• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA GJERMANIA NEKI LULAJ NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

December 19, 2015 by dgreca

Neki Lulaj/

TAKIMI NEN RRAP/

Nën hijen e Rrapit mjegulla shkupiane bëhet copë e grimë/
Engjëjt shkundin gjer në të gdhirë degët e kujtesës/
Ndienjat kullosin mendimet e zgjojmë imazhet e fëmijërisë/
Malli pranë Bardharit shkumbues kositen në lëndinat e Shpresës/

Sa shumë mysafirë vijnë e shkojnë me turravrapin e erës/
Tinguj magjepsës margaritarët në jetën që prekim lëshojnë/
Gurëzojnë nën Rrap mjergullat mesjetare, muzat e poetëve/
Stërnipërit e Kongresit të Manastirit Kalosh Çeliku i bashkon/

Të bekuarit sot vijnë si zogjtë shtegtarë herët e vonë
Zbresin fytyrëqeshurit tek Ura e Gurit te këmbët e Olimbisë
Me pakë plaçka ngarkuar valixhet e shpirtit mbushur shkarkojnë
Me një mall bujku shkronajsh ecim në gjurmë të lirisë

Ende nuk jemi në dimër është një vjeshtë e begatë në sofra
Nga gëzimi Nënë Tereza po e fsheh lotin e fundit në qerpikë
Me fjalë magjike të shpirtit të bukur plagë i shëroka
E bashkojnë dashurinë e Muzave poetike nostalgjisë

LOTËT E HËNËS

Shpirti im do që Hënës t`ia fshijë lotin nën qepalla
E të bejë gjumëmblin në prehër a në një shtrat të mrekulluar
Unë hileqari, mëkatari i vjetër, pres ditë e netë më të bardha
Po i shkund degët e ullirit e po e thërras kujtesën e bardhë.

Po më rëndohen supet nga barra e dëborës së bardhë
Eci pandalur mbi bjeshkët e bekuara të Sharrit shqiptar
Desha t`ja puth asaj syrin e përlotur dhe dorën e ballë
E faqeve engjëllore t’i plasë lunnueshëm buzagazi i artë

Pa u djersitur nën kroin e vajit po druaj, fort po druaj
Se do të marrin vallë vërshimi e më dërgojnë në hon
Nga lotët e Hënës së kristaltë dhe unë qaj si një i mërguar
E dua që degëve të kujetsës t’ia heq rrudhat që rrudhojnë

Dua të ngjitem tatëpjetë me ty majës së hijeve të bardha
Të ulem mbi shkëmbin ku rrinim dikurë e sot mrizojnë zanat
Të pimë ujë në kroin e akullit ku dikur pat pirë Teuta e Rozafa
E të vargëzoj ca vargje bohemi që më burojnë si shigjeta të arta.\

Ti ma kthen bardhësinë nga yllësitë e praruara
Me shkëlqimin e honeve të mendjes që kurrë terri s’u bie
Pa eja bashkë t’i mbjellim ullinjtë e jetës që na la të menduar
Ne s`jemi shenjtorë, por trashëgimtarët e Evës si rreze hyjnie

Po më gulçon zemra si një tel i këputur që ecën mes stinëve
E nën gjethet vesës prek flokun tënd të artë të bukur
Më vijnë para syve si bariut tuba e deleve imazhe fisnikërie
Që ta thyejë mjegullën në botën e hijeve mes trishtimit futur

Të ulemi nën Rapin e Gjergjit atje ku të gjithë dalim fitimtarë
Pse kaq shumë mornica në trup, në duar,në sy dhe në shpirt?
S’e mbaj mend pse kaq shumë po më pickojnë këta vdekatarë
Pse ky mot kaq i vrenjtur, ky lumë kaq i turbullt, kaq i trishtë…
P.s.e. p… s…e…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ne Sofrene Diellit, neki Lulaj

AHMET KOLGJINI- Prap Dhimbje

December 18, 2015 by dgreca

Gazeta “Dielli” vazhdon t’ju sjellë pjesën tjetër të ciklit poetik të Ahmet Kolgjinit (1939-1999), nxjerrë nga vellimi me poezi botue ne vitin 1999 nga shtëpia botuese “KOHA”. Aktorët e krimeve jo vetëmse nuk kanë dhanë llogari, por nji pjesë e tyne po marrin dekorata.
Cikli i fundit i këtij vëllimi “Prapë dhimbje” përbahet nga tri njësi: “Marku”, “Nana Zadrimore”, dhe “Lili”. Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme.
Asgja nuk asht sendërgjim i fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fiktive me tërheqë lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime.
“I vdekuni nuk ka miq” thotë një fjalë e urtë. E vërteta ka. Ka pasë dhe ka me pasë gjithmonë. Nuk duhet të shtiremi sikur nuk i njohim dhe nuk i dimë të vërtetat, sepse kjo do të ishte nji vetvrasje në llojin e vet. Tue i njoftë e tue i pranue të vërtetat, mund të ekzorcizojmë të keqen, mund të korrigjojmë gabimet dhe mund të shmangim pasojat. Heshtja përban nji pranim të të keqes dhe, gjithashtu, nji pajtim me të keqen. Pajtimi me të keqen asht ligësi, bashkëjetesa me krimin asht krim.

MARKU
I
Çelësa e shula cingëritën për ibret.
Dera e dhomës hapet me rropamë
Tërmegshëm dyzet burra çohen n’kambë.
Hyn kapteri. Ngërdheshet. Shtyn nji skelet

Që shkapetet mu n’çimento, si i vdekun.
Nga turpi, ulin kryet, dyzet burra.
Supi lakuriq i dahet nga lëkura
Mishi-i verenikun, si mëlçi e pjekun

Koka: Golle e gunga e feje, gati
Për t’u këputë. Trishtim. Dhimbë. Mëshirë
Ngjall. Akuzë. Revoltë mishnon, i ngrati!

Kapteri del. Përtueshëm çohet Frati
I hullet: Nga vjen, si të quejnë, mor bir?
“Prej Tirane… Më thonë Mark Sakati.

II
As shtrojë, as mbulojë, as lugë, as tas…
Nji grumbull kockash ishte shtue n’kaush.
Lugë e tas, dha murgu Athanas,
Gjovalini – nji velenxë pa push.

Njeri pa njeri – Izeti prej Çamërie
Nji jastëk sajoi me rrecka t’shtatit.
Dhoma shpaloi gjeste bamirësie:
Diçka, për sevap, i dha “malukatit”

Paloka, i plagosun në Gomsiqe
Nxori prej jatakut, e tërhoqi branë
Me zor, tue u kollitë, nji postiqe.

Gjithçka u dha, çka ishte për t’u dhanë
Mandej, të lodhun, u shtriqën mënjanë…
Dikush, morriste, zellshëm, tartabiqe…

III
Sheh trembshëm Marku. Sytë s’i bajnë dritë.
Veshët i punojnë disi ma mirë.
Ankth janë ditët. Si nji ditë, përditë.
Buzqesh me mllef… Duket si satir…

Dergj natë e ditë. Nuk do me dalë
N’oborr. T’tjerët dalin. Ai rri fillikat.
Prej disa ditësh, pëshpëriten fjalë:
Dikush vjedh ushqimet… I ha në shtrat.

Mëngjez. Bilbili bie. Bahet zgjimi.
“Kapa hajnin” -thotë me gjeste t’preme
Shi si ngadhnjimtar, Gavrosh Kulimi…

Marku u drodh. Vështroi me tmerr. U skuq
Pastaj, mori nji çehre të zbërdheme…
Vari kryet!… E u mbështoll palmuç!…

IV
“Këlysh i Titos! Armik! Qen bir qeni!
Mut! Maskara! Të shkërdhefsha kurvën!
Horr! Hekurat shpejt! Ta sqaroni! Merreni!”
Rrapëllimat, jehojnë në korridor!…

Kështu, komisari e fajsoi viktimën.
– Dhoma ngriu në kambë, si e ngurosun –
Shkërçi dhambët, përmendi “ofiçinën”.
Ma mirë në vorr sesa i burgosun!

Nga asht Marku, vëllezën? -Pyeti Frati.
Heshtje… Izeti u flet të gjithëve, ashtu siç ishin:
“Asht kosovar… Këtu, s’ka njeri, i ngrati!”

Ptu! Jazëk na qoftë! Turp ma t’madh nuk ka!
Duerët i dridhen, nuk mbush dot kamishin
Hafiz Alushi e u la në lot, tue qa!..

V
Për krahësh – të bamë ulok, të plirun,
Kalaveshas, as gjallë as vdekë – e prunë…
Vetëm nji frazë shqiptoi, me za të ngjirun:
“Më falni! S’di si e paskam ba at’ punë…”

“Zia të marrka mendt, t’marrka fytyrën…”
U struk në batanije… E ma nuk bëzan.
Përditë, përshpirtshëm, lutet. Pret mynxyrën!…
Nuk tha gja tjetër… Nuk kish çka me thanë…

Nji ditë, n’agshol, pa ra në sy, Marku ikën!…
Shtati iu qetësue… Sytë iu fikën…
Të mbramen herë, Izeti iu gjet pranë.

Me ngashërim e cenë, sytë ia mbyll…
Dhoma, në heshtje e nderon… Dikush ofshan…
Shpirti qiejsh fluturon kah nji yll!

Qershor 1993
Shenim i autorit:
Marku, i mbrujtun me traditat ma fisniket dhe i pajisun me virtytet ma të lartat të gjinsit shqiptar, tue mos mundë me durue ma prepotencën serbe, i kthen shpinën vendlindjes dhe familjes së vet për të ardhë në vendin “amë”. Këtu, mbasi dështojnë orvatjet e Sigurimit për ta manipulue, e akuzojnë si agjent të UDB-së. Mbasi e mbajnë 14 muej në “ofiçinë” e dënojnë 25 vjet dhe e shpien në burgun qendror. Ditët e para ai nuk asht në gjendje me dallue të mirën nga e keqja, të lejueshmen nga e palejueshmja, të drejtën nga jo e drejta. Ai ishte lodhë për vdekje sa ve dorë mbi ushqimet e bashkëvuejtësve. Kur vjen në vete mbështet ballin në pllambën e djathtë e s’ia pa kush ma sytë. Mbas nja tre muejsh vdes.
Këtu duhet me vu në dukje nji mentalitet ma fort shqiptar sesa njerëzor. Me të marrë vesh se quhej Mark, shkriftohet gjithë dhoma (kaushi). Toskët mendojnë se u takon gegëve me nda kafshatën me Markun, sepse ai asht gegë. Muslimanët e ortodoksët mendojnë se u takon katolikëve. Katolikët nga ana e vet mendojnë se Marku asht prej Tirane a Durrësi. Këta të fundit mendojnë se asht prej Mirdite. Mirditorët mendojnë se asht prej Zadrime a nga Malësia e Madhe. Atë ditë që ai vdes, merret vesh se ai kishte qenë prej Prizreni. Të gjithë u mjeruen e u helmuen por pa dobi. Marku tashma ishte nda kso bote. Ai nuk vdiq, ai plasi. Këte të vërtetë dhoma e mësoi prej Izet Çamit i cili ma tepër se kushdo ljetër u tregue solidar me Markun tue i krye ndonji shërbim e tue i ndihmue me përkushtim deri në çastet e mbrame.
Vetë Izeti i rritun jetim në nji familje prej Shijaku, sepse nana e la të vogël kurse babën ia vranë grekët, mbasi mbaron shkollën fillore ruen dhentë. Nji ditë atypari kalojnë tre udhëtarë dhe i kërkojnë bukë. Çami i ri ua jep gjithë bukën që kishte në strajcë. Për këtë gjest bujarie e akuzojnë për strehim diversantësh dhe e dënojnë 16 vjet burg.
Shqipnia vuen për nji Shekspir!
Këto janë vetëm grimca, përballë tragjedisë së madhe. Të gjithë kemi për detyrë me e pranue me e njoftë dhe me shpallë të vërtetën.
***
Ne te njejtin vellim me poezi botue nga Shtepia Botuese “Koha” ne vitin 1999 (ate vit qe nderroi jete Ahmeti), gjindet edhe kjo poezi.Shpirti poetik i poetit ne kete poezi eshte i dlire dhe poezia shquhet per nota romantike. Kolgjini i kendon Myzeqese, si bukuri natyrore, pa permendur plaget,duke i lene menjane ne kete rast- gulaget e saj-kampet e internimit.

MYZEQE…

Furishëm nis të fryjë prej Divjake
Grunjat bajnë dallgë nëpër fushë
Çunat llokoçiten me ujë bërrake
Vashat lidhin rizat për nën gushë

Tej në fushë kostarët mprehin kosat
Dhent kullosin me oreks të madh
Në kor, tashma, guakin dhe bretkosat
Me hov lodrojnë qingjat në livadh

Hana del e plotë dhe përndrit dhenë
Bulkthi çërçërin, qeni leh te stani
Xixillonjat prarojnë Myzeqenë

Bujku hedh nji sy andej nga bostani
Gjithçka bie fashë… Çurlikon prroni
Fusha ndizet nur me ngjyra limoni…

Maj 1998

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Ahmet Kolgjini, Marku, Prap Dhimbje

Sofra e Diellit- MAGJISTRICAT

December 17, 2015 by dgreca

FASLLI HALITI*/
MAGJISTRICAT/
Dy/
Magjistrica,/
Të dyja lakuriq,/
Rrotullohen natën në lëmë,/
Bark më bark e kurriz më kurriz,/
Tërheqin hënën me litarë magjish/
Rrotull-rrotull magjistricat/
Rrotullohen/
Lakuriq,/
Bark më bark e kurriz më kurriz./

Me lakuriqësi tërheqin hënën/
Hëna/
Nis/
E zbret/
Duke zbritur nga qielli/
Si lopë shegane /
Pëllet. /
Rrotull-rrotull magjistricat
Rrotullohen lakuriq,
Bark më bark e kurriz më kurriz
Me lakuriqësinë të ftohtë tërheqin hënën.
Hënës
Zunë t’i fryhen gjinjtë
Hëna shegane
Pëllet.
Rrotull-rrotull magjistricat
Zbresin hënën tatëpjetë
Djersiten në gjoks,

Djersiten
Në supe, kurriz.
U duhet qumështi hënor,
Esenca e bardhë e magjisë.
Dhe bark më bark e kurriz më kurriz
Rrotull-rrotull magjistricat
Rrotullohen
Lakuriq
Dhe hënën tërheqin me litarë magjish
Dhe duke pëllitur si lopë nëpër natë,
Hëna
Ulet në lëmin me kashtë,
Qumështi i derdhet çurg nga gjinjtë
Magjistricat fusin qumështin në shishe
Esencën e bardhë të magjisë.
Magjistricat hënën
E mjelin
Si lopë.
Hëna
Pëllet…
Rrotull-rrotull magjistricat,
Rrotull-rrotull,

Lakuriq,
Bark më bark e kurriz më kurriz
Hënën e ngrenë prapë përpjetë

Dhe hëna si lopë shegane pëllet…

1995/

DORA/
Dora hapet,/
Mbyllet./
Dora /
Kap,/
Lëshon,/
Jep dhe merr,/
Vë dhe heq pranga,
Lidh dhe zgjidh zinxhirë,
Vë dhe heq litarin,
Godet dhe përkëdhel,
Ngul dhe shkul,
Ngre dhe shemb;
Mbiell dhe korr,
Hap e mbyll dyer,
Dritare.
Lan,
Lyen ;
Dora lan dorën,
E majta lan të djathtën,
E djathta të majtën,
Të dyja lajnë njera – tjetrën;
Dora
Është flori,
Dora është topuz;
Ndan, bashkon
Dora,

Është pykë,
Ndan dhe çan.
Dora pajton,
Dora bëhet grusht,
Bëhet pëllëmbë, qëllon,
Dora përkëdhel;
Flet me gishta,
Flet pa gramatikë,
Pa sintaksë,
Pa morfologji,
Pa gabime drejtshkrimore, ortoepike,
Dora bën dhe ç’bën çdo gjë.
Dora
Autore e çdo vepre,
Autore e çdo ndërtimi,
Autore e çdo konstruksioni,
Autore e çdo shembjeje, shkatërrimi,
Dora firmos lindjet dhe vdekjet,
Dora
Fut dhe nxjerr,
Mbërthen e zbërthen,
Ndez dhe shuan;
Gris
Dhe arnon,
Ngjit
Dhe shqit,
Qep dhe shqep,
Zbardh dhe nxin.
Njeriu s’bën dot pa duar.
Vetëm Zoti bën dhe çbën.
Të bëhet tha Zoti!
Dhe u bë.

U bë dita, nata
Qielli, dielli, hëna,
Yjet.
U bë toka dhe ujërat,
U bënë erërat, breshëri, vetëtima, rrufeja…
U bënë kafshët, shpendët, hidrikët, reptilët, viruset.
Edhe çudibërësi i përrallës i thotë mbretit si një zot virtual:
Unë e shëroj djalin tënd madhëri.
Nëse më gjendet një kostum
Që të mos jetë prerë me gërshërë,
Të mos jetë qepur
Me gjilpërë,
Të mos jetëprerë e shpuar,
Vetëm Zoti dhe përrallat presin dhe qepin pa duar…
10 tetor 2010
*Portret i poetit:VIZ.S.KAMBERI, PIKTOR I POPULLIT

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, Magjistricat, poezi

“Prapë dhimbje”…

December 15, 2015 by dgreca

Poezi nga Ahmet Kolgjini (1939-1999)/

Nxjerre nga cikli i fundit i vellimit me poezi nga Ahmet Kolgjini botue ne vitin 1999 nga shtëpia botuese “KOHA”/

Mbi kete cikel, autori shkruen:  Cikli i fundit i këtij vëllimi “Prapë dhimbje” përbahet nga tri njësi: “Marku”, “Nana Zadrimore”, dhe “Lili”. Asgja në këtë cikël nuk asht e trillueme.

Asgja nuk asht sendërgjim i fantazisë për të krijue efekte pikante dhe fiktive me tërheqë lexuesin. Të gjitha janë realitete. Të gjitha janë përjetime.

“I vdekuni nuk ka miq” thotë një fjalë e urtë. E vërteta ka. Ka pasë dhe ka me pasë gjithmonë. Nuk duhet të shtiremi sikur nuk i njohim dhe nuk i dimë të vërtetat, sepse kjo do të ishte nji vetvrasje në llojin e vet. Tue i njoftë e tue i pranue të vërtetat, mund të ekzorcizojmë të keqen, mund të korrigjojmë gabimet dhe mund të shmangim pasojat. Heshtja përban nji pranim të të keqes dhe, gjithashtu, nji pajtim me të keqen. Pajtimi me të keqen asht ligësi, bashkëjetesa me krimin asht krim.

LILI

I

“Armiku e meriton pushkatimin.”

Këte përgjigje, ngado shkoi, i dhanë.

Çfarë nuk bani me shpëtue të vëllanë.

Pranoi, pa u mendue, propozimin…

Ia shtupoi nji duhmë e qelbët hundën

Sa zorrët iu trazuen mbrenda barkut…

Mërrudhun, u përplas, sipër jatakut

Turpshëm e përjetoi Lili dhunën.

Përskaj iu ul dhe e mbërtheu shtinjaku

“Mos më zhvish, të lutem, dhe mos më prish!”

Ia hoqi rrobat dhe, në dysheme, ia flaku.

Si panterë mandej iu turr në mish…

Lili e kuptoi tashma: kish ra në lak

Kur zhveshun e pau veten, ba cullak!…

II

Si qen ia kafshoi trupin me dhambë

Derisa u eth e u përndez përbindshi

At’ kurm të lakuriqtë e dërmishi…

Si farkë jehonte nji gulshim i randë

Rënkimi i përgjigjej si kuisje e gjatë…

Nja tri a katër herë djersët bujisën.

Kështu andërrat u shuen, u terratisën:

Me zhvirgjënimin jeta vdiq at’ natë!

N’mëngjes si hajdute ecën n’trotuar

Si u zhbi, u tret për nji natë ai hir

A asht ajo Lili siç ishte ma parë?

Vajti në dyqan, bleu nji torbë qymyr.

N’gushë e në gjoks i duket ndonji blanë

Qeskë e syve vjollcë, trupi-jargavanë…

III

Lot i pastër natën moti, qielli xham

I kaltër, mbushun prush me xixa ari

Dielli bujarisht dhuron rreze acari…

Makina e kobit uturon n’kalldram!

Potershëm kërset dera, i bien me shkelm

Gjyshja hukat duert të ngrime akull

Pa kujë e bujë hap derën, shpirtin helm

Policët sheh, luhatet, bie shakull

Pse keni ardhë, he, ju ardhtë gjama?!

Zoti paftë e gjoftë mor t’paftyrë

Ka për t’ju zanë, he, ju zantë nama!

Lili vdiq. E mbyti veten me qymyr…

Shtoja zullumin, Zot, këtij Jeziti

Djalin m’pushkatoi, Vajzën ma koriti!…

Shenim i autorit:   Gjyshja e “Lilit”, nuse e re me nji djalë të vogël për dore vjen në Tiranë me nji grup të madh muhaxhirësh të Dibrës së Madhe. I shoqi ka mbetë i vramë atje, në Dibër prej serbëve (1913). Lidh shaminë e zezë dhe shtrëngohet me rritë të birin. E fejon dhe e marton. Këtij çifti, Zoti i fal dy fëmijë, nji djalë e nji vajzë. Por shumë herët këta dy fëmijë mbetën jetimë, vetëm me gjyshen. E ama u çmendet e përfundon në çmendinë. Mbas nja tre-katër vjetësh u vdes edhe i ati nga tuberkulozi. Gjyshja përveç punës që ban ditën si pastruese zyrash edhe natën ban punëdore për të fitue bukën e gojës me djersën e ballit…

I nipi mbas nji aksidenti në vendin e punës akuzohet për “sabotim ekonomik” dhe dënohet me vdekje. Lili, e motra që asht në fjalë për t’u fejue, ban çmos derisa bie viktimë e përkushtimit dhe e naivitetit. I vëllai pushkatohet dhe Lili mbyt veten me oksid karbon i. Gjyshja mbetet si nji pemë që i ka ra rrufeja. Kështu u fik edhe nji familje tjetër shqiptare.

Shqipnia vuen për nji Shekspir!

Këto janë vetëm grimca, përballë tragjedisë së madhe. Të gjithë kemi për detyrë me e pranue me e njoftë dhe me shpallë të vërtetën.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Ahmet Kolgjini, cikel poetik, Prape dhimbje

Gegë e Toskë, Malsi jallia, janë nji komb m’u nda s’duron,….

December 14, 2015 by dgreca

Gjuha Shqipe…./

(Ndre Mjeda)

Përmbi za që lshon bylbyli,/
gjuha shipe shumë gullon,/
përmbi erë që jep zymbyli,/
pa da zemrën ma ngushllon./

Ndër komb tjera, ndër dhena tjera,/
ku e shkoj jetën tash sa mot,/
veq për ty m’rreh zemra e mjera,/
e prej mallit derdhi lot./

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
janë të bukura me themel,
por prap kjo, si diell pa hije,
për mue t’ tanave iu del.

Gegë e Toskë, Malsi jallia,
janë nji komb m’u da s’duron,
fund e maje nji a Shqipnija,
e një gjuhë t’gjithë na bashkon.

Qoft mallkue kush qet ngatrrime,
ndër kta vllazën shoq me shoq!
kush e ndan me flakë e shkrime
qka natyra vetë përpoq…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Gegë e Toskë, Ndre Mjeda

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • …
  • 135
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT