Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Lajmi është dhënë nga EurActiv, kush dëshiron që ta lexojë vetë, ja ku është linkuhttp://www.euractiv.com/enlargement/eu-ministers-send-mixed-messages-news-516498, ku mësohet nga burime diplomatike që vijnë direkt nga Brukseli se Ministrat e BE-së nuk do t‘i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat gjatë takimit të javës së ardhshme, i cili pritet të mbahet më 10 dhjetor, ndërsa mësohet se një vend si Hollanda ka kundërshtuar fuqishëm dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.
EurActiv shkruan se ka shumë gjasa që Serbisë t‘i hapet drita jeshile për fillimin e bisedimeve të pranimit, gjithmonë nëse ka respektuar kushtet e vendosura, të tilla si përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën.
Një ditë më parë Organizata e njohur Transparency International publikoi indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2012, sipas të cilit Shqipëria renditet në vendin e 115 nga 176 shtete të përfshira në studim, duke rënë 15 vende më poshtë krahasuar nga një vit më parë e duke u renditur si vendi më i korruptuar i Ballkanit dhe në gjithë Europën Lindore.
Le ta bëjmë me bast – reagimet nga të dy kampet e politikës pas përhapjes të këtij lajmi, do të jenë një lumë akuzash kundër njëri-tjetrit. Taborret e maxhorancës, në të gjitha nivelet do të akuzojnë opozitën dhe liderin e saj se u bë shkaktari kryesor që Shqipëria ngeli jashtë për të tretën herë, sepse nuk votoi tri ligjet e kërkuara nga BE, duke vënë si pengesë qarkun e Fierit, ndërsa po ashtu nga opozita do të kemi të njëjtin llum akuzash, veç personazhet do t’i takojnë krahut tjetër.
Në fakt refuzimi për të tretën herë për t’i dhënë statusin e kandidatit Shqipërisë nga ana e BE-së, është një refuzim për klasën politike, të gjithën bashkë, e cila e ka patur në dorë që Shqipëria ta kishte marrë më 10 dhjetor statusin e kandidatit, bile ky status do të duhej të merrej që me herën e parë.
Klasa politike shqiptare, si maxhoranca, ashtu edhe opozita, si shefi i ekzekutivit, ashtu edhe lideri i opozitës morën mesazhe të qarta nga Perëndimi, që për hir të vendit të tyre, integrimit të Shqipërisë në BE, ata do të duhej t’i lëshonin pe njëri-tjetrit, të paktën njëri prej tyre, të demonstronte qytetari, civilizim dhe për një moment të vinte në balancë interesat e vendit me interesat personale apo të partisë.
Më 1 Nëntor Shqipërinë e vizitoi Sekretarja e Shtetit e SHBA, Z.Hillary Clinton, e cila i bëri thirrje lidërshipit që të bashkëpunonin për hir të interesave kombëtare të vendit, por asnjëra palë nuk e dëgjoi këtë mesazh dhe bëri shurdh-memecin ndaj aleatit tonë jetik, në sajë të të cilit vendi jonë sot është në NATO dhe siguria e Shqipërisë është në kuadrin e vendeve anëtare të Aleancës Verio-Atlantike.
Me shurdh-memecëri totale, indiferencë, megallomani, arrivizëm, egocentrizëm u reagua edhe ndaj të gjitha lutjeve dhe kërkesave që erdhën nga vendet anëtare të BE-së dhe Parlamentit Europian. U tallën me ta dhe me shqiptarët! Sepse de facto asnjëra palë nuk e do integrimin e Shqipërisë në BE, sepse nëse njëra palë do ta kishte dashur, padyshim që do të kishte sakrifikuar, qoftë sikur të humbte pushtetin apo të vazhdonte të mbetej në opozitë.
BE më 10 dhjetor nuk do t’ia refuzojnë statusin e kandidatit Shqipërisë, por klasës politike të saj, e cila ka mbetur në klasë për të tretën herë dhe si e tillë ajo nuk meriton që të përfaqësojë interesat e shqiptarëve, qëllimi i të cilëve, i shpallur që me rrëzimin e diktaturës 22 vjet më parë me sloganin “Të jemi si gjithë Europa”, është t’i bashkangjiten trungut të Europës.
Refuzimi i 10 dhjetorit, që ngel për të tretën herë klasën politike shqiptare, për mospërmbushjen e detyrimeve, duke u kthyer në një penalizimim dhe ndëshkim për çdo qytetar të Shqipërisë, sepse pengon integrimin e tij legjitim si qytetar i Europës së Bashkuar, duhet të jetë kambanë alarmi për çdo shqiptar të ndershëm, kudoqoftë dhe kushdoqoftë, pavarësisht bindjeve politike, që të mos pranojë kurrë më të jetë gur shahu në dorën e një klase politike klanore të papërgjegjëshme, e cila ka 22 vjet që mendon vetëm për pasurimin e saj, sepse me votën tonë ne vetë do të duhet të vendosim për fatin tonë, se prej kujt do të udhëhiqemi: prej satrapëve apo prej liderëve të denjë për besimin e popullit, të cilët me integritetin e tyre të pastër dhe përkushtimimin e tyre janë të gatshëm që për hir të interesave të vendit dhe qytetarëve të sakrifikojnë interesat e tyre politike.
Ky refuzim për të tretën herë që i bëhet Shqipërisë, për të marrë statusin e vendit kandidat, është një refuzim-denoncim që BE dhe Perëndimi bën për klasën politike të Shqipërisë në mënyrën më eksplicite të mundshme. Pas 22 vitesh tranzicion makabër, me një luftë gati civile midis, siç ishte kriza e 1997, kjo klasë politike duhet të dalë përfundimisht nga skena politike, ku hyri përmes prapaskenave që diktoi sistemi totalitarist në gjoja ikjen e tij skenike, teatrale. Pas refuzimi të tretë, nuk duhet të lejojmë më që Shqipëria të mbetet peng i kësaj klase politike, shtetarët e të cilit janë të denjë për shtetarë të Republika të Bananeve, por kurrë të një vendi anëtar të NATO-s, me një popull që ka 22 vjet që aspiron t’i ngjitet trupit të Europës, prej nga e ka prejardhjen e tij të lashtë prej të paktën tri mijë vitesh.