• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOREJA E VERIUT PO LUAN ME ZJARRIN

April 4, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Koreja e Veriut njoftoi se ka miratuar një ligj i cili autorizon forcat ushtarake të këtij vendi komunist të izoluar dhe të vuajtur për bukë, që të  ndërmarrë sulme “të pa mëshirëmshme” bërthamore kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve amerikanë në Azi, duke thënë se, “Zyrtarisht informojmë Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagonin se politika armiqësore në rritje e sipër dhe kërcënimi bërthamor i Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës Popullore Demokratike të Koresë”, siç njihet zyrtarisht Koreja e Veriut, “do të shkatërrohet nga vullneti i çelikët dhe uniteti i ushtrisë dhe i popullit koreano-verior.”   Në deklaratën ushtarake të Pyongyangut thuhet gjithashtu se forcat e atij vendi janë “autorizuar të kundërshtojnë, “agresionin” amerikan dhe paralajmërohen Shtetet e Bashkuara që  “të mendohen mirë mbi gjëndjen e krijuar.”

Është e vështirë të dihet se çka e nxiti udhëheqjen komuniste të Koresë së Veriut të bëjë deklarata të tilla të papërgjegjëshme dhe kërcënuese në këtë kohë,  por analistët thonë se shkak mund të jenë bërë manovrat vjetore të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe të Koresë së Jugut, të cilat filluan muajin që kaloi dhe përfundojmë në fund të prillit,  si edhe shtërngimi i sanksioneve të forta ekonomike ndërkombëtare, që janë vendosur si rezultat i provave bërthamore që Koreja e Veriut njofoti se bëri Shkurtin që kaloi.

Ndaj deklaratave të Pyongyangut, Shtetet e Bashkuara reaguan vendosmërisht, por me maturi, nepërmjet Sekretarit amerikan të Shtetit Xhon Kerry dhe Sekretarit të ri të Mbrojtjes Chuck Hagel.  Zoti Kerri i cilësoi  deklaratat e qeverisë së Koresë së Veriut si “provokuese” dhe të “papranueshme”, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë assesi që Koreja e Veriut të bëhet “një shtet bërthamor”, duke shtuar se këto që po bën udhëheqsi koreano-verior Kim Jong Un, “janë të rrezikshme dhe tepër të dëmshme”.  Zoti Kerri i bëri komentet e tija gjatë një takimi me ministrin e jashtëm të Koresë së Jugut, Yun Byung-se në Uashington.   Sekretari amerikan i shtetit Xhon Kerri, me seriozitetin më të madh, dhe duke mos lënë asnjë dyshim se cili është qëndrimi i Shteteteve të Bashkuara në lidhje me këtë krëcnim, shtoi se “Shtetet e Bashkuara do të bëjnë çdo gjë të nevojshme për të mbrojtur veten tonë si edhe aleatët tanë në rajon, Korenë dhe Japoninë, ndaj të cilëve kemi obligime në bazë të traktateve të nëshkruara.  Ne”, tha Zoti Kerri, “jemi të gatëshëm dhe të aftë për të bërë një gjë të tillë dhe besoj se Koreja e Veriut e kupton mirë këtë fakt”, shtoi krye diplomati amerikan.

Ndërsa Pentagoni reagoi ndaj deklaratave kërcënuese të qeverisë së Koresë së Veriut, nepërmjet Sekretarit të ri amerikan të Mbrojtjes, Chack Hejgël, i cili duke shprehur shqetësimet e tija dhe të departmentit që ai drejton, tha të mërkurën se, “Disa prej masave të marra nga Koreja e Veriut gjatë javëve të fundit, paraqesin një rrezik dhe kërcënim të vërtetë dhe aktual ndaj interesave të aleatëve tanë, Koresë së Jugut dhe Japonisë, përfshirë edhe kërcënimet e drejtë për drejta që Pyongyangu ka bërë kundër Shteteve të Bashkuara, ndaj bazës në Guam, ndaj shtetit amerikan Havai-t dhe kundër pjesës përendimore të Shteteve të Bashkuara”.

Edhe organizata e Kombeve të Bashkuara reagoi ndaj gjëndjes së acaruar në gadishullin Korean si rrjedhim i deklaratave kërcënuese të Koresë së Veriut.   Ishte vet Sekretari i Përgjithëshëm i organizatës botërore, Ban Ki Moon, ai i cili shprehi shqetësimin e tij të thellë me situatën e krijuar duke thënë se kriza është aq e keqësuar sa që mund të jetë tepër vonë për të bërë ndonjë gjë për të zbutur situatën.    Rrjeti televiziv amerikan NBC citoi  Yotin ban Ki Moon të ketë thënë gjatë një vizite në Evropë se, “Kërcënimet bërthamore nuk janë lojë”, duke shtuar se, “retorika agresive dhe propaganda ushtarake vetëm shkaktojnë marrjen e kundër masave dhe nxisin frikë dhe mos-stabilitet”, në rajon.  Sekretari i Përgjithëshëm, i cili para se të zgjidhej në detyrën e tanishme, ka qenë minister i jashtëm i Koresë së Jugut, ofroi të ndërmjetësojë për të lehtësuar bisedimet për paqë midis dy Koreve, megjithëse nuk duket se Koreja e Veriut është në dispozicion për bisedime të tilla.

Sa për referencë historike, dy Koretë kanë zhvilluar një luftë tre-vjeçare në fillim të viteve 50-të të shekullit të kaluar, e njohur si lufta e Koresë, e cila përfundoi në një armpushim në vitin 1953.   Korea e Veriut dhe Korea e Jugut, megjith armëpushimin e nënshkruar midis tyre, kohët e fundit i anulluar nga Korea e Veriut ato  vazhdojnë të jenë teknikisht në gjëndje lufte.

Megjithëse Koreja e Veriut, për vite tani është duke punuar për të prodhuar armë bërthamore, përpjekje këto për të cilat pëson sanksione të rrepta ekonomike ndërkombëtare, afëtësitë e saja reale në fushën bërthamore, sipas ekspertëve dhe zyztarëve amerikanë dhe ndërkombëtarë – realisht nuk janë të njohuara dhe nuk dihen saktësisht.  Por ajo që dihet është se Pyonyangu vazhdon të zhvillojë prova bërthamore nën tokë, përfshirë, sipas tyre edhe tri prova shkurtin që kaloi.

Prandaj si rrjedhim i kësaj mos sigurie mbi aftësitë e Koresë së Veriut në fushën e armëve bërthamore, dhe megjithë retorikën e ashpër të atij vendi,  ekspertë të ndryshëm mendojnë se udhëheqsit komunistë koreano-verior mund mos i kenë aftësitë e nevojshme për të realizuar kërcënimet e tyre ndaj fqinjve të vet dhe Shteteve të Bashkuara.  Eksperti amerikan i fushës së armëve bërthamore, Siegried Hecker i Qendrës për Sigurim dhe Bashkpunim pranë universitetit Stanford, u citua nga media të ndryshme amerikane të ketë thënë se ai, “Nuk beson se Koreja e Veriut i ka aftësitë për të sulmuar Shtetet e Bashkuara me armë bërthamore dhe nuk do të ketë një mundësi të tillë edhe për disa vjetë.”   Sipas tij, edhe “aftësitë e saj për të sulmuar Korenë e Jugut, janë gjithashtu të kufizuara.”

Por një ekspert tjetër, Viktor Ça i Qëndrës  për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Uashington tha për agjencinë e lajmeve Rojtër se, “Nuk mendoj se gjëndja mund të keqësohet më shumë se ç’është tani”. Ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes Hejgël tha se Koreja e Veriut ka një aftësi “të konsiderueshme” armësh bërthamore, duke theksuar se Pentagoni duhet të jetë gati për tu përballur me kërcënime të tilla, pasi tha ai, kur flitet për armët bërthamore, “mjafton të jeshë vetëm një herë gabim”.

Ndërkaq, Departmenti amerikan i Shtetit njoftoi se Sekretari Xhon Kerri do të bëjë javën që vjen një vizitë në Korenë e Jugut, në Japoni dhe Kinë, për të biseduar mbi Korenë e Veriut.   Është Kina, aleate e ngushtë e Koresë së Veriut, ajo të cilën Zoti Kerri do përpiqet ta bindë që të ushtrojë influencën e saj të konsiderueshme politike dhe ekonomike, që Koreja e Veriut të zbusë tonet e ashpëra dhe kërcnuese për përdorimin e armëve bërthamore kundër vendeve të rajonit dhe Shteteve të Bashkuara, dhe të ulet në tryezën e bisedimeve para se gjëndja në gadishullin Korean të dalë krejtësisht jashtë kontrollit.

NE FOTO: Udhëheqsi i Koresë së Veriut Kim Jon Un i rrethuar nga gjeneralët e tij

 
 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frankj Shkreli, Koreja e veriut, po luan me zjarrin

MEDIET NE KOSOVE NUK I JAPIN HAPESIRE DIASPORES

April 4, 2013 by dgreca

Mediet në Kosovë nuk po i japin hapësirë të duhur informatave nga diaspora, madje mërgatën kosovare vazhdojnë ta konsiderojë si çështje të dorës së dytë. Që të ketë një informim më objektiv kërkohet një qasje më proaktive nga mediet kosovare, kryesisht nga Radio Televizioni i Kosovës, si televizion publik.Kështu u tha të shtunën në kuadër të konferencës organizuar nga projekti “Diaspora për Zhvillim” DfD, në mbështetje me Asociacionin e Gazetarëve Profesionist të Kosovës dhe platformes Albinfo.ch.

Në këtë konferencë u prezantua hulumtimi me titull: “Përmirësimi i komunikimit dhe informimit ndërmjet Kosovës dhe diasporës”..

Hartuesit e këtij hulumtimi, Edona Musa dhe Kastriot Jaha prezantuan në mënyrë të detajuar qasjen që diaspora ka në mediet kosovare. Ata thanë se diaspora ka vazhduar të nëpërkëmbët nga mediat kosovare, për faktin se nuk i është dhëne hapësira e duhur në informim.

Edona Musa kishte vërejtje kryesisht në RTK, si televizion publik që nuk po i japin hapësirë të duhur diasporës. Ajo tha se mërgata shqiptare meriton trajtim më serioz. Përveç RTK’së ajo nuk ishte e kënaqur as në RTV21 as në Koha Vizion.

Sipas saj, janë dhënë vetëm disa emisione nga Turqia, por jo edhe nga Evropa dhe SHBA.

Kastrio Jahaj ndërkaq u fokusua në praktikat më të mira të vendeve të botës sa i përket raportimit nga diaspora. Ai mori si shembull Izraelin, ku nuk ka trajtim ndryshe diaspora nga ata që janë në vendlindje. Po ashtu si praktika të tjera ai mori edhe Moldavinë dhe shumë vende të tjera.

Ai tha se Kosova nuk trajtohet në nivelin e duhur sa i përket informacionit.

Edhe Bashkim Iseni, nga Albinfo.ch u angazhua për praktikat më të mira të informimit në Zvicër por edhe në Kosovë. Edhe ai kërkoi që mediet kosovare, në veçanti RTK si televizion publik, të jetë më efikase dhe të trajtoj në nivel më serioz çështjet e diasporës.

Ndërsa Naim Dedushaj nga Ministra e Diasporës ka përgëzuar autorët për një studim të tillë, i cili sipas tij ka një rëndësi të veçantë për Ministrinë e Diasporës dhe për mërgatën. Ai tha se ky hulumtim mund t’iu shërbej MeD-it, i cili është duke hartuar strategjinë për mërgatën, për periudhën 2013-2018.

Në fund, ndërkaq u dhanë disa konkluzione nga nikoqiri i konferencës, Elbansan Morina nga Diaspora për Zhvillim DfD. Ai tha se debati është fokusuar kryesisht rreth informimit, por jo edhe komunikimit Kosovë-Diasporë.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit nga RTK dhe RTV21, sikurse edhe gazetarë të tjerë të medieve kosovare, përfshirë edhe Arbër Vëllahiun nga Presidenca e Kosovës dhe përfaqësuesin edhe disa përfaqësues të portaleve informative nga mërgata.

Nga Konferenca dolën disa rekomandime

Në fund u nxorën edhe disa rekomandime. U kërkua që ketë koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve vendore, lidhur me aktivitetet që i dedikohen diasporës. “Misionet diplomatike dhe konsullore të kenë një qasje më proaktive në raport me pjesëtarët e diasporës; çështje prioritare të jetë mësimi i gjuhës shqipe, Programe të veçanta për fëmijët që jetojnë në diasporë; Cilësia e lajmeve për diasporën dhe filtrimi i tyre;

Po ashtu u kërkua që mediet të bëjnë sondazhe lidhur me nevojën e diasporës për informim…; Të ndërpritet qasja e transmetimit të programeve ndaras (satelit & tokësor) nga mediumet në Kosovë: te krijohen programe të veçanta që do të tërheqin gjeneratën e dytë dhe të tretë për tu informuar nga mediumet kosovare, etj.

Kryeziu, për krijimin e një Këshilli Trans-nacional

Kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicër, Jeton Kryeziu gjatë debatit dy ditor në Prishtinë, kërkoi krijimin e një Këshillit Trans-nacional të diasporës, por edhe emërimin e një përfaqësuesi për t’u takuar me përfaqësuese të vendeve tjerë, të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Diasporës dhe partitë politike për të avancuar konkretisht këtë nismë.

Ai po ashtu ishte kritik edhe në çështjen e informimit diasporë-Kosovë, por edhe brenda vetë diasporës. Kryeziu tha se po mungon një koherencë e plasimit dhe informimit të zhvillimeve të diasporës në Kosovë, përfshirë këtu edhe zhvillimet e Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicër.

“Nuk i kushtohet mjaftë kujdes dhe kohë Diasporës në media, sidoqoftë në krahasim me rolin si ka luajtur, e luanë aktualisht dhe ka me luajtur në të ardhmen Diaspora për Kosovën”.

“Po ashtu nuk mjafton vetëm informimi “Kosovë – Diasporë” por duhet edhe më shumë informim “Diasporë – Diasporë”, si p. sh. rreth ekzistimit dhe qëllimet e Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës dhe manifestime, organizime, projekte, etj:, tha ai.

Këto komente Kryeziu i dha gjatë debatit dyditor organizuar në Prishtinë organizuar nga Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) dhe Instituti për Menaxhim dhe Zhvillim (IMD) në kuadër të projektit “Diaspora për Zhvillim”, i cili financohet nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë.(AlbInfo.ch)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: diaspores, hapesire, Mediet ne Kosove, nuk i japin

Rezoluta Çame nuk është kuti Pandore, ajo kërkon drejtësi njerëzore…!

April 3, 2013 by dgreca

NGA ERVIN FETAHU

Nuk po zgjatem tek mitologjia dhe historiku i “Kutisë së Pandorës “ ku simbolizohej izolimi i shumë të këqijave, e përpasojë njerëzit largoheshin për mos u ndeshur e përballur me problematikat që ajo mbarte në brendinë e saj. Jo më kot, po godas dhe kundërshtoj ashpër filozofinë dhe frikën  e cila në kohën e shkuar, të largët apo të afërt,pra pak vite më parë,dukej sikur mbërthente e reflektonte në mendjen e një pjese të politikës, kjo nga mosdashja apo mosinformacioni këtë nuk mund ta di,por ama, di që i ka  mbajtur këta politikanë konfuzë dhe të paqartë, duke mos votuar herën e parë,pra ne vitin 2004 prezencën e rezolutës së shqiptarëve të Çamërise, të drejtën e popullatës çame,e cila kërkonte një zë të fortë dhe unanim të institucionit më të lartë të vendit tonë,siç ishte “Parlamenti Shqiptar”. Sot mesa duket jemi në kushte tjera,të cilat na favorizojnë në çdo aspekt duke mos e çuar ne mendje të kundërtën. Rezoluta nuk është asgjë më tepër se  një e drejtë njerëzore e humane, e cila  simbolizon solidaritetin kombëtar ndaj kësaj popullate martire.Boll të shfeltojmë pak historinë do të vërejmë se shqiptarët e Çamërisë janë një nga unazat dhe hallkat më të forta të kollonës vertebrale të kombit shqiptar.Po na soset durimi,kemi gati 70 vjet në “truallin amë” ku kërkojme dorën e ndihmës dhe solidaritetit për hallin tonë madhorë, dhe asnjëherë nuk kemi parë një angazhim seriozë zyrtar, ashtu siç i ka hije shtetit shqiptarë,për këtë popullësi të dëbuar e përndjekur nga vatrat e tyre shumëshekullore.Koha nuk pret më, çështja çame duhet konsideruar si melhemi e balsami i marrdhënieve midis dy shteteve fqinj. Ajo synon drejtësi dhe ura bashkëpunimi të cilat më shumë se kurrë na lypen “Sot” dhe vetëm sot. Marrdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërise medomosdo duhet të kalojnë nga kjo çështje,e cila që në gjenezën e saj ka okupuar dhe angazhuar faktorin kombëtar dhe atë ndërkombetar si një nyje gordiane, ku direktë apo indirektë terhqite vëmendjen e kancelarive dhe diplomacive të huaja. Kurrësesi nuk mund ta lemë në harresë këtë amanet, nuk mund ta lejojmë pa e trajtuar në gjithë specifikat që ai mbart.Këto 20-të  vite  tranzicioni disi të stërgjatur të vendit tonë,”kauza çame” ka ndjekur një sërë zhvillimesh, të cilat për të qenë të sinqertë kane qenë disi te ngadalta, me gjithe dëshiren e komunitetit tonë për të ecur më shpejtë drejt përmbushjes së ketij amaneti.Por ama,sot jemi në një çast të volitshëm,si asnjëherë nuk kemi pasur në parlament dy deputetë përfaqësues të kauzës tonë,dhe ja tek erdhi ora ku rezoluta të parashtrohet dhe paraqitet për votim tek 140-të deputët e parlamentit shqiptar.Opinioni publik ka vite e vite që është i përgatitur për këtë rezolutë,sepse mundi dhe sakrifica e shqiptarëve të Çamërise dhe bashke me ta edhe shqiptarët e tjerë patriot orientoheshin drejt këtij synimi,patjetër një nga këto objektiva madhore ishte votimi I rezolutës në kuvendin e shqipërisë. Pra pikërisht ngritja dhe propozimi në grup ekspertësh të hartonte me kujdes gjithë pikat kruciale,dhe më pas ta dorëzonte në parlamentin shqiptar për votim.Mendoj se jemi në limitet e kohës,s’kemi pse vonohemi,s’kemi pse druhemi, të gjithë ata që sadopak marrin vesh nga e drejta ndërkombëtare e dine fare mirë se sa shumë organizma ndërkombëtare që merren me të drejtat e minoriteteve si objekt studimi,ku “popullata çame autoktone” zë një vendë specifik ,si trajtimi i të drejtave dhe identiteteve etniko-religjoze, ku shumë katedra të fakulteteve si Harvardi, Oksfordi apo Miçigani, trajtojnë në mënyrë të hollësishme,në publikimet e tyre të drejtën e shqiptarëve të Çamërisë, në aspektin të drejtave që derivojnë si grup etniko-lingual dhe religjoz që burojnë prej qindra e mijëra vjetësh. S’ ka se si mos të angazhohet seriozisht parlamenti ynë, kur kjo çështje është tashmë trend i kohës,ku për më teper që e ka edhe detyrim kushtetues të merret me problemin madhorë dhe plagën e hapur të shqiptarëve Çam. Jam i bindur se çështja çame do të jetë një precedent pozitiv për të zgjidhur shumë çështje të mbetura pezull midis Shqiperisë dhe Greqisë,të cilat janë gangrenë për vetë shtetin grek,siç mund të jetë një nga këto probleme të shumta edhe çështja e pronës ku bashkë me shqiptarët e Çamërisë përfshihen edhe shumë shqiptarë të Shqipërisë. Ku dihet fare mirë se të drejtat pronësore të shqiptarëve e kalojnë territorin e Çamërisë,pra ato zgjaten në shumë territore të tjera si Thesalia, Selaniku, Kavalla, Traka e gjetkë, dhe këtu nuk po flasim për kuptimin e rëndomtë të pronës,por për shenjtërinë që ka trualli jonë,po flasim për mijëra vjet autoktoni të cilat janë të shoqëruara me vula të arta si “krisovule apo tapi” me një gjenalogji që të mahnit për nga saktësia,dhe këto i njeh e drejta jonë historike,i njeh e drejta ligjore,i njeh tradita dhe kultura jonë e pasur. Një tregues optimist është edhe një debat i kahershëm midis shtetit Turk dhe atij Grek për rikthimin e objekteve pronësore,individuale,religjoze dhe kulturore respektivisht të nënshtetasve të dy vendeve. As më shumë e as më pak shteti jonë duhet të fillojë nga ketu e të kërkojë në mënyrë aktive dhe dinamike,me anë të pikave të arsyeshme që përmban ky projekt-rezolutë,me pak fjalë gjithë ato çka na takojnë nga trashëgimia jonë dhe asgjë më shumë.Rezoluta do angazhonte shtetin tonë që në çdo takim bilateral, me ngritjen e një komisioni dypalësh ku të diskutohej për pikat që parashtrohen brenda saj,e jo ta lejë çështjen çame si përmendje sporadike me gjysëm zëri të mekur.Nëse Greqia pretendon se është vend me qasje europiane,i takon të distancohet nga masakrat e ushtruara mbi ne gjatë fillimshekullit të kaluar,pse jo dhe një falje publike,shembuj ndjese kemi plot,Gjermania ka kërkuar falje për shfarrosje ndaj Hebrenjve,poashtu Izraeli kërkoi ndjese ndaj shtetit Turk,dhe kjo jo shumë,por pak ditë më pare për maskren e anijes humanitare drejt Rripit të Gazës, pra ndjesa nuk është gjë tjetër veçse një xhest fisnikërie. Kthimi i gjithë të drejtave “legale” pronësore, kulturore dhe religjoze, të cilat janë të shumta në numër e në vlerë , patjetër do të na bënte ti shikonim gjërat me sy optimist.Do doja të cekja shkurtimisht disa monumente muzeale, që na bëjnë të ndihemi krenar,edhe pse ka shumë herë më shumë se kaq,por po e filloj me kishën e prijësit legjendar  “Gjin Bue Shpata”,e cila ndodhet në Filipjadhe,dhe druhem ta them,por me ato çka kam lexuar ajo gjendet në kushte mjerane. Duke kaluar më pas tek xhamia muze e “Asllan Pashës” në Janinë, varrin e “Ali Pashë Tepelenës” sërisht në Janinë,dhe pa harruar gjimnazin “Zosimea” ku prej tij kanë dalë një pjese e mirë e korithejve të rilindjes kombëtare.I bindur dhe me keqardhje theme, se zyrtarisht asnjë nga shtetarët tanë nuk i ka vizituar këto monumente trashëgimie, për mos përmendur më tej pazaret,çarshitë,kullat,xhamitë,teqetë dhe tyrbet e shumta.Ndërsa nga pala tjetër dhe kur nuk ka gjë për të vizituar,modoemos shpikin diçka. E pra këto janë pjesë e identitetit tone kombëtar,e kush tjetër veç nesh do kujdeset dhe interesohet për këto vepra të rralla monumentale qe i kanë rezistuar shekujve.Sot më shume se kurrë jemi ne epokën e teknologjisë së shpejtë informative,ku çdo studiues që dëshiron të hulumtojë për çështjen çame e ka gjithë mundësinë e informacionit, dhe aty shikon fare lehtë se sa shumë është përmendur kjo çështje në librat e autorëve dhe studiuesve të huaj, saqë me vete pëshpërit e thua,sa pak paskam ditur për Çamërinë…!   Në informacionet e mia,janë gati më shumë se 300 libra dhe autor të huaj,ku dikush direkt e dikush indirekt,apo diku në mënyrë tangente kanë trajtuar gjurmët që ka kaluar çështja çame në gjithë dimensionet e saj historike,etnike,religjoze,diplomatike,humane dhe mbi te gjitha si nje popullatë e vuajtur,me një spastrim etnik nga më të egrit në gadishulin e Ballkanit.Nuk arrij dot ta kuptoj “Akademinë e shkencave të Shqipërisë” heshtje totale, asnjë reagim zyrtar prej saj për këtë çështje kaq patriote dhe sensitive.Ndaj klasa jonë politike duhet të jetë krenare dhe e privilegjuar që në këtë legjislacion u hidhet për votim në tavolinat e tyre kjo rezolute fisnike,që bart mbi vete çelësat e miqësisë së mirë mes dy vendeve duke parë nga e ardhmja dhe njëkohësisht mos harruar të shkuarën,duke falur dhe jo duke urryer, ndërkohë të gjitha këto bëjnë pjesë në kuadrin e të drejtave dhe lirive të njeriut.Dhe nëse ka një popullësi shqiptare qe “de juro” është në bashkimin europian,ajo sigurisht ështe popullësia çame…!

Filed Under: Opinion Tagged With: ervin fetahu, nuk eshte kuti, Pandore, rezoluta came

Takimi i Brukselit: KUSH FITOI E KUSH HUMBI?!

April 3, 2013 by dgreca

Përmbyllja pa marrëveshje e takimit të dy prillit ndërmjet kryeministrave, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, në Prishtinë shihet me pasoja, si për vendosjen e normalitetit në pjesën veriore, ashtu edhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.
Bazuar në pozicionet e palëve në bisedime, pakkush më në Prishtinë pret që të ketë ndonjë kthesë në këto negociata. Insistimi i palës serbe që në Kosovë të krijohet pushteti i nivelit të tretë, që do të nënkuptonte një autonomi për pjesën veriore, konsiderohet si i papranueshëm.
Pozicioni serb në negociata ishte që të kthente prapa procesin duke synuar një ri-rregullim të gjithë sistemit kushtetues në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ramush Tahiri, këshilltar politik i presidentes, Atifete Jahjaga.
Mosarritja e marrëveshjes, shton Tahiri, ndikon në vazhdimin e status quo-s në veri, si dhe e bën të vështirë integrimin e serbëve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira në atë pjesë.
“Është me problem shtrirja e pushtetit me mjete ligjore e juridike në atë pjesë të vendit (veri). Thjesht, mbetet gjendja çfarë ka qenë. Por, s’kemi fituar askush nga procesi i bisedimeve dhe as agjenda evropiane, mirëpo as qytetarët e Kosovës dhe as rregullimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vazhdon status quo-ja, por me një shije të keqe, sepse bisedimet për ta tejkaluar këtë status-quo, kanë dështuar”, vlerëson Tahiri.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, shprehet i rezervuar në lidhje me epilogun e takimit të 2 prillit në Bruksel. Ai thotë se nuk ka çfarë t’i shtojë asaj që e ka thënë përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, në lidhje me këtë proces.
“T’u japim pak kohë kryeministrave që të kthehen nëpër vendet tyre dhe të diskutojnë me njerëzit se çfarë ndodhi në takim dhe më pas mund ta diskutojmë se si të ecim tutje”, shprehet Zhbogar.
Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nga Bashkimi Evropian ishte vendosur në top-agjendën e procesit të integrimit evropian për të dyja vendet. Me mosarritjen e marrëveshjes, si pasojë, Serbia mund të humbë apo shtyjë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim ën BE, përderisa Kosova nisjen e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Por, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane, shprehet optimist se Kosova nuk do të ndëshkohet në këtë rast.
“Data 15 prill është përmendur gjithmonë si datë e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë. Besoj shumë që Kosova nuk do të preket nga nënshkrimi apo mosnënshkrimi i marrëveshjes dhe do të marrë rekomandimin dhe do të hyj në negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që përfshinë edhe dialogun mbi liberalizimin e vizave më vonë si proces i ndarë, por i rëndësishëm, në mënyrë që të mos mbetemi peng të sjelljeve të Serbisë”, thotë Haziri.
Për analistin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, gjasat që të shpëtohet ky dialog janë të vogla. Dallimet mes palëve janë thelbësore, thotë ai dhe nuk pret që të arrihet ndonjë marrëveshje në një afat të shkurtë kohor.
“Zonja Ashton sigurisht ndihet e dëshpëruar dhe gjasat që të kemi një vazhdim serioz të dialogut janë të pakta. Me siguri që dikush nga faktori ndërkombëtar do të bëjë edhe një tentativë, por ajo do të jetë e fundit dhe testi i fundit. Prandaj, perspektiva e një marrëveshjeje është shumë e vogël, kurse dallimet janë shumë të mëdha”, thekson Rashiti.
Sidoqoftë, Naim Rashiti thotë se është mirë që dialogu të mos shpallet i vdekur, në mënyrë që të vazhdohet me zbatimin e marrëveshjeve të deritashme dhe të synohet që në një fazë tjetër të rihapen bisedimet.
“Rreziku është që nëse dialogu politik shpallet i vdekur, i mbyllur dhe pasuksesshëm, rrezikon edhe marrëveshjet e dialogut teknik dhe rrezikon sigurinë”, vlerëson Rashiti.
Dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i zhvilluar në nivel të kryeministrave dhe me ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, kishte si qëllim arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: kush fitoi, kush humbi, Takimi i 8 i Bruxelit

FEJA DHE IDENTITETI KOMBETAR

April 3, 2013 by dgreca

Roli i fesë në krijimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar/
Kur besimi në Zotin fillon të dobësohet te një popull, atëherë bëhu gati te shikosh rrëzimin e tij. A. H./

SHKRUAN: Mr. sc. Besim Morina /

Udhëheqësit shpirtërorë te popullit shqiptar, gjatë gjithë historisë kanë mbajtur gjithnjë barrën kryesore, duke mos ndarë kurrë fenë nga atdheu, duke i shërbyer si Zotit ashtu edhe grigjës. Ashtu siç i shërbyen të lumit Zot, njashtu dijtën edhe t‘i rroknin armët e t‘u prinin popullit të cilit i takonin në mbrojtje te dinjitetit njerëzor.
Krishterimi është baza e kulturës moderne, e, mbi bazën e fesë së krishterë është ngritur civilizimi i sotëm Europjan. Krishterimi në vend të instiktit vuri ndergjegjën me përgjegjësi. Krishterimi hoqi skllavën dhe i dha familjes nënën, i dha femijës të drejtën e jetës, i dha gruas dinjitetin, krijoi universitete mbrojtëse të diturisë, spitale mbrojtëse të njeriut.
Pjesë e rëndësishme e civilizimit të krishterë për rreth pesëmbëdhjetë shekuj, ishin popullsia iliro-arbërore. Gjatë periudhës paleokristiane dhe në mesjetën e hershme, popullsia ilire i dhuroi botës së krishterë emra eminentë si: Perandori Konstantini i Madh i cili e legalizoi fenë e krishterë, shën Jeronimi i cili është përkthyesi i Biblës në gjuhën latine, Perandorin Justinian, etj.
Për rreth pesë shekujsh, pushtuesit turq kanë izoluar popullin shqiptar nga civilizimi Eeuropian. Këta pushtues sikur nuk u kënaqën me shkatërrimet, vrasjet, dëbimet, konvertimet, por edhe pas largimit nga trojet e pushtuara te një pjesë të Ballkanit, sjellin flotën e tyre për të sjellur në jetë planet sllave, që teritoret etnike shqiptare dhunshëm t‘i dhurohen sllavëve, ku mjerisht popullsia autoktone perjetoi për të satën herë barbarinë sllave.
Gjatë periudhës se dyndjeve barbare sllave, popullsia autoktone pësoi rëndë, priftërinjët gjithnjë ishin në ballë të grigjës, kishat dhe manastirët e tyre u shkatërruan, u dogjën, u vranë shumë prifterinjë së bashku me grigjën e tyre. Edhe pas pagëzimit te popullit serb, popullsia autoktone perjetoi barbarinë sllave, krishterimi pothuaj së pak ka pasur ndikim në jetën e popullsisë serbe, për të hequr dorë nga barbarizmi.
Gjatë kohës se sulmeve, pastaj pas pushtimit te tokava etnike shqiptare nga pushtuesit osmanë, prifterinjtë shqiptarë, qofshin ata katolikë apo ortodoksë, ishin në ballë te luftës për të mbrojtur tokat tona. Gjatë gjithë periudhës sa zgjati pushtimi i trojeve etnike shqiptare nga ana e pushtuesve osmanë, prifterinjtë katolikë dhe ortodoks shqiptarë, ishin të detyruar për mbijetesë, te mbronin grigjën e tyre edhe nga konvertimet, qoftë në islam (konvertim që detyrohej nga ana e pushtuesve Osman), apo në ortodoks (këtë konvertim e bënin kisha ortodokse serbe dhe kisha ortodokse greke, por me bekimin e Portës së Lartë).
Feja islame vertetë se ka ardhur bashkë me pushtuesit osmanë, por popullsia shqiptare e islamizur nuk ka hequr dorë lehtë nga përkatësia etnike. Në të mirë të ketij mendimi flet edhe kjo e dhënë, se kur udhëtari anglez, Xh. Hobhaus, vizitoi gjatë viteve 1808 dhe 1810 Shqipërinë dhe rajone të tjera të Perandorisë Osmane, kishte shkruar se kur “banorët e provincave të tjera të Turqisë pyeten se ç’janë, ata të përgjigjen “jemi muhamedanë” ose “jemi të krishterë”, ndërsa banori i këtij vendi përgjigjet “unë jam shqiptar”. Mburrja e përbashkët kombëtare e tyre ishte aq e fortë sa që nuk i ka lënë vend përçarjeve religjioze, që i ka ndarë njerëzit e këtij populli.
Pra, perderisa iliro- arbërorët, kaluan nga besimi në shumë zotra, në një Zot të vetëm, arbëroro-shqiptarët, nuk e kishin lehtë të braktisnin fenë e të parëve të tyre vetem pse deshironin apo me mirë te themi që i shtrengonin pushtuesit osmanë. Madje, është e rëndësishme të themi, se në kohën e mbërritjes së osmanëve në Ballkan (1388), Arbëria ishte tashmë një vend i krishterë, e, i përbërë nga 43 seli Episkopale, duke u bërë një kala katolike kundër islamit. Organizimi i hierarkisë kishtare në trojet tona etnike, flet më së miri, se populli shqiptar ishte pjesë e civilizimit Europjan.
Periudha e pushtimit osman mbi popullin shqiptar, është periudhë e dakadencës shpirtërore dhe kulturore. Pushtimi osman la pasoja të rënda jo vetëm fizike por edhe shpirtërore, pasoja këto që do të kërkojnë kohë, mjete edukative dhe morale për breza me radhë që të eliminohen.
Në kryengritjet e armatosura te popullsisë etnike shqiptare, që u organizuan kundër pushtuesve turq, apo te pushtuesve sllavë, për çlirimin e trojeve tona etnike, roli i priftërinjëve katolikë, priftërinjëve ortodoks, bektashinjëve, shehlerëve dhe hoxhallarëve, ishte mjaft aktiv dhe i rëndësisë se veçantë. Sipas, dokumenteve të kohës, del, se krahinat e Shqipërisë veriore së bashku me Kosovën dhe teritoret etnike shqiptare në Maqedoni, mbi 80 % e popullsisë janë në gjendje te rrokin armët në luftë për lirinë e vendit te tyre, ndërsa kjo përqindje është më e ulët në krahinat e Shqiperisë Jugore, për arsye te propagandës që ushtronte kisha ortodokse greke, e cila kishte bekimin e Portës së Lartë.
Rol të rëndësishem në organizimin e kryengritjeve antiosmane kishte Hoxhë Hasan Tasini, për rolin e tij dhënë qështjës kombëtare është shkruar fare pak, pastaj Ymer Prizreni, me rolin e tij të pamohueshëm në përpjekjet për t‘i mbrojtur trojet etnike shqiptare.
Mirëpo, deri me tani, pak ose fare studiuesit nuk kanë shkruar për kontributin e klerit katolik në përpjekjen dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Kështu, kur në Kongresin e Manastirit, ndër të tjera, at Gjergj Fishta tha: “Nëse Evropa … prapë do të na tradhtojë dhe do na ndajë trojet tona duke u dhuruar pushtuesve …, ne do ti therrasim bijtë tanë më të mirë që të rrokin armët për t‘i mbrojtur trojet tona. Imami i Shkupit, u ngjit në foltore duke qajtur, e perqafoi at Gjergj Fishtën, e tha: “kësi burrash i duhen atdheut, dhe as ne nuk do te ndahemi në luftën për mbrajtjen e vendit tonë”. Imzot Nikollë Kaçorri, në një fjalim gjithashtu te mbajtur në Kongresin e Manastirit, u bëri thirrje delegatëve që ta pranonin alfabetin latin, i cili i lidhte shqiptarët me perëndimin, u bëri thirrje të pranishmëve që jo vetëm fizikisht e shpirtërisht të ndihmojnë çlirimin e vendit por edhe materjalisht, e cila është njëra prej mundësive që në mënyrë praktike të realizohej çlirimi i trojeve shqiptare.

Në Memorandumin e datës 13 nëntor 1912 dërguar përendorit e mbretit të Austro- Hungarisë, Franc Jozefit I, dom Nikollë Kaçorri shkrimin e kishte filluar kështu: “Shumë të vështira e të rrezikshme janë këto ditë për ne shqiptarët e për nanën tonë Shqipninë, që të katër shtetet e Ballkanit po dojnë me e perpi me e coptu”. Në këtë Memorandum i cili përfshinë tri faqe, gjejmë nënshkrimet e atdhetarëve të njohur, si: Mustafë Asim Kruja, Rexhep Mitrovica, Fuad Toptani, Abdi Beji, Murat Toptani, Sali Gjuka dhe Bedri Pejani.

Figurë mjaft e rëndësishme ishte edhe ajo e Imzot Luigj Bumçit, i cili u kushtoi një rëndësi të veçantë takimeve me përfaqësues të shteteve që kishin ndikim drejtpërdrejt në fatin e trojeve etnike shqiptare. Kështu, ka arritur të takohet me përfaqësues të Shteteve te Bashkueme të Amerikës, Anglisë, Austro – Hungarisë, Rusisë, Italisë, Gjermanisë, Francës, etj. Në këto takime ai mundohet t‘i bindë përfaqësuesit e këtyre shteteve se, çeshtja Shqiptare nuk është një problem i thjeshtë vetëm i Ballkanit, por është problem kryesor për ruejtjen e paqës në mbarë Evropën.
Imzot Luigj Bumçi posa filloi detyrën e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Paris, është i pari që protestoi tek Presidenti Willson, për krimet që po kryenin serbët mbi popullsinë shqiptare të Pejës, Gjakovës, Plavës dhe Gucisë, gjithashtu i dorëzoi presidentit Willson listën me emrat e viktimave në krahinën e Rugovës.
Shtjefen Gjeqovi, nji burrë i cili gëzonte një autoritet të lartë në popull, për shkak te veprimtarisë së pandalshme patriotike, pushtuesit serbë pas disa tentimeve për të bërë atentat arriten ta vrasin. Gjeqovi, ishte mbledhësi i të drejtës zakonore shqiptare, te botuara në Kanunin e Lekë Dukagjinit, pastaj mbledhës i artifaketeve, te cilat dëshmonin autoktoninë e popullit shqiptar në këto troje, është edhe një dëshmi më shumë se udhëheqësit shpirterorë të popullit shqipar, jo që nuk ishin kundër atdheut por ata flijuan jetën e tyre në mbrojtje të së vërtetës, në mbrojtje të atdheut.

Nga kjo që u tha shihet, se roli i udhëheqësve shpirterorë shqiptar, ka qenë në të mirë të çështjes sonë kombëtare. Por, cila është arsyeja që shteti komunist shqiptar u shpalli luftë institucjoneve fetare, ku nëpërmjet të ashtuquajturit “gjyq i popullit” u maltertuan, dënuan me varje apo me pushkatim? Pse feja shiqohej si një gogol i frikshëm, madje u pandeh se Zoti u hoq prej botës dhe se mbaroi besimi në faqe të botës për tërë jetën. Per këtë akt “perparimtar” të shtetit shqiptar Rexhep Qosja patë deklaruar: “jam i lumtur që Shqipëria është shteti i parë ateist në botë”.
Shqipëria nje vënd i vogël, por mjerisht që printe me ndjekjet, maltretimet, vrasjet e intelektualëve (nëse krahasohet me numrin e banorëve), pra të intelektualëve të kalibrit Europian, po perçante, infektonte e shpiunonte edhe shqiptarët që kishin mbetur nën sundimin sllav, madje edhe shqiptarët të cilët për shkak te orientimit nacionalist kishin emigruar në perëndim apo në SHBA-të. Shqiperia e cila kishte mungesë të ushqimit për banorët e vet, hargjonte mjete të shumta për propagandë marksiste e leniniste.

Në fund le ti kujtojmë fjalët e atdhetarit At Anton Harapi, që bënte thirrje: “Zoti i vertetë e atdheu le te na bashkojnë, në ruajtjen e botës shqiptare dhe zhvillimin e saj, në bashkimin e shqiptarëve dhe sigurimin e mirëqenies së përbashkët kombëtare e kulturore”. Ti kujtojmë fjalët e At Anton Harapit: ”Të sakrifikojmë pikëpamjet tona e jo popullin as Shqipërinë; të bashkohemi mbasi vendi pret shpetimin prej nesh e jo prej te huejve”, madje vazhdonte se: “kush i ndan apo mendon se nuk mund të pajtohen fe dhe atdhe, ai ka një kuptim te gabuar për atdhetarizmin, atdhetarizmi në kuptimin fetar është një virtyt i shenjtë si drejtësia dhe dashuria”.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Feja dhe identiteti, Kombetar, mr. Sc. Besim Morina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 811
  • 812
  • 813
  • 814
  • 815
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT