• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përkujtojmë ditëlindjen e ideologut dhe strategut të UÇK-së, Fehmi Lladrovci

May 29, 2024 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Marrëdhëniet e UÇK-së me faktorin politik dhe diplomatik të jashtëm dhe të brendshëm, përfshirë edhe shtetin shqiptar, ishin me plotë sfida dhe tejet të vështira në legjimitetin dhe profilizimin politik dhe ushtarak të saj. Në maj të vitit 1998, plot 26 vjet më parë, Fehmi Lladrovci, ishte njeriu i parë që në stacionet televizive botërore, me shumë ndikim në qarqet politike të njohura, siç është BBC, mbrojti vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kështu, para opinionit ndërkombëtar paraqitet njeriu i parë i ngarkuar nga lëvizja për organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës, që në prill të vitit 1984.

Ai me një diplomaci të mençur, paraqiti hapur orientimin dhe filozofinë politike e kombëtare të UÇK-së, duke u deklaruar për qëllimet e drejta dhe historike të shqiptarëve për liri. Duke qartësuar se lufta jonë nuk drejtohet kundër civilëve dhe nuk ishtë dëshirë e jona, por imponim nga brutaliteti i regjimit pushtues të Beogradit. Në këtë intervistë, ai tregon edhe gatishmërinë dhe vullnetin e pathyeshëm për liri, në një kohë të rëndë të konsolidimit të një politike të qartë dhe të qëndrueshme me kërkesat legjitime për liri të shqiptarëve të Kosovës.

Pra, me këtë intervistë dhënë BBC-së, u bë një kthesë e madhe dhe shumë domethënëse për opinionin ndërkombëtar e diplomatik, meqë Fehmiu u shqua si diplomat, ideolog dhe strateg i UÇK-së. Përveç daljes pa maskë, ai do të njoftonte opinionin ndërkombëtar, me argumente, se qëllimi jonë nuk është lufta, por ajo na është imponuar nga regjimi fashist serb. Në mënyrë të argumentuar do t’i demaskojë edhe disa qarqe antishqiptare, që bënin përpjekje për t’i dhënë luftës për liri, një kahje tjetër. Me nje guxim te paparë dhe besim në lirinë e Kosovës, Fehmi Lladrovci, shpalosi filozofinë politike të UÇK-së, para opinionit ndërkombëtar, e sidomos para diplomacive me ndikim, pra ai njëkohësisht hedh poshtë këto paragjykime ndaj luftës që bënte UÇK-ja dhe deklarata e mëposhtme e tij, lirisht mund të konsiderohet postulat historik i të gjithë lëvizjes shqiptare në Kosovë për liri dhe pavarësi:

“Lufta jonë për liri nuk është kundër popullsisë civile serbe, por kundër mekanizmave ushtarako-policorë serbë, që po bënin masakra kundër popullsisë shqiptare “, thoshte Fehmi Lladrovci. Në mënyrë të argumentuar, sqaron para opinionit ndërkombëtar se asnjë veprim i UÇK-së, nuk ishte ndërmarrë kundër popullsisë civile serbe.

Kjo intervistë e Fehmi Lladrovcit dhënë gjigantit mediatik botëror, siç ishte BBC-ja, në maj të vitit 1998, ndikoi që, në bazë të analizave dhe dokumenteve të kohës, imazhi për dhe rreth UÇK-së, të ndryshojë në qarqet diplomatike ndërkombëtare, të cilët filluan ta vlerësojnë UÇK-në si strukturë e organizuar, që në përbërjen e saj ka edhe persona që kanë studiuar në universitetet liberale jugosllave (kështu e quanin Universitetin e Zagrebit, ku kishte studiuar Fehmiu). Këto të dhëna i dëshmojnë edhe dokumentet tjera arkivore e diplomatike të kohës.

Vlen të citohet edhe një opinion interesant dhe i bazuar në pamje, i gazetarit të BBC-së, David Loyd, i cili për Fehmi Lladrovcin thotë: “Ai ka qenë shqiptari që më së shumti i ka përngjarë Skënderbeut. I njëjti vështrim që e ka heroi i juaj, mollëzat e hequra, ashpërsi dhe burrëri në shikimin e tij…”.

Pra, përkthyer popullorçe, të gjitha dëshmitë dhe analizat e dokumenteve të diplomatëve dhe shërbimeve të kohës, na dëshmojnë se Fehmi Lladrovci ishte prijës i themelimit dhe organizimit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë shkrim, po e përfundojmë me pyetjen e gazetarit të BBC-së drejtuar Fehmi Lladrovcit:

“A je i gatshëm të vdesësh për Kosovën?”

Fehmiu buzëqesh dhe thotë:

“Me gjithë dëshirë. Ky do të ishte nderi më i madh për mua!”.

Fehmi e Xhevë Lladrovci, që ishin ndër figurat më eminente të organizimit dhe të luftës për liri në Kosovë, ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike.

Lavdi heronjve Fehmi Lladrovcit dhe Xheve Krasniqi-Lladrovcit!

Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!

I përjetshëm qoftë kujtimi, respekti e vlerësimi i kombit për ta!

Filed Under: Politike

“GJEOPOLITIKA, TERRITORI, KONFLIKTI”

May 28, 2024 by s p

Prof. Dr. Frashër DEMAJ/

Botimi “GJEOPOLITIKA, TERRITORI, KONFLIKTI”, me nëntitull “Politikat hegjemoniste, kolonialiste dhe kolonizuese serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve” i autorëve akademik Hivzi Islami dhe professor Arsim Ejupi është një studim i bazuar ne qasje multidisiplinare ndaj problemeve të gjithmbarshme që kanë preokupuar Kosovën dhe shqiptarët ndër vite.

Ky studim është i kompletuar, i mbështetur në literaturë relevante dhe i realizuar në përputhje të plotë me metodologjitë moderne shkencore. Punimi është shumë i pasur me të dhëna dhe fakte specifike nga gjeopolitika, historia, demografia, ekonomia, sociologjia dhe fusha tjera që lidhen me konfliktet territoriale, luftërat dhe spastrimet etnike, në veçanti në Ballkan, të nxitura nga hegjemonizmi serb, nga i cili e pësoi më së shumti Kosova dhe shqiptarët.

Sipas autorëve, në vitet e 80-ta të shek. XX pushteti serb dhe organet e ish-Federatës Maqedoninë e përdornin si model dhe territor provues për represionin, ndjekjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve, kryesisht për ta kufizuar normën e natalitetit të tyre, reduktimin e shkollimit në gjuhën shqipe dhe zhvillimin e përgjithshëm, në mënyrë që pastaj t’i zbatonin më lehtë në Kosovë! Regjimi i Millosheviqit me të gjitha mjetet u vërsul mbi themelet e jetës së shqiptarëve: përmes deportimit masiv dhe zhdukjes së dokumentacionit më 1999. Ky regjim donte ta dehumanizonte gjithë bashkësinë shqiptare dhe ta këpuste çdo lidhje juridike të shqiptarëve me truallin gjeoetnik të tyre, ta rrënonte tërësisht një etni, një kulturë dhe një shoqëri.

Për të përmbyllur harkun kohor më shumë se njëshekullor të zhvillimeve të vrullshme gjeopolitike në Ballkan dhe në veçanti në trojet shqiptare,autorët në këtë botim trajtojnë edhe “korrigjimin e kufirit” Kosovë-Serbi dhe idetë e reja (të vjetra) për shkëmbimin e territoreve dhe popullatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si projekte dhe ide i takojnë mendësisë së shekullit të kaluar të Serbisë hegjemoniste dhe të gjitha janë në kundërshtim të plotë me realitetin aktual, sepse rrezikojnë zhbërjen e shtetit të ri të Kosovës dhe integritetin territorial të tij.

Autorët Islami dhe Ejupi trajtojnë edhe Planin e quajtur Franko-Gjerman (versioni i parë u prezantua më 27 shkurt 2023, ndërsa ai final më 6 mars 2023) dhe platformës së zbatimit të tij, që u pranua në takimin e Ohrit më 18 mars 2023. Këto dy dokumente konsiderohen marrëveshje ndërkombëtare. “Por jo mes Kosovës dhe Serbisë. Është mes Serbisë dhe BE-së dhe Kosovës e BE-së, diçka krejtësisht e pazakontë në një proces normalizimi”. Ky fakt nënkupton se obligimet e marra janë të ndara, Serbia të vetat dhe Kosova të vetat! Disa obligime të Kosovës kanë afate, ndërsa të Serbisë sikur nuk kanë afate! Krejt çka kërkon BE dhe SHBA nga Serbia është njëfarë “distancimi” nga Rusia!

Si njohës dhe ndjekës të zhvillimeve gjeopolitike në kontekstin historik dhe aktual, në përmasa rajonale dhe kontinentale, autorët nuk lënë anash pa përmendur as zhvillimet më të fundit pas agresionit rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022, që ndikuan në raportet SHBA-Rusi, BE-Rusi, Lindje-Perëndim, sikundër që ndryshoi edhe rendi botëror dhe raportet në përmasa planetare. Me këtë plan fashist të Rusisë po nis një fazë e re e “neosovijetizimit” të Rusisë apo një epokë e re gjeopolitike si “Luftë e Re e Ftoftë”, me një Stalin të ri apo Hitler të ri; bota nuk është më ajo që ishte! Autorët bëjnë një anologji dhe tërheqin një paralele midis Hitlerit të Gjermanisë naciste dhe Putinit të Rusisë agresore, me një dallim se Putini posedon armë bërthamore, me të cilat po e kërcënon gjithë planetin, por frikën më të madhe e mbolli te ish-republikat e BRSS-së. Por as Perëndimi dhe NATO nuk kishin reagime të fuqishme kur Rusia e pushtoi Krimenë në vitin 2014! Reagimet dhe mbështetja ushtarake dhe humanitare për Ukrainën erdhën vetëm pas 24 shkurtit 2022, kur dolen sheshazi ambiciet ruse të Putinit.

Një aspekt tjetër i veçantë i këtij studimi janë edhe paradigmat “Bota serbe” dhe “Bota ruse”, të cilat janë eufemizma për realizimin e qëllimeve ekspansioniste të të dyja shteteve në hapësirat ku sundonin dikur: të Rusisë në hapësirën e dikurshme sovjetike dhe të Serbisë në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe rajonin e Ballkanit. Siç vënë në pah autorët këto janë politika retrograde. Kjo vërehet në rajon, ku Serbia tenton ta sundojë Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe fatkeqësisht, kjo politikë ende nuk ka marrë përgjigje adekuate nga fuqitë perëndimore.

Në vazhdim autorët tërheqin vërejtjen mbi rrezikun e dëmtimit të raporteve miqësore të Kosovës me aleatët, në veçanti me SHBA-në. Në këtë kontekst zënë në gojë Dobrica Qosiqin, i cili thoshte se “Kosova nuk kthehet me luftë. E vetmja mënyrë për ta kthyer Kosovën është kur klima antiamerikane zë rrënjë në Kosovë. Kur shqiptarët ndjehen të vetëmjaftueshëm dhe nacionalizmi për të mbajtur e ruajtur pushtet del para strategjisë amerikane e evropiane. Shërbimet tona duhet të punojnë në Kosovë e ta ndërtojnë një imazh që e imiton nacionalizmin e verbër të Millosheviqit. Kur të vie ai moment, atëherë ngjallet shpresa serbe”!

Disa nga problemet shumë komplekse të cilat i trajtojnë autorët e këtij botimi janë edhe kufijtë dhe konfliktet territoriale dhe politikat hegjemoniste, kolonialiste dhe kolonizuese serbe ndaj Kosovës dhe trojeve tjera etnike, si në Ballkani si “fuçi baruti” dhe paaftësia e “Kontinentin Plak” për zgjidhjen e problemeve në truallin e vet.

Çështja e kufijve trajtohet në përgjithësi dhe në hapësirat konkrete, sikurse është p.sh. kufiri midis Kosovës dhe vendeve fqinje, në veçanti me Serbinë, përfshirë debatet rreth shkëmbimit të territoreve midis saj dhe Serbisë dhe procesit të demarkimit të kufirit midis Kosovës Malit të Zi. Tema e demarkacionit nisi dhe mbeti një kauzë e rrejshme e disa grupacioneve politike shqiptare të Kosovës dhe kufiri Kosovë – Mali i Zi mbeti aty ku ishte vijëzuar para 15 shkurtit 1947. Për moszgjidhjen e këtij problemi çmimin e paguan qytetarët e Kosovës, të cilët mbetën të izoluar në lëvizjen e lirë në hapësirën e BE-së! Liberalizimi faktik i qytetarëve të Kosovës ndodhi vetëm nga 1 janari 2024!

Tema në vete që trajtohen në këtë studim janë demopolitika dhe gjeopolitika; Kosova në rrjedhat gjeopolitike dhe gjeopopullative vështruar në prizmin historik dhe etnik; konteksti i ndërlikuar i një lufte mirë të përgatitur përmes të ashtuquajturit “Front i Jugut” në fillim të viteve të 90-ta; pastaj migrimet e jashtme dhe konteksti gjeohapësinor dhe gjeopolitik etj. Një pjesë e librit i kushtohet ujit si burim i konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, si dhe bashkëpunimit ndërkufitar të Luginës së Preshevës (përparësitë dhe problemet gjeopolitike), si dhe mbrojtja ndërkufitare e natyrës në funksion të arritjes dhe mirëmbajtjes së paqes.

Në shtojcë jepen pjesë të zgjedhura të tri dokumenteve në bazë të të cilave mund të kuptohet rikonfigurimi dhe ristrukturimi gjeopolitik i hapësirës ballkanike, europiane dhe botërore pas Luftës I Botërore dhe Konferencës së Versajës (1919): njëri që nxiti luftëra në baza etnike dhe solli gjakderdhje masive (“Memorandumi” i SANU-së, 1986); teksti i dytë në formë të konkluzave nga libri i njohur i autores Margaret Macmillan, Six Months that Changed the World, New York, 2001 (“Paris, 1919 – Gjashtë muaj që ndryshuan botën”, Tiranë, 2006), si dhe i treti që ka të bëjë me “Katërmbëdhjetë pikat” e njohura të Presidentit të SHBA-së, Woodro Wilsonit në Konferencën e Paqes në Versajes (1919). Shtojcës i bashkëngjitet edhe një tekstdokument në original i vitit 1940 për Kosovën, i hartuar nga Mosha Pijade (1890-1957), si njeri i katërt në kierarkinë shtetërore të ish-Jugosllavisë. Pijade theksonte se zgjidhja e lëvizjes nacionale në Kosovë “mund të arrihet duke formuar Republikën e Lirë Fshatare-Punëtore të Kosovës përmes rrëzimit revolucionar të regjimit fashist dhe imperialist serbomadh”. Dhe krejt në fund jepet një pasqyrë e literaturës e burimeve, një rezyme në anglisht dhe indeksi i emrave.

Filed Under: Politike

“Memorial Day”, një ditë për të kujtuar dhe nderuar të rënët

May 27, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi/

Memorial day, Dita e Përkujtimit të të rënëve e njohur ndryshe si Dita e Dekoratave, është një festë federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që zhvillohet çdo vit në të hënën e fundit të majit. Kjo ditë është kushtuar për të nderuar dhe kujtuar ushtarët që kanë humbur jetën në shërbim të vendit të tyre. Historia e Ditës së Përkujtimit fillon pas Luftës Civile Amerikane, ku komunitetet filluan të organizojnë ceremoni lokale për të dekoruar varrezat e ushtarëve me lule. Me kalimin e kohës, kjo traditë u bë më e organizuar dhe më e përhapur, derisa u bë një festë zyrtare kombëtare në vitin 1971.

Në këtë ditë, shumë njerëz vizitojnë varrezat dhe monumentet, veçanërisht ato që janë dedikuar për ushtarët e rënë, për të vendosur flamuj dhe lule si shenjë respekti dhe mirënjohjeje. Parada dhe shërbime fetare janë gjithashtu pjesë e zakoneve të Ditës së Përkujtimit, duke pasqyruar frymën e bashkimit dhe kujdesit ndaj atyre që kanë sakrifikuar aq shumë për lirinë.

Dita e Përkujtimit është gjithashtu një kohë për reflektim personal dhe kolektiv mbi vlerat e demokracisë dhe paqes. Ajo na kujton se liria dhe siguria që shijojmë sot janë rezultat i sakrificave të atyre që kanë shërbyer me guxim dhe devotshmëri.

Në fund të ditës, Dita e Përkujtimit nuk është vetëm një ditë pushimi, por një moment për të shprehur mirënjohjen tonë më të thellë ndaj heronjve që nuk janë më me ne, por që do të mbeten përgjithmonë në zemrat dhe historinë e kombit.

Por edhe shqiptaro amerikanët kanë pasur një kontribut të rëndësishëm në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë Botërore. Në total, 8,414 shqiptarë luftuan për ushtrinë amerikane në këto dy konflikte. Këta shqiptarë kanë dhënë ndihmesën e tyre në luftën kundër pushtuesve dhe për të mbrojtur vlerat demokratike. Emrat e tyre janë zbuluar pas një pune të vështirë në arkivat amerikane. Kjo është një histori e lavdishme e kontributit të shqiptarëve në luftën për liri dhe paqe.

Një shembull i njohur është Agim Ramadani. Ai ishte një shqiptar që luftoi në Luftën e Dytë Botërore dhe u bë një hero i njohur në betejën e Iëo Jima. Agim Ramadani ishte një nga ushtarët e Korpusit të Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe u shqua për trimërinë dhe guximin e tij në këtë betejë të vështirë. Për shpërblim, ai mori Medaljen e Lavdishme të Marinës. Historia e tij është një dëshmi e kontributit të shqiptarëve në luftën për liri dhe demokraci Sigurisht! Një tjetër shembull i njohur është Besim Sahatçiu. Ai ishte një shqiptar që luftoi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u bë një hero në betejën e Normandisë. Besim Sahatçiu ishte pjesë e forcave të aleatëve dhe luftoi kundër pushtuesve nazistë. Ai tregoi guxim dhe trimëri në këtë betejë të rëndësishme. Për kontributin e tij, ai u nderua me Medaljen e Lavdishme të Ushtrisë Amerikane. Historia e tij është një dëshmi e përkushtimit të shqiptarëve ndaj lirisë dhe paqes.

Të veshur me uniformën e ushtrisë së SHBA-ve, sot përkujtohen tre shqiptaro-amerikanë që dhanë jetën për Amerikën. Tre prej tyre, të cilët humbën jetën në Irak janë Nicholas O.Cherava, Ervin Dervishi dhe Gentian Marku.

Nicholas O. Cherava- ishte aq krenar për origjinën e tij shqiptare, sa që kishte bërë tatuazh një flamur shqiptar në gjoks. Ai ishte një detar ashtu si babai i tij ishte detar. Babai i tij ishte i korporatës Thomas Robert Oresti Cherava.

Duke u rritur në Ontonagon, Michigan, nëna e tij kujton kur në moshën 8 vjeç, ai i kërkoi asaj të blinte një flamur më të madh amerikan. “Ai ishte gjithmonë patriot,” tha ajo. Nicholas O. Cherava u vra nga një bombë afër Karmah, në Irak, më 5 tetor 2005. Ai ishte 21 vjeç.

Ervin Dervishi- I përshkruar si “Mërguesi shqiptar që vdiq një hero në Irak”, Ervini mbërriti në Amerikë me prindërit e tij, Kujtim dhe Shpresa Dervishi dhe vëllain e tij Saimir, për në Teksasin e Veriut, në prill 1999, pasi fitoi llotarinë kombëtare të emigracionit.

Lindur dhe rritur në Tiranë, ai përqafoi me entuziazëm atdheun e tij të ri. Ai donte të luante futboll dhe bashkë me vëllain e tij ishte aktiv në Programin e eksploruesve të Departamentit të Policisë Waxahachie.

Ervini iu bashkua ushtrisë në tetor 2002 dhe shërbeu në Irak gjatë operacionit Liria e Irakut. Ai ishte atje kur Sadam Huseini u kap në fund dhe u arrestua. Ai pritej të kthehej në shtëpi në nëntor 2003, por kthimi i tij u shty për në prill 2004. Ai kurrë nuk u kthye. Dervishi u vra, më 24 janar 2004, gjatë një patrullimi luftarak në Baji, Irak.

Pas shërbimit ushtarak ai dëshironte të bëhej oficer policie në mënyrë që t’i shërbente komunitetit të tij lokal. Për të gjithë që e njohën, ishte një lamtumirë shumë e vështirë.

“Ai erdhi këtu një djalë. Ai la këtu një burrë. Dhe ai vdiq një hero”, tha vëllai i tij Samiri, i cili ishte 19 vjeç në atë kohë.

Gentian Marku ishte vetëm 14 vjeç kur emigroi në Shtetet e Bashkuara. Ai kreditoi transferimin në Amerikë me ndryshimin e tij nga një adoleshent problematik në një anëtar të ngritur të shoqërisë. Kalimi në Amerikë e shndërroi atë nga një adoleshent që krijon probleme në një person të respektueshëm dhe të përgjegjshëm. Ai nuk do të kishte shkuar aspak në Irak, nëse do të ishte e mundur që ai të bëhej oficer policie në Warren. Sidoqoftë, kishte një kufi moshe dhe ai duhej të priste derisa të bëhej 21-vjeç. Gentiani vendosi të bashkohej me marinsat në vend të kësaj.

Pak marinsa kanë veshur uniformën e tyre me aq krenari sa Gentiani. “Pjesa më e mirë për të qenë një Detare është nderi që shoqërohet me të”, shkroi ai në faqen e internetit të Departamentit të Mbrojtjes. Gentian Marku, ishte 22 vjeç, kur u vra nga veprimi i armikut në provincën Anbar, në Fallujah. Ishte Dita e Falënderimeve, 25 Nëntor 2004.

Gentian ishte fëmija i vetëm i Zef dhe Sate Marku. Ai u varros në fshatin e tij të shtëpisë Piraj,në Lezhë 40 milje në veri të kryeqytetit, Tiranë, në Shqipëri. Me propozimin e Kryeministrit të atëhershëm shqiptar, ai u shpall Martir i Kombit. Dale Malesh, një oficer i burimeve policore në shkollë e kujton me shumë dashuri kur fliste me gazetarët. Gentian ishte “një fëmijë i shkëlqyeshëm dhe një Amerikan i shkëlqyeshëm”,

Eshtë traditë që në një ceremoni solemne të hënën, me rastin e Ditës së Përkujtimit, Presidenti i vendit zhvillon homazhe për të nderuar amerikanët e rënë në luftë. Ai vendos kurora me lule në varrezat kombëtare të Arlingtonit, qytet shumë pranë Uashington DC-së. Udhëheqësi amerikan përkulet përpara varrin të Ushtarit të Panjohur.

Gjithashtu, Dita e Përkujtimit është një kohë për të promovuar paqen dhe të kuptuarit ndërmjet njerëzve të ndryshëm. Shumë organizata dhe grupe marrin pjesë në iniciativa që synojnë të ndërtojnë ura dialogu dhe mirëkuptimi, duke përkujtuar se sakrificat e bëra nga ushtarët e rënë janë për një botë më të mirë dhe më paqësore.

Në fund, Memorial day është një kujtesë e fortë se liria dhe vlerat për të cilat ushtarët luftuan dhe dhanë jetën e tyre, duhet të ruhen dhe të vlerësohen çdo ditë, jo vetëm në këtë ditë.

Kujtojini dhe nderojini.

Filed Under: Politike

Nelo Drizari, gazetari dhe drejtuesi i parë i shërbimit shqip të Zërit të Amerikës

May 25, 2024 by s p


Shaqir Salihu*

Nëse dikush zgjedh të flasë apo të shkruajë drejt e ndershmërisht për shërbimin në shqip të Zërit të Amerikës, kurrsesi nuk mund të shpërfillë zanafillën e këtij shërbimi. Dhe zanafilla e redaksisë shqiptare të kësaj medie kaq të famshme, mban vetëm një emër: Nelo Drizari. Ai ishte gazetari dhe drejtuesi i parë i programit në shqip të VOA-së që u themelua në maj të 1943-it, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Unë madje, jo vetëm që nuk mund ta anashkaloja, por po e vendos që në krye të herës, para se të tregoj zanafillën e punës sime te Zëri i Amerikës.

Cili ishte Nelo Drizari, shefi i parë?

Zenel “Nelo” Drizari lindi në vitin 1902 në Drizar të Mallakastrës, në një familje atdhetare. Rruga e jetës së tij është tipike e emigrantit shqiptaro-amerikan. Ende adoleshent, mërgoi së bashku me të vëllanë. Fati nuk e ndihmoi djaloshin që përpiqej t’ia dilte me punë e me mund në tokën e ëndrrave. Ai pësoi një paralizë në gjymtyrë, që i shkaktoi shumë dhimbje fizike dhe shpirtërore. Por, me ndihmën e të vëllait, i hyri shkollës dhe me vullnet të hekurt dhe etje të pashuar, arriti më në fund të marrë diplomën për gazetari në Universitetin “Kolumbia” të Nju-Jorkut.

Ndërkohë, Neloja i ri u aktivizua në veprimtaritë patriotike të Federatës “Vatra”, dhe pas studimeve punoi si gazetar dhe editor i gazetës Dielli, në faqet e së cilës gjendet e pasqyruar publicistika e tij e pasur — artikuj, analiza, reportazhe e intervista. Prej tyre mund të përmendim një intervistë me aktorin e njohur ndërkombëtar, me origjinë nga Shqipëria, Aleksandër Moisiun gjatë një turneu që ai zhvilloi në ShBA.

Nelo Drizari u kthye rishtazi në Universitetin “Kolumbia”, po kësaj here si lektor i gjuhës shqipe. Një detyrë e tillë e bëri atë t’i përkushtohej punës shkencore në fushën e shqipes si studiues i gjuhës, mësimdhënës dhe leksikolog. Fryt i kësaj veprimtarie janë veprat Fjalor shqip–anglisht dhe anglisht–shqip dhe Shqipja e folur dhe e shkruar: Doracak praktik.

Nuk është e rastit që ai, në vitet e vështira të Luftës së Dytë Botërore, u ngarkua me detyra të rëndësishme dhe delikate. Kështu, Neloja u emërua shef i Departamentit për Shqipërinë në Zyrën e Amerikës për Informata të Luftës. Aty bashkëpunoi madje edhe me Fan Nolin, dhe më pas hodhi themelet dhe drejtoi programin shqip të Zërit të Amerikës (1943–1945). Në poste të tilla, me punën e tij serioze dhe me aftësitë e kualifikuara, ai kontribuoi në kauzën e madhe të fitores mbi fashizmin.

Pas Luftës, Neloja iu kthye veprimtarisë shkencore dhe mësimdhënies së gjuhës shqipe si shef Departamenti në Institutin e Lartë Ushtarak të Gjuhëve në Monterei të Kalifornisë. Në vitet që pasuan, ai u shqua për një veprimtari akoma më të gjerë, duke kaluar në fusha të tjera të dijes e të krijimtarisë. Nënshkrimi i tij u shfaq në shtypin autoritar amerikan si New York Times, Boston Globe, Current History Magazine, Brooklyn Eagle Magazine etj. Ai u dha pas studimeve shqiptare, duke botuar në anglisht veprën Skënderbeu, një kalorës i shek. XX. 

Description: Description: nelo drizari

Studiuesi shqiptaro-amerikan mori pjesë dhe në hartimin e disa veprave kolektive shkencore si Historia e dramës moderne, Enciklopedia e Kollierit, Fjalori i Kolumbias për letërsinë moderne amerikane etj. Përktheu anglisht dramën Besa të Sami Frashërit.

Më 18 shtator 1978, mbylli sytë në moshën 76-vjeçare në qytetin Karmel të Kalifornisë.

*Marrë nga libri i autorit: “Rrëfime Lirie”


Filed Under: Politike Tagged With: Shaqir Salihu

PROFESOR AGIM VINCA – FENIKSI I LETRAVE SHQIPE

May 24, 2024 by s p

Prof.asoc.dr. Myrvete Dreshaj-Baliu/

(Me rastin e 77-vjetorit të lindjes)

I jam rikthyer edhe njëherë vëllimit të parë poetik të Profesor Agim Vincës, “Feniksi”, pasi e kisha lexuar herën e parë si studente, me qëllimin njohës dhe herën tjetër si studiuese, me qëllim tipologjizues. Leximi i fundit është lexim personal dhe kërkues brenda po të njëjtit tekst, përkatësisht ribotim, por tash e nxitur prej paradigmash të tjera.

Se arti i mirëfilltë është i gjithëkohshëm e dëshmon edhe guximi i studiuesit e poetit, Profesorit tim Agim Vinca, për të risjellë botimin e vëllimit të parë poetik, jo brenda kolanës së vëllimeve të përzgjedhura, po në një vëllim të veçantë, si këtu e pesëdhjetë e ca vjet më parë, prapë Feniksi, pikërisht si simbolika e rilindjes prej hirit të tij.

Në art njeriu gjithherë merr dhe jep nga vetvetja, i trembet atij, sidomos si krijues e studiues, e përjeton, ekzaltohet dhe tretet brenda tij. Në rini përhumbja në të, mendohet se është më e madhe, është mosha që flet dhe krijon marrëdhënie me artin, po kur ndjenja dhe arti ecin paralelisht, nuk njohin moshë fizike, por njohin moshën e përjetësisë. Kështu na vije edhe sot ky ribotim i vëllimit të parë poetik i Profesor Agim Vincës.

Janë tre përbërës që dalin në plan të parë në këtë vëllim: poezia e vendlindjes (brenda së cilës hyn edhe poezia e peizazhit); poezia e dashurisë, dhe si poezia e protestës (një cikël më heterogjen, brenda të cilit hyjnë edhe poezia e mendimit, poezia sociale, poezia autobiografike dhe poezia përkushtuese).

Duke qenë krijues i frymëzuar prej letërsisë që krijohej në Shqipëri dhe në Kosovë, Profesor Agim Vinca në poezinë e këtij vëllimi të parë, përveç modeleve të krijuesve të traditës, ka rimarrë me sukses edhe modelet e bashkëkohësve të tij: Dritëro Agollin, në poezinë e motiveve të vendlindjes; Ismail Kadarenë, në ciklin poezive për dashurinë dhe bashkëkohësit Azem Shkrelin, Din Mehmetin e të tjerët, në ciklin e poezive të mendimit dhe të protestës.

Vëllimi hapet me tekstin poetik “Në vend të biografisë“, një poezi që krijuesin tonë e ofron me frymën tipike agolliane dhe shkreliane të rrëfimit autobiografik në letrat shqipe, por reflektimin simbolik e estetik të saj e mbajnë edhe disa poezi të tjera dhe madje poema “Vargje për Veleshtën”. Ndërsa në një nga ciklet më të arrira të tij me motive dashurie, tash do të mbështetet fort jo vetëm në motivet kadareane, por edhe në teknikën e vargut, sigurisht jo pak të ndikuar nga poezia ruse e viteve ’30, po duke krijuar njëkohësisht individualitetin estetik të tij, me ngjyresat emocionale, muzikalitetin e ritmin e brendshëm, me detajet dhe me figuracionin përgjithësisht.

Brenda këtij vëllimi do të shquhen edhe poezitë, të cilat janë arritje letrare e identifikueshme me emrin e poezisë rinore të tij: “Letër Zotit”, “Vargje të shkruara në autobus”, “Hakmarrje”, “Letër vëllait” etj., sikur janë edhe shumë poezi mbamendëse të krijimtarisë së tij: “Feniksi fluturoi përsëri”, “Anës liqenit”, “Baladë kurbeti”, “E kujtoj mësuesin”, “Histori dhe dashuri”, “Atë ditë nëntori binte shi” etj.

Nuk e di a mund të thuhet se përfaqësuese tipike e botës shpirtërore identitare të Profesor Agim Vincës është poezia e censuruar “Letër vëllait”, brenda një vëllimi ku gjenden edhe poezi që përfundojnë me po këtë ndjeshmëri si mesazh “mos më mbështillni me qefin po me flamur”(37), apo “është gjaku që thërret” (45), etj., e megjithatë ajo në kontekstin historik dhe estetik sikur përmbledh disa nga përbërësit motivues dhe artistikë të gjithë poezisë së tij. Kjo poezi e ka nxitur mendimin dhe kureshtjen time edhe për një aspekt tjetër. Kritika shqipe e viteve të fundit i ka dhënë mjaft rëndësi letërsisë së krijuar në burg dhe natyrisht ka zbuluar vlera të panjohura të saj, por asaj i takon të merret edhe me krijime artistike të autorëve që kanë arritur të botojnë veprat e tyre, e megjithatë nga ato u janë shkëputur poezi, tregime, kapituj, fragmente romanesh etj., si kjo poezi e Profesor Agim Vincës, me të cilat sigurisht kritika shqipe do të duhej të merrej një ditë.

Si në ciklin e parë të këtyre poezive ashtu edhe në të dytin a të tretin, ngrenë krye edhe disa mendime, të cilat shquajnë guximin qytetar dhe estetik të këtij krijuesi dhe madje të brezit të tij, përfaqësuesi më tipik i të cilit ishte dhe vazhdon të mbetet. Në të vërtetë studiuesi, poeti dhe eseisti Profesor Agim Vinca me qasjen e tij ndaj zhvillimeve kombëtare për shumë dekada ka qenë dhe ka mbetur Feniks i letrave shqipe.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT