• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

500 VJET NËN TURQI E 50 VJET KOMUNIZEM…

December 22, 2012 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Viti 2012 po mbyllet! Sejcili në mënyren e vet e festoi festen e 100 vjetorit të Pavarsisë! Çdo Shqiptar atë ditë me 28 Nandor, e ngriti goten dhe uroj “per shumë mot festen e Flamurit”! Atë ditë mu kujtue një ngjarje e ngjame në Shkoder rreth 80 vjet perpara në një darsem, ku ishin thirrë rreth 120 vetë në një nga shtëpijat e njohuna e në za të atij qyteti. Çifti i rij i jepte një knaqësi me pashinë e tyne të gjithë darsmorëve. Kohë e bukur me diell nën hijen e pemëve, me rreshtat e tavolinave të shtrueme me sofrabeza të bukur të punueme nga duertë e arta të grave të njohuna të Shkodres per këte mjeshtri. Sejcili i veshun ma bukur se tjetri. Nuk mungonte muzika që ndigjohej prej larg me tingujt e vet të muzikantave të njohun aso kohe. Porsa hynte njeriu tek dera e oborrit, djelmë të rij të shoqnonin simbas zakonit. Nuk diskutohet fare pija apo bolleku i mezeve dhe frutave mbi tavolina. Sejcili shoqnon japrakun apo pilafin me kangen e vet… Dikund në ndonjë grup ndigjohet e qeshuna me za të naltë nga komikët e shperndamë, që mbajnë me kujdes gzimin dhe harenë nder kater anët e asaj darsme aq të kandshme për të gjithë. Nuk ka ma mundësi as Pjeter Gjini me qendrue në vendin e vet, po me kitarrë fillon bejtat e Tij… Qeshen të gjithë darsmorët e besa edhe disa kalimtarë, që ndalojnë me ndigjue humorin e Tij… Pihen edhe kafet e dyta dhe ndokush fillon me u çue, mbasi edhe koha ka ecë, afrohet mesnata. Kanë ardhë me diell e po çohen me hanë… Tek dera para se me dalë asht një burrë që mbasi i pershndetë të gjithë darsmorët, u len në dorë me porosi të plakut të shtëpisë sejcilit nga 1 napolon ar. Nuk ishte zakon po ngjau edhe kjo që nuk pritej nga asnjeni! Mbas pak ditësh plakut që ua dha edhe nga 1 naplon darsmorëve, filluen me i ardhë lajme pakënaqësije… “Pse mue që më ka mik tash 100 vjet më dha 1 napolon, sa atij që nuk ka as dhjetë vjetë që i ka shkelë prakun e derës?!”…

Kështu, ne Shqiptarëve, na ngjet në darsem po edhe në raste vdekje edhe pse sot askush nuk të jep “1 napolonin ar”…tek dera e oborrit. Pa marrë këthesen e rrugicës fillon me u diskutue “edhe ke kishte vue në krye të vendit!?”, e sa e sa vrejtje rreth veshjeve e buzqeshjeve…

Kanë kalue 100 vjet që asht shpallë Pavarsia e Shqipnisë! Jam i sigurtë se edhe në diten e Festes së Madhe të 28 Nandorit 2012, ka pasë kënaqësi e sa të duesh pakënaqësi! Shkodranët e vjeter edhe në kjoftë se heshtin në zemer kanë të ndryem një “mulla” të mbushun me pakënaqësi.

Mund të pyesin dikush, po nga kush janë të zemruem? – Kryesisht, nga mosardhja e Erdogan që pritej me kenë në Tiranë! Ai me siguri asht zemrue se festa nuk duhej festue me një tortë, po aty duhej t’ ishte një kazan i madh me hallvë të ngrohët dhe mandej, shih apo afrohej njeri me u perlue me te… Sillen armët e Perkrenaria e Gjergj Kastriotit prej Vjene, dhe as nuk vehet të pakten një heshtë apo gjyle turke, me të cilat u perdhosen sa kështjella njenambastjetres. Vehet mu në qender të Tiranës libri i Mesharit, dhe as nuk i bije nder mend kujt me vue aty afer të pakten “një hû”, në shenjë kujtimi per të gjithë Ata Klerikë Katolik Shqiptar që turqit i ngulen nder ta, kur nuk pranuene me mohue Fenë e të Parëve! Në fund të fundit “hûni” nuk simbolizon terrorin turk, mbasi ai “hû” nuk iu nda asnjëherë Klerikëve tanë, as mbas 1912 e deri në 1989.

Prap, njëfarë njerzije u tregue jo vetem nga qeveritarët e Tiranës, por edhe nder disa prej ligjeratave të “thata” (per mos me perdorë gjuhen e shkodranëve), ku me një pafëtyrësi që nuk mund të merret me mend, e papame deri sot në asnjë tubim pervjetori, “nuk zehet me gojë fare Gjenocidi 50 vjeçar i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, kunder Atdhetarëve dhe Klerit Katolik Shqiptar, i pashembullt në të gjitha vendet komuniste të Europës Lindore!”. Mohohet haptas dhe paturpësisht Gjaku i derdhun i 66 Klerikëve dhe vuejtjet e pakrahasueshme nder hetuesitë dhe  kampet e shfarosjes të 132 Klerikëve Katolik Shqiptar, që u vranë e vujten per Atdheun e Tyne!

“Harrohet” Dedë Gjo’ Luli! Ikë i kercnuem per vrasje Don Nikollë Kaçorri dhe këthehet me sharabajkë, vritet At Shtjefen Gjeçovi, varet Don Gjon Gazulli, vitet ndjekin njenitjetrin që nga 1913…Fillojnë vrasjet me Prekë Calin e 118 Burra të Kelmendit në 1945, zhduken nga anadollaku Enver Hoxha të gjithë Klerikët Katolik Shqiptarë, që menduen e punuen gjithë jeten per Shqipninë Europjane, e bashkë me Ta, dhe të gjithë Ata Atdhetarë Muslimanë Shqiptar tue fillue nga Muzafer Pipa, Fahri Rusi etj…Me urdhën të agjentit Bosjes e të Moskës Ramiz Alisë, shkatrrohen të gjitha Kishat Katolike bashkë me Kishen e Vaut të Dejes, ku asht kunorzue Gjergj Kastrioti, të gjitha deri në vitin 1967 dhe askush nuk i zenë me gojë…

E vrasësit shkatrrimtarë t’ Atdheut janë sot “Heronjë”…të 100 vjetorit Pavarsisë…

***

“Populli Shqiptar festoi me madhështi festen e 28 Nentorit 2012..” njoftojnë TVSH, dhe gazetat e mbarë Shqiptarëve të Globit… – Per cilin “Popull Shqiptar” bahet fjalë ?

Si bahen “100 vjetë” Pavarsi Kombtare ?! Po Shqiptarët tjerë ku janë ?

E shitësit e Trojeve Shqiptare vazhdojnë me u nderue në shtreten topash…

Ua ka thanë 70 vjet ma perpara At Anton Harapi: “Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin kulturor e kombëtar, por personalitetet që me cilësitë e nalta morale e me zotësi ditunore janë ata, që bajnë pikën e gravitetit në një popull…

A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé! Ja, ky asht besimi, e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer… Nuk shpeton jo sot, as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë.” (“Nderim per bindjet e të tjerëve”, Korrik 1944).

E fjalët e Tij të daltueme në fletët e Historisë së Shqipnisë mos harroni se i di Europa, Anglia, Amerika, Turqia, Rusia, Serbia, Greqia; i di edhe Franca e Italia; e para të gjithë këtyne i di Austria e Gjermania; po, i dijnë edhe të gjithë armiqtë e tradhëtarët e Popullit Shqiptar, per të cilët Historia e Shqipnisë: “një ditë” do të thotë edhe ajo Fjalen e vet!

 

Melbourne, Dhjetor 2012.

Filed Under: Opinion Tagged With: 50 vjet ne Komunizem, 500 vjet ne Turqi

SHKRUAR MË 21 DHJETOR 2012, NË DITËN E PARË TË EGOS GLOBALE

December 21, 2012 by dgreca

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/

I shkruaj këto radhë në këtë ditë, duke qenë absolutisht i bindur se forumet përkatëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, herët a vonë, ndoshta shumë shpejt, do ta shpallin 21 dhjetorin Ditën Ndërkombëtare të Dalldisë, me një fjalë, Ditën e Egos Globale, pra të unit global.

Është kjo dita e parë kur ne ndihemi të kërcënuar globalisht, të rrezikuar globalisht, të dalldisur globalisht, të prekur globalisht nga e njëjta mandatë. Është dita e parë kur ndihemi globalisht të njëjtë, të barabartë përballë së panjohurës. Dhe e pranojmë globalisht se ajo, e panjohura, do të ekzistojë gjithmonë.

Egoja globale, sot më shumë se kurrë, ndihet e individualizuar në shkallë kolektiviteti planetar. Falë internetit, materializmi konsumist i shndërruar në fanatizëm dogmatik përjeton kulmin e tij të parë.

Pikënyja e delirit global është kalendari i fisit meksikan Maya, përfundimi i të cilit është përkthyer si fundi i botës nga logjika arbitrare e trurit tonë kolektiv.

Autorja amerikane Anya Schiffrin ka shkuar dje në provincën e Jukatanit, Meksikë, dikur pjesë e perandorisë Mayane. “Ndonëse rusët dhe kinezët po dridhen nga fundi i botës i nesërm, këtu në Jukatan nuk ia vërshëllen njeri” interpretimit fatalist të kalendarit Maya.” As në kryeqytetin meksikan ku njerëzit mendojnë vetëm se çfarë do të bëjë qeveria e re e Partisë Institucionale Revolucionare, e kthyer në pushtet pas 12 vjetësh, çfarë do të bëjë presidenti i ri Nieto, i betuar në detyrë më 1 dhjetor 2012.

Presidenti i ri është i njohur në Meksikë për dy gjëra – se është martuar me një aktore yll të filmave soap opera dhe se nuk mban mend tre tituj librash që t’i ketë lexuar në jetën e tij. I pyetur për Biblën ai gjithashtu nuk mban mend asnjë fjalë, asnjë fjali. Megjithatë, shkruan Schiffrin, ai ka sjellë nga bota e zhvilluar grupe elitash meksikane, të ngarkuar për të kryer reforma shndërruese në gjithë jetën e vendit. Pra, shkruan ajo, qeveria është në ditët e saj më të ëmbëla të muajit të mjaltit, ndërsa përkrahësit e saj e kanë mendjen tek kapitulli i ri në jetën politike dhe aspak tek keqinterpretimet e kalendarit.

Në formë gazmoreje, vendasit tregojnë se investuesit italianë, duke pritur një fund bote si në kohën e Nuhut, kanë ndërtuar vila në majat më të larta të maleve më të larta. Vetë meksikanët i shikojnë veçoritë e vendit të tyre si mundësi zhvillimi, si mundësi të lulëzimit të turizmit, si mundësi të rritjes së investimeve të huaja.

Për të shmangur panikun, sipas gazetës, La Verdad (E vërteta), qeveria po ndërmerr patrullime në pesë zonat Mayane. Duke përfituar nga fama e kësaj zone, e kulmuar nga thashethemi për fundin e botës, kërkesat e turistëve të huaj këto ditë janë marramendëse, saqë vetë qeveria po merret me organizimin e spektakleve me kërcime karakteristike vendëse, me leksione, ceremoni të mbjelljes së pemëve, panaire, ku janë në qenë astrofizikanët, improvizimet e ritualeve Mayane etj..

Aktivistja kontraverse guatemalase, shkrimtare dhe laureate e çmimit Nobel Rigoberta Menchu, shkruan Schiffrin, zbarkoi këtu këto dotë dhe i bëri thirrje botës të kuptojë potencialet e kulturës Maya për të ndihmuar ndërtimin e harmonisë globale.
Në fakt, atmosfera që krijoi keqinterpretimi i kalendarit Maya, së paku shënoi shkallën e lartë të globalizimit të arritur në kohën tonë. Ku çdo thashethem përshkon planetin brenda sekondës. Tregoi edhe për një egoizëm të globalizuar dhe të shfrenuar në trajtën, siç përmenda, të materializmit konsumist të skajshëm. Le të kujtojmë se pothuaj të gjithë të intervistuarit nga mediat këto ditë nëpër rrugë, nëpër shtëpi, nëpër lokale, nëpër vendet e punës, thonë se do ta kalojnë sa më çakërqejf ndërkohën ku përfshihet 21 dhjetori 2012.

Atmosfera që rrethoi 21 dhjetorin 2012 ishte ndërkaq një provë për besimtarët e vërtetë. Librat e shenjtë e thonë qartë dhe shkoqur se Apokalipsi (Kijameti), Fundi i Botës do të vijë pa pritur e pa kujtuar, nuk do të jetë gradual, do të jetë i menjëhershëm, ndërsa kohën se kur ndodh nuk e di askush tjetër përveç Zotit.

Në provë u vu edhe shkalla e dijës njerëzore. Ata që janë të përditësuar me arritjet e shkencës, e dinë se, duke gjetur edhe në rrethana të tilla në shërbim të njerëzimit, do të gjente mënyrën dhe nuk do t’ia fshihte njerëzimit shenjat e zbuluara prej saj, çfarëdo të ishin ato.

U vërtetua, mendoj, se Njerëzimi ende është foshnjë. Një foshnjë që e llaston vetveten, në pritje për ta llastuar dikush tjetër. Një kërkim që e çon drejt kureshtjeve fatale

Për të qenë pjesë e globalitetit, edhe unë kam pranuar, në mënyrën time, që të identifikohem me përjetimet e bashkëplanetësve të mi. Kam kërkuar dhe gjetur strehë tek një koleg. Kam përkthyer kështu poezinë “Një këngë për fundin e botës” të nobelistit polakoamerikan Ceslav Milosh.
–
NJË KËNGË PËR FUNDIN E BOTËS
Nga CZESLAW MILOSZ (1911-2004)

Në ditën kur bota mbaron
Një bletë i vjen rrotull një tërfili,
Një peshkatar hedh një rrjetë të ndritshme.
Delfinë të lumtur hidhen në det,
Me ajrin e shiut harabelët e rinj po luajnë
Dhe gjarpëri ka lëkurë të artë si gjithmonë.

Në ditën kur bota mbaron
Gratë ecin nëpër fushat nën çadrat e tyre,
Një pijanec e merr gjumi buzë një lëndine,
Shitësit e perimeve bërtasin në rrugë
Dhe një varkë të verdhë vjen afër ishullit,
Zëri i një violinë zgjatet në ajër
Dhe na çon në një natë xixëlluese.

Dhe ata që pritën rrufe dhe bubullima
Janë të zhgënjyer.
Dhe ata që pritën shenja dhe trumpeta kryeengjëjsh
Nuk besojnë se po ndodh tani.
Për sa kohë që dielli dhe hëna janë lart,
Për aq kohë sa bletët punëtore vizitojnë një trëndafil,
Për aq kohë sa foshnjat lindin të trëndafilta
Askush nuk beson se kjo po ndodh tani.

Vetëm një plak i moçëm flokëbardhë, i cili duket të jetë një profet
E prapë nuk është një profet, sepse ai është shumë shumë i zënë,
Tek po përsërit ndërsa lidh domatet e tij në kopsht:
Nuk do të ketë tjetër fund të botës,
Nuk do të ketë fund tjetër të botës.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: me 21 dhjetor, shkruar, Skender Bucpapaj

NJË VIT VDEKJEPRURËS PËR GAZETARËT

December 20, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (KMG),  (Committee To Protect Journalists),  një organizatë jo-fitimprurëse me qëndër në Nju Jork e cila promovon lirinë e shtypit dhe mbron të drejtat e gazetarëve, në një raport të posaçëm thotë se viti 2012 ishte një ndër vitet më vdekjeprurëse për gazetarët anë e mbanë botës.   Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se numëri i gazetarëve të arrestuar është më i larti ç’prej vitit 1990, duke identifikuar 232 gazetarë të burgosur anë e mbanë botës, 53 më shumë se vitin e kaluar.   Raporti thotë se burgimet e shumta të gazetarëve gjatë vitit 2012 në Turqi, në Iran dhe në Kinë e kanë ngritur numërin e gazetarëve të arrestuar në një nivel rekord.   Këto tre vende që sipas KMG,  janë vendet më të këqia për të punuar si gazetar dhe përdorin ligje të paqarta për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve.  Raporti citon Mehmet Ali Birand një kryeredaktor i stacionit Kanal D në Stambollë, se “këto ligje nuk diferencojnë midis një gazetari që ushtron të drejtën e shprehjes së lirë dhe një individi që mbështetë terrorizmin’’, duke shtuar se zbatimi i ligjeve për veprimtari anti-shtetërore kundër gazetarëve është një “sëmundje kombëtare’’.  Sipas raportit, të pakën 49 gazetarë mbeten të burgosur në Turqi.

Anë e mbanë botës, thuhet në raport, akuzat për veprimtari anti-shtetërore siç janë terrorizmi, tradhëtia dhe subversioni, ishin akuzat e ngrehura më së shumti kundër gazetarëve gjatë vitit 2012.   Sipas raportit, gjatë këtij viti, vrasjet u shtuan me 42 për qind për gazetarët, të cilët ndër të tjera mbulonin luftimet në Siri, në Pakistan dhe Somali dhe thuhet se organizata KMG është duke bërë hetime në lidhje me rrethanet e vdekjes së 30- gazetarëve të tjerë.

Duke vazhduar dhënjen e statistikave vjetore për vrasjen e gazetarëve anë e mbanë botës, organizata për mbrojten e lirisë së medias, thotë se nga 68 vrasjet, 28 prej tyre janë vrarë duke mbuluar konfliktin në Siri.

Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Xhoel Sajmën tha me rastin e botimit të raportit se megjithëse pothuaj çdo aspekt i gazetarisë ka ndryshuar falë teknologjisë së re, detyra kryesore e gazetarit nuk ka ndryshuar, mbetet ajo që ka qenë gjithmonë duke shtuar se, ”Gazetarët janë dëshmitarë”.  ”Kur vriten gazetarët”, tha ai, ”mundësia për të mësuar se ç’po ndodhë në krizat kritike globale zvogëlohet ndjeshëm, ose zhduket fare.”   Ai përmendi Sirinë si shëmbull, ku aq shumë gazetarë janë vrarë duke u përpjekur të bëjnë punën e tyre me qëllim për të informuar botën mbi ato që po ndodhin në atë vend.   Raporti njofton se gjatë trazirave dhe luftës në Siri, janë vrarë të pakën 67 gazetarë duke mbuluar luftën ose pasi ishin venë në shënjestër për t’u vrarë nga forcat qeveritare ose ato të opozitës.

Në një statistikë interesante, KMG thotë se një e treta e gazetarëve të vrarë ishin nga ata që punonin ”on-line”, ngritje e dukshme këjo, sipas raportit, në krahasim me një vit më parë për këtë kategori gazetarie.  Kina, sipas raportit të organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, më shumë se çdo vend tjetër ka përdorur ligjet për veprimtari kundër shtetit, për të burgosur gazetarët dhe shkrimtarët  “on-line’’, të cilët shprehin pikpamjet e tyre disidente si dhe gazetarët që mbulojnë pakicat etnike në atë vend.  Në këtë kategori gazetarësh të burgosur përfshihet edhe redaktorja e portalit Klubi i Grave Iraniane, Zhila bani-Yaghoub, e akuzuar për “propagandë kundër regjimit.’’

Gjithashtu në raport thuhet se nga të ashtuquajturit ”qytetar-gazetarë”, të cilët kanë shërbyer si burime lajmesh për organizata ndërkombëtare lajmesh, kanë pësuar vdekjen 13 prej tyre.   Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, në Pakistan janë vrarë shtatë gazetarë dhe në Brazil u vranë katër gazetarë, megjithë angazhimet e atij vendi për të zbatuar ligjet ndërkombëtare dhe për të respektuar të drejtat e njeriut.  Gjithashtu sipas raportit, ”dhunë e jashtzakonshme”,  është përdorur edhe në Meksikë për të censuruar shtypin.  Vendet e tjera, që përmenden në raport si abuzuese të gazetarëve, përfshijnë Eritrenë e cila mban 28 gazetarë të burgosur, Vjetnami me 14 gazetarë në burg, Azerbajxhani me të pakën 9 gazetarë nën akuza të ndryshme, të pasuar nga Etiopia, Uzbekistani dhe Arabia Saudite.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë, në përmbyllje të raportit, se nuk beson që gazetarët të burgosen vetem e vetem sepse kryejnë punën e tyre gazetareske dhe shton se i ka dërguar letër — duke shfaqur shqetsimet e tij serioze — çdo vendi që ka burgosur madje edhe një gazetar, dhe shton se përpjekjet e kësaj organizate në mbrojtje të gazetarëve kanë përfunduar në lirimin e të pakën 58 gazetarëve anë e mbanë botës.

Liria e shtypit është një e drejtë  themelore e njeriut dhe çdo shtet do të duhej të respektojë dhe të mbrojë  ata të cilët i raportojnë të vërtetën bashkqytetarëve të vet, megjithë sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballen gazetarët.  Vende të ndryshme të botës kanë ligje të ndryshme në lidhje me lirinë e shtypit dhe të fjalës, por të gjitha shtetet kanë nënshkruar Nenin 19 të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e njeriut, nen i cili mbron lirinë e të shprehurit dhe të drejtën e lirisë së shtypit.  Por në fund të fundit, pa marrë parasyshë se cilat janë ligjet mbi lirinë e shtypit dhe si zbatohen ato, siç ka thënë edhe Xhorxh Orvelli,  “nëqoftse shumica e popullit   beson në lirinë e shtypit, atëherë do të ketë liri shtypi,  edhe nëqoftse e ndalon ligji, por nëqoftse  opinioni publik nuk është i vendosur për të mbrojtur këtë liri, atëherë pakica që beson në lirinë e shtypit do të përsekutohet, madje edhe nëqoftse ligjet ekzistojnë për t’a mbrojtur atë’’.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Frank shkreli, nje vit vdekjeprures, per gazetaret

Kultura e lirisë përballë mizeries morale

December 19, 2012 by dgreca

Ndue Ukaj/

Kosova duke kaluar nga robëria në liri dhe nga liria deri te pavarësia, ka realizuar kështu dy aspirata fundamentale, të cilat ja kanë mbajt gjallë shpirtin veprues dhe dinamikë ndër vite. Mirëpo, pas përmbyllës së këtyre dy etapave, ka munguar dhe vazhdon të mungoj ideja mbi çfarë baze morale dhe intelektuale synohet te ndërtohet vendi. Kjo gjendje, ka krijuar amulli dhe plogështi në vend.

Çdo shoqëri, në çdo kohë, ushqehet nga disa ideale të larta, që bahen parime të brendshme dhe që e mbajnë gjallë. Mbi këto parime e ideale, krijohet kulturua e interesit të përbashkët.

Pas sendërtimit të aspiratës për liri dhe pavarësi, shqiptarët e Kosovës e kanë humbur busullën e orientimit. Nuk ka më ndonjë parim intelektual e moral mbi të cilin synohet të ndërtohet vendi ynë. Nuk ka më ndonjë ideal që e ushqen qytetarinë tonë. Përkundrazi, qytetarët e këtij vendi, ushqehen me të keqen dhe e keqja ka filluar të bëhet parim i përditshëm, që i ofrohet nëpërmjet politikës, arsimit, medias, etj. Përballë kësaj gjendje degraduese, asnjë alternativë e shëndoshë dhe shpresëdhënëse, s’duket në horizont.

Mungesa e një alternative dhe e një ideje progresive e pozitive, ka bërë që një shoqëri e tanë të rrokulliset ne mizerie morale. Në këtë situate, ku kapadaillëku i ka zënë vendin inteligjencës, është e vështirë me prit zhvillime pozitive. Shoqëria jone, është lirua nga prangat e robërisë, por s’e ka kultivua kulturën e lirisë dhe demokracisë. Në mungesë të kësaj edukate dhe në mungesë të edukatorëve, mediokriteti ka lëshua rrënjë kudo, duke e shndërrua mosdijen në një normë të pashkruar, por të domosdoshme për “suksese”. Kjo ka sforcua tej mase një klasë pseudopoltikanësh e psuedoanalistësh. Kosovës, tashmë një kohë të gjatë i mungon një klasë idealistësh e intelektualësh, që guxojnë, por edhe që dinë t’i dalin përballë të keqes, jo me një të keqe tjetër, por me një ide më të mirë. Kosovës, i mungon një klasë intelektuale, që duhet të dalë dhe të jep alternativa të shëndosha e të motivuara nga idealet e mirëbërsisë (koncept i Branko Merxhanit).  Kjo gjendje, ka bërë që ideali i njerëzve tanë të jetë fudullëku, pushteti pa meritë, dija pa kritere, arritja pa mund, karriera pa punë. Këto vese, na kane çorientuar gjithë sistemin. Një kastë mediokrish e rrahagjoksësh drejtojnë vendin, ndërkohë që partitë, mediat, institucionet akademike dhe arsimore, janë shndërrua në duzina që prodhojnë numër dhe jo cilësi. Në Kosovë,  është fashitur çdo ideal për të krijuar një shpirt unik e shtetformues. Në anën tjetër, sentimentet ndaj pushtuesve osman janë shtuar dhe rritur deri në dashuri, ndërkohë që adhurimi për vlerat tona të njëmendta bie çdo dite e me shumë. Shqiptarët e Kosovës jetojnë pa ndonjë ideal të lartë, pa asnjë synim madhor, pa asnjë qellim afatgjatë dhe pa plane strategjike shtetërore. Këndej pari, këto parime i ka zëvendësuar improvizimi dhe alibia e arsyetuar banalisht: për ne kujdesën të huajt. Në gjithë këtë amulli, një rol tejet negativ kanë luajtur edhe mediat, të cilat nuk kanë bërë përpjekje minimale të jenë në shërbim të së drejtës, të së mirës dhe të përhapjes së kulturës së lirisë, që është porta e vetme drejt demokracisë së shëndoshë.

Çfarë i duhet shoqërisë sonë? Këtë pyetje e shtrojnë idealistët e paktë, që me ankth e shqetësim shestojnë rrokullisjen e shoqërisë sonë në mizerie morale, që zënë fill me debatet absurde në tempullin e demokracisë (parlament) dhe aneminë e opozitës për të dhanë një ide shtytëse më të shëndoshë e më progresive. Po këtë anemi, e ndeshim edhe në sferën e përgjithshme publike, te shoqëria civile, mediat dhe intelektualët. Andaj, Kosovës më shumë se kurrë, i duhet një ide e re shoqërore, që i del përballë të keqes që ka triumfuar kudo. Kjo s’është e lehtë, por s’është e pamundur. Duhet një ide e mire, që pikësynim ka interesat e përgjithshëm dhe të mirat e përbashkëta. Kjo filozofi ndërton ideale të përbashkëta. E kjo behet nëpërmjet një klase të shkolluar mirë dhe me parime të shëndosha humane dhe kombëtare, nëpërmjet një inteligjencie që është e aftë dhe e guximshme m’i këput zinxhirët e mendjes, siç do te kërkonte F. Konica. Katandisja jonë në mizerie është bërë me vetëdëshirë. Ne vendin tonë, ende nuk shihet një frymë e re, as ne media, as në kulturë, as ne sferat tjera, qe do t’i thoshte me dije dhe alternativa stop te keqes dhe njëkohësisht do të shfaqte alternativa e ide të menduara mirë, në përkim me ambiciet e vendit. Politika ka përgjumur edhe atë klasë intelektuale që kemi pas. Një pjesë e ka fut nën sqetullat e pushtetit dhe e ushqen me ndonjë kockë, sa për t’ia mbyll gojën. Një pjesë e ka katandis në mjerim ekonomik. Mediat dhe analistët e shumte, janë ose mediokra ose shfaqen me ide rrënues. Nuk mjafton vetëm të kritikohet ky sistem dhe ky pushtet. Duhet dhënë alternativa e ide të qarta si dilet nga kjo gjendje. Opinioni publik, është i uritur për ide kreative dhe ndërtuese. Ai nuk ka nevojë për kundëride të këqija. Në këtë sens, e shoh tejet shqetësues fakti se edhe ato pak ide te ndryshme qe shfaqen në politikë e herë pas here edhe në media, s’kanë substancë, janë jashtë çdo realiteti kombëtar e ndërkombëtar dhe pak duken të jenë qëllimmira. Kjo ka bë që shoqërinë tonë ta kap një ndjenjë e plogështisë, ndërsa inteligjencien e paktë, një ndjenjë e indiferentizmit, e arsyetuar me fjalët: asgjë s’bahet më mirë. Populli, po ashtu ushqehet nga një ndjenjë të perkohëshmerise. Kombet nuk ushqehen me ndjenjat e përkohshme, sikur çdo gjë ndodh për sot. Kosova ka nevojë për një rilindje te re shpirtërore, e kjo tashmë është bërë nevojë imediate.

E keqja më e madhe shoqërisë i ka ardhur nga degradimi i inteligjencies. Ky degradim i ka krijuar kushte te favorshme kësaj kaste politike, që gjendet ne deficit të gjithfarshme, m’u sjell si te dojë me fatin e një vendi. Kjo degradim, ka shkërmoq idealet dhe sot, politika është bërë ushqim dhe shujtë e përditshme për shqiptarët. Kultura, është marxhinalizuar, ndërkaq njerëzit e kulturës, trajtohen si “për gjynah”. Nuk ka mundësi një komb me ec drejt përparimit, pa pas edukatorë, njerëz të kulturës, njerëz te dijës, qe dinë ta ushqejnë me vlerave të njëmendta.  Është tashmë fakt i pranuar se politika ka ngulfatur çdo gjë. Ne shohim sesi njerëzit e konjukturave të ndryshme, varin maska dhe atyre ju besohet verbërisht. Këtu bëjnë pjesë edhe disa pseudo akademikë, që të vetmen gjë që e bëjnë mirë për Kosovën është mjegullnaja dhe plogështimi i shoqërisë.

Kosova duhet ta flakë idenë se shteti jeton për vete dhe luksin e tij.  Vendi ynë duhet të ushqehet me ide tjera, me ide kulturore e ideale kulturore, sepse vetëm këto ide e ideale, mund ta mbajnë gjallë fanarin e ndezur të një shpirti gjallërues kombëtar.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kultura e lirise, mizerja morale, Ndue Ukaj

ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA NDERON NËNË TEREZEN

December 19, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Më 1985 Nënë Tereza ishte ftuar të fliste para Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara me rastin e 40-vjetorit të themelimit të kësaj organizate botërore.  Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara në atë kohë Perez de Cuellar, e paraqiti murgeshën shqiptare Nënë Terezën me këto fjalë:  ”Këtu është një sallë fjalësh.  Disa ditë më parë në këtë tribunë  folën burrat më të fuqishëm të botës.  Mirëpo, tani kemi privilegjin të kemi mes nesh gruan më të fuqishme në botë.  Nuk besoj se është e nevojshme  tua paraqesë atë.   Ajo nuk ka nevojë për fjalë.  Por Ajo ka nevojë për veprat  tona.  Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjë unë është ta nderoj atë dhe tu them se ajo është më e madhe se unë, ajo është më e madhe se të gjithë ne së bashku.  Ajo është  Kombet e Bashkuara.  Ajo është paqëja në botë.”

Sipas gj asës, duke përfillur fjalët e ish-Sekretarit të Përgjithëshëm Cuellar, se Nënë Tereza kishte nevojë për veprat dhe jo fjalët e OKB-së, të hënën pasdite më 17 Dhjetor, Asambleja e Kombeve të Bashkuara shpalli 5 shtatorin, dita kur ka ndërruar jetë e lumnuara Nënë Tereza, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë.   Shqipëria, nepërmjet ambasadorit të saj Z. Ferit Hoxha ishte një nga vendet kryesore sponsorizuese të kësaj rezolute dhe Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara luajti një rol kyç në miratimin me konsensus të saj.  ”Nëpërmjet një lobimi të fuqishëm, rezoluta arriti të marrë bashkë-sponsorizimin e më se 20 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara”,  thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Republikës së Shqipërisë në lidhje me vendimin e organizatës botërore.

Në fjalën e tij me këtë rast, Ambasadori i Përheshëm i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha, pasi falenderoi Hungarinë për për punën që bëri gjatë konsultimeve për miratimin e kësaj rezolute, ndërkohë që theksoi rolin që luan dhe duhet të luaj Bamirësia në çdo shoqëri dhe në botë në përgjithësi, me krenari foli edhe për Nënë Terezën si simbolin e Bamirësisë në botë duke thënë:

”Duke zgjedhur datën 5 shtator, dita kur bota humbi Nënë Terezën, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë,  Asambleja e Përgjithëshme me këtë vendim ndihmon që ta bejë këtë ditë më domethënse për njerëzit anë e mbanë botës dhe në të njëjtën kohë i shërben më mirë objektivit të rëndësishëm për të njohur  më mire dhe për të mbështetur veprat e Bamirësisë anë e mbanë botës…..Shqiptarët do të jenë përherë krenarë me Nënë Terezen, për veprën dhe trashëgiminë e saj, gjë që ne e konsiderojmë si dhuratën më të mirë që mund t’i kemi dhënë njerëzimit.”

Ambasadori shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha u tha delegatëve se ”Ne do të kujtojmë gjithmonë njërën prej thënjeve të saj, pasi këjo deklaratë nënvijon esencën ose thelbin e veprës së Nënë Terezës: ”Me gjak jam Shqiptare. Me shtetësi jam Indiane.  Me besim jam murgeshë katolike.  Si e tillë, i përkas të gjithë botës”.

Është ekzaktërisht këjo thirrje e Nënë Terezës, përfundoi ambasadori shqiptar pranë OKB-së, që do të festohet çdo vit me 5 shtator për të kujtuar rolin e pazëvendsueshëm të Bamirësisë në çdo shoqëri dhe në çdo vend të botës, ashtuqë të njihet edhe puna dhe kontributet, në këtë fushë, të të gjithë personave të ndryshëm dhe nga rajone të ndryshme anë e mbanë botës.

Ministria e Punëve të Jashtëme e Shqipërisë, nepërmjet një deklarate për mediat e ka përshëndetur këtë vendim, me të cilin, sipas saj, ”vendet anëtare të OKB-së, duke njohur e vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të akteve të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore, i bëjnë një homazh të merituar aktivitetit e trashëgimisë së Nënë Terezës, e njohur ndërkombëtarisht dhe e vlerësuar botërisht për përkushtimin dhe punën e saj gjatë gjithë jetës në ndihmë të të sëmurëve, të varfërve e njerëzve në nevojë”, përfundon deklarata e Ministrisë Shqiptare të Punëve të Jashtëme.

Nuk ka emër më të madh as më të mirë se Nënë Tereza,   siç tha edhe ambasadori shqiptar pranë OKB-së, Z.  Ferit Hoxha – rreth të cilit të  mobilizohen burimet botërore njerëzore dhe materiale, përfshirë edhe ato të OKB-së në përkrahje të rolit që luan Bamirësia, pasi sipas rezolutës, varfëria vazhdon të ekzistojë në të gjitha vendet e botës, pa marrë parasyshë situatat ekonomike, shoqërore dhe kulturore.

Filed Under: Kronike, Opinion Tagged With: Fran Shkreli, Nene Tereza, OKB

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 852
  • 853
  • 854
  • 855
  • 856
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT