• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Demagogët dhe fundi i tyre

December 11, 2022 by s p

Nga Alfons Grishaj/

1- Alfa  :

Historia është udhërrëfyesja jonë, memorja e datave dhe ngjarjeve, korrektorja  e hamendjeve dhe orës së harresës. Çdo historian serioz  sjell të kaluarën  në fokusimin  e tashmes , çfarë i jep atij një status të veçantë në shkencë, sepse neve nuk na mbetet asgjë tjetër, vetem të sjellim para lexuesit copëzat historike të daltuara nga ata.

Sot, historia  na sjell  fjalen demagogji dhe demagogun e parë. Etimologjia e fjalës demagog rrjell nga greqishtja ( lider popullor ), po ashtu  dhe demagogu i parë na vjen nga Greqia e lashtë,  Gjenerali athinas  Cleon, pinjoll i një familje fisnike aristrokate, por që në thelb ishte këmbë e krye kundër aristrokracisë dhe intelektualëve. Oratoria e tij pluskonte  neveri  ndaj klasës  që i përkiste. Cleon  u shfaq  i pashpirtë në masakrimin e  qytetarëve të vet ku  e vulosi  demagogjinë  si gënjeshtër dhe  gjak.

Pothuajse kanë kaluar rreth dy mijë e pesqind vjet që kur i pushuan bëmat…ndërsa  trashëgimia  dhe emri  keq  vazhdon dhe sot. Për Cleon kanë shkrojtur autorë që nga antikiteti, Aristofani, Thoukudides, deri  në ditët tona ,  Lane etj.

Siç dihet, demagogët kanë qenë dhe janë udhëheqës kundër elitave. Retorika demagogjike fillon si tupan populist dhe kulmon skeptër autoritarist. Mencken thoshte: Demagogu është njeriu që predikon doktrinën, që e di që nuk është e vërtetë tek njerëzit që i di që janë idiotë.  

2 –Simptomat:

Në këndvështrimin informativ aktual: mbushja e faqeve të emajlave, mediave me gënjeshtra , protoganizëm parazitësh, kantalenë sorrash, nëntekste qukapikësh, thirrje hipokritësh, kataris vemjesh, lavdi fluskash, trashëgimi patriotike rrenash, fjalime bombastike etj janë prapavija dhe mendja e “ prostitutave digitale” (siç thotë një miku im), por dhe  simptomat e para të shpirtligësisë  demagoge. 

        A e dini si e padisin veten demagogët? Çdo të mirë dhe zgjuarsi të tjerëve e kundërshtojnë! Këmbëngulin kuturu, tjerrin gënjeshtra, akuzojnë të tjerët me një shpirtëligësi të pafundme. Fjalime të stisura me sentenca emocionale  e të mbushura më hamendje e premtime  boshe.

Dëgjojini më vëmendje fjalimet e tyre në parlamente… Analizoni shkrimet dhe prononcimet në media pastaj  ndaluni për një moment dhe  pyesni për kulturën , origjinën e familjeve e tradicionin: çfarë kanë bërë për shkencë, atdhe, fe e demokraci?  Dhe atje do  gjeni përgjigjen që ju mundon. 

3- Ballafaqimi  fatal:

Demagogët e mëdhenj që u zgjodhën në krye të shteteve, i kthyen vendet e tyre në diktatura, duke  notuar kundër rrjellës së logjikës humane. Që pas Çleon, demagogët u shfaqën në Romë, Francë me Robespierin deri në rusinë e Vladimir Uljanov  Lenin, mjeshtri i terrorit të kuq, i cili  urdhëroi vrasjen e Car Nikolla II , dhe për shtatë vite me rrallë mbolli terror dhe vdekje.  Sikur të jetonte më gjatë,  një Zot e di çfarë do të kish bërë! Lenini u plagos nga Izraelito-Ukrainësja, Feiga Haimovna Roytbalt, ose Fanni Kaplan. Vetë Gorki që ishte miku tij më i ngushtë e kritikoi disa herë për kursin e gabuar, por ai jo vetëm nuk e dëgjoi, por e izoloi me preteksin se, Gorki ishte tuberkuloz dhe duhej lënë i qetë. Gorki (atodidakt), shkrimtar i madh, i njohur si babai i socializmit, e quajti Leninin: “Mashtrues gjakftohtë”. Ndërsa Lenini vdiq nga neurosifilizi  dhe fama e tij mbretëroi si  diktator, legjenda e  Maxim Gorkit u lartësua si shkrimtari më i dekoruar në historinë e njerëzimit. 

Antipodi i filozofisë Leniniste, nacional-socialisti Adolf  Hitler, dhe pse nuk e kishte arsimin e Leninit ( vetëm 12 klasë dhe mbeti piktor paakademi), nuk e pengoi atë të dilte në krye   të Partisë Nacional-Sociale. Në burg shkrojti, “Mein  Kamph”. Falë artit të demagogut helmoi një popull të tërë në luftë palavdi. Siç dihet historikisht , Hitleri  përfundoi i djegur  me Eva Braun.Pas vdekjes, u ngjall interesi për pikturat e tij  të ndaluara ku u shitën në ankand nga $100.000 deri në $ 400.000. 

Dikush mund të mendojë se fruti i ndaluar është më i ëmbli … Jo, njerëz! Fruti i ndaluar është tragjedia që ne vuajmë dhe do t’a paguajmë përditë deri në ditën e fundit .

Musolini (poet dhe gazetar), një ndër poetët e Italisë, babai i Fashizmit. Ashtu si të gjithë demagogët diktatorë, ai notonte midis sentimentalizmit, pamëshirshmërisë  dhe narcisizmit.  

U var nga populli Italian me kokë poshtë së bashku me Clara Petacci. 

Senatori amerikan, Huey Long (demagog, majtist i tërbuar), u qëllua nga Karl Weis , ku pas dy ditësh  vdiq. 

       Mjerisht dhe religjioni ra në prehërin e demagogjisë.  Kisha amerikane nuk pati përjashtim. Në Detroit lulëzoi prifti demagog Father Charles Coughlin, i cili  bëri një radio, duke   arritur në një kohë rekord  30 milionë fansa nga 120 milonë qytetarë që kishte atëherë Amerika. Ai e mbrojti Kishën me stilin e vet. Denoncoi ashpër Ku Klux Klanin. Suportoi Franklin Dilano Rusvelt dhe e kritikoi atë më vonë për miqësinë e tij me çifutë, duke dalur haptas kundër tyre  dhe përkrahur Nazi- Fashizmin. Thirrja e tij :  “Të implementohet  politika Nazi-Fashiste dhe në Amerikë”, la një shije shumë të keqe. Mbase Father Coughlin po hakmerrej ndaj çifutit demagog Lewis Levin ( siç shkrojtën disa), që pas Ku Klux Klanit, Levin   pat qenë anti-katoliku  më i egër në Amerikë. Megjithatë, këto thënie nuk u vërtetuan  asnjëherë. Father Coughlin  fliste në radio prej kullës së “The National Shrine of the Little Flower Catholic Church”. Ai fliste më tepër për politikë se sa për religjion, duke minimizuar misionin e tij pastoral , gjë që solli reagimin e Vatikanit. …

Kisha dhe kulla ku ka folur Coughlin vazhdon të ekzistojë në Twelve Mile Rd. Royal Oak.

     Tani demokratët amerikanë kanë filluar t’a quajnë demagog dhe  Donald Trump ! Fatmirësisht, ai  nuk ka premisa të tilla për vetë faktin se  është një biznesmen i suksesshëm dhe  perandorinë e biznesit nuk e ka ndërtuar me fjalë  boshe  e plaçkë, por me djersë. Ai nuk është gënjeshtar si të tjerët. Shpesh herë,  sinqeriteti i tij  ia kalon dhe inoçencës fëminore. Dhe pse, Geert Wilders ( demagogu  anti-islam) e përkrah parezerva, duke thënë: “ Neve na duhen udhëheqës trima si ai “, kjo nuk e bën Trump si  Wilders,  Udo Voigt, Karl Lueger etj. Nëse Amerika do ketë fat t’a rizgjedhë përsëri Donald Trump për President, kursi amerikan do ndryshojë përgjithmonë. Pas mandatit tij, Ron DeSantes, do e çimentonte prosperitetin e Perandorisë amerikane në vitet më pas. 

      Gjeniu që djersit, në një ditë  mund të arrijë  një shekull, kurse demagogu  mund të llomotisë një shekull pa mundur të arrijë dot  një natë finale të fildishtë. Kalbëzimi i demagogut fillon që në leksionet e para pa arritur të shijojë  të fundit…  

Demagogë ka pasur dhe ka edhe  Shqipëria jonë e varfër : Enver Hoxha dhe tani Edi Rama (ka dhë të  tjerë  demagogë bubajka ). I pari pati një vdekje  nga komplikacionet (haluçinacionet e vrasjeve të shokëve) e  diabetit që ia shkatërroi  zemrën. Ndërsa i dyti,  njihet si demagog teatral që jeton në botën e dollarit  dhe në ekstazë të pushtetit absolut që ia ka errësuar kufirin e ndërgjegjes “pazio”  e bën  atë  shpesh tragji-komik dhe arson si Nero. Vërtetë një Nero dhe në shkatërrimet e ndërtesave, “për të ndërtuar qytetete magjike” pas Romës së djegur !

Paplikola thoshte për Nero: “ I do not believe that there is a man on earth to whom it would be safe for the people to entrust the power of despot…Nero  was said to be blest with a kind and affectionate heart ; but the powers of the despot intoxicated his mind.” Nero përdori aftësitë e demagogut duke u kthyer një person i pashpirtë kundër popullit të vet. Fjalët e fundit të Neros ishin : “Qualis artifex pereo” që do të thotë , “ Çfarë artisti vdes me mua ? ” – dhe ai vazhdoi – “ Shumë vonë , por ah , çfarë besnikërie!” Fjalët ishin për kalorësin që u mundua t’i shpëtonte jetën.  

Aktualisht, klani i Edi Ramës , me shëmtinë që bëri   kundër simbolit  të demokracisë Sali Berisha i  afroi  vetes  një fund neronian, ndërsa demokracisë shqiptare : udhëkryqin më të rrezikshëm në historinë e pluralizmit shqiptar. Mendohet se kjo ngjarje është dhe fillimi i fundit i  tragjedisë së  Edi Ramës. Këto ditë, anë e kënd globit ( ku ka shqiptarë) nuk flitet gjë tjetër, vetëm  akti i turpshëm që bëri një mercenar i PS-së , duke  goditur simbolin  dhe liderin historik të PD-së dhe mbi të gjitha, një 78 vjeçar , akt anti-human në botën e lirë!!  Ka zëra se, pas këtij akti të dënueshëm , Edi Rama nuk do jetë kurrë më i sigurtë biles ,  as në Fort Knox!

Për mua këto zëra nuk janë  “Ankthi i Abrahamit”, siç thoshte, Kirkeergard. Thjeshtë, nuk kam dëshirë   të ndodhin gjëra të shëmtuara kundër asnjë krahu,  veçanërisht  për shqipfolësit , por dhe për shpirtrat e gjuhëve të tjera. Po ! Ndërsa  shikon si boshatiset Shqipëria  dhe përditë e më tepër merr  tatëpjetën,  humbja e një demagogu do çlironte dhe ndryshonte balancën pozitive humane në raport me  negativen. 

Papagali me përsëritjen e fjalëve fiton trofenë në tokë, por falkoni perigrin ia merr atë  nga qielli.…

4- Exit:

Demagogët, asnjëherë nuk e njohin limitin e vet deri në vetëshkatërrim. Sikur t’a dinin limitin e tyre dhe të bënin  një dalje të zgjuar nga kurthi i vetvetes … mund  të lëvdoheshin dhe  si vizionarë. Garibaldi qe një  i tillë. Ai unifikoi Italinë. Njëmijë këmishë kuqtë e tij kanë hyrë në histori si immortal , sepse dhe kur plagoseshin nuk u shihej gjaku, gjë që u kallte datën  kundërshtarëve ! 

Garibaldi ishte Gjeneral  revolucionar republikan, megjithëse i përkëdhelur deri në Amerikë (Abraham Linkoln e kërkoi për Gjeneral) , gjithmonë  i njohu  meritat dhe  limitet e veta. Sikur Hitleri (të bënte atë gjë që bëri Garibaldi kur bashkoi Italinë),  t’i largohej  verbërisë së  “Perandorisë së Rracës Ariane”, ai do të mbetej një hero i popujve gjermanfolës. Gjithashtu  dhe   Enver Hoxha , pas çlirimit   të kishte një exit me qasje humane do të mbetej një legjendë për shumë shqipfolës në planet. Po , a ka  demagogu  ndërgjegje dhe besë?

Fare thjeshtë, demagogut mund t’i veshësh dhe mantelin e renegatit dhe për renegatët, Niçe tek libri “Kështu foli Zarathustra” shkrojti: “Ne përsëri u bëmë fetarë – kështu llomotisin disa renegatë, por mjaft nga ta janë kaq burracakë sa nuk rrëfejnë asgjë”.

Objektivisht, nuk duhet vënë i gjithë faji tek Demagogët që bëhen tiranë, por duhet vënë faji tek inteligjenca, bashkëpunëtorët  dhe  populli që i përkrah për t’i glorifikuar  deri në mit. Kujtoni për një moment sheshet që mbusheshin  me popull ku në ekstazë brohorisnin  udhëheqësit e tyre, Hiltler e Musolin. Dhe  më vonë , bash  populli që i lartësoi i dënoi me ashpërsinë më të madhe !

Çuditërisht, që  të zgjosh  një popull  nga agonia… u dashka  t’a keqpërdorësh  për t’a ringritur atë  drejt marshit të  lirisë. 

Mendoj se, kur Çita (Cheetah) lodhet dhe bie, breshka (Testudinata) është  kafsha më e shpejtë në planet… 

      Që nga koha e Babelit, Zoti e dënoi njerëzimin për të folur disa gjuhë, sikurse  shqiptarëve u dha  gjuhën  e vet. Dhe pse në Planet janë evidente 3000  gjuhë që fliten, vetëm 100 prej tyre shkruhen. Gjuha jonë hyn ndër tri gjuhët më të vjetra të patjetërsueshme dhe është një nga 100 gjuhët që shkruhen, por përsëri ka mbetur  e pafiltruar nga ngjalat  renegate që nuk ditën  dhe nuk deshën kurrë t’a lartësonin  shkencërisht  si një ndër gjuhët më të vjetra të qytetërimit. Në të shumtën e rasteve dhe pse flasim shqip nuk mund të merremi vesh me njëri-tjetrin,  ngaqë PLAÇKA luftoi gjithnjë kundër nacionalizmit , idealizmit dhe inteiigjencës reale nacionale.

“Mandala” dhe “Jantras”, fjalë nga Sanskrinishtja, që përkthehen: “rreth” dhe “instrument”. Respektivisht këto dy fjalë  reprezentojnë  skemën  e experiencës spirituale, pneuma ! Ndërsa tek ne këto dy fjalë përkthehen : “Klan” dhe “Vegël”. Klan-i që  përdor popullin e vet si vegël për tu majmur dhe pasuruar në mënyrë ilegjitime. Ndërsa populli shqipfolës lufton për të mbijetuar, demagogët dhe renegatët  luftojnë për luks dhe zona influence.

Demagogjia është webi që lind diktatura, kaos e varfëri. Nëse, sita e fatosave të lirisë sit bubajkat demagogjike dhe renegate, kufiri i shqipfolësve  do lulëzojë  parajsen në tokë pa e kërkuar atë nëpër botë dhe  qiell. 

Zero demagogë  e renegatë. Kombi  jonë do ketë zhvillim, bekime e uratë ! 

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj

Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës Në  NY, Ambasadori Blerim Reka Midis Nxënësve Të Shkollës Shqipe “Alba Life”, Brooklyn

December 10, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura/ t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj…

Ali Podrimja

Shkollat Shqipe “Alba Life” janë model i mësimit të Gjuhës Shqipe dhe i kultivimit të vlerave kombëtare dhe atdhetare.  Ambasadori Reka

Mësues, Nxënës, prindër dhe stafi i Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasadori i Kombit në Brooklyn mirepritën me plot përzemërsi Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, Ambasadorin Blerim Reka.  Ambasadori Blerim Reka shoqërohej nga bashkëhortja e tij, pedagogia Ymrane Reka dhe Diplomati Fatmir Zajmi.  

Nxënësit të gëzuar e mirëpritën me duartrokitje Ambasadorin Reka dhe bashkatdhetarët nga Kosova dhe kjo është një traditë e mrekullueshme për gati 16 vjet brenda mjediseve tona në shkollë.  Në dërrasë shkëlqente si Dielli, Flamuri Kombëtar dhe Flamuri i shtetit të Kosovës.  Nxënësit gjithmonë janë kurreshtar, ngacmues të kujtesës, truri i tyre kërkon sa më shumë të thithë historinë, kulturën, traditat tona.  Një nxënese me sy të shndritshëm blu më pyeti se pse ne kemi dy Flamuj ku ju i keni shfaqur në dërrasë?  Çdo Komb ka vetëm një Flamur?  Natyrshem ia spjegova me kujdes për aq sa i lejon mosha e tyre për ta kuptuar, por nga ana tjeër ju ngulitet mirë në kokë se Bashkimi Kombëtar është detyrë immediate dhe atëhere do të valojë vetëm Flamuri i Gjergj Kastriot Skënderbeut.  

Ambasadori Reka përshëndeti gjithë të pranishmit, mëuesit, nxënësit, prindërit që i janë bashkuar Misionit Kombëtar.  Me një elekuencënë të folur dhe plot kulturë ai i falënderoi nxënësit dhe i porositi që të mos i harrojnë kurrë rrënjët nga kanë ardhur dhe të vazhdojnë të mësojnë Gjuhën Shqipe, pasi ai është identiteti ynë kombëtar.  Është kënaqësi të jem midis jush dhe t’i dorëzoj z. Qemal Zylo themeluesit dhe drejtuesit të Shkollave Shqipe në të gjithë Nju Jorkun dhe në Online Abetaren e unifikuar në një nga shkollat tuaja në Brooklyn.  Shkolla Shqipe “Alba Life” është një model i mësimit të Gjuhës Shqipe dhe i kultivimit të vlerave kombëtare dhe atdhetare.  Ju gjithmonë do ta keni përkrahjen e qeverisë së Kosovës e cila ka projektet e saj për të mbështetur dhe bashkërenduar me Diasporën.  

Z. Qemal Zylo e falënderoi në emër të Bordit dhe gjithë mësuesëve Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në NY, Ambasadorin Blerim Reka për vizitën e tij në këtë shkollë.  Dua të theksoj se Shkollat Shqipe “Alba Life” gjithmonë e kanë ndjerë përkrahjen dhe mbështetjen e qeverive të Kosovës dhe për këtë ju shprehim mirënjohjen tonë të pakufishme. 

Më duhet të shtoj këtu se Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në vitin 2018 hapi siparin e 10-të Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me nxënësit e Shkolles Shqipe “Alba Life”.

Disa nxënës e përshendetën me poezi të ndryshme ardhjen e Ambasadorit Reka.  Nxënësit e talentuar si Kelvin Rustani, Altea Bala, Henri Cami etj interpretuan poezi të ndryshme.  Psh Altea Bala interpretoi poezi me titull “Ëvetarin”, që i kushtohet Abetares së parë, më 1844 nga Naum Veqilharxhi.  

…Është gjuhë e Perëndisë,

Me Ëvetarin e Veqilharxhit,

Veç ajo ty do të ndrisë,

Si një yll në mes të ballit.

Në mbyllje të vizitës nxënësit bënë fotografi me Birin e Kosovës, Ambasadorin Reka duke e falënderuar për dhuratën e çmuar që iu solli: Abetaren e unifikuar Shqipëri-Kosovë.

Duke bërë fotografi me vehte interpretoja poezinë e famshme të Ali Podrimes si: 

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura/ t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj…

Faleminderit Kosovë!

9 Dhjetor, 2022

Brooklyn, New York

Filed Under: Politike Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë

December 9, 2022 by s p

Vjosa Osmani/

Kërcënimi i hapur për agresion policor e ushtarak nga ana e Serbisë dëshmon se në atë shtet vazhdon mendësia hegjemoniste. Kjo duhet të refuzohet e kundërshtohet qartë nga e gjithë bota demokratike, e cila i dha goditjen më të fuqishme kësaj mendësie pikërisht në vitin 1999.

Plagosja e mbrëmshme e një pjesëtari të Policisë së Kosovës është veprim kriminal dhe i orientuar kundër rendit kushtetues e sovranitetit të Kosovës si dhe kundër veprimeve për sundim të rendit e ligjit. Gjithashtu, sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë cenim flagrant të të drejtës për informim të lirë.

Autorët e këtyre krimeve, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë menjëherë.

Në territorin e Republikës së Kosovës kurrë më nuk do të ketë policë dhe ushtarë të Serbisë! Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të jetësohet kurrë!

Filed Under: Politike

«Shqipja në Diasporë» – takim mbarëkombëtar në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare në Diasporë 

December 8, 2022 by s p

Të rralla janë aktivitetet të një përmase siç ishte takimi “Shqipja në Diasporë” organizuar në Tiranë e Shkodër me datën 26 – 27 nëntor 2022. Një takim mbarëkombëtar mirë i menduar dhe mbi të gjitha qëllimi, për të bashkëbiseduar (të gjitha palët) si ta ndryshojmë gjendjen për ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë. 

Ein Bild, das Text, Schild enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Shkruan: Vaxhid Sejdiu 

Sot, mërgata shqiptare nuk përfaqësohet me disa koloni, në disa shtete siç ishte në shek. XIX apo edhe në shek. XX. Ajo tani është kudo, pothuajse në të gjitha shtetet e botës, edhe për nga numri kanë ndryshuar gjërat, pothuajse gjysma e kombit është jashtë atdheut. Të gjitha faktet flasin se të gjithë së bashku duhet t`i bashkojmë forcat me qëllim, që brezi i dytë dhe i tretë të mos humbin gjuhën amtare. Të shpëtojmë atë që mund të shpëtohet sepse nesër bëhet vonë dhe të gjitha arsyetimet e mundshme do të jenë të kota. Historikisht mërgata shqiptare i ka dhënë gjithë shpirtin e saj atdheut, tani është koha që Atdheu ta ndihmoj mërgatën që t`i kaloj me sukses sfidat e shumta në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Bashkëpunimi institucional është një nga hallkat që mund të ndihmoj në këtë drejtim. Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), në dy vitet e fundit zëshëm ka numëruar dhe numëron të gjitha kërkesat e nevojshme për organizimin dhe njehsimin e shkollave shqipe kudo ku jetojnë shqiptarët. Ajo në vazhdimësi ka trokitur dhe troket në dyert e institucioneve tona për një bashkërenditje të kërkesave dhe natyrisht nënvizimin e përpjekjeve që këto kërkesa të realizohen në kohë. 

Ein Bild, das Text, Person, stehend, Boden enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Anëtarët e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD);  Aurela Konduri (Greqi), Mustafë Krasniqi (Bavari – Gjermani), Miradije Berisha (Austri), Vaxhid Sejdiu (Zvicër), Mimoza Hysa (QBD), Teuta Tabaku (Turqi), Fabjola Çaushaj (QBD), Dritan Mashi (Itali), Melita Oreshkoviq (Kroaci) dhe Musa Pali (Zvicër – Mal të Zi) 

Gjuha është një nga elementet kryesore, e cila i bashkon mërgimtarët shqiptarë nga të gjitha trojet. Dhe në fakt të gjithë shqiptarët nga do që të vijnë në shtetet pritëse, ata kanë një leje të njoftimit – gjuhën shqipe. Hapja e pikave shkollore apo organizimi i mësimit plotësues në gjuhën amtare nuk është një fjalë rasti por obligim moral e kombëtar me qëllim që fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë ta mësojnë gjuhën amtare në mënyrë institucionale. Pothuajse në të gjitha shtetet e botës ku zhvillohet mësimi në gjuhën shqipe mundësitë janë, që fëmijët, të cilët lindin dhe rritën pa fajin e tyre larg atdheut, ta ruajnë dhe ta zhvillojnë gjuhën e prindërve të tyre – gjuhën shqipe. Parashtrohet një pyetje se sa është bërë dhe a mjaftojnë këto përpjekje për të arritur qëllimin e dëshiruar. Natyrisht se jo, edhe pse ne jemi shumë mirënjohës për hapat ndërmarrë. Dhe, pikërisht këtë fakt e trajton vetë Mimoza Hysa (drejtoreshë pranë QBD), në kuadër të këtij takimi, e cila thotë: “hartimin e një politike të përbashkët (Shqipëri – Kosovë) për ruajtjen e gjuhës shqipe në Diasporë”. Gjuha është elementi i parë dhe kryesor në ruajtjen e identitetit kombëtar. Nuk mjafton ta bësh shqiponjën me duar dhe të thuash jam shqiptarë dhe pastaj pa kurrfarë nevoje të flasësh në gjuhë tjetër. Orientimi i nxënësve shqiptarë në shkollat shqipe për ta mësuar gjuhën e vendit dhe gjuhët tjera si anglishtja është në rend të parë, por në të njëjtë detyrë është edhe këshillimi që ta ruajnë dhe mësojnë edhe gjuhën amtare. KKAD,  i krijuar nga një gjendje e pakënaqshme e mësimit të gjuhës amtare ndër shqiptarët e Diasporës prezantoi në këtë takim mbarë kombëtar punën dhe përkushtimin e shoqatave, mësuesve në disa shtete të Evropës; siç janë në Zvicër, Gjermani, Austri, Itali, Greqi, Turqi dhe Kroaci, me të vetmin qëllim që institucionet tona të jenë mirë të informuar për sfidat që na presin. 

Ein Bild, das drinnen, Person, Boden, Decke enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Pamje nga takimi mbarëkombëtar “Shqipja në Diasporë”, Tiranë, 26 nëntor 2022

QBD nën drejtimin e znj. Mimoza Hysa këtë takim mbarë kombëtar mirë të organizuar si dhe mirë të ideuar duke e ndarë në disa panele, në të cilët u bisedua për politikat ndërshtetërore dhe ndërinstitucionale për ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë, rëndësinë e teksteve shkollore, rolin e katedrave të gjuhës shqipe në Diasporë, organizimin  e mësimdhënësve në Diasporë dhe deri te prezantimi i shembujve të suksesit në mësimdhënien e gjuhës shqipe në Diasporë. Të gjitha këto që u thanë dhe u prezantuan në këtë takim mendojmë se janë informacione të mjaftueshme që të vihen në lëvizje politikat ndërshtetërore dhe ndërinstitucionale në shërbim të organizimit sa më të mirë të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Diasporë. 

Filed Under: Politike

E VËRTETA…Kujtime nga Ekrem Bardha

December 7, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Titulli i plotë i librit është: “E VËRTETA: PAVARËSIA E KOSOVËS, AMERIKA DHE DIASPORA”, e autorit Ekrem Bardha, njërit prej eksponentëve dhe aktivistëve më të njohur të diasporës shqiptare në 60-vitet e kaluara — emigracionit të vjetër dhe të re – gjithnjë aktiv në mbrojtje të çeshtjes kombëtare këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  

Në botën shqiptare, poredhe ataë amerikane, Ekrem Bardha njihet si biznismen i suksesshëm, filantrop, aktivist i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikan. Mbi të gjitha, gjatë dekadave, ai e ka dalluar veten si promovues dhe mbështetës i palodhur i të drejtave të shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Por, njihet, sidomos, dedikimi i tij ndaj “çeshtjes së Kosovës”, siç i referoheshim në atë kohë dramës njerëzore nepër të cilën po kalonte Kosova, veçanërisht gjatë 1980-1990-ave, por jo vetëm Kosova.  

Lista është e gjatë e presidentëve, senatorëve, e kongresmenëve amerikanë dhe Sekretarëve Amerikanë të Shtetit, me të cilët ka bashkpunuar Z. Bardha në mbrojtje të interesave kombëtare këtu në Amerikë — përfshir edhe disa udhëheqës evropianë dhe personalitete të tjera amerikane dhe botërore, një listë që autori Bardha e boton në librin e tij. Ai i falënderon të gjithë në emër të diasporës shqiptare në Amerikë dhe në emër të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-amerikan (NAAC) – për ndihmën që i kanë dhënë çështjes shqiptare në përgjithësi gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit XXI. 

Në librin e tij më të fundit, “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, Ekrem Bardha thekson se ai e botoi këtë libër pasi “Me keqardhje ka konstatuar se roli i diasporës për çlirimin e Kosovës, ose është lenë në hije ose është harruar”, shkruan ai. “Prandaj, e shoh detyrim ndaj çdo përfaqsuesi të Diasporës të hedhë dritë mbi të vërtetat e këtij kontributi, sipas rolit që ka luajtur, për ta berë të plotë, sa më të vërtetë fitoren dhe pavarësinë e Kosovës”, nënvijon autori Ekrem Bardha.

Rolin që ka luajtuar dhe influencën që ka ushtruar komuniteti shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, për pothuaj një gjysëm shekulli në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve dhe çeshtjes kombëtare, në përgjithësi, Zoti Bardha e krahason me periudhën e artë të Skenderbeut kur Kryetrimi i shqiptarëve Gjergj Kastrioti-Skenderbe ka bashkuar principatat shqiptare për të mundur hordhitë otomane në tokën shqiptare – dhe bën një krahasim edhe me kohën e Nolit e të Konicës, në fillim shekullin e kaluar, kur të bashkuar në Vatrën shqiptare, diaspora shqiptare në Amerikë ndihmoi në shpëtimin e Shqipërisë nga coptimi i saj.

I kishte ardhur radha brezit të shqiptarëve si Ekrem Bardha me shokë – burri i mirë me shokë shumë – për të bindur “Aleatin e madh të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se gjysma e Kombit shqiptar ishte në rrezik të zhdkukjes – spastrimit etnik nga Serbia terroriste. Se “shqiptarët e Kosovës duhej të shpëtonin nga gjencoidi i egër serb”, një objektiv që “komuniteti ia arrijti këtij qëllimi”, me ndihmën e madhe të aleatës së vjetër të shqiptarëve, Amerikës, shkruan Bardha.  

Ai ven në dukje se rreth emërave në listën e gjatë të politikanëve më të lartë amerikanë — nga të dy partitë kryesore politike të Amerikës, republikanë dhe demokratë – aktivistët e komunitetit shqitaro-amerikan ishin të bashkuar me një mendim e me një qëllim, dhe me shumicë dërmuese, pa dallim, në këtë kauzë mbarë kombëtare, me miqët dhe mbështetsit tanaë tanë amerikanë. Kësaj kauze, thekson Bardha, iu bashkuan shqiptarë nga të gjitha trojet arbëroro-shqiptare. “Mund të ishim kolonjarë apo çamë, rugovas, shkodranë apo malësorë…Mund të kishim kundërshti për shumë gjëra, por e ndjenim veten shqiptarë-kosovarë”, shkruan Bardha në librin e tij më të ri.

Në të vërtetë, ashtu siç jam shprehur në një intervistë, që Z. Bardha më ka nderuar duke e botuar pjesërisht në librin e tij, komuniteti shqiptaro-amerikan, sado i vogël dhe pa ndonjë influencë të madhe në jetën politike amerikane deri atëherë, ishte përballë një armiku të fortë. Ish-Jugosllavia e asaj kohe gëzonte një status të veçant në Washington dhe ndonëse kishte një regjim komunist, konsideorhej si një “komunizëm me fytyrë njerëzore”, nga një pjesë e amdhe e botës perëndimore të asaj kohe.  Por këtij vlerësimi i doli boja shumë shpejt dhe ishte pikërisht komuniteti shqiptaro- amerikan ai i cili, eventualisht, bindi Washingtonin se të drejtat e njeriut, e sidomos të drejtat e shqiptarëve po shkeleshin pa asnjë ndëshkim nga regjimi jugosllav, në kundërshtim me çdo marrveshje ndërkombëtare dhe dokumentash për të drejtat e njeriut, të nënshkruara nga ish-Jugosllavia komuniste. Ndoshta shembulli më flagrant i shkeljes së të drejtave të njeriut që u “hapi sytë” amerikanëve, të pakën fillimisht, ishte “rasti i Pjetër Ivezaj”, një malësor nga Malësia e Madhe nën Mal të Zi i cili, gjatë një vizite në vendlindje, qe dënuar me shtatë vjetë burg nga ish-Jugosllavia komuniste, i akuzuar për pjesëmarrje në demonstrata anti-jugosllave në Detroit, por i cili u lirua pastaj me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara. 

“Rasti Ivezaj” u soll në vëmendjen e autoriteteve qeveritare të Washington nga Z. Ekrem Bardha nepërmjet mikut të tij, njërit prej përfaqsuesve të shtetit Michigan në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Z. William Broomfield. Kongresisti Broomfield kishte organizuar me kolegët e tij sesion-dëgjimi për këtë rast në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Më kujtohet si të kishte ndodhur dje, pasi isha duke raportua për Zërin e Amerikës, zhvillimet e punës së Komisionit për Punët e Jashtme të Kongresit, ku komuniteti shqiptar i Detroitit me në krye Z. Ekrem Bardha, i kishte kërkuar Kongresistit William Broomfield nga zona e tij elektorale që Kongresi amerikan të shqyrtonte rastin e arrestimit të Pjetër Ivezajt. Besoj se për herë të parë në Washington u pa fillimi i rolit dhe influencës së komunitetit shqiptaro-amerikan, në ekspozimin e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.  Ishte gjatë atij sesioni-dëshmi të Kongresit që miku i Z. Bardha, kongresisti William Broomfield u ngrit nga karriga dhe vajti për t’i telefonuar “live” nga salla e Kongresit, ambasadorit amerikan në Beograd për t’i kërkuar atij shpjegime nga autoritetet jugosllave për burgosjen dhe lirimin e menjëhershëm të Pjetër Ivezajt, shqiptaro-amerikanit me shtetësi amerikane.   Ashtu edhe ndodhi. Ai u lirua pothuaj menjëherë nga burgjet jugosllave dhe “rasti Ivezaj” shënoi fillimin e venitjes së statusit të Jugosllavisë si shtet i favorizuar në Washington, fal komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit dhe mikut të Z. Ekrem Bardha, kongresistit William Broomfield. Si asnjë herë më parë, arrestimi i Pjetër Ivezajt nga jugosllavët dhe ndërhyrja e kongresistit Broomfield për lirimin e tij, bëri që Kongresi amerikan të këthente sytë dhe të fokusohej, më seriozisht se kurrrë më parë, drejt çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi. 

Ky rast, ndoshta, do të përbënte provën më të mirë të rolit dhe fillimit të influencës që do të ushtronte, për dekada më vonë, komuniteti shqiptaro-amerikan në qarqet më të larta të politikës së Shteteve të Bashkuara në favor të çeshtjes kombëtare dhe të drejtave të njeriut për shqiptarët në trojet e veta shekullore.

Ashtu siç sugjeron edhe titulli i librit të Zotit Bardha, “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”, një vepër prej 525 faqesh, i kushtohet kryesisht Kosovës, por edhe periudhës së rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në Mars, 1991 — shumë kujtimeve personale të tija me udhëheqsit më të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të veprimtarive të shumta që Z. Bardha ka ndërmarrë — në bashkrendim dhe bashkpunim me shumë bashkatdhetarë të tjerë këtu në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë kontribuar gjithashtu masivisht, duke e berë lobimin shqiptar ndër më të fuqishmit në atë atë kohë, në Washington. 

Libr i Z. Bardha është një vepër që dokumenton me burime dhe dokumenta të dorës së parë, përfshirë fotografi, rrugëtimin e vështirë drejtë luftës për liri e pavarësi të Kosovës dhe të drejtave të njeriut për shqiptarët anë e mbanë trojeve shqiptare. Dokumenton të Vërtetën, siç sugjeron edhe titulli i librit, rolin personal të autorit me zyrtarë të lartë amerikanë dhe bashkpunimin e tij për lirinë e Kosovës dhe për të drejtat e njeriut për të gjithë shqiptarët, me protagonistë të tjerë shqiptaro-amerikanë. Z. Bardha i ofron lexuesit fakte dhe raste që publiku i gjerë nuk besoj se i di, ndërsa ai paraqet dokumentacion, fotografi, komunikime, letër shkëmbime, përshkruan takime, lobime dhe qasje të guximshme sfiduese për të gjitha palët, qoftë edhe në radhët e komunitetit, po edhe me bashkbisedues të ndryshëm, të interesuar për çështjen shqiptare në Ballkan.  

Vepra e Z. Bardha është një libër i pasur me kujtime, që dëshmon rrugëtimin e vështirë drejt pavarësisë së Kosovës dhe rolin e protagonistëve kryesorë të Diasporës shqiptare në Amerikë, siç është Z. Bardha. Libri është i pasur me fakte që shumë nuk i dinë, përfshir takime, lobime, qasje shpeshëherë të guximshme dhe sfiduese, tensione të lloj-llojshme, përgjegjësi dhe emocione intensive – shpesh edhe me përfaqësues të niveleve më të larta të vendim-marrjes qevritare amerikane, qoftë nga dega legjislative, qoftë nga një pjesë e medias, qoftë nga diplomacia amerikane që besonte në stabilitetin e Ballkanit – shpesh në kurriz të të drejtave të njeriut — dhe nuk dëshironte t’i turbullonte moçalet politike të Ballkanit. Një libër që teksa rrëfen lirisht, e zhvendos lexuesin emocionalisht dhe shpirtërisht në përjetimin e një prej ngjarjeve tragjike por më thelbësore të shqiptarëve në historinë e fund shekullit të kaluar dhe në fillim të shekullit të ri, jo vetëm të historisë kombëtare të shqiptarëve, por edhe të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës në terësi.

Çështja e Kosovës – liria dhe pavarësia e saj si shtet – shembja e Murit të Berlinit dhe tranzicioni post-komunist në Shqipëri, ishin kauza historike kombëtare që kumbonin vazhdimisht, natë e ditë, në veshët tonë gjatë periudhës për të cilën shkruan z. Bardha në librin e tij: “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora”.  Liria dhe demokracia e vërtetë për Shqipërinë dhe për Kosovën ishin kauza dhe ide që në rininë tonë, na entuziazmonin të gjithëve sepse kishin të njëjtin kuptim dhe rendësi për mbijetesën e Kombit shqiptar në pavarësi, liri e demokraci, për një shumicë dërmuese të shqiptarëve, të pakën këtu në Shtetet e Bashkuara, për rolibn e të cilit shkruan autori Bardha. 

Libri i Z. Bardha është një dokument që tregon se komuniteti shqiptaro-amerikan luajti rolin dhe kreu misionin që u kishte ngarkuar historia shqiptarëve të Amerikës – për të dytën herë në historinë e këtij komuniteti në SHBA – në fillim dhe në mbarim të shekullit të kaluar. Libri, “E Vërteta: Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora” është një dokument i të vërtetës ashtu si mund t’a pasqyrojë një protagonist kryesor i komunitetit shqiptaro-amerikan, si Z. Ekrem Bardha, një pjesëmarrës patriot shqiptaro-amerikan me ndërgjegje të shëndoshë njerëzore dhe me dashuri të sinqert për Kosovën dhe Shqipërinë.  Por edhe me mirënjohje të thellë për ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – këtij vendi të bekuar për të gjithë ne, për ndihmën e pakursyer të Amerikës gjatë historisë, në mbështetje të ekzistencës së racës shqiptare dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Përfshir historinë moderne të angazhimit të përbashkët të komunitetit shqiptaro-amerikan në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, për të cilën lexojmë në kujtimet e bashkatdhetarit Ekrem Bardha, të cilin e përgëzoj për punën e vlefshme dhe për ndërmarrjen bujare për të qitur në dritë të Vërtetën, siç e ka përjetuar ai vet.  

Duke marrë parasyshë situatën politike aktuale në Shqipëri dhe në Kosovë – por edhe marrëdhëniet midis tyre – uroj që përpjekjet, mundi dhe investimet e komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë gjysëm shekullit të kaluar të mos kenë shkuar më kot. Të gjithë e dijmë se gjëndja është serioze, sidomos, largimi në masë i shqiptarëve të dëshpëruar sidomos nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, drejt Evropës Perëndimore, për një jetë më të mirë, më të lirë dhe më të drejtë për të gjithë e pa dallim – kauza këto për të cilat luftoi komuniteti shqiptaro-amerikan për dekada, për t’ua siguruar bashkvëllëzërve tanë në trojet shqiptare. Le të shpresojmë se ndonëse situata aktuale politike dhe ekonomike në Shqipëri dhe në Kosovë është tepër serioze — lutemi që mos jetë e pa shpresë!

Frank Shkreli

 .

Kopertina e librit të autorit, Z. Ekrem Bardha

Në një nga aktivitetet tona të përbashkëta me Z. Ekrem Bardha, në Kongresin Amerikan, në fillim të viteve 1990-ta — duke u përshëndetur me ish-Ambasadorin amerikan në Shqipëri, Z. William Ryerson  

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 187
  • 188
  • 189
  • 190
  • 191
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT