Alfons Grishaj/
Firmosja e Memorandumit me Parlamentin e Dardanisë, solli shumë më afër Vatrën me Prishtinën zyrtare si nga ana shpirtërore dhe fizike, duke e bërë Vatrën palë në proçeset jetike të Dardanisë. Prandaj dhe udhëtimi kërkonte përkushtim dhe seriozitet. Para se të niseshim, Kryetari i Vatrës Elmi Berisha, mblodhi Kryesinë dhe u kërkoi të gjithë anëtarëve që të merrnin pjesë në festimet e 15 Vjetorit të mëvetësisë së Dardanisë (kjo sigurisht në varësi të kohës dhe mundësive të gjithësecilit). Vatra ishte e ftuar në Dardani nga Ambasada Amerikane dhe Parlamenti i Kosovës, çfarë tregonte se vatranët do të udhëtonim brenda kornizës protokollare shtetërore.
Sigurisht udhëtime të tilla nuk janë të thjeshta , sepse kërkojnë kohë , impenjim dhe shpenzime…
Gjithësecili u shpreh për mundësinë e këtij udhëtimi, në mirëkuptim të plotë me njëri-tjetrin.
Kryetari Berisha, u nis para nesh për t’u njohur me protokollin dhe organizuar çdo hap të udhëtimit tonë. Porsa arritëm në Airoportin “Adem Jashari”, Intelligence Agency Service (që do të na shoqëronte gjatë udhëtimit tonë), së bashku me kryetarin Elmi Berisha i cili shoqërohej nga kushëriri i tij Xhevdet Berisha, na pritën tek dera e daljes së avionit. Christofer Hyland , Mond Rakaj, Anton Raja dhe unë u surprizuam për këtë kujdes të Kryetarit Berisha dhe qeverisë Dardane.
Çdo gjë e detajuar dhe protokollare. Na drejtuan në dhomën e pritjes VIP , për një pushim të shkurtër dhe një kafe. Nga kjo dhomë do të fillonte the great journey. Christofer Hyland, Mondi, Antoni dhe unë e kishim filluar bisedën që në aeroportin e Zvicrës. Si gjithnjë, në plan të parë Dardania jonë e dashur.
Të shoqëruar me makinat e “ Intelligence Service” , mbërritëm tek Hoteli “Swiss Diamant” me pronar, Bexhet Pacollit , ku u akomoduam.
Më pas, grupit të Vatrës iu bashkuan dhe anëtarët e tjerë, Pashko Camaj, Tony Kastrati dhe Besim Malota.
Mediat e Dardanisë dhe nëpërmjet tyre, gazeta Dielli me Editor Sokol Paja, na ndjekën në rrugëtimin tonë pesë ditor.
Çdo takim qe mbresëlënës dhe impresionues. Takimi i parë u bë me vëllaun tonë, Prof. Dr. Nusret Pllana, i cili kish ardhur për të na uruar mirë se ardhjen. Më pas u takuam me Dr. Vlora Obertinca e cila na shoqëroi në disa takime. Ardhja e mikut të dashur, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, enkas për t’u çmallur dhe festuar me ne një natë të paharruar në darkën e shtruar nga Bexhet Pacolli, mbetet e paharrueshme.
Takimi me Kryetarin e Parlamentit Dardan (brum i përdheshëm dhe fort i mprehtë), Glauk Konjufca , na krijoj një ambjent vëllazëror, duke na lejuar shkëmbimin e mendimeve shumë të vlefshme për të ardhmen e Dardanisë dhe bashkëpunimit tonë. Z. Glauk, kishte një humor të hollë pa sforco që e ilustronte me vitalitet e burim shpirtëtror. U ndamë nga ky personalitet me përshtypjet më të mira dhe premtime për vazhdimësinë e lidhjes së Vatrës me Institucionin që ai drejtonte.
Pjesëmarrja e zbulimit të emrit të Xhim Xhemës në një nga rrugët kryesore te Prishtinës pati një jehonë në të gjithë mediat e e Prishtinës. Xhimi Xhema i shoqëruar nga kryetari i Vatrës, Elmi Berisha dhe Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Përparim Rama , qenë brilantë.
Takimi me Presidenten Osmani ishte mbresëlënës dhe brenda kornizës protokollare.
Koktaili në Ambasadën Amerikan dhe dekorimi i Ambasadorit Jeffrey M. Hovenier në darka Gala, ishin kryefjala e lëvizjes diplomatike të Vatrës. Mbrëmja Gala pati pjesëmarrës nga të gjitha trevat. Atë natë mori pjesë dhe Kryeministri Kurti( që ish takuar me ne dhe dy herë në harkun kohor të axhendës së ngjeshur) Kryetari Komunës Përparim Rama, Ambasadorët Jeffrey M. Hovenier dhe Christopher Hyland, Xhimi Xhema, Bexhet Pacolli, Teuta Rugova e shumë personalitete të artit dhe kulturës.
Takimi në Katedralen Nënë Tereza qe një relaksim. Tek porta na pritën Prelatët e Kishës me në krye Ipeshkvin Dode Gjergji, Dom. Lush Gjergji ishte një prehje shpirtërore, duke pasur parasysh se kjo katedrale ka emrin e Shenjëtores së përbotshme St.Mother Tereza.
Pjesëmarrja në Parlamentin e Dardanisë dhe dalja në shesh disa momente para fillimit të paradës do mbeten të paharrueshme, ku populli Dardan, brohoriste, Xhimi…Xhimi…Amerika…Amerika!!…Por, impresionimi më i madh i joni ishte, kur hymë në UBT (ku unë dhe kryetari Berisha patëm dhe fjalën tonë…), u ballafaquam me një bibliotekë të ngjashme me ato perëndimoret që na mbushi me frymëzim dhe përmallim. Atë ditë, UBT , së bashku me Vatrën kishin organizuar, konferencën shkencore, “Roli i mërgatës shqiptare në krijimin e shtetit shqiptar dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës”. Prof . Dr. Edmond Hajrizi, ish student i Oakland University Michigan, me dëshirë dhe vizion arriti të ngrejë UBT në përmasa botërore. Prof . Dr. Naser Rugova na e kish sjellur në vëmendje , por ja që erdh momenti që t’a preknim me dorë. UBT është i gjashti në botë për pregaditjen e studentëve në teknologji. Para se të vizitonim UBT-në , Dr. Pajazit Hazeri, na bëri një ekspoze të Universitetit, ku pregaditeshin dhe edukoheshin më shumë se 15 mijë studentë. Në këtë universitet, na u duk vetja sikur u rritëm!
Surprizë të veçantë i bëri Universitetit, heroi i ditës, Xhimi Xhema, duke i dhuruar Universitetit, $500 000. Ndërsa vatrani patriot, Anton Raja, dhuroi pesëmijë dollarë për studentin më të mirë të UBT-së. Një takim shumë mbresëlënës ishte ai me Gjeneral Hisen Berisha, ish-komandantin e Koshares.
Frymëzues ishte takimi me ish Kryeministrin , legjendën e gjallë, Ramush Haradinaj. U takuam dy herë. Ai na ftoi për darkë në shtëpinë e tij, por qe e pamundur të realizohej, ngaqë do ktheheshim në Amerikë. I paçmueshëm qe takimi me vajzën e Ibrahim Rugovës, Teuta, e cila kryente shkollën në Amerikë. Një vajzë model që ruante momente të pathëna të historisë së legjendës së Dardanisë Presidentit, Rugova.
Kryetari Berisha e kish llogaritur në mënyrë matematike çdo moment. Dr. Pashko Camaj , përveç pranisë së tij në takime, pati dhe një detyrë plus në komunikimin me mediat , ku u paraqit me dinjitet. Intervistat e tija në “ Klan Kosova” dhe R.T.K qenë mbresëlënëse. Gjithashtu , z. Camaj pati një takim të ngrohtë dhe me Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila me shumë modesti kërkoi ndjesë që gjatë vizitës së kaluar në Amerikë nuk pati mundësi për të vizitur Institucion e Vatrës Vatranët u takuan dhe me poetin, Hilmi Tahiri.
Dr. Elmi Berisha u takua dhe me Presidentin e Shqipërisë, Gjeneral Bajram Begaj, i cili shprehu konsideratën e lartë ndaj Vatrës dhe Vatranëve.
Në axhendën tonë kishim dhe takim me dy liderat kryesorë te opozitës Dr. Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Me Dr. Berishën patëm një takim zyrtar dhe vëllazëror. Dr. Berisha bëri një ekspoze të detajuar të ngjarjeve të fundit, duke vënë theksin dhe mbi zyrtarin e korruptuar të FBI McGonigal , i cili zbuloi rëndë aferat korruptive dhe strategjinë malukate të Edi Ramës, dhe rrezikun që i kanoset popullit dhe Shqipërisë nën drejtimin e këtij të fundit. U ndamë me premtimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit të ndërsjelltë.
Më ish – Presidentin Ilir Meta , mik shumë i afërt me Vatrën , biseduam për problemet që po kalon vendi dhe strategjinë e bashkëpunimit në të mirë të vendit dhe demokracisë. Ish-Presidenti, theksoi se është shumë e rëndësishme vota e të gjithëve për të shkulur regjimin që po shkatërron Shqipërinë. Për nder të Vatrës, biznesmeni patriot, Kadri Morina, shtroi një drekë në restorantin e tij, “Pijaca”, duke kaluar një kohë të bukur.
Po në hapësirën e axhendës të Dardanisë, bashkë me Mond Rakaj dhe Toni Isufaj u shkëputëm për disa orë, duke u takuar me Arqipeshkvin e Shkodrës , Mons . Anxhelo Masafra. Më pas, drekuam me Vikarin e Arkiodioqezës Dom. Nikolin Sheldia (prift dhe patriot tradicional) dhe Prof.As.Dr. Vinçenc Marku, mik i imi që në ditët e para të demokracisë. Vinçenci na shoqëroi tek biblioteka e Françeskanëve, e cila ishte unike në llojin e vet. E shoqja e Vinçencit, drejtoresha e bibliotekës, cicërone brilante, na i solli të gjallë kolosët françeskanë me në krye Fishtën. Ne premtuam që Vatra do t’a ndihmojë këtë thesar kombëtar që ruan vlerat e kolosëve të kombit.
Pjesëmarrja e jonë në festimin historik të përvjetorit të 15-të të shpalljes së mvetësisë Dardane, tregoi impenjim serioz në trajtimit e historisë dhe evenimenteve nacionale, duke u bërë Vatren palë të momenteve në filozofinë e lirisë dhe përparimit kombëtar.
Në ditët e udhëtimit tonë, u shqua xhentilesa e Kryetarit të Vatrës, Elmi Berisha, që u mundua t’i gëzonte të gjithë , duke e lënë veten në planin e dytë.
Pas udhëtimit në Dardani, Vatra ka në axhendë hapjen e tri degëve të reja dhe dy takime nderkombëtare. Ashtu siç ka thëne dhe zotni, Kolec Ndoja, treni ekspres i Vatres është i pandalshëm.