• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONGRESI I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) – THEMELI I INSTITUCIONEVE SOVRANE DHE PAVARËSISË SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTARË

January 21, 2022 by s p

Nga Kevin Haxhiu*

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 një vitë më vonë në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër Fuqitë e Mëdha vendosën copëtimin e territorit të Shqipërisë në favor të vëndeve fqinje.Në vitin 1915 Traktati i fshehtë i Londrës vendosi që territori i Shqipërisë të copëtohej edhe më shumë se në vitin 1913.Në vitin 1918 në Konferencën e Paqes në Paris nga Fuqitë e Mëdha (Blloku i Antantës-fitues të luftës) dhe vëndet fqinje kërkuan që Traktati i Fshehtë i Londrës i vitit 1915 të zbatohej.Delegacioni i dërguar nga qeveria e Durrësit nuk po e përfaqësonte aspak si duhej Shqipërinë duke mos i dhënë asnjë zgjidhje këtij problemi të madh.Gjatë gjithë kësaj kohe Shqipëria ishte në kaos dhe rreziku për copëtimin e saj ende vazhdonte.Ndaj patriotët shqiptarë të gjendur në këto rrethana vendosën që në Shqipëri të mbahej një tjetër Mbledhje Kombëtare që të mbronte Pavarësinë e Shqipërisë dhe territorin e saj.Në muajin nëntor të vitit 1919 u mblodh organizata nacionaliste “Krahu Kombëtarë” në shtëpinë e ish Prefektit të Durrësit Abdyl Ypi.Në këtë takim merrnin pjesë patriotë shqiptarë të cilët diskutuan për mbledhjen e një kongresi kombëtarë pasi rreziku për copëtimin e Shqipërisë ishte i madh.Në këtë takim u vendos që t’i bëhej një thirrje Parisë së Lushnjes pasi në qytete të tjera ishin bërë përpjekje por nuk arritën dot të organizonin mbajtjen e një kongresi.Ata iu drejtuan patriotit Sheh Ibrahim Karbunara dhe në 31 dhjetor 1919 patriotë lushnjarë që i përkisnin parisë së qytetit të Lushnjes u mblodhën në Teqenë e Karbunarës.Atje u ngrit edhe Komisioni Nismëtarë me 28 anëtarë për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit.Anëtarët e Komisionit Nismëtarë për Thirrjen dhe Organizimin e Kongresit të Lushnjes ishin:Besim Nuri,Ferit Vokopola,Nebi Sefa,Qemal Mullaji,Eshref Frashëri,Sheh Ibrahim Karbunara,Abedin Nepravishta,Bajram Haxhiu,Taullah Sinani,Llazar Bozo,Emin Vokopola,Zija Mullaji,Mustafa Vokopola,Jonuz Sefa,Skender Pojani,Kadri Jenisheri,Teki Libohova,Filip Papajani,Jakov Bozo,Andrea Papaj,Qerim Arapi,Rasim Hoxha,Arif Kurti,Abdyl Aziz,Muntar Luarasi,Hamit Xheka,Reshat (Hysni) Shazivari,Hasan Islami Like.Komisioni Nismëtarë nisi ftesa me objekt që çdo krahinë e Shqipërisë të zgjidhte delegatët e saj që do ti përfaqësonin në Kongres.Komisioni gjithashtu përgatiti organizimin e mbledhjes,krijimin e kushteve për delegatët gjatë kohës që do të qëndronin në Lushnje,organizmin e forcave vullnetare për të mbrojtur dhe siguruar qetësinë gjatë kohës që do të mbahej mbledhja.Kongresi u mblodh në Lushnje në shtëpinë e Kaso Fugës në 21-31 Janar 1920.Në Kongres morën pjesë 56 delegatë ku gjithësecili përfaqësonte krahinën prej nga ishte zgjedhur.Delegatët në Kongresin Kombëtarë të Lushnjes janë:-Prefektura Durrës:Abdi Toptani,Irfan Ohri,Mytesim Këlliçi,Rexhep Jella,Shezivar Alltuni,Xhaferr Ypi.-Malësia e Gjakovës:Hasan Batusha,Xhemal Beg Bushati.-Prefektura Dibër:Ahmet Zogu,Dine Dema,Dine Nasuh Maqellara,Ramiz Daçi.-Prefektura Shkodër:Ejup Sabri Bushati,Hoxha Kadri,Mati Logoreci,Ndoc Çoba,Rexhep Shala,Xhemal Naibi.-Prefektura Elbasan:Aqif Pashë Elbasani,Adem Gjinishi,Asllan Shahini,Filip Papajani,Kasem Sejdini,Qazim Dyrmishi,Sali Ceka.-Prefektura Korçë:Beqir Rusi,Eshref Frashëri,Ferid Frashëri,Gjokë Ndini Gusho,Idhomen Kosturi,Koço Kota,Sali Butka,Selaudin Blloshmi.-Prefektura Berat:Bektash Cakrani,Hysen Nikolica,Iliaz Vrioni,Kamber Belishova,Llambi Goxhomani,Llazar Bozo,Spiro Papa,Sheh Ibrahim Karbunara.-Prefektura Vlorë:Dhimitër Qypi,Myqerem Hamzaraj,Qazim Kokoshi,Ymer Ali Radhima.-Prefektura Gjirokastër:Ali Këlcyra,Ali Kumbaro,Arshi Shehu,Dervish Seit Grosha,Kasem Radovicka,Kiço Koçi,Rasim Babameto,Shezai Çomo,Spiro Kosova,Veli Harshova.-Diaspora:Sotir Peçi.Kongresi i Lushnjes vendosi që nuk do të pranonte asnjë vendim për copëtimin e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha në favor të vëndeve fqinje dhe u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.Kongresi rrëzoi qeverinë ‘italiane’ të Turhan Pashë Përmetit dhe delegacionin e dërguar prej saj në Konferencën e Paqes në Paris pasi nuk po e kryenin funksionin për të cilin ishin zgjedhur në dhjetor  1918 në Kongresin e Durrësit.Në kongres u zgjodh një qeveri e re me Kryeministër Sulejman Delvinën,zëvëndëskryeministër dhe Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botërore Eshref Frasheri,ministër i punëve të brëndshme Ahmet Zogu,ministër i punëve të jashtëm Mehmet Konica,ministër i financave Ndoc Çoba,ministër i drejtësisë Hoxha Kadri,ministër i luftës Ali Riza Kolonja,ministër i Arsimit Sotir Peçi,Drejtor i Përgjithshëm i Post-Telegrafit Idhomen Kosturi.Kongresi zgjodhi dhe delegacionin e ri shqiptarë pranë Konferencës së Paqes në Parisë me anëtarë:Imzot Luigj Bumci,Mehmet Konica,Mihal Turtulli.Kongresi zgjodhi në krye të shtetit një organ kolegjial Këshillin e Lartë (Regjenca) në të cilin bënin pjesë Aqif Pashë Elbasani,Mihal Turtulli,Imzot Luigj Bumçi dhe Abdi Toptani.Në Kongresin e Lushnjes u zgjodh edhe Senati me 37 senatorë që do të kryente funksionin legjislativ.Kongresi i Lushnjes miratoi aktin kushtetues “Bazat e Kanunores së Këshillit të Lartë” (Statuti i Lushnjes) me 6 nene dhe në të  cilën sanksionohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptarë dhe kjo bazohej edhe në të gjitha vendimet që u miratuan në kongres.Forma qeverisëse që sanksionohej në Statutin e Lushnjes ishte Monarkia por që vëndin e saj e zuri Këshilli  i Lartë deri në ardhjen e mbretit në fron.Senati dhe “Bazat e Kanunores së Këshillës së Lartë” përfaqësojnë  i pari Parlamentin dhe e dyta Kushtetutën e Parë Shqiptare sepse u zgjodhën e u miratuan nga një kuvend kombëtarë (Kongresi i Lushnjes) që përfaqësonte vullnetin e popullit shqiptarë.Pas përfundimit të punimeve të Kongresit në 31 janar 1920 Ministri i Punëve të Brëndshme Ahmet Zogu u dërgoi çdo prefekture një qarkore me anë të së cilës populli njihej me vendimet që ishin marrë në Kongresin Kombëtarë të Lushnjes.Qeveria e Durrësit e cila kishte përkrah saj italianët bëri përpjekje për të mos e njohur Kongresin e Lushnjes dhe vendimet e tij.Gjithashtu u përgatit për të sulmuar organet e reja të zgjedhura në Kongresin e Lushnjes.Nisur nga kjo gjëndje disa prej delgatëve mendonin të qëndronin edhe për disa ditë në Lushnje deri sa të qetësohej gjëndja por në këto rrethana  tepër  i  gatshëm dhe i guximshëm për të vendosur organet e reja në Durrës ishte Ministri i Punëve të Brëndshme Ahmet Zogu i cili edhe kur erdhi si delegatë në Lushnje garantoi sigurinë për mbledhjen kombëtare me forcat e tij.Ahmet Zogu kryesoi udhëtimin për në kryeqytetin e Shqipërisë Durrës por kur u njoh me rezistencën e italianëve që ishin atje,Zogu për të shmangur përplasjen vendosi me zgjuarsi dhe maturi që përkohësisht organet e reja qeverisëse ti vendoste në Tiranë sepse kryesore në atë kohë ishte të fillonin punën institucionet.Më 11 shkurt 1920 institucionet e zgjedhura në Kongresin e Lushnjes hynë në Tiranë ku patën një pritje madhështore nga populli dhe Tirana “de facto” u bë kryeqytet i përkohëshëm i Shqipërisë.Shqipëria që prej kohësh ishte e pushtuar dhe në rrezik nga planet grabitqare të fuqive të mëdha për ta coptuar edhe më shumë territorin e saj,tashmë nga vendimet që u morën në Kongresin e Lushnjes do të ishte e lirë dhe me institucionet e saj sovrane,të ligjshme dhe demokratike.

* KEVIN HAXHIU – Stërnip i Nismëtarit të Kongresit të Lushnjes, Patriotit Bajram Haxhiu.

Filed Under: Politike

I LIRË TË TREGOSH FERRIN, QË TË MOS PËRSËRITET…

January 20, 2022 by s p

Nga Visar Zhiti 

BURGU, ARRATISJA DHE TRIUMFI I KASO HOXHËS

(Vlera dhe porosi nga libri “Tokë e bukur, kohë e shëmtuar”) 

Kur nga Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit (ISKK) në Tiranë, më erdhi me e-mail dorëshkrimi i një bashkëvuajtësi në burgun e Spaçit, që tani jeton në SHBA, Kaso Hoxha, me qëllim që ta shikoja dhe se mos shkruaja ndonjë gjë për të, kur e përfundova së lexuari, mendova që pse duhet të dilte kaq vonë ky libër me kaq interes, i shkruar kur në Shqipëri kishte ende diktaturë, nuk ishte shëmbur as Muri i Berlinit, që ndante si të thuash botën në dysh, njerëzit kudo, dhe perandoria komuniste nuk kishte rënë.

Janë kujtime, fletë ditari, rrëfime, duke u shtuar dhe vjershat, të gjitha të shkruara gjatë një dekade e gjysmë, që nga 1970 e deri në 1985. 

Siç e kemi thënë, pas viteve ‘90 në letrat shqipe erdhi dhe një “letërsi tjetër” nga burgjet dhe kampet e internimeve, memuaristikë, tregime, poezi, romane, drama, etj, që sollën të vërtetat e munguara, vuajtjen dhe ankthin dhe tmerret nën diktaturën e gjatë, shpresën për liri, duke e pasuruar kujtesën njerëzore me përvojë dhe porosi, patjetër dhe me art. Dhe u bënë zotërues në letërsinë tonë të tanishme.

Në këtë vargan shtohet dhe libri i Kaso Hoxhës. Ndoshta më mirë që del tani, kur, jo vetëm po duan ta harrojnë shëmtinë e asaj kohe në diktaturë, me qëllim mbulimin e krimit shtetëror, por ka një hovëzim të nostalgjisë për atë kohë, kur fantazma e diktatorit Enver Hoxha po endet nëpër Shqipëri. Edhe në Europë, në atë Lindore, ka një “keqardhje” për regjimet komuniste, që lidhet me fanatizmat e mbetura në botëkuptimide, por dhe me anën materiale bazike, të atyre që kishin të siguruar vendin e punës, strehimin, entuziazmin, karrierën, lavdinë, qytetin disi të pastër pa makina, ostalgie po e quajnë me një neologjizëm sipas flalës gjermane ost, pra nostalgjia e lindjes, Më shumë për Bashkimin Sovjetik dhe është shpifur dukuria “Stalinobul”, me dekor imazhe të Luftës II Botërore.

Po në Shqipërinë tonë? Harresë e qëllimtë. Me muzeume “Bunkart-1”, “Bubkart- 2”, “Shtëpia me gjethe”, e të shtëpi të tjera, që tregojnë veç fuqinë e diktaturës si shtet, por pa muzeume të qendresës, te burgjeve apo kampeve a thjesht të një apartamenti të ngushtë, ku jetohej si mos më keq, e dëgjonin fshehurazi lajmet nga bota e lire Perëndimore. Në krye më së shumti kanë dalë bijtë e atyre që ishin në krye dhe bëjnë propagandë me të moshuarit e tyre, me profesorët e tyre, me të rinjtë e tyre, me militantët e tyre, me paranojën gjenerale, pa kërkuar asnjë lloj faljeje, duke zbrazur breshëri fjalësh – si armët e skuadrave të tyre të pushkatimeve të dikurshme – nëpër studio televizeve, ku i ftojnë duke i mbushur mendjen vetes se ai regjim ashtu si vetë Enver Hoxha kishin më shumë të mira se sa të këqia. Dhe Presidenti i Republikës guxon dhe dekoron, krahas ndonjë ish të persekutuari për qendresën, edhe persekutorë për kryerjen e detyrës, pra për persekutimin.     

Prandaj dhe libri i Kaso Hoxhës është i nevojshëm, sidomos për tani, duke na dëshmuar dhunën, sistemin çnjerëzor diktatorial, robërinë, duke i treguar persekutorët me gisht dhe duke mos pushuar së urryeri, në emër të dashurisë dhe lirisë.

Rreket të sjellë më qenësoret, që s’janë vetëm jetë e tij, të cilat nuk duhen harruar, përndjekjet dhe burgun, arratisjen pas burgut në Greqi dhe mërgimin në SHBA, mes bashkatdhetarëve në Çikago. Një si antiUliks modern, që nuk shkon në atdhe, por i ikën atij, për t’i shpëtuar fatit-qikllop dhe monstrave të regjimit.  

Autori dëshmon me një thjeshtësi goditëse, ashpër, edhe pse punën me fjalën ai nuk e quan mjeshtëri të veten. I intereson e vërteta, sado e rëndë qoftë ajo dhe mësimet që nxirren prej saj. Nuk i intereson as emri i tij e as njohja. Prandaj dhe mbase është vonuar ky botim. Duke dyshuar kudo përreth, edhe me të drejtë, vetëm te vetja jo. 

E nis që me bashkëfshatarët e tij në fshatin më jugor, në Markatin çam, në kufi me Greqinë, me familjen aty dhe punët, me brigadierët, provokatorët, sekretar partie, kryetar kooperative, operativin, shefin e Degës së Punëve të Brendshme, operativin në burg, policë, komisar, komandant, drejtorin e burgjeve në rang republike, nuk kursen as bashkëvuajtësit, shkon te ministri i brendshëm, kryeministri, anëtarët e Komitetit Qendror të Partisë, diktaori Enver Hoxha. Fajtorë të gjithë. Njerëz të shëmtuar. Ndërsa në gojën e një provakatori e dëshmitari të rremë në burg, kur i vërsulet për ta linçuar një bashkëvuajtës, bashkëfshatar dhe shoku më i ngushtë  autorit, ka vënë fjalët: “…fajtor jam, por ka fajtorë më të mëdhenj se unë që më detyrojnë…”

Lebetia e tij është kudo në libër. Madje ai më të rëndësihme ka denoncimin e diktaturës në Shqipëri në emër të vuajtjes së njerëzve dhe kjo arrin kulmin, kur ai, i porsa arratisur, e bën këtë gjë në një televizion grek.

Nga njerëz të shëmtuar, pranon të kalojë në përfundimin kohë e shëmtuar. Por toka është e bukur, thotë, e do atë, e çmon dhe mirësinë e di të jetë mirënjohës.

“Njerëz të rinj, tokë e lashtë,” ishte titulli i librit të botuar në diktaturë i shkrimtarit çam Bilal Xhaferri, që ai e adhuron dhe sipas atij shembulli ai e quan librin e tij Tokë e bukur, kohë të shëmtur, hapësira dhe koha bashkë, e mira dhe e keqja – përzjerë. 

Dhe s’e di pse, teksa e lexoja, si asosacion idesh më erdhi në mendje një poezi e Pasternakut për çmimin Nobel, një strofë e saj, kësisoj desha ta përshtas dhe ta rimoj në shqip dhe unë: 

A jam vrasës, bëra faj,

Pse më dënuan me mashtrime? 

Botën unë veç bëra të qajë

Me bukurinë e tokës time.

Ja, pra dhe faji ynë, treguam se cilët e shëmtojnë bukurinë e shpirtit të njerëzve, cili sistem shoqëror, me ç’doktrinë. Ja, dhuna, vrasjet. Edhe Kaso Hoxha mes nesh të përlot me ato që rrëfen. Diktatura dhe postdiktatura. Stanjacioni i rrezikshëm.

“Banaliteti i së keqes”, siç e quan Hannah Arendt, është përhapur si pandemi, me keq se diktatura e tanishme e Covid-19. Sipas saj, ka një ndryshim thelbësor mes diktaturave moderne dhe tiranive të mëparshme, se terrori nuk përdoret më për të shfarosur njerëz, kundërshtarë, e të friksosh ata që mbeten, por si një makineri për të sunduar masat plotësisht te biduar. “Kur të gjithë janë fajtorë, askush s’është fajtor; pohimet për faj kolektiv janë mbrojtja më e mirë e mundshme kundër gjetjes së keqbërësve, si dhe justifikimi më i mirë për ata që s’bëjnë asgjë”, – na mëson bashkëvuajtësja, prapë Hannah Arendt.

“Po si është e mundur që një ideologji me pretendime humaniste, të pillte praktika nga më çnjerëzoret në historië e njerëzit?” – pyet një bashkëvuajtës tjetër, Aleksander Sollzhenicin. Vetë ajo ideologji i ka në doktrinë ato praktika çnjerëzore, do të thosha, janë bashkë, pa asnjë iluzion.

Nga libri i Kaso Hoxhës dolën së fundmi disa në median e shkruar shqiptare, duke tërhequr vëmendjen. Pra kishte prapë nga vuajtja dhe kishte ende libra të pabotuar, që e dëshmojnë atë. Po kush është ky? – pyesnin. – E njeh? Dhe shoh se autori është në Chicago, jo larg meje. Një bashkëvuajtës imi këtu? Po do të doja ta takoja patjetër. Mezi ia gjeta numrin e celularit. Jetonte i veçuar, me gruan e tij greke, pa u përzierë me të tjerët. Dhe e lamë të shiheshim. 

Mes marsi. Erdhi me veturën e tij që shkëlqente. Doli që të më priste. Që të përqafoheshim. Edhe fytyra i shkëlqente. Kishte mirësi dhe siguri. Dhe thinja mbi krye. Ndjehej i realizuar. Ku të shkojmë? Ku të duash, ju jeni i vjetër këtu… 

Vetura rendëte pa besueshëm mes peizazheve plot dritë. Doja ta përfytyroja me rroba burgu, të dobët, të ri, në rreshtat e zymtë a kur shtynim vagonat si skllevër, por s’po ia dilja dot. A kemi qenë ne? Buzëqeshi paksa. 

Ndalëm në një lokal plot xhama e shkallë. Ende nuk ishin vendosur rregullat e rrepta të pandemisë së Covid-19. Po ne të mësuar ishim. Zumë një tryezë të largët dhe ai hapi çantën e tij prej lëkure. Duke rrufitur kafe të madhe amerikane, shikoja fletët që kishte nxjerrë nga burgu i Spaçit, ditar mynxyre, të shkruar me dorë, me atë shkrimin e vështirë që u ngjante dhe telave me gjëmba, Poezi. Fotokopje gazetash te huaja, greke kryesisht, që kishin botuar artikuj, kur qe arratisur dhe denonconte diktaturën. Telefonuam me cellular bashkëvuajtës të tjerë në New York, Florida, s’e di pse, për t’u bindur që kemi qenë dikur a që ishim tani. Kujtuam. E pyeta për shkrimtarin Bilal Xhaferri. Dyshoj në vdekjen e tij, më tha. Ia gjetëm të shkulur aparatin e oksigjenit në spital. Kur u lirove ti, Kaso? – e pyes. Me amnistinë… I tregoj të gjitha në shënimet e mia… 

Pastaj na mbylli diktatura e Covidit – 19 dhe shtuam bisedat telefonike dhe mesazhet. Që s’duan maskë, thashë. Deri sa më erdhi dorëshkrimi i kompjuterizuar nga ISKK-ja. Teksa e lexoja, mes shumë ndodhive të përbashkëta, aq sa më dukej ndonjëherë se po shfletoja librin tim të burgut, përjetuar nga një tjetër, parë në mënyrën e vet. u befasova, kur gjeta dhe emrin tim, madje dhe vargje të miat të shkruara në Spaç, që ia kishte dhënë një mik i përbashkët. Bajo-ja im, siç e thërras në librin tim. Nuk e dija që dhe Kasoja paskësh qenë mes lexuesve të mij të pakët e të fshehtë, por aq besnikë të burgut, që po të zbuloheshin, dënoheshin sa autori, në mos më shumë. M’i përsëriti vargjet dhe kur folëm. E pyesja për ndonjë çështje, datë, sqarim, etj. 

Me tha që dorëshkrimet e tij kishte dashur t’i botonte Bilal Xaferri që atëhere në revistën shqip të Çikakos, “Krahu i shqiponjës”, pjesë-pjesë, do t’i zgjidhte e redaktonte, por fati s’deshi. Ndërhyri vdekja. Siç duket të ra ty për ta kryer këtë punë… E ndjej dhe si mision, i thashë.  

Siç duket, nga që Kasoja ka qenë bujk në atdhe, e di se nga pema në fund të fundit janë frutat, por duhen më parë dhe krasitjet, interesi për to dhe  prandaj është shoku, nëse e bën më mirë, po kështu dhe në mërgim, në SHBA, duke bërë punë të ndryshme, mur, pica, në restorantet e tij, etj, ai ka ngritur muret e kujtimeve të veta, të një shtëpie që duket se nuk mbaron, por ama duke e ushqyer kujtesën e përbashkët. 

Po përjetoja burgun. Fryn dhe ashk çam, kujtesë e asaj përvuajtjeje, e ngujuar aty, shih, shih, shqetësim dhe për Kosovën, ankth për lirinë, dhunë dhe gjak, etj, etj, Kasoja i do dhe vargjet. Ai ka dhe një grusht me poezi, që donin gdhëndje, më shumë përshtatje nga poetët që i mësonte në burg, si Hajne e Esenin, teksa merrej dhe me greqishten, gjuha e vendit fqinjë, ku dhe mund të ikte, me italishten, lexonte nga Dantja, kështu thotë, anglishten, e nxuri për Shekspirin, më shumë për ëndrrën amerikane.  

Po ndal, si të thuash te pjesa e dytë e librit, arratisja në Greqi. Ka kaq shumë interesant e risi në letrat që i vinin në kamp, nga njerëzit e tij të ikur në SHBA, të afërt dhe miq dhe të panjohur, i uronin që kishte mundur të dilte gjallë nga kthehtrat e diktaturës, por të bënte kujdes nga Sigurimi i Shtetit, se vepronte dhe aty, edhe nga grekërit vetë – dhe letrat shkonin në Greqi, – ndokush të mallëngjente me pyetjet për vete, nëse e kishte gjallë nënën në fshat, po fëmijët ç’bënin, nuk dinin gjë, se nuk u vinin letra prej andej dhe nuk u shkonin, se Shqipëria ishte e mbyllur si një burg i madh dhe të gjithë kishin nga një mallkim për diktatorin Enver Hoxha, “që na ndau për së gjalli”, thoshin. Të presim krahë hapur, i mbyllnin letrat. Dhe arrihet kulmi me kontaktet me Amnisty International. Çon klithmën e të burgosurve shqiptarë atje, kur ne nuk dinim gjë. 

Dhe mbërritja në SHBA. Çfarë fati! Pas burgut ishin arratisur për të ardhur këtu dhe shkrimtari Arshi Pipa, edhe profesor Sami Repishti. Këtu erdhi dhe pinjolli i Frashërllinjve të mëdhenj, Mit’hat Frashëri, kreu i Ballit Kombëtar me nacionalistët të tjerë, profesorët Stavro Skëndi, Isuf Luzaj, etj. Shqiptarët ndërkaq kishin “Vatrën” e tyre dhe gazetën “Dielli”, themeluar nga përlindasit Faik Konica e Fan Noli. Këtu ishin dhe varret e tyre. Janë dhe kishat shqiptare dhe Teqeja e Baba Rexhepit. Radioja “Zëri i Amerikës” fliste dhe shqip.  

Lufta e ftohtë atëhere bënte që dhe antikomunizmi të ishte më i nxehtë. 

Nëse ky libër do të ishte botuar që atëhere, do të hynte në prijëtarët e botimeve të asaj që po e quajmë: letra të kujtesës. Del tani, si dëshmi dhe përforcim i asaj kujtese, një prurje origjinale, me vlera të veçanta. Dhe del në këtë vit, kur dhe autori, Kaso Hoxha, u bë 70 vjeç. Është dhurata që na jep ai. Ne – mirënjohjen.   

Më bën përshtypje se në libër na zbulohet më hapur nga mendësia diasporës, jo aq arratiake sa vetë ata. Si e mbetur në vend. Ku gjen dhe përçarjet. E sillte Sigurimi i Shtetit, thuhej. Po thashethemet e hatërmbetjet e zëmërimet me tepri? Vetëm ndër markaqiotët e tij ishin këto? Apo kudo ndër shqiptarët? Po kështu bëjnë dhe grekërit, të thonë. Ballkani dhe jo vetëm. 

Dhe sikur vazhdon dhe me diasporën më të re, ku janë bashkë shqiptarë dhe nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi e janë përzierë nga Shqipëria dhe ish të persekutuar a të kahut të tyre, me urrejtjen për sistemin që lanë, dhe ish persekutorë a të kahut të tyre, me atë (n)ostaligjinë që i karakterizon e që dinë ta përhapin. Sikur të mos mjaftonte tani Covid- 19, por dhe “84” orwelliane. 

Duke qenë bashkë, duket se është arritur dhe më e mira, bashkëbisedimi, mirëkuptimi, bashkimi i kujtesave, një lloj pajtimi. Ndërkaq shoh që ka dhe nga ata që kur ishin larg, me një oqean në mes, flisnin me njëri-tjetrin aq të përmalluar, me WA e kamera, por me t’u bërë bashkë, pas një a dy takimesh të përzemërta, nis e kundërta, pakësohen ndjeshëm miqësia, mirëkuptimi, të duhet sprapsja e trishtë, largësia prapë, harresa. A thua ndodh dhe “banalizimi i së mirës”, nëse perifrazojmë Hannah Arendt? 

Gjithsesi diaspora shqiptare në SHBA është e fuqishme, aktive, e suksesshme, me shoqata e bisnesmenë, e vëmendshme ndaj dheut amë, ka institute, katedra, lidhje shkrimtarësh shqiptaro-amerikanë, “Illyria” – gazetë tjetër e shqiptarëve, botime, etj. dhe mund të bëjë shumë më tepër si në SHBA dhe në Shqipëri. Mund të bashkohen më shumë e më shpesh, ta kërkojnë njëri tjetrin, kanë ç’t’i thonë dhe kanë ç’të bëjnë.

Po nëse ndokush do të donte të bisedonte me një të arratisur, që ka bërë dhe burg në diktaturë, që të dijë nga ndryshimet dhe mosndryshimet, me dëshmi që i duhen kolektive, le të hapë librin e Kaso Hoxhës. Që ka triumfuar. 

\

Filed Under: Politike

Te Gjergji në Lezhë ishte ambasadori austriak…

January 19, 2022 by s p

Frano Kulli

Dje, në përkujtimin e 554 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte edhe ambasadori i Republikës së Austrisë Dr. Christian Steiner. Pa bujë, pa tam tame; pa eskorta që me zhaurimen e tyre këso ditësh bllokojnë  e ia marrin frymën pothuajse së krejti jetës urbane dhe interurbane, në arealin ku ato ndodhin. Madje edhe kur kalojnë zyrtarucët tanë të rangut të ministrave.Vetvetishëm të vinte një ndjenjë ngrohtësie, në ditën me mot të ftohtë e të vrejtur të mbas mesjanarit, aty mbrenda memorialit të hapur që i rri si mburojë kishës së rrënuar të Shënkollit ku prehet heroi ynë. Më mbas veprimtarisë, unë ia shpreha ndjesinë time edhe kryetarit të bashkisë, të zotit të shtëpisë, zotit Pjerin Ndreu, për ftesën e qëmtuar. Ai është  falënderues për ndihmën që shteti dhe populli austriak jep në Lezhë, në arsimin profesional…më heret qysh në fillimvitet ’90 në rindërtimin e rrjetit të spitalit rajonal  aty. Dhe për krejt më së fundi, dy-tre muaj më parë, edhe për ndërtimin e dy urave të bukura mbi lumin Drin , që ndërlidhin dy brigjet e lumit por edhe të sotmen e qytetit me lashtësinë e tij; të bardha, të ndritëshme, shenjuese elegante të nevojës për urbanizimin me shije të qytetit.Për sot e për të ardhmen.   Austriakët, gjithherë kanë ndërtuar ura ndër ne e me ne. Në tetorin e vitit që shkoi, në cep të Urës së Bunës , në Shkoder, me një ceremonial modest, rivendosej i restauruar, guri memorial, që shënonte përfundimin e ndërtimit të Rrugës Shkoder-Shirokë. E kishte vendosur njëqind e sa vjet më parë, në vitin 1916 Ushtria Perandorake Austro-Hungareze. Kurse për rivendosjen ishte kujdesë Gjergj Leqejza, konsulli i nderit i Austrisë në Shkoder, biznesmeni fort i njohur e i suksesshëm shkodran, por edhe filantrop me shembuj punësh të mira e të bukura , sidomos në fushen e trashëgimisë së kulturës e civilizimit tonë. Në korrikun e po atij viti, po ashtu, në vijim të platformës së ndërtimit të një administrimi austro-hungarez të Shqipërisë ata  fillojnë hartimin e statistikave të popullsisë, të vendit, të ndërtesave e të  sistemit të matrikullimit. Pra një “census”  i përkorë, produkti i të cilit gjëndet sot në Arkivin qendror  të Shqipërisë. Për krejt territorin e asaj Shqipërie, të përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Por një dëshmi tjetër e gjithë asaj çfarë u bë në atë periudhë e sjell në librin e tij:”Administrimi i Shqipërisë nga Trupat Ushtarake Austro-Hungareze në vitet 1916-1918″ Prof.Dr. Mariano San Nicolo, toger i ushtrisë perandorake, dëshmitar i ngjarjeve dhe këshilltar e autor i hartimit të urdhërave dhe dekreteve të Komandës së lartë Ushtarake të Ushtrisë Austro-hungareze në Shqipëri. Po më gjërë për këtë nuk është rasti të shtjellohet rrëfimi tani.

            I asaj kohe është, gjithashtu edhe ndërtimi i një “ure” tjetër, kësaj here ure komunikimi. Me 5 dhjetor 1916 del gazeta “Posta e Shqypís’ “. E financojnë austriakët, gazeta del në dy gjuhët, pra edhe në shqip. Redaksia e përbërë nga pendat e njohura prej françeskanëve shqiptarë, At Vinçensi Prenushi, At Justin Rrota, At. Ambroz  Marlaska, kishte në mes edhe një redaktor të “Neu Freie Presse”, një gazetar hebré vienez. Po “drejtuer i gjegjshem” është P. Gjergj Fishta. Dhe deviza, paraqitet që në numrin e parë: “Para sysh ne s’kemi me pasë tjeter veç interesat e verteta t’komit, mii t’cillat hollë e gjatë kemi me u mundue me tregue, mas nevojet t’vendit e t’kohës”. Dhe kjo ndodhte, në mesin e zjarrit të luftës së parë botërore dhe, mund të ndodhte se e kishte bekimin  e austro-hungarezëve. Pa folë pastaj për dorën që ata i dhanë vetë Pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën, ende sot pas më se një shekulli është e pathënë e gjitha…

            Dje, ambasadori kishte ardhë  për të na nderuar e respektuar heroin tonë, pikëreferimin e idenditetit tonë kombëtar. Pa na kërkuar kurrfarë “kushtëzimi vëllazërie” e pa na dhënë kurrfarë leksioni turpërues vasaliteti…

Filed Under: Politike

Edhe nji herë mbi politikën e jashtme të Shqipnisë

January 18, 2022 by s p

Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/

Në vitin 1991 menduem se Shqipnija jonë e shkundi zgjedhën komuniste dhe së bashku me ate, u largue nga endja e papërcaktueme, duke dalë në dritë për të ba pjesë në radhën e popujve të vetqeverisun, me shtet serioz, qi ka nji rrugë të ardhme të përcaktueme kjartë. Menduem se shpëtuem, por s’kishte pas qenë e thanun, të jetojmë në qetësi, në liri, në nji vend normal me identitet të shënuem që në lindjen e fëmijeve në tokën tonë dhe të gezojmë ma në fund, frytin e përpjekjevet të të Parvet, të cilët u flijuen për nji copë Shqipni të lirë, qytetare dhe europiane. Pak për indifference e mungese ekspertize të të huejvet ndaj këtij vendi të çuditshëm dhe me vektorë të përkundërt formativë e ma shumë për faj të atyne qi e kanë marrë peng sferën publike në këto dekada, Shqipnija ka pa pak ditë të mira dhe me shpresë orientimi të kjartë, qendrueshmërie e prosperiteti. E sundueme prej mujsharisë, babëzisë, diletantizimit, servilizmit, demagogjisë të ngritun në kod sjelljeje dhe standard për t’u ndjekun dhe për të ba hajr në politikë dhe drejtim, horizonti i qiellit shqiptar mbeti gjithnji i errësuem, orientimi i popullit i ç’akorduem, sipas interesave të momentit të individëve qi zotnojnë, toka shqiptare nji hapësinë e lirë ku mund të luajnë si u vjen për mbarë, organizatave që s’kanë të bajnë me programin testamentar të Arbnisë.Së fundmi, kena ardhë në ditën kur urdhnohemi mu në organin Sovran, me ba atë qi nuk e mendojmë dhe e arsyetojmë si te drejte. Madje, përmes të zgjedhunve, detyrohemi të heshtim, kushtëzohemi me traktate të përhershme, imponohemi a priori edhe në strategji dhe aleanca qi nuk ua njohim përmbajtjet dhe thelbet, ndërlikohemi në mënyrë të kushtëzuem edhe në marrëdheniet me fqinjët e drejtpërdrejtë.Dje, të gjithë së bashku, socialistë, të vetëquajtun sovranistë dhe demokratikas të zyrtarizuem nga qeveria, pjesëtarë të nji faji të kahershëm, “arkitektë” të lanies së vendit pa binarë strategjikë, mëkatarë të lanies të rinisë pa formim kombëtarist dhe albanianist, në ditën e 554 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë kombëtarë, u përkulen pa bzá dhe duartrokiten Presidentin e Republikës së Turqisë, tek u jepte urdhnat ultimativë gjatë fjalës së rastit në Parlamentin e Shqipërisë. Nuk mund të ndodhte ndryshe: bashkarisht, dëgjuesit janë autorë të lanies së Shqipërisë pa nji strategji të zbatueshme të politikës së jashtme, pa nji kontroll të strukturuem mbi programin e organizatave të huaja kinse kulturore, pa nji autoritet të mjaftueshëm institucional, qi u lejon zotnive të Lindjes ta nënrendisin vendin e Arbënve, në një satelit të rrotullueshëm sipas interesave të tyne.Kjo nuk do të thotë se shqiptarët nuk e pranojnë miqësinë dhe ndihmën e ofruar nga populli punetor dhe i urte turk, bashkëpunimin e gjithanshëm në fusha me interes reciprok të Republikës së Turqisë Qemaliste, dorën e shtrirë të mikut që sheh nga e ardhmja, duke lanë pas të kaluemen shkencërisht të pakorigjueshme. Por në asnji rast, në kodin e ekzistencës sonë shtetnore, nuk asht e shkrueme, se vendimarrja mbi Aleancën Strategjike dhe Miqësinë e Përjetshme vjen prej ndonji traktati të fshehtë të nënshkruem ndër darkat e brigjeve të Bosforit, përkundër të drejtave referendare të popullit dhe doktrinës sonë kombëtare të hartueme prej Rilindasve. Askund ndër ne nuk asht e shënueme dhe e lejueme, qi në sferën publike të cënohet laicizmi, qoftë edhe në ligjërim; askund të kodet qi rregullojnë marrëdhaniet ndërkombëtare mes shteteve sovrane, nuk asht e shkrueme qi shtetet e huaja mund të ndërhyjnë në punët e brendshme të njani- tjetrit dhe aq ma pak të vendosin kushte ultimative, afate kohore ndaj “nxanesve” politikane shqiptare.Asht e kuptueshme qi gradualisht, me kalimin e kohës, te shekullit, ndër vendet normalizueme, modernizueme e perëndimizueme, armiqësitë e dikurshme kalohen në analet e historisë, udhëheqësit shohim nga e ardhmja, bashkëpunojnë edhe me ish shtetet sunduese, korigjojnë sjelljet, përmirësojnë klimen, duke respektue ligjet ndërkombëtare dhe paqen globale. Por gjithsesi, kjo nuk do të thotë që caqet e reciprocitetit dhe sovranitetit të shkelen, kujdeset ndaj forcimit të unitetit të vendit të mos mbahen parasysh, interesat edhe të fqinjëve të tjerë të mos respektohen me shumë kujdes, aq ma teper qe çeshtje te diskutueshme dhe debatueshme jane ne zhvillim e siper. 32 vjet mbas britmave mbarëpopullore për Europën në Shkodër dhe Tiranë , shohim se kapluesit e sferës së drejtimit politik të vendit, ata qi zotnojnë kompetenca kushtetuese për ruajtjen e pozitës së Shqipërisë në sistemin ndërkombëtar, në pajtim me qellimin qi na kanë caktue paraardhësit shteformues, Desidenca Europianiste, janë shndërrue në shkelës së premtimit dhe lajkatarë të buzëqeshun të autoritarëve të Lindjes, qi nuk kanë asgja të përbashkët me lirinë, demokracinë, laicizmin dhe republikanizmin e Ataturkut të madh, krijuesit të vertetë të Turqisë moderne, mikut të popullit shqiptar.Për fat të keq, ende ndër ne, njilloj si në kohën kur Faik Konica nuk i duronte dot marrëzitë e të paktëve, disa, që gabimisht sot janë udhëheqës dhe aspirantë për udhëheqje, përfaqësues të sovranit, nuk e kanë të zhvillueme mjaftueshëm frymën e indipendencës arbnore, ndjenjën e detyrës dhe përgjegjesisë kombëtare, kapacitetin shtetdrejtues dhe me njëmijë mënyra duan sërish ta shndërrojnë Shqipninë në nji provincë të bindun perandorake, nji liman për ankorim, nji vend për t’u etiketue definitivisht si jo miqësorë nga fqinji ynë e drejtpërdrejtë jugor, Greqia, ku jetojnë, bijtë, bijat dhe vllaznit tone, mbi 1 milion shqiptarë të sodit të trajtuem njerëzisht atje.Posaçërisht në nji vend si i yni, për shkak të veçantive formative, çdo vendimarrje në fushën e politikës së jashtme do të duhet të kalojnë përmes nji konsensusi të rreptë mes faktorëve kulturorë shtetformues, identifikimi i të cilëve vjen nga përfaqësia reale dhe jo nga të emnuemit e kryetarëve të partive pa anëtarë, qi shpesh herë bien viktimë e ndërhymjeve të aktorëve të jashtëm jomiqësorë, qi operojnë të lirë në vend, sipas raporteve të shërbimit tonë informativ. Vetëm në Shqipni gjen vendimarrës në politiken e jashtme qi mendojnë, se janë të lirë për me dhanë verdikte themelore, pa respektue kufizimet dhe rregullat e përcaktueme brenda vendit nga konventat e brendshme themelvanëse të shtetit.Politika e brendshme e një vendi të mbushun në polet e saja partiake me kurthe, intriga, urrejtje, të denja për t’u përshkrue dhe analizue nga shkrimtarët, mbasi ka ndalun integrimin e Shqipërisë në Europë, sot po ban haptas hapa rrënimtarë drejt prishjes së konsensusit mbarëkombëtar në aspektin e politikës së jashtme.Aspirantë të hartimit dhe implementimit të politikës së jashtme, të rrethuar nga frika e mëkateve, të izoluar nga Europa dhe SHBA, që kushtëzon me lirinë, ligjin dhe drejtësinë, po shohin si të vetmen rrugë shpëtimi, shndërrimin e Shqipërisë si nji zgjatim të shtetit të dikurshëm sundues, duke hapun rrugën të panjohurës dhe prishjes së unitetit tonë të brendshëm. Rama dhe kinse konservatorët, mbase dojnë me e kthye Shqipërinë serish në nji gur rrokullisës në lojën e madhe të tavlles ballkanike, por Shqipnia e jonë e ngratë, populli ynë, arbnorët, nuk kanë asnjë lidhje me frikërat e tyne, nevojat e tyne per vendstrehime dhe botkuptimet e tyne të kufizueme.

Filed Under: Politike

KUSHTRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT

January 17, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

See the source image Me 15 Janar, 1975 ndërroi jetë në Romë,  shkrimtari, poeti, profesori dhe përkthyesi,  Ernest Koliqi. Ndërsa me 17 Janar, 1468 shkoi në amshim në moshën 62-vjeçare, Heroi historik kombëtar, i përgjithëmonshmi i Shqiptarëve, Zot i Arbërisë, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Njëri i shpatës e tjetri i penës.

Frank Shkreli: Me rastin e 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skënderbe | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Amaneti i Koliqit për Shkollën Shqipe | Gazeta Telegraf

Në këtë ditë të 17 Janarit që shënon kalimin në amshim të Gjergj Kastriotit-Skënderbe, sjellim një vjershë – në përvjetorin e ndarjes prej nesh edhe të Poetit e shkrimtarit, Ernest Koliqit, (1903–15 Janar, 1975), që ai i ka kushtuar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, poemë e cila thuhet se ishte e para vepër letërare e Ernest Koliqit, botuar në vitin 1924.

ERNEST KOLIQI: Kushtrimi i Skanderbeut

Ç’asht moj Zanë kjo gjamë nga malet,
Ç’asht kjo ushtimë që kurr nuk ndalet,
L’shon kushtrimin Skanderbeu,
Dridhet toka, tundet dheu.

N’kambë shqiptarë ju me u çue,
Me ngjesh armët me luftue,
Ka ardhë dita e Lirisë,
Dërmen me ia dhanë Turkisë.

N’kala t’Krujës valon krenar,
Njaj flamuri fitimtar,
Njaj flamuri kuq e zi,
Që në shekujt veç ka pri.

N’Lezhë shpejt mblidhet nji kuvend:
Flasin princat rend me rend,
Skanderbeu nji fjalë ka thanë:
Të bashkuem t’jemi të tanë.

Lezhë qytet i Ilirisë,
Mblodhe burrat e Shqipnisë,
N’krye qëndron GJERGJ KASTRIOTI,
I Shqiptarve Princ Kryezoti.

Pa ndigjo Sulltan Murati,
Për njat kryq që mbaj në gji,
Me marrë Krujën je ba gati,
Gjithë ushtrinë kam me ta gri!

Fort tërbue asht Sulltani,
E ka dyndun gjithë ushtrinë,
Rrethim Krujës veç i bani,
Ban hesapet pa hanxhinë.

Se jo, Kruja nuk dorzohet,
Skanderbeu fort e mbron,
Njaj Murati krejt tërbohet,
Prej trishtimit ma nuk rrnon.

Gjith Evropa n’kamb asht çue,
Mbretën, Roma e Venediku,
Skanderbeu qoftë nderue,
Na ka mbrojt prej çdo rreziku.

Emni i tij me shkronja t’arta,
Rrin i shkruem në Histori,
Me levdatat ma të larta,
Përjetsisht i qoftë lavdi!

Çdo shqiptar për të krenohet,
Për kët Princ e luftëtar,
Brez pas brezi do të kujtohet,
Si Heroi ma i madh Kombëtar!

1924

A child standing next to a statue

Description automatically generated with medium confidence

            Fotoja e marrë nga facebook , “Gjergj Kastrioti -Skenderbeu”

Me rastin e “kremtimeve kastrotjane”, (1968 në Romë) në 500-vjetorin e kalimit në amshim të Kryeheroit të Shqiptarëve, poeti i shekullit të kaluar, Ernest Koliqi do shkruante, ndër të tjera se, “Skënderbeu derdhi mund e gjak. Me mijëra Shqiptarë u bënë flije në luftime të udhëhequra prej Tij. Megjithëkëtë Shqipëria ra në një robëri shekullore. (Por) Ai la të mbjellur në zemër të popullit, dëshirën e lirisë dhe në mendje vegimin e një Shqipërie të bashkuar…”.  Por, Koliqi shpreh shqetësim dhe paralajmëron se, “Ne nuk i njohim forcat e fshehta brenda gjakut arbënuer”, ndërsa shton se megjithëkëtë, “duhet të bindemi se kur ndiesitë vëllazërore çlirohen nga fundi i shpirtit tonë, ato davarisin tymnajën e ndeshtrashave të zeza, duke ndezur në natën e mjerimit, hyjtë xixëlluesa të shpresës”.   

Kam drojë se duke marrë parasysh se si trajtohet sot Gjergj Kastrioti -Skenderbeu nga vet shqiptarët, por dhe nga të ashtuquajturit “miqtë e tyre strategjikë”, (kujt i duhen armiqët, me miq të tillë strategjik!?) — Koliqi mund të ketë qenë tepër optimist në entuziazmin e tij, “për hyjtë xixëlluesa të shpresës”.  Uroj në këtë përvjetor të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit– Skenderbe se Perendia nuk e ka harruar Kombin shqiptar, se më në fund, me një “marrëveshje vëllazore”, do të mund të plotësohej porosia që ka lenë Skënderbeu.  Sot me 17 Janar, 2022, në këtë përvjetor të vdekjes së Kryetrimit, më ka mbuluar “duhma e qelbur e kënetës së dyshimeve”, se shqiptarët mbrenda dhe jashtë trojeve të veta do të ruajnë, besnikërisht, porositë e Gjergj Kastriotit – Skenderbe.  Atij Skenderbeu, i cili shqiptarëve u dha “Atdhe, Arbërin dhe shqiponjën, si simbol fluturimesh të lira dhe la nji trashëgiumi të çmueshme nderi e fisnikërie”.

Edhe në këtë përvjetor të 17 Janarit të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeu — normalisht, tragjeditë që ka pësuar Kombi shqiptar gjatë historisë, do duhej të ishin një shkak bashkimi dhe fuqizimi mbarëkombëtar — dhe jo shkak përçarjeje për shqiptarët në rrënjët e tyre të identitetit arbëror mija-vjeçar.  Në një përvjetor si ky, duhej të kishte dhe një mësim, që as sot të mos humbet as të mos harrohet drejtimi as rruga që njerzit e mëdhej të Kombit shqiptar – si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, i kanë përcaktuar Kombit. 

Sot, në këtë përvjetor të ndarjes së tij nga kjo botë, shekuj më parë, Skënderbeu i Madh jep kushtrimin duke bërë thirrje për rrugën që duhet të ndjekin sot Shqiptarët, para se të jetë tepër vonë!

Frank Shkreli

See the source image

                                    Besëlidhja e Lezhës, Mars, 1444

A picture containing wall, indoor

Description automatically generated

                   Në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 249
  • 250
  • 251
  • 252
  • 253
  • …
  • 669
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT