• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ukraina duhet të fitojë sepse vetëm kështu do të ruhet paqja e demokracia në kontinentin e Evropës

February 24, 2023 by s p

Adresimi i plotë i kryeministrit Kurti në njëvjetorin e fillimit të agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë, në ceremoninë pritëse dhe të ndarjes së falënderimeve për gazetarët ukrainas në Kosovë:

E nderuara Presidente e vendit, znj. Osmani-Sadriu,
I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Konjufca,
Të dashur gazetarë nga Ukraina,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë,
dhe ju të pranishëm,
Në mëngjesin e hershëm të 24 shkurtit të vitit të kaluar, pasi kishte grumbulluar mbi 200 mijë trupa afër kufirit, Federata Ruse filloi agresionin ushtarak ndaj Ukrainës.
Sulmi ishte i paprovokuar dhe i pajustifikuar. Ishte sulm mbi botën e civilizuar, mbi lirinë dhe demokracinë, vlerat tona themelore dhe mënyrën tonë të jetës.
Republika e Kosovës e kishte dënuar dhe vazhdon ta dënojë fuqishëm agresionin Rus në Ukrainë. Vendosëm menjëherë sanksione dhe shprehëm gatishmërinë tonë për të strehuar deri në 5 mijë refugjatë nga Ukraina.
Sot bëhen një vit të agresionit brutal të Rusisë mbi Ukrainën. Një vit i granatimeve dhe shkatërrimit të qyteteve dhe i vrasjeve dhe masakrave ndaj civilëve.
Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës ishte shokuese, por jo edhe befasuese. Ajo erdhi si rezultat i tolerimit për një kohë të gjatë të aventurave ushtarake të një presidenti despotik. Pasojë e shtypjeve të së drejtave e lirive të njeriut, rritjes së autokracisë dhe glorifikimit të miteve e të kaluarës perandorake. Sidomos përgjatë vitit 2021 kur kremtonte përvjetorët shekullorë –800 vjet nga Aleksandar Nevski dhe 300 vjet nga Pjetri i Madh – u bë e qartë që presidenti Putin kishte zëvendësuar plotësisht vajtimin për rënien e Bashkimit Sovjetik me nostalgjinë për Rusinë Cariste. Më 24 shkurt 2022, Kremlini deshi që në Kiev ta përsërisë atë që e kishin bërë mongolët në vitin 1242. Rusët në shekullin XXI po i imitonin mongolët e shekullit XIII. Një invazion barbar, i rëndë për nga mendimi i cekët dhe i cekët për nga armatimi i rëndë. Kështu duket invazioni rus nga Kievi, nga Prishtina dhe nga e gjithë Evropa.

Zonja e zotërinj,

Sot po ashtu bëhen një vit të rezistencës së pashembullt të një populli liridashës.
Të panumërta janë tregimet për guximin dhe sakrificën e ushtarëve ukrainas, përkushtimin e tyre ndaj vendit dhe kauzës që mposhti shanset kundër tyre për sukses. Historitë e qëndrueshmërisë dhe këmbënguljes së njerëzve të zakonshëm për të luftuar e çliruar vendin e tyre kanë mobilizuar botën e lirë për të ndihmuar e për t’u solidarizuar.

Nga 24 shkurt 2022 deri më 12 shkurt 2023, Zyra e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Ukrainë ka regjistruar 18,955 viktima civile. Prej tyre, 7,199 të vrarë dhe 11,756 të plagosur[1].

Sipas Misionit të OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë (HRMMU), burrat përbëjnë 61.1 për qind të viktimave të konfirmuara të civilëve dhe gratë 39.9 për qind. Të paktën 487 fëmijë janë vrarë dhe 954 janë plagosur.

Gati 18 milionë njerëz kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare kurse 14 milionë njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre[2]. Kostoja e dëmeve të luftës ka arritur në 138 miliardë dollarë kurse kostoja e rindërtimit llogaritet të jetë në 350 miliardë[3].

Populli i Kosovës i kupton shumë mirë këto shifra. Vuajtjet dhe dhimbjet që shkaktojnë për vitet e dekadat që vijnë.

E në një ditë të zymtë si kjo, megjithatë jemi të lumtur që Kosova jonë është bërë shtëpi e 12 gazetarëve ukrainas. Me urimin që është bërë shtëpi edhe si ndjenjë, përveçse strehë, do të jemi pranë jush si popull, si shoqëri, si institucione, si dje, si sot, si nesër. Rezistencë, solidaritet, mbështetje deri në fitore. Ukraina duhet të fitojë sepse vetëm kështu do të ruhet paqja e demokracia në kontinentin e Evropës.

Filed Under: Politike

KËRCËNIM BËRTHAMOR NGA LUFTA NË UKRAHINË

February 24, 2023 by s p

Asllan Bushati/

(Pjesë nga libri:”Diktati i ADM-ve  në luftën e ftohtë e pas saj”)

Kanë kaluar më shumë se tri dekada qëkur udhëheqësi i fundit i Bashkimit Sovjetik, Mihail Gorbacov, ka deklaruar se “rreziku i luftës globale bërthamore praktikisht është zhdukur”. Moska dhe Uashingtoni kanë kaluar “nga konfrontimi në bashkëveprim dhe, në disa raste të rëndësishme, në partneritet”, ka thënë Gorbacov në ceremoninë e pranimit të Çmimit Nobel për Paqe, në vitin 1990.Tridhjetë e dy vjet më vonë (2022), gjërat janë krejt ndryshe. Kërcënimi bërthamor është kthyer dhe e pa paramendueshmja dikur, nuk është më e tillë. Presidenti rus, Vladimir Putin, qëkurse ka nisur luftën në Ukrainë, rikujton vazhdimisht botën për fuqinë bërthamore të vendit të tij.Me  6,257 koka luftarake, Rusia ka arsenalin më të madh bërthamor në botë. Vetëm tre ditë pas nisjes së luftës në Ukrainë, (më 24 shkurt 2022), Putin i ka kërkuar komandës së tij ushtarake që t’i vendosë forcat parandaluese – një referencë kjo për armët bërthamore – në gjendje gatishmërie.“Kam urdhëruar ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm që t’i vendosin forcat parandaluese të ushtrisë ruse në gatishmëri të lartë luftarake”, ka thënë Putin.

“Pushtimi rus i Ukrainës, ka shtuar frikën e opinionit publik për përdorimin e armëve bërthamore në Evropë ose kundër Shteteve të Bashkuara. Një nivel shqetësimi tillë, nuk është parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.Vendet e NATO-s janë befasuar nga kërcënimet e nënkuptuara të Presidentit rus Vladimir Putin për të përdorur armë bërthamore ndaj “kujtdo që ndërhyn kundër nesh” në Ukrainë, dhe vendosja e armëve bërthamore ruse nën një “regjim të veçantë të gatishmërisë luftarake”.

Në mjedisin e një arsenali të tillë me armë bërthamore e në kushtet e një lufte të tmerrëshme në Ukrahinë. Në kohën e humbjeve të shumta në njerëz, teknikë luftarake, material të ndryshme dhe një bllokade të Rusisë nga perendimi. Shtrohet pyetja: a ka shanse që Rusia të përdorë armët bërthamore kundër Ukrahinës dhe nëse po, nga cfarë mjetesh, nga ku dhe mbi cilat objektiva?

Në një rast të tillë, Putini edhe mund ta sulmojë Ukrahinën me municione bërthamore të kalibrit të vogël e me rreze të shkurtër veprimi. Për këtë psh mund të nxirren nga “Objekti S” në Belgorod-22, (vetëm 35 km nga kufiri me Ukrahinën) dhe të transortohen për në bazat ushtarake. Por kjo mund të bëhet edhe nga hapsira të tjera dhe nëndetëset e dislokuara në Detin e Zi. Pyetjes se cilat mund të ishin objektivat më të preferuar për tu goditur? Mund të gjykojmë se ata mund të jenë: më e preferuar do të ishte në hapsirën detare pranë brigjeve të Detit të Zi, ku nuk do të shkaktoheshin shumë viktima. Ky opsion do të tregonte se traktatet nuk kanë më as vlerë e as fuqi dhe se  lufta bërthamore  është bërë realitet (dhe së bashku me të edhe ajo e tretë botërore).

Objektiv tjetër i përzgjedhur do të ishte vend strehimi i Presidentit Ukrahinas dhe e stafit të tij këshillimor. Një preferencë tjetrë do të ishte, një ose disa baza të rëndësishme ushtarake ukrahinase (ajrore, lëshimi raketash, armatim municioni, logjistike etj) që prespozohet të dëmtojë më pak civilë. Dhe e fundit, për reprezalje e shkurajim mund të goditet Kievi ose ndonjë qytet tjetër i rëndësishëm ku pasojat do të ishin shumë më të rënda se në Hiroshima.

 Në se një gjë e tillë do të ndodhte, sigurisht që Rusia do të përballej me një sulm shumë më të fuqishëm bërthamor të NATO-s, të cilin Presidenti Amerikan Bajden (Biden) e ka theksuar disa herë kohët e fundit. Ky sulm do të conte së pari në fundosjen e flotës ruse të Detit të Zi, ose në shkatërrimin total të vend strehimeve municioneve bërthamore dhe të mjeteve  të lëshimit të tyre. Në shkatrrimin e bazave strategjike ushtarake  e industriale të Rusisë, satelitëve e instalimeve të tjera në hapsirë në tokë e në det. Fundi do të ishte shumë i hidhur, por jo vetëm për rusët, Edhe për të tjerët si rezultat i faktorve dëmtues të menjëhershëm e të vonuar të armëve bërthamore.

Fenomeni  ruso- putinian, vec sa më lart, mund të hap (si një reaksion zinxhir), një problem të madh të sigurisë botrore , duke formësuar idenë e vetmbrojtjes kombtare nga armët bërthamore (të të tjerëve),  me zhvillimin e arsenaleve bërthamore të shumë vendeve të kërcënuara.  Nën objeksionin e të qënit i  rrezikuar nga armët bërthamore ruse (koreano veriore etj), në këtë rrugë mund të hyjnë: Koreja e Jugut, Japonia, Indonezia, Malajzia dhe Australia. Në kushtet e këtij reaksioni botëror do të fillonin nga puna si të  kërcënuar: Gjermania, Italia, Turqia, Irani , Arabia Saudit, Afrika e Jugut , Brazili etj etj. Pra shpejt do të kishim një kaos të vërtetë dhe siguria globale dhe ky qytetërim do të shkatërroheshin nga politikanë të pa përgjegjeshëm por edhe nga  gabime njerzore e teknike. Lufta me armë bërthamore, nuk është lojë cubash putinian, avanturjerësh, vandalësh e të cmendurish. NDAL. Ajo sjellë fundin e këtij qytetërimi.

Filed Under: Politike Tagged With: asllan Bushati

Udhëtim mbresëlënës në Dardani

February 23, 2023 by s p

Alfons Grishaj/

Firmosja e Memorandumit me Parlamentin e Dardanisë, solli  shumë më afër Vatrën  me Prishtinën zyrtare si nga ana shpirtërore dhe fizike, duke e bërë Vatrën palë në proçeset jetike të Dardanisë. Prandaj dhe  udhëtimi   kërkonte përkushtim dhe seriozitet. Para se të niseshim, Kryetari i Vatrës Elmi Berisha, mblodhi Kryesinë dhe u kërkoi të gjithë anëtarëve që të merrnin pjesë në festimet e 15 Vjetorit të mëvetësisë së Dardanisë (kjo sigurisht në varësi të kohës dhe mundësive të gjithësecilit). Vatra ishte e ftuar në Dardani nga Ambasada  Amerikane dhe Parlamenti i Kosovës, çfarë tregonte se  vatranët do të udhëtonim brenda  kornizës protokollare shtetërore.
Sigurisht udhëtime të tilla nuk janë të thjeshta , sepse kërkojnë kohë , impenjim dhe shpenzime…
Gjithësecili u shpreh për mundësinë  e këtij udhëtimi, në   mirëkuptim të plotë me  njëri-tjetrin.

Kryetari Berisha, u nis para nesh për t’u njohur me protokollin dhe  organizuar çdo hap të udhëtimit tonë. Porsa arritëm në Airoportin “Adem Jashari”, Intelligence Agency Service (që do të na shoqëronte gjatë udhëtimit tonë), së bashku me kryetarin Elmi Berisha i cili shoqërohej nga kushëriri i tij Xhevdet Berisha, na pritën tek dera e daljes së avionit. Christofer Hyland , Mond Rakaj, Anton Raja  dhe unë  u surprizuam  për këtë kujdes të Kryetarit Berisha  dhe qeverisë Dardane.

Çdo gjë e detajuar dhe protokollare. Na drejtuan  në dhomën e pritjes VIP , për  një pushim të shkurtër dhe një kafe. Nga kjo dhomë do të fillonte the great journey.  Christofer Hyland, Mondi, Antoni dhe unë e kishim filluar bisedën që në aeroportin e Zvicrës. Si gjithnjë, në plan të parë Dardania jonë e dashur.

Të shoqëruar me makinat e “ Intelligence Service” , mbërritëm tek Hoteli “Swiss Diamant” me pronar, Bexhet Pacollit , ku  u akomoduam.
Më pas, grupit të Vatrës iu bashkuan dhe anëtarët e tjerë, Pashko Camaj, Tony Kastrati dhe Besim Malota.

Mediat e Dardanisë  dhe nëpërmjet tyre,  gazeta Dielli me  Editor Sokol Paja,  na ndjekën  në rrugëtimin tonë pesë ditor.
Çdo takim qe mbresëlënës dhe impresionues. Takimi i parë u bë me  vëllaun tonë,  Prof. Dr. Nusret Pllana, i cili kish ardhur  për të na uruar mirë se ardhjen. Më pas u takuam me  Dr. Vlora Obertinca e cila na shoqëroi në disa takime. Ardhja  e mikut të dashur, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, enkas për t’u çmallur  dhe festuar  me ne një natë të paharruar në darkën e shtruar nga Bexhet Pacolli, mbetet e paharrueshme.

Takimi  me Kryetarin e Parlamentit Dardan (brum i përdheshëm dhe fort i mprehtë), Glauk Konjufca , na krijoj një ambjent vëllazëror, duke na lejuar  shkëmbimin e mendimeve shumë të vlefshme për të ardhmen e Dardanisë dhe bashkëpunimit tonë. Z. Glauk, kishte një humor të hollë pa sforco që e ilustronte me  vitalitet  e  burim shpirtëtror.  U ndamë nga ky personalitet me përshtypjet më të mira dhe premtime për vazhdimësinë e lidhjes së Vatrës me Institucionin që ai drejtonte.

Pjesëmarrja e zbulimit të emrit të Xhim Xhemës në një nga rrugët kryesore te Prishtinës pati një jehonë në të gjithë mediat e e Prishtinës. Xhimi Xhema i shoqëruar nga kryetari i Vatrës, Elmi Berisha dhe Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama , qenë brilantë.   

Takimi me Presidenten Osmani ishte mbresëlënës dhe brenda kornizës protokollare.

Koktaili në Ambasadën Amerikan dhe dekorimi i Ambasadorit  Jeffrey M. Hovenier në darka Gala, ishin kryefjala e lëvizjes diplomatike të Vatrës. Mbrëmja Gala  pati pjesëmarrës nga të gjitha trevat. Atë natë mori pjesë dhe  Kryeministri Kurti( që ish takuar me ne dhe dy herë në harkun kohor të axhendës së ngjeshur) Kryetari Komunës Përparim Rama, Ambasadorët Jeffrey M. Hovenier dhe  Christopher Hyland, Xhimi Xhema, Bexhet Pacolli, Teuta Rugova e shumë personalitete të artit dhe kulturës.

Takimi në Katedralen Nënë Tereza qe një relaksim. Tek porta na pritën Prelatët e Kishës  me në krye Ipeshkvin Dode Gjergji, Dom. Lush Gjergji ishte një prehje shpirtërore, duke pasur parasysh se kjo katedrale ka emrin e Shenjëtores së përbotshme St.Mother Tereza. 
Pjesëmarrja  në Parlamentin e Dardanisë dhe  dalja në shesh disa momente para fillimit të paradës do mbeten të paharrueshme, ku populli Dardan, brohoriste, Xhimi…Xhimi…Amerika…Amerika!!…Por, impresionimi  më i madh i joni ishte, kur   hymë  në UBT (ku unë dhe kryetari Berisha patëm dhe fjalën tonë…), u  ballafaquam me një bibliotekë të ngjashme me ato perëndimoret që na mbushi me frymëzim dhe përmallim. Atë ditë, UBT , së bashku me Vatrën kishin organizuar, konferencën shkencore, “Roli i mërgatës shqiptare në krijimin e shtetit shqiptar dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës”.  Prof . Dr. Edmond Hajrizi,  ish student i Oakland University  Michigan,  me  dëshirë dhe vizion arriti të ngrejë UBT në përmasa botërore. Prof . Dr. Naser Rugova na e kish  sjellur në vëmendje , por ja që erdh momenti që t’a preknim  me dorë. UBT është i gjashti në botë për pregaditjen e studentëve në teknologji. Para se të vizitonim UBT-në ,  Dr. Pajazit Hazeri, na bëri një ekspoze  të  Universitetit, ku pregaditeshin dhe edukoheshin  më shumë se 15 mijë studentë. Në këtë universitet,  na u duk vetja sikur u rritëm!
Surprizë të veçantë  i bëri Universitetit, heroi  i ditës, Xhimi Xhema, duke i dhuruar Universitetit,  $500 000. Ndërsa vatrani patriot, Anton Raja,  dhuroi pesëmijë dollarë për studentin më të mirë të UBT-së. Një takim shumë mbresëlënës ishte ai me Gjeneral Hisen Berisha, ish-komandantin e Koshares.

Frymëzues ishte takimi me ish Kryeministrin , legjendën e gjallë, Ramush Haradinaj. U takuam dy herë. Ai  na ftoi  për darkë në shtëpinë e tij, por qe e pamundur të  realizohej, ngaqë  do  ktheheshim  në Amerikë. I paçmueshëm qe takimi me vajzën e Ibrahim Rugovës, Teuta, e cila kryente shkollën në Amerikë. Një vajzë model që ruante momente të pathëna të historisë së legjendës së Dardanisë Presidentit, Rugova.

Kryetari Berisha e kish llogaritur në mënyrë  matematike çdo moment. Dr. Pashko Camaj , përveç pranisë së tij në takime, pati dhe një detyrë plus në komunikimin  me mediat , ku u paraqit me dinjitet. Intervistat  e tija në “ Klan Kosova”  dhe R.T.K  qenë mbresëlënëse. Gjithashtu , z. Camaj pati një takim të ngrohtë dhe me Ministren e Punëve të Jashtme, Donika  Gërvalla, e cila me shumë modesti kërkoi ndjesë që gjatë vizitës së kaluar në Amerikë nuk  pati mundësi për të vizitur Institucion e Vatrës Vatranët u takuan dhe me poetin,  Hilmi Tahiri.

Dr. Elmi Berisha u takua dhe me Presidentin e Shqipërisë, Gjeneral Bajram Begaj, i cili shprehu konsideratën e lartë ndaj Vatrës dhe Vatranëve.

Në axhendën tonë kishim dhe takim me dy liderat kryesorë te opozitës  Dr. Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Me Dr. Berishën patëm një takim zyrtar dhe vëllazëror.  Dr. Berisha bëri një ekspoze të detajuar të ngjarjeve të fundit, duke vënë theksin dhe mbi zyrtarin e korruptuar të FBI McGonigal , i cili zbuloi  rëndë aferat korruptive dhe strategjinë malukate  të  Edi Ramës,  dhe rrezikun që i kanoset popullit dhe Shqipërisë nën drejtimin e këtij të fundit.  U ndamë me premtimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit të ndërsjelltë.

Më ish – Presidentin  Ilir Meta ,  mik shumë  i afërt me Vatrën , biseduam për problemet që po kalon vendi dhe strategjinë e bashkëpunimit në të mirë të vendit dhe demokracisë. Ish-Presidenti, theksoi se është shumë e rëndësishme vota e të gjithëve për të shkulur regjimin që po shkatërron Shqipërinë. Për nder të Vatrës, biznesmeni patriot, Kadri Morina, shtroi një drekë në restorantin e tij, “Pijaca”, duke kaluar një kohë të bukur.

Po në hapësirën e axhendës  të Dardanisë, bashkë me Mond Rakaj dhe Toni Isufaj u shkëputëm për disa orë, duke u takuar  me Arqipeshkvin e Shkodrës , Mons . Anxhelo  Masafra. Më pas, drekuam me Vikarin e Arkiodioqezës  Dom. Nikolin Sheldia (prift dhe patriot tradicional) dhe Prof.As.Dr. Vinçenc Marku, mik i imi që në ditët e para të demokracisë. Vinçenci na shoqëroi tek biblioteka e Françeskanëve, e cila ishte  unike në llojin e vet. E shoqja e Vinçencit, drejtoresha e bibliotekës, cicërone brilante, na i solli të gjallë kolosët françeskanë me në krye Fishtën. Ne premtuam që Vatra do t’a ndihmojë këtë thesar kombëtar që ruan vlerat e kolosëve të kombit.

Pjesëmarrja e jonë në festimin  historik të përvjetorit të 15-të të shpalljes së mvetësisë Dardane, tregoi impenjim serioz në trajtimit e historisë dhe evenimenteve nacionale, duke u bërë Vatren  palë të momenteve në filozofinë e lirisë dhe përparimit kombëtar.
Në ditët e udhëtimit tonë, u shqua xhentilesa e Kryetarit të Vatrës, Elmi Berisha, që u mundua t’i gëzonte të gjithë , duke e lënë veten në planin e dytë.

Pas udhëtimit në Dardani, Vatra ka në axhendë hapjen e tri degëve të reja dhe dy takime nderkombëtare. Ashtu siç ka thëne dhe zotni, Kolec Ndoja, treni ekspres i Vatres është i pandalshëm.

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj

Manifestim i mrekullueshëm në Fulda të Gjermanisë!

February 23, 2023 by s p

( Kushtuar 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës)

Shkruan:Nusret Pllana

Më 18 shkurt 2023, isha i privilegjuar të jem mysafir nderi nga Shoqata Shqiptare “Kosova”, përkatësisht nga Kryetari i saj z.Ukë Blakaj, djali i dëshmorit të kombit Prof.Mustafë Blakaj nga Istogu. 

Programi i pasur kulturo-artistik i fëmijëve dhe i anëtarëve të shumtë të kësaj Shoqate me tradita të mëdha patriotike dhe atdhedashurie, duke e krijuar një atmosferë madhështore dhe të papërsëritshme ndonjëherë, nga emocionet e shumta, i bëri me lot të gjithë të pranishmit që e kishin mbushur atë Sallë të bukur të qytetit Fulda. 

Në këtë qytet jetojnë, punojnë e veprojnë suksesshëm mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet tona etnike. Por, këtu  vepron  dhe funksionon dinjitetshëm edhe Shkolla shqipe, për të cilën meritat kryesore i ka z.Ukë Blakaj, njëri nga donatorët kryesor të saj. 

Këngët dhe recitimet e bukura të fëmijëve kushtuar dëshmorëve dhe martirëve të kombit, por edhe ekzekutimi i shkëlqyeshëm i valleve të bukura shqipe kushtuar lirisë së Kosovës dhe pavarësisë së saj, bënë që ata(ato) të nderohen shumë shpesh me duratrokitje frenetike nga të pranishmit.

Këtë manifestim të bukur e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe Konsulli i Republikës së Kosovës në Frankfurt, z.Fidan Ibrahimi, veprimtari i çështjes kombëtare dhe luftëtar i lirisë  z.Nusret Pllana – i cili u nderua edhe me mirënjohje nga Shoqata Shqiptare “Kosova”.

Të pranishëm aktivë ishin edhe  z.Can Tahiri – veprimtar dhe gazetar i njohur i Mërgatës Shqiptare,  z.Gaço Apostoli – Drejtor i ambasadorëve të paqës për Evropë dhe, kryetarë e veprimtarë të shumtë të Shoqatave shqiptaro-gjermane, që kishin ardhë nga qytetet e tjera të Gjermanisë, enkas për ta nderuar këtë manifestim kombëtar të karakterit jubilar. 

Për xhirimin e këtij manifestimi të pasur kulturo – artistik u kujdes ekipa e RTK-së, me z.Albert Ademi – gazetar dhe z.Ahmet Konjusha – kameraman. 

Filed Under: Politike Tagged With: Nusret pllana

VIZITA E JIM XHEMËS NË PRISHTINË — ME FOTOGRAFI

February 22, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

Një kombinim i mrekullueshëm veprimtarie prej dekadash. Jim Xhema një patriot i madh shqiptaro-amerikan, i cili nuk kurseu asgjë për lirinë dhe të drejtat e Kosovës dhe të shqiptarëve.  Bob Dole, një Senator republikan i madh dhe Dr. Ibrahim Rugova, një udhëheqës shqiptar i Kosovës që fitoi zemrat e jo vetëm të shqiptarëve por edhe të mbarë botës së qytetëruar. I ftuar nga Kryetari i Prishtinës, Z. Përparim Rama për të vizituar Kosovën me rastin e 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Z. Jim Xhema kaloi 4-5 ditë në Kosovë, ku u takua me udhëheqsit më të lartë të vendit dhe me shumë qytetarë. Fotot më poshtë janë vetëm një pasqyrim i vogël i vizitës së tij shumë të ngjeshur, javën e kaluar.  

May be an image of 2 people, beard, people standing and suit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama me bashkshorten Kristalen kanë pritur në vizitë veprimtarin e shquar shqiptaro-amerikan, Jim Xhema.

May be an image of 1 person and indoor

Me këtë rast, kryetari Rama i ndahu mirënjohje veprimtarit Xhema për atdhedashurinë dhe punën e palodhshme për çlirimin e Kosovës.

May be an image of 7 people and people sitting

                Në mjediset e Komunës së Prishtinës

  

Pas takimit me Kryetarin e Prishtinës, Z. Përparim Rama, Jim Xhema u prit në Presidencë nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Presidentja Osmani i dorëzoi medaljen “Urdhri i Lirisë”, veprimtarit të njohur të mërgatës shqiptare të Amerikës, Z. Jim Xhema.  Zonja Osmani ka theksuar se mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është urë e fortë lidhëse ndërmjet Republikës së Kosovës dhe popullit shqiptar në Ballkan me aleatin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Ajo e cilësoi Z. Jim Xhema një ikonë të mërgatës shqiptare në Amerikë, i cili për më shumë se tri dekada ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq aktivisti i çeshtjes kombëtare në Amerikë, Z. Jim Xhema shprehu mirënjohjen e tij të thellë për Presidenten e Republikës së Kosovës dhe institucionet e Kosovës për mikpritjen dhe respektin. Ai tha se liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë beteja jetësore e tij dhe e të gjithë shqiptaro-amerikanëve, duke shtuar se dekorimi me medaljen, “Urdhri i Lirisë”, është respekt dhe mirënjohje jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj veprimtarëve shqiptaro-amerikanë, të cilët për vite dhe dekada kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

Nga Presidenca Z. Jim Xhema shkoi në Kryeministri ku u takua me të parin e qeverisës së Republikës së Kosovës, Kryeminstrin Albin Kurti.   Kryeministri Kurti e falënderoi përzemërsisht z. Xhema për kontributin e tij të çmuar në promovimin dhe fuqizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës në ShBA, veçanërisht, përmes raporteve të mira me Senatorin Bob Dole e kongresistin Tom Lantosh. Roli i mërgatës shqiptare në Amerikë, shtoi ai, për çlirimin dhe pavarësimin e vendit ka qenë kyç, dhe se edhe sot vazhdon të jetë po aq i rëndësishëm në zhvillimin dhe afirmimin e Kosovës. Z. Xhema falënderoi Kryeministrin Kurti për pritjn e ngrohtë që i pari i qeverisë së Kosovës i bëri atij dhe delegacionit shqiptaro-amerikan.

A picture containing person, curtain, person, screen

Description automatically generated

Aktivisti prej dekadash i çeshtjes kombëtare, Jim Xhema me Kryeministrin e Kosovës, Z. Albin Kurti

Nga Kryeministria, Z. Jim Xhema me delegacionin shqiptaro-amerikan shkuan për të përshëndetur familjen e Presidentit të parë dhe historik të Republikës së Kosovës — mikut të tij dhe mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan ndër vite si dhe bashkpuntorit të tij të ngusht prej dekadash, Dr. Ibrahim Rugovës. Ishte ky një takim shumë i ngrohtë  –me pjestarët e familjes së ish-Presidentit të ndjerë, përfshir bashkshorten e tij të nderuar — dhe plot kujtime dhe emocione.

Jim Xhema me grupin në një takim të ngrohët dhe plot emocione e kujtime me familjen e Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, mik dhe bashkpuntor i ngusht për fatet e Kosovës i Z. Xhema — në banesën e familjes Rugova në Prishtinë.

Duke bërë nderimet e rastit tek varri i Presidentit Dr. Ibrahim Rugova

Rruga “A” për rreth Prishtinës tani e tutje do të bartë për gjithmonë emrin e veprimtarit të madh të shqiptaro-amerikanit të shquar, Z. Jim Xhema. Gjatë ceremonisë, Kryetari I Prishtinës, Z. Rama tha se ndjehet falënderues ndaj veprimtarit Jim Xhema për kontributin e tij që ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.  Rama tha se për të nderuar veprën e tij, komuna e Prishtinës ka vendosur që ta emërojë rrugën A në emrin e tij.  “Është sot nder i veçantë edhe kënaqësi me e pasë këtu veprimtarin e heroin e kohërave tona. Siç e dini, zotëri Xhema ka kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe është marrë me këtë aspekt gjithë jetën e tij. Kemi nderin sot që kemi atdhetarin tonë këtu. Ne kemi vendosur që ta nderojmë dhe përjetësojmë veprën e tij nëpërmjet rrugës A, që tash rruga A, thirret ‘Jim Xhema’ ”.  Jim Xhema dhe i pari i Prishtinës kujtuan vizitën historike të Senatorit Dole në vitin 1990 në Prishtinë. “Moment ky i njohur si “pikë kthesë për lirinë e Kosovës, që ia hapi sytë bashkësisë ndërkombëtare mbi abuzimet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Kosovë”, pasi ç’prej atëherë Zoti Dole u bë zë i fuqishëm në politikën amerikane për çështjen e Kosovës”. 

Jim Xhema falënderoi përzemërsisht Kryetarin e Prishtinës, Z. Përparim Rama për nderin dhe respektin që i ka akorduar ai dhe Këshilli i Komunës së Prishtinës, duke përjetësuar emrin e tij me emrimin e një nga rrugët më kryesore të kryeqytetit të Republikës së Kosovës, në emër të tij.  Në nderim të veprës së Jim Xhemës, Komuna e Prishtinës kishte organizuar një varg aktivitetesh gjatë ditës së martë.

A group of people holding a sign

Description automatically generated with medium confidence

Nga inaugurimi i rrugës “A” me emrin e aktivistit të madhe shqiptaro-amerikan, Jim Xhema, duke përjetësuar emrin e tij për brezat e ardhëshëm në Prishtinë dhe Kosovë, falë kontributit të tij të pazevëndsueshëm, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Jim Xhema me Kryetarin e Prishtinës,, Përparim Rama duke përshëndetur qytetarët e Prishtinës dhe të shqipztarë nga të gjitha trojet përgjatë rrugës së parakalimit të forcave të armatosura të Republikës së Kosovës.

Jim Xhema në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë në Prishtinë (UBT)

May be an image of 4 people and people standing

Me këtë rast, veprimtari Jim Xhema ka thënë se edukimi është esencial për çdo vend që të ketë sukses për të përballuar ardhmërinë.

“Është imperativ që ju të merrni studimet shumë seriozisht, pa ju dhe gjeneratën që tani rritet në Kosovë ne do të jemi në situatë të vështirë që të zëvendësojmë gjeneratat e vjetra. Unë personalisht do të qëndroj i kyçur këtu me ju dhe të themeloj fonde personalisht dhe nga shokët e mi qe të sigurohemi që ne i arrijmë qëllimet së bashku. Ne kemi arrit shumë, por udhëtimi juaj është i gjatë”, u ka thënë Jim Xhema të pranishmeve.

  Jim Xhema duke folur në  Konferencën shkencore në UBT , ku u bëri thirrrje studentëve që të t’i marin studimet seriozisht”

May be an image of 9 people, people standing, monument and outdoors

Jim Xhema në vizitën në kryeqytetin e Kosovës, u ndalua edhe në Katedralën “Nënë Tereza”, ku ndezi një qiri në kujtim të bashkshortes së ndjerë Mrika

 Jim Xhema me Ipeshkvin e Kosovës, Mons. Dodë Gjergj

May be an image of 6 people and people standing

Duke u përshëndetur me Presidentin e Shqipërisë, Z. Bajram Begaj në Prishtinë

15 vjet shtet - FSK dhe Policia parakalojnë shesheve të kryeqytetit - Bota Sot

Jim Xhema mori pjesë edhe në paradën ushtarake Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ku mor[n pjesë mijra qytetarë të prishtinës dhe nga të gjitha trojet shqiptare – të cilët me të dalluar pjesëmarrjen e Jim Xhemës në parakalimin e forcave të armatosura të Kosovës, filluan të thërrisnin emrin e tij: “Jimmy, Jimmy, Jimmy…”

Në Prekaz —

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Jim Xhema vizitoi edhe Prekazin për të nderuar familjen Jashari. “Kjo është dëshmi se çka na kanë bërë… e të mos harrojmë se çfarë po ndodh. Ejani këtu dhe bëni respekt, respektoni njerëzit që paguan çmimin me familjet e tyre dhe fëmijët shtatë vjeç e pesë vjeç”, është shprehur Xhema për median.

Jim Xhema duke bërë nderimet e tija para monumentit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Z. Bill Clinton në Prishtinë javën që kaloi. Siç dihet Presidenti Clinton, me ndihmën e Senatorit Dole në Senation Amerikan siguroi mbështetjen e Kongresit për të urdhëruar NATO-n të sulmonte forcat terroriste ushtarake dhe policore serbe që po kryenin krime kundër njerzimit ndaj piopullatës shqiptare në Kosovë

Z. Xhim Xhema para bustit të Senatorit Robert Dole — mikut të tij të ngusht prej dekadash dhe mikut të madh dhe mbështetsit të vendosur të Kosovës dhe shqiptarëve – Prishtinë, 17 shkurt, 2023

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 173
  • 174
  • 175
  • 176
  • 177
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!
  • Liria fillon gjithmonë nga refuzimi për të gënjyer veten…
  • Një nderim për historinë tonë kombëtare…
  • Habermas në mbrojtës i vendosur i intervenimit të NATO-s në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT