• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DRENICA NË KRYENGRITJET E VITEVE 1913-1914 DHE TERRORI SERB NDAJ SHQIPTARËVE 

September 2, 2022 by s p

Dr. sc. Fitim RIFATI

Instituti i Historisë – Prishtinë

Pushtimi serb e malazez i Kosovës në tetor-nëntor të vitit 1912 dhe aneksimi i dhunshëm i saj në kuadër të Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi më 1913, si pasojë e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, u shoqërua me qëndresën e armatosur të shqiptarëve në mbrojtje të viseve të tyre. Drenica ishte vazhdimisht aktive në përpjekjet e armatosura për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Kjo trevë shqiptare në gjirin e saj kishte një lëvizje të organizuar dhe të armatosur, e cila pavarësisht se nuk mund të realizonte praktikisht idealet e saj, nuk e la të qetë administratën e dhunshme ushtarake e policore serbe. Kjo lëvizje, për aq sa kishte fuqi njerëzore-luftarake, luante edhe rolin e mbrojtësit të popullsisë shqiptare nga shtypja serbe. Në këtë studim, sillet një dimension i ri burimesh e informacionesh, të cilat të mbështetura në dokumente kryesisht të proveniencës austro-hungareze, paraqesin risi momentesh e personalitetesh. Ky studim nuk anashkalon as burimet dokumentare e historiografike serbe, të cilat përligjin veprimet e autoriteteve serbe ndaj shqiptarëve dhe përpiqen të shpërfillin e minimizojnë karakterin dhe rëndësinë e qëndresës shqiptare. Në këtë kuadër, duke analizuar e krahasuar dokumentet, shtypin e kohës dhe literaturën historiografike, është synuar maksimalisht që kjo çështje të trajtohet objektivisht.

Përkufizimi gjeografik i Kryengritjes dhe statusi administrativ i Drenicës

Drenica shtrihet në pjesën qendrore të Kosovës, në mes të rrafshit të Kosovës dhe të Dukagjinit. Në lindje kufizohet me malin e Goleshit dhe të Çyçavicës, në veri me malin Mokna, në perëndim me Rrafshin e Dukagjinit, Kosmaçin, malet e Berishës dhe në jug me malet e Caralevës. Ka pozitë gjeografike kryesisht kodrinore dhe malore. Konfiguracioni i terrenit gjeografik në Drenicë ishte i përshtatshëm për shqiptarët, që në këto vite të fshiheshin nga ndjekjet e vazhdueshme të organeve të administratës ushtarake dhe policore serbe. Në mungesë të arsenalit luftarak dhe numrit të forcave njerëzore-kryengritëse, terreni kodrinor dhe malor i krijonte mundësi shqiptarëve për të organizuar dhe funksionuar veprimtarinë e luftës së befasishme (guerile). Veç kësaj, kryengritësit gëzonin përkrahje në pjesën më të madhe të popullsisë, veçanërisht në familjet e tyre dhe rrethin familjar lehtë gjenin strehim dhe ushqim gjatë gjithë kohës sa vepronin dhe përndiqeshin prej pushtetit serb. Një rol të rëndësishëm në mbështetje të tyre ka dhënë edhe femra e gruaja shqiptare, e cila krahas kujdesit familjar angazhohej në furnizimin e kryengritësve me ushqime e armatim dhe në disa raste merrte pjesë drejtpërdrejtë në aksione e beteja kundër armikut.

Lëvizja e qëndresës së armatosur në Kosovë, përfshi edhe Drenicën, kundër pushtimit dhe administrimit serb, ka vijuar aktivitetin e saj edhe në fillim të vitit 1913 dhe përgjatë tërë këtij viti. Menjëherë pas pushtimit serbo-malazez të Kosovës dhe viseve të tjera, organet pushtuese serbe e malazeze morën masa për të eliminuar administratën dhe institucionet e periudhës osmane dhe nxorën ligje e mekanizma të administrimit ushtarak, policor, gjyqësor e financiar, të lidhura drejtpërdrejtë me dikasterët përkatës në Beograd dhe Cetinë. Pas ligjësimit të aneksimit serbo-malazez të Kosovës nga Fuqitë e Mëdha, Ministria e Punëve të Brendshme e Mbretërisë së Serbisë, më 18 gusht 1913, në bazë të dekretligjit që ishte hartuar enkas për viset e “çliruara”, i ndau ato në 11 qarqe, të cilat drejtoheshin nga prefektët. Qarqet u ndanë në 46 rrethe që drejtoheshin nga nënprefektët. Rrethet u ndanë në njësi më të vogla administrative (komuna), të cilat drejtoheshin nga kryetarët. Viset e Kosovës përfshiheshin në Qarkun e Kumanovës, në Qarkun e Pazarit të Ri, në Qarkun e Prizrenit, në Qarkun e Prishtinës dhe në Qarkun e Shkupit. Mikroregjioni i Drenicës hynte në kuadër të Qarkut të Kosovës dhe të Pazarit të Ri. Në nëntor të vitit 1913, organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme krijuan edhe Qarkun e Zveçanit, i cili e kishte qendrën në Mitrovicë, në kuadër të të cilit hynin: Rrethi i Mitrovicës, i Vushtrrisë dhe i Drenicës me qendër në Deviç. Nga 14 marsi i vitit 1914, qendër e Rrethit të Drenicës u bë Llausha. Rrethi administrativ-territorial i Drenicës përfshinte 7 komuna, 72 fshatra, 7 lagje e 1 manastir, që përgjithësisht numëronte 23.821 banorë. Veç një pjese të vogël serbësh në Bajë, Runik, Kostërc e Llaushë, në Rrethin e Drenicës jetonte vetëm popullsia shqiptare. Në këtë kuadër, duke qenë se kjo trevë banohej kryesisht me shqiptarë, organizimi dhe veprimtaria e lëvizjes së rezistencës së armatosur ishte pjesërisht më e lehtë krahas rretheve e krahinave të tjera ku kishte popullsi etnikisht të përzier ose fshatra të banuara me minoritet serb. Elementi serb, që prej pushtimit dhe aneksimit të Kosovës mori pjesë në aksione të armatosura kundër shqiptarëve dhe bashkëpunoi me administratën serbe. Prandaj, përderisa mungonte shtrirja e këtij elementi në të gjithë Drenicën, atëherë edhe mundësia e shpartallimit të qëndresës shqiptare ishte më e vogël.

Drenica në Kryengritjen e vitit 1913 dhe terrori serb ndaj shqiptarëve

Shkaqet kryesore që nxitën shqiptarët për të organizuar qëndresë të armatosur ishin: reprezaljet shtetërore, administrative, ushtarake e civile serbo-malazeze ndaj shqiptarëve, që u manifestuan me grabitje, plaçkitje, gjoba, taksa e tatime të papërballueshme; rekuizime, sekuestrime, punë të detyrueshme dhe angari; cenim të besimit fetar dhe nderit në familje; ekspedita ushtarake ndaj shtëpive dhe vendbanimeve, shpërfillje e ankesave të shqiptarëve nga organet e administratës dhe qeverisë; mërzitje, përpëlitje, keqtrajtime, torturë, violencë, burgosje, internime, djegie me pretekst të shtëpive dhe vendbanimeve; pushkatime, vrasje e masakra; mosgjykim e mosndëshkim të krimeve etj. Pra, shqiptarët u detyruan të zgjedhnin rrugën e kryengritjes, për t’i shpëtuar shtypjes, asimilimit dhe likuidimit.

Historiografia serbe është e prirë që lëvizjen e qëndresës së armatosur në Kosovë, madje në mënyrë të veçantë edhe në Drenicë, ta shoh të lidhur me rrjedhat politike në Ballkan. Kështu, në kohën e përfundimit të Luftës së Dytë Ballkanike, në korrik dhe në gusht të vitit 1913, krerët shqiptarë të Drenicës, gjoja duke shfrytëzuar dislokimin e trupave ushtarake serbe në frontin me Bullgarinë, organizuan lëvizjen e armatosur kundër pushtimit serb. Mirëpo, reagimi i menjëhershëm i organeve ushtarake dhe policore serbe, kishte ndikuar që kjo lëvizje të shpartallohej në fillesat e saj. Rrjedhimisht, shqiptarët e armatosur u thyen, krerët kryesorë u vranë dhe në shenjë dënimi shtëpitë e gjithë pjesëmarrësve u dogjën. Deri në fillim të muajit gusht, qarqet ushtarake serbe në Drenicë, vlerësonin se në këtë krahinë paqja ishte mbizotëruesja e vetme. Në të vërtetë prijësit shqiptarë të Kosovës, por edhe popullsia civile, refuzuan të bashkëpunonin me organet serbe, por vetëm me prijësit e tyre në Shqipëri, si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri etj. Për këtë arsye, pa zbatuar procedura gjyqësore, shqiptarët u burgosën, u izoluan, u internuan dhe u vranë. Në mesin e tyre ishin edhe krerë të shquar të Lëvizjes Kombëtare nga Drenica, si: Halil Haxhia nga Vitaku, Hetem Kozhica nga Kozhica, Fejzullah Lubaveci nga Lubaveci, Temë Dobrosheci nga Dobrosheci, Rexhep Bajraktari nga Llausha, Ramadan Bajraktari nga Klina dhe tetëmbëdhjetë prijës të tjerë, të cilët organet ushtarake serbe, përkitazi me politikën shtetërore ndaj shqiptarëve, i ekzekutuan në Kaçanik.

Historiani Islam Dobra, i cili ka shkruar gjerësisht për rolin dhe kontributin e krerëve të Drenicës në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në bazë të shënimeve të grumbulluara prej bashkëkohësve në terren, konstaton se këta prijës të shquar u likuiduan në mes të Vushtrrisë dhe Mitrovicës, pas një kohe të pushtimit serb të Kosovës, duke mos specifikuar datën, muajin dhe vitin.

Vrasja e këtyre krerëve të Drenicës bëri përshtypje të madhe në Kosovë dhe në shtypin ndërkombëtar. Ajo ishte një mesazh për prijësit e tjerë, që t’i shpëtonin aksionit të organeve serbe për likuidimin fizik të të gjithë krerëve shqiptarë. Kësisoj, Jetullah Vojniku nga Vojniku i Drenicës, së bashku me 60 bashkëveprimtarë të tij, u arratis në Shqipëri. Për pasojë, ashpërsimi i raporteve ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve u rrit për një shkallë. Kështu, serbët e fshatit Llaushë u zhvendosën në Vushtrri, ndërsa 40 familje serbe nga Peja u shpërngulën në Runik. Ndërkohë, më 8 shtator 1913, nga Koshtova dhe Selaci i Mitrovicës shkuan në Drenicë 14 përkatësisht 13 shqiptarë. Kjo situatë e tensionuar ndikoi që asnjë shqiptarë nga Drenica të mos shkonte më të vizitonte tregun në Mitrovicë. Në anën tjetër, organet administrative serbe i nuhatën lëvizjet e shqiptarëve dhe paraprakisht vendosën të armatosnin elementin serb, në mënyrë që të jetë i gatshëm për një përleshje të armatosur përkrah ushtrisë serbe kundër shqiptarëve. Këto raste tregonin më së miri se në Drenicë po fillonte riorganizimi i veprimeve të armatosura kundër shtypjes, pushtimit dhe aneksimit serb e malazez të Kosovës.

Kuvendi i Llaushës dhe vendimet e tij

Në të njëjtën kohë, krerët e Lëvizjes Kombëtare, të cilët vepronin në Vlorë në kuadër të përpjekjeve për konsolidimin shtetëror të Shqipërisë, si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Riza Gjakova e Mehmet Derralla, vlerësuan të rëndësishëm armatimin e popullsisë së Kosovës, përfshi edhe Drenicën. Me urdhër të tyre dhe në kanale të fshehta, në Drenicë arriti sasi armatimi, e cila iu shpërnda popullsisë dhe veçanërisht burrave e djemve të gatshëm për luftë. Organizimin e Kryengritjes e ndihmoi edhe roli i Komitetit ose Shoqërisë “Shkipnia”, në gjirin e së cilës ishin tubuar prijës të shquar të Lëvizjes Kombëtare nga të gjitha viset shqiptare. Ajo krijoi dhe mbajti lidhje me të gjitha viset e Kosovës, përfshi edhe Drenicën. Në këtë kontekst, në gusht të vitit 1913, në Llaushë u mbajt një kuvend i shqiptarëve, në të cilin u mor vendim që Drenica të bashkohet me Kryengritjen dhe të japë kontributin e saj në luftën për çlirimin e viseve shqiptare nën pushtimin dhe aneksimin serb e malazez.

Nuk vonoi aspak kur veprimet e armatosura nisën në zonën e Drenicës. Më 9 shtator 1913, në afërsi të fshatit Pemishtë (Padalishtë), përkatësisht në rrugën Mitrovicë-Pejë, kryengritësit shqiptarë vranë një oficer dhe dy ushtarë malazezë, që po shoqëronin një kolonë transporti me misër. Gjoja për t’i mbrojtur nga “sulmet e befasishme dhe qëllimet plaçkitëse të shqiptarëve”, organet e administratës ushtarake serbo-malazeze në Kosovë vëzhgonin në vazhdimësi transportet e mallrave. Mirëpo, përkundër kësaj, më 11 shtator 1913, autoritetet serbe në Rrethin e Mitrovicës, shpallën edhe zyrtarisht aneksimin e Kosovës Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi. Ato organizuan një festë, në të cilën mori pjesë minoriteti serb, kurse të shtënat me rastin e kësaj feste u bënë të pandërprera dhe valëvitja e flamurit kombëtar serb u bë në mënyrë entuziaste. Përkundrazi, aneksimin serbo-malazez të Kosovës nuk e pranuan shqiptarët, që konsideronin se vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe aneksimi i trumbetuar nga organet administrative serbe, ishin akte të padrejta dhe cenonin aspiratat e qenien kombëtare të popullit shqiptar dhe trojeve të tij.

Në një raport të datës 19 shtator 1913, të konsullatës austro-hungareze në Mitrovicë, përkatësisht përgjegjësit të saj Josef Umlauf, provohet se në Drenicë ekzistonte një gatishmëri e shqiptarëve që t’i përgjigjeshin thirrjeve të Isa Boletinit, për të shkuar në Shqipëri dhe për t’iu bashkuar radhëve të kryengritësve. Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Serbisë në Beograd ishte e shqetësuar mbi rolin dhe ndikimin që Hasan Prishtina dhe Isa Boletini kishin në Shqipëri dhe veçanërisht në organizimin e shqiptarëve, për të ndërmarrë veprime të armatosura kundër pushtimit e pushtetit serb në Kosovë. Ajo, përmes një qarkoreje i informonte të gjitha ambasadat se në tre muajt e fundit, Hasan Prishtina e Isa Boletini kishin arritur të siguronin dhe furnizonin me armatim kryengritjen e shqiptarëve në Kosovë, përfshirë edhe Drenicën. Për këtë arsye, Qeveria serbe kishte vendosur të merrte masa për përforcimin e rojeve ushtarake në kufi me Shqipërinë. Mirëpo, numri i shqiptarëve që niseshin drejt Shqipërisë rritej pothuajse çdo ditë. Burrat e aftë për luftë dhe të guximshëm, përkundër rrethanave të vështira të kohës, lan të vetme familjet e tyre, të pambrojtura dhe me ushqime të pakta. 

“Dezertimi” i Ajet Çaushit

Në mesin e prijësve të Drenicës ishte edhe Ajet Çaushi. Ai, pas pushtimit serb të Kosovës, ishte shtrënguar të inkuadrohej në radhët e administratës ushtarake serbe, duke shërbyer në sektorin e xhandarmërisë në kuadër të Rrethit të Mitrovicës. Në verë të vitit 1913, kur autoritetet e administratës ushtarake kishin krijuar besim në personalitetin e tij, me rastin e festës së Bajramit Ajet Çaushi mori një leje pushimi për dhjetë ditë, pas të cilës nuk u kthye më të shërbente në sektorin e xhandarmërisë. Veprimi i Ajet Çaushit nënkuptonte se ai u njoh për së afërmi me qëllimet shtetërore serbe ndaj Kosovës, prandaj vendosi që këtë pushtet ta luftonte deri në frymën e fundit. Në raportin e J. Umlauf vihet në dukje se pas këtij veprimi, Ajet Çaushi në Duboc të Drenicës “mblodhi rreth vetes 30 shokë, u nis nga Drini, ku një patrullë e fortë e pengoi kalimin. Ai e sulmoi patrullën dhe pasi i kishte shkaktuar asaj një humbje prej 7 të vdekur e 6 të plagosur, u kthye në Drenicë”. Në dokumentet serbe personaliteti i Ajet Çaushit identifikohet me emrin Keço Ajriz Çaushi nga Kotorri i Drenicës. I biri i tij, Hasani, ishte ndër prijësit kryesor dhe protagonist në Kryengritjen e vitit 1914. Me rastin e “dezertimit” të Ajetit nga administrata e Rrethit të Mitrovicës, dokumentet serbe japin si arsyetim se ai, pasi iu lut djemve të tij, Hasanit, Sinanit dhe Nuriut, të ktheheshin nga Shqipëria në Drenicë, gjë që u refuzua prej tyre, vendosi të heq dorë nga shërbimi i mëtejshëm dhe me 30 shokë të tij të niset në drejtim të Shqipërisë.

Veprimi i Ajet Çaushit la përshtypje të thellë në Drenicë e viset përreth. Për arrestimin dhe vrasjen e tij u angazhuan madje edhe vet drejtuesit administrativë të rretheve. Kësisoj, Kryetari i Rrethit të Vushtrrisë, iu bashku aksionit për kapjen e Ajet Çaushit, për të cilin siguroi informacione se ndodhej në fshatin Abri. Me urdhrin e Kryetarit u shkatërrua shtëpia ku ndodhej Ajet Çaushi. Sipas J. Umlauf “Ajet Çaushi, i lajmëruar për praninë e naçellnikut (Kryetarit, F.R), e priti në rrugë dhe shtriu për tokë një xhandar. Naçellniku iku në Vuçitërn (Vushtrri, F.R)”. Megjithëkëtë, vala e largimit të shqiptarëve të aftë për luftë nga Drenica, për t’iu bashkuar qendrës së Kryengritjes dhe drejtuesve të saj në Shqipëri, nuk u ndal. Natën e 12 dhe mëngjesin e 13 shtatorit 1913, “rreth 200 shqiptarë të armatosur qenkan arratisur nga rrethi i Mitrovicës dhe nga Drenica”. Rrjedhimisht, edhe udhëtimet nga një fshat në tjetrin bëheshin të vështira dhe të pasigurta, për shkak të gjendjes kritike, të tensionuar dhe me tipare të paraluftës. Sipas shtypit serb, një strategji e furnizimit me armë, e cila u përdor para dhe gjatë Kryengritjes së shtatorit 1913, ishte aktivizimi i gruas, e cila “i mbushte bukët me fishekë” dhe ia dërgonte kryengritësve. Jo vetëm kaq, qarqet gazetareske serbe kishin informacione të hollësishme mbi pjesëmarrjen e gruas shqiptare në radhët e kryengritësve. Sipas tyre, shqiptarët “që bëjnë luftë shoqërohen prej grave të tyre, të cilat kanë me vete ushqimin për burrat”. Në këtë kontekst, qëllimi i shtetit serb ishte “dëbimi i atyre që kanë depërtuar në territorin e Kosovës dhe rivendosja e rregullit”. Ky qëndrim nënkuptonte se shteti serb nuk do të përzgjidhte forma të lehta për realizimin e qëllimit të tij, duke mos kursyer të gjitha shtresat shoqërore shqiptare, pa dallim gjinie dhe moshe.

Vijon…

Filed Under: Politike Tagged With: Fitim Rifati

Sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu u takua me Doktor Berishën

September 1, 2022 by s p

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA zonja Nazo Veliu e dekoruar nga Presidenti i Republikës z.Ilir Meta me Titullin e Lartë : “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” zhvilloi një takim të jashtëzakonshëm me liderin historik të demokratëve shqiptarë Prof.Dr. Sali Berisha. Në takimin e përzemërt Doktor Berisha shprehu vlerësimet e tij më të larta për zonjën Veliu si gruan e hekurt të drejtësisë shqiptare të pas viteve 90-të dhe kontributin e saj të jashtëzakonshëm e rolin e saj në Vatër e komunitetin shqiptar e çështjen kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Në profilin e tij Doktor Berisha shkroi: “Takim me Zj. Nazo Veliu, Sekretare e Përgjithëshme e Federatës Panamerikane, Vatra.

Të dashur miq, këto ditë prita në një takim të veçantë Zj. Naze Veliu, Sekretare e Përgjithëshme e Organizatës atdhetare shqiptaro-amerikane, Vatra.

Në këtë takim shrytëzova rastin t’i shpreh mirënjohjen time më të thellë udhëheqjes së Vatrës, Zj. Veliu dhe të gjithë vatranve për mbështetjen e tyre tejet të çmuar që i kanë dhënë çëshjes shqiptare, çlirimit të Kosovës, vendosjes së demokracisë në Shqipëri dhe Partisë Demokratike, që nga themelimi i saj e gjerë më sot.

Në takim diskutuam mbi zhvillimet në Shqipëri dhe për bashkëpunimin e PD-së me Vatrën” shkruan në profilin e tij Dr. Berisha.

Filed Under: Politike Tagged With: Nazo veliu

“Katovica” shqiptare

August 31, 2022 by s p

Dr. Hasan Bello/

Ne vitet 1945-1990 regjimi komunist trefishoje fondin e tokes se punueshme. Kjo nepermjet punes se papaguar te aksionisteve, te burgosurve dhe internuarve, te cilet i detyroi te thanin kenetat, te punonin brezaret dhe te hapnin toka te reja. Prandaj rikthimi i sasise se shtetezuar pronareve legjitime, nuk kishte asnje pengese. Ne 1991 toke kishte dhe per ata qe nuk kishin patur para 1944.

Por kjo nuk u be per arsye politike.

“Katovica” shqiptare kishte si qellim te ruante bazen social-ekonomike te komunizmit dhe te pengonte krijimin e nje shtrese, qe para 1944 perbente pjesen me vitale te shoqerise, politikes dhe ekonomise. Nga kjo shtrese kishte premisa qe te lindte (ose rilindte) e djathta shqiptare. Keshtu, me nje ligj antikombetare fondi i tokes se punueshme iu shpernda ne menyre kaotike fshatarit, duke neperkembur pronaret legjitime, nderkoh toke kishte per te gjith.

Nomeklatura ose, ish-nenpunesit e regjimit ne qytete (shites, berbere, bufiste, kamariere etj, etj), privatizuan dyqanet pa iu njohur asnje prioritet atyre qe kishin token. Kjo kategori (shumica) perbente mekanizmin fundor te informatoreve, bashkepunetoreve dhe agjenteve te ish-Sigurimit te Shtetit. Keshtu pluralizmi shqiptar vdiq para se te lindte, ose lindi i vdekur…

Filed Under: Politike Tagged With: hasan bello

AKTIVITETE KUSHTUAR SHËN NENË TEREZES

August 30, 2022 by s p

“DASHURI MË TË MADHE NUK KA”  

 Nga Frank Shkreli

 Mother Teresa of Calcutta No Greater Love
A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Në Dardani, Kisha dioqezane e Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë ka njoftuar organizimin e aktiviteteve, “Ditёt e Shenjtës Nёnё Terezё”, nga data 26 gusht, (ditëlindja e Ganxhe Bojaxhiut) e deri mё 5 shtator — dita e festës sё saj liturgjike, qё përkon edhe me kalimin e saj nё amshim.  Por “Drita e Gonxhës” u ndez në sheshin e Shkupit aty ku është pllaka përkujtimore e vendlindjes së Nënës Terezë, ku edhe u hap manifestimi kulturor-shkencor “Drita e Gonxhes”, që sivjet fillon si edicion i veçantë i organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Sipas këtij Instituti, ceremonia, filloi me vendosjen e luleve nga delegacioni i Institutit, i përfaqësuar nga drejtori Dr. Skender Asani, nga delegacioni i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut – i përfaqësuar nga zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, Universiteti “Nëna Terezë”, i përfaqësuar nga rektori, Akad. Izet Zeqiri, ambasadori i Republikës së Kosovës, z. Florian Qehaja, nga bashkësitë fetare – Kryetari i BFI-së, H. Shaqir ef. Fetahu, Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës dhe Z. Pepi Levi nga Bashkësia Hebraike e Maqedonisë së Veriut, si dhe drejtori i Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë, Z.Naser Curri. “Drita e Gonxhes” u ndez në Shkup – ITSH   

                             Pamje nga ceremonia në Shkup të Premten që kaloi

Nga Shkupi në Prishtinë — Të premten që kaloi, në Qendrën “BogdaniPolis”, u përkujtua ditëlindja e shenjtëreshës shqiptare, Shën Nënë Tereza, me një akademi solemne të organizuar nga Katedralja e Prishtinës, përkatësisht, Dioqeza Prizren-Prishtinë.  Ditëlindja e Shën Nënë Terezës u kremtua me një akademi solemne (drita.info)

Me moton “Unë kam në zemër popullin tem shqiptar”, thënie e vet Nënë Terezës dhe me himnin e saj, filloi atmosfera solemne, ku tё pranishmit i përshëndeti, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodё Gjergji: “Duam t’i përngjajmë asaj nё thjeshtësi, nё dashuri, nё sakrificë, në punë të vogla, bёrё me dashuri të madhe siç thoshte Nёnё Tereza”.  Me këto fjalë, Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodё Gjergji, hapi akademinë solemne përkujtimore, organizuar nё Kurien dioqezane nё Prishtinё.  Akademia solemne, u mbajtë në qendrën ‘Bogdanipolis”, me pjesëmarrje tё gjërë tё qytetarëve, tё perfaqesuesve tё jetës politike, shoqërore, kulturore e fetare, nё mesin e të cilëve pati edhe përfaqësues tё Bashkësisë Islame tё Kosovës, sipas një njoftimi të Radio Vatikanit.

Pamje nga hapja e Akademisë Përkujtimore kushtuar Nenë Terezës në Prishtinë – Kryetari Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Imzot Dod Gjergji dhe Dom Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezës me mbi 25 vepra.

Programi i veprimtarive, kushtuar Nenë Terezës, që pritet të mbahen në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Strugë e Letnicë.  Edhe Federata Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork ka njoftuar një tubim përkujtimor kushtuar Nënë Terezës e që pritet të mbahet të shtunën që vjen me 3 shtator, 2022 në qendrën e Vatrës në Nju Jork. Autori i këtij shënimi pritet të mbajë një kumtesë me titull: Amerika për Nënë Terezen.

Jam i sigurt se edhe në pjesë tjera të botës do të përkujtohet ky përvjetor me aktivitete të ndryshme kushtuar kujtimit të Nenë Terezës.  Këtu në Shtetet e Bashskuara është njoftuar se me këtë rast do të shfaqet një film dokumentar me titullin: “Nenë Tereza: Nuk ka dashuri më të madhe”, (Mother Teresa: No greater love). Filmi — që është realizuar nga organizata amerikane më e madhe katolike në botë, “Kalorësit e Kolombos” (Knights of Colombos) — do të shfaqet, fillimisht, për herë të parë në Vatikan, të mërkurën me 31 gusht.

Burime të medias këtu në Amerikë njoftojnë se filmi pastaj do të shfaqet në fillim të Tetorit këtu në Shtetet e Bashkuara në më shumë se 960 teatro filmash anë e mbanë Amerikës. Filmi përshkruan jetën e shënjtëreshës së shekullit 20-të dhe ndikimin e veprimtarisë së saj dhe të urdhërit të Nenë Terezës, “Misionaret e Dashurisë”, një komunitet fetar katolik i dedikuar t’u shërbejë më të varfërve, anë e mbanë botës. Në ekranin filmik do të shohim rishtas Nënë Terezën – nenën e “të varfërve më të varfër” në botë, nënën dhe motrën e njerëzimit, gruan më të madhe të shekullit 20-të.   Filmi dokumentar është realizuar në 5 kontinente, duke ndjekur punën dhe veprimtarinë e Misionareve të Dashurisë në ditët e sotëme, sipas të dhënave në median amerikane. Filmi përfshin edhe komentet e personaliteteve fetare dhe civile mbi jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës.

Kanë kaluar 25-vjet nga dita që Nenë Tereza ka kaluar në përjetësi. Si rrjedhim, ky përvjetor duket se ka shkaktuar nxitjen e një interesimi të ri në botë për këtë personalitet botëror të shekullit të kaluar, për këtë bijë të Kombit shqiptar – njëherazi edhe një gjigande shpirtërore të njëzetit (20) shekull. Sipas promovimit të këtij dokumentari, filmi është realizuar, siç shënova më sipër, në 5 kontinente ku vepron urdhëri i Nenë Terezës, duke përdorur dokumentacion nga arkivat institucionale të Misionareve të Dashurisë dhe të tjera, por edhe në aktivitetin aktual të Misionareve të Nënë Terezës. Filmi, jo vetëm që dokumenton se kush ishte Nënë Tereza, por gjithashtu tregon edhe se si Misionaret e Dashurisë veprojnë edhe sot bazuar në vizionin e saj për tu shërbyer dhe për tu kujdesur, për më të vafërit e më të varfërve të botës.  Është pra, një dokumentar, por më shumë se, thjesht, një film. Është gjithashtu edhe një nderim, një homazh që sa vjen e shtohet ndaj një ikone shpirtërore – për një dëshmitare të fuqishme të dashurisë së vërtetë autentike të krishterë, si dhe një shembull për të gjithë ata që kërkojnë shpresën në këto kohë të turbullta, thuhet në promovimin e filmit.

Për aq sa është njoftuar deri më tani, programi i veprimtarive, kushtuar “Ditëve të Shën Nenë Terezës”, pritet të realizohet në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Strugë e Letnicë dhe nga Nju Jork nga Federata Pan-Shqiptare Vatra.   

               Imzot Dod Gjergji, Ipeshkvi i Kosovës, duke hapur manifestimin kushtuar Nënë Terezës (Fotot për këtë kronikë janë marrë nga Revista Fetaro-Kulturore, “Drita” e Kishës Katolike në Kosovë

A group of people sitting in chairs

Description automatically generated with medium confidence

Në akademinë solemne mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, shqiptaro-amerikani, Dr. Rifat Latifi

Imzot Dod Gjergji, Ipeshkvi i Kosovës, duke hapur manifestimin kushtuar Nënë Terezës

PHOTO-2022-08-23-10-27-47.jpg

      Dom Lush Gjergji duke folur në akademinë solemne kushtuar Nënë Terezës

A group of people sitting in a room

Description automatically generated with medium confidence

Pamje nga salla në qendrën ‘Bogdanipolis” të Katedralës Shën Nenë Tereza në Prishtinë ku morën pjesë qytetarë, perfaqesues tё jetës politike, shoqërore, kulturore e fetare, përfshir përfaqësues tё Bashkësisë Islame tё Kosovës. 

Ndërkaq, edhe një NJOFTIM në përputhje me këto aktivitetet kushtuar Nenë Terezës nga Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare — VATRA PËRKUJTON NËNË TEREZËN NË 25 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM –Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, ditën e Shtunë, më 3 Shtator 2022, ora 11 AM, në adresën e Vatrës: 2437 Southern Blvd,  Bronx, NY 10458, në një ceremoni solemne do përkujtojë 25 vjetorin e kalimit në amshim të Nënë Terezës, Shenjtores së kombit tonë. Ceremonia e përkujtimit dhe nderimit do të organizohet në Selinë Qëndrore të Vatrës me pjesëmarrjen ekskluzive të:

-PhD Ines Murzaku me temë: “Nënë Tereza dhe Revolucioni i Brishtësisë”.

-PhD Elmi Berisha me temë: “Energjia hyjnore e Shën Terezës dhe ndikimi i saj tek shqiptarët”.

-Z. Frank Shkreli me temë: “Amerika për Nënë Terezën”.

-Dr. Paulin Marku me temë: “”Nënë Tereza”, malli dhe dhimbja për atdheun”.

Moderon aktivitetin, Editori i Diellit.

Ftohet i gjithë komuniteti shqiptar të bëhet pjesë e kësaj ceremonie të veçantë.

May be an image of 1 person and text

Filed Under: Politike

Perdorimi i simboleve te diktatures ne manifestime publike kembane alarmi per shoqerine

August 29, 2022 by s p

Besim Ndregjoni/

Unioni Mbarekombetar i Integrimit te Burgosurve dhe te Perndjekurve Politike te Shqiperise shpreh indinjaten e thelle ndaj veprimeve te papergjegjshme te kryebashkiakut te Tiranes, Z.Erion Veliaj, i cili me papergjegjshmerine qe e karakterizon, me ideologjine staliniste qe e frymezon e ktheu festivalin Sunny Hill ne nje kongres te rinise komuniste te Helmesit te vitit 1944, duke njollosur identitetin e kombit, flamurin shqiptar.

Para 51 vitesh ne kampin cfaroses te Spaçit, te burgosurit politike ne mes te plumbave dhe terrorit per kater (4) dite rresht ngriten flamurin pa yllin stalinist qe ja kishte vendosur diktatori Stalinist Enver Hoxha, flamurit kombetar. Ajo revolte mbajti gjalle antistalinizmin shqiptar. Ajo revoltte perkujtoi ne ato dite te veshtira eliten e kombit qe e kishte vrare diktatori stalinist nga viti 1944-1973, kur u zhvillua revolta. Ajo revolte i paraqiti popullit shqiptar qendresen e fuqishme se liria mbrohet edhe kur s`ke arme, edhe kur s`ke pushtet, edhe kur s`ke plumba.

Pas 51 viteve enveristi Erion Veliaj, komanduesi i Bashkise Tirane, shpalosi flamurin me yllin stalinist ne mes te ketij festivali. Mijera te rinj te pranishem nuk e kane ditur fare se cfare traumash dhe krimesh i ka sjelle kombit shqiptar ai simbol i krimit. Reagimi i qytetareve shqiptare per shpalosjen e simboleve te komunizimit, enveristi Veliaj, ju pergjigj me nje mendjelehtesi dhe hipokrizi sa te papergjegjshme aq edhe te papranueshme ne nje shoqeri demokratike.

Sikur shpalosja e flamurit me yllin stalinist ishte nje parodi e nje dhendri tiranas shume i perndjekur politikisht. Hipokrizia e ketyre demagokeve stalinist nuk njeh kufi. Si kenge, si parodi apo cfaredo lloj forme moderne qe shfaqet nje simbol krimi, ku ky simbol i ka sjelle popullit shqiptar krime cnjerezore siç hebrenjve nazizmi. Jo qe nuk duhet lejuar por organizatoret dhe manifestuesit e ketyre simboleve duhet te mbajne pergjegjesi morale dhe ligjore, per arsye se simbolet e diktatures i kane shkaktuar kombit shqiptar nje bilanc krimi ku jane ekzekutuar mbi 5,577 burra, 450 gra, 26,766 burra te burgosur, 7367 gra te burgosura si kundërshtare politike. Kane vdekur nga torturat ne burgje 998 burra dhe 45 gra. 308 burra dhe gra jane çmendur nga torturat ne hetuesi. 354 shtetas te huaj jane pushkatuar. Mbi 6,000 shqiptarë dhe shqiptare nuk kane nje varr, ku familjaret t`ju dergojne nje tufe me lule.

Nisur nga ky bilanc 35-40 % e shiptareve, ylli i simbolit komunist u mori pronat, u solli fatkeqesi deri ne 6-breza dhe sot ne diten qe shpaloset ylli i flamurit komunist i ashtuquajtur ne forme moderne nga Z.Veliaj eshte nje turp kombetar.

Unioni Mbarekombetar i Integrimit te Burgosurve dhe te Perndjekurve Politike te Shqiperise ju kerkon Z.Veliaj qe te jepni doreheqjen sepse keni prishur ekuilibrat e shoqerise shqiptare. Me shpalosjen e flamurit me yllin keni fyer heronjte e revoltes se Spaçit: Dervish Bejko, Hajri Pashai, Pal Zefi, Skender Daja, qe dhane jeten qe mos te njollosej flamuri shqiptar me simbole staliniste. Jepni doreheqjen se keni shkelur Kushtetuten e vendit tone e cila e ndalon me ligj manifestimin e diktaturave e cfaredolloj qe te jete.

Sic deklaroi ambasadorja e SHBA-ve, Juri Kim ne takimin qe zhvilloi me ne perfaqesuesit e te perndjekurve politike: “Nuk mund te kete asnje shfajesim apo justifikim per mizorine e regjimit komunist dhe te drejtuesve te tij apo per “nostalgjine e pavend per ditet e komunizmit. Nuk mund te kete paqe pa te verteten dhe pajtimin. Zoti i bekofte dhe i sherofte ata qe kane vuajtur”.

Z.Kryeminister Edi Rama, neqoftese Erion Veliaj nuk jep dorehqjen ju si kryeminister i ketij vendi duhet t`a shkarkoni menjehere per prishje te ekuilibrave te shoqerise shqiptare me simbolet e komunizmit. Nuk mund te kete paqe pa te verteten.

Filed Under: Politike Tagged With: Besim Ndregjoni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 209
  • 210
  • 211
  • 212
  • 213
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT