• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BE ME REFUZIMIN E TRETË, NXJERR JASHTË LOJE SI SHKAKTARE KLASËN POLITIKE TË SHQIPËRISË

December 11, 2012 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Lajmi është dhënë nga EurActiv, kush dëshiron që ta lexojë vetë, ja ku është linkuhttp://www.euractiv.com/enlargement/eu-ministers-send-mixed-messages-news-516498, ku mësohet nga burime diplomatike që vijnë direkt nga Brukseli se Ministrat e BE-së nuk do t‘i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat gjatë takimit të javës së ardhshme, i cili pritet të mbahet më 10 dhjetor, ndërsa mësohet se një vend si Hollanda ka kundërshtuar fuqishëm dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.

EurActiv shkruan se ka shumë gjasa që Serbisë t‘i hapet drita jeshile për fillimin e bisedimeve të pranimit, gjithmonë nëse ka respektuar kushtet e vendosura, të tilla si përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Një ditë më parë Organizata e njohur Transparency International publikoi indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2012, sipas të cilit Shqipëria renditet në vendin e 115 nga 176 shtete të përfshira në studim, duke rënë 15 vende më poshtë krahasuar nga një vit më parë e duke u renditur si vendi më i korruptuar i Ballkanit dhe në gjithë Europën Lindore.

Le ta bëjmë me bast – reagimet nga të dy kampet e politikës pas përhapjes të këtij lajmi, do të jenë një lumë akuzash kundër njëri-tjetrit. Taborret e maxhorancës, në të gjitha nivelet do të akuzojnë opozitën dhe liderin e saj se u bë shkaktari kryesor që Shqipëria ngeli jashtë për të tretën herë, sepse nuk votoi tri ligjet e kërkuara nga BE, duke vënë si pengesë qarkun e Fierit, ndërsa po ashtu nga opozita do të kemi të njëjtin llum akuzash, veç personazhet do t’i takojnë krahut tjetër.

Në fakt refuzimi për të tretën herë për t’i dhënë statusin e kandidatit Shqipërisë nga ana e BE-së, është një refuzim për klasën politike, të gjithën bashkë, e cila e ka patur në dorë që Shqipëria ta kishte marrë më 10 dhjetor statusin e kandidatit, bile ky status do të duhej të merrej që me herën e parë.

Klasa politike shqiptare, si maxhoranca, ashtu edhe opozita, si shefi i ekzekutivit, ashtu edhe lideri i opozitës morën mesazhe të qarta nga Perëndimi, që për hir të vendit të tyre, integrimit të Shqipërisë në BE, ata do të duhej t’i lëshonin pe njëri-tjetrit, të paktën njëri prej tyre, të demonstronte qytetari, civilizim dhe për një moment të vinte në balancë interesat e vendit me interesat personale apo të partisë.

Më 1 Nëntor Shqipërinë e vizitoi Sekretarja e Shtetit e SHBA, Z.Hillary Clinton, e cila i bëri thirrje lidërshipit që të bashkëpunonin për hir të interesave kombëtare të vendit, por asnjëra palë nuk e dëgjoi këtë mesazh dhe bëri shurdh-memecin ndaj aleatit tonë jetik, në sajë të të cilit vendi jonë sot është në NATO dhe siguria e Shqipërisë është në kuadrin e vendeve anëtare të Aleancës Verio-Atlantike.

Me shurdh-memecëri totale, indiferencë, megallomani, arrivizëm, egocentrizëm u reagua edhe ndaj të gjitha lutjeve dhe kërkesave që erdhën nga vendet anëtare të BE-së dhe Parlamentit Europian. U tallën me ta dhe me shqiptarët! Sepse de facto asnjëra palë nuk e do integrimin e Shqipërisë në BE, sepse nëse njëra palë do ta kishte dashur, padyshim që do të kishte sakrifikuar, qoftë sikur të humbte pushtetin apo të vazhdonte të mbetej në opozitë.

BE më 10 dhjetor nuk do t’ia refuzojnë statusin e kandidatit Shqipërisë, por klasës politike të saj, e cila ka mbetur në klasë për të tretën herë dhe si e tillë ajo nuk meriton që të përfaqësojë interesat e shqiptarëve, qëllimi i të cilëve, i shpallur që me rrëzimin e diktaturës 22 vjet më parë me sloganin “Të jemi si gjithë Europa”, është t’i bashkangjiten trungut të Europës.

Refuzimi i 10 dhjetorit, që ngel për të tretën herë klasën politike shqiptare, për mospërmbushjen e detyrimeve, duke u kthyer në një penalizimim dhe ndëshkim për çdo qytetar të Shqipërisë, sepse pengon integrimin e tij legjitim si qytetar i Europës së Bashkuar, duhet të jetë kambanë alarmi për çdo shqiptar të ndershëm, kudoqoftë dhe kushdoqoftë, pavarësisht bindjeve politike, që të mos pranojë kurrë më të jetë gur shahu në dorën e një klase politike klanore të papërgjegjëshme, e cila ka 22 vjet që mendon vetëm për pasurimin e saj, sepse me votën tonë ne vetë do të duhet të vendosim për fatin tonë, se prej kujt do të udhëhiqemi: prej satrapëve apo prej liderëve të denjë për besimin e popullit, të cilët me integritetin e tyre të pastër dhe përkushtimimin e tyre janë të gatshëm që për hir të interesave të vendit dhe qytetarëve të sakrifikojnë interesat e tyre politike.

Ky refuzim për të tretën herë që i bëhet Shqipërisë, për të marrë statusin e vendit kandidat, është një refuzim-denoncim që BE dhe Perëndimi bën për klasën politike të Shqipërisë në mënyrën më eksplicite të mundshme. Pas 22 vitesh tranzicion makabër, me një luftë gati civile midis, siç ishte kriza e 1997, kjo klasë politike duhet të dalë përfundimisht nga skena politike, ku hyri përmes prapaskenave që diktoi sistemi totalitarist në gjoja ikjen e tij skenike, teatrale. Pas refuzimi të tretë, nuk duhet të lejojmë më që Shqipëria të mbetet peng i kësaj klase politike, shtetarët e të cilit janë të denjë për shtetarë të Republika të Bananeve, por kurrë të një vendi anëtar të NATO-s, me një popull që ka 22 vjet që aspiron t’i ngjitet trupit të Europës, prej nga e ka prejardhjen e tij të lashtë prej të paktën tri mijë vitesh.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, humbet statusin, Jashte loje, klasapolitike, shqiperia

MBLEDHJA VJETORE E OSBE-SË NË DUBLIN DHE PARALLAJMERIMI I HILLARI KLINTON

December 9, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ministrat e Jashtëm nga më shumë se 50 vende morën pjesë në mbledhjen vjetore prej dy ditësh të Organizatës për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE) që u mbajtë në Dublin të Irlandës, të ënjtën dhe të premtën e javës që kaloi.   Në mbledhjen ministrore prej dy ditësh,

Kryetari i radhës i Organizatës për Sigurim dhe Bashkpunim në Evropë, zëvendës kryeministri dhe ministri i jashtëm irlandez, Eamon Gilmore njoftoi se ministrat e punëve të jashtme të 57 vendeve pjesëmarrëse  kanë rënë dakord për projekt planet e ardhëshme të OSBE-s, duke thënë se ”kemi arritur një marrveshje për një proces për të forcuar dhe për të ri-ngjallur organizatën e OSBE-së tani e deri në vitin 2015, viti që shënon 40-vjetorin e Marrveshjes përfundimtare të Helsinkit.”   Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier e mirëpriti marrveshjen duke e cilësuar atë si një bazë të mirë për të përcaktuar vizionin e kësaj organizate për fazën e ardhëshme të veprimtarisë së saj, duke e aftësuar OSBE-në të përballohet në mënyrë më efektive me sfidat e reja ndaj sigurimit rajonal.

Siç dihet, Marrveshja e Helsinkit e vitit 1975 ishte dokumenti  bazë që themeloi OSBE-në dhe njëra prej marrveshjeve kryesore që konsiderohet  të ketë  ndihmuar në dhënjen fund të luftës së ftohët.   Por roli i saj pas rënjes së Murit të Berlinit ka rënë ndjeshëm, ndërkohë që roli i organizatave si Bashkimi Evropian dhe NATO është shtuar gjatë dy dekadave të fundit.

Megjithse Ministri i jashtëm irlandez, Z. Gilmore, si kryetar i OSBE-së mirëpriti marrëveshjen e arritur për projekt-planet e organizatës për tre vitet e ardhëshëm, ai në të njëjtën kohë shprehu keqardhjen e tij në lidhje me ”mungesën e një marrëveshjeje mbi vendimet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut.”   Por ai u tha delegatëve se ajo që është  ”shumë shqetsuese është realiteti trishtues se respekti për të drejtat e njeriut dhe për liritë themelore është tani më  i kërcënuar se përpara në shumë vende të rajonit të OSBE-së’’.

Ironia e këtij komenti është se ai iu drejtua ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të një organizate, misjoni i së cilës është për të promovuar dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut anë e mbanë zonës së OSBE-së.   Ndërkaq, nuk është aspak e rastit atëherë, kur Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton në njërën që mund të jetë prej mbledhjeve të fundit ndërkombëtare që ajo merr pjesë para se të largohet nga detyra muajin që vjen, shprehu shqetsimet e saj mbi të ardhmen e OSBE-së, duke thënë se 20-vjetë pas luftës së ftohët, ”mbetet pa u kryer puna për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqë”,  dhe njëkohësisht  theksoi ”shqetësimin e saj në rritje e sipër për të ardhmen e kësaj organizate dhe  të vlerave që ajo ka promovuar”, për pothuaj 40-vjetë.

Para se të fliste para ministrave të jashtëm të OSBE-së, Hillari Klinton u takua me përfaqsues të shoqërive civile nga disa vende anëtare të kësaj organizate, të cilët e informuan Zonjën Klinton mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në vendet  e tyre.   Sekretarja  amerikane e shtetit ishte dakord me përfaqsuesit e shoqërive civile se ”hapësira për veprimtarinë e tyre po ngushtohej dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe lirive bazë ka rënë gjithashtu dhe se qeveritë janë duke u treguar më agresive ndaj kundërshtarëve.”   Zonja Klinton foli posaçërisht kundër vendosjes  së kufizimeve të reja ndaj të drejtave të njeriut në disa ish-shtete sovjetike, duke kritikuar në veçanti qeverinë ruse për kriminalizimin e ndihmave të huaja për organizatat e të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë civile në Rusi.

Por akuzat më të forta, zyrtarja e lartë e Shteteve të Bashkuara i rezervoi për Rusinë pak para takimit të saj me Ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov.   Duke përdorur gjuhën më të ashpër që ka përdorur administrata e presidentit Obama gjatë katër viteve të fundit ndaj Moskës, Sekretarja e amerikane e shtetit paralajmëroi delegatët duke kritikuar  ashpër ato që ajo quajti, ”përpjekje për të sovjetizuar rishtas rajonin”, një referencë këjo ndaj planeve të Moskës për të krijuar një bashkim të ri tregtar midis Rusisë dhe ish- shteteve satelitë sovjetikë, ose një të ashtuquajtur Bashkim euro-aziatik.   Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara janë duke marrë masa për të ngadalësuar ose për të penguar këtë proces’’.   Madje, ajo tërhoqi vëmendjen edhe ndaj disa zhvillimeve, sipas saj, “shqetësuese’’ në fushën e të drejtave të njeriut dhe të zhvillimeve demokratike në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO, dhe shtoi se ”ia vlenë t’ia kujtojmë vet-vetes se secili vend anëtar (i OSBE-së) –përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara — kanë hapësirë për përmirësim”, në këtë fushë.

Megjithë kritikat e ashpëra ndaj disa vendeve anëtare të OSBE-së dhe mungesës së përparimit në fushën e të drejtave të njeriut dhe të zhvillimeve demokratike në radhët e shteteve anëtare të kësaj organizate, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton në emër të vendit të saj, tha se ”Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara ndaj objektivit për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe, si edhe ndaj parimeve të OSBE-së”, dhe  njëherazi u bëri thirrje ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, që të ”zbatojmë dhe jo të minojmë angazhimet dhe zotimet që i kemi bërë njeri tjetrit dhe qytetarëve tanë”, për të mbrojtur dhe për të promovuar të drejtat e njeriut dhe zhvillimet demokratike anë e mbanë eurozonës.

Kështuqë, përfundoi Zonja Klinton, ”ndërsa po i afrohemi 40-vjetorit të nënshkrimit të Marrveshjes së Helsinkit, ka ardhur koha që OSBE-ja të veshë edhe njëherë mantelin e udhëheqjes për të zgjëruar kufijtë e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor dhe për të ripohuar prapë vlerat dhe parimet që kanë udhëhequr këtë organizatë ç’prej themelimit të saj”.

Caption:Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-s në takimin e tyre në Dublin, javën që kaloi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dublin, Frank shkreli, Grim, Hillari Klinton

DISKRIMINIMI ETNIK NË LIBRAT SHKOLLOR

December 9, 2012 by dgreca

Teuta Kamberi- Llalla*/

 Sot, në shek.21 në R.M ende vazhdojnë të botohen libra nga qeveritë që nxisin urrejtjen etnike midis popujve në këtë republikë multietnike. Diskriminimi dhe ofendime më i lartë i bëhet shqiptarëve dhe etnive josllavo-maqedonase nga Akademia e Shkencave, ku famëkeqja Enciklopedi e financuar nga taksapaguesit ofendon vend e pa vend etnitë josllave. Edhe pse ka patur kritika të forta qeveria dhe Akademia vazhdojnë me krenari ta qarkullojnë zyrtarisht këtë libër edhe jashtë vendin.

Por çfarë thotë Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve në lidhje me arsimin dhe kulturat e popujve?

Kushtetuta e Republikës së Maqedoni në nenin 9 thotë: Qytetarët e Republikës së Maqedonisë janë të barabartë në liritë dhe të drejtat pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra e lëkurës, prejardhja kombëtare dhe sociale, bindja politike dhe fetare, pozita pronësore dhe shoqërore. Qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe ligjeve. Ndërsa AMENDAMENTIN VIII thotë: Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë lirisht ta shprehin, kultivojnë dhe zhvillojnë identitetin dhe veçoritë e bashkësive të tyre dhe t’i përdorin simbolet e bashkësisë së tyre. Republika ua garanton të gjitha bashkësive mbrojtjen e identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar. Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë të themelojnë institucione kulturore, artistike, arsimore, si dhe shoqata shkencore dhe shoqata të tjera me qëllim të shprehjes, kultivimit dhe zhvillimit të identitetit të tyre. Pjesëtarët e bashkësive kanë të drejtë të ndjekin mësimin në gjuhën e tyre në arsimin fillor dhe të mesëm, në mënyrë të përcaktuar me ligj.

Në të vërtetë sa e respektojnë Kushtetutën Qeveria dhe Ministria e Arsimit në drejtim të së drejtës së arsimit të etnive në gjuhët e tyre kombëtare, në këtë rast të etnisë shqiptare?

Për diskriminimin në arsim ne do të sjellim fakte të teksteve shkollore të botuara nga Ministria e Arsimit.

Në vitin 2010-2011 në ciklin e ulët mungonin tekstet në gjuhën shqipe për lëndët gjuhë angleze, gjuhë maqedonase, gjuhë shqipe, njohja e mjedisit, arsim muzikor, arsim figurativë, arsim fizik dhe shëndetësor, shkencat natyrore. Diskriminimi në Komunën e Tetovës atë gjeneratë shkollore nuk ishte vetëm për nxënësit shqiptar, por edhe ata që e ndiqnin mësimin në gjuhën turke si p.sh në shkollën Istikball dhe Migjeni, mungonin tekstet shkollore në gjuhën turke. Po atë gjeneratë kishte mungesa të librave në gjuhën shqipe për ciklin e lartë në lëndët matematikë, gjuhë maqedonase, gjuhë angleze, gjeografi, kimi, biologji. Në shkollën e mesme Ekonomike janë shpërndarë libra vetëm në gjuhën sllavo-maqedonase për paralelet ku mësonin nxënësit të etnisë shqiptare.

Në shkollën e Gjimnazit libri i gjeografisë, historisë dhe gjuhës shqipe për vitin e II kishte probleme përmbajtësore dhe përkthimi ishte shumë i dobët. Libri i Gjeografisë na paraqiteshin harta dhe toponime në gjuhën sllavo-maqedonase dhe kishte të meta në terminologjinë për vendbanimet shqiptare. Libri i Historisë nuk kishte asnjë rresht ku të përmendej historia e popullit shqiptar, territoret, kultura, tradita, doket, etj. Në shkollën e Mjekësisë libri i kimisë analitike, biokimia, baza e përkujdesjes, janë në gjuhën sllavo-maqedonase në paralelet ku mësojnë fëmijët e etnisë shqiptare dhe turke. Në shkollën e mesme Teknike kishte mungesë të teksteve profesionale në gjuhën shqipe.

Për këto shkelje të rënda nga ana e Ministrisë së Arsimit edhe pse pati denoncime publike nga sektori i arsimit pranë Komunës së Tetovës, ministria në fjalë vazhdoj me avazin e vjetër edhe për gjeneratën e vitit shkollor 2012-2013. Në gjeneratën e këtij viti që jemi librat “Natyra” për klasën e katërt, “Historia” për klasën e gjashtë dhe të tetë , “Gjeografia” për klasën e gjashtë, “Arsimi muzikor” për klasën e pestë etj., vazhdojnë të jenë nga autor sllavo-maqedonas dhe me përmbajtje fyese për shqiptarët.[1]

Libri Natyra për kl.IV në gjuhën shqipe ka shumë faqe që janë në gjuhën turke, ky është një atentat i hapët që i bëhet mësimit në gjuhën amtare për nxënësit shqiptar.[2]

Libri i Historisë për kl.VIII shtrembëron mbiemrin e gjuhëtarit Aleksandër Xhuvani në Aleksandër Huvanji, ky është një ofendim i rëndë që i bëhet këtij personaliteti shqiptar.[3]

Në tekstet shkollorë vërehet një fenomen i çuditshëm ku tekstet në gjuhën shqipe që mësojnë nxënësit shqiptar janë përkthyer nga sllavo-maqedonasit, pra jo nga profesor shqiptar, këto përkthime janë shumë të dobëta, jo cilësore. Libri i Muzikës, Njohja e mjedisit, Arsimi figurativ, Gjeografia, Matematika, Historia etj., janë libra që për autor kanë kryesisht sllavo-maqedonasit si dhe me përmbajtje të kulturës sllave, pra nxënësve shqiptar nuk u lejohet në këtë mënyrë të mësojnë kulturën e tyre kombëtare të cilën e garanton Kushtetuta e Maqedonisë.

Diskriminimi më racistë që po njeh historia e shek.21 në lidhje me tekstet shkollorë u është bërë nxënësve shqiptar të cilëve u është hequr e drejta për të mësuar me Abetaren e gjuhës shqipe, pra prej disa vitesh Ministria e Arsimit ka zhdukur termin ABETARE për shqiptarët në Maqedoni. Ky është një rast flagrant ku janë shkelur rëndë të drejtat e njeriut.

Abetarja është tekst mësimor i lidhur kaq gjatë dhe ngushtë me historinë e arsimit dhe të kulturës shqiptare. Kjo, padyshim, është si rrjedhojë e funksionit dhe rolit që luajti në Rilindjen Kombëtare në luftën për çlirimin kombëtar nga errësira e pushtimit të gjatë osman.

Sot ky libër ashtu si në shek.XIX është i ndaluar në Maqedoni për nxënësit shqiptar, pra me një taktikë diskriminuese e qeverive sllavo-maqedonase e kanë hequr nga qarkullimi librin e Abetares pa të drejtë. Kjo vetëm për nxënësit shqiptar në Maqedoni të cilët me Kushtetutë të Republikës së Maqedonisë janë pjesë e kombit shqiptar.

Diskriminimi gjuhësor vazhdon të bëhet edhe nga kompanive të ndryshme private të cilat nuk i botojnë broshurat e tyre edhe në gjuhët që njihet dhe mbrohen zyrtarisht me Kushtetutë në Maqedoni. Ne sot do sjellim vetëm faktin të kompanisë së madhe energjetike EVN e cila faturat për pagesë i sjellë nëpër shtëpitë dhe objektet e biznesit vetëm në gjuhën sllavo-maqedonase, ndërsa broshurat e propagandës, tabelat se ku bëhen pagesat i shkruan edhe në gjuhët e etnive të tjera. Kjo lloj praktike është ironike, tallje me gjuhët që flasin dhe shkruajnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë.

Në fund lind pyetja nëse mundet të bëhen korrigjimet, të respektohen të drejtat e njeriut, në rastin tonë për respektimin e gjuhëve që flasin shtetasit e Maqedonisë. Patjetër se mund të fitohet e drejta që mbrohet me ligje kombëtare dhe ndërkombëtare, por duhet në fillim vullnet dhe bashkëpunim midis qeverisë, institucioneve shtetërore me qytetarët, organizatat joqeveritare. Por siç shihet ky shtet ngre struktura raciste dhe vepron me dhunë ndaj etnive josllave duke i shtypur me mënyra të ndryshme, duke ndalur zhvillimin kulturor dhe arsimor, duke përdorur shpeshherë edhe dhunën policore kur grupe të ndryshme të qytetarëve protestojnë paqësisht për të drejtat e tyre.

Me rastin e 10 Dhjetorit, Ditës së të Drejtave të Njeriut



[1] KOHA, Shkup, 14.11.2012, fq.4

[2] Natyra për kl.IV, Shkup, 2009, fq.25, 28, 29, 32, 49, 52,53, 56, 65, 68, 69, 72

[3] Historia për klasat e VII, fq.41

Filed Under: Opinion Tagged With: diskriminim etnik, Teuta Llalla

ME PROGRAM TË QARTË PËR PËRFAQËSIMIN DHE ARDHMËRINE E SHQIPTARISË

December 8, 2012 by dgreca

NGA ARTUR VREKAJ, WORCESTER,MA./

Është tashmë fakt  atmosfera festive që krijoi valëvitja e Flamurit me shqiponjën dykrerëshe – simbolit kombëtar të shqiptarëve më 28 Nëntor 2012. Ka një ndërgjegjësim të veprimtarëve të komunitetit shqiptar këtu në Worcester, MA se shqiptarët ndihen më të organizuar. Por, ende kemi shumë punë për të bërë për fuqizimin e veprimtarise sonë.

Nuk është më lajm në Worcester,MA përfaqësimi në bashki nga shtetas amerikanë me origjinë shqiptare.

Komuniteti shqiptar i Worcester vlerësohet e respektohet nga zyra e Kongresmanit McGovern, përfaqësuesja e sapozgjedhur në State House,  Keefe dhe Kryetari i Bashkise Petty  për vizionin që përcjell Shoqata KOMBI për integrimin e shqiptarëve jo vetëm si komunitet por edhe për perfaqësimin dhe integrimin me dinjitet në shoqërinë amerikane.
Konkretisht. Shoqata KOMBI përfaqësuese e shqiptarëve të Worcester, MA; një organizatë me profil atdhetar dhe kulturor është bërë e mirënjohur tashmë në komunitet për problemet që ngre lidhur me organizimin e shqiptarëve të Worcester,MA por edhe për integrimin e tyre edhe me komunitetet e tjera.

Ne u kemi kërkuar të zgjedhurve në Shtëpinë e Përfaqësuesve të shtetit Massachusetts më 2010 apo edhe bashkisë së qytetit Worcester,MA  më 1 dhjetor 2012 hapjen e një Qendre Komuniteti për me shumë gjallëri në jetën e qytetit, për njohjen e pasqyrimin e kulturave të etnive por edhe për ruajtjen e Identiteteve Kombëtare të grupimeve. Në këtë projekt-Qendër ne mendojmë të kemi dhe Muzeun Etnik i vecantë për qytetin ku secili grupim të pasqyroje historinë dhe kulturën kombëtare. Dicka që do ngjallë interes në vazhdimësi për ta pasuruar si vlerë të qytetit ku banojmë përmbi 100 vjet.

Por do ta kemi Qendrën funksionale për veprimtari kulturore dhe edukative. Do të kemi klasa mësimore për Mësimin e Gjuhës Shqipe apo edhe kurse të artit dhe muzikës për të ndihmuar talentet shqiptare.

Pra, puna jonë tashmë ka një vizion domethënës dhe ne besojmë se do të kemi mbështetjen e duhur jo vetëm nga shqiptarët si deri më tani por edhe nga administrata lokale dhe ajo e shtetit Massachusetts. Dhe jemi të hapur për bashkëpunim për ta realizuar këtë projekt sa më parë që të krijohen kushtet.

Nuk kemi rrugë tjetër. Ndryshe do të asimilohemi shumë më shpejt se c’mendohet. Dhe shohim që vetëm kështu duke punuar së bashku me komunitetet e etnive te tjera do të kemi më shumë mundësi të sjellim në vëmëndjen e të gjithë banorëve të Worcester,MA se ne duam një qytet ku zëri ynë dëgjohet dhe komuniteti shqiptar do të respektohet edhe më shumë se tani.

Ne kemi treguar me veprimtarinë tonë patriotike se i respektojmë flamujt: si simbolin kombëtar amerikan dhe simbolin kombëtar shqiptar .

Tjeter. Projekti i shoqatës KOMBI për të patur në Worcester,MA  Festivalin Folklorik të komuniteteve dhe Lojërat Olimpike të Verës është pritur me interes për vetë faktin se në Worcester,MA fliten mbi 80 gjuhë të kombësive të ndryshme. Dhe këto dy veprimtari janë mëse të realizueshme sepse edhe mjediset janë të mjaftueshme por edhe programet e trashëgimisë të grupeve etnike bashkohen në të njëjtën pikë kur bie fjala për ruatjen e kulturave përkatëse. Kush më mirë se një Qendër Komuniteti do të ndihmonte më shumë në këtë drejtim? Do të përfitojë dhe qyteti. Do të ketë më shumë vizitorë nga zonat përreth, pse jo dhe nga Rhode Island, Conecticut apo Boston për vetë lidhjet miqësore të emigrantëve.

E vetmja veprimtari që bashkon të gjitha komunitetet është kampionati i përvitshem i futbollit ku shqiptarët përfaqësohen me skuadrën e Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Dhe për cdo vit po rritet interesi i frekuentimit në takimet sportive.

Ky qytet, Worcester,MA është në bumin e tij për rindërtimin dhe fuqizimin e qendrave universitare. Pjesë e zhvillimit të qytetit janë pa dyshim dhe shqiptarët me kontributin e tyre si taksapaguesa e pronarë të suksesshëm të pasurive të patundshme. Ndaj, kemi besim per tu mirëorganizuar në komunitet dhe qytet për një ardhmëri më të ndritur.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: artur vrekaj, Worcester

TE VERTETAT HISTORIKE, KUJTESE PER BREZAT QE VIJNE

December 8, 2012 by dgreca

Pas nje skenari te turpshem nga Janullatos me eshtra te ushtrise agresive greke ne dem te popullit shqiptar ne jug te Shqiperise deri ne preveze, na shfaqet nje pseudo prift serb ne shkoder per te kerkuar varre ushtaresh serbe.

NGA ATE NIKOLLA MARKU

Te vertetat historike nuk jane shovinizem apo nacionalizem, perkunder, jane pergjegjesi per te ardhmen dhe kujtese e domosdoshme per brezat qe vijne. Eshte detyra jone qe memorien ta ruajme domosdoshmerisht per ngjarjet historike ne dem te kombit shqiptar e per tjua treguar brezave qe vijne. Ata duhet te mesojne se 1913 ka qene viti i kasaphanes mbi kombin dhe trojet shqiptare, kasaphane e bere nga fqinjet tane ku njeri eshte i perkedhelur i perendimit e tjetri i Moskes. Pas nje skenari te turpshem nga Janullatos me eshtra te ushtrise agresive greke ne dem te popullit shqiptar ne jug te shqiperise deri ne preveze, na shfaqet nje pseudo prift serb ne shkoder per te kerkuar varre ushtaresh serbe.

Ky prift i quajtur Amillohije Radovic, jashte misionit te tije si prift, i derguar nga patriarkana e Beogradit, kerkon te na kujtoje ushtare serbe te vrare ne Shqiperine tone, e cila me te vertete eshte bere varreze per armiqte e ketij populli(zoti te me fale per kete qe citova). Shqiptaret nuk kane varre ne dhe te huaj sepse, kurre nuk kane vrare , grabitur, shfarosur popuj te tjere.

Historia na meson shume per te kaluaren tone nder shekuj por, sidomos per vitet 1912-1913 kur atdheu yne u be kurban per fqinjet tane qe ne ato vite, treguan natyren e tyre te vertet kunder kombit shqiptar. Serbet ne Kosove dhe Greket ne Cameri vrane popull shqiptar te pa mbrojtur dhe te pafajshem, plackiten dhe shperngulen, si barbare te uritur njerez te mire ortodokse, myslimane, katolike, bektashi, vetem se ishin shqiptare ne shtepite dhe pronat e tyre.

Cfar kurdisin dy aleate te djallit me eshtra ushtaresh si greku Janullatos dhe prifti serb Radovic ne dem te kombit dhe truallit shqiptar?

Vetkuptohet se te prekesh ndjenjat e nje shoqerie apo kombi, eshte ti sjellesh ndermendt ushtaret e vrare dhe qellimin e tyre perse jane vrare, me qellim qe te ngresh nje mendim dhe qellim te ri po si ai i vjetri ne shoqerine e sotme. Janullatos dhe nazistet greke, thone se kane heronjte e Vorio-epirit, Radovic thote se serbet kane luftuar kunder osmaneve ne veri te Shqiperise e cila shtrihet deri ne mitrovice e presheve kur Shqiperia e kishte shpallur pavarsine e saje me 28 nentore 1912 per te kater vilajetet pa asnje ndarje. Ckerkonin keto hordhi grabitqare dhe kriminelesh ne atdheun Shqiperi 62 mije kilometra katrore? Kuptohet se cfar ndodhi me 1913.

Kisha Ortodokse Kombetare Shqiptare, per hire te se vertetes, krahasuar me kishen serbe dhe ate greke qendron ne pidestal te lavdishem prane drites se Perendise dhe profeteve. Ne asnje menyre kisha nuk mund te behet vegel ne duar terroristesh, mafiozesh, politikaneve vdekje mbjelles, qellimeve te urrejtjes apo racizmit injorant qe buron qe nga Kaini i Bibles. Si mund te thuash se Zoti te bekon ty, kur ti mendon per vdekjen dhe shfarosjen e tjetrit! Ne shqiptaret e dime shume mire se, misioni fetar eshte ai i dashurise, respektit, besnikerise, bujarise dhe mbi te gjitha i lutjeve dhe faljeve te mekateve qe ben cdo njeri pa perjashtim ne kete bote.

Si prift qe eshte, Radovic apo kisha serbe duhet te kryeje misionin e saje human, ne gjetjen e mbi 3000 shqiptareve te zhdukur nga ushtria serbe, ndersa prifti Janullatos, ti kerkoje shtetit grek respektimin e emigranteve shqiptare, si dhe kthimin e cameve ne pronat dhe shtepite e tyre ne Cameri. Cdo shqiptar dhe politikan, duhet te mbaje qendrim te qarte ndaj fqinjeve qe megjithe genocidet dhe grabitjet ndaj popullit shqiptar dhe trojeve te tije, ne perseri jemi per fqinjesi normale.

Ajo qe na shqeteson ne si kishe, ne lidhje me kombin shqiptar eshte se, si duhet te mbrohemi ndaj sulmeve greko-serbe, cili eshte mekanizmi apo institucioni perkates qe duhet te ruaj atdheun tone? Ne mbeshtesim cdo shqiptar dhe institucion kudo qe ndodhet, te beje detyren me normale dhe te respektoje ligjin. Shqiperia e ka me kushtetute qe nuk lejon organizime politike mbi baza rraciste dhe fetare, athere perse lejohet hyrja ne Shqiperi e deputeteve te Agimit te arte(I ZI)? Perse lejohet prifti serb Radovic te flase ne Shkoder me gjuhen e shovinizmit?Le te mbrojme se bashku te pakten parimet kushtetuese persa i takon veprimeve anti shqiptare qe cenojne territorin dhe identitetin shqiptar. Ne rast se nuk nderhyjne institucione te shtetit ne mbrojtje te vlerave tona, atehere e them me pergjegjesi se do ti mbroje populli me veprime fizike te drejtperdrejta sepse, kupa po mbushet, sic e ka mbushur me kohe Dule, Bollano, Radovic, Janullatos etj. Nje dite durimi i cameve do te soset dhe po ashtu dhe ai i shqiptareve ne Maqedoni, Presheve , Bujanovc etj. Nuk mund te jeshe nenshtetas i Shqiperise dhe te kerkosh Vorio-epir, ketu toleranca kthehet ne dobesi dhe pa aftesi per te vepruar. Disa here kisha serbe eshte bere frymezuese e akteve te dhunshme ne Mitrovice. Thua se Europa flen per keto akte te drejtperdrejta terroriste, ne dem te shqiptareve te Kosoves? Ne besojme se jo, por duhet informuar. Ne nuk e kuptojme heshtjen e gjate te partive tradicionale te djathta, qe e kane ne program bashkimin kombetar dhe nuk mbrojne programin e tyre.

Ne si kishe e kemi te qarte planin ortodoks-serbo-grek ne dem te kombit shqiptar dhe kishes ortodokse shqiptare. Jemi te pergatitur per ta perballuar me cdo mjet, sepse eshte e drejta jone te mbrojme veten tone, kombin shqiptar dhe truallin e tije te bekuar ne cdo drejtim.

Gjate festimeve te 100 vjetorit, ndodhi nje mrekulli e madhe, kjo mrekulli ishte angazhimi politiko qytetar i gjithe shqiptareve me aktivitete te shkelqyera, ne cdo drejtim, qe nga ekspozitat e flamurit e deri tek mbledhja e qeverise ne Vlore. Vetem Janullatos nuk organizoi asnje simpozium historik per ata ortodokse qe dhane jeten per pavarsi dhe liri. Cudi? Jo, tashme e kane te qarte te gjithe shqiptaret se, ky perfaqeson kishen e minoritareve te shitur tek asfalia greke dhe racistet e cmendur te Agimit te arte.

Kisha Ortodokse Kombetare Shqiptare, denon cdo veprim te cdo prifti qe merret me politike shoviniste me qellim genocidi ndoj cdo kujt, qofte ndaj individit apo kombeve te ndryshme. Ne do te reagojme mbi parime kristiane ndaj Radovicit dhe Janullatosit ne organizma nderkombetare perkates, me qellim qe spekullimi i ketyre gjeneraleve te veshur me rrobe prifti te marre fund bashke me planet e tyre.

FAMULLTARI

ATE NIKOLLA MARKU

Filed Under: Opinion Tagged With: Ate Nikolla, Janullatos, Marku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 852
  • 853
  • 854
  • 855
  • 856
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Dilema e Ismailit”, një film sfidë e kinematografisë shqiptare
  • Pse prap zgjedhje? Pse kjo tallje?
  • RACIZMI NDAJ SHQIPTARËVE NË IDEOLOGJINË NACIONALISTE SERBE
  • Në përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
  • Vangjush Mio, korçari që qëndisi me dritë poetike, tablotë e shpirtit të peizazhit
  • Lavdi Komandantit të Përgjithshëm, Heroit Kombëtar Adem Jashari !
  • THEMELIMI I KOLEGJIT PAN-SHQIPTAR TË KIRURGËVE
  • PATRIOTI RRUSTEM GECAJ “NDERI I KOMBIT” SHTROI DREKË NDERIMI PËR PROF.DR. RIFAT LATIFIN
  • Zef Serembe, in memoriam…
  • Reading Di Lellio and Kraja’s The Strongest Link with Dr. Nevenka Tromp
  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT