• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AI NUK IKËN, DO TË QËNDROJË NË UKRAINË. ËSHTË LUFTA PËR EUROPËN…

March 15, 2022 by s p

– 7 pyetjet e poetit Dmytro Chystiak –

Nga Visar Zhiti/

Ai nuk ikën, do të qendrojë në Ukrainë. Është në Kiev, në shtëpinë e tij, i ka mbuluar dritaret me libra që të mos kuptohet brendësia e asnjë dhome, të mos tërheqë vëmedjen e bombardimeve të mundshme, tank apo avion, çdo çmenduri qoftë, që po vjen nga Rusia. Ai nuk është mbyllur në shtëpinë e tij për t’u fshehur, përkundrazi, është i lidhur jo vetëm me miqtë e shumtë që ka, por dhe jep intervista hapur në televione të ndryshme të Europës dhe tregon për luftën e pushtuesit rus dhe luftën e bashkatdhetarëve të tij në mbrojtje të Ukrainës, jo vetëm tregon, ai po lufton dhe vetë me përkushtimin, bën jo vetëm qendrestarin heroik, por dhe i bën apel heronjve dhe botës, Ukraina nuk është vetëm vendi i tij që po lufton me pushtuesin, por dhe pragu i qytetërimit europian, i kërcënuar nga ringjallja e atij përbindëshi perandorak me ëndrrën e keqe sovjetike. Dikur e luftuan së bashku bishën naziste, që pllakosi Europën, tani Rusia po bën atë që pësoi në Luftën II Botërore. Mos po kërkon ta risjellë atë luft:e q:e do të jetë apokalipsi i botës. Për më shumë shpresë, po shkoj në dritaret e shtëpisë së Dmytro-s, aty janë dhe mbi 65 librat e tij, të botuara në Ukrainë dhe në vendet e tjera, ku është përkthyer poezia e tij, jo vetëm pranë atdheut të tij, në Azerbaxhan e Rumani, etj, por në Francë e Itali, etj, në gjuhët e Ballkanit, në Serbi e Kroaci e Maqedoninë e Veriut (e Jugut për ne), etj, dhe para ca ditësh edhe në shqip nxora disa poezi të tij në disa në media dhe tregoja që përveçse shkrimtar i njohur, ai është dhe historian i artit dhe i religjionit, kritik letrar, frankofon i shkëlqyer dhe përkthyes, profesor në Universitetin Kombëtar të Kievit, që mban emrin e poetit të tyre kombëtar “Taras Shevchenko”. Dmitry Chystiak është antar në Qendrën Evropiane të përkthimit letrar në Bruksel, përgjegjës në Shtëpitë botuese ukrainase “Summit-Knyga” dhe asaj franceze “L’Harmattan”. Është dhe Sekretar Ndërkombëtar për Letrat e Akademisë në Universitetin Europian të Shkencave, Arteve dhe Letrave të Parisit. Është emëruar si Kreu i Urdhrit të Arteve të Ukrainës dhe Kalorës i Urdhrit Francez të Palmës akademike, etj, pra është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare dhe tani, çdo ditë po merr çmimin më të lartë të Njeriut, të ndërgjegjes dhe moralit, jo vetëm të atdheut të tij, por të mbarë njerëzimit. Është ende burrë i ri, me një fytyrë e pastër që di të qeshë përzemërsisht, edhe tani, siç e kanë parë në intervistat televizive për luftën kundër luftës. Kështu e njohëm, serioz dhe të qeshur ose të qeshur seriozisht në Festivalin e Poezisë në Como, në Itali, që tani i duket sikur i përket një kohe të largët të një jete tjetër. Megjithëse tejet i ngarkuar me tragjeditë që ka sjellë lufta te dera, që edhe pse s’ka aq shumë ditë që ka filluar, duket si prej shekujsh, Dmytro Chystiak, aty në shtëpinë e tij nën gjëmimet e rënda përmes shkatërrimesh dhe vrasjes gjen kohë të përgjigjet, fisnik dhe në mesazhet që marr, falënderon për dhembshurinë vëllazërore dhe shqetësimet, për atë ankth që s’ia themi dot se mos vjen ai, çasti fatal ogurzi, kur nuk do të përgjigjet dot, që ai vetë e përmend sypatrembur, madhërishëm. Ja, sapo më shkruajti: “In Kyiv time is hard, today a house 10 mn from mine destroyed by rocket, but we still hoping to survave…” (Në Kiev koha është e rëndë, sot një shtëpi 10 minuta larg times u shkatërrua nga një rraketë, por ende shpresoj të mbijetoj… Ora 6.34 pasdite me orën e Shqipërisë, 14 mars).Tronditëse! Lutemi për të dhe Ukrainën e tij. Ç’eshtë kjo Ka 7 pyetje të shkurtëra përpara siç janë urdhrat në luftë, dhe ai po ashtu përgjigjet si në luftë, me informacionin e domosdoshëm për këdo, dhe për shqiptarët tani. I qarta si rreptësia. Me dije dhe qytetari. Brenda përgjigjeve ka guxim dhe shpresë, por fshihet dhe qortimi i përmbajtur i luftëtarit, me kumte të rëndësishme për sot dhe të ardhmen, jo vetëm të vendit të tij, ka dhe poezinë, me dashurinë njerëzore që beson të ketë fuqi të përtejme, që i mposht të gjitha vdekjet. Fjala për Dmytro Chystiak që nga lufta:1) Si është gjendja në Kiev? Sigurisht që jeta jonë ka ndryshuar gjatë këtyre 18 ditëve të luftës. Bombardime natë e ditë, vështirësi nga më të ndryshmet, por në krahasim me qytetet e tjera, Kievi është i mbrojtur mirë: kemi energji elektrike, ujë dhe gaz, shitoret dhe farmacitë janë të hapura. Sulmet masive të trupave ruse i kemi ndalur në rrethinat dhe tani ata duhet të përballen, edhe pse kanë marrë aty kontrollin e përkohshëm. Ne presim sulme të reja pas përforcimit të trupave ruse, por ato nuk do të jenë aq aktive sa sulmi i parë në fund të shkurtit dhe do të shtyhen gjithnjë e më pas nga ushtria ukrainase. Gjendja në rrethinat e kontrolluara nga trupat ruse është dramatike: njerëzit vriten, dhunohen, grabiten shtëpitë, muzetë, kishat shkatërrohen nga sulmet ajrore dhe artileria. Mijëra e mijëra njerëz janë shpërngulur në Kiev dhe rajone të tjera. Po kështu dhe nga qyteti i Irpinit që më parë ishte qendra e jetës kulturore dhe letrare, ku ne organizonim festivalin letrar ndërkombëtar Koçur. Tani atje duket se është një jetë tjetër…2) Çfarë mendoni për Presidentin Tuaj Zelenski?Njerëzit tanë në përgjithësi e mbështesin pozicionin e Presidentit Zelenski dhe të ekipit të tij. Disa diskutime që më parë ishin shenjë e shoqërisë demokratike në establishmentin politik Ukarainas, janë harruar tani për të përqendruar forcat sëbashku dhe për të shkatërruar pushtuesin. 3) Çfarë mendoni për atë që quhet Putin?Putin bëri një tjetër gabim të madh që do ta konsolidojë totalisht kombin ukrainas në rezistencën e tij ndaj të ashtuquajturës “botë ruse” me tentativat për gjenocid të popullatës sonë, që e shohim në vende të ndryshme si Mariupol, Kharkiv, Okhtyrka. Ai vazhdon politikën e Perandorisë Ruse dhe përpjekjet sovjetike për të shkatërruar kombin tonë, përpjekje që nuk patën sukses. Ne e dimë tashmë se lufta do të jetë një disfatë për të dhe për vite e vite nuk do të ketë më bashkëpunim të mundshëm mes vendeve tona. Kufiri midis Evropës dhe Azisë do të jetë kufiri ynë. Por përparimi historik nuk mund të ndalet. Vizioni i Putinit për botën është nga e kaluara dhe regjimi i tij duhet të shkatërrohet siç u shkatërrua Kartagjena. Nëse jo, ka për të qenë një kërcënim i vazhdueshëm për botën e qytetëruar. 4) A keni frikë?Kur shohim miliona ukrainas që luftojnë në ushtri, në forcat e mbrojtjes territoriale, në lëvizjen vullnetare, kur dimë se sa njerëz humbën familjet dhe shtëpitë e tyre, kur bombat fluturojnë ditë e natë, nuk ka kohë për frikë, por më së shumti si t’i ndihmojmë bashkatdhetarët tanë që ta përfundojnë këtë luftë me fitore. Unë e kuptoj më mirë përvojën e gjyshërve të mi që luftuan në Luftën e Dytë Botërore, ata e humbën frikën në atë epokë dhe kjo e ndryshoi gjithë jetën e tyre. 5) A jeni i vendosur për qendresën? Unë mendoj se shumica e ukrainasve po bëjnë çmos për të mbështetur bashkatdhetarët tanë për ta ndalur luftën dhe ne këtë po bëjmë tani. Kam marrë shumë propozime për t’u larguar nga Kievi për në Evropë, Amerikë dhe Azi, por mendoj se është më e dobishme për tani të qëndroj këtu dhe të ndihmoj Ukrainën që lufton me të gjitha mundësitë që kam.6) Çfarë mendoni se si po sillen Europa dhe NATO? Kohët e luftës tregojnë gjithmonë të vërtetën në botë dhe në jetën e përditshme: cilët janë miqtë tuaj të vërtetë dhe cilët janë spektatorët, cilët janë armiqtë tuaj dhe cilët nuk janë më miqtë tuaj. Ukraina falënderon të gjithë miqtë jashtë që na ndihmojnë me çdo mjet, megjithëse mijëra e mijëra civilë vriten nga avionët ruse, sepse qielli nuk është i mbyllur. Ju gjithsesi duhet ta kuptoni se, nëse Ukraina humbet, lufta do të vazhdojë në Evropë. Mundësia e katastrofës bërthamore në Çernobil dhe Energodar, të kontrolluar nga trupat ruse, është gjithashtu e mundur. Ndërkaq unë e di se me shekuj Ukraina ka qenë një pjesë organike e Evropës dhe më pas me shekuj e dominuar nga Rusia aziatike, gjë që ka ndikuar shumë tek ne. Por Revolucioni Portokalli, Maidan (Revolucioni pro europian më 2013-2014 në Ukrainë, shënim im, V. Zh.) dhe Lufta më sigurojnë që ne jemi kthyer tashmë në qytetërimin evropian. Është vetëm çështje kohe. 7) A do të tregoni për këtë luftë në veprat tuaja të ardhme? Unë mendoj se një shkrimtar duhet të përjetojë katastrofën për të kuptuar çmimin e jetës, të së vërtetës dhe të gënjeshtrës, të dritës dhe të errësirës. Nëse mbijetoj, jeta ime dhe puna do të ndryshojnë me siguri. Ajo në fakt tashmë ka ndryshuar.FOTOT: Poeti ukranias Dmytro ChystiakDmytro Chystiak duke folur në një television të Europës për luftën tani…Kiev, mars 2022

Filed Under: Politike

ARTI SI NJË FUQI PËRBASHKUESE

March 14, 2022 by s p

Sokol Paja/

Piktori i shquar Nazmi Hoxha në një rrëfim për gazetën Dielli shprehet se arti shqiptar duhet të shihet si një fuqi reaguese, frymëzuese dhe përbashkuese e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në mërgatë dhe në trojet tona. “Fuqia e mesazheve të artit, krijimit, forcës së transmetimit që mesazhet përcjellin tejkalojnë çdo kontinent, çdo popull, çdo shoqëri, çdo kohë” fillon rrëfimin e tij për Diellin piktori Nazmi Hoxha, dhënë editorit Sokol Paja. Piktori i portreteve historike kombëtare dhe peisazheve të panumërta frymëzuese që jeton e punon me familjen në New York ka një fond të pasur dhe voluminoz të veprave të tij te shfaqura në shumë ekspozita kombëtare e ndërkombëtare. Krijimtaria e jashtëzakonshme e Nazmi Hoxhës karakterizohet nga kompozimet, peizazhet, nudot dhe portretet e historisë së lavdisë së kombit tonë, ndër to edhe krijimet që ekspozoi në Konsullatën e Kosovës duke ngjallur shumë interes te të pranishmit që vizituan ekspozitën artistiko-patriotike. “Për ne si artistë është shumë emocionuese që politikanë e diplomatë e duan dhe vlerësojnë artin tonë. Ekspozita në Konsullatën e Kosovës ka qenë ndër ekspozitat më emocionuese në krijimtarinë time pasi punimet e paraqitura i takonin përvjetorit të martirizimin për lirinë e Kosovës të familjes heroike Jashari. Ekspozita ishte nderim, homazh, lavdi, përkujtim për këtë datë dhe ngjarje të madhe për lirinë e shqiptarëve të Kosovës. Në çdo kohë ne duhet të respektojmë kontributin e tyre pasi dhanë gjithçka për lirinë dhe kombin. U gëzova, u emocionova dhe u nderova shumë nga pjesëmarrësit në ekspozitë por mbi të gjitha tematika që përshkruante ekspozitën në tërësi. Ishte ëndërr për mua kjo ekspozitë e realizuar” shprehet për Diellin i emocionuar piktori i peisazheve e portreteve Nazmi Hoxha. “Këto personazhe të shfaqura si portrete janë të lidhura me ngjarjen e Epopesë së UÇK dhe krenarisë së kombit tonë si Shaban Polluzha, Isa Boletini, Adem  Jashari, Edmon Hoxha, Vezir Ademaj, Cana, Bekim Berisha, Agim Ramadani e figura tjera të shquara të kombit shqiptar si Nënë Tereza, At Fishta, Poradeci, Migjeni etj” shton artisti Hoxha. Në ekspozitën e pikturave në Konsullatën e Kosovës ranë në sy shumë peisazhe të realizuara me mjeshtri dhe shumë emocion. Peisazhe që të përcjellim një formë optimiste e krenarie të pas luftës. Peisazhet e paraqitura janë stimuj për frymëzim. Piktura, ngulmon artisti Hoxha duhet të shihet si një mundësi për të takuar njëri-tjetrin, të na bashkojë arti e jo veç dasmat e mortet, citon Hoxha. Sipas tij kjo nismë duhet të vazhdohet edhe me ekspozita të tjera të artistëve shqiptarë si domosdoshmëri të promovimit të punës krijuese, por mbi të gjitha për t’u kënaqur me njëri-tjetrin e për të krijuar një traditë për të ardhmen ku arti të shihet si një mundësi për të gëzuar të tjerët, për të përcjellur mesazhe të forta. Origjina, vlerat tona duhet të jenë të pranishme në çdo krijim. Arti duhet të shprehë entuziazëm, pasurinë tonë, identitetin dhe ngjyra të bukura, porosit artisti Hoxha. Arti ka një fuqi krijuese, frymëzuese e reaguese të jashtëzakonshme. Arti sipas piktorit Hoxha është forcë lëvizëse, duhet që të bashkojë në një show më të madh të gjithë shqiptarët që janë rreth New Yorkut. Arti duhet parë në komunitete e shoqëri si një forcë reagimi dhe identifikimi, sqaron artisti Nazmi Hoxha. “Është ndër ekspozitat e para e të vetme që e kam ndjerë veten si vizitor. Kam ndjerë një kënaqësi të pa imagjinueshme mes njerëzve të mi” përfundoi prononcimin për gazetën Dielli të Vatrës, piktori i shquar Nazmi Hoxha.

Filed Under: Politike

Përfaqësues të komunitetit Shqiptar në Michigan vizituan Qendrën e Komunitetit Ukrainas

March 13, 2022 by s p

Ditën e Premte me 11 Mars, një delegatë nga Kultet fetare dhe komuniteti shqiptar në Michigan vizituan Qendrën Komunitare të Ukrainës në Warren, Michigan. Kisha Katolike Shën Palit u përfaqësua nga famullitari i saj Don Fred Kalaj dhe kryetari i Këshillit të Kishës, z. Viktor Dedivanaj, Qendra Islamike Shqiptare Michigan u përfaqësua nga Imam Shuajb Gërguri, Kisha Katolike Zoja Pajtore e Shqiptarëve u përfaqësua nga Famullitari i saj Don Ndue Gjergji, Kisha Ortodokse Shqiptare u përfaqësua nga këshilltari Niko Vasili. Nga komuniteti shqiptar, Federata Vatra u përfaqësua nga anëtari i Kryesisë së degës Michigan, z. Valentin Lumaj, (kjo në konsultw me kryetarin e degws z. Mondi Rakaj), Shoqata Malësia e Madhe u përfaqësua nga anëtari i saj z. Luigj Gjokaj. Morën pjesë edhe disa aktivistë të njohur të komunitetit shqiptar si z. Mark Gjokaj, z. Edvin Hoti dhe z. Pjetër Berishaj.

Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Michigan u pritën nga Presidenti i Qendrës Komunitare Ukrainase, Mikola Mursky dhe stafi i tij.

Të gjithë të pranishmit shprëhen dhimbjen për viktimat e luftës në Ukrainë dhe shprehën mbështëtjen e tyre shpirtërore për popullin Ukrainas ne keto ditë të vështira të egzistencës.   Po ashtu u bisedua gjate për mundesite për mbledhjen e ndihmave materiale, mjeksore dhe financiare dhe dërgimin e tyre në destinacion në kohën më të shkurtër.

Në emër të Vatrës, z. Valentin Lumaj shprehu solidarizimin e plotë dhe bindjen se populli i Ukrainës do ta fitojë luftën e tij të drejtë.

Udheheqësit e kulteve fetare e ftuan z. Mikola Mursky per të vizituar institucionet e tyre në mënyrë qe që t’u drejtohen anëtarëve të këtyre kulteve fetare për ndihma financiare. Po ashtu, z. Mursky, i ftoi të gjithë përfaqësuesit Shqiptar, për të marrë pjesë në një tubim të komunitetit ukrainas të Dielën e ardhshme.

Takimi zgjati rreth 90 minuta dhe më pas u ndanë me premtimet reciproke për të vazhduar bashkëpunimin midis dy komuniteteve.

Pregatiti Valentin Lumaj, Michigan

12 Mars 2022

Filed Under: Politike

#𝐒𝐢𝐒𝐨𝐭, më 13 mars të vitit 1965, u nda nga jeta një prej figurave më poliedrike të kombit, Fan S. Noli

March 13, 2022 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Në shumatoren e angazhimit të tij të dendur pikëtakoheshin veprimtari të larmishme, siç qenë: poezia, filozofia, historia, politika dhe feja, të cilat priheshin në ansambël nga qëllimi sipëror dhe i ngutshëm i konsolidimit të shtetit të ri shqiptar.Imzot Noli, spikati në aktivitetin diplomatik si përfaqësues i vendosur i interesave të vendit. U dekretua prej qeverisë së Sulejman Delvinës në cilësinë e kryetarit të delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve, ku së bashku me Mit’hat Frashërin, Hilë Mosin dhe Benedikt Blinishtin, militoi për pranimin e vendit në këtë organizëm ndërkombëtar me frymë paqeruajtëse. Megjithëkëtë, vokacioni i tij i njëmendtë qe priftëria. Imzot Noli është themelehedhësi i Kishës Ortodokse Autoqefale (autonome) Shqiptare, ku kreu edhe shërbesat e para si klerik. 26-vjeçar, më 9 shkurt 1908, u bë dhjak në kishën ortodokse të Bruklinit. Më 8 mars 1908, do të shugurohej prift nga kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, Platoni. Atëkohë, i dha zë shqipes duke mbajtur për herë të parë liturgji në gjuhën amtare në “Knights of Honor Hall” në Boston. Në vitin 1911, Europa qe ndalesa e tij e radhës, ku do të vijonte me dhënien e shërbesave kishtare në shqip për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.Në dokumentet më poshtë paraqiten fragmente lutjesh fetare të përkthyera dhe të mbajtura në shqip prej Nolit.#𝐅𝐚𝐧𝐒𝐭𝐢𝐥𝐢𝐚𝐧𝐍𝐨𝐥𝐢#𝐀𝐫𝐤𝐢𝐯𝐚𝐭𝐅𝐫𝐲𝐦ë𝐳𝐨𝐣𝐧ë#𝐀𝐫𝐤𝐢𝐯𝐚𝐭𝐊𝐮𝐣𝐭𝐨𝐣𝐧ë#𝐊𝐢𝐬𝐡𝐚𝐎𝐫𝐭𝐨𝐝𝐨𝐤𝐬𝐞𝐀𝐮𝐭𝐨𝐪𝐞𝐟𝐚𝐥𝐞𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐭𝐚𝐫𝐞

Filed Under: Politike

LIRIDONA GJOKAJ-MORINA: “SUKSESI I NJË RRUGËTIMI”

March 13, 2022 by s p

Met Gala 2021 in NYC, Met, Metropolitan museum, new york, celebrities at Met Gala, Jennifer Lopez, jlo, kim kardashian, kendall jenner, serena williams, jimmy fallon, james gordon, justin bieber, tom ford, hailey bieber, alicia keys, anna wintour, donatella versace, kris jenner, gigi hadid, irina shayak, winnie harlow, cara delevingne,


Intervistoi: Arjeta FERLUSHKAJ/

  1. Liridona, ju tashmë e keni krijuar një profil tuajin në industrinë e fotografisë. Si ndiheni në këtë fazë të karrierës suaj? 

Po bëhen 12 vite që i jam përkushtuar fotografisë. Ndërsa, karrierën time si fotografe e modës e kam filluar që në vitin 2016, pak pas ardhjes time në New York. Deri në këtë  fazë, unë  jam vlerësuar me çmime të  ndryshme, nga ku mund të  përmend: në vitin 2019 mora çmimin “Photographer of the year” në “8th International Filmmaker Festival of New York”. Në vitin 2015 mora çmimin “The Still Life Collection Photographer Award”. Në vitin 2014 mora çmimin “The exposure Award” nga “SeeMe Community”. Në vitin 2015 mora çmimin “Community Choice Award” kurse në vitin 2012 “Editor’s Choice” dhe “Beauty Photography Award”, etj.

Natyrisht që kjo ecuri e deritanishme më bën të ndihem mirë, e realizuar por në të njëjtën kohë, më  shtyn që  të  punoj edhe më fort në arritjen e objektivave të  reja. 

  • Ju jeni shprehur se pasioni juaj për fotografinë ka nisur që herët dhe vit pas viti keni eksploruar veten derisa arritët ta kthenit edhe në një profesion. Na thoni me pak fjalë si ka qenë ky rrugëtim për ju? 

Po, e vërtetë. Unë e kam dashur fotografinë që e vogël. Nisa të përfshihem në konkurse fotografie që në vitin 2010, ndërkohë  që merrja pjesë edhe në ekspozita të ndryshme për fotografinë, isha pjesë e shoqatave të fotografëve etj. Pra, ka nisur gjithçka nga pasioni dhe i kam hedhur hapat një nga një për të prekur limite të tjera. 

Ishte viti 2016 dhe ardhja ime në New York që, le të themi, jo vetëm i dha një hov krejtësisht tjetër punës time por edhe bëri që të njihesha me dimensione të tjera të industrisë së fotografisë: nisa të merrem me modën (fashion shows- pasarelat e modës). E gjeta veten të intriguar nga kjo “hapësirë”, e re për mua, rrjedhimisht edhe sfiduese, por aq e nevojshme për karrierën time. 

  • A ka pasur diçka në këtë rrugëtim që ka dalur ndryshe nga çfarë e kishit ‘planifikuar’? 

Le ta themi që ndoshta e kisha menduar pak më të lehtë por, si çdo profesion, edhe puna me fotografinë ka vështirësitë e veta. Je gjithë kohës në lëvizje, nuk ke orare të caktuara, jo gjithnjë kushtet e punës janë “të rehatshme”, të duhet të punosh shpesh në grupe të mëdha etj. Mos të harrojmë se në industri të tilla ka konkurencë të madhe dhe normalisht depërtimi bëhet më i vështirë por, me vendosmëri dhe përkushtim të vazhdueshëm, njeriu e arrin atë që do. 

  • Cila është metoda juaj e punës që të arrini të shkrepni foto sa më cilësore?A mund të na thoni ndonjë ‘sekret’ se si ia bëni të realizoni foto aq të bukura? 

Qëllimi im kryesor është që të shkrep fotografi unike dhe me cilësi të lartë. Përkushtimi i madh dhe i vazhdueshëm do të thoja se është “sekreti” sepse dëshiroj që të përcjell sa më bukur e mirë vlerën e atij momenti. Sa i takon metodës, mundohem të përshtas një të tillë në varësi të llojit/zhanrit fotografik në të cilin jam e angazhuar në atë moment. 

  • E dimë që është pyetje ku përgjigja është e vështirë, por gjithsesi do të dëshironim të dinim se cila është një ndër fotot e juaja të preferuara që keni realizuar ndër vite dhe arsyeja pse?

Po, nuk është e lehtë që të them se kam një fotografi më të preferuar se tjetrën, sepse çdo fotografi është e veçantë në atë mënyrën e vet. Por, nëse më duhet ta zgjedh një, do të thoja se është fotografia me të cilën unë kam marrë pjesë në ekspozitën digjitale në Muzeun e Luvrit në Paris, foto përmes të cilës bëra realitet një ëndërr timen.  Pikërisht kjo eksperiencë ka qenë frymëzim për mua  gjatë rrugëtimit tim në pasionin për fotografinë.  

  • Na flisni pak për projektet e juaja të kohëve të fundit. 


Kam qenë pjesë e eventeve që u zhvilluan së fundmi në New York, siç është “Met Gala“, “Tony Awards“, dhe “Java e Modës”. Këto janë disa evente që unë tashmë marr pjesë në çdo sezon. Fotografitë nga këto evente mund t’i shihni tek faqja ime www.donaphotography.net dhe po ashtu tek platforma digjitale www.hauturely.com ku unë jam fotografe zyrtare. 

Ka disa muaj tashmë që kam hapur studio ku bëj photoshootings, portrete të ndryshme, siç janë portrete për profile biznesi, editoriale, portrete estetike ose siç mund të quhet, fotografia me efekt bokeh etj. Kam gjithashtu projekte të tjera me disa dizajnerë, një ndër to është edhe dizajnerja shqiptare Arta Kallaba. Fotografitë nga ky projekt janë prezantuar në disa revista të ndryshme mode. Së fundmi, kam filluar një bashkëpunim goxha të suksesshëm edhe me fotografin Nik Morina (www.morinaphotography.com) për një sërë projektesh, për të cilat do të shihen frytet e punës së shpejti.

  • Çfarë mesazhi dëshironi t’i përcillni një fotografi/fotografeje që po mendon të kthejë pasionin për fotografinë në një profesion të ardhshëm?

Ta ruajë e ta kultivojë qasjen krijuese, ta mbajë ndezur dëshirën dhe pasionin për fotografinë dhe të punojë fort pa u ndalur. 


Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 238
  • 239
  • 240
  • 241
  • 242
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT