Dr. Iris Halili/
Klubi “Flas Shqip” dhe “Vatra Miami” festuan 1 Qershorin në mënyrë krejt të veçantë pasi kjo festë shënoi dhe ditën e regjistrimit për mësimin e gjuhës shqipe që do të jepet falas pranë Klubit “Flas Shqip” & “Vatra Miami” dhe kjo për të gjithë fëmijët Shqiptaro-Amerikanë të Floridës së Jugut! Deri më tani janë gati për të filluar vitin akademik 2 klasa dhe shpresojmë që simestrin tjetër të mund të bëjmë të mundur fillimin e dy klasave të tjera. Ftojmë Komunitetin e Florides së Jugut, dhe jo vetëm, të bëhet pjesë e këtij misioni sa human dhe patriotik aq edhe shpresëdhënës dhe model i mirë për një të ardhme edhe më të bashkuar mes shqiptarëve në emigracion. Mësimi i gjuhës shqipe fëmijëve tanë duhet të jetë synimi kryesor i çdo emigranti që i thotë vetes shqiptar. Vetëm gjuha na përcakton si komb, ajo ka qenë faktori kryesor që bëri të mundur edhe të mbijetojmë si i tillë, ndaj dhe vetëm gjuha nuk do të na lejoj të shuhemi kurrë! Gjuha na bashkon më shumë se çdo gjë mes njëri -tjetrit dhe të mos harrojmë se të bashkuar jemi më të fuqishëm si lob në emigracion, si komunitet shqiptar kudo ku jetojmë, por mbi të gjitha gjuha mbetet ura kryesore që do të mund të lidh fëmijet e lindur në emigracion me tokën amë dhe vëllezërit e tyre atje!
KLUBI “FLAS SHQIP”
Mirësevini tek Klubi “Flas Shqip”! Ne jemi një organizatë jofitimprurëse e regjistruar në shtetin e Floridës në SHBA më datë 24 Prill 2024. Misioni ynë është: Të mbajmë gjallë gjuhën dhe traditat shqiptare tek komuniteti shqiptar në Floridën e Jugut, por edhe më gjerë. Për këtë qëllim, mirëpresim këdo që dëshiron të bëhet anëtar i klubit tonë, të regjistrojë fëmijët në klasat tona dhe kështu të gjithë së bashku të mos lëmë në harresë gjuhën dhe zakonet e të parëve tanë.
Klubi Flas Shqip merr përsipër t’u mësojë gjuhën shqipe FALAS të gjithë të regjistruarve dhe kjo do të arrihet duke zhvilluar klasa çdo fundjavë.
Vizioni i Klubit Flas Shqip është: Asnjë fëmijë me prejardhje shqiptare që jeton në Floridën e Jugut nuk duhet të mbetet pa mësuar gjuhën e bukur shqipe, gjuhën e të parëve të tyre. Ky është vizioni mbi të cilin është frymëzuar dhe do të veprojë Klubi Flas Shqip.
Ju mirëpresim dhe së bashku le ta ruajmë dhe ta promovojmë gjuhën tonë të bukur!
VATRA MIAMI
“Duam Shqipërinë kur duam më shumë njëri – tjetrin”! Ky është mesazhi që Vatra Miami hodhi në ditën e saj të pare të krijimit në vjeshtën e vitit 2021! Ne në Vatra Miami, duam të vazhdojmë veprën e ilimunistëve Fan Noli dhe Faik Konica të cilët themeluan Federatën Pan Shqiptare Vatra 112 vjet më parë. Amaneti i tyre duhet mbajtur gjallë. Ndonëse të lindur dhe rritur në vendin më të bekuar të botës, fëmijët tanë duhet të mos rreshtin kurrë së dashuri rrënjët e tyre dhe vendin e paraardhësve të tyre. Dhë që ta arrijmë këtë ne duhet ti mëkojmë bijtë tanë me vlerat shqiptare dhe të përpiqemi me çdo forcë të çlirohemi nga antivlerat që na kanë mbajtur peng ndër shekuj. T’u mësojmë fëmijve tanë gjuhën tonë të bukur, atë gjuhë që na mbajti gjallë si komb, t’u mësojmë atyre shqiptarizmën, falë të cilës Shqipëria u mbijetoi shekujve si për të na vërtetuar se kulturat e vendeve të vogla kanë vlerën e diamanteve që sado t’i godasësh asnjëherë nuk thërrmohen!! Ne anagazhohemi të ndjekim dhe respektojmë kanunoren e Vatrës si dhe të lartësojmë jo vetëm emrin tonë si “Vatra Miami” por edhe të Vatrës si institucioni më i vjetër shqiptar ende aktiv jo vetëm në SHBA por kudo ku jetojnë shqiptarët.
Shpresa është te bashkimi dhe te urtësia”, kështu shprehej i fundit i Frashërllinjve , Mid’hat Frashëri. Bashkimin na e ka lënë amanet edhe heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeu. Edhe ne si Vatra Miami kemi si qëllim të sjellim modelin e bashkimit pranë çdo bashkëatdhetari që jeton dhe punon në Miami apo Floridën e Jugut! Ne ju mirëpresim tek Vatra Miami pasi ne mendojmë se vetëm së bashku do të flasim të gjithë në gjuhën e nënës dhe mbajmë gjallë rrënjët që na lidhin dhe na bëjnë më të fuqishëm vetëm po të jemi bashkë!