• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Klubi “Flas Shqip” dhe “Vatra Miami” festuan 1 Qershorin

June 2, 2024 by s p

Dr. Iris Halili/

Klubi “Flas Shqip” dhe “Vatra Miami” festuan 1 Qershorin në mënyrë krejt të veçantë pasi kjo festë shënoi dhe ditën e regjistrimit për mësimin e gjuhës shqipe që do të jepet falas pranë Klubit “Flas Shqip” & “Vatra Miami” dhe kjo për të gjithë fëmijët Shqiptaro-Amerikanë të Floridës së Jugut! Deri më tani janë gati për të filluar vitin akademik 2 klasa dhe shpresojmë që simestrin tjetër të mund të bëjmë të mundur fillimin e dy klasave të tjera. Ftojmë Komunitetin e Florides së Jugut, dhe jo vetëm, të bëhet pjesë e këtij misioni sa human dhe patriotik aq edhe shpresëdhënës dhe model i mirë për një të ardhme edhe më të bashkuar mes shqiptarëve në emigracion. Mësimi i gjuhës shqipe fëmijëve tanë duhet të jetë synimi kryesor i çdo emigranti që i thotë vetes shqiptar. Vetëm gjuha na përcakton si komb, ajo ka qenë faktori kryesor që bëri të mundur edhe të mbijetojmë si i tillë, ndaj dhe vetëm gjuha nuk do të na lejoj të shuhemi kurrë! Gjuha na bashkon më shumë se çdo gjë mes njëri -tjetrit dhe të mos harrojmë se të bashkuar jemi më të fuqishëm si lob në emigracion, si komunitet shqiptar kudo ku jetojmë, por mbi të gjitha gjuha mbetet ura kryesore që do të mund të lidh fëmijet e lindur në emigracion me tokën amë dhe vëllezërit e tyre atje!

KLUBI “FLAS SHQIP”

Mirësevini tek Klubi “Flas Shqip”! Ne jemi një organizatë jofitimprurëse e regjistruar në shtetin e Floridës në SHBA më datë 24 Prill 2024. Misioni ynë është: Të mbajmë gjallë gjuhën dhe traditat shqiptare tek komuniteti shqiptar në Floridën e Jugut, por edhe më gjerë. Për këtë qëllim, mirëpresim këdo që dëshiron të bëhet anëtar i klubit tonë, të regjistrojë fëmijët në klasat tona dhe kështu të gjithë së bashku të mos lëmë në harresë gjuhën dhe zakonet e të parëve tanë.

Klubi Flas Shqip merr përsipër t’u mësojë gjuhën shqipe FALAS të gjithë të regjistruarve dhe kjo do të arrihet duke zhvilluar klasa çdo fundjavë.

Vizioni i Klubit Flas Shqip është: Asnjë fëmijë me prejardhje shqiptare që jeton në Floridën e Jugut nuk duhet të mbetet pa mësuar gjuhën e bukur shqipe, gjuhën e të parëve të tyre. Ky është vizioni mbi të cilin është frymëzuar dhe do të veprojë Klubi Flas Shqip.

Ju mirëpresim dhe së bashku le ta ruajmë dhe ta promovojmë gjuhën tonë të bukur!

VATRA MIAMI

“Duam Shqipërinë kur duam më shumë njëri – tjetrin”! Ky është mesazhi që Vatra Miami hodhi në ditën e saj të pare të krijimit në vjeshtën e vitit 2021! Ne në Vatra Miami, duam të vazhdojmë veprën e ilimunistëve Fan Noli dhe Faik Konica të cilët themeluan Federatën Pan Shqiptare Vatra 112 vjet më parë. Amaneti i tyre duhet mbajtur gjallë. Ndonëse të lindur dhe rritur në vendin më të bekuar të botës, fëmijët tanë duhet të mos rreshtin kurrë së dashuri rrënjët e tyre dhe vendin e paraardhësve të tyre. Dhë që ta arrijmë këtë ne duhet ti mëkojmë bijtë tanë me vlerat shqiptare dhe të përpiqemi me çdo forcë të çlirohemi nga antivlerat që na kanë mbajtur peng ndër shekuj. T’u mësojmë fëmijve tanë gjuhën tonë të bukur, atë gjuhë që na mbajti gjallë si komb, t’u mësojmë atyre shqiptarizmën, falë të cilës Shqipëria u mbijetoi shekujve si për të na vërtetuar se kulturat e vendeve të vogla kanë vlerën e diamanteve që sado t’i godasësh asnjëherë nuk thërrmohen!! Ne anagazhohemi të ndjekim dhe respektojmë kanunoren e Vatrës si dhe të lartësojmë jo vetëm emrin tonë si “Vatra Miami” por edhe të Vatrës si institucioni më i vjetër shqiptar ende aktiv jo vetëm në SHBA por kudo ku jetojnë shqiptarët.

Shpresa është te bashkimi dhe te urtësia”, kështu shprehej i fundit i Frashërllinjve , Mid’hat Frashëri. Bashkimin na e ka lënë amanet edhe heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeu. Edhe ne si Vatra Miami kemi si qëllim të sjellim modelin e bashkimit pranë çdo bashkëatdhetari që jeton dhe punon në Miami apo Floridën e Jugut! Ne ju mirëpresim tek Vatra Miami pasi ne mendojmë se vetëm së bashku do të flasim të gjithë në gjuhën e nënës dhe mbajmë gjallë rrënjët që na lidhin dhe na bëjnë më të fuqishëm vetëm po të jemi bashkë!

Filed Under: Politike

“Noli Film Festival” nisi rrugëtimin e tij në Boston

June 1, 2024 by s p

Flamur VEZAJ/

Në kopshtin e gjelbëruar të Katedrales së Shën Gjergjit në Boston, në prani të dhjetëra artdashësve shqiptarë dhe amerikanë, solistët e shoqatës “Labëria” e nisën me iso-polifoni ceremoninë e hapjes së “Noli Film Festival.”

Pas isove labe, prezantuesja e ardhur nga Shqipëria ftoi ideatorin e festivalit, Erand Sojli nga “SojliArt Production.” Sojli falënderoi Katedralen e Shën Gjergjit, “Albanian Fighting Cancer,” Librarinë e Nolit dhe qendrën kulturore pranë saj, drejtorin artistik të festivalit, regjisorin Bujar Alimani, si dhe producentin ekzekutiv Nikolin Gace, koordinatoren Elisabeta Gaçe dhe të gjithë vullnetarët që bënë të mundur organizimin e këtij eventi. Ai u shpreh i emocionuar për këtë ngjarje, duke theksuar se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë të “Noli Film Festival,” dhe falënderoi të gjithë producentët dhe regjisorët për filmat dhe dokumentarët e sjellë për të konkurruar në këtë festival.

Në natën e hapjes së festivalit ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Washington, z. Ervin Bushati. Në fjalën e tij, ambasadori Bushati tha se “shqiptarët kanë tre heronj dhe figura të rëndësishme të historisë së tyre: Skënderbeun, Nënë Terezën dhe Fan S. Nolin. Fan Noli,” shtoi ai, “ishte njeriu i gjithë botës shqiptare. Në Boston, shqiptarët vijnë për shkak të kishës së themeluar nga Noli dhe tani e tutje do të vijnë edhe për artin që përcjell ‘Noli Film Festival.’ Shpirti i Nolit është këtu në Boston dhe ne duhet të përmbushim dimensionet që na ka lënë ai bashkë me shpirtin e tij artistik, e që ju do të vazhdoni edhe me art të ngrini shqiponjën sa më lart.”

Nga ana tjetër, Elisabetta dhe Nikolin Gaçe, koordinatorët e këtij eventi, shprehën mirënjohje për të gjithë ata persona që u angazhuan edhe si vullnetarë për të mundësuar këtë event. Në emër të qendrës kulturore pranë Librarisë së Nolit, foli ish-gjyqtari i parë shqiptaro-amerikan në Massachusetts, Robert Tochka, i cili ndër të tjera tha se aktivitete të tilla kulturore nuk do të mungojnë edhe në vazhdim, duke dhënë një lajm të mirë se me ndihmën e avokatit shqiptar Pavli Përmeti është aplikuar që “Libraria e Nolit dhe qendra kulturore” pranë saj të regjistrohet në shtetin e Massachusetts-it si një organizatë jo fitimprurëse.

Të pranishmit i përshëndeti edhe peshkopi i Kishës së Nolit, hirësia e tij Nikodhim Preston, i cili theksoi se “Noli themeloi dhe ngriti kishën për të gjithë shqiptarët, e cila hapi dyert këtu në Massachusetts.” Edhe drejtuesja e bibliotekës së Nolit, znj. Neka Doko, shprehu mesazhe pozitive për të pranishmit, duke pranuar në fund të fjalës së saj një libër dhuratë për bibliotekën, të shkruar nga profesoresha Jonila Spaho për Kristo Floqin.

Para të pranishmëve foli edhe përfaqësuesja e shoqatës “Albanians Fighting Cancer,” Roberta Noshi, e cila shprehu kënaqësinë e saj për këtë nismë të suksesshme, duke theksuar se të ardhurat e këtij festivali do të shkojnë për këtë shoqatë në ndihmë të shqiptarëve që vuajnë nga kjo sëmundje e tmerrshme. Nuk munguan mesazhet e urimit edhe nga zyrtarë amerikanë, mes të cilëve ishte edhe prokurori i qarkut Suffolk të Bostonit, Kevin Hayden, i cili nuk kurseu fjalët e bukura për këtë event dhe për shqiptarët në Boston. Gjithashtu, këshilltari bashkiak për zonën e Bostonit jugor, z. Edward Flynn, lexoi proklamatën e Bostonit për “Noli Film Festival.”

Në hapjen solemne të këtij eventi nuk munguan edhe aktorë të ardhur nga Shqipëria, si Mariana Kondi, këngëtarja Mariza Ikonomi, nga Michigan Arben Dervishi, e shumë të tjerë që përshëndetën nisjen e këtij festivali. Ndërkohë, drejtori artistik i festivalit, regjisori Bujar Alimani, prezantoi jurinë e këtij festivali duke filluar nga kryetari i jurisë: Astrit Cerma, anëtarët Mariza Ikonomi, Nensi Bregu Karanxha, Jul Neshati, Valentin Veizi, Andis Gjoni, Arben Dervishi, Bashkim Braho dhe Dhimitraq Demiraj.

Pas prezantimit të jurisë, organizatorët ftuan të pranishmit për në auditorin “Anthony Athanas” që ndodhet në katin e dytë të katedrales për të parë hapjen e këtij festivali me dokumentarin “Fan Noli – Apostuli,” të shkruar dhe montuar nga gazetari Ilir Ikonomi. Festivalin e hapi filmi “THE SPARK” i regjisorit Erand Sojli, i realizuar në Boston nga Sojli & Px Production dhe Aldo Toda. Ky film ishte filmi pritës dhe u prit shumë mirë nga audienca shqiptaro-amerikane. Në këtë festival do të shfaqen disa dokumentarë, filma me metrazh të shkurtër, filma artistikë, komedi dhe filma të animuar.

Në këtë event ishin edhe kryesia e VATRES në Boston të cilët ndihmuan për këtë event me angazhimin e përkushtuar nga anëtarja e kryesisë Lindita Meçe!

Udhë të mbarë, NFF. Faleminderit që po çelni një dritare të re të multikulturës shqiptare.

Filed Under: Politike

“Beratinus-1” dhe “Beratinus-2” janë shpallur pjesë të programit “Kujtesa e Botës”

May 31, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

“Beratinus-1” dhe kodikët e tjerë të Shqipërisë janë vepra me rëndësi edhe për historinë e kulturës e të shkrimit të shenjtë, por dhe të letërsisë në përgjithësi. Në fondin e pasur të kodikëve të Shqipërisë, përveç “Beratinus-1” e “Beratinus-2”, bëjnë pjesë edhe dhjetëra dorëshkrime të tjera, që kanë marrë emrat e qyteteve ku janë zbuluar (“Kodiku i Vlorës”, afërsisht shekulli i 10-të; “Kodiku i Përmetit”, i shekullit të 14-të; “Kodiku i Shkodrës”, i të njëjtit shekull; “Kodiku i Gjirokastrës”, i shek. të 16-të; “Kodiku i Fierit” – ose i shën Kozmait, i fillimit të shek. të 19-të). Qysh prej botimit të katalogut të tij ai njihet me emrin “Codex Purpureus Beratinus”, ose “Codex Purpureus Beratinus “, ose shkurt “Beratinus-1”. Bizantologët shqiptarë, në studime të krahasuara, mbështetur në ligjet e ndryshimit të fonetikës historike të greqishtes nga antikiteti në periudhën e paleokrishtërimit e më këndej, i kanë interpretuar në një semantikë tjetër vlerat tingullore të disa prej grafemave të këtij dorëshkrimi, për rrjedhim edhe të përmbajtjes së tij.

I shkruar vetëm një shekull e gjysmë pas “La Vulgata-s”, përkthimi latin i Biblës sipas shën Jeronimit të Eusebit, Kodiku i Purpurt i Bertit është një dorëshkrim me rëndësi historike për fillimet e letërsisë biblike. Sipas dijetarëve bibliologë dhe paleografë, duke iu referuar teknikës së shkrimit, është një dorëshkrim jo më i vonshëm se shekulli i 6-të pas Krishtit. Ai është një ndër katër kodikët më të vjetër në gjithë botën. Bashkëkohës me dorëshkrime të tilla të famshme si “Petropolitaus”, “Vindeobone-usis” e “Sinopencis”, “Kodiku i Purpurt i Beratit” renditet në themelet e letërsisë kishtare të ritit lindor. Kodiku i Purpurt i Beratit” vlerësohet ndër veprat themeltare të letërsisë ungjillore, si dorëshkrim me rëndësi të posaçme për kulturën e krishtërimit. Ai çmohet gjithashtu për historinë e shkrimit, për vlerat evidente kaligrafike, si përmendore e trashëgimisë së përbotshme të dijes, si objekt shkencor i paleografisë, bibliologjisë, gjuhësisë, historisë së besimeve. Por ky Kodik merr një vlerë më të rëndësishme prej faktit se është shkruar në një periudhë kur lënda biblike ende nuk ishte kanonizuar. Dy ungjijtë që përmban kanë shmangie prej teksteve standarte. Kjo është arsyeja që vetëm një herë në vit, një pjesë e tij, mund të lexohej në meshë publike.

Më i rëndësishmi dhe më i famshmi i të gjithë kodikëve është ai që njihet me emrin “Bersatinus-1”. Ky është një nga Kodikët më të vjetër në të gjithë botën (dy të tjerët, po të shek. V-të dhe VI-të pas Krishtit janë në Rusi). Ai përfaqëson një dorëshkrim (ekzemplar i vetëm origjinal) e përbëhet nga 190 fletë pergamenë të ngjyera në të kuqe të theksuar (të purpurtë). Kodiku përmban dy Ungjij, sipas Markut dhe sipas Matheut. “Kodiku i purpurtë i Beratit” u shkrua në një kohë kur ende nuk qenë vendosur se cilët do të ishin librat kanonikë të Dhiatës së Re, prandaj ky dorëshkrim ka disa shmangie dhe mospërputhje nga teksti origjinal. Gjithashtu sipas Batiffolit, Ungjilli sipas Matheut ndodhet ndërmjet faqeve 1-112, ndërsa faqet që vijojnë i përkasin Ungjillit sipas Markut. Në kohën që e vëzhgoi Batiffoli, kodikut i mungonin rreth 40 faqe. Për herë të parë “Kodiku i Purpurtë i Beratit” përmendet në “Diptikët e kishës së Shën Gjergjit”, e cila ndodhej brenda kalasë së Beratit. Ky kodik është shkruar me gërma argjendi të tretur, me përjashtim të disa (fjalëve e shprehjeve) që janë me gërma të arta, në pergamenë. Kodiku daton në shekullin e VI-të.

Beratinus-1″ dhe “Beratinus-2” janë shpallur pjesë të programit “Kujtesa e Botës”. Ç’vlera i kanë bërë këto dy dorëshkrime të jenë pasaporta kulturore e këtij vendi në programin më të rëndësishëm ndërkombëtar të vlerave të trashëgimisë njerëzore? Për herë të parë këto dy dorëshkrime janë konsideruar të vlefshëm për programin “Kujtesa e Botës” ne librin “Ungjijtë e popujve”, botuar në Romë nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit, në 2000-vjetorin e krishtërimit. Këto dy dorëshkrime janë të vetmet vlera kulturore që janë shpallur pjesë të këtij programi nga bota shqiptare. Ato ishin gjithashtu dy prej veprave që gjendeshin në listat e objekteve të shpallur “në kërkim” në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Kleri, këshilli kishtar (sinodi), patriarkët dhe populli besimtar i Beratit, të cilëve iu kërkua dorëzimi i menjëhershëm i dy kodikëve, vendosën të bëjnë çdo sakrificë dhe të mos e tregojnë vendndodhjen e tyre, në çfarëdo rrethane. Ato u fshehën në grykën e një pusi, në një arkë metalike. Për një kohë, në vitet që pasuan, “Beratinus-1” dhe “Beratinus-2” konsideroheshin të zhdukur. U rizbuluan në kishën e kalasë së qytetit në vitin 1968, në një gjendje tejet të dëmtuar. Vetëm se e gjithja kjo është një histori e përsëritur në shekuj.

Filed Under: Politike

SREBRENICA ËSHTË MAJA E AJSERGUT E GJENOCIDIT SERB KUNDËR MUSLIMANËVE TË BALLKANIT

May 30, 2024 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

Që nga kongresi i Berlinit dhe luftërat ballkanike, Serbia e ka pasur rolin e shtetit që disiplinon dhe zhbën me terror e me gjenocid muslimanët e Ballkanit. Atë detyrë ia kanë ngarkuar disa nga Fuqitë e Mëdha të asaj kohe dhe Serbia ka bërë përpjekje ta zbatojë në tërësi.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar më 23 maj 2024 rezolutën për krimin e gjenocidit në Srebrenicë, që do të ketë si datë përkujtimi 11 korrikun. Rezoluta është dokument shumë i rëndësishëm, por sado që ta adresojë përgjegjësinë për gjenocidin, ajo nuk do të mund ta adresojë gjithë përgjegjësinë e Serbisë dhe të kombit serb për krimet e kryera kundër muslimanëve të Bosnjes dhe të Ballkanit për mbi një shekull. Aq me tepër që ato krime nuk janë sistematizuar e specifikuar saktësisht.

Shumë pyetje pa përgjigje

Prandaj, pyetjet si këto më poshtë, do të mbeten që të marrin përgjigje nga historiografia, e jo nga drejtësia. Pse ka ndodhë gjenocidi në Srebrenicë e në Bosnje, ku në mënyrë të planifikuar, janë ndarë meshkujt nga femrat dhe janë sistemuar për t’u ekzekutuar? Pse ka zgjatë aq vite rrethimi dhe bombardimi i Sarajevës, ku njerëzit janë vrarë në mënyrë të planifikuar, për të shkatërruar jo vetëm qëndresën civile, po edhe shëndetin mendor e riprodhues të boshnjakëve? Pse anekënd Bosnjes me mijëra trupa të viktimave boshnjake janë hedhur në lumenj, janë fshehur nëpër shpella, janë djegur? Pse sulmi në Reçak ka qenë aq brutal, ku trupat e të vrarëve janë masakruar, duke ua prerë edhe kokën ose gjymtyrët e tjera të trupit? Pse sulmi në familjen Jashari në Prekaz ka qenë joselektiv, ku janë vrarë fëmijë e gra? Pse janë bombarduar qindra fshatra shqiptare të Kosovës në mënyrë të planifikuar për ta realizuar spastrimin etnik? Pse janë bartë me kamionë qindra kufoma nga Kosova në Batajnicën e Beogradit, ose janë fundosur në ujërat e Liqenit Peruqac? Meqë gjenocidi në Srebrenicë e BeH dhe në Kosovë ka ndodhë në fundin e shekullit XX, nën reflektorët e medieve globale dhe të organizatave ndërkombëtare, në shikim të parë duket si një verbëri politike e Serbisë. Si ishte e mundshme që Serbia të organizonte krime aq të përbindshme, pa e pasur brengën për reagimet e opinionit publik dhe të organizatave ndërkombëtare, përfshirë OKB-në e NATO-n? Aq më tepër që pikërisht në këtë periudhë Rusia ishte në pikën më të dobët të saj si shtet, gjë që e bënte të qartë se ajo nuk mund ta ndihmonte projektin e ri të Serbisë së Madhe. Këtë gjë e ka pohuar edhe ish presidenti i federatës jugosllave, Borisav Joviqi, i cili pati pohuar se gjeneralit Kadijeviq, të cilin ai e Millosheviqi e kishin dërguar fshehurazi në Moskë, i ishte thënë prerazi se Rusia nuk mund t’u ndihmonte.

Hakërrimi serb i viteve 1991-1999 e kishte burimin te garancitë e vjetra

Atëherë shtrohet pyetja: ku e kishte motivimin dhe mbështetjen ai projekt gjenocidal kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës në fundin e shekullit XX, pas rënies së Murit të Berlinit, kur Serbia nuk e kishte as sponsorizimin e Rusisë, fjala vjen, si në luftërat ballkanike? Ka një shpjegim të vetëm të logjikshëm: që nga kongresi i Berlinit dhe luftërat ballkanike, Serbia e ka pasur rolin e shtetit që disiplinon dhe zhbën me terror e me gjenocid muslimanët e Ballkanit. Atë detyrë ia kanë ngarkuar disa nga Fuqitë e Mëdha të asaj kohe dhe Serbia ka bërë përpjekje ta zbatojë në tërësi. Me atë rol si shtet vrasës dhe çrrënjosës i muslimanëve të Ballkanit, Serbia ka bërë spastrim etnik në vitet 1878-1879 në sanxhakun e Nishit, gjenocid në dy luftërat ballkanike. Për të gjitha ato krime që ka bërë shteti serb, është shpërblyer me territore e me aleanca të forta në konferencat e mëdha ndërkombëtare (Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, Konferenca e Versajit.) Pra, e mësuar me atë praktikë të moçme, lufta e Serbisë në Bosnje në vitet 1991-1995 dhe në Kosovë në vitet 1998-1999, ka qenë me parashenjë të theksuar fetare, për çka tashmë ka shumë studime. Dëshmi ka në vetë publicistikën serbe, në deklarimet dhe veprimet e hierarkëve të Kishës Ortodokse Serbe dhe në fjalimet e ndryshme të Millosheviqit, Sheshelit, Drashkoviqit, Vuçiqit. Fjala vjen slogani “osvetiti Kosovo” (të hakmirremi për Kosovën) gjithmonë i referohej një hakmarrjeje për disfatën serbe nga osmanët në vitin 1389, duke i perceptuar shqiptarët e shekullit XX si përgjegjës për ngjarjen e shekullit XIV. Pra, motivi i urrejtjes dhe i hakmarrrjes ishte me burim fetar. Këto dy agresione gjenocidale të Serbisë në vitet 1991-1999 janë filluar me pritshmërinë e kreut shtetëror e fetar serb se ai rol i hershëm i Serbisë do të tolerohej, e pakta për pacifikimin e boshnjakëve dhe të shqiptarëve. Vizita e Miteranit në Sarajevë, për bllokimin e presioneve kundër serbëve, mund të përdoret si një ilustrim. Në fakt, agresioni në Bosnjë u tolerua dhe u shpërblye, ndërsa në Kosovë u tolerua deri në një masë, por u ndëshkua. Konferenca e Dejtonit ia kufizoi Serbisë rolin hegjemonist në Bosnje në vitin 1995, por nuk ia eliminoi atë rol tërësisht. Republika Srpska, si krijesë dejtoniane, ende e ka atë rol shtrëngues kundër muslimanëve në Bosnje. (Në disa raste Republika Srpska është e koordinuar edhe me qarqet nacionaliste kroate të Hercegovinës dhe e përkrahur haptas nga liderë evropianë islamofob, si fjala vjen, Viktor Orbani.) Ndërsa bombardimet e NATO-s në muajt mars-qershor 1999, ia hoqën Serbisë rolin e shtetit kolonial nga Kosova, por nuk e çmontuan tërësisht prezencën e Serbisë në Kosovë. Prandaj Serbia atë prezencë po e shfrytëzon për të krijuar rrethana të reja për rolin e dikurshëm. Fatkeqësisht kanë ngelë disa shtete në Evropë (së bashku me Rusinë) që duan t’ia kthejnë Serbisë atë rol mbi shqiptarët e Kosovës.

Po eskponentët vendor të projektit islamofobik serb ç’po duan?

Për synimet e errëta të një hakmarrjeje të re kundër muslimanëve në Ballkan, sidomos në Kosovë, qarqet serbe dhe qarqe të caktuara islamofobike evropiane kanë rekrutuar edhe ndoca eksponentë vendor, të cilët zhvillojnë luftë speciale psikologjike kundër shqiptarëve muslimanë pikërisht në Kosovë. Motoja e kësaj lufte speciale është se gjoja kalimi në Islam ka qenë devijim nga shqiptarizmi, prandaj muslimanët nuk janë shqiptarë, janë turko-arab. Çuditërisht në këtë pikë teza e tyre është e njëjtë me atë të krimineles serbe së luftës, Bilana Plavshiqit, e cila për muslimanët e Bosnjes thoshte se “bëhet fjalë për një material gjenetikisht të dëmtuar serb, që kishte kaluar në Islam.” Ka vite që kjo tezë bio-raciste e Bilana Pllavshiqit është adoptuar për përdorim edhe këtu në Kosovë, kundër shqiptarëve të besimit islam. Bile sa më shumë që po konsolidohet agresiviteti serb kundër Kosovës, aq më shumë po shtohet edhe kjo lloj lufte speciale e eksponentëve isamofob lokalë. Nuk ka asnjë dilemë që Serbia definitivisht i është rikthyer politikës së kryqëzatës ortodokse në drejtim të Kosovës, sipas modelit që pati zbatuar më shumë në Bosnje. Në Kosovë në vitet nëntëdhjetë nuk pati sukses ta zbatonte, sepse ajo doktrinë iu kompromentua tërësisht në Bosnje. Në këtë kontekst, edhe roli aktiv i katolikëve shqiptarë, si pjesë integrale e lëvizjes për pavarësi e çlirim në Kosovë, që nga pajtimet e gjaqeve, organizatat humanitare, lëvizja politike e deri te pjesëmarrja në UÇK, ua pati djegë në dorë letrat fundamentalistëve ortodoks serbë dhe shërbëtorëve të tyre. Por Serbia po tenton t’i rikthehet atij projekti, e bindur se shqiptarët në realitetet e reja, të provokuar vazhdimisht, ka mundësi ta humbin orientimin strategjik. Kjo shihet qartë jo vetëm në deklarimet e hierarkëve ortodoks serbë dhe politikanëve serbë. Absurde është që kjo shihet edhe në nisma vendore absurde të frymës së Rekonkuistës, të emërtuar si gjoja iniciativë për braktisjen e fesë islame. Në esencë hapja e kësaj teme synon të shërbejë si provokim për ta shndërruar reagimin e shumicës në një “provë të ekstremizmit islamik.” Ndërsa atë reagim pastaj Serbia ta shfrytëzojë si “corpus delicti” për ta rimarrë sërish kujdestarinë për disiplinimin e muslimanëve të Ballkanit, me theks te shqiptarët e Kosovës, meqë ata jetojnë në tokën të cilën serbët e kanë shpallur “tokë e shenjtë serbe” dhe “Jerusalem serb.” Por ne shqiptarët e Kosovës nuk kemi asnjë arsye ta humbin orientimin atlantik. Serbia e ka humbur Kosovën në procesin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, me spastrimin etnik dhe katastrofën humanitare që ka shkaktuar. Serbia e ka humbur Kosovën në konfrontim me NATO-n. Prandaj ëndrra e saj për kthim hakmarrës në Kosovë nuk mund të realizohet kurrë përderi sa Kosova e shqiptarët janë aleat dhe pjesë e Aleancës Veriatlantike. Deri sa është kështu, ëndrra e Serbisë mbetet vetëm një makth i saj. Pas dënimit të krimit të gjenocidit në Srebrenicë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, pozita e Serbisë do të jetë në mënyrë afatgjate e kompromentuar. Përfundimisht mund të thuhet se vetëm nëse në Kosovë triumfon antiatlantizmi dhë nëse Rusia do të triumfonte në Ukrainë e ashtu ta kërcënonte Evropën, ai halucinacion i saj mund të tentojë të ringjallet. Por nuk duhet të injorohet pretendimi i saj kurrë, sepse siç ka thënë ideologu i Putinit, Aleksandër Dugini, lufta e Rusisë për ta rikthyer Kosovën brenda shtetit serb do të vazhdojë deri në ditën e fundit në Tokë!

Filed Under: Politike

TRE DEKADA TË KORPUSIT TË PAQËS NË SHQIPËRI

May 29, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Korpusi i Paqës i Shteteve të Bashkuara shënon (pak më shumë se) tre dekada të veprimtarisë së tij në Shqipëri. Me këtë rast, Gazeta Telegraf boton një njoftim të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, që ajo ka ndarë në rrjetet sociale, se Drejtuesja e Korpusit të Paqes Carol Spahn mbërriti këtë javë në Shqipëri për vizitën e saj të parë zyrtare në vend. Njoftohet se Zonja Spahn do të zhvillojë takime me Presidentin Bajram Begaj, ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu si edhe me vullnetarë dhe stafin e Korpusit të Paqes në vend. Si pjesë e vizitës së saj zyrtare, ajo do të vizitojë gjithashtu disa vendqëndrime të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Shqipëri dhe do të hapë një sesion trajnimi për vullnetarët e sapo betuar që do të shërbejnë anë e mbanë Shqipërisë. 

Me këtë rast vlen pak histori mbi këtë ent amerikan që është themeluar 64-vjet më parë. Në atë kohë, Senatori i atëherëshëm amerikan, John F. Kennedy ka mbajtur një fjalim historik gjatë fushatës së tij për president në Universitetin e Michigenit, në Tetor të vitit 1960, fjalim ky që një vit më vonë çoi në formimin e Korpusit të Paqes. Me atë rast, John F. Kennedy u drejtoi një thirrje emoocionale studentëve universitarë që të shkonin si vullnetarë për një vit ose dy, në vendet në zhvillim.

Në shkallet e Univeristetit Michigen, John F. Kennedy i sfidoi studentët amerikanë që t’i shërbenin vendit të tyre në kauzën për paqe duke jetuar dhe duke punuar në vendet në zhvillim, anë e mbanë botës. Vetëm disa javë pas fjalimit të Z. Kennedy, studentët filluan të mblidhnin firma në përkrahje të kësajë ideje dhe kështu lindi Korpusi i Paqes.  Kongresi amerikan, si rrjedhim, miratoi në vitin 1961 legjislacionin duke i dhënë Korpusit të Paqes mandatin “për të promovuar paqen dhe miqësinë në botë”.  Megjithëse kane kaluar 64-vjetë, kjo thirrje dëgjohet edhe sot ndërsa shumë të rinjë e të reja i përgjigjen gjithnjë apelit prej disa dekadash të Presidentit Kennedy për të shërbyer vullnetarisht anë e mbanë botës, për kauzën e paqes dhe miqësisë midis popujve.

Misioni i Korpusit Amerikan të Paqes, atëherë dhe sot është që vullnetarët e këtij enti qeveritar amerikan të ndihmojnë vendet në zhvillim, me qëllim që ato vetë të ndërmarrin programe zhvillimi; që të promovojnë një mirëkuptim më të madh për amerikanët nga ana e të huajve dhe të kontribojnë gjithashtu drejtë një mirëkuptimi më të madh të popujve anë e mbanë botës, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Fillimisht, vullnetarët punonin si mësues, por më vonë puna e tyre u zgjerua edhe në fusha të tjera siç është zhvillimi ekonomik dhe programe të sektorit të mjedisit, teknologjisë, e tjera.

Është thënë se ajo që e bën edhe sot Korpusin e Paqes të mbrekullueshëm është fakti se ky ent vazhdon të shërbejë si urë që bën të mundur arritjen e sukseseve të mëdha anë e mbanë botës, nga një person në tjetrin, dhe nga një komunitet në tjetrin.  Kjo “urë” e Korpusit të Paqes, në rastin e Shqiperisë nuk ekzistonte para Marsit të vitit 1991, datë kjo kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria lidhën marrëdhënjet diplomatike pas më shumë se 45 vjetësh. 

Grupi i parë i vullnetarëve i përbërë prej 21 vetash, sipas Korpusit të Paqes, mbërrijti në Shqipëri në Qershor të vitit 1992 dhe menjëherë ata filluan veprimtarinë e tyre duke dhënë mësim në anglisht në shkolla te mesme dhe universitete.  Ky grup u pasua nga dërgimi i 12 vullnetarëve të tjerë që morën pjesë në një projekt të zhvillimit të biznisit të vogël.  Programi për Shqipërinë u zgjerua përsëri në vitin 1995 me 15 vullnetarë të tjëre, për një projekt bujqësor.  Në vitin 1997, ishte në plan që programet e Korpusit të Paqes në Shqipëri të shtoheshin dhe të zgjeroheshin edhe më shumë, por tragjedia e vitit 1977 çoi në evakuimin e të gjithë vullnetarëve të Korpusit Amerikan të Paqes dhe në mbylljen e misionit të tij në Shqipëri.

Pas një mungese prej gjashtë vjetësh, vullnetarët e Korpusit të Paqes janë ri-kethyer në Shqipëri për të filluar trajnimet për një projekt, në ndihmesë të bashkive dhe për zhvillimin e projekteve për mësimin e gjuhës anglisht, si edhe për projekte të shërbimit shëndetësor, ndër të tjera.  Sipas Korpusit të Paqes, vullnetarët e tij në Shqipëri punojnë dhe bashkrendojnë  gjithë aktivitetin e tyre me organizma dhe ente të qeverisë shqiptare, USAID, organizata jo qeveritare shqiptare, universitete dhe me drejtorë shkollash, anë e mbanë Shqipërisë. Ata marrin pjesë në projekte siç janë planifikimi urban, zhvillimi ekonomik, zhvillimi turistik, planifikimi strategjik si edhe në promovimin e pjesëmarrjes së qytetarëve që të kenë një zë në vendimarrjen e tyre në komunitetet ku jetojnë.

Frank Shkreli

Korpusi i Paqes, gjatë dekadave, ka ndër shumë perpjekje për të ndihmuar bashkitë dhe komunat në Shqipëri duke kërkuar bashkpunim me ente të tjera që përkrahin qeveritë lokale, organizatat jo-qeveritare, si dhe grupe të ndryshme të komuniteteve, në përpjekje për realizimin e objektivave të tyre në nivelin lokal.  Zhvillimi dhe përforcimi i organizatave dhe enteve vendore është me rëndësi jetësore për fshatrat dhe komunat anë e mbanë Shqipërisë, po të merret parasyshë mungesa e besimit të publikut shqiptar në politikën vendore dhe në institucionet qendrore të vendit.

Puna dhe veprimtaria e vullnetarëve të suksesshëm të Korpusit Amerikan të Paqes është një kontribut me vlerë për të dy palët, pasi ndihmon në njoftimin dhe mirë-kuptimin e përbashkët midis popujve dhe shteteve.  Le të shpresojmë që në këtë më shumë se 30-vjet të lidhjes së marrëdhënjeve midis Washingtonit dhe Tiranës, vullnetarët e Korpusit të Paqes në Shqipëri, të krijojnë lidhje dhe njohuri pozitive me shqiptarë anë e mbanë vendit, sidomos në zona të izoluara, të cilët rradhë herë kanë mundësi kontaktesh me amerikanë.  Duke uruar që veprimtaria e këtyre vullnetarëve amerikanë në Shqipëri të kontribojë edhe në përforcimin e marrëdhënieve, historikisht, miqësore midis dy kombeve tona.

Frank Shkreli

    A person and person standing in front of a door

Description automatically generated Drejtuesja e Korpusit Amerikan të Paqës, Znj. Carol Spahn u prit nga i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Z. David Wisner

May be an image of 4 people and the Oval Office

Drejtuesja e Korpusit të Paqës, Znj. Carol Spahn në takim me Presdientin e republikës së Shqipërisë, Z. Bajram Begaj

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 100
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT