• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR VATRËN DHE AXHENDËN KOMBËTARE

August 4, 2022 by s p

Takim vëllazëror i kryetarit të Vatrës z.Elmi Berisha për të mirën e Vatrës, axhendës patriotike, atdhetare e komunitare në shërbim të Vatrës e komunitetit tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me pjesëmarrjen ekskluzive të Dr. Atdhe Hetemi nga Universiteti i Prishtinës, anëtarëve të Këshillit të Vatrës z.Lek Mirakaj e Mark Mrnaçaj, Dr. Pashko Camaj, Shef i Kabinetit të Kryetarit të Vatrës, arkëtarit Besim Malota u diskutua rreth sfidave të brëndshme dhe axhendës vatrane e kombëtare në vjeshtën në vjen. Kryetari i Vatrës i falenderoi bashkëpunëtorët për punën e shkëlqyer dhe në veçanti Profesorin nga Prishtina Dr. Hetemi i cili erdhi ekskluzivisht nga Prishtina për 100 vjetorin e Marrëdhënieve Diplomatike mes Shqipërië dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vatra vazhdon të udhëheqë me krenari e dinjitet axhendën kombëtare duke qenë grupi patriotik më u fuqishëm në shërbim të çështjes kombëtare në diasporën e Amerikës dhe në të gjitha diasporat shqiptare kudo në botë. Vatra vazhdon me intensitet rrugëtimin historik në shërbim të çështjes kombëtare.

Filed Under: Politike Tagged With: Vatra

Në takim me bashkatdhetarët, Kryeministri Kurti shpallë “Ballkonin e Hapur”

August 3, 2022 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar një pritje për bashkatdhetarët tanë në ballkonin e objektit të Kryeministrisë. Midis shumë aktiviteteve të organizuara nga institucionet për mërgatën, si Karvani i diasporës, takimet në Kuvend, takimet nëpër ministri e mjedise publike, takimet në ngjarje kulturore, sonte u mbajt pritja nga Kryeministri me bashkëatdhetarë të fushës së artit e kulturës, dhe profesionistë të fushave të ndryshme, për të bashkëbiseduar nga afër për ide dhe mundësi të reja për bashkëpunim me mërgatën.

Kryeministri iu uroi bashkatdhetarëve mirëseardhje në Kosovë, e në Prishtinë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam mirëpritur iniciativën e stafit të Kryeministrisë që ta bëjmë “Ballkonin e Hapur”, tha ai.

Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi vendimin e Qeverisë për miratimin e Programit për Diplomaci Qytetare që ka për qëllim përfshirjen aktive të mërgatës në politikë bërje dhe synon të forcojë lidhjen e saj me Kosovën, duke ju krijuar mundësi përfshirje të drejtpërdrejtë. Kjo nismë u mundëson bashkatdhetarëve tanë që të mund të vijnë edhe në institucionet tona të bëjnë punë zyrtare e praktike deri në gjashtë muaj, që t’i kontribuojnë politikës sonë të jashtme dhe shërbimit sa më cilësor të jashtëm të Republikës së Kosovës. Kryeministri tha se kjo tregon që ne nuk i shohim bashkatdhetarët tanë vetëm thjeshtë si kapital financiar, por si kapital human.

Duke konsideruar që secili bashkatdhetar i yni në mërgatë është diplomat, e kjo nuk është e rastësishme, sepse pikërisht një bashkatdhetare të shquar, një veprimtare të palodhshme, vajzën e heroit tonë Jusuf Gërvallës e kemi kryediplomate sot në Republikën e Kosovës. Andaj, nuk ka pasur emërtim dhe nismë më të mirë sesa ajo për Diplomaci Qytetare, tha ai.

Asaj thënies së famshme nga pak pesimiste se bashkatdhetarët po ndjehen as atje as këtu, kryeministri tha se i përgjigjemi me të kundërtën që besojmë se është e vërteta, ju jeni edhe atje edhe këtu, jeni fizikisht pjesën më të madhe të vitit jashtë atdheut por gjithsesi gjithmonë brenda kombit.

Nëse para shumë dekadave kemi qenë përgjithësisht punëtorë krahu në Evropën Perëndimore, në Mbretërinë e Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri në Australinë e largët, tash shqiptarët kudo që jetojnë, punojnë, veprojnë, banojnë, janë inxhinierë, mjekë, janë artistë e sportistë, janë njerëz të kulturës e të dijes, të shkathtësive nga më të ndryshmet, burra e gra bashkë, të rinj e të moshuar. Në këtë mënyrë i kontribuojmë edhe imazhit të vendit tonë, por gjithashtu edhe ekonomisë, shoqërisë e kulturës së vendeve ku ata janë, tha Kryeministri.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në kanale zyrtare bashkatdhetarët tanë në 5 vitet e fundit kanë sjellë më shumë se sa 6 miliardë euro. Prej këtyre më shumë se 6 miliardë euro, ¾ janë remitanca, dërgesa për familjet, miqtë, dashamirët, ndërkaq ¼ janë investime në ekonominë tonë. Për shkak se ekonomia jonë po rritet, për shkak se korrupsioni po luftohet, për shkak se optimizmi i qytetarëve të Republikës është për të investuar dhe për të riinvestuar, ne kësaj radhe nuk e thërrasim mërgatën tonë që të kthehet për të kontribuar duke sakrifikuar, por që të kthehet për të fituar duke investuar, tha kryeministri.

Në rritjen tonë ju jeni faktor shumë i rëndësishëm dhe ne besojmë që mund të jeni faktor edhe më i rëndësishëm në rritjen e mëtutjeshme, theksoi ai.

Kryeministri Kurti falënderoi bashkatdhetarët që nuk po e harrojnë asnjëherë Kosovën, vendlindjen e tyre, dhe pavarësisht se a jemi në luftë a në paqe, a jemi në një rritje të hovshme apo edhe në stagnacion e në prapambetje, gjithmonë janë kthyer në mënyrë që të çmallen me vendlindjen, por edhe ta ndihmojnë e përkrahin atdheun.

Ne ju kemi shumë borxh, një borxh të cilin nuk pretendojmë t’ua lajmë sepse e dimë që është e pamundur, mirëpo me politika të mira dhe me bashkëpunim të dendur jemi të bindur që sadopak mund ta lajmë një pjesë të vogël të këtij borxhi, i cili është aq i madh sa që i pallogaritshëm, tha Kryeministri Kurti.​

Filed Under: Politike

Thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës

August 1, 2022 by s p

Fjala e Kryeministrit Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla:

Prishtinë, 1 gusht 2022

Të nderuar gazetarë,

Ju faleminderit shumë që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës sonë për këtë konferencë për media dhe mirë se ju gjej këtu në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Mbrëmë ka pasur të shtëna në drejtim të policisë së Kosovës, dhe 9 barrikada me njerëz të armatosur në to, të cilët kanë ndaluar qytetarët në automjete e ata këmbësorë. Strukturat ilegale të Serbisë janë bërë banda kriminale, agresive, si rrallë herë më parë. Nuk është e lehtë për shtetin tonë sepse ato i mbështetë i tërë aparati shtetëror i fqinjit tonë verior. Janë me dhjetëra shkelje të rënda e të qarta të ligjit të bëra dje e me të cilat po merren policia dhe prokuroria. Fatmirësisht, nuk ka të plagosur me armë zjarri, siç u lajmërua rrejshëm nga ndonjë portal.

Ju lutemi të gjithë qytetarëve që të ndjekin me vëmendje informacionet zyrtare nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës.

Ju lutemi të gjithë punonjësve të medieve që njoftimet që vijnë nga mediet e Beogradit dhe Moskës, të mos i përhapin si lajme e fakte në mënyrë jokritike, meqë bëhet fjalë për shtete autoritare pa liri të medias atje.

Me këtë rast, më lejoni të falënderoj dhe të shprehë mirënjohjen time të thellë për Policinë e Kosovës, posaçërisht për zyrtarët policorë që ishin e janë në veri të Ibrit, duke vepruar me profesionalizëm të lartë e duke qëndruar me guxim të madh. Angazhimi i tyre është siguria e jonë.

Të nderuar gazetarë,

Pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak ende mbeten të mbyllura sepse ende mbeten të bllokuara rrugët që shpiejnë atje. Në të gjitha pikat e tjera kufitare po lëshohet dokumenti i hyrje-daljes për qytetarët që vijnë nga Serbia, me validitet 90 ditor. Deri në ora 12:00 sot, gjithsej 1501 qytetarë janë pajisur me këtë dokument nëpër vendkalimet kufitare, duke pritur mesatarisht 20 sekonda për këtë gjë.

Qeveria e Republikës së Kosovës e përsërit zotimin që në momentin kur hiqen barrikadat në veri dhe vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët atje, shtyhet zbatimi i dy vendimeve të Qeverisë nr. 01/85 dhe 02/85, të datës 29 qershor 2022 për datën 1 shtator 2022. Janë gjithsej, pra nëntë barrikada në veri të Ibrit. Presim që gjatë ditës së sotme të hiqen që të gjitha. Barrikadat janë hequr atëherë kur nuk ka ngelur asnjëra prej tyre.

Të gjitha masat tona janë për ligjshmëri dhe rend demokratik, për kushtetutshmëri dhe siguri për të gjithë. Asnjë masë e ndërmarrë nga organet shtetërore të republikës sonë nuk bëhet bazuar në identitetin etnik, por vetëm në bazë të veprimeve dhe sjelljeve individuale e grupore të qytetarëve. E ato duhet të jenë në përputhje me ligjin. Dhuna nuk do të tolerohet. Dhunuesit do të dënohen nga shteti i së drejtës me forcën e ligjit.

Gjatë ditës së djeshme kam qenë në kontakt edhe me partnerët e aleatët tanë evropianë dhe ata amerikanë. Kam biseduar me shkëlqesitë e tyre, zotërinjtë Josep Borrell dhe Jeffrey Hovenier. I falënderoj për komunikimin e hapur dhe rolin e tyre. Në veçanti e çmoj lartë përkushtimin e ambasadorit amerikan, i cili i shqetësuar me situatën porsi ne të tjerët kontribuoi shumë mbrëmë për zbutjen e gjendjes, gjithnjë duke mbështetur shtetin dhe qeverinë tonë, vendimet e qëndrimet tona.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me fushatën e informimit për të gjithë qytetarët, lidhur me mundësinë e favorshme të shndërrimit të targave ilegale të automjeteve në ato legjitime dhe legale RKS (pa taksë doganore, akcizë dhe TVSh), si dhe sa i përket dokumentit hyrje-dalje në pikat kufitare me Serbinë për qytetarët që vijnë me dokumente të lëshuara nga autoritetet atje.

E kuptojmë brengën e faktorëve evropianë dhe amerikanë për efektin negativ të fushatës së dezinformimit mbi dy vendimet tona të 29 qershorit. Andaj, kemi shprehur gatishmërinë tonë që zbatimi i këtyre vendimeve të shtyhet për 1 shtator, menjëherë pasi të hiqen të gjitha barrikadat dhe të mundësohet liria e plotë e lëvizjes gjithandej nëpër veri të Kosovës.

I falënderoj qytetarët e vendit tonë për durimin, qetësinë dhe përkrahjen. Nuk do të lejojmë destabilizimin e rendit kushtetues demokratik të Republikës sonë, do të kujdesemi që të mbizotërojnë ligji dhe paqja, për siguri dhe mirëqenie të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

U bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë, kryeqendrave perëndimore demokratike, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës, të cilat qartazi janë të nxitura, të përgatitura dhe të financuara nga Beogradi.

Filed Under: Politike Tagged With: Kurti

Faleminderit SHBA

July 30, 2022 by s p

Prof. As. Dr. Zaho Golemi/

Më 28.07.1922, SHBA dhe Shqipëria për herë të parë vendosën marrëdhënie diplomatike, një lidhje e qëndrueshme e parneritetit strategjik, e miqësisë, mbështetjes e dashurisë pa kushte. Faktikisht po ta shikojmë në thelb problemin SHBA-të janë fati i shqiptarëve. Është një miqësi e thellë dhe e qëndrueshme edhe në kohët më të vështira, më të trazuara dhe kur kërcënohej siguria e kombit shqiptar. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë në themel marrëdhëniet e Nolit dhe Willsonit, që përbëjnë një epokë më vete. Është mjaft e njohur se poliedriku tonë Fan Noli duke hyrë në Selinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, kërkoi nga presidenti Thomas Woodrow Wilson anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (sot OKB), kur Shqipëria, e përfaqësuar prej tij, u pranua në Lidhjen e Kombeve të Gjenevës dhe mëvetësia shqiptare u njoh zyrtarisht nga bota. Suksesi në Lidhjen e Kombeve i dha Fan Nolit, vendin e figurës së merituar kryesore në jetën politike shqiptare. Nga Gjeneva u kthye në Shqipëri, dhe nga 1921 deri më 1922 përfaqësoi Federatën “Vatra” në parlamentin shqiptar. Është gjithashtu fakt se shqiptarët pas Gjergj Kastriotit Skënderbeut, epokës së Ismail Qemalit, u çel epoka e shtetit modern, e diplomacisë së burrave të mençur, që bënë të mundur që shteti shqiptar dhe çështja jonë kombëtare lidhej me miq besnikë, kur më 1917, Fan Noli kishte takuar personalisht presidentin amerikan Wilson, i cili i kishte dhënë fjalën se do të mbrojë pavarësinë e Shqipërisë, që ishte deri në fund besë e vetëdijshme miqësie ndërmjet kombeve. Thënë shkurt: pa përkrahjen e Wilsonit vështirë se do të kishim Shqipëri. Wilsoni kujtohet gjithashtu për kontributin e madhe në zyrtarizmin e shtetit shqiptar në Gjenevë të Zvicrës. Për angazhimin e SHBA-ve që në themelet e shtetit shqiptar gjithë shqiptarët dhe institucionet shqiptare këtej e matanë kufirit në Dardaninë kreshnike janë mirënjohës ndaj kontributit të popullit amerikan. Falë presidentit amerikan Woodrow Wilson, Shqipëria pranohet në Ligën e Kombeve të Bashkuara sot OKB, si vend i pavarur dhe sovran ku në mesin e 193 flamujve të botës, gjendet edhe flamuri ynë kombëtar kuqëzi. Në Gjenevë, kur Shqipëria, e përfaqësuar prej Nolit në momentin e pranimit në Lidhjen e Kombeve dhe pavarësia e vendit tonë u njoh zyrtarisht, nuk mund të mos kujtojmë fjalët lapidar në mëmorien e kombit tonë të skalitura në stilin e bukur të famëmadhit Noli: “…Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, e ai ishte emri i Presidentit Wilson”. Kjo miqësi një shekullore midis shqiptarëve dhe amerikanëve e ka bërë Shqipërinë dhe shqiptarët, që ta raspektojnë fort institucionin e mirënjohjes, duke qenë një ndër kombet më proamerikane të planetit tonë, që ofrojnë dashuri pa kushte. Por shqiptarët po të hedhin vështrimin në kohë shohin figura amerikane Charles Telford Ericson që erdhi në Shqipëri në 1908 dhe pasi njohu mirë Shqipërinë dhe shqiptarët duke i quajtur “zambaku i Ballkanit” dhe që u bë i huaji i parë flamurtar që punoi për pavarësinë e Shqipërisë. Pas tij do të kujtohet në këtë 100 vjetor Wilsoni që në Paris do deklaronte, “Amerika e ka për detyrë të pranojë thirrjet e shqiptarëve, të cilët kërkojnë ndihmë”.

Sjellim në vëmëndje fjalët e Willsoni që i tha Nolit më 4 korrik 1918 në jahtin presidencial “Mayflower”: “Unë kam një zë në Konferencën e Paqes së Parisit dhe do ta përdor atë në emër të Shqiptarëve…”, qëndrim ky që shpëtoi Shqipërinë, rrjedhë edhe e luftës e përpjekjeve që intelektualët shqiptarë në ShBA bënë për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe formimin e shtetit shqiptar. Edhe “Vatra” me 72 degë në SHBA, Kanada si dhe lidhjet me mbrojtësit e çështjes shqiptare në Angli, Aubrey Herbert dhe Edith Durham, i bënë ballë me dinjitet dhe krenarisht dredhive greke, italiane e sllave. “Vatra” ndikonte mbi delegacionin amerikan që përcaktoi qëndrimin e qeverisë së SHBA-ve për këtë çështje, prandaj me të drejtë thuhet se, “Willson bëri më shumë se askush për pavarësinë e Shqipërisë, sepse refuzoi kategorikisht të nënshkruante marrëveshjen, derisa u sigurua në të drejtën vetëqeverisëse të shqiptarëve”. Kështu shprehej Noli pas Konferencës së Paqes në Paris. Jo vetëm nuk pranoi të nënshkruante marrëveshjen e copëtimit të Shqipërisë, por qëndrimi i prerë i Presidentit Willson u pasua nga dy nota, që ndaluan realisht copëtimin e Shqipërisë”. “Vatra” ishte me një delegacion në posaçëm në Paris. Historia nuk harron se një nga armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve të asaj periudhe, kryeministri grek, Venizellos, detyrohej të pohonte se: “…”Vatra” ma hoqi nga dora Vorio-Epirin”. Dhe historia vazhdonte… Në janar 1920, Franca dhe Anglia kishin rënë dakord që të zbatohej traktati i fshehtë i Londrës i 1915-tës. Nga kjo marrëveshje, trupat italiane prej 150 mijë ushtarësh nuk po largoheshin nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra e Durrësi, pavarësisht vendimeve të Konferencës së Paqes në Paris, edhe pse në Shqipëri shumë gjëra kishin ndryshuar. Krisma e Luftës së Vlorës do dëgjohej në të gjitha kancelaritë e Perëndimit. ShBA -ja përsëri në krah të Shqiptarëve. Kush nuk e kujton amerikanin e famshëm që shkatërroi planet e Evropës dhe sidmos të Serbisë, Greqisë e Italisë për të eleminuar dhe fshirë nga harta shtetin shqiptar?. Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë i vetmi shtet në botë që denoncoi pushtimin e Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939, ndërkohë që Evropa nuk e quajti as lajm këtë pushtim dhe ishte aq shunë e shurdhët përballë lajmit denoncues amerikan. Amerikanët nuk e lanë vetëm Shqipërinë e shqiptarët edhe gjatë luftës së Dytë Botërore, duke falur edhe gjakun e bijëve të saj për tokën e Shqiponjave. Bazuar në ligjin shqiptar nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, në nenin 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut” në pikën “gj” thuhet: “Shtetasit e huaj, pjesëtarë të formacioneve të ushtrive aleate në Luftën e Dytë Botërore, në ndihmë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, të cilët kanë humbur jetën brenda territorit të Shqipërisë”. Prandaj me të drejtë Komisioni Qeveritar shqiptar pranë Ministrisë së Mbrojtjes ish-ushtarakët amerikanë që ranë në tokën shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”: Toger Leo E. Tritschler; S/Sgt. Bertram Wgorman; T/5 Donald W. McKensie; Sgt. Arthur Shelton; Pvt. Dean P. Harston; Pvt. Coy Breeden; Pfc. Abraham M. Kalina; Pfc. Leland H. Alley; Pfc. Frank Wade; Pvt. Asbury Ball. Ata janë dëshmorë për lirinë e kombit shqiptar. Ishin amerikanët që shpëtuan nga thonjtë e Beogradit Kosovën e përgjakur. Mbështetja amerikane erdhi në kohën e duhur në pranimin në NATO, në njohjen e pavarësisë së Kosovës, në mbështetjen drejt Europës etj., etj. Janë qindra rastet kur Amerika i është gjendur pranë Shqiptarëve, që në vorbullën dhe kompleksitetin e ngjarjeve botërore, miku i madh njihet në ditë të vështira. Dashuria shqiptare për SHBA është dhe do të ngelet solide, e përjetshme, prandaj me të drejtë çdo shqiptar i Shqipërisë dhe i Kosovës me zemër thotë: “Faleminderit SHBA!”.

Filed Under: Politike Tagged With: Zaho Golemi

KOMUNITETI SHQIPTARO-AMERIKAN NË 100-VJETORIN E MARRËDHËNIEVE SHQIPËRI-SHBA DHE VLERAT E PËRBASHKËTA

July 29, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli*    

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence
A picture containing text

Description automatically generated

Përshëndetje dhe urime! Gëzuar VATRËS 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.  Vatrës, si organizatës më të vjetër të komunitetit shqiptaro-amerikan, e cila siç dihet, historikisht, ka luajtur, për më shumë se një shekull, rolin kryesor në vendosjen dhe promovimin e këtyre marrëdhënieve, ç’prej themelimit të saj në fillim të shekullit të kaluar e deri më sot. 

Midis dy kombeve tona – Shqiptarëve, njërit prej popujve më të vjetër në botë, me një histori mija vjeçare dhe Amerikanëve, njërit prej kombeve më të reja me një histori, relativisht, të re prej 200-300-vjetësh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Me Amerikën e Demokracisë më të vjetër në botë dhe me qeverisjen amerikane më të gjatë konstitucionale në historinë e njerëzimit. 

Tema e fjalës time modeste sonte është: Komuniteti shqiptaro-amerikan në 100-vjetorin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare nga këndveshtrimi i zyrtarëve më të lartë amerikanë, gjatë 30-viteve të tranzicionit, por edhe më heret — dhe vlerat e përbashkëta që kanë pasqyruar këto lidhje. Dihet se marrëdhëniet midis dy vendeve tona ishin të ndërprera nga regjimi terrorist komunist i Enver Hoxhës për pothuaj një gjysëm shekulli.

Regjimi komunist i Shqipërisë, jo vetëm që nuk njihte ndonjë rol të diasporës shqiptare në Amerikë në lidhjet historike midis dy popujve tanë, por ai regjim e cilësonte një pjesë të madhe të këtij komunitetit, sidomos, atyre që ishin arratisur nga komunizmi në këtë vend të bekuar, si të “shitur” dhe “tradhëtarë” të Atdheut. 

Jo, jo të shitur nuk ishim – sepse Amerika nuk kërkonte as nuk na kërkon, as të shitemi as të blehemi, por ishim të përkushtuar ndaj lirisë dhe demokracisë amerikane për të ndihmuar në vendosjen e lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare. Edhe sot të njëjtën gjë dëshirojmë për Kombin shqiptar: liri, demokraci dhe drejtësi të vërtetë për të gjithë shqiptarët dhe pa dallim.  Ishim dhe jemi në dashuri me këtë vend, me Amerikën tonë të dashur, e cila iu gjënd gjithmonë shumë afër kombit shqiptar, sidomos në kohë të vështira.  Komuniteti shqiptar në Amerikë kishte zgjedhur që të mbronte dhe të promovonte këto marrëdhënie – që nga koha e Nolit dhe Konicës e deri në ditët e sotëme.

Kur Enver Hoxha dhe regjimi i tij kriminal thërrisnin “Poshtë imperializmi Amerikan”, komuniteti shqiptaro-amerikan punonte dhe vepronte për forcimin e miqësisë dhe për rivendosjen eventuale të marrëdhënieve midis dy kombeve tona.  Ata, “të shiturit” — diaspora anti-komuniste e pas Luftës së II Botërore — siç i quante propaganda komuniste, kurrë nuk hoqën dorë as nuk humbën shpresë se do vinte dita kur dy kombet tona do të rivendosnin përsëri marrëdhëniet midis tyre.  

Ajo ditë erdhi me 15 mars të vitit 1991, kur u nënshkrua dokumenti për rivendosjen e këtyre marrëdhënieve midis dy popujve tanë.  Duke pasur parsysh qendrimin anti-amerikan prej pothuaj 50-vitesh të regjimit komunist të Enver Hoxhës, komuniteti shqiptaro-amerikan në atë kohë këmbënguli që në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, të ishin të pranishëm edhe përfaqësues të opozitës të posa themeluar në atë kohë, në Shqipëri. Sepse këto marrëdhënie midis dy kombeve tona nuk po rivendoseshin, domosdoshmërisht, midis dy qeverive dhe as me një regjim komunist diktatorial në Tiranë, i cili deri atë ditë, ishte i mbushur me urrejtje ndaj lirisë dhe demokracisë amerikane. Komuniteti ynë donte që rivendosja e marrëdhënieve të Amerikës me Shqipërinë të pasqyronte lidhjet popull-me-popull dhe jo, domosdoshmërisht, qeveri-me qeveri.  Si rrjedhim, komuniteti bindi Departmentin e Shtetit që në ceremoninë e nënshkrimit të ftoheshin edhe përfaqsuesit e opozits së re shqiptare të posa formuar – Partisë Demokratike të Shqipërisë, Dr. Sali Berisha dhe Dr. Gramoz Pashko. Ashtu dhe ndodhi.

Shqiptaro-amerikanët si komunitet dhe si individë kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare në Amerikë pa dallime politike, i ka konsideruar gjithmonë si të pa zevëndësueshme për mbijetesën dhe për interesat afatshkurtëra dhe afatgjata të Kombit shqiptar, anë e mbanë trojeve të veta autoktone në Ballkanin Perëndimor.

Këtë rol të diasporës shqiptare në Amerikë e kanë njohur dhe e kanë deklaruar shumë zyrtarë të lartë të politikës amerikane gjatë këtyre tre dekadave të tranzicionit. E vërteta është se edhe shumica e zyrtarëve të lartë shqiptarë të tranzicionit kanë bërë një gjë të tillë por më me pak sinqeritet e mirënjohje dhe më shumë për interesa personale ose partiake të momentit.  Ishte pikërisht në ditën historike të nënshkrimit të marrveshjes për rivendosjen e këtyre marrëdhënieve Shqipëri-SHBA me 15 mars, 1991 që Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çeshtjet Evropiane dhe Kanadeze, Z. Raymond Seitz, ai i cili, në prani të një grupi të madh shqiptaro-amerikanësh, theksoi rolin historik të komunitetit shqiptaro-amerikan: “Marrëdhëniet midis dy vendeve tona nuk u harruan kurrë nga mijëra Amerikanë me origjinë Shqiptare…të cilët ruajtën kontaktet me Atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve…”, është shprehur diplomati i lartë amerikan.

Të shumtë janë përfaqësuesit më të lartë të politikës amerikane të niveleve vendore, shtetërore dhe federale – shumë prej tyre gjigantë politikë të këtij vendi, që kanë vlerësuar shumë dhe shpesh rolin e shqiptaro-amerikanëve, si aktorët e parë që iu përgjigjën nevojës për forcimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Amerikën.   Në të vërtetë, angazhimi i komunitetit shqiptaro-amerikan, në mbështetje të interesave të shqiptarëve kudo, gjatë 100-viteve të shkuara — ndonëse i vogël në numër — mund të jetë shembulli më i mirë i kontributit të një komuniteti etnik në Amerikë, në marrëdhëniet dy-palëshe — për të cilat ka folur disa vite më parë, ish-Kryediplomati amerikan, John Kerry, në një konferencë mbajtur në Washington, kushtuar rolit të diasporave në Amerikë — në përpilimin e politikës së jashtme amerikane me vende të ndryshme të botës.

Ndërsa, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton në fjalimin e saj në Kuvendin shqiptar, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Nëntor të vitit 2012, ka vlerësuar kështu rolin e shqiptaro-amerikanëve në zhvillimet historike miqësore 100-vjeçare midis dy kombeve tona: “Jam shumë mirënjohse për këtë partneritet dhe për miqësinë tonë historike, ashtu siç jam mirënjohse edhe për kontributet që kanë dhënë mijëra shqiptarë për vendin tim. E dini shumë mirë që aq shumë shqiptaro-amerikanë shërbejnë në qeverinë tonë dhe në forcat tona të armatosura. Janë sipërmarrës e mësues, inxhinierë dhe artistë, udhëheqës fetarë, si dhe drejtojnë disa prej restoranteve më të mira në botë. Kultura shqiptare është një përbërës i pasur i jetës amerikane. Arrita ta njoh këtë mirë si senatore nga Nju Jorku, për 8 vite”, është shprehur me atë rast Hillary Clinton.

Njihet mirë edhe roli i Zërit të Amerikës — i cili megjith sulmet e pandërprera kundër Amerikës që vinin nga regjimi komunist i Tiranës — për 80-vjet ka mbrojtur dhe promovuar miqësinë tradicionale dhe të hershme midis dy kombeve tona.  Mesazhet e Washingtonit zyrtar për miqësinë midis dy popujve tanë përsëriteshin shpesh dhe në forma të ndryshme gjatë dekadave, nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, kryesisht, nga zyrtarë të lartë amerikanë, si dhe nga personalitete të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan.   Frank Shkreli: Zëri i Amerikës, një faqe e lavdishme në marrëdhëniet amerikano-shqiptare | Gazeta Telegraf

(Një ilustrim i shkurtër i mesazheve që transmetonte Zëri i Amerikës: Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Dean Acheson, mbështetës i zjarrt i Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, 13 Maj, 1951: “Është një kënaqësi e madhe për mua që me këtë rast t’i dërgoj një mesazh popullit shqiptar në emër të Qeverisë dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara. Me rihapjen e programeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan edhe njëherë shprehin interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar. Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e hershme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re. Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Gjatë viteve, Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan i kanë konsideruar këto përpjekje me simpati dhe mbështetje, duke ditur se ato pasqyrojnë aspiratat e juaja të verveta”, ishte meszahi i ish-Sekretarit të Shtetit Dean Acheson, drejtuar shqiptarëve nepërmjet valëve të Zërit të Amerikës.

Sot, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve të ngushta amerikano-shqiptare, duhet të jemi krenarë pra për rolin që ka luajtur ky komunitet dhe individët — pjesëtar të komunitetit shqiptaro-amerikan.  Se pas një gjysëm shekulli komunizëm – rivendosja e marrëdhënieve midis dy kombeve tona me 15 mars, 1991 ishte — ashtu siç kishte parashikuar ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Dean Acheson në vitin 1951 — një pohim i miqësisë tonë të hershme duke shpresuar se kjo miqësi do të marrë fuqi dhe rëndësi të re në vitet dhe dekadat në vijim, si rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me vlerat e përbashkëta dhe me përpjekjet e Kombit shqiptar për pavarësi, liri dhe demokraci. Kam venë re se të dy palët, sidomos, Tirana zyrtare por edhe Ambasada amerikane atje, preferojnë shumë që në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve midis dy popujve tanë, të flasin me çdo rast, për ato që ata cilësojnë si, “vlerat e përbashkëta”, midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.  Madje edhe slogani i përzgjedhur për të shënuar këtë vit jubilar në një mënyrë pasqyron besimin e tyre – ndoshta jo të sinqert — se të dy palët ndajnë, “vlerat të përbashkëta”: 100-vjet Together – Krah për Krah”, siç le të kuptohet edhe slogani. 

Unë si një shqiptaro-amerikan i vjetër, ashtu si edhe shumë prej jush, nuk do të dëshiroja asgjë me shumë që i dashuri Atdheu ynë i origjinës – sidomos Shqipëria, por edhe Kosova dhe shqiptarët anë e mbanë trojeve shqiptare – të ndanin “vlerat e përbashkëta” me Shtetet e Bashkuara – vendi ku vërtetë ne shqiptaro-amerikanët, gëzojmë të drejtat e barabarta dhe ku në përditëshmëri ushqehemi me vlerat amerikane, në këtë përvjetor dhe gjithmonë.  Jo se Amerika është një vend i përsosur, por ama gjithmonë këtu bëhet përpjekje – ligjërisht dhe shoqërisht – për krijimin e një shoqërie me vlera, sa më të drejtë, të lirë e demokratike, sa më të përsosur pra për të gjithë dhe pa dallim, pa marrë parasysh nga vijmë –por bazuar në besimin në të Vërtetën e madhe, siç përcaktohet edhe në Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara se, “Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë” nga Perëndia. 

Për më shumë se 200 vjet, Shtetet e Bashkuara kanë luftuar për veten dhe për të tjerët, në mbrojtje të parimeve dhe të vlerave të Lirisë, Demokracisë dhe Tolerancës. Në kohë lufte dhe paqeje dhe në periudha kritike të mbrendshme të këtij vendi planet, fryma dhe vlerat amerikane kanë mbijetuar, në mbrojtje të drejtave për të gjithë njerëzit pa dallim – përfshir edhe të drejtat themelore dhe sovranitetin e popullit shqiptar.  Edhe ne si shqiptaro-amerikanë, në këtë vend gëzojmë bekimet e Zotit të lirisë dhe të sigurisë.  Si të tillë, edhe ne kemi përgjegjësitë tona që na takojnë si qytetarë të lirë, të mbrojmë dhe t’i jetojmë vlerat e këtij shteti planet — të këtij eksperimenti të madh që quhet Demokracia Amerikane dhe të ndihmojmë, njëkohësisht, që të mbjellim farën e vlerave, vërtetë, amerikane, në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Që të  mund të deklarojmë pa mëdyshje se dy kombet tona, vërtetë, ndajnë vlera të përbashkëta. Sado që do të dëshironim që një gjë e tillë të jetë e vërtetë, sot për sot, nuk besoj se mund të themi me bindje, se dy vendet tona, “krah për krah”, ndajnë vlerat e përbashkëta, sidomos nëse konsiderojmë mungesën e demokracisë së plotë në Shqipëri, si një nga këto vlera të përbashkëta, këto 30-vjetë tranzicion. Këtë nuk e them vetëm unë. Mungesa e demokracisë së vërtetë në Shqipëri, pasqyrohet vit pas viti, në pothuaj të gjitha raportet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, lirisë dhe demokracisë. Gjithnjë një “vend pjesësrisht i lirë”!

Në këtë 100-vjetor – unë besoj se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të forta – ato popull-me-popull, dua të them — ashtu siç ishin edhe në kohën e komunizmit – ndërkohë që regjimi komunist ishte ndër më anti-amerikanët në botë.  Unë do dëshiroja që fjalën time ta mbyllja me një mesazh pak më optimist, por më duhet të jem i sinqert me vete dhe me të tjerët. Për gjendjen aktuale në Shqipëri, që le shumë për tu dëshiruar, klasa politike shqiptare i ka fajet e veta dhe bartë barrën e rëndë për aktualëitetin politik, ekonomik e tjera. Por, fatkeqsisht, kam bindjen se mbështetja pa kushte, heshtja publike dhe indiferenca e demokracive perëndimore përball shkeljes flagrante të parimeve të lirisë dhe demokracisë së vërtetë në Shqipëri këto 30-vite tranzicion — një “vend gjysëm i lirë” ende — vetëm po minon çdo ditë e më keq vlerat tona të përbashkëta dhe parimet bazë demokratike në Shqipëri.  Mungesa e përballjes me krimet e komunizmit dhe prirjet anti-demokratike për të cilat, modestësisht, kam shfaqur shqetësimet e mia për vite me radhë, kanë çuar në një krizë reale të demokracisë së vërtetë në Shqipëri. Sot, kemi në Shqipëri një garë të tmershme midis autoritarizmit dhe demokracisë. Demokracia, fatkeqësisht, po e humb davanë.  Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve, pa dallim.  Por, në këtë 100-vjetor të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, gjëndja aktuale politike në Shqipëri dhe në rajon, duhet të shqetësojë edhe politikëbërsit amerikanë, të cilët ia duan të mirën Kombit shqiptar. Kam drojë se, heret ose vonë, kërcënimet ndaj Evropës dhe Bashkimit Evropian nga Tirana zyrtare, flirtimet e autoriteteve shqiptare me autoritarët anti-amerikanë dhe anti-shqiptarë në Ballkan, siç është nisma “Ballkani i hapur” dhe zbehja e demokracisë në Shqipëri, mund të çojnë edhe në zbehjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Kam drojë se, heret ose vonë, zbehja e demokracisë në Shqipëri, Uroj që kjo të mos ndodh.  Zgjohu shqiptar, para se të jetë tepër vonë. Demokracia nuk pret! Rroftë për jetë të jetës miqësia midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit Shqiptar, bazuar në vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë së vërtet dhe në të drejtat bazë të njeriut për të gjithë dhe pa dallim! 

Frank Shkreli

*Fjalim në Qendrën e Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork, kushtuar 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikano, 28 Korrik, 2022

See the source image
A group of men standing in front of a large red sign

Description automatically generated with low confidence
A group of people holding flags

Description automatically generated
A crowd of people holding umbrellas

Description automatically generated with medium confidence

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 211
  • 212
  • 213
  • 214
  • 215
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Racionaliteti erotik i pushtetit shqiptar
  • Hapet dega e 7-të e kursit të gjuhës shqipe në Lesvos të Greqisë
  • Besimi ndaj së mirës…
  • VATRA, NDERIM E RESPEKT PËR XHIM XHEMËN NË 84 VJETORIN E LINDJES
  • “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”
  • Rasim Juniku, një jetë mes filatelisë dhe dashurisë për Kosovën
  • Shpirti arvanitas në Rilindjen Europiane për atdheun e humbur
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT