• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TE PERNDJEKURIT KERKOJNE KOALICION TE FORCVE TE DJATHTA ME FRYMEN E RE DEMOKRATIKE

April 10, 2013 by dgreca

Deklaratë e të përndjekurve politikë/

Ne, përfaqësuesit e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Përndjekurve Politikë, Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Shqipërisë, Shoqatës së të Përndjekurve Kulakë të Shqipërisë, Shoqatës së të Përndjekurve Politikë “Musine Kokalari”, Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Përndjekurve Politikë, Shoqatës së të Përndjekurve Politikë “Osman Kazazi” të mbledhur sot, më datën 10 prill 2013, pasi shqyrtuam situatën politike në të cilën po kalon vendi ynë, dolëm me përfundimet e mëposhtme:

1. Në kuadrin e fushatës elektorale, që sapo ka filluar, duke ndjerrë rrezikun e propagandës denigruese të forcave të majta, u bëjmë thirrje partive të koalicionit të forcave të djathta të udhëhequra nga Partia Demokratike dhe drejtuesve të Partisë Fryma e Re Demokratike, të hedhin pas krahëve mosmarëveshjet e deri tanishme dhe të bashkohen në një koalicion të vetëm, për një fitore të bujshme të së djathtës shqiptare, në shërbim të demokracisë dhe integrimit europian të vendit.

2. U bëjmë thirrje të gjithë të përndjekurve politikë të Shqipërisë të bashkohen me këtë koalicion të madh të forcave të djathta, në të mirë të kombit dhe të atdheut.

Nënshkruar

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve                        Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të                     Politikë Demokratë të Shqipërisë                                                Përndjekurve  Politikë

Simon   Mirakaj                                                                  Besim   Ndregjoni

 

Shoqata e të Burgosurve politikë                                        Shoqata e të Përndjekurve Politikë                                   të Shqipërisë                                                                  Kulakë të Shqipërisë

Tanush   Kaso                                                                       Vllas   Arapi

 

Shoqata e të Përndjekurve Politikë                                    Shoqata Mbarëkombëtare e Integrimit të                       “Musine Kokalari”                                                                    Përndjekurve Politikë

Agim   Musta                                                                            Adem   Hallçi

 

Shoqata e të Përndjekurve Politikë                                                                                                                                “Osman Kazazi”

Ylli Kondi

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: kerkojne, koalicion, mes PD dhe Frymes se re Demokratike, PD dhe Fryma e Re Demokratike, Te perndjekurit politike

Maqedonia larg Europës

April 10, 2013 by dgreca

Sa i përket rotacionit, mund të thuhet se këto zgjedhje lokale prodhuan një kulturë të atdmirueshme të dorëzim-pranimit të pushtetit, por sa i përket standardeve, ato diku diku kaluan mbi vijën e kuqe. Pati votues misterioz, të importuar nga Shqipëria, të cilët e kishin vështirë ta dëshmonin, maqedonisht, përkatësinë e tyre maqedonase, pati shit-blerje të votave, pati fshirje të votuesve nga regjistri zgjedhor dhe mbi të gjitha, pati një fushatë glamuroze e të kushtueshme, për të cilën asnjë përfaqësues i pushtetit nuk dha llogari se prej nga janë siguruar fondet /

NGA EMIN AZEMI/

KOLLTUQE PËR SEFA APO PËR PUNË: Ka ngelur edhe pak hi nga prushi zgjedhor në Maqedoni, ndërkohë që të zgjedhurit e popullit po i modifikojnë përmasat e kolltukut me lartësinë dhe trashësinë e tyre dhe mbetet të shohim nëse ata do të ndryshojnë me shpejt apo kolltuqet e tyre. Ata që fituan mandate për të qeverisur komunat këto katër vjetë të ardhshëm, përpos performansave trupore, do të duhej të modifikojnë edhe retorikën e tyre parazgjedhore në vepra konkrete, duke i vënë në zbatim ato, por edhe duke dëshmuar se do të jenë më të ndryshëm nga pararendësit e tyre.

Normaliteti i zgjedhjeve nuk do të duhej të zbriste nën parametrat e një rotacioni normal të pushtetit, por jo edhe mbi iluzionin se ato ishin krye kreje demokratike e të ndershme. Sa i përket rotacionit, mund të thuhet se këto zgjedhje lokale prodhuan një kulturë të atdmirueshme të dorëzim-pranimit të pushtetit, por sa i përket standardeve, ato diku diku kaluan mbi vijën e kuqe. Pati votues misterioz, të importuar nga Shqipëria, të cilët e kishin vështirë ta dëshmonin, maqedonisht, përkatësinë e tyre maqedonase, pati shit-blerje të votave, pati fshirje të votuesve nga regjistri zgjedhor dhe mbi të gjitha, pati një fushatë glamuroze e të kushtueshme, për të cilën asnjë përfaqësues i pushtetit nuk dha llogari se prej nga janë siguruar fondet.

Këto zgjdhje lokale konfirmuan distancën në mes të pushtetit dhe opozitës, jo vetëm me programe dhe oferta zgjedhore, por edhe me mandate. Vështirësia e të qenit opozitë në Maqedoni, aktualisht matet me gjatësinë e distances që krijon diferencën e numrave, gjithnjë në favor të pushtetit aktual (VMRO, BDI) dhe në disfavor të opozitës (LSDM, PDSH). Ende nuk e kemi një analizë të plotë e gjithpërfshirëse për shkaqet e kësaj disfate kaq të madhe të opozitës në zgjedhjet lokale, ndonëse ka shumë përpjekje që këtij bilanci zgjedhor t’ia faturojnë, në radhë të parë, klimës jodemokratike dhe garës së pabarabartë që iu paraprinë këtyre zgjedhjeve, por edhe humbjes së sensit të njëmendët opozitar dhe mosofrimit të ofertave serioze nga ana e këtij kampi politik (maqedonas e shqiptar).

PAKUPTIMËSIA E BETEJËS PËR TETOVËN: Tetova, qyteti krijuar nga Perendia për t’i bërë ballë malit plak Sharr, viteve të fundit është futur edhe në një garë të pakuptimt, që vetëm politikanët naiv dijnë t’i japin kuptim e që domosdoshmërisht duhet të lidhet me të qenit e Tetovës bastion i politikbërjes së shqiptarëve në Maqedoni. Nëse është kështu, siç parapëlqejnë të mendojnë politikanët shqiptarë, atëherë PDSH duhet të shpërngulet prej andej dhe të shkoj, ose në Strugë, ose në Studeniçan, ku ajo pretendon se ka fituar. Rezoni lokalist i liderëve politik shqiptarë në Maqedoni, jo rrallë ka penguar ata të projektojnë një dioptri më të zgjeruar të situates kolektive të shqiptarëve, prandaj sot e kemi gjendjen e tillë që kryetarët e komunave shqiptare pas zgjedhjeve lihen totalisht të vetmuar dhe perceptimi i përgjithshëm për hallet e tyre, ngel vetëm në fjalimet boshe parazgjedhore të zhurmagjinjëve, që vetes i thuan liderë politik. Perceptimi paszgjedhor vazhdon të eklipsojë nevojat reale të njerëzve në terren, kurse drejtuesit e komunave sërish do të adresojnë kritika tek pushteti qendror, i cili, sipas tyre, nuk tregon sens të mjaftueshëm për projektet e tyre me karakter lokal. Kjo ndodhë zakonisht me ato komuna shqiptare të pazhvilluara tek të cilat kujdesi institucional-qeveritar nuk hetohet, gati, fare dhe na duket i pakuptimt ky vrap i liderëve shqiptarë për të promovuar gjoja njëfarë autoriteti shtetëror në nivel lokal, ndonëse përvoja ka dëshmuar se autoriteti shpejt zhvishet nga pafuqia për të ushtruar ndikim që edhe në këto mjedise të pazhvilluara të hetohet dora e pushtetit qendror.

KANIBALIZMI OPOZITAR SHQIPTAR: Bashkë me zgjedhjet lokale në Maqedoni, u hap edhe dilema nëse ato ishin vetëm një garë e thjeshtë për të zënë kolltukun e radhës së pushtetit, apo diçka edhe më shumë se kaq. Hijet e kësaj dileme u dukën që në startin e fushatës zgjedhore, kur prirja për dominim nuk ishte vetëm në relacionin pushtet opozitë, por diçka edhe më ngusht. E kemi pa dhe dëgjuar që pushteti, gjegjësisht opozita të përdor të gjitha format e lejueshme demokratike të atakimit të oponentit politik, por rrallë na bie të shohim e dëgjojmë që edhe vetë opozita të përdor metoda të sofistikuara për të eliminuar dhe shkërmoqur konkurrentët brenda kampit opzitar. Kjo ndodhi pikërisht në këto zgjedhje dhe na duket tepër absurde dhe e palogjikshme lufta e nëndheshme që u bë për ta dobësuar dhe, mundësisht, eliminuar prezencën politike të Rufi Osmanit, kundër të cilit, nuk ishin vetëm partitë aktuale në pushtet, por edhe një parti opozitare shqiptare (PDSH), drejtuesi i së cilës sikur është pajtuar me fatin që vetëm ai, dhe askush tjetër, të mbetet lideri i përjetshëm i opozitës shqiptare, me kusht që opozitarizmin ta kultivoj jo për të sjellë veten në pushtet, por për të eliminuar konkurrencës brendapozitare. Një kanibalizëm ky i paparë politik, i denjë vetëm për ndonjë xhungël të vetmuar në shkretëtirën e mendjes dhe arsyes.

Kur jemi te Rufi Osmani, do të duhej të nënvizojmë edhe një fakt që lidhet drejpërdrejt me metodologjinë e tij të veprimit politik. Disfata e fundit zgjedhore e cila e privoi atë nga drejtimi i mëtutjeshëm i komunës së Gostivarit, në fakt ishte një tagër që Rufiu i përmasave lokale pagoi për Rufiun e përmasave kombëtare. Ai, si kryetar komune që ishte për katër vite, shumë pak punoi për partinë dhe kjo e fundit e kishte gati të pamundur ta nxirrte atë lider, konkurrent, në përmasa kombëtare. Dhe ndodhi ajo që edhe pritej, sepse garën për pushtet lokal në Maqedoni nuk e bënë kandidatët, por vetë liderët dhe partite e tyre. Në rastin e Gostivarit, garën e bëri Rufiu i komunës duke ia zënë hijen Rufiut të RDK-së, dhe kondicioni i pamjaftueshëm i kësaj të fundit bëri që lideri Osmani të humb jo vetëm drejtimin komunal, por edhe vrapin për të qenë konkurrent i denjë në skenën e madhe politike të Maqedonisë, madje edhe për arsyet e sipërpëmendura.

Megjithate, të gjithë bashkë në Maqedoni, ende nuk mund ta bëjnë një vrap që po e kërkon Europa, që zgjedhjet të nxjerrin në pah domosdoshmërinë e ndryshimit dhe ofrimin e alternativave. Përderisa ndryshimi edhe alternativat janë vetëm simulim i demokracisë, Maqedonia e ka vështirë të konsiderohet nga qytetarët e saj si një aspiratë e ligshme për ta shijuar Europën edhe në oborret e tyre.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Emin Azemi, Europes, larg, Maqedonia

MARGARET THATCHER, KAMPIONE E LIRISË

April 9, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ish-kryeministrja e Britanisë së Madhe, Margaret Thetçer – e para dhe e vetmja grua kryeministre britanike — ndërroi jetë të hënën në moshën 87-vjeçare.  Ajo shërbeu në atë detyrë prej vitit 1979 e deri në vitin 1990, si gruaja e parë që udhëhoqi një vend të rëndësishëm perëndimor në kohërat moderne, në krye të Partisë Konservatore, duke fituar tre mandate një pas një – si asnjë politikan(e) tjetër britanik në shekullin e 20-tët, madje ajo shërbeu edhe më gjatë se Uinstën Çërçilli.

Kryeminsitri i tanishëm britanik Dejvid  Kameron reagoi ndaj njoftimit se ish-Kryeminsitrja Thetçer kishte ndërruar jetë, duke thënë se, “Ne kemi humbur një udhëheqse të madhe, një kryeministre të shquar dhe një britanike të dalluar.  Ajo i shërbeu vendit tonë dhe besoj se do të konsiderohet si kryeministri(ja) më e madhe në historinë britanike në kohë paqeje.”

Margaret Thetçer, mbi të gjitha, besonte në lirinë e individit dhe në lirinë në botë. Në një fjalim që pat mbajtur vite më parë, në universitetin Ashland të shtetit Ohio të SHBA-ve, Margaret Thetçer  nënvijoi fillozofinë dhe besimin e saj në lirinë, duke thënë se, “Liria është një cilësi morale, jo vetëm një cilësi qytetare, ose një cilësi kombëtare –por ajo është një cilësi morale”, theksoi ajo duke shtuar se, “Liria është një cilësi që na e bën të mundur ushtrimin e talenteve dhe përdorimin e mundësive që na ka dhënë Perëndia – dhe si e tillë, liria është një e drejtë, të cilën asnjë qeveri nuk mund dhe nuk duhet t’ia mohojë individit.   Ajo mbrojti kapitalizmin si sistem më i mirë në krahasim me socializmin, ndërkohë që luftoi sindikatat britanike të cilat ishin kundër privatizimit  të sektorëve të mëdhej të ekonomisë britanike – masë këjo për të cilën ajo u kritikua ashpër në atë kohë, sidomos nga elementë të majtë, të cilët e cilësuan atë si një “kapitaliste primitive”.  Por, kryeminstri britanik Kameron, tha se “Margaret Thetçër, jo vetëm udhëhoqi vendin tonë,  por ajo e shpëtoi vendin tonë”,  gjatë asaj periudhe, shtoi ai.  Megjithë kritikat dhe kundërshtimet e forta, ajo sy-patrembur, ndërmori reforma ekonomike të papara deri atëherë në Britaninë e Madhe  dhe  njlkohësisht mbështëti krijimin e tregjeve të lira edhe në vendet e botës së tretë, ku socializmi  në atë kohë, shikohej si një sistem më i preferuar ekonomik.  Ajo besonte se duheshin hequr kufizimet e rregulloreve dhe të ligjeve mbi ekonominë, duke ulur taksat dhe duke ngritur entuziazmin dhe shpresat e qytetarëve për një jetë më të mirë, ashtuqë individi të jetë më i lirë për të marrë vendimet vet, për të mirën e vet dhe për rolin e tij në një shoqëri të lirë.   Ajo besonte  se qeveria duhet të luaj rolin sa më të vogël në ekonomi, duke lejuar tregjet të vendosin mekanizmat e ekonomisë.  Në një fjalim para udhëheqsve evropianë më 1979, ajo deklaroi se,  “Pa liri ekonomike, nuk mund të ketë as liri politike të vërtetë.”  Kryetari i Bashkisë së Londrës, zoti Boris Xhonson tha se politika dhe pikpamjet e ish-kryeministres Thetçer janë  justifkuar dhe provuar të vërteta, sidomos qendrimet e sajë në lidhje me komunizmin dhe sindikatat. Një shmebull për këtë mund të jetë Kina,   megjithse në emër komuniste, ka pëqafuar kapitalizmin si sistemin e saj të preferuar të ekonomisë, por pa lejuar liritë politike.

Ishte ekzaktërisht këjo ndjenjë dhe besim në lirinë individuale dhe në lirinë ekonomike, ajo që e bëri Margaret Thetçer  të adhuronte ish-presidentin amerikan Ronald Reagan, i cili gjithashtu ishte i vendosur në mbështetje të lirisë, demokracisë  dhe tregjeve të lira për të gjithë njerzit anë e mbanë botës.  Ishte ky besim i përbashkët në lirinë që eventualisht çoi në një aleancë e partneritet  të  jashtzakonshëm  midis dy udhëheqsve, për sigurimin e  lirisë dhe tregjeve të lira, anë e mbanë botës.

Marrëdhënjet e ngushta politike dhe përputhja e pikpamjeve të tyre filozofike, midis Presidentit Reagan dhe Kryeministres Thetçër, çuan gjithashtu në një ri-gjallërim të aleancës amerikano-britanike, në marrëdhënje që edhe sot konsiderohen si “të veçanta” midis dy vendeve.  Ajo u bashkua me Shtetet e Bashkuara për  të kundërshtuar komunizmin ndërkombëtar si dhe  shtypjet e mohimin e lirisë në ish-Bashkimin Sovjetik, por edhe përpjekjet e Moskës për të mbajtur në fuqi regjimet komuniste kukëlla sovjetike,  megjithë pakënaqsitë dhe kundërshtimet popullore ndaj tyre, anë e mbanë Evropës lindore.  Thetçër dhe Reagan ushtruan presion dhe sfiduan drejtë për së drejti përhapjen e influencës sovjetike anë e mbanë botës.

“Presidenti, Papa dhe Kryeministrja” është titulli i një libri i autorit  amerikan Xhon Sullivan, që i referohet Presidentit Reagan, Papës Gjon Palit II dhe Kryeministres Thetçër, si protagonistët kryesorë që sollën mbarimin e komunizmit në Evropë, por ata nuk ishin të vetëmit në këtë përpjekje të madhe historike.  Ata kishin mbështetjen e patundur edhe të Kancelarit të atëhershëm gjerman Helmut Kohl dhe Presidentit francez Fransua Mitterand, i cili megjithëse socialist dhe i majtë nga pikpamja ideologjike, e urrente dhe ishte i ashpër kundër komunizmit sovjetik.  Por Zonja Thetçer, përveç miqësisë dhe bashkpunimit me presidentin Reagan dhe me udhëheqsit francezë dhe gjermanë të kohës, kishte vendosur kontakte dhe lidhje të ngushta edhe me udhëheqsin sovjetik Mikhail Gobaçov.  Ish-zëdhënsi i saj, Sir Bernard, citohet në media se në takimin e parë që Kryeministrja Thetçer ka zhvilluar me zotin Gorbaçov në Londër, ajo i është drejtuar atij me këto fjalë: “Mirë se ke ardhë në Britaninë e Madhe. Dua që marrëdhënjet tona të kenë një fillim të mirë dhe njëkohësisht të mos kemi keqkuptime midis nesh –Unë e urrej Komunizmin”, i ka thënë ajo udhëheqsit të ri sovjetik.  Pas këtij takimi, Kryeministrja Thetçer i raportoi Presidentit Reagan dhe botës se Gorbaçovi “ishte një njeri me të cilin mund të punojmë.”

Vet zoti Gorbaçov reagoi me rastin e vdekjes së zonjës Thetçer ndërsa theksoi admirimin e tij për ish-kryeministren britanike, duke thënë se, ajo “ishte një politikane, fjalët e së cilës kishin peshë”.  Mikhail Gorbaçov vazhdoi komentin e tij se, “Më në fund ne mundem të arrinim në një mirëkuptim të përbashkët dhe ky mirëkuptim kontriboi në ndryshimin e atmosferës midis vendit tonë dhe Perëndimit dhe që më në fund çoi edhe në mbarimin e Luftës së Ftohtë.”

Adhurimet dhe reagimet me rastin e vdekjes së kësaj udhëheqseje frymzuese botërore erdhën menjëherë nga personalitete që kanë punuar me të gjatë viteve dhe udhëheqës që kanë qenë tepër të ri në kohën e saj.  Një ndër ta, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama në deklaratën e tij tha se, “Bota ka humbur një prej kampioneve të lirisë dhe Amerika ka humbur një mike të vërtetë…Këtu në Amerikë, ne nuk do të harrojmë kurrë qëndrimin e saj, krah për krah, me Presidentin Reagan, duke i kujtuar botës se ne nuk shkojmë thjeshtë andej kah frynë era e historisë –por përpiqemi t’i japim historisë formën e një bindjeje morale, vullneti  dhe guximi të hekurt.”  Udhëheqsi amerikan i dërgon ngushëllimet e tija  familjes së zonjës Thetçer dhe popullit britanik, ndërkohë që bën thirrje siç u shpreh ai, “të vazhdojmë punën — të cilës ajo i kishte kushtuar jetën e saj – midis dy popujve të lirë, të bashkuar dhe të vendosur të përcaktojnë vetë fatin e tyre”, përfundoi mesazhin e tij presdienti Obama.  Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Zoti Ban Ki Moon tha se bota do të ndjejë mungesën e rolit të saj udhëheqës, duke e auqjtur atë si “pionere” për kontributet e saj për paqë dhe siguri në botë gjatë Luftës së Ftohëtë”.  Bashkshortja e ish-presdientit Reagan , zonja Nenci Reagan tha se me vdekjen e zonjës Thetçer, “Bota ka humbur një kampione të vërtetë të lirisë dhe demokracisë….Roni dhe Margaret kishin zhvilluar një marrëdhënje të veçantë polititike, gjatë njërës prej periudhave më të vështira të historisë moderne, dhe ishin të angazhuar për të mbrojtur lirinë dhe  ishin të vendosur t’i dhënë fund komunizmit… si përfundim, ajo ndihmoi në shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik duke siguruar kështu lirinë për miliona njerëz”, shtoi Nenci Reagan.

Ngushëllimet dhe reagimet e shumëta nga e mbarë bota dhe  të personaliteteve të të gjitha ngjyrave politike, me rastin e vdekjes së Kryeministres së parë femër të Britanisë së Madhe, sjellin ndër mend rolin që luajti këjo grua jo vetëm në politikën dhe ekonominë e vendit të saj, por pa  rolin e saj vendimtar, një çerek shekulli më parë, sipas shumë ekspertëve dhe historianëve – bota sot mund të ishte krejtësisht  ndryshe.  Ish-Kryeministrja Thaçër jo vetëm që ka dhënë kontributin e saj të çmuar në përpjekjet që çuan në fundin e Bashkimit Sovjetik, por ajo, siç tha edhe ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Bejker,  “ndryshoi harkën e historisë, jo vetëm në Britaninë e Madhe por edhe në botë.”

Britania e Madhe dhe bota i japin lamtumirën e fundit, sipas ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush i vjetër, “njërës prej përkrahsve më të fortë të lirisë, demokracisë dhe tregjeve të lira të shekullit të XX – një udhëheqse me karakter dhe bindje të forta, parimet e së cilës më në fund kontribuan drejtë një bote më të lirë dhe më të mirë.”

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, kampionia e lirise, Margaret Thacer

Jeta dhe trashëgimia e Margaret Thatcher-it

April 9, 2013 by dgreca

Gazetari britanik, John O’Sullivan, ka punuar për ish-kryeministren Maragaret Thatcher nga vitit 1986 deri më 1988 si këshilltar i saj special dhe jozyrtarisht si fjalimshkrues. Pasi Thatcher ka lënë zyrën, O’Sullivan ka qenë njëri nga dy shkrimtarët që ka punuar me të në meomarët e saj: “The Downing Street Years” më 1993 dhe “The Path to Power” më 1995. /

Nga Heather Maher/

Kryeministri britanik David Cameron i ka thënë BBC-së se Margaret Thatcher “jo vetëm që ka udhëhequr vendin tonë, por edhe e ka shpëtuar”. Si e ka shpëtuar ajo Britaninë?
JOHN O’SULLIVAN- Ajo ka shpëtuar Britaninë ekonomikisht. Koha kur ka marrë postin e kryeministres, ka qenë menjëherë pas “dimrit të pakënaqësisë”, më 1979. Nëse kujtoni atë kohë, ka pasur shumë greva në Britani.
Të vdekurit mbeteshin të pavarrosur në Liverpool, mbeturinat mbeteshin nëpër rrugët e Londrës, veçanërisht në Leicester Square, kurse pacientë të sëmurë nga zemra ktheheshin prapa nga spitalet që gjendeshin në grevë.
Këta janë tre shembuj, por në përgjithësi, shumica e njerëzve ndjenin se Britania po rrëshqiste në një kënetë të dëshpërimit dhe për ta shpërtuar atë, kërkohej një veprim i fuqishëm. Ajo ka bërë tre gjëra. Para së gjithash, ka ndryshuar ligjin në mënyrë që sindikatat tregtare të silleshin nën kontroll. Së dyti, ka vendosur detyrime të mprehta në zgjerimin monetar; ka stabiluzuar monedhën dhe ka krijuar një lloj stabiliteti të nevojshëm financiar për bizneset.
Dhe, së treti, ajo ka nisur një revolucion të privatizimit dhe lirisë ekonomike, i cili është imituar në mbarë botën. Kur njerëzit flasin për privatizimin, ata nganjëherë harrojnë se ka qenë zonja Thatcher në Britani ajo që i ka hapur rrugë atij.
Dhe, duke bërë një gjë të tillë, ka krijuar edhe një klasë të re të aksionarëve në mesin e njerëzve që kurrë nuk kanë pasur prona të tilla. Pra, mbi të gjitha, ishte një ndryshim i shquar në shoqëri dhe ka bërë që, gjatë 10 vjetëve të saj në fuqi, Britania të bëhet ekonomia e katërt më e madhe në botë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ajo ka qenë tejet e sigurt në veten dhe bindjet e saj. Shpesh ka thënë: “Unë nuk jam politikane e konsensusit. Jam politikane e bindjeve”. Çfarë vlerash personale kanë përçuar këto?

JOHN O’SULLIVAN
Ajo është rritur në Anglinë provinciale. Ka qenë vajza e një shitësi ushqimesh dhe gjithmonë ka thënë se kjo ka ndikuar në pikëpamjet e saj ekonomike. Nëse keni punuar në një dyqan ushqimesh, keni ditur se mallrat vijnë nga e gjithë bota dhe jeni bërë kurreshtare të mësoni se si ndodh kjo.
Ajo do të thoshte se ka qenë puna prapa banakut në dyqanin e babait të saj që i ka dhënë aluzionet e para ekonomike. Natyrisht se më vonë i ka zhvilluar teoritë e saj në një mënyrë më akademike.
Së dyti, ajo ka qenë metodiste. Në rininë e saj në Angli, kjo ka qenë një formë pak më e ashpër e krishterimit, i cili theksonte veprat e mira. Ajo ka praktikuar këtë formë të krishterimit dhe ishte metodiste mjaft e fortë. Ka qenë fetare gjithë jetën dhe një nga thëniet e saj të preferuara ka qenë ajo e John Ëesley-t: “Fito gjithçka që mundesh, ruaj gjithçka që mundesh, dhuro gjithçka që mundesh”. Mendoj se ka jetuar me këtë lloj urdhri të krishterë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ajo është admiruar nga shumë, por edhe urryer nga shumë. Ka qenë një figurë tepër e polarizuar. A keni menduar ndonjëherë se duke qenë aq e papëlqyer, madje edhe nga disa në partinë e saj, është dëmtuar?

JOHN O’SULLIVAN
Kishte të luftonte shumë beteja. E dinte dhe i luftonte ato. Nuk e ka shkatërruar personalitetin e saj; ka qenë e drejtë në sipërfaqe dhe shumë luftarake; ka përlqyer debatin e mirë dhe argumentin e mirë dhe ka qenë e bindur se ka të drejtë.
Dhe, ndonëse ka paguar çmimin, ai nuk ka qenë një çmim i thellë psikologjik; ka qenë më shumë një çmim i jetës së përditshme, që vërtet e ka përfaqësuar dhe ajo ishte e mirë në këtë drejtim.

Margaret Thatcher dhe Ronald Reagan, 1984

RADIO EVROPA E LIRË

Ajo ka qenë mike e mirë me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan. Njëherë e ka quajtur: “Burri i dytë më i rëndësishëm në jetën time”, pas bashkëshortit Dennis. A ju kujtohet si ka nisur miqësia?

JOHN O’SULLIVAN
Miqësia ka nisur më 1975, praktikisht një javë ose dy pasi është bërë udhëheqëse e partisë konservatore. Ronald Reagan ka qenë në Londër dhe ka shkuar ta vizitojë. Ka qenë e planifikuar të kalojnë gjysmë ore së bashku, por kanë kaluar një orë e gjysmë ose dy. Pra, kështu ka nisur.
Por, vërtet është bërë formë e lidhjes politike më 1981, kur ka qenë nën presion të madh në vend dhe në vizitën e saj të parë në Uashington, pjesa më e madhe e stafit të Reaganit ka dashur që ai të distancohet nga ajo.
Megjithatë, ai nuk e ka bërë. I ka bërë një bujë të madhe. Jo vetëm që i ka ofruar drekën shtetërore, por ka pranuar ftesën kthyese – që presidentët zakonisht nuk e bëjnë. Kjo ka qenë kundër protokolit. Ai ka vënë dorën në krahun e saj për t’i treguar se “jemi duke bërë të njëjtën gjë dhe kemi të drejtë”.
Kjo, për të ka qenë fillimi i një miqësie të bukur, por edhe për Reaganin po ashtu. Ata shpesh edhe nuk janë pajtuar. Kanë ardhur edhe të mosmarrëveshje reale dhe, për aq sa ka qenë e mundur, i kanë mbajtur jashtë vështrimit publik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni kaluar vitet e fundit duke punuar në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku shumë njerëz, në vitet 1980, Thatcherin e kanë parë si mbështetëse të tyre për lirinë. A është kjo ende e vërtetë?

JOHN O’SULLIVAN
Ajo ka qenë kampione e lirive të tyre dhe shumë njerëz, me të cilët kam folur, janë të lumtur teksa pranojnë këtë fakt – faktin se ajo ka qenë dikush që u ka dhënë mbështetje të fuqishme për solidaritet.
Ajo ka mbështetur disidentët kudo që është shfaqur mundësia. Ka qenë udhëzimi i saj që ministri i Jashtëm britanik – i pari që bën një gjë të tillë – të marrë aeroplanin për në Poloni dhe të vizitojë varrin e Atit Jerzy Popieluszko, i cili ka qenë martir i regjimit.
Pra PO, këto gjëra kanë ndodhur. Ajo po ashtu ka qenë forca lëvizëse brena Qeverisë britanike, për kritika të forta ndaj Bashkimit Sovjetik dhe natyrisht për deklarata të fuqishme anti-komuniste.

Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: jeta dhe trashegimia, Margaret Thacher

FTESE PER DISKUTIM: JO VENDNUMËRO PËR BASHKIMIN E DIASPORËS SHQIPTARE TË AMERIKËS

April 8, 2013 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ WORCESTER, MA/

Për Bashkimin e Diasporës Shqiptare të Amerikës si domosdoshmëri sot për sot flitet më shumë rrjeteve sociale se shkruhet a thuhet në publik, në komunitetet shqiptare. Pothuajse, s’do ta zërë ndonjë gazetar i Diasporës me gojë. Është i sikletshëm? Nuk ka përse! Edhe pse s’e merr kush mundimin të shkruajë një editorial! Apo dhe një çerek faqe gazete, apo ndonjë hyrje programi televiziv në shqip të flasë për Bashkimin e Diasporës Shqiptare të Amerikës.

Dhe kjo heshtje vrasëse duket sikur s’i bën dëm askujt. Po çfarë po ndodh? Shqiptarët e Amerikës po përjetojnë rrëshqitjen në folklorizëm. Ka disa veprimtari të mirëfillta letrare e kulturore, por duket që këto i bëjnë të bukura njerëzit e artit që i kanë pasion dhe krijojnë në vayhdimësi ose edhe veprimtarë aktivë të ardhur më shumë pas 1990-ës në SHBA apo Kanada.

Kush mund ta shpëtojë këtë Diasporë nga vendnumëroja e darkave të kripura më shumë dhe e festivaleve parambledhëse? Kush tjetër, veçse zgjimi i vetëdijes kombëtare në Amerikë për një Diasporë aktive, të përbashkuar dhe me një zë! Dhe pastaj të mendojmë më shumë se si e qysh ta ndihmojmë komunitetin shqiptar të bëhet faktor përfaqësues për të mirën e tij pse jo dhe për Çështjen Kombëtare që ende lëngon trojeve shqiptare në Ballkan nga presioni në rritje i shteteve fqinje për asimilimin e Identitetit Kombëtar, të shkeljeve të dhunshme të të drejtave të shqiptarëve, të insistimit me dhunë të mospërdorimit të simboleve kombëtare në  trojet shqiptare.

I vetmi dokument kushtrues për bashkim për periudhën e këtij mijëvjeçari është libri i autorit Ismail Ahmeti “Bashkimi kombëtar i diasporës sonë në Amerikë” botuar në vitin 2006 nga shtëpia botuese Marin Barleti i sponsorizuar financiarisht nga 28 atdhetarë dhe Fondacioni Plavë-Guci.

E para përçapje për Bashkimin Programor të organizatave shqiptare me anëtarësi aktive u bë nga Shoqata Atdhetare Kulturore KOMBI e Worcester, shteti i Massachusetts në Boston, në Nëntor 2010 bashkë me shoqatat KOSOVA dhe MASSBESA që veprojnë po në Boston atje ku dhe u bë 101 vjet më parë Bashkimi i Parë nga shoqatat e shqiptarëve të udhëhequr nga Noli, Konica, Kirka e shumë të tjerë që formuan Federatën Panshqiptare VATRA.

Sot për sot në Amerikë veprojnë si organizata komunitare disa shoqata shqiptare njëherësh në New York, Boston, Detroit, Toronto (Kanada), Cleveland, Filadelfia, Worcester, MA, Florida, Washington, Dallas e gjetkë.

Përjashtuar të vetmen organizatë lobiste LQSHA e DioGuardit, 24 vjeçare, e sukseshme tashmë në lëvizjen për Liri e Pavarësi të Kosovës asnjë organizim tjetër shqiptaro-amerikan sot për sot nuk e ka statusin e përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve të Amerikës në Kongresin Amerikan apo Senatin Amerikan apo edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

Pse? Sepse asnjë organizatë nuk është e shtrirë në të gjitha komunitetet shqiptare të qyteteve amerikane ose edhe atje ku është riorganizuar VATRA apo u riorganizua së fundmi veprojnë edhe organizata të tjera sipas krahinave nga kanë ardhur shqiptarët apo edhe prej territoreve të banuara me shqiptarë në Ballkan.

Sepse ka organizata të shqiptarëve së bashku apo dhe nga krahinat e trojeve shqiptare të Maqedonisë, të Ana e Malit, Mali i Zi  apo edhe shoqata të tjera të mirëfillta kulturore që më së shumti janë në New York.

Pra, kemi një situatë me profile të ndryshme organizatash, me anëtarësi aktive apo dhe organizata me vetëm Borde apo dhe me degë me dy vetë si dhe organizata me një njeri në drejtim… Pra, ka dhe amulli. Moskordinim më shumë. Disa angazhohen për patriotizëm të vërtetë, disa për protagonizëm individual. Puna e gjallë e disa organizatave i ka lënë hije shumë të tjera dhe tashmë mund të dallosh qartë në qytetet e mëdha si New York, Boston, Detroit, Worcester, MA, Filadelfia, Dallas, Cleveland se kush organizatë shqiptare vërtet organizon veprimtari cilësore me program atdhetar por edhe në bashkëpunim me organizata të tjera  simotra.

Kështu, 101 vjet më Bashkimi ishte i plotë pa diskutim organizativisht si dhe nga ana programore. Por kishte shqiptarë kryesisht në Boston dhe Worcester, në shtetin Massachusetts SHBA ( që ishin pothuaj nga Jugu i Shqipërisë, shumica dërrmuese nga Korça) ku edhe u përqëndrua veprimtaria kombëtare. Në qytetet e tjera amerikane kishte shqiptarë, por siç shkruaj më lart aktiviteti mediatik, politik, diplomatik dhe atdhetar i VATRË-s u përqëndrua në Boston.

Sot, 101 vjet më pas:

Ka një vendnumëro lidhur me reflektimin për situatën që është sot Diaspora Shqiptare në Amerikë. Pa një strategji Bashkimi. E parcelizuar. Larg e larg me qytetet. Pa një Program të Përbashkët Kombëtar. Vetëm  përmëndet për çfarë u bë për Pavarësinë e Shqipërisë, për shtetin, për kombin shqiptar 100 (1912) apo 80 vjet (1918-1924) më parë kur edhe ishte më i gjallë Bashkimi. Akoma vazhdon organizimi i shqiptarëve në qytete a lagje qytetesh, sepse organizimi është në proces e sipër apo ripërtërihet vit për vit sepse kështu janë edhe anëtarësimet – vullnetare. Asgjë konkrete. Sikur edhe idealizmi nuk pëlqehet. Sepse të gjithë “e dimë se bashkimi do ta përmirësonte situatën”. Nuk është e lehtë sot në Amerikë të punosh me komunitetet, por edhe e pamundur të bashkohemi nuk është. Sepse ka veprimtarë me shpirt kombëtar edhe pse nuk u pëlqen disave nëpër Këshilla Drejtuese organizatash kjo nismë. Ca sepse kanë lindur këtu në Amerikë, ca sepse u duket i pamundur, ca mbase u duket dhe i tejkaluar njëherë apo i provuar disa herë që nuk funksionon. Cave u duket sikur u kanë marrë nismën e Bashkimit. Sikur u prishen dhe interesat po ta zgjojnë Bashkimin e Dytë të Diasporës.

Ca presin sikur do tua falin Bashkimin …..Po Diaspora nuk është pronë! Është mision organizativ i të gjithave organizatave pa dallim. Po këtu duhen ftuar të gjitha edhe organizimet fetare të shqiptarëve, sepse ato kanë kontributin e tyre në Diasporën e Amerikës. Pra, nuk duket kaq e thjeshtë. Por me vullnet një grup organizatash bazuar në misionin e tyre bashkues do të mund ta marrin këtë nismë Bashkuese me program të qartë për një Kuvend të Parë të Diasporës në Amerikë, me përfaqësues të organizatave atdhetare, kulturore dhe fetare. E kërkon koha. E kërkojnë zhvillimet kombëtare në Ballkan por më shumë edhe ne shqiptarët e Amerikës për të parandaluar asimilimin sa më të shpejtë.

Në një farë mënyre duket edhe sikur punohet në ilegalitet qoftë edhe për riorganizimin e shqiptarëve në ato zona apo qytete sipas njohjeve që kanë veprimtarët edhe pse Amerika është vendi i demokracisë dhe ka hapësirë për çdo organizim sipas modelit apo veprimtarisë që organizon.

Mos ta presim as nga shteti amë, Shqipëria dhe as nga Kosova një përbashkim të ri. U ngopëm me premtime për kongrese apo komitete të diasporës  që janë ende në letrat e Tiranës zyrtare. Kush organizatë apo anëtar organizate ka flirtuar apo flirton me politikën shqiptare në Ballkan nuk i bën mirë Diasporës së Amerikës. Kjo duket sheshit. Dhe ne jemi të qartë se politika e keqe e Shqipërisë i ka prishur punë edhe shqiptarëve të Amerikës në shekullin e kaluar. Sot është jashtë mode.

Ndaj të bëhemi aktiv për veten tonë si komunitet i tërë, si faktor integrues e bashkues, përfaqësues e promovues të Shqiptarëve në Amerikë e Europë. Po këtë e bën një KUVEND i përvitshëm me Program të Përbashkët për ardhmërinë vetëm duke e bërë realitet, duke qënë aktiv kudo ku jetojmë por edhe së bashku.

Sepse nuk ta jep vjetërsia e emrit organizativ statusin aktiv apo përfaqësues në Diasporë, ta jep puna  e gjallë, e hapur, kordinative me organizata të tjera. E shohim këtë në shtetin Massachusetts ku ka më shumë gjallëri ndër shqiptarët për modelet që afrojnë shoqatat MASSBESA, KOSOVA në Boston dhe shoqata KOMBI në Worcester, MA.

Edhe në Shqipëri dhe Kosovë së fundi ka informacion se si e sa janë të organizuar shqiptarët e Amerikës. Dhe kjo padyshim i ngroh shtetet në të mirë të kombit tonë. Po jo kështu siç jemi ne në Amerikë, të parcelizuar. Me krahina apo sipas vendeve nga vijmë . S’do shumë studim.

Ne duhet të përdorim emisionet radiofonike apo televizive për ndërgjegjësimin gjithnjë e më shumë të shqiptarëve, sepse ne duhet të punojmë për bashkimin si në komunitetet  e qyteteve ashtu edhe diasporën në tërësi. Edhe veprimtaritë atdhetare për këtë flasin kur i kordinojmë me shqiptarët e gjashtë shteteve të New England dhe New York.

Dhe Bashkimi i Diasporës është duke marrë udhë. Po duhet të flasim më shumë për të. Sepse brezat shkojnë me kohën. Ndaj dhe asimilimi ngre krye hera-herës. Kur nuk themi asgjë për bashkimin.

Prandaj, kemi nevojë për një zgjim të ri. Që të jemi sa më të organizuar dhe më të besueshëm se dimë të ruajmë Identitetin Kombëtar jo vetëm lokalisht si sot por edhe tërësisht.  Të shpresojmë më shumë nga të qënit aktiv. Për ta trëmbur vendnumëron-ë!

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: artur vrekaj, bashkimi i diaspores, ftese per debat, ne Amerike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 808
  • 809
  • 810
  • 811
  • 812
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT