• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëri-Kosovë, 10 vjet nga mbledhja historike e parë e përbashkët e dy qeverive

January 11, 2024 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 11 Janar 2024/ Para 10 viteve, në 11 Janar 2014,  në Prizren është mbajtur mbledhja historike e parë e përbashkët e qeverive të Shqipërisë e Kosovës.

Pas mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në një ceremoni të organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare në Prizren, u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive.

Në mbledhjen historike, të hapur me fjalimin e Kryeministrit (të atëhershëm) të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, janë shqyrtuar:

1.      Dokumenti për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë;

2.      Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në Lehtësimin e Tregtisë;

3.      Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në fushat e Transportit dhe Infrastrukturës;

4.      Propozimi për Bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore të Maternitetit të Preshevës;

5.      Propozimi për përfaqësimin e përbashkët konsullor midis Republikës se Kosovës dhe Republikës se Shqipërisë;

6.      Marrëveshja për Bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë;

7.      Marrëveshja për Bashkëpunim në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të energjisë;

8.      Themelimi i iniciativës për Fondin Zhvillimor për Luginën e Preshevës;

9.      Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe aktivitetet për ndërtimin e kalendarit të përbashkët kulturor;

10.  Propozimi për bashkëfinancimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit DOKUFEST në Prizren;

11.  Propozimi për heqjen e taksës së TVSH-së apo taksës tjetër doganore për importin e librit nga Shqipëria;

12.  Dorëzimi i legjislacionit të BE-së të përkthyer në gjuhën shqipe nga Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Shqipërisë te Ministria e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës;

13.  Themelimi i Komisionit të Përbashkët Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së, si dhe bashkëpunimin në sferën e përafrimit të legjislacionit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës.

Mbledhja e ardhëshme e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës do të jetë e nënta.

Para mbledhjes së tetë të përbashkët – të 20 Qershorit 2002, në Prishtinë,  Qeveritë e Shqipërisë e Kosovës kanë mbajtur mbledhjen e shtatë të përbashkët në Elbasan në 26 Nëntor 2021, pas të gjashtës në Tiranë në 2 Tetor 2020.

Më parë, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë në 26 Nëntor 2018 në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 Janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 Mars 2015 , të tretës në 3 Qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës të zhvilluar në 27 Nëntor 2017 në Korçë.

NË 10 JANAR 2014 – NJË DITË PARA MBLEDHJES SË PËRBASHKËT TË QEVERIVE SHQIPËRI-KOSOVË ATSH SHKRUANTE:

Udhëtimi për në Prizren….

PRISHTINË, 10 Janar /ATSH-Behlul Jashari/.- “Udhëtimi për në Prizren”, ishte reportazhi që kam shkruar në fundvitin 1996, në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt “Mollës së Kuqe”, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, shkoi edhe në qytetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ndodhte diç e ngjashme me takimin e parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në 11 janar 2014 pikërisht në Prizren.

Ai reportazh është  botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, në 31 dhjetor 1996, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.

Në të dy anët e kufirit që i ndante shqiptarët që edhe e kishin të ndaluar ta kalojnë, madje edhe t’i afrohen, janë botuar edhe shkrimet tjera në këtë “udhëtim”  titujve nëpër vite e nëpër kohë.

Ishte koha kur mes Kosovës dhe Shqipërisë ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si titullohej shkrimi  që u botua në 19 mars 1996.

“Sa afër e sa larg Shqipëria” thoshte titulli i shkrimit të asaj kohe, botuar në 11 gusht 1996.

“Në robëri pritet veç festa e lirisë”, ishin raportimet e ATSH nga Kosova të asaj kohe, që nga maji 1992 nga korrespondenti në Prishtinë, në fundivitet e para 1999-ës, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave e gjenocidit kundër shqiptarëve.

Ishte koha e pragluftës dhe e luftës, e sulmeve me “Bomba edhe mbi fëmijët shqiptarë”, që  i raportoja me këtë titull në shkrimin e botuar në 5 maj 1996.

Por, ishte edhe kohë me “Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet” (titull shkrimi i botuar në 5 janar 1997), sepse u bë “Kosova preokupim i vazhdueshëm ndërkombëtar” siç thoja në titullin e shkrimit të botuar që në 6 korrik 1996.

Ishte “Vija amerikane në Kosovë mbrojtëse e interesave në rajon” që e raportoja me këtë titull në shkrimin e botuar në 8 korrik 1995.

“SHBA-të udhëheqëse e ndërmjetësuese në çështjen e Kosovës”, ishte titull shkrimi botuar në 10 gusht 1996.

“Lajmi i ardhmërisë: Kosova e lirë” ishte titulli i shkrimit botuar në 12 shkurt, 1998, pikërisht  1 vit e 4 muaj para 12 qershorit 1999, kur herët në mëngjes nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin nga ana e Maqedonisë në orën 05 e 17 minuta (të nesërmen nga ana e Shqipërisë) raportoja për ATSH-në se “në Kosovë po ndodhë liria”.

Në vendin e lirë, që shpalli edhe pavarësinë në 17 shkurtin historik 2008,  një prej shumë shkrimeve ka titullin “Kosova e komuniteteve të barabarta”  botuar në 20 maj 2001.

“Kosova e pavarur – e drejtë dhe kompromis i shqiptarëve”, ishte qëndrimi i përsëritur shumë e shumë herë nëpër vite, para, gjatë e pas lufte, dhe ky ishte dhe titulli i shkrimit  botuar në 2 korrik 1997.

Ishin vite udhëtimi edhe drejt ditës së 11 janarit 2014 për në Prizren. “Ecim kah një mrekulli”, ëshë titulli i librit që kam botuar në 1973 te Rilindja në Prishtinë për mrekullinë e lirisë së Kosovës që e ëndërronim. E ajo ishte “E teta mrekulli” sipas titullit të vjershës, të cilën e hoqi censura nga libri…Megjithate, titulli i librit i dalë nga ajo vjershë mbeti në ballinë, dhe gjejë edhe sot në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, ku janë edhe titujt e shkrimeve gazetareske që përmenda dhe të tjerë.

Si edhe Shqipëria, edhe Kosova e lirë dhe e pavrur  është mrekullia, arritja historike e shqiptarëve në “udhëtim për në Prizren”, ku në ditën hitorike të 11 janarit 2014 qeveritë e dy shteteve në mbledhjen e përbashkët do të bisedojnë edhe për avancimin e axhendave integruese të dy vendeve edhe në udhëtimin për në Bruksel, drejt Bashkimit Evropian./a.g/

Filed Under: Politike

RREZE NGA DRITA E KOLOSIT MARTIN CAMAJ

January 11, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

 

“DJELLA” DHE NJË PËRKITJE DUKURISH NDËR BREZA

(Vepra I, Onufri 2010)

Në fillim të viteve ’70 dëgjova për herë të parë për shkrimtarin Martin Camaj, në fillim të viteve ’90, kur dyert u hapën për të mohuarit, ai mbylli sytë pa arritur të ngjitej fizikisht në skenën shqiptare. U deshën të kalonin edhe 30 vite që të merrja për herë të parë në dorë një nga veprat e tij, romanin “Djella”. Parandjenja e parë ishte një përballje jo e lehtë me gegërishten, por isha gabuar, prisja të hyja në disa mjedise epike të gurta e të heshtura, por gjeta një mjedis lirik me karaktere që më befasuan me mprehtësinë e tyre, kisha planifikuar një lexim që mund të shkonte një javë, por e  lexova brenda një gjysmë dite. Romani më krijoi imazhin e një dashurie të parë që e dhe pas 65 vitesh flet me gjuhën e së sotmes, një pleksje e rrëfimit me meditimin, e prozës me poezinë. Mësuesi Bardh Qerreti dhe fshati Ndërsanë, sjellin një prerje disamujore të jetës shqiptare e cila mëton të mbajë gjallë burrninë kur ka aq shumë sëmundje dhe varfëri sa që mësuesi vetëm mund të bëjë udhëtarin dhe jo misionarin, kur e vetmja gjë pozitive është këmbëngulja e fshatarit për të ruajtur tokën nga tjetërsimi. Gjithsesi Camaj bën një vlerësim mbresëlënës: “Një kandil bishtuk ndezë në fushën e errët, natën, bân mâ dritë se një hyll i largët. Kandili me dritë të vogël qenka mësuesi.” (f.31). Poetikisht kjo është sjellë kështu: “Mësues n’katund â punë e dlirë e naltë me gdhendun njerëz për dit të mdha.” (f.47) Kurse në mendësinë popullore ka një deformim që ka filluar të ngrejë krye edhe sot në një prizëm të ri. Ja ç’i thotë Curri mësuesit: “Ju të shkolluemit kujtoni se na të pashkollët aq sa dimë flasim.” Dhe më tej reflektimi i Bardhit: “Simbas tij ai, jo unë, në trutë të veta ruente edhe dijen e të parëve. Kurse na tue lexue sende tjera, i kishim harr.” (f.77)

Bardhi vendos tre lidhje të ndryshme: me Shpresën, Djellën dhe Sosen, një trinom me natyra të ndryshme: Me Shpresën – një fejesë pa dashuri që përfundon me divorc; me Djellën një dashuri pa propozim, maturia intelektuale e lë në baltë dhe Djellën që ndriçon Ndërsanën, e merr malësori Curri që është më i shpejtë e këmbëngulës; me Sosen është një marrëdhënie seksuale pa ndjenjë, prandaj dhe jetëshkurtër.

Mjedisi legjendar mund të bëjë të mendosh se këtu kanë ndaluar akrepat e kohës, por bisedat e shkurtra të mësuesit me Djellën dhe Currin dhe takimi i tij me plakun e urtë te Kodra e Hardhisë zbulojnë karaktere të fortë e të mençur që hedhin dritë mbi identitetin e malësorit dhe qëndresën përballë joshjes për braktisjen e trojeve. “Një pjesë të tokave e kam mbas kësaj maje. Shkoj e vij dy herë në ditë këndej pari…Kështu e ndiej veten, i lidhun për pronat e mia. Nëse dikush vjen e ma merr këtë tokë një ditë. Do t’i grryej të dy sytë me këta thoj.” (f.93-94) I skalitur bukur në galerinë e portreteve është ai i bariut. (f.122)

Lëvizja nga fshati në qytet dhe nga mali në fushë është një lëvizje demografike që u përsërit në këto vite të tranzicionit politik dhe ekonomik. Kalimthi ceket edhe lëvizja përtej kufijve kombëtarë: “Në anën tjetër të malit njeriu e ndjen veten të huej dhe e shijon vetminë si askush në këtë botë; vetmia bâhet shoqe e jetës dhe kështu atje mbas malit jetohet mâ mirë. I hueji mundet me folë gjithditën me vetvete e askush s’e pyet se çka e pse ai flet në një gjuhë të huej, dmth në gjuhën e vet amtare.” (f.71)

Hendeku i brezave zbulohet qartë e trishtueshëm te biseda atë e bir. Babai kërkon t’i qëndrojë strikt traditës: “Unë kam vjetët, ti ke shkollën, ti për mue je im bir, unë për ty malok.” (f.51) Biri që jetën e ndan mes fshatit dhe qytetit: “Çdo send që lëviz këtu mbrendë duhet të marrë frymë si ju, në të njëjtin ritëm, por i vetmi pinjuell që ju lindi e u rrnoi, dalë ngadalë tue u rritë, prej djalit u shndërrue në dashamirë, prej dashamirit në një të njoftun të largët dhe, për mos me u bâ anmik, tash del e tret dikah.” (f.52)

Ndryshe nga sa mund të pritej, Djella është një hap më parë nga vajzat malësore përderisa shkon lirshëm për të mbushur ujë dhe mund t’u përgjigjet meshkujve të panjohur. Madje ajo bën një deklaratë të fortë: “Edhe unë kam një korp, s’jam vorbë me zie groshën në të.” (f.107) 

Interesant është vlerësimi i padyshimtë i Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe analiza  e gjakmarrjes në vështrimin e Currit: zanka fill për ngatrresa grash, fjala që u lëshueke goje pa mendue, mirëqenia ekonomike i tërbueke njerëzit. (f.75) Brenda kësaj kornize përfshihet edhe mendësia shqiptare për armët që sillet nëpërmjet plakut Shin: “Mo’ Zo’ se çka na ka gjetë! Kur i bishim malit me to në krah e ngjeshë për bel, edhe toka u dridhte nën kambët tona, veshë në xhamadana ari e tirq të lehtë, bardhë si endja e kumbullës. Sall nuk fluturoshim se gjâ pa bâ nuk lëshim, more burrë!” (f.114) Vitet e tranzicionit kanë “rivendosur” këtë dinjitet të humbur për gjysmë shekulli.

Romani merr një nuancë policore kur sjell interpretime të ndryshme për vdekjen e Currit duke u përdorur si mjet për të përmbyllur subjektin, kurse rolin e epilogut e merr një bisedë mes Bardh Qerretit dhe kolegut në hije, Blerim Bushli.

NJË UDHËTIM PANORAMIK NË LEGJENDAT E VEPRËS POETIKE

(Vepra 2, Onufri 2010)

Është rast fatlum që të hysh në botën e legjendave të Camajt kur jashtë bardhon bora dhe kuqëlojnë flamujt që risjellin ndjesinë e kurorëzimit të pavarësisë një shekull e një dekadê më parë. Udhëtimeve të mia u kanë munguar ngjitjet në bjeshkët e Veriut dhe shkelja poetikisht ndër to është sa joshëse në vështrim panoramik aq dhe lehtësuese në kursimin e sforcimeve fizike. Tre muaj më parë kundrova një copëz Drini nga lartësitë e kalasë së Rozafës, kryelumi ynë që mbledh rreth vetes njerëz e ndodhi, ai që shpërndan madhështinë e vet me zemërgjerësi në të dy anët e shtratit të vet. 

Camaj në rininë e vet ka qenë udhëtar dhe misionar në ato vise. “Erdhacaku vetëm/ndezi zjarmin e u ndry mbrendë/mori letër e pendë/e shkroi kangën e parë.” (Ai që i bie fyellit në hanë, f.160)

Kemi përjetuar shkarkime të frikshme të ujërave në kaskadën e Drinit dhe kjo i bën më të prekshme legjendat: “Dri, pse m’i more shpitë e bâme n’ranë?” (Grue e pjekun, f.158) “Lokja n’gurgllimet e tingujve/të valëve drinore ndien fjalët e gjakut të vjetër/të marrun prej urave druni.” (E bija e grues apo urat mbi Dri, f.159)

Malet hijerëndë ndajnë pushtetin me lumin dhe një paralelizëm i gjatë mes botës së kafshëve dhe shoqërisë njerëzore sjell ashpërsinë e natyrës dhe erën e gjakut. “Rrinë dy korba mbi pyrg:/ nji këqyr Drinin e tjetri malin./…Për nën korba dy bij kryezotash.” Shpendi i dytë e vrau të parin. Kryezoti i dytë “N’vend të thojve kish kthetra në duer/ e me to i nxori frymën/vëllaut t’ vet në gjumë./…mandej ktheu e ndenji n’shkamb/qyqe vetëm nji shekull.” (Dy korba, f.164)

Një nga shkaqet e vëllavrasjes ilustrohet me katundin Djepëz ku dy vëllezër “ndashin ujin ndër dy vija/secili për arë të vet”. Ara e vëllait të vogël  po digjej nga vapa sepse ndarja e vadës nuk ishte e drejtë. Një detaj i zgjedhur për sasinë e ujit që merrte secili: Pepa, vëllai i madh, këput katër fije bari dhe i lëshon në ujë; tri fije kalojnë nga vija e Vocit – vëllait të vogël. Voci lëshon dy fije dushku dhe të dyja i shkojnë atij. Sakaq fillon grindja. Voci rrëmben shpatën e varur te lisi, kurse Pepa rrëmben sëpatën. Pepa  e vret vëllain e vogël dhe ngjitet natën në bjeshkë. “Nesër nade pa ra dielli/npër shkambije deri n’lum/lypshin korbat diçka/t’humbun n’terr, natën. (Vada, f.177)

Vëllavrasja është vetëm një kthinë në domenin e madh të gjakmarrjes. Në njërën prej legjendave Lum Brimzi i kërkon gruas të ndezë zjarrin se po vjen një mik. E njeh të huajin që vjen “prej dhenash fort larg” se është lypës gjaku dhe i tregon për vetmitarin te shpella. Të nesërmen “tue ra dielli mbi borë/…/flakroi shpata/e krisma e saj ushtoi deri poshtë.” (Vrasja e vetmitarit, f.175)

Bjeshkët kthehen në skenë për të takuar legjendën me historinë nëpërmjet figurës së heroit tonë kombëtar dhe për të mos e humbur tiparet e veta, e paraqet vetëm hijen e tij. “Atbotë Skanderbegu u zhduk mbas malit,/por andej lumit hija i eci mbi lisa me qindra vjet/për rrugë tue shkue për Kru.” (Hija e Gjergj Kastriotit, f.172)

Epizmi i atyre anëve të befason me lirizmin që sjell këqyrja dhe joshja e femrës dhe sakrifica që duhet bërë për të fituar dashurinëe saj: 

Elementë të hershëm të legjendës ndeshim aty ku marrëdhëniet i kapërcejnë kufijtë njerëzorë si tek rasti i gjarprit që donte “tambël për me nxjerrë/në gjijt e Ledjes vashë/deri sa helmi idhshëm/i kulloi npër dhambë/si nji fjalë mallkimi/e iu ngri gjaku Ledjes. (Ledja, f.190)

Një joshje vështirësisht e përballueshme për poetin janë gjijtë e femrave, kroje ujëbardhë e jetëdhënës. “Mbramë te votra me prush prej bungut/kam ndiemun erën e gjijve të plotë/e nuk dij pse thëngjill u bana të digjem.” (Burri e lumi, f.156) “Burri i huej, ai hyni në mkat/e ngrohu shpirt e korp/n’gryckat e teshave t’mija.” (Mjellma e nusja, f.157)

Përmasat e legjendës rriten kur shohim trimin hipur në kalë “në tesha të bardha zadrimore” dhe përgjigja që i jep plakës: “Jam dashnue në nji femën/që i ka syt si krah korbi nën diell.” Kalorsi i kërkon gjogut t’i ngjitet shkëmbit thikë për të shkuar te shtëpia ku ishte gruaja “guri i paçmueshëm në qelq.” Në mëngjes dëgjohet vajtimi i plakës për kalorsin që ishte rrëzuar në Drin së bashku me gjogun. (Kalorsi, f.181)

Tragjike është edhe dashuria e Vonit me Herën. E rrëmbeu djali vashën, po “pas mesnate ra shi/e shkrepi vetima në lis/e vranë zotat Vonin.” Po befasia i kalon të gjitha pritshmëritë sepse në vend të vajtimit “Në mëngjes herët/Mbi gur vetëm, vetëm/Hera po terte flokët/edhe lidhte gërshetat/ma e bukur se kurr.” (Dita e pranveravet, f.185)

Një flirt i ndodh edhe Skënderbeut. “Grueja i pruni Gjergjit/venë të kuqe e ‘i rrotull djathë,/fier t’njomë e gjij të bardhë.” (Grueja e Skanderbegu, f.173)

Rrjedhë ndryshe ka legjenda e rrëmbimit që ka në pikënisje burrin  shpërfillës ndaj gruas Lule. Ai punon gjithë ditën larg dhe vetëm muzgu e sjell në shtëpi. Në mungesë të tij, te Lulja shkon një çakall që ha dhe pi si njeri. Kur Lulja i kërkon të shoqit të ngjitet në bjeshkë për të parë lulet e borës dhe ai i përgjigjet se dera e shtëpisë duhej të rrijë hapur gjithë ditën, çakalli e merr Lulen dhe zhduken. (Lulja e borës, f.218)

Camaj risjell në vargje edhe legjenda të njohura të animizimit si ajo e liqenit të Prespës ku burri kthehet në peshk të argjendtë, kurse nusja në mjellmë, varianti i kthimit të motrës në qokth nga hidhërimi për vëllain e humbur, legjenda e Gjerit të Vogël që del të sfidojë sqapin, por Ora e kthen në bjeshkë, Syka që merr mësime nga qyqja dhe kthehet në vajtojcë.

Filed Under: Politike

Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit

January 10, 2024 by s p

Albin Kurti*/

…Serbia nuk është rrezik siç shihet e dihet vetëm për qytetarët tanë, sigurinë tonë, stabilitetin rajonal në Ballkan. Ajo së fundmi ka dëshmuar se paraqet rrezik edhe për qytetarët e saj, sidomos ndaj atyre që kanë guximin të pranojnë se përmes kërkim faljes për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, ndërtojnë bazë të zhvillimit të marrëdhënieve të mira paqësore e të pajtimit. Kështu është rasti me liderin opozitar serb, Nikolla Sandulloviq, Kryetar i Partisë Republikane atje, për të cilin krahas torturave fizike ndaj tij, shteti serb zgjedh të ngritë aktakuzë për nxitje të urrejtjes kombëtare, sepse ai u përkul para varrit të 7-vjeçares Blerina Jashari, e vrarë nga forcat serbe në Prekaz, në marsin e vitit 1998.

Trajtimi i Nikolla Sandulloviq nga Agjencioni i Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë flet për mendësinë të cilën fqinji ynë e kultivon brenda vetes. Mënyrat, sjelljet dhe veprimet anti-demokratike pasqyrojnë realitetin e hidhur atje, vendin ku nuk njihet fjala e lirë, nuk vlejnë konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, e ku me frikë dhe dhunë tentohet të mposhtet opozitarizmi dhe çdo zë që i kundërvihet pushtetit autokratik të Aleksandër Vuçiqit. Serbia është vendi ku Millan Radojçiq, përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë, në vend se të përgjigjet para autoriteteve të rendit, merr pjesë në rrahjen brutale të Nikolla Sandulloviq.

E përcjellë në dritën e shkeljeve të të drejtave të njeriut e çdo zëri opozitar e paqësor, Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit nga frikësimi e deri te torturimi çnjerëzor i kundërshtarëve politikë, në drejtim të kundërt me obligimet në kuadër të Marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, ata gjithnjë e më larg vlerave të Bashkimit Evropian dhe të integrimit evropian e euroatlantik, të cilin edhe në teori e pretendojnë gjithnjë e më pak…

*pjesë nga adresimi i Kryeministrit Albin Kurti në mbledhjen e 182-të të Qeverisë së Kosovës.

Filed Under: Politike

GËZUAR DITËLINDJEN e 25 -të RADIO “KOSOVË E LIRË”!

January 8, 2024 by s p

Shkruan: Dr.Vaxhid Sejdiu/

Më 4 janar 2024, para një çerek shekulli filloi emetimin e programit të saj Radio “Kosova e Lirë” si dhe filloi shpërndarja e lajmeve nga Agjencia Kosovapress

“Shtëpia” e parë e Radios “Kosova e Lirë”, 4 janar 1999, në malet e Berishës, nga e cila u dha “kushtrimi” për Lirinë e Kosovës

Sot, njëzetepesë vjet më parë zëri i dashurisë për atdheun, zëri për liri jehoi maleve të Kosovës duke u dhënë zemër trimave të lirisë në fushëbetejë, aty ku zhvillohej lufta për jetë a vdekje. Dhe plot njëzetepesë vjet atdhetarët i shoqëroi në sfidat e kohës zëri i lavdisë dhe krenarisë shqiptare “Ju flet radio Kosova e Lirë!”, Ju flet Radio Kosova e lirë!” sepse zërat që jehojnë njëherë për Atdheun dhe për Lirinë nuk shuhen kurrë. Edhe nganjëherë kur vështirësitë na ndalin frymën, zëri jehon në mendjen e shqiptarëve, sepse ata që shkruan historinë më të re kombëtare nuk e shkruan për një ditë apo për një muaj, por e shkruan përgjithmonë.

Luftëtarët e lirisë në të katër anët e Kosovës ngrohnin shpirtin me zërin e Radios “Kosova e Lirë”, e cila gjatë gjithë jetëgjatësisë së saj janar – qershor 1999 u bë zë i fortë i luftës çlirimtare në Kosovë dhe jo vetëm, në bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha trojet shqiptare në rrugëtimin historik në luftën e drejtë të popullit shqiptar.

Dhe sot Radio “Kosova e Lirë” është zëri më i dashur, më i pastër, më frymëzues për të gjithë ata, të cilët atdheun dhe lirinë e kanë rend të parë. Një staf simbolik, tepër profesional dhe i përkushtuar fillimisht Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nysret Pllana, pastaj Valdet Hoti, Shaqir Zeneli, Fatmir Dugolli, Ismet Sopi, Rizah Berisha si dhe reporterët nga shtatë zonat operative të UÇK-së, nën drejtimin e prof. Ahmet Qeriqit i bënë ballë stuhisë së egër dhe sulmeve brutale të pushtuesit duke dëshmuar se zërin e lirisë nuk ka artileri që mund ta ndalë.

Shqiptarët në vazhdimësi ashtu siç janë mirënjohës për sakrificën e luftëtarëve të lirisë kanë qenë dhe janë mirënjohës edhe për sakrificën e stafit të radios, jo vetëm gjatë luftës por edhe pas saj.

Sot është pra 25 – vjetori i Radios “Kosova e Lirë”, kësaj radioje që u bë zë shpirti i gjithë atyre që ëndërronin dhe vepronin për lirinë e Kosovës, duke mbijetuar jo vetëm përballë armikut të egër shekullor por edhe përballë zërave mohues.

Në arkivin e Radio “Kosova e Lirë” do të shkruhet me shkronja të arta emri i prof. Ahmet Qeriqit, që deri më sot nuk u dorëzua, por punoi me gjithë familjen me qëllim që zëri dhe emri i radios “Kosova e Lirë” të mbetet gjallë në mesin e shqiptarëve.

Gjatë luftës kemi ëndërruar dhe besuar se pas përfundimit të saj radio “Kosova e Lirë” do të shndërrohet në një radio kombëtare, por për fat të keq lufta e padrejtë në tregun mediatik, lufta e pistë për klikime në forma të ndryshme, qoftë edhe në forma amorale la shumë media të vlefshme për të ardhmen e dëgjuesit dhe shikuesit shqiptarë jashtë loje.

Por, radio “Kosova e Lirë” që njëzet e pesë vjet punon dhe vepron në frymën e edukimit kombëtar, të një informimi të drejtë dhe të pavarur dhe në vazhdimësi në prizmin e një realiteti historik dhe kombëtar të popullit shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Ajo mbeti po ajo shtëpia e vogël ku atdhetarët shpërndajnë lajmet në shërbim të së drejtës njerëzore kombëtare, duke mbetur model i lajmeve serioze, i emisioneve edukative dhe programeve kombëtare për të cilat në kohën e sotme apo në rrëmujën e sotme mediatike kemi shumë nevojë. Shumë media në gjuhën shqipe lënë shumë për të dëshiruar sa i përket gjuhës, pastërtisë së saj dhe programeve të dobëta televizive. Pra radio “Kosova e Lirë” dhe Televizioni “Dielli” janë një rreze drite në horizontin “tepër të pasur” të televizioneve private në gjuhën shqipe dhe në të ardhmen kanë nevojë për të gjithë ne.

Dhe lajmi më i mirë sot është se edhe më tutje kjo shtëpi e vogël mediatike lëshon rreze për të gjithë shqiptarët njësoj ku jetojnë dhe veprojnë sepse vetëm në këtë mënyrë përhapet e vërteta dhe prezantohet gjeografia dhe historia reale shqiptare.

Filed Under: Politike

Legalistët e Amerikës përkujtuan gjeneral Abas Kupin në 48 vjetorin e ndarjes nga jeta

January 6, 2024 by s p

Sokol Paja/

Legalistët e Amerikës përkujtuan Gjeneral Abas Kupin në 48 vjetorin e ndarjes nga jeta. Partia “Lëvizja e Legalitetit”- dega e SHBA-së, në bashkëpunim me familjen Kupi, miq, media, veprimtarë, patriotë të spikatur në diasporë, organizata e shoqata patriotike në Amerikë, u mblodhën te varri i Gjeneral Abas Kupit, në varrezat Maple Grove Cemetery, në Kew Gardens, Queens New York; për të përkujtuar 48 vjetorin e vdekjes së një prej udhëheqësve më të shquar të nacionalizmit shqiptar dhe veprimtarit të shquar të nacionalizmit shqiptar në mërgatën e Amerikës. Ceremonia përkujtimore filloi me lule e nderime pranë varrit ku prehet në paqen e përjetshme Gjeneral Abas Kupi. Takimin përkujtimor e hapi me fjalimin kryesor nënkryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit z.Lurian Mena i cili ndër të tjera tha: “Abas Kupi gjatë gjithë jetës së tij shpalosi virtytet e trimnisë, besnikërisë dhe mprehtesisë në gjykime dhe vendime. Nën urdhrat e gjigandit shtetformues Mbretit Zog, si komandant i Krujës dhe më pas si major i xhandarmarisë së Durrësit 1932-1939! Do të ishte data 9 prill e cila do t’i zbardhte faqen Shqipnisë në rezistencën ndaj të keqes dhe do të skaliste në përjetësi emrin e Abas Kupit si trim e vizionar” tha ndër të tjera z.Mena.

Kryetari i Legalitetit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës z.Hakik Mena lexoi një fjalim kushtuar jetës dhe veprës, aktivitetit patriotik e atdhetar të Abaz Kupit përgatitur nga av.Ilir Kukaj.

Përshëndetjen e Kryetarit të Legalitetit në Shqipëri z.Shpëtim Axhami, e lexoi për të pranishmit z.Ahmet Hoti, nënkryetar i PLL për Amerikën. Nderim Kupi foli në emër të familjes dhe shpjegoi aspekte të veçanta të veprimtarisë patriotike të Legalitetit në dobi të atdheut e kombit shqiptar. Editori i Diellit përshëndeti në emër të Federatës Vatra e gazetës Dielli duke theksuar se nderimi për Gjeneral Abas Kupin është respekt dhe nderim për historinë tonë kombëtare qëndresën antifashiste e antikomuniste. Editori u shprehu mirënjohjen legalistëve për mbështetjen që i kanë dhënë Vatrës me dekada. Z.Marko Kepi presidenti i “Rrënjëve Shqiptare” shpalosi lidhjen familjare me legalitetin dhe u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të ruajmë e trashëgojmë idealin kombëtar e mbretëror ndër shqiptarë.

Familja Kupi për të gjithë të pranishmit shtroi një drekë përkujtimore në Reef Restaurant & Bar.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • 103
  • …
  • 652
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT