• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani takohet me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, z. Miroslav Lajčák

September 17, 2021 by s p

Prishtinë, 17 shtator 2021 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot priti në takim të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, z. Miroslav Lajčák me të cilin diskutoi për procesin e dialogut me Serbinë.


Presidentja Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të vendosura që të vazhdojnë dialogun, i cili duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve, pa prekur rendin kushtetues dhe territorin e Republikës së Kosovës.


Ajo potencoi se Republika e Kosovës është pala konstruktive në dialog, e cila është duke ofruar propozime konkrete në këtë proces, dhe e cila i ka zbatuar marrëveshjet e arritura deri më tani, për dallim nga Serbia e cila nuk respekton marrëveshjet e arritura me Republikën e Kosovës.


Z. Lajčák tha se askush nuk do të kërkojë nga Kosova të negociojë kushtetutshmërinë, integritetin territorial dhe funksionalitetin e saj të brendshëm.


Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Malin e Zi, por edhe në Bosnje e Hercegovinë, Presidentja Osmani ngriti shqetësimin e saj për ndërhyrjen e Serbisë në çështje të rregullimit të brendshëm të vendeve fqinje, gjë që po shkakton trazira dhe një valë të re jostabiliteti në rajon.

Ajo potencoi që Kosova ka qenë vazhdimisht pre e tendencave të tilla për destabilizim, por fakti që diçka e ngjashme po ndodhë tashmë edhe në vendet për rreth, është thirrje për nevojën për reagim të menjëhershëm të Bashkimit Evropian në drejtim të dënimit dhe parandalimit të zhvillimeve të tilla.


Në këtë takim, Presidentja Osmani përmendi po ashtu edhe procesin e liberalizimit të vizave. “Perceptimi i qytetarëve të Kosovës për dialogun është i ndërlidhur ngushtë me vendosmërinë e BE-së që të krijojë perspektivë të qartë integruese. Për më tepër, liberalizimi i vizave për Kosovën është jetik sa i përket kredibilitetit të BE-së”, ka theksuar presidentja Osmani, në takimin e sotëm.

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Miroslav Lajcak, Vjosa Osmani

Qeveria e Republikës së Kosovës në vizitë njëditore në Maqedoninë e veriut me rastin e mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut

September 16, 2021 by s p

                                                                                                       

 Shkup, 16 shtator 2021


Me nderimet më të larta ushtarake-shtetërore nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, është pritur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Abin Kurti, me rastin e mbajtjes së mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare.

Kryeministri Kurti ka mbajtur takim tête à тête  me Kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa ministrat zhvilluan takime dypalëshe me ministrat homolog.

Në mbledhjen e përbashkët që po zhvillohet, mes tjerash, do të nënshkruhen marrëveshje dhe memorandume për ndërlidhjen infrastrukturore të të dyja vendeve, për lehtësimin dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe komunikimin, si dhe memorandume dhe programe tjera, që përfshijnë bashkëpunimin e projekteve ndërkombëtare me mbështetjen e programeve IPA të BE-së, bashkëpunim në fushën e energjetikës, si dhe në plan të turizmit, kulturës dhe avancimit të iniciativave të përbashkëta të inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik.

Mbledhja e përbashkët e të dy qeverive është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë më intensive të bashkëpunimit të ndërsjellë, por edhe shprehje e vlerësimit për marrëdhëniet e mira fqinjësore mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: Zaev

MITRUSH KUTELI SHKRIMTARI DHE EKONOMISTI ME DHUNTI ARTISTI

September 13, 2021 by s p

Description: Mitrush Kuteli.jpg

Nga Agim Xh. Dëshnica

Mitrush Kuteli, mjeshtër i prozës shqiptare njihet qysh nga vitet ‘20 me  rrëfimet e një tipi  të veçantë në letrat shqipe, për ritmin, rrjedhjen e shprehive dhe gjuhën e pasur,  i vlerësuar nga shkrimtarët  e studiuesit: Ernest Koliqi,  Karl Gurakuqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Ali Podrima, Petraq Kolevica, Aurel Plasari, Agim Vinca,  Agron Tufa e shumë të tjerë.  Ndër ta,  poeti Petraq Kolevica,  në kujtimet e veta, shkruante  me trishtim: “Te shkrimtari i madh Mitrush Kuteli vija shpesh sepse atje – siç thotë Lumo Skëndo për Naimin – “I varfër vinja, i pasur shkonja, i urët vinja, i nginjët shkonja; pa shpresë vinja, plot shpresë shkonja; me shpirt të sëmurë vinja, kur shkonja ndjenja veten të gjallë e me shpirt”  Kurse me emrin Dhimitër Pasko njihet nga ekonomistët  shqiptarë të financave e bankave për aftësitë e ndershmërinë  në punë, të vlerësuara                                               edhe nga akademikët e bankierët rumunë, italianë etj. Ndërkohë .në librin e mohimeve Historia e Letërsisë Shqiptare-1983, emri i Kutelit përmendet shkaras, prapa letrarëve thuajse pa vepra, siç ndodh edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar – 2008.

Në veprën-1, që përmban prozë dhe vargje të zgjedhura të Kutelit, botim i vitit 2001, A. Pasko shprehet: „Cilido që merr përsipër të shkruajë për jetën e shkrimtarit Mitrush Kuteli, do të jetë i detyruar të flasë edhe për ekonomistin Dhimitër Pasko, madje të alternojë fillin që do të endë ekonomisti, pastaj shkrimtari, pastaj sërish ekonomisti, etj. Por kur flet për shkrimtarin, duhet të përmendë edhe Kutelin – poet, publicist, kritik letrar, përralltar e folklorist, dhe të mos harrojë as Paskon përkëthenjës… Sepse Dhimitër Pasko, i njohur në letërsinë shqipe me pseudonimin Mitrush Kuteli, i zhvilloi këto veprimtari njëherazi, duke i ndërthurur dhe brenda 24 orëve të ditë-natës.“ 

Edhe pas shembjes së diktarurës, kur Mitrush Kuteli nuk ishte  më në jetë, ata që  morën përsipër të shkruanin  për Kutelin shumë  ndodhi nga jeta e vet, i kaluan në heshtje, ndërsa disa  nga vrastarët  e veprës së tij, u rrekën ta fyejnë, duke i kujtuar vitet e luftës,  kur ai shkruante e botonte  tregimet e dhimbëshme kushtuar nënës së dashur, të cilën nuk mundi ta shihte gjallë pas kthimit në atdhe, apo  për të atin e vrarë e shtëpinë e  djegur tok me librat e dorëshkrimet nga ushtria italiane. Ndoshta se shkroi rrëfimet e shkëlqyera  për kapedanët e luftës për pavarësi, apo përgatiti e botoi krijimet e  Lasgushit e Nolit dhe mbrojti me guxim ekonominë shqiptare nga grabitësit e huaj.  S‘është çudi, ndonjë instikt i egër i nxit të përsëriten ngjarjet e frikëshme në Kampin e Vloçishtit, ku shkrimtari i paharruar vuajti, pa asnjë faj në atë ferr, nga torturat  e paraardhësve të tyre, në baltrat e kanaleve,  i pamposhtur deri në vetmohim. 

                                                       *       *       *

Mitrush Kuteli apo Dhimitër Pasko, i lindur më 13 shtator 1907 në Pogradec, me rrëfimet e një niveli të lartë, la gjurmë të thella në letërsinë shqiptare, ndërsa me aftësinë prej dijetari, mbrojti në çdo kohë, ekonominë e financat shqiptare  të rrezikuara nga vjedhësit e korrupsioni. 

Qysh në fëmijëri në mjedisin e ngrohtë familjar, nga nëna mësoi gjuhën e ëmbël shqipe dhe dëgjoi përrallat e bukura të rrethinave të  Pogradecit, ndërsa nga i ati u njoh me librat e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos e Lumo Skëndos. Mësimet e para i mori në Pogradec, të mesmen – në Shkollën Tregtare Rumune në Selanik më 1921. Aso kohe u shqua për prirjet në letërsi. Më 1924 dërgoi shkrime në gazetat Shqipëri e Re e Kosova në Kostancë të Rumanisë për Naimin, Çajupin, Gramenon, Papa Kristo Negovanin, Asdrenin, Hilë Mosin,  për ngjarjet, si vrasja e Bajram Currit e  Luigj Gurakuqit,  analiza e kritika për ekonominë në Shqipëri, etj. Më 1928, në Rumani me punën e llogaritarit, studioi në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike të Bukureshtit. Më 1931 mori diplomën e tre vjet më pas – doktoratën në shkencat bankare dhe monetare, “Diplomam Magnam cum Laude.” Mbi bazën e këtyre arritjeve u emërua në ministrinë e Financave dhe drejtoi Bankën Çërnëuci e Bankën Nacionale të Rumanisë. Ndërkohë ndoqi kurse letrare, përvehtësoi disa gjuhë, botoi tregime e përkthime nga poezia e Mihal Emineskut, drejtoi gazetën Shqipëria e Re të Kostancës me rubrikën Shënime letrare.  Mori përsipër botimin e dy librave me poezi të Lagush Poradecit, Vallja e Yjeve dhe Ylli i Zemrës. të pasuruar me vlerësime të nivelit shkencor. Po në ato vite botoi në shqip e rumanisht artikuj e 17 libra për problemet ekonomike në Shqipëri e Ballkan. Më fillim të Luftës së Dytë Botërore, u thirr nën armë në ushtri si shtetas rumun. Papritur u njoftua se nëna dergjej e sëmurë në Pogradec. Desh fati që me përkrahjen e disa miqve në Bukuresht, pas një mërgimi prej 21 vitesh, më 1942, u kthye në atdhe. Mjerisht nuk mbërriti në kohë, se nëna, të cilën e desh aq shumë, ishte larguar nga jeta. Në atë vit filloi punën e ekonomistit në shoqërinë SASTEB. Më 1943 vizitoi Kosovën. Udhës krijoi poemën Kosovë. Pas kthimit në Tiranë, dha dorëheqjen nga puna, për shkak se vuri re shpërdorime, të cilat nuk mundi t’i ndalonte, dhe u punësua në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, si këshilltar në fushën e monedhës e drejtor. Në orët e lira pas punëve me shifra e probleme bankare, vijoi krijimtarinë letrare, botoi librat Ago Jakupi e rrëfime të tjera, Mall e Brengë, me disa nga  krijimet e Nolit, me një parathënie të përkryer, ku ndër të tjera shprehet “Vjersha e Nolit nuk ka ondulacionin e valëve në mezin e detit, po përplasjen e tyre anës, me zhurmë, gjithëmonë të përsëritur. Në botën e arkitekturës ajo nuk u përngjan pjesave të rrumbulla, por çipeve të mprehta. Sepse Noli nuk gdhend në mermer, po në krastë. Nuk limon me daltë, po pret me sëpatë dhe me çekan të rendë.”

 Mitrush Kuteli së bashku me Ernest Koliqin themeluan prozën moderne shqiptare. 

Për larminë e gjuhës e cilësinë e shkrimeve, Kuteli renditej krahas Konicës e Koliqit.  Më 1944 botoi librat, Kapllan Aga i Shaban Shpatës, Sulme e lotë (Poemi Kosovar dhe Poemi i ShënNaumit) Këngë e britma nga qyteti i djegur, Shënime letrare-Kritikë, Netë Shqiptare, Dashuria e barbarit Artan e Havadan më Havadan. Në fillim të atij viti Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Sterjo Spasse e Nexhat Hakiu, botuan Revistën Letrare dyjavore, vetëm në gjashtë muaj për shkak të luftës.

Gjatë punëve si drejtues i Bankës Kombëtare, Dhimitër Pasko, u përball me zyrtarët e komandës gjermane për çështjen e kartmonedhës së re dhe për shpëtimin e thesarit shqiptar nga grabitja.  I rrezikuar nga zvarritjet e qëllimshme gjatë bisedimeve, në tetor iku maleve në zonat e lira. Pas luftës, me themelimin e Bankës Kombëtare, u emërua anëtar i këshillit të parë dhe drejtor i drejtorisë qëndrore. Dy vjet më vonë dha dorëheqjen, sepse nuk pranoi kursin e këmbimit të caktuar nga shteti shqiptar mes lekut dhe dinarit jugosllav. Më 1947, pa asnjë akuzë të qartë ligjore, u dënua si “armik i popullit” me pesë vite heqje lirie e u rropat si skllav në baltrat e Kampit të Vloçishtit. Kuteli kujton: “

 “Kur na shkarkuan nga kamioni atje, isha me ca rroba të vjetra e si mos më keq nga pluhuri i asaj rruge të gjatë. Në kokë, për t’u mbrojtur nga dielli, kisha lidhur një shami me nyje në të katër cepat, siç e lidhin armaxhinjtë. Një polic erdhi e më pyeti:

-Sa shkollë ke ti?

-Hiç. Katër klasë të fillores kam! – i thashë. 

-Mirë,  shko këtej, ti!

Për fatin tim të mirë e besoi se, siç isha katandisur unë, do të besonte edhe sikur t’i thoshja se isha pa shkollë.”

Në atë kamp mizor për mëngjes e drekë, të burgosurve u jepnin diçka si çaj e bukë si baltë e supë të zezë. Në punë i detyronin të shkonim duke vrapuar zbathur nëpër baltra. Punonin në kanale me ujrat mbi gjunjë. Ushujzat ndër këmbë, mushkonjat në qafë e krah, pinin gjak të munduarish.  Në kthim, aty nga mbrëmja, ecnin me këmbë e duar të këputur  nga puna. Kuteli kujton: “Kur më liruan, ndërsa po më hipnin në kamion, për të na sjellë në Tiranë, u ndodh përsëri ai polic…Duke shtrënguar dhëmbët, më foli gjithë inat:’Ti paske pasur shkollë të madhe, moré! “

Më së fundi Mitrush Kuteli, i liruar me falje, nga fajtorët tradhtarë, pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, hoqi dorë përgjithnjë nga punët në financë dhe iu kushtua tërësisht letërsisë, sidomos përkthimeve, duke punuar i sfilitur nga normat mizore të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri.” Iu botuan edhe disa nga librat si, Pylli i gështenjave, Xinxifillua, Tregime të moçme shqiptare, Baltë nga kjo tokë, etj. 

Askush nga studiuesit e veprave të ndrituara të Kutelit nuk ka mundur të mësojë as sot, përse ndëshkuesit e vet të panjohur e quajtën “armik të popullit.” 

Disa nga rrëfimet, herë  të dhimbëshëm, herë  gazmorë e shpotitës janë:

Xha Brahua i Shkumbanores, Më kot.  E madhe është gjëma e mëkatit, Fshati im e pi rakinë, ABC-ja e kreshnikëve, Natë Kolloxhegu,Vjeshta e Xheladin Beut, Lumi i madh, Pranvera në Transilvani, Natë marsi,  Natë prilli, Natë qershori, Një  natë tetori, Rinë Katerineza, etj.

Romanet:

Mërgim e kthim, Në një cep të Ilirisë së Poshtme, Dashuria e barbarit Artan

Vargje: 

Mëmës Shqipëri, Skënderbeu, Poemi Kosovar,  Poemë e ShëNaumit, Natë vere, Hëna e humbur, Një ndajnatë në Poradecin e vjetër, Rrjedhin Lumejtë, etj.

Përkthime:

Sipas gjetjeve të përafërta, Kuteli me emrin Dhimitër Pasko ka përkthyer mbi pesëdhjetë libra. Nga letërsa ruse: Tregimet e Petërburgut dhe Frymë të vdekura të Gogolit, Kujtimet e një gjahtari të Turgenjevit, Zotërinj Gollovliovë dhe Përralla të Salltikov – Shçedrinit. Vajza e kapitenit të Pushkinit, Fabula të Krillovit, Tregime dhe përralla të Italisë nga Gorki, trilogjinë Rruga e mundimeve të A. Tolstoit, Vërshimet e lumejve dhe Tregimi i pyjeve  të Paustovskit, vëllimet Klasikët rusë dhe Klasikët sovjetikë, Fati i njeriut të Shollohovit, Vetmi të N. Virtës etj. Nga letërsia rumune:  poezi nga Mihal Eminesku, Mitri Kokor dhe Korija e mrekullive në prozë të Sadovenaut, E drejta për të jetuar dhe Kapedan Gardani me shokë  nga autorë të ndryshëm rumunë. Përveç tyre, ai bëri përkthime nga letërsia franceze, polake, persiane, arabe, kineze, mongole,  etj.

Nga fusha e shkencës ekonomike:

Mendime mbi krizën bujqësore – 1931, me të cilin fitoi çmimin e parë në një konkurs. 

Tri probleme në lidhje me bankën Kombëtare të Shqipërisë – 1932.

Huara me forcë përqarkullimin monetar – 1933

Sistemet e Bankave të emisionit të vendeve të Ballkanit- 1934  (tezë për doktoratë.)

Kapitalet e huaja në bankat e mëdha të Bullgarisë – 1935

Bankat Bujqësore të vendeve të Ballkanit – 1935

Banka Kombëtare e Shqipërisë – 1936, etj.

Shumë nga dorëshkrimet  iu dogjën gjatë luftës, të tjerat i humbën gjatë kohës kur ishte në burg, bashkë me bibliotekën e pasur.

                                                    *         *         *         

E tërë kjo veprimtari e këtij mjeshtri e themeluesi të prozës moderne shqiptare, e një stili të veçantë, e këtij ekonomisti të rrallë, u ndërpre para kohe më 4 maj 1967. Pra, në atë vit të dhunshëm, i munduar dhe i fyer, Mitrush Kuteli, ky shkrimtar dhe ekonomist adhetar, u largua nga jeta. Po kush ishte Mitrushi, njeriu me tërë këto aftësi? Lexoni testamentin e tij, apo letrën e fundit për të shoqen: “Kam punuar pa interes vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete, me vjedhje a me tradhëti, dhe unë s’kam përdorur asnjërën prej tyre.  Duke tradhëtuar, pra, duke u shërbyer të huajve, për të grabitur vendin dhe për të marrë prej saj shpërblim. Zgjodha rrugën e kundërt, luftën kundër atyre që grabisnin.  Por nuk i ndala dot të tërë, jo se s’desha, po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetjak, udhën e urtë e të butë me lugën plot. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët donin të më varnin përpara bashkisë, kur muarën vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi, as me veprimin tim  në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi me veprimtarinë time praktike në fushën ekonomike në Rumani.”

Titulli Nderi i Kombit, tashmë i shpallur zyrtarisht për shkrimtarin Mitrush Kuteli, apo për ekonomistin e nderuar Dhimitër Pasko, nuk duhet të jetë gjysmak, por i plotë, ashtu si vepra e tij e ndritur në letërsi dhe në ekonmi, në shërbim të kombit shqiptar.

Çdo adhuruesi të Kutelit,  teksa rri buzë liqenit, ku zhurmojnë valët, i  bëhet sikur dëgjon zërin e tij:

 Jam Kosovar

                      Pra, jam shiptar:

                      Zot e krenar,

                      Zot e bujar,

                      Mbi këtë Dhé,

                      q’e kam si fe,

                      e përmbi fe:

                      E kam vatan!

                      E kam  Atdhe!

                      Që gjysh stërgjysh, 

                      që bres pas bres, 

                      që gjithëmonë!

   Ti shkja thërret   

                  ti shkja bërtet,-              

                  gjer lart në ret:                                                                                                   

                  se jam barbar. 

 Jo, s’jam 

                si  bërtet ti,

                si buçet ti, 

                ti, Mali  i  zi

  Un jam këtu nga moti,

                      kur vetë Zoti

                      e bëri fushën fushë

                      e malin mal.

Un jam këtu e do të jem

                      den baba den,

                      sa mali të bëhet hi                         

                      e hiri mal përsëri.

Nga vargu i krijimeve të Kutelit, japim një rrëfimin  mjaft me vlerë  për të gjitha kohët, një rrëfim ku biseda rrjedh e humori përzihet me hidhërimin, një rrëfim qortues kundër gjakmarjes, edhe hakmarrjes në kohët e reja, kinse sipas e kanunit,  të trashëguar brez pas brezi që nga vitet kur shteti  e ligjet mungonin:

Abc – ja e kreshnikëve 


– E njeh Zenelin?
– Jo, nuk e njoh!
– U bë për të vrarë. E do ta vras!
– Si e qysh?
– Dje më shkeli hijen!
– Hijen tënde?
– Timen! Ecja rrugës, në diell, kur më arriti Zeneli. Hija ime ishte aty poshtë. Ish e gjatë, sepse dielli perëndonte. E priste më dysh rrugën. Zeneli më dha tungjatjetën edhe ma shkeli hijen. Ç’të bëj?
– Vraje!
– E vrava.
– Aferim!
Pas pakëz, duke pirë duhan:
– Fëmijë ka Zeneli?
– Ka, po janë të vegjël.
– Vraji!
– T’i vras?
– Vraji, se do të rriten. Më mirë tani sesa më vonë!
– Mirë thua, ke të drejtë! Do t’i vras! Do t’i shuaj! I ati më shkeli hijen. Kjo s’është pak.

                                                +         +         +

– Dëgjove gjë?
– Jo.
– E vranë Todrin.
– Ku?
– Në mes të tregut.
– Kishte faj?
– Tani s’ka faj, se është i vdekur, po atëherë kish.
– Si e qysh?
– Todri po shikonte një dru telefoni. Ish pak si i vrenjtur, se s’kish me se të blinte bukë. Iu afrua një burrë me mustaqe, trim me fletë si çdo burrë me mustaqe, edhe i tha: – Bre, qen!
– E njihte burri me mustaqe Todrin?
– Jo, nuk e njihte. Por e vërteta: burri me mustaqe kish të drejtë. Bre, qen! – i tha trimi me mustaqe: Bile i tha: Bre, qen i qenit! Pse e vështron me inat drunë e telefonit?
– Më fal, se të pres fjalën, druri i telefonit mos ish i trimit me mustaqe?
– Jo. Druri mund të ish i kujt të ish. A mund të mos ish asfare, mall pa zot si është malli i shtetit. Po sidoqoftë Todri e vështronte me inat drunë e telefonit.
– Ndofta, sepse kish barkun bosh…
– Punë e tij. Bre, qen, – tha trimi, – bre qen i qenit! Pse, bre, e vështron me inat drunë e telefonit? 

– Todri desh t’i përgjigjet, po trimi nuk e la, nxori koburen edhe e vrau.  –   Na –       i tha, – të të mësoj unë ta shikosh me inat drunë e telefonit!
– Kish të drejtë trimi.
– Doemos, se po të mos kish, nuk e vriste.

                                                        *          *           *

– S’po e shoh prej disa ditësh Zefin.
– As e ke për të parë, Zefin e vranë.
– Pse? Kush?
– Fajin e kish Zefi.
– Fol!
– Nipi i të kunatit të vëllait të Zefit…
– Nuk mora vesh. Edhe një herë, të lutem!
– A ka një vëlla Zefi?
– Ka.
– Edhe ky a ka një kunat?
– Ka.
– Edhe kunati a ka një nip?
– Ka.
– Pra, nipi i të kunatit të vëllait të Zefit kish rënë në gjak me një shtëpi kreshnike kombëtare.
– Vetë nipi?
– Jo, shtëpia. Punë e vjetër prej gjyshstërgjyshi, po ti e di se gjaku s’falet.
– Jo! Po të falet, humb burrëria, ndera e trimnia.
– Po, pra… E meqë shtëpia e të nipit të kunatit të vëllait të Zefit ish në gjak, erdhën edhe e vranë Zefin, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, (ndjesë pastë!).
– Në e vranë sipas Kanunit, bënë mirë. Iu rrittë ndera e trimëria e burrëria hasmit të shtëpisë të të nipit të kunatit të vëllait të Zefit! Më vjen keq për Zefin, se ish njeri me kulturë – pesë vjet në Torino, poet e shkrimtar… po në qenka punë gjaku, shumë mirë që u vra! Duhet ruajtur ndera, trimëria e besnia e kreshnikia e fisit të racës arbërore. Duhet ruajtur përgjithmonë Kanuni i Lekë Dukagjinit (ndjesë pastë!) sidomos për punë ndere, trimërie, kreshnikie, besnikie. Pse ndryshe kombi i racës kombëtare ilire edhe pellazge kreshnike arbënore asht në rrezik me hupë. Dhe që të ketë qetësi të plotë, siç ka thënë Shkëlqesia e Tij Lekë Dukagjini, që na la Kanunin, duhet medoemos t’i digjet shtëpia Zefit edhe t’i priten drurët e kopshtit kombëtar.
– Eja të pimë nga dy-tri gota për shëndet të Lekë Dukagjinit (i rrofshin çunat!) e për nderën, trimërinë, besnikinë e kreshnikinë mijëvjeçare, që na nderon truallin tonë kombëtar e fisnik.
– Eja të pimë, po koburet t’ia dorëzojmë një miku, se kam frikë mos të shkel hijen, o mos shoh me inat ndonjë dru telefoni…

                                                  *         *         *
– Ore, thonë se ti e vrave Selmanë…
– Unë, jo!
– Po kush?
– Dyfeku im!
– Ky që ke në krah?
– Ja, ky! Pse s’ta mbush synë?!
– Si jo! Dyfek të këtillë s’kam parë as në Turqi.
– E ke mirë. Dyfek si të turkut s’ka në botë, se turku i punon me merak. Po ky imi është veç botës. Pandeha se s’të pëlqen…
– Si u bë puna e Selmanit?
– I qe shkrojtur ta vras unë, nga e shkrojtura nuk shpëton dot.
– E ke hak. Që kur e polli e ëma, iu shkrojt në qitap: këtë çun do ta vras Ymeri me një dyfek turku. Po aman më thuaj si erdhi puna që e vrave?
– Me një të shtënë e lashë thes. Erdhën edhe e ngritën me tabut.
– Ti ku ishe?
– Prapa ferrës.
– Ai?
– Shkonte rrugës.
– Bukuri! Si trimat e vrave. Edhe ai bëri mirë që ra si thes. Të lumtë dora ty edhe dyfekut i lumtë çarku!
Ymeri qeshi se iu kujtua thesi. Selmani ra menjëherë si një thes me misër pa pasur kohë t’i thotë: faleminderit se më vrave,  si e do burrnia, kreshnikia e besa shqiptare. Po Ymeri zemërgjerë e shpirtluan ia fali këtë të metë.
– Shkaku i vrasjes?
Fajtor ka qenë Selmani, sepse ka një nip nga ana e mbesës. Dhe nipi ka një qen, edhe ky qeni qopek i ka lehur njëherë mikut të të nipit të së mbesës së Ymerit. Miku iu qa të nipit, nipi iu qa mbesës, mbesa iu qa Ymerit edhe Ymeri mori dyfekun dhe e vrau Selmanë…


                                                        *         *          *
Rrinte Suli me Sulën në hijen e një lisi kombëtar edhe përkëdhelnin dyfeqet kreshnike me nga një leckë vaj. Këtë e bënin për të kaluar kohën e për të shprehur dashurinë kreshnike për armët kreshnike.
Dhe që të dy, si trima kombëtarë, e kishin ngjeshur mesin me kollanë e gjoksin me rripa. Kollanët ishin mbushur me paketa fishekësh edhe varur kishin bomba të kuqe.
Të tjerë fishekë e bomba kombëtare kishin nëpër xhepat kreshnikë.
I foli Suli Sulës:
– Ore, ti e ke të papërdorur dyfekun e as që di në shpon.
– Kam zbrazur njëzet paketa. Qé kalamidhet!
– Ke zbrazur në bosh, jo në plot…
– Qysh në bosh!? I kam rënë një zogu majë një lisi edhe e kam rrëzuar, i kam rënë një lepuri, i kam rënë një thiu të egër…
– Të thashë se ti ke zbrazur bosh, më havadan. Ti s’hyn në radhën e burrave. Hajt!
– …
– Ore, a ke zbrazur më njeri? Se atëhere i thonë plot. Je goxha burrë, e s’ke vrarë njeri!
– Jo, njeri kurrë! Kur të më bjerë hasmi në pusi, do t’ia shkrep.
– Prit gomar, të mbijë bar!
Fluturoi një zog kombëtar nga lisi kombëtar edhe hija e tij kreshnike shqiti për një grimë në truallin e fisit arbënor, ku ujku nuk e ha ujkun, po arbri e ha arbrin, si urdhëron Kanuni i Lekë Dukagjinit (ndjesë pastë!).
I foli Suli Sulës:
– Po ti sa herë e ke përdorur pushkën?
– Dy! Një herë i rashë Zeqos edhe e lashë kapicë, në lëmë. Gjysmë herë kur plagosa Zyferë e gjysmë herë Stavron. Këto të dyja bëjnë një. E një e para: dy!
U duk larg një si pikë e zezë që lëvizte në rrugë. I foli Suli Sulës:
– Ja, shikon tutje, po vjen një njeri! Bjeri!
– S’di cili është…
– Çudi e madhe! As ai nuk di cili je ti. Atij i qënka shkrojtur t’i biesh ti me dyfek të ri. I erdh exheli. Apo s’ta mban?
– I bie po mos merret vesh…
– S’ka si merret vesh. Unë s’rrëfej!
– Me besa – besë?
– Me besa – besë e për kokën e dyfekut.
– Atëherë t’i bie?
– Bjeri!
Në këtë kohë pika që lëvizte në rrugë ish madhuar, se e shtynte exheli drejt pushkës kreshnike kombëtare.
Sula ish i përulur prej Sulit, se kish shtënë vetëm bosh. Turp i madh për një trim kombëtar e për një pushkë kreshnike të lyer me vaj!
U shtri barkazi në mezhdë, i fjeti synë pushkës edhe i hoqi këmbëzën.
Edhe pika lëvizëse nuk lëvizi më…
Edhe Sula puthi çarkun e dyfekut kreshnik për provën e lartë…
… Qanë e vajtuan në shtëpi. Shkulën flokët nëna e motrat e të vrarit. U kanos vëllai të marrë gjakun nga hasmi i vjetër i shtëpisë, po puna është se pushka kreshnike e Sulës nuk mbeti në turp kombëtar.
Edhe Suli e mbajti fjalën e nuk e tradhtoi Sulën…
                                              *         *         *
Selmani vrau Selmanin, Stefani vrau Stefanin, Hasani vrau Kristanin, Mestani vrau Vasilin…
Puna rrodhi kësilloj:
Rrinin që të gjithë edhe vështronin malet e larguar.
I pari i tha të dytit (Selmani Selmanit):
– Mali që përtej është më i lartë se ai tjetri.
– Jo, e ke jangëllësh! Ai tjetri është më i lartë nga ai që përtej.
– Jo, ti e ke keq!
– Jo unë, po ti!
Hynë në valle edhe të tjerë: dy Stefanë, një Hasan, një Mestan, një Kristan, një Vasil, një Halil…
Si trima që ishin, e bënë fora edhe u vranë trimërisht në shesh të burrave. U ngritën pastaj edhe farefisi edhe i dogjën shtëpinë njëri – tjetrit.
Dhe malet mbetën si ishin: male…

Shkruesi i këtyre radhëve dhe adhurues i krijimeve të Mitrushit, në shenjë nderimi i ka kushtuar këta vargje:

                      Kur këndoj Mitrushin

Kur këndoj shkrimet tinguj e ngjyra të Mitrushit 

 shfaqet tej fshati, që pi rakinë e rrushit.

Bleta del nga zgjoi, ndër lule e fletishte,

kaposh laroshi thërret mbi kulm plevice.

Lauresha fërfërin në çastet e zgjimit,

mbi ujë e në bar rend e loz puhiza,

kur bryma e ngrica, bora e fërfëlliza,

treten, humbasin në mbarim të dimrit.

Shkumëzime valësh nga guri në gur,

korrës të nxirë në vapë arave me grurë,

dridhmë trokashkash, vërtitje mokrash qark

e hënargjenda ndrin dhe hepet si hark.

Kapllan Aga i Shaban Shpatës na vjen,

me kuajt ngarkuar Ago Jakupin na gjen,

këmbëkryq Mitrushin, këputur zinxhirët,

shtruar kuvendon, gëzohet me të mirët.

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Xh Deshnica, Letersi, Mitrush Kuteli

“LIDERI NUK LIND…BËHET” PROMOVOHET NË VATËR TË DIELËN MË 19 SHTATOR

September 11, 2021 by s p

Dielli/

Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, ditën e Dielë më 19 Shtator 2021, ora 11 am, do të promovohet libri “Lideri nuk lind…bëhet” i autores Iris Halili. Libri vjen si një risi, pasi është i pari i llojit të tij në letrat Shqipe. Botuar nga Shtëpia Botuese Dituria, ai është përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 në kategorinë libër i mendimit, organizuar nga portali më i madh i librit online në Shqipëri “Bukinsit.al”. Autorja Iris Halili vjen me këtë botim pas një kariere të gjatë akademike dhe lidershipi si në Shqipëri ashtu edhe në USA. Ajo është gjithashtu e njohur në shtypin Shqiptar dhe atë të diasporës për artikujt e saj sa për lidershipin, letërsinë apo aktualitetin. Autorja ka qenë prej 10 vjetesh  pedagoge e Letërsisë Moderne në Fakultetin e Letërsisë pranë Univesitetit të Tiranes; Shefe e Kabinetit e Presidentit Alfred Moisiu 2002-2005, Këshilltare e Ministrit Sokol Olldashi 2006 -2007 etj. Prej më shumë se 12 vitesh ajo jeton dhe punon në Miami,  Florida. Në USA ka kryer doktoratën për Lidership dhe Zhvillim Organizatash, dhe aktualisht punon në profesionin e saj si Partnere Biznesi e Burimeve Njerzore.

Libri i saj me i fundit “Lideri nuk lind…bëhet “ dallon për gjuhen e kthjellët dhe të qartë përmes së cilës autorja na përcjell cilësitë/tiparet që dallojnë liderët. Ky libër tashmë është kthyer për lexuesin shqiptar si një manual që në formë lakonike dhe sintetizuese rrëfen rrugën sesi çdo kush mund të bëhet një lidër i sukseshëm apo edhe një ndjekës i ndërgjegjshëm dhe përgjegjës.  Mes shembujsh konkretë nga historia botërore dhe ajo shqiptare, autorja na percjell tiparet e liderve që kanë bërë histori  si për mirë dhe për keq, si dhe shpjegon sesi modelet e tyre të lidershipit kanë përcaktuar fatet e ndjekësve, kombeve apo kompanive që ata kanë drejtuar.

Në promovim pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të blejnë librin 10Usd, të ardhurat e të cilit autorja ka nderin t’ia dhurojë Vatrës.

Promovimi moderohet nga gazetarja Marjana Bulku.

Ju mirëpresim në mjediset e Vatrës.

Filed Under: Politike Tagged With: Iris Halili, LIDERI NUK LIND…BËHET, Marjana Bulku

Kryengritja e Postribës dhe rrjedhojat e kësaj lëvizjeje për Shkodrën dhe Shqipërinë?

September 9, 2021 by s p

Nga Romeo Gurakuq

iSe pari, ajo nuk ka qene nje levizje spontane por pjese e Rezistences se programuar te Shkodres dhe Malesive te saj kunder depertimit komunist jugosllav ne kohen e LDB dhe vendosjes se diktatures komuniste. Qe në fundin e verës së vitit 1943, Malësitë e Mbishkodrës, që përfshinin edhe trevat shqiptare të lirueme (të Hotit, Grudës, Triepshit, Kojës) dhe Postriba, kishin bërë një Besëlidhje me objektiv kryesor mbrojtjen e shtetit në tërësinë e vet tokësore nacionale. Besëlidhja është nënshkruar nga Krenët e Hotit, Krenët e Grudës (Krenët e Tuzit, Vranës dhe Vllanës), Krenët e Kelmendit (Bajrakët e Nikç, Vukël, Selcë, Bogë), Krenët e Kastratit, Krenët e Shkrelit, Krenët e Tripeshit, Krenët e Koqes (Kojes) (Krenët e Fundës, Laurë –Ledinë); Krenët e Reçit, Krenët e Lohes, Krenët e Rrjollit, Krenët e Koplikut, Krenët e Postribës (Bajrakët e Boksit, të Drishtit dhe të Sumës). Besëlidhja e Malësisë së Madhe dhe e Postribës eshte nenshkruar me 23 shtator 1943, ora 16.30. Përfaqësuesit e Malësisë së Madhe dhe të Postribes, deklaruan me këtë rast se nuk bënin pjesë në asnjë parti, përkrahnin dhe bashkëpunonin me ato parti, që mbronin interesat e Atdheut, sipas parashikimit të pikës së mbrojtjes së Tokës Shtetnore. Garantë të kësaj marrëveshjeje u bënë: Major Mul Delija, Major Dodë Nikolla, Kapiten Llesh Marashi, Kapiten Gjelosh Luli. Ne fakt, Beselidhja e 23 shtatorit 1943 ishte perforcim i punes pararendese te një komision krahinor, pjese e “Komitetit per Shpetimin e Shqiperise” te krijuar me 15 gusht të vitit 1943, në Gradiks të Lohes në Malësi të Madhe, me anëtarësinë e çetave të ndryshme të zonës së Reçit dhe Postribes, nën kryesinë e Jup Kazazit. Përmbajtja e deklaratës dhe bashkësia e të besëlidhurve, që përfshinte edhe përfaqësuesit më të rëndësishëm të “Tokave të Lirueme” Veriperëndimore, brenda Mbishkodrës, janë fakte të mjaftueshme për të kuptuar mënyrën se si përballej kjo anë e Shqipërisë me rrethanat e reja të pushtimit gjerman. Kemi të bëjmë me një përpjekje strategjike për akomodim, në rrethanat e tranzicionit politiko-ushtarak të pushtimit gjerman. Është një manovër politike për kompaktësimin e qendrimit të Mbishkodrës, në bashkim, para rrezikut të rikthimit të kuadrit shtetëror shqiptar, në kushtet e një kufiri, që prirej të kthehej mbrapa në kohë, për shkak të përparimit komunist jugosllav në këto anë permes ushtrive partizane shqiptare te drejtuara nga PKSH. Pa kuptuar këtë vendosje politike dhe ushtarake të parësisë së kësaj ane ne vjeshten e vitit 1943 dhe rrjedhen e vitit 1944, nuk mund të kuptohet, as qendrimi vijues i këtyre bashkësive shoqërore, dhe as përballja që ato do të kenë, në fund të vitit 1944, ne fillim të vitit 1945 dhe ne Kryengritjen e Postribes me Forcat e Ndjekjes se MPB te Qeverise se Enver Hoxhes.Se dyti, pas hyrjes së trupave partizane në Shkodër me 29 nentor 1944, opozita e armatosur e kesaj strukture u zhvendos drejt zonave periferike më të mbrojtura, në Malësi të Madhe, Dukagjin, Pukë, Mirditë etj. Pikat e fillimit të rezistencës së armatosur: në Malësi të Madhe nga Llesh Marashi dhe Prenkë Cali; në Anë të Malit nga Hasan Isufi; në Bardhaj nga Jup Kazazi.Kemi të bëjmë me një pushtim të një pjesë të Shqipërisë, të komuniteteve historikisht të lira dhe më të emancipuara të Shkodrës dhe hinterlandit të saj, të Mirditës, të Zadrimës, të Bregut të Matës, të Malësisë së Madhe, të Postribës, të Dukagjinit, nga forcat partizane të sigurisë, që nuk i përkisnin aspak, nga kompozita krahinore, përbërjes dhe mentalitetit të popullsisë vendase të Veriut.Kryengritja e pare kunder okupacionit komunist ka qene ajo e Kelmendit e drejtuar nga Prenk Cali. Pas shtypjes se Kryengritjes se Kelmendit, Brigada XI, nga data, 15 shkurt 1945, filloi operacionet në shkallë të gjërë në Shalë dhe Shllak, në komandën e Ndreko Rinos. 4 batalione të Brigadës I, nën komandën e Ferit Radovickës, më, 19 shkurt 1945 filluan operacionet rrënjësore në Hot, Kastrat, Shkrel, Rrjoll, Postribë. Një batalion i Brigadës IV u dërgua në Pukë, Brigada XVII, nën kryesimin e komandantit të Divizionit VIII, vijoi operacionet në Mirditë. Në Mat dhe Dibër operonin Brigada XXVII; Brigada XVIII operonte në Lumë dhe pjesërisht në Fan të Mirditës, ndërsa krahinat e Krumës, të Tropojës, Hasit, Nikajve, Merturit, në muajin shkurt të vitit 1945 ende nuk ishin shkelur nga forcat komuniste, por parashikohej dërgimi i Brigadave XXIV dhe XI, sapo të mbaronte operacioni në Dukagjin.Operacioni i zhvilluar në katër muajt e parë të vendosjes së regjimit të terrorit komunist në Qarkun e Shkodrës, dha frytet e veta në mposhtjen dhe frikësimin masiv të popullsisë. Goditja kryesore ka qenë ndaj Kishës Katolike, që nga komunistët paragjykohej si “flamurtare e reaksionit”. Pavaresisht ketij represioni në krahinë vazhdonin të gjenin strehim të padorëzuar, Mark Gjon Markaj, Padër Anton Harapi, Llesh Marashi, Jup Kazazi etj. Forcat nacionaliste shpresonin ende në këtë kohë për një ndërhyrje të britanikëve dhe amerikaneve qe nuk erdhi kurre.Agresioni i Ushtrisë së Enver Hoxhës në Shkodër dhe në Veri mund të konsiderohet pa frikë, një nënshtrim me anë të terrorit. Këtë nuk ngurrojnë ta pranojnë as vetë protagonistët e këtij depërtimi, kur shprehen se në “përgjithësi mund të themi se Prefekturën e Shkodrës e kemi okupuar ushtarakisht”, ose “Prefektura e Shkodrës e ka ndjerë grushtin e forcave tona me plot kuptimin e fjalës”(AQSH, Fondi 14, Viti 1945, D. 215, fleta 81-87. Raport i Ushtrisë Partizane, pa nënshkrim, që mban datën 18 shkurt 1945)Se treti, e gjithe cfare ka ndodhur ne Shqiperi ne rrjedhen e viteve 1945 deri ne Kryengritjen e Postribes ne shtator te vitit 1946 do te duhet te perkufizohet ne nje Faze te Katërt e Luftës Civile ne Shqiperi. Kjo faze e katert fillon me nënshtrimin e Kelmendit në janar- shkurt 1945 dhe përfundon me shtypjen e Kryengritjes së Postribës në shtator të vitit 1946. Fazë e Katërt e Luftes Civile ne Shqiperi, produkt i specifikave te Shqiperise ne LDB, ka qenë vetëm një proces pastrues nga rezistenca e popullit, nje raprezalje ndaj krahinave që nuk dëshironin t’i nënshtroheshin pushtetit komunist dhe shumë pak kishte të bënte me një ballafaqim me organizatat rivale të luftës.Ne zonen e Postribes, periferinë veriore dhe verilindore te Shkodres, pas LDB qarkullonte dhe kishte gjetur strehim Jup Kazazi. Saktësisht aktiviteti i tij ishte në Boks, Drisht, Ura e Mesit, hapësirë nga ku komunistët nuk kishin arritur të depërtonin shpirtërisht në popull. Pikërisht këtu filloi në shtatorin e vitit 1946, Lëvizja e Postribës, që në fakt është edhe Kryengritja e Parë e Madhe dhe Lëvizja e Dytë e Qëndresës në Shkodër kundër regjimit të terrorit komunist, pas Kelmendit. Kryengritja në Postribë, ka qenë një kryengritje e mirëfilltë kundër pushtetit komunist, bazuar mbi Beselidhjen e arritur qe ne kohen e luftes, qe per keto ane nuk kishte mbaruar me nenshtrim. Se katerti, eshte interesant fakti se shtypja e Kryengritjes se Postribes sherbeu si pretekst dhe alibi per shtimin e represionit dhe goditjen e grupit te dyte te deputeteve. Pastrimi brenda FNÇ-se.I akuzuari i parë me kete rast ishte deputeti Riza Dani. Më, 23 dhjetor 1946, Kuvendi Popullor vendosi t’i heqë atij mandatin dhe imunitetin parlamentar. Mandati iu hoq edhe tre deputetëve të tjerë të Shkodrës: Kol Prelës, Zef Haxhisë dhe Hysni Pejës. Ndonëse ishte arrestuar më herët se deputetët e tjerë, gjyqi ndaj Riza Danit u zhvillua më vonë. Më, 15 maj 1947, Ministria e Punëve të Brendshme i kërkoi Presidiumit të Kuvendit Popullor, që të hiqte imunitetet e deputetëve opozitarë: Shefqet Beja, Kol Kuqali, Selaudin Toto, Enver Sazani, Irfan Majuni, Faik Shehu, Sheh Karbunara, Kostandin Boshnjaku dhe Islam Radovicka. Heqja e imunitetit parlamentar në Kuvendin Popullor u krye pa debat të mirëfilltë parlamentar, në një situatë të tensionuar dhe aspak normale. Krahas deputetëve, në organizatë u përfshinë dhe një sërë figurash e personalitetesh të tjera, si: Sulo Konjari, Ramazan Tabaku, Riza Alizoti, Foto Bala, Abdyl Kokoshi, Syrja Selfo, Mestan Ujaniku e shumë të tjerë. Shumica e deputetëve u akuzuan, se kishin nxitur dhe organizuar Kryengritjen e Postribës. Ne fakt asgje e tille nuk ishte e vertete. Sfondi i Kryengritjes se Postribes dhe permbajtja kishin te benin me nje formacion krejtesisht tjeter opozicioni.Si konkluzion duhet te themi se Ballafaqimi i Ushtrisë dhe Forcave të Ndjekjes në Shkoder dhe Malesite e rrethet e saj, në rrjedhën e viteve 1945 – 1946, jo vetëm ka qenë një rezistencë ndaj depërtimit komunist, por edhe ndaj rikthimit të tokave të Malësisë në shtetin e dytë jugosllav, të krijuar nga aleati i Enver Hoxhës, Josif Broz Tito.Regjimi që u instalua nga komunistët rezultoi edhe më represiv se sa ai që kishin ndërtuar Italia fashiste dhe posaçërisht Regjenca shqiptare në kohën e mbisundimit të Wehrmacht-it. Objektivi kryesor i komunistëve ishte marrja e pushtetit dhe shkatërrimi i bazës humane të rezistencës kundër ardhjes së tyre, që u përvijua gradualisht në shoqërinë shqiptare. Pas kesaj ngjarje Shkodra dhe Shqiperia do vijojne te jetojne nen nje klime terrori gjithnje e me te rende.

Filed Under: Politike Tagged With: Kryengritja e Postribës, Romeo Gurakuqi, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 261
  • 262
  • 263
  • 264
  • 265
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT