• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ENDE GJALLË?!…

May 17, 2014 by dgreca

Nga Petraq Zoto/
Tregim/
…Koto Hoxhi në Jedi Kule! Mësuesi i mësuesve, ai që ia mësoi shqipen edhe Pandeli Sotirit1), gjendej në burg, ngaqë u mësonte bashkëfshatarëve në Qestorat të shkruanin gjuhën amtare. Venin edhe të moshuar, pa u nxitën nxënësit shqiptarë të normales greke dhe ai s’përtonte. Ua bënte të lehtë mësimin, të lehtë e të dëshirueshme, pasi ishte dashuruar njëherë e përgjithmonë me të. Mirëpo nuk e lanë. Shpifën e trilluan të paqena kundër tij. Të sfilitur si mos o zot, e rrasën në burg. Në atë moshë, pa dritë, pa shpresë, vështirë të dalë që andej plaku i mirë…
Vajzës së re Sevasti Qiriazi i pikonte në shpirt. Dëgjonte dhe me sytë e mendjes përfytyronte të mirin e të munduarin mësues në një guvë të errët, dergjur në detin e dhimbjes dhe të dëshpërimit. Baba Koto, më dëgjon?!… Mësuesi plak bën të ngrihet e s’ngrihet dot. Ngjan se nuk është i sigurt në i flasin atij, apo është një hamendje. Jam unë, bija e Dhimitër Qiriazit… Ai ia del ta kthejë kokën dhe e shikon vajzën me një ndjenjë të dyfishtë, gëzim e mosbesim, megjithatë ia zgjat dorën, një dorë e bardhë dhe e tejdukshme…
Ky përfytyrim nuk i ndahej. Dalëngadalë e si pa u ndier, iu shndërrua në dëshirë. Dëshira erdhi dhe e përfshiu të tërën si një brengë.. Ngado që shkonte, çfarëdo që bënte, nuk e largonte dot. Mësuesi i përvuajtur ishte mik i familjes së saj. Kur shkonte në Stamboll a kur kthehej nga Stambolli, ai qëndronte në Manastir dhe për një ose dy ditë ishte mysafir i babait të saj, vëlla në shpirt me të. Ishte vajzë e vogël, kur e pa për herë të parë. Koto Hoxhi rrinte pranë vatrës në dhomën e madhe shtruar me qilim. Në anën tjetër i ati. Bisedonin me ëndje, si njerëz që e duan njëri-tjetrin dhe kanë kohë pa u parë. Nën musëndrën e madhe ajo dhe vëllai Gjerasim. Ky është Baba Koto, i pëshpëriti ai. Një ndër ata që formuan Shoqërinë e të shtypurit të shkronjave shqipe 2)…
Burrë nja gjashtëdhjetë vjet, ballëgjerë e me flokë të përhimë dhe të rrallë, asaj i ngjau me personazhet e përrallave dhe rrëfimeve të moçme. Ndoshta nga mënyra se si ia paraqiti i vëllai, që shfaqi një nderim të veçantë për të. Si e përpirë nga një habi, ajo nuk ia ndante sytë. Çdo fjalë e tij ia rriste edhe më tepër figurën fisnike të mësuesit të hershëm. I ati e thirri pranë. Puthja dorën Baba Kotos, bijë. Ajo e bëri në çast, me druajtje, po edhe me zell.
“O, qenke vajzë e mbarë ti! Si ta thonë emrin?”
“Sevasti Dhimitër Qiriazi.”
“Nga je ti, moj Sevasti?”
“Unë jam nga Kolonja.”
“O, o, sa mirë! – Koto Hoxhi qeshi me të madhe. -A s’më thua, moj bijë, çfarë je ti?”
“Unë jam skipëtare!”
“Bukur, besa. Bukuri!…
Sytë e butë dhe të dashur të mësuesit u njomën, zëri iu drodh. U kthye nga i zoti i shtëpisë. Prekem si fëmijë kur dëgjoj një fjalë të ngrohtë për këtë të uruar e të ngratë Shqipëri, tha. Nuk do më tretë dheu, po s’e pashë të përçapet e të zërë ta ngrohë dielli i Përlindjes…
Burri i moshuar psherëtiu, vajza e vështroi edhe më me ëndje në atë përmallim…
“Më thuaj dhe një gjë tjetër, bijë. Di t’i shkruash shqip ato që the?”
“Di!”, -ngazëlleu ajo dhe e ngriti kokën ta falënderonte vëllanë që ia kishte mësuar shqipen, kësisoj nuk do të turpërohej përpara atij njeriu të madh e të çuditshëm.
Gjerasimi shpejtoi t’i jepte letër e penë dhe ajo shkroi me lehtësi: Unë jam skipëtare!
“Ti qenke një skipëtare e vërtetë, jetë e mot e tillë qofsh!”
Dhe e puthi në ballë e i dhuroi një libërth të vogël që e mbante me vete. Këtë sh-në s’e gjetëm e s’e gjetëm dot, i tha Gjerasimit. Kështu nuk shkon. Veçanërisht te fjala shqiptar e Shqipëri s-ja që po përdorim, sikur të ngec në grykë…
Mësuesi i hershëm iku të nesërmen. Në kujtesën e saj ai u ngulit si një figurë e madhërishme dalë nga legjenda.
* * *

…Koto Hoxhi në Jedi Kule!
Kësaj here nuk qe fjala as për legjendë e as për fantazi, plaku i urtë dergjej në burgun më famëkeq të Perandorisë Osmane. Ai që hynte atje, zor të dilte i gjallë. Dhe mësuesi i hershëm tashmë ishte mjaft i moshuar…
Ç’ke, moj? -e pyeste Ylvia, një vajzë e brishtë me tipare të bukura. Shqiptare me origjinë, kur u njohën, ajo s’dinte asnjë fjalë shqip. Shoqes i erdhi inat. Shqiptare e të mos dijë shqip?!… Iu vu t’ia mësonte gjuhën amtare dhe ia doli t’i nguliste mjaft fjalë. Sapo mbeteshin vetëm, e nxiste të flisnin vetëm shqip, ndryshe vrenjtej dhe tjetra i druhej zemërimit të shoqes së mençur.
-Kam një hall, – i tha asaj.
Qerpikët e gjatë të vajzës së brishtë u drodhën. Me pak fjalë ia shpjegoi dëshirën për të parë Baba Koton. Ylvia nuk e kuptoi fare atë shqetësim, megjithatë e gjeti të udhës ta mirëkuptonte, pra i dha fytyrës shprehjen e trishtimit. Aq miturisht e bëri këtë, saqë Sevastia vuri buzën në gaz me pahir. Për habinë e saj, të nesërmen mikja gjysmë shqiptare e gjysmë turke vajti më herët se zakonisht në shkollë dhe po e kërkonte. Porsa e takoi, e hoqi mënjanë e ia mori të dyja duart në të sajat dhe i tha me drojë, po edhe me një zell të papërmbajtshëm:
-Ati im është efendi i Jedi Kules!
Dhe i rrotulloi sytë e mëdhenj duke i përpëlitur qerpikët, sikur ajo vetë e kishte fajin për hallin që mundonte miken e saj. Vajzës së Qiriazëve vërtet i bëri përshtypje. Deri atëherë Ylvia nuk i kishte thënë me çfarë pune merrej i ati. Ngjante se as ajo vetë s’e kishte të qartë.
– Do jemi prapë mikesha, do jemi?!…
E pyeste dhe i përgjërohej me fjalë e me sy. Shoqja po mendonte tjetër gjë. Ku nuk i gjeje shqiptarët! Ishin përhapur gjithandej në punë nga më të ndryshmet. Ca prej tyre ngjiteshin lart e më lart mbi vuajtjet dhe mjerimin e popujve të nënshtruar me përdhunë. S’e bënin veten që ishin shqiptarë dhe rrekeshin të harronin kombësi e atdhe, që të mos u rrinin mbi kokë si gjykatës të pamëshirshëm për bëmat e tyre të mbrapshta. Ja, një prej tyre qenkësh babai i shoqes së klasës. Përse ia kumtoi ajo?… Shqiptar dhe i fuqishëm, pati menduar se ai mund ta ndihmonte për Baba Koton. Jo ta lironte, kjo as që mendohej.
– Unë dua ta shoh plakun e humbur për së gjalli… Ah, sikur!…
Ia tha përnjëherë dhe me përmallim. Shoqja uli kokën e nuk ia mori fjalën. Të nesërmen fluturonte nga gëzimi. Iu luta shumë, tha. Qava, i rashë ndër gjunjë, ama më në fund pranoi. Nesër në mëngjes të vishesh si djalë dhe ta presësh përpara hapsanës.

*
* *

Në të dalë të Stambollit, Jedi Kule qe shëmbëlltyrë ulëritëse e sundimit shekullor osman. Heshtja e frikshme dhe si e përzishme shtrihej rreth e qark në një largësi deri pesëqind metra nga muret e trasha rrethuese. Muret ndërpriteshin nga shtatë kulla të larta në largësi të barabarta me njëra-tjetrën. Portat e mëdha të hekurta ngjanin si një barrierë që pengonte hapësirën e jashtme të hynte brenda dhe dhimbjen sfilitëse të brendshme të dilte jashtë.
Vajza veshur tebdil qëndroi larg tyre. Në pritje të ankthshme vështronte ngrehinën me kulla të përbindshme. Zymtësia e tyre ia ndrydhi zemrën. Ia ndrydhi zemrën dhe gëzimi i shpresës iu zbeh, ndërsa ajo çka dëshironte iu duk e largët dhe e pamundur. Ç’mund të bënte një vajzë e brishtë veshur si djalë, para asaj ngrehine të llahtarshme?!…
I tha vetes të sillej mospërfillëse, përndryshe do t’i mpakej guximi, ashtu e harroi disi mbresën lënduese. Pas afro një ore, portat e mëdha u hapën tejetej, që andej doli me të shpejtë një karrocë e zezë. Kur po i afrohej vajzës veshur tebdil, kuajt shtrembëruan qafat me jelet e gjata dhe karroca qëndroi. Te dera u ndeh një kokë burri. E vërejti vajzën veshur djalë, pastaj u thërriti rojave:
-Lëreni këtë djalosh të hyjë e të shohë gjyshin!
Ai urdhër përkoi fort me misterin që vishte krejt burgun dhe hapësirën përreth.

*
* *
Eci pas një gardiani. Trupi i tij ishte kaba dhe i shtrembër, ai vetë si çalaman, ngaqë ia tërhiqte rripin tufa e çelësave varur në të. Dukej i zymtë, megjithatë ecte shpejt, pa e vrarë mendjen se ndjekësi e kishte të zorshme ta ndiqte në atë korridor të errët. Qelia e Koto Hoxhit gjendej larg dhe thellë. Vajzës së brishtë iu drodh trupi nga hamendja se qe e zorshme që plaku të mbahej gjatë në atë zgafellë të errët e të shurdhët. Ndërsa gardiani vërtiste çelësin në drynin e madh, ajo u mbush me frymë. Roja e shtyu derën dhe i dha shenjë të hynte. Vajza hyri duke picërruar sytë. Pak përtej derës spikati një masë pa formë. Pastaj ajo masë zuri t’i qartësohej disi dhe në të shqoi figurën e plakut shtrirë në truall. Fytyrëbardhë e mjekërbardhë, me flokë e mustaqe të bardha, të bardha i kishte edhe vetullat. Vajzës së brishtë iu përhi shëmbëlltyra e një qenieje të pazakontë që del nga legjenda.
-Baba Koto?! – shqiptoi si me frikë.
Në vend të përgjigjes, dëgjoi një rënkim të dobët e të thellë. Për një çast mendoi se mos i burgosuri e kishte humbur dëgjimin ose nuk fliste dot, dhe vetiu e përsëriti pyetjen.
-Kush je ti? Ti më njohke, po a të njoh unë?!…
I butë dhe i zvargur, zëri i plakut doli si nga një thellësi humnere.
-Oh! – ia bëri ajo si të thoshte mirë që folka!- Të njohin ata që duan shqipen e Shqipërinë, – i tha mu afër veshit.
Më në fund ai arriti të shquante një djalosh me qëndrim përgjërues, gati t’i hidhej në krahë, me shenjën më të parë të tij.
-Paç uratën, bir!
-S’jam djalë, Baba Koto.
-Një vajzë këtu?!
-Unë jam skipëtare!…
-O, o!…
I ndryri në qeli vuri dorën në ballë. Sapo dëgjoi një shprehje që s’mund të harrohej lehtë. Mirëpo mosha dhe burgu ia kishin fundosur diku thellë dhe ai përpëliti qerpikët si të shquante dikë a diçka përtej mjegullës. Ja tek u përmend, atëherë zgjati krahët, pastaj u zgjat i tëri.
-Afrohu, bijë… Afrohu…
Ajo ra ndër gjunjë, ia mori dorën në të sajën e ia puthi.
-Si është babai, moj bijë?
-Si përherë, zemërbardhë e i papërtuar, lis i fortë.
– Lis, the?
Plaku i drobitur mbështeti dorën në anë të shtratit. U dëgjua një krisje, sikur po thyhej diçka. Shtrati apo kokallat e tij?! Vajza shtangu, mandej shpejtoi ta ndihmonte. Me shumë mundim ai arriti të qëndrojë ndenjur. Zuri vend e psherëtiu thellë. Psherëtiu prapë dhe ia shkoi dorën ballit, thua se po fshinte djersët. Ajo s’po ia ndante sytë dhe mend ia shkrepi të qarit. Gërviti sërish kraharori i të burgosurit.
-Në ka gjësend që e shquan faqeza fisin tënd dhe që yt atë e ka trashëguar fort mirë, kjo është të qëndruarit i papërkulur në siklet. Është vullnetmirë dhe plot guxim, nuk i trembet rrezikut. E di sa ka hequr, po s’është dhënë kurrë. E çmoj fort, dua të jem posi ai.
Ky thotë ato gjëra që i pëlqejnë për veten dhe mirë bën, gjykoi bija e Qiriazëve. Mirëpo im atë i meriton këto lavdërime dhe unë jam krenare për të. Bëri habi që plaku i tukequr mundi të fliste aq shumë. Me ato që tha, sikur e kaloi provën më të vështirë, doli nga një përhumbje ku dergjej prej javësh. Atij ende s’i bëhej ta besonte që dikush kishte mundur të hynte në greminën ku e patën fundosur. Për më tepër, vizitorja ishte një vajzë, bija e mikut të tij. Ndjeu dëshirën të fliste. Deshi të mësonte ç’bëhej përjashta, në botën e zorshme, por edhe të luftës dhe të shpresës.
-Po vëllai Gjerasim, moj bijë?
-Shqiptar me mish e me shpirt, Baba Koto. S’kërkon e s’mendon gjë tjetër.
Plaku puliti sytë. Kërkonte, mirë… Por si? Ku?… Dendur e mundonte dyshimi se mos edhe patriotët e tjerë kishin pësuar fatin e tij. Me ditë e javë më kot pati pritur ndonjë shenjë nga jashtë. Sa më tepër kalonte koha, aq më i thekshëm i bëhej dyshimi. Me mundim lëvizi vendit. Krisën sërish kokallat e tij. Sa e kanë munduar, hoqi përbrenda ajo. Im vëlla shkruan edhe poezi, shtoi ajo. Për t’ia bërë qejfin, recitoi:
O vëllezër shqipëtarë,
Lidhuni ndë dashuri!
Erdhi koha e mësimit,
Të fitojmë dituri.
Koto Hoxhi e dëgjoi me ëndje dhe u ngreh.
-Po kjo qenka punë e madhe!… Kaq e bukur, kaq e mirë. Gjerasimi ynë shkuaka udhës së ndritur të Naimit gojëmbël!…
Fytyra, fjalët, shikimi iu përndezën nga një dritë ngazëlluese. U ngazëllye edhe ajo dhe shtoi se ca nga vjershat e tij vëllai i bënte këngë. Pas kësaj këndoi ngadalë, lehtë-lehtë:
-Lul’e bukur posi dielli,
kush të mbolli ty këtu?
-Lum ay njeri i urtë
që më sheh e më bekon,
vetvetiu nuk kam mbirë.
Lum ay që kupëton!
-Këto vajtkan punë e madhe për nxënës të mbarë. Ka ndër mend të hapë shkollë yt vëlla?
-Të dy, mësues! Gjersa të mbaroj kolegjin unë, ai do bëjë gatitjet. Kemi ndër mend të hapim në Korçë shkollën shqipe për vajza. S’më pritet sa të vijë ajo ditë.
-O, sa e mirë gjë!…
-Ferrat dhe gjembat i shkulët ju së pari, Baba Koto. Mbi ju ra edhe mëria e parë. Dhe ajo recitoi dy vargje të tij:
-Mblidhi, shokë, të bëjmë benë,
të ngjallimë mëmëdhenë!…
I recitoi vargjet e tij, pastaj shtoi dy vargje të saj për të.
I burgosuri u ngashërye. E kishte drobitur mosha, e kishin drobitur vuajtjet, e kishte drobitur burgu me stërmundimet, ca më shumë vetmia e përbindshme.
-Më rrofsh, bijë! O, ç’dritë më solle në këtë të nëmur qeli!.. Saqë njerëzit më kujtojnë, qenkam gjallë dhe ende rroj…
Mësuesja e ardhshme s’i mbajti dot lotët. Sa mirë kishte bërë, sa mirë!…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ENDE GJALLË?!... Petraq Zoto

SUKAVE TË SHKRELIT

May 17, 2014 by dgreca

Nga Neki Lulaj/Gjermani/
(Kushtuar poetit Azem Shkrelit me rastin e shtatëmbdhjetë vjetorit të vdekjës)/

Dikush hodhi prapa farën e njomë në ugar/
Mbi brazdën e jetës bëhet për ditë bahçevan/
E urat e ndezura i bëjnë tym, hi dhe flakë/
Në oxhakun e gjyshit ku është gdhendur flamuri- gjak/

Kaçaku i Lugjeve të Verdha e paska si shkëmb atë gjoks/
Hej si qënka ai Dyl Mehmeti i Sukës së Bardhë/
Bash si bjeshka u rezistoi acarëve me palcë të fortë/
E moteve të liga ua vuri gjoksin si të ishte stërrall/

E bora rëndonte ahishteve që ushtonin me jehonë lugine
E shpresat e pafjetura trokitnin si udhëtarë të paftuar
E ditëve të bardha të pranverave me kurorë blerimesh
Vinin e shkonën ëndrrat që edhe mes dimrave patën gjethuar

Mbi kalldremet ranore të përrenjve mbetën gjurmët e opingave
E tirqit e bardhë atje u vunë krenarë mbi kullat e thinjat e bacës
Gurrat akull kurrë s’e shtjerën ujin në ullukët e shkëmbinjve
Rugovasit përcillnin trimërinë e qelibartë në Sofrën e Fjalës

Gjatë u pehatën gjethet nga erërat që luanin si vogëlushë
E dallgët e parreshtura qyqare viheshin në radhë si ushtarë
E shalli rreth kokës mbeti gjithmonë i bardhë, si bora në fushë
E në mur si të ish pjesëtar shtëpie ish lahuta e lashtë

I shtriva duart drejt teje e qiellit si kaltër në tre breza
Për t’i zënë fluskat e poezive të tua me aromë të shenjtëruar
Lëshojnë tinguj këmbanat nga qafa e yjeve shpateve tek bjeshka
Pellgjeve mjegullave të Shkrelit me plot dashuri,e mall të patreguar

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: neki Lulaj, poezi, SUKAVE TË SHKRELIT

NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT- BAJAME HOXHA

May 16, 2014 by dgreca

Bajame Hoxha-Çeliku, Bruksel/

DASHURISË SIME/

I dashur/
Kishe një zemër të çiltër/
Prej floriri/
Që më thoshte çdo çast /
Të dua… /
Të dua përjetësisht!/
Dhe unë…/
Mes belbëzimeve të ndjeja/
Të dashuroja/
Mbrëmjeve plot yje/
Unë vajza lozonjare…/
Atëherë/
Kur rrinim shtrirë lëndinave/
Natyra bleronte mes nesh/
Kur numëronim yjet
Kur qeshnim
E kur ecnim asfalteve të boshatisur
Dhe udhëve të apeleve.
Gjithmonë, natyra bleronte mes nesh
E unë…
Të shikoja në sy
Të ndjeja në shpirt
Të dëgjoja me zemër.
Në thellësitë e zemrës tënde
Isha vetëm unë freskia e viteve të tua,
Flladi pranveror gjithnjë në lulëzim isha për ty.
Unë edhe ti
Në dashurinë e pafundme
Tjetër…
Askush!

DASHURISË SIME

Të dhurova shpirtin plot llavë
Të zbukurova jetën
Me palcën e dashurisë sime
Tani më vjen në mend një frazë e jotja:
Vuaj por qëndro!
Dhe ashtu bëra
Qëndrova burrëreshë!
Por ti…
Ike shpejt!
Më ngrive fjalën mbi buzë
Më ngrive lotin mbi qerpikë
Më ngrive jetën në mes.
E sot, më zgjoi era që fryn lehtë
E më solli këtë kujtim tëndin…
Që më bën të dridhem fuqishëm
Dhe filloj të ec ngadalë
Ku lëndoj shpirtin e lënduar,
Të vrarë
Të sfilitur
të vetmuar
Këtë mëngjes të freskët pranveror
Që se kuptoj dot
Sensin e kohës që kaloj pa ty.
Po të ishte se me lot, do të kthehet njeri,
Ti do të ktheheshe i pari
Tek unë
Shpirti im.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bajame Hoxha, Bruksel, Dashurise sime

FRYMA E DASHURISE NE MOZAIK

May 13, 2014 by dgreca

Nga Vjollca Tiku Pasku/
Një gamë emocionesh purpuritëse të përshkojnë shpirtin kur lexon ‘’Mozaik ndjenjash’shkruar nga Klubi i letrarëve “Mësonjtorja Dertliu”.Lëkura ajrore e imazheve bëhet flutur dhe të udhëheq në botën e dashurisë ku hapin portat e kontekstualizuara me origjinalitetin e secilit krijues.Libri hapet me poezitë e kolosëve të penës shqiptare, ku ofrojnë për të pirë nektar kënaqësie nga oazi i frymëzimit, dhe vazhdon me rrezet e zemrave të brishta rinore.Dashuri,kjo fjalë, ky art i ndjerë dhe i shkruar në qindra shekujt,shtrihet si një horizont që ngjyroset me një pikë të kuqe nga çdo zemër, tërheq gjithë vatrën e ngrohtë të diellit nga qielli i kaltër, gjithë kuqëlimin e yjeve në netët e ëndrrave.Kjo ëndërr, e përjetuar, e puthur, valëzohet si qielli në sytë njerëzorë dhe herë qesh e herë qan…
Dhe pyetja :ç’je ti ?
Rrjetë mbi botë ti qëndis me gishtërinjth te fildishtë,
Duarar vështrimthe qëndis magjifshehur,
të brishtë Kraharor, frikëzhveshur endesh larg,
në pakohesi Vajzë-zanë-perëndi gjurmë-diell,
valle c’je ti?! :ç’je ti ?
Një pyetje e vjetër në pakohësi që endet botës sonë, kozmosit e gjithë universit.Ç’je ti?..Gjurma e diellit kur puth tokën? ..apo zanat e malit mishëruar njeri?.. .Ç’je ti.. mos vallë zhveshja e ditës para diellit apo zhveshja e natës frikësuar para yjeve të saj. Një ndjenjë e ëmbël sa qielli dhe kripur sa oqeanet e tokës, e mbush botën tonë . Sa ngjyra të panjohura zbulojmë në të, sa efekte të fshehura, sa buzëqeshje të lumtura rendin pas saj:
Dashuri”
Perla ime e shndritshme…
Jeta dhe vdekja ime!
Është e habitshme sa energji më jep,
Ti, magnet i pamëshirshëm.
Sa do te pres për të puthur sytë që po zgjohen,
Krahët që shtriqen,
Flokët e shpupurisura me poezi spërkatur,
Thonjtë e holle e të lëmuar,
Gjinjtë e bardhe,
Kofshët përvëluese …
Lauresha ime, miremëngjes..
Origjinaliteti i një ëndrre mbështillet me imazhet dhe romantikën e amforës së shpirtit. .Një botë magjike e ngrohur me zjarrin e lumturisë dhe e rënkuar me ofshamat e kënaqesisë, ku gjithësekush përpiqet ta gjej…Pa këtë zjarr jeta është bosh, është një erë kërkimi, që ulurin në zbrazëti..në ftohtësinë e vetmisë.
Zemra ulëriu si e marrë
Të kërkoi në boshësi.
Oh, sa larg që ishe ti!
Larg ku shpirti e kërkon këtë dashuri, veshi i zemrës përgjon me përgjërim zhurmën e vogël të ndjenjës, por nuk e ndjen ..do ta zbulojë në sytë e verbër të diellit ,por nuk sheh dot.Psherëtima të pikëlluara treten motit të shpirtit.Eshtë tepër larg……. Por edhe atherë kur kjo ndjenjë është e gënjeshtërt,një iluzion, forca dhe llogjika ngrihen mbi muzgun e pikëllimit duke u shprehur;
E bindur në ndjenjën time tani;
Në dhembjen time trishtuar rri.
Grindem me naivitetin tim.
E bindur në ndjenjen time tani
E di, i humburi je ti… ..
Zhgënjimi në dashuri është si shuplaka e reve të zeza.Shpirti përbytet në vaj Tradhëtia një lug dhembjesh që bën në shpirt gropëza me pellgje lotësh, ku duhet kohë përt’i shëruar..deri sa të vijë paqja e një dite, dhe shpirti të shpaguhet njësoj…Vetëm atherë do të gjejë prehje.
Dikur, diku , ti do të përballesh,
Me tradhtinë e tradhtisë tënde.
Atëhere, me dhembje do te qesh une.
Në vajin dashuror të një kënge …
E megjithate kur ndjenja është e pastër dashuria është rjedha e lumenjve të emocioneve , është përqafimi i kaltërsisë së oqeanit, është drita që mban ndezuar botën e zemrës.Kjo ndjenjë e madhërishme nuk ka përkufizim, por ka me qindra titullime, përthith gjithë zemrat njerëzore.Mesazhet janë si zambakët e bardhë,që lëshojnë aromën zanore të një mësimi. Një vend të rëndësishëm zënë letrat e dashurisë. Duke u ndaluar tek tregimi “Unë isha fare e vogël” një mama snobiste ngul thikën e artë në trupin e vajzës së vet, që jeta të mos ketë dashuri , por vetëm mirëqënie materiale.Një mama egoiste ku mbytej në asfiksin e parasë.Poret e zemrës vajzërore u pastruan vetëm kur ajo me guxim thotë të vërtetën dhe ikën nga ambjenti i hipokrizisë së mamasë, dhe jeton me gjyshen për të akumuluar gjithë qetësinë e brendëshme shpirtërore..
Brenda botës ku jetojmë egziston vetëm një ndjenjë shpirtërore që pa bujë dhe pa elozhe ndërton një botë ku mbret,apo mbretëresh, skllav apo padron është vet shpirti jonë.Origjina e dashurisë është mbrujtur që me rrënjët e krijimit tonë,ndaj ndodh që ajo të shfaqet me shikimin e parë, duke fiksuar imazhin brenda kapakëve të syve, duke na bërë pelegrinë në yllin e parë të mëngjesit ,fragmentuar me copëza zërash, fjalësh , puthjesh.Kush i provon është në gjendjen magjike të shkaktuar nga ajo dhe sikur të vdesi , ka përjetuar gjithë lumturinë e kësaj jete.
Ca drurë pylli me furi,
I mblodhëm në të ftohtë,
një zjarr të madh dhe unë e ti,
të çmendur ndezëm sot.

Kur afshi dogji buzë e gushë,
u ngashëreve në dënesë.
tek urat shtyje përmbi prush,
“Tani-the- le te vdes!
Fryma e dashuruar shpërndahet në të gjithë ajrin duke përbërë ogzonin efrymarrjes. Fjalët “të dua” kanë tingullin e pafundësisë dhe krijojnë skena reale sikur të ishim pjesmarrës në të gjitha nuancat e ndjenjave që rjedhin nga dashuria.Efektet shpirtërore të kënaqësisë apo dhimbjes janë pasojë e emocioneve që përcjellin poezitë.Ky libër impresionon me larminë e syve dhe të ndjenjave eksluzive ku furnizon vizionin e gjuhës së artit. Nje falenderim i madh shkon edhe për sponsoren Merita Dertliu, që bëri të mundur daljen ne dritë të këtyre vibracioneve poetike, dhe na jep mundësine t’a kemi në shpirt gjithë frekuecën emocionale që lëshon libri..
Një falenderim i madh më rjedh nga zemra edhe për profesoren, poeten , shkrimtaren, redaktoren e disa librave Antoneta Priftaj që më dha kenaqesine jo vetem të leximit por edhe të shkruaj parathenien e librit” Mozaik ndjenjash”Elokuenca dhe finesa që përshkojnë vargjet ka padyshim edhe punesën e madhe të saj.Çdo poezi është përzgjedhur me kujdes. Kompozimi prej botëve të ndryshme shpirtërore shkruar nga zemrat rinore, luajnë tingujt e një universi të madh me epiqender dashurine. Dhe për të ndjerë melodinë e mrekullueshme të këtij universi mjafton të çelësh vetëm një dritare , atë, të një flete libri dhe e gjithë melodia do të tërheqi..I uroj nga zemra suksese të mëtejshme klubit të letrarëve “Mësonjëtorja Dertliu”dhe dritë vazhdimësie krijuesve të rinj.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: fryma e dashurise, mozaik ndjenjash, Vjollca Pasku

TË ËNDËRROSH ME SY HAPUR

May 12, 2014 by dgreca

Nga Misho JUZMESKI/
Plaku u zgjua nga dalldisja e vet dhe hodhi vështrimin përreth me sy të e çakërritur, si një njeri që përgatitet të ballafaqohet me një rrezik të panjohur dhe të papritur. Përveç ndërtesave gjigante, veturave të shumta në lëvizje dhe figurave të kalimtarëve të panjohur, nuk kishte çfarë të shikonte tjetër rreth vetes. Në atë moment lartësitë qiellore shfaqnin të vetmen hapësirë të pakufishme, ku ai mund ta drejtonte lirisht shikimin e tij.
Nga lart, në rënie të lirë në formë spiraleje, fluturoi një fjollë e madhe dëbore. Ajo i ra në majë të hundës dhe menjëherë plaku ndjeu prekjen e saj të ftohtë. Nuk guxoi që ta prekte.
Asnjëherë nuk kisha parë fjolla aq të mëdha dëbore – tha ai me një zë, që nuk mund të dëgjohej as nga kalimtarët më të afërt, të cilët kalonin pranë tij. Asnjëherë nuk më ka shkuar në mend se fjollat e dëborës mund të jenë aq të mëdha.
Fjolla u transformua në një pikë të vogël uji dhe shpejt e mbaroi rrugën e saj jetësore, duke rënë mbi trotuar pranë këmbëve të plakut. Pasi u thith nga pluhuri, prej saj nuk mbeti as një gjurmë, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Gjithë rruga e saj jetësore në tokë mund të matej me disa pulitje të syrit. Plakut i erdhi shumë keq kur vuri re sa e shkurtër është rruga e jetës së saj.
Edhe pse ishte mot i ftohtë, që po sillte një valë të fortë dëbore, trotuaret ishin mbushur plot me njerëz. Gjithë kalimtarët të linin përshtypjen sikur kishin një punë shumë të rëndësishme dhe urgjente diku larg, në anën tjetër të qytetit. Plaku nuk dinte për ku nxitonin njerëzit, madje as që donte ta dinte, veçanërisht tani, kur nuk e dinte as rrugën e vet të mëtejshme. I çliruar nga çdo lloj interesi për gjithçka që e rrethonte, nxitoi në anën tjetër të rrugës. Që aty zbriti te lokali më i afërt.
Çaji ia lagte grykën, por ngrohtësia që ndjente përbrenda, sikur vinte nga një vend krejtësisht tjetër.
Një ditë do të ndodhë: kthimi im në tokën time të të parëve – me ballin lart dhe me zë solemn, dinte të mburrej para njerëzve. Madje edhe në momentet kur edhe vetë ai besonte shumë pak në një mundësi të tillë.
Gjithnjë fliste për kthimin, sado e gabuar të ishte shprehja e tillë. Në fakt, kjo duhet të ishte vizita e tij e parë në vendin e paraardhësve të tij. Kështu edhe thuhej ngaherë: vajtje, por jo kthim. Megjithatë, ai e shmangte një përshkrim të tillë të gjendjes, në kundërshtim me të gjithë rregullat e gjuhës që fliste dhe çdo logjike të gjykimit njerëzor.
Ndjehem sikur jam i shkulur nga rrënjët e mia, të cilat kanë mbetur larg prej meje. Për sa kohë ato ndodhen në anën e kundërt të botës, në një vend në të cilin asnjëherë nuk kam qenë, kam dëshirë…Jo, u shpreha keq, nuk është vetëm dëshirë. Do të thosha, kjo është nevoja ime për t’u kthyer aty, për t’u bashkuar me rrënjët e mia. Vetëm kështu do të mund të jem i plotë. Disa më thonë se jam i çmendur!
A është çmenduri dëshira njerëzore për të shkuar në vendin e përrallave të gjyshit!?
Bashkëbiseduesi nuk u përpoq t’i përgjigjet. Bënte sikur ishte i zënë me mendimet e veta, ndërsa vështrimi i bridhte nëpër lokalin bosh, sikur donte të kontrollonte nëse mungonte diçka.
Brenda gjithçka ishte në vendin e vet: tavolinat, karriget, sendet e vogla të ndryshme, të cilat ishin varur si zbukurim nëpër mure. Në raftet e rregulluara bukur rreth njëqind shishe të mbushura me pije alkoolike të shumëllojshme i prisnin blerësit. Por ata nuk po vinin të uleshin në karriget e larta pranë banakut, apo përreth ndonjërës prej tavolinave. Me kalimin e viteve vizitorët në lokalin e Kris Paskos bëheshin më të pakët në numër dhe më të rrallë. Kishte ditë kur numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Mes tyre mysafiri më i rregullt dhe më i dëshiruar ishte Stiv Kuzmani. Pronari i lokalit kishte të paktën kujt t’i tregonte rrëfimin e tij të hidhur.
Vizitorët e vjetër e braktisën qytetin: disa ikën në vende të tjera, shumë prej tyre u transferuan në varreza…Të rinjtë nuk janë mësuar me të tilla lokale të kohës së gjyshërve dhe gjysheve të tyre. Këtu duhet të ndryshohen shumë gjëra, duke filluar nga unë… Por unë jam tepër i prapambetur dhe plak për ndryshime të mëdha në jetë. Do ta shes gjithë pronën time dhe do të iki në ndonjë vend më të qetë. Tashmë kam disa oferta të mira. Më duhet vetëm guxim akoma më i madh dhe… Po ti Stiv? A vendose përfundimisht të nisesh për në tokën tënde të të parëve?
Stiv Kuzmani mezi priste që në bisedë të konsumuohej tema e tij e preferuar.
E sheh? – tha ai dhe nga xhepi i brendshëm i palltos nxori një copë letër. – Kjo do të më rikthejë në tokën e vjetër.
Sytë e Kris Paskos u njomën, dukej gati për të qarë.
Stiv, vërtet të kam zili. Jo për shkak të shpirtligësisë ose ndonjë ndjenje tjetër, por sidoqoftë zili është.
Kthimi në vendin e vjetër duhet të përbëjë një kënaqësi të veçantë e mjaft të bukur… E parandjej!
Toka e përrallave të gjyshit është vendi më i bukur në botë – tha Stivi nxitimthi.
Në lokalin e Kris Paskos mbretëroi një heshtje e pakëndshme. I gjithë ambjenti dhe të gjitha sendet në të, sikur prisnin mundimshëm ndonjë ngjarje. Brenda nuk ndodhte asgjë. Këtu ishin vetëm dy pleqtë, miq prej kohësh, që nuk kishin çfarë të thoshin tjetër.
I zoti ndjeu për detyrë ta thyejë heshtjen dhe kështu ta largojë mërzitjen. Duke mos ditur si ta bëjë këtë, u kap pas zgjidhjes së provuar prej kohësh.
A të kujtohet kur për herë të parë vendose për të bërë një hap të tillë?
Stivi e pranoi ftesën. Vazhdoi me rrëfimin e tij, tani shumë më ngadalë e me zë më të qetë.
Kur të kthesh kokën mbrapa dhe të vështrosh në të kaluarën, nuk mund të besosh se sa shpejt fluturon koha. Ndërsa para pesëdhjetë vjetësh nuk përfytyroja dot sesi do të kalonte aq shumë kohë dhe nëse do të duroja deri në fund. Mendoj që është shumë e rëndësishme, se në cilën anë të gjysmës së shekullit do të gjëndesh. Në fillim mezi pret që të kalojë sa më shpejt koha, kurse në fund trishtohesh për atë që kaloi, për të mos u kthyer më. Veçanërisht kur mendon se nuk ke për të patur edhe një tjetër mundësi të tillë, që të jetosh edhe gjysmë shekulli. Kjo është më e trishtueshmja!
Çfarë ndodhi atëherë para pesëdhjetë vitesh? Asnjëherë nuk më ke rrëfyer për këtë.
Kjo tashmë nuk ishte e vërtetë. Kris Pasko prej vitesh i dëgjonte të njëjtat rrëfime dhe aq mirë i kishte mësuar që në çdo hapje të gojës të Stiv Kuzmanit mund të parashikonte se kur dhe çfarë do të thoshte ai. Megjithatë ia kishte ënda ta dëgjonte dhe asnjëherë nuk e shfaqte mërzitjen. Edhe Stivit i pëlqente të përsëriste të njëjtat rrëfime të vetat. Të dy kënaqeshin me to me të njëjtën ëndje.
Pas varrimit të gjyshit tim u ngjita në tavanin e shtëpisë së tij të vjetër. Aty gjeta një valixhe të vjetër druri, e gjitha e mbuluar me pluhur. E goditur nga përplasjet e shumta nëpër rrugë, me shumë gërvishtje dhe vrima të vogla të panumërta, më dukej shumë e konsumuar dhe mendoja që mund të shkërmoqej edhe me prekjen më të lehtë. U gënjeva! Valixhja vazhdoi të mbijetojë edhe shumë vjet më tej dhe ta shtypë ndërgjegjen time. I re në të!? Po kjo ishte valixhja e drunjtë me të cilën im gjysh kishte ardhur në Amerikë shumë vjet para lindjes sime. Në të kishte sjellë gjithë pasurinë e tij. Prandaj ai kishte një përshkrim të bukur. Dinte të ishte një njeri shumë i çiltër, donte që punëve t’u vinte emrin e tyre të vërtetë. Gjithnjë përsëriste të njëjtën frazë: në valixhen e vjetër nga Maqedonia sollëm vetëm varfërinë tonë dhe morrat. Unë do të shtoja : në valixhe ishin mbyllur malli për vendin e lindjes dhe kujtimet e vrara nga vuajtjet e gjithë…..fisit tonë.
Përsëri filloi heshtja, por për pak kohë. I pushtuar nga ndjenjat, Stiv Kuzman nuk hiqte dorë lehtë nga rrëfimi i tij.
A e di çfarë zbulova në valixhen e drunjtë të gjyshit tim?
Krisi kishte frikë se mos nga forca e ndjenjave të tij do të tregonte ndonjë gjë të panevojshme ose …ofenduese. Heshtja e tij i dha shtysë Stivit të vazhdonte me kujtimet e veta.
Valixhja ishte plot me letra, shumica të zverdhura nga vjetërsia, të shkruara në një gjuhë dhe me shkronja…krejtësisht të panjohura për mua! Me vdekjen e gjyshit tim mbaroi dhe korrespodenca. E marr me mend, letrat nuk vinin, sepse nuk kishte kush t’u përgjigjej. Im at nuk mundi ta ruajë gjuhën e gjyshit dhe të ma transmetojë mua. Me këtë u ndërpre lidhja me vendin e të parëve dhe unë isha i shkëputur nga rrënjët e mia. A mund ta mendosh si ndjehesha gjithë këtë kohë?
Mijëra njerëz nga njëra anë te ana tjetër e qytetit e njihnin tregimin e trishtueshëm të Stiv Kuzmanit dhe të gjithë e ndjenin thellë atë. Kris Pasko nuk përfaqësonte asnjë përjashtim. Prandaj ai tani nuk e mbajti barrën e heshtjes së tij dhe fjalët i dolën vetë:
Pesëdhjetë vjet jeton me mall që të marrësh vesh çfarë fshihet pas shkronjave të panjohura, cilët janë njerëzit që i dërgonin letrat, çfarë ndodhi me pasardhësit e tyre. Jo më pak, të vjen të bësh një shëtitje nëpër rrugicat nëpër të cilat dikur ecte gjyshi yt, ke etje për shijen e ujit të burimeve të kristalta të vendlindjes të gjyshit që e njeh vetëm nga rrëfimet. Dëshiron aq shumë gjëra që gjithnjë mund të përmblidhen vetëm më një emër: kthim në shtëpi.
Stiv Kuzman nuk pipëtiu. E ngjeshi shapkën e thurrur në kokë dhe e shtrëngoi, duke e tërhequr poshtë mbi veshë. Jashtë hasi një pamje krejtësisht ndryshe nga ajo në lokalin e Kris Paskos. Rruga vazhdonte të ishte plot me njerëz që nxitonin në drejtime të ndryshme, duke i shkelur ndërkohë fjollat që binin para këmbëve të tyre. Iu duk e çuditshme që asnjëri nga gjithë ata njerëz nuk u kujtua të hyjë në lokalin e mikut të tij. Brenda ishte aq ngrohtë dhe këndshëm.
Kris Paskoja vazhdoi të rrinte krejtësisht i vetëm, duke pritur vizitorë të rinj. Ishte i përhumbur në ndonjë mendim të thellë dhe për momentin ndihej mirë i vetëm. Pastaj vështrimin e hodhi te pjesa e tavolinës, ku deri para pak rrinte miku i tij. Filloi të qeshë me gjithë zërin e tij, por në një të qeshur të tillë nuk kishte asnjë pikë gëzimi.Ajo më shumë ngjiste me të qarët, sepse nga gryka i buronin vetëm trishtim dhe dhimbje.
Kris Paskoja e mori biletën e avionit nga tavolina dhe shkoi ta vendosë në sirtar pas banakut, në të cilin, me vite mblidhte sendet që harronin mysafirët. Aty kishte çakmakë, çibukë, libra dhe vogëlima të tjera të ndryshme të cilat pronarët asnjëherë nuk u kujtuan t’i kërkojnë.Në një qoshe, njëra mbi tjetrën dhe me vemendjen më të madhe, ishin rradhitur nja dhjetë bileta avioni. U përkitnin viteve të ndryshme dhe të gjitha ishin lëshuar në emrin e Stiv Kuzmanit.
Kalonin orët, ndërsa në bar sikur nuk dëshironte të hynte asnjë njeri tjetër. Kris Paskoja gjithë natën e kaloi krejtësisht i vetëm, duke e dëgjuar radion. Programi ishte i mbushur me disa këngë të trishtueshme, ndërsa, kohë pas kohe, tregonin ç’të reja ndodhnin në botë. Si edhe çdo herë tjetër në lajme flitej për të gjitha fatkeqësitë e mundshme të njerëzve. Më shumë e trishtoi lajmi i fundit: në një rrugë të ngushtë në anën tjetër të qytetit ishte gjetur një kufomë e një plaku të panjohur. Kishte ngrirë në rrugë, ndërsa po shkonte në shtëpinë e vet.

Përktheu nga origjinali: Foto Nikolla
P.s
Autori, Misho Juzmeski, është mjaft i njohur në rrethet letrare të Maqedonise, pasi jo vetëm shkruan, por ai ia ka dedikuar punën e tij Kulturës 365 ditë, këtë motivacion kanë synimet e tij afatgjata në një zyrë turistike në qendrën historike të qytetit të Ohrit, që është nën kujdesin e Unesko-s, duke treguar edhe një herë se ky sektor i trashëgimisë së një populli, është pasaporta më e mirë për ta bërë të njohur në Ballkan e në Europë, për ta njohur njëri-tjetrin, meqë historia na ka vënë pranë me kufij.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Misho Juzmeski, TË ËNDËRROSH ME SY HAPUR, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • …
  • 134
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale
  • We invite you to join us for the 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • U festua Nata e Kadrit te Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan në Waterbury
  • “VATRA”, “ONUFRI” DHE QENDRA KULTURORE “NËNË TEREZA” PROMOVUAN ROMANIN “BRENGA” TË AUTORIT DR.PASHKO CAMAJ
  • Komunikatë Zyrtare nga Oborri Mbretëror Shqiptar
  • ÚJ IFJÚSÁG (1968) / “PËR TË ARDHMEN DËSHIROJ VETËM NJË GJË : PAQE DHE QETËSI.” — INTERVISTA ME MBRETËRESHËN GERALDINË NË MADRID
  • Sot, 35 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve me SHBA
  • Kujtojmë në ditën e lindjes Faik Konicën, një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare
  • Lamtumirë Jürgen Habermas, një prej ndërgjegjeve më të mëdha të Evropës moderne

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT