E cila, në kohën e Ish “Jugosllavisë”, thuhej se na ” kishte qenë një sukses relativ , dhe vendi përjetoi një periudhë të rritjes së fortë ekonomike dhe të stabilitetit relativ politik deri në vitet 1980 , nën sundimin e fortë të kryetarit të saj – Marshallit, si i thërrisin ata Josip Broz Titos . Mirëpo, pas vdekjes së tij në vitin 1980 , sistemi i qeverisë federale, ishte”kalbur” ishte dobësuar dhe u la në gjendje për të përballuar me rritjen e sfidave të thelluara ndëretnike, ekonomike dhe politike së bashku .

Në vitet 1980, të parët ishin shqiptarët e Kosovës, që filluan  të kërkojnë që të ashtuquajturës ish “Krahinës” së  tyre të i jepej autonomi më e madhe. Pra, që t’i jepej statusi i një republikë përbërëse , duke filluar me të vitit 1981 me protestat destabilizuese, që e tronditën nga themelet krijesën “Jugosllavi”, dhe ” varka fillojë të shpohet në mes liqenit” . Tensionet etnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve ishin dhe mbetën në fokus, gjatë gjithë asaj dekadës. Ato ishin “ndezja e fitlit” dhe do t’u thoshin edhe popujve të tjerë të gjashtë Republikave “hajde pse nuk çoheni edhe ju!?” pse flini gjumë të rremë!! e jetoni vetëm me ëndrrat se keni qenë mirë me Titon.
Shqiptarët, ishin ata që e bënë udhëheqjen komuniste “Jugosllave”, të “humbi kontrollin” e saj – në atë kohë, dhe bota të shifte se çfarë po ziente përbrenda  të ashtuquajturës”Jugosllavi”. Ngritja e shqiptarëve, rezultoi në homogjenizimin e serbëve anembanë “Jugosllavisë”, sidomos në Kosovë.Të cilën serbët gjithnjë e panë vetëm me një fare autonomie të krahinave. Megjithëse e shifnin se sistemi i tyre në Kosovë ishte joefektive në nivel të konsensusit në rang federal. Kosova doli e para si pengesë për interesat serbe në atë të ashtuquajturën “Jugosllavi” e Titos .

Në vitin 1987 , Sllobodan Millosheviqi, erdhi në pushtet në Serbi , dhe me anë të një seri të lëvizjeve populiste, sidomos atyre ulta -nacionalsite, për të fituar kontroll de facto mbi Kosovën , Vojvodinën dhe Mal të Zi , duke mbledhur një nivel të lartë të mbështetjes në mesin e serbëve për politikat e tij të lëvizjes nacionaliste . Kujtojmë, fjalimin e tij “nazisto fashist si Hitleri apo si Duçes” në Fushë Kosovë. Mirëpo, pas Kosovës, Millosheviqi, është pritur me kundërshtim edhe nga krerët e partive të republikave perëndimore të Sllovenisë dhe Kroacisë , të cilët edhe nga ajo që po shifnin në Europë, se se çfarë po ndodhte në Kosovë, deshën demokratizimin më të madh të vendit, në shkëmbim të dobësimit të komunizmit në Evropën Lindore . Kështu që Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, ishte tretur në vitin 1990, Komunizmi në domino po binte një e nga një dhe kjo më shumë sipas shteteve dhe linjave të tyre etnike .

Gjatë 1990, komunistët jugosllav humbën fuqinë kundrejt partive nacionaliste në zgjedhjet e para shumë-partiake, të mbajtura në të gjithë vendin , me përjashtim të Serbisë dhe Malit të Zi , ku u fituan nga komunistët e Millosheviqit dhe aleatët e tij . Retorika nacionaliste në të gjitha anët u bënë gjithnjë e më të nxehtë . Në vitin 1991 , një nga një republikat shpallën pavarësinë ( vetëm Serbia dhe Mali i Zi mbeten më gjatë të federuar ) , por statusi i pakicave serbe jashtë Serbisë u la i pazgjidhur . Pas një varg të incidenteve ndër- etnike , luftërat jugosllave, së pari në Kroaci dhe më pas , më të rënda , në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë, lanë një dëm ekonomik dhe politik afatgjatë, në rajon dhe multietnik . Lanë shumë çështje pa zgjidhur edhe sot e kësaj dite….!

 

 Mirëpo, si përfundim unë nuk jamë ndonjë “profetë” politik, të jem unë ai që them se “Maqedonia do të shpërbëhet, sot apo nesër”!. Por, jam i sigurt se kështu si po kërkon t’a mbajë shtetin Maqedonia,   me këta politikan të sojit Nikolla Gruevski, do të ketë shumë shpejt fatin e “Jugosllavisë” së Marshallit Tito, dhe të Millosheviqit.

Shpërbërja e Maqedonisë, nuk është e thënë se do të vijë nga lufta apo gjenocidi pasues ndër- etnikë dhe politika ekspasioniste, po do të vijë nga idetë e ultra nacionaliste të Shkupit, hegjomonizimi dhe pikëpamjet e tyre  pansllavismit të Maqedonisë, të cilat, janë elementet e rëndësishme që duhet kujdesur qeveria për të mos hapur grindje, dhe për të përfshirë faktorët bashkëkohore dhe historike, të cilat ishin natyrisht dhe formimi i të ashtuquajturës Maqedoni.

Para, dhe pas Luftës së Dytë Botërore , tensionet më të mëdha në Ballkan, dihet se erdhën duke u zmadhuar nga tensionet shumë- etnike, padrejtësitë, diskirminimit, genocidit. Megjithëse, me një make-up me ndihmëne Komunistëve ata arritën që të krijojnë edhe Jugosllavinë dhe ti “japin” asaj dominimin relativ politik dhe demografik të serbëve, në të gjithë Jugosllavinë . Çka ishte dhe themelore më pas e tensioneve të kombësive që ishin me konceptet e ndryshme të shtetit të ri Jugoslllav .

Gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, tensionet e vendit janë shfrytëzuar nga komuniteti ndërkombëtar ” të krijoi një shtet që unë do ta quaja ” eksperimental” Maqedonas, një shtet “make-up” që përfshin pjesën më të madhe, kombësin  shqiptare, (Maqedonë( Bullgarë 1.297.981 (64,18 %)Shqiptarë 509.083 (25,17 %)Turq 77.959 (3,85 %)Romë 53.879 (2,66 %)Serbë 35.939 (1,78 %)Boshnjakë 17.018 (0,84 %)Arumunë 9.695 (0,48 %)Të tjerë 20.993 (1,04 %).)

Një shtet, ky që megjithëse serbët janë pakica, por duket se janë një kolonë e pestë e ekspansionizmit në Maqedoni, duke ndjekur politikën e diskriminimit të shqiptarëve. Ende aty vazhdon politika e diktuar e Shkupit, ndaj një të tretës së Maqedonisë, diskriminimin e shqiptarëve, dhe kombësive të tjera përball nacionalizmit të shferenuar të Gruevskit, i cili do të çojë Maqedoninë drejt “shpërbërjers” ….!!! drejt dështimit të shtetit.

Maqedonia ka dështuar për të bërë shtet multi etnik, dhe për të zgjidhur problemet kyçe kombëtare etnike . Për më tepër , ngjallja artificialisht e nacionalizmit sllavo maqedonas, do të bëhet shkak i rritjes së tensioneve etnike, dhe lëvizjeve unitariste , kryesisht atyre sllavo-maqedonase ku me çdo kusht kërkohet dominimi sllavo maqedonas . “Shpërbërja” e Maqedonisë sipas meje vjen ashtu si dhe e ish e ashtuqujatura “Jugosllavia”, dhe do të ndodhë në ciklet e protestave, si fillim për të drejta më të mëdha të kombësive të tjera – kryesisht shqiptarëve. “Marrëvesha e Ohrit”, një dekadë më parë ska qenë gjë tjetër përveçëse: ” ishte një përpjekje për bet nje shtet “Qark të shkurtër”, ose një model i krijuar në modelin federal dhe formalizimin e të drejtave kombëtare etnike .

Ky “version” i dështuar i federatës që në thelb është bërë për herë të parë me “Jugosllavin” që nuk egziston më, me një bashkim shtetesh de facto , duke e vendosur presion mbi legjitimitetin e regjimit dhe duke “shtypur” me dhunë pakënaqësit etnike nga forca e pushtetit, ose e më të fortit, atij që është i frustruar vazhdimisht nga pamundësia dhe pamendësia e tyre, për të krijuar një shtet solid ashtu si pretendon sot Maqedonia.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Sina, Maqedonia, si Jugosllavia

Për Rishikimin e Statusit të Shqipërisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik

January 3, 2014 by dgreca

Opinion nga Zeno JAHAJ/

Qeveria e vendit tonë i ka të gjitha arësyet të rishikojë statusin e Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI). Antarësia e Shqipërisë në OBI nuk përputhet me synimet dhe objektivat e kësaj Organizate, as me statusin fetar të popullit shqiptar. Gjithashtu, antarësimi në OBI nuk është në pajtim me vullnetin politik, publik dhe me kuadrin kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

Shqipëria aderon në OBI (Ish Organizata e Konferencës Islamike) me statusin e antarit prej vitit 1992. Në ato vite, vendi ynë përmbysi regjimin politik komunist, i cili i pati shtypur me dhunë ndjenjat dhe disponimet fetare, si dhe i pati shkatërruar të gjitha institucionet dhe organizimet fetare. Përkundër, regjimi i ri demokratik paskomunist krijoi kushtet për shprehjen e lirë të vullnetit dhe organizimit fetar. Pëikërisht në këto kushte do të zhvilloheshin inisiativat për riorganizimet fetare dhe ringritjen e institucioneve sipas disponimeve përkatëse.

Por i gjithë ky proces u krye më së shumti me volontarizëm dhe, sidomos, nën presioninin e organizuar të influencave të qendrave fetare të jashtme, jo rrallë të servirura si veshje për influenca politike. Për më tepër, rikthimi i organizimeve dhe institucioneve fetare u bë në kushtet e mungesës së Kushtetutës së vendit, si dokument themeltar që përcakton raportet e fesë me shtetin. Sikurse është e njohur, jeta dhe veprimtaria e vendit në vitet e para paskomuniste, zhvilloheshin në bazë paketash kushtetuese dhe jo në një Kushtetutë përfundimtare.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u miratua vetëm në vitin 1998. Në këtë Kushtetutë, përcaktohet se në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare; shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes; shteti njeh barazinë e bashkësive fetare; marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësive të tyre dhe Këshillit të Ministrave dhe këto marrëveshje ratifikohen në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, etj.

Si qytetar i këtij vendi, dyshoj nëse bashkëqytetarët e Shqipërisë janë të informuar se si janë zbatuar këto e të tjera kërkesa kushtetuese lidhur me statusin e bashkësive të sotme fetare në Shqipëri. Kjo është një temë jo pak nevralgjike që prek deri edhe sigurinë e sovranitetin e vendit. Por në kuadër të opinionit që po shpreh, mjafton të them se antarësimi i Republikës së Shqipërisë në në OBI (Ish Organizata e Konferencës Islamike) u bë pikërisht në kushtet e zbrazëtisë kushtetuese të paravitit 1998. Aktualisht statusi i sotëm i vendit tonë në këtë Organizatë është në kundërshtim me Nenin 10 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Për më tepër, statusi i OBI, kërkon, midis të tjerash, që vendet antare të udhëhiqen nga vlerat Islamike; të përpiqen për të rigjallërimin e rolit parësor të Islamit në botë; të krijojnë kushtet e përshtatëshme për edukimin e shëndoshë të fëmijëve dhe të rinjve Muslimanë dhe për ngulitjen në ta të vlerave Islamike; të përhapin, promovojnë dhe ruajnë mësimet dhe vlerat Islamike; të arrijnë integrimin ekonomik që do të çonte në krijimin e një Tregu të Përbashkët Islamik, etj.

Nuk mendoj se antarësimi i Shqipërisë në OBI ka qenë një angazhim substancial. Më së shumti besoj se do të ketë qenë një lëvizje me prapavijë interesash pragmatiste. Por në çastin kur ky angazhim është kanalizuar organizativisht e politikisht, atëherë krijohet hapësirë për çfardo lloj leximi apo interpretimi: për anësi të shtetit ndaj një feje të caktuar; për disponime fetare në sjelljen shtetërore; për tjetërsim të përkatësisë gjeografike, historike, qytetërimore e kulturore të kombit shqiptar, etj.

Statusi fetar i shqiptarëve nuk është çështje tapie, sikurse mund të jenë tapitë e tokave. Se çfarë përbën feja e besimet fetare për shqiptarët, çfarë përkatësie fetare kanë shqiptarët, e të tjera – këtë e vërtetojnë të gjitha studimet e kërkimet, si dhe jeta sociale e shqiptarëve e çdo kohe e epoke. Mjafton të përmendim faktin ndoshta unik se shqiptarët emigrantë në këto dy dekadat e fundit (të cilët përbëjnë afro një të tretën e popullsisë së vendit), në rastin më të zakonshëm identifikohen krejt natyrshëm si qytetarë, si shqiptarë e si europianë, dhe, në rastin më të pazakonshëm, aplikojnë vetëm besimet fetare të vendeve perëndimore ku kanë emigruar e integru kështu, krejt natyrshëm në besimin e hershëm të të parëve të tyre.

Shumëkush në Ballkan e, fatkeqësisht, edhe më gjerë, do të donte që kombi apo shteti shqiptar të identifikohej si një komb apo shtet Mysliman, mbase për ta përdorur këtë kartë si mbulesë të disponimeve të tjera ekstremiste, ultra të djathta, etj. Nga çka verejmë, shumëkush, për mungesë informacioni, për paragjykim apo për shkaqe akoma më të thella, duket se dëshiron ta rendisë edhe Shqipërinë si vend mysliman, duke e sjellë Europën e shekullit të ’17-të në shekullin e ’21-të.

Asnjë vend tjetër Ballkanik nuk është deklaruar antar i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. Turqia ka arsyet e veta gjeopolitike, gjeografike e historike të përzgjedhë të jetë antare e kësaj Organizate. Bosnjë-Herzegovina prej dy dekadash aplikon vetëm statusin vendit vëzhgues në këtë Organizatë. Për arësyet e tyre edhe vende si Republika e Afrikës Qëndrore, Mbretëria e Tailandës, Federata Ruse dhe Rpublika e panjohur zyrtarisht e Qipros së Veriut aplikojnë status vëzhguesi në këtë Organizatë. Republika e Maqedonisë e ka një komunitet turk e një të tretën e popullsisë së vendit me popullsi shqiptare të shpallur në besimin mysliman, por nuk ka zhvilluar ndërmarrje të tilla të çorientuara. Do të ishte kundër procesit që hapa të tilla të ndërmerrte Republika e Kosovës.

Atëherë, në respekt të statusit të vërtetë kushtetues, politik, kulturor, qytetërimor e fetar të Shqipërisë, në respekt të vetë fesë Islame, ashtu sikurse në respekt të çdo besimi tjetër fetar, Qeveria e Republikës së Shqipërisë i ka të gjitha arësyet dhe detyrimin të tërhiqet nga statusi i anëtarit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, duke ruajtur, për etikë dhe interes, statusin e vëzhguesit në këtë Organizatë.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e statusit, ne Konferencen Islamike, Per rishikimin, te Shqiperise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 770
  • 771
  • 772
  • 773
  • 774
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT